Reading view

Peshtan/ Zjarri përfshin zonën me bimësi, zjarrfikësit shuajnë vatrën

Një vatër zjarri ka përfshirë pasditen e sotme kodrat e Peshtanit, duke djegur një sipërfaqe me shkurre dhe lisa.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat zjarrfikëse të Fierit kanë ndërhyrë në terren, duke nisur operacionin për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në zona të tjera.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve zjarrfikëse, vatra e zjarrit është vënë nën kontroll dhe më pas është bërë e mundur shuarja e plotë e flakëve, shkruan A2CNN.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e zjarrit, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve.

  •  

“Hileja” me zbardhjen e vendimeve, si po tentojnë të dënuarit të përfitojnë nga amnistia

Zbardhja e vendimeve me vonesë po përdoret nga të dënuarit si argument për të përfituar edhe nga Amnistia 2026.

Paditësit po shfrytëzojnë ligjin, të cilin e lexojnë se u jep edhe atyre të drejtë atëherë kur vendimmarrja është deklaruar nga shkalla e parë, por që, duke mos u ankimuar, duhet të kishte hyrë në fuqi para datës 31 maj.

Kërkuesit pretendojnë se kjo e drejtë, që buron nga ligji, nuk u përdor prej tyre, pasi shkalla e parë, duke mos zbardhur vendimmarrjen, u ka mohuar të drejtën që vendimi të merrte formë të prerë brenda afatit, ndaj duhet të shpallen të amnistuar gjyqësisht.

Në këtë kategori përfshihen kërkesat për pushim të çështjeve sipas veprave që ka falur ligji. Këto pretendime po përdoren në gjykatë.

Në amnistinë e kaluar, gjatë një investigimi të TCH, u evidentua se dhjetëra të dënuar u ankuan për moszbardhjen e vendimit brenda afatit, duke i kufizuar gjatë zbatimit të ligjit 2024.

Ashtu siç raportoi TCH në atë kohë, në të njëjtat konkluzione doli edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Ndërkohë, nga monitorimi që TCH po bën për amnistitë ndër vite, vërehet tejzgjatje e gjykimeve me paditës të dënuarit.

Rasti tipik është ai i Lirie Delishit nga Durrësi, e cila e fitoi të drejtën nga amnistia e 2024-ës dy vjet me vonesë dhe, konkretisht, sipas dosjes që TCH disponon, iu dha nga gjykata më 25 maj 2026.

Delishti ishte hetuar në vitin 2020 për falsifikim dokumentesh, pasi rezultoi se ishte larguar nga Shqipëria me një pasaportë false.

Pas dënimit të saj me 4 muaj burgim, Prokuroria kërkoi nga Britania e Madhe ekstradimin e saj. Çështja u pezullua në atë shtet, pasi gruaja e apeloi.

Ndërsa në Shqipëri u hap beteja gjyqësore me kërkesën për shuarjen e dënimit, duke e klasifikuar si përfituese të Amnistisë 2024. Më 25 maj, gjykata i dha të drejtë dhe deklaroi shuarjen e dënimit për shkak të aplikimit të ligjit 2024.

Gjykata deklaron, në lidhje me kriterin ndalues të fshehjes, se ajo nuk është shmangur prej drejtësisë, për sa kohë rezulton se ajo ka lindur fëmijë në Britaninë e Madhe dhe për këtë e ka pasur të pamundur të paraqitej.

Rasti u shqyrtua nga Gjykata e Tiranës. Ndërkohë, pak ditë më parë, një grua, nënë e tre fëmijëve të lindur jashtë vendit dhe e dyshuar se i ishte shmangur drejtësisë, u arrestua për pak orë dhe u dërgua në burg bashkë me foshnjën. Rasti i 34-vjeçares u bë publik në TCH.

Ajo ishte dënuar me 2 muaj burgim më 13 maj nga shkalla e parë. Edhe rasti i saj do të shqyrtohet në Apel, pasi iu pranua kërkesa për rivendosje në afat dhe, për këtë, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm.

Nga Amnistia 2026 u liruan 541 të dënuar, ndërkohë që qindra të tjerëve iu ul nga një vit burg. Por odiseja e atyre që përfitojnë pas padive për shuarje dhe ulje dënimi do të vazhdojë tashmë në gjykatë./TCH

  •  

Flakët përpinë mijëra hektarë, zbulohet kostoja e rëndë që lanë pas zjarret në Shqipëri! Zbardhet raporti i AKM për 2025

Çdo vit e më tepër stina e verës po sprovon kapacitetet shtetërore në përballimin e vatrave të zjarrit, nga zonat urbane e deri tek ato më malore e të vështira për t’u kontrolluar.

346 vatrat e zjarreve të rëna vjet, kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në fondin pyjor dhe kullota, por jo vetëm, dëme ka pasur edhe në zonat e mbrojtura.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tregon se gjatë 10 muajve, janar-tetor 2025 ranë 282 raste në pyje të menaxhuara nga bashkitë dhe 64 raste në fondin pyjor shtetëror dhe zonat e mbrojtura.

Flakët e këtyre vatrave kanë përshkuar një sipërfaqe prej 33,524 hektarësh, si dhe janë djegur plotësisht 16,180 hektarë. Për pasojë thuhet në raport janë shkatërruar 128,598 metra kub lëndë drusore, ndërsa vetëm 25,634 metra kub rezultuan të përdorshme pas zjarrit.

Nga përllogaritjet e bëra rezultojnë se dëmi ekonomik i shkaktuar në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar gjatë vitit 2025 në afro 77 milionë euro, pa u përfshirë këtu dëmet në banesa, bujqësi dhe blegtori.

Edhe pse Shkodra kishte numrin më të madh të zjarreve me 37 vatra, Vlora rezulton qarku me dëmet më të rënda për nga sipërfaqja e djegur dhe vlera ekonomike, ndërsa Elbasani shënoi humbjen më të madhe të fondit drusor.

Gati 41 milionë euro është dëmi vetëm në qarkun e Vlorës, ku rezulton se është djegur plotësisht një sipërfaqe prej 10.2 mijë hektar, ku sigurisht peshën më të madhe e mbajnë zjarret në disa bashki të Vlorës gushtin e kaluar. Qarku jugor mban kështu më shumë se 50% të dëmit të shkaktuar nga zjarret në të gjithë vendin vitin e kaluar.

Vendin e dytë nga qarqet për vlerën e dëmeve e ka Gjirokastra me gati 2 mijë hektar të shkrumbuara dhe Elbasani me 1 mijë hektarë të djegura plotësisht.

‘Kapriçot’ e motit të shoqëruara me thatësirë të madhe dhe dora e njeriut duket se kanë rolin kryesor në ndezjen e zjarreve.

“Shkaqet kryesore të zjarreve në fondin pyjor dhe kullosor janë aktiviteti njerëzor dhe kushtet klimatike ekstreme. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut dhe përhapjen e flakëve në sipërfaqe të gjera natyrore”, thuhet në raport.

Djegia e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, zjarret për të hapur kullotat e reja dhe hedhja e cigareve në natyre, janë aktivitetet më të rrezikshme që mund të shkaktojnë zjarre të forta në verë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 23 zjarre nga aktiviteti njerëzor, prej të cilave 3 të qëllimshme.

Por raporti evidenton se pjesa dërrmuese e zjarreve nëpër bashki, 150 raste klasifikohen tek shkaqet ‘e panjohura’, pasi ka edhe zjarre aksidentale, që mund të shkaktohen nga defektet në linjat elektrike apo shkëndijat e mjeteve motorike në terrene të thata.

Ndryshe nga viti i kaluar, 2026-a duket një vit më i qetë për luftën me zjarret. Deri më tani nuk ka vatra serioze që të mund të kenë shënuar dëme të rëndësishme.

  •  

Negociatat përfunduan tragjikisht, dalin pamjet kur RENEA rrethoi automjetin e Refit Buzit (VIDEO)

Këto janë momentet kur forcat e Policisë së Shtetit dhe efektivët e RENEA-s zhvillojnë negociata me 35-vjeçarin Refit Buzi, i cili qëndronte i izoluar brenda automjetit të tij.

Për disa orë me radhë, negociatorët i bënë thirrje të dorëzohej dhe të hiqte dorë nga çdo veprim ekstrem, por ai refuzoi t’u përgjigjej thirrjeve të policisë, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Pas përfundimit të negociatave dhe ndërhyrjes së forcave në terren, Buzi kreu vetëvrasje me armën që mbante me vete, duke i dhënë fund një operacioni të gjatë policor.”

Mëngjesin e 24-korrikut Refit Buzi shkoi me armën e gjahut në banesën e Rozalinda Plakut në Vidhisht të Roskovecit dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve të saj. Babai i vajzës, Kosta Plaku humbi jetën në vend, ndërsa e ëma, Belere Plaku, vdiq në mbrëmje në spital, si pasojë e plagëve të marra.

Të rinjtë kishin qenë të fejuar para disa vitesh, por lidhja ishte ndërprerë nga Rozalinda. 24-vjeçarja vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa autori ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh në Angli. Familjarët pretendojnë se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kërcënonte vazhdimisht.

Familjarët e autorit japin një tjetër version për konfliktin. Sipas tyre, përplasja mes çiftit lidhet edhe me një shumë parash që Buzi pretendon se ia kishte dërguar ish-partneres gjatë kohës që jetonte në Angli.

  •  

Pamjet me dron! Ja pjesëmarrja në protestë

Qytetarët kanë vijuar protestën e tyre për të 57-ën ditë radhazi.

Në orën 19:30 janë publikuar pamjet me dron nga protesta, ku shihet pjesëmarrja e qytetarëve.

Në marshimin drejt Kryeministrisë dëgjohen vazhdimisht thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet!”, ndërsa organizatorët përsërisin se protesta do të vijojë çdo ditë, pa ndërprerje.

 

  •  

Sulm në Gazë, Izraeli njofton eliminimin e komandantit të Hamasit

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një komandant të Hamasit gjatë një sulmi të kryer të shtunën në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Sipas ushtrisë izraelite, objektivi i sulmit ishte Hamam Eid, i cili identifikohet si përgjegjës për prodhimin dhe zhvillimin e dronëve të Hamasit.

Autoritetet izraelite e akuzojnë Eid se kohët e fundit kishte tentuar të rindërtonte kapacitetet ajrore të Hamasit, veprim që, sipas tyre, përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor.

Marrëveshja parashikonte tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe çarmatimin e verifikueshëm të Hamasit. Megjithatë, zbatimi i saj ka mbetur kryesisht i bllokuar.

Ndërkohë, Izraeli ka vijuar me sulme pothuajse të përditshme në të gjithë Rripin e Gazës, duke zgjeruar njëkohësisht kontrollin ushtarak mbi disa zona të territorit.

  •  

I dyshuari për sulmin në Pride të Berlinit vritet nga policia gjatë operacionit

I dyshuari për sulmin në aktivitetin e “Paradës së Krenarisë” në Berlin është qëlluar për vdekje nga policia gjermane, raportojnë mediat vendase.

Sipas transmetuesit rajonal Rundfunk Berlin-Brandenburg (RBB), personi i identifikuar si Abdul Ballout, 21 vjeç, u vra gjatë një operacioni policor në një kompleks kopshtesh në zonën Spandau të Berlinit.

Policia kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi pas sulmit, me përfshirjen e qindra efektivëve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar, gjatë një aktiviteti të komunitetit Pride në kryeqytetin gjerman.

Autoritetet gjermane më herët kishin deklaruar se Ballout, i lindur në Gjermani dhe me prejardhje libaneze, ishte i lidhur me atë që policia e përshkroi si “skena islamiste” në Berlin.

Hetimet për të zbardhur motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes po vazhdojnë. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të analizave të provave të mbledhura.

  •  

“Qytetarët nuk gjejnë përfaqësim”, Rada: Në protestë, elektorati gri

Gazetari Ardit Rada ka komentuar pakënaqësinë qytetare dhe raportin e njerëzve me partitë politike, duke u shprehur se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë humbur shpresën te partitë e mëdha, por edhe te ato të vogla.

Sipas Radës, këta qytetarë nuk po gjejnë një lidership që t’i organizojë në një forcë të re elektorale, ndërsa një pjesë e tyre zgjedhin të mos votojnë.

Sipas gazetarit, problemi qëndron te mungesa e një përfaqësimi të ri politik që të mund të kanalizojë këtë pakënaqësi qytetare.

“Në protestë, qytetarët atje e kanë humbur shpresën nga partitë e mëdha, por dhe të vogla, dhe nuk gjejnë dot një lidership për t’u organizuar në parti elektorale. Janë qytetarë që nuk votojnë, janë 20-23 për qind. Ka një qytet më i madhi i jugut, ku kryetarja është zgjedhur me 17 për qind të votave. Pakënaqësia popullore reflektohet në pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk e vendosim dot gishtin pse nuk keni përfaqësi.”

  •  

“I hipin një kali që nuk e shalojnë vetë”, gazetari: Protesta ka elementë politikë që nuk përfaqësojnë njerëzit

Gazetari Patrik Sadikaj ka komentuar zhvillimet e protestës, duke u shprehur se në fillim u krijua përshtypja e një momenti real thyerjeje, por sipas tij, situata më pas u devijua drejt elementeve dytësore.

Sipas gazetarit, pakënaqësitë reale lidhen edhe me çështje ekonomike, si rritja e çmimeve të karburanteve, kostot në bregdet dhe vështirësitë e përditshme të qytetarëve.

Ai vlerësoi se protesta, përtej zemërimit qytetar, mbart edhe elementë politikë që nuk arrijnë të krijojnë një përfaqësim të gjerë dhe se disa aktorë politikë po përpiqen të udhëheqin një lëvizje që nuk e kanë ndërtuar vetë.

“Në këndvështrimin e parë, u duk sikur kishte vërtet një thyerje, por më pas Rama e tërhoqi me lojën e tij, duke u marrë me gjëra të vogla të protestës, duke goditur elemente të caktuara. Në atë shesh nuk dalin njerëzit më të ndritur; më duket zbrazje e delirit të madhështisë. Thyerje mendoj se është dhe në aspektin ekonomik, rritja e çmimeve të karburanteve, çmimet në bregdet, frytet e përvitshme. Po të ishte një qasje e drejtë e protestës për këto problematika, votuesit thonë: ne të votuam, po e duam naftën kaq. Kjo protestë, përveç pretekstit të zëmërimit, ka fije të vogla apo të mëdha politike që nuk arrijnë të përfaqësojnë njerëz, dhe i hipin një kali që nuk e shalojnë vetë.”

  •  

SHBA ndal sulmet ndaj Iranit, Waltz: Trump po i jep hapësirë diplomacisë

Ambasadori i SHBA-së në selinë e Kombeve të Bashkuara, Mike Waltz deklaroi sot se Presidenti Donald Trump ka bërë një pushim nga sulmet ndaj Iranit në mënyrë që të lejojë më shumë hapësirë ​​për diplomaci.

“Ai po u jep pak hapësirë ​​bisedimeve, po u jep pak hapësirë”, tha diplomati amerikan për programin “Fox News Sunday”, pasi Pentagoni bëri një pushim pas 13 netësh sulmesh ajrore ndaj objektivave të Iranit.

I pyetur në lidhje me pauzën, një zyrtar i lartë në administratën Trump tha të shtunën se Trump e ka bërë gjithmonë të qartë se preferon si zgjidhje diplomacinë, por se me sulmet i ka treguar Teheranit se çfarë e pret nëse nuk ulet në tryezë.

“Presidenti gjithmonë ka qenë i qartë se preferenca e tij është diplomacia, por ai i ka treguar Iranit se çfarë do të ndodhë nëse ata nuk arrijnë të ulen në tryezën e bisedimeve në një mënyrë serioze”, deklaroi zyrtari amerikan.

  •  

Shifra marramendëse pas duelit me Joshuan, ja sa para futi në xhep Kristian Prenga

Kristian Prenga ka bërë emër në boksin profesionist me paraqitjen ndaj Anthony Joshuas, sidomos në raundin e parë. Boksieri nga Mirdita e rrëzoi dy herë Joshuan, si rrallë ndonjë boksier në karrierë.

Ndeshjet e këtij niveli paguhen goxha shumë.

Nuk ka të dhëna zyrtare për të hyrat financiare, por sipas shumë mediave të specializuara për boks, Prenga u pagua 1,17 milionë euro.

Ndërkohë britanikut Joshua i takuan 4,68 milionë euro. Krahasuar me ndeshjet e kaluara nuk janë shumë para për yllin britanik.

Caktimi i shpërblimit bëhet kur negociohet zhvillimi i ndeshjes dhe rrallë ka të bëjë me rezultatin në fund.

Megjithatë ndeshja pritet të jetë shumë fitimprurës për karrierën e Prengës.

Të dy do të marrin para shtesë nga përqindja e shitjes së transmetimit të ndeshjes.

  •  

Netanyahu paralajmëron Iranin: Një sulm ndaj Izraelit do të ishte gabimi i tmerrshëm, përgjigjja do të jetë shumë e fuqishme

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se çdo sulm ndaj Izraelit, qoftë drejtpërdrejt apo përmes grupeve aleate, do të ishte “një gabim i tmerrshëm” dhe do të përballej me një përgjigje “shumë, shumë të fuqishme”.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu deklaroi se përfundimi i konfliktit kërkon ose rrëzimin e regjimit iranian, ose pranimin nga Teherani të kostos së politikave të tij, të cilat, sipas tij, kanë sjellë destabilizim në rajon. Ai akuzoi Iranin se kërcënon jo vetëm Izraelin, por edhe Arabinë Saudite, Bahreinin, Katarin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë.

Netanyahu tha se mbështet plotësisht përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump, por theksoi se programi bërthamor i Iranit duhet të marrë fund, “me marrëveshje ose pa marrëveshje”.

Kryeministri izraelit shprehu gjithashtu mbështetjen për propozimin e Trumpit për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. Sipas këtij plani, Riadi do të lejohej të zhvillonte vetëm një program bërthamor civil, jo ushtarak, në këmbim të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare me Izraelin.

Duke folur për situatën në Liban, Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kanë zmbrapsur Hezbollahun 8 deri në 13 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe kanë shkatërruar rreth 94 për qind të arsenalit të tij prej afërsisht 150 mijë raketash dhe predhash.

  •  

Urrejtja si produkt i injorancës dhe i mosrealizimit të vetvetes

Nga Ilir Demalia

Shoqëria shqiptare është e helmuar dhe e papërmbushur më shumë nga injoranca sesa nga varfëria. Varfëria mund të kufizojë mundësitë materiale të njeriut, por injoranca shkatërron aftësinë për të menduar, për të krijuar dhe për të respektuar tjetrin. Ajo ushqen urrejtjen, sepse njeriu që nuk arrin të ndërtojë vetveten, përpiqet të rrëzojë të tjerët.

Mjafton të dëgjosh gjuhën që përdoret në parlament, në media, në institucione të ashtuquajtura të kulturës dhe pastaj të zbresësh në bulevardin e flamingove dhe rrjetet sociale. Aty dëgjon një gjuhë urrejtjeje pa asnjë shkak racional, vetëm sepse dikush mendon ndryshe nga “robespierët me qeleshe”, “kromuellët me çallma”, “bonapartët me brekushe” apo “mozartët me tupana e daulle”, që e reduktojnë identitetin shqiptar në sloganin folklorik: “O sa mirë me qenë shqiptar!”

Burimi i kësaj urrejtjeje është injoranca dhe mungesa e përmbushjes së vetvetes. Pasuria, në vetvete, nuk e bën njeriun të lumtur. Aq më pak kur është produkt i allishverisheve dhe pazareve. Pasuria pa moral nuk e përmbush njeriun; përkundrazi, shpesh e shkatërron karakterin e tij.

Përmbushja vjen nga puna krijuese, nga ndërtimi i një vepre, nga ndjenja se je duke lënë një gjurmë në shoqëri. Kam njohur biznesmenë në Shqipëri që, edhe sikur të ndalonin së punuari sot, nuk do të kishin nevojë të punonin as katër breza pas tyre. Megjithatë nuk janë as tafmaqarë, as vanitozë. Përkundrazi, bëjnë bamirësi, krijojnë vende pune dhe vazhdojnë të punojnë me të njëjtin pasion, sikur ta kishin ende bukën e gojës për të fituar. Sepse nuk i mban në lëvizje paraja, por kënaqësia që u jep krijimi.

Po aq të lumtur kam njohur edhe njerëz pa pasuri. Bohemë që jetojnë me pikturën, poezinë, një roman të mirë, operën, jazz-in, blues-in apo rock ‘n’ roll-in. Ata nuk kanë nevojë të urrejnë askënd për t’u ndjerë të plotësuar. Arti dhe kultura e çlirojnë njeriun nga komplekset, nuk e burgosin brenda tyre.

Konflikti i sotëm nuk është thjesht politik. Ai është përplasja mes atyre që kërkojnë të hapen ndaj dijes dhe qytetërimit dhe atyre që, nga frika, komplekset e inferioritetit dhe izolimi mendor, refuzojnë çdo gjë që nuk e kuptojnë. Kur njeriu nuk arrin të pranojë vetveten, e ka të pamundur të pranojë edhe tjetrin.

Kjo shpjegon pse në rrjetet sociale dhe në jetën publike dëgjon gjithnjë e më pak argumente dhe gjithnjë e më shumë sharje. Fjalori reduktohet në pak dhjetëra fjalë: mallkime, kërcënime, banalitet dhe dhunë verbale. Nuk debatohet më me ide, por me instinkte.

Filozofi Baruch Spinoza shkruante: “Urrejtja shtohet duke u kthyer me urrejtje, por shuhet me dashuri.” Kur një shoqëri humbet aftësinë për të dialoguar, urrejtja bëhet mënyrë jetese dhe jo më një reagim i përkohshëm.

Paradoksi është se shumë prej këtyre njerëzve paraqiten si antikomunistë, por në mënyrën e të menduarit ngjasojnë me fanatizmin e atyre që dikur shkatërruan inteligjencën shqiptare. Ndryshojnë sloganet dhe simbolet, por jo mendësia. Urrejtja ndaj njerëzve që krijojnë, që punojnë dhe që kanë sukses mbetet e njëjtë.

Kur sheh profilet e tyre në xhami apo kisha, duke u lutur për Muhamedin apo Krishtin, nuk mund të mos mendosh se feja është shndërruar në një identitet formal, ndërsa zemra mbetet e mbushur me mllef. As Kristi dhe as Muhamedi nuk predikuan urrejtjen. Talibanizmi dhe Inkizicione i kushtuan botës dete gjaku me urrejtjen. Urrejtja lind nga frustrimi, nga mungesa e dijes dhe nga pamundësia për të gjetur paqe me vetveten.

Më shqetësues është fakti se kjo gjuhë ushqehet edhe nga një pjesë e të ashtuquajturave elita intelektuale, të financuara nga krimi ekonomik dhe mediatik, të cilat flasin për padrejtësi sociale nga pushimet në vende ekzotike dhe e matin patriotizmin me flamurin që valëvisin sipas interesit të ditës.

Problemi më i madh i Shqipërisë nuk është varfëria. Vendet e varfra mund të zhvillohen. Por një shoqëri e pushtuar nga injoranca dhe urrejtja e ka shumë më të vështirë të ndërtojë institucione, kulturë dhe besim.

Bertrand Russell thoshte: “Problemi i botës është se budallenjtë janë plot siguri, ndërsa njerëzit e mençur janë plot dyshime.” Kur injoranca bashkohet me arrogancën, lind fanatizmi. Dhe fanatizmi nuk krijon qytetërim; ai krijon vetëm armiq.

Urrejtja ndaj njerëzve të suksesshëm nuk është kritikë sociale. Shpesh ajo është pasqyra më e qartë e mosrealizimit personal. Njeriu që ka ndërtuar jetën e tij nuk ka kohë të numërojë sukseset e tjetrit. Ai frymëzohet prej tyre ose ndjek rrugën e vet. Vetëm ai që nuk ka ndërtuar asgjë përpiqet të rrëzojë atë që kanë ndërtuar të tjerët.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për më shumë dije, më shumë kulturë, më shumë punë krijuese dhe më shumë njerëz që e masin vlerën e tyre me atë që ndërtojnë, jo me atë që shkatërrojnë. Sepse njeriu i përmbushur nuk ka nevojë të urrejë; ai ka nevojë vetëm të krijojë.

  •  

Prapaskena e Botërorit! Messi surprizon 25 shokët e skuadrës, zbulohet dhurata luksoze që mori çdo lojtar i Argjentinës

Ylli argjentinas, Lionel Messi ka bërë një tjetër gjest falënderimi mjaft special për të gjithë 25 shokët e tij të skuadrës që morën pjesë me të në rrugëtimin e Botërorit.

Prapaskena e bukur është zbuluar në rrjetin social TikTok nga Kelci-Rose Bowers, futbolliste e Bournemouth dhe njëkohësisht e dashura e mbrojtësit argjentinas, Marcos Senesi.

Çfarë përmban paketa speciale e “Pleshtit”?

Sipas pamjeve të publikuara, secili nga futbollistët ka marrë një set personalizuar që përfshin:

  • Çantë shpine zyrtare:E personalizuar me emrin e çdo lojtari që e pranon.
  • Kit për pijes ‘Mate’:Seti i pijes tradicionale argjentinase, e cila është e padiskutueshme në dhomat e zhveshjes.
  • Borracë luksoze Stanley:Me ngjyrë të artë elegante dhe të stampuar me logon zyrtare të vetë Lionel Messit.

Ky nuk është gjesti i parë i këtij lloji nga kapiteni i “Albiceleste”, i cili njihet për dhuratat e tij bujare me qëllim për të mbajtur të fortë frymën e grupit. Videoja e publikuar nga Bowers ka marrë menjëharë mijëra pëlqime dhe shpërndarje, duke bërë xhiron e rrjeteve sociale e duke konfirmuar edhe një herë dashurinë e madhe që Messi gëzon mes shokëve të tij të skuadrës.

  •  

Zjarret në Vlorë, Lamallari: Orë të vështira, prioritet mbrojtja e qytetarëve!

Beteja me flakët në pyllin e Sodës në Vlorë vijon ende. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari thotë se këto janë orë të vështira për strukturat në terren që po punojnë për të shuar flakët.

Lamallari shprehet se prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe banesave, ndërsa puna s’do të reshtë derisa situata të normalizohet.

“Orë të vështira në Vlorë për shkak të vatrave të zjarrit në Pyllin e Sodës dhe në disa zona të tjera.

Ndjekim në çdo çast situatën në koordinimin me të gjitha strukturat në terren që po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Falënderoj çdo punonjës që po përballet me këtë situatë të vështirë me profesionalizëm dhe përkushtim.

Mirënjohje gjithashtu strukturave lokale dhe banorëve vendas për angazhimin. Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e pasurisë natyrore.

Do të vazhdojmë të jemi në terren deri në normalizimin e plotë të situatës”, shkruan ministri.

  •  

Fundjava sjell kaos në rrugë, bllokohet aksi Lezhë–Shëngjin nga fluksi i automjeteve

Edhe këtë të diel, qarkullimi në aksin Lezhë–Shëngjin dhe në rrugët hyrëse të qytetit është shoqëruar me trafik të rënduar, si pasojë e fluksit të lartë të automjeteve që i drejtohen bregdetit dhe atyre që vijnë nga Kosova.

Radhët e gjata të mjeteve kanë vështirësuar lëvizjen e drejtuesve të automjeteve, ndërsa pikat më problematike mbeten hyrja në Lezhë dhe aksi drejt Shëngjinit, ku gjatë fundjavave krijohen shpesh bllokime.

Sipas ekspertëve të transportit, një nga zgjidhjet më efektive për lehtësimin e këtij fluksi është ndërtimi i autostradës Milot–Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Ky segment pritet të devijojë trafikun tranzit jashtë qytetit të Lezhës, duke ulur ndjeshëm ngarkesën në rrugët ekzistuese dhe duke përmirësuar qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

  •  

INSTAT: Rriten flukset turistike, mbi 5 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit

Sektori i turizmit dhe flukset e lëvizjes së shtetasve në Shqipëri vijojnë prirjen rritëse gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave (INSTAT), mbështetur në të dhënat administrative të Policisë së Shtetit, gjatë muajit qershor 2026 në territorin shqiptar kanë hyrë mbi 2.08 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 0.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Bilanci i gjashtëmujorit të parë (janar – qershor 2026) konfirmon konsolidimin e Shqipërisë si një destinacion kyç rajonal, me më shumë se 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj, çka përbën një rritje prej 6.2% në krahasim me 6-mujorin e vitit 2025.

Flukset e qershorit dhe pesha e Evropës Jugore

Gjatë muajit qershor 2026, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,346,279 persona (rritje prej 1.3%), ndërsa daljet e tyre shënuan 1,285,538 (rritje prej 6.5%). Sa i përket origjinës gjeografike të vizitorëve, Evropa vazhdon të mbajë peshën kryesore të prurjeve, ku Evropa Jugore dominon me 66% të të gjitha hyrjeve nga kontinenti, e ndjekur nga Evropa Qendrore dhe Lindore me 14%.

Gjithashtu, të dhënat strukturore tregojnë se 98% e të huajve hyjnë në territorin shqiptar për qëllime personale (pushime, vizita familjare, tranzit etj.), kategori kjo që pësoi një rritje prej 1.6% në qershor. Në të kundërt, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan një rënie prej 17.7%.

“Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve mbetet për qëllime personale. Ndërkohë, rajoni i Evropës Jugore mbetet motori kryesor i furnizimit të tregut turistik vendas gjatë çeljes së sezonit veror,” thuhet në raportin zyrtar të INSTAT.

Tabela: Bilanci i lëvizjeve të shtetasve (krahasimi 2025 vs. 2026)

Treguesi i Lëvizjeve Qershor 2025 Qershor 2026 Ndryshimi % Janar–Qershor 2025 Janar–Qershor 2026 Ndryshimi %
Hyrje Gjithsej 2,062,775 2,081,649 +0.9% 8,597,947 9,166,350 +6.6%
— Shtetas Shqiptarë 733,571 735,370 +0.2% 3,836,299 4,107,281 +7.1%
— Shtetas të Huaj 1,329,204 1,346,279 +1.3% 4,761,648 5,059,069 +6.2%
Dalje Gjithsej 1,918,569 2,008,987 +4.7% 8,669,062 9,130,056 +5.3%
— Shtetas Shqiptarë 710,963 723,449 +1.8% 3,988,339 4,191,817 +5.1%
— Shtetas të Huaj 1,207,606 1,285,538 +6.5% 4,680,723 4,938,239 +5.5%

Të dhënat sipas kontinenteve tregojnë rritje të ndjeshme jo vetëm nga tregjet tradicionale evropiane, por edhe nga Azia e Jugut dhe Amerika:

  • Evropa: Mbetet tregu bazë me 4,765,657 hyrje në gjysmën e parë të vitit (nga 4.52 milionë në vitin 2025).
  • Amerika: Rritje pozitive me 157,266 hyrje në periudhën janar–qershor 2026 (kundrejt 129,953 në 2025).
  • Azia e Jugut: Paraqet rritjen më të lartë relative në gjashtëmujor, duke u dyfishuar në 39,784 hyrje (nga 22,555 në vitin 2025).

INSTAT sqaron se përpunimi i të dhënave bazohet në burimet administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionit. Diferencat e vogla natyrore midis hyrjeve dhe daljeve lidhen me lehtësimin e verifikimeve kufitare gjatë fluksit të sezonit turistik (sipas Ligjit nr. 71/2016 “Për Kontrollin Kufitar”), si dhe me regjimin e posaçëm për banorët e zonave ndërkufitare apo dy-shtetësinë.

  •  

Investime të qëndrueshme për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër

Kina vazhdon të përshpejtojë tranzicionin e saj të gjelbër përmes investimeve të qëndrueshme në energjinë e rinovueshme dhe teknologjitë me karbon të ulët.

Deri në vitin 2025, instalimet e energjisë së rinovueshme përbënin më shumë se gjysmën e kapacitetit total të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike në vend, të nxitura nga përparimet në teknologjitë që variojnë nga energjia diellore dhe e erës deri te ruajtja e energjisë dhe energjia bërthamore.

Në bazën bërthamore të energjisë në Gjirin Daya, të operuar nga Korporata e Përgjithshme e Energjisë Bërthamore e Kinës, është ekspozuar një model i Hualong One, një reaktor i gjeneratës së tretë i zhvilluar në vend.

I konsideruar si një shembull i shkëlqyer i zhvillimit të energjisë bërthamore të Kinës, një njësi e vetme Hualong One është e aftë të gjenerojë rreth 10 miliardë kilovat-orë energji elektrike në vit, duke zvogëluar emetimet e dioksidit të karbonit me afërsisht 8.16 milionë tonë në vit, ekuivalente me kursimin e më shumë se 3 milionë tonë qymyr standard.

Prodhuesi i automjeteve “BYD”, po demonstron baterinë e gjeneratës së dytë dhe teknologjinë e karikimit ultra të shpejtë, të zbuluar në mars 2026.

Shtatorin e kaluar, Kina u zotua të ulë emetimet neto të gazeve serrë në të gjithë ekonominë e saj me 7 deri në 10 për qind nga nivelet maksimale deri në vitin 2035

  •  

Zbardhet dëshmia/ Rozalinda Plaka rrëfen momentet kur ish-i fejuari që i vrau prindërit hyri në shtëpi

Rozalinda Plaka ishte në gjumë kur ish-i fejuari i saj Refit alias Nertil Buzi, shkoi i armatosur në shtëpinë e saj në fshatin Vidhisht të Roskovecit, dhe qëlloi për vdekje ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën e cila ndërroi jetë në spital. Kjo ka qenë dëshmia që ka dhënë 24-vjeçarja para autoriteteve.

Duke shtuar se më pas Refit Buzi e mori atë në makinë e u largua dhe se ajo mundi të shihete vetëm të atin të shtrirë në tokë.

“Isha në gjumë. Erdhi në dhomë i armatosur. Më kërcënoi dhe u detyrova ta ndiqja pas për në makinë. Kur po dilnim pashë babain të shtrirë. Ndërsa nënën s’e pashë ku ishte”, ka dëshmuar ajo. Teksa pritet që të merret sërish në pyetje prej hetuesve. Të cilët deri më tani e kanë konsideruar marrjen peng të Rozalindës si një garanci të përdorur prej Refitit.  Në momentet e para ai kishte një telefon që nuk aksesonte internet. Por gjatë arratisjes ndaloi një kalimtar dhe, nën kërcënimin e armës, i mori celularin.

Rozalinda Plaka nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me marrëdhënien me Buzin, apo me pretendimet e tij se i kishte dërguar një shumë të majme parash nga Anglia dhe ajo nuk ia kishte kthyer.

Kujtojmë se “molla e sherrit” në këtë histori u bënë pikërisht paratë për të cilat Refiti pretendonte se ua kishte dhënë prindërve të ish-të fejuarës dhe nuk ia kishin kthyer. Por ende nuk është vërtetuar nga hetuesit nëse Refit alias Nertil Buzi i cili në vitin 2022 u mbajt peng në Britaninë e Madhe nga një grup kriminal, ua kishte dërguar apo jo ato para.

Pas shumë orësh përpjekje, policia nuk mundi ta binte atë të dorëzohej, e pasi la të lirë Rozalindën ai i dha fund jetës.

  •  

Lufta në Lindjen e Mesme trondit tregun e naftës! Kina ul importet, SHBA përdor rezervat strategjike

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vazhdon të tronditë tregun global të naftës, duke prekur njëkohësisht ofertën dhe kërkesën. Ndërsa furnizimet nga Lindja e Mesme mbeten të pasigurta, ekonomitë më të mëdha të botës po konsumojnë më pak naftë dhe po mbështeten gjithnjë e më shumë te rezervat e tyre strategjike.

Në anën e ofertës, tensionet në rajon kanë kufizuar eksportet nga Gjiri Persik, ndërsa edhe pas rihapjes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit, qindra miliona fuçi naftë të bllokuara nuk gjetën lehtësisht blerës. Prodhues si Qatar Energy dhe kompania shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe u detyruan të ulnin çmimet me 6 deri në 9 dollarë për fuçi për të nxitur shitjet në tregjet aziatike.

Edhe Irani po përballet me vështirësi në eksportet e naftës. Megjithëse SHBA lehtësoi përkohësisht disa sanksione, Kina mbetet praktikisht blerësi i vetëm, por edhe Pekini ka ulur ndjeshëm importet nga rreth 1.5 milionë fuçi në ditë në vetëm 630 mijë fuçi.

Analistët theksojnë se dobësimi i kërkesës lidhet kryesisht me Kinën. Gjatë konfliktit, vendi ka reduktuar importet, duke u mbështetur në rezervat strategjike të krijuara më herët. Sipas Goldman Sachs, Kina po konsumon rreth 2 milionë fuçi në ditë nga rezervat e saj, por ende zotëron afro 1.9 miliardë fuçi, të mjaftueshme për rreth 117 ditë konsum.

Në të njëjtën kohë, rritja e shitjeve të automjeteve elektrike dhe kufizimet në prodhimin e karburanteve kanë ndikuar në uljen e konsumit të naftës në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Edhe Shtetet e Bashkuara po mbështeten te Rezerva Strategjike e Naftës, e cila ndodhet në nivelin më të ulët që nga viti 1983. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka përdorur një sasi rekord rezervash për të përballuar krizën e furnizimit, duke krijuar nevojën për rimbushjen e tyre në të ardhmen.

  •  
❌