Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Topalli i përgjigjet Ballës:S’të kam takuar kurrë, kontrollove Bashën në çdo lëvizje

Deputetja demokrate, Jozefina Topalli është përfshirë në replika me Taulant Ballën, pas deklaratës së këtij të fundit se në 2021 bashkëpunuan kundër Berishës, duke iu referuar partisë që themeloi Topalli. Por, kjo e fundit e akuzoi se kontrollonte çdo lëvizje të Lulzim Bashës, duke thënë se kurrë s’ka zhvilluar asnjë takim me Ballën.

“Është e njohur publike që në 2021 unë kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD ishte njëri që ju e kontrollonit në çdo lëvizje. S’të kam takuar kurrë në jetën time, por ke takuar Bashën. Prandaj merre me vete atë. Ka qenë e vështirë për mua, por koha më ka dhënë të drejtë dhe sot jam më krenare se kurrë, të thuash të vërtetën kur të tjerët thonë të kundërtën”, iu përgjigj Topalli.

“Jozefinë, mos bëj sikur të dhemb shpirti”, Balla:Bashkëpunuam në 2021 kundër Saliut

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla replikoi me deputeten demoktate, Jozefina Topalli teksa po fliste për kreun e PD, Sali Berisha.

Balla i tha Topallit që të mos i dilte në mbrojtje Berishës, a thua se i dhimbsej shpirti për të. Balla shtoi se Topalli ishte kundër Berishës në 2021, kur krijoi një parti të vetën.

“Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, në 2021 kemi bashkëpunuar bashkë kundër Saliut. Këtë pjesën ma kurse pak. Unë di shumë gjëra, si i ndani llogarinë. Ti na dole huq fare, se kujtova se do merrje ndonjë votë në Shkodër. Historia në këto 20 vjet në parlament, këto rikthimet si puna jote, Ulsiu ka një shprehje, si kthimi pas asaj. Sali, laj gojën sa herë flet për PS. PS ta ka dhënë përgjigjen, do ta japë edhe në 2029. Çohu na sqaro vendimin e djeshëm, a do vini në komisionin e posaçëm apo jo”, theksoi ai.

Balla i përgjigjet kreut të PD: Je non grata nga SHBA dhe na bën si i ndershëm

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur kreut të PD, Sali Berisha, teksa ky i fundit hidhte akuza në drejtim të mazhorancës për rastin ‘Balluku’.

Balla tha se Berisha nuk mund të bëjë si i ndershëm, kur është shpallur non grata nga SHBA dhe është akuzuar nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash.

“Tani, mori urdhrin ky, do fillojë të bëjë zhurmën. Jepi urdhrit këtij, se ka këtë porosi. Një këtej, një andej. Paguhet për këtë punë. Të mbaroj unë. Zotëri, ku t’i ti drejtohesh këtij krahut tjetër, duhet ta lash mirë gojë, ngrije kokën. Laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua, tani ti je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ai aty. Dhe ne nuk kemi thënë asgjë më shumë se kanë thënë SHBA. SHBA të kanë shpallur non grata për korrupsion, po apo jo? Je i akuzuar për korrupsion. Të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon para drejtësisë dhe i merr me libër shtëpia ata që të kanë ngritur ty akuzën, merr prokurorin, merr gjyqtarin. Merresh dhe me mua që kam nderin më të madh të jetës sime që jam kallëzuesi, jam njeriu që të kam kallëzuar ty, ngrije kokën Sali. 100 herë të kthehem mbrapa, do bëj të njëjtën gjë.”, theksoi ai.

Berisha: Kuvendi ka kryer grusht shteti, jeni bërë ushtarë të Ballukut

Kreu i PD, Sali Berisha foli në Kuvend për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Berisha tha se Kuvendi ka kryer grusht shteti duke penguar mbledhjen e Këhsillit të Mandateve. Kreu i PD i tha mazhorancës se janë kthyer në ushtarë të Ballukut.

“Ky parlament çdo sekondë, çdo minutë nxin për aktin antikushtetues, për shndërrimin e mandateve të krimit në mburojë të Lubi Ballukut. Në parzmore të vjedhjeve së miliarda eurove taksa tuaja nga Ramaduro dhe Lubia e tij. Ky parlament kryen grushtin e shtetit, hedh poshtë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e delinkuentes Lubi Balluku”, tha Berisha.

Si bëhei ushatër të ballukut, çfarë u toni ju qytetarëve, familjareve se do mbrojmë hajduten Lubi Balluku, cili nga njerëzit tuaj, shokët tuaj do të miratonte këtë akt”, tha Berisha.

SHBA/ Shënohet viktima e parë nga një armë neurologjike me valë

Michael Beck vdiq të shtunën e kaluar, pikërisht në momentin kur ajo që kishte denoncuar prej saktësisht tridhjetë vitesh po fillon të gjejë konfirmim. Emri i tij tani mund të hyjë në librat e historisë për një rekord të zymtë: viktima e parë e një arme neurologjike. Bëhet fjalë për një teknologji të re, e përdorur deri tani vetëm nga shërbimet sekrete armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, e bazuar në impulse valësh që dëmtojnë rëndë trurin dhe shkaktojnë të ashtuquajturën “sindroma e Havanës”.

Që nga viti 2016, mbi dyqind zyrtarë amerikanë në shërbim në ambasadat jashtë vendit – veçanërisht në Kubë – ose të angazhuar në samite ndërkombëtare, kanë deklaruar se kanë dëgjuar një fishkëllimë të zgjatur dhe më pas kanë përjetuar dhimbje koke të forta, humbje orientimi dhe pagjumësi. Këto probleme janë përsëritur me kalimin e kohës, me intensitet në rritje. Por Beck e kishte përshkruar të njëjtën situatë që në vitin 1996.

Në atë kohë ai ishte agjent i NSA-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, që merret me inteligjencën elektronike dhe kibernetike. Së bashku me një koleg, Charles W. Gubete, ishte dërguar “në një vend armiqësor” për të kontrolluar kantierin e një selie diplomatike, ku dyshohej se ishin instaluar pajisje spiunazhi. Ditën e dytë të inspektimit, ai zbuloi “një kërcënim teknik”.

“Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjova – ka deklaruar ai për Guardian – u ndjeva thellësisht i hutuar. Nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Nuk ishte diçka normale. Piva shumë filxhanë kafe, por nuk shërbyen për asgjë.”

Simptomat më pas u zhdukën. Por rreth dhjetë vjet më vonë, Beck filloi të vuante nga çrregullime gjithnjë e më të rënda: pamundësia për të përdorur tastierën e kompjuterit, vështirësi në lëvizjen e një krahu, paraliza të papritura të një këmbe, marramendje të zgjatura. Vizitat mjekësore sollën një diagnozë të tmerrshme: Parkinson. Ai ishte vetëm 45 vjeç dhe askush në familjen e tij nuk kishte vuajtur më parë nga kjo sëmundje.

Në vitin 2012, Beck u takua në selinë qendrore të NSA-së me Gubete-n, kolegun e misionit të dyshimtë, dhe e gjeti në gjendje plakjeje të përshpejtuar: në moshën gjashtëdhjetë vjeçare mezi ecte. Ai do të vdiste një vit më pas. Jo vetëm kaq. Beck kishte lexuar edhe një raport tepër sekret, ku përshkruhej se “vendi armiqësor” kishte zhvilluar një armë me energji të drejtpërdrejtë, e aftë të shkaktonte simptoma neurologjikisht dobësuese:

“Një sistem mikrovalësh me fuqi të lartë, që mund të ketë aftësinë të dobësojë, të frikësojë ose të vrasë një kundërshtar me kalimin e kohës, pa lënë gjurmë.”

La Repubblica ka mbledhur edhe një dëshmi që daton në fund të viteve ’90. Përfaqësues të një kompanie të themeluar nga teknikë që kishin punuar për KGB-në dhe që ishin futur në tregun privat pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u kishin ofruar shërbimeve sekrete italiane një pajisje jashtëzakonisht të ngjashme. Ajo ishte e futur në një çantë tip “diplomat” dhe lëshonte rreze mikrovalësh që mund të drejtoheshin ndaj një personi. Parimi fizik ishte i njëjtë me atë të pajisjeve që përdoren për të eliminuar insektet në mobilje. Rrezja e veprimit ishte e kufizuar, rreth një metër. Qëllimi operativ ishte neutralizimi i truprojave të një personazhi të rëndësishëm, për ta rrëmbyer ose goditur më pas. Por qartazi, pajisja mund të shkaktonte edhe dëmtime cerebrale ndaj figurave të rangut të lartë.

Në dritën e këtyre dokumenteve, Beck në vitin 2014 kërkoi që sëmundja e tij të njihej si pasojë e shërbimit. Por, pavarësisht se disa ekspertë të CIA-s e kishin mbështetur tezën e tij, NSA e refuzoi kërkesën. Dy vjet më vonë, dhjetëra diplomatë, agjentë federalë dhe punonjës të tjerë nisën të denonconin simptoma identike ndërsa punonin në Kubë, Kanada, Rusi, Austri dhe, të paktën në një rast, në vetë Uashingtonin. Çështja u bë publike dhe u diskutua edhe në Kongres, pa arritur në përfundime shkencore përfundimtare.

Studiuesit e Universitetit të Pensilvanisë kanë gjetur lidhje me hipotezën e një arme me energji të drejtpërdrejtë. Por Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) ka mohuar ekzistencën e provave bindëse. Qeveria amerikane ka refuzuar gjithashtu të njohë lidhjen mes kësaj sëmundjeje misterioze dhe aktivitetit profesional.

Pak javë më parë, CNN publikoi një zbulim tronditës: një divizion i Homeland Security ka blerë, për disa milionë dollarë, një pajisje të aftë të shkaktojë simptoma identike me “sindromën e Havanës”. Operacioni u krye në javët e fundit të administratës Biden dhe pajisja më pas është analizuar nga Departamenti i Mbrojtjes – që tani quhet Departamenti i Luftës – për të rindërtuar funksionimin e saj. Ajo mund të transportohet në një çantë shpine dhe lëshon impulse valësh radio. Nuk është prodhim rus, por përmban komponentë të prodhuar në Rusi.

Nuk ka informacione të tjera. Por ekziston siguria se është kapërcyer një tjetër prag në teknologjitë ushtarake. Prej vitesh shkencëtarët kanë paralajmëruar për mundësinë reale të krijimit të armëve neurologjike; tani ka zbulime të pakundërshtuara mbi ekzistencën e sistemeve operative, portative, të bazuara në “energji të drejtpërdrejtë” dhe të afta të drejtohen kundër një objektivi të caktuar. Rreze të padukshme që mund të çojnë në vdekje, pa lënë gjurmë. Ashtu siç mund t’i ketë ndodhur Michael Beck. Dhe ashtu siç mund t’u ndodhë qindra viktimave të tjera të “sindromës së Havanës”./ La Repubblica

Rama: Në 5 vite, rritje prej 80% të vizitorëve të huaj në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria është kthyer një qendër e turistëve të huaj, ndërsa ndan në “Facebook” edhe disa nga shkrimet e mediave të huaja për vendin tonë.

Është revista franceze “Geo Magazinë” që duket se i ka kushtuar një artikull vendit tonë ku e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që të ofron male, plazhe, trashëgimi kulturore e historike.

Statusi i kryeministrit Rama:

Shqipëria turistike sërish në vëmendjen e medias

Këtë herë, revista e njohur franceze GEO Magazine i ka dedikuar një artikull vendit tonë, duke e përshkruar si një destinacion të larmishëm me plazhe, male, natyrë magjepsëse, me një trashëgimi të pasur kulturore e historike, mbushur me ndikime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane

Po ashtu përmenden kujtimet e Kanunit, një kod misterioz mesjetar nderi, si dhe ekstravaganca arkitekturore e Tiranës

E gjithë kjo ofertë turistike ka bërë që në pesë vjet, Shqipëria të ketë një rritje prej 80% të numrit të vizitorëve të huaj.

Komisioni për Reformën Territoriale, Boçi-PS: Ultimatumi që vendoset, turp

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi deklaroi se mazhoranca nuk mund t’i vendosë ultimatum opozitës lidhur me mbledhjen e komisionit për reformën territoriale.

Boçi tha se mbledhjet janë zhvilluar në mënyrë të njëanshme. Ai shtoi se opozita do japë opsionet e saj, por jo me shumicën e imponuar nga mazhoranca.

“Nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, është diskutuar, është dhënë ultimatum për mbledhjen nga komisioni për reformën territoriale. Një mbledhje e komisionit, kur ka një kyetar, thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Kurse komisioni i poaçëm  po na thirret me urdhrin e një bashkëkryetari. Nuk ka dakordësi, nuk ka konsultim, unë jam bashkëkryetari. Kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsulencë me kryesinë e komisionit, që përbëhet nga dy bashkëkryetarë. Ku është rregullorja e parlamentit, pazar është këtu? Kjo është e turpshme. Më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve. I morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse nuk i merrni? Vijnë këtu anëtarët e komisionit të posaçëm dhe firmosin ndryshimin e përbërjes së komisionit. Noterët tuaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. I themi qytetarëve, ne do jemi në shesh, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju,jo me shumicën e imponuar nga ju. Me ju çfarë nuk shihet, çfarë nuk dëgjohet.”, theksoi Boçi.

“Territorialja”/Balla afat PD deri në mbrëmje: Na thoni nëse do vini në Komision

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i la afat opozitës deri në mbrëmje për të vendosur nëse do shkojnë apo jo në komisionin për Reformën Territoriale. Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes. Pra,propozimi i PS për zhbërjen e formulës së barazisë, nuk do të hiqet nga rendi i ditës, por opozita ka kohë deri në momentin e votimit që të vendosë nëse do shkojnë ose jo në komision.

“Ca thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Më komunikuan mbrëmë që ju jeni tërhequr nga bojkoti, të paktën këtë haber na keni sjell dje. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendos dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakafonik sa për një çështje çoheni 2 veta. Tani jeni shpartalluar s eca kanë ik, ca janë pa qejf, ca nuk vinë. Zonja dhe zotërinj të PD-së, ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhje të Komisionit, ta dimë. Këtë gjë e keni deri në darke, kur të vijë vendimi. Në rast se na thoni do vijmë në mbledhje, jo kjo historia që i thashë bashkëkryetarit, se unë nuk isha, nuk bëhet mbledhja e komisionit me 8, se 8 e do dhe një të bëhet 9 dhe të jetë 1 më shumë se gjysma. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na e thoni deri në darkë, se në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjera”, tha Balla.

Përgjigjen e mori nga Luçiano Boçi, i cili tha se PD nuk ka bojkotuar, por mbledhjet janë thirrur në mënyrë të njëanshme.

“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme, mbledhja thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo, prandaj keni nevojë për Chat GPT. Mos vendosni ultimatume, ne jemi parti që vendimet i marrim vetë, keni për detyrë të zbatoni rregulloren dhe kushtetutën”, tha Boçi.

“Interpelancat detyrim, me Ballukun ka 2 vjet që e mbani pezull”, Shehaj: Skandal

Lideri i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori fjalën në Kuvend duke lexuar nenin 80 të Kushtetutës ku thuhet se afati maksimal i kabinetit për t’i përgjigjur interpelancave është 3 javë.

Deputeti tha se ka kërkuar një interpelancë me Belinda Ballukun prej 2 vjetësh, por ende nuk ka ndodhur. Më pas ai tha se ky është një skandal në mbrojtje të zv/kryeministres duke mbajtur pezull një interpelancë, ndërsa ndaj saj ka kërkesë për pezullim e arrestim.

“Kam kërkuar një interpelancë në korrik 2023 me Belinda Ballukun. Para 2 vjetësh, 2! Kushtetuta thotë tri javë. Unë nuk e di ku e gjeni kurajën të vini dhe të bëni sikur s’ka ndodhur asgjë! Tani unë e kuptoj shqetësimin tuaj, doni të lejoni që Belinda Balluku të vazhdojë të abuzojë me fondet, me paratë e shqiptarëve. Nuk pyesni as për kushtetutën, as kërkesën për arrestim, as për kërkesën për pezullim të Belinda Ballukut. Ky është një skandal i vërtetë! Vazhdoni flisni për gjithçka, por vetëm për një gjë nuk flisni. Si të mbrojmë paratë e qytetarëve shqiptarë nga hajdutët, nga abuzuesit? Ky është problemi! Është turp që të mbani pezull një interpelancë 2 vjet! Ndërkohë zv/kryeministrja çfarë bën? Vazhdon dhe firmos! Vazhdon dhe firmos abuzimet e radhës së qeverisë! Duhet t’i jepni fund mbrojtjes së Belinda Ballukut. Mjaft më! Nuk mund të shkelni kushtetutën! Nuk mund të vazhdohet me këtë mënyrë! 2 vjet një interpelancë me Belinda Ballukun! Belinda Balluku nuk e di do të jetë a s’do të jetë më zv/kryeministre! Nuk e di a do të jetë a s’do të jetë më deputete e këtij Kuvendi, ndërkohë ka një interpelancë 2 vjet! Keni 2 vjet që mbroni BB! Është turp!”, tha Shehaj.

Infantino: FIFA po shqyrton heqjen e ndalimit për ekipet ruse

Në një intervistë për Sky News, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se federata botërore e futbollit po shqyrton heqjen e ndalimit për klubet dhe ekipet kombëtare ruse nga pjesëmarrja në të gjitha garat ndërkombëtare, i cili u vendos pas futjes së trupave ruse në Ukrainë.

Gianni Infantino theksoi rëndësinë e “dhënies së mundësisë vajzave dhe djemve nga Rusia për të luajtur futboll në pjesë të tjera të Evropës”.

“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë, vetëm ka krijuar më shumë urrejtje dhe frustrim”, theksoi presidenti i FIFA-s, duke shtuar:

“Ne duhet ta përcaktojmë në kushtetutën tonë që nuk duhet ta ndalojmë kurrë asnjë vend të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve të tij politikë. Mendoj se në botën e ndarë në të cilën jetojmë, ne kemi nevojë për mundësi ku njerëzit mund të bashkohen për pasionin e tyre për futbollin”, tregoi ai. 

Ai tha gjithashtu se është kundër një ndalimi të Izraelit, duke thënë se një veprim i tillë do të përbënte një “disfatë”.

Kur u pyet për ata që bëjnë thirrje për bojkot të Kupës së Botës 2026 në SHBA për shkak të shqetësimeve në lidhje me politikat e presidentit Trump për imigracionin dhe çështjet e sigurisë, ai tha se nuk ka kurrë thirrje për bojkot nga bizneset ose në nivel diplomatik.

Porositi një vrasje të mbetur në tentativë, dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari

Është dënuar me 25 vite burg 34-vjeçari që porositi një vrasje të mbetur në tentativë për gjakmarrje.

Sipas uniformave blu, Laert Hasalla, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë, ndodhej nën masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, pasi dyshohej që ka porositur vrasjen e shtetasit me iniciale M.H., në vitin 2023.

Njoftimi:

Porositi një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakmarrjeje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila e dënoi me 25 vite burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, shtetasin:
L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë.

Ky shtetas ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H., në vitin 2023.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi L. H. kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç (aktualisht i dënuar), i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit M. H.

Si pasojë e të shtënave, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila udhëtonte në të njëjtin automjet me shtetasin M. H.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani

Në një klasë në Chennai të Indisë, rreth 20 infermierë po mësojnë gjermanisht me një shpejtësi të madhe. Ato kanë gjashtë muaj për të mësuar gjuhën në mënyrë që të mund të punojnë në Gjermani.

Ramalakshi, njëra prej tyre, thotë se nuk ishte e lehtë për familjen e saj të paguante mijëra euro që ajo të përfundonte shkollimin në infermieri. Tani, ajo ndjen nevojën për t’i shlyer këto investime.

“Qëllimi im është të punoj jashtë vendit. Dua të siguroj jetesën financiare për familjen time dhe të ndërtoj një shtëpi për veten time”, tha ajo për DW.

Qeveria e shtetit jugor indian të Tamil Nadu po financon kursin e gjuhës për të ulur papunësinëdhe për t’u dhënë familjeve në disavantazh një shans në tregun global të punës. Agjencitë private më pas lidhin infermierët indianë me punëdhënës potencialë.

Nevojiten qindra mijëra punëtorë të kualifikuar
Gjermania po kërkon me dëshpërim punëtorë të kualifikuar, ndërsa e ashtuquajtura gjeneratë “baby boomer” del në pension në vitet e ardhshme, ndërsa shumë pak fëmijë po lindin.

Spitalet kanë mungesë infermierësh, shkollat ​​kanë mungesë mësuesish dhe sektori i IT-së po kërkon programues.

Ekonomistët në Institutin për Kërkime të Tregut të Punës (IAB) në Nuremberg vlerësojnë se Gjermaniaduhet të tërheqë 300,000 punëtorë të kualifikuar çdo vit vetëm për të ruajtur status quo-në.

Pa ta, gjermanët do të duhej të punonin më gjatë, të dilnin në pension më vonë – ose thjesht të ishin më të varfër, tha për DW studiuesi i IAB, Michael Oberfichter.

Refugjatët – punëtorë të kualifikuar
Sipas shifrave të fundit nga Zyra Federale për Migracionindhe Refugjatët, rreth 160,000 të huaj me leje qëndrimi janë të regjistruar si punëtorë të kualifikuar.

Por zyra është gjithashtu përgjegjëse për përpunimin e kërkesave për azil të miliona refugjatëve që kanë mbërritur në Gjermani vitet e fundit për shkak të luftërave dhe konflikteve, si ato në Siri dhe Ukrainë. Për shkak të mungesës së digjitalizimit, burokracia gjermane është e ngadaltë.

Rritja e ndjeshme e numrit të refugjatëve dhe dështimi i qeverisë për t’i integruar ata në tregun e punës çuan në pakënaqësi në rritje me politikat e migracionit dhe mbështetje në rritje për partinë e ekstremit të djathtë kundër emigrantëve, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Roli i “punëtorëve mysafirë”
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania përjetoi një bum ekonomik që përshkruhet edhe sot si një “mrekulli ekonomike”.

Gjatë viteve 1950, 1960 dhe fillimit të viteve 1970, ekonomia u rrit aq shpejt sa demokracia e re kishte nevojë për punëtorë nga jashtë.

Gjermania lidhi marrëveshje zyrtare punësimi me vende të tilla si Italia, Greqia, Turqia, Jugosllavia dhe të tjera për të siguruar një fluks të qëndrueshëm punëtorësh.

Deri në vitin 1973, kur kjo politikë u hoq gradualisht, 14 milionë njerëz kishin ardhur për të punuar në Gjermani. Ata u quajtën “gastarbeiter” (punëtorë mysafirë) sepse qeveria supozonte se ata do të ktheheshin në shtëpi pas disa vitesh. Megjithatë, shumë qëndruan për të jetuar në Gjermani.

Pengesa burokratike
Pavarësisht nevojës për punëtorë, migrantët përballen sot me pengesa të shumta në tregun e punës. Pas diplomimit në universitet në Gjermani, Zara nga Irani nuk u lejua të punonte në fillim.

“Kaloi pothuajse një vit derisa mora një takim për të ndryshuar vizën time studentore në një vizë pune”, tha ajo për DW.

Zara flet rrjedhshëm gjermanisht, jep mësim në universitete dhe bën kërkime studimore. Megjithatë, pas më shumë se gjashtë vitesh në vend, ajo ende nuk ka marrë një leje pune të përhershme dhe duhet të raportojë tek autoritetet sa herë që ndërron punë.

“Ndonjëherë e pyes veten: a dua të jetoj këtu?” thotë ajo, duke pyetur veten nëse duhej të kishte shkuar në Kanada si disa miq të saj që ndërkohë kanë marrë shtetësinë kanadeze që atëherë. “Ende duhet të kaloj nëpër të gjitha këto pas gjashtë vitesh e gjysmë.”

Avokati i migracionit me bazë në Këln, Björn Maibaum, thotë se Zara nuk është një rast i izoluar. “Për fat të keq, është e njëjta gjë në të gjithë Gjermaninë”, tha ai për DW.

Zyra e tij trajton rreth 2,000 raste të tilla në vit, duke u përpjekur të përshpejtojë procedurat. Klientët përfshijnë “mjekë, infermierë, inxhinierë, shoferë kamionësh”.

Problemi kryesor, thotë ai, është se autoritetet e imigracionit kanë mungesë stafi, kështu që aplikantët presin “për muaj ose edhe një vit”.

“Është thjesht frustruese. Dhe ky nuk është mesazhi që duam t’i dërgojmë botës. Ne po konkurrojmë për punëtorë.”

Qëndrimet ndaj të huajve si problem
Kayalvli Rajavil viziton pacientët në klinikën BDH në Valendar. Spitali specializohet në rehabilitimin neurobiologjik, duke i ndihmuar pacientët të shërohen.

Rajavil ka qenë në Gjermani vetëm disa muaj. “Gjuha gjermane ishte veçanërisht e vështirë për mua në fillim. Por shefi dhe kolegët e mi kanë qenë shumë të dobishëm për mua dhe të tjerët, ata na respektojnë”, tha ajo për DW.

Ajo është një nga rreth 40 infermieret nga India dhe Sri Lanka që janë punësuar vitet e fundit – kryesisht përmes agjencive që i faturojnë klinikës midis 7,000 dhe 12,000 euro për vendosje të suksesshme.

Jörg Bibrak, kreu i stafit të infermierisë, thotë se për shtetasit e Indisë që duan të punojnë këtu, problemi është qëndrimi ndaj të huajve në Gjermani, veçanërisht incidentet raciste.

“Na pyesin gjithnjë e më shumë për zhvillimet politike, duke përfshirë parti të ndryshme”, tha ai për DW, duke shtuar se është gjithnjë e më e vështirë të bësh që punonjësit e rinj nga jashtë të ndihen të mirëpritur.

Malli për shtëpinë, problemet familjare dhe përshtatja me një kulturë të re janë sfida shtesë që shpesh i pengojnë punëtorët e huaj të qëndrojnë përtej kontratës së zakonshme dyvjeçare.

Si ta përshpejtojmë procesin?
Për të mbetur konkurrues në garën globale për infermierë nga India, klinika BDH tani po ofron një program trajnimi profesional për indianët e rinj që sapo kanë mbaruar shkollën e mesme.

Kjo do të përshpejtonte rekrutimin – i cili zakonisht zgjat deri në nëntë muaj – dhe do të shmangte njohjen e ndërlikuar të kualifikimeve të huaja, e komplikuar më tej nga rregulla të ndryshme në 16 landet federale të Gjermanisë.

Bibrak beson se shërbimet e migracionit duhet të jenë “më të shpejta” ndërsa ligjet më të përshtatshme për ta bërë Gjermaninë “më tërheqëse” për talentet e reja.

“Të gjithë thonë se kemi nevojë për punëtorë të kualifikuar. Por ne jemi ende larg një kulture mikpritëse ku gjithçka shkon pa probleme.”/DW

PD u tërhoq për “Territorialen”, PS duhet të heqë nga rendi zhbërjen e barazisë

Sot në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë seancën plenare të radhës.

Pas tërheqjes së Partisë Demokratike nga bojkoti për Komisionin e Reformës Territoriale, do të duhet që PS të heqë nga rendi i ditës prishjen e formulës së barazisë dhe heqjen e bashkëkryetarit, të planifikuar për t’u votuar sot në seancë plenare.

Një ditë më parë, deputetët kundërshtuan Berishën për bojkotin pasi duan të shkojnë në komision për të diskutuar propozimet e tyre lidhur me reformën. Kjo ndodhi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ndërsa po në të njëjtën ditë, PD braktisi mbledhjen për reformën që ishte njëkohësisht edhe afati i fundit i mazhorancës për të që të vendoste rikthimin në komision.

Ndërkohë në axhendë përfshihet një interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, të kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Çifti Clinton pranon të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për Jeffrey Epstein

Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe gruaja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për autorin e ndjerë të krimit seksual Jeffrey Epstein.

Kjo vjen disa ditë para një votimi nëse çifti do të akuzohet për “shpërfillje penale” për refuzimin e paraqitjes para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve pas një bllokimi disamujor.

Bill Clinton ishte i njohur me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të kryerjes së tij të ndonjë krimi seksual dhe thotë se ai i ka ndërprerë kontaktet dy dekada më parë, shkruajnë mediat e huaja.

Nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por do të jetë hera e parë që një ish-president i SHBA-së dëshmon para një paneli të Kongresit që kur Gerald Ford e bëri këtë në vitin 1983.

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, miratoi masën për të akuzuar familjen Clinton për shpërfillje në fund të muajit të kaluar, me mbështetjen e disa demokratëve.

Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, postoi në X duke konfirmuar se çifti do të paraqitej para panelit.

“Ata negociuan me mirëbesim”, shkroi Ureña në një postim drejtuar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve. “Ju nuk e bëtë”.

“Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por juve nuk ju intereson. Por ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të jenë atje. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”.

Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epstein dhe ka mohuar të ketë dijeni për ofendimin e tij seksual.

Regjistrat e aeroplanit privat të Epstein tregojnë se Clinton bëri katër fluturime ndërkombëtare në 2002 dhe 2003.

Ish-presidenti shfaqet gjithashtu në pronën e financierit të ndjerë në foto që ishin midis një grupi të dhënash të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë për t’u përputhur me një ligj të miratuar nga Kongresi që urdhëron zbulimin e të gjithë materialit hetimor në lidhje me pedofilin e dënuar të ndjerë.

Një fotografi tregon ish-presidentin duke notuar në një pishinë dhe një tjetër e tregon atë të shtrirë në shpinë me duart pas kokës në atë që duket të jetë një vaskë e nxehtë.

Ureña, zëdhënësi i Clinton, tha në atë kohë se fotot ishin dekada të vjetra dhe Clinton kishte ndaluar së shoqëruari me Epstein përpara se krimet e tij të dilnin në dritë.

Parashikimi i motit, 3 Shkurt 2026

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike reletivisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.

Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal.

Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore. Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve.

Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë zonave luginore dhe vijës bregdetare në jug në pjesën e parë të ditës era hera-herës me shpejtësi deri 10m/s.

Valëzimi në det i forcës 1-2 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi

Prezenca e Venusit ne qiellin e te dashuruarve do beje qe dita te jete me pozitive sot. Do bini ne konsensus me partnerin tuaj dhe nuk priten aspak mosmarrëveshje me te. Beqaret ka shume gjase qe jo vetëm te realizojnë takime, por mund te fillojnë edhe lidhje serioze. Gjendja e financave do varet nga mënyra sesi ju do i organizoni ato. Kujdes!

Demi

Me ne fund do pajtoheni me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe do i shihni gjerat me një sy tjetër. E ardhmja pritet te jete me e bukur. Beqaret do realizojnë takime pa fund dhe do ndihen mjaft mire me gjithçka qe do ju ndodhe. Financat do jene te mira, por kjo nuk do te thotë qe duke përfituar nga kjo ju te shpenzoni shume marramendëse.

Binjaket

Nëse lidhja juaj është vërtet e forte, do arrije t’i kaloje pa asnjë problem sfidat qe do dalin gjate kësaj dite. Fatmirësisht nuk priten probleme. Beqaret do jene gjithë kohës ne kërkim te princit te tyre te kaltër, por nuk do arrijnë dot ta gjejnë atë. Ne planin financiar do i kaloni një e nga një te gjitha problemet dhe do ndiheni mjaft mire. Mund te shlyeni edhe borxhet.

Gaforrja

Dite goxha e vështire kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Nuk do ja kaloni mire pranë partnerit dhe shpesh do doni te arratiseni nga jeta qe bëni. Beqaret do lëvizin çdo lloj guri ne mënyrë qe te bëjnë për vete atë qe duan, por ne fakt nuk do jete dhe aq e thjeshte. Ne planin financiar duhet te mateni mire para se te shpenzoni ne mënyrë qe gjendja te mbetet e njëjte.

Luani

Do flisni hapur me njeri-tjetrin gjate kësaj dite dhe do i zgjidhni te gjitha problemet qe keni pasur. Shume gjera kane për te marre drejtimin e duhur sot. Beqaret nuk do kenë aspak mundësi te mira për te filluar një lidhje kështu qe me mire te qëndrojnë si janë. Merkuri do jete planeti qe do mundohet t’iu ndihmoje qe financat te përmirësohen.

Virgjeresha

Dite me shume fat kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do ndiheni mjaft mire ne krahët e partnerit tuaj dhe do merrni edhe disa vendime shume te rëndësishme qe mund t’ua ndryshojnë te ardhmen. Beqaret do e ndryshojnë rutinën e jetës se përditshme fale disa takime mbresëlënëse. Financat do jene goxha me te qëndrueshme se me pare.

Peshorja

Duhet te veproni me shume takt dhe diplomaci gjate kësaj dite juve qe jeni ne një lidhje sepse ne te kundërt mund te lindin goxha probleme dhe vështirësi. Beqaret nuk duhet t’i humbin mundësitë qe do iu jepen për takime sepse jo gjithmonë vijnë raste te tilla. Ne planin financiar gjerat nuk do ecin ashtu si e kishit menduar kështu qe duhet ta shtrëngoni pak rripin e shpenzimeve.

Akrepi

Do jeni shume rivale gjate kësaj dite me partnerin tuaj dhe asnjeri prej jush nuk do pranoje ne asnjë moment te hape rruge. Beqaret do joshen nga persona te shumte, por duhet te mendohen mire dhe te bëjnë zgjedhjen e duhur. Financat për pjesën me te madhe janë te qëndrueshme, gjithsesi mire është te mos kryeni shpenzoni te pamenduara me kujdes.

Shigjetari

Duhet te keni me tepër besim tek partneri juaj sot sepse përndryshe hendeku mund te thellohet akoma me shume. Beqaret do jene te shpërqendruar dhe as qe do mendojnë te fillojnë një lidhje serioze. Ne fakt kane për te humbur mundësi vërtet te mira. Financat duhet t’i menaxhoni me shume kujdes dhe maturi. Gjendja nuk do jete shume e favorshme.

Bricjapi

Jeta juaj ne çift do jete gjate gjithë kohës e mbrojtur sot. Do ruani një komunikim te mire me partnerin dhe do i zgjidhni te gjitha mosmarrëveshjet. Beqaret nuk do jene me fat kështu qe do mbeten serish te vetmuar. Edhe për disa kohe nuk do e ndryshoni statusin. Gjendja e te ardhurave do lere goxha për te dëshiruar. Mos u nxitoni me shpenzimet.

Ujori

Dite e mbushur me pasion kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Priten momente te mrekullueshme pranë personin qe dashuroni kështu qe çdo çast duhet shfrytëzuar. Beqaret nuk duhet te ëndërrojnë me shume sesa duhet sepse realiteti do iu duket akoma me zhgënjyes. Financat do kenë përmirësime te menjëhershme qe dhe ju vete do ju habisin.

Peshqit

Dite e këndshme, por pa ndonjë emocion te madhe kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Komunikimi do e ruaje gjithë kohës klimën e ngrohte. Beqaret nuk do kenë aspak dëshirë për te filluar një lidhje dhe do i refuzojnë te gjitha ftesat. Financat do jene përgjithësisht te ekuilibruara. Do arrini t’i kryeni te gjitha shpenzimet me te nevojshme.

Gjyqtarët duan rritje page, Rama i kundërshton, Lala: Nuk kërkojnë rritje, por…

Nëpërmjet një video në “Facebook”, kryeministri Edi Rama këtë të hënë rikthehu përsëri në vëmendje kërkesën e gjyqtarëve për të rritur pagat e tyre.

Lidhur me pagat e gjyqtarëve ka folur në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala e cila sqaroi pretendimet e aktorëve të drejtësisë lidhur me çështjen e pagave të tyre.

Lala shprehet se bazuar në një vendim të vitit 2016, paga e gjyqtarëve do të bazohej në rrogën e Drejtorit të Departamentit pranë Këshillit të Ministrave, shifër kjo që indeksohet.

“Në vitin 2016, sipas ligjit të kohës, qeveria shqiptare, më saktë Parlamenti, miratoi këtë ligj dhe referonte pagën e gjyqtarit tek Drejtori i Departamentit pranë Këshillit të Ministrave. Pra, thënë ndryshe për opinionin publik, do të referohej rroga e një gjyqtari tek rroga e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, zotit Engjëll Agaçi. Do të referohej aty, se pagat referohen, më pas indeksohen”, tha ajo.

Sakaq, gazetarja shprehet se në vitin 2023, ky vendim ndryshon, pasi referimi i pagave të gjyqtarëve bazohet tek ajo e Presidentit të Republikës.

“Çfarë ndodhi? Qeveria në vitin 2023 e ndryshoi referimin. Pra, i hoqi gjyqtarët nga referimi tek kjo pagë, të Drejtorit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, por i referoi me një kleçkë ligjore tek paga e Presidentit të Republikës, e cila në fakt në hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë, ëhstë paga më e lartë pas Guvernatorit të Shqipërisë”, tha ajo.

Por, edhe pse Presidenti i Republikës ka pagën më të lartë në shtet, ajo qëndron e pandryshueshme, gjë që ndikon tek rrogat e gjyqtarëve. Nga ana tjetër, Lala shprehet se gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por referimin e pagës së tyre tek ajo e Sekretarit të Këshillit të Ministrave.

“Në pamje të parë, Presidenti i Republikës ka një pagë më të lartë se sa ajo që merr sot Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Por, e di çfarë ndodh në rastin e pagës së Presidentit? Paga e Presidentit nuk ndryshon, çka do të thotë se përgjithmonë paga e gjyqtarit të Republikës së Shqipërisë nuk ndryshon.

Gjyqtarët nuk kërkojnë rritje rroge, por i thonë qeverisë do na kthesh, të naa referosh tek ajo që në fakt ti vetë e ke miratuar”, u shpreh Lala.

Trump pritet të vizitojë Greqinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po planifikon të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi, tha të dielën ambasadorja e SHBA-së në Athinë, Kimberly Ann Guilfoyle, duke sinjalizuar interesin në rritje të Uashingtonit në rajonin e Mesdheut Juglindor.

Duke folur në prezantimin e filmit të ri dokumentar të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, në Athinë të dielën, Guilfoyle tha se mezi pret një vizitë nga presidenti i SHBA-së dhe bashkëshortja e tij.

“E di që Presidenti do të vijë dhe mezi pres që të dy, përfshirë Melanian, të vijnë për të vizituar Greqinë”, tha Guilfoyle.

Guilfoyle nuk specifikoi se kur do të zhvillohej një vizitë e tillë ose nëse Trump do të ndalonte edhe në vendet e afërta me rëndësi strategjike për interesat e SHBA-së, si Izraeli, Qiproja dhe Turqia.

Megjithatë, vetë njoftimi ka vlerë politike për Evropën Juglindore, një rajon ku vendet janë përfshirë në tensione që lidhen me mosmarrëveshjet detare, veçanërisht midis Greqisë dhe Turqisë, dhe mosmarrëveshjet mbi burimet energjetike.

Që kur Trump u rizgjodh si president, kompanitë amerikane kanë rritur investimet për të eksploruar gazin dhe naftën në Mesdheun Lindor. Vetë Guilfoyle e ka përshkruar Greqinë si një “lojtar kryesor në të ardhmen energjetike të Evropës”. Për më tepër, ndryshe nga shumë partnerë të Uashingtonit në BE, Greqia pajtohet me Trumpin në lidhje me nevojën që Evropa të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

Ndërkohë, Athina ka ringjallur marrëdhëniet me Izraelin dhe Qipron në një përpjekje për të rritur koordinimin në mbrojtje dhe energji.

Atentati në Lezhë, Klodiana Lala: Në kërkim anëtarë të fisit të ish-deputetit

Në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.

Gazetarja u shpreh se në shënjestër ka qenë nipi i Ardian Nikulajt. Ky i fundit është ekzekutuar për shkaqe hakmarrjeje. Ajo tha se në kërkim për ngjarjen e rëndë janë shpallur anëtarë të fisit të një ish-deputeti të PS-së. Lala dha edhe detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes.

Ajo foli edhe për policin e arrestuar, duke u shprehur se ka dyshime se ai ka qenë shoqërues personal i të plagosurit. Lala hodhi dyshime të forta se elementë të policisë mbajnë njërin krah apo tjetrin, që janë në konflikt të ashpër në këtë zonë.

“Nuk ka qenë shënjestër pronari i berberhanes, por nipi i Ardian Nikulajt. Në berbarhane ka qenë vetëm fillimisht punonjësi, aty ka mbërritur një punonjës policie, që ka qenë jashtë orarit të shërbimit, ka qenë me të plagosurin G.N. Në mbrëmje, përpara berberhanes kanë ardhur dy makina dhe nga aty kanë dalë 7 persona, ku 5 persona mbanin shkopa bejsbolli dhe 2 kishin kallash. Punonjësi i policisë sa duket shoqëronte G.N. Kur ka nisur konflikti, ka pasur të shtëna nga jashtë brenda dhe nga brenda. 16 gëzhoja janë gjetur që është qëlluar edhe nga brenda. Polici ka thënë se unë parandalova tragjedi dhe prandaj kam qëlluar. Ai është arrestuar. Janë shpallur në kërkim katër pjesëtarë të fisit të një ish-deputeti socialist. Janë disa të arrestuar për hakmarrjen e egër mes fiseve, mes tyre dhe të huaj. Në rastin që flasim, makinat janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ku një nga makinat është ndjekur nga pas. Janë dy fise që kanë përplasje të ashpër dhe policia është bërë palë, disa me njërën palë e disa me palën tjetër. Polici i arrestuar sot nuk kishte pse të mbante armë me vete. Shkak për plagosjen e nipit të Ardian Nikulajt është një bisedë në Sky Ecc. Në 2025, G.N godet me makinën e tij një motor, ku ishin anëtarë të fisit të ish-deputetit A.N. Ata për shkak të hasmërisë që kanë, dhunojnë çdo person që kalon aty ”, tha Lala.

Atentati në Lezhës/ Emrat e personave të shpallur në kërkim, anëtarë të fisit Ndoka

Policia e Lezhës vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, të dielën e 1 shkurtit, ku një shtetas mbeti i plagosur me armë zjarri.

Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, janë tre nga fisi Ndoka të shpallur në kërkim. Ndërsa tjetri i shpallur në kërkim është i dyshuari si shënjestër, Merando Nikulaj, i cili ishte brenda në berberhane.

Njoftimi i policisë:

Grupi i Posaçëm Hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, është angazhuar në hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Në vijim të hetimeve, është ekzekutuar urdhri i ndalimit për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit G. N., E. N., K. N., dhe M. N., të cilët dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen dhe janë të përfshirë në veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”.

Policia po vazhdon punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për shkak të natyrës sensitive të hetimeve, nuk jepen më shumë detaje për momentin.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës, për procedim penal ndaj personave të dyshuar.

❌