Reading view

08:00 Histori/ LS 6, siluruesja fantazmë e Hitlerit, 83 vjet e zhdukur nën ujërat e Jonit

Zbulohet një armë sekrete e Kriegsmarine. Historia e LS 6, motoskafit gjerman që kërkonte prenë nga errësira. LS 6, anija e vogël që mbajti një ide të madhe lufte. Nga operacionet sekrete të kryqëzorëve gjermanë te zbulimi spektakolar në 96 metra thellësi

Përgatiti: Leonard Veizi

Në fundin ranor të Detit Jon, në një thellësi ku drita e diellit humbet dhe historia mbetet e ngrirë në heshtje, një copëz e Luftës së Dytë Botërore ka dalë përsëri në sipërfaqen e kujtesës. Për 83 vjet, LS 6, një nga anijet më të pazakonta të marinës gjermane, qëndroi e fshehur nën ujë.

Relikti u identifikua në rreth 96 metra thellësi, pranë zonës së Prevezës dhe Mytikasit, në Detin Jon. Gjetja erdhi pas një kërkimi shumëvjeçar nga studiues dhe zhytës teknikë grekë. Anija u njoh nga karakteristikat e saj të veçanta: trupi i lehtë prej aliazh alumini, përmasat e vogla, motorët Junkers Jumo 205M dhe detaji më domethënës – kablloja e vjetër e rimorkimit që ende qëndronte në pjesën e përparme.

Për dekada dihej vetëm fundi i paqartë i historisë së saj. Në shtator 1943, LS 6 ishte goditur nga avionët aleatë pranë Igumenicës. E dëmtuar rëndë, ajo u nxor nga uji dhe u nis për t’u tërhequr drejt Pireut për riparime. Por gjatë rrugës, dëmtimet e trupit prej alumini u bënë fatale. Anija mori ujë dhe u zhduk në thellësitë e Jonit.

Ajo që u konsiderua një humbje e vogël në një luftë gjigante, sot është një nga dëshmitë më të rralla të teknologjisë detare gjermane.

Një armë e vogël për një luftë të madhe

Kur Gjermania hyri në Luftën e Dytë Botërore, Kriegsmarine kishte tashmë në përdorim S-Boote, motoskafe të shpejta torpeduese rreth 40 metra të gjata dhe me aftësi të larta luftarake. Por ato kishin një problem: ishin shumë të mëdha për t’u fshehur dhe transportuar në bordin e kryqëzorëve ndihmës. Gjermanët kërkonin diçka tjetër.

Ideja ishte që kryqëzorët ndihmës – anijet tregtare të maskuara si civile, të njohura si Hilfskreuzer ose Handelsstörkreuzer – të mos ishin vetëm platforma me topa, mina dhe silurë, por të mund të lëshonin edhe mjete të vogla sulmuese.

Një anije tregtare që hynte në një port armik mund të dukej krejt e zakonshme. Por natën, nga kuverta e saj mund të dilnin mjete të vogla që do të afroheshin në heshtje dhe do të godisnin objektivin.

Ishte një rikthim i një ideje të vjetër: anija mëmë e siluruesve. Një koncept i provuar që nga fundi i shekullit XIX nga disa marina evropiane, por që kishte dështuar për shkak të dobësisë së mjeteve të vogla ndaj detit të hapur.

Gjermanët kërkuan ta zgjidhnin këtë problem.

Lindja e Leichte Schnellboote

Kështu lindi projekti LS – Leichte Schnellboot, që do të thotë “anije e lehtë e shpejtë”.

Ndryshe nga motoskafet e zakonshme të bregdetit, LS nuk u projektua vetëm për sulme të shpejta pranë porteve. Ajo duhej të ishte një mjet i aftë për lundrim më të gjatë, për operacione speciale dhe për përdorim në kushte të ndryshme detare.

Prototipi i parë, LS 1, u ndërtua në vitin 1939 nga kantieri NAGLO në Berlin. Ai kishte një konstruksion të përzier: aliazh të lehtë dhe dru mahagoni të laminuar.

Më pas prodhimi kaloi te Dornier në Friedrichshafen, i cili ndërtoi një seri tjetër me strukturë tërësisht prej aliazh të lehtë.

Rezultati ishte një mjet shumë i pazakontë:

gjatësi rreth 12,5 metra;

ekuipazh vetëm 7 persona;

shpejtësi deri në 41 nyje;

dy motorë dizel Junkers Jumo 205M;

armatim me dy silurë 450 mm;

aftësi për vendosjen e minave;

mundësi transportimi të grupeve të vogla speciale.

Ishte, në thelb, një “siluruese xhepi”.

Sa LS u ndërtuan?

Programi nuk prodhoi një flotë të madhe. Në total u ndërtuan rreth 18 njësi, nga LS 1 deri te LS 18. Por vetëm një pjesë e vogël u përdor në rolin për të cilin ishin projektuar fillimisht. Tre prej tyre – LS 2, LS 3 dhe LS 4 – u vendosën në kryqëzorët ndihmës gjermanë:

Komet (HSK 7);

Kormoran (HSK 8);

Michel (HSK 9).

Këto anije zhvilluan luftë kundër tregtisë aleate në oqeane të largëta.

Një nga sukseset më të mëdha erdhi nga LS 4, e vendosur në Michel. Në vitin 1942 ajo mori pjesë në fundosjen e tanker-it amerikan Connecticut me dy silurë. Më vonë, bashkë me LS 5, mori pjesë edhe në sulmin kundër anijes tregtare amerikane George Clymer në Atlantik.

Nga oqeanet te Deti Egje

Pjesa më e madhe e LS-ve nuk përfundoi në operacionet oqeanike. Pas ndryshimit të situatës strategjike, ato u dërguan kryesisht në Mesdhe dhe Detin Egje. Atje roli i tyre ndryshoi. Nga armë sulmuese kundër tregtisë detare, ato u përdorën kryesisht për:

patrullim;

luftë kundër nëndetëseve;

shoqërim kolonash;

operacione pranë brigjeve.

LS 6 ishte një prej tyre. Ajo nuk pati një fund spektakolar në betejë. Nuk u fundos duke sulmuar një flotë armike. Përfundoi si shumë anije të tjera të luftës: e dëmtuar, e braktisur dhe e harruar. Por deti ruajti atë që arkivat nuk mundën ta tregonin.

Pas luftës: zhdukja e një klase të tërë

Nga gjithë seria LS, shumë pak mbijetuan. Disa u shkatërruan gjatë luftës, disa u kapën nga forcat aleate dhe disa iu dorëzuan marinave të vendeve të tjera.

Njësia e vetme e njohur që mbijetoi pas konfliktit ishte LS 12, e cila përfundoi si plaçkë lufte në Bashkimin Sovjetik. Asnjë tjetër nuk ruhej si anije muzeale.

Pikërisht për këtë arsye zbulimi i LS 6 ka rëndësi të veçantë. Ajo nuk është vetëm një anije e fundosur. Është pothuajse i vetmi dëshmitar fizik i një eksperimenti të veçantë të Kriegsmarine: përpjekjes për të krijuar një armë të vogël, të shpejtë dhe të fshehtë që mund të godiste shumë më larg se madhësia e saj.

Pas 83 vitesh, LS 6 nuk u kthye në luftë. U kthye në histori.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ “Dadot”, drama e një kufome që nuk pranon të vdesë

Nga Leonard Veizi

Për Petron thuhet se ishte një njeri me karakter të fortë dhe të pavarur, ndërsa Pavli, një ish-i burgosur që kërkonte të rikthehej në shoqëri. Dy hajdutë të vegjël, dy njerëz të dështuar në skajet e jetës, pa punë dhe pa ndonjë shpresë për të ardhmen. Por një mëngjes dimri, kur dielli duket sikur sjell një premtim të ri, varfërisë së tyre i shfaqet shpëtimi në formën e Stavrosit. Një plutokrat enigmatik, i mbyllur në vetvete, me sjellje të ftohtë dhe një portofol plot para. Oferta është e thjeshtë dhe e parezistueshme: të kujdesen për gruan e tij të sëmurë, të shtrirë në shtrat, në këmbim të ushqimit, strehimit dhe një pagese të majme ditore….

…Por pikërisht këtu nis absurdi. Stavro nuk kërkon dy gra që të kujdesen për fëmijë, siç sugjeron titulli “Dadot”. Ai kërkon dy burra që të bëhen kujdestarë të një gruaje të vdekur. Dhe pyetja e parë që lind është e pashmangshme: përse një njeri i pasur do t’ia besonte njeriun më të dashur dy të panjohurve, dy njerëzve që nuk kanë asgjë për të humbur?

Pikërisht kjo pyetje hap dramën e hidhur dhe njëkohësisht groteske të teatrit modern grek, “Dadot” shkruar nga Jorgos Kurti.

Një marrëveshje me të vdekurën

Stavro jeton në një vilë luksoze, por të izoluar. Një shtëpi me dritare të mbyllura, me qepena të blinduara dhe me një heshtje që ngjan më shumë me një varr sesa me një banesë.

Dy të varfërit hyjnë aty duke menduar se fati më në fund u buzëqeshi. Por në fakt, ata kanë hyrë në një botë ku gënjeshtra është bërë mënyrë jetese.

Stavro u tregon se gruaja e tij kishte vdekur dikur, por tani, sipas tij, ajo është kthyer në jetë. Nuk është më një e vdekur. Është përsëri aty. Dhe ai kërkon prej tyre ta trajtojnë si të gjallë.

Ky nuk është thjesht një truk dramaturgjik. Është zemra simbolike e veprës.

Në analizën politike të kohës, figura e gruas lidhet me vetë idenë e demokracisë. Në Greqinë e regjimit të kolonelëve, pas grushtit të shtetit të vitit 1967, propaganda pretendonte se demokracia kishte vdekur përpara ndërhyrjes së ushtrisë dhe se diktatura ishte ajo që kishte sjellë “shpëtimin”.

Gruaja e Stavrosit është pikërisht kjo demokraci e kthyer në fantazmë: një kufomë që mbahet gjallë me kujtime, rituale dhe frikë.

Kur Stavro më në fund e sjell trupin e saj në dhomë me një karrocë, ajo është aq e plakur dhe e shpërfytyruar sa Petro dhe Pavli shpërthejnë në lot. Por Stavro nuk pret keqardhje. Ai pret respekt. Madje pret dashuri.

Tre njerëz që ruajnë një të shkuar të vdekur

Në këtë pikë, drama e Kourtit del përtej kufijve grekë. Ajo bëhet një metaforë më e gjerë për shoqëritë që nuk arrijnë të ndahen nga e kaluara.

Gruaja e balsamosur nuk është thjesht një kufomë. Ajo është një kujtim që refuzon të vdesë. Është nostalgjia për një kohë të humbur, një e kaluar e lyer me kujdes, e parfumosur dhe e paraqitur si e bukur, megjithëse brenda saj ka filluar kalbëzimi.

Stavro nuk ruan gruan e tij. Ai ruan iluzionin e tij.

Ai beson se mund ta ndalë kohën, se mund ta burgosë historinë brenda katër mureve dhe se mjafton që njerëzit të vazhdojnë ritualin për ta mbajtur të gjallë atë që ka vdekur.

Por edhe shtëpia është pjesë e kësaj simbolike. Vila me qepena të mbyllura është një shoqëri që ka frikë nga drita. Brenda saj jetojnë miti, frika dhe bindja e verbër. Jashtë është bota që ecën.

Është historia e çdo sistemi që mbyll dritaret për të mos parë ndryshimin.

Ndërsa dy dadot janë njerëzit e tranzicionit. Ata nuk janë heronj dhe as viktima të pafajshme. Janë njerëz të lodhur, pa siguri, pa një busull morale të qëndrueshme, të gatshëm të pranojnë edhe absurditetin më të madh nëse ai u siguron bukën e ditës.

Kurti prek një mekanizëm të dhimbshëm njerëzor: sa lehtë mund të bëhesh kujdestar i një kufome, nëse pagesa është mjaft e mirë.

Rituali bëhet më i fortë se arsyeja. Njerëzit vazhdojnë t’i afrohen një të vdekure, t’i tregojnë respekt dhe të luajnë rolin e tyre, vetëm sepse kështu kërkon protokolli.

Autori nuk na thotë thjesht se Stavro është i çmendur. Ideja e tij është shumë më e rëndë: shoqëritë mund të mësohen me çmendurinë, nëse ajo vjen e shoqëruar me siguri dhe shpërblim.

Kur “Dadot” u bënë shqiptare

Nuk është rastësi që kjo dramë u bë veçanërisht e afërt për publikun shqiptar pas viteve ’90. Ishim një shoqëri që sapo kishte dalë nga izolimi i gjatë dhe po hynte në një realitet të ri, ku përballeshin kujtimet e së shkuarës me etjen për para, pushtet dhe status.

Në skenën shqiptare ajo mori një dimension tjetër me një kast të jashtëzakonshëm: Roland Trebicka, Genc Fuga dhe Agim Qirjaqi, nën regjinë e Inis Gjoni.

Trebicka solli groteskun njerëzor dhe tragjikomikën e njeriut të vogël përballë absurdit. Fuga mishëroi brishtësinë e atij që pranon të bëjë kompromise me veten për një jetë më të lehtë. Ndërsa Qirjaqi krijoi një Stavro të paharrueshëm: një njeri të qetë, elegant, pothuajse fisnik në sjellje, dhe pikërisht për këtë edhe më të frikshëm.

Një njeri që nuk të detyron me dhunë të duash një kufomë. Ai thjesht të paguan që ta bësh.

Atëherë u kuptua se “Dadot” nuk ishte vetëm një dramë për Greqinë e kolonelëve. Ishte një dramë për çdo shoqëri që përpiqet të blejë kujdestarë për të kaluarën e saj.

Ishte një pasqyrë edhe për Shqipërinë e viteve të para të tranzicionit, ku disa menduan se gjithçka mund të blihej: pasuria, respekti, heshtja dhe madje edhe njerëzit që do të ruanin kujtimet e tyre.

Në fund mbetet pyetja më e fortë e veprës: kur njëri prej dadove vret tjetrin për paratë, sepse Stavro premton një shpërblim më të madh për atë që mbetet vetëm, a kemi dalë vërtet nga vila?

Apo thjesht kemi ndërruar rolet?

Sepse ndonjëherë kufoma nuk është varrosur. Thjesht është vendosur në një dhomë tjetër dhe dikush vazhdon të paguhet për ta ruajtur.

  •  

08:00 Histori/ Konstandinopoja e papushtueshme, fundi i ëndrrës së avarëve dhe sllavëve

Më 7 gusht 626, pas javësh sulmesh të pasuksesshme ushtritë Avare dhe sllave hoqën rrethimin e Konstandinopojës

Përgatiti: Leonard Veizi

Përpara se të mbërrinte viti 626, Konstandinopoja kishte përballuar tashmë shumë sulme, por ai që do të vinte atë verë konsiderohej ndër më të rrezikshmit. Perandoria Bizantine ishte e angazhuar në një luftë të ashpër me Perandoria Sasanide dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së perandorit Herakliu ndodhej larg kryeqytetit, në fushatat ushtarake në Lindje. Duke përfituar nga kjo situatë, Khagani i Avarëve vendosi të godiste zemrën e perandorisë.

Në verën e vitit 626, një koalicion i madh avarësh, sllavësh dhe popujsh të tjerë aleatë zbriti drejt mureve të Konstandinopojës. Në të njëjtën kohë, persët u vendosën në bregun aziatik të Bosfori, duke shpresuar të bashkërendonin një sulm të përbashkët. Megjithatë, flota bizantine kontrollonte ngushticën dhe pengoi çdo bashkim të forcave. Kjo ndarje do të rezultonte vendimtare.

Avarët ishin luftëtarë të shkëlqyer të stepës, të aftë në beteja të hapura, por nuk zotëronin përvojën, makineritë dhe teknologjinë e nevojshme për të thyer sistemin mbrojtës të Konstandinopojës. Muret e famshme të Teodosit, të ngritura në disa breza mbrojtës me kulla, hendeqe dhe porta të fortifikuara, ishin ndër veprat më të avancuara ushtarake të botës mesjetare. Për dekada me radhë ato kishin dëshmuar se ishin pothuajse të papushtueshme.

Sllavët u përpoqën të ndihmonin sulmin duke përdorur varka të vogla për të kaluar në anën tjetër të Bosforit dhe për të lidhur kontakt me persët. Por marina bizantine i sulmoi dhe shkatërroi shumicën e tyre. Dështimi i këtij operacioni i la sulmuesit pa mundësinë e një ofensivë të koordinuar.

Ndërkohë, rrethimi po zgjatej. Ushtria avare dhe aleatët e saj po përballeshin me mungesë ushqimi, furnizimesh dhe municionesh. Mbajtja e një force kaq të madhe larg bazave të saj ishte gjithnjë e më e vështirë. Çdo ditë që kalonte favorizonte mbrojtësit, të cilët furnizoheshin nga deti dhe ruanin moralin e tyre pas mureve të qytetit.

Sipas traditës bizantine, shpëtimi i qytetit iu atribua edhe ndërhyrjes hyjnore të Virgjëresha Mari. Banorët organizuan procesione fetare përgjatë mureve dhe, pas tërheqjes së armikut, u krijua himni i njohur Akathistos, i cili përkujtonte mbrojtjen e mrekullueshme të kryeqytetit.

Më në fund, më 7 gusht 626, pas javësh sulmesh të pasuksesshme dhe humbjesh të mëdha, avarët urdhëruan tërheqjen. Sllavët, të mbetur pa mbështetje dhe të goditur nga mungesa e furnizimeve, braktisën gjithashtu rrethimin. Ushtritë u shpërndanë drejt territoreve të Ballkanit, ku shumë fise sllave vazhduan të vendoseshin në tokat e Perandorisë Bizantine.

Dështimi i rrethimit të vitit 626 pati pasoja të rëndësishme historike. Ai shpëtoi Konstandinopojën nga një pushtim që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë evropiane dhe dobësoi ndjeshëm fuqinë e Avarëve, të cilët nuk do ta rifitonin më ndikimin e dikurshëm. Për Perandorinë Bizantine, kjo fitore u bë simbol i qëndresës së kryeqytetit, ndërsa për Ballkanin shënoi vazhdimin e vendosjes së popullsive sllave në rajon, një proces që do të ndryshonte përgjithmonë hartën etnike dhe politike të Evropës Juglindore.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Autostradat pa destinacione të shqiptarëve

Nga Leonard Veizi

Në fundjavë, njeriu kërkon të gjejë ca orë prehje. Ndaj niset për të kapur, o ndonjë majë mali, ose ndonjë buzë përroi. Them përrua, se lumenj s’po ka më. Ka dhe nga ata më fatlumët, që edhe në periudhën e kursimeve shkojnë buzë detit, për të paguar me çmim startosfere një çadër, e cila ngjason me ato të spahijve kur fushonin gjatë ekspeditave ushtarake.

Gjithsesi pushimet në Shqipëri, – si ato të “lejës së zakonshme” adhe të fundjavave, – kanë një kosto tmerrësisht të lartë. Ndaj kur kthehesh në shtëpi, nuk ndjen se je qetësuar por je lodhur dhe më shumë se kur punoje në kompjuter duke luajtur “solitare”.

E shtunë. Dalim jashtë Tiranë. Duke menduar se rrugët që të çojnë në plazhe kanë trafik të rënduar, marrim “rrugën e Elbasanit”. Te gryka e Bradasheshit, aty ku lë autostradën – dhe rruga ngushtohet për të hyrë në ish-autostradën e kohës së komunizmit që lidhte Bradasheshin me Kombinatin Metalurgjik dhe qytetin e Elbasanit – o të dalin tëmthat nga marazi, ose, nëse e ke hapur kondicionerin në maksimum, vendos të dëgjosh ndonjë këngë melodramatike nga USB-ja e makinës. Dy orë stërvitje gaz-freksion. Kështu mund ta shtysh disi. Por me shumë gjasa, kur të ngrihesh nga dremitja që të zë nga pezullimi total i lëvizjes, zëri do të jetë ngjyrur, grykët do të dhembin e do jesh bërë për spital. Ndërsa nervat e këmbëve të janë tendosur.

-Kësaj i thonë t’ja heqësh vetes, bam…

Epo ndryshe nuk ka si të jetë.

Në Shqipëri, prej 80 vitesh ndërtohen rrugë – e rrugë nuk ka. Prej 35 vitesh ndërtohen autostrada – dhe ato janë për ibret: një e shtrembër, një me gunga, një tjetër që të lë në mes të rrugës. Asnjëra nuk nis nga kryeqyteti për të përfunduar në destinacion. Dhe mes gjithë kësaj kakofonie, qeveria merr guximin të vendosë edhe një tra. Jo tra ekuilibri – mos e ngatërroni me atë të gjimnastikës – por një tra për të mbledhur para. Dhe për më tepër, trau ka funksion të dyfishtë. Mos paguaj po deshe.

Autostrada e Elbasanit, që mezi u bë, pasi u rinegociuan fonde sa për të ringritur edhe një herë Metalurgjikun, prapë nuk po arrin të kryejë funksionin. Ishim më mirë me rrugën e Kërrabës. Aty, te kilometri 29, pinim edhe një kafe turke me një gastare ujë qelibar. Madje i hidhnim dhe nja dy kova ujë makinës. Se sot, s’të le njëri. Është lavazhdi dhe lavazhjerët në dispozicion.

Tanimë, për të shkuar në Elbasan, të duhen dy orë e kacafiu. Po të nisesh në 6 të mëngjesit, rruga zgjat mes 25 – 35 minutave – nëse përfshijmë edhe ndonjë ndalesë për nevojë personale. Se jemi njerëz, në fund të fundit. Por po u nise pak më vonë, bëhu gati: do shullohesh në diellin përvëlues të verës, ose do kalbesh nga shiu i dimrit. Zgjidh e merr.

Të nisesh për në Durrës është edhe më keq. Autostrada nuk ia vlen, as tani që bëhen punime – dhe qeveria e ka projektuar këtë superstradë fshati për ta kthyer njëlloj me atë të Los Anxhelosit, thonë, – por as më parë nuk ia ka vlejtur të përballosh segmentin e shëmtuar Tiranë – Vorë – Durrës. Më mirë të marrësh rrugën e vjetër të Ndroqit: gjarpëruese, me gjelbërim, dhe që të nxjerr drejt e te Plepat. Veç duhet të kesh një palë amortizatorë rezervë në bagazh. Rrugë është – dhe rruga ka të papriturat e veta. Dhe në këtë rrugë nuk është vënë dorë ndonjëherë, ndaj gropat janë thelluar aq shumë sa mund të thyhen në dysh dhe kamionët e tonazhit të rëndë jo më veturat me kapacitet deri në 5 persona.

Po segmenti Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë? As mos e zëmë në gojë. As për autostradën e Milotit. Dhe nuk ia vlen në mburresh me 20 kilometrat e autostradës Levan–Vlorë? Ndaj më mirë të mos flasim fare.

Prandaj, në këto kushte, këshilla më e vlefshme për drejtuesit e automjeteve është: mbusheni plot serbatorin me karburant, dhe shkarkoni sa më shumë hite në USB – që të shtyni kohën. Përndryshe, do pëllcisni nga mërzia, po ashtu si shpërthen uthulla e fortë enën e vet.

  •  

10:00 Nga Leonard Veizi/ Masakra e Teksasit – Historia e vërtetë e kanibalëve që frymëzuan filmin horror më të frikshëm

Nga Leonard Veizi

Në vitin 1974, në kinema u shfaq një tmerr intimisht shqetësues, por e cilësuar më pasi si një kryevepër gonzo-makabre. Filmi ishte frymëzuar nga historia e vërtetë e vrasësit serial Ed Gein, i cili u arrestua në vitin 1957 për mizori të tmerrshme në Uiskonsin e largët.  “The Texas chain saw massacre” është shumë më tepër se një film horror klasik. Ai është një përvojë kinematografike që përmban një kritikë të fuqishme sociale dhe një estetikë unike të terrorit. Në thelb, filmi eksploron instinktet më të errëta të njeriut dhe se si ato mund të shfaqen në formën më brutale të mundshme…

…Në ekranet shqiptare ai ka ardhur si “Masakra e Teksasit”. Unskonsi u zëvendësua me Teksasin për një përshtatje më të mirë filmike. Është një nga filmat më të famshëm të zhanrit horror dhe ka pasur disa versione dhe vazhdime. Versioni origjinal është ai i vitit 1974 me regji nga Tobe Hooper, skenar të shkruar nga Tob Huper dhe Kim Henkëll. Ndërsa kasti i interpretuesve përbëhet nga aktorët kryesorë: Marilin Bërns, Gunar Hansen, Pol A. Partin

Filmi është pjesërisht i frymëzuar nga vrasësi i vërtetë Ed Gain, i cili përdorte lëkurat e viktimave për të bërë maska dhe objekte shtëpiake. Eduard Gein ishte një vrasës amerikan i njohur gjithashtu si “Kasapi i Plainfield” ose “Goul Plainfield”. Ai paraqitet në film si Ledërfeis

Por Ledërfeis, si imazh filmik është një njeri pa identitet të qartë. Ai vesh maska të ndryshme prej lëkure njerëzore, duke sugjeruar mungesën e një identiteti të vërtetë. Ndryshe nga vrasësit serialë klasikë, Letërfeis nuk është një vrasës i vetëm. Ai është një produkt i familjes së tij dhe i kushteve ekstreme në të cilat jeton. Një përbindësh tragjik: Ndonëse është një figurë e frikshme, ai shfaq edhe momente ankthi dhe paniku, sidomos kur nuk e di si të reagojë ndaj të huajve që hyjnë në territorin e tij.

Ngjarja

Një grup të rinjsh udhëtojnë në një zonë rurale të Teksasit dhe përfundojnë viktima të një familjeje kanibale, përfshirë Letërfeis, i cili përdor një sharrë elektrike për të vrarë viktimat e tij.

Filmi fillon me një paralajmërim për mënyrën se si therjet e kafshëve bëhen në thertore.

Ledërfeis dhe familja e tij i trajtojnë viktimat e tyre njësoj si kafshë në thertore, duke përdorur çekiçin dhe sharrën elektrike për t’i copëtuar. Ky paralelizëm e bën filmin një metaforë të fuqishme për mënyrën se si shoqëria dehumanizon individët.

Familja Sojar (Ledërfeis dhe të afërmit e tij) është një simbol i një shoqërie të shkatërruar. Ata përfaqësojnë një version të shthurur të modelit tradicional të familjes amerikane, duke jetuar në një izolim total dhe duke mbijetuar përmes kanibalizmit.

Ribërjet

“The Texas chain saw massacre 2” i vitit 1986 – Një vazhdim me tone më groteske dhe humor të zi.

“The Texas chain saw massacre” i vitit 2003 – Një ribërje me stil më modern, ku interpreton Jessica Biel.

“Texas chain saw” 3D i vitit 2013 – Një vazhdim i drejtpërdrejtë i filmit të parë.

“Leatherface” i vitit  2017 – Një film që eksploron origjinën e Leatherface.

“Texas chain saw massacre” i vitit 2022 – Një vazhdim tjetër i drejtpërdrejtë i filmit të vitit 1974.

Analiza

Filmi “The Texas chain saw Massacre” ose i ardhur në shqip si “Masakra me sharrë elektrike në Teksas” nuk është vetëm një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit horror, por edhe një vepër që përfaqëson një ccast kritik në historinë e kinemasë amerikane. Ky film sfidoi pritshmëritë e audiencës dhe krijoi një model për horrorin modern.

Në vitet 1970, Amerika po kalonte një krizë të thellë sociale dhe politike:

-Lufta e Vietnamit, me imazhe brutale që vinin drejtpërdrejt në televizion

-Skandali Uatëgejt

-Shpërbërja e ëndrrës amerikane dhe dekonstruktimi i mitit të “familjes ideale”

Filmi pasqyron këtë atmosferë, duke paraqitur një Amerikë të shkatërruar, ku të rinjtë hasin jo vetëm dhunë, por një model familjeje të sëmurë dhe dekadente.

“Masakra e Teksasit” krijoi një arketip të ri të slasher-it, një zhanër që u zhvillua më vonë me filma si Hallouin  në vitit 1978 dhe “Friday the 13th” në vitin 1980. Ai hoqi dorë nga estetika gotike e horrorëve të mëparshëm dhe solli një realizëm të ftohtë dhe mizor. Ishte një nga filmat e parë që përdori konceptin e “final girl” ose “vajza që mbijeton deri në fund”, i cili u bë standard në horrorët e mëvonshëm.

Teknika

Filmi është i xhiruar në një stil realist dhe brutalisht intensiv, duke krijuar një ndjenjë ankthi dhe terrori. Buxheti ishte shumë i ulët, por filmi pati sukses të madh dhe u bë një klasik i horrorit.

Filmi nuk përdor efekte speciale të ekzagjeruara, por krijon frikën përmes montazhit dhe tingujve të tmerrshëm (ulërimat, zhurma e sharrës elektrike). Dhuna është e ftohtë dhe e papritur, duke krijuar një ndjenjë paniku më të thellë tek shikuesi. Kamera përdor një stil dokumentaristik, duke i dhënë filmit një ndjenjë realiteti. Disa skena përdorin afrim ekstrem tek fytyrat e viktimave, për të treguar terrorin e pastër. Banda zanore është minimaliste dhe e përbërë nga tinguj të çuditshëm dhe industrialë, duke krijuar një ambient të papërballueshëm psikologjikisht. Sharra elektrike nuk është vetëm një armë, por edhe një simbol i terrorit që mbizotëron gjatë gjithë filmit.

Ndikimi

Filmi është ndaluar në disa vende për shkak të natyrës së tij të dhunshme dhe të papërmbajtur.

Ai mbetet një nga filmat më të studiuar në kinemanë e horrorit, duke u analizuar përmes këndvështrimeve të ndryshme (socio-politik, feminist, kritik ndaj industrializmit).

Me gjithë ribërjet dhe vazhdimet, asnjë film nuk ka arritur të rikrijojë ndjesinë e tmerrit të pastër që ofron versioni i vitit 1974.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ 6 gusht 1945 – “Little Boy”, bomba që vrau 80 mijë veta në pak sekonda

Nga Leonard Veizi

Ekipi i avionit bombardues ishte i trajnuar mirë dhe i ndërgjegjshëm për aktin që po kryenin, por ndoshta ata nuk arritë ta kuptonin deri në fund fuqinë shkatërruese të një bombe të vetme. Vetëm kur panë nga lartësia shpërthimin verbues dhe shtëllungën në formë kërpudhe që u ngjit rrufeshëm deri në re, kuptuan qartë se nga ai çast veç asgjesimit të ushtarëve të frontit, do të mbanin mbi supe dhe marrjen e jetës së mijëra civilëve të pafajshëm…

…Ishin orët e para të mëngjesit të 6 gushtit 1945. Bombarduesi B-29 i quajtur “Enola Gay” u ngrit nga ishulli Tinian dhe u drejtua nga veriu nga veriperëndimi drejt Japonisë. Objektivi kryesor ishte i bombardimi i qytetit të Hiroshimës. Qyteti kishte një popullsi civile prej gati 300,000 banorësh dhe ishte një qendër e rëndësishme ushtarake, me rreth 43,000 ushtarë.

Bombarduesi, i pilotuar nga komandanti i Grupit 509, Koloneli Pol Tibets, fluturoi në lartësi të ulët me pilot automatik përpara se të ngjitej në 9.500 metra duke iu afrua zonës së synuar. Përafërsisht në orën 8:15 të mëngjesit me kohën e Hiroshimës, “Enola Gay” lëshoi, bombën ​​e koduar “Little Boy” me uranium mbi qytet. Tibbets me avionin e tij u largua menjëherë për të shmangur valën e parashikuar të goditjes. Dyzet e tre sekonda më vonë, një shpërthim i madh ndriçoi qiellin. “Little Boy” shpërtheu 600 metra mbi qytet. Brenda disa minutave, 9 nga 10 persona, vdiqën. Shpërthimi bërthamor çliroi një intensitetit të jashtëzakonshën energjie. Ky akt, pjesë e operacionit ushtarak të njohur si “Manhattan Project”, shënoi herën e parë që një armë bërthamore u përdor në një konflikt ushtarak.

Konteksti historik

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara ishin në një konflikt të ashpër në Paqësor. Pavarësisht humbjeve të mëdha dhe rraskapitjes së burimeve, Japonia refuzonte të dorëzohej. Për të përfunduar luftën shpejt dhe për të shmangur humbjet masive në një pushtim të mundshëm të Japonisë, presidenti amerikan Herri Truman dhe këshilltarët e tij vendosën të përdorin bombat atomike të sapokrijuara.

Më 16 korrik 1945, Robert Openhaime dhe shkencëtarë të tjerë amerikanë testuan bombën e parë atomike të koduar “The Gadget,” në një vend që ndodhet rreth 340 kilometra në jug të Los Alamos, New Mexico.

Hiroshima

Në orën 8:15 të mëngjesit me orën lokale, bombardieri B-29 Enola Gay, i pilotuar nga koloneli Pol Tibets i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, lëshoi “Little Boy” mbi Hiroshimë. Bomba shpërtheu në një lartësi prej rreth 600 metrash mbi qytet, duke çliruar një fuqi shkatërruese të barabartë me rreth 15 kiloton TNT.

Shpërthimi shkaktoi një top të zjarrtë me një temperaturë prej rreth 4000°C, duke shkatërruar menjëherë gjithçka në një rreze prej një kilometri. Rreth 70,000-80,000 njerëz u vranë në çastin e shpërthimit, ndërsa shumë të tjerë vdiqën në ditët dhe muajt në vijim nga plagët dhe efektet e rrezatimit. Infrastruktura e qytetit u shkatërrua pothuajse tërësisht, dhe një zjarr masiv përfshiu pjesë të mëdha të qytetit. Përveç dëmit të menjëhershëm, shpërthimi i bombës atomike solli pasoja të tmerrshme afatgjata. Rrezatimi bërthamor shkaktoi sëmundje dhe deformime te shumë të mbijetuar. Shumë njerëz vdiqën nga leuçemia dhe kanceri i shkaktuar nga rrezatimi në vitet pas shpërthimit. Për më tepër, shpërthimi dhe efektet e tij psikologjike e shoqërore lënë një trashëgimi traumatizuese për popullsinë japoneze.

Nagasaki

Vetëm tri ditë pas shpërthimit të bombës atomike mbi Hiroshimë, një tjetër bombë atomike u lëshua mbi qytetin japonez të Nagasakit. Pas shpërthimit të parë, Japonia ende nuk ishte dorëzuar, duke çuar në vendimin për të përdorur bombën e dytë.

Ndryshe nga “Little Boy”, bomba e Nagasakit, e quajtur “Fat Man”, kishte një dizajn plutoni dhe ishte më e fuqishme. Forca shkatërruese ishte prej rreth 21 kiloton TNT.

Në mëngjesin e 9 gushtit 1945, bombardieri “B-29 Bockscar”, i pilotuar nga majori Çarls Suini, lëshoi “Fat Man” mbi Nagasaki. Ndryshe nga Hiroshima, Nagasaki nuk ishte objektivi i parë; bombardimi fillimisht ishte planifikuar për qytetin Kokura, por për shkak të motit të keq dhe pamjes së kufizuar, objektivi ndryshoi.

Bomba shpërtheu në orën 11:02 të mëngjesit, në një lartësi prej rreth 500 metrash mbi qytet. Kjo ngjarje, e cila ndodhi më 9 gusht 1945, e thelloi edhe më shumë tragjedinë e popullit japonez. Rreth 40,000-75,000 njerëz u vranë menjëherë nga shpërthimi, dhe shumë të tjerë vdiqën nga plagët dhe efektet e rrezatimit në javët dhe muajt në vijim. Sëmundjet dhe vdekjet e lidhura me rrezatimin vazhduan për vite me radhë, duke përfshirë leuçeminë dhe kancerin.

Dorëzimi i Japonisë

Pas shpërthimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, presioni mbi Japoninë për të dorëzuar u rrit ndjeshëm. Më 15 gusht 1945, perandori japonez Hirohito shpalli dorëzimin e pakushtëzuar të Japonisë, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Reflektimi

Dy shpërthimet atomike ndryshuan përgjithmonë mënyrën se si njerëzit e perceptonin luftën dhe armët bërthamore. Ngjarjet e Hiroshimës dhe Nagasakit çuan në një reflektim të thellë mbi përdorimin e armëve bërthamore dhe etikën e luftës. Këto akte nxitën reagime të fuqishme në gjithë botën. Disa e panë përdorimin e bombës atomike si një nevojë të pashmangshme për të përfunduar luftën, ndërsa të tjerë e konsideruan atë një akt të pamëshirshëm e të panevojshëm që shkaktoi vuajtje të tmerrshme. Ngjarja e 6 dhe 9 gushtit 1945 u bë një kujtesë e fuqishme e fuqisë shkatërruese të armëve bërthamore. Ajo mbetet një nga çastet më të errëta të historisë moderne, me mësime që rezonojnë edhe sot.

E megjithatë mbi 2000 prova bërthamore u kryen pas vitit 1945, duke kontribuar në përhapjen e armëve bërthamore dhe zhvillimin e arsenaleve shumë më të fuqishme se bombat që u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki.

 

Kinematografia

Janë realizuar disa filma artistik që trajtojnë temën e shpërthimeve atomike mbi Hiroshimë dhe Nagasaki, duke përfshirë temat e luftës, pasojat humanitare dhe reflektimet morale mbi përdorimin e armëve bërthamore. Disa prej këtyre filmave janë:

“Hiroshima Mon Amour” – 1959

Ky është një film francez i regjisorit Alan Rene. Filmi përqendrohet në një romancë midis një aktoreje franceze dhe një arkitekti japonez, duke shfaqur kujtime të traumës së përjetuar nga shpërthimi atomik në Hiroshima.

“Barefoot Gen” – 1983

Ky është një film i animuar japonez i bazuar në tregimin me të njëjtin emër nga Keizi Nakazava. Filmi tregon historinë e një djaloshi të ri që përjeton shpërthimin atomik në Hiroshima dhe përpiqet të mbijetojë pasojat shkatërruese.

“Black Rain” -1989

Ky film japonez i regjisorit Shohei Mamura fokusohet në pasojat e shpërthimit të bombës në Hiroshima dhe ndjek jetën e të mbijetuarve dhe përpjekjet e tyre për të rindërtuar jetën.

“Fat Man and Little Boy”- 1989

Një dramë historike amerikane që përqendrohet në zhvillimin e bombave atomike gjatë “Projektit Manhattan” dhe pasojat e përdorimit të tyre. Filmi ndjek shkencëtarët dhe liderët ushtarakë të përfshirë në krijimin dhe përdorimin e armëve bërthamore.

“Rhapsody in August” – 1991

Ky film japonez nga regjisori Akira Kurosava tregon historinë e një familjeje që kujton të kaluarën dhe përjetimet e gjyshes së tyre, e cila i mbijetoi shpërthimit të bombës atomike në Nagasaki.

“Hiroshima” – 1995

Një miniseri televizive që përshkruan ngjarjet që çuan në përdorimin e bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, duke ofruar perspektiva të ndryshme nga të dyja palët e konfliktit.

“In This Corner of the World” – 2016

Ky është një film i animuar japonez që përqendrohet në jetën e një vajze të re në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë periudhën para dhe pas shpërthimit atomik.

Oppenheimer 2023

“Oppenheimer “është një film dramë thriller biografik epik i vitit 2023 i shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga Kristofer Nolan. Ai ndjek jetën e Robert Openhaime, fizikanit teorik amerikan që ndihmoi në zhvillimin e armëve të para bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Marrësi i shumë vlerësimeve, “Oppenheimer” fitoi shtatë çmime Oscar, duke përfshirë filmin më të mirë, regjisorin më të mirë për Nolan, aktorin më të mirë për Kilian Mërfi dhe aktorin më të mirë dytësor për Robert Dauni. Ai gjithashtu fitoi pesë çmime Golden Globe dhe shtatë çmime të filmit të Akademisë Britanike, dhe u emërua një nga dhjetë filmat më të mirë të vitit 2023 nga Bordi Kombëtar i Rishikimit dhe Instituti Amerikan i Filmit.

 

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Flasim për njeriun human, kur historia flet me armë

Nga Leonard Veizi

Flasim gjithë ditën për humanizmin. Madje edhe natën nuk e kursejmë. Është bërë biseda jonë thelbësore, jetësore, dhe mbi të gjitha populiste.

Po çfarë do të thotë “human”?

Fjala vjen nga latinishtja humanus – që i përket njeriut, i civilizuar, i dhembshur, i mëshirshëm. Aha, tani na u mbush mendja.

Se për të nxjerrë citate nga enciklopeditë dhe për të rreshtuar thënie të shkëputura nga autorë botërorë, jemi kampionë. Ka mijëra faqe që në pikë të mëngjesit të ofrojnë një shprehje të koncentruar mbi humanizmin. Që edhe po e harrove, ta kujtojnë.

Por sa human është në të vërtetë qenia më inteligjente në tokë, kur në 3500 vitet e fundit të historisë së dokumentuar, raporti i luftës ndaj paqes është dërrmues? Thuhet se vetëm rreth 250 vite kanë qenë pa luftë. Pjesa tjetër është gjak, tym dhe rrënoja.

Atëherë, cila shprehje vlen më shumë? Ajo e enciklopedisë, apo ajo tjetra, e vjetra: Homo homini lupus – njeriu për njeriun ujk? Domethënë kafshë.

Ha debat, se ia vlen të sillesh pak vërdallë nëpër togfjalësha, qofshin të kuptueshëm apo të papërceptueshëm.

Në këtë fillim mijëvjeçari, ku përparimi teknologjik ka tejkaluar çdo imagjinatë, pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë dhe brutale: a ka përparuar me të njëjtin ritëm edhe shpirti i njeriut?

Historia nuk jep shumë shpresa.

Nëse do ta shihnim historinë si një film të gjatë kronologjik, ngjyrat e errëta të luftës dhe shkatërrimit do të mbulonin pamëshirshëm dritën e zbehtë të paqes. Çfarë humanizmi është ai që zgjedh konfliktin mbi bashkëjetesën, shkatërrimin mbi ndërtimin, armën mbi fjalën?

Filozofia e ka ngritur me kohë këtë dilemë. Thomas Hobbes, duke parë egërsinë e kohës së tij, nuk e gjeti metaforën te njeriu, por te ujku. Dhe kishte të drejtë. Kafsha lufton për mbijetesë. Njeriu lufton për ide, për territore, për besime, për pushtet, madje edhe për krenari boshe. Në emër të tyre ka djegur qytete, ka skllavëruar kombe dhe e ka bërë tokën të qajë.

Edhe feja, që predikon dashurinë, është përdorur si pretekst për masakër. Kryqëzatat, luftërat fetare në Europë, inkuizicioni, terrorizmi modern – të gjitha në emër të një Zoti që predikon paqen.

Hajde qyfyre, hajde.

Ironia bëhet edhe më therëse kur sheh shkencën. Gjithçka që mund të shërbente për jetën, vihet menjëherë në shërbim të vdekjes. Fizika bërthamore, raketat balistike, inteligjenca artificiale – gjejnë zbatim të parë në industrinë e luftës. Vetë “Projekti Manhattan” është dëshmia më e hidhur. “Unë jam bërë Vdekja, shkatërruesja e botëve”, tha Oppenheimer, babai i bombës atomike, duke cituar Bhagavad Gita-n, sapo pa dritën e parë të apokalipsit që kishte krijuar.

Po atëherë, a duhet ta përkufizojmë njeriun vetëm përmes dhunës?

Jo plotësisht.

Brenda tij ka një dualitet të përhershëm: drita dhe errësira. E njëjta dorë që hodhi bombën në Hiroshima u ngrit për të ndihmuar të mbijetuarit. E njëjta mendje që shpiku armët biologjike, shpiku edhe vaksinat. Historia njeh edhe anën tjetër: njerëz që flijuan jetën për të tjerët, që sfiduan diktaturat për dinjitet, që ngritën qytete nga hiri.

Pra, a është njeriu human? Në shqipen e pastër pyetja shtrohet më drejt: A është njeriu njeri?

Humanizmi nuk është trashëgimi biologjike e garantuar. Është zgjedhje. Dhe këtu qëndron barra e rëndë e përgjegjësisë sonë kolektive. Nëse e lëmë instinktin të mposhtë arsyen, historia do të rrotullohet si një rreth vicioz. Nëse ushqejmë vetëdijen, edukimin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit, atëherë mund ta këpusim këtë zinxhir gjaku që përshkon shekujt.

Sot nuk kemi më alibi për barbarinë. Në një botë ku informacioni qarkullon me shpejtësinë e dritës dhe ndërgjegjja globale është më e zgjuar se kurrë, paqja nuk është më utopi, por domosdoshmëri. Luftërat moderne nuk kanë fitimtarë. Të gjithë humbasin. Prandaj filozofia e re thotë: e vetmja mënyrë për të fituar betejën, është ta shmangësh atë.

Ndaj pyetja nuk është më nëse njeriu është human.

Pyetja është nëse njeriu do të jetë human.

Sepse historia ka provuar se ai di të jetë të dyja: ujk për tjetrin dhe dritë në errësirë. Dhe ndoshta, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi nëse dje ka qenë ujk. Rëndësi ka nëse nesër do të zgjedhë të jetë njeri.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Harrojeni lirinë e Atdheut, luftrat bëhen për të “kap ndonjë lek”

Nga Leonard Veizi

Lufta, në vetvete, nuk bëhet për lirinë e popujve, as për prosperitetin apo begatinë e tyre. Këto janë justifikimet që i serviren njerëzve. Në thelb, lufta bëhet për të kapur ndonjë lek. Aq më mirë për ata që kanë diçka në dorë, përveç pushkës.

Ohu sa lek ka lufta!

Edhe në kohën e Adolfit u bënë shumë para. Madje edhe vetë i zoti u punës e mbushi thesin dhe … u zhduk pa lënë gjurmë.

Ndaj e kujtoj gjithmonë kuzhinierin Loni, që i thoshte nën zë kujdestarit Xhaferrit, që po dilte nga kuzhina me pjatën plot, për ekonomatin e jetimores:

– Këtu ha dhe Stavri me defter, bashkë me drejtorin. Të gjitha ato që nuk i hanë fëmijët, ata i fusin në xhep. Le po shiten dhe si patriotë! Janë paratë e qeverisë, Loni… Po nga të tjerat nuk fitojnë, thua? Nga rrobat, nga këpucët… edhe nga sapuni fitojnë. E kush i kontrollon? Janë jetimë, Xhaferr. Nuk bën.

Janë dhe maskarenj ama, – ia ktheu tjetri teksa mllaçitej mbi pjatë. – Pastaj, drurin e do ky milet…

Duket se filozofia e jetimores vlen edhe për frontin e luftës.

Ca kohë më parë, prestigjiozja “Deutsche Welle” njoftonte për një tjetër skandal në Ukrainë. Sipas saj, hetuesit kishin zbuluar një rast të ri korrupsioni që lidhej me prokurimin e armëve. Midis të arrestuarve ishte edhe një deputet, i partisë së presidentit. Dhe ky është vetëm një nga rastet. Sepse media prestigjioze thoshte se, që kur filloi pushtimi rus, janë zbuluar me dhjetëra raste korrupsioni në ushtri dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

– Kjo do të thotë që deti është bërë kos dhe zotrote fut lugën në brez.

Pra, lufta sjell gjithmonë shifra marramendëse dhe tundime të mëdha. Dhe kush ka akses në to – qofshin këta veqilharxhë mesjetarë apo financierë modernë – nuk e lë rastin të shkojë dëm.

Në romanin e tij “Kështjella”, Ismail Kadare e përshkruan më mirë se kushdo këtë realitet të errët që fshihet pas perdeve të luftës. Fjala është për kryeveqilharxhin e ushtrisë osmane – ose, si do ta quanim sot, kryeitendentin:

“Kryeveqilharxhi nuk e kishte mendjen dhe nuk u përgjigj menjëherë. Në mendje i sillej fakti se këto dy-tri ditë ishin, si zakonisht, ditët e mëdha të shpërdorimeve dhe të rrëmujave në llogari… aty bëhej një mishmash i tillë, saqë s’do ta zgjidhte dot as vetë Ali Ibn Sina, po të ringjallej…”

Dhe, sigurisht, ai nuk merrej me “shuma qesharake” – kishte punë me kontrata shumëmilionëshe me Venedikun dhe vasalët e Perandorisë. Madje, duke pretenduar se i kishte shpëtuar Perandorisë disa miliona akçe, e quante plotësisht të ligjshme të merrte për vete një pjesë të tyre. Një lloj filozofie praktike që, siç duket, nuk është zhdukur me shekujt.

Prandaj bëhen luftërat – për të fituar. Vërtet mendosi se bëhen për të vënë në vend nderin e Atdheut?

-Ehu… ç’ja ke ngenë…

Vetëm populli nuk e kupton këtë. Ai thirret nën armë, i jepen pajimet minimale dhe dërgohet në front. Nëse shpëton, “bravo i qoftë”, do të marrë një pension sa për të shtyrë jetën. Dhe të mos guxojë të ankohet!

“Rrënë për Atdhe” do të shkruhet për të tjerët, anonimët e shumicës.

-Po do më përcëllohen patatet kapedan.

Në Ukrainë, në Gaza, në Iran, apo kudo tjetër ku lufta sillet vërdallë – ata që marrin armët me bindjen se po luftojnë për atdheun, janë në fakt viktima të propagandës, të mashtruar rëndë. Sepse po vdesin jo për kombin, por për pasuritë dhe pushtetin e oligarkëve dhe udhëheqësve të tyre. Dhe kur e kuptojnë këtë, është zakonisht shumë vonë.

Madje aq vonë, sa i përshtaten të gjithëve vargjet e një serenate korçare, që këndohet fort me pathos:

“Na pret të gjithëve një gur mbi varr….”

  •  

12:00 “Mirë se vini te Runway”: Një ekspozitë zhytëse për “Djalli vesh Prada 2” hapet në Nju Jork

Një ditë si Miranda Priestly apo si Andy Sachs? Për të gjithë fansat e modës dhe kinemasë, përgjigja gjendet në Columbus Circle.

Me rastin e debutimit botëror të filmit “Djalli vesh Prada 2” në platformat Disney+ dhe Hulu, në Nju Jork është hapur një ekspozitë interaktive që rikthen magjinë e revistës më të famshme fiktive të modës në botë.

Ekspozita titullohet “Welcome to Runway: An Immersive Experience” dhe është çelur në ambientet e Muzeut të Arteve dhe Dizajnit (Museum of Arts and Design) në Columbus Circle. Ajo do të qëndrojë e hapur dhe falas për publikun deri më 9 gusht.

Çfarë do të gjeni brenda?

Ekspozita nuk është një muze i thjeshtë me kostume, por një rikrijim skenik i filmit të drejtuar nga David Frankel, me yjet Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci, të cilët rikthehen në rolet e tyre ikonike 19 vjet pas filmit të parë të vitit 2006.

Organizatorët kanë rindërtuar 1 me 1 disa nga hapësirat më të njohura:

1. Zyra e “Djallit”: Tavolina legjendare e Miranda Priestly, me pamje nga Manhatani, ku çdo detaj – nga gota e kafesë Starbucks te manuskriptet e revistës – është identik me skenën e filmit.

2. Gardëroba famëkeqe e Runway: Dhoma e veshjeve ku Andy Sachs përjetoi transformimin e saj, e mbushur me çanta, këpucë dhe aksesorë që janë bërë pjesë e historisë së kulturës pop.

3. Arkivi i kostumeve origjinale: Për herë të parë ekspozohen kostume të veshura vërtet nga aktorët në xhirimet e filmit të ri, përfshirë pallton e bardhë të Mirandës, disa nga veshjet e Andy-t pas rikthimit në botën e modës dhe look-et e reja të Emily Charlton.

Përvoja interaktive

Pjesa më e vizituar është ajo interaktive. Vizitorët mund të:

  • Marrin një konsulencë të shpejtë stili nga stilistë profesionistë të Disney, të frymëzuar nga fraza e famshme “That’s all”.
  • Mësojnë të ecin në pasarelë në një pistë të vërtetë me kamera që lëvizin dhe drita skenike, si në Javën e Modës në Nju Jork.
  • Bëjnë foto suveniri në kopertinën e revistës Runway, me titullin e personalizuar “The New Face of Runway”.

Filmi i parë, i bazuar në romanin e Lauren Weisberger, u kthye në një fenomen global që i dha Meryl Streep një nominim për Oscar dhe e shndërroi Anne Hathaway në një ikonë stili. Vazhdimi vjen në një moment kur industria e modës është përfshirë nga Inteligjenca Artificiale, influencuesit dhe kriza e mediave tradicionale – pikërisht temat që trajton edhe filmi i dytë.

Për ata që nuk arrijnë të shkojnë deri më 9 gusht, Disney ka njoftuar se ekspozita do të udhëtojë më pas në Londër dhe Milano në vjeshtë.

  •  

08:00 Kuriozitet/ A ishte vërtet Rikard III aq i keq sa Shekspiri e bëri atë të ishte?

Richard III, mbreti i Anglisë, nuk ishte aq monstruoz dhe i pamëshirshëm, siç këndonte Shekspiri. Ose më mirë ishte në përputhje me standardet e pushtetarëve të kohës.

Richard III (1452-1485) është sinonim i “shumë keq” për anglezët. As John Without Land (si të thuash zuzari i Robin Hudit) nuk gëzon një reputacion kaq të keq. Faji (gjithashtu) i William Shakespeare dhe drama ( Tragjedia e vërtetë e Richard The Third , shkruar midis 1591 dhe 1593) me emrin e sovranit që i përkiste shtëpisë së York-ut, i cili mbretëroi nga 1483 deri në vdekjen e tij në Betejën e Bosworth në 1485 .

Të rehabilituar?

Megjithatë, për disa kohë, vetë britanikët kanë filluar të krahasojnë skenarin e Shekspirit me realitetin, duke zbuluar se ndoshta Richard nuk ishte përbindëshi që besohej se ishte. Ose, të paktën, ai nuk ishte më “përbindësh” se sa të afërmit dhe armiqtë e tij gjakatarë.

Mospërputhjet

Shekspiri i atribuon Richardit një sërë krimesh, disa prej të cilave, duke pasur parasysh provat, sovrani duhet t’i kishte kryer në moshën tre vjeçare, si dhe një deformim fizik të vendosur. Por nuk ishte dramaturgu ai që i shpiku të gjitha . Në fakt, Shekspiri u mbështet shumë në Kronikat e Ralph Holinshed , një vepër në disa vëllime dhe e botuar në dy botime të ndryshme (1577 dhe 1587), pra një shekull pas fakteve, që ofron një përshkrim të gjerë të historisë së Anglisë, të Skocisë. dhe Irlandës.

I deformuar

Megjithatë, asnjë burim nga koha e Riccardo nuk flet për pamjen e tij monstruoze. Është e vërtetë që Riccardo kishte një shtyllë të deformuar : ne e dimë këtë nga skeleti, i cili u gjet . Por kjo nuk ishte e pazakontë në atë kohë.

Prezumohet i pafajshëm

Sa i përket vdekjes së vëllait të tij Clarence, ajo u dëshirua nga Mbreti Eduard IV i Jorkut , dhe jo nga Richard. Shekspiri gjithashtu ia atribuon Rikardit vrasjen e Henry VI dhe djalit të tij: por është pothuajse e sigurt se ai nuk ishte nxitësi. Edhe një herë, i dyshuari kryesor është Eduardi IV.

Dyshimet

Megjithatë, është më e vështirë të përcaktohet e vërteta për ngjarjet pas vdekjes së Eduardit IV, kur Richard e mbylli Eduardin V të vogël dhe vëllain e tij në Kullën e Londrës . E vetmja gjë e sigurt, mes shumë paqartësive, është vdekja e dy fëmijëve.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Administrata lirohet nga vidat, një vrap pele për të kapur shezllonin!

Nga Leonard Veizi

Në Shqipëri, gushti nuk shpallet zyrtarisht festë kombëtare, por gjithçka sillet si e tillë. Administrata publike, pas muajsh burokracie të ngadaltë si një breshkë me astmë, më në fund lirohet nga “vidat”, dosjet dhe firmat, për të vrapuar drejt shezllonit më të afërt – ose, më saktë, drejt atij që s’është zënë ende nga ndonjë patriot i detit, që e ka prenotuar që në maj, duke paguar o “kesh” sipas zakonit, o me kartë krediti si Evropa.

Gushti në Shqipëri është një muaj i veçantë: nis me vapë përvëluese që të shkrin edhe shpresat, dhe përfundon me ndjenjën e përkohshme se jeta është pezulluar, në pritje të shkollave dhe rifillimit të telasheve.

Që në datën “një” administrata publike lëshon zyrat, ngadalë sa për të mos lënë dyshime, por me vendosmëri të admirueshme, për t’u shpërndarë në brigjet e vendit, apo më tej: në Greqi, Itali, apo Turqi.

Askush i mbetur nëpër zyra nuk mban më veshur rrobat formale, përveç ndonjë roje fatkeqe që ruan ndërtesën nga vetmia, apo nga ndonjë qytetar i pafajshëm që ende beson se do gjejë ndonjë derë të hapur për të zgjidhur hallin.

Nga institucionet nuk vjen më as zhurma e printerëve të amortizuar, e as era e kafes së dobët në koridore – vetëm njoftime të thata, shpesh të printuara me shkronja sa më të vogla, që të mos i shohi njeri: “Do të jemi me pushime nga data… dhe mos na bezdisni me mesazhe në celular!.”

E keni hak… Jeni lodhur tërë vitin. Duhet të çlodheni.

Ndërkohë, Aeroporti i Rinasit shndërrohet në pikën më të nxehtë të vendit, jo vetëm nga dielli që përvëlon pistën, por nga fluksi i njerëzve që kapin fluturime për të dalë jashtë, me një valixhe shpenzimesh dhe një tjetër me shpresa të thyera. Të tjerët zbresin për të hyrë brenda, me valixhe të mbushura me dhurata për të afërmit dhe çantën e shpinës ngarkuar me një dozë të mirë të nostalgjie naive.

Shqiptarët me valixhe të mbushura me ëndrra, kursime dhe pak dëshpërim nisen për Evropë, ndërsa të huajt me kapelë, syze dielli dhe guida turistike të shkruara gabim, zbarkojnë për ta eksploruar Shqipërinë e panjohur dhe të pasur me çudira.

Tirana, ndërkohë, ndryshon maskë. Bëhet e butë. Pa trafik. Pa zhurmë. Një mrekulli e vërtetë, gati apokaliptike. Qyteti që zakonisht gumëzhin nga boritë e makinave që të nxjerrin shpirtin, zhurmat e kantierëve që të bëjnë me migrenë dhe ritmi i zyrave që të ngre nervat përpjetë, në gusht duket si një vend i shkretë, ku edhe macet bredhin të çlirta nëpër çstitë e mbetura. Bulevardet janë më të qetë, kafenetë më të shkreta dhe sinjalet e semaforëve ndonjëherë të duket se i ndërrojnë ngjyrat kot, për force zakoni, sepse s’ka kush t’i respektojë dhe as t’i shkelë.

Një luks i rrallë urban, pothuajse i frikshëm. Por vetëm për fare pak ditë të kuptohemi.

Por për ata që zgjedhin të mbeten në kryeqytet, që s’kanë para mjaftueshëm për pushime ose që janë thjesht jo admirues të pushimeve por të dashuruar me vuajtjen e ngarkesës së pamjaftueshme, gushti sjell një lloj lirie të pakuptimtë. Ajri është i nxehtë, por më i lehtë për t’u thithur. Dhe kjo jo vetëm nga mungesa e gazrave të makinave. Hapësira që zakonisht i përket të gjithëve, tani është vetëm për ata pak që nuk ikën. Një kafe në hijen e një peme te Liqeni apo një shëtitje në bulevard pa pengesa, është luks që nuk blihet me para.

Në këtë kakofoni pushimesh, fluturimesh dhe zbrazëtie, Shqipëria përjeton paradoksin e saj të përvitshëm: vendi zbrazet dhe mbushet njëkohësisht, si një frymëmarrje kolektive e çuditshme. Një ritëm që vetëm gushti e kupton. Dhe që askush tjetër nuk e merr seriozisht, sepse është muaji kur të gjithë – zyrtarë, qytetarë, turistë – kanë nevojë të harrojnë për pak se çfarë lëviz e çfarë ndodh në këtë vend. Të gjithë përpiqen të freskohen në mënyrën e tyre – disa me kokteje pranë detit, të tjerët me ventilatorë pranë ballkonit, duke ëndërruar për një zhytje në ujin e kripur.

Prej datës 1 gusht, administrata do të mbushë plazhet. Dhe pronarët e bar-restoranteve xhepat. Të gjithë dalin të fituar. Të humburit shëllehen në Tiranë.

  •  

10:00 Nga Leonard Veizi/ “Njeriu që qesh”, tragjedia njerëzore e fisniku që e kthyen në gaztori cirku

Nga Leonard Veizi

Ai mbante një dramë të madhe brenda qenies së tij, por fytyra e tij dinte vetëm të qeshte. Dhe njerëzit qeshnin me të. Ky ishte një paradoks i madh, i pamëshirshëm, sepse në këtë mënyrë të panatyrshme atij i duhet të mbijetonte çdo ditë të jetës. Dhe s’kishe miq të tjerë veç një filozofi të përçartur, një vajze të re që ai vetë e kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes dhe të një ujku. Ndaj dashuria e jetës së tij u bë kjo vajzë e verbër që nuk i shihte dot plagët e fytyrës, por që kishte arritur të depërtonte deri në thellësi të shpirtit të tij…

…Romani “L’Homme qui Rit” i Viktor Hygoit apo i ardhur në shqip si “Njeriu që qesh” është nga veprat më të mëdha të letërsisë franceze. Është romani që përshkruan jetën e një djali të ri, fytyra e të cilit është përçudnuar për t’u kthyer në një buzëqeshje të përhershme.

I botuar në vitin 1869, ky roman ofron një pasqyrë të fuqishme të shoqërisë dhe hipokrizisë së saj, duke ndërthurur elementë të tragjedisë dhe groteskes në një narrativë të thellë dhe të ndërlikuar.

Ngjarja

Në Anglinë e fundit të shekullit të 17-të, një djalë i pastrehë i quajtur Guimplein shpëton një vajzë të mitur gjatë një stuhie dëbore, nëna e saj kishte ngrirë deri në vdekje. Ata takojnë një shitës shëtitës karnavalesh që e quan veten Ursus dhe ujkun e tij të përkëdhelur, Homo. Goja e Guimplein është gjymtuar në një buzëqeshje të përhershme; Ursus fillimisht tmerrohet, më pas i vjen keq dhe ai i pranon ata. 15 vjet më vonë, Guimplein është rritur në një djalë të ri të fortë, tërheqës përveç pamjes së tij të shtrembëruar. Vajza, që tani quhet Dea, është e verbër dhe është rritur në një grua të re të bukur dhe të pafajshme. Duke prekur fytyrën e tij, Dea arrin në përfundimin se Gwynplaine është përjetësisht e lumtur. Ata bien në dashuri. Ursus dhe fëmijët e tij zëvendësues fitojnë një jetë të varfër në panairet e Anglisë jugore. Gwynplaine e mban të fshehur gjysmën e poshtme të fytyrës. Në çdo qytet, Guimplein jep një shfaqje skenike në të cilën turmat provokohen për të qeshur kur Guimplein zbulon fytyrën e tij groteske. Por Guimplen është djali i rëmbyer i një fisniku… Kur historia zbulohet Guimplein emërohet  si Lord Fermain Klançarlie, Markezi i Korleones dhe lejohet të ulet në Dhomën e Lordëve. Por Guimplein heq dorë nga gjithçka dhe udhëton për të gjetur Ursus dhe Dea. Pas shumë përpjekjesh i gjen në një anie që është gati për lundrim. Dea kalon në ekstazë, por papritur vdes për shkak të komplikimeve të shkaktuara në zemër. Ursusit i bie të fikët. Guimpleni, ndërsa flet me Dea-n e vdekur hidhet në det. Kur Ursus përmendet, ai gjen ujkun e tij Homon duke ulëritur.

Konteksti

Nëpërmjet romanit “Njeriu që qesh”, Viktor Hygo synoi të portretizonte çështje sociale dhe politike të kësaj periudhe historike në Britaninë e Madhe, duke u fokusuar veçanërisht te problemet e pabarazisë korrupsionin e kohës dhe padrejtësisë së shoqërisë. Hygo përdor personazhin kryesor, Guimplen, për të ekspozuar mizoritë e aristokracisë dhe për të kritikuar mënyrën se si shoqëria trajton ata që janë ndryshe.

Guimpleni, i rrëmbyer që në fëmijëri, nga një bandë kriminelësh, i përçudnuar në fytyrë me qëllim që t’i jepej një pamje qesharake për t’u përdorur si atraksion cirku e për t’u shfaqur si “njeriu që qesh” në panaire dhe shfaqje të ndryshme. Rrëfimi na e paraqet atë që si i rritur merr të drejtën në dorë dhe lufton kundër aristokracisë korruptuar dhe padrejtësisë që e ka goditur si fëmijë. Guimplen, përfaqëson viktimën e pafajshme të një shoqërie të prishur.

Simbolizmi

Kritika në kohë ka shkruar se: Stili i Hygo-së tek “Njeriu që Qesh” është i pasur me përshkrime të detajuara dhe një prozë melodramatike që krijon një atmosferë të tensionuar dhe dramatike. Hygo përdor simbole të shumta për të theksuar temat e tij. Buzëqeshja e përhershme e Guimplenit është një metaforë për maskën që shoqëria i imponon individëve, duke i detyruar ata të fshehin dhimbjet e tyre pas një fasade të lumturisë së rreme.

***

Romani është një dhe i vetëm, por mbështetur mbi të, ekranizimet dhe versionet kinematografike janë të shumta. Dhe realizimi më i vjetër është ai i vitit 1909.

1909

“Njeriu që qesh” ka një version filmik qysh në vitin 1909, i realizuar në Francë nga kompania e filmit “Pathé” dhe prodhuar nga Albert Kapellani. Nuk besohet se ka mbijetuar asnjë kopje e këtij filmi.

1921

“Das grinsende Gesicht”  apo “Fytyra e buzëqeshur” është një prodhim i vitit 1921, një film austriak pa zë i prodhuar nga “Olympic Films”, me regji nga Julius Hercka, me Franc Hubling në rolin kryesor si Guimpleni. Ky film me buxhet të ulët është besnik ndaj romanit, por thjeshton dhe kondenson komplotin.

  •  

08:00 Historia/ Legjenda e errët e Kullës së Londrës

Kulla e Londrës është një kompleks prej 21 kullash që formon kështjellën më të famshme dhe famëkeqe në Angli, ku u mbyllën armiqtë e Kurorës.

Sot ajo është një simbol britanik, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1988, por kur u themelua, në 1080, ishte sinonim i shtypjes së huaj: Kulla e Londrës ishte fillimisht kalaja e ndërtuar nga Uilliam Pushtuesi , Duka i Normandisë. Pasi mundi Haroldin, mbretin e Anglo-Saksonëve, në betejën e Hastings (1066), zotit të ri të ishullit iu desh të mbante kontrollin dhe të shtypte çdo rebelim. Kulla e parë (e quajtur Kulla e Bardhë që nga shekulli i 13-të dhe aktualisht ndërtesa kryesore e kompleksit) kishte këtë qëllim: të ruante hyrjen në Thames dhe t’i kujtonte të gjithëve fuqinë normane. I nënshtruar mirëmbajtjes së vazhdueshme dhe i pashfrytëzuar kurrë, ai ende tregon gjithë qëndrueshmërinë e tij të pathyeshme sot. Kjo është arsyeja pse Bizhuteritë e Kurorës Angleze mbahen këtu. Por në të kaluarën ishte gjithashtu një pallat mbretëror, një arkiv shtetëror, një mint mbretëror dhe, në disa raste, një burg nga i cili ishte e pamundur të arratisesh.

Burgu i armiqve të kurorës

Për një kohë të gjatë anglezët e shikonin me nderim kullën që dominonte horizontin mesjetar të Londrës. Hyrja ishte në të dytin nga tre katet, por shkallët mund të hiqeshin shpejt në rast sulmi. Një shembull i shkëlqyer i arkitekturës mesjetare me funksion të dyfishtë, ushtarak dhe politik, Kulla e Londrës u rrethua disa herë. Por fama (majtas) u fitua si një burg, dhe jo një kështjellë. Armiqtë e shtetit janë mbyllur këtu (Thomas More, për të përmendur një, u mbyll në 1534 dhe më pas iu pre koka), ose të afërm të papërshtatshëm të familjes mbretërore: Anne Boleyn, gruaja e dytë e Henry VIII , të cilit gjithashtu iu pre koka këtu, si ishte Catherine Howard dhe Lady Jane Grey. Gjithsej, katër mbretëresha të Anglisë u mbajtën robër këtu dhe vetëm një, Elizabeta I (e burgosur nga Bloody Mary), doli me kokën ende mbi supet e saj. Ekzekutimet kapitale, për pjesën tjetër, nuk ishin të shumta (varkalet më të përdorura ishin gjetkë).

Viktimat më të shquara të kullës ishin dy princat Eduard dhe Richard, djemtë e Eduardit IV të Jorkut. Këto ishin kohët e errëta të Luftërave të Trëndafilave dhe vëllezërit e vegjël, përkatësisht 12 dhe 9 vjeç, u mbyllën në kullë në 1483. Asgjë më shumë nuk u dëgjua për ta. Nuk ka asnjë provë përfundimtare se ata u vranë këtu, por kulla që i strehoi (një nga shumë në kështjellë) u quajt më vonë Kulla e Përgjakshme. Emri i duhur, në çdo rast. Për ata që janë mbyllur në Kullën e Londrës, vdekja mund të jetë një çlirim.

Guy Fawkes, komploti që tentoi të hidhte në erë Mbretin James I dhe Parlamentarët në 1605, u torturua për dy ditë rresht, përpara se të ekzekutohej.

Bizhuteritë e Kurorës

Struktura është modifikuar shumë herë. Si kështjellë ajo u vjetërua me përhapjen e topave, por vazhdoi të ishte një nga vendet e fuqisë angleze. Rezidencë mbretërore deri në shekullin e 17-të, selia e Mint-it të Madhërisë së Tij deri në fillim të shekullit të 19-të. Në të vërtetë, ai ishte një kopsht zoologjik privat deri në vitin 1835. Ndërkohë, vazhdoi të kishte garnizone dhe depo armësh. Dhe, që nga viti 1303, edhe xhevahiret e Kurorës, pasi një hajdut i kishte vjedhur nga Westminster Abbey, u transferuan në atë që besohej të ishte vendi më i sigurt në mbretëri.

23.578 objektet e çmuara, duke përfshirë diamante, ari dhe gurë të tjerë të çmuar nga thesari i grumbulluar nga sovranët anglezë gjatë shekujve, janë ende në Kullën e Londrës, të kontrolluara nga shikimi, por të ekspozuara (me një çmim të lartë) ndaj vështrimit të turistëve. Në të kaluarën kishte edhe më shumë, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e koleksionit u shpërnda gjatë viteve të luftës civile dhe Republikës në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Më në fund, po aq të famshëm sa kalaja janë rojet e saj, Beefeaters me uniformën e tyre tipike të kuqe. Ata quhen kështu për shkak të dietës së tyre tradicionale të bazuar në mish (një shenjë privilegji); në fakt është ende një pozicion prestigjioz dhe i paguar mirë, edhe nëse avantazhet e së kaluarës janë vetëm një kujtim. Më shumë se roje në këmbë, Beefeaters sot punojnë si guida turistike.

Peripecitë e urës së Londrës

Nga dritaret e Kullës mund të shihni Urën e Londrës, një tjetër simbol ikonik i qytetit, i ndërtuar në kohët shumë më të fundit. Më 1 gusht 1831, Ura e Londrës u hap për herë të parë: sovranët gjithashtu morën pjesë në inaugurim, duke ofruar një banket në një pavijon të strukturës. Por Ura e Londrës, e njohur si Ura e Rennie, u fundos me 3 centimetra në vit pas një zgjerimi, kështu që në vitin 1968 ajo iu shit një sipërmarrësi amerikan i cili e çmontoi dhe e rindërtoi në Arizona, ku u bë atraksioni i dytë turistik në shtet pas Kanion i madh. Ndërsa në Londër u ndërtua një tjetër urë e Londrës, e inauguruar në vitin 1973.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Provokacionet e Gushtit 1949, si u sprapsën grekët në Vidohovë, Bilisht dhe Kapshticë

Mbështetur mbi dëshminë e Resul Bedo-s, botuar në 2 gusht 2013 në gazetën “Shekulli”

Nga Leonard Veizi

Në historiografinë zyrtare shqiptare ngjarja ka hyrë me emrin e ftohtë “Provokacionet e Gushtit 1949”. Në realitet, sipas dokumenteve dhe dëshmive të kohës, nuk ishte një incident kufitar, por një luftë e vërtetë mbrojtëse në kufirin jugor të vendit, e shtrirë nga 2 gushti deri më 5 shtator 1949, në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut, Vidohovës e deri në Konispol.

Konteksti historik dhe prapaskenat

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe Greqia dolën me dy sisteme politike antagoniste. Greqia u zhyt menjëherë në Luftën Civile (1946-1949) midis forcave qeveritare monarkiste, të mbështetura nga Britania dhe SHBA, dhe Ushtrisë Demokratike Greke.

Zona e Gramozit dhe e Devollit u kthye në bazën e fundit të rezistencës komuniste greke. Aty u grumbulluan forcat partizane në tërheqje, të cilat sipas dokumenteve merrnin furnizime të fshehta sovjetike përmes kufirit shqiptar.

Athina zyrtare e konsideronte këtë si ndërhyrje të Tiranës në punët e saj të brendshme. Me pretekstin e bllokimit të kanalit të furnizimit dhe goditjes në shpinë të forcave komuniste, trupat monarkiste greke vendosën të shkelin territorin shqiptar.

Në fakt, provokacionet kishin nisur 8 muaj më parë. Ushtria greke kishte “vënë në shënjestër” vijën kufitare Leskovik-Korçë, duke përdorur banorë lokalë dhe agjentë të shërbimit sekret për të krijuar konflikte provokuese me rojet kufitare shqiptare. Planin, ditën dhe orën e sulmit e kishte zbuluar Divizioni i 8-të i Korçës përmes përgjimeve dhe agjentëve specialë që vepronin në të dy anët e kufirit.

Dëshmia: Regjimenti 26 i Pogradecit dhe beteja për Vidohovën

Sipas dëshmisë së ushtarakut Resul Bedo, dhënë për gazetarin Leonard Veizi:

“Unë isha pjesë e shtabit të regjimentit 26 të Pogradecit, pas transferimit nga një batalion autonom në Ersekë ku isha komisar. Në verën e vitit 1949 dy batalione të këtij regjimenti kishin shkuar për fushim dhe ishin dislokuar në Hoçisht të Devollit. Në ato kohë provokacione nga ana e grekëve kanë qenë në vazhdimësi, shkelej territori, qëllohej me armë, madje kalonin dhe aeroplanë mbi hapësirën tonë ajrore. Megjithatë grekët bënë një sulm të befasishëm, pikërisht ndaj shqiptarëve, kur deri para disa vitesh kishim qenë në të njëjtat llogore për të luftuar nazizmin.”

“Mëngjesin e 2 gushtit 1949 ushtria greke bëri një sulm frontal të befasishëm duke marrë postën e kufirit të Vidohovës në lartësinë 1309 metra. Ishte brigada 41 e ushtrisë së shtetit fqinj. Sulmi tokësor u shoqërua edhe nga ajri. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë.”

“Ne si regjiment na u dha urdhri urgjent të rimerrnim Postën e Kufirit. Nga dreka arritëm në Vidohovë dhe të dy batalionet tona u hapën në formacion luftimi. Kishim tërhequr me vete dhe mortajat. Me ne u bashkuan edhe ata ushtarë të kufirit që ishin shpartalluar nga sulmi i befasishëm. Morëm masa për kundërveprim dhe pas disa orë luftimesh arritëm ta merrnim Postën. Ndërkohë ushtarët grekë kishin marrë edhe një pikë tjetër që njihej si lartësia 1441 metra.”

Pas Vidohovës, ushtria greke i shtriu sulmet në pjesët e tjera të kufirit. Sulme sporadike u regjistruan në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14. Grekët, të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta sulmuan kuotat 1425 dhe 309. Artileria greke qëllonte dhe predhat binin 300-500 metra brenda tokës shqiptare. Forcat greke nisën edhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione.

Urdhri i Enver Hoxhës dhe organizimi i mbrojtjes

I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat u përcaktuan në urdhrin e lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën shqiptare”.

Por këtu, sipas dëshmitarit, qëndronte një paradoks: “Sipas mendimit tim Enveri bëri një gabim. Ai dha urdhër që asnjë predhë shqiptare të mos binte në tokën greke. Kjo bëhej për të mos krijuar asnjë provokim nga pala jonë. Por kjo na i lidhte duart. Vetë grekët e kuptuan një gjë të tillë. Tërhiqeshin e mobilizoheshin sërish në kufi, mu përpara hundës tonë dhe ne nuk vepronim më pasi urdhri ishte urdhër.”

Organizimi i mbrojtjes në terren

Petrit Dume ishte organizatori kryesor. Në atë kohë komandonte Divizionin e Korçës. Jo vetëm që drejtoi nga shtabi sprapsjen e sulmit grek dhe rimarrjen e postave kufitare, por e shkeli vetë terrenin pëllëmbë për pëllëmbë, duke parë me sytë e tij se si ishin zhvilluar luftimet dhe ku duheshin përqendruar forcat.

Më pas, Enver Hoxha dërgoi Mehmet Shehun, si njeri që kishte shumë emër në popull dhe në ushtri. Vetë Hoxha erdhi në Korçë për t’u njohur nga afër me situatën dhe vizitoi të plagosurit. Shumë shpejt në vijën e parë të sulmit mbërritën përforcime: dy regjimente, një i Vlorës dhe tjetri i Delvinës, ndërsa në thellësi kishte shumë forca të tjera.

Më 7 gusht luftimet u zgjatën në vijën e kufirit nga mali i Moravës në drejtim të malit të Gramozit. Vidohova u shndërrua në arenën kryesore të përplasjes shqiptaro-greke. Në piramidën I-55 trupat greke kishin arritur të mblidheshin brenda territorit shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me një togë dhe një nënrepart të ushtrisë shqiptare. Ishte betejë frontale ku grekët kishin zënë pikat kyçe. Brenda një dite forcat shqiptare morën pikat e zëna, por nuk i mbajtën dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë më vonë arritën t’i largonin përfundimisht.

Më 12-13 gusht sulmet u intensifikuan. Në sulm u hodhën forcat e divizionit 49 grek të drejtuara për nga Bilishti. Luftime të ashpra pati edhe në Kapshticë.

Mëngjesin e 14 gushtit forcat greke nisën një tjetër ofensivë. Brigada e 41-të, e mbështetur me një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh “Spitfire”, vazhduan sulmet. Atë ditë grekët hodhën qindra predha artilerie në fshatrat Trestenik, Kapshticë, Cangonj-Devoll si dhe në qytetin e Bilishtit. Nga goditjet mbetën disa civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Dy bilancet

Në bazë të komunikatave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1950, nga rreth 49 provokacione të ushtrisë greke në kufirin jugor mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë shqiptare.

Por Resul Bedo, i cili ka botuar edhe librin “Yje të Pashuar-19” vetëm me dëshmorët e gushtit, jep një bilanc tjetër: nga pala shqiptare u vranë 60 ushtarë, 25 oficerë dhe u plagosën 89 të tjerë.

Ndërkohë, në të njëjtën komunikatë thuhet se, në bazë të dëshmive të mbledhura nga robërit e luftës, forcat shqiptare i shkaktuan ushtrisë greke mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa 270 të tjerë u kapën robër.

Për Shqipërinë, gushti i vitit 1949 mbetet prova e parë e madhe e doktrinës së mbrojtjes së kufirit në kushtet e Luftës së Ftohtë: një përplasje ku një luftë civile e brendshme greke u shndërrua në agresion ndërkufitar.

  •  

11:00 Trump në “modin e hakmarrjes”: Irani kërcënon trupat amerikane, ndërsa kriza në Lindjen e Mesme përshkallëzohet

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë arritur një pikë kritike. Përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon, ndërsa diplomacia përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga një krizë që rrezikon të shndërrohet në konflikt të gjerë.

Donald Trump po shqyrton hapat e tij të ardhshëm ndaj Teheranit, në atë që përshkruhet si një fazë e re presioni dhe hakmarrjeje. Nga ana tjetër, Irani ka rritur tonet e kërcënimeve, duke deklaruar se është i gatshëm të godasë objektiva izraelite dhe duke paralajmëruar se do të hakmerret ndaj forcave amerikane për humbjet e shkaktuara nga sulmet e Uashingtonit.

Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, presidenti amerikan është gjithnjë e më i zhgënjyer nga mungesa e një marrëveshjeje dhe nga refuzimi i Teheranit për të bërë lëshime. Në rrethin e tij të këshilltarëve, Trump ka shprehur dyshime nëse negociatat mund të sjellin një paqe të qëndrueshme, duke argumentuar se Irani kupton më shumë gjuhën e presionit ushtarak sesa atë diplomatike.

Një element që ka shtuar shqetësimet në Uashington është edhe çështja bërthamore. Sipas disa vlerësimeve të inteligjencës amerikane, të cituara nga mediat ndërkombëtare, brenda udhëheqjes iraniane ekzistojnë figura që shfaqin interes më të madh për zhvillimin e kapaciteteve strategjike, përfshirë armët bërthamore.

Megjithatë, Trump ka deklaruar se Rusia dhe Kina nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në mbështetjen ushtarake të Iranit. Ai tha se liderët e tyre, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, e kanë siguruar se nuk do të furnizonin Teheranin me armë dhe paralajmëroi se një përfshirje e tillë do të sillte pasoja serioze.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan ka lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje, duke thënë se Irani dëshiron dialog, por “ende nuk është gati”. Ai ka theksuar se nuk është i nxituar, edhe përballë presioneve politike të brendshme, dhe se synon një rezultat që, sipas tij, të jetë i qëndrueshëm.

Për të shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit, Trump ka deklaruar se dëmet e shkaktuara ndaj anijeve nga sulmet iraniane do të kompensohen nga fondet iraniane të kontrolluara nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, goditja ndaj ekonomisë iraniane mbetet një nga mjetet kryesore për ta detyruar udhëheqjen iraniane të rikthehet seriozisht në tryezën e negociatave.

Nga Teherani ka ardhur një përgjigje e ashpër. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka kundërshtuar çdo përpjekje për përdorimin e aseteve iraniane për qëllime të tjera, duke e cilësuar një veprim të tillë si një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar.

Ndërkohë, prapa skenave vazhdojnë përpjekjet diplomatike, veçanërisht për çështjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Një delegacion nga Omani ka zhvilluar konsultime në Teheran për një mekanizëm që do të mundësonte rihapjen dhe garantimin e sigurisë së këtij kalimi strategjik.

Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë organizimin e një takimi në Londër për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar, ku mund të marrin pjesë ministra të mbrojtjes nga vendet aleate. Objektivi do të ishte koordinimi i masave detare, përfshirë përdorimin e njësive të pastrimit të minave, mjeteve detare dhe dronëve.

Ndërsa në Gjirin Persik vazhdon përplasja e forcave dhe retorika kërcënuese, kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit nuk janë ndërprerë plotësisht. Përpjekjet diplomatike synojnë të shmangin një përshkallëzim që mund të çojë në një luftë të hapur.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Irani ka refuzuar një propozim të fundit amerikan për armëpushim, duke rritur shqetësimet edhe te vendet arabe të rajonit, të cilat ndodhen mes presionit nga të dyja palët.

Disa shtete të Gjirit kanë ndërmarrë veprime të fshehta kundër objektivave iraniane, përfshirë goditje ndaj infrastrukturës së dronëve dhe raketave, bazuar në informacione të inteligjencës së ofruara nga aleatë rajonalë.

Ndërkohë, Izraeli po ndjek nga afër zhvillimet. Kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, një takim që shihet si një mundësi për të rregulluar marrëdhëniet pas mosmarrëveshjeve të fundit dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm ndaj Iranit.

Në sfond mbetet pyetja kryesore: a do të jetë kjo një krizë që do të çojë në një marrëveshje të re, apo një përplasje që do të hapë një kapitull të ri lufte në Lindjen e Mesme?

Burimi: ansa.it

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ Pushime për të gjithë, nga resortet luksoze te dhomat u mbytura nga myku

Në vend të një fejtori

Nga Leonard Veizi

Në lokalin e lagjes, mes të njohurve të vjetër dhe të panjohurve të rinj, bisedat kishin marrë drejtimin e zakonshëm të verës: pushimet. Karriget ishin afruar më pranë, gotat ishin mbushur dhe secili tregonte aventurën e vet turistike, sikur po raportonte nga një botë tjetër.

Njëri, me një fodullëk të lehtë vape, tregonte se e kishte braktisur Tiranën për tre muaj rresht dhe ishte shpërngulur në vilën e tij në Qerret. Hajde freskllëk, hajde. Një tjetër fliste për dy javë në Himarë, në një hotel ku nata për çiftin kushtonte 425 euro. Luks ky që ia kishte mundësuar djali, me punë e rrogë të mirë në Londër. Dhe meqë në rini muajin e mjaltit e kishin kaluar në kampin e punëtorëve në Korçë, me dhoma kolektive dhe racione të reduktuara, tani u dukej se fati po u jepte një shans të dytë: të bënin prapë muaj mjalti.

— Bravo u qoftë, u dhashë dhe unë vuxhut në formë urimi.

Në fakt, aferim djalit, që ka punë e rrogë të mirë në Londër.

Në këtë garë të heshtur se kush po e shijonte më mirë kripën e detit dhe përqafimin e diellit në perëndim, i them gruas me një farë krenarie, ku më ishte mbushur mendja të bëja namin:

— Edhe ne do bëjmë pushime siç duhet këtë vit. Pushime të shëndetshme. Në djall të vejë. Le të ikin ca lekë më shumë nga rroga. Për këtë punë janë.

Hapim telefonin. Fillojmë kërkimin.

Nisim nga Golemi, se e kemi më afër Tiranës. Oferta e parë: 265 euro nata.

M’u tha pështyma. Flasim për Golemin, jo për Majamin. Me rrogën time bëja vetëm tri ditë pushime. Ditën e katërt do të më duhej të hapja negociata me gruan për një kredi afatshkurtër, pa interes, por me shumë përqindje nervash.

— Shiko ndonjë gjë më lirë, — i them, — se na u thyen kryqet pa nisur akoma.

Pas pak gjejmë një tjetër: 162 euro nata, me mëngjes të përfshirë.

E shikoj gruan me dyshim.

— Po këto dy eurot sipër 160-s, për çfarë janë? Për syrin e keq?

Ajo qesh.

— Ndoshta se kanë futur edhe mëngjesin.

— Fiks, — i them si të kisha zbuluar rrotën. — Mëngjes tipik shqiptar: bukë, djathë, reçel dhe një kokërr vezë e zier. Dy euro mëngjesi. 160 euro gjumi.

Vazhdojmë. Sa më shumë zhyteshim në oferta, aq më shumë ngjiteshin çmimet. Plot paketa “super”, “premium”, “all inclusive”, “ofertë speciale”, derisa nuk merrje më vesh pse quheshin oferta. Në fund, një familje me një rrogë mesatare shqiptare, në shumë prej këtyre vendeve, mezi përballon pesë ditë. Dhe ato pesë ditë, kur mbarojnë, lënë më shumë pendesë sesa kënaqësi.

Pastaj zbresim edhe më në jug. Aty hapet një botë tjetër.

Hotelet reklamojnë pishina luksoze, festa me DJ deri në agim, me shampanjë që derdhet në pishinë, jo për ta mbushur, por ndoshta për ta bërë të gazuar masivin ujor. Ambientet e luksit duken si të vjedhura nga ndonjë resort në Dubai. Kënaqësi pa fund.

“Të keqen e shqiptarëve… sa lekë paskemi pas, o tu bëfsha”, thua me vete. “Kot ankohen e qahen nëpër tavolina lokalesh.”

Pastaj shikon çmimin.

645 euro nata.

Një natë. Atje… në jugun e thellë.

Faqja online të njofton me qetësi olimpike: nuk ka vende të lira. Plot deri në mesin e shtatorit.

“Më vonë shohim e bëjmë.”

Dhe telefoni mbyllet si padashur. Jo se s’kishte internet.

Në fund e kupton: pushimi në hotele luksoze nuk është më çështje dëshire, por çështje klase. Një kryefamiljar me profesion të zakonshëm, edhe sikur të ketë punuar gjithë jetën ndershmërisht, e gjen veten jashtë gare. Pa fajin e tij. Me fajin e rrogës.

Por deti, si një lajm i mirë, nuk është vetëm për ata me karta të “shëndosha” bankare. Ka ende rrugë të tjera.

Ka fshatra, shtëpi të vogla, dhoma modeste. Ka edhe nga ato zgëqe ku susta e krevatit kërcet si kitare e çakorduar, dysheku është sa një petë byreku që të lodh shpinën dhe vezët e mëngjesit i skuq vetë në një tigan me një bombol gazi që fishkëllen.

Dhe në fund del shpejt në përfundimin se kapitalizmi turistik shqiptar, në gjithë madhështinë e tij, është ndarë thellësisht: për të pasurit në resorte, për të tjerët në dhoma ku mund të mykesh nga myku.

Hajde pushime të mbara.

  •  

11:00 Histori/ Dekreti i Alhambrës: Dëbimi i hebrenjve nga Spanja dhe plagët e një historie pesëshekullore

Më 31 mars 1492, në fund të një prej periudhave më të lavdishme dhe më të trazuara të historisë spanjolle, mbretërit katolikë të Spanjës, Izabela I e Kastiljes dhe Ferdinandi II i Aragonës, nënshkruan atë që do të njihej si Dekreti i Alhambrës – urdhri për dëbimin e hebrenjve nga territoret e tyre.

Ky vendim ndryshoi përgjithmonë historinë e Spanjës, të komuniteteve hebraike në Evropë dhe të diasporës hebraike në Mesdhe. Ai shënoi fundin e një bashkëjetese shekullore dhe fillimin e një periudhe dëbimesh, shpërnguljesh dhe humbjesh kulturore.

Në vitin 1492, Spanja sapo kishte përfunduar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj: Rënien e Granadës, më 2 janar të atij viti, kur mbretëria e fundit myslimane në Gadishullin Iberik iu dorëzua kurorës spanjolle. Pas afro tetë shekujsh të pranisë myslimane në pjesë të mëdha të Spanjës, monarkia katolike kërkonte të krijonte një shtet të bashkuar nën një identitet të vetëm fetar.

Hebrenjtë kishin jetuar në Gadishullin Iberik prej shumë shekujsh. Në periudha të ndryshme, veçanërisht gjatë sundimit mysliman të Al-Andalusit, disa komunitete hebraike kishin përjetuar një lulëzim të madh në shkencë, filozofi, mjekësi, tregti dhe kulturë. Qytete si Kordoba, Toledo dhe Sevilja ishin qendra ku ndërthureshin tradita të ndryshme fetare dhe kulturore.

Por marrëdhëniet mes hebrenjve dhe shumicës së krishterë ishin përkeqësuar gjatë shekujve XIV dhe XV. Në vitin 1391, një valë dhune dhe pogromesh goditi komunitetet hebraike në shumë qytete spanjolle. Shumë hebrenj u detyruan të konvertoheshin në katolicizëm për të shpëtuar jetën. Këta të konvertuar njiheshin si konversos ose të krishterë të rinj (cristianos nuevos).

Megjithëse shumë prej tyre u integruan në shoqërinë e krishterë, një pjesë u akuzua se vazhdonte të praktikonte fshehurazi fenë hebraike. Kjo solli krijimin e Inkuizicionit Spanjoll në vitin 1478, një institucion që synonte të kontrollonte ortodoksinë fetare dhe që u bë një nga mekanizmat më të frikshëm të kohës.

Dekreti i Alhambrës u dha hebrenjve një afat të shkurtër: ata duhej të largoheshin nga mbretëritë e Kastiljes dhe Aragonës brenda katër muajve ose të pranonin pagëzimin e krishterë. Në dokument thuhej se prania e hebrenjve po konsiderohej si një ndikim i rrezikshëm mbi të konvertuarit dhe si një kërcënim për unitetin fetar të mbretërisë.

Numri i hebrenjve të dëbuar mbetet objekt debati mes historianëve. Vlerësimet variojnë nga dhjetëra mijëra deri në qindra mijëra persona. Shumë prej tyre u vendosën në Perandorinë Osmane, në Afrikën e Veriut, në Itali, Portugali dhe territore të tjera mesdhetare. Ata ruajtën gjuhën e tyre, një formë të vjetër të spanjishtes të njohur si ladino, si dhe traditat kulturore të Spanjës së tyre të humbur.

Dëbimi i vitit 1492 solli pasoja të mëdha edhe për vetë Spanjën. Një pjesë e elitave tregtare, intelektuale dhe profesionale u largua. Edhe pse monarkia e kohës e shihte vendimin si një hap drejt unitetit fetar, në perspektivë historike ai shihet si një nga shembujt më të rëndësishëm të intolerancës fetare në Evropën e mesjetës së vonë.

Për shekuj me radhë, çështja e hebrenjve sefardikë – pasardhësve të atyre që u dëbuan nga Spanja – mbeti një plagë historike. Një ndryshim i rëndësishëm erdhi në shekullin XX. Më 16 dhjetor 1968, në kuadër të ndryshimeve të klimës fetare pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, u hoqën zyrtarisht nga qëndrimet institucionale të Kishës Katolike akuzat historike ndaj hebrenjve për përgjegjësi kolektive në vdekjen e Krishtit. Ky zhvillim nuk ishte një shfuqizim ligjor i Dekretit të Alhambrës nga Vatikani, pasi dekreti ishte një akt shtetëror spanjoll, por shënoi një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet mes katolicizmit dhe judaizmit.

Një tjetër hap simbolik erdhi në kohët moderne. Në vitin 2014, parlamenti spanjoll miratoi një ligj që u jepte mundësi pasardhësve të hebrenjve sefardikë të dëbuar në vitin 1492 të kërkonin shtetësinë spanjolle, edhe pas shumë brezash largimi. Ligji u pa si një përpjekje për të njohur padrejtësinë historike dhe për të rindërtuar lidhjet me një komunitet që kishte qenë pjesë e rëndësishme e historisë së Spanjës.

Dekreti i Alhambrës mbetet një kujtesë se identiteti kombëtar, kur ndërtohet mbi përjashtimin fetar apo kulturor, mund të lërë pasoja që zgjasin për shekuj. Një urdhër i nënshkruar në një pallat mbretëror në vitin 1492 nuk dëboi vetëm njerëz nga një tokë; ai shpërndau një kulturë, një kujtesë dhe një pjesë të vetë historisë së Spanjës nëpër brigjet e Mesdheut.

  •  

Histori/ Thesari i humbur i Darit të Madh: Zbulimi i pllakave të arta dhe të argjendta që i mbijetuan pushtimit të Aleksandrit

Në vitin 1938, në një nga vendet më madhështore të qytetërimit të lashtë persian, arkeologët zbuluan një dëshmi të rrallë të fuqisë dhe pasurisë së Perandorisë Akamenide: pllaka të gdhendura prej ari dhe argjendi që i përkisnin varrit të Darit të Madh, një prej mbretërve më të mëdhenj të Persisë së lashtë.

Zbulimi u bë në kompleksin arkeologjik të Naqsh-e Rustam, pranë Persepolit, në Iranin e sotëm – një nekropol mbretëror i gdhendur në shkëmb, ku prehen disa nga sundimtarët më të rëndësishëm të dinastisë Akamenide.

Varri i Darit I, i njohur si Dari i Madh (rreth 550–486 p.e.s.), është një nga katër varret mbretërore të Naqsh-e Rustamit. Fasada e tij madhështore është gdhendur në një faqe shkëmbi dhjetëra metra mbi tokë dhe paraqet mbretin përpara një altari zjarri, i rrethuar nga përfaqësues të popujve të shumtë që përbënin perandorinë e tij.

Dari i Madh ishte një nga figurat më të rëndësishme të botës antike. Gjatë sundimit të tij, Perandoria Akamenide u shtri nga lugina e Indusit deri në brigjet e Egjeut dhe nga Azia Qendrore deri në Egjipt. Ai krijoi një administratë të organizuar, ndau perandorinë në provinca të quajtura satrapi, ndërtoi rrugë të mëdha komunikimi dhe e bëri Persepolisin një nga qendrat më madhështore të kohës.

Pllakat e zbuluara në vitin 1938 përmbanin mbishkrime në gjuhët e lashta të perandorisë dhe kishin një rëndësi të jashtëzakonshme historike. Ato ishin dëshmi e drejtpërdrejtë e mënyrës se si mbretërit persianë dokumentonin pushtetin, territorin dhe legjitimitetin e tyre.

Një nga aspektet më intriguese të këtij zbulimi ishte fakti se këto objekte kishin shpëtuar nga plaçkitja e madhe që ndodhi pas pushtimit të Perandorisë Persiane nga Aleksandri i Madh në shekullin IV p.e.s.

Në vitin 330 p.e.s., Aleksandri pushtoi Persepolisin, kryeqytetin ceremonial të Akamenidëve. Qyteti, i cili për shekuj kishte simbolizuar madhështinë persiane, u plaçkit nga ushtria maqedonase. Pallatet mbretërore u grabitën dhe shumë thesare ari e argjendi u morën si plaçkë lufte. Sipas burimeve antike, pasuria e grabitur nga Persepolisi ishte aq e madhe sa kërkoi mijëra kafshë transporti për t’u larguar.

Mbetet një nga episodet më të debatueshme të historisë së Aleksandrit fakti nëse djegia e Persepolisit ishte një akt hakmarrjeje ndaj pushtimit persian të Greqisë një shekull më parë apo një vendim politik për të simbolizuar fundin e Perandorisë Akamenide.

Megjithatë, disa objekte të fshehura ose të ruajtura në zona të paarritshme i shpëtuan shkatërrimit. Pllakat e Darit ishin një prej tyre. Ato ishin si një mesazh i ardhur nga një botë e zhdukur – një zë i mbretit që kishte sunduar një nga perandoritë më të mëdha të kohës.

Zbulimi i vitit 1938 u krye gjatë ekspeditave arkeologjike të organizuara nga Instituti Oriental i Universitetit të Çikagos, i cili në atë periudhë punonte në zonën e Persepolit. Gërmimet zbuluan jo vetëm objekte të çmuara, por edhe dokumente që ndihmuan studiuesit të kuptonin më mirë administrimin, fenë, artin dhe jetën e përditshme të Perandorisë Akamenide.

Naqsh-e Rustam mbetet sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike të Iranit. Përveç varrit të Darit të Madh, aty ndodhen edhe varret e mbretërve të tjerë akamenidë, përfshirë Kserksin I, pasardhësin e tij që udhëhoqi fushatat kundër Greqisë.

Pllakat prej ari dhe argjendi të zbuluara në vitin 1938 nuk janë thjesht objekte të çmuara. Ato janë fragmente të një epoke kur një mbret mund të sundonte mbi miliona njerëz dhe një qytet si Persepolisi mund të ishte zemra ceremoniale e një perandorie që shtrihej në tri kontinente.

Mbi dy mijë vjet pas rënies së Persepolit, thesaret e Darit të Madh vazhdojnë të tregojnë historinë e një qytetërimi që u përplas me ushtrinë e Aleksandrit, por nuk u zhduk kurrë plotësisht. Ato mbetën të fshehura në gur, ar dhe argjend – si kujtime të heshtura të një bote të humbur.

  •  

07:00 Nga Leonard Veizi/ 31 Korriku, kufiri i artë i kohës dhe shpirtit

Nga Leonard Veizi

31 Korriku është një datë që qëndron si një pikë kulmore në ciklin vjetor, një ndalesë në udhën e diellit, që personifikon pjekurinë e kohës, verën në zenitin e saj, dhe një pezullim të brishtë mes harresës dhe kujtesës. Është një çast i veçantë, i ngarkuar me peshë simbolike, ku drita dhe hija, arritja dhe pritshmëria, takohen në një vallëzim të heshtur. Kjo ditë nuk është thjesht një shifër në kalendar, por një ftesë për të ndalur, për të ndjerë pulsin e stinëve dhe për të reflektuar mbi pulsin e vetes.

31 Korriku si “Mbreti i Verës”

Ai është dita që ecën krenare mbi rrezet e arta, me krahët plot aromë lulesh të vonuara dhe grurë të pjekur. Jo thjesht një burrë, por një monark i urtë në moshën e pjekurisë së plotë, që ka parë të gjitha ngjyrat e ditëve të kaluara – zanafillën e gjelbër të pranverës, shpërthimin e ndezur të qershorit – dhe e di se gjithçka është kalimtare. Ai mban kurorën e diellit, një rreth verbues drite që flet për fuqinë dhe dominimin e tij, dhe përshëndet me ngrohtësi çdo qenie, por sytë e tij fshehin një parandjenjë të ndërrimit të pashmangshëm të stinëve. Ai e di se mbretërimi i tij po arrin kulmin, dhe pas këtij zeniti, do të vijë zbutja dhe më pas, rënia. Në thellësi të kësaj dite, ndjehet aroma e fundit e një verëgjatësie të plotë, para se era e parë e vjeshtës të nisë të lajmërojë ndryshimin.

31 Korriku si “Mesi i Kohës”

Është udhëtari i vetmuar që ndalet pikërisht në pikën e mesit të rrugës së vitit. Ai kthehet pas me mirënjohje të thellë për pranverën e gjallë dhe ditët që shpërthyen si lule plot premtime, ku çdo syth i gjelbër ishte një shpresë e re. Dhe pastaj, me një lloj melankolie të heshtur, shikon përpara drejt gushtit, që nis të zbresë, duke sjellë me vete ngjyrat e para të vjeshtës. Ai nuk është thjesht një orakull i vitit, por një pasqyrë ekzistenciale, ku njeriu pyet veten thellë: Çfarë kam bërë me kohën e dhënë deri tani? Çfarë ëndrrash kam realizuar, dhe cilat presin ende të lindin? Dhe më e rëndësishmja, çfarë më mbetet për të bërë, për të plotësuar ciklin e këtij viti, para se ai të shkrihet në kujtim? Është një thirrje për llogaridhënie të brendshme, një shans për të rishikuar kursin e jetës.

31 Korriku si “Rrahja e fundit e zemrës së verës”

Mund ta vizualizojmë si një vajzë të zjarrtë me flokë të ndezur nga dielli dhe lëkurë të puthur nga shkëlqimi i artë, e cila kërkon të kënaqet deri në çastin e fundit, të dëgjojë muzikën e valëve, të kërcejë pa fre, të këndojë me gjithë mushkëritë, të digjet nga pasioni i jetës. Ajo nuk dëshiron të dijë akoma se vera do të tretet, se ditët e gjata do të shkurtohen dhe ngrohtësia do të shuhet. Ajo personifikon shkëlqimin e fundit, ekstazën e fundit të një epoke përpara zbehjes së pashmangshme, një dehje që fsheh thellë brenda saj frikën e humbjes. Është kulmi i një feste, ndjesia që çdo çast duhet shijuar plotësisht, sepse fundi është afër. Ajo mishëron shkëlqimin e një agonie të ëmbël, të vetëdijshme për bukurinë e saj kalimtare.

31 Korriku si “Pragu i Reflektimit”

Kjo datë, më shumë se çdo tjetër, të fton të ndalosh, të marrësh frymë thellë dhe të matësh veten jo vetëm kundrejt kalendarit, por edhe kundrejt aspiratave të tua. Koha është gjysmë e kaluar, gjysmë e ardhur – një ekuilibër i brishtë. Ai është si një pasqyrë e vjetër, por e qartë, që të shfaq imazhin tënd si ishe në janar, plot premtime dhe vendime të Vitit të Ri, dhe të pyet me zë të butë, por të prerë: “A je ende ai njeri? A ke vazhduar rrugën tënde, apo je shmangur? A ke përmbushur betimet e tua, apo i ke lënë pas dore?” Është një moment introspeksioni të thellë, një ftesë për të vlerësuar rrugëtimin e shpirtit, për të ripërcaktuar qëllimet dhe për të ndrequr kursin nëse është e nevojshme. Është një thirrje për të kuptuar se pjesa e mbetur e vitit është një shans për ndryshim dhe përmbushje.

31 Korriku si “Epilog”

Në çdo rast, 31 Korriku nuk është thjesht një datë. Është një personazh simbolik i vitit – mesatar dhe magjik, një pikë kritike në rrjedhën e kohës. Ai qëndron në majë të një ore rëre kozmike, ku grimcat ende rrjedhin, duke treguar vazhdimësinë e pandalshme të jetës, por njëkohësisht, thekson atë pikë të veçantë ku e ardhmja dhe e shkuara takohen. Është një kujtesë e bukurisë së kalimtares, e rëndësisë së çdo çasti dhe e vlerës së reflektimit në udhëtimin tonë personal.

  •  

12:00 Ana e errët e Jared Leto, akuzat për ngacmim seksual në një dokumentar të BBC-së

Dokumentar i BBC-së ngre akuza të rënda ndaj Jared Leto-s: dhjetë gra rrëfejnë për ngacmime dhe abuzime të dyshuara seksuale. Gratë u abuzuan në moshë të re. Ylli amerikan dyshohet se e nënvlerësoi moshën e tyre.

NEW YORK – Aktori dhe muzikanti amerikan Jared Leto, fitues i çmimit Oscar dhe frontmeni i grupit Thirty Seconds to Mars, është vënë në qendër të një dokumentari investigativ të BBC-së, ku dhjetë gra e akuzojnë për ngacmim dhe sulme seksuale të dyshuara, ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë viteve 2002–2016.

Dokumentari, me titull “Jared Leto: The Dark Secret of Hollywood”, mbështetet në dëshmitë e dhjetë grave, nëntë prej të cilave flasin publikisht për herë të parë. Sipas tyre, kontaktet me aktorin kanë ndodhur kur ato ishin adoleshente ose në fillim të moshës madhore, ndërsa Leto ishte në të tridhjetat dhe të dyzetat. Sot ai është 54 vjeç.

Një nga dëshmitaret pretendon se është sulmuar seksualisht në banjën e një moteli kur ishte vetëm 17 vjeçe. Një tjetër thotë se, në moshën 19-vjeçare, u gjend e vetme me aktorin në një dhomë hoteli, ku, sipas saj, u përball me kërcënime për sulm seksual. Një grua e tretë deklaron se pati marrëdhënie seksuale me Leton në Kaliforni kur ishte 17 vjeçe, duke theksuar se, sipas ligjit të atij shteti, një situatë e tillë mund të përbënte vepër penale. Ajo pretendon gjithashtu se aktori minimizoi rëndësinë e kufirit ligjor të moshës së pëlqimit.

Në dokumentar përfshihet edhe dëshmia e një gruaje që thotë se, kur ishte 16 vjeçe, Leto i bënte telefonata të përsëritura me përmbajtje seksuale eksplicite dhe, në një rast, i propozoi të kryenin marrëdhënie seksuale.

Një tjetër rrëfim i referohet një ngjarjeje kur dëshmitarja ishte vetëm 14 vjeçe. Sipas saj, gjatë një festivali muzikor, pasi aktori kishte bërë një koment të papërshtatshëm për trupin e saj, ai i kërkoi një punonjësi sigurie ta shoqëronte vajzën në prapaskenë.

Dokumentari përfshin edhe dëshmitë e dy ish-bashkëpunëtorëve të grupit Thirty Seconds to Mars, të cilët thonë se stafi ishte shpesh në siklet nga mënyra se si Leto ndërvepronte me vajza shumë më të reja. Ata pretendojnë se artisti i ftonte herë pas here pas skene, në dhomën e zhveshjes ose në banesën ku regjistronte muzikë. “Të gjithë mendonin se diferenca në moshë ishte tepër e madhe”, shprehet njëri prej tyre.

Sipas BBC-së, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të marrë një reagim, Jared Leto nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi akuzat. Dokumentari është publikuar edhe në platformën YouTube.

I njohur për pamjen e tij androgjene dhe stilin ekscentrik, Jared Leto u bë i famshëm në vitet 1990 falë rolit të Jordan Catalano në serialin “My So-Called Life”, përpara se të ndërtonte një karrierë të suksesshme në kinematografi dhe muzikë. Aktualisht, akuzat e paraqitura në dokumentar mbeten pretendime të dëshmitareve dhe nuk përbëjnë prova të verifikuara në një proces gjyqësor.

  •  
❌