Reading view

Bilanci tragjik nga përmbytjet në Kinë, shkon në 25 numri i viktimave në zonën turistike

Është rritur bilanci i viktimave nga përmbytja e menjëhershme që goditi një zonë turistike në veriperëndim të Kinës, duke shkuar nga 10 në 25 persona të vdekur.

Sipas mediave shtetërore kineze, fatkeqësia natyrore ndodhi më 26 korrik në zonën turistike Shuangshimen, në rajonin malor të Gansu-së jugore. Përveç viktimave, 23 persona të tjerë mbetën të plagosur nga vërshimet e fuqishme.

Zona e Shuangshimenit është një destinacion i njohur për alpinistët dhe kampistët gjatë sezonit të verës, por reshjet intensive shkaktuan përmbytje të papritura që sollën shkatërrime të mëdha.

Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se Komisioni Kombëtar i Parandalimit të Fatkeqësive në Kinë do të mbikëqyrë hetimin për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të katastrofës. Kina është përballur këtë verë me një seri fenomenesh ekstreme të motit, përfshirë përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Në fillim të korrikut, 21 persona humbën jetën nga një rrëshqitje toke në të njëjtën provincë të Gansu-së.

Autoritetet kineze kanë shtuar masat e monitorimit dhe paralajmërimit për zonat me rrezik të lartë, ndërsa vendi vijon të përballet me ndikimet e motit ekstrem.

  •  

Shkrumbohet plotësisht magazina bujqësore në Berat, shpëtohet banesa dy katëshe

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një magazinë e mbushur me materiale dhe prodhime bujqësore në fshatin Veterik në bashkinë Berat.

Si pasojë e flakëve magazina është shkrumbuar plotësisht.

Flakët kanë nisur fillimisht në magazinë dhe më pas janë përhapur me shpejtësi edhe drejt banesës dy katëshe që ndodhej ngjitur me të. Në momentin e mbërritjes së forcave zjarrfikëse, zjarri kishte depërtuar në katin e parë të banesës në pronësi të shtetasit Sokrat Delibashi.

Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur lokalizimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme, duke shpëtuar strukturën e banesës nga dëmtime më të mëdha.

 

 

Nga zjarri, magazina me materiale dhe prodhime bujqësore është dëmtuar rëndë dhe është shkrumbuar tërësisht. Shërbimet e policisë,  po punojnë për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në rënien e zjarrit.

  •  

Pendohet Mohamed Alabbar: Ndërtimi në Portin e Durrësit ishte një gabim, veprova shumë shpejt

Biznesmeni dhe sipërmarrësi global, Mohamed Alabbar ka deklaruar se ndërtimin në portin e Durrësit ishte një gabim. Në një rrëfim të publikuar më 1 gusht, Alabbar u shpreh se ndërtimi në Shqipëri u bë shumë shpejt dhe se ishte një gabim.

“Për shembull, në Shqipëri e ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim,” deklaroi ai.

Më tej, Alabbar ndalet te përvoja e tij në Mal të Zi, ku thotë se nuk duhej të kishte marrë pjesë në tenderin për plazhet, duke e cilësuar atë si një ide budallaqe. Ai thotë se pas këshillave ligjore që kishte marrë, kompania e tij paraqiti një ofertë më të lartë për të siguruar fitoren në tender. Megjithatë Mohamed Alabbar e konsideron këtë si një vendim të gabuar.

Mohamed Alabbar: Për shembull, në Shqipëri e ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim. Në Mal të Zi mendoj se nuk duhej të kisha marrë pjesë në tenderin për plazhet. Ishte një ide budallaqe. Gjithmonë debatoja me avokatin tim indian, sepse i thosha: “Dëgjo, a të kujtohet çfarë bëmë në Serbi? Ndërtuam atë shëtitore të bukur para se të nënshkruhej kontrata. Do të bëjmë një beach club aq të bukur, sa ndoshta njerëz nga qytete të tjera do të na telefonojnë.Oh, këta janë njerëz të mirë, e dini. Ose ndoshta në Long Beach, nuk e di ose pak më në veri të Budvës, ka disa plazhe shumë të bukura.”

Donim t’u tregonim atyre një lloj shenje dalluese tonën. Pastaj unë i thashë: “Kam marrë këshillë ligjore, sepse nuk kemi përvojë lokale. Duhet të paguajmë pak më shumë që të shpallemi fitues.”

Por oferta jonë doli e gabuar. Fituam rreth nëntë plazhe dhe, kur pashë që kryetari i Ulqinit ishte i zemëruar, i thashë: “Zotëri, më vjen shumë keq. Ishte gabimi im. Ua kthej të gjitha plazhet familjeve tuaja. Nuk kam asnjë interes për to.” Pra, ishte një gabim.

  •  

Presidenti Begaj dekreton marrëveshjen e huasë 302 milionë dollarëshe me SHBA-në

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë direkte me vlerë 302 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) për fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja, e ratifikuar me ligjin nr. 91/2026, parashikon financimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në në fushën e sigurisë.

Në dekretin e firmosur më 30 korrik 2026, kreu i shtetit ka shpallur ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.

Gjithashtu, Presidenti Begaj ka dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.

Financimi përmes programit FMF synon të mbështesë modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Shqipërisë dhe rritjen e ndërveprimit me strukturat e sigurisë së aleancës euroatlantike.

  •  

Mrekulli nga Deti/ Çanta me 700 mijë euro del në breg të detit, pushuesit mbushin xhepat

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në plazhin Marina di Ragusa në Siçili. Mediat italiane kanë publikuar një video ku shfaqen qindra mijëra euro që kishin përfunduar në det dhe që më pas u nxorën në breg nga dallgët. Pushuesit mbetën të habitur kur panë pako me kartëmonedha që notonin në ujë.

Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit të Marina di Ragusa. Në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, ndërsa një burrë dhe një i mitur mbetën në mjet, i cili u shty nga rrymat detare drejt bregut.

Pushuesit njoftuan rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik të fundosej. Por sapo mjeti i rojës bregdetare iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako të mbushura me kartëmonedha.

Rrymat i sollën pakot deri në plazh, ku pushuesit nxituan t’i merrnin. Pak më vonë, në vendngjarje mbërritën policia, karabinierët dhe efektivët e policisë financiare, të cilët rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan persona që kishin marrë një pjesë të tyre.

Autoritetet njoftuan se kanë sekuestruar afro 700 mijë euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e shumës të mos jetë gjetur ende. Skafi u sekuestrua dhe u dërgua në port për ekzaminim, ndërsa tre persona u arrestuan në kuadër të hetimeve. Në bord ndodhej edhe një i mitur, i cili sipas të dhënave paraprake nuk kishte lidhje familjare me të arrestuarit. Hetuesit po verifikojnë nëse paratë lidhen me aktivitete të krimit të organizuar dhe pastrim parash.

  •  

Berisha: Do bëjmë gjithçka që Olsi Rama të hetohet nga drejtësia amerikane, nuk e votojmë ligjin e lojërave të fatit

Kryetari i PD, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai është një nga personat kryesorë të përfshirë në aktivitetin e lojërave të paligjshme të fatit dhe në skemat e Call Center-ave mashtrues.

Gjatë një bashkëbisedimi online me mediat, Berisha tha se opozita do të bëjë gjithçka që, sipas tij, Olsi Rama të hetohet jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se ai është shtetas shqiptaro-amerikan dhe se ligjet amerikane ndalojnë përfshirjen në veprimtari kriminale edhe jashtë territorit të SHBA-ve.

“Ne jemi të sigurt se Olsi Rama është sot njeriu më kryesor në lojërat ilegale të fatit. Është një nga më kryesorët në vjedhjet e tmerrshme që u bëhen edhe qytetarëve të huaj me Call Center-at. Vendi i tij është para ligjit. Ne do të bëjmë gjithçka që ky qytetar shqiptaro-amerikan të hetohet edhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te projektligji për lojërat e fatit, duke bërë të ditur se opozita nuk do ta mbështesë atë. “Ne nuk e votojmë ligjin e lojërave të fatit. Është ligji Olsi Rama”, u shpreh Berisha.

Fatmir Myrtaj: Zoti Berisha, në Tiranë flitet gjerësisht se Olsi Rama është menaxher i industrisë së lojërave të fatit. Cili është qëndrimi juaj për tentativën e mazhorancës për rikthimin e ligjit të lojërave të fatit në parlament, pas shumë vitesh operimi në mënyrë informale?
Sali Berisha: Ne jemi të sigurt se Olsi Rama është sot njeriu më kryesor në lojërat ilegale të fatit. Është një nga më kryesorët në vjedhjet e tmerrshme që u bëhet edhe qytetarëve të huaj me call center-at, me call center-at. Dhe vendi i tij është dhe duhet të jetë para ligjit.

Ne do bëjmë gjithçka që ky qytetar shqiptaro-amerikan të mund të vlerësohet dhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Të mund të hetohet dhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht se veprimtarinë e tij kriminale nuk e ushtron në Shtetet e Bashkuara por në Shqipëri, por ligjet amerikane e ndalojnë atë të kryejë veprimtari kriminale kudo që të ndodhet.

Kurse ligjin e lojërave të fatit, ne nuk e votojmë.

Është ligji Olsi Rama.

  •  

GJKKO e liroi, Berisha ironizon Ilir Beqajn: Mos u çudisni kur Rama t’i japë certifikatë mirënjohjeje!

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka ironizuar vendimin e GJKKO që la në ‘arrest shtëpie’ ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ai tha se shqiptarët nuk duhet të çuditen nëse Rama pas një jave mund t’i japë certifikatë mirënjohjeje Beqajt.

“Ilir Beqaj u lirua dje. Madje them se pas një jave Edi Rama mund t’i japë atij dhe një certifikatë mirënjohje, siç bëri më Çyrbjan, apo dhe me Agasin.”, tha ai.

Po ashtu ai shtoi se; “Nëse ka njerëz që me aktet e tyre kanë kryer krime ndaj njerëzimit jeni ju të tre (Rama, Manastirliu, Beqaj).”.

  •  

Bashkitë e vogla në protestë kundër shkrirjes, Tedi Blushi: Ndryshimi i hartës territoriale të vendoset me referendum, jo me votat e shumicës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar projektin për Reformën Administrativo-Territoriale, duke kërkuar që çdo ndryshim i hartës administrative të Shqipërisë t’i nënshtrohet një referendumi popullor.

Në një deklaratë për mediat, Blushi e cilësoi projektin e propozuar nga qeveria si një nismë që, sipas tij, synon centralizimin e pushtetit dhe dëmton komunitetet vendore.

Sipas tij, ndryshimi i hartës territoriale nuk është një reformë administrative, por një vendim që prek drejtpërdrejt identitetin, historinë dhe përfaqësimin e komuniteteve lokale.
Blushi argumentoi se reforma territoriale e vitit 2014 nuk arriti rezultatet e premtuara në drejtim të zhvillimit, investimeve dhe përmirësimit të shërbimeve publike, ndërsa shtoi se projekti i ri, sipas Partisë së Lirisë, do të çonte në një centralizim edhe më të madh të pushtetit.

Partia e Lirisë kërkon që çdo projekt për ndryshimin e kufijve administrativo-territorialë të miratohet vetëm pasi të jetë marrë mendimi i qytetarëve përmes referendumit.
Në mbështetje të këtij qëndrimi, Blushi iu referua nenit 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon se kufijtë administrativo-territorialë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Ai përmendi gjithashtu edhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, e cila parashikon konsultimin paraprak të komuniteteve për ndryshimet territoriale.

DEKLARATA

Projekti antikombëtar, shpopullues dhe shkombëtarizues i Edi Ramës për zhdukjen nga harta administrative e Shqipërisë të edhe 15 bashkive të tjera nuk është reformë territoriale.
Është një akt agresioni politik ndaj komuniteteve, historisë dhe identitetit të vendit. Një atentat administrativ ndaj mijëra familjeve dhe vendbanimeve të tyre, të cilat dënohen me braktisje të qëllimshme nga shteti, pa shërbime, me kosto shumëfish më të larta për çdo nevojë elementare dhe të detyruara të përshkojnë dhjetëra kilometra për të marrë një dokument apo një shërbim bazë. Është aplikim i një politikë mizore që e kthen jetën e qytetarëve në një kalvar të përditshëm.
E gjithë kjo nuk bëhet për zhvillim, por për pushtet, vjedhje fondesh dhe pasurish publik dhe centralizim të këtij pushteti.
Edi Rama kërkon të përqendrojë çdo kompetencë, çdo fond dhe çdo vendimmarrje në duart e tij, të grabisë edhe qindarkën e fundit të komuniteteve vendore, çdo pasuri publike që u përket atyre dhe të përshpejtojë dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore.
Ky nuk është decentralizim, është asgjësim i Shqipërisë rurale dhe shndërrimi i vendit në një shtet të centralizuar, të zbrazur nga njerëzit dhe pa identitet.
Pas dështimit spektakolar të reformës territoriale të vitit 2014, që nuk solli as më shumë zhvillim, as më shumë investime, as më shumë shërbime për qytetarët, përkundrazi edhe me 61 bashki shumica e tyre përfunduan në prag falimenti sepse në vend të garantonin më shumë shërbime u shndërruan në agjenci punësimi për më shumë patronazhistë, Edi Rama rikthehet me të njëjtën recetë, por edhe më agresive, më pak bashki, më pak përfaqësim, më pak demokraci dhe më shumë kontroll politik e financiar.
Misioni i tij kriminal dhe antikombëtar është i qartë, ta kthejë Shqipërinë në një bashki të vetme, ku çdo vendim merret në zyrën e Kryeministrit dhe ku pushteti vendor shndërrohet në një degë të qeverisë, pa identitet, pa autonomi dhe pa zë.
Ky projekt nuk ka të bëjë me interesin publik. Ka të bëjë me centralizimin e financave, të vendimmarrjes dhe të kontrollit politik. Sa më pak bashki, aq më pak zëra të pavarur, aq më pak llogaridhënie dhe aq më e lehtë bëhet kapja e pushtetit lokal.
Shqipëria nuk ka nevojë për më pak pushtet vendor. Përkundrazi. Vendet më të zhvilluara të Europës e afrojnë administratën pranë qytetarit, nuk e largojnë atë.
Sllovenia me rreth 2.1 milion banorë ka 212 bashki. Italia ka rreth 8 mijë njësi vendore. Franca mbi 34 mijë. Gjermania rreth 11 mijë. Demokracitë europiane e forcojnë përfaqësimin lokal, sepse e dinë se demokracia fillon nga komuniteti.
Vetëm Edi Rama kërkon të ecë në drejtimin e kundërt, duke u marrë qytetarëve të drejtën për të vendosur mbi fatin e komuniteteve të tyre.
Vetë termi shkrirje është njabitrar dhe diktatorial.
Shuarja e njësive të vetëqeverisjes vendore pa konsultimin e komuniteteve të prekura cenon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimin e autonomisë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar në ndryshimet territoriale.
Më skandalozja është se askush nuk i ka pyetur shqiptarët dhe madje as socialistët vetë, që të prerë në besë nga Edi Rama po djegin masivisht teserat e Partisë Socialiste.
Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, po bashkohen kundër këtij projekti, sepse askush nuk mund të pranojë që harta administrative e Shqipërisë të copëtohet me një urdhër politik dhe të vuloset me votat mekanike të një shumice kartonësh në Kuvend.
Ky nuk është një vendim i zakonshëm administrativ. Është një vendim që prek drejtpërdrejt jetën, familjet, identitetin, historinë dhe të ardhmen e çdo komuniteti shqiptar. Prandaj, fjalën e fundit duhet ta ketë vetëm sovrani.
Partia e Lirisë, në kushtet kur qytetarët as janë pyetur dhe as janë dëgjuar në lidhje me ndarjen e re administrative të vendit, kërkon që çdo projekt për ndryshimin e hartës territoriale të Shqipërisë t’i nënshtrohet referendumit popullor.
Vetëm qytetarët kanë të drejtë të vendosin nëse duan të jetojnë në komunitete që qeverisin dhe përfaqësojnë vetveten, apo në një shtet të centralizuar që nuk ju ofron as shërbimet më bazike.
Neni 108, pika 2 e Kushtetutës sanksionon qartë se kufijtë administrativë-territorialë “nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”.
Po kështu, neni 5 i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore përcakton se: “Për çdo ndryshim të kufijve territorialë vendorë, bashkësive vendore përkatëse duhet t’u merret mendimi paraprakisht, po qe nevoja, me anë referendumi, aty ku e lejon ligji.”
Edi Rama nuk ka marrë kurrë mandat për të fshirë nga harta e Shqipërisë bashki, qytete, histori, identitete dhe komunitete të tëra me një firmë. Shqipëria nuk është prona e tij, nuk është eksperimenti i tij politik dhe as plaçkë që mund ta copëtojë sipas interesave elektorale.
Ky projekt antikombëtar dhe shpopullues duhet të ndalet me çdo mjet demokratik, sepse ai bie ndesh jo vetëm me frymën e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të garantuar nga Kushtetuta, por edhe me të drejtën themelore të qytetarëve për t’u dëgjuar për fatin e komuniteteve ku jetojnë. As 83 kartonët e bindur të Edi Ramës në Kuvend nuk mund ta zëvendësojnë vullnetin e popullit.
Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Ky është parimi themelor i sanksionuar në nenin 2 të Kushtetutës. Prandaj, askush nuk ka të drejtë të zhdukë bashki, të fshijë identitete dhe të rishkruajë hartën e Shqipërisë pa pyetur qytetarët. Mbi çdo shumicë parlamentare qëndron sovrani. Dhe sovrani duhet të flasë përmes referendumit.
Shqipëria u përket shqiptarëve dhe vetëm ata kanë të drejtë të vendosin për kufijtë, komunitetet dhe të ardhmen e tyre.

  •  

Kardinali Ernest Troshani në ish-burgun e Spaçit, 98-vjeçari vizitoi ambientet ku ka qenë i burgosur

Ish-burgu  i Spacit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, aty ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Troshani. 98 vjecari vizitoi fillimisht ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve.

Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dhe politikës.

“Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri tjetrin, atdheun, me mbrojt të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar, njerëzit që me admirim me kanë pritur”,-tha Kardinal Ernest Troshani.

Spaçi mbetet simbol i krimeve të diktaturës komuniste dhe i qëndresës së atyre që refuzuan të nënshtroheshin. Prania e Kardinalit Ernest Simoni, një prej dëshmitarëve më të fortë të persekutimit komunist, i jep kësaj meshe një peshë të veçantë morale dhe historike.
“Emocion i veçante që ndjekim meshë nga Kardinali Ernest Simoni. Këto ndërtesa kanë përjetuar gjak, tmerr dhe në fakt për komunistët ata duan të mos ekzistojnë”- tha Albert Melyshi.

“Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua brezat e rinj do të thonë s’ka ndodhur gjë. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”-tha Dom Gjergj Meta.

Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit. Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.
Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë.

  •  

Kaosi në Ceuta/ Thellohet bilanci, shkon në 86 numri i emigrantëve të vdekur

Autoritetet evropiane kanë ngritur nivelin e gatishmërisë, ndërsa kriza humanitare në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, po merr përmasa alarmante.

Bilanci i viktimave vijon të rritet, teksa ekipet e shpëtimit po zbulojnë trupa të tjerë në bregdet dhe në zonën detare pranë valëpritëses kufitare të El Tarajal. Sipas të dhënave të fundit të konfirmuara, numri i emigrantëve që kanë humbur jetën ka arritur në 86 persona.

Shumica e viktimave raportohet se janë mbytur gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin detar me not drejt territorit spanjoll. Të tjerë kanë humbur jetën nga plagët e marra gjatë përplasjeve dhe përpjekjeve masive për të kapërcyer barrierat kufitare.

Tragjedia ka shkaktuar reagime të forta në nivel evropian, ndërsa institucionet e Bashkimit Evropian po ndjekin me shqetësim situatën dhe po kërkojnë koordinim më të madh mes vendeve anëtare për menaxhimin e flukseve migratore dhe parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve.

Ceuta, një nga dy enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut, mbetet një nga pikat më të ndjeshme të kufirit të jashtëm të BE-së, ku mijëra emigrantë tentojnë çdo vit të hyjnë në Evropë në kërkim të një jete më të mirë.
  •  

Operatori i Sterilizimit do të ofrojë check up-in dhe dializën, “3P life” dhe “Evita” moren miliona euro

Shërbimi i dializës në 5 spitalet rajonale si dhe ai i check up-t për popullatën e gjerë do të kryhen nga Operatori i Shërbimeve të Sterilizimit. Përmes një vendimi të posaçëm, qeveria ka ndryshuar emrin e kësaj shoqërie, e cila këtej e tutje do të quhet Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore si dhe do të ofrojë përveç shërbimit të sterilizimit, edhe ato të kontrollit bazë mjekësor dhe hemodializën.

“Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a, me kapital 100% shtetëror, krijohet për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit, organizimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendrat pranë spitaleve Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Korçë,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Të dy këto shërbime, ai i kontrollit mjekësor bazë dhe ai i hemodializës aktualisht ofrohen nga dy kompani konçesionare, përkatësisht 3P life dhe Evita.

“OSHISH, sh.a., ofron shërbimet e mësipërme, pas përfundimit të afatit të kontratave përkatëse të koncesionit/partneritetit publik privat për kontrollin mjekësor bazë dhe për ofrimin e shërbimit të hemodializës,” thotë vendimi i qeverisë.

Sipas tij, shoqëria aksionare OSHISH, sh.a., financohet nga të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve publike të integruara të sterilizimit. Për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës, OSHISH, sh.a., si dhënës shërbimi i licencuar, financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor./Kapitali.al

  •  

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12 mijë euro në muaj

Klodian Tomorri

Kryeministri Edi Rama promovoi dje me bujë të madhe 40 makinat e para ushtarake, sipas tij të prodhuara në Shqipëri, nga partneriteti mes shoqërisë publike Kayo dhe asaj private Timak.

Por kur qytetarët vërshuan me komente në rrjetet sociale se si një kompani shqiptare prodhon automjete Toyota, Land Cruiser apo Man, kryeministri u detyrua të bënte një sqarim me nota nervozizmi.

“Makinat janë të standardeve të NATO-s dhe po, janë prodhuar në Shqipëri! Po, me pjesët e këmbimit të marra nga kolosë të industrisë automotive, por kush thotë se ky nuk quhet prodhim nuk di çfarë flet dhe ndërkohë kush mendon se kjo është lojë, le ta pyesë veten si ka mundësi që 30 vende aleate e mike kanë lidhur kontrata blerjeje nga kompania shqiptare?! Urrejtja është e zeza e t’Zot thoshte gjyshja ime e mençur,” shkroi Edi Rama.

Zinxhirët globalë të prodhimit janë një realitet i pamohueshëm i ekonomisë moderne, prej shumë vitesh tashmë. Por a ka hyrë me të vërtetë Shqipëria në industrinë e prodhimit të automjeteve, ashtu siç pretendon kryeministri?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje ka një mënyrë shumë të thjeshtë. Të shohësh se cila është vlera e shtuar që gjenerohet në vend. Dhe vlera e shtuar vjen nga tre faktorët e prodhimit. Puna, kapitali, ose nga efiçenca me të cilën kombinohen këto të dyja, që ndryshe njihet si produktiviteti.

Timak Defence, kompania që furnizoi 40 automjetet e ushtrisë, u krijua në 4 gusht të vitit të kaluar. Në fund të dhjetorit, kompania e cila zotërohet 80 për qind nga Timak dhe 20 për qind nga Kayo kishte gjithsej 14 punonjës. Tabela në foton më poshtë paraqet zërat kryesorë të shpenzimeve në bilancin e Timak Defence për vitin e kaluar.

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12

Shpenzimet per paga te Timak Defence

Sipas tabelës, për 5 muaj kompania ka patur një fond bruto pagash prej 5.8 milionë lekësh ose rreth 61 mijë euro. Pra mesatarisht, fondi i pagave të Timak është 12 mijë euro në muaj dhe 14 punonjësit e saj marrin një pagë bruto prej rreth 860 eurosh, neto shumë më pak se kaq.

Pra e gjithë vlera e shtuar nga puna në Shqipëri nga prodhimi i makinave që thotë kryeministri është 12 mijë euro në muaj ose rreth 150 mijë euro në vit. Ky fond pagash është klasik për një kioskë të vogël, bar kafe ose për një mikrondërmarrje fasoni.

Për krahasim, fabrika e DMM Dräxlmaier Manufacturing në Kavadarci të Maqedonisë së Veriut, e cila prodhon pjesë këmbimi për automjete, paguan 5.8 milionë euro rroga në muaj ose rreth 70 milionë euro rroga në vit

Faktori i dytë i prodhimit që gjeneron vlerë të shtuar është kapitali. Në rastin e industrive prodhuese, kapitali është kryesisht fizik, pra në formën e makinerive, pajisjeve, linjave të prodhimit e kështu me radhë.

Në bilanc, ky kapital klasifikohet në zërin e aktiveve afatgjata të qëndrueshme. Sipas bilancit të Timak Defence, në fund të vitit të kaluar aktivet afatgjata të kompanisë rezultonin gjithsej 146 mijë lekë ose 1 mijë e 500 euro. Këto duhet të jene saldatriçet.

Kompania e kryeministrit që prodhon makina me buxhet total rrogash 12

Aktivet e Timak Defence

Po, kompania rezulton të ketë 10.5 milionë euro aktive afatshkurtra. Këto janë parapagime që Timak Defence ka marrë nga buxheti i shtetit përmes kontratave sekrete, pra nga paratë e qytetarëve për të furnizuar institucionet publike me dronë dhe automjete. (Lexo këtu)

Me pak fjalë, Timak Defence gjeneron një vlerë të shtuar të papërfillshme nga puna dhe ka zero kapital fizik. Praktikisht gjeneron zero vlerë të shtuar në prodhim. Por kryeministri thotë se ajo prodhon automjete, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për OKB-në madje.

Në fakt, ajo që bën Timak Defence është një gjë tjetër dhe jo prodhimi i automjeteve. Timak Defence është instrumenti përmes të cilit qeveria asgjësoi konkurrencën në tenderat publikë të furnizimit të institucioneve shtetërore me automjete.

Tashmë ushtria nuk i blen me automjetet me tender të hapur, ku kompanitë garojnë duke ulur çmimet, por është e detyruar t’i blejë vetëm nga Timak Defence, e cila importon automjetet nga jashtë me çmim x dhe ja shet ushtrisë nga pozita e monopolit me çmim x plus shumë marzh. Ky nuk është prodhim.

Për këtë, gjuha shqipe ka një tjetër fjalë. Dhe ajo fjalë nuk është Besa./Kapital.al

  •  

Zbardhet pasuria milionëshe e Ermal Beqirit në Francë/ Mbi 2 mln euro në banka, bleu kështjellë 2.6 mln euro, 2 apartamente dhe…

SPAK në njoftimin zyrtar mbi arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiri të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e AKSHI-t, ka zbardhur edhe pasuritë me vlerë miliona euro, nga llogaritë bankare te pasuritë e paluajtshme që ai disponon në shtetin francez ku dhe u arrestua.

Po ashtu SPAK njofton se këto pasuri do të sekuestrohen.

Pjesë nga njoftimi i SPAK:

2 mln euro në llogari bankare, bleu kështjellë 2.6 mln euro, 2 apartamente

“Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj.

Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.

Më datë 24 korrik 2026, biznesmeni Ermal Beqiri u arrestua nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme).

Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

  •  

Detaje nga aksidenti në galerinë e kromit në Tërnovë të Bulqizës/ Policia: Minatori ra në furnelë gjatë procesit të punës

Një aksident i rëndë është regjistruar në një minierë kromi në zonën e Tërnovës së Madhe, në bashkinë Bulqizë, ku një minator 40-vjeçar ka mbetur i bllokuar gjatë procesit të punës.

Viktima është identifikuar si Ilir Kalaveri, banues në Burrel, i cili punonte si minator/brigadier në subjektin privat që menaxhon aktivitetin minerar, kompania “Eternal Security”.

Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari është mbuluar nga masivi i kromit. Forcat e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Pjesë e verifikimeve do të jenë edhe kushtet e sigurisë në punë, si dhe dokumentacioni dhe procedurat e kompanisë që administron minierën.
Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:00, në vendin e quajtur Tërnovë e Madhe, bashkia Bulqizë, shtetasi I. K., 40 vjeç, banues në Burrel, me detyrë minator/brigadier në një subjekt privat, dyshohet se ka rënë në një furnel gjatë procesit të punës.

Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari është mbuluar nga materiali i kromit. Shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po vijojnë punën për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  •  

Neutralizohet zjarri në Drenovë të Mallakastrës pas disa orësh në luftë me flakët. Digjen rreth 10 hektarë ullinj dhe pyll

Pas një operacioni intensiv disaorësh, zjarri në Drenovë të Mallakastrës është neutralizuar, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave dhe varrezave të zonës.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga disa bashki, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Sipas përllogaritjeve paraprake, nga zjarri janë përshkuar rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre.

Forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin e terrenit për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

 

 

 

  •  

Berisha për protestat: Nuk po i ndal as temperaturat e larta dhe as “terrori policor”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale edhe për protestat qytetare, që vijojnë pa u ndalur prej më shumë se dy muajsh kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Ai theksoi se as temperaturat e larta dhe as, siç e quajti ai, “terrori policor”, nuk kanë arritur të ndalin protestuesit shqiptarë kundër Edi Ramës.

Sipas Berishës, “çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme.”

Kreu i PD-së akuzoi Ramën se në daljet e tij publike nuk trajton problemet e qytetarëve, por fokusohet vetëm te ruajtja e pushtetit.

“Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare…. Në të gjitha pa përjashtim ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te protesta e paralajmëruar për mbrëmjen e sotme, ku qytetarëve do i bashkohet edhe diaspora shqiptare.

“Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës”, tha ai.

Berisha: Situata në Shqipëri karakterizohet nga temperaturat më të larta të motit, por dhe kriza më e thellë politike, e cila po përpin çdo ditë e më shumë jetën e vendit. Protesta rinore qytetare vazhdon me një heroizëm epik.

Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit.

As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës.

Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme.

Por, më shumë se kushdo tjetër, këtë e fakton vetë Edi Rama, i cili i ndryrë në bunkerin e tij ka zgjedhur të mbajë fjalime, llafollogjira, të cilat në shumë aspekte iu ngjajnë shumë atyre që mbante diktatori dikur apo që mbajnë diktatorët e sotëm në Amerikën Latine.

Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare.

Rikujtoni pak ato fjalime, në asnjërin prej tyre nuk ekziston qytetari.

Në asnjërin prej tyre nuk ekziston Shqipëria.

Në asnjërin prej tyre nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi.

Në të gjitha pa përjashtim ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit…

Ndërkohë, të dashur miq, PD po vazhdon aktivitetin e saj në përputhje me direktivat e Kuvendit të fundit, organizimit, dixhitalizimit, vizionit dhe këtu çdo ditë punohet me intensitet në këto drejtime.

Por unë dua ta mbyll këtë përshëndetje të shkurtër me thirrjen tuaj, sot është një ditë shumë e veçantë për protestën.

Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës.

  •  

Belshi kundër hartës së re territoriale, banorët protestojnë ndaj bashkimit me Elbasanin

Qytetarët e Belshit janë ngritur në protestë kundër projektit të ri të Reformës Administrativo-Territoriale, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë Belsh me Bashkinë Elbasan. Dhjetëra banorë u mblodhën këtë të shtunë në qendër të qytetit, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara në hartën e re territoriale. Me pankarta në duar dhe mesazhe në mbrojtje të identitetit lokal, protestuesit kërkuan që Belshi të vijojë të jetë një bashki më vete.

Një nga pankartat që tërhoqi vëmendjen mbante mbishkrimin: “Rilindja e donte Belshin kryeqytet, ju po e asimiloni”, një mesazh që sipas qytetarëve pasqyron shqetësimin e tyre për humbjen e peshës administrative dhe të identitetit të zonës.

Protestuesit kërkuan gjithashtu një reagim publik nga drejtuesit vendorë, duke u bërë thirrje institucioneve të Bashkisë Belsh që të mbrojnë interesat e komunitetit dhe të kundërshtojnë ndryshimet që, sipas tyre, nuk marrin parasysh vullnetin e banorëve. Sipas qytetarëve, bashkimi me Elbasanin mund të sjellë pasoja në përfaqësimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ata kërkojnë që çdo ndryshim në ndarjen territoriale të bëhet vetëm pas konsultimeve të gjera me banorët.

Protesta në Belsh është pjesë e një vale reagimesh në disa bashki të vendit, ku qytetarë dhe përfaqësues vendorë kanë kundërshtuar projektin e ri të Reformës Administrativo-Territoriale. Debati për riorganizimin e pushtetit vendor pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa institucionet qendrore do të shqyrtojnë propozimet për hartën e re territoriale.

  •  

Sot skadon kompensimi i naftës me 50 lekë/litër, shoqatat i kërkojnë qeverisë zgjatjen me 3 muaj

Administrata tatimore rikujton kompanitë e sektorit të transportit publik se këtë të shtunë mbyllet afati për të aplikuar për të marrë kompensimin për çmimin e naftës.

“Aplikoni për të përfituar kompensimin prej 50 lekë/litër për karburantin e konsumuar gjatë periudhës mars–prill–maj 2026”, thuhet në njoftim.

Në maj qeveria vendosi të kompensojë çmimin e naftës me 50 lekë për transportin publik, si rezultat i shtrenjtimit të karburantit prej luftës në lindjen e Mesme. Kjo mbështetje është vetëm për mars, prill dhe maj.

Ndërkohë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar nga qeveria zgjatjen e kompensimit deri në shtator për shkak se çmimi i naftës ende mbetet i lartë, dhe ditët e fundit ka arritur deri në 214 lekë për litër.

Deklarata e plotë

Në vijim të takimeve dhe komunikimeve të zhvilluara lidhur me situatën financiare të operatorëve të transportit publik, dëshirojmë të rikthejmë në vëmendjen tuaj shqetësimin serioz që vazhdon të ndikojë në mbarëvajtjen e këtij shërbimi me rëndësi jetike për qytetarët.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, e cila aktualisht ka arritur nivelet më të larta të vitit, ka rënduar ndjeshëm kostot operative të sektorit. Duke pasur parasysh konsumin e lartë të karburantit nga mjetet e transportit publik, kjo situatë ka krijuar një barrë financiare të papërballueshme për operatorët, duke vënë në rrezik vazhdimësinë normale të aktivitetit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve, institucioneve tatimore dhe kreditorëve të tjerë. Një situatë e tillë do të cenonte jo vetëm stabilitetin ekonomik të operatorëve, por edhe vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët.

Për këto arsye, kërkojmë nga institucionet tuaja që të propozojnë pranë Këshillit të Ministrave vijimin e skemës së kompensimit për operatorët e transportit publik edhe për periudhën qershor, korrik dhe gusht 2026, si një masë e domosdoshme për garantimin e funksionimit normal të këtij sektori.

Njëkohësisht, kërkojmë që procedurat e rimbursimit të thjeshtohen dhe të përshpejtohen, pasi një pjesë e operatorëve ende nuk kanë përfituar pagesat e mëparshme. Përshpejtimi i këtyre procedurave do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes financiare të operatorëve dhe në garantimin e vijimësisë së shërbimit.

Duke vlerësuar rëndësinë e transportit publik si një shërbim me interes të lartë publik, besojmë se institucionet që ju përfaqësoni do ta trajtojnë këtë kërkesë me prioritet dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.

  •  

Qeveria pezullon ndërtimet në zonat turistike deri më 15 shtator 2026, Gonxhja: Synojmë sezon të qetë dhe cilësor

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi se pas vendimit të Këshillit të Ministrave, punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike janë pezulluar përkohësisht.

Sipas Gonxhes, periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe përfundon më 15 shtator 2026.

“Kjo masë synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve turistike dhe një mjedis më të qetë e cilësor për qytetarët dhe vizitorët”, tha ai.

Vendimi sipas ministrit Gonxhja përcakton punimet që pezullohen; punimet që përjashtohen nga pezullimi; zonat ku zbatohet masa; rregullat për lejet e ndërtimit; masat administrative në rast shkeljesh dhe institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e tij.

Ministri Gonxhja ftoi të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ndërtimore të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta.

Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.

Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to.

Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.

  •  

“Populli i Fushë-Arrëzit do të shkojë në referendum!”- Hil Curri kundër shkrirjes së bashkisë: Do ta ndjekim çështjen edhe me institucionet ndërkombëtare

Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar nismën për shkrirjen e bashkisë që drejton, duke deklaruar se qytetarët do të vendosin përmes referendumit.

Sipas tij, për këtë proces nuk është zhvilluar asnjë konsultim me komunitetin, madje as bashkia nuk ka një njoftimi zyrtar nga asnjë institucion për reformën.

“Ne si bashki nuk kemi asnjë lloj njoftimi zyrtar nga asnjë lloj institucioni për reformën. Por paraprakisht, Bashkia e Fushë-Arrëzit i ka marrë të gjitha masat, është lajmëruar Këshilli Bashkiak dhe ka filluar procesi me anë të organizatave të shoqërisë civile, për kalimin në referendum”, tha Curri.

Ai theksoi se Fushë-Arrëzi ka potencial të rëndësishëm ekonomik dhe industrial, duke përmendur aktivitetin minerar dhe bizneset që operojnë në zonë.

Curri deklaroi gjithashtu se do të kërkojnë mbështetje nga institucionet ndërkombëtare, diaspora dhe shoqëria civile, ndërsa kërkoi që deputetët, si të djathtë ashtu edhe të majtë, të mos e mbështesin një vendim për shkrirjen e bashkisë.

“Fushë-Arrëzi është një bashki që ka potencial, ka një industri. Sot që po flasim kemi katër miniera, tre fabrika uji dhe potenciali industrial në bashkinë tonë është më i madh se në çdo bashki tjetër, mendoj. Mendoj se me mjetet demokratike, Bashkia e Fushë-Arrëzit do të jetë ndër bashkitë që do t’i dalë zot vetes dhe mendoj që këtu do të lobojmë shumë edhe me institucionet ndërkombëtare, diasporën, shoqërinë civile. Nuk do të jetë e lehtë që Bashkia e Fushë-Arrëzit të shkrihet. Deputetët të djathtë dhe të majtë të mos e votojnë”, tha ai.

  •  
❌