Reading view

Aksident tragjik në Fushë-Krujë, një i vdekur dhe një i plagosur, detajet e para

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në një aks rural që lidh fshatin Bilaj me pjesën tjetër të Fushë-Krujës.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, ku dy automjete u përplasën me forcë në një segment të ngushtë e të rrezikshëm.

Sipas të dhënave paraprake, në aksident u përfshinë një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi me inicile V. D., dhe një Mercedes-Benz, që drejtohej nga shtetasi K. L..

Përplasja rezultoi fatale për V. D., banor i fshatit Bilaj, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit tjetër, K. L., mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia e Shtetit njoftoi se shkak paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte automjeti i drejtuar nga shtetasi K. L.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

  •  

Zjarret, evakuohen 330 mijë persona në Francë & Spanjë, operacioni më i madh civil në kohë paqeje

Një valë e paprecedentë zjarresh masive ka përfshirë Francën jugperëndimore dhe Spanjën, duke detyruar zhvendosjen e rreth 330 mijë personave nga shtëpitë dhe zonat turistike. Autoritetet franceze urdhëruan të martën evakuimin e gati 4,000 personave të tjerë nga vendpushimet në bregdetin e Atlantikut, ndërsa të nxehtit ekstrem kërcënon punën e zjarrfikësve në rajonin e Girondës.

Sipas të dhënave zyrtare, zjarri në perëndim të Bordeaux ka djegur një sipërfaqe prej 420 kilometrash katrorë — katër herë më e madhe se sipërfaqja e Parisit — dhe ka detyruar evakuimin e 220,000 njerëzve vetëm në këtë zonë.

Operacioni më i madh i evakuimit civil në kohë paqeje

Përmasat e kësaj krize mjedisore kanë sjellë lëvizje masive të popullsisë, të cilat autoritetet franceze i konsiderojnë historike.

“Franca mund të mos ketë parë kurrë një evakuim të kësaj shkalle në kohë paqeje”, tha ministri i Brendshëm Laurent Nuñez. Sipas tij, ky ishte operacioni më i madh i evakuimit civil të kryer ndonjëherë në vend jashtë luftës.

Ndërkohë, sa i përket ecurisë së flakëve në terren, përfaqësuesit e shërbimeve të emergjencës nënvizojnë brishtësinë e situatës.

“Jemi në një pikë brishtësie. Ne do të vazhdojmë të luftojmë këtë zjarr pavarësisht rritjes së parashikuar të temperaturave.”, tha Eric Brocardi, Zëdhënës i federatës kombëtare të zjarrfikësve të Francës.

Në rajonin e Girondës, zjarret kanë shkaktuar edhe fenomene meteorologjike të pazakonta, duke krijuar për herë të parë në Francë stuhi stuhish me re të zeza, vetëtima dhe erëra të forta që kanë përhapur vatrat e reja.

Spanja përballet me zjarrin më të madh në historinë e saj

Në Spanjë, situata mbetet kritike ndërsa vendi përgatitet për valën e katërt të të nxehtit, me temperatura që parashikohet të kalojnë 40 gradë Celsius. Autoritetet spanjolle kanë evakuuar rreth 79,000 njerëz dhe kanë urdhëruar 30,000 të tjerë të izolohen në banesa, ndërsa qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare.

Deri më tani, në Spanjë janë djegur 1,530 kilometra katrorë sipërfaqe dhe kanë humbur jetën të paktën 13 persona.

Një vatër e madhe në provincën e Ávilës, në perëndim të Madridit, është kthyer në zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Spanjë, duke djegur mbi 500 kilometra katrorë.

Tymi dhe aroma e hirit nga zjarret pyjore kanë arritur deri në lagjet qendrore dhe lindore të Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë thirrje për një pakt kombëtar kundër zjarreve, duke ia atribuuar përkeqësimin e situatës ndryshimeve klimatike.

Sipas shërbimit klimatik “Copernicus” të Bashkimit Evropian, Evropa po ngrohet me më shumë se dyfishin e mesatares globale, ndërsa Evropa Perëndimore regjistroi qershorin më të nxehtë në histori.

  •  

Kërkohej për tentativë vrasje, forcat speciale greke arrestojnë shqiptarin (EMRI)

Në orët e mëngjesit të sotëm, pas një vlerësimi informacioni dhe pas një operacioni të koordinuar, me ndihmën e forcave speciale greke EKAM dhe Grupeve Operacionale të DAOE, nga Oficerët e Policisë së Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje të policisë greke, u arrestua shtetasi shqiptar Adriano Bushi 32 vjeç.

Ai u kap brenda një shtëpie ku ai banonte përkohësisht në zonën e Ovryas të Patrës, sepse ndaj tij ishte në pritje një Urdhër Arresti nga Departamenti i 2-të i Rregullt Hetimor i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Akaisë, për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe për shkelje të legjislacionit “për Armët dhe Lëndët Eksplozive”.

Sipas burimeve policore, Bushi akuzohet për një ngjarje të prillit të këtij viti. Më 07.04.2026, Adriano Bushi, së bashku me Dimitrios Georgakopoulo, Georgio Giova dhe një shtetas ende të paidentifikuar, u takuan në rrugën Ryakiou në N. Souli, Patra, me Panagiotis Moraiti dhe Panagiotis Theodorakopoulo, për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Giovas dhe Moraitit.

Kur Theodorakopoulos dhe Moraitis mbërritën në takimin e paracaktuar, ata u qëlluan me një plumb të drejtpërdrejtë me qëllim vrasjeje nga Adriano Bushi dhe shtetasi i paidentifikuar, duke rezultuar në plagosjen e Moraitis.

Siç u përcaktua më pas, Moraitis pësoi plagë depërtuese në të dy gastrocnemiusët, ndërsa ishte shkaktuar edhe një frakturë e fibulës së majtë.

  •  

Fluturoi mbi centralin nuklear, kapet në Francë Ermal Beqiraj që kërkohet për “AKSHI”-n. Parisi: Spiunazh apo gabim?

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj,, i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me dosjen e bujshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, është arrestuar në Francë.

Sipas mediave franceze, ai u ndalua nga autoritetet pasi dyshohet se me një avion të vogël realizoi një fluturim të dyshimtë mbi centralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, 25 korrik, kur avioni i drejtuar nga Beqiraj ka kaluar mbi zonën e mbrojtur dhe ka ulur papritur lartësinë nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte të ndjeshme.

Pas sinjalizimit, ushtria ajrore franceze dërgoi një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme, ku piloti Ermal Beqiraj u arrestua nga policia dhe u vendos në paraburgim.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën tre pajisje gjurmuese “AirTag”, të cilat përdoren për lokalizim. Ky element ka ngritur dyshime te hetuesit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë që ai mund të ketë vepruar nën ndikimin ose urdhrat e një personi tjetër.

Mediat franceze raportojnë se shtetasi Ermal Beqiraj është i njohur më parë për drejtësinë franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrime financiare, mashtrim të organizuar dhe veprimtari të paligjshme kibernetike.

Gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Sipas raportimeve, ai është dënuar në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas i është dorëzuar strukturave kundër krimit të organizuar. Beqiraj pritet të ekstradohet në Shqipëri.

  •  

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 29 Korrik 2026

Dashi

Do ja kaloni mjaft mire sot pranë atij qe dashuroni dhe emocionet do jene te njëpasnjëshme. Mos e mbani mendjen nga e shkuara. Beqaret do jene te gatshëm te dalim me personat qe do i joshin dhe te njihen me mire me ta. Financat do kenë përmirësime te njëpasnjëshme për shkak te masave qe keni marre gjithë këto kohe. Tashme e dini çfarë duhet te bëni.

Demi

Nëse kohet e fundit jeni treguar histerike me partneri tuaj dhe e keni detyruar atë te beje gjera qe nuk ka dashur, ka rrezik qe t’iu tradhtoje. Beqaret do ndihen mire edhe ashtu si janë prandaj nuk do e kërkojnë me ngulm princin e tyre te kaltër. Për financat do jeni gjithë kohës ne merak. Asgjë nuk ka për te ecur ashtu si e keni menduar dhe me zor do kryeni shpenzimet e nevojshme.

Binjaket

Qetësia do mbizotërojë gjate gjithë kësaj dite ne jetën tuaj ne çift sot. Do flisni për ato qe keni kaluar dhe do buzëqeshni kur te jeni pranë njeri-tjetrit. Beqaret do kenë me tepër mundësi për te gjetur shpirtin binjak. Dilni me tepër me miqtë. Ne planin financiar nuk do ndikoje asnjë planet. Menaxhoheni me kujdes buxhetin nëse nuk doni te keni tronditje.

Gaforrja

Te dashuruarit do tregohen me te hapur me atë qe kane ne krah dhe do ua shprehin gjate gjithë kohës ndjenjat njeri-tjetrit. Nëse jeni ende beqare, me shume gjasa do e gjeni shpirtin binjak. Do jete një takim impresionues dhe i veçante. Financat do jene mjaft delikate prandaj mos bëni as shpenzime te kota dhe as mos jepni hua. Nëse gaboni, nuk keni për t’ia dale dot.

Luani

Ju qe keni kaluar një periudhe plot konflikte ne çift do ndiheni me te qete sot. Bashkëpunimi do përforcohet pak nga pak dhe do kuptoheni me mire me njeri-tjetrin. Beqaret do kenë me shume fat se kurrë te takojnë personin e ëndrrave. Shfrytëzojeni ditën! Financat ka gjasa te përmirësohen me tepër fale një shpërblimi qe do merrni. Shpenzimet bëjini ende me maturi!

Virgjeresha

Venusi do e mbroje gjate gjithë kohës sot jetën tuaj ne çift. Do komunikoni me tepër dhe do bëni lëshime. Edhe pse këtë duhet ta kishit bere prej kohesh, asnjëherë nuk është vone. Beqaret do bënin mire te mos merrnin asnjë vendim për te krijuar lidhje gjate kësaj dite sepse nuk do kishin fat. Ne planin financiar situata do jete goxha e qëndrueshme.

Peshorja

Ne pune ka ardhur kohe te bëni disa sqarime me partnerin tuaj dhe te mendoni për te ardhmen. Nëse bashkëpunoni ashtu si duhet do arrini atje ku dëshironi. Beqaret mund te fillojnë veçse nja aventure qe do iu sjelle emocione momentale. Situata financiare nuk do jete shume e qëndrueshme, prandaj shmangni investimet e mëdha dhe te pamenduara.

Akrepi

Jeta sentimentale e çifteve do jete e mbrojtur gjate kësaj dite. Do jeni me tolerante dhe me solidare me atë qe keni ne krah. Nga ana tjetër, yjet këshillojnë te mos iu besoni te gjitha atyre qe do iu thonë mikeshat. Beqaret do kenë me tepër mundësi ta arrijnë atë qe duan. Tregohuni me te hapur. Reflektoni mire para se te shpenzoni ne mënyrë qe financat mos kenë probleme.

Shigjetari

Ka ardhur momenti t’i merrni gjerat me seriozisht ne çift dhe te krijoni një klime me harmonike. Tregohuni te kujdesshëm me ato qe do thoni dhe lëreni partnerin te flasë lirshme. Beqaret ka gjasa te kenë dashuri me shikim te pare. Jeta e tyre do marre një tjetër drejtim. Mos e teproni me shpenzimet sot nëse nuk doni te keni tronditje financiare.

Bricjapi

Gjate kësaj dite do bënit mire te mos e tepronit me xhelozinë. Ai qe keni ne krah iu dashuron me shume sesa e mendoni edhe pse nuk ua shpreh tërësisht ndjenjat. Beqaret do jene dyshues me te gjithë personat qe do takojnë dhe do qëndrojnë serish vetëm. Bëjini rezistence dëshirës se madhe për shpenzime nëse doni qe financat te mos kenë tronditje.

Ujori

Dashuria do jete mbi gjithçka gjate kësaj dite. Ne krahët e partnerit do ndiheni si mbi re. Shfrytëzojeni çdo sekonde duke u dashuruar me pasion. Beqaret nuk do i shfrytëzojnë dot te gjitha mundësitë qe do iu jepen për takime dhe do mbeten vetëm. Financat nuk do jene te shkëlqyera, por gjithsesi nuk do kenë as probleme te mëdha.

Peshqit

Ne jetën ne çift do iu dalin disa vështirësi te vogla, por nëse tregoheni te kujdesshëm dhe te matur mund t’i kaloni shpejt. Gjithçka do varet nga mënyra juaj e te vepruarit. Beqaret duhet te heqin sa me shpejt turpin nëse duan te bëjnë dike për vete. Financat do jene te mira, por nëse shpenzoni me shume sesa duhet, mund te përballeni edhe me tronditje. Kujdes!

  •  

VIDEO / Tërmet i fuqishëm 7.1 ballë në Japoni, paralajmërim për cunami

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi këtë të martë prefekturën Kumamoto në Japoni, sipas vlerësimeve të para të Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA).

Lëkundja sizmike u regjistrua në orën 16:27 me orën lokale në ishullin Kyushu dhe arriti nivelin maksimal 7 në shkallën japoneze të intensitetit sizmik “Shindo”, e cila mat forcën me të cilën ndihet një tërmet në sipërfaqe.

熊本 宇城市と氷川町で震度7 有明・八代海に津波注意報https://t.co/fAoIlTGbTd pic.twitter.com/m0mbmZFIwe

— NHKニュース (@nhk_news) July 28, 2026

Pas tërmetit, autoritetet japoneze lëshuan një paralajmërim për cunami me valë që mund të arrijnë deri në 1 metër lartësi.

“Deti dhe zonat pranë bregdetit janë të rrezikshme. Të gjithë ata që ndodhen në det duhet të dalin menjëherë nga uji dhe të largohen nga bregu. Duke qenë se rrymat detare mbeten të forta, qytetarët nuk duhet të hyjnë në det dhe as t’i afrohen vijës bregdetare derisa paralajmërimi të hiqet. Në disa zona, lartësia e valëve mund të tejkalojë nivelin e parashikuar”, thuhet në njoftimin e JMA.

Qeveria japoneze shpalli paralajmërim emergjent për prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki, të gjitha të vendosura në ishullin jugor Kyushu.

Kompania e energjisë Kyushu Electric Power njoftoi se deri më tani nuk janë raportuar probleme në centralet bërthamore Sendai dhe Genkai pas tërmetit. Ndërkohë, kompania hekurudhore JR Kyushu bëri të ditur se ka pezulluar përkohësisht qarkullimin e trenave.

熊本 宇城市と氷川町で震度7 有明・八代海に津波注意報https://t.co/fAoIlTGbTd pic.twitter.com/PPRMcpVtp4

— NHKニュース (@nhk_news) July 28, 2026

Sipas Qendrës Amerikane të Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC), nuk ekziston rrezik për cunami në Hawaii dhe Samoan Amerikane si pasojë e këtij tërmeti.

Japonia është një nga vendet me aktivitetin sizmik më të lartë në botë, ku mesatarisht regjistrohet të paktën një tërmet çdo pesë minuta.

  •  

Gjyqi ndaj Laert Haxhiut / Vrasja e Albi Bashaliut, Gjykata: Do të dish kush ta vrau vëllain? Dëshmitari: Jo, jam klasë punëtore pa mbështetje

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Laert Haxhiu ka paraqitur një deklaratë me shkrim, përmes së cilës njofton gjykatën se nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pranon të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj. Gjykata bëri me dije se procesi ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Në seancën e sotme janë paraqitur gjithsej 12 dëshmitarë, të cilët pritet të dëshmojnë në kuadër të shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit.

Procesi vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.

Burgjet sjellin si dëshmitar Xhuliano Xhaferrajn, i cili dëshmon për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, i gjetur i vdekur më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë, sipas versionit zyrtar të prokurorisë.

Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.

Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?

Dëshmitari: Po, për vjedhje.

Gjykata: Po tani?

Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.

Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.

Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.

Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?

Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.

Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?

Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?

Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.

Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?

Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.

Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.

Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?

Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?

Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”

Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.

Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.

Dëshmitari: Unë nuk ia njihja shoqërinë, sepse jam familjar. Di që vëllai konsumonte lëndë narkotike, me sa di unë kokainë dhe hashash. Me sa dija, edhe ka shitur. Me sa di unë, e kanë shoqëruar njëherë për kundërshtim të policisë. Ka bërë nja tre herë burg dhe ka qenë edhe në Peqin. Nuk e mbaj mend mirë, por di që qëndroi 11 ditë. Më kujtohet se iu gjet edhe fleta e Burgut të Peqinit dhe nga ajo fletë u identifikua.

Prokurori: Sot, a di të thuash pse e kanë vrarë?

Dëshmitari: Me të dëgjuar e kam që është muhabet për drogë dhe armë, por nuk jam i sigurt.

Prokurori: A ke dëgjuar për Artan Tafanin?

Dëshmitari: Po, e njoh. Kemi qenë në burg në Rrogozhinë. Veç kësaj, kur dilnim xhiro, luanin edhe fëmijët me njëri-tjetrin.

Prokurori: Ti vetë ke përdorur drogë?

Dëshmitari: Jo, jo. Ndonjë cigare, shumë rrallë.

Prokurori: Në dijeninë tënde, a e ka njohur vëllai yt Artan Tafanin?

Dëshmitari: Po, e ka njohur, sepse e ka pasur edhe ai në burg në Rrogozhinë.

Detar Hysi, avokat i Laert Haxhiut: A e njihni shtetasin Laert Haxhia?

Dëshmitari: Po.

Detar Hysi: Çfarë marrëdhëniesh keni?

Dëshmitari: Babai im me babanë e tij kanë marrëdhënie miqësore.

Avokati: A ju ka vizituar ndonjë nga familjarët e Laert Haxhisë?

Dëshmitari: Jo.

Avokati: Pse mendoni që e ka bërë Laert Haxhia?

Dëshmitari: Jo, nuk jam fare i bindur që ta ketë bërë Laerti. Nuk e besoj fare.

Avokati: Deklaruat që Tafani konsumonte drogë?

Dëshmitari: Po, konsumonte të gjitha, edhe “të kuqe”. E kam parë vetë në burg, edhe në Burgun e Rrogozhinës.

Avokati: Domethënë, Tafani është një përdorues i rregullt i drogës?

Dëshmitari: Po.

Paraqitet dëshmitari tjetër, Sami Bashaliu, i cili dëshmon për vrasjen e Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit në dhjetor 2021. 

Prokurori: A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë vrasje pranë lokalit tuaj?

Sami Bashaliu: Nja dy ose tri ditë para Vitit të Ri. Ka kohë që ka ndodhur.

Ndërhyn Gjykata me pyetje: Na trego detaje, të lutem.

Dëshmitari: Ishte një makinë e bukur. Dola, pashë rreth e qark, por nuk pashë gjë. U futa brenda, ndeza sobën dhe prisja klientët që vinin për kafe. I ndjeri Bashaliu hyri për të pirë kafe dhe, në momentin që doli, dikush i foli. Bashaliu ktheu kokën dhe u dëgjua zhurma e armës. Ai djali ishte i gjatë, i hollë dhe e kishte mbuluar kokën me maskë. E qëlloi. Djemtë që ishin në lokal u trembën dhe ikën. Ishte një person që qëlloi, por ishin dy persona gjithsej; tjetri qëndroi në makinë.

Gjykata: Na trego më shumë, të lutem. Çfarë mban mend?

Dëshmitari: Ai doli, i foli Bashaliut dhe e qëlloi. Ai që e qëlloi qëndroi aty. Bashaliu ra në tokë. Mua më bënë me dorë të futesha brenda: “Futu brenda, futu brenda”. Nuk bëra zë. I mori çelësat, ndërsa telefonin ia la në vend, nuk e preku. Pastaj ai tjetri i vuri flakën makinës me benzinë dhe u larguan. E keni parasysh, shteti bëri punën e vet.

Prokurori: Mos bëj kështu au-iu. A u mor vesh kush i vrau këta njerëz? Po për tjetrin, a u mor vesh kush e vrau Leonard Bashaliun?

Dëshmitari: …

Prokurori: Po Artan Tafani, ose ndryshe Marius Tafani, a ke dëgjuar?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: Po për Lulezim Spahinë? Po për Laert Haxhiun?

Dëshmitari: Jo, jo, jo. Nuk kam dëgjuar gjë.

Prokurori: Kur e ka frekuentuar për herë të fundit i ndjeri Albi Bashaliu lokalin?

Dëshmitari: Një natë më parë. Të nesërmen ndodhi ngjarja. Ka qenë rreth orës 19:00, mbase.

Prokurori: E përcolle ti nga lokali?

Dëshmitari: Jo. Pse duhet ta përcillja? Ishte rreth orës 23:00, diçka e tillë.

Prokurori: A i njihje personat me të cilët rrinte?

Dëshmitari: Ka ndenjur me njerëzit e fisit tonë, sepse jemi fis i madh.

Prokurori: Pas ndodhjes së ngjarjes, a vinte më në lokal ky Henriko Xhahysa?

Dëshmitari: Jo.

Avokati Detar Hysi: Ju shkuat në varrimin e të ndjerit?

Dëshmitari: Po, vajta.

Avokati: Po sot, si janë marrëdhëniet?

Dëshmitari: Shumë të mira.

Gjykata: Me përshkrimin fizik të dy personave, a mbani mend ndonjë karakteristikë të tyre? A i mbani mend këta persona?

Dëshmitari: Kanë qenë dy persona. Ai që bëri vrasjen ishte i gjatë dhe i hollë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër. Ata kishin kapele dhe maska Covid-i.

Gjykata: Ndonjë element të veçantë?

Dëshmitari: Jo, nuk pashë gjë tjetër.

Gjykata: Prokuror, a keni pyetje tjetër?

Prokurori: Nëse do të të jepej rasti t’i shikoje këta persona, sipas përshkrimit që bëre, të gjatin dhe të hollin, a do të ishe në gjendje t’i përshkruaje? A do të thoshe dot: “Ky person ka qëlluar me armë”?

Dëshmitari: Vallahi, nuk e përcaktoj dot.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek gjyqin, paraqitet dëshmitari tjetër, Veiz Bashaliu, i cili dëshmon për të njëjtën vrasje, atë të Albi Bashaliut.

Prokurori: Zoti Veiz, do të dëshironim një shpjegim tuajin për vrasjen e Albi Bashaliut në dhjetor të vitit 2021. Do të dëshironim të dinim ku ndodheshit atë ditë?

Ndërhyn Gjykata: Dëshmitar, na rrëfe çfarë mban mend.

Dëshmitari: Ishte mëngjes dhe ne ishim duke pirë kafe kur dëgjuam krisma. Ishte një person me kapele, ndërsa ai me maskë ishte pranë viktimës. Unë u tremba dhe ika.

Gjykata: Prokuror, ke pyetje?

Dëshmitari: Me Samiun dhe Mikelin. Ka qenë lokali plot, sepse ishte mëngjes.

Prokurori: Kush iu afrua dhe e qëlloi i pari?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurori: A tha ndonjë person që dikush ishte me armë, apo dikush po shtynte dikë? Ti thua se u trembët, por si u trembët?

Dëshmitari: Po çfarë të bëja? Normale që u tremba. Pse, si të duket ty?

Prokurori: Po si u trembe ti?

Dëshmitari: Jo vetëm që u tremba, por ika me vrap nga ullishta dhe shkova te nusja e xhaxhait.

Prokurori: Po u qetësove pastaj?

Dëshmitari: U thashë atyre aty: “Kështu dhe kështu ndodhi.”

Prokurori: A pate rast të shihje makinën apo ndonjë gjë tjetër?

Dëshmitari: Kur u ktheva nga nusja e xhaxhait, pashë makinën që po digjej.

Prokurori: Çfarë ishte kjo makinë që po digjej?

Dëshmitari: Makinë pra.

Prokurori: Kush e dogji këtë makinë?

Dëshmitari: Ku di gjë unë.

Prokurori: A harrove gjë?

Dëshmitari: Jo, nuk harrova gjë.

Paraqitet dëshmitari tjetër, Mikel Xhaja, i cili ishte arrestuar pas ngjarjes së bashku me Veiz Bashaliun, nën akuzën e prishjes së provave në lidhje me vrasjen e Albi Bashaliut.

Prokurori: Zoti Mikel, a e keni njohur Albi Bashaliun, të ndjerin, prej kaq kohësh?

Mikel Xhaja: Po, e kam bashkëfshatar. E kam njohur normalisht, si gjithë të tjerët.

Prokurori: Si normalisht, si gjithë të tjerët?

Dëshmitari: Si gjithë të tjerët, pra në fshat.

Prokurori: Po Henriko Xhahysën?

Dëshmitari: Normalisht, si bashkëfshatar edhe atë.

Prokurori: Ky bashkëfshatar ka vrarë dikë?

Dëshmitari: Po, ka vrarë një Ylber Xhahysa.

Prokurori: Kur e ka vrarë, në kohën e Enverit apo të demokracisë?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurori: Po nga e di që ka ndodhur?

Dëshmitari: Sepse jam në fshat. Përveç kësaj, kam qenë jashtë vendit.

Prokurori: Kur ke qenë jashtë vendit ti?

Dëshmitari: Kur ka ndodhur kjo vrasje, pra nuk kam qenë në Shqipëri.

Prokurori: Po kur është vrarë Albi Bashaliu, ku ke qenë?

Dëshmitari: Në Shqipëri.

Prokurori: Ku u ndodhët kur u mor vesh vrasja e Albi Bashaliut? Në çfarë ore të ditës e more vesh?

Dëshmitari: Paradite isha në fshat, isha duke pirë kafe.

Prokurori: Sa kafe ka fshati?

Dëshmitari: Mbase dy.

Prokurori: Pra, po fillon të flasësh, po të kujtohen?

Avokati: Prokuror, bëje pyetjen drejtpërdrejt. Pyete nëse ka qenë në vendngjarje.

Ndërhyn Gjykata: Je i lutur të na tregosh çfarë pe.

Dëshmitari: E vranë me armë zjarri. Nuk i njoha. Ata ishin me kapele dhe maska.

Gjykata: Vetëm një person ishte?

Dëshmitari: Ishin dy persona. I dyti ishte në distancë.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e pranishme në sallën e gjyqit, paraqitet dëshmitari Leonard Bashaliu, i cili sillet me pranga nga efektivët e Policisë së Burgjeve. Leonard Bashaliu ndodhet në burg, pasi është i akuzuar për vrasjen e Ylber Xhahysës në vitin 2021 në Peqin. Ai dëshmon në këtë proces në cilësinë e vëllait të viktimës Albi Bashaliu.

Gjykata: A jeni i dënuar?

Leonard Bashaliu: Po, për vrasjen e Ylber Xhahysës.

Gjykata: Ju jeni në cilësinë e vëllait të viktimës Albi Bashaliut.

Dëshmitari: A kam të drejtë të mos flas? Sepse kam folur njëherë.

Prokurori: Ke qenë në gjyqin ndaj disa të pandehurve të tjerë, dëgjo njëherë. Kur e vranë vëllain tuaj?

Dëshmitari: Dy ose tre ditë para Vitit të Ri.

Prokurori: Në këtë datë ju keni qenë i paraburgosur?

Dëshmitari: Po, isha në Bradashesh. E mora vesh nga televizioni.

Prokurori: Me të marrë vesh nga televizioni, a kërkove takim me familjarët?

Dëshmitari: Si qysh? Nuk kam qenë mirë nga gjendja psikologjike që nga ai moment. Ka ardhur mami, erdhi të më shikonte se si isha me shëndet.

Prokurori: U fol për ngjarjen?

Dëshmitari: Fare, fare. Unë jo, po edhe plaka… Çfarë do të flisnim?

Prokurori: A keni ndonjë ide se kush mund ta ketë vrarë vëllain tuaj?

Dëshmitari: Sinqerisht, nuk e di.

Avokatët dhe Gjykata: Riformulo pyetjen, prokuror.

Prokurori: Atëherë, a pohoni ju se ju e keni vrarë atë tjetrin?

Dëshmitari: S’po të kuptoj çfarë thua me “e kam pohuar”.

Gjykata: Riformuloje pyetjen.

Prokurori: A keni deklaruar në gjykatë se e keni vrarë Xhahysën?

Dëshmitari: Po, e kam pranuar. Jam penduar, jam dënuar.

Prokurori: A ka lënë trashëgimtarë ai?

Dëshmitari: Po, ka.

Prokurori: Sa bukur e ditke që ka trashëgimtarë. A ua di emrin atyre?

Dëshmitari: Riku, më duket se quhet. Ashtu quhet, prokuror?

(Avokati qesh.)

Gjykata: A i njihni?

Dëshmitari: I kam lënë të vegjël.

Dëshmitari: Roshi, Roshi… s’ia di zyrtarisht.

Prokurori: S’di ta thuash, domethënë?

Prokurori: A ka ardhur ndonjë sinjal se kush e ka vrarë vëllain, domethënë dikush të të ketë thënë: “Shiko, ta ka vrarë filani”?

Dëshmitari: Jo, unë jam në burg.

Ndërhyn Gjykata: A jeni interesuar se kush e vrau Albin?

Dëshmitari: Jo. Unë jam pa përkrahje, i përkas klasës punëtore. S’njoh asnjë, jam pa përkrahje. Më vranë vëllanë.

Pasi dëshmitari largohet nga salla e gjyqit, prokurori kundërshton dëshminë e tij dhe lexon një pjesë nga deklarimi i mëparshëm i Leonard Bashaliut.

Prokurori: Në deklarimin e tij, ai ka thënë: “Jam 100 për qind i sigurt që vrasja e vëllait më ka ndodhur për gjakmarrje.”

Gjykata: Po pse ka qenë i sigurt? A i është bërë kjo pyetje në procesverbal?

Prokurori: Kjo është puna e organeve tona hetimore. E ka pyetur oficeri i policisë gjyqësore në këtë mënyrë.

  •  

Socialistët nuk i ndahen Shehajt, Manja: Ndaj tij do të bëhet kallëzim në Prokurori

Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj pasi mori marrëveshjen konfidenciale me SHBA-në dhe doli nga salla “Gerti Bogdani”.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë votuar kundër këtij dënimi.

Ulsi Manja deklaroi për gazetarët: “Rasti i tij është i përsëritur, Sekretariati i Etikës ka marrë edhe herë të tjera masa disiplinore ndaj Agron Shehajt. Rasti i djeshëm është i paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që të jetë fshirë vija e respektit reciprok”.

Manja shtoi se kjo periudhë nuk përfshin kohën gjatë të cilës Parlamenti është i shpërndarë gjatë verës.

Manja pohoi se do të ketë edhe një referim në Prokurori ndaj Shehajt për shkelje të konfidencialitetit, duke nxjerrë materialin jashtë ambienteve të përcaktuara nga Kryetari i Kuvendit.

  •  

Malaj prezanton treguesit financiarë për 2026: Rritje ekonomike dhe paga më të larta

Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.7% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, një ritëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të treguesve financiarë dhe ekonomikë të vendit.

Sipas Malajt, Ministria e Financave parashikon që rritja ekonomike të arrijë në 4% deri në fund të vitit, e mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe investimet, si publike ashtu edhe private.

Ai theksoi se edhe të ardhurat për frymë pritet të vijojnë trendin rritës. Për vitin 2026 ato parashikohen të arrijnë në 12,200 euro, nga 11,355 euro që ishin në fund të vitit 2025, ndërsa objektivi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2029 të arrijnë në 15 mijë euro.

Shqipëria gjatë 3 mujorit të parë të 2026 ka shënuar një rritje ekonomike prej 3.7%, më e larta sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor por edhe e BE. Kemi një rritje ekonomike e cila sipas parashikimeve të ministrisë së Financave do të ketë derti në fund të vitit një rritje prej 4% ku sektorët me kontributin më të madh janë sektori i shërbimeve dhe sektori i investimeve qofshin këto private apo publike. Parashikimi ynë është që deri në fund të vitit 2026 prodhimi bruto të arrij deri në nivelin 29 miliardë euro ndërsa deri në fund të mandatit pritshmëritë tona janë që prodhimi bruto të shkojë në masën 35 miliardë euro. Për vitin 2026 parashikojmë që të ardhurat për frymë të shkojë në masën 12 mijë e 200 euro krahasuar me 11 mije e 355 që ishin në fund të vitit 2025. Kemi një rritje të të ardhurave për frymë për vitin 2026 në masën e 845 euro më shumë. Objektivi final është që deri në fund të vitit 2029 të ardhurat për frymë për Shqipërinë të shkojë në masën e 15 mijë eurove”, u shpreh Ministri Malaj.

Duke folur për stabilitetin ekonomik, Malaj u shpreh se Shqipëria renditet si vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, me një normë mesatare prej 2.7%.

Ministri ndau edhe të dhëna mbi tregun e punës, duke bërë të ditur se paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1,094 euro, ndërsa në sektorin privat në 871 euro.

Sipas tij, masat për formalizimin e punësimit kanë ndikuar në rritjen e pagave të deklaruara, ndërsa numri i punonjësve që përfitojnë paga nga 70 mijë deri në 100 mijë lekë është rritur me 14.6% krahasuar me qershorin e vitit 2025.

Në lidhje me inflacionin për gjatë këtij 6 mujori Shqipëria renditet si vendi me normën e inflacionit më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Inflacioni mesatar për gjatë këtij 6 mujori është në masën 2.7%. Paga mesatare në sektorin publik ka arritur në masën 1094 euro ndërkohë që paga mesatare në privat është 871 euro. Fal masave të marra për formalizimin e punësimit në sektorin e ekonomisë vihet re një rritje të numrit të punonjësve të cilët kanë pësuar rritje pagash. Kemi rritje të numrit të punonjësve që përfitojnë paga nga 70-100 mijë lek dhe kjo rritje është me 14.6% krahasuar me qershorin e vitit 2025”, tha ai.

  •  

“Dha urdhër për të më vrarë vëllain”, Xhaferraj dëshmon në gjyqin ndaj Laert Haxhiut: Pyeta të atin, por më tha se…

Gjykata e Posaçme vijoi të martën të dëgjojë dëshmitarët e SPAK në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

Dëshmitari Xhuliano Xhaferraj, mbërriti në sallë i prangosur e i shoqëruar nga policia, për shkak se është i paraburgosur për llogari të një procedimi tjetër penal.

Xhaferraj është vëllai i Fridman Xhaferrajt, për vrasjen e të cilit akuzohet Haxhiu dhe grupi i tij.

“Kam qenë në burg kur u vra vëllai. Më morën në komisariat dhe më pyetën, sepse vëllain nuk po e njihnin ngaqë ishte gjetur në ujë. Unë ato ditë mbarova dënimin. Kur dola shkova në shtëpinë e vjehrrës, se kisha nusen atje. Gjeta policë që po kontrollonin. Më shoqëruan. Atje më thanë që është gjetur në rezervuar në Drenovë. Kur fola njëherë me vëllain, kur isha në burg, ai më tha që do ikte jashtë shtetit, në Itali. Vëllait tjetër, të voglit, ata çunat i kishin prerë biletë dhe e kishin nisur në Greqi. Lul Spahiu e kishte marrë e çuar në Elbasan. Aty i kanë prerë biletë e pastaj Lul Spahiu dhe Kristi Bixheku ka marrë Fridmanin. Vëllai i vogël u kthye në Lushnjë e pas dy ditësh iku në Greqi. Luli dhe Bixheku i kishin thënë se bashkë me Fridmanin do iknin në Greqi e se do i binin nga Korça”, tregon Xhaferraj.

Më tej, dëshmitari shtoi: 

“Unë e pyeta babain e Laert Haxhiut a dinte gjë. Flitej në Lushnje që vëllai kishte qenë me Laertin dhe që ka dhënë urdhër Laerti për ta vrarë, ngaqë ka folur. Nuk jam i sigurtë, por kështu flitej. Babai i Laertit tha që djali im nuk ka gisht në këtë punë. Unë atë kohë qëndrova 1 muaj në burg. Nuk më ka ardhur ndonjë nga vëllezërit të më takonte. Fridmani nuk më tregonte asnjëherë se çfarë bënte. Shoqërinë nuk ia kam njohur. Nuk rrinte fare me mua, se unë rrija me familjen time. Ai ka konsumuar lëndë narkotike, hashash dhe kokainë”.

  •  

I dënuar për vrasje në vitin 1997/ Ndërron jetë në burgun e Fierit 52-vjeçari Artur Doku

Një i dënuar ka ndërruar jetë këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier.

Burime bëjnë me dije se viktima është 52-vjeçari Artur Doku, banues në Burrel, i cili vuante dënimin për vrasjen e një personi, krim i kryer në vitin 1997. Mësohet se Dokut i kishin mbetur për të vuajtur edhe 9 vite e 5 muaj burg.

Sipas informacioneve paraprake, 52-vjeçari kishte probleme me zemrën dhe dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore, ai u transportua drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku mjekët konstatuan vdekjen.

Më pas, trupi i pajetë u dërgua në morg për kryerjen e procedurave mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake nuk ka dyshime për rrethana kriminale, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë zyrtarisht shkakun e vdekjes.

  •  

Sala: Heqim kufizimin moshor për Check-Up, linjë këshillimi dhe shërbimi i parë i Geriatrisë për të moshuarit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po ndërmerr politika të reja për zgjerimin e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, me fokus mbështetjen e të moshuarve. Duke filluar nga muaji shtator, propozohet heqja e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e kontrollit bazë shëndetësor (Check-Up), duke u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve mbi 35 vjeç ta përfitojnë këtë shërbim falas. Paralelisht, intensifikohen politikat sociale për të moshuarit dhe, për herë të parë, lançohet Linja e Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim i dedikuar për informim, orientim dhe mbështetje në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, sociale dhe shërbimeve të tjera publike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me të moshuarit në Qendrën Sociale Ditore në Pogradec, ku prezantoi nismat e reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, rritjen e aksesit në shërbime dhe garantimin e një mbështetjeje më të afërt e më gjithëpërfshirëse.

Ministrja Sala tha se MSHMS ka  propozuar pranë Këshillit të Ministrave një ndryshim të rëndësishëm në programin kombëtar të Check-Up, i cili është në pritje të miratimit nga qeveria shqiptare dhe synon zgjerimin përfitimin e kontrollit bazë shëndetësor falas për të gjithë qytetarët mbi moshën 35 vjeç, pa kufizim të sipërm moshor.

Kemi propozuar pranë Këshillit të Ministrave heqjen e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e Check-Up falas. Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo  qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe”, deklaroi ajo.

Po ashtu, ministrja Sala bëri me dije se po punohet për ngritjen, për herë të parë, të shërbimit të Geriatrisë në Shqipëri, me qëllim ofrimin e kujdesit të specializuar për të moshuarit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për këtë grupmoshë, një shërbim i cili do të ofrohet si fillim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për tu shtrirë më pas edhe në rajone të tjera.

Gjatë takimit, ministrja u ndal edhe te masat për forcimin e menaxhimit administrativ në spitale dhe garantimin e respektimit të orarit të punës nga personeli shëndetësor, duke bërë të ditur se kanë nisur kontrollet administrative në strukturat spitalore në të gjithë vendin.

Në vijim, ministrja Sala prezantoi edhe shërbimin më të ri social në mbështetje të të moshuarve, lançimin e Linjës së parë të Këshillimit për të Moshuarit, një mekanizëm i ri komunikimi që synon t’u ofrojë të moshuarve dhe familjarëve të tyre informacion, orientim dhe mbështetje për përfitimin e shërbimeve publike.

Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor, apo social për të cilin kanë nevojë. Synimi ynë është që asnjë i moshuar të mos mbetet pa informacion dhe pa akses në shërbimet publike”.

Përmes këtyre nismave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon të ndërtojë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj kujdesit për të moshuarit, duke kombinuar parandalimin, shërbimet e specializuara dhe mbështetjen sociale. Linja e Këshillimit për të Moshuarit do të jetë e aksesueshme falas në numrin 08004042.

  •  

Një shekull në “arrati”, si u rikthye në Itali koka e Aleksandrit të Madh

Arkeologu që e nxori nga toka, hajdutët dhe kontrabandistët që e larguan fshehurazi, një tregtar armen arti, një profesor grek i arkeologjisë dhe nxënësi i tij, një sheik nga Katari dhe një galerist në Manhattan.

Janë të shumta duart që përgjatë më shumë se një shekulli, mbajtën në duar kokën prej mermeri të Aleksandrit të Madh, ndërsa ajo udhëtoi nga Roma në Nju Jork, Kajro, Doha, Londër dhe Maastricht.

Odiseja përfundoi në prill të këtij viti, kur skulptura e shekullit I pas Krishtit, e zhdukur nga Bazilika Emilia në Forumin Romak, u rikthye në Itali së bashku me 336 objekte të tjera arkeologjike të trafikuara në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është historia e rindërtuar nga hetimet e Karabinierëve italianë të Njësisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Prokurorisë së Nju Jorkut. Tashmë, koka e Aleksandrit pritet të vendoset në Muzeun e Forumit Romak, ku autoritetet do të vendosin nëse do të ekspozohet për publikun apo do të mbetet në dispozicion të studiuesve.

Një vepër arti e vjedhur, si një i arratisur

“Një vepër arti e vjedhur është si një person në arrati. Qëndron e fshehur derisa një intuitë ose një rastësi e çon hetimin në drejtimin e duhur”, shpjegojnë hetuesit italianë.

Edhe në këtë rast ndodhi pikërisht kështu.

E konsideruar e humbur për gati një shekull, skulptura u rishfaq në vitin 2018 në katalogun online të Panairit të Artit në Maastricht, e ekspozuar nga Galeria Safani në Manhattan. Drejtoresha e atëhershme e Parkut Arkeologjik të Forumit Romak e njohu menjëherë si veprën që kërkohej prej vitesh.

Vjedhja e parë

Historia fillon mes viteve 1909 dhe 1910, kur skulptura u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike dhe u regjistrua si pjesë e grupit të njohur si “Statujat e Orientalëve”, që zbukuronin Bazilikën Emilia.

Nuk dihet saktësisht se kur u vodh, por dihet se para vitit 1960 ajo kishte humbur.

Gjatë një inventari, arkeologët vunë re mungesën e saj, por në mungesë të provave për një vjedhje, objekti u regjistrua thjesht si “i humbur”, pa u bërë kallëzim penal. Kjo praktikë, e zakonshme në atë periudhë, e bëri shumë më të vështirë gjurmimin e saj.

Nga Italia në SHBA

Pas largimit nga Italia, besohet se skulptura u kontrabandua jashtë vendit nga trafikantë të specializuar në vepra arti, megjithëse mënyra se si kaloi kufirin nuk është zbardhur kurrë.

Në vitin 1974 ajo u shfaq në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork, si pjesë e koleksionit të tregtarit armen të artit Hagop Kevorkian. Pa asnjë dokument që të provonte origjinën e saj, skulptura u shit për vetëm 650 dollarë një kompanie të quajtur Altertum Ltd., e cila më vonë rezultoi të ishte një shoqëri fantazmë.

Nga Kajro në Çikago

Për afro katër dekada nuk pati më asnjë gjurmë të saj. Vetëm në vitin 2011, koka e Aleksandrit u shfaq sërish në një ankand të Sotheby’s.

Shitësi ishte Martin C.J. Miller, studiues dhe antikuar britanik me banim në Çikago. Ai deklaroi se e kishte trashëguar skulpturën nga mentori i tij, arkeologu i njohur grek Nikolas Oikonomides, i cili, sipas tij, e kishte blerë në Kajro mes viteve 1984 dhe 1986.

Nga Katari drejt kthimit në Itali

Në ankand, vepra u ble për 92 mijë dollarë nga një sheik nga Katari. Pas gjashtë vitesh në Lindjen e Mesme, ajo u dërgua në Londër, ku u ekspozua nga fondacioni Ali Al Thani, i lidhur me ish-ministrin e Kulturës së Katarit dhe një nga koleksionistët më të mëdhenj të artit në botë.

Aty tërhoqi vëmendjen e galeristit Alan Safani nga Manhattan. Pasi kreu verifikime në bazat e të dhënave për veprat e vjedhura dhe nuk gjeti asnjë sinjalizim, ai e bleu në mirëbesim për 152 mijë dollarë, me synimin për ta rishitur.

Në vitin 2018, skulptura u përgatit të ekspozohej në Panairin e Artit në Maastricht. Pikërisht aty u njoh nga drejtuesit e Forumit Romak, të cilët njoftuan autoritetet italiane. Pas denoncimit, Prokuroria e Nju Jorkut e sekuestroi veprën në Galerinë Safani.

Pas një beteje të gjatë gjyqësore, Italia arriti ta rikuperojë skulpturën. Kështu përfundoi udhëtimi i gjatë 100-vjeçar i kokës së Aleksandrit të Madh.

  •  

“Paraburgimi i Veliajt, model që përsëritet”, ish-nënkryetari i Sofjes: Vë në rrezik edhe të drejtën e qytetarëve që e kanë zgjedhur

Ish nënkryetari i Bashkisë së Sofjes, Nikola Barbutov e cilëson paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një vendim që vë në rrezik jo vetëm të drejtën e tij, por edhe të atyre që e kanë zgjedhur.

Në një postim në rrjete sociale, ai ka kujtuar një takim me Veliajn gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike të Parisit në 2024 kur, së bashku me kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, diskutonin për transportin dhe investimet në qytetet e tyre, ndërkohë që sot dy kryebashkiakën mbahen në paraburgim pa një vendim.
“Në këtë pjesë të Evropës sonë, kjo [mbajtja në paraburgim pa vendim] po kthehet në një model të përsëritur. Kryetarët e bashkive zgjidhen me votë, më pas hetohen dhe mbahen për muaj të tërë në paraburgim, përpara se ndonjë gjykatë të marrë një vendim. Vende të ndryshme, dosje të ndryshme, por i njëjti efekt mbi qytetin”, shkruan Barbutov.
Ai thotë se si vendet anëtare të BE, ashtu edhe ato që aspirojnë të anëtarësohen, duhet të respektojnë parimin e nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: Liria është rregulli, ndërsa paraburgimi është përjashtimi.

Postimi i plotë:

Kanë kaluar dy vjet që nga ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.
Kjo fotografi është bërë më 26 korrik 2024, kur isha nënkryetar i Bashkisë së Sofjes. Ishte një nga ato bisedat e zakonshme mes kolegësh nga kryeqytete të ndryshme: për transportin, investimet, ngjarjet e mëdha dhe për atë që i mbetet një qyteti pasi kamerat largohen.
Dy prej personave në këtë foto tani janë në paraburgim.
Ekrem İmamoğlu, kryetar i Bashkisë së Stambollit, që prej 19 marsit 2025. Pesëmbëdhjetë muaj në paraburgim, pa asnjë vendim. Ankesa e tij kundër paraburgimit po shqyrtohet me procedurë prioritare nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai është një nga më shumë se njëzet drejtues vendorë që mbahen në paraburgim në Turqi.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, që prej shkurtit 2025. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka kthyer dy herë për rishqyrtim çështjen e paraburgimit të tij, duke konstatuar se nuk përmbushte standardet kushtetuese.
I njoh mirë të dy dhe kam besim tek ata.
Në këtë pjesë të Evropës sonë, kjo po kthehet në një model të përsëritur. Kryetarët e bashkive zgjidhen me votë, më pas hetohen dhe mbahen për muaj të tërë në paraburgim, përpara se ndonjë gjykatë të marrë një vendim. Vende të ndryshme, dosje të ndryshme, por i njëjti efekt mbi qytetin.
Eurocities, Rrjeti B40 dhe Pakti i Qyteteve të Lira i kanë mbajtur këto raste në qendër të vëmendjes, edhe kur politika kombëtare nuk e ka bërë këtë. Kjo ka më shumë rëndësi sesa mendojnë shumë njerëz.
Liria është rregulli, ndërsa paraburgimi është përjashtimi. Ky është parimi i nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe është pikërisht standardi që u kërkojmë ta respektojnë si vendeve kandidate, ashtu edhe shteteve anëtare.
Kur personi që mbahet në paraburgim është zgjedhur me votë, e drejta që vihet në rrezik nuk është vetëm e tij. Një qytet pa kryetarin e zgjedhur nga qytetarët e tij është një qytet, vota e të cilit është lënë mënjanë pa u dhënë ende një vendim gjyqësor.

  •  

Dubai shpërblen banorët që sjellin turistë

Dubai po ofron shpërblime me vlerë deri në 816 dollarë për banorët dhe qytetarët e Emirateve të Bashkuara Arabe që ftojnë miq ose të afërm nga jashtë vendit të vizitojnë qytetin.

Programi, i quajtur “Një Ftesë në Dubai”, u mundëson personave mbi 18 vjeç, që zotërojnë një kartë identiteti të vlefshme të Emirateve, të nominojnë deri në tre vizitorë për qëndrime deri më 31 tetor.

Përfitimet përfshijnë paketa akomodimi në hotele, oferta për restorante dhe shërbime të tjera turistike.

Vizitorët e nominuar duhet të jenë banorë jo të Emirateve të Bashkuara Arabe me një vizë turistike të vlefshme.

Skema e re është e fundit në një seri përpjekjesh nga zyrtarët për të tërhequr turistët.

Përpjekje të tjera përfshijnë pezullimin e taksës së hotelit për natë dhe heqjen e tarifës komunale prej 7% që zbatohet në faturat e hoteleve dhe restoranteve.

Dubai ka punuar shumë për të rikthyer industrinë e turizmit në nivelet më të larta, që kur Irani nisi sulme në të gjithë Lindjen e Mesme në fillim të këtij viti, me raketat dhe dronët që goditën edhe qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Para fillimit të luftës Dubai po shënonte një rekord në turizëm në 12 muaj të vitit, por numri i vizitorëve ka rënë ndjeshëm si pasojë e luftës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, një qendër qendrore globale e transportit, u detyrua të mbyllej përkohësisht në mars, ndërsa linja të ndryshme ajrore ndaluan fluturimet përkohësisht.

  •  

“Zgjedhorja”, Gjiknuri: Të kemi një paketë ligjore brenda vitit; Bylykbashi: Zgjidhje të forta për administratën…

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvilloi Tryezën Teknike mbi Parandalimin dhe Reagimin ndaj Keqpërdorimit të Burimeve Administrative në Proceset Zgjedhore.

Kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh se synimi është që puna e tryezës të konkretizohet me një paketë ligjore brenda këtij viti , teksa theksoi se është e nevojshme bazimi në eksperiencat e vendeve Europiane.

Të vijmë me sugjerime për të patur një paketë ligjore mundësisht brenda këtij viti, siç kemi vendosur edhe për të shtyrë afatin e përfundimit të Reformës Zgjedhore deri në nëntor. Na mbeten pak muaj, por kjo është një nga çështjet ku praktikisht na ka ndarë si opozitë dhe mazhorancë sesi mund ta zgjidhim këtë sa më mirë”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, e cilësoi keqpërdorimin e burimeve administrative si një nga problemet më serioze që cenon integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri, teksa kërkoi “zgjidhje të forta”.

Çështja që kemi sot në trajtim, parandalimi dhe reagimi ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative në proceset zgjedhore është një nga çështjet më të mëdha dhe më shkatërruese të proceseve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne mund të bëjmë ndryshime shumë të rëndësishme, por asnjë sistem zgjedhor nuk përballon dot shtetin kur futet në krah të njërit prej garuesve dhe shpartallon çdo lloj standardi zgjedhor. Na duhet të kërkojmë zgjidhje më të forta, ndoshta duke shkuar në maksimumin e hapësirave që na lejojnë kufizimet, por e rëndësishme është të zgjidhim këtë problem”, u shpreh Bylykbashi.

  •  

Humbi betejën për jetën, ndërron jetë 71-vjeçari i aksidentuar në aksin Lezhë–Milot

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 71-vjeçari Preng Gjoka, i cili ishte plagosur rëndë në një aksident rrugor të ndodhur mëngjesin e 4 korrikut në aksin Lezhë–Milot.

I moshuari po lëvizte me biçikletë pranë kryqëzimit të Rriles, kur u përplas nga një automjet tip “Benz” me targa të Kosovës. Përplasja i shkaktoi dëmtime të rënda, ndërsa ai u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pavarësisht trajtimit të specializuar dhe përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pas disa javësh në spital.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u shoqërua dhe u ndalua nga Policia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

  •  

Rihapet gara për stolin e Italisë pas dështimit me Pirlon, Mancini parakalon Conten

Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen pas zhvillimeve të fundit. Ish-trajneri i axurrëve duket shumë pranë rikthimit.

U duk se ishte vendosur gjithçka, por në fakt e ardhmja e stolit të Italisë është ende e paqartë. Andrea Pirlo bëri me dije se nuk është më kandidat, Paolo Maldini dhe Leonardo më pas dhanë dorëheqjen nga postet drejtuese. Dhe tani duket se është hapur rruga për rikthimin e Roberto Mancini-t në stolin e kombëtares italiane.

“Mancio” është kandidati i preferuar i Malagò dhe me largimin e drejtorit teknik dhe Leonardo, ai është në “pole position” për të marrë drejtimin e Italisë, duke parakaluar kështu edhe Antonio Conte-n.

Pas refuzimit të Pep Guardiola-s dhe Carlo Ancelotti-t, si dhe kaosit me Pirlo-n, çështja e trajnerit është bërë më komplekse. Para “Maestros”, emrat në listë ishin Roberto Mancini dhe Antonio Conte. Trajneri kampion i Euro 2021 për momentin duket më afër. Conte ka deklaruar se nuk është kontaktuar asnjëherë për të marrë drejtimin e Italisë, megjithatë ai është kandidati i preferuar i presidentëve të Serie A, që kanë pasur një peshë të rëndësishme në zgjedhjen e Malagò president federate.

Një rol vendimtar për zgjedhjen e Conte-s mund të ketë emërimi i Chiellini-t në postin e drejtorit teknik të Italisë, në vend të Maldini-t.

  •  

“Baza e Iranit në Shqipëri e ka emrin Sali Berisha”, Beqiri: Agron Shehaj rrezikon 35 vite burg!

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se Shqipëria po përballet me një formë lufte hibride, e cila sipas tij ka nisur në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian.

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se sulmet ndaj vendit lidhen me përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me rritjen e investimeve të huaja.

“Jemi në luftë dhe këtë luftë na e hapën pasi i hapëm të gjithë kapitujt në BE dhe nisën mbylljet e tyre. Dhe po ashtu nisi kur investime të mëdha filluan të vërshonin në Shqipëri. Në momentin që u caktuan datat kur do të mbylleshin 3 kapitujt e parë, pamë që u sajua i ashtuquajturi incidenti i rëndë në Zvërnec dhe u mbushën rrugët e Tiranës, gjë që kurrë nuk kishte ndodhur më parë. Sepse, me thënë të drejtën, ne e dimë se çfarë shoqërie kemi. Po ashtu, ne e dimë lidhjen që ka ndërtuar Berisha me Beogradin, Hamasin dhe Bin Ladenin. Se si i stërviste kundër SHBA-ve… Por tashmë kanë rekrutuar edhe të rinj si Agron Shehaj me shokë, që edhe bizneset i kanë të dyshimta. Edhe të tjerë që fshihen pas protestës. E kanë ngrënë çorbën e prishur që është serbofile, grekofile, rusofile dhe e Iranit. Janë bërë armiku më i betuar i Shqipërisë dhe kanë vënë në shërbim gjithë agjenturën që kanë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri”, tha avokati.

Gjithashtu, gjatë intervistës, avokati komentoi edhe aktin e kryetarit të Partisë Mundësia dhe deputetit Agron Shehaj, i cili mori në sekretariatin e Kuvendit dokumentin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, duke u larguar me vrap.

Duke komentuar ngjarjen dhe marrjen e dokumentit të marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Beqiri e cilësoi një akt shumë të rëndë dhe kërkoi hetim penal.

Sipas tij, Shehaj duhet të përballet me drejtësinë për disa vepra penale, ndërsa SPAK duhet të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit për nisjen e hetimeve.

“Ky është një akt i rëndë. Një akt tradhtie kombëtare dhe tregon që agjenturat e huaja nuk të kursejnë, por të hedhin në veprim. Kur të paralajmërohesh që dokumenti vetëm do të lexohet, është një marrëveshje nga më historiket. Këtë dokument Irani e donte fizikisht dhe që ta kishte fizikisht, ata futën atje Agron Shehajn. Sikur të bëhet kallëzim penal, ai dënohet për grabitje dhe grabitja e ka deri në 15 vite burg. Ai duhet çuar për ndjekje penale sepse ka siguruar një dokument sekret, dhe sigurimi i një dokumenti të tillë, ai e mori për ta dhënë diku dhe kjo dënohet me 20 vite burg sipas nenit 213 të Kodit Penal të Shqipërisë. Për të paktën pesë vepra penale ai i ka kryer dhe rrezikon 35 vite burg. Puna e parë që duhet të bëjë SPAK është t’i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit dhe nënshtrimin e hetimit”, tha mes të tjerash ai.

  •  

Tentativa për marrjen e llogarive WhatsApp, Policia thirrje qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për rritjen e tentativave për marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp përmes mesazheve dhe lidhjeve mashtruese.

Sipas njoftimit të policisë, janë konstatuar raste kur përdoruesve u dërgohen linke me pretendime të ndryshme, si pjesëmarrje në konkurse online apo konfirmime veprimesh, me qëllim marrjen e kodit 6-shifror të verifikimit të aplikacionit.

Pasi përdoruesi vendos këtë kod, autorët e mashtrimit mund ta përdorin atë për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Sakaq, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp dhe të aktivizojnë funksionin “Two-Step Verification” (Verifikimi me dy hapa).

Në rast se dyshohet se një llogari është komprometuar, policia rekomandon ndërhyrjen e menjëhershme për rikuperimin e saj dhe njoftimin e kontakteve përkatëse.

“Mbrotja e të dhënave tuaja nis me kujdesin tuaj”, apelon Policia e Shtetit, duke theksuar se vigjilenca mbetet mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.

  •  
❌