Reading view

“Moment delikat, respektoni privatësinë”, Milan përgënjeshtron lajmin e vdekjes së kapitenit legjendar

Orë të vështira për Franco Baresi. Legjenda e Milanit ishte operuar në gusht të vitit të kaluar për heqjen e një noduli në mushkëri dhe po kalon një periudhë shumë të vështirë aktualisht.

Sipas disa zërave që qarkulluan mbrëmjen e së mërkurës, gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar aq shumë, sa ish-shokë skuadre si Filippo Gali dhe zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini shprehën në internet ngushëllimet e tyre për vdekjen e ish-kapitenit të Milanit, pasi lajmi ishte përhapur nga disa media dhe portale online, raporton A2.

Megjithatë, Baresi është ende duke luftuar dhe Milani përgënjeshtroi lajmin në kanalet zyrtare të klubit në rrjetet sociale: “AC Milan përgënjeshtron lajmet e rreme që kanë qarkulluar këto minuta lidhur me Franco Baresi. Franco po përballet me një moment delikat dhe klubi është pranë tij me shumë dashuri, ashtu si edhe pranë familjes së tij. Ftojmë të gjithë të respektojnë privatësinë e tij dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e informacioneve të rreme”.

Pas deklaratës së klubit, mesazhet dhe postimet u fshinë.

  •  

“Vija e Verdhë po lëviz çdo ditë”/ Izraeli po ndërton barriera të reja tokësore në Gaza dhe po zhvendos familje

“Jemi zhvendosur nga një vend në tjetrin dhe tani nuk kemi më ku të shkojmë,” thotë Umm Mohammed al-Shawish.

Ajo po përpiqet me dëshpërim të gjejë një vend ku të jetojë, pasi Izraeli zhvendosi blloqet e verdha prej betoni që shënojnë zonën nën kontrollin e tij në Rripin e Gazës.

Familjet që jetonin në lagjen al-Tuffah, në veri të Gazës, u zgjuan të hënën dhe panë se blloqet ishin zhvendosur më në perëndim, drejt mesit të rrugës Salah al-Din, një nga rrugët kryesore që lidh veriun me jugun e Gazës.

Pranë tyre ishte ngritur një digë prej dheu rreth 3 metra e lartë, mbi të cilën valëvitej një flamur izraelit.

Shtëpia e familjes al-Shawish ishte shkatërruar gjatë luftës. Të dielën ata u detyruan të largoheshin përsëri pasi ushtria izraelite i paralajmëroi për një sulm ndaj një ndërtese aty pranë. Strehimi i tyre i vetëm ishte një tendë, e cila u shkatërrua nga sulmi.

“Do të vdesim këtu,” tha Mohammed al-Shawish. “Vdekja është më e mirë se poshtërimi. Askush nuk po na ndihmon.”

Marrëveshja e armëpushimit

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit tetorin e kaluar, Izraeli pranoi të tërhiqte forcat e tij në një vijë të caktuar ndarëse, të quajtur Vija e Verdhë (Yellow Line).

Marrëveshja parashikonte që Izraeli të mbante përkohësisht nën kontroll zonën pas kësaj vije, që përbënte rreth 53% të territorit të Gazës.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi së fundmi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kontrollojnë më shumë se 60% të Gazës. Në maj ai tha publikisht se synimi i tij ishte të arrinte kontrollin mbi 70% të territorit.

Hamasi akuzon Izraelin se ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit duke e zhvendosur Vijën e Verdhë më në perëndim. Një zyrtar i lartë izraelit i hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se vendosja e forcave dhe vijat e sigurisë janë masa operative për mbrojtjen e qytetarëve izraelitë dhe për të penguar Hamasin të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake.

Ndërtimi i barrierave

Fillimisht ushtria izraelite e shënoi Vijën e Verdhë me blloqe betoni, por më pas disa prej tyre u zhvendosën më thellë në Gaza.

Që nga armëpushimi, Izraeli ka ndërtuar një rrjet barrierash që shtrihet në mbi 42 kilometra dhe mbulon rreth 85% të Vijës së Verdhë. Seksioni më i gjatë arrin 13.8 kilometra.

Ekspertët i thanë BBC-së se këto punime tregojnë se Izraeli mund të jetë duke u përgatitur për një prani afatgjatë në Gaza. Në disa zona, barrierat prej dheu e zhvendosin kufirin de facto më thellë në territorin palestinez, duke zgjeruar zonën ku civilëve u ndalohet të hyjnë.

Zhvendosje të tjera

Edhe në muajt e fundit janë raportuar raste të tjera zhvendosjeje.

Më 18 korrik, dhjetëra familje u larguan me nxitim nga zona Zeitoun, në lindje të qytetit të Gazës, pasi ushtria izraelite urdhëroi evakuimin. Banorët thanë se menduan se kjo ishte shenjë se Vija e Verdhë po zhvendosej sërish.

Ata raportuan të shtëna nga automjetet ushtarake izraelite, dronë dhe bombardime me artileri.

“Lufta nuk ka mbaruar. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Çdo ditë ka sulme, zhvendosje dhe dëbime,” tha Ismail Kashko.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), rreth 30 familje humbën tendat e tyre në Zeitoun dhe u ndihmuan me furnizime bazë.

Ndërtime ushtarake dhe shkatërrime

Banorët në lindje të Deir al-Balah thanë se ushtria izraelite u dha dy ditë kohë për t’u larguar përpara se toka të rrafshohej.

Pamjet satelitore tregojnë gjurmë tankesh, ndërtesa të shkatërruara dhe ullishte të rrënuara përtej Vijës së Verdhë.

Në jug, pranë al-Mawasi, palestinezët raportojnë lëvizje të përditshme tankesh, të shtëna dhe ndërtimin e argjinaturave të larta prej rëre.

Pamjet satelitore dhe videot e verifikuara tregojnë gjithashtu rrugë të dëmtuara, ndërtesa të shembura dhe dhjetëra baza e poste të reja ushtarake përgjatë Vijës së Verdhë.

Që nga armëpushimi janë ngritur 14 pozicione të reja ushtarake, ndërsa shtatë të tjera ekzistuese janë zgjeruar ose asfaltuar.

Qëndrimi i ushtrisë izraelite

IDF deklaroi se po shënon qartë në terren Vijën e Verdhë për të “reduktuar përplasjet” dhe mohon pretendimet se kjo vijë është zhvendosur.

Sipas ushtrisë, masat mbrojtëse përfshijnë zona sigurie, barriera fizike, mjete inteligjence, teknologji dhe aktivitete operative të trupave.

Për arsye sigurie, ushtria tha se nuk do të japë detaje mbi vendndodhjen ose shtrirjen e barrierave.

Vlerësimet e ekspertëve

Gjenerali në pension Assaf Orion, studiues në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS), tha se ndërtimi i barrierave dhe bazave tregon se ushtria po përgatitet për një qëndrim të gjatë përgjatë Vijës së Verdhë, pasi sipas tij nuk është bërë përparim në çarmatimin e Hamasit.

Ndërsa eksperti i sigurisë Andreas Krieg nga King’s College London tha se gjetjet e BBC-së sugjerojnë se Izraeli po e shndërron Vijën e Verdhë nga një kufi i përkohshëm i armëpushimit në një kufi de facto brenda Gazës.

Situata humanitare

Banorët e Gazës thonë se zhvendosja e vazhdueshme e Vijës së Verdhë po i detyron më shumë se dy milionë njerëz të jetojnë në një hapësirë gjithnjë e më të vogël, në kushte shumë të vështira humanitare.

“Vija e Verdhë po lëviz çdo ditë,” tha Abu Kamel Hamami, një palestinez i zhvendosur në qytetin e Gazës.

“Po lëvizim vazhdimisht nga një rrugë në tjetrën. Kudo ka mbipopullim, tenda dhe kampe të të zhvendosurve.”

  •  

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti në Japoni, vijojnë operacionet e shpëtimit

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë është rritur në 30, konfirmoi të enjten kryeministrja Sanae Takaichi.

Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu, të martën, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, rrjetin elektrik dhe ndërtesa publike. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja.

Një nga incidentet më të rënda ndodhi në një qendër tregtare, ku shembja e një pjese të ndërtesës dhe një shpërthim që ndodhi rreth një orë më vonë shkaktuan disa viktima. Presidenti i kompanisë Aeon deklaroi se shpërthimi ka shumë gjasa të ketë qenë pasojë e rrjedhjes së gazit, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim.

Rreth 9 mijë banorë të zhvendosur janë strehuar në qendrat e evakuimit, ndërsa mbi 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike. Autoritetet po përballen edhe me temperaturat e larta, të cilat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në ditët në vijim.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, njoftoi dërgimin e 300 kondicionerëve në prefekturën Kumamoto, ku gjysma e tyre do të vendosen në qendrat e evakuimit për të përmirësuar kushtet e të strehuarve.

Që nga tërmeti janë regjistruar më shumë se 100 pasgoditje, duke bërë që shumë banorë të kalojnë netët në automjetet e tyre nga frika e lëkundjeve të reja.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë edhe në një fabrikë të kompanisë Nippon Paper në qytetin Yatsushiro, ku të paktën pesë persona humbën jetën pas shembjes së pjesshme të godinës. Nga 11 persona që mbetën të bllokuar, shtatë janë nxjerrë të gjallë.

  •  

Airbnb sjell fitime rekord: Deri në 200 euro nata për një apartament në Shqipëri

Nga 80 deri në 200 euro nata, tregu i akomodimit në Shqipëri nëpërmjet qirave afatshkurtra është rritur edhe më tej si në numër edhe në vlerë. Shtimi i numrit të turistëve këtë sezon veror ka rritur kërkesën duke ndryshuar dhe ofertën me mbi 15% krahasuar me një vit më parë në çmimet e vendosura.

Ky trend i qirave identifikohet edhe më lehtë në hyrjet e pallateve me shtimin e kutive të çelësave me kodet përkatëse për të gjithë klientët që i përzgjedhin.

Këto kuti çelësash janë një tregues i rritjes së numrit të njësive akomoduese afatshkurtra ku çdo qytetar i interesuar si shqiptar dhe të huaj pajisen me çelësin e apartamentit nëpërmjet këtij mekanizmi. Ne ndodhemi fare pranë qendrës së kryeqytetit ku vetëm në këtë hyrje pallati nga 28 apartamente, 10 prej tyre janë përshtatur për këtë treg.

“Të gjithë e kemi parë që Tirana ka shumë turistë dhe rrjedhimisht kjo ka bërë që ata të kenë nevojë për akomodim. Shumë apartamente që i kishim disponibël për qira afatgjatë janë kthyer Airbnb. Kjo është tregues i mirë për të ardhurat e vendit, kjo e ka bërë më të pamundur për familjet”, tha eksperti i investimeve Dorian Sanxhaku.

Norma e zënies së apartamenteve deri në fillim të korrikut në këto njësi varionte mbi 50% nisur nga Tirana 64%, Durrësi 54%, Vlora rreth 60%, Saranda 41%.

“Të huajt nisen nga revie-t në momentin që i gjejnë në Tiranë, çmimet i ke nga 100-150 euro, por mesatarja 80 euro, Durrësi 90 euro, Vlora 100 euro, Saranda 120 euro”, tha eksperti i investimeve Dorian Sanxhaku.

Ndalur sipas gjeografisë së turistëve, Dorian Sanxhaku, ekspert investimesh tregon se interesi këtë sezon veror ka qenë edhe më i lartë, i kryesuar nga francezët dhe amerikanët për këto njësi akomodimi.

“Dominante ngelen Vlora, Durrësi me çekët, kroatët, Saranda skandinavët, interesante dhe numri i amerikanëve që frekuentojnë Shqipërinë”, tha eksperti i investimeve Dorian Sanxhaku.

Gjatë vitit 2025 sipas të dhënave të platformës AirDNA tregu shënoi një rritje rekord, ku familjet shqiptare fituan rreth 134 milionë euro dhe u regjistruan rreth 26.3 mijë apartamente e njësi akomodimi. Por ndikimi i sektorit në të ardhurat fiskale do të ishte dhe më i lartë nëse tregu do të formalizohej plotësisht.

  •  

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, pas Adnan Xholit shpall kandidaturën edhe Rovena Zoto

Rovena Zoto (Bozo) është zyrtarisht kandidatja e dytë në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Siç ka raportuar më herët gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, si emër i përfolur në garën për prokuror të përgjithshëm edhe Rovena Zoto ka dorëzuar kërkesë në KLP.

Dje, prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi dorëzoi kërkesën pranë KLP-së, duke shprehur zyrtarisht interesin për të marrë pjesë në garë.

Aktualisht, Rovena Zoto ushtron detyrën si prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës. Ajo është emëruar prokurore në vitin 2010, pasi përfundoi Shkollën e Magjistraturës.

Gjatë karrierës së saj, Zoto ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Lushnjes, Fierit dhe Tiranës. Ajo ka hetuar vepra që lidhen kryesisht me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe hetimet pasurore.

Një nga rastet e fundit që ka hetuar është ai i Granit Pepnikës së Call Center-ave.

Kush është Rovena Zoto, kandidatja për Prokurore të Përgjithshme

Rovena Zoto (Bozo) është prokurore pranë Prokurorisë së Tiranës dhe kandidatja e dytë që hyn në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Zoto ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe është emëruar prokurore në vitin 2010. Gjatë karrierës së saj mbi 15-vjeçare ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Lushnjes, Fierit dhe Tiranës.

Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në seksionet kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe kundër Trafiqeve të Paligjshme në Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë periudhës në Prokurorinë e Lushnjes, Zoto është marrë me hetimin e çështjeve penale të fushave të ndryshme, ndërsa një pjesë e rëndësishme e punës së saj ka qenë e përqendruar te krimi ekonomiko-financiar, pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, hetimet pasurore dhe veprat financiare.

Prej vitit 2021 ajo ushtron detyrën si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, ku fillimisht ka qenë pjesë e Seksionit për Narkotikët, Trafiqet dhe Krimet e Rënda ndaj Jetës, ndërsa më pas ka punuar në Seksionin e Posaçëm.

Që prej marsit 2026, Rovena Zoto drejton Seksionin për Drejtësinë Penale për të Miturit pranë Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë karrierës së saj ka hetuar çështje që lidhen me krimet financiare dhe hetimet pasurore, ndërsa një nga rastet e fundit të hetuara prej saj është ai i Granit Pepnikes lidhur me aktivitetin e call center-ave.

  •  

Fenomen i çuditshëm në Gjirin e Lalzit, një qytet shfaqet në horizont, pamjet bëhen virale (VIDEO)

Në detin e Gjirin të Lalëzit pushuesit kanë filmuar këtë javë një dukuri të rrallë. Janë parë forma të çuditshme “godinash që lundronin” mbi sipërfaqen e derit.

Nuk janë as fantazma dhe as objekte të paidentifikuara. Pushuesit dhe banorët e zonës kanë kapur një nga dukuritë më magjepsëse dhe të rralla të natyrës, e njohur në të gjithë botën si Fata Morgana.

Por çfarë është në të vërtetë ky “truk” që natyra këtë herë e luajti pikërisht në bregdetin tonë?

Njihet si Fata Morgana dhe është një lloj mirazhi shumë i veçantë optik. Emri i saj vjen nga mitologjia e vjetër europiane, ku besohej se një zanë magjistare krijonte kështjella fluturuese mbi det për të hutuar detarët.

Në realitet, nuk ka asgjë magjike, por thjesht një lojë mjaft interesante të dritës me ajrin.

Çka është Fata Morgana?

Fata Morgana është një lloj mirazhi optik kompleks që ndodh në atmosferë, kur drita përthyhet në mënyrë të pazakontë për shkak të shtresave të ajrit me temperatura të ndryshme.

Ky fenomen krijohet zakonisht mbi det, liqene ose zona të mëdha të sheshta, kur një shtresë ajri shumë e ftohtë ose e ngrohtë ndodhet mbi një shtresë tjetër me temperaturë të ndryshme.

Ndryshimi i temperaturave bën që rrezet e dritës të përkulen dhe të krijojnë pamje të deformuara të objekteve në horizont.

Si rezultat, njerëzit mund të shohin anije që duken sikur fluturojnë mbi ujë, ishuj, ndërtesa ose qytete që duken sikur ngrihen mbi horizont, objekte të zgjatura ose të shtrembëruara që në realitet janë shumë më larg.

Emri Fata Morgana vjen nga legjenda e Morgana le Fay, një figurë mitologjike e lidhur me magjinë në traditën mesjetare. Fenomeni është përmendur veçanërisht nga marinarët në Ngushticën e Mesinës mes Italisë dhe Siçilisë, ku besohej se shfaqeshin kështjella të “varura” mbi det.

Në aspektin shkencor, Fata Morgana është një kombinim i mirazhit superior dhe efekteve të tjera atmosferike.

Nuk është iluzion i syrit, por një deformim real i dritës që kamera dhe syri i njeriut mund ta kapin.

Në rastin e Gjirit të Lalzit, shpjegimi më i mundshëm është se kushtet atmosferike mbi Adriatik kanë krijuar një shtresëzim ajri që ka përthyer dritën dhe ka deformuar pamjen e horizontit për disa minuta.

  •  

Rusia sulmon Ukrainën me raketa e dronë, të paktën 8 të vrarë dhe 45 të plagosur

Rusia ndërmori në orët e para të 30 korrikut një nga sulmet më të mëdha ajrore të muajve të fundit ndaj Ukrainës, duke lëshuar dhjetëra raketa balistike, raketa lundruese dhe qindra dronë kamikazë. Sulmet goditën disa qytete, përfshirë Kievin, Lvivin, Kryvyi Rihun dhe rajonin e Poltavës.

Sipas autoriteteve ukrainase, nga sulmet kanë humbur jetën të paktën tetë persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa të paktën 45 të tjerë janë plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet dëshmojnë edhe një herë se mbrojtja ndaj raketave ruse është jetike për shpëtimin e jetëve.

“Ky terror rus provon edhe një herë se mbrojtja nga kërcënimi i raketave ruse është detyra më e rëndësishme për të ruajtur jetën e njerëzve tanë. Kjo nuk është vetëm një detyrë e Ukrainës, por e të gjithë partnerëve tanë”, u shpreh Zelensky.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjithsej 74 raketa lundruese, balistike dhe hipersonike, si dhe 284 dronë të tipit Shahed. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 55 raketa dhe 265 dronë.

Në Kiev, shpërthimet nisën pak pas orës 01:00 të mëngjesit. Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Rënia e mbetjeve të raketave shkaktoi zjarre në një garazh në distriktin Sviatoshynskyi dhe në një treg në lagjen Obolon. Në rajonin e Kievit u dëmtuan tre banesa në Brovary, ndërsa pesë persona, përfshirë një fëmijë, mbetën të plagosur.

Goditja më e rëndë u regjistrua pranë qytetit të Kryvyi Rihut, ku një raketë balistike Iskander-M goditi shtëpinë e një familjeje të madhe. Si pasojë humbën jetën katër të rritur dhe dy vajza, 5 dhe 12 vjeç. Tetë persona të tjerë u plagosën, mes tyre dy djem 6 dhe 15 vjeç.

Në rajonin e Poltavës, një person u vra pas goditjes së një magazine, ndërsa një terminal i kompanisë postare Nova Poshta u dëmtua, pa raportime për viktima.

Edhe qyteti perëndimor i Lvivit, vetëm rreth 70 kilometra nga kufiri me Poloninë, u godit nga raketat. Dy pallate u dëmtuan rëndë dhe të paktën 30 persona mbetën të plagosur. Ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet mes rrënojave, pasi dyshohet se mund të ketë ende persona të bllokuar.

Shpërthime u raportuan gjithashtu në Ivano-Frankivsk dhe rajonet perëndimore të Ukrainës, ndërsa alarmet ajrore u aktivizuan në të gjithë vendin.

Si reagim ndaj sulmit rus, Polonia ngriti në fluturim avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore. Për pak kohë u aktivizua edhe alarmi ajror në qytetin polak të Lublinit.

Një ditë para sulmeve, Zelensky kishte paralajmëruar se Rusia po përgatiste një ofensivë të re masive gjatë natës dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të respektonin alarmet ajrore.

Ndërkohë, më 28 korrik, Zelensky zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, ku u diskutua furnizimi me interceptorë për sistemet Patriot dhe mundësia e një armëpushimi të pjesshëm në sulmet ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pas takimit, të dy liderët e cilësuan bisedën si pozitive, ndërsa Zelensky deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka humbur iniciativën në luftë, por vijon të refuzojë shpalljen e një armëpushimi.

  •  

Plazhi dhe sëmundjet reumatizmale, kush përfiton dhe kush duhet të bëjë kujdes

Pushimet verore dhe plazhi konsiderohen të dobishme për shumë njerëz, por për personat me sëmundje reumatizmale kërkohet kujdes.

Reumatologia Nerënxa Ajasllari tregon se cilët pacientë përfitojnë më shumë nga plazhi dhe deti.

“Plazhi është i rekomandueshëm për disa grupe sëmundjesh reumatizmale. Sidomos noti dhe ushtrimet në ujë janë të rekomandueshme për të ulur ngarkesën mbi kyçet, për të rritur lëvizshmërinë dhe për të ulur ngurtësimin, sidomos në pjesën e gjunjëve. Pacientët që vuajnë nga artroza, spondiloartropatitë dhe artriti reumatoid mund të përfitojnë, nëse sëmundja e tyre është e stabilizuar me mjekim”, tha mjekja.

Megjithatë, jo në çdo rast ekspozimi në diell është i këshillueshëm, duhet të respektohen disa masa të thjeshta gjatë pushimeve.

“Sëmundjet autoimune si lupusi eritematoz sistemik, dermatomioziti apo vaskulitet. Këto sëmundje, kur ekspozohen në diell, jo vetëm që japin skuqje të lëkurës, por mund të shpërthejnë edhe aktivitetin e sëmundjes. Duhet të shmangin ekspozimin në diell në pikun e temperaturave të larta. Duhet të lyhen me krem me SPF 50, të vendosin kapele dhe të marrin masa mbrojtëse. Duhet të hidratohen, ndërsa aktivitetin fizik nuk duhet ta kryejnë në temperatura të larta. Sidomos duhet të kenë parasysh se, nëse shfaqet një skuqje në lëkurë, enjtje e kyçeve apo dhimbje, duhet të paraqiten menjëherë te mjeku reumatolog”, apelon ajo.

Respektimi i këshillave të mjekut, ekspozimi i kujdesshëm në diell dhe ruajtja e një stili të shëndetshëm gjatë verës mund t’i ndihmojnë pacientët me sëmundje reumatizmale të kalojnë pushime më të sigurta dhe me më pak shqetësime.

  •  

VIDEO / Rama ndan pamjet: Shqipëria mirëpret vizitorë nga e gjithë bota

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka ndarë mëngjesin e kësaj të enjteje pamje në rrjetin social “Facebook”, duke vënë në fokus turizmin dhe numrin e vizitorëve, që eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë.

Sipas Ramës, Shqipëria vijon të mirëpresë turistë nga e gjithë bota, ndërsa shton se Agjencia Kombëtare e Turizmit është e pranishme në të gjitha pikat hyrëse, duke u ofruar vizitorëve harta, guida dhe materiale informuese për t’i ndihmuar të zbulojnë destinacionet dhe përvojat turistike që ofron vendi.

MIRËMËNGJES dhe ndërsa Shqipëria vijon të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota, Agjencia Kombëtare e Turizmit është e pranishme në të gjitha pikat hyrëse të vendit, me harta, guida dhe materiale informuese që i ndihmojnë të zbulojnë bukuritë dhe përvojat që ofron Shqipëria, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Postimi i kryeministrit shoqërohet me pamje nga pikat hyrëse të vendit, ku stafet informuese mirëpresin turistët dhe u ofrojnë informacion mbi atraksionet turistike dhe destinacionet kryesore të Shqipërisë.

  •  

SHBA bombardon ashpër Iranin pas tentativës për sulm ndaj trupave amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të fuqishme ajrore kundër dhjetëra objektivave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në përgjigje të një tentative iraniane për të goditur me raketa balistike bazat amerikane në Jordani dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se operacioni zgjati rreth një orë dhe kishte në shënjestër qendra komanduese ushtarake, objekte raketore dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe kapacitete detare të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi para gazetarëve se SHBA do të përgjigjej me forcë ndaj sulmeve iraniane. “Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se kjo po vjen dhe na kërkuan të mos e bënim,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane tha se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, duke e cilësuar veprimin si përgjigje ndaj “akteve agresive të ushtrisë amerikane”. Ajo gjithashtu pretendoi se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, shkruan A2.

Përshkallëzimi i fundit vjen vetëm një ditë pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak. Sipas Komandës amerikane, këto operacione ishin përgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga Irani gjatë 72 orëve të fundit.

Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, të dominuara nga milicitë shiite të mbështetura nga Irani, deklaruan se të paktën 20 anëtarë të tyre u vranë gjatë sulmeve. Presidenca irakiane dënoi bombardimet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të vendit, ndërsa presidenti Trump tha se operacionet ishin të koordinuara me qeverinë e Irakut.

Ndërkohë,  ministri saudit i Mbrojtjes, Princi Khalid bin Salman, i ka përcjellë presidentit Trump dëshirën e Arabisë Saudite për uljen e tensioneve në rajon. Konflikti, i cili nisi pesë muaj më parë, vazhdon të mbetet pa një zgjidhje diplomatike, pavarësisht përpjekjeve për negociata.

  •  

Netanyahu: Kam forca speciale rreth meje në rast arrestimi, do të shkoj në Asamblenë e OKB-së në New York

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se nuk do të heqë dorë nga udhëtimi i planifikuar në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, pavarësisht thirrjeve për arrestimin e tij bazuar në urdhër-arrestin e lëshuar nga International Criminal Court.

Në një intervistë për Fox News, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu zbuloi se ka “forca speciale rreth vetes” në rast se përballet me një tentativë arrestimi gjatë vizitave jashtë Izraelit.

“Kemi forca speciale rreth nesh. Kam shërbyer me ta për pesë vite”, tha ai, pa dhënë detaje mbi rolin që do të kishin këto njësi.

Deklaratat e Netanyahu vijnë pas komenteve të kryebashkiakut të New York, Zohran Mamdani, i cili javën e kaluar tha se kryeministri izraelit nuk do të ishte i mirëpritur në qytet dhe kërkoi zbatimin e urdhër-arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare nëse ai viziton SHBA-të. Më pas, Mamdani pranoi se autoritetet e qytetit nuk kanë kompetencë ligjore për ta arrestuar dhe u bëri thirrje autoriteteve federale të ndërhyjnë.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke deklaruar se Netanyahu “nuk do të arrestohet në asnjë rrethanë” gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë intervistës, Netanyahu sulmoi ashpër Mamdanin, duke e akuzuar se po nxit urrejtje ndaj hebrenjve dhe po përpiqet të përçajë banorët e Nju Jorkut. Ai hodhi poshtë edhe urdhër-arrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë një “organizatë të korruptuar” dhe duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Kryeministri izraelit komentoi edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke u shprehur skeptik ndaj çdo marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit për programin bërthamor. Ai paralajmëroi se Izraeli do të përgjigjet “me forcë të jashtëzakonshme” nëse sulmohet nga Irani dhe theksoi se Teherani nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore.

Netanyahu shtoi se armëpushimi në Liban mund të krijojë kushte për një marrëveshje të re paqeje me një shtet arab dhe përsëriti se Izraeli dëshiron zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite.

  •  

E enjtja me mot të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë vendin

Këtë të enjte vendi ynë do të jetë në ndikim të masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet kryesisht i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare kryesisht përgjatë relieveve malore në jug të vendit.

Era do të jetë me drejtim nga kuartati i veriut me shpejtësi mesatare 5 m/s, e cila hera-herës në bregdet dhe lugina pritet të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s ndërsa valëzim në det do të jetë i forcës 1-2 ballë.

  •  

“Do të vijoj betejën për Tiranën”, Braçe: Jam gati të garoj me Ogertën, Arbrin apo këdo! Socialistët duhet të zgjedhin…

Erion Braçe, deputeti i PS-së, ka folur këtë të mërkurë me Erla Mëhillin në “Now” lidhur me zhvillimet e brendshme dhe të përgjithshme politike në vend. Braçe i është përgjigjur moderatores edhe për betejën për zgjedhjet në Tiranë, ku ka shprehur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, ai do të vijojë betejën.

Mëhilli: A i qëndroni sërish projektit për të kandiduar në Bashkinë Tiranë?

Braçe: Është çështje algoritmi kjo, ndaj s’ju ka rënë në sy, sepse janë marrë me protestën. A keni dëgjuar të tërhiqem nga ky projekt? Jo. Nuk tërhiqem nga ajo gjë. Nuk kam kërkuar as nder, as favor, as çelës karriere, as nuk kam kërkuar shpërblim për çfarë kam bërë deri tani. Nuk dua të më emërojnë. Kam kërkuar një proces ku socialistët zgjedhin. Votën e atyre do të kërkoj unë. Edhe atyre që janë gri. Kam kërkuar një proces të hapur demokratik dhe kandidatin e tyre, për ta transformuar Tiranën në një hap të ri dhe në një standard të ri.

Mëhilli: Çfarë do të bëni nëse Rama nuk e merr parasysh?

Braçe: Do të vijoj betejën. E ka detyrim statutor. Gara në Tiranë i shërben një procesi demokratik brenda partisë. Të konkurroj me Ogertën, me Arbrin, me kë të doni ju. Nuk ka arsye që PS të bëjë hap prapa.

  •  

Trump urdhëron kundërpërgjigjen, SHBA sulmon bazat e Gardës Revolucionare në Iran –


Shtetet e Bashkuara nisën sulme ajrore kundër Iranit në orët e para të së enjtes (30 korrik), si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa balistike iraniane kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Lajmi u konfirmua nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), ndërsa mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të jugut të Iranit.

Sipas deklaratës së CENTCOM, operacionet ushtarake nisën në orën 20:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-së (03:00 me orën lokale).

“Forcat amerikane filluan sulmet kundër Iranit në orën 20:00. Sulmet janë një përgjigje e fortë ndaj sulmeve të djeshme me raketa balistike të Iranit kundër forcave amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme”, thuhet në njoftimin e publikuar në platformën X.

Në një deklaratë të dytë, CENTCOM bëri të ditur se u goditën dhjetëra objektiva të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë qendra komanduese ushtarake, baza raketash dhe dronësh, sisteme mbikëqyrjeje, mbrojtje bregdetare dhe infrastrukturë detare.

Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi i operacionit ishte reduktimi i kërcënimit që, sipas Uashingtonit, Irani dhe aleatët e tij paraqesin për forcat amerikane, anijet tregtare ndërkombëtare dhe vendet e Gjirit Persik.

Menjëherë pas njoftimeve të SHBA-së, televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se shpërthime u dëgjuan në disa zona të jugut të Iranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet goditën ishullin Qeshm dhe qytetin jugor të Abadanit.

Agjencia shtetërore IRNA, duke cituar një zyrtar të provincës Hormuzgan, njoftoi se ekipet e shpëtimit po kërkonin dy persona të bllokuar nën rrënojat e një banese në ishullin Qeshm.

Ndërkohë, gazetari i Axios, Barak Ravid, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, raportoi se ushtria amerikane kishte nisur operacione ushtarake kundër Iranit, pa dhënë detaje të tjera.

Sulmet vijnë vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi një përgjigje të fortë ushtarake.

“Ne do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë për të goditur. Ata e dinë se çfarë po vjen”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale.

Të martën në mbrëmje, Garda Revolucionare e Iranit lëshoi disa raketa balistike drejt forcave amerikane në rajon, ndërsa ushtria jordaneze njoftoi se kishte interceptuar pesë prej tyre.

Paralelisht me operacionet ajrore, CENTCOM bëri të ditur se vijon edhe zbatimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit.

Sipas të dhënave të publikuara, që prej 29 korrikut forcat amerikane kanë ridrejtuar 20 anije tregtare, kanë sekuestruar dy të tjera dhe kanë kryer kontrolle në dy anije në kuadër të zbatimit të bllokadës.

Sipas një analize të CNN, vendimi i Iranit për të rifilluar armiqësitë përfaqëson një ndryshim të qartë në strategjinë e Teheranit, duke marrë iniciativën për të goditur i pari, pavarësisht rrezikut të një kundërpërgjigjeje të drejtpërdrejtë amerikane.

“Diçka duket se ka ndryshuar rrënjësisht në qasjen e Iranit, veçanërisht në aspektin e gatishmërisë për të goditur i pari, pasi e konsideron këtë si të vetmin opsion të zbatueshëm”, vlerësoi Hamid Reza Aziz, studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

CNN vëren se zhvillimet e fundit rrisin ndjeshëm rrezikun e një përshkallëzimi të ri ushtarak në rajon, ndërsa analistët e lidhin vendimin e Teheranit edhe me takimin e Donald Trump me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington.

Sipas analizës, konflikti po hyn në një fazë të re dhe më të rrezikshme, me zgjerim të frontit rajonal, ndërsa rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit mbetet një nga pikat kyçe të përplasjes.

CNN përfundon se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre përballen me një zgjedhje të vështirë: të kërkojnë një zgjidhje diplomatike ose të përgatiten për një konflikt të zgjatur me pasoja për sigurinë rajonale, rrugët tregtare dhe infrastrukturën energjetike të Lindjes së Mesme.

CENTCOM forces continue to strictly enforce the U.S. blockade against Iran. As of July 29 CENTCOM has redirected 20 commercial vessels, disabled 2, and boarded 2. pic.twitter.com/OKe8XSZGka

— U.S. Central Command (@CENTCOM) July 29, 2026

https://t.co/kk3XPDc73G

— U.S. Central Command (@CENTCOM) July 30, 2026

U.S. forces began launching strikes against Iran at 8 p.m. ET today. The strikes are a powerful response to yesterday’s attempted Iranian attacks on U.S. forces based in the Middle East.

— U.S. Central Command (@CENTCOM) July 30, 2026

  •  

Tensione në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare iraniane ndalon tre cisterna nafte

Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka njoftuar se ka ndaluar tre cisterna nafte që po lundronin në Ngushticën e Hormuzit, duke i akuzuar se kishin shkelur rregullat e vendosura nga Teherani për kalimin në këtë korridor strategjik detar.

Sipas deklaratës së IRGC-së, cisternat u ndaluan gjatë transitit në Ngushticën e Hormuzit dhe u detyruan të ndërprisnin lundrimin. Autoritetet iraniane nuk kanë bërë të ditur identitetin e anijeve, flamurin nën të cilin lundronin apo destinacionin e tyre.

Sipas mediave të huaja, incidenti ndodh në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me kontrollin dhe sigurinë në këtë rrugë detare, e cila konsiderohet ndër më të rëndësishmet në botë për transportin e naftës. Gjatë javëve të fundit janë raportuar disa incidente që kanë përfshirë anije tregtare dhe cisterna në rajon, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimeve globale me energji.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare të naftës, pasi një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të hidrokarbureve kalon përmes saj. Çdo incident në këtë zonë ndikon menjëherë në tregjet ndërkombëtare, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Lindjen e Mesme.

  •  

Banorët akuzojnë autoritetet pas zjarreve në Francë: Na sakrifikuan për të shpëtuar vilat luksoze

“Na sakrifikuan”. Kjo është bindja e dhimbshme e shumë banorëve të Le Porge, komuna në pellgun e Arcachon që u godit më rëndë nga zjarret shkatërrimtare, ku flakët dogjën pothuajse 200 banesa. Ata pretendojnë se jo vetëm u lanë pa ndihmën e duhur nga shërbimet e emergjencës, por se u flijuan për t’i dhënë përparësi mbrojtjes së Cap-Ferret, zonës së njohur për vilat luksoze dhe rezidencat verore të të pasurve.

Më shumë se 500 banorë janë organizuar në një grup në WhatsApp dhe kanë nisur procedurat për një padi ligjore, të përfaqësuar nga avokati i Bordosë, Sylvain Galinat.

“Me siguri do të depozitohet një kallëzim penal. Ka shumë gjasa që të ndërmerren edhe veprime në rrugë administrative dhe civile. Vendosmëria e banorëve është e qartë, ashtu si edhe imja”, deklaroi avokati për France Info.

Zemërimi i banorëve lidhet me faktin se urdhri për evakuimin e qytetit me rreth 3 mijë e 500 banorë u dha vetëm pasi zjarri kishte dy ditë që përhapej me shpejtësi në zonë. Nata mes 23 dhe 24 korrikut konsiderohet më dramatikja, pasi Le Porge u rrethua pothuajse plotësisht nga flakët.

Sipas dëshmive të banorëve, automjetet zjarrfikëse dhe mjetet e tjera të emergjencës u panë duke u drejtuar kryesisht drejt Cap-Ferret, ndërsa Le Porge mbeti pa mbështetjen e nevojshme.

Në krye të grupit të banorëve është Ludivine Daurignac, e cila humbi shtëpinë nga zjarri.

“Ne paralajmëruam njëri-tjetrin se duhej të largoheshim menjëherë. Nëse shpëtuam, ishte vetëm falë njoftimeve mes banorëve. Nuk kishte askënd që të na udhëzonte dhe nuk morëm asnjë mesazh alarmi”, tha ajo.

Një tjetër banore, Delphine, e cila humbi banesën pranë Route des Lacs, shprehet se “Le Porge u sakrifikua për të mbrojtur gadishullin e Cap-Ferret”.

Nga ana tjetër, zjarrfikësit këmbëngulin se prioriteti i tyre është gjithmonë shpëtimi i jetëve njerëzore, edhe nëse kjo nënkupton pamundësinë për të shpëtuar çdo banesë. Ata theksojnë se përhapja e shpejtë dhe e paparashikueshme e flakëve i detyron ekipet të zhvendosen vazhdimisht, edhe kur kjo mund të duket e pakuptimtë për banorët.

Tashmë do t’i takojë drejtësisë franceze të shqyrtojë nëse pretendimet e banorëve kanë bazë dhe nëse Le Porge u la qëllimisht në mëshirë të fatit për të mbrojtur zonën elitare të Cap-Ferret. Dyshimet kanë rikthyer në kujtesë edhe përmbytjet e vitit 2001 në Somme, kur qarkulloi teoria se autoritetet kishin devijuar ujërat për të mbrojtur Parisin, një pretendim që më vonë u hodh poshtë teknikisht, por që dëshmoi mosbesimin e thellë të banorëve ndaj institucioneve.

  •  

Gonxhja: Kush guxon të ngrejë dorë ndaj Policisë do merret prej veshësh a leckash dhe do procedohet

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja paralajmëroi se forca e ligjit do të veprojë ndaj protestuesve që guxojnë të ngrenë dorë ndaj policisë, apo të sulmojnë institucionet.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Gonxhja u shpreh se protestues të tillë që kryejnë akte dhune “do të merren për leckash” dhe do të procedohen nga uniformat blu.

Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë, dhe më pas mund të të lënë të lirë, apo të procedojnë nëse ke kryer akte që konsiderohen vepra të caktuara, do procedohesh si çeço. Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit që s’mund të vazhdojë më kështu, s’mund të përdhosin më institucionet në këtë lloj forme. Nuk kemi ne, edhe po të ishim ne, s’është e drejta e askujt që të vendosë me vetëgjyqësi si në mesjetë, shkallën, fajin, dënimin. Unë tek e tek s’e di kush janë, mund të di podkastin e njërit apo tjetrit“, tha Gonxhja.

  •  

A ka të drejtë Spiropali? Erion Braçe përgjigjet për “Partinë-Shtet”

Deputeti socialist, Erion Braçe i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ka folur lidhur me nocionin e Elisa Spiropalit për partinë-shtet. I pyetur lidhur me këtë nocion të Spiropalit, Braçe u shpreh se Partia Socialiste nuk është parti-shtet.

“E kam dëgjuar këtë edhe nga një diskutim që u bë për reformën zgjedhore dy ditë më parë, e dëgjova nga kryekomisioneri i zgjedhjeve siç quhet nga ligji aktual. Në modelin që kemi për partinë-shtet kjo nuk ekziston. Nuk është PS parti-shtet. Nuk është. Që ndodh që fuqinë që ke si parti në pushtet edhe për të qenë prezent edhe për të mbajtur premtimet e kështu me radhë e pastaj për të shkuar në zgjedhje, kjo ndodh.

Me kë nuk ka ndodhur, me cilën parti nuk ka ndodhur? Nuk i ndodh Melonit në Itali që të përdorë fuqinë e qeverisë italiane për të qëndruar në piacë politike. Nuk është kështu. Pse u qelb partia e Merkelit sa vite qëndroi në pushtet? Kur ka persona me probleme të rënda me ligjin duhet të reflektohet, madje edhe thellë”, tha ai.

  •  

Princi Harry pëson goditje ligjore, botuesi i “Daily Mail” kërkon 34.5 milionë paund pas humbjes së gjyqit nga personazhet e famshëm

Princi Harry dhe gjashtë personazhe të tjerë të njohur publike po përballen me detyrimin për të paguar fatura të jashtëzakonshme ligjore, pas humbjes së gjyqit të bujshëm kundër kompanisë botuese të tabloidit britanik Daily Mail, Associated Newspapers Limited (ANL).

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Londrës — e cila rrëzoi padinë për shkelje të privatësisë dhe përgjime të paligjshme për shkak të provave të pamjaftueshme — avokatët e botuesit kanë formalizuar sot kërkesën për dëmshpërblimin e shpenzimeve gjyqësore në masën 34.5 milionë paund (mbi 40 milionë euro).

Sa do të paguajnë paditësit nga xhepi i tyre?

Shuma e kërkuar nga ANL pritet të ndahet mes shtatë paditësve, mes të cilëve numërohen Duka i Sussex-it, ylli i muzikës pop Elton John, bashkëshorti i tij David Furnish, si dhe baronesha Doreen Lawrence, anëtare e Dhomës së Lordëve dhe aktiviste e njohur kundër racizmit.

Sipas raportimeve mediatike, paditësit kishin marrë paraprakisht një polisë sigurimi ligjor që mbulon shpenzimet deri në 16.2 milionë paund. Nëse gjykata miraton kërkesën e plotë të Daily Mail shuma prej 16.2 milionë paundësh do të mbulohet nga kompania e sigurimeve.

Diferenca prej 18.3 milionë paundësh do të duhet të paguhet drejtpërdrejt nga xhepat e vetë personazheve të famshëm.

Argumentet e botuesit dhe vendimi i ardhshëm i gjykatës

Avokatët e kompanisë ANL e kanë mbrojtur shifrën rekord, duke e cilësuar padinë e ngritur nga Princi Harry dhe figurat e tjera si një “kryqëzatë ligjore me synim shkatërrimin e gazetës”, e cila ka zgjatur në kohë dhe i ka shkaktuar dëm të madh reputacionit të mediatikëve.

“Padia e ngritur nuk ishte aspak e zakonshme apo e arsyeshme. Ajo u shoqërua me një përmbytje publiciteti negativ që dëmtoi drejtpërdrejt reputacionin e gazetës dhe të gazetarëve tanë.” tha ekipi mbrojtës i Associated Newspapers Limited (ANL)

Vendimi përfundimtar mbi bazueshmërinë e tarifave dhe kërkesën e botuesit për ekzekutimin e menjëhershëm të të paktën një të katërtës së shumës totale pritet të merret së shpejti nga Gjykata e Lartë e Londrës.

  •  

Evropa Jugore në flake, Franca përballet me zjarrin sa katërfishi i Parisit, zjarrfikës të vdekur në Greqi

Evropa Jugore po përballet me një nga krizat më të rënda mjedisore dhe humanitare të viteve të fundit. Një zjarr i përmasave katastrofike në Francën jugperëndimore — katër herë më i madh se sipërfaqja e Parisit — vazhdon të kërcënojë komunitetet bregdetare, ndërsa bilanci humanitar po rëndohet me humbjen e tre zjarrfikësve në Greqi dhe zhvendosjen e më shumë se çerek milioni banorëve në mbarë rajonin.

Gjendja e jashtëzakonshme ka përfshirë një territor të gjerë që shtrihet nga bregu francez i Atlantikut deri në ishujt e Mesdheut Lindor, si pasojë e një përzierjeje shkatërruese të temperaturave ekstreme që i afrohen 40°C, thatësirës historike dhe erërave të forta.

Tragjedia në Greqi dhe operacionet në frontin francez

Humbja e jetëve njerëzore i ka dhënë një përmasë edhe më dramatike situatës. Autoritetet greke konfirmuan vdekjen e dy zjarrfikësve gjatë luftimeve me flakët në rajonin e Rethymnos në Kretë, si dhe humbjen e një pjesëtari të tretë të ekipeve të emergjencës në rajonin e Peloponezit.

“Ata ranë në krye të detyrës për të mbrojtur jetën, pronën e qytetarëve dhe mjedisin natyror.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Departamenteve Zjarrfikëse të Greqisë.

Në rajonin e Girondës në Francë, më shumë se 2,200 zjarrfikës dhe mbi 20 mjetë ajrore po përpiqen të mbajnë nën kontroll atë që konsiderohet si beteja më e madhe e vendit me zjarret. Ndihma ka mbërritur nga ushtria, strukturat kombëtare dhe partnerët evropianë.

Evakuimet masive dhe reagimi i komunitetit

Në kulmin e krizës, numri i personave të zhvendosur për shkak të rrezikut arriti në afërsisht 330,000 në të gjithë Francën dhe Spanjën, duke e kthyer këtë në operacionin më të madh të evakuimit në kohë paqeje.

Strehimi në Bordeaux

Qyteti ka shndërruar qendrën e tij të ekspozitave në një qendër pritëse për qindra familje të evakuuara.

Mobilizimi civil

Në fshatrat e rrezikuara si Souge dhe Lacanau, banorët lokalë po bashkohen me mjete private, duke pompuar ujë nga liqenet dhe duke lëruar tokën me makineri industriale për të krijuar rrethime mbrojtëse.

Hetimet mbi shkakun

Sipas Prokurorit të Bordeaux, Renaud Gaudeul, hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri gjigant në Gironde mund të jetë nxitur aksidentalisht gjatë punës rutinë të pastrimit të shkurreve pranë një linje të tensionit të lartë elektrik.

Spanja më e qetë, por ndikimi klimatik mbetet alarmant

Në Spanjë, dhjetëra mijëra banorë në rajonin e Madridit dhe Ávilës kanë filluar të kthehen gradualisht në shtëpi pas përparimit të bërë nga zjarrfikësit, ndonëse rreth 10,000 persona mbeten ende nën urdhra evakuimi në Castellón.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi se ekipet e emergjencës po përballen me kushte mjaft të vështira për shkak të valës së katërt të të nxehtit që po përfshin vendin.

Sipas të dhënave të shërbimit klimatik të BE-së, Copernicus, Evropa vazhdon të jetë kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë — me dyfishin e mesatares globale. Vetëm gjatë këtij viti, në Francë janë djegur më shumë se 1,160 kilometra katrorë sipërfaqe pyjore, çka ka nxitur shqetësime të mëdha për pasojat afatgjata mbi mjedisin, ekonominë dhe turizmin rajonal.

  •  
❌