Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Tabaku kërkoi dekriminalizimin e plotë të shpifjes, Balla: Si mund ta votoj ligjin tënd kur unë jam në gjyq me Berishën për atë vepër penale

Kërkesën e deputetes Jorida Tabaku, që shpifja të dekriminalizohet si vepër penale tërësisht dhe për të gjithë, jo vetëm për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi si një qokë të deputetes demokrate ndaj kryetarit të partisë së saj, Sali Berishës. 

“Ndryshimi i vetëm i sqarimit për çështjen që lidhet me mediat dhe propozimit të zonjës Tabaku dhe propozimit final ka të bëjë me qasjen tonë të artë, që ne nuk bëjmë ligje për vete. Ju më thoni mua, që unë të votoj një ligj që të amnistojë kryetarin e partisë tuaj. Unë jam në gjyq penal me kryetarin e partisë tuaj, ai është akuzuar për shpifje. Ju, zonja Tabaku, më ftoni që të votoj një ligj që amniston kryetarin e partisë tuaj. Për gazetarët, padyshim që i kemi përjashtuar”,- tha Balla. 

Horror në Selanik/ Gjenden dy gra të vdekura në një bodrum, njëra prej tyre ishte hedhur në kazanin e plehrave

Një ngjarje tronditëse ka vënë në alarm autoritetet greke në Selanik gjatë 24 orëve të fundit. Dy gra, përdoruese droge, u gjetën të vdekura në bodrumin e një 52-vjeçari, i cili u arrestua dhe pranoi para policisë se ishte i përfshirë në vdekjen e tyre.

Sipas policisë, viktima e parë është një grua 46-vjeçare, e cila rezultonte e zhdukur që nga viti 2024. Familja e saj kishte denoncuar zhdukjen në shkurt 2025 në Policinë e Aleksandrupolit, duke deklaruar se nuk kishin pasur kontakt me të që nga shtatori 2024. Hetimet zbuluan se ajo nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë.

Autori 52-vjeçar deklaroi se më 30 tetor 2024 ndodhej me 46-vjeçaren në bodrumin e banesës së tij për të konsumuar drogë. Me ta ishte edhe një tjetër person, gjithashtu përdorues droge.

Sipas dëshmisë së tij, gruaja po fliste në telefon dhe filloi të bërtiste, moment në të cilin ai dhe personi tjetër i mbuluan gojën, duke i shkaktuar asfiksi fatale. Më pas, trupin e saj e hodhën në një kazan mbeturinash.

Sa i përket viktimës së dytë, autori pretendon se ajo vdiq më 24 korrik 2025, gjithashtu në bodrumin e tij, pas përdorimit të drogës. Ai tha se më pas e transportoi trupin në çatinë e pallatit ku banon dhe e fshehu në një papafingo.

“Ra në gjumë dhe nuk u zgjua më”, ka deklaruar ai, ndërsa autoritetet theksojnë se autopsia do të zbardhë shkaqet reale të vdekjes.

Hetimet morën kthesë vendimtare kur oficerët e policisë konstatuan se dy gratë e zhdukura kishin një njohje të përbashkët me 52-vjeçarin. Pas ndjekjes së tij, policia ndërhyri dhe e arrestoi. Aktualisht, hetimet e policisë greke janë në zhvillim, ndërsa ekipe speciale po kontrollojnë banesën ku dyshohet se ndodhën krimet.

Autoritetet bëjnë me dije se pritet edhe arrestimi i personit tjetër që, sipas dëshmisë së autorit, ishte i pranishëm në bodrum gjatë vrasjes së parë.

‘Molotovi të kategorizohet si armë zjarri’, Braçe nxjerr foto nga protestat e Berishës: E papranueshme

Në diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal, deputeti Erion Braçe propozoi nga foltorja e Kuvendit që ligjvënësit të miratojnë kategorizimin e molotovit nga ligji si armë zjarri. Duke paraqitur foto nga protestat e dhunshme të Sali Berishës në Tiranë, Braçe tha se kjo formë e protestimit është e papranueshme dhe duhet ndëshkuar ashpër penalisht. 

“Jam plotësisht dakord edhe me ashpërsimin që i bëhet dispozitave që ndëshkojnë zjarrvënien, është një problem shumë i madh për mjedisin dhe mjedisin e kemi të përbashkët. 

Nga viti 2013 e këtej unë nuk di ndonjë gazetar të dënuar për shpifje. Le të çohet dhe të dalë kudo që është dhe të thotë: po, jam dënuar unë për shpifje. Nuk di që të kemi pasur gazetarë në burg, sepse ishte një periudhë që në burg kanë hyrë gazetarë ose persona të tjerë që kanë parë tanke që lëviznin në territorin e Republikës së Shqipërisë. 

,,,e drejta për protestë, për të kundërshtuar një ligj, një politikë, një qeveri, ama unë vazhdoj të mendoj që është e papranueshme gjuha që opozita të flasë me gjuhën e zjarrit, me molotovin, apo që qeveria të flasë me gaz lotsjellës, me plumba, jo e jo”,- tha Braçe. 

 

 

Korreshi ngre tonet në Kuvend: E keni në terezi, hani petulla me mjaltë.. Po na çani dërrasat, sistemin e drejtësisë e keni të kalbur

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ngritur tonet gjatë fjalës së tij në Kuvend ndaj deputetëve të PS, duke u shprehur sistemi i drejtësisë në vend është ‘i kalbur’. 

Ai po ashtu u shpreh se pjesë e sistemit të drejtësisë që sipas tij është ‘i mbaruar’, nuk është vetëm SPAK-u. 

“Sot edhe SPAK bën hetim penal për të gjithë policët që kalojnë kufirin me 50 mijë lekësha. Ju thoni ndërtimet pa leje. Kush i kishte këto bashkitë, se po na çani dërrasat këtu në Parlament. I paskeni të gjithë të punësuarit sylesh. E dini ju çfarë ka bërë qeveria. Një rast iu dogj shtëpia njërit në Lushnje, asnjë lekë, asgjë, se i hedhin për të tjera gjëra. 

Një tjetër thoshte dua shtëpi se po më vdes baba, i vdiq. Ti e ke në terezi, petulla me mjaltë, me Nutella, por ti s’e di që për të bërë një divorc do 7 vjet nëpër gjykata. Sot sistemin e drejtësisë e ke të kalbur, sistemin e drejtësisë e ke të mbaruar, nuk është vetëm SPAK-u”, u shpreh Korreshi. 

 

 

 

 

FOTO/ Tifoz i zjarrtë i PAOK, ky është i riu shqiptar që humbi jetën nga aksidenti në Rumani

Personi në foto është i riu shqiptar, Vasil Pilo i cili humbi jetën këtë të martë me 6 tifozë të PAOK në një aksident tragjik në Rumani. Ai është identifikuar zyrtarisht vetëm pak minuta më parë nga policia rumune, e cila tashmë ka kaluar informacionin edhe drejt policisë greke.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime të sigurta pranë ambasadës shqiptare në Greqi. Vasil Pilo mësohet se jetonte me familjen e tij në Alexandria të Imathias në Greqi prej shumë vitesh. Jashtë kamerave miqtë e tij tregojnë se Vasili ishte tifoz i zjarrtë i PAOK dhe ishte prezent në gjithë ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës, atë çka po bënte edhe sot teksa po udhëtonte drejt Francës.

Nga ana tjetër, Genci Sadiku është shqiptari tjetër emigrant i cili vetëm rreth orës 14:00 ka mundur të komunikojnë nëpërmjet telefonit me familjen e tij vetëm për pak sekonda. Ai është shprehur se do të rikthehet në Shqipëri.

“Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do vij përsëri në shtëpi”, kanë thënë familjarët jashtë kamerave për mediat greke. Euronews.al

Trump: Bordi i Paqes mund ta zgjerojë misionin e tij në territore të tjera

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se zona e përgjegjësisë së Bordit të Paqes që ai krijoi për të zgjidhur situatën në Rripin e Gazës mund të zgjerohet në territore të tjera.

“Dhe tani, për më tepër, kemi Bordin e Paqes, vetëm për t’u siguruar që gjërat të shkojnë mirë, dhe ndoshta mund të përhapet në territore të tjera kur të kemi nevojë për to”, tha ai në një intervistë me WABC.

Më 22 janar, përfaqësuesit e 19 vendeve nënshkruan kartën që themelon Bordin e Paqes për Gazën në një ceremoni në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Sipas Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, atij i janë bashkuar edhe vende të tjera. Ndërsa Bordi u krijua për të qeverisur enklavën, misioni i tij pritet të shtrihet edhe në konflikte në pjesë të tjera të botës.

Sjellje bullizuese dhe denigruese, zarfi i zi nxjerr nga loja e ‘Big Brother VIP’ Keijsin! Banorët as nuk çohen ta përshëndesin

Keijsi Hyseni është larguar mbrëmjen e sotme nga shtëpia e Big Brother VIP Albania. Ishte njëri prej zarfeve të zinj që shënoi përfundimin e rrugëtimit të tij në spektakël dhe kjo për shkak të sjelljeve denigruese që kishte treguar përballë një tjetër banori, Kristit. 

Bëhet fjalë për një përballje të një nate më parë dhe jo vetëm, teksa Keijsi ka ofenduar Kristin me fjalë denigruese dhe bullizuese gjithashtu dhe duke vënë në diskutim orientimin seksual të tij. 

Situata nuk u diskutua, por menjëherë u lexua zarfi pas transmetimit të klipit. 

Dalja e Keijsit, ndau dhe banorët në dy grupe, një pjesë e vogël të cilët zgjodhën që ta përcillnin deri tek dera dhe pjesa tjetër që nuk i dhanë as dorën. Kjo nxiti dhe një debat mes Selin dhe Mateos, pasi ky i fundit zgjodhi që ta përshëndeste tek dera e kuqe. 

Ky ishte zarfi i dytë i zi që është lexuar mbrëmjen e sotme. I pari ishte për Rogert Sterkaj, i cili u paralajmërua për sjelljen e tij të rëndë kundrejt banorëve të shtëpisë. Rogerti u dërgua në televotim të përhershëm. 

 

Lamallari ironizon opozitën: Për kallëzimet ‘pushka top’, por do mbani përgjegjësi për shpifjet

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka ironizuar deputetët e opozitës duke thënë se mund të bëjnë kallëzime sa të duan, por do të mbajnë përgjegjësi për shpifjet. 

“Është Ministria e Drejtësisë që komunikon me Komisionin Europian. Ka shumë të drejtë deputeti Manja kur thotë që e gjitha është për ta marrë flamurin, kishit mundësi shumë vite ta merrnit flamurin, nuk e morët. Gazetarët dënoheshin atëherë me ligj. Keni merakun, meqë u hap kjo e dekriminalizimit të shpifjes, meqë bëhet për gazetarët, përfitojmë edhe ne se dy gjëra na kanë ngelur, ose shpifja ose gjysmë kallëzimet, kërkesat për informacione që i paraqisni si kallëzime. Për këtë të dytën, pushka top, për shpifjet jo, do të mbani përgjegjësi.”, theksoi ai. 

VIDEO- Aksidenti tragjik i tifozëve të PAOK-ut, një shqiptar mes viktimave. Një tjetër i plagosur

Një aksident fatal me shtatë viktima ndodhi në Rumani, ku pjesë ishin tifozë të PAOK-ut, ndërsa ishin nisur për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës në Francë.

Në furgon ishin dhjetë persona mes tyre, dy me kombësi shqiptare, por me nënshtetësi greke. Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka konfirmuar për Klan News se Vasil Palo është një nga viktimat, ndërsa shqiptari tjetër G. Sadiku është i plagosur, por jashtë rrezikun për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë udhëtimit të tifozëve drejt Lyon-it të Francës, ku PAOK do të luajë një ndeshje të vlefshme për grupet e Europa League.

Sipas autoriteteve, furgoni që transportonte tifozët u përplas ballë për ballë me një kamion, pasi tentoi të parakalonte.

Një video e publikuar nga kamera e një automjeti tregon momentin dramatik kur furgoni devijon nga korsia dhe përplaset me kamionin.

Përplasja rezultoi fatale për shtatë tifozë, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i plagosur rëndë.

Protesta e PD, Zogaj: Më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit, por nuk e rrëzon qeverinë

Analisti Preç Zogaj e cilëson protestën e fundit të Partisë Demokratike si më të madhën e kësaj force politike pas zgjedhjeve të 11 majit, por thekson se ajo nuk e rrëzon qeverinë.

I ftuar në emisionin “Triolog”, Zogaj nënvizon se kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi sipas tij mungojnë rrethana të tjera që do ta çonin vendin drejt një krize politike.

“Kjo protestë e PD-së është më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit. Protestat e opozitës janë protesta politike që i organizon një parti politike, ku flasin liderët e Partisë Demokratike. Protesta politike të kësaj natyre nuk arrijnë kurrë të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme ose të rrëzojnë qeverinë.

Janë shënuar vetëm dy raste kur është arritur krijimi i një qeverie teknike dhe në të dyja këto raste kjo ka pasur lidhje me komponentin popullor të protestës, duke qenë protesta masive, gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm të përqendruara në një shesh ku njerëzit vijnë me autobusë të organizuar nga partia.

Për të bërë një mbledhje të tillë, një parti e madhe i ka këto mundësi, ndërsa protestat popullore që kanë shkaktuar krizë politike kanë qenë të shtrira jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi duhet të ketë rrethana të tjera për ta çuar vendin drejt një krize politike. Opozita ka 30 vjet që duhet t’i japë fund kësaj stilieme, por kurrë nuk e bën dhe i kthehet vazhdimisht asaj, sepse kjo e karakterizon. Opozita tenton dhe mirë bën që tenton”, tha Zogaj.

Protesta e opozitës, Vangjeli: Rama i dha ‘oksigjenin’ e munguar

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog” me gazetaren Alba Alishani, komentoi protestën e opozitës të zhvilluar më 24 janar, duke e cilësuar si një nga më të mëdhatë e viteve të fundit.

Ai e krahasoi me protestën e 7 korrikut 2023, kur Sali Berisha u rikthye në krye të Partisë Demokratike, duke theksuar se kjo e fundit ishte më masive dhe më e gjatë në kohëzgjatje.

Pas protestës së 7 korrikut 2023, ku Berisha u rikthye në PD, kjo ishte protesta më e madhe e opozitës nga pikëpamja e masivitetit dhe në shumicën dërrmuese të kohëzgjatjes së saj, flas në momentet para Kryeministrisë. Ishte dhe një protestë model. Një protestë e cila mund të ishte e llojit ‘fishekzjarrëve’, të cilët shpesh bëjnë më shumë dritë se vetë bombat molotovë.” u shpreh Vangjeli.

Analisti i njohu meritën kryesore liderit të opozitës, Sali Berisha, duke thënë se epilogu i protestës para Kryeministrisë, me episodet e dhunës, hedhjen e molotovit dhe reagimin joproporcional të policisë, i atribuohen mazhorancës dhe i kthyen nderin protestës.

Dy janë njerëzit më të rëndësishëm në protestën e 24 janarit: nga njëra anë Sali Berisha si lider i opozitës, dhe nga ana tjetër kreu i mazhorancës, Edi Rama, si njeriu që i dha oksigjenin e munguar kësaj proteste.”  tha Vangjeli.

Ai shtoi se ndërhyrja e policisë ishte joproporcionale dhe në fakt i shërbeu opozitës.

Edi Rama me ndërhyrjen joproporcionale të policisë e shpëtoi opozitën dhe nderin e protestës. Sepse është gafë dhe naivitet i të gjitha opozitave që organizojnë protesta. Madhështia e turmave në protestë bën që të paramendosh se të nesërmen opozita do jetë në zyrë dhe mendojnë se e rrëzuan gjithmonë mazhorancën.”

Vangjeli kujtoi se protesta e 24 janarit u zhvillua pas 14 vitesh dhe tre ditësh nga ngjarjet e 21 janarit 2011, kur policia reagoi po ashtu në mënyrë joproporcionale.

Kjo protestë është zhvilluar pas 14 vitesh dhe tre ditësh nga 21 janari i 2011, ku edhe atëherë policia ka reaguar në mënyrë joproporcionale. Dhe këtu, në momentin që protesta po shuhej, u godit me gaz lotsjellës dhe me ujë. Unë do të ftoja gjithë njerëzit të gjykojnë 24 janarin e 2026 me atë që ndodhi më 21 janar 2011, për të kuptuar që parimi nuk ndryshon.”

Në analizën e tij, Vangjeli vuri në dukje se, ashtu si në protestat e mëparshme, edhe në këtë rast nuk munguan elementët e dhunës dhe individët problematikë.

“E përbashkëta është që kishte mercenarë, rrugaçë, por protestuesit nuk fyhen.” përfundoi ai.

“Kush të ka bërë traumë jetën, mami apo babi?”/ Komentet e rënda të Rogertit, Mali në lot: Ku e merr ti guximin të luash me familjen time

Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes Malit dhe Rogertit këto ditë në shtëpi.

Gjatë sfidës së rezistencës, Rogerti iu drejtua me disa komente ofenduese Malit, si “Ti nuk ke gjak shqiptari” dhe “Kush ta ka bërë traumë jetën ty, mami apo babi?”, duke u munduar të përdorë historinë e disa javëve më parë, kur Mal refuzoi të takonte babanë e tij.

Në Prime-n e së martës, ky debat u përcoll kështu:

Mal: Nuk i kam pritur ato komente. Gjatë atyre 7 orëve kam marrë ofendime nga më të shëmtuarat…

Miri: Ky personazhi e ka nisur që në ditën një si ka ardhur këtu dhe pse ka ardhur këtu. E di ku janë pikat e dobëta. E filloi me ne dhe e vazhdoi me Malin. Ne e dimë se çfarë situatë ka pasur Mali me familjen e tij. Ky është një njeri i ndyrë. Ti duhet të dalësh jashtë.

Mal: Atë ditë përveç sfidës me akull, kisha një sfidë tjetër, të ballafaqohesha 7 orë me ofendimet e Rogertit. Ajo pjesa, që nuk kam gjak shqiptari, nuk ishte ofenduese vetëm për mua si Mal, por për të gjithë familjen time.

Rogerti: Hajde mo hajde ti.

Mal: Rogert, të kemi dëgjuar 7 orë, tani më dëgjo mua 5 minuta. Nuk ishte ofenduese për mua si Mal, por për familjen që vij. Unë nuk kam një nënë të zakonshme, por një nënë të jashtëzakonshme që ka sakrifikuar shumë për ne. Ajo ka kontribuar shumë për vendin tonë dhe ka pasur këngë për dëshmorët tanë. Kam një nënë të jashtëzakonshme që e dua shumë. Pjesa më e vështirë këtu për mua ka qenë kur do takoja babanë tim. E di që ishte zgjedhja e duhur. E kam thënë shumë qartë që do takohemi, por jo këtu.

Rogerti: Ka dy gjëra këtu. Nëse unë jam në një lojë dhe dua të jap një mesazh te kundërshtari im… Nëse Mali është krenar që është shqiptar, atëherë çfarë i them unë atij, s’ka pse t’i dhembë fare. Unë kam dashur të jap një mesazh. Nëse ne shqiptarëve, na kanë vrarë nënën e babën dhe hasmit i kemi dhënë dorën, ky as babait së tij nuk i ka dhënë dorën.

Mal: Ku e merr ti guximin të luash me traumat që ka përjetuar familja ime.

Një histori shqiptare me Donald Trump që vjen si fotokopje!

Nga Ylli Pata

Donald Trump është në vitin e parë të mandatit të dytë si President i SHBA; po pasojat janë të tmerrshme. Po flasim për ne. Ka gjashtë muaj, fiks që u qarkullua Teoria-plan e Rama-Duro-s, gjashtë muaj. Një përrua i vazhdueshëm psiqik burimesh dhe rrëkesë që vinin nga majat e maleve drejt Tiranës nëpër të gjithë emisionet e darkës, si me qenë korrespondenca të Air Force One.

Jemi në fund të janarit, kjo histori ka filluar fiks pas 11 majit, shkoi vera, pushimet, shtaori, tetori e nëntori bashkë me dhjetorin që kishin si protagonist SPAK e çështjen Balluku, e na u tha se “ka maru”. Në fakt nuk ishte aspak e re, por fotokopje.

Por t’i rikthehemi narracioni që vjen nga poshtë i historisë së Trump 2. Zgjedhjet e 11 majit 2025, nisën me historinë e La Civita-s, magjistarit që kishte sjellë në presidencë Donaldin portokalli, e si rrjehojë do të shpërlajë Non Gratan e të gjithë historinë e doktorit, duke rrëzuar Edi Ramën e të gjithë socialistëët.

Por Rama, nuk i fali pikën dhe Lacivitën e quajti Latif, duke e kthyer historinë në një mejhane fshati. Ku përplasja më e madhe ndodhi për çështje zoologjike. Pasi, ndërsa Edi Rama e quajti Sali Berishën një buf i këneës opozitare, kundërpërgjigja ishte se bufi e ha miun.

Latifi, i cili nuk se foli shumë në fushatë e mori shumë lekë solli më shumë histori pas fushatës sesa në zgjedhje. Histori që u përjetua me telenovelën e Ramaduro-s, përkatësisht fabulën e heqjes së Edi Ramësn nga SHBA qoftë ndëpërmjet ndërhyrjes direkte apo indirekte amerikane.

Por e gjithë kjo histori që duket u fik në protestën e të shtunës ku flamuri amerikan nuk u pa në skenografi është një dejavu.

Një dejavu që ndoshta nuk është mo ta mo, megjithtë ngjan. Bëhet fjalë për periudhën nëntor 2016-qershor 2017.

Atëherë frenezia ishte më vibrante, më e fuqishme, e siç thuhet në transmetimet e ndeshjeve në televizione mund të thuhet hapur; drithëruese.

Humbja e Hillary Clinton-it, një politikane aq e rëndësishme për shqiptarët, e cila kishte bekuar edhe mandatin e dytë ttë Sali Berishës me frazën e saj mitike “functional democracy” u baltos pa asnjë drojë.

Sekretares së Shtetit të bekimit të demokracisë shqiptaret e gruas së Presidentit që çliroi Kosovën, ditën që humbi zgjedhjet për President në nëntorin e 2016-s, ju vunë etiketat më të tmerrshme të ekstremit të elektoratit të Donald Trump.

Ndërsa as dy javë më vonë shkarkuan nga panelet televizive ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Si këtë herë, edhe në 2016, menjëherë sa fitoi Donald Trump vërshuan  milionat e lobimeve në mjeshtrat e Uashingtonit. Në fillim për të siguruar bileta në betimin e Trump, natyrisht jo në plate, por larg në galeri, ku Zoti solli një shi bereqet e VIP-at dolën me mushama, sin ë filmin Zonja nga Qyteti.

“Secondo Tempo” nisi më pas, ku u bombardua kandidatja për ambasadore në Shqipëri. Një diplomate karriere, Kathlin Kavalec, ishte një nga specialistet më të njohura të Departamentit të Shtetit, e cila u dekretua nga Donald Trump si ambasadore në Shqipëri pasi mori detyrën më 20 janar 2017.

Ambasadorja Kavalec ishte një eksperte në lidhje me Rusinë, një diplomate që konsiderohej më shumë si një intelligent officer sesa një foreign officer.

Partia Demokratike bëri zyrtarisht lobim, duke kërkuar mos miratimin e kandidaturës së saj. Ata kongresmenë që kishin marë lekët nga Tirana bënë çmos dhe ja arritën. Kandidatura e saj nuk u zgjodh.

Për disa muaj në Ballkan ndodhi një rrumujë e madhe, ku qendra ishte në Shkup. Dëshmitar i gjallë është Ziadin Sela, i cili u ngjall pasi u vdiq nga agjentët e shërbimit rus në sallën e Parlamentit të Maqedonisë. Ku ndër ta kishte edhe shqiptarë.

Më pas Donald Trump dekreton për në Tiranë një ambasadoe të re, që vinte nga një përvojë “burokratike” në DASH, ku kishte qenë asistente e nënsekretarit Anthony Blinken, i cili dha dorëheqjen pas disa diplomatëve senior si për shembull Victoria Nuland.

Ambasadorja quhet Yuri Kim. E cila erdhi në Tiranë me misionin e fuqizimit të atij të Donald Lu-së, instalimin e SPAK dhe GJKKO-së.

E cila erdhi shumë kohë më pas, pasi në fillim kemi çadrën e gjatë nga shkurti në qershor, ardhjen e delegacioneve të rënda, paktin Rama-Basha dhe Berisha Meta dhe qeverinë teknike me kryeministër Edi Rama, kur u fut në politikë Gaz Bardhi.

Historia më pas dihet, po meqë ra fjala këtë herë a është paguar për të ndaluar emërimin e ndonjë ambasadori në Shqipëri, meqë po vonohet? TemA

“Nuk duhet të shqetësohen gazetarët, por profesionistët e shpifjes”/ Manja: Duhet të kemi kod të ri penal

Deputeti Ulsi Manja thotë se duhet të ketë një kod të ri penal. 

Manja u shpreh në Kuvend se gazetarët nuk duhen të jetë të shqetësuar, por profesionistët e shpifjes. 

“Mendoj se jemi në rrugën e duhur, të kemi kod të ri penal. Jemi ulur në negociata me BE, kemi hapur 6 shtyllat për të 36 kapitujt. Shtylla më e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit, siguria e qytetarëve, e kështu me radhë. Ka një dokument kornizë tashmë. Asgjë nuk ndodh sa i takon ndryshimeve në legjislacionin tonë të brendshëm, për ato që kemi diskutuar me KE. Reformë agjenda, progres raportet e BE në raport me Shqipërinë, këto dokumente janë përkthyer për detyra për qeverinë shqiptare. Këto shtesa dhe ndryshime që ne paraqesim sot, kodi penal kërkon 84 vota, janë hap i domosdoshëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE dhe lidhet me deyrimet tona për kapitujt 24 të negociatave. Ndryshimet e propozuara forcojnë kuadrin penal kundër pastrimit të parave. Kjo ndërhyrje është në përputhje të plotë me direktivat e BE. Forcohet kuadri penal kundër terrorizmit. Zgjerohet juridiksioni penal i Shqipërisë, edhe për vepra penale të ndodhura jashtë territorit të saj. Kur e thashë që kemi dokument kuadër, kemi marrë shumë angazhime aty sa i takon lirisë së fjalës. Pati një shqetësim këtu, se nuk kemi status gazetarësh, nuk po kërkon kurrkush të regjistrojë gazetarët. Gazetarët të merren me lajmin, me të vërtetën, nuk duhet të shqetësohen. Profesionistët e shpifjes duhet të shqetësohen, nuk ka ligj që e mbron profesionistin që shpif. 800 portale, shpifësish profesionistë duhet të përballen me forcën e ligjit. Ne kemi marrë përsipër të hartojmë daptimin e ligjit anti-slapp, angazhim për ta përmbushur deri në mesin e vitit 2027. Shqipëria në muajin shtator 2025, ka dorëzuar në KE tabelat e përputhshmërisë për ligjin anti-slapp. Janë masa që shkojnë në harmoni me njëra-tjetrën. Pa mediat, pa gazetarët e lirë, sigurisht gjithçka që bën politika, do kishte mbetur brenda kësaj salle.”, theksoi ai. 

‘Ligjin penal e keni përdorur si mjet presioni, të shfuqizohen nenet..’, Tabaku: Shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku thotë se qeveria e ka përdorur ligjin penal si mjet presioni. 

Tabaku u shpreh se duhen shfuqizuar nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal, pasi sipas saj, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. 

“Së pari, prej disa muajsh së bashku me një grup shumë të mirë ekspertësh, gazetarësh, juristësh, aktivistësh, kemi punuar për të sjellë në Kuvend një amendim për Kodin Penal. Kjo është nismë që ne si PD e propozojmë jo thjesht për rregullim burokratik, por sepse kambanat e alarmit për median në Shqipëri, bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga zhurma e propagandës së pushtetit, nuk e dëgjojnë. Realiteti i medias nuk është kaq rozë sa u prezantua këtu. Kujtesa është shpesh armiku më i madh i kësaj qeverie. Në vitin 2004, Shqipëria renditej në vendin e 34 në botë për lirinë e medias. Në vitin 2014, Shqipëria ishte ne vendin 85, sot Shqipëria është në vendin e 99. Ky është rrënim, certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit.. Analiza bëhet më e zymtë kur shohim edhe indeksin e demokracisë. Shqipëria klasifikohej si autokraci elektorale. Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik. Vetëm në 2024, janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve. Këto tregues targetojnë kryesisht gazetare gra. Nuk ka integrim evropian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve. Propozimi është i qartë, i drejtë, europian, e ndarë në dy shtylla. Shtylla e parë është liria, kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. Sigurisht që nëse dikush ka ankesë,e mbron me ligjin civil, por pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë. Kush prek një gazetar duhet të dënohet njësoj, gazetari është shërbyes publik.  Ky amendament nuk ka absolutisht asgjë politike. Ky është ligj që duhet ta bashkojë këtë parlament. Sot, kemi zgjedhje të qartë para vetes, mund të votohet kundër, ose të mbahet Shqipëria në këtë listë. Me ligjin që ka sjellë qeveria shqiptare dhe ndryshimet në kod, asnjë gazetar nuk do të përfitojë. Unë shpresoj që kolegët t’i thërrasin arsyes së tyre.”, theksoi ajo. 

Apartamente, makinë, cash dhe 16 llogari bankare, zbardhet pasuria e deputetes së “Shqipëria Bëhet”

Ana Dajko është deputetja e cila doli nga listat e Partisë së Adriatik Lapajt, Nisma Shqipëria Bëhet, edhe pse u bënë disa tentativa që mandatin e saj ta merrte vajza e tezes së Lapajt, por KAS vendosi se i takonte asaj.

60-vjeçarja është nëna e anëtarit të kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Vasil Dajko dhe kushërira e Lapajt. Ajo ka kryer arsimin e mesëm dhe është e vetëpunësuar.

Sikur çdo deputet, edhe Dajko ka plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë, e cila vlerësohet në rreth 1.19 milionë euro, pasuri e përbashkët me bashkëshortin.

Në deklaratën e saj të pasurisë pranë ILDKPKI, ajo dëshmon se një pjesë e madhe e pasurisë së saj vjen nga aksionet në shoqërinë “Dajko-Koci SHPK”, së bashku me të shoqin, Spiro. Në këtë pasuri, vetëm në emrin e saj, me total pasuri në euro 394 mijë euro, pasuri në lekë 24,403,449.92 (rreth 253 mijë euro), pasuri në dollarë 126.063.48 (rreth 107 mijë euro) ajo zotëron 16 llogarive bankare, disa apartamente, tokë, ullishte, pemëtore, etj.

Vlera totale e akumuluar e pasurive të deklaruara nga subjekti dhe bashkëshorti është përafërsisht:

Apartament (50%)      77,911.68 €
Apartament (50%)      26,379.58 €
Ndërtesë (50%)           48,000.00 €
Apartament (50%)      80,114.75 €
Automjet (50%)          27,500.00 €
Automjet (50% – Spiro)          7,056.67 €
Aksione: DAJKO – KOCI SHPK (33%)        330,000.00 €
Kursime Cash (Ana)   5,000.00 €
Kursime Cash (Spiro) 5,000.00 €
Llogari rrjedhëse (Ana)          2,068.26 €
Llogari kursimi (Ana) 16,045.77 €
Llogari page (Ana)      5,949.10 €
Llogari bankare (Kursimi/Rrjedhëse – Shared/Spiro) 37,258.98 €
Depozitë bankare (Ana – 100%)         60,000.00 €
Depozitë bankare Shumëemërore (Shared)    284,384.75 €
Fonde investimi (Ana) 111,525.36 €
Llogari individuale Spiro (USD/EUR/ALL)  91,989.31 €

Top Channel

Flamur Noka thirrje Ramës: Hap krahun, do kesh fundin e keq, më beso! E ke mbushur kupën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se vendi ndodhet në “kilometrin e fundit” përballë asaj që ai e cilëson si narkoregjim. 

I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Noka tha se Shqipëria nuk qeveriset më nga institucionet, por nga kartelet kriminale, ndërsa vota e lirë, sipas tij, është asgjësuar. “Hap rrugën një zgjidhjeje politike, ndryshe fundi do jetë i shpejtë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar protesta të vazhdueshme deri në rrëzimin e qeverisë. 

Noka theksoi se beteja e opozitës nuk ka si synim ardhjen e PD-së në pushtet, por largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie tranzitore ose teknike, me mision të vetëm garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shkruan A2 CNN. 

Ai foli për “mllef të paprecedentë” në shoqëri, duke shtuar se shqiptarët ndihen të vjedhur dhe të nëpërkëmbur, ndërsa emigrimi dhe pasiguria janë pasojë direkte e kapjes së shtetit nga krimi. “Shqipëria sot është narkoshtet”, deklaroi Noka, duke përmendur raste konkrete të ndikimit të bandave në institucione dhe zgjedhje. 

Sipas tij, vetëm një reagim i gjerë shoqëror mund të çojë në rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë. 

 

 

Rutte: Serbia të dënojë autorët e Banjskës dhe sulmin ndaj KFOR, Vuçiç duhet të mbajë premtimet

NATO pret vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e Banjskës dhe atyre që organizuan sulmet ndaj ushtarëve të KFOR në pranverën e vitit 2023. 

Deklaratat u bënë nga sekretari i përgjithshëm i aleancës Mark Rutte gjatë fjalës së tij në komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, duke i kujtuar presidentit serb premtimet që ka bërë. 

“Me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, njihemi me njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht, presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë.” 

Gjatë fjalës së tij Rutte konfirmoi po ashtu mbështetjen për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. 

Shefi i aleancës u ndal edhe tek çështje të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Bosnje Hercegovinë. 

 

Pas telefonatës me Trump, Carney mohon të jetë tërhequr nga fjalimi i tij në Davos: E kisha me të vërtet atë që thashë

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka mohuar se ka tërhequr komentet e tij të bëra në fjalimin e Davos-it gjatë një telefonate me presidentin amerikan, Donald Trump. 

Ai tha se qëndron pas gjithçkaje që tha në Davos dhe se biseda me Trump ishte konstruktive. 

“Për të qenë absolutisht i qartë, dhe ia thashë këtë presidentit, e kisha me të vërtetë atë që thashë në Davos”, tha Carney. 

Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessent, kishte deklaruar më parë se Carney po rishikonte disa nga komentet kur fliste me presidentin. 

Carney i ka mohuar këto pretendime dhe ka sqaruar se Trump e ka thirrur të hënën dhe se diskutimi përfshiu çështje si Ukraina, Venezuela, siguria në Arktik dhe marrëveshja tregtare USMCA. 

Fjalimi i Carney në Davos kishte tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi ai kritikoi fuqitë e mëdha për ndikimin e tyre ekonomik dhe i bëri thirrje vendeve të mesme të veprojnë strategjikisht. 

Në të njëjtën kohë, tensionet u rritën për shkak të negociatave tregtare të Kanadasë me Kinën, të cilat Trump i ka kritikuar. 

Carney theksoi gjithashtu se Kanadaja nuk ka planifikuar ndonjë marrëveshje të lirë tregtare me Kinën dhe se kërcënimet e fundit për tarifa të presidentit amerikan janë pjesë e taktika negociuese para rishikimit të USMCA-së. 

Ish-ambasadori Arben Çejku: Vizita e Ramës në Izrael ishte e guximshme dhe pragmatike

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael, duke e cilësuar atë si një veprim të guximshëm dhe pjesë të real-politikës që ndjek kreu i qeverisë shqiptare.

Sipas Çejkut, Rama ka dëshmuar ndër vite se ndërmerr lëvizje që në pamje të parë duken të rrezikshme politikisht, por që në bilancin e tij shpesh kanë rezultuar të dobishme për politikën e jashtme të Shqipërisë. Ai theksoi se kryeministri ka thyer barriera jo vetëm me qëndrimet politike, por edhe me sjelljen dhe stilin e tij përfaqësues.

Ai shtoi në “Real Story” se Rama po ekzekuton një agjendë të qartë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka të drejtën legjitime të përfaqësojë Shqipërinë në këtë kuadër. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të maksimizojë përfitimet politike në moment, duke krijuar mundësi edhe për një vizitë të mundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një mikpritje nga presidenti Donald Trump.

Në këtë kontekst, ish-ambasadori përmendi edhe faktin që Rama nuk mori pjesë në Davos, por priti familjen Trump, duke dhënë mesazhin se nuk ndjek vetëm protokollin zyrtar, por kultivon edhe marrëdhënie personale në diplomaci.

“Mendoj që kryeministri e ka dëshmuar se di të bëjë disa lëvizje të guximshme, që në momentin e parë ne i shohim që mund ta rrezikojnë, por në bilancin e tij shpesh e kanë promovuar si një aventurier në politikën e jashtme, por jo gjithmonë e kas patur problem këtë gjë. Shumicën e rasteve i kanë sjell dobi, pra ka patur guximin dhe ka thyer barriera, me veshje dhe me sjellje dhe qëndrimi, Me vizitën ën Izrael duhet parë në kontekstin e një përvjetori dhe një kujtese që u realizua atje. Mendoj se të gjitha gjërat që bëhen në emër të shtetit shqiptar, janë kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në fund të fundit, ai ekzekuton një agjendë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka të drejtë ta përfaqësojë Shqipërinë. Rama po përpiqet të fitojë sa të mundet në moment, duke krijuar  mundësi për vete që të bëjë atë udhëtimin e famshëm në SHBA, nëse do ta bëjë, nuk e di, Për të patur një mikpritje nga presidenti Trump. Rama bën real-politikë, është pragmatist. Nuk është hera e parë që ndërmerr riskun. Ai e di që me BE mbyllja e kapitujve do të marrë shumë kohë, ashtu siç e di që problematikat që janë trajtuar politikisht me SHBA, i duken më emergjente për t’i përmbyllur, midis këtyre, ai zgjedh atë që merr më mirë. Nuk shkoi në Davos, priti familjen Trump dhe dha mesazhin e qartë që unë nuk jam protokollar, por kam dhe protokoll familjar, pra unë jam më afër familjes Trump”, tha ai.

❌