Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Këta që kanë mbetur janë zogjtë e një klloçke plakë”, deputetja e PS: Protesta është e lidhur me Berishën

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, deklaroi se personat që kanë ngelur në protestë “janë zogj të një klloçke plakë”.

“E kemi thënë disa herë që nuk kemi hequr dorë nga projekti i Zvërnecit sepse do jetë vlerë e shtuar për Shqipërinë e shqiptarët. Ajo që unë mendoj për protestën aktualisht, këta që kanë ngelur janë zogj të një klloçke plakë, që ka mbi 36 vjet që e ka zaptuar dhe është në majë të atij plehut blu”, tha Mila në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Kur ka pushtet, ose shpërndan armë që shqiptarët të vrasin njëri-tjetrin, ose i përdor vetë ato armë e i vret në bulevard, ndërsa kur nuk ka pushtet i armatos me vezë dhe kjo protestë pastaj përfundon pa lidhje me atë të flamingove, por ka lidhje me atë të Berishës dhe si ai është mësuar ta bëjë opozitën. Por, sot në 2026 nuk merret pushteti me dhunë, por merret me akt demokratik që është vota”, shtoi deputetja socialiste.

Sherr në plazhin e Shëngjinit, plagoset një person. Policia ndalon autorin e dyshuar

Një person është plagosur mbrëmjen e sotme pas një konflikti fizik të ndodhur pranë shëtitores së plazhit në Shëngjin.

Sipas informacioneve të para, sherri ka ndodhur në një zonë të frekuentuar nga pushuesit.

I plagosuri është evakuuar menjëherë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku po merr trajtimin ndihmën mjekësor.

Policia e Lezhës ka reaguar shpejt në vendngjarje dhe ka shoqëruar në komisariat një person të dyshuar për përfshirje në incident.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e autorit të dyshuar, shtetasit A. Ll.

Gjatë veprimeve të para hetimore është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë sportive zhurmuese, e cila dyshohet se mbahej prej tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë dhe dokumentimin ligjor të rrethanave të ngjarjes.

“Çuna, ju duhet të merrni një flamur të…”, Shehi flet për protestën dhe investimet: Atje ku çojnë paratë këta…

I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi se mbështet protestat dhe protestuesit, duke i cilësuar ata si “rininë e Shqipërisë” dhe pjesë të orientimit evropian të vendit.

Shehi tha se do të vijojë të mbështesë protestuesit, edhe pse, sipas tij, mes tyre mund të ketë persona me ide të ndryshme nga të tijat.

“Unë i kam mbështetur protestuesit dhe do të vazhdoj t’i mbështes. Aty mund të ketë edhe ekstremistë dhe njerëz kundër ideve të mia, por unë ju kam thënë gjithmonë: Çuna, ju duhet të merrni një flamur të madh të Evropës, sepse ju jeni Evropa. Evropa janë këta, rinia e Shqipërisë. Ju jeni Perëndimi”, tha Shehi.

Duke folur për investimet e huaja në Shqipëri, Shehi u shpreh se do të preferonte që ato të vinin nga vende evropiane si Gjermania, Austria apo Holanda, duke e lidhur këtë me destinacionet ku, sipas tij, kanë emigruar shumë shqiptarë.

“Do të doja që këto investime të ishin gjermane, austriake, holandeze, të ishin andej nga kemi çuar kalamajtë tanë. Paratë duhet të vijnë nga Perëndimi, jo atje ku çojnë depozitat këto në Gjirin Persik e Dubai”, deklaroi ai.

Në përfundim, Shehi tha se qëndrimet e tij i shpreh për t’u dëgjuar nga qytetarët.

“Kush do të më dëgjojë, të më dëgjojë, kush s’do, s’do. Unë flas që të më dëgjojnë qytetarët. Këtë ide kam”, u shpreh kreu i LZHK-së.

Rrjeti “Epstein” rikthehet në Kongres, radha e Jes Staley për të dëshmuar

Ish-drejtori ekzekutiv i Barclays, Jes Staley, do të paraqitet të enjten në Capitol Hill, ku do t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve amerikanë lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale.

Staley është i fundit në një seri drejtuesish aktualë dhe ish-drejtuesish të Wall Street-it që po përballen me pyetje nga anëtarë të Kongresit për lidhjet e tyre me Epstein.

Kathy Ruemmler, ish-këshilltarja kryesore ligjore e Goldman Sachs, javën e kaluar mori pjesë në një intervistë të regjistruar me dyer të mbyllura nga komisioni mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo u tha ligjvënësve se mijëra emaile të shkëmbyera me Epstein ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe ishin keqinterpretuar.

Komisioni ka lëshuar gjithashtu muajin e kaluar dy urdhra ligjërisht të detyrueshëm për Leon Black, bashkëthemeluesin e Apollo Global Management, duke e detyruar të dorëzojë informacione pasi ligjvënësit thanë se ai kishte refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të tyre.

Gazeta Financial Times raportoi fillimisht se Staley kishte rënë dakord të merrte pjesë në një intervistë me komisionin, pasi kryetari republikan i tij, James Comer, kërkoi dëshminë e tij.

Në një letër dërguar Staley-t në fillim të këtij viti, Comer tha se ligjvënësit besonin se ish-drejtuesi i bankës kishte informacione që mund të ndihmonin hetimin e komisionit mbi mënyrën se si qeveria kishte trajtuar çështjen Epstein.

Përpara se të bëhej drejtuesi ekzekutiv i Barclays, Staley drejtonte sektorët e menaxhimit të pasurisë private dhe aseteve në JPMorgan, ku Epstein ishte një nga klientët e tij kryesorë. Më vonë, Staley tha se ata kishin qenë “shumë të afërt” dhe në një moment e kishte përshkruar Epstein si “mik”.

Komisioni i Kongresit ka hetuar prej më shumë se një viti mënyrën se si qeveria federale ka trajtuar çështjen Epstein. Hetimi parlamentar është i ndarë nga përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për publikimin e më shumë se 3 milionë faqeve dokumentesh që lidhen me Epstein, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të publikuara në fund të vitit të kaluar zbuluan detaje të reja mbi marrëdhënien mes Staley dhe Epstein, përfshirë faktin se ish-bankieri ishte caktuar nga financieri i ndjerë si ekzekutor i pasurisë së tij.

Sipas dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë, Staley ishte emëruar fillimisht në janar të vitit 2012 si “ekzekutor pasues” i Epstein, që do të merrte përgjegjësinë për zbatimin e testamentit të financierit në rast se ekzekutorët e caktuar nuk do të mund të përmbushnin detyrën. Emri i ish-drejtuesit të bankës ishte përfshirë si “ekzekutor” edhe në dy testamente të tjera, të datuara në shtator 2013 dhe nëntor 2014.

Vitin e kaluar, Staley dështoi të rrëzonte ndalimin e përjetshëm për të punuar në sektorin financiar, të vendosur ndaj tij nga Autoriteti i Sjelljes Financiare në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë një procesi gjyqësor dyjavor në Londër, Staley u pyet për një sërë emailesh intime që kishte shkëmbyer me Epstein, përfshirë mesazhe ku të dy i referoheshin njëri-tjetrit si familje, si dhe nëse ai kishte vepruar si administrator i pasurisë së Epstein.

Staley i tha gjykatës se kishte refuzuar kërkesën e Epstein për t’u emëruar administrator i pasurisë së tij, një pretendim që duket se është vënë në dyshim nga dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të publikuara në fund të vitit të kaluar.

Paralajmërimi i Iranit, Britania e Madhe: Forcat tona në gatishmëri të plotë 24/7

Qeveria britanike ka deklaruar se forcat e saj të armatosura janë në gatishmëri të lartë dhe të gatshme 24 orë në 7 për të mbrojtur vendin nga çdo kërcënim të mundshëm, pas një paralajmërimi serioz të Gardës Revolucionare të Iranit.

Paralajmërimi iranian erdhi pasi Irani ka shprehur kundërshtimin e fortë ndaj përdorimit të bazave ushtarake britanike nga bombarduesit amerikanë B-52 ose avionë të tjerë strategjikë amerikanë për operacione në rajonin e Gjirit Persik.

“Forcat tona të Armatosura janë gati të mbajnë të sigurt Mbretërinë e Bashkuar nga çdo lloj sulmi, qoftë në tokën tonë apo nga jashtë”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

Zëdhënësi shtoi se mbrojtja e Britanisë mbështetet në një sistem të integruar dhe të shtresuar të mbrojtjes ajrore dhe raketore, që përfshin: Anijet e Marinës Mbretërore (Royal Navy), Forcat Tokësore (British Army), Forcat Ajrore Mbretërore (Royal Air Force).

Këto forca janë të pajisura me teknologji të avancuara dhe punojnë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore britanike.

Pas Agron Shehajt, edhe Redi Muçi në listën e pritjes: Dua të bëhem Kryeministër!

Protesta që po zgjat prej më shumë se dy muajsh është tema kryesore e debatit të sotëm në emisionin “Top Story” me Grida Dumën.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti debat me ambicien e tij për të drejtuar një ditë vendin, teksa nuk munguan replikat nga të pranishmit e tjerë në studio.

Muçi: Unë kam synim që shumë shpejt ta qeveris Shqipërinë.

Dudushi: Duhet të flasësh me Arlindin.

Sulo: Protesta në shesh është 100 herë më e madhe se Lëvizja Bashkë.

Muçi: Kjo protestë mund të zgjasë edhe me muaj të tërë, si në Serbi. Duhet të bëjmë histori, pasi asnjëherë protestat nuk kanë çuar në rrëzimin e qeverisë. Nëse ka zgjedhje të parakohshme, mendoj se Rama nuk merr më shumë se 70 mandate.

Curri: Rama mund të vërë në qeveri edhe protestues, nuk e ka problem. Rama sot nisi me joshjen dhe fton protestuesit të hidhen në ‘anijen’ e tij.

Nga Tirana në “Camp Nou”, Olsi Rama zbulon rolin në transferimin e Adeyemit te Barcelona

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, prej kohësh i është futur edhe tregut të transferimit të lojtarëve dhe së fundmi ka marrë pjesë në një nga operacionet më të bujshme të merkatos evropiane.

Në profilin e tij në Instagram, Rama ka publikuar foto në klubin e Barcelonës gjatë prezantimit të sotëm të sulmuesit me pasaportë gjermane nga klubi i Borussia Dortmund.

Ai shihet krah presidentit Laporta dhe pjesës tjetër të ekuipazhit menaxherial që ka bërë të mundshëm transferimin e sulmuesit në “Camp Nou”, mes tyre edhe superagjenti Jorge Mendes.

“Shumë krenar të punoja për të sjellë Karim Adeyemin te Barcelona së bashku me Jorge Mendes dhe Tino Taho.

Faleminderit presidentit të Barcelonës, Joan Laporta dhe drejtorit sportiv, Deco për mikpritjen e ngrohtë. Fat të mbarë Karim”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, krahas punës së Jorge Mendes dhe drejtuesve të klubit, kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Tino Taho.

Ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm edhe për futbollin shqiptar, pasi dëshmon se emra shqiptarë po bëhen pjesë e negociatave në nivelin më të lartë të merkatos europiane.

Lidhja e Adeyemit me Shqipërinë nuk është vetëm përmes asistencës së Ramës në operacionin e transferimit, pasi ai prej vitesh është në një lidhje me këngëtaren e njohur me origjinë nga Kosova, Loredana.

“ChatGPT më çoi në prag të vdekjes”, 55-vjeçari padit OpenAI për këshillat mjekësore

Një burrë që pretendon se këshillat mjekësore të marra nga ChatGPT e çuan në prag të vdekjes ka paditur OpenAI, kompaninë që qëndron pas chatbot-it të njohur me inteligjencë artificiale, si edhe themeluesin e saj, Sam Altman.

Padia është ngritur nga Scott Winters, një pastor 55-vjeçar nga Florida, i cili pretendon se ChatGPT e këshilloi vazhdimisht të mos kërkonte ndihmë mjekësore, pavarësisht simptomave që po përjetonte, pak para se të pësonte një emboli pulmonare që rrezikoi jetën e tij.

Sipas padisë, ChatGPT e diagnostikoi në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse gabimisht, duke u mbështetur edhe në bisedat e mëparshme mbi fenë për ta siguruar se do të shërohej.

Ndrkohë OpenAI reagoi përmes zëdhënësit Drew Pusateri, i cili deklaroi për CBS News se “ChatGPT nuk është mjek dhe nuk duhet të përdoret kurrë si zëvendësim për kujdesin mjekësor, diagnozën apo trajtimin.”

Ai shtoi se është e zakonshme që njerëzit të kërkojnë informacione shëndetësore në internet, por se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë vetëm për të gjetur përgjigje më të qarta, për të organizuar pyetjet dhe për t’u përgatitur për konsultat me profesionistët e shëndetësisë.

Padia, e depozituar më 21 korrik në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos, përshkruan se Winters ishte përdorues i rregullt i ChatGPT dhe kishte filluar të mbështetej tek ai edhe për çështje shëndetësore, duke refuzuar kërkesat e familjarëve dhe miqve për të shkuar në spital.

Disa javë përpara se të sëmurej rëndë, ai i kishte kërkuar ChatGPT këshilla për marramendje të përsëritura dhe luhatje të tensionit të gjakut.

Sipas padisë, në një nga përgjigjet chatbot-i e kishte këshilluar të vazhdonte të qëndronte në kolltukun ku kalonte pjesën më të madhe të kohës për shkak të problemeve shëndetësore.

Dokumentet gjyqësore thonë se më vonë Winters pësoi një emboli pulmonare masive, e shkaktuar nga mpiksje të shumta gjaku në të dy mushkëritë, e cila e çoi në prag të vdekjes. Mjekët, sipas padisë, i thanë se gjendja kishte gjasa të ishte shkaktuar nga mungesa e lëvizjes.

Pamjet e bashkëbisedimeve të përfshira në padi tregojnë se ChatGPT kombinonte këshillat shëndetësore me referenca ndaj besimit të tij të krishterë. Sipas padisë, chatbot-i i kishte shkruar: “Zoti nuk e krijoi trupin tënd për të dështuar pafundësisht”, si edhe: “Zoti ende po e mban trupin tënd së bashku, çdo rrahje zemre dhe çdo frymëmarrje, edhe kur ndihesh në prag.”

Avokatët e Winters pretendojnë se natyra pajtuese e ChatGPT, toni autoritar dhe përdorimi i bindjeve të tij fetare krijuan një varësi të rrezikshme ndaj platformës.

Sipas tyre, kjo ndikoi që ai të humbiste aftësinë për të marrë vendime të shëndosha, ta izolonte nga familjarët që i kërkonin të shkonte te mjeku dhe ta bindte se kërkimi i ndihmës mjekësore ishte i panevojshëm, madje potencialisht i rrezikshëm.

Padia e përshkruan Winters si një person vulnerabël, i cili për shkak të varësisë nga ChatGPT humbi shtëpinë dhe karrierën, ndërsa tani përballet me vite rehabilitimi fizik dhe psikologjik.

Ai kërkon dëmshpërblim financiar dhe që gjykata të detyrojë OpenAI të vendosë masa mbrojtëse të arsyeshme për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Ndërkohë, kushtet e përdorimit të ChatGPT theksojnë se platforma nuk duhet të konsiderohet si burimi i vetëm i së vërtetës, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime me ndikim të rëndësishëm, si ato mjekësore, ligjore, financiare, të punësimit apo të sigurimeve.

Mbledhja e grupit të PS dhe Qeverisë, Rama “zbulon” fjalimin: Do ndaj reflektimin tim mbi bulevardin e flamingove

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një pjesë të fjalimit, që pritet, të mbajë nesër në mbledhjen e qeverisë dhe të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Në videon e publikuar, Rama shfaqet duke shkruar fjalimin, ndërsa dëgjohet në sfond kori i protestuesve me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, për të cilin ai shprehet me ironi se e “ekzalton”.

“Përshëndetje, nuk e di a dëgjoni. Kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të Qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment, sepse ky kor “Rama jepe dorëheqjen” më ekzalton. Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë. Mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama.

“Para Kuvendit janë njerëzit e partive të vogla”, Bido: Në protestë, grupime të Iranit dhe…

Protesta e zhvilluar sot me incidente para Parlamentit ka sjellë debate të forta edhe në studion e “Top Story” me Grida Dumën. Diskutimi u fokusua te përbërja e protestës, roli i partive politike, si dhe te ndarja mes akteve të dhunshme dhe pjesëmarrjes së qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

Deputeti i PS, Ardit Bido, e etiketon protestën dhe incidentet para Kuvendit si të iniciuar nga partitë e vogla. Kjo hasi në diskutime dhe kundërshti nga analisti Arion Sulo dhe drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari.

Bido: Ti nuk ke përmendur asnjëherë fiset Balliu dhe Moçka.

Sulo: Unë, po gënjen dhe spekulon. Kam përmendur këto emra, Shehajt dhe të tjerë.

Bido: Nuk mund të vendosim në një thes një protestë të partive të vogla të dhunshme me atë kreativitetin e të rinjve.

Rakipllari: Po ti për ata në bulevard the se ata janë agjentë të Iranit.

Bido: Ka pasur këto grupimet si të Iranit dhe të rinj kreativë, që kanë zbritur të protestojnë.

Rakipllari: Nuk mendon ti se atje ka një grup të madh që janë të pakënaqur me të gjithë ju, me këtë sistem? Kundër teatrit që thoni ju në parlament dhe që ju jeni pjesë?

Bido: Unë nuk jam pjesë e teatrit.

Rakipllari: Je pjesë qendrore e teatrit. Ke marrë një rol, të është dhënë dhe po e luan. Nuk keni një histori pushteti, nuk ke qenë ministër dhe për këtë shkak ke marrë një rol. Je pjesë e teatrit dhe nuk ka diskutim. Ti e ke marrë vetë këtë protagonizëm dhe nuk ta ka dhënë njeri nga PS?

Bido: Absolutisht. Ky grupim njerëzish që kanë dalë, është përgjegjësi e PS dhe elitës politike që të thithi të gjitha ato çka kërkon të përmirësojë kjo protestë. Për ata të dhunshmit atje kam zero interes se janë e keqja e kësaj fryme politike.

Sulo: Të merresh me ato pesë gurët e protestës është si të mbulosh Diellin me shoshë. Gjatë protestave gjithë Tirana ishte në shesh. Edhe në dritare e ballkone. Ku ishit ju politikisht?

Vuçiç shpall zgjedhjet e parakohshme: Po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb, qytetarët mund të shprehin vullnetin e lirë

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, theksoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit. Vuçiç tha se zgjedhjet presidenciale do të jenë të ndara nga zgjedhjet parlamentare.

“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale.“

Në fund të muajit qershor, Vuçiç u tha përkrahësve të partisë së tij se do të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Synimi i Vuçiç është që të sigurojë një mandat të ri qeverisës për partinë e tij, pavarësisht protestave që prej më shumë se një viti kanë përfshirë Serbinë dhe po ushtrojnë presion mbi pushtetin e tij.

Protestat nisën në vitin 2024, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia nxiti një pakënaqësi të madhe popullore, me akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës.

Që prej asaj kohe, studentë, qytetarë dhe lëvizje qytetare kanë dalë disa herë në protesta, duke kërkuar përgjegjësi politike, reforma institucionale dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Flamingot” në pritje të Revolucionit të Tetorit

Nga Ylli Pata

Takimi i lënë për një reagim të ashpër në seancën e parafundit të Kuvendit për sezonin, nuk ishte njësoj si homologia parardhëse ku guerilasit e lidhur me PD-në shkatërruan para kamerave makinën e policisë.

Kur sërish deputetët e PD-së nuk ishin shënjestër e vezëve dhe sharjeve, sië ndodhi me ata të mazhorancës.

Këtu nuk ka asgjë për tu ëuditur, e në fund të fundit kemi të bëjme me një dialektikë politike. Në protestën që ka nisur prej fillimit të qershorit, nuk është askush tjetër veëse opozita e Edi Ramës. Është e vërtetë që në protest ka pasur shumë më shumë njerëz se ata që kanë shkuar në protestat po ashtu periodike të Sali Berishës.

Por e gjitha kjo ka ndodhur, pasi ai që quhet shpesh si “populli opozitar” ka pasur një shpresë më shumë se kësaj radhe mund të arrijnë rezultat për të rrëzuar Edi Ramën, e rrugës të arrijnë të shkartisin situatën brenda opozitës, duke rinovuar a ndryshuar, apo edhe rinovuar lidershipin e saj.

Shumica e grupeve që ka marrë pjesë në protestë, ka pasur një qëllim taktik, sesi të faktorizohen gjatë kësja proteste për të rritur influencën e popullaritetin e tyre gjatë protestës, në gjirin e masës së madhe të atij që quhet popull opozitar.

I vetmi që ka pasur që në fillim një plan strategjik është Sali Berisha. i cili në kulmin e protestave, ku pati jo pak zëra e kundërshti të forta dhe ndaj tij, arriti të konsolidojë pozitat e tij, duke konfirmuar postin e tij dhe të grupit të afërm të tij në kupolën e Partisë Demokratike.

Ndërkohë nga ana tjetër, pas dy javëve të para, furnizuesja kryesore e protestës ka qenë PD-ja dhe strukturat e saj, të cilët ditë pas dite kanë arritur të marrin në kontroll jo vetëm menaxhimin e itinerarit dhe planit të tyre, por edhe programin taktik të funksionimit sipas axhendës politike.

Revolucioni i Flamingove nuk ka një plan tjetër veëse largimin e Edi Ramës nga rruga, për të ngritur një qeveri kujdestare, ku opozita do të ketë fuqinë politike të diktimit të axhendës së saj të funksionimit, reformave, por edhe vendosjes së kohës së zgjedhjeve, mënyrës së zgjedhjeve, apo ëfarë zgjedhje do të bëhen së pari. Me një fjalë, për ta zhbërë rezultatin politik të zgjedhjeve të 2025-s. Shkurt, axhenda politike e Sali Berishës, i cili sot nga Kuvendi kërkoi shpërndarjen e Parlamentit, ngritjen e një qeverie kujdestare, e cila do të ëojë vendin në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet ë reja, kërkoi edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muëi, kur than ë fjalën e tij në Parlament se mazhoranca mund të hedhë në popull konfirmimin e saj të 2025-sës, e po qe ashtu le të fitojë edhe 100 mandate.

Ndërkaq, Partia Demokratike, nuk pranoi që të bëhen konluzionet e Komisionit për Reformën Territoriale, duke kërkuar një shtyrje të tij deri në muajin tetor.

Po pse tetor, jë në shtator, apo dhjetor? Përtej kungulleshkës me numërimin e muajve, fakti real është se ndërsa Partia Socialiste e ka një ide për ribërjen e bashkive, rajoneve e qarqeve, ku ka edhe draftin e saj, Partia Demokratike nuk e ka një plan.

Kjo pasi ideja e vetme që ka Berisha dhe të tijtë është që nga 61 të bëhen dyfish më shumë bashki, në mënyrë që të ndahen zonat sipas hartës së territoret ku ndodhen mbështetësit më të shumtë, në mënyrë që të marrë rezultat pozitiv.

Në një ndarje aktuale apo edhe më të vogël, Sali Berisha dhe grupi pranë tij, ata jo vetëm janë të papërgatitur, por edhe nuk duan të përgatiten.

Pasi problemi më i madh për ta është që kryetarët e bashkive mund të bëhen dhe i kanë të gjitha atributen që të bëhen në liderë politikë potencialë. Shikoni ato bashki të pakta që PD udhëheq. Rezultatet e të cilave kanë ardhur përgjithësisht si rezultat i aftësive të kandidatëve-sot kryetarë në territor.

Asnjëri prej tyre nuk është afruar, promovuar apo lavdëruar nga liderhsipi i PD-së. Kryebashkiaku i Kavajës, konsiderohet si armik, kryetari i Mirëditës, i cili gjithashtu është një politikan i ri e i shkathët mbahet larg, për të vijuar edhe me të tjerët.

Hapen fjalë e historii se Mirdita nuk do të bëhet bashki, po do të shkrihet, apo lojra të tilla, kur prishin punë qeverisjet e PD-së n ëato territore.

Me fjalë të tjera, Sali Berisha nuk ka ndërmend që të përgatitet për zgjedhje lokale, ai do të kërkojë deri në fund një marrëveshje në tavolinë, ku të marrë mos maksimumin, optimumin e asaj copë që kërkon për të mbajtur rolin kryesor në opozitën ndaj Edi Ramës.

Ndaj, sië ka qenë deri tani, teoria e revolucionit permanent, duke nxjerrë herë pas here bomba tymuese për tí përdorur si kauzë për qeveri teknike do të ketë pa u ndalur.

Tani, sië e kërkuan edhe zyrtarisht janë në pritje të Revolucionit të Tetorit, me shpresë se do të vijë prap CNN që të bëjë fushatë kundër Trumpit për zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.

Zyrtarizohet rinovimi me Milanin, Luka Modriç: Besoj në këtë projekt, do të shihemi së shpejti

E vetmja gjë që mungonte ishte njoftimi zyrtar, dhe tani ka mbërritur: Luka Modriç do ta veshë përsëri fanellën e Milanit sezonin e ardhshëm.

Klubi kuqezi njoftoi: “Milan njofton se Luka Modriç ka nënshkruar një kontratë për një sezon tjetër, deri më 30 qershor 2027.

Një pikë qendrore e mesfushës së kuqezinjve që nga mbërritja e tij, Luka ka vënë përvojën dhe cilësinë e tij në përdorim për ekipin, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Një nga lojtarët më të fortë dhe më ikonikë në botë, kroati do të vazhdojë udhëtimin e tij me kuqezinjtë, për të cilët bëri 37 paraqitje dhe shënoi dy gola sezonin e kaluar, me ambicien për të arritur momente të reja. Luka Modriç do të vazhdojë të mbajë numrin 14”.

Kroati gjithashtu u dërgoi një videomesazh tifozëve: “Përshëndetje mlanista, shihemi së shpejti. Forza Milan”. Ai vazhdoi: “Jam i lumtur që qëndroj te Milani, një klub ku jam ndjerë i mirëpritur që nga dita e parë. Pas një viti që nuk i përmbushi pritshmëritë, jam jashtëzakonisht i uritur për ‘hakmarrje’. Një sezon i ri dhe një sfidë e re na pret, një projekt në të cilin besoj dhe që më motivon. Jam gati të vazhdoj të jap gjithçka për këtë fanellë dhe jam vërtet krenar që i vesh këto ngjyra përsëri. Mezi pres të kthehem në San Siro dhe të dëgjoj ulërimat tuaja. Shihemi së shpejti, Forza Milan gjithmonë!”

Paralajmëron kreu i OKB-së: Situata në Lindjen e Mesme po del jashtë kontrollit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, paralajmëroi të enjten se “mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar” po përkeqëson krizat në të gjithë Lindjen e Mesme.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai tha se konfliktet po “shtohen në numër, kompleksitet, kohëzgjatje dhe shtrirje”, ndërsa “ndëshkimi po përhapet”.

“Situata po del jashtë kontrollit. Po shkon në buzë të së paimagjinueshmes”, tha ai.

Guterres kërkoi që të rivendosen plotësisht të drejtat e navigacionit rreth Ngushticës së Hormuzit dhe Bab al-Mandeb, duke theksuar se “diplomacia është e vetmja rrugë përpara”.

Për Gazën ai tha se civilët vazhdojnë të paguajnë çmim të rëndë pavarësisht nga armëpushimi, me vrasje që vazhdojnë “ndërsa Izraeli rrit kontrollin e tij mbi Gazën” dhe kushtet mbeten “të papranueshme”.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar, Guterres paralajmëroi për “aneksion të fshehtë”, dhunë dhe “zhvendosje në shkallë të gjerë”.

Ai shtoi: “Rajoni po tërhiqet në një rreth gjithnjë e më të gjerë konfrontimi.”

“Lironi protestuesit e Kuvendit!”, nis protesta e 54-t para Kryeministrisë

Protesta e 54-të kundër qeverisë para Kryeministrisë nisi me thirrjen për lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia, pas dhunës së ushtruar në tubimin para ambienteve të Kuvendit gjatë paradites së sotme.

Për protestuesit, autorë të dhunës nuk ishin ata, por vetë policia.

“Kjo është dita e 54 dje jemi më shumë se dje, nuk ka dhunë policore që na ndal. Sa herë që ky regjim përpiqet të na ndalojë me dhunë shqiptarët mobilizohen më shumë. Policia duhet t’ju shërbejë qytetarëve, lironi çunat dhe vajzat që keni arrestuar padrejtësisht. Sapo më njoftuan se policia ka vendosur që disa nga protestuesit t’i ndlaijë megjithjëse janë kapur në rrugë dhe nuk kanë bërë asgjë të ndaluar. I bëj thirrje dhe një herë t’i lirojë brenda ditës së sotme. Sot kemi parë shpërfaqjen e arrogancës dhe sesi policia u përgjig me gaz dhe spraj edhe pse e vetmja armë ishte veza, kjo është e papranueshme dhe joproporcionale. Arroganca është ajo që na ka nxjerrë në shesh”, tha protestuesi.

Magazinimi dhe transporti i karburantit në Evropë, NATO do investojë 27 mld euro për të modernizuar infrastrukturën

Vendet e NATO-s do të investojnë 27 miliardë euro për të modernizuar infrastrukturën e magazinimit dhe shpërndarjes së karburantit që furnizon forcat e tyre ushtarake në Evropë, një iniciativë që Rumania e përshkroi si “jetike” për sigurinë.

Përfaqësuesit e përhershëm të 32 vendeve anëtare të Aleancës i dhanë dritën jeshile këtij plani gjigant për të modernizuar dhe zgjeruar rrjetin, në takimin e tyre në Bruksel të mërkurën.

Investimi, që arrin në 27 miliardë dollarë, do të lejojë ndërtimin e “objekteve të reja, kryesisht tubacioneve të naftës, dhe do të garantojë që forcat e NATO-s do të kenë burime të mjaftueshme energjie që u nevojiten për të qenë gati për luftë”, tha Aleanca në njoftimin e saj.

Presidenti rumun Nicos Dan, vendi i të cilit është përballur me dronë të lidhur me luftën në Ukrainën fqinje, tha se projekti ishte “jetik për të forcuar sigurinë” në krahun lindor të NATO-s.

Zyrtarët e NATO-s thanë se projekti do të zgjasë rreth 25 vjet për t’u përfunduar.

Gurë drejt policisë/ Eksperti i sigurisë: Protesta ka filluar të bëhet agresive, persona të maskuar kërkojnë destabilizim

Eksperti i sigurisë, Faik Bashak thotë se protesta ka filluar të bëhet agresive, teksa këtë të enjte pati sërish dhunë para Kuvendit.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Basha u shpreh se në protestë ka persona të maskuar që duan të shfrytëzojnë situatën dhe kërkojnë destabilizim.

Sipas tij, gjëja më e rrezikshme është se protesta nuk ka përfaqësues.

“Një protestë që ndryshon nga dita me natën, nga ajo që na shfaqet në bulevard. Papritmas na kthehet në momente të caktuara në protestë agresive. Persona, maskohen dhe dhunojnë këdo që gjejnë përpara. Janë persona të cilët maskohen, kërkojnë të shfrytëzojnë ata qytetarë, për shqetësimet që kanë. Kur qytetarët protestojnë për të drejtat e tyre, jemi të pajtueshëm me to. Për rastin e sotëm, ai grup proteste, një pjesë ishin opozitarë, një pjesë të maskuar dhe një pjesë donin të krijonin situatë që kërkonin ekstreme. Një nga protestuesit u godit me gurë. Qëllimi i asaj goditje duhet të shihet me përparësi. Nuk duhet të lejojmë goditjet e komisariateve, ndaj punonjësve të policisë.

E dini kush është gjëja më e rrezikshme? Që nuk ka përfaqësues protesta. Nuk kemi përgjegjës, në çdo moment i hidhet faji policisë. Destabiliteti është kërkuar me kohë. Protesta e mirëfilltë qytetare, kjo protestë ishte e thirrur në mënyra artificiale. Ka qenë deri në ditën e dhjetë, që përfshinte qytetarë. Kuptuan se kush është thelbi dhe qëllimi i protestës. Po dëmton vendin tënd”, theksoi ai.

Si ndërtohet një qytet para se të ndërtohet një ndërtesë

Nga Baton Haxhiu

Pjesa e dytë

“The Albanian Files” nuk dokumenton vetëm arkitekturën e Shqipërisë. Ai dokumenton mënyrën se si lind një ide, si ndryshon një peizazh dhe si ndërtohet një qytet shumë kohë përpara se të derdhet kubiku i parë i betonit.

Nëse pjesa e parë e këtij libri i takon debatit publik, pjesa e dytë i takon arkitektëve. Pikërisht këtu libri ndryshon ritmin. Zhurma mbetet jashtë. Faqet mbushen me skica, makete, shënime, fotografi, ese dhe reflektime. Nuk ke më përshtypjen se po lexon një botim institucional. Të krijohet ndjesia se ke hyrë në studiot ku lindin qytetet.

Dhe pikërisht këtu libri zbulon vlerën e tij më të madhe.

Ne jemi mësuar të admirojmë vetëm ndërtesën e përfunduar. E fotografojmë, e komentojmë, e pëlqejmë ose e refuzojmë. Por shumë rrallë pyesim se si lindi ajo. Çfarë dyshimesh pati arkitekti? Sa herë u fshi një vijë? Sa herë u ndryshua një hyrje, një shesh, një pemë, një dritare? Sa herë një projekt u rrëzua për të rilindur më i mirë?

Ky libër nuk fillon aty ku përfundojnë ndërtesat. Libri fillon aty ku lind mendimi. Prandaj, ndoshta fjalia që e përmbledh më mirë është kjo: Një ndërtesë është fundi i një procesi. Ky libër dokumenton fillimin e tij.

Dhe kjo e dallon nga pothuajse çdo botim tjetër për arkitekturën që kam pasur në dorë sepse gati në shumë libra sheh rezultatin, kurse në këtë libër sheh inteligjencën që prodhoi rezultatin.

Prandaj nuk është e rastësishme që faqet më mbresëlënëse nuk janë domosdoshmërisht fotografitë e ndërtesave të përfunduara. Janë skicat me laps. Janë vizatimet e para. Janë korrigjimet. Janë maketet. Janë ato vijat e pasigurta që askush nuk kishte ndërmend t’i botonte si art, por që në fund rezultojnë të jenë arti më i madh i librit.

Sepse ato nuk janë bërë për t’u admiruar. Janë bërë për të menduar, sepse në kohën tonë jemi mësuar të konsumojmë vetëm produktin përfundimtar. Ky libër na detyron të kthehemi në momentin kur asgjë nuk ishte e sigurt. Kur qyteti nuk ishte ende qytet. Kur ndërtesa nuk ishte ende ndërtesë. Kur gjithçka varej nga një laps mbi një letër të bardhë.

Ky është ndoshta mësimi më i bukur që të jep libri. Një qytet nuk lind nga betoni. Ai lind nga mendimi.

Nga mijëra vendime të vogla që askush nuk i sheh më kur ndërtesa përfundon. Nga një vijë që zhvendoset disa centimetra. Nga një pemë që vendoset të mos pritet. Nga një shesh që zgjerohet sepse dikush beson se qytetet ndërtohen për njerëzit dhe jo për makinat. Nga një fasadë që nuk kërkon të dominojë peizazhin, por të dialogojë me të.

Asnjë nga këto vendime nuk bëhet lajm. Por pa to nuk do të kishte qytet. Dhe pikërisht këtë arrin të dokumentojë The Albanian Files.

Një tjetër meritë e madhe e librit është se ai nuk e kufizon rrëfimin te Tirana. Në fillim edhe unë mendova se ky ishte një libër për transformimin e kryeqytetit. Por sa më shumë ecja nëpër faqe, aq më tepër kuptoja se tema është më e madhe.

Ky është një libër për Shqipërinë. Për territorin. Për peizazhin. Për bregdetin.

Për mënyrën se si një vend i vogël u bë një laborator ku disa nga arkitektët më të rëndësishëm të botës vendosën të eksperimentojnë, të provojnë, të dështojnë, të korrigjojnë dhe, në fund, të ndërtojnë.

Kur lexon reflektimet e Álvaro Sizës, të Bjarke Ingels, të Pablo Bofill, të Andrea Caputos dhe të tjerëve, kupton se askush prej tyre nuk ka ardhur këtu vetëm për të projektuar një ndërtesë. Ata kanë ardhur për të kuptuar një vend. Për të hyrë në dialog me historinë, me dritën, me relievin, me kujtesën dhe me njerëzit.

Kjo është arsyeja pse ky libër nuk ka vetëm fotografi. Ka ese. Ka mendime.

Ka dilema. Ka filozofi. Ka pyetje që mbeten të hapura.

Andrea Caputo shtron një pyetje që, në të vërtetë, shkon shumë përtej arkitekturës: çfarë mbetet nga territori fillestar kur mbi të ndërtohet një qytet i ri?

Kjo nuk është më vetëm pyetje për urbanistët. Është pyetje për të gjithë ne.

Sepse çdo shoqëri moderne përballet me të njëjtën dilemë: si të ndryshojë pa humbur kujtesën. Dhe pikërisht këtu libri fiton një dimension tjetër.

Ai nuk është më kronikë e ndërtesave.

Është kronikë e një transformimi kulturor.

Ndoshta kjo është arsyeja pse polemikat që shoqëruan botimin e tij më duken sot shumë më të vogla sesa vetë libri.

Jam i bindur se pas dhjetë apo njëzet vitesh askush nuk do t’i kujtojë debatet televizive, statuset në rrjetet sociale apo zemërimet politike që e shoqëruan daljen e tij.

Por libri do të vazhdojë të jetë aty. Në bibliotekën e një studenti. Në studion e një arkitekti. Në tavolinën e një studiuesi.

Sepse librat e rëndësishëm nuk jetojnë me ritmin e politikës. Ata jetojnë me ritmin e kohës.

Politika prodhon debate që zgjasin një javë kurse Arkitektura prodhon qytete që zgjasin një shekull.

Por librat e mëdhenj bëjnë diçka edhe më të rëndësishme. Ata ruajnë kujtesën e mënyrës se si ai shekull u mendua përpara se të ndërtohej.

Dhe pikërisht për këtë arsye, “The Albanian Files” nuk është një libër që kërkon ta bindë lexuesin të admirojë ndërtesat. Ai e fton të admirojë diçka shumë më të rrallë: inteligjencën, dyshimin dhe procesin krijues që i bënë ato të mundura.

Një mendim i fundit më mbeti gjatë gjithë leximit.

Ndoshta ky është libri i parë ku Shqipëria nuk rrëfehet nga politikanët, as nga historianët, as nga publicistët. Ajo rrëfehet nga arkitektët. Nga njerëz që e lexojnë një vend përmes dritës, hapësirës, peizazhit dhe jetës së përditshme. Dhe pikërisht për këtë arsye ky libër do të mbetet. Sepse nuk dokumenton vetëm atë që është ndërtuar. Dokumenton mënyrën se si një brez vendosi të imagjinojë të ardhmen, shumë kohë përpara se ajo të merrte formë në gur, në çelik dhe në beton. Kjo është vlera e tij e vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse ai meriton të lexohet me të njëjtin durim me të cilin janë vizatuar skicat e para të çdo ndërtese që ai ruan.

Nis rrugëtimin nisma “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama fton sipërmarrësit të aplikojnë

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka bërë të ditur hapjen e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë që synon të krijojë mundësi të reja financimi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se programi ofron mbështetje financiare për bizneset, me normë interesi preferenciale dhe përmes mekanizmit të Garancisë Sovrane.

“Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, krijon mundësi të reja financimi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me normë interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane”, shkruan kryeministri.

Rama ka bërë me dije se programi është i hapur për të interesuarit, ndërsa për më shumë informacion ka orientuar bizneset drejt platformës përkatëse duke dhënë adresën.

Qeveria prezantoi të premten e shkuar programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili parashikon një financim deri në 2 milionë euro për çdo sipërmarrje nëpermjet një kredie me norma të favorshme interesi.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se përfituesit do të jenë vetëm bizneset e vogla e të mesme, të cilat mund të aplikojnë deri më 20 nëntor të 2027.

“Ajo që ne synojmë me këtë program është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”, tha Rama.

Fondi i përcaktuar për ketë program, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë është 250 milionë euro, por kryeministri deklaroi se kjo mbështetje mund të shkojë deri në 1 miliard euro.

“Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE”, tha Rama.

Nisma synon të lehtësojë aksesin e sipërmarrjeve në financim dhe të mbështesë zgjerimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

Euro ndryshon “fytyrë”, Banka Qendrore Evropiane zbulon projektet për kartëmonedhat e reja

Për herë të parë që nga lindja e euros, kartëmonedhat e monedhës së përbashkët po përgatiten të ndryshojnë pamje. Më 23 korrik, Banka Qendrore Evropiane do të prezantojë në fakt 10 projektet finaliste që konkurrojnë për t’u bërë seria e re, e destinuar që në vitet e ardhshme të zëvendësojë atë që hyri në qarkullim në vitin 2002.

Nuk bëhet ende fjalë për zgjedhjen përfundimtare, por është momenti kur qytetarët e Eurozonës do të mund të shohin për herë të parë se si mund të jetë e ardhmja e euros.

Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, i ka parë tashmë skicat. “Do t’i shihni edhe ju”, ka shkruar Eurotower në kanalet e saj sociale, duke njoftuar prezantimin zyrtar. Pas miratimit nga një komision i pavarur ekspertësh, propozimet do t’i nënshtrohen gjithashtu vlerësimit të qytetarëve përmes një konsultimi publik.

Nga neutraliteti te figurat e historisë evropiane

Ndryshimi nuk ka të bëjë vetëm me pamjen grafike. Me serinë e re, BQE-ja braktis filozofinë e ndjekur më shumë se 20 vite më parë, kur kartëmonedhat u dekoruan me ura, dritare dhe porta imagjinare për të shmangur favorizimin e monumenteve ose simboleve të një shteti anëtar në raport me një tjetër.

Kartëmonedhat e ardhshme, përkundrazi, do të tregojnë një histori. Në nëntor të vitit 2023, Këshilli Drejtues i BQE-së përzgjodhi dy tema që synojnë të përfaqësojnë identitetin evropian: “Kultura evropiane: vende të kulturës dhe ndarjes” dhe “Lumenj dhe zogj: qëndrueshmëri në diversitet”. Në janar të vitit 2025 u përcaktuan edhe motivet dekorative, pra subjektet që do të shfaqen në prerjet e ndryshme.

Zgjedhja erdhi pas një procesi të gjatë pjesëmarrës, ku u përfshinë mbi 365 mijë qytetarë evropianë, si dhe grupe ekspertësh shumëdisiplinorë nga e gjithë zona e euros.

“Jemi entuziastë që po prezantojmë këto motive, imazhe të jetës reale që dëshmojnë angazhimin tonë për Evropën dhe që festojnë trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore”, kishte deklaruar presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. “Kartëmonedhat e reja do të jenë simboli i identitetit tonë të përbashkët evropian dhe i diversiteteve që na bëjnë të fortë”.

Leonardo, Maria Callas dhe Beethoven në kartëmonedhat e reja

Nëse do të zgjidhet seria kushtuar kulturës evropiane, çdo prerje do t’i bëjë homazh një protagonisti të madh të historisë së kontinentit, të shoqëruar me vende simbol të jetës kulturore.

Kartëmonedha 5 euro do t’i kushtohet Maria Callas dhe arteve skenike, me artistë rruge në pjesën e pasme. Në 10 euro do të shfaqet Ludwig van Beethoven, i shoqëruar nga një festival muzikor me një kor të të rinjve. 20 euro do t’i bëjnë homazh Marie Curie, e vendosur në një shkollë ose universitet. 50 euro do të ketë si protagonist Miguel de Cervantes, i shoqëruar nga një bibliotekë publike. 100 euro do t’i kushtohen Leonardo da Vinçit, me një muze të frekuentuar nga të rritur dhe fëmijë, ndërsa 200 euro do të nderojnë Bertha von Suttner, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, përballë një sheshi publik të konceptuar si vend takimi dhe shoqërimi.

Alternativa: lumenj, zogj dhe institucionet evropiane
Propozimi i dytë ndjek një linjë krejtësisht të ndryshme. Çdo kartëmonedhë tregon një fazë të rrjedhës së një lumi evropian, nga burimi deri në det, e shoqëruar nga një specie zogu përfaqësuese e ekosistemeve të ndryshme.

Rruga nis nga burimi malor me zogun qukapik murator dhe arrin deri te peizazhi detar i mbuluar nga fluturimi i zogut sule. Në pjesën e pasme do të vendosen disa nga institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, nga Parlamenti Evropian te Komisioni, nga BQE-ja te Gjykata e Drejtësisë, deri te Këshilli Evropian dhe Gjykata e Auditimit.

Sipas BQE-së, kjo seri synon të përfaqësojë “qëndrueshmërinë dhe diversitetin e ekosistemeve natyrore evropiane”, duke kujtuar në të njëjtën kohë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe vlerave të përbashkëta të Bashkimit.

Projekti përfundimtar deri në fund të vitit 2026
Data 23 korrik përfaqëson vetëm një nga fazat e procesit. Temat dhe subjektet tashmë janë vendosur; ajo që do të zbulohet janë interpretimet grafike të realizuara nga dizajnerët që morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga BQE-ja.

Pas konsultimit publik, Këshilli Drejtues i Eurotower pritet të zgjedhë projektin përfundimtar deri në fund të vitit 2026. Vetëm atëherë do të nisë dizajni ekzekutiv, integrimi i teknologjive të reja të sigurisë dhe prodhimi i kartëmonedhave.

“Zhvillimi i kartëmonedhave të reja dëshmon angazhimin tonë ndaj parasë fizike, sot dhe në të ardhmen”, shpjegoi Piero Cipollone, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të BQE-së. “Kartëmonedhat janë një simbol i unitetit tonë evropian; me futjen e motiveve të reja dekorative ne festojmë historinë tonë të përbashkët dhe angazhimin për një të ardhme të qëndrueshme”.

❌