Reading view

Në Serbi vazhdon mosbindja civile, dhjetëra persona të ndaluar

Protestat me bllokim të rrugëve vazhduan në Serbi edhe më 2 korrik.

Protestuesit kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, lirimin e studentëve të arrestuar dhe heqjen e kampit me çadra, që zyrtarët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) kanë ngritur mes ndërtesës së Presidencës dhe asaj të Kuvendit në Beograd.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se një grup njerëzish, mëngjesin e së mërkurës, ndaloi trafikun pranë Fakultetit të Elektroteknikës në Beograd, por se policia e largoi pak më vonë nga rruga.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se, natën mes 1 dhe 2 korrikut, janë ndaluar 72 persona nga protestat, si dhe është kontrolluar identiteti i 976 pjesëmarrësve.

Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit në Serbi janë mbajtur 117 tubime të paparalajmëruara dhe janë bërë 87 bllokada trafiku – prej të cilave 68 në Beograd.

“Incidente u regjistruan në Zemun, Nish, Novi Sad dhe Valevë, ku disa persona u ndaluan për shkelje të rendit publik dhe kryerje të veprave penale, ndërsa policia veproi në përputhje me ligjin”, tha Ministria e Brendshme serbe.

Organizata akademike “Studentët në bllokadë” bëri thirrje për mosbindje civile, pas tubimit të 28 qershorit në Beograd.

Studentët janë duke protestuar që prej aksidentit në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor më 1 nëntor, humbën jetën 16 persona.

Kërkesat e tyre përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Nga maji, kërkesë e tyre është bërë edhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.

Megjithatë, protestat tashmë duket se kanë marrë edhe një kthesë nacionaliste.

Studentët nuk kërkojnë vetëm një shtet më të drejtë, por bëjnë thirrje dhe për mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe të neutralitetit të saj ushtarak./REL

The post Në Serbi vazhdon mosbindja civile, dhjetëra persona të ndaluar appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

“Po tronditet regjimi i Vuçiç”/ Protestat masive në Serbi, reagon ashpër analisti: Protesta ka energji që vjen nga…

Analisti Artur Nura theksoi se vala e protestave po e trondit regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiç. I ftuar në një studio televizive, Nura tha se nuk beson se protestat në Serbi nuk kanë prapavijë nga vendet perëndimore.

Policia serbe hoqi në orët e para të mëngjesit të së hënës barrikadat e ngritura në kryeqytetin Beograd nga mijëra protestues anti-qeveritarë, që kishin zënë rrugët si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimeve të fundit dhe në kërkim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ai theksoi se protesta vjen si presion nga poshtë dhe regjimi do ta ketë të vështirë kontrollin e saj. Sipas tij, kërkesat e studentëve për zgjedhje janë legjitime dhe nuk ka arsye pse vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Artur Nura:

“Protesta po tronditin regjimin e Vuçiçit. Qeveria serbe po mbyt me dhunë kryengritjet. Nuk besoj se ka nxitje të drejtpërdrejtë të vendeve të BE dhe vendeve të perëndimit, për studentët në serbi. Unë besoj se këtë rast do ta ketë shumë të vështirë të menaxhojë situatën.

Regjim i dhunshëm i Milloshevicit modern, sepse Vuçiç vjen nga ato radhë. Nuk besoj se perëndimi nuk bën presion ndaj Vuçiçit, presioni është të mos përdoret dhunë, të lirohen të arrestuarit. Presioni i studentëve është nga poshtë, shifrat flasin se janë 120 mijë protestues. Ajo protesta ka një energji që vjen nga poshtë dhe nuk besoja se do kontrollohet”.

The post “Po tronditet regjimi i Vuçiç”/ Protestat masive në Serbi, reagon ashpër analisti: Protesta ka energji që vjen nga… appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Protesta masive/ Tensione dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, raportohen të plagosur

Në konferencën për shtyp, Vasiljević tha se ata janë ende në Qendrën e Emergjencës dhe se niveli i lëndimeve të tyre nuk është përcaktuar ende. Drejtori i Policisë së Beogradit Dragan Vasiljeviç tha sonte se disa protestues u ndaluan në incidentet që ndodhën në qendër të kryeqytetit serb, si dhe se gjashtë policë dhe dy qytetarë u plagosën në përplasjet që ndodhën. Policia reagoi pasi pjesëmarrësit në tubim sulmuan kordonin e policisë që po mbronte njerëzit e mbledhur pranë Parkut Pionirski.

“Pas tubimit në Slavija, një numër i madh qytetarësh u drejtuan drejt Parkut Pionirski. Në një moment, ata hoqën gardhet dhe u drejtuan drejt kordonit të policisë… Ata panë qartë se policia ishte në kordon dhe i paralajmëruan të mos afroheshin. Pavarësisht të gjithave, qindra prej tyre u drejtuan drejt kordonit dhe sulmuan policinë”, tha ai, sipas Beta.

Drejtori i policisë tha se ndërhyrja u krye me përdorimin e forcës fizike dhe mohoi që në atë rast të jenë përdorur agjentë kimikë.

The post Protesta masive/ Tensione dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, raportohen të plagosur appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Bërnabiç paralajmëron vazhdimin e arrestimeve në prag të protestës të shtunën në Beograd

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë të enjten se autoritetet do të vazhdojnë t’i arrestojnë ata që “përgatisin vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”, në prag të protestës antiqeveritare të thirrur për të shtunën.

Një ditë më parë, policia serbe i arrestoi gjashtë njerëz për gjoja planifikimin e “ndryshimit të Qeverisë në mënyrë të dhunshme” në një protestë që studentët e kanë paralajmëruar për 28 qershor në Beograd.

“Aksioni për arrestimin dhe identifikimin e këtyre organizatave terroriste do të vazhdojë patjetër. Presidenti i Serbisë do të vazhdojë takimet me shërbimet e sigurisë dhe policinë e lartë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e gjakderdhjes që ata planifikuan në Vidovdan”, tha Bërnabiq për televizionin Pink.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik njoftoi se të dyshuarit u pajtuan të mos ktheheshin në shtëpi derisa të “vrisnin ose shkatërronin” përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, dhe se ata njoftuan përdorimin e armëve të zjarrit dhe përgatitën “një sulm ndaj oficerëve të policisë me qëllim çarmatosjen e tyre”.

Bërnabiç “përgëzoi” mediat që morën pjesë në krijimin e një emisioni special të transmetuar më 25 qershor në disa kanale televizive proqeveritare, i cili paraqiti materiale rreth planeve të supozuara për protesta dhe bllokada në Serbi gjatë shtatë muajve të fundit.

Kryetari i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Millosh Vuçeviç, tha gjithashtu se beson që arrestimet nuk kanë mbaruar dhe vlerësoi se shërbimet e sigurisë duhet të identifikojnë “të gjithë” ata që, sipas tij, po planifikojnë ta marrin pushtetin me dhunë.

Vuçeviç i tha Pinkut se këto arrestime “konfirmojnë më së miri se shteti është konsoliduar pas përpjekjes për revolucionin me ngjyra”.

Më 23 qershor, policia arrestoi gjithashtu Stefan Tomiç, një student në Fakultetin e Fizikës në Beograd, nën dyshimin për “thirrje për një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.

Arrestimi i tij u dënua nga studentët në bllokadë, profesorët dhe qytetarët që u mblodhën në protestë më 26 qershor para Pallatit të Drejtësisë në Beograd, ku Tomiç pritet të merret në pyetje.

Që nga fillimi i protestave të mëdha në Serbi, policia ka arrestuar vazhdimisht studentë, profesorë dhe demonstrues – disa prej tyre nën dyshimin për përpjekje për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues.

Një nga kërkesat e studentëve në bllokadë është që të pezullohen procedurat penale kundër të gjithëve, me vlerësimin se ata u arrestuan në kundërshtim me ligjin dhe se ky është një rast presioni dhe frikësimi nga autoritetet.

Studentët filluan bllokadat e fakulteteve dhe protestat në fund të nëntorit 2024, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 njerëzve në shembjen e një strehe betoni në stacionin e trenit të Novi Sadit më 1 nëntor. REL/

The post Bërnabiç paralajmëron vazhdimin e arrestimeve në prag të protestës të shtunën në Beograd appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Protesta në Irak kundër luftës Izrael-Iran, mijëra qytetarë në rrugët e Bagdadit dhe Basrës

Mijëra qytetarë irakianë kanë dalë në protesta në rrugët e Bagdadit, duke kundërshtuar luftën që Izraeli nisi ndaj Iranit më 13 qershor. Kundërshtime masive u raportuan edhe në qytetin portual jugor të Basrës, ku rreth 2,000 protestues u mblodhën në një nga bulevardet kryesore, sipas raportimeve të AFP-së.

Protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj ndërhyrjeve izraelite dhe amerikane në rajon, duke theksuar se “kjo është një luftë e pabazë dhe se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë dashur të kontrollojnë Lindjen e Mesme”.

Ndërkohë, sulmet mes Izraelit dhe Iranit kanë vijuar pa ndërprerje edhe këtë të premte, teksa konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tij të dytë. Mëngjesin e sotëm, raketat balistike të Iranit goditën për të dytën ditë radhazi qytetin Beer Sheva, ku Irani pretendon se kishte shënjestruar një park teknologjik të përdorur nga ushtria izraelite.

The post Protesta në Irak kundër luftës Izrael-Iran, mijëra qytetarë në rrugët e Bagdadit dhe Basrës appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Nata e dytë e shtetrrethimit në Los Anxhelos, tensione për bastisjet ndaj emigrantëve

Los Anxhelosi, qyteti i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara, është vendosur sërish nën shtetrrethim për natën e dytë radhazi, teksa protestat dhe tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen pas bastisjeve të emigracionit të urdhëruara nga administrata federale.

Protestat e nisura të premten janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Deri tani janë arrestuar mbi 400 persona, mes tyre 330 emigrantë pa dokumente dhe dhjetëra të tjerë të akuzuar për akte dhune, përfshirë edhe tentativë për vrasje të një oficeri policie.

Kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, shpalli shtetrrethimin që nis çdo mbrëmje nga ora 20:00, duke deklaruar se ky vendim synon të ndalojë “aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi i situatës së nxitur nga qeveria federale”.

Bass kritikoi hapur Presidentin Donald Trump për bastisjet e koordinuara nga Shërbimi i Emigracionit, duke theksuar se këto operacione kanë krijuar “frikë, panik dhe destabilitet në komunitetet lokale”.

Policia ka kryer arrestime masive gjatë natës, duke ndaluar qindra persona për shkelje të orës policore, posedim armësh dhe përfshirje në akte dhune. Gjatë përplasjeve janë plagosur dy oficerë policie.

Në qytet janë vendosur 4,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa, disa prej të cilëve tashmë janë autorizuar të ndalojnë protestuesit deri në momentin kur të ndërhyjë policia.

The post Nata e dytë e shtetrrethimit në Los Anxhelos, tensione për bastisjet ndaj emigrantëve appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Los Angeles nën “shtetrrethim” mes protestave kundër dëbimit të emigrantëve

Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, ka shpallur shtetrrethim në disa zona të qendrës së qytetit si përgjigje ndaj plaçkitjeve dhe dhunës që shpërthyen gjatë protestave kundër bastisjeve të fundit të imigracionit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Bass deklaroi se kushdo që shkel shtetrrethimin do të arrestohet nga forcat speciale të sigurisë. “Unë shpalla një shtetrrethim duke filluar nga sonte në orën 20:00 për Qendrën e Los Anxhelosit, për të ndaluar aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi kaotik i Presidentit. Nëse nuk jetoni ose punoni në Qendër të Los Anxhelosit, shmangni zonën. Zbatimi i ligjit do të arrestojë individët që shkelin shtetrrethimin dhe ju do të ndiqeni penalisht”, shkroi ajo.

Sipas raportimeve, gjatë natës janë bërë dhjetëra arrestime për shkelje të orës policore, ndërsa forcat e rendit kanë qenë në gatishmëri të lartë. Deri më tani, nuk është vërejtur prani e trupave të Marinës Amerikane apo Gardës Kombëtare në rrugë. Ora policore është në fuqi nga ora 20:00 deri në 06:00, dhe përjashton vetëm banorët, gazetarët dhe shërbimet emergjente.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, më 10 qershor paraqiti një mocion urgjent në gjykatën federale për të ndaluar pjesëmarrjen e Gardës Kombëtare dhe Marinsave në bastisjet e imigracionit. Një gjyqtar ka caktuar një seancë dëgjimore për ditën e nesërme. Ndërkohë, Komandanti i Korpusit të Marinës, Gjenerali Eric Smith, dëshmoi në Senat se batalioni i dërguar në Los Angeles është tashmë i trajnuar për kontrollin e turmës, por theksoi se nuk ka marrë urdhër për të ndërhyrë dhe nuk ka autoritet për të kryer arrestime – detyra e tyre është të mbrojnë pronën dhe agjentët federalë.

Karen Bass dhe Guvernatori Newsom, të dy demokratë, insistojnë se mënyra e vetme për të rikthyer qetësinë është ndalimi i bastisjeve ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe tërheqja e forcave federale nga qyteti. Megjithatë, republikanët kundërshtojnë me forcë këtë qasje.

“Ju nuk keni të drejtë të anashkaloni ligjet federale të imigracionit”, deklaroi guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis. Ai shtoi se “problemi në Kaliforni është se ata kanë qenë një shtet strehë për shumë vite”.

Ish-zyrtari i administratës Trump, Tom Homan, paralajmëroi se bastisjet do të vazhdojnë. Ndërkohë, sipas kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, Garda Kombëtare dhe Marinsat do të qëndrojnë në qytet për të paktën 60 ditë, me një kosto prej 134 milionë dollarësh. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, sulmoi ashpër guvernatorin Newsom, duke thënë se ai “duhet të lyhet me katran dhe të mbulohet me pupla” për bashkëpunimin e tij me protestuesit. Newsom u kundërpërgjigj: “Ata anashkalojnë arrestimet dhe kalojnë direkt te format e ndëshkimit të shekullit të 18-të.”

Një nga arkitektët e politikës aktuale të bastisjeve është Stephen Miller, këshilltari i imigracionit gjatë administratës Trump. Në fund të majit, ai argumentoi se arrestimet e gangsterëve dhe kriminelëve nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur objektivat e deportimeve, të cilat mbeten më të ulëta se në kohën e Biden. Miller propozoi bastisje para supermarketeve si Home Depot dhe 7-Eleven, ku mblidhen punëtorë ditorë. Një tjetër figurë kyçe është prokurori federal i Distriktit Qendror të Kalifornisë, Bilal Essayli, familja e të cilit ka shpëtuar nga lufta civile në Liban.

Pavarësisht kritikave, ish-presidenti Trump qëndron i vendosur. “Nuk do të lejoj që Shtetet e Bashkuara të shkatërrohen nga emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët e Botës së Tretë”, deklaroi ai nga baza ushtarake Fort Bragg, duke pretenduar se protestat po financohen nga “dikush”.

“Ne do ta çlirojmë Los Angeles dhe do ta bëjmë atë përsëri të pastër dhe të sigurt”, shtoi ai, duke i quajtur protestuesit “kafshë”. Trump kritikoi gjithashtu faktin që protestuesit “valëvitin flamuj të vendeve të tjera, por jo atë amerikan”, dhe akuzoi se “e djegin flamurin”.

Të hënën në mbrëmje, më 9 qershor, mbi 100 persona u arrestuan dhe tre oficerë policie u plagosën nga sulmet me gurë. Me dërgimin e 4 mijë trupave të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave në qytet, Los Angeles pritet të mbetet i militarizuar për dy muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, administrata e Trump synon të dërgojë deri në 9 mijë emigrantë në bazën ushtarake të Guantanamos, për të liruar hapësirë në qendrat e paraburgimit në SHBA. Sipas “Washington Post”, mes personave që mund të dërgohen në Kubë janë edhe qindra shtetas nga vende evropiane si Italia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Irlanda, Belgjika, Holanda, Lituania, Polonia, Turqia dhe Ukraina.

The post Los Angeles nën “shtetrrethim” mes protestave kundër dëbimit të emigrantëve appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Përshkallëzohen protestat në Los Anxhelos, teksa Trump dislokon Gardën Kombëtare

Tensionet në Los Anxhelos janë përshkallëzuar pasi mijëra protestues dolën në rrugë duke kundërshtuar dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare nga presidenti Donald Trump të dielën.

Protestuesit bllokuan një autostradë të rëndësishme dhe ua vënë zjarrin disa makinave vetëdrejtuese, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe shpërthime verbuese për ta kontrolluar turmën.

Shumë protestues u shpërndanë pas rënies së natës, kur policia e shpalli tubimin e tyre të paligjshëm, i cili është paralajmërim për ndërhyrjen dhe arrestimin e atyre që nuk largohen.

Disa nga ata që nuk u larguan hodhën gjësende drejt policisë mbrapa një barrikade të improvizuar që shtrihej përgjatë një rruge, ndërsa të tjerë gjuajtën copa betoni, gurë, skuterë elektrikë dhe fishekzjarrë drejt oficerëve të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë dhe mjeteve të tyre të parkuara në autostradën 101 në drejtim të jugut. Oficerët u strehuan nën një mbikalim.

Protestat e së dielës në Los Anxhelos, një qytet me 4 milionë banorë, u përqendruan në disa blloqe në qendër të qytetit.

Kjo ishte dita e tretë dhe më e ashpër e demonstratave kundër vendimit të Trumpit për luftimin e imigracionit në rajon, ndërsa vendosja e 300 trupave të Gardës Kombëtare shkaktoi zemërim dhe frikë te shumë banorë.

Garda u dërgua në Los Anxhelos në veçanti për t’i mbrojtur ndërtesat federale, përfshirë qendrën e ndalimit në qendër të qytetit, ku u përqendruan protestuesit.

Shefi i Policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, tha se oficerët ishin “dominuar” nga protestuesit e mbetur. Ai shtoi se në mesin e protestuesve ka edhe provokatorë të rregullt që marrin pjesë në demonstrata për të nxitur trazira.

Dhjetëra persona u arrestuan gjatë fundjavës së protestës. Një person u ndalua të dielën për hedhjen e një koktej molotovi ndaj policisë dhe një tjetër për përplasjen e motoçikletës drejt një vargu oficerësh.

Trump iu përgjigj McDonnellit në Truth Social, duke i kërkuar t’i arrestojë protestuesit me maska në fytyrë.

“Duket shumë keq në LA. SJELLINI TRUPAT!!!” shkroi ai.

Përleshjet u përshkallëzuan me mbërritjen e trupave të Gardës Kombëtare
Trupat e Gardës mbërritën të pajisur me armë të gjata dhe mburoja kundër turmës, ndërsa protestuesit brohorisnin “turp” dhe “shkoni në shtëpi”.

Njëkohësisht, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit (LAPD) qëlloi me municion për kontrollimin e turmës për të shpërndarë protestuesit, për të cilët tha se u mblodhën në mënyrë të paligjshme. Pjesa më e madhe e grupit më pas bllokoi trafikun në autostradën 101 derisa oficerët e patrullës shtetërore i larguan ata nga rruga deri në orët e pasdites.

Aty pranë, të paktën katër makina vetëdrejtuese, Waymo, u vunë në zjarr, duke krijuar re të mëdha tymi të zi dhe shpërthime herë pas here teksa makinat elektrike digjeshin. Në mbrëmje, policia lëshoi një urdhër për shpërndarje të turmës dhe mbylli disa blloqe në qendër të Los Anxhelosit.

Guvernatori demokrat i Los Anxhelosit, Gavin Newsom, kërkoi nga Trump t’i tërheqë trupat e Gardës në një letër të dielën pasdite, duke e quajtur dislokimin “shkelje serioze të sovranitetit të shtetit”.

Kjo është hera e parë në dekada që Gardë Kombëtare shtetërore aktivizohet pa kërkesën e guvernatorit.

Newsom dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, fajësuan vendimin e Trumpit për të dislokuar Gardën për përshkallëzimin e protestave, duke e quajtur vendimin e tij veprim që synon të nxisë tensione. Ata u kanë bërë thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë.

“Ajo që po shohim në Los Anxhelos është kaos i provokuar nga administrata”, tha ajo në një konferencë shtypi pasdite. “Kjo ka të bëjë me një agjendë tjetër, jo me sigurinë publike”.

Por, McDonnell, shefi i LAPD-së, tha se protestat po ndjekin një model të njohur të trazirave civile, me intensifikim në ditën e dytë dhe të tretë.

Mbërritja e Gardës Kombëtare pasoi dy ditë protestash që nisën të premten në qendër të Los Anxhelosit, dhe më pas u përhapën të shtunën në Paramount, një qytet me shumicë latine në jug të qytetit, dhe në Comptonin fqinj.

Agjentët federalë arrestuan emigrantë në qarkun e modës të Los Anxhelosit, në një parking të Home Depot-it dhe në disa vende të tjera të premten.

Sipas autoriteteve federale, numri i përgjithshëm i emigrantëve të arrestuar në zonën e Los Anxhelosit këtë javë kaloi 100. Shumë të tjerë u arrestuan gjatë protestave, përfshirë një udhëheqës të njohur sindikate, i akuzuar për pengim të policisë.

Protestat nuk arritën përmasat e demonstratave të mëparshme që sollën Gardën Kombëtare në Los Angeles, siç ishin rebelimet e Watts, Rodney King dhe protestat e vitit 2020 kundër dhunës policore, për të cilat Newsom kërkoi ndihmën e trupave federale.

Hera e fundit që Garda Kombëtare u aktivizua pa lejen e një guvernatori ishte në vitin 1965, kur presidenti Lyndon B. Johnson dërgoi trupa për të mbrojtur një marshim për të drejtat civile në Alabama, sipas Qendrës Brennan për Drejtësi.

Në një dekret të shtunën, Trump përmendi një dispozitë ligjore që e lejon atë të dislokojë forcat federale kur ka “një rebelim ose rrezik për rebelim kundër autoritetit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Ai tha se kishte autorizuar dislokimin e 2.000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare. REL/

The post Përshkallëzohen protestat në Los Anxhelos, teksa Trump dislokon Gardën Kombëtare appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Nga protestat te greva e urisë në Kuvend, Balliu ‘zbulon’ strategjinë e PD-së kundër Ramës

Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record”, u pyet nëse do të ishte dakord me një grevë urie brenda Parlamentit si pjesë e strategjisë së opozitës.

“Unë mendoj që ne duhet të provojmë gjithçka. Nuk duhet përjashtuar asgjë. Thjesht, duhet ta mendojmë mirë çdo akt që do të ndërmarrim dhe duhet të bëjmë plane afatgjatë për aksionin tonë politik. Mendoj që thelbësore në këtë kohë është informimi i ndërkombëtarëve për krimin elektoral të Edi Ramës dhe lidhjet që ka ai me krimin e organizuar”, tha Balliu.

Në vijim ai shtoi se “ka një dezinformim nëpërmjet disa kulisave të PS që vetëm gjezdisin nëpër botë për të dezinformuar aleatët e vendit tonë. Kjo qasje duhet kombinuar edhe me aksione të tjera”. Kur u pyet se çfarë do të ndodhë gjatë verës, Balliu tha se “ne kemi bërë protesta gjatë verës, por nuk është misioni i opozitës vetëm të bëjë protesta”.

“Opozita nuk do bëjë dot asgjë nëse shoqëria nuk mbështet një plan për të sjellë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të bëjë çfarë të dojë opozita. Demokracitë lindin nga revolta qytetare në çdo vend”, sqaroi Balliu.

The post Nga protestat te greva e urisë në Kuvend, Balliu ‘zbulon’ strategjinë e PD-së kundër Ramës appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

SHBA/ Protesta dhe përplasje për bastisjet kundër emigrantëve, Trump urdhëron dërgimin e 2 mijë ushtarëve

Pamje që rikujtojnë Amerikën Latine të viteve ’70 janë regjistruar në rrugët e Los Anxhelosit, ku agjentët e Imigracionit (ICE) janë përballur me protestuesit gjatë një sërë aksionesh për arrestimin dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Operacionet, të mbështetura me gaz lotsjellës, plumba jo vdekjeprurës, armë dhe uniforma ushtarake, u zhvilluan në zona si Home Depot në distriktin Westlake dhe në Fashion District.

Agjentët kishin në shënjestër biznese të dyshuara për punësim të emigrantëve pa dokumente. Protestuesit, të shumtë në numër dhe me pankarta “Arsimim, jo depërtim”, i rrethuan ata, duke shkaktuar përplasje të ashpra. Më shumë se 40 persona u arrestuan, mes tyre edhe një sindikalist. Sipas dëshmitarëve, një prej operacioneve është zhvilluar edhe në një shkollë në Koreatown.

Policia e qytetit refuzoi të marrë pjesë në operacion, ndërsa Konsullata e Përgjithshme e Meksikës ofroi ndihmë ligjore për shtetasit e saj të ndaluar. Drejtoresha e organizatës CHIRLA, Angelica Salas, deklaroi se “komuniteti është nën sulm dhe i terrorizuar”. Kryebashkiakja Karen Bass i cilësoi aksionet si shkelje të parimeve të qytetit dhe nxitje të frikës në komunitet.

Presidenti Donald Trump, përmes një postimi në Truth Social, lajmëroi ndërhyrjen e qeverisë federale për të “zgjidhur problemin e revoltave dhe plaçkitësve”, duke kritikuar ashpër autoritetet lokale. Zyrtarët e administratës paralajmëruan edhe dërgimin e Gardës Kombëtare me 2 mijë trupa.

Tensionet janë përhapur në të gjithë vendin, me protesta në qytete si San Diego, Çikago, Minneapolis, Atlanta e Houston. Aktivistë amerikanë, përfshirë qytetarë të bardhë, po formojnë zinxhirë njerëzorë për të mbrojtur emigrantët, ndërsa ICE është detyruar të tërhiqet në disa raste, nën presionin e qytetarëve dhe kamerave.

Ndërkohë, rasti i Kilmar Abrego Garcia ka shkaktuar zemërim: ai ishte deportuar gabimisht në Salvador pa gjyq, pavarësisht një urdhri mbrojtjeje. I rikthyer tashmë në SHBA, ai mbahet në burg në Tennessee. Fotoja e publikuar nga Trump, që e lidhte atë me një bandë kriminale, rezultoi të ishte false. Një nga hetuesit e çështjes ka dhënë dorëheqjen, duke e akuzuar administratën për motivime politike pas padisë.

The post SHBA/ Protesta dhe përplasje për bastisjet kundër emigrantëve, Trump urdhëron dërgimin e 2 mijë ushtarëve appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

‘Larg duart nga monedha jonë!’/ Protesta në Bullgari, qytetarët kundër kalimit në euro

Mijëra qytetarë protestuan në rrugët e Sofjes kundër planit të qeverisë për kalimin e Bullgarisë në eurozonë. Protestuesit, të organizuar nga partia e djathtë ekstreme “Ringjallja”, mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mbishkrimin “Larg duart nga monedha jonë!”, duke shfaqur kundërshtimin e tyre ndaj zëvendësimit të levës me euron.

Tensionet u reflektuan edhe në parlament, ku deputetët e “Ringjalljes” bllokuan foltoren dhe përshkallëzuan situatën me përplasje fizike. Një nga udhëheqësit e kësaj partie, Tsoncho Ganev, shtyu deputetin Yavor Bozhankov nga partia “Vazhdojmë Ndryshimin”, duke shkaktuar kaos në sallën plenare.

Këto zhvillime pasojnë miratimin nga Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane të raportit të konvergjencës që konstaton se Bullgaria i ka përmbushur kushtet ekonomike për të hyrë në eurozonë në fillim të vitit 2026. Me këtë hap, Bullgaria do të bëhej vendi i 21-të anëtar i zonës së përbashkët monetare.

Pavarësisht përpjekjeve për integrim që prej hyrjes në BE në vitin 2007, mbështetja publike për euron ka rënë ndjeshëm. Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometrit, rreth gjysma e bullgarëve shprehen skeptikë për adoptimin e monedhës së përbashkët, duke ngritur shqetësime për ndikimin e saj në rritjen e çmimeve.

The post ‘Larg duart nga monedha jonë!’/ Protesta në Bullgari, qytetarët kundër kalimit në euro appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Protesta në SHBA, studentët dalin kundër presidentit amerikan për pezullimin e vizave studentore

Qindra studentë të Harvardit protestuar, pas vendimit të Donald Trump për të ndërprerë të gjitha kontratat që qeveria federale ka me universitetin prestigjioz.

Presidenti amerikan ka nisur një sulm të ashpër ndaj Harvardit.

Masa më e fundit e njoftuar dje nga administrata Trump ishte t’u kërkonte autoriteteve federale të hartonin një listë të kontratave që kanë nënshkruar me Harvardin dhe të informonin “nëse ato mund të anulohen ose të ridrejtohen diku tjetër”. Sipas shtypit amerikan, shuma totale e këtyre kontratave arrin në 100 milionë dollarë.

“Trump = tradhtar”, shkruhej në një nga pankartat që mbanin protestuesit, mes thirrjeve studentët e huaj, të cilët republikani dëshiron t’i pengojë të studiojnë në universitetet amerikane me arsyetimin se disa vijnë nga vende “që nuk janë aspak miqësore me SHBA-në”.

Megjithatë, një gjyqtar federal në Massachusetts pezulloi përkohësisht anulimin e certifikimit të Sistemit të Informacionit për Studentët dhe Vizitorët e Shkëmbimit (SEVIS) të Harvardit për vitin akademik 2025-26, i cili ishte kërkuar nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Christie Noem.

The post Protesta në SHBA, studentët dalin kundër presidentit amerikan për pezullimin e vizave studentore appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

“Humbën se janë nivel i ulët”, Kokalari “shpërthen” ndaj Berishës:Kurrë s’i kërkuan falje as demokratëve, as gazetarëve

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, ka reaguar lidhur me tensionet dhe përplasjet që u krijuan mes disa eksponentëve të PD-së dhe mbështetësve të tyre me gazetarë, që ishin duke raportuar atë se çfarë po ndodhte në bulevardin ‘Zogu I’ në Tiranë, në një kohë kur më pak se 1 km më tutje po zhvilloheshin punimet e Komunitetit Politik, ku merrnin pjesë liderët europianë.

Kokalari, nisur incidenteve që ndodhën në protest, shkruan në rrjetin social se përfundimisht PD-ja e Sali Berishës është parti dhune.

“Përfundimisht PD-ja e Berishës është parti dhune. Me morri shumë kohë ta kuptoja dhe besoja, por ishte e qartë pse Berisha nuk e kancelloi kurrë 8 Janarin. Të gjitha shancet ishin që aty do kishte dhunë, por Berisha atë donte. Naiviteti im që i shpjegoja që dyert e blinduara nuk hapen me ‘locksmith’ të zakonshem dhe shtyllat e çimentove që donin të përdornin për të hapur dyert.

Atë ditë, përveç demokratëve janë helmuar dhe gazetarët dhe kameramanët që ja kërkonte detyra të rrinin aty dhe të raportonin.

Sot e kësaj dite, se kam dëgjuar kurrë Berishen apo dhe të tjerë në atë parti ti kërkojnë falje demokratëve që ishin prezent dhe as gazetarëve që nuk i kishin asnjë borxh asnjërës palë.

Pastaj dhuna vazhdoi në Parlament. Tashti që humbën pikërisht se janë ky nivel i ulët, i kthehen gazetarëve, meshkuj dhe femra, duke i sulur dhe protestuesit që me të drejtë janë të mërzitur nga kjo humbje e thellë.

Jam pa fjalë, dhe uroj që demokratët e ndershëm të PD-së së rithemelimit të reagojnë dhe t’ju kërkojnë falje gazetareve për çfarë ndodhi sot.

Nuk e meritojnë”, shkruan Kokalari.

The post “Humbën se janë nivel i ulët”, Kokalari “shpërthen” ndaj Berishës:Kurrë s’i kërkuan falje as demokratëve, as gazetarëve appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

E paprecedentë/ Edi Paloka dhe demokratët sulmojnë gazetarët në protestë

Ndërkohë që po zhvillohet protesta e opozitës, disa nga deputetët e Partisë Demokratike kanë refuzuar të flasin për kamerën e Euronews Albania ndërkohë që media ka shkuar për të pasqyruar protestën.

Është e paprecedentë ndërkohë që shkon për të pasquruar një protestë të tyre, për të ngritur edhe shqetësimet që demkratët kanë, gazetarët sulmohen nga eksponent politik dhe pjesëmarrës në protestë.

I pari ishte deputeti demokrat Edi Paloka i cili i kërkoi gazetares Sara Demushi të mos e intervistojë, e madje i kërkoi asaj largimin e kamerës. Pas tij në mënyrë të ngjashme reagoi edhe Aldo Bumçi i cili u shpreh se nuk u pyet nëse donte të fliste për Euronews Albania, ndaj nuk pranoi të fliste.

Pas reagimeve të tyre, situata u tensionua dhe disa pjesëmarrës në protestë tentuan të mbulonin pamjen e kamerës së Euroneës albania, e madje kanë ofenduar gazetaren e cila u është afruar për të kuptuar e për të bërë mediatike shqetësimet e tyre.

Gjithashtu Klevis Balliu ka pasur një qasje jo pozitive ndaj gazetares Sara Demushi, duke i thënë se mund të qëndrojë në protestë por nuk mund të prekë qytetarët, ndërkohë që pjesëmarrësit në protestë kanë qenë ata të cilët kanë kërkuar largimin e kamerave.

The post E paprecedentë/ Edi Paloka dhe demokratët sulmojnë gazetarët në protestë appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Nga Brukseli në protestë/ Berisha gjen vetëm pak të zemëruar në shesh, vetëm një grusht militantësh me PD

Një grusht i vogël militantësh të Sali Berishës kanë zgjedhur që të protestojnë ditën që në Tiranë mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, që solli në kryeqytet të gjithë liderët e Europës. Protesta vjen pas pretendimeve të Partisë Demokratike për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Një masakër zgjedhor si ajo e 11 majit nuk do njihet kurrë nga PD dhe opozita. OSBE vuri në dukje që në Shqipëri ka patur një masakër zgjedhore, përdorimi i administratës, i bandave kriminale”, tha Flamur Noka.

Berisha iu bashkua protestës pas vizitës në Bruksel, ku ishte i vetëm për të denoncuar në një takim vjedhjen e zgjedhjeve.

Protesta po mbahet në Bulevardin e Ri pranë  Ministrisë së Drejtësisë, vetëm 400 metra nga zona ku zhvillohej Samiti. Në protestë u shfaqën eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike, si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmakaj, Klevis Balliu, Belind Këlliçi apo edhe Jorida Tabaku.

The post Nga Brukseli në protestë/ Berisha gjen vetëm pak të zemëruar në shesh, vetëm një grusht militantësh me PD appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

“Kjo është një betejë jetë a vdekje”, PD ngre akuza të rënda: Rama i zhytur në manipulim, s’do e gëzojë fitoren

Drejtuesi politik i PD në Qarkun e Tiranës Belind Këlliçi tha se ‘kryeministri Rama nuk do të gëzojë mandatin e vjedhur dhe se Partia Demokratike ka prova që zgjedhjet e 11 majit janë manipuluar’.

Sipas tij ky është një problem i shqiptarëve dhe theksoi gjithashtu se në Shqipëri kanë vdekur institucionet zgjedhore dhe zgjedhjet e lira.

“Rama nuk do ta gëzojë mandatin e vjedhur. Partia Demokratike ka prova për manipulimin e zgjedhjeve. Ne do të solidarizojmë cilido shqiptar për vjedhjen e zgjedhjeve në 11 maj. Ky është një problem i shqiptarëve dhe mund të them se këtu kanë vdekur institucionet zgjedhore dhe zgjedhjet e lira.” tha ai.

Më tej Këlliçi shtoi se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet pasi është një betejë jetë a vdekje dhe se kreu i qeverisë i ka zhytur duart thellë në rezultatet fituese në zgjedhjet e 11 majit.

“Ne nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë pasi është një betejë jetë a vdekje. Rama i zhyti duart aq thellë sa mori atë rezultat.” përfundoi Këlliçi.

 

The post “Kjo është një betejë jetë a vdekje”, PD ngre akuza të rënda: Rama i zhytur në manipulim, s’do e gëzojë fitoren appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Kërkesa e studentëve në Serbi për zgjedhje të parakohshme, provë për pushtetin dhe opozitën

Pas më shumë se pesë muajsh protestash, studentët në Serbi kanë kërkuar shpërbërjen e menjëhershme të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke sfiduar si Qeverinë ashtu edhe opozitën.

Studentët protestues e arsyetuan kërkesën e tyre përmes një njoftimi në Instagram se “pushteti nuk po tregon as iniciativën më të vogël” për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

Përgjegjësia për vdekjen e 16 njerëzve nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si dhe ndjekja penale e atyre që kanë sulmuar studentë dhe pjesëmarrës të tjerë gjatë protestave, janë ndër kërkesat kryesore që studentët ua kanë paraqitur institucioneve të Serbisë.

“Konstatojmë se rrënjët e korrupsionit të pushtetit kanë depërtuar thellë në institucionet shtetërore, duke pamundësuar ushtrimin e pavarur të detyrave nga këto institucione”, thuhet në deklaratën e studentëve, e publikuar më 5 maj.

Në rast se mbahen zgjedhje, studentët kanë bërë të ditur se nuk do të paraqesin listë kandidatësh, por do të mbështesin ato parti apo lista që, sipas tyre, mund të formojnë një qeveri që do t’i përmbushë kërkesat e tyre.

Si po reagon opozita ndaj kërkesës së studentëve?

Shumica e partive opozitare kanë shprehur mbështetje për studentët protestues dhe për kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia Demokratike (DS) ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë “çdo ndihmë për një listë universitare-studentore”, por vetë nuk do të garojë në ato zgjedhje. Megjithatë, DS-ja thekson se “në Serbi nuk ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Fronti i gjelbër majtist (ZLF) e konsideron të arsyeshme kërkesën për zgjedhje të reja, duke thënë se “Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka humbur çdo legjitimitet për të udhëhequr vendin”. Ata theksuan se qëllimi i tyre kryesor është rrëzimi i pushtetit aktual.

Mbështetje për këtë kërkesë kanë dhënë edhe lëvizja Kreni-promeni (Lëviz-Ndrysho), Kryengritja Ekologjike dhe Partia Socialdemokrate (SDS).

“E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë e rëndë dhe jashtëzakonisht e rrezikshme është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka shkruar Boris Tadiq, kryetar i SDS-së, në rrjetin social X.

Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (NDSS), Millosh Jovanoviq, ka deklaruar se është “dëm i madh nëse është hequr dorë nga ideja e një Qeverie tranzitore”.

“NDSS ende beson se kjo është e vetmja zgjidhje e mundshme, që mund të realizohet vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjithë qytetarëve me bindje opozitare”, tha Jovanoviq për agjencinë Beta.

Lëvizja Popullore e Serbisë, nën udhëheqjen e Miroslav Alleksiq, ka qenë për zgjedhje të parakohshme edhe para kërkesës së studentëve.

Deri në përfundim të këtij artikulli, Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë (SSP) nuk është prononcuar për zgjedhjet e mundshme të parakohshme.

Si po reagon pushteti?

Partia Përparimtare Serbe (SNS) nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për kërkesën e studentëve.

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka shkruar në rrjetin X se “kërkesat origjinale të studentëve” kanë të bëjnë me prokurorinë dhe gjyqësorin, dhe jo me pushtetin legjislativ apo ekzekutiv.

“Ato institucione nuk ndryshohen nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Bërnabiq.

Ajo ka vënë në dyshim edhe kërkesën e studentëve për shpalljen e konkursit për anëtarët e rinj të Këshillit të Entit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), për të cilin komisioni përkatës parlamentar ka njoftuar se do të mbahet më 8 maj.

“Nëse tani kërkoni shpërbërje urgjente dhe të pakushtëzuar të Kuvendit, përse e keni bllokuar RTS-në për 15 ditë?”, ka shkruar Bërnabiq në rrjetin X.

Studentët kanë bllokuar ndërtesat e RTS-së për dy javë, duke kërkuar shpalljen e një konkursi të ri për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Komisioni për Informim i Kuvendit ka nisur këtë procedurë më 28 prill, dhe siç është bërë e ditur, njoftimi publik do të publikohet më 8 maj në Fletoren Zyrtare.

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, partner i koalicionit të SNS-së, ka deklaruar se nuk sheh arsye për zgjedhje të parakohshme.

“Qeveria ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Nuk jam për ngjarje të jashtëzakonshme, por për zgjedhje të rregullta – dhe këtë nuk e kam fshehur kurrë”, ka thënë Daçiq për TV Pink.

Opozita “në provë”

Analisti politik Boshko Jakshiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesa e studentëve është “epilog logjik dhe i pritshëm i ngjarjeve të muajve të fundit”.

Sipas tij, kjo kërkesë është “një provë e madhe” për opozitën.

“Nëse partitë opozitare nuk janë të gatshme të lënë mënjanë identitetet e tyre dhe të bashkohen në një front të vetëm, ato që nuk e bëjnë këtë, apo shprehin rezerva, mund të përjashtohen nga skena politike”, ka thënë Jakshiq.

Rruga deri te kërkesa për zgjedhje

Pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, shpërthyen protesta në shumë qytete të Serbisë.

Protestat udhëhiqen nga studentët që për më shumë se pesë muaj kanë bllokuar fakultetet duke kërkuar drejtësi për vdekjen e 16 njerëzve.

Studentët kanë marrë mbështetje nga profesorët, punëtorët e arsimit, bujqit, avokatët, aktorët dhe një pjesë e qytetarëve.

Ndërkohë, Serbia ka emëruar një kryeministër të ri. Kuvendi i Serbisë më 16 prill ka votuar për një qeveri të re, e cila udhëhiqet nga endokrinologu dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut.

Qeveria e re u formua pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit në fund të janarit, i cili u tërhoq nga posti pas incidentit ku anëtarë të SNS-së, partisë që ai udhëheq, rrahën një studente në Novi Sad.

Në mes të prillit, me nismën e presidentit Aleksandar Vuçiq, u formua në Beograd “Lëvizja për popullin dhe shtetin”. Vuçiq i paraqiti kërkesat e tij institucioneve për “rivendosjen e rendit në shtet” dhe “respektimin e plotë të Kushtetutës”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në dhjetor 2023, pas muajsh protestash pas dy masakrave në maj, ku humbën jetën 19 njerëz, shumica fëmijë dhe të rinj.

Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet u shoqëruan me një sërë parregullsish dhe opozita i cilësoi si “të pandershme” dhe “të manipuluara”.

Pas akuzave, Misioni i ODIHR-it i OSBE-së dha 25 rekomandime për përmirësimin e kushteve të zgjedhjeve.

U formua edhe një grup punues me përfaqësues të pushtetit, opozitës dhe shoqërisë civile.

Nemanja Nenadiq, drejtor programor i “Transparency Serbia”, tha për REL se në vitin 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e këtij grupi.

“Jo vetëm që nuk janë mbajtur mbledhje, por struktura nuk ekziston më siç ishte planifikuar fillimisht”, tha ai.

Ai shtoi se kjo ndodhi pasi përfaqësuesit e opozitës dhe të OJQ-ve, përfshirë “Transparency Serbia”, vendosën të largohen për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e pushtetit.

Nenadiq paralajmëron se tani ka rreziqe të reja për barazinë e garës zgjedhore dhe përdorimin e burimeve publike në fushata.

“Partia në pushtet ka mbajtur aktivitete të rëndësishme pa i prezantuar si të vetat, por duke përfshirë strukturat shtetërore”, tha ai.

Si shembull, ai përmendi tubimin e prillit të organizuar nga presidenti Vuçiq për promovimin e “Lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

“Edhe sot nuk dihet kush ishte organizatori zyrtar i atij tubimi”, tha ai.

Përmirësimi i kushteve zgjedhore ishte gjithashtu temë e takimeve të komisionares për zgjerim të BE-së, Marta Kos, në Beograd, ku ajo bëri thirrje për reforma dhe përmbushje të obligimeve ndaj BE-së.

Në raportin e fundit, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të rekomandimeve të ODIHR-it përpara çdo zgjedhjeje të re./REL

The post Kërkesa e studentëve në Serbi për zgjedhje të parakohshme, provë për pushtetin dhe opozitën appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Protestat në Serbi, studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme pas katastrofës në Novi Sad

Studentët protestues në Serbi po kërkojnë zgjedhje të parakohshme, si mënyrën e vetme për të dalë nga kriza politike që ka përfshirë vendin pas muajsh protestash kundër korrupsionit dhe pasigurisë publike.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale nga organizatorët e protestave, theksohet se votimi i parakohshëm është zgjidhja e vetme për të rikthyer besimin në institucionet e vendit. Ky reagim vjen pas tragjedisë së 1 nëntorit, kur tenda prej betoni e stacionit të trenit në Novi Sad u shemb duke shkaktuar vdekjen e 16 personave. Stacioni ishte rinovuar dy herë më parë, por hetimet dhe kritikat publike theksojnë se korrupsioni dhe mosrespektimi i rregullave të sigurisë ishin faktorët kryesorë të aksidentit fatal.

Fatkeqësia shkaktoi një valë të fuqishme protestash, të udhëhequra nga studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilat kanë fituar mbështetje masive nga qytetarët, duke mobilizuar qindra mijëra njerëz në të gjithë vendin. Kërkesat kryesore janë vendosja e drejtësisë, transparenca dhe rivendosja e sundimit të ligjit.

Megjithatë, kërkesa për zgjedhje të parakohshme është hedhur poshtë nga kryetari i Partisë Progresive Serbe në pushtet dhe ish-kryeministri Milos Vuçeviç, i cili paralajmëroi se shpërbërja e parlamentit dhe caktimi i zgjedhjeve të reja do të sillte “katastrofë” për vendin.

The post Protestat në Serbi, studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme pas katastrofës në Novi Sad appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare/ Protesta në Serbi…

Studentët në Serbi, po bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare për të kapërcyer krizën.

“Ne kërkojmë shpërbërjen e menjëhershme të Asamblesë Kombëtare dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në përputhje me nenin 109 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë!” Besojmë se demokracia është e vetmja mënyrë e duhur për të zgjidhur një krizë politike të këtyre përmasave, prandaj i bëjmë thirrje popullit të mbështesë listën që do t’u besohet studentëve që janë të përjashtuar nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në territorin e Serbisë, në mënyrë që peshorja e drejtësisë të anojë nga e vërteta”, njoftuan studentët në rrjetet sociale, ndërsa u bënë thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve t’i besojnë listës politike që studentët do të mbështesin në zgjedhje.

The post Studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare/ Protesta në Serbi… appeared first on Sot News | Lajme.

  •  

Protesta në Beograd, studentët bllokojnë ndërtesën e transmetuesit publik për të tetën ditë radhazi

Studentët e Universitetit të Beogradit e kanë bllokuar ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), transmetuesit publik, për ditën e tetë radhazi duke pretenduar se ky medium nuk raporton në mënyrë objektive për protestat e tyre. Studentët kërkojnë që të shpallet konkurs i ri për anëtarët e Këshillit të Organit Rregullativ për Mediat Elektronike (REM).

Ndërkohë, RTS-ja ka njoftuar se, për shkak të rrethanave të vështira të punës, është e detyruar ta përshtatë skemën programore, dhe se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Publike Themelore në Beograd kundër personave të panjohur organizatorëve të bllokadës, dhe se ka kërkuar reagim nga institucionet ndërkombëtare.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar opinionin se, në rast se ndodh ndonjë vepër penale, kryesit do të identifikohen dhe ndiqen penalisht në përputhje me ligjin. Studentët kanë qëndruar para RTS-së pandërprerë edhe gjatë katër ditëve të festës së Pashkëve. Atyre u janë bashkuar atje edhe studentë nga qytete të tjera të Serbisë. Veçanërisht vëmendjen e kanë tërhequr studentët nga Novi Pazari, qytet në Serbi me shumicë boshnjake.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, studentët e universiteteve shtetërore në Serbi i kanë bllokuar dhjetëra fakultete dhe kanë organizuar protesta të vazhdueshme, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndjekje penale në lidhje shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz.

Gjatë bllokadës, RTS-ja po e përshtat programin e tij, duke transmetuar filma artistikë apo dokumentarë në vend të programeve të mëngjesit ose emisioneve të tjera. Emisionet kryesore informative po realizohen si një seri kronikash të regjistruara, pa prezantues në studio, duke përfshirë edhe pamje të përzgjedhura nga televizione të tjera.

Redaksia e RTS-së ka bërë thirrje disa herë për t’i dhënë fund bllokadës, duke deklaruar se bllokimi i objekteve dhe pengimi i punonjësve të shërbimit publik në punën e tyre përbën presion të papranueshëm ndaj një mediumi në të cilin qytetarët kanë besuar për vite me radhë.  Gjithashtu, transmetuesi publik ka njoftuar se në rrjetet sociale dhe në sipërfaqe publike po shpërndahen dhe ekspozohen fotografi të redaktorëve dhe gazetarëve të tyre, të cilët paraqiten si armiq të popullit.

Një pjesë e punonjësve të Radiotelevizionit të Serbisë tha më 22 prill se e kupton pakënaqësinë ndaj disa vendimeve redaktuese në programin informativ të televizionit, dhe se nuk dëshiron të identifikohet me to, por se gjithashtu dëshiron që bllokimi i Shërbimit Publik të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të fillojë puna dhe të ndryshohet RTS-ja.

Studentët që po mbajnë bllokadën kanë deklaruar se transmetuesi publik serb “punon kundër të gjithëve neve”, dhe se Rregullatori i Shërbimeve Mediale nuk ekziston.

Studentët e Universitetit të Beogradit po ashtu i kanë dërguar një letër Komisionit për Kulturë dhe Informim të Kuvendit të Serbisë, në të cilën kanë njoftuar se bllokada dhe protesta para RTS-së do të vazhdojnë derisa Komisioni të shpallë thirrjen publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Që nga nëntori i vitit 2024, Këshilli i Organit Rregullativ për Mediat Elektronike (REM) nuk është funksional, pasi anëtarëve u ka përfunduar mandati, duke pamundësuar kështu marrjen e shumë vendimeve të këtij institucioni.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dënuar bllokadën studentore në Radiotelevizionin e Serbisë dhe ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa të ndryshme në ditët në vijim për të rivendosur rendin dhe qetësinë publike. Ai i ka akuzuar studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata në bllokimin e RTS-së se po përpiqen me dhunë ta rrëzojnë shtetin dhe themelet e tij.

Pushteti në Serbi, përndryshe, protestat për rrëzimin e strehës i përshkruan si një revolucion me ngjyra që ka për qëllim rrëzimin e dhunshëm të shtetit. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar të dielën se bllokimi i RTS-së përbën vepër penale, dhe ka shprehur shpresën që të gjitha institucionet kompetente do ta bëjnë punën e tyre.

Bërnabiq ka përsëritur se kërkesat e studentëve janë vetëm një pretekst për ardhjen në pushtet të opozitës. Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka njoftuar se është i vetëdijshëm për bllokimin e RTS-së dhe se po e ndjek nga afër situatën e brendshme politike në Serbi. BE-ja ka bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta, përgjegjëse dhe demokratike.

Kjo nuk është hera e parë që bllokohen shërbimet publike mediale në Serbi. Studentët e Beogradit dhe Novi Sadit u mblodhën papritur më 10 mars para objekteve të mediave publike dhe ua bllokuan të gjitha hyrjet, duke kërkuar raportim objektiv për protestat. Ajo bllokadë zgjati rreth 20 orë./REL

The post Protesta në Beograd, studentët bllokojnë ndërtesën e transmetuesit publik për të tetën ditë radhazi appeared first on Sot News | Lajme.

  •  
❌