Reading view

Edukatorja goditi 2-vjeçarin me shuplakë sepse po qante, detaje nga ngjarja në Tiranë

Pas arrestimit të një edukatoreje në një kopsht privat në Tiranë të akuzuar se ka dhunuar një dyvjeçar, A2 CNN mëson detaje nga ngjarja.

Gjithçka ka ndodhur në kopshtin “Lala” në rrugën rr. Aleksandër Mojsiu, vila 18/3, ish-Kinostudio. Fëmija dyvjeçar kur është marrë nga prindërit nga kopshti në shtëpi kanë vënë re se kishte të nxira në faqe. Më pas e kanë çuar në spital për ta parë nga se është shkaktuar dhe fillimisht kanë menduar se është ndonjë zënkë mes fëmijësh.

Më pas policia ka bërë këqyrjen e kamerave të kopshtit dhe ka zbuluar se në një moment kur fëmija 2-vjeç ka qenë duke qarë, edukatorja 32-vjeçare është afruar dhe e ka qëlluar dy herë shuplakë në faqe. Pas këqyrjes së kamerave policia menjëherë ka bërë arrestimin e edukatores 32-vjeçare, e cila kishte punuar me të njëjtin profesion edhe jashtë vendit. Madje nga një verifikim në faqet në Instagram dhe Facebook të kopshtit, shihet që i kanë mbyllur të dyja pas ngjarjes.

  •  

Shehaj rrëmbeu dokumentin sekret, kreu i SPAK: Ka një kallëzim penal. Prokurori po verifikon pretendime dhe…

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar takimin e tij të parë me gazetarët, ku ka prezantuar bilancin e aktivitetit të institucionit për periudhën 1 janar – 15 korrik 2026.

Ai u pyet nga gazetarët nëse ka një kallëzim penal për kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, pasi ky I fundit vodhi nga Kuvendi marrëveshjen sekrete të Shqipërisë me SHBA-të.

Braho konfirmon se ka një kallëzim penal për Shehaj në SPAK dhe se institucioni për bën të gjitha verifikimet e nevojshme.

Gazetarja Alketa Shaba: A ju ka ardhur ndonjë kallëzim për deputetin Agron Shehaj, nëse jo ka nisur SPAK një hetim kryesisht?

Klodian Braho: Ka një kallëzim penal që ka mbërritur është më proces verifikimi. Prokurori po verifikon pretendime dhe do dalë me një vendim.

Pasi kreu i Kuvendit kishte njoftuar deputetët se mund ta lexonin marrëveshjen me SHBA-të në sallën ‘Bogdani’ pasi është dokument sekret, ka ndodhur një rast i paprecedentë. Agron Shehaj e ka marrë marrëveshjen dhe ka vrapuar jashtë ambienteve të parlamentit.

  •  

Ben Affleck fiton 1 milion dollarë në “Kush dëshiron të bëhet milioner”, ja si do i shpenzojë

Aktori Ben Affleck, fitoi 1 milion dollarë në një lojë televizive në Shtetet e Bashkuara.

53-vjeçari u shfaq të mërkurën, më 29 korrik, në programin “Kush dëshiron të bëhet milioner”, së bashku me Jamie Ding, me qëllim që të fitonin shumën e madhe për një kauzë bamirësie.

Dyshja u përball me pyetjen finale: “Në një traditë vjetore të Ditës së Falënderimeve, cili nga emrat e mëposhtëm nuk i është dhënë një gjeli deti që është falur nga një president i SHBA-ve?”.

Opsionet ishin: Peanut Butter & Jelly, Tater & Tot, Mac & Cheese dhe Spaghetti & Meatball.

Pas diskutimit, ata vendosën të përdornin ndihmën telefonike, duke telefonuar bashkëpunëtorin afatgjatë të Ding në kuize njohurish, Steven Morrison, i cili megjithatë nuk mundi t’i ndihmonte.

Moderatori Jimmy Kimmel ndau me ta mendimin e tij dhe sugjeroi përgjigjen që do të zgjidhte vetë, e cila ishte “Spaghetti & Meatball”.

Në fund, Affleck dhe Ding i besuan vlerësimit të moderatorit dhe zgjodhën këtë përgjigje, e cila, siç u zbulua pak sekonda më vonë, ishte e saktë.

Paratë do të dhurohen për organizatën jofitimprurëse “Eastern Congo Initiative”, të cilën Affleck e themeloi së bashku me Whitney Williams në vitin 2010. Organizata mbështet iniciativa lokale në Kongon Lindore, duke ndihmuar në përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë, krijimin e mundësive ekonomike dhe promovimin e drejtësisë.

  •  

Marrëveshja e huas me SHBA-të, Berisha: E mbështesim, por kundërshtojmë procedurën e ndjekur

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur konferencë për media, nga ambientet e selisë blu këtë të enjte, 30 korrik.

Ai u ndal tek çështja e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për huan lidhur me mbrojtjen.

Më herët, kreu u grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se kjo marrëveshje do të dërgohet në Kushtetuese. Për këtë, Berisha sqaroi se opozita nuk kundërshton përmbajtjen e marrëveshjes, por procedurën e ndjekur për miratimin e saj, të cilën e cilësoi si antikushtetuese.

“Dua të sqaroj opinionin. Opozita në Shqipëri është në një dhunim konstant të të drejtave të saj kushtetuese. Dhe kjo është e njohur tashmë ndërkombëtarisht. Kjo është e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare. Edhe njëherë dua të qartësoj, absolutisht nuk kemi asnjë kundërshtim për marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Mbështesim plotësisht kërkesën e Presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve për çështjet e sigurisë. Koha i dha atij 100% të drejtë”, tha ai.

Berisha u shpreh më tej se Partia Demokratike, si forcë politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, mbështet përmbushjen e detyrimeve të vendit ndaj Aleancës. Megjithatë, ai akuzoi qeverinë se ka përdorur marrëveshjen për të cenuar të drejtat kushtetuese të opozitës, duke iu referuar mënyrës së votimit në Kuvend.

“Partia Demokratike qëndron si forcë politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, qëndron prapa çdo përpjekje për të mbushur detyrimet tona ndaj NATO-s.  Por Edi Rama kërkonte ta përdorte këtë marrëveshje për dhunimin e të drejtave kushtetuese, për dhunimin e radhës të së drejtës kushtetuese të opozitës. I pafytyrë, i pamoral, primitiv dhe delinkuent siç është, ndonëse kryetari i Parlamentit ra dakord me propozimin tonë për respektimin e Kushtetutës, pra për votimin në afatin kushtetues që ishte dita e premte, ai urdhëroi, ai urdhëroi me çdo kusht votimin pa u lexuar, në kundërshtim me afatin kushtetues.  Duke besuar se në këtë mënyrë do fitojë pikë dhe më shumë, do blejë influencë politike për veten e tij dhe për të sulmuar opozitën. Opozita, edhe njëherë, në çdo kohë e mbështet marrëveshjen, mbështet synimin e marrëveshjes, termat e saj. Por opozita nuk mund të pranojë që kjo të ndodhë duke shkelur ajo mbi të drejtat kushtetuese të veta. Kjo e bën bashkëfajtore opozitën në dhunimin e Kushtetutës. Dhunim i evidentuar. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ka një përcaktim kushtetues”, tha ai.

Ai theksoi se kërkesa për Gjykatën Kushtetuese nuk lidhet me marrëveshjen në vetvete, por me procedurën e ndjekur për miratimin e saj.

“Nuk është hedhur marrëveshja në gjykatë, absolutisht. Është hedhur procedura jokushtetuese e përdorur për miratimin e saj. Po marrëveshjen, në termat kushtetues ne e votojmë në çdo kohë”, përfundoi ai.

Ky reagim vjen pas komentit të Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili u shpreh se qëndrimi i PD është i papranueshëm dhe se një çështje e sigurisë kombëtare, nuk mund të politizohet pasi nuk i shërben askujt.

  •  

Arrestohet edukatorja e një kopshti privat, dyshohet se dhunoi një fëmijë 2-vjeçar

Blutë e Tiranës kanë arrestuar në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat.

Sipas Policisë, 32-vjeçarja dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar në ambientet e kopshtit ku ishte e punësuar.

Pas denoncimit dhe veprimeve të kryera nga shërbimet policore, u bë arrestimi në flagrancë i edukatores, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  •  

“Lëvizja më e fuqishme e kontinentit”, Berisha u bën thirrje demokratëve t’i bashkohen protestës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur konferencë për media, nga ambientet e selisë blu këtë të enjte, 30 korrik.

Ai u ndal tek protestat që po mbahen prej dy muajsh në kryeqytet, duke e  cilësuar atë si një nga lëvizjet qytetare më të fuqishme dhe jetëgjata në Evropë.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që të mbështesin protestën, si një mënyrë për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisjes.

“Gjithashtu, duke përshëndetur protestën qytetare popullore për suksesin e saj të jashtëzakonshëm si lëvizja qytetare më e fuqishme dhe jetëgjatë e kontinentit, si lëvizja qytetare në të cilën çdo i ri dhe çdo qytetar dëshmon sakrificën e tij të madhe që e bën për vendin e tij dhe qytetarët shqiptarë.

Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë, është një thirrje në ndërgjegjen e çdo të riu, e çdo të moshuari, e çdo vajze, nëne, motre, e çdo burri, djali të mbështesim këtë protestë që bën krenarë shqiptarët në mbarë botën”, u shpreh Berisha.

Sipas kryedemokratit, qytetarët që protestojnë çdo natë përfaqësojnë zërin e një shoqërie të dhunuar dhe të shtypur.

“Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur. Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar. Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar”, tha ai.

Në fund, Berisha kërkoi mbështetjen e demokratëve dhe bashkimin e tyre me protestën.

“Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor”, tha ai.

  •  

Prangosja e Ermal Beqirajt jo rastësi, kreu i SPAK: Kishim informacion prej javësh…

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirit dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte rastësi.

“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho në një bashkëbisedim me gazetarët.

Braho shtoi se SPAK do të kërkojë sekuestrimin e avionëve të Beqirajt. “Do keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm ato, por edhe pasuri të tjera”, u shpreh ai.

Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Madje, të mërkurën ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Brenda 40 ditëve, praktika e arrestit duhet t’u përcillet autoriteteve franceze. Nëse jepet pëlqimi, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata.

Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.

Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”.

  •  

Arrestohen kushërinjtë pas konfliktit familjar në Tiranë, njëri dyshohet se tentoi ta godiste me armë artizanale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë arrestuar në flagrancë shtetasit R. S., 20 vjeç, dhe B. R., 34 vjeç, pas një konflikti mes tyre.

Sipas Policisë, 20-vjeçari dyshohet se, gjatë përplasjes me kushëririn e tij, ka tentuar ta godasë me një armë artizanale në dukje luftarake. Ndërkohë, 34-vjeçari dyshohet se, para konfliktit, ishte përfshirë në një debat dhe kishte kanosur nënën e 20-vjeçarit.

Pas ndërhyrjes së uniformave blu, të dy shtetasit u arrestuan, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

  •  

Shërbimi i Prokurorisë kërkon një drejtues, jo thjesht një prokuror në krye

Nga Ylli Manjani

Me fillimin e garës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, debati pritet të përqendrohet te emrat.

Mbetem besnik i idesë se më i rëndësishëm se emrat është parimi mbi të cilin duhet të ndërtohet kjo zgjedhje.Sepse njerëzit ndryshojnë. Parimet mbeten.

Duhet të pranojmë se pas reformës në drejtësi të vitit 2016, organizimi dhe funksionimi i shërbimit të prokurorisë ndryshuan rrënjësisht. Sot kemi një prokurori shumë më të decentralizuar, si në aspektin hierarkik, ashtu edhe në ushtrimin e kompetencave.

Personalisht nuk kam qenë dhe nuk jam dakord me këtë model. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se për natyrën e ndjekjes penale, një nivel më i fortë drejtimi dhe përgjegjësie institucionale do t’i shërbente më mirë interesit publik.

Por kjo është arkitektura që kemi sot.

Problemi është se decentralizimi nuk solli vetëm më shumë pavarësi. Ai solli edhe më pak llogaridhënie. Në shumë raste ai ka ushqyer protagonizmin individual të prokurorëve, të cilët, të mbështetur edhe nga narrativa politike e populiste e pandëshkueshmërisë, ndihen të autorizuar të ndërmarrin çdo veprim në emër të ndjekjes penale, pa pasur një mekanizëm efektiv kontrolli profesional.

Nëse sot bëhet një debat serioz mbi përdorimin e tepruar të paraburgimit, mbi nisjen e procedimeve penale të pambështetura ose mbi zgjatjen pa fund të hetimeve, hallka kryesore ku duhet kërkuar përgjegjësia është pikërisht mungesa e kontrollit efektiv mbi punën e përditshme të prokurorit.

Në këtë model njerëzit bëhen statistikë thjesht për hesap të CV-së së prokurorit. Kjo është pasoja më e dhimbshme e sistemit.

Madje, ky model ka prodhuar një fenomen edhe më shqetësues: dobësimin praktik të rolit të gjykatës.

Mjafton të shihen statistikat e pranimit të kërkesave të prokurorisë. Përqindja afrohet me 100 për qind. Kur kjo ndodh në mënyrë sistematike, lind natyrshëm pyetja nëse kemi ende një gjykim real mbi masat dhe kërkesat e prokurorisë, apo një formalizim pothuajse automatik të tyre.

Statistikisht dhe logjikisht, kjo e zbeh funksionin kontrollues të gjykatës dhe krijon perceptimin se ajo po vepron më shumë si noter i kërkesave të prokurorit sesa si garant i lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Kjo është situata.

Pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: kujt i jep llogari prokurori?

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për shkak të vetë natyrës së tij, nuk mund ta ndjekë nga afër punën e përditshme të çdo prokurori. Ai nuk është në zyrë me ta, nuk merr pjesë në analizën e dosjeve, nuk vlerëson mënyrën se si ushtrohet diskrecioni profesional.

Për këtë arsye, edhe sistemi aktual i vlerësimit mbetet kryesisht mekanik. Numërohen çështjet, maten statistikat, por nuk matet cilësia reale e punës. Dhe kur gjykatat pranojnë pothuajse çdo kërkesë të prokurorisë, atëherë edhe ky kriter statistikor humbet shumë nga kuptimi i tij.

Nga ana tjetër, është e vështirë të pranohet, qoftë edhe me benefitin e dyshimit të arsyeshëm, ideja se prokurorët qenkan zyrtarët më të pagabueshëm të këtij shteti.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Nëse gjykata nuk arrin të ushtrojë kontroll efektiv, nëse drejtuesit nuk ndikojnë realisht në funksionimin e prokurorive dhe nëse KLP nuk ka mundësi të bëjë një vlerësim të plotë të punës së përditshme, atëherë duhet të fillojmë nga hallka më e rëndësishme: drejtimi.

Shërbimi i prokurorisë ka nevojë për drejtues të vërtetë.

Jo thjesht për prokurorë të mirë.

Janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Mund të jesh një prokuror shumë i aftë në hetime dhe një drejtues i dobët. Ashtu siç mund të jesh një profesionist i shkëlqyer, por të mos dish të organizosh një institucion, të ndërtosh frymë bashkëpunimi, të menaxhosh konfliktet apo të mbash përgjegjësi për punën e ekipit.

Prokuroria duhet të funksionojë si një klinikë universitare.

Brenda saj mund të ketë mjekë shumë të zotë, secili me autonominë e vet profesionale. Por mbi të gjithë është primari, një profesionist me eksperiencë dhe autoritet, që organizon punën, vendos standardet dhe mban përgjegjësi për funksionimin e gjithë klinikës.

Kështu duhet të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm.

Jo një figurë ceremoniale që administron dokumente dhe firmos procedura, por drejtuesi që krijon kulturën profesionale të institucionit, disiplinon standardet, identifikon devijimet dhe vlerëson realisht punën e çdo strukture të prokurorisë.

Vetëm ai mund të bëjë atë vlerësim cilësor që një organ i jashtëm nuk mund ta realizojë dot.

Prandaj, sugjerimi im për Këshillin e Lartë të Prokurorisë është të dalë nga klishetë me të cilat zakonisht zhvillohen këto gara.

Mos u ndalni vetëm te pyetja: sa çështje ka hetuar një kandidat? Sa arrestime ka kërkuar? Sa dosje ka përfunduar?

Këto mund të jenë tregues të një prokurori. Por nuk mjaftojnë për të zgjedhur një drejtues.

Pyetja vendimtare duhet të jetë krejt tjetër:

A di ky njeri të drejtojë?

A ka aftësi të organizojë njerëzit?

A krijon autoritet profesional pa imponim?

A di të ndërtojë standarde pune?

A di të mbajë përgjegjësi institucionale?

Sepse drejtues nuk bëhet ai që ka shkruar më shumë akte procedurale.

Drejtues bëhet ai që di t’u japë drejtim njerëzve dhe institucionit.

Nëse këtë aftësi e ka të lindur, aq më mirë. Nëse nuk e ka të lindur, të paktën ta ketë fituar përmes një eksperience të gjatë dhe të provuar në drejtim.

E di që ky sugjerim kërkon edhe një KLP më vizionare, më kërkuese dhe më të orientuar drejt funksionimit të mirë të shërbimit të prokurorisë, sesa thjesht drejt administrimit të procedurave të emërimit.

Por, nëse duam një prokurori që të fitojë besimin e publikut, ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë se në krye të saj nuk mjafton të vendosësh një prokuror të mirë.
Duhet të vendosësh një drejtues të mirë.

  •  

Raporti i SPAK për 2026, Braho: 16 hetime për zyrtarë të lartë dhe mbi 440 mln euro pasuri të sekuestruara

Kreu i SPAK, Klodian Braho ka bërë një raport të aktivitetit të këtij institucioni për periudhën 1 janar – 15 korrik 2026. Sipas raportit të prezantuar, më 15 korrik 2026 ishin aktive 616 procedime penale, ose 15.87% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i tyre ishte 732. Në të njëjtën kohë, janë regjistruar 182 procedime të reja, 39.6% më pak se në periudhën janar-korrik 2025.

Raporti thekson se ulja e procedimeve të reja lidhet kryesisht me muajt prill dhe maj, kur u pezulluan regjistrimet për shkak të periudhës zgjedhore. Megjithatë, SPAK vlerëson se treguesit nuk pasqyrojnë rënie të veprimtarisë kriminale, por ndikimin e kallëzimeve dhe identifikimit proaktiv të veprave penale.

Në vitin 2026, numri i procedimeve penale aktive nga 616 ne datën 01.01.2026, u reduktua në 551 procedime penale në hetim në datën 15.07.2026, pra me 65 procedime penale me pak ose 10.55% më pak. Në periudhën respektive të vitit 2025, stoku i procedimeve penale ishte në rritje, nga 584 ne 655, pra me 71 procedime penale me shume ose 12.2%. Raporti i procedimeve të përfunduara ndaj procedimeve të reja u rit nga 61.0% në të njëjtën periudhë të vitit 2025 në 166.4% ne vitin 2026. Kjo tregon se gjate vitit 2026 SPAK jo vetëm ka përballuar te gjithë fluksin e numrit te procedimeve te reja, por ka përfunduar edhe një pjese te konsiderueshme te ngarkesës se mbartur nga vitet e tjera. Si rezultat, më 15 korrik 2026 stoku i procedimeve aktive ishte 15.87% më i ulët se në të njëjtën date te vitit 2025”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas raportit, norma e përfundimit të këtyre çështjeve ka arritur në 53.3%, ndërsa për dosjet e vitit 2021 është reduktuar ndjeshëm stoku i çështjeve të pazgjidhura.

16 hetime për zyrtarë të nivelit të lartë

Gjatë periudhës së raportimit, SPAK ka regjistruar 13 procedime penale që përfshijnë gjithsej 16 zyrtarë të nivelit të lartë.

Pjesën më te madhe te personave të përfshirë e përbënin kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësonin se bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

Sipas të dhënave, mes personave nën hetim janë: 5 kryetarë ose ish-kryetarë bashkish; 5 drejtues ose ish-drejtues institucionesh qendrore; 3 gjyqtarë, ish-gjyqtarë ose prokurorë; 2 ministra ose ish-ministra; 1 deputet.

292 masa sigurie dhe 440 milionë euro pasuri të sekuestruara

Raporti tregon se gjatë gjysmës së parë të vitit janë caktuar 292 masa sigurie ndaj personave nën hetim. Prej tyre, 233 janë masa “arrest në burg”, 59 masa “arrest në burg” në fazën e ekzekutimit të vendimeve të mëparshme, ndërsa janë vendosur edhe masa të tjera si “arrest në shtëpi”, “detyrim për paraqitje”, “ndalim i daljes jashtë shtetit”, “pezullim nga detyra” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik”.

Gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë sekuestruar pasuri me vlerë prej rreth 440 milionë euro.

Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona të paluajtshme, automjete, llogari bankare dhe asete të tjera, ndërsa SPAK nënvizon se në periudhën 2020–2025 vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 220 milionë euro.

Ndërkohë, gjatë periudhës së raportimit, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 34 çështje penale ndaj 228 personave të pandehur, ndërsa numri total i çështjeve në gjykim në Shkallën e Parë ka arritur në 100.

  •  

Dinamiti artizanal i shpërthen në dorë, humb jetën 65-vjeçari në Porto Palermo

Një ngjarje e rëndë është shënuar të enjten pranë zonës së pasme të Porto Palermos, në afërsi të Qeparoit.

Një 65-vjeçar teksa ka qenë duke peshkuar, nëpërmjet shpërthimit, dyshohet që lënda plasëse t’i ketë shpërthyer në dorë.

Për pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda në trup dhe gjymtyrë dhe gjatë transportimit për në spital, 65-vjeçari ka ndërruar jetë.

  •  

Marrëveshja me SHBA në Kushtetuese, Nufi: Siguria kombëtare nuk duhet të ketë kah politik

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi të papranueshëm vendimin e Partisë Demokratike për të dërguar në Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Nufi tha se nuk duhet të ketë kah politik kur flitet për çështje të sigurisë kombëtare: “Qëndrimet e PD janë të papranueshme në raport me këtë marrëveshje. Siguria kombëtare nuk është çështje debati politik. Ky nuk është sinjal i mirë, të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Nuk duhet të këtë krah politik, mesazhi që çojmë është shumë i gabuar. Raporti jonë me SHBA, tregon se Shqipëria është aleat i besueshëm”.

Ministri shtoi “nuk është në shkelje të Kushtetutës mënyra si është diskutuar”.

“Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Sigurisë kanë pasur mundësi ta lexojnë në Kuvend. I është dhënë koha e mjaftueshme pas miratimit të procedurës së përshpejtuar që të shqyrtohej, të lexohej dhe ajo marrëveshje që është lexuar atë ditë, do ishte e njëjta edhe po të kishte kaluar ai afati që pretendon PD. Marrëveshja monitorohet rreptësisht nga SHBA”, tha Nufi.

  •  

Qeveria serbe i mbijeton votëbesimit, opozitarët akuza për korrupsion

Qeveria serbe e Duro Macut i mbijetoi votëbesimit pas tre ditë debatesh në parlament.

Nga 176 deputetë të pranishëm në sallë, 135 e mbështetën ndërsa 40 deputetë votuan kundër qeverisë.

Deputetët e opozitës e kishin paraqitur propozimin për votim mosbesimi ndaj qeverisë më 13 shkurt.

Gjatë diskutimeve tre ditore opozitarët deklaruan se korrupsioni është problemi kryesor i Serbisë ndërkohë që mungesa e një lufte serioze kundër tij ka vrarë shpresën e qyetarëve për progres.

Pjesë e debatit ishte edhe deklarata e Ministres Snežana Paunović në lidhje me të ashtuquajturin spastrimin etnik në Kosovë.

Vetë Paunović tha se ndaj saj është ushtruar një lloj persekutimi politik ndërkohë që mohoi akuzat se ajo kishte bërë thirrje për spastrim etnik.

Serbia po shkon zyrtarisht drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në vjeshtë zgjedhje që do të provokohen nga vetë mazhoranca e presidentit Vuçiç. Pas tyre do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale.

Serbia përballet prej dy vitesh me protesta antiqeveritare pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Tragjedia shkaktoi reagime të forta dhe akuza për korrupsion dhe mungesë transparence në punën e institucioneve qeveritare.

  •  

Kultivoi bimë narkotike, arrestohet 38-vjeçari në Berat

Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Poliçan, pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit në fshatin Zgërbonjë u konstatuan 107 bimë të dyshuara Cannabis sativa, si dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar për kultivim narkotik.

Në pranga ra shtetasi me inicialet R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

“Gjatë kontrollit në fshatin Zgërbonjë, policia konstatoi 107 bimë të dyshuara Cannabis sativa, si dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar për kultivim narkotik. Bimët dhe fidanët u asgjësuan në vend me anë të djegies. Sipas policisë, nga veprimet hetimore u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit me inicialet R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

  •  

Vendimi i pazakontë: Katari blen gaz nga SHBA-të për të shmangur krizën

QatarEnergy ka blerë këtë vit 33 ngarkesa me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim furnizimin e klientëve të saj në Korenë e Jugut, Tajvan, Bangladesh, Indi dhe Japoni.

Sipas katër burimeve tregtare dhe industriale të cituara nga Reuters, kompania ndërmori këtë hap për të zbutur mungesat në furnizim, pasi eksportet e gazit të Katarit përmes Ngushticës së Hormuzit u ndërprenë si pasojë e luftës me Iranin.

Për shkak të bllokimit të kësaj rruge strategjike detare, QatarEnergy shpalli gjendjen e “forcës madhore”, duke u liruar përkohësisht nga detyrimi për të përmbushur kontratat e furnizimit.

Megjithatë, kompania vendosi të sigurojë gaz nga SHBA-ja për të vazhduar furnizimin e disa prej klientëve të saj më të rëndësishëm dhe për të ruajtur reputacionin e ndërtuar prej dekadash si një nga furnizuesit më të besueshëm të gazit natyror në botë, thanë burimet.

Sipas Reuters, 33 ngarkesat kanë një vlerë të përafërt prej 1 miliard dollarësh dhe përfaqësojnë rreth një të tretën e eksporteve mujore të Katarit para nisjes së konfliktit.

Normalisht, rreth 80% e eksporteve të LNG-së nga Katari janë të destinuara për tregjet aziatike.

QatarEnergy i ka siguruar këto ngarkesa kryesisht nga kompania amerikane Venture Global LNG.

Sipas të dhënave të firmës analitike Kpler, 28 ngarkesa janë dorëzuar tashmë, ndërsa pesë të tjera janë në rrugë drejt Koresë së Jugut, Tajvanit dhe Indisë.

  •  

U gjet brenda një valixheje, telefoni i britanikes përdorej që të dukej se ishte gjallë

Detaje të reja janë zbuluar për rastin tragjik në Greqi, lidhur me gjetjen e trupit të dekompozuar të një 38-vjeçareje britanike brenda një valixheje.

Sipas medias greke Protothema, telefoni i viktimës është përdorur nga persona të tretë për të kamufluar ngjarjen dhe për të krijuar bindjen se e reja ishte ende gjallë.

Gjithashtu, ndërtesa ku u gjet viktima tashmë po mendohet edhe si vendi ku mund të ketë ndodhur krimi.

“Telefoni po përdorej. Madje po dërgoheshin edhe mesazhe me tekst, me sa duket me qëllimin për t’i bërë njerëzit të besonin se ajo ishte ende gjallë. Po e trajtojmë ndërtesën si vendngjarje krimi”, i tha gazetës një oficer policie greke.

38-vjeçarja E.P., me origjinë nga Skocia, kishte udhëtuar për në Evropë nga Shtetet e Bashkuara më 29 qershor, nëpërmjet Qipros, dhe më pas shkoi në Athinë, ku po qëndronte me miqtë.

Ajo u pa e gjallë për herë të fundit më 15 korrik, pak para kohës së parashikuar të krimit.

Kujtojmë se trupi u gjet brenda një valixheje, më 18 korrik, në një ndërtesë të braktisur në Kypseli. Kjo valixhe u gjet nga një i pastrehë, i cili njoftoi autoritetet.

Burri ndodhej në këtë zonë pasi po kërkonte një vend për t’u strehuar, por ndjeu një erë të fortë e të pakëndshme. Kështu, duke ndjekur aromën, ai gjeti valixhen, nga e cila dukej një këmbë njeriu. Pas kësaj, ai njoftoi menjëherë policinë.

Trupi ishte i mbështjellë me një qese dhe ishte futur me forcë brenda valixhes, por nuk janë konstatuar plagë apo shenja të dukshme dhune.

  •  

Avokati britanik i Veliajt: Paraburgimi është i paligjshëm, qëndrimet e gjykatave kanë cenuar prezumimin e pafajësisë

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë mbajtur këtë të enjte, 30 korrik, një konferencë për shtyp.

Fjalën e mbajti avokati Benjamin Brandon. Ai e cilësoi të pajustifikuar masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut, duke u shprehur se çështja ka pësuar vonesa të pajustifikueshme dhe se paraburgimi nuk është proporcional.

Brandon kërkoi lirimin e Veliajt, me argumentin se duhet të vijojë ushtrimin e mandatit.

“Kemi një vonesë të përgjithshme prej 16 muajsh dhe të pashpjegueshme. Gjykata e Strasburgut e ka bërë të qartë, Shqipëria duhet ta trajtojë lirimin sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo është një çështje që ka edhe interes publik. Përveç se ndalimi i tij ndikon tek ai vetë, familja e tij, gruaja e tij dhe dy fëmijët e tij, ka edhe një impakt te qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë zgjedhur.

Të ndalosh një person duhet të jetë masa e fundit që të zbatohet pas gjykimit. Kemi të bëjmë me ndalimin e një përfaqësuesi të zgjedhur të pushtetit vendor.

Së fundmi mund të them se ne suportojmë plotësisht të gjitha deklaratat dhe parashtrimet e përfaqësuesve të tij ligjorë shqiptarë. Mendojmë se ndalimi i tij si masë sigurimi është i panevojshëm, joproporcional, i paligjshëm dhe ai duhet të lirohet menjëherë, që të vijojë plotësimin e mandatit të tij”, tha Brandon.

Mbrojtësi ligjor shqiptar, Plarent Ndreca, theksoi se Gjykata e Lartë duhet të dalë sa më shpejt me një vendim.

“Vonesa në trajtimin e çështjes së Erion Veliajt, pra e çështjes së masës së sigurimit, është kthyer në një problem në vetvete. Fakti që është vonuar prej rreth 16 muajsh i ka hequr efektshmërinë vetë vendimmarrjes. Nëse një vendimmarrje për një masë sigurimi, që sipas Kushtetutës dhe Gjykatës së Strasburgut parashikohet se duhet bërë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse po flasim jo vetëm për lirinë e një individi, por po flasim për heqjen e mundësisë për të ushtruar detyrën e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës.

Thelbi i asaj çfarë ne duam të tërheqim vëmendjen është që Gjykata e Lartë duhet menjëherë të trajtojë të gjitha ato që Gjykata Kushtetuese ka parashtruar, në mënyrë që të dalë me një vendim të tillë, që të jetë proporcional. Vendimi më proporcional në lidhje me detyrën që ushtron zoti Veliaj është ai i lirimit dhe i krijimit të mundësisë për të ushtruar detyrën e tij”, tha Ndreca.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi, nëse janë konstatuar shkelje të tjera në mënyrën se si është trajtuar masa e sigurisë së Veliajt, Brandon u përgjigj se ankimi në Strasburg do të përfshijë disa çështje, mes tyre:

mungesën e dyshimeve të arsyeshme,

cenimin e prezumimit të pafajësisë,

vonesat në shqyrtimin e masës së sigurisë

pengesat për pjesëmarrjen efektive të Veliajt në proces.

“Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka dy pjesë. Në njërën pjesë të saj ka një vendimmarrje përfundimtare në disa çështje që ne kemi ngritur në emër dhe në llogari të zotit Veliaj. Nga ana tjetër, ka disa aspekte të tjera të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, siç janë proporcionaliteti dhe aspekte të tjera, të cilat ajo i ka kthyer për t’i rishikuar Gjykatës së Lartë.

Të gjitha ato pjesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë zgjidhur përfundimisht, ne i kemi përfshirë në ankimin tonë në Strasburg.

Nëse do të përfshija disa nga aspektet më kryesore të këtij ankimi, është mungesa e shkaqeve të arsyeshme, dyshimeve të arsyeshme për pjesën e masës së sigurisë së paraburgimit, pjesa e prezumimit të pafajësisë. Ka disa qëndrime dhe komente të kryera nga gjykata më të ulëta, të cilat kanë minuar garantimin në parim të prezumimit të pafajësisë.

Gjithashtu, pjesa e vonesës së shqyrtimit nga ana e gjyqësorit për masën e sigurisë ndaj zotit Veliaj. Mohimi i të drejtës për të pasur qasje në përfaqësues të zgjedhur ligjorë dhe kjo, pra, pastaj pengesa e pjesëmarrjes efektive e zotit Veliaj në këtë proces.

Por mendoj se momenti më i mirë për të diskutuar dhe për të ndarë detaje dhe shkaqet ligjore që do të përfshijmë në Strasburg do të jetë momenti kur ky aplikim do të jetë finalizuar”, tha Brandon.

Kujtojmë se Veliaj ka si synim dërgimin e çështjes së masës së sigurisë në Gjykatën e Strasburgut.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator për të rishqyrtuar masën e sigurisë së kryebashkiakut Veliaj.

  •  

Vendimet e Qeverisë/ Sala: Shqipëria do të ketë për herë të parë Institutin Kombëtar të Tumoreve

Shqipëria do të krijojë për herë të parë një Institut Kombëtar të Tumoreve, të ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, me referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas saj, instituti do të funksionojë mbi tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

Fusha klinike do të përfshijë shërbimet e kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa në kuadër të institutit do të krijohet edhe një njësi e posaçme për studimet klinike, e para e këtij lloji në vend.

Ministrja theksoi se kjo do t’u japë pacientëve shqiptarë mundësinë të marrin pjesë në studime klinike ndërkombëtare, duke siguruar akses në trajtime dhe barna inovative.

Shqipëria për herë të parë do të ketë një Institut Kombëtar të tomotreve, sipas modeleve europiane, kemi marrë si model Institutin kombëtar të tumoreve të Milanos. Do të ketë 3 fusha veprimi, fushën klinike, që përfshinë shërbimet e kirurgjisë së tumoreve, kimioterapisë dhe radioterapisë, fushën e mësimdhënies dhe fushën kërkimore shkencore, e para e këtij lloji në Shqipëri. Brenda kësaj fushe do të ngrihet njësia e studimeve klinike dhe kjo ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson që pacientët shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, akses në barna norvatore, në studime inovatore”, tha Sala.

Një tjetër përfitim, sipas saj, është se Instituti Kombëtar i Tumoreve do të bëhet pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, çka do t’i mundësojë Shqipërisë të përfitojë fonde europiane për kërkim, teknologji dhe zhvillimin e barnave të reja.

Sjell një risi të dytë sepse duke qenë se instituti do të jetë pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, do të përfitojmë fonde europiane për inovacion si në barna dhe teknologji”, theksoi ajo.

Ministrja njoftoi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në programin kombëtar të parandalimit. Me vendimin e ri hiqet kufiri maksimal i moshës për përfitimin e shërbimit falas të Check-Up. Ajo bëri të ditur gjithashtu se shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kalojnë në administrimin e shtetit dhe do të ofrohen drejtpërdrejt nga institucionet publike.

Dy vendimet e tjera, njëri prej tyre në fushën e parandalimit. Këto vendime sjellin 2 rusi, hiqet tavani moshor për shërbimin e Check-Up. Çdo qytetar nga mosha 35 vjeç e sipër i ofrohet falas. Për herë të parë, qytetarët mbi moshën 70 vjeç do t’i ofrohet nga shtatori shërbimi i Check-Up. Gjithashtu shërbimi i Check-Up dhe dializës merren në dorëzim dhe ofrohen nga shteti”, bëri me dije Ministrja.

  •  

Bordi i Paqes, ministri Nufi: Do të dërgojmë katër oficerë në Gaza

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi sot se Këshilli i Ministrave ka miratuar projektaktin ligjor që do t’i dërgohet Kuvendit për miratim, lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza.

Në fund të mbledhjes së qeverisë, ministri Nufi tha se në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Shqipëria do të angazhohet fillimisht me katër oficerë shtabi.

Ministri bëri të ditur se ky do të jetë hapi i parë i pjesëmarrjes së vendit në mision, ndërsa pas dislokimit të oficerëve do të vlerësohet niveli i mëtejshëm i angazhimit të Forcave të Armatosura.

“U miratua dhe projektakti ligjor për të shkuar në Kuvend për miratimin e misionit tonë në Gaza, në përputhje dhe me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza, duke filluar me 4 oficerë shtabi. Ky do të jetë angazhimi i Republikës së Shqipërisë dhe me vajtjen e këtyre 4 oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese do të vlerësohet më pas se cili do të jetë niveli konkret i trupave që do të dërgohen në Gaza, përfshirë dhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

  •  

“Prej leckash nëse godisni policët”, PD reagon ndaj Gonxhes: Leri kërcënimet

Sekretari për të drejtat e njeriut në Partinë Demokratike, Franci Nuri, me anë të një reagimi në rrjetet sociale ka komentuar deklaratat e djeshme të ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, të bëra në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, paralajmëroi se forca e ligjit do të veprojë ndaj protestuesve që guxojnë të ngrenë dorë ndaj policisë, apo të sulmojnë institucionet: “Në rast se guxon të ngresh dorë, t’u kundërvihesh punonjësve të policisë, do të të marrin për veshësh, a për leckash, do të të fusin në furgon dhe do të procedojnë, dhe më pas mund të të lënë të lirë, apo të procedojnë nëse ke kryer akte që konsiderohen vepra të caktuara, do procedohesh si çeço. Kjo gjë do të bëhet e qartë për të gjithë njerëzit që s’mund të vazhdojë më kështu, s’mund të përdhosin më institucionet në këtë lloj forme. Nuk kemi ne, edhe po të ishim ne, s’është e drejta e askujt që të vendosë me vetëgjyqësi si në mesjetë, shkallën, fajin, dënimin. Unë tek e tek s’e di kush janë, mund të di podkastin e njërit apo tjetrit”.

Nuri shkruan se, Gonxhja duhet të lërë kërcënimet dhe të bëjë gati mbrojtjen për 4.3 milionë eurot që i dha për Kaney West.

“Blendi Gonxhja nuk është as Ministër i Brendshëm, as Drejtor i Policisë dhe as drejtues i SHISH-it. Është akoma Ministër i Kulturës dhe Turizmit. Është pikërisht ministri që gjeti “shpikjen” juridike për t’i kaluar 4.3 milionë euro me akt normativ nga fondi rezervë, sepse as ligji i turizmit dhe as ligji i kulturës nuk ia mundësonin ta bënte vetë. 4.3 milionë euro pa iu dridhur qerpiku. Për bileta falas për administratën dhe patronazhistët. Për të mbushur një stadium provizor, të ngritur në tokë private, pa transparencë të plotë se kujt i përket, pse u zgjodh pikërisht ai vend dhe kujt i shërbeu e gjithë kjo skemë. Prandaj, lëri kërcënimet ndaj protestuesve! Ata qytetarë që protestojnë prej 60 ditësh, nën vapën përvëluese, janë heronj. Janë qëndrestarë të jashtëzakonshëm të kauzës më të madhe sot: largimit të qeverisë më të korruptuar që Shqipëria ka pasur që nga pavarësia”, shkruan Nuri.

“Mos u trego trim me qytetarët që kërkojnë llogari. Bëj gati mbrojtjen për në SPAK. Kallëzimi i Partisë Demokratike është depozituar prej dy javësh dhe çështja e 4.3 milionë eurove nuk është mbyllur. Kur Partia Demokratike të vijë në pushtet, çdo kontratë, çdo akt dhe çdo vendim i kësaj qeverie do të auditohet nga ekspertë vendas dhe të huaj. Asgjë nuk do të harrohet. Askush nuk do të fshihet pas karriges së pushtetit. Dhe më e rëndësishmja: çdo qindarkë e shqiptarëve do të kërkohet deri në fund”, shtoi Sekretari për të drejtat e njeriut në Partinë Demokratike.

  •  
❌