Reading view

Tatimet sqarojnë kompensimin 10% për fermerët: afatet, faturat dhe pagesa

Administrata Tatimore ka sqaruar procedurat që duhet të ndjekin fermerët për të përfituar kompensimin 10% për produktet bujqësore, nga kushtet e shitjes dhe dokumentimi me autofaturë, deri te aplikimi në e-Filing dhe afatet e pagesës.

Për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026 kërkesat mund të paraqiten deri më 31 dhjetor, ndërsa kompensimi kalon në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve, pas verifikimeve përkatëse.

 

  1. Jam një fermer i regjistruar në DRT dhe kam një NIPT e certifikatë me të cilën jam pajisur nga Administrata Tatimore. Kujt duhet t’ia shes produktet e realizuara nga puna ime për të përfituar kompensimin 10%?

Produktet bujqësore duhet t’ia shisni një personi të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.

  1. Në lidhje me aplikimin për kompensimin e fermerëve, do të doja të informohesha nëse faturat duhet të ngarkohen veçmas në sistem apo mund të bashkohen në një dokument të vetëm, si dhe nëse afati i aplikimit varet nga data e lëshimit të faturave apo është i njëjtë për të gjithë fermerët.

Gjatë procesit të aplikimit online nuk është e nevojshme të ngarkoni faturat (autofaturat). Vetëm në rast se kërkohet nga Administrata Tatimore, mund të bashkëngjitni dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.

Për më shumë udhëzime mbi procesin e aplikimit online për kompensimin e fermerëve, ju lutemi t’u referoheni udhëzuesve të publikuar nga Administrata Tatimore në faqen zyrtare të internetit, në rrjetet sociale dhe në kanalin zyrtar në YouTube.

Për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor 2026, fermerët mund të aplikojnë nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor 2026.

  1. Unë prodhoj livando dhe blerësi nuk më lëshon autofaturë. Si mund të përfitoj kompensimin?

Për të përfituar kompensimin në masën 10% për produktet bujqësore, transaksioni duhet të jetë i dokumentuar me faturë tatimore (autofaturë).

Administrata Tatimore ju fton të përdorni aplikacionin “Denonco Evazionin” për të raportuar çdo rast të shkeljeve tatimore. Çdo denoncim i qytetarëve do të trajtohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të legjislacionit tatimor.

  1. Kam hyrë në e-Filing për të aplikuar për kompensim për fermerët, por faturat e muajit qershor 2026 nuk më shfaqen në sistem, megjithëse disponoj autofaturat për shitjen e elbit dhe grurit. A do ta humbas të drejtën e kompensimit për faturat që nuk më shfaqen?

Jo. Mosshfaqja e disa faturave në sistem nuk ju bën të humbni të drejtën për të përfituar kompensimin, nëse plotësoni kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Nëse keni aplikuar përpara datës 10 të muajit pasardhës, faturat e muajit qershor 2026 mund të mos jenë shfaqur ende në sistem, pasi librat e blerjes transferohen nga sistemi SelfCare në sistemin CATS pas datës 10 të çdo muaji.

Në këtë rast, ju mund të aplikoni përsëri dhe në sistem do t’ju shfaqen faturat për mallrat e furnizuara kundrejt grumbulluesve, përpunuesve ose agroturizmit të certifikuar.

  1. Jemi subjekt eksportues dhe blejmë produkte nga fermerë vendas. Në sistemin SelfCare, këto blerje janë shfaqur në rubrikën 46 me TVSH 6%, ndërsa në e-Filing, pas përditësimit të rubrikës 46, ato shfaqen me TVSH 0%. A ndikon ky ndryshim në transmetimin e blerjeve tona te llogaria e fermerëve në e-Filing dhe a duhet fermerët me të cilët kemi bashkëpunuar të ndjekin ndonjë procedurë të veçantë për të aplikuar online për kompensimin, sipas udhëzimit të ri të Administratës Tatimore?

Blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët vendas nuk duhet të deklarohen me TVSH 6%, por si blerje të përjashtuara nga TVSH-ja (0%). Nëse në sistemin SelfCare ato shfaqen me TVSH 6%, kjo tregon se konfigurimi i programit të faturimit nuk është i saktë dhe duhet të korrigjohet në bashkëpunim me ofruesin e zgjidhjes softuerike.

Nëse këto blerje deklarohen me TVSH 6% edhe në e-Filing, vlera e kompensimit do të llogaritet gabim dhe kërkesa për kompensim mund të refuzohet nga Administrata Tatimore.

Ky ndryshim nuk ndikon në procedurën që duhet të ndjekin fermerët. Fermerët vijojnë të aplikojnë online në e-Filing sipas procedurës së publikuar nga Administrata Tatimore, me kusht që produktet bujqësore t’i kenë furnizuar te grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar.

  1. Cili është afati i aplikimit për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit 2026?

Për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit 2026, fermerët mund të paraqesin kërkesën për kompensim nga data 1 janar 2027 deri më 30 qershor 2027.

Si më paguhet kompensimi i përfituar dhe brenda çfarë afati?

Kompensimi paguhet nga Administrata Tatimore drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar nga prodhuesi bujqësor (emri i bankës dhe numri IBAN, sipas të dhënave të plotësuara në formularin e aplikimit), brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të rezultojnë të përmbushura kërkesat dhe kushtet e përcaktuara në ligj dhe në udhëzim, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse.

 

The post Tatimet sqarojnë kompensimin 10% për fermerët: afatet, faturat dhe pagesa appeared first on Revista Monitor.

  •  

Sistemi i ri i kufijve në BE dyfishon rastet kur pasagjerët humbin fluturimin tranzit

Numri i udhëtarëve që humbën fluturimet lidhëse në Europë u dyfishua gjatë verës, pas zbatimit të sistemit elektronik të kufijve të Bashkimit Europian, i cili është përballur me kritika të shumta, sipas kompanive ajrore.

Disa operatorë raportuan deri në gjashtëfishim të numrit të pasagjerëve që nuk arritën të kapnin fluturimin pasues, pasi mbetën në radhë në radhë për disa orë, bëri të ditur të enjten Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

Industria kishte paralajmëruar më herët se Sistemi i ri i Hyrje-Daljeve i BE-së (Entry-Exit System – EES), i cili kërkon që udhëtarët nga vendet jashtë Unionit të fotografohen dhe të japin shenjat e gishtërinjve gjatë hyrjes dhe daljes, do të sillte vonesa të gjata.

“Humbja e fluturimeve nuk është diçka e re, por EES e përkeqëson situatën”, tha Thomas Reynaert, zëvendëspresident i lartë në IATA.

Sistemi inteligjent i kontrollit kufitar u vu plotësisht në zbatim në fillim të këtij viti, por është shoqëruar me probleme, përfshirë defekte teknologjike dhe mungesë personeli. Këto vështirësi kanë shkaktuar pritje të gjata dhe paralajmërime për kaos në udhëtimet verore.

Për të përballuar fluksin në oraret e pikut, disa vende të BE-së pezulluan gjatë verës një pjesë të kontrolleve. Në këto raste regjistroheshin vetëm të dhënat personale të udhëtarëve, pa marrë shenjat e gishtërinjve apo fotografinë.

Falë këtij fleksibiliteti, paralajmërimet e mëparshme të industrisë për radhë deri në gjashtë orë nuk u materializuan. Megjithatë, në disa pika kufitare pati ende probleme të konsiderueshme.

“Edhe me masat lehtësuese në fuqi, kemi parë se vështirësitë operacionale vazhdojnë të shfaqen në disa pika kufitare në Europë”, tha Reynaert.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Markus Lammert, deklaroi më herët këtë javë se “në përgjithësi sistemi ka funksionuar mirë, edhe falë fleksibilitetit që parashikon”.

Këto masa lehtësuese pritet të hiqen në fund të kësaj jave, megjithëse Komisioni ka sinjalizuar se mund të tolerojë vendet që vazhdojnë të pezullojnë një pjesë të kontrolleve biometrike për të përballuar flukset e mëdha.

Aeroporte si Korfuzi dhe Tenerife u prekën veçanërisht gjatë sezonit turistik, por zyrtarët presin që situata të bëhet më e menaxhueshme me përfundimin e verës.

Nëntë vende, mes tyre Gjermania, Franca dhe Italia, i kërkuan Komisionit në korrik shtyrjen e ndryshimeve. Reynaert paralajmëroi të enjten se heqja e fleksibilitetit “krijon një rrezik real për shtim të mbipopullimit dhe problemeve operacionale”.

Lammert tha se Komisioni u kishte “ofruar ndihmë shtesë shteteve anëtare të prekura dhe u kishte kërkuar të intensifikonin më tej përgatitjet operacionale, përfshirë masat e nevojshme teknike, organizative dhe të komunikimit, në mënyrë që vështirësitë e mbetura të zgjidhen plotësisht deri në fund të vitit”.

Zyrtarët e BE-së kanë bërë të ditur gjithashtu se Komisioni nuk do të nisë procedura për shkelje ligjore ndaj vendeve të përfshira.

“Ekziston një vullnet i fortë i përbashkët që sistemi të funksionojë kudo në përputhje me rregullat”, tha Lammert.

Komisioni ka theksuar edhe përfitimet e sistemit dixhital të kufijve. Deri tani ai ka regjistruar 180 milionë hyrje dhe dalje, ndërsa ka refuzuar 60 mijë hyrje, përfshirë më shumë se 1,700 persona që konsideroheshin kërcënim për sigurinë./ Financial Times

The post Sistemi i ri i kufijve në BE dyfishon rastet kur pasagjerët humbin fluturimin tranzit appeared first on Revista Monitor.

  •  

Panda Electric Motors firmos marrëveshjen për përfaqësimin ekskluziv të XPENG në Shqipëri dhe Kosovë

Panda Electric Motors ka firmosur marrëveshjen për përfaqësimin ekskluziv të XPENG në tregun shqiptar, duke shënuar hyrjen zyrtare të markës së njohur të automjeteve inteligjente elektrike në Shqipëri dhe Kosovë.

 

Më 1 shtator 2026, në ambientet e XPENG në Guangzhou të Kinës, Panda Electric Motors firmosi marrëveshjen përmes së cilës merr të drejtën e distributorit ekskluziv të markës në Shqipëri.

Marrëveshja formalizon praninë zyrtare të XPENG në tregun shqiptar dhe shënon një fazë të re në bashkëpunimin mes dy kompanive.

Një partneritet i drejtpërdrejtë me XPENG

Për Panda Electric Motors, kjo marrëveshje vjen pas një periudhe bashkëpunimi me XPENG, të nisur që në fazat e para të zhvillimit të kompanisë shqiptare.

Panda Electric Motors është kompania e parë në Shqipëri që ka lidhur një marrëveshje të drejtpërdrejtë me nje MARKE kineze, duke vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me prodhuesin dhe duke sjellë zyrtarisht markën XPENG në tregun shqiptar.

Në ceremoninë e firmosjes morën pjesë pronarët e Panda Electric Motors, Ermel Begaj dhe Elidon Dogjani, së bashku me përfaqësues dhe drejtues të XPENG.

Cilat modele do të ofrojë XPENG Albania?

Nëpërmjet XPENG Albania do të prezantohet në tregun shqiptar një gamë e gjerë automjetesh elektrike dhe inteligjente të markës, duke përfshirë modelet MONA M03, MONA L03, L05, P7,P7+,  G6, G7, G9, G9L, GX, dronat fluturues dhe robotet humanoid.

Klientët shqiptarë do të kenë mundësi t’i blejnë automjetet përmes një strukture zyrtare shitjeje, të shoqëruar me shërbime të autorizuara pas shitjes dhe mbështetje të drejtpërdrejtë nga marka.

Showroom zyrtar në qendër të Tiranës

Prania zyrtare e XPENG në Shqipëri do të nisë në Bulevardin “Gjergj Fishta”, pranë hotelit Hilton në Tiranë.

Në këtë hapësirë, klientët do të kenë mundësi të njihen nga afër me modelet, teknologjitë dhe sistemet inteligjente të XPENG, si dhe të marrin informacion të specializuar për blerjen dhe mirëmbajtjen e automjeteve.

Çfarë ndryshon për klientët shqiptarë?

Përfaqësimi zyrtar u siguron klientëve akses në një strukturë të autorizuar shitjeje dhe shërbimi pas shitjes. Automjetet XPENG do të mbështeten nga diagnostikimi zyrtar, servisi i autorizuar dhe furnizimi me pjesë origjinale.

Ndërhyrjet dhe mirëmbajtjet do të dokumentohen në historikun e servisit të automjetit, ndërsa klientët do të përfitojnë përditësime zyrtare të software-it, njoftime teknike dhe mbështetje përmes kanaleve të autorizuara të XPENG.

Sipas kushteve të përcaktuara për tregun shqiptar, automjetet do të ofrohen me garanci fabrike prej 5 vitesh ose 120,000 kilometrash për automjetin dhe 8 vitesh ose 160,000 km për tre sistemet elektrike, cilido kufi të arrihet i pari.

Më shumë se prezantimi i një marke të re

Marrëveshja shkon përtej prezantimit të një marke të re automjetesh në Shqipëri. Për herë të parë, klientët shqiptarë do të kenë një kanal zyrtar XPENG për blerjen, diagnostikimin, mirëmbajtjen, pjesët origjinale, garancinë, përditësimet e software-it dhe mbështetjen pas shitjes.

Për Panda Electric Motors, marrëveshja e firmosur në Guangzhou përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e kompanisë dhe në zgjerimin e aktivitetit të saj në sektorin e mobilitetit elektrik.

Për XPENG, hyrja zyrtare në Shqipëri shënon zgjerimin e mëtejshëm të pranisë së markës në tregjet ndërkombëtare.

Nga firmosja e marrëveshjes në Guangzhou deri te ngritja e strukturës së dedikuar në Tiranë, ky partneritet hap një kapitull të ri për XPENG dhe për tregun shqiptar të automjeteve elektrike.
Panda Electric Motors – 069 804 4800 / 069 764 4444.

The post Panda Electric Motors firmos marrëveshjen për përfaqësimin ekskluziv të XPENG në Shqipëri dhe Kosovë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Ari italian në SHBA, pse 1,061 tonë mbeten në Nju Jork. Pas Holandës, a duhet të zhvendosen?

Nga Massimiliano Jattoni Dall’Asén/ Corriere della Sera

 

Banka e Italisë mban në Shtetet e Bashkuara më shumë se 43% të rezervave të saj në ar. Vendimi i Holandës për të pakësuar ndjeshëm sasinë e depozituar në Nju Jork ka rikthyer debatin mbi sigurinë, diversifikimin dhe rolin e gjeopolitikës në administrimin e këtij aseti.

Banka qendrore holandeze ka vendosur të ulë ndjeshëm pjesën e rezervave që ruhen në Nju Jork, duke transferuar drejt Londrës një sasi të metalit të çmuar të mbajtur deri tani në Amerikën e Veriut. Nga marsi në gusht, De Nederlandsche Bank rialokoi rreth 86 ton.

Pesha e depozituar në Nju Jork zbriti nga 31.3% në 18.5% të totalit, ndërsa ajo në Londër u ngjit nga 18.1% në 32.1%. Sipas institucionit, vendimi u nxit nga “paqëndrueshmëria gjeopolitike” në rritje, nevoja për shpërndarje më të mirë të rrezikut dhe mundësia për t’i përdorur rezervat më shpejt në rast krize.

 

Por çfarë ndodh me Italinë?

Banka e Italisë ka 1,061.5 ton ar në Shtetet e Bashkuara, ose 43.29% të gjithë rezervës kombëtare. Kjo sasi është pak më e vogël se afro 1,100 tonët e mbajtur brenda vendit dhe shumë më e madhe se 149.3 tonët e depozituar në Zvicër apo 141.2 tonët në Mbretërinë e Bashkuar.

Në total, Italia zotëron 2,452 ton. Sipas rezervave të deklaruara zyrtarisht, vendi ka stokun e tretë më të madh kombëtar në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.

Kjo renditje duhet parë me njëfarë kujdesi. Kina deklaronte 2,366 ton në fund të korrikut, por blerjet e paregjistruara të sektorit publik vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në treg. Disa analistë vlerësojnë se sasia reale e Pekinit mund të jetë më e madhe se ajo zyrtare.

Sot, pesha ekonomike e këtyre shufrave është më e madhe se kurrë. Në fund të vitit 2025, rezervat e Bankës së Italisë vlerësoheshin në 289.2 miliardë euro, nga 197.9 miliardë dymbëdhjetë muaj më parë.

Që prej asaj kohe, çmimi ka vijuar ngjitjen. Në mëngjesin e 3 shtatorit 2026, kur kuotimi spot ishte 4,422 dollarë për onc, vetëm 1,061.5 tonët e ruajtur në SHBA vlenin rreth 151 miliardë dollarë, ose pak më shumë se 130 miliardë euro me kursin e ditës.

 

Ari italian, 24 metra nën Manhattan

Pjesa më e madhe e rezervës italiane të depozituar jashtë vendit ndodhet pranë Federal Reserve Bank of New York, në zemër të Manhattan-it.

Kasaforta është ndërtuar mbi shkëmbin e ishullit, 24 metra nën nivelin e rrugës. Në fund të vitit 2024, aty ndodheshin rreth 507 mijë shufra me peshë të përgjithshme 6,331 ton, pronë e qeverive, bankave qendrore dhe institucioneve ndërkombëtare. Fort Knox, në Kentucky, ruan kryesisht metalin e çmuar të Thesarit amerikan.

Në Nju Jork, Fed-i vepron vetëm si depozitar: metali nuk bëhet amerikan thjesht sepse ndodhet në territorin e SHBA-së.

Çdo shufër peshohet dhe identifikohet sipas pastërtisë e origjinës. Në rast tërheqjeje, institucioni i kthen pronarit të llogarisë të njëjtat njësi që janë dorëzuar më parë.

Prania e rezervave italiane përtej Atlantikut ka në radhë të parë një shpjegim historik. Pas Luftës së Dytë Botërore, Italia u rikthye gradualisht si vend eksportues, grumbulloi valutë të huaj — kryesisht dollarë — dhe një pjesë të saj e konvertoi në ar.

Në vitin 1947, për shembull, Banka e Italisë bleu 26.6 ton nga Bank of Canada duke përdorur fonde në dollarë të mbajtura në Nju Jork. Shufrat u depozituan drejtpërdrejt pranë Rezervës Federale. Një pjesë e konsiderueshme mbeti, pra, aty ku ishte blerë.

Por arsyeja nuk është vetëm historike.

Banka e Italisë thekson se shpërndarja e këtij aktivi në disa shtete ndihmon në diversifikimin dhe minimizimin e rreziqeve. Mbajtja e një pjese në qendrat e mëdha financiare lejon gjithashtu përdorim më të shpejtë, duke shmangur kohën dhe kostot e transportit.

Pikërisht këtu bëhet interesante zgjedhja holandeze.

 

Holanda zgjedh Londrën

Amsterdami nuk i ka kthyer thjesht shufrat në atdhe. Rreth 59 ton janë shitur në Nju Jork dhe janë riblerë në Londër.

Më shumë se 27 ton u transportuan fizikisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja drejt Zeist-it, ndërsa një sasi e ngjashme, që plotësonte standardet ndërkombëtare, kaloi prej andej në kryeqytetin britanik.

Rezervat holandeze mbetën të pandryshuara në 612.4 ton. Ndryshoi vetëm shpërndarja gjeografike e tyre.

Ky është ndoshta elementi më domethënës. Holanda nuk pretendon se pasuria është e sigurt vetëm kur mbahet brenda kufijve të saj. Përkundrazi, banka qendrore vlerësoi se ekspozimi ndaj Amerikës së Veriut ishte tepër i përqendruar dhe se Londra ofronte avantazhe më të mëdha si një nga qendrat kryesore botërore për tregtimin fizik të arit.

Për një bankë qendrore, siguria nënkupton edhe shpërndarjen e pasurisë mes juridiksioneve, depozitarëve dhe tregjeve të ndryshme.

 

Franca largohet nga Nju Jorku, Gjermania qëndron

Holanda nuk është rasti i vetëm.

Në vitin 2025, Banque de France shiti 129 tonët e fundit që mbante në Nju Jork, ekuivalent me 5% të rezervës së vet, duke blerë të njëjtën sasi në Europë. Stoku francez mbeti i pandryshuar në 2,437 ton.

Arsyeja zyrtare ishte kryesisht teknike. Shufrat e vjetra amerikane nuk plotësonin standardin cilësor të përdorur nga Parisi, ndaj banka preferoi t’i shiste në vend, në vend që të përballonte transportin dhe përpunimin e mëvonshëm.

Rezultati gjeografik është gjithsesi i qartë: Franca nuk e mban më atë pjesë të rezervës në Nju Jork.

Gjermania ka zgjedhur një strategji tjetër.

Në vitin 2013, Bundesbank nisi transferimin drejt Frankfurtit të 300 tonëve nga Nju Jorku dhe 374 të tjerëve nga Parisi. Procesi përfundoi më 2017.

Megjithatë, Gjermania nuk u largua nga Shtetet e Bashkuara. Në fund të vitit 2025, pranë Fed-it ruheshin ende 1,236 ton, pothuajse 37% e rezervës kombëtare. Frankfurti kishte 1,710 ton, ndërsa Londra 404.

Tre vende, tri strategji. Franca e ka mbyllur pozicionin në Nju Jork, Holanda e ka zvogëluar fort ekspozimin, ndërsa Gjermania vazhdon ta konsiderojë qytetin amerikan një nga shtyllat e sistemit të saj të ruajtjes. Italia, nga ana tjetër, mban atje 43.29% të rezervës.

Lëvizje po shfaqen edhe përtej këtyre rasteve.

Në sondazhin e vitit 2026 të World Gold Council, 10% e bankave qendrore të pyetura deklaruan se gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit kishin diversifikuar vendet ku ruajnë rezervat jashtë shtetit, krahasuar me vetëm 2% në vrojtimin e mëparshëm. Një tjetër 9% po mendon të ndërmarrë një hap të tillë gjatë vitit të ardhshëm.

 

A mund ta zhvendosë arin Italia?

Nuk ekziston asnjë rregull që e detyron Bankën e Italisë të mbajë 43.29% të rezervave në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi, megjithatë, nuk i takon qeverisë. Rezervat zyrtare administrohen në mënyrë të pavarur nga Banka e Italisë, në përputhje me rregullat e Eurosistemit dhe udhëzimet e Bankës Qendrore Europiane për mbrojtjen e politikës së përbashkët monetare.

Kuadri ligjor i njeh institucionit gjithashtu të drejtën për të tregtuar ar jashtë vendit, brenda kufijve të përcaktuar nga legjislacioni europian.

As norma e miratuar me ligjin e Buxhetit 2026, sipas së cilës rezervat në ar “i përkasin popullit italian”, nuk e ka ndryshuar këtë sistem.

Në mars, guvernatori Fabio Panetta sqaroi se dispozita nuk prek mënyrën se si pasqyrohet ky aktiv në bilancin e Bankës së Italisë, as detyrat apo qëllimet e mbajtjes së tij.

Pyetja, pra, nuk është nëse Italia mund ta ndryshojë shpërndarjen gjeografike të shufrave. Mundet. Çështja është nëse ia vlen.

Mbajtja e një sasie më të madhe brenda vendit do të ulte ekspozimin ndaj depozitarëve dhe juridiksioneve të huaja, duke i dhënë Italisë kontroll fizik mbi një pjesë më të madhe të pasurisë.

Nga ana tjetër, prania në qendrat kryesore financiare ndërkombëtare mundëson diversifikimin e rrezikut dhe e vendos metalin aty ku mund të mobilizohet me shpejtësi.

Banka qendrore holandeze nuk ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të sigurta. Ajo nuk ka folur për konfiskime dhe as ka përmendur Donald Trump.

Megjithatë, ka bërë diçka ndoshta më domethënëse: e ka futur hapur gjeopolitikën mes kritereve që përcaktojnë se ku duhet të ruhen rezervat e një vendi.

 

Qeveria Meloni

Ari italian u rikthye në qendër të debatit politik gjatë vitit 2025.

Në prill, Fabio Rampelli, nënkryetar i Dhomës së Deputetëve, deklaronte se në një kohë kur Roma dhe Uashingtoni po diskutonin për tarifat doganore, nuk ishte momenti për “t’i hedhur benzinë zjarrit”. Çështja e rezervave jashtë shtetit mbetej e rëndësishme, por sipas tij nuk duhej hapur pikërisht atëherë.

Pak muaj më vonë, Fratelli d’Italia riktheu një tjetër debat: pronësinë e rezervës. Kjo solli normën sipas së cilës ajo i përket “popullit italian”, një formulim që nuk ndryshoi as administrimin e shufrave dhe as vendndodhjen e tyre.

Metali mbetet pronë italiane pavarësisht kasafortës ku ndodhet. Pyetja është tjetër: në një botë që vetë bankat qendrore e konsiderojnë gjithnjë e më të paqëndrueshme, a ka ende kuptim që Italia të mbajë mbi 43% të rezervës së saj në Shtetet e Bashkuara?/ Corriere Della Sere

The post Ari italian në SHBA, pse 1,061 tonë mbeten në Nju Jork. Pas Holandës, a duhet të zhvendosen? appeared first on Revista Monitor.

  •  

Klodiana Spahiu propozohet ministre e Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Evis Salës

Klodiana Spahiu është propozuar për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bëri të ditur të enjten Agjencia për Media dhe Informim.

Spahiu aktualisht mban postin e zëvendëskryetares së Kuvendit dhe është deputete e Partisë Socialiste.

Ajo vjen nga fusha e mjekësisë dhe ka ushtruar profesionin e kardiologes përpara angazhimit të gjatë në politikë. Dokumentet e Kuvendit e rendisin Spahiun si zëvendëskryetare të Parlamentit që prej shtatorit 2025.

Propozimi vjen një ditë pas dorëheqjes së Evis Salës, e cila drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për rreth një vit.

Sala njoftoi më 2 shtator se largohej nga kabineti pasi kishte pranuar disa angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushat e onkologjisë, Inteligjencës Artificiale dhe inovacionit.

Ajo ia dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë. Sala e kishte marrë drejtimin e ministrisë më 11 shtator 2025.

Znj. Klodiana Spahiu është mjeke kardiologe dhe prej vitesh pjesë e Kuvendit.

Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme” në vitin 1997. Më pas, në vitin 1998-2002 është specializuar në fushën e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Ajo ka kryer një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive: ekokardiografi, PU-EKG, eko-doppler e karotideve, pranë Universitetit Katolik: “Sacro Cuore”, Facolta di Medicina e Chirurgia “Agostino Gemeli”, Romë, Itali.

Në 2003-2004 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike.

Gjatë periudhës tetor 2005 – dhjetor 2005 ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive, kateterizimi i zemrës dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.

Vite me vonë, 2012-2014 ajo ka përfunduar edhe masterin profesional “për menaxhimin shëndetësor” Znj. Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT.

Gjithashtu, ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit gjatë viteve 2003-2009. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali.

Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës dhe në 2006 ka qenë pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin “UFO”, Tiranë.

Viti 2008 dhe në vazhdim – Docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

The post Klodiana Spahiu propozohet ministre e Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Evis Salës appeared first on Revista Monitor.

  •  

Shqipëria, pranë BE për arsimin e lartë dhe shumë më lart se Italia, por “trurin” po ia merr Europa

Shqipëria rezulton dukshëm më mirë se pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor për peshën e të rinjve që kanë përfunduar arsimin e lartë.

Sipas Censit 2023, 43.2% e popullsisë 25-34 vjeç kishte një kualifikim terciar, nivel shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian, e cila arriti në 44.8% në vitin 2025, sipas të dhënave të tjera të Eurostat. Diferenca mes tyre është vetëm 1.6 pikë përqindjeje.

Në letër, ky është një prej atyre treguesve ku Shqipëria duket pothuajse europiane. Problemi nis kur diploma krahasohet, si me nivelin e të ardhurave për frymë, ashtu dhe me mundësitë ekonomike që ofron vendi. Të rinjtë shqiptarë po afrohen me BE-në për nivelin e shkollimit, por hendeku në të ardhura mbetet shumë i madh.

Për pasojë, një pjesë e kapitalit njerëzor të krijuar këtu përfundon duke u përdorur nga tregje pune më të pasura jashtë vendit. Shqipëria p.sh., ka një nivel arsimimi shumë më të lartë se Italia, me këtë të fundit që ka vetëm 31.1% të popullsisë midis 25-34 vjeç me arsim të lartë, e treta nga fundi në Europë, duke lënë pas vetëm Bosnjën dhe Rumaninë.

Edhe në krahasim me Greqinë (42.8%), të dy shtetet që kanë thithur pjesën më të madhe të emigrantëve pas ’90, Shqipëria kryeson lehtë. Shqipëria ia kalon madje dhe Gjermanisë, me këtë të fundit që e ka treguesin 40.9%.

Ironia është se Shqipëria po arrin të prodhojë një përqindje relativisht të lartë të diplomuarish, por e ka shumë më të vështirë t’i mbajë ata, teksa emigrimi i trurit po bëhet një nga pengesat kryesore të zhvillimit të vendit. Edhe Komisioni Europian e ka evidentuar të njëjtin problem.

Në Raportin për Shqipërinë 2025, emigrimi i punonjësve të kualifikuar përmendet si faktor që po rëndon mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të rëndësishëm dhe po kontribuon në “brain drain”, ose largimin e kapitalit njerëzor.

 

Shqipëria mbi shumicën e rajonit

Të dhënat më të fundit të disponueshme për Ballkanin Perëndimor, sipas Eurostat, tregojnë se në Serbi, në vitin 2025, 39.1% e popullsisë së kësaj grupmoshe kishte përfunduar studimet terciare. Në Maqedoninë e Veriut niveli ishte 38.8%, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë vetëm 28%. Për Malin e Zi, seria e Eurostat nuk ka të dhëna të reja pas vitit 2020, kur treguesi ishte 38.4%.

Krahasimi duhet lexuar me një rezervë metodologjike. Të dhënat shqiptare vijnë nga Censi 2023, ndërsa treguesi i Eurostat, për vendet e tjera mbështetet te Anketa e Forcave të Punës. Vetë Eurostat e përkufizon atë si pjesën e 25-34-vjeçarëve që kanë përfunduar nivelet 5-8 të klasifikimit ndërkombëtar ISCED.

Baza europiane përfshin vendet e BE-së, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe disa shtete të tjera, por jo Shqipërinë. Megjithatë, edhe vetë INSTAT në raportin e censit thekson se nga popullsia e moshës 25-34 vjeç, 43.2% ka përfunduar arsimin e lartë. Kjo përqindje është shumë pranë nivelit 43.1% të regjistruar në 2023 për të njëjtën grupmoshë në BE dhe vetëm 1.8 pikë përqindjeje nën objektivin prej 45% të Bashkimit Europian për 2030.

 

BE pothuajse e ka arritur objektivin e vitit 2030

Në Bashkimin Europian, sipas Eurostat, pesha e 25-34-vjeçarëve me arsim terciar ka avancuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2005, vetëm 27.2% e kësaj grupmoshe kishte përfunduar studime të larta. Në 2025 niveli arriti 44.8%, ose 17.6 pikë përqindjeje më shumë.

BE ka vendosur si objektiv që deri në vitin 2030 të paktën 45% e popullsisë 25-34 vjeç të ketë një kualifikim të tillë. Me rezultatin e vitit të kaluar, ky prag praktikisht është vetëm 0.2 pikë larg.

Diferencat gjinore janë të konsiderueshme. Në vitin 2025, 50.5% e grave të kësaj moshe kishin përfunduar arsimin terciar, përkundrejt 39.3% të burrave. Hendeku arrin kështu në më shumë se 11 pikë përqindjeje.

Vendbanimi krijon një ndarje po aq të fortë. Në qytetet e BE-së, 55% e 25-34-vjeçarëve kishin një kualifikim të lartë, ndërsa në qyteza dhe periferi pjesa zbriste në 38.4%. Në zonat rurale treguesi ishte vetëm 32.9%.

Eurostat vëren se nga viti 2005 deri më 2025 të gjitha vendet e BE-së shënuan përmirësim. Malta pati ndryshimin më të madh, me 29.9 pikë përqindjeje, e ndjekur nga Luksemburgu me 28 dhe Irlanda me 25.9. Në skajin tjetër, Finlanda shënoi vetëm 0.7 pikë më shumë, ndërsa Romania dhe Estonia përparuan përkatësisht me 9.5 dhe 11.2 pikë.

Në vitin 2025, Irlanda dhe Luksemburgu ishin pranë nivelit 66%, ndërsa Rumania mbeti poshtë 25%, duke treguar se edhe brenda BE-së hendeku në arsimimin e brezit të ri vazhdon të jetë i madh.

 

The post Shqipëria, pranë BE për arsimin e lartë dhe shumë më lart se Italia, por “trurin” po ia merr Europa appeared first on Revista Monitor.

  •  

Pro-Eksport Albania kërkon ndryshime në draftin për byrotë e kreditit, ja 8 propozimet

Shoqata e ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese të sektorit fason Pro-Eksport Albania ka propozuar ndryshime në projektligjin “Për byrotë e kreditit”.

Drafti i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, i publikuar te konsultimet publike synon krijimin e një infrastrukturë për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave të informacionit kreditor të bizneseve me qëllim rritjen e transparencës dhe për një vlerësim më të besueshëm kreditor ndaj bizneseve.

Pro-Eksport Albania thekson se parimisht e mbështet krijimin e  një sistemi më të plotë të informacionit kreditor nga një operator privat, por ngre shqetësimin për ndërmarrjen e disa ndryshimeve, në mënyrë që drafti i ri të mos kthehet në mekanizëm penalizues për bizneset.

Por në letrën me qëndrimi dhe propozime drejtuar Ministrisë së Ekonomisë nga kryetari i Shoqatës Pro-Eksport Albania Edvin Prençe ngrihet shqetësimi se marrëdhëniet normale tregtare, si pagesat me afat 30, 60 apo 90 ditë, nuk duhet të trajtohen automatikisht si mospagim kredie. Sipas shoqatës, detyrimet e kundërshtuara, në apelim apo në proces korrigjimi duhet të evidentohen si të tilla dhe të mos ndikojnë negativisht në vlerësim deri në përfundimin e verifikimit.

“Në aktivitetin prodhues dhe eksportues, pagesat 30, 60 apo 90 ditë janë pjesë normale e tregtisë. Gjithashtu ndodhin shtyrje të dakordësuara, kthime mallrash, kompensime, credit notes, mosmarrëveshje mbi cilësinë apo sasinë e mallrave dhe raste të tjera që nuk lidhen domosdoshmërisht me paaftësinë paguese të kompanisë.

Për këtë arsye, një faturë e kaluar në afat nuk duhet të konsiderohet automatikisht informacion negativ kreditor. Duhet të përcaktohet një prag minimal për raportimin, një periudhë e arsyeshme tolerance dhe detyrimi për njoftimin paraprak të biznesit. Detyrimet që janë objekt i një kundërshtimi real dhe të dokumentuar duhet të evidentohen si të kundërshtuara dhe të mos ndikojnë negativisht në scoring deri në sqarimin e tyre”, theksohet në qëndrimin e shoqatës.

Një tjetër kërkesë lidhet me transparencën e vlerësimit kreditor. Bizneset duhet të kenë mundësi të kuptojnë faktorët kryesorë që ndikojnë në vlerësimin, burimin e të dhënave dhe mënyrën e korrigjimit të tyre, pa cenuar sekretet tregtare të operatorëve.

Pro-Eksport Albania kërkon gjithashtu një procedurë më të shpejtë për kundërshtimin e të dhënave të pasakta dhe një mekanizëm të qartë përgjegjësie në rast se informacioni i gabuar shkakton dëm ekonomik për biznesin.

“Projektligji parashikon të drejtën për të kundërshtuar informacionin, por procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë. Për një kompani që ka nevojë për kapital qarkullues për të realizuar një porosi eksporti ose që është në proces negocimi për një financim, 30 ditë mund të jenë shumë.

Prandaj propozojmë që, kur një informacion negativ kundërshtohet me dokumentacion të arsyeshëm, ai të mos përdoret për të përkeqësuar renditjen kreditore deri në përfundimin e verifikimit. Nëse më pas provohet se informacioni ka qenë i gabuar, nuk mjafton vetëm korrigjimi i databazës. Duhet të njoftohen edhe bankat apo përdoruesit e tjerë që kanë marrë më parë raportin e gabuar.

Po ashtu duhet të ekzistojë një mekanizëm i vetëm dhe i thjeshtë ankimi. Biznesi nuk duhet të endet ndërmjet ofruesit të informacionit, Byrosë dhe bankës për të kuptuar se kush është përgjegjës”, vlerëson ndër të tjera në qëndrimin e saj Pro-Eksport Albania.

Shoqata kërkon mbikëqyrje të pavarur të Byrove të Kreditit, auditim periodik të modeleve të vlerësimit dhe një rol të qartë të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe konkurrencën.

Në fokus është edhe rreziku i përqendrimit të tregut. Shoqata kërkon transparencë mbi tarifat, akses pa pagesë të biznesit në informacionin bazë që mbahet për të dhe korrigjim pa pagesë të të dhënave të pasakta.

Pro-Eksport Albania kërkon që RIA të plotësohet me një analizë të kostove që reforma mund të krijojë për bizneset dhe që informacioni negativ të trajtohet në mënyrë proporcionale, duke marrë parasysh vlerën e detyrimit, kohëzgjatjen e vonesës dhe faktin nëse ai është shlyer.

Në përfundim, Shoqata kërkon që përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prodhuesve dhe eksportuesve të përfshihen në hartimin e rregullave zbatuese, duke theksuar se një sistem kreditor funksional duhet të mbrojë njëkohësisht interesat e financuesve dhe të bizneseve.

 

Propozimet e Pro-Eksport Albania për draftin

Shoqata Pro-Eksport Albania ka shqyrtuar Projektligjin “Për Byrotë e Kreditit”, së bashku me relacionin dhe Raportin e Vlerësimit të Ndikimit.

Në parim, e mbështesim krijimin e një sistemi më të plotë dhe transparent të informacionit kreditor. Për një biznes që punon rregullisht, përmbush detyrimet dhe ka krijuar një histori të mirë financiare, ky informacion duhet të jetë një avantazh që e ndihmon të ketë akses më të mirë në financim dhe jo një barrë të re administrative.

Pikërisht për këtë arsye, mendojmë se disa çështje duhet të qartësohen përpara miratimit të ligjit. Shqetësimi ynë kryesor është që një instrument i krijuar për të ulur riskun dhe për të lehtësuar kreditimin të mos krijojë në praktikë një mekanizëm të ri penalizimi, kostoje apo presioni mbi biznesin, veçanërisht mbi NMVM-të.

  1. Marrëdhëniet normale tregtare nuk duhet të trajtohen njësoj si mospagimi i një kredie

Projektligji e përkufizon marrëveshjen e kredisë në mënyrë të gjerë dhe përfshin edhe pagesat e shtyra, ndërsa si ofrues të të dhënave mund të jenë edhe persona juridikë që furnizojnë mallra apo shërbime. Kjo e zgjeron sistemin përtej marrëdhënies bankë–biznes dhe e shtrin edhe në marrëdhëniet e zakonshme biznes–biznes. Në aktivitetin prodhues dhe eksportues, pagesat 30, 60 apo 90 ditë janë pjesë normale e tregtisë. Gjithashtu ndodhin shtyrje të dakordësuara, kthime mallrash, kompensime, credit notes, mosmarrëveshje mbi cilësinë apo sasinë e mallrave dhe raste të tjera që nuk lidhen domosdoshmërisht me paaftësinë paguese të kompanisë.

Për këtë arsye, një faturë e kaluar në afat nuk duhet të konsiderohet automatikisht informacion negativ kreditor. Duhet të përcaktohet një prag minimal për raportimin, një periudhë e arsyeshme tolerance dhe detyrimi për njoftimin paraprak të biznesit. Detyrimet që janë objekt i një kundërshtimi real dhe të dokumentuar duhet të evidentohen si të kundërshtuara dhe të mos ndikojnë negativisht në scoring deri në sqarimin e tyre.

E njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe për detyrimet tatimore apo administrative që janë në apelim, në proces gjyqësor, të këstëzuara ose në proces korrigjimi. Një detyrim i kundërshtuar ligjërisht nuk mund të trajtohet njësoj si një detyrim përfundimtar, i pranuar dhe i papaguar.

Kjo qasje nuk mbron bizneset që nuk paguajnë. Ajo mbron bizneset nga barazimi i një mosmarrëveshjeje tregtare me paaftësinë paguese.

  1. Biznesi duhet të dijë se cilat të dhëna po përdoren dhe pse ka marrë një vlerësim të caktuar

Projektligji lejon përdorimin e një game të gjerë të dhënash dhe krijimin e renditjes kreditore përmes modeleve statistikore, matematikore apo algoritmike. Për ne është e rëndësishme që kategoritë e informacionit që mund të ndikojnë në reputacionin kreditor të një kompanie të jenë të përcaktuara qartë. Formulime shumë të përgjithshme si “informacione të tjera që tregojnë aftësinë e subjektit për të përmbushur detyrimet” krijojnë hapësirë të tepruar interpretimi.

Një kompani që penalizohet nga një vlerësim kreditor duhet të jetë në gjendje të kuptojë, në gjuhë të thjeshtë, cilët faktorë kryesorë kanë ndikuar në vlerësimin e saj, nga kanë ardhur të dhënat, sa të përditësuara janë dhe si mund të korrigjohen.

Nuk kërkojmë publikimin e algoritmit apo të sekretit tregtar të operatorit. Por nëse një rezultat mund të ndikojë në refuzimin e një kredie, në uljen e një overdraft-i apo në rritjen e kostos së financimit, ai rezultat duhet të jetë i shpjegueshëm dhe, kur është e nevojshme, të mund t’i nënshtrohet edhe një rishikimi njerëzor.

  1. Kundërshtimi dhe korrigjimi duhet të mbrojnë realisht biznesin

Projektligji parashikon të drejtën për të kundërshtuar informacionin, por procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë. Për një kompani që ka nevojë për kapital qarkullues për të realizuar një porosi eksporti ose që është në proces negocimi për një financim, 30 ditë mund të jenë shumë.

Prandaj propozojmë që, kur një informacion negativ kundërshtohet me dokumentacion të arsyeshëm, ai të mos përdoret për të përkeqësuar renditjen kreditore deri në përfundimin e verifikimit.

Nëse më pas provohet se informacioni ka qenë i gabuar, nuk mjafton vetëm korrigjimi i databazës. Duhet të njoftohen edhe bankat apo përdoruesit e tjerë që kanë marrë më parë raportin e gabuar.

Po ashtu duhet të ekzistojë një mekanizëm i vetëm dhe i thjeshtë ankimi. Biznesi nuk duhet të endet ndërmjet ofruesit të informacionit, Byrosë dhe bankës për të kuptuar se kush është përgjegjës.

Kjo merr rëndësi të veçantë sepse Neni 18 kufizon përgjegjësinë e Byrosë për vërtetësinë e informacionit që ka marrë nga ofruesit dhe për vendimet që më pas marrin përdoruesit e raportit. Nëse nga një informacion i gabuar krijohet një dëm ekonomik i provueshëm për kompaninë, ligji duhet të përcaktojë qartë kush përgjigjet dhe ku kërkohet zhdëmtimi.

  1. Kush do ta kontrollojë vetë Byronë e Kreditit?

Kjo, për ne, është një nga çështjet më të rëndësishme të projektligjit. Byroja do të jetë një operator privat që do të mbledhë dhe përpunojë informacion për kompanitë dhe do të prodhojë raporte dhe renditje që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin e tyre në financim.

Në draft, QKB-ja ka kryesisht rol licencues, ndërsa mbikëqyrja e Komisionerit lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale.  Por mbetet e paqartë se kush kontrollon cilësinë e vetë shërbimit: nëse modeli i vlerësimit kreditor funksionon siç duhet siç duhet, nëse është proporcional, nëse një kategori biznesesh po penalizohet padrejtësisht, nëse të dhënat janë të përditësuara, nëse ka konflikt interesi dhe nëse një ankesë ndaj operatorit po trajtohet siç duhet.

RIA e konsideron QKB-në dhe Komisionerin mekanizma të mjaftueshëm dhe nuk e sheh të nevojshme një mbikëqyrje më të rënduar.

Në këtë pikë kemi rezervë.

Një sistem që vlerëson biznesin duhet të jetë edhe vetë i kontrollueshëm. Nuk kërkojmë krijimin e burokracive të reja, por ligji duhet të përcaktojë qartë një mekanizëm të pavarur për mbikëqyrjen teknike të operatorëve, auditimin periodik të modeleve të vlerësimit kreditor dhe trajtimin e ankesave të personave juridikë.

Për aspektet që lidhen me përdorimin e këtyre raporteve në sistemin financiar, mendojmë se duhet të vlerësohet edhe një rol i qartë i Bankës së Shqipërisë. Ndërsa për aspektet e konkurrencës dhe eventualisht të pozitës dominuese duhet të garantohet bashkërendimi me Autoritetin e Konkurrencës.

  1. Duhet të parandalohet që ky treg të kthehet në monopol ose në një shërbim de facto të detyrueshëm

Projektligji nuk thotë se do të ketë vetëm një Byro Krediti dhe, për këtë arsye, nuk mund të themi se ligji krijon vetvetiu monopol. Por ekziston një risk real i përqendrimit. Hyrja në treg kërkon kapacitete teknike, eksperiencë dhe certifikime të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, sa më shumë banka dhe institucione përdorin një operator, aq më e vlefshme bëhet databaza e tij. Kjo mund të çojë natyrshëm në një treg me një numër shumë të kufizuar operatorësh ose edhe në një operator praktikisht dominant.

Në një situatë të tillë, nëse bankat përdorin të njëjtin sistem, biznesi mund të mos ketë më një zgjedhje reale nëse do apo jo të jetë pjesë e tij. Atëherë lind pyetja e kostos.

Nëse një shërbim bëhet praktikisht i domosdoshëm për biznesin, tarifat e tij nuk mund të mbeten pa transparencë dhe pa kontroll.

Duhet të garantohet publikimi i tarifave, njoftimi paraprak për ndryshimin e tyre, trajtim jodiskriminues i përdoruesve dhe mbrojtje nga abuzimi me një pozitë dominuese. Biznesi duhet gjithashtu të ketë akses pa pagesë në informacionin bazë që mbahet për vetë atë dhe kundërshtimi apo korrigjimi i një informacioni të gabuar duhet të jetë gjithmonë pa pagesë.

Në të kundërt ekziston rreziku që një mekanizëm i krijuar për të lehtësuar financimin të shndërrohet në një kosto të re të detyrueshme për biznesin, pa alternativë reale për të.

  1. Kostot për biznesin duhet të maten përpara miratimit të ligjit

RIA e lidh mungesën e ndikimit sasior me faktin që reforma nuk kërkon alokime nga buxheti i shtetit. Nga këndvështrimi ynë kjo nuk është e mjaftueshme.

Fakti që reforma nuk ka kosto për buxhetin nuk do të thotë se ajo nuk ka kosto për biznesin.

Bizneset mund të kenë tarifa raportesh dhe abonimesh, kosto integrimi me sistemet IT, raportim dhe përditësim të informacionit, kosto administrative, si dhe kosto për verifikimin e gabimeve. Mbi të gjitha, një vlerësim kreditor i pasaktë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për biznesin, duke sjellë refuzimin e financimit ose sigurimin e tij me kosto më të lartë.

Edhe eksperiencat europiane tregojnë se shërbimet private të informacionit kreditor kanë kosto konkrete për biznesin dhe modele të ndryshme tarifimi. Kjo është një arsye shtesë që RIA të plotësohet me një vlerësim të posaçëm të kostos dhe ndikimit mbi NMVM-të, ku të analizohen kostot direkte dhe indirekte që sistemi mund t’u sjellë.

Për një ligj që synon pikërisht rritjen e aksesit në financim, duhet të kemi siguri që kostoja e sistemit nuk përfundon duke ngrënë një pjesë të përfitimit që vetë reforma premton.

  1. Informacioni negativ duhet trajtuar me proporcionalitet

Projektligji parashikon ruajtjen e informacionit negativ deri në pesë vjet edhe pas shuarjes së detyrimit.

Nuk mendojmë se informacioni negativ duhet të zhduket menjëherë pasi biznesi paguan. Por një detyrim i vogël, i vonuar për një periudhë të shkurtër dhe më pas i shlyer, nuk mund të trajtohet njësoj si një detyrim i madh dhe i papaguar për një kohë të gjatë. Duhet të merren parasysh vlera, kohëzgjatja e vonesës, fakti që detyrimi është shlyer dhe koha e kaluar nga shlyerja. Sistemi duhet të pasqyrojë edhe rikuperimin dhe përmirësimin e biznesit, jo vetëm problemin që ai ka pasur në një moment të caktuar.

Praktika europiane ofron shembuj të trajtimit të diferencuar të vonesave dhe detyrimeve të rregulluara, çka tregon se proporcionaliteti nuk cenon seriozitetin e raportimit kreditor.

  1. Pavarësia dhe përfaqësimi i biznesit duhet të jenë pjesë e sistemit

Projektligji lejon pjesëmarrjen e bankave dhe institucioneve financiare jo-bankë në kapitalin e një Byroje, brenda kufijve të përcaktuar. Kjo e bën edhe më të rëndësishme garantimin e pavarësisë së operatorit, ndalimin e trajtimit preferencial të aksionarëve, aksesin e barabartë dhe menaxhimin e qartë të konflikteve të interesit.

Në të njëjtën kohë, në hartimin e rregullave të zbatimit duhet të dëgjohet edhe pala që do të vlerësohet nga sistemi. Organizatat përfaqësuese të NMVM-ve, prodhuesve dhe eksportuesve duhet të përfshihen në diskutimin e akteve nënligjore, kodeve të sjelljes, standardeve të vlerësimit kreditor dhe mekanizmave të monitorimit.

Në fund të fundit, një sistem i tillë prek drejtpërdrejt të dyja palët: atë që financon dhe atë që kërkon financim. Për këtë arsye, rregullat duhet të krijojnë besim dhe garanci për të dyja.

 

Përfundim

Pro-Eksport Albania nuk kundërshton krijimin e Byrove të Kreditit. Një sistem i mirë mund të ndihmojë bizneset me histori pozitive dhe të përmirësojë aksesin e tyre në financim.

Megjithatë, ligji duhet të garantojë që një faturë e kundërshtuar të mos kthehet automatikisht në penalizim kreditor, që një informacion i gabuar të korrigjohet shpejt dhe pa kosto, që vlerësimi kreditor të jetë i shpjegueshëm dhe të mund të ankimohet, si dhe që operatori privat të jetë nën një mbikëqyrje reale dhe të pavarur.

Po aq e rëndësishme është që një treg i përqendruar të mos sjellë tarifa të pakontrolluara apo një shërbim praktikisht të detyrueshëm për biznesin.

Për ne, çështja nuk është vetëm nëse Shqipëria duhet të ketë Byro Krediti. Çështja është si ta ndërtojmë këtë sistem në mënyrë që ai të ndihmojë disiplinën financiare dhe aksesin në financim, pa krijuar një burim të ri pasigurie, kostoje apo penalizimi për kompanitë që operojnë rregullisht.

Për këtë arsye kërkojmë që këto çështje të merren në konsideratë gjatë rishikimit të projektligjit dhe që përpara finalizimit të tij të zhvillohet një diskutim teknik edhe me organizatat përfaqësuese të biznesit.

The post Pro-Eksport Albania kërkon ndryshime në draftin për byrotë e kreditit, ja 8 propozimet appeared first on Revista Monitor.

  •  

Holanda zhvendos 86 tonë ar nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Britani për shkak të “trazirave politike”

Banka Qendrore e Holandës thotë se ka zhvendosur 86 tonë nga rezervat e saj të arit nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt Londrës, duke përmendur si arsye “rritjen e trazirave gjeopolitike”.

De Nederlandsche Bank (DNB) tha se rezervat e arit të mbajtura në Londër mund të tregtohen më lehtë sesa ato të mbajtura në Nju Jork dhe Otavë.

“Kjo e bën atë mënyrën më të shpejtë që DNB-ja ta përdorë arin në një situatë krize”, tha banka në një deklaratë të mërkurën.

“Me këtë hap, ne kemi përmirësuar mundësinë e përdorimit të rezervave të arit. Ne supozojmë se nuk do të kemi kurrë nevojë ta përdorim arin, por megjithatë është e nevojshme të forcojmë qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë tonë”, tha presidenti i DNB-së, Olaf Sleijpen.

Sasia totale e arit të Holandës arrinte në 612.4 tonë dhe vlerësohej në 72.2 miliardë euro (83.7 miliardë dollarë) në fund të vitit 2025, tha DNB-ja.

Përpara zhvendosjes, banka holandeze mbante 31.3% të arit të saj në Nju Jork dhe 19.7% në Otavë.

Pas zhvendosjes, secili prej këtyre vendeve përbënte 18.5% të rezervës së arit të Holandës.

Pjesa e arit të mbajtur në Londër u rrit nga 18.1% në 32.1%. Banka vazhdon të mbajë 30.8% të arit të saj në Holandë.

Transferimi u krye pjesërisht përmes blerjes dhe shitjes dhe pjesërisht përmes zhvendosjes fizike të arit, tha banka.

Banka zhvendosi më shumë se 27 tonë ar fizik nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Zeist.

E njëjta sasi ari u zhvendos nga Zeist në Londër, duke shmangur shkrirjen e shufrave të arit.

“Duke kombinuar blerjen dhe shitjen me transportin fizik, janë shpërndarë rreziqet që lidhen me zhvendosjen fizike të një sasie të madhe ari”, tha DNB-ja.

Operacioni u zhvillua mes muajve mars dhe gusht të këtij viti, tha banka.

Laurent Schwartz, president i National Gold Counter me seli në Paris, që lehtëson tregtimin e arit në Francë, tha se bankat qendrore kanë rreth një dekadë që po zhvendosin rezervat e tyre.

“Konteksti aktual politik në Shtetet e Bashkuara mund t’i shtyjë gjithashtu disa banka qendrore të favorizojnë vende të tjera për ruajtjen e rezervave”, tha ai.

Schwartz tha se tregu i Londrës ishte më i madhi dhe më likuidi, duke e bërë më të lehtë përdorimin e arit në kohë krize.

“Bankat qendrore mund t’ua japin më lehtë arin e tyre hua institucioneve të tjera bankare atje.”

John Plassard, analist në Cite Gestion Private Bank, tha se zhvendosja e arit nga Holanda synonte “të siguronte disponueshmëri më të menjëhershme në rast krize”.

Për momentin, kjo ishte një “lëvizje mjaft e izoluar”, por ai paralajmëroi se, nëse edhe banka të tjera qendrore do të ndiqnin të njëjtin shembull, kjo mund të dëmtonte besimin ndaj SHBA-së.

Në fillim të vitit, në Gjermani u ngritën shqetësime lidhur me sigurinë e rezervave të bankës qendrore gjermane të mbajtura në Nju Jork.

Megjithatë, Bundesbank, banka qendrore e fuqishme e Gjermanisë, ka vendosur për momentin të mos i zhvendosë rezervat e saj nga Nju Jorku.

“Rezerva Federale e Nju Jorkut është dhe mbetet një vend i rëndësishëm për ruajtjen e arit tonë”, i tha banka televizionit publik ARD në janar./ The Guardian

The post Holanda zhvendos 86 tonë ar nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Britani për shkak të “trazirave politike” appeared first on Revista Monitor.

  •  

Kostot e ndërtimit rriten lehtë në T II, nga efekti i pagave, ulen materialet

Kostot e ndërtimit kanë shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, të ndikuara kryesisht nga pagat më të larta, teksa sektori vijuan të vuajë mungesën e fuqisë punëtore, duke u detyruar të punësojë dhe nga jashtë.

Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2026 arriti 114,7, kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, indeksi shënoi një rritje vjetore prej 1,1%, me të njëjtin nivel rritjeje si në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 4,3%, pasuar nga grupi “Kosto të tjera” me 3,0% , “Shpenzime transporti” me 1,5% dhe grupi “Shpenzime makinerie” me 1,2%. Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,6%.

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi ulje me 0,9%, pasuar nga nëngrupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,7 % dhe grupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,1%.

INSTAT raporton se lidhur me ndryshimet tremujore të grupeve kryesore: Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,3%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2026.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga’’ me 1,1%, grupi “Kosto të tjera” me 0,8%, grupi “Shpenzime materiale” me 0,2%, grupi “Shpenzime transporti” me 0,3% dhe grupi “Shpenzime makinerie” me 0,1%.

Brenda grupit “Shpenzime materiale” rritje patën nëngrupet ““Materiale hidro-sanitare dhe ventilim” me 0,4% dhe “Materiale ndërtimi’’ me 0,3%. Nga ana tjetër nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi ulje me 0,6%.

Çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe operatorët kanë pohuar se një nga arsyet është shtrenjtimi i kostove.

Vetëm në Tiranë, çmimi mesatar për metër katror i ka kaluar tashmë 2 mijë euro, nga 400-500 euro që ishte dy dekada më parë, me ritme shumë më të shepjta se pagat në vend.

 

The post Kostot e ndërtimit rriten lehtë në T II, nga efekti i pagave, ulen materialet appeared first on Revista Monitor.

  •  

Qeveria ndryshon ligjin për objektet e konfiskuara, si do mbrohen blerësit me kontrata porosie

Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara.

Ndryshimet e miratuara pritet të sjellin një model të ri, të integruara për administrimin e objekteve të konfiskuara, duku synuar t’i jepet zgjidhje problematikave që nga përfundimi i punimeve të lëna përgjysmë, njohjen e të drejtave për pagesat e kryera nga blerësit me kontrata porosie dhe kontratat e pronave të truallit të kryera para konfiskimit të objektit.

Drafti “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.66/2023, “për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”

Fillimisht parashikon krijimin e një “fondi të veçantë/të dedikuar për ndërtimet pa leje”. Fondi do të përdoret për përfundimin e punimeve te objektet pa leje të konfiskuara.

“Fond i veçantë/ i dedikuar për ndërtimet pa leje” janë burime financiare, të cilat destinohen për veprimtarinë/zhvillimin e objekteve pa leje, që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK-së, sipas përcaktimeve në këtë ligj.””, theksohet në projektligj.

Objektet e konfiskuara me vendim gjykate administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Të drejtat për pronarët e truallit dhe blerësit me kontrata porosie

Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me konstatimin e detyrimeve për blerësit me kontratat porosie dhe kontratat me pronarët e truallit. Për këta individë që kanë kryer pagesa ndaj zhvilluesit, drafti përcakton konstatimin e tyre në rastet e kontratave noteriale të regjistruara në ASHK dhe kryerjen e pagesave me bankë, përpara konfiskimit të objektit.

Drafti përcakton gjithashtu se pronarët e truallit do të kenë të drejtë të përfitojnë njësitë që u takojnë sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesin, pasi objekti të përfundojë dhe të regjistrohet si ndërtim i ri.

 

“Neni 12

Grupi i punës

1. Grupi i punës, i ngritur pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), bën vlerësimin e objekteve të konfiskuara dhe është përgjegjës për:

a) vlerësimin dhe miratimin e proceseve të zhvillimit, përfshirë detajimin e përcaktimin e masave /detyrave/ të drejtave, të cilat synojnë zbutjen e pasojave të krijuara nga konfiskimi për interes publik i objekteve të ndërtuara pa leje, me qëllim fitimi, në përputhje me parashikimet e ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij;

b) konstatimin e pjesës takuese të pronarit të truallit, sipas kontratës noteriale, me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, kontratë e cila është e regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;

c) konstatimin proporcionalisht të detyrimit financiar të paguar nga personat e tretë, në favor të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues nëpërmjet sistemit bankar, nëse bazohet në një kontratë të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;

ç) përcaktimin e mënyrës së administrimit, shfrytëzimit të objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të tyre.

2. Grupi punës përbëhet nga numër tek anëtarësh, të përcaktuar me urdhër të brendshëm të titullarit të AAPSK-së.

3. Grupi punës ka këto detyra:

a) Merr të dhëna nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, agjencia përgjegjëse për zhvillimin e territorit, agjencia përgjegjëse për planifikimin e territorit, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, Dhoma Kombëtare e Noterisë, Ministria e Drejtësisë, çdo dokumentacion financiar justifikues nga palë të treta, bankat e nivelit të dytë, të cilat operojnë në Republikën e Shqipërisë, apo çdo institucion tjetër publik në vend, si dhe akseson të dhënat në Regjistrin e Objekteve të Konfiskuara;

b) Vlerëson, rast pas rasti, gjendjen e objekteve të konfiskuara dhe i propozon, nëpërmjet titullarit të institucionit, kalimin në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm, dhënie me qira apo në pronësi të objektit të konfiskuar, në favor të institucioneve publike apo të enteve publike përkatëse;

c) Vlerëson masat për përfundimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara, sipas parashikimeve në proceset e zhvillimit;

ç) Propozon formën e zhvillimit, e cila përmbush më mirë interesin publik / social;

d) I propozon titullarit mënyrën dhe masën e përdorimit të fondeve nga fondi i veçantë / i dedikuar për ndërtimet pa leje;

dh) AAPSK-ja ka të drejtë të marrë shërbime nga ekspertë të fushës, sipas listës së publikuar të tyre, me qëllim vlerësimin financiar e teknik të gjendjes së objekteve të konfiskuara, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë/i dedikuar për ndërtimet pa leje. Raporti i paraqitur nga eksperti përbën bazë vlerësimi për grupin e punës;

e) Publikon në faqen zyrtare të AAPSK-së informacionin për gjendjen juridike të pasurisë “truall”, mbi të cilin është ngritur objekti i konfiskuar, në rastet kur rezulton se nuk ka pronar të identifikuar;

ë) Kryen edhe detyra të tjera, që i ngarkohen në zbatim të këtij ligji dhe akteve nënligjore nga titullari i institucionit.

Mundësi për legalizimin e disa objekteve

Projektligji parashikon një trajtim të veçantë për objektet që kanë shkelje të lejes së ndërtimit, por ku punimet strukturore janë përfunduar dhe njësi individuale posedohen ose përdoren nga persona të tretë që kanë kontrata noteriale me zhvilluesin.

Për këtë kategori, AAPSK-ja mund t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit dhe regjistrimit sipas ligjit nr. 20/2020.

“Përjashtimisht, për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, për të cilat gjatë vlerësimit nga grupi i punës konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontratë të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, legalizohen dhe regjistrohen sipas ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë””, përcaktohet në projektligj.

Objektet e papërfunduara

Një kapitull i veçantë i projektligjit i kushtohet objekteve me investim të papërfunduar.

Konkretisht në projektligj për zhvillimin e objekteve të konfiskuara, të ngritura në truall privat përcaktohet se:

1. AAPSK-ja merr, regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiskuara deri në momentin e zbatimit të një prej formave të zhvillimit.

2. Pas marrjes në dorëzim të objektit dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, AAPSK-ja vlerëson:

a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara;

b) masën e shprehur në përqindje të pjesëve takuese, që rrjedhin nga marrëdhënia ligjore me pronarët e truallit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim, vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit;

c) masën e detyrimit financiar që njihet për personat e tretë, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Drafti përcakton se për objektet e ngritura në pronë shtet ekspertët do të përcaktojnë punimet e nevojshme dhe kostot për përfundimin e objektit, ambienteve të përbashkëta apo pjesëve që i përkasin pronës shtetërore.

Në raste të caktuara, përgjegjësia financiare për punimet mund t’u ngarkohet subjekteve zhvilluese, zbatuese, mbikëqyrëse ose kolauduese. Nëse detyrimet nuk përmbushen, projektligji parashikon masa për bllokimin e llogarive bankare ose aseteve për mbulimin e shpenzimeve.

Projektligji parashikon gjithashtu trajtimin e objekteve të konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe ruajtjen e të drejtave të parablerjes të krijuara sipas legjislacionit të mëparshëm.

Për zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, sipas raportit të ekspertit të licencuar, AAPSK-ja vlerëson kostot për përfundimin e punimeve për:

a) kryerjen e punimeve totale për përfundimin e objektit, me qëllim vënien e tij në funksion;

b) kryerjen e punimeve për përfundimin e tyre në lidhje me ambientet e përbashkëta;

c) kryerjen e punimeve për përfundimin e ambienteve, të cilat i përkasin pronësisë shtet.

Për çdo objekt, rast pas rasti, duhet të merret parasysh që:

i. në varësi të objektit të konfiskuar nga 2-10%, shpenzimet për përfundimin e punimeve të pakryera në objekt kryhen nga subjekti zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, sipas angazhimit të marrë prej tij në fazën fillestare të ndërtimit të objektit. Nëse ai nuk i kryen ato, atëherë procedohet me bllokimin e llogarive bankare dhe pasuritë e tij për të mbuluar shpenzimet;

ii. në rastin kur objekti i konfiskuar, në tejkalim të lejes së ndërtimit të mbi 10% të punimeve të kryera pa leje nga ana e ekspertit të licencuar, të kontraktuar nga AAPSK-ja, përcaktohet vlera e nevojshme për kryerje të punimeve për sa u përket ambienteve të përbashkëta që duhen realizuar për përfundimin e objektit;

iii. vlera e nxjerrë nga eksperti i njoftohet subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues për kryerje pagese. Në rast moskryerjeje të pagesës nga ana e tij, merren masa për bllokimin e llogarive bankare apo aseteve të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e punimeve.

Në tërësi, nisma synon të kalojë nga një administrim i shpërndarë i objekteve të konfiskuara në një model të centralizuar pranë AAPSK-së, me një fond financiar të dedikuar dhe procedura të posaçme për zhvillimin, përdorimin, shitjen dhe përfundimin e këtyre objekteve.

 

The post Qeveria ndryshon ligjin për objektet e konfiskuara, si do mbrohen blerësit me kontrata porosie appeared first on Revista Monitor.

  •  

Pse besimi 100% i bordit është sinjal alarmi

Besimi i bordit zakonisht shihet si shenjë përputhjeje dhe besimi te menaxhimi. Por çfarë ndodh kur ky besim mbështetet mbi një realitet të kuruar me kujdes?

 

Nga Nik Kinley*

 

Besimi i bordit është parë tradicionalisht si shenjë harmonizimi dhe besimi te drejtuesit ekzekutivë. Por shumë shpesh, ai mund të tregojë edhe diçka tjetër: se bordi po merr një pamje të përzgjedhur dhe të lustruar të realitetit, jo një pamje të saktë të tij.

Asnjë bord nuk merr një raport plotësisht transparent për atë që ndodh realisht në nivelet më të ulëta të organizatës. Informacioni që arrin deri në krye zakonisht është përpunuar, zbutur, thjeshtuar dhe riformuluar në çdo hallkë të hierarkisë. Në rastin më të mirë, hendeku mes asaj që bordi sheh dhe realitetit mbetet i vogël dhe i padëmshëm. Në rastin më të keq, kompania përfundon si një rast studimor në shkollat e biznesit, me një bord që nuk i pa rreziqet derisa ishte tepër vonë.

Kjo nuk ndodh domosdoshmërisht për shkak të mashtrimit, paaftësisë apo mungesës së ndershmërisë. Kjo është thjesht mënyra si funksionojnë natyrshëm hierarkitë organizative.

Katër forca ndikojnë në këtë filtrimin e informacionit. Së pari, njerëzit e zbusin atë që thonë kur flasin me persona që kanë pushtet mbi ta, sepse kanë frikë nga pasojat sociale apo profesionale. Së dyti, informacioni thjeshtohet dhe riformulohet për t’u dukur më i dobishëm: hiqet ajo që mendohet se drejtuesi nuk do ta vlerësojë dhe shtohet ajo që supozohet se ai dëshiron të dëgjojë. Së treti, çdo person përmes të cilit kalon mesazhi e interpreton atë sipas bindjeve dhe interesave të veta. Së fundi, çdo hallkë shtesë krijon mundësi të reja për gabime të thjeshta.

Pjesa tjetër e problemit qëndron te marrësi i informacionit. Pushteti ndryshon mënyrën si drejtuesit përpunojnë informacionin. Studimet prej dekadash tregojnë se pushteti rrit besimin te gjykimi personal, ul dëshirën për të dëgjuar detaje që e vënë në dyshim këtë gjykim dhe i bën drejtuesit më të prirur të pranojnë narrativa të pastra e të vendosura, sesa histori me nuanca dhe rezerva. Ai nxit mendimin në nivel të përgjithshëm dhe e bën më të vështirë të dallosh çfarë mungon në atë që po të thuhet.

Vetë natyra e bordeve i përqendron këto probleme. Bordet qëndrojnë në majë të një zinxhiri të gjatë filtrimi informacioni. Takohen rrallë. Mbështeten te përmbledhje të përgatitura nga drejtuesit, performancën e të cilëve duhet të vlerësojnë. Dhe efektet psikologjike të pushtetit i bëjnë më pak të prirur se kushdo tjetër në organizatë për të dalluar çfarë është hequr apo zbutur nga informacioni.

Prandaj, kur një bord shpreh besim të lartë te ekipi drejtues, strategjia apo kultura e kompanisë, një reagim i arsyeshëm do të ishte: “Sigurisht që kështu do të thoshin”. Pyetja më e dobishme është tjetër: “Si do ta dinin nëse realiteti ishte ndryshe?”

Sepse në një mjedis ku informacioni është i kuruar, besimi i rremë dhe besimi i merituar duken njësoj. Pikërisht kjo e bën kaq të rrezikshëm hendekun mes realitetit dhe asaj që i paraqitet bordit.

 

Pasojat praktike

Nga kjo situatë lindin tre rreziqe.

Së pari, bie cilësia e vendimmarrjes. Bordet marrin vendime të rëndësishme mbi bazën e asaj që u paraqitet. Nëse pamja është rregulluar dhe pastruar, vendimet merren mbi një version të sajuar të biznesit.

Së dyti, dobësohet mbikëqyrja. Një bord nuk mund të sfidojë atë që nuk sheh. Kur informacioni filtrohet, qeverisja kthehet në një ushtrim formal.

Së treti, dhe më rrezikshëm, cikli ushqen vetveten. Bordet e sigurta bëjnë më pak pyetje. Më pak pyetje nxisin më shumë filtrimin e informacionit. Më shumë filtrimi prodhon edhe më shumë siguri. Rrethi mbyllet dhe zakonisht thyhet vetëm nga një goditje e jashtme.

Kjo nuk do të thotë se bordet duhet të mos i besojnë menaxhimit. Mosbesimi krijon deformimet e veta. Por bordet duhet të jenë skeptike ndaj pamjeve tepër të rregullta, ndaj rrëfimeve që duken shumë të pastra dhe pa kundërshti.

Një bord që kërkon një panoramë më të saktë të realitetit të lidershipit duhet të shqyrtojë jo vetëm informacionin që merr, por edhe sistemin përmes të cilit ai informacion prodhohet. Duhet të pyesë cilat çështje mungojnë zakonisht në materialet që i paraqiten. Duhet të kërkojë nivele sigurie dhe rezerva, jo vetëm përfundime. Duhet të dëgjojë drejtpërdrejt edhe njerëz poshtë ekipit ekzekutiv, pa e kthyer këtë në teatër formal. Dhe duhet të vëzhgojë me kujdes çfarë ndodh me personin e parë që sjell një mesazh të pakëndshëm. Reagimi ndaj tij i tregon gjithë organizatës se cilat janë rregullat e vërteta.

Realitetet e kuruara janë qetësuese. Realitetet e sakta shpesh janë më të pakëndshme.

Bordet që nuk dallojnë dot ndryshimin nuk po qeverisin realitetin e lidershipit. Po qeverisin vetëm prezantimin e tij./

Management Today

 

 

*Nik Kinley është psikolog, trajner lidershipi dhe vlerësues. Ai është gjithashtu autor i librit The Power Trap.

The post Pse besimi 100% i bordit është sinjal alarmi appeared first on Revista Monitor.

  •  

Bordet po zgjedhin CEO më me përvojë, mes një mjedisi gjithnjë e më sfidues

Katër në dhjetë drejtues të rinj ekzekutivë në Europë kanë qenë më parë CEO, ndërsa mosha mesatare e të emëruarve po rritet.

 

Në një mjedis të trazuar makroekonomik dhe gjeopolitik, përvoja po merr peshë gjithnjë e më të madhe në emërimet e drejtuesve ekzekutivë. Në Europë, mosha mesatare e atyre që marrin postin më të lartë në kompani është rritur nga 56 vjeç në vitin 2021 në 57.5 vjeç në vitin 2026.

Të dhënat vijnë nga raporti më i fundit “Route to the Top Europe” i Heidrick & Struggles, sipas të cilit 41% e CEO-ve të rinj të emëruar në kompanitë më të mëdha të listuara në Europë kanë mbajtur më parë një post CEO-je.

Në Mbretërinë e Bashkuar, mosha mesatare e emërimit të një CEO-je ishte 51.7 vjeç, nën mesataren europiane. Megjithatë, vetëm 8% e CEO-ve aktualë në Britani janë emëruar përpara moshës 45 vjeç, niveli i dytë më i ulët në Europë.

Ndërsa Britania bie në sy për hezitimin e bordeve për të vënë bast mbi talente më të reja, në të gjithë Europën përqindja e CEO-ve të emëruar para moshës 45 vjeç ka rënë nga 25% në vitin 2021 në 17%, duke treguar se prirja drejt emërimeve në moshë më të vonë po forcohet në gjithë kontinentin.

Gjetjet e raportit, të bazuara në një kampion prej 552 CEO-sh nga kompanitë më të mëdha të Europës, tregojnë se rruga drejt postit më të lartë mbetet ende e ngushtë.

Përfaqësimi i grave në radhët e CEO-ve europianë është rritur vetëm lehtë, nga 6% në vitin 2021 në 8% në vitin 2026.

Në Mbretërinë e Bashkuar, përvoja në drejtimin financiar mbetet një nga rrugët kryesore drejt postit të CEO-së, më shumë se në çdo vend tjetër të Europës. Gati një e treta e CEO-ve britanikë, 32%, kanë mbajtur më parë postin e drejtorit financiar (CFO), krahasuar me mesataren europiane prej 22% dhe atë globale prej 19%.

Britania kryeson gjithashtu krahasuar me vendet e tjera europiane për pjesën e CEO-ve që nuk janë shtetas të vendit, me 47%. Në Francë, kjo përqindje është 18%, ndërsa në Itali dhe Spanjë edhe më e ulët.

Jenni Hibbert, drejtuese rajonale për Europën dhe Afrikën dhe partnere globale për analizat e lidershipit në Heidrick & Struggles, thotë se të dhënat japin një pamje të detajuar të profilit të drejtuesve që menaxhojnë kompanitë britanike në vitin 2026.

“Rruga drejt postit të CEO-së është bërë gjithnjë e më selektive dhe profili që kërkojnë bordet po ngushtohet. Shqetësimi nuk duhet të jetë vetëm kush arrin në krye, por edhe kush nuk e ka më këtë mundësi.

Kur gati gjysma e CEO-ve janë të huaj, një në tre vjen nga financa dhe më pak se një në dhjetë është emëruar para moshës 45 vjeç, lind pyetja nëse tregu i talenteve është realisht i hapur, apo vetëm krijon këtë përshtypje”, thotë Hibbert.

Sipas Heidrick & Struggles, ky profil i CEO-ve reflekton pjesërisht mënyrën se si bordet britanike vlerësojnë gatishmërinë për lidership. Dominimi i rrugës financiare drejt postit më të lartë tregon rëndësinë që i jepet aftësisë për të menaxhuar kompleksitetin financiar dhe për të komunikuar performancën me tregjet.

Megjithëse të dhënat tregojnë mungesë të diversitetit demografik në nivelet më të larta drejtuese, në disa aspekte posti i CEO-së është më i arritshëm në Mbretërinë e Bashkuar sesa në vendet e tjera europiane. Vetëm pak më shumë se gjysma e CEO-ve britanikë, 54%, kanë diplomë pasuniversitare, krahasuar me mesataren europiane prej 69% dhe me nivele mbi 85% në vendet nordike dhe Beneluks./ Management Today

 

The post Bordet po zgjedhin CEO më me përvojë, mes një mjedisi gjithnjë e më sfidues appeared first on Revista Monitor.

  •  

Si ta ktheni rritjen e varur nga themeluesi, në një sistem që funksionon vetë

Objektivi kryesor i çdo themeluesi duhet të jetë ndërtimi i një kompanie që mund të funksionojë edhe pa praninë e tij.

 

Nga Dmytro Korchevskyi*

Mbretëria e Bashkuar po përjeton një valë të re sipërmarrjeje. Rreth 36% e të rriturve në moshë pune kanë nisur ose planifikojnë të nisin një biznes. Por jo të gjitha historitë kanë fund të lumtur. Vetëm 38% e bizneseve të krijuara në vitin 2019 arritën të mbijetojnë pesë vitet e para.

Krijimi i një biznesi dhe rritja e tij janë dy sfida krejtësisht të ndryshme. Për të nisur një biznes mjaftojnë një ide dhe energjia. Për ta zgjeruar, nevojitet një sistem – diçka që në fillim zakonisht nuk ekziston.

Këtë e kam mësuar nga përvoja. Sot drejtoj një grup ndërkombëtar në fushën e arsimit me 116 degë në 25 vende, por për të arritur deri këtu u deshën 16 vjet. Pas një fillimi të shpejtë, për shumë vite ecuria u ngadalësua. Kishte periudha kur hapnim vetëm një ose dy degë në vit. Problemi nuk ishte mungesa e tregut apo e kërkesës, por fakti se biznesi nuk ecte përpara pa përfshirjen time.

Me kalimin e kohës kuptova se pengesa nuk është domosdoshmërisht vetë themeluesi. Çdo person kyç mund të bëhet hallka që kufizon rritjen. Prandaj, objektivi duhet të jetë ndërtimi i një sistemi ku kompania nuk varet nga asnjë individ.

 

A po rritet biznesi, apo thjesht po punoni më shumë?

Sondazhi i fundit global i PwC për CEO-t tregon se drejtuesit e kompanive të listuara në bursë shpenzojnë 39% të kohës me çështje afatshkurtra. Për drejtuesit e kompanive private kjo shifër arrin në 51%.

Në kompanitë me 20 deri në 50 punonjës, situata është edhe më sfiduese. Themeluesi duhet të gjejë klientë, të mbikëqyrë stafin, të korrigjojë gabimet dhe, njëkohësisht, të mendojë për rritjen.

Në fazat e para kjo mund të funksionojë. Por sapo kompania fillon të zgjerohet, çdo hap i ri e shton barrën mbi themeluesin dhe kjo varësi shndërrohet në pengesën kryesore.

Më kujtohet koha kur kompania ime kishte tashmë mbi 30 degë. Nga jashtë dukej sikur po rritej me sukses. Në realitet, çdo menaxher interpretonte ndryshe të njëjtat rregulla, raportimet nuk ishin të njëjta sepse secila degë përdorte mënyrën e vet të regjistrimit dhe pothuajse çdo problem kërkonte ndërhyrjen time.

Ndihesha si artist cirku që përpiqet të mbajë njëkohësisht në rrotullim disa pjata mbi shkopinj të hollë. Sapo njëra ngadalësohej, më duhej të vrapoja tek ajo, pastaj tek tjetra, pa fund. Nëse ndalesha, ndalej edhe biznesi.

 

Pse zgjidhjet tradicionale nuk funksionojnë

Në situata të tilla, zgjidhja duket e thjeshtë: të hartosh procedura, të organizosh trajnime, të krijosh programe mentorimi dhe të testosh njohuritë e punonjësve.

Por problemi është se njohuritë më të vlefshme janë edhe më të vështirat për t’u dokumentuar.

Një punonjës me përvojë mund ta kryejë punën në mënyrë të shkëlqyer për vite me radhë, por shpesh nuk është në gjendje ta shpjegojë hap pas hapi se si e bën atë. Në raste të tjera, ai nuk ka interes ta ndajë këtë njohuri, sepse e konsideron atë burimin e vlerës së tij në kompani.

Trajnimet mund të përcjellin informacion te shumë njerëz, por pa zbatim praktik, shumica e tij harrohet shpejt. Edhe testet matin vetëm njohjen e informacionit, jo aftësinë për ta zbatuar atë.

Një javë pasi kisha zhvilluar një trajnim ku theksova se raportimet duhej të bëheshin vetëm në CRM dhe jo në Excel, mora raportin tremujor… në një skedar Excel.

Aty kuptova se problemi nuk ishte se njerëzit nuk i kishin dëgjuar rregullat. Ata thjesht i konsideronin si rekomandime.

Pikërisht këtu qëndron dallimi mes një rregulli dhe një sistemi. Rregulli tregon se si duhet të veprosh. Sistemi siguron që veprimi i duhur të bëhet pjesë e procesit të përditshëm, pa u varur nga kujtesa, disiplina apo humori i dikujt.

 

Pesë parimet e një sistemi që e bën biznesin të rritet edhe pa themeluesin

Shpesh sistemet ngatërrohen me rregulloret, CRM-të apo automatizimin. Në fakt, sistemi është mënyra se si organizohet puna, në mënyrë që kompania të jetë në gjendje të përsërisë proceset kryesore pa ndërhyrjen e përditshme të themeluesit.

Në përvojën time, kjo mbështetet mbi pesë parime.

Së pari, produkti duhet të jetë i riprodhueshëm. Produkti, shërbimi dhe standardet e punës duhet të dokumentohen aq qartë, sa një ekip i ri të mund t’i zbatojë pa pasur nevojë për shpjegime shtesë. Nuk mjaftojnë udhëzimet e përgjithshme. Duhet të jetë e qartë çfarë bën secili, në çfarë rendi, çfarë rezultati pritet dhe ku lejohet përshtatja me kushtet lokale.

Së dyti, njohuria duhet të jetë aset i kompanisë. Për sa kohë informacioni kritik mbetet vetëm në kokën e disa punonjësve, kompania mbetet e varur prej tyre. Prandaj njohuritë duhet të dokumentohen, të përditësohen vazhdimisht dhe të pasurohen me përvoja të reja.

Së treti, kompania duhet të ketë një proces të qartë për ndërtimin e ekipeve. Rekrutimi, integrimi dhe vlerësimi i punonjësve nuk duhet të varen nga intuita e rekrutuesit apo nga gatishmëria e një punonjësi me përvojë për të trajnuar të sapoardhurit. Çdo rol duhet të ketë një rrugë të qartë hyrjeje në punë, e cila, me rritjen e kompanisë, mund të mbështetet edhe nga sisteme të automatizuara dhe nga inteligjenca artificiale për analizimin e profileve të kandidatëve.

Së katërti, duhet të ketë transparencë dhe kontroll. Kur kompania rritet, drejtuesi nuk mund të jetë fizikisht kudo. Ai duhet të ketë në kohë reale informacion për shitjet, detyrat dhe treguesit kryesorë të performancës përmes sistemeve dixhitale, në mënyrë që të dallojë menjëherë kur rezultatet fillojnë të bien.

Së fundi, pritshmëritë duhet të jenë të qarta. Kur punonjësit nuk kanë objektiva të matshëm, paga dhe promovimi varen nga negociatat personale me menaxherin. Në një sistem të qëndrueshëm, çdo rol ka tregues të qartë performance (KPI), mënyrën e llogaritjes së tyre dhe lidhjen direkte me shpërblimin.

Kur këto pesë parime funksionojnë së bashku, roli i themeluesit ndryshon rrënjësisht. Ai nuk është më personi nga i cili kalon çdo vendim, por ai që projekton të ardhmen e kompanisë. Ndërkohë, sistemi siguron që puna e përditshme të kryhet me cilësi dhe në mënyrë të qëndrueshme./ Management Today

 

*Dmytro Korchevskyi është themelues i rrjetit ndërkombëtar të arsimit në teknologjinë e informacionit, IT STEP Academy.

The post Si ta ktheni rritjen e varur nga themeluesi, në një sistem që funksionon vetë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Një në dhjetë drejtorë marketingu bëhet CEO. E habitshme është që nuk janë më shumë

Rritja është objektivi kryesor i shumicës së organizatave – dhe kjo varet nga aftësia për të mbledhur informacionin e duhur, për ta interpretuar atë dhe për të ndërtuar një strategji efektive. Pikërisht këtë bëjnë drejtuesit e marketingut çdo ditë.

 

Nga Mike Fantis*

 

Marketingu, tradicionalisht, rrallëherë konsiderohej si rruga drejt postit të drejtorit të përgjithshëm. Por diçka ka ndryshuar.

Sipas një studimi të fundit të kompanisë amerikane të konsulencës Spencer Stuart, një në dhjetë drejtorë marketingu (Chief Marketing Officer – CMO) bëhet CEO. Arsyeja e këtij ndryshimi është se bordet drejtuese po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se marketingu nuk mund të shihet më thjesht si një qendër kostosh.

Ata që e konsiderojnë këtë një fenomen kalimtar duhet të kujtojnë se kompani të mëdha si Unilever, Starbucks dhe Kraft Heinz kanë regjistruar rritje të konsiderueshme nën drejtimin e ish-drejtorëve të marketingut.

Drejtuesit më të mirë të marketingut mendojnë si drejtues të gjithë biznesit. Ata interpretojnë sinjalet e tregut, harmonizojnë funksionet e ndryshme të kompanisë, balancojnë vendimet afatshkurtra me ato afatgjata dhe i kthejnë të dhënat në veprim. Për më tepër, ata janë zakonisht të vetmit që kuptojnë të gjithë rrugëtimin e klientit.

 

Aftësi që shkojnë përtej marketingut

Drejtimi i një organizate komplekse është, natyrisht, një detyrë shumë më e madhe sesa menaxhimi i një fushate marketingu. Megjithatë, aftësitë që kërkohen nuk janë aq të ndryshme.

Në ekonominë e sotme dixhitale, të kuptosh klientin do të thotë të kuptosh të dhënat. Në një ekonomi globale gjithnjë e më të paqëndrueshme, ndërtimi i strategjive të rritjes mbi analiza të mëdha të të dhënave është bërë më i rëndësishëm se kurrë.

Drejtuesit e marketingut duhet të jenë njëkohësisht të aftë të shfrytëzojnë shpejt mundësitë e reja dhe të ndërtojnë strategji afatgjata. Ata janë mësuar të analizojnë shtresa të ndryshme të dhënash për të zbuluar sjellje të reja të konsumatorëve dhe kjo mënyrë të menduari i ndihmon gjithashtu të interpretojnë zhvillimet ekonomike, sociale dhe gjeopolitike.

 

Një nga rolet më të vështira në kompani

Të mbijetosh dhe të kesh sukses si CMO nuk është e lehtë.

Marketingu nuk është një disiplinë “e butë”, siç është konsideruar shpesh në të kaluarën. Përkundrazi, gjatë viteve të fundit, ndoshta asnjë rol tjetër në nivelet më të larta drejtuese nuk është përballur me ndryshime kaq të mëdha dhe kaq të shpejta.

Disa drejtues marketingu kanë kaluar nga epoka analoge në atë dixhitale. Më pas u është dashur të përshtaten me ndryshimet e algoritmeve të Google, me ekosistemin e Meta-s dhe, tani, me epokën e inteligjencës artificiale dhe të kërkimeve pa klikime (“zero-click”).

Në të njëjtën kohë, buxhetet e marketingut janë zakonisht të parat që shkurtohen kur kompanitë përballen me vështirësi financiare, edhe pse prej tyre pritet të vazhdojnë të gjenerojnë rritje.

Studimi më i fundit i Gartner tregon se buxheti mesatar i marketingut në vitin 2025 mbeti 7.7% e të ardhurave totale të kompanive, për të dytin vit radhazi, dhe nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm as gjatë vitit 2026.

Kjo ka bërë që pritshmëria për të arritur më shumë rezultate me më pak burime të konsiderohet tashmë normale.

 

Më shumë sesa specialistë marketingu

Në këtë kontekst, drejtuesit e marketingut janë bërë gjithnjë e më të aftë edhe të promovojnë punën e tyre. Qoftë vetëpromovim apo vetëmbrojtje, kjo është një qasje e arsyeshme kur buxhetet janë vazhdimisht nën presion.

CMO-t më të mirë janë profesionistë shumëdisiplinorë: të fortë në menaxhim, realistë, të orientuar nga të dhënat, të përqendruar te njerëzit dhe të fokusuar te rezultatet.

Nuk ka asnjë arsye pse dikush që i përdor me sukses këto aftësi dhe mban përgjegjësi financiare në një rol kaq kompleks, të mos jetë në gjendje t’i shtrijë ato edhe në drejtimin e gjithë kompanisë.

Një drejtues efektiv marketingu zakonisht ndërton marrëdhënie të forta me departamentet e tjera për të siguruar informacionin që i nevojitet. Pikërisht kjo e bën të aftë të bashkojë ekipin drejtues rreth objektivave të përbashkëta dhe të udhëheqë ndryshimet strategjike në organizatë.

 

Ata kanë në dorë edhe të dhënat më të vlefshme

Drejtuesit e marketingut jo vetëm që kanë prirje natyrore për lidership, por administrojnë edhe disa nga burimet më të pasura të informacionit në kompani.

Të dhënat që gjenden në platformat CRM, sistemet e marketingut dhe regjistrat e komunikimit me klientët ofrojnë një pamje shumë më të gjerë të shëndetit të organizatës dhe duhet të përdoren më shumë në hartimin e strategjisë së biznesit.

Në marketing përdoret shpesh shprehja “problemi pas kërkesës”. Përpara se të shpenzohen para për një fushatë, të dhënat analizohen për të kuptuar se cili është problemi i vërtetë që strategjia duhet të zgjidhë.

Shpesh ai nuk lidhet vetëm me njohjen e markës. Mund të vijë nga problemet në zinxhirin e furnizimit, aktiviteti i konkurrentëve ose cilësia e shërbimit ndaj klientit.

Në fund të fundit, suksesi afatgjatë i çdo organizate varet nga rritja. Dhe rritja kërkon informacionin e duhur për tregun dhe klientët, interpretimin e tij dhe ndërtimin e strategjisë së duhur – pikërisht atë që drejtuesit e marketingut bëjnë çdo ditë.

Për shkak se kuptojnë se bashkëpunimi mes departamenteve përmirëson përvojën e klientit, prirja e tyre natyrore është të thyejnë barrierat organizative dhe të nxisin bashkëpunimin.

Cilësia më e rëndësishme që ata sjellin në tryezën e vendimmarrjes është se e kuptojnë se rritja kërkon ndryshim, ndërsa ndryshimi kërkon ekipe të fuqizuara dhe të integruara.

Derisa më shumë CEO t’u japin drejtuesve të marketingut hapësirën dhe burimet për të vepruar sipas këtij vizioni, alternativa më pragmatike për ta mbetet të synojnë vetë postin e CEO-së.

Nuk është aspak çudi që një në dhjetë prej tyre arrin ta bëjë këtë. Më e habitshme është që ky numër nuk është edhe më i madh./ Management Today

 

*Mike Fantis është partner menaxhues i zyrës së Londrës të agjencisë së medias DAC.

The post Një në dhjetë drejtorë marketingu bëhet CEO. E habitshme është që nuk janë më shumë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Pse pajisjet nuk mund ta zëvendësojnë lidhjen njerëzore në punë

Mark C. Crowley

 

Në vendin modern të punës, menaxherët shpesh presin që punonjësit të jenë të arritshëm në çdo moment. Emailet mbërrijnë vonë në mbrëmje. Mesazhet ndërpresin darkat, fundjavat dhe pushimet.

Sipas studimeve, normat e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm në mbarë botën gjatë 15 viteve të fundit, një tregues se njerëzit po kalojnë më pak kohë në ndërveprime të drejtpërdrejta. Edhe pse në këtë fenomen ndikojnë shumë faktorë, kërkimet sugjerojnë se gjithnjë e më shpesh po zëvendësojmë kontaktin njerëzor me komunikimin dixhital.

Në vendet e punës, email-et, mesazhet, Slack, Zoom dhe Teams kanë zënë një pjesë të madhe të kohës që dikur përdorej për komunikim të drejtpërdrejtë. Sot, një pjesë e konsiderueshme e jetës sonë kalon duke komunikuar përmes pajisjeve, madje edhe gjatë takimeve ballë për ballë. Teknologjia e ka bërë komunikimin më të lehtë dhe më efikas, por mund të jetë duke dobësuar një nga elementet më të rëndësishme të mirëqenies njerëzore: kontaktin e vërtetë me të tjerët.

 

Iluzioni i të qenit bashkë

Njerëzit nuk janë krijuar thjesht për të shkëmbyer informacion. Ne jemi të programuar biologjikisht për lidhje sociale dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë. Kjo është mënyra se si organizmi ynë rregullon stresin, stabilizon humorin dhe krijon ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë.

Kur krijojmë lidhje të vërteta me të tjerët, sistemi nervor qetësohet dhe ne fitojmë burime psikologjike si besimi dhe qëndrueshmëria emocionale, të cilat është e vështirë, në mos e pamundur, të krijohen vetëm në mënyrë dixhitale. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz kalojnë ditët duke lëvizur nga një ekran te tjetri, me bindjen se kjo përbën një jetë sociale të plotë.

Pasojat tashmë janë të dukshme. Nivelet e vetmisë po rriten në mbarë botën. Rreth 41% e njerëzve thonë se ndihen të vetmuar shumicën e kohës, ndërsa 39% deklarojnë se kanë vetëm dy ose më pak miq. Studimet mbi vendet e punës tregojnë vazhdimisht se afërsisht gjysma e punonjësve përjetojnë simptoma të lodhjes kronike profesionale, ndërsa shumë të tjerë raportojnë stres dhe rraskapitje të vazhdueshme të lidhura me punën. Vetëm nga viti 2023 në 2024, numri i punonjësve që kërkuan leje për arsye të shëndetit mendor u rrit me 74%.

Kur puna nuk ndalet kurrë

Një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është se komunikimi dixhital nuk ndalet asnjëherë. Dikur punonjësit kishin kohë të shkëputeshin dhe të rikuperoheshin pas një dite të lodhshme pune. Sot, sipas Gallup dhe Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, 43% e amerikanëve punojnë nga pesë deri në 21 orë shtesë çdo javë përtej orarit zyrtar.

Në varësi të profesionit, shumë njerëz sot punojnë 10% deri në 50% më shumë se në vitin 2001 dhe pajisjet dixhitale janë një nga arsyet kryesore që e bëjnë të mundur këtë.

Me kalimin e kohës, kjo lidhje e pandërprerë me teknologjinë krijon atë që studiuesit e quajnë “teknostres”, një gjendje e lidhur me mbingarkesën mendore, rraskapitjen emocionale dhe lodhjen kronike profesionale.

Si mund të rikthejmë lidhjen njerëzore në punë

Lajmi i mirë është se këto prirje nuk janë të pakthyeshme. Megjithatë, ndryshimi kërkon më shumë sesa përpjekje individuale. Duhet të ndryshojë edhe mënyra se si organizohet puna dhe si përkufizohet komunikimi i mirë brenda organizatave.

Vendosni norma të reja komunikimi

Një nga hapat më efektivë është reduktimi i zhurmës dixhitale. Kjo nuk do të thotë të komunikojmë më pak, por të komunikojmë më me qëllim. Për shembull, pritshmëritë e qarta për kohën e përgjigjes mund të reduktojnë presionin e disponueshmërisë së vazhdueshme dhe të ndihmojnë punonjësit të ruajnë përqendrimin.

Po aq e rëndësishme është që mesazhet e menjëhershme të përdoren vetëm kur kërkohet vërtet një reagim i shpejtë.

Rishikoni takimet

Është gjithashtu momenti për të pyetur nëse çdo takim është vërtet i nevojshëm. Sipas të dhënave të Microsoft Work Trend Index, numri i takimeve është rritur me 252% midis viteve 2020 dhe 2025.

Shumë prej tyre janë kthyer në mbledhje raportimi dhe jo në hapësira për dialog apo bashkëpunim të vërtetë. Reduktimi i takimeve të panevojshme jo vetëm që liron kohë për punë të përqendruar, por krijon edhe më shumë mundësi për biseda spontane dhe informale mes kolegëve, të cilat forcojnë marrëdhëniet dhe besimin.

Një tjetër sugjerim është që takimet të zhvillohen pa pajisje elektronike sa herë që është e mundur. Kur njerëzit nuk ndajnë vëmendjen mes diskutimit dhe mesazheve hyrëse, bisedat bëhen më cilësore dhe vendimmarrja më e qartë.

Riktheni kufijtë mes punës dhe jetës personale

Po aq e rëndësishme është mbrojtja e kohës së rikuperimit. Që nga përhapja e telefonave inteligjentë, kufiri mes punës dhe jetës private është bërë gjithnjë e më i paqartë.

Shumë drejtues vazhdojnë të besojnë se disponueshmëria pas orarit zyrtar është shenjë përkushtimi. Por truri i njeriut nuk funksionon në mënyrë optimale kur ndërpritet vazhdimisht ose kur koha për pushim reduktohet.

Pa periudha të mjaftueshme shkëputjeje, vëmendja nuk rikuperohet plotësisht. Me kalimin e kohës kjo sjell rënie të energjisë, përqendrimit dhe kapacitetit për të përballuar ngarkesat e punës. Në nivel organizativ, kjo përkthehet në mbingarkesë mendore, stres kronik dhe përkeqësim të mirëqenies së përgjithshme.

Prandaj, kufizimi i komunikimit pas orarit, gjatë fundjavave dhe pushimeve nuk është thjesht një përfitim për stilin e jetesës. Ai është një çështje performance dhe qëndrueshmërie.

Edhe drejtuesit kanë nevojë për kufij

Një aspekt që shpesh anashkalohet është se edhe drejtuesit janë po aq të ekspozuar ndaj këtij fenomeni. Ata gjithashtu janë njerëz dhe pritshmëria për të qenë vazhdimisht të disponueshëm ka kufijtë e saj.

Udhëheqja bazohet mbi vëmendjen. Kur vëmendja është e shpërndarë, njerëzit e ndiejnë. Kur ajo është e përqendruar dhe e pranishme, njerëzit e ndiejnë po ashtu.

Në këtë kuptim, mbingarkesa dixhitale nuk ndikon vetëm te produktiviteti. Ajo ndryshon cilësinë emocionale të marrëdhënieve në vendin e punës.

Drejtuesit që arrijnë të mbrojnë vëmendjen e tyre janë më të aftë të krijojnë mjedise ku edhe të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë. Prania është po aq ngjitëse sa edhe shpërqendrimi.

Në përfundim

Teknologjia sjell përfitime të shumta, por ajo duhet të shërbejë për të forcuar lidhjet njerëzore dhe jo për t’i zëvendësuar ato. Gjithnjë e më shumë dëshmi tregojnë se komunikimi dixhital nuk mund të ofrojë thellësinë emocionale dhe mbështetjen psikologjike që vjen nga kontakti i drejtpërdrejtë mes njerëzve.

Në një botë ku vëmendja tërhiqet vazhdimisht nga ekranet, edhe momentet e vogla të pranisë së plotë dhe pa shpërqendrime mund të jenë ndër zgjedhjet më të rëndësishme për mirëqenien tonë, në punë dhe në jetën e përditshme./ Psychology Today

The post Pse pajisjet nuk mund ta zëvendësojnë lidhjen njerëzore në punë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Çdo kompani kërkon një drejtor për inteligjencën artificiale, por jo të gjitha e dinë pse

Roli i ri në nivelet më të larta drejtuese po përhapet me shpejtësi, ndërsa kompanitë përpiqen të përshtaten me revolucionin e inteligjencës artificiale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përgjegjësitë e këtij pozicioni mbeten të paqarta, mbivendosen me role të tjera ekzistuese dhe talentet e duhura janë shumë të rralla.

 

 

Sa herë që shfaqet një rol i ri në nivelet më të larta drejtuese të kompanive (C-suite), lindin të njëjtat pyetje: Cilat janë përgjegjësitë? Kujt i raporton? Si matet rezultati i investimit?

Në rastin e Chief AI Officer (CAIO) – drejtorit për inteligjencën artificiale – që është bërë një nga pozicionet më të kërkuara të momentit, përgjigjet nuk janë aspak të qarta.

Një postim në Reddit, që u bë viral, e përmbledh mirë këtë konfuzion: “Jam punësuar si Chief AI Officer prej gjashtë muajsh dhe po kuptoj se askush nuk e di se për çfarë jam realisht përgjegjës.”

Megjithatë, kjo paqartësi nuk i ka penguar kompanitë të hyjnë në një garë për të rekrutuar drejtues të inteligjencës artificiale.

Sipas një studimi të IBM të publikuar në maj, 76% e 2,000 kompanive të anketuara kanë tashmë një Chief AI Officer, nga vetëm 26% një vit më parë.

Institucione si HSBC, Deloitte, PwC dhe madje edhe qeveria britanike kanë krijuar tashmë këtë pozicion.

 

Një garë për talente që mungojnë

Vodafone ishte një nga kompanitë e para shumëkombëshe që krijoi këtë rol në vitin 2015. Një vit më vonë, eksperti i njohur i inteligjencës artificiale Andrew Ng u bëri thirrje kompanive, në Harvard Business Review, të emëronin drejtues të dedikuar për AI, duke e krahasuar ndikimin e saj me zbulimin e energjisë elektrike.

Por vetëm pas hyrjes masive të AI në proceset e biznesit gjatë vitit 2024, kërkesa për këta profesionistë shpërtheu.

Spencer Covey, konsulent në Russell Reynolds Associates, thotë se interesi është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme.

Problemi është se tregu nuk ka mjaftueshëm kandidatë.

“Ka shumë pak njerëz që mund të tregojnë se kanë udhëhequr transformime të mëdha organizative të bazuara në AI. Të gjitha kompanitë po konkurrojnë për të njëjtin grup të vogël profesionistësh”, shpjegon ai.

 

Nuk mjafton të njohësh teknologjinë

Sipas Covey, kandidati ideal nuk është domosdoshmërisht programuesi më i mirë.

Ai duhet të jetë një drejtues që kupton biznesin, di të menaxhojë ndryshimin organizativ dhe është në gjendje të lidhë teknologjinë me objektivat strategjikë të kompanisë.

Në të njëjtën kohë duhet të ketë kureshtje natyrore për teknologjinë dhe të eksperimentojë vazhdimisht me mjetet e reja të AI, jo vetëm për arsye pune, por sepse e shtyn interesi personal.

Edhe James Hutt, themelues i kompanisë së konsulencës Paradigm Junction, beson se një drejtues i suksesshëm për AI duhet të kuptojë jo vetëm teknologjinë, por edhe mënyrën se si bind njerëzit të ndryshojnë mënyrën e punës.

Sipas tij, sfida nuk është vetëm të prezantosh mjete të reja, por të krijosh një kulturë ku punonjësit pranojnë të eksperimentojnë, të marrin rreziqe dhe të inovojnë.

 

A duhet vërtet një drejtues i dedikuar për AI?

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se krijimi i këtij pozicioni është zgjidhja e duhur.

Në vitet e fundit kompanitë kanë shtuar vazhdimisht role të reja në nivel drejtues, si Chief Data Officer apo Chief Transformation Officer, duke krijuar shpesh mbivendosje përgjegjësish.

Disa ekspertë argumentojnë se, nëse drejtori i teknologjisë (CTO) ose drejtori i informacionit (CIO) janë tashmë përgjegjës për të dhënat, platformat dhe strategjinë teknologjike, atëherë edhe rezultatet e AI duhet të jenë pjesë e mandatit të tyre.

Sipas tyre, shtimi i një drejtuesi tjetër nuk zgjidh problemin e mungesës së lidershipit strategjik.

James Hutt paralajmëron edhe një rrezik tjetër.

“Nëse organizata fillon të mendojë se inteligjenca artificiale është përgjegjësi vetëm e Chief AI Officer, atëherë drejtuesit e tjerë do të shmangin përgjegjësinë e tyre. Ky do të ishte skenari më i keq.”

Një sondazh i fundit i BCG tregon se më pak se 10% e bordeve dhe drejtuesve ekzekutivë besojnë se strategjia e AI duhet të drejtohet vetëm nga Chief AI Officer.

 

Rreziku i kthimit në një rol simbolik

Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore pse ky rol mund të dështojë është se shumë kompani e trajtojnë inteligjencën artificiale si një seri eksperimentesh, në vend që ta integrojnë atë në modelin e biznesit.

Në këto raste, drejtuesi i AI mbetet një figurë simbolike, që miraton projektet, por nuk ka ndikim real në transformimin e proceseve të kompanisë.

Covey thekson se nuk mjafton të punësosh dikë dhe t’i thuash se detyra e tij është “të merret me AI”.

Pozicioni duhet të ketë objektiva të qarta, autoritet vendimmarrës dhe përgjegjësi konkrete për zbatimin e ndryshimeve.

 

Transformimi nuk është vetëm teknologji

Për Hutt, suksesi i një Chief AI Officer nuk varet vetëm nga teknologjia.

Kompanitë duhet të kuptojnë më mirë nevojat e klientëve, të analizojnë tregun dhe të ndërtojnë një program të mirëfilltë të menaxhimit të ndryshimit, që transformon kulturën organizative.

Kjo do të thotë t’u krijojnë punonjësve hapësirë për të eksperimentuar, t’i shpërblejnë për inovacionin dhe të sfidojnë modelet tradicionale të menaxhimit që pengojnë ndryshimin.

“Shumë nga drejtuesit që sot menaxhojnë organizata të mëdha janë rritur profesionalisht duke përmirësuar gradualisht proceset ekzistuese. Sot, sfida nuk është përmirësimi i vogël, por aftësia për t’u përshtatur vazhdimisht me ritmin e ndryshimeve teknologjike,” thotë ai.

Edhe pse shumë kompani janë ende larg shfrytëzimit të plotë të potencialit të inteligjencës artificiale, presioni nga investitorët dhe ritmi marramendës i zhvillimeve teknologjike pritet ta bëjnë gjithnjë e më të zakonshëm rolin e Chief AI Officer.

Siç përfundon Covey: “Klientët tanë na thonë se kanë nevojë për një person të dedikuar. Ndryshimet në këtë fushë janë aq të shpejta, sa dikush duhet t’i ndjekë pothuajse minutë pas minute.”/ Management Today

 

The post Çdo kompani kërkon një drejtor për inteligjencën artificiale, por jo të gjitha e dinë pse appeared first on Revista Monitor.

  •  

Reputacioni është një aset. Atëherë pse nuk menaxhohet si i tillë?

Nga Ryan McSharry

 

Reputacioni shpesh trajtohet si diçka e paprekshme – i rëndësishëm, por tepër i vështirë për t’u matur dhe për t’u menaxhuar me disiplinë. Por kjo qasje është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme.

Drejtuesit e kompanive e dinë se reputacioni ka rëndësi. Megjithatë, sa herë që shpërthen një krizë, bëhet e qartë se ai nuk po menaxhohet si një aset i mirëfilltë biznesi.

Në shumë organizata, reputacioni vazhdon të jetë përgjegjësi e departamentit të komunikimit dhe jo e menaxhimit të rrezikut. Ai trajtohet vetëm pasi vihet në rrezik, jo në mënyrë parandaluese. Për më tepër, përgjegjësia shpesh është aq e shpërndarë, sa askush nuk mban realisht llogari për të. Kjo mund të ishte e pranueshme nëse pasojat financiare do të ishin të kufizuara. Por nuk janë.

Reputacioni ka vlerë si një aset financiar

Në praktikë, reputacioni funksionon si çdo aset tjetër me vlerë për kompaninë. Ai mund të forcohet ose të dëmtohet shumë shpejt dhe, në momentet e krizës, bëhet një nga faktorët kryesorë që përcakton nëse kompania do të ruajë besimin e klientëve, investitorëve dhe publikut.

Në shumicën e rasteve, problemi që shkakton krizën mund të zgjidhet brenda pak ditësh. Megjithatë, rikuperimi i reputacionit është një proces shumë më i gjatë. Humbja e besimit mund të ndikojë për muaj, madje edhe për vite, edhe pasi problemi fillestar të jetë zgjidhur.

Në fakt, reputacioni rrallëherë është burimi i krizës. Ai dëmtohet si pasojë e gabimeve operacionale, vendimeve të gabuara, problemeve ligjore apo incidenteve të tjera. Pikërisht sepse është pasojë dhe jo shkak, shumë organizata priren ta nënvlerësojnë, derisa dëmi të jetë bërë i dukshëm.

Ku gabojnë bordet drejtuese?

Shumica e drejtuesve pranojnë se reputacioni është i rëndësishëm, por mënyra si e menaxhojnë shpesh nuk është e mjaftueshme.

Reagojnë shumë vonë

Reputacioni vazhdon të trajtohet si diçka që duhet mbrojtur vetëm kur është tashmë nën sulm. Në realitet, ai ndërtohet çdo ditë përmes vendimeve, sjelljes dhe mënyrës si organizata trajton problemet përpara se ato të bëhen publike.

Strategjia ligjore, vendimmarrja e brendshme dhe mënyra si adresohen çështjet në fazat e hershme ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si kompania do ta përballojë një krizë.

Askush nuk mban përgjegjësi të plotë

Reputacioni prek shumë funksione njëherësh: departamentin ligjor, menaxhimin e rrezikut, komunikimin dhe drejtimin ekzekutiv.

Në teori kjo duhet të jetë një avantazh. Në praktikë, shpesh krijon konfuzion.

Kur një problem kalon nga njohja e brendshme në vëmendjen e publikut, mungesa e koordinimit sjell vonesa. Organizatat e kuptojnë herët problemin, por nuk arrijnë të bien dakord se si do ta trajtojnë. Ndërkohë, narrativa publike ecën shumë më shpejt sesa vendimmarrja e tyre.

Mesazhi nuk mjafton

Shumë kompani besojnë se reputacioni mund të mbrohet me komunikimin e duhur.

Por kur një çështje është bërë tashmë publike, vendimet kryesore janë marrë prej kohësh.

Në atë pikë, departamenti i komunikimit nuk mund ta ndryshojë situatën; ai mund vetëm ta shpjegojë atë.

Pse rreziku po rritet?

Dy elementë po ndryshojnë vazhdimisht: shpejtësia dhe kompleksiteti.

Teknologjia ka përshpejtuar përhapjen e informacionit, por ndryshimi më i madh është strukturor.

Sot organizatat veprojnë në një mjedis shumë më të polarizuar, ku pothuajse çdo vendim gjykohet njëkohësisht nga këndvështrime rregullatore, politike, sociale dhe tregtare.

Rreziku nuk lidhet më vetëm me shmangien e gabimeve.

Ai lidhet me marrjen e vendimeve duke ditur se ato do të interpretohen ndryshe nga grupe të ndryshme interesi – dhe jo gjithmonë në mënyrën që kompania do të dëshironte.

Në të njëjtën kohë, informacioni përhapet shumë më shpejt.

Problemi nuk është vetëm që një incident të marrë vëmendje publike. Rreziku më i madh është që ngjarje të ndryshme, vendime të ndara apo sjellje individuale të lidhen mes tyre dhe të krijojnë një histori të vetme për mënyrën si funksionon organizata.

Edhe kur secili incident është menaxhuar siç duhet, perceptimi publik mund të jetë shumë më i vështirë për t’u kontrolluar.

Si ndërtohet rezistenca?

Rezistenca nuk do të thotë të parashikosh çdo krizë ose të shmangësh çdo kritikë.

Do të thotë të krijosh kushtet që organizata të marrë vendime më të mira kur përballet me presion.

Kjo kërkon që reputacioni të merret në konsideratë që në fazën e vendimmarrjes, sidomos për çështje me ekspozim të lartë publik.

Po aq e rëndësishme është që departamenti ligjor, menaxhimi i rrezikut, komunikimi dhe drejtuesit të krijojnë një qëndrim të përbashkët përpara se narrativa publike të konsolidohet.

Nëse një çështje bëhet publike, reagimi i shpejtë ka vlerë vetëm nëse mbështetet në analiza dhe vendimmarrje cilësore.

Nga diçka e paprekshme në një aset thelbësor

Reputacioni vazhdon të trajtohet si një element i paprekshëm – i rëndësishëm, por i vështirë për t’u matur.

Megjithatë, ndikimi i tij është shumë konkret.

Ai përcakton mënyrën si priten vendimet e kompanisë, si reagojnë klientët, investitorët, rregullatorët dhe publiku, si edhe nëse vlera e biznesit ruhet apo humbet.

Bordet drejtuese nuk kanë nevojë ta matin reputacionin me saktësi matematike për t’i kushtuar vëmendjen që meriton.

Ato duhet të kuptojnë se sa shpejt ai mund të ndikojë te besimi, te e drejta për të operuar dhe te vlera e kompanisë, duke e menaxhuar me të njëjtën disiplinë si çdo aset tjetër strategjik.

Sepse reputacioni nuk ka të bëjë vetëm me imazhin.

Ai ka të bëjë me vlerën e biznesit – pikërisht në momentin kur ajo është më e rrezikuar./ Management Today

 

 

The post Reputacioni është një aset. Atëherë pse nuk menaxhohet si i tillë? appeared first on Revista Monitor.

  •  

The Balkans Divided Over Foreign Workers: Where Support Is Highest and Lowest

Western Balkan countries have increasingly faced labour shortages in recent years, driven in large part by high levels of youth emigration. As a result, vacancies are now being filled more frequently by workers arriving from other countries.

However, citizens across the six economies of the region hold differing views on whether foreign nationals should be allowed to work in their countries when jobs are available.

According to the Regional Cooperation Council’s Security Meter 2025 survey, an average of 57% of respondents across the region support this policy, 33% oppose it, while 10% have no clear position.

Support is highest in Albania, where 77% of respondents are in favour of allowing foreign workers to enter the labour market. Albania is followed by Bosnia and Herzegovina, at 62%, and Kosovo, at 61%.

In North Macedonia, 53% of citizens support this approach, a level close to the regional average. Attitudes are considerably more cautious in Serbia and Montenegro, where 44% and 43% of respondents, respectively, are in favour.

Montenegro is the only country in the region where opponents outnumber supporters. Around 46% of Montenegrin citizens oppose allowing foreign workers, compared with 43% who support the policy.

In Serbia, 36% are against it, while 21% did not provide an answer. This is the highest share of undecided respondents, or those who declined to respond, anywhere in the region.

The proportion of people without a clear position is also relatively high in North Macedonia, at 14%, and in Bosnia and Herzegovina, at 12%. In Kosovo, only 3% did not provide an answer, while the share was just 2% in Albania.

The findings show that most of the Western Balkans has a majority in favour of labour-related immigration, although support is far from uniform. Albania, Bosnia and Herzegovina, and Kosovo appear more open, while Montenegro and Serbia remain more sceptical.

These differences are linked to labour market conditions, shortages of workers, emigration trends, and public perceptions of competition for jobs. In economies where businesses are struggling to recruit staff, foreign workers are more often viewed as a practical solution for filling vacancies.

B.Hoxha

Source: RCC

The post The Balkans Divided Over Foreign Workers: Where Support Is Highest and Lowest appeared first on Revista Monitor.

  •  

Ballkani, i ndarë për punonjësit e huaj, shtetet që i mbështesin më shumë dhe më pak

Vendet e Ballkanit Perëndimor vitet e fundit po vuajnë mungesat në tregun e punës, për shkak të niveleve të larta të emigracionit tek të rinjtë, duke bërë që tashmë vendet bosh të mbulohen me emigrantë nga vendet të tjera.

Por qytetarët në 6 vendet e Rajonit kanë qëndrime të ndryshme ndaj lejimit të shtetasve të huaj për të punuar në ekonomitë e tyre, për sa kohë ka vende pune të disponueshme.

Sipas të dhënave të anketës “Security Meter 2025”, nga Këshilli i bashkëpunimit rajonal, mesatarisht 57% e të anketuarve në rajon e mbështesin këtë politikë, 33% janë kundër, ndërsa 10% nuk kanë një qëndrim për këto zhvillime.

Mbështetja më e lartë regjistrohet në Shqipëri, ku 77% e të anketuarve janë në favor të lejimit të punëtorëve të huaj. Pas saj renditen Bosnjë dhe Hercegovina me 62% dhe Kosova me 61%.

Në Maqedoninë e Veriut, 53% e qytetarëve e mbështesin këtë qasje, një nivel pranë mesatares rajonale. Ndërkohë, qëndrimet janë dukshëm më të rezervuara në Serbi dhe Malin e Zi, ku përkatësisht 44% dhe 43% e të anketuarve janë në favor.

Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit ku kundërshtarët janë më të shumtë se mbështetësit. Rreth 46% e qytetarëve malazezë shprehen kundër lejimit të punëtorëve të huaj, krahasuar me 43% që janë pro.

Në Serbi, 36% janë kundër, ndërsa 21% nuk kanë dhënë përgjigje, përqindja më e lartë e të pavendosurve ose e personave që kanë refuzuar të përgjigjen në të gjithë rajonin.

Edhe në Maqedoninë e Veriut niveli i personave pa qëndrim është relativisht i lartë, me 14%, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë arrin në 12%. Në Kosovë, vetëm 3% nuk kanë dhënë përgjigje, ndërsa në Shqipëri kjo pjesë është 2%.

Të dhënat tregojnë se në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor ekziston një shumicë në favor të emigracionit për motive punësimi, por mbështetja nuk është e njëtrajtshme. Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosova shfaqen më të hapura, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia janë më skeptike.

Diferencat lidhen me kushtet e tregut të punës, mungesat e fuqisë punëtore, ritmet e emigrimit dhe perceptimin e qytetarëve mbi konkurrencën për vendet e punës. Në ekonomitë ku bizneset po përballen me mungesë punonjësish, punësimi i të huajve shihet më shumë si një zgjidhje për plotësimin e vendeve vakante./ B.Hoxha

Burimi: Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal

The post Ballkani, i ndarë për punonjësit e huaj, shtetet që i mbështesin më shumë dhe më pak appeared first on Revista Monitor.

  •  

Kur AI jep këshilla, punonjësit rrallë pyesin “pse”

Sistemet e inteligjencës artificiale që funksionojnë si “kuti e zezë” nuk janë të detyruara të shpjegojnë mënyrën se si arrijnë në një përgjigje, edhe kur përdoren për vendime me pasoja të rëndësishme.

Dhe, në disa raste, vendimmarrësit mund ta preferojnë pikërisht këtë mungesë shpjegimi, sidomos kur në lojë janë paratë dhe dilemat morale.

Një studim i Alex Chan, profesor në Harvard Business School, tregon se njerëzit shpesh i besojnë këshillës së AI, por nuk duan domosdoshmërisht të dinë arsyetimin pas saj.

Në një eksperiment për miratimin e kredive me ndihmën e AI, pjesëmarrësit vepruan si punonjës kredidhënës dhe shqyrtuan kërkesa reale për kredi prej 10 mijë dollarësh. Shpesh, ata zgjodhën të mos dinin pse sistemi i AI e cilësonte një huamarrës më të rrezikshëm se një tjetër, edhe pse shpjegimi mund të tregonte nëse vendimi ishte ndikuar nga raca apo gjinia.

Pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të shmangnin shpjegimet kur bonusi i tyre varej nga shlyerja e kredisë. Në këto raste, ata prironin të ndiqnin rekomandimin e algoritmit, pa verifikuar nëse ai mund të ishte i njëanshëm.

Gjetjet sugjerojnë se njerëzit jo vetëm që nuk kërkojnë gjithmonë më shumë informacion, por ndonjëherë e shmangin atë me vetëdije, sepse njohja e arsyeve mund ta bëjë vendimin më të vështirë ose moralisht më të pakëndshëm.

Siç e përmbledh Chan: “Rreziku më i madh i AI nuk janë vetëm përgjigjet e gabuara apo mungesa e përdorimit. Është fakti që mund t’i mësojë njerëzit të mos pyesin më ‘pse’.”

Pse shpjegueshmëria e AI nuk mjafton

Kompanitë po nxitojnë të përfshijnë AI në procese të ndryshme vendimmarrëse, nga rekrutimi dhe miratimi i kredive, te testimet mjekësore apo procedurat gjyqësore. Kjo ka rritur presionin që këto sisteme të jenë të drejta, transparente dhe të besueshme.

Për këtë arsye është rritur edhe interesi për të ashtuquajturën “AI e shpjegueshme”, që synon t’u tregojë përdoruesve arsyetimin pas përgjigjeve të gjeneruara nga sistemi, jo vetëm rezultatin përfundimtar.

Por studimi i Chan vë në dyshim një supozim të përhapur: idenë se njerëzit duan gjithmonë më shumë transparencë nga AI.

Punimi i tij “Preference for Explanations: Case of Explainable AI” tregon se, në disa raste, njerëzit mund të mos duan më shumë informacion nëse ai ua bën vendimmarrjen më të ndërlikuar apo më të pakëndshme.

“Njerëzit që ndërveprojnë me AI nuk janë agjentë plotësisht racionalë,” thotë Chan. “Ata janë strategjikë, të motivuar dhe ndonjëherë zgjedhin me vetëdije të mos dinë.”

Si u zhvillua eksperimenti

Për të kuptuar se si njerëzit reagojnë ndaj shpjegimeve të AI, Chan rekrutoi 2,512 pjesëmarrës online dhe u kërkoi të shqyrtonin çifte kërkesash për kredi prej 10 mijë dollarësh.

Kërkesat vinin nga individë të papunë në SHBA, të cilët kishin nevojë për para për shpenzime jetese.

Pjesëmarrësit panë informacione bazë për huamarrësit e mundshëm, si të ardhurat, raca, gjinia dhe madhësia e familjes, si edhe parashikimin e AI për rrezikun e mosshlyerjes së kredisë. Më pas, ata kishin mundësinë të shihnin edhe shpjegimin e këtij parashikimi.

Në çdo çift kërkesash, algoritmi e klasifikonte njërin huamarrës si me rrezik të ulët, me më pak se 10% probabilitet për mospagim, dhe tjetrin si me rrezik të lartë, me mbi 90% probabilitet.

Për një grup pjesëmarrësish, bonusi financiar lidhej drejtpërdrejt me faktin nëse kredia do të shlyhej apo jo.

Pjesëmarrësit, në rolin e punonjësve të kredidhënies, mund të zgjidhnin mes tre opsioneve:

  • të anashkalonin algoritmin dhe të miratonin të dyja kreditë;
  • të ndiqnin rekomandimin e AI për cilën kredi të financonin;
  • të shihnin ose jo shpjegimin e faktorëve që AI kishte përdorur për vendimin.

Kur njerëzit nuk duan të dinë

Studimi tregoi se pjesëmarrësit donin të shihnin parashikimet e AI për rrezikun, por jo gjithmonë arsyetimin pas tyre.

Rreth 80% e pjesëmarrësve donin të shihnin vlerësimin e rrezikut për huamarrësit. Por vetëm rreth 46% kërkuan të shihnin shpjegimet pas këtij vlerësimi.

Kur kompensimi i pjesëmarrësve varej nga shlyerja e kredisë, ata kishin rreth 20% më shumë gjasa të refuzonin shpjegimet krahasuar me ata që merrnin një pagesë fikse.

Shmangia e shpjegimeve rritej edhe më shumë kur pjesëmarrësve u thuhej se shpjegimi mund të tregonte se rekomandimi i AI ishte ndikuar nga raca apo gjinia. Në këto raste, përqindja e atyre që shmangnin shpjegimin u rrit me mbi 10 pikë përqindje, në 23%.

Nga ana tjetër, ata që zgjodhën të shihnin shpjegimet kishin rreth 6 pikë përqindje më shumë gjasa të kundërshtonin rekomandimin e AI dhe të miratonin të dyja kreditë.

Sipas Chan, kjo tregon se njerëzit shfaqin një sjellje të dyfishtë: kërkojnë informacion kur u leverdis, por e shmangin kur ai krijon dilema morale ose mund t’u ndryshojë vendimin.

Si të përdoret AI e shpjegueshme me përgjegjësi

Studimi sugjeron se transparenca, e vetme, nuk mjafton. Nxitjet financiare dhe mënyra si është ndërtuar organizata ndikojnë drejtpërdrejt nëse vendimmarrësit angazhohen me arsyetimin e AI apo zgjedhin ta shpërfillin atë.

Për kompanitë që përdorin AI në vendime me peshë, Chan rekomandon disa hapa.

Ndërtoni mbikëqyrje në proceset vendimmarrëse të AI

Rregullatorët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje rreziqeve të AI.

Në Bashkimin Europian, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Akti për Inteligjencën Artificiale kërkojnë shpjegime për vendime të rëndësishme algoritmike.

Në SHBA, Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve u ka kujtuar huadhënësve detyrimin ligjor për t’u dhënë huamarrësve arsye “specifike” dhe “të sakta” për vendime negative të ndihmuara nga AI, si refuzimi i kredisë.

Sipas Chan, qëllimi nuk duhet të jetë vetëm detyrimi për të dhënë shpjegime, por sigurimi që kompanitë i përdorin realisht këto shpjegime për të përmirësuar vendimet.

Krijoni nxitje që punonjësit të mendojnë në mënyrë kritike

Kërkesat për transparencë duhet të fokusohen te profesionistët që marrin vendime dhe nuk duhet të mbeten thjesht formalitet.

Organizatat duhet të trajnojnë menaxherët dhe punonjësit që të shqyrtojnë, dokumentojnë dhe reflektojnë mbi shpjegimet e AI, në vend që thjesht të kenë akses teknik te to.

“Shpjegueshmëria nuk mund t’i lihet plotësisht zgjedhjes individuale, kur nxitjet personale i shtyjnë njerëzit drejt verbërisë së qëllimshme,” thotë Chan.

Mos e zhvlerësoni gjykimin njerëzor

Për menaxherët, studimi ngre një shqetësim të rëndësishëm: rrezikun që përdorimi i AI të ulë vlerën e gjykimit njerëzor.

Prandaj, organizatat duhet t’i nxisin punonjësit të vënë në dyshim rekomandimet e AI, sidomos në vendime me pasoja të mëdha për njerëzit.

“Rreziku më i madh i AI nuk janë vetëm përgjigjet e gabuara apo mosadoptimi,” thotë Chan. “Rreziku është që ajo t’i mësojë njerëzit të mos pyesin më pse.”/Harvard Business School 

 

The post Kur AI jep këshilla, punonjësit rrallë pyesin “pse” appeared first on Revista Monitor.

  •  
❌