Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 February 2026Main stream

Bashkësitë Fetare në vend njëzëri i japin mbështetje dhurimit të organeve, për të shpëtuar jetën e njerëzve

7 February 2026 at 20:51


Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështesin dhurimin e organeve. Ata thonë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.

“Ne gjithashtu ndihmojmë në këtë mënyrë përmes kontakteve me njerëzit, nëse mund të vijmë deri te një donator i cili do të ndihmojë dhe të realizojë plotësisht dëshirën e tyre për të pranuar organ, për të shpëtuar jetën e tyre dhe për të vazhduar në mënyrë aktive si në familje ashtu edhe në shoqëri”, tha At Dimçe-KOM.

Kisha Katolike mendon në të njëjtën mënyrë.

“Pozicioni është pozitiv dhe jo vetëm kaq, por kisha thërret dhe përmes dokumenteve të saj zyrtare inkurajon besimtarët të dhurojnë organe. Dhurimi i organeve është një shprehje dashurie ose, siç e quajti i ndjeri Papa Gjon Pali II, një akt heroik. Dhurimi i organeve është heroizëm”, u shpreh Oliver Tantushev- Kisha Katolike.

Rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë. /Alsat.mk

Muratovska: Shtatë shoferë kamionësh nga Maqedonia e Veriut, me vulë të zezë në pasaportë

7 February 2026 at 20:08


Njëzet shoferë nga Maqedonia kanë pësuar në muajt e fundit nga rregullat e reja për hyrje dhe dalje nga vendet e zonës Shengen, sipas të cilave nuk guxojnë të tejkalojnë asnjë ditë nga 90 ditët e lejuara brenda gjashtë muajve. Trembëdhjetë janë deportuar dhe kanë kaluar më lehtë – me gjoba financiare, ndërsa shtatë kanë marrë ndalim hyrjeje, pra “vulë të zezë” në pasaportë. Këtë e deklaroi në emisionin Biznis 21 Biljana Muratovska nga Shoqata “Makam-Trans”.

“Gjatë pesë-gjashtë muajve të fundit, para bllokadave, kemi 20 shoferë, prej të cilëve 13 kanë marrë ndalime dhe janë deportuar.”

– Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

“Me sanksione më të lehta, vetëm me pagesë gjobe, pra pa ndalim për punë.”

“Por kemi shtatë shoferë që kanë marrë ndalime, për gjashtë muaj apo një vit.”

Muratovska thotë se protestat katërditore të transportuesve nga Ballkani Perëndimor, me të cilat u bllokuan kufijtë për hyrje dhe dalje të mallrave, kanë ndezur alarmin në Bruksel, por problemet ende ekzistojnë.

Pas takimit të ministrave nga Ballkani Perëndimor me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, pritet që këtë javë Komisioni të prezantojë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet një zgjidhje e përhershme. Nëse nuk ka përgjigje të shpejtë, nuk përjashtohen protesta dhe bllokada të reja në kufij.

“Sipas deklaratave të transportuesve boshnjakë dhe serbë, ata janë më të mëdhenj, mbulojnë territor më të gjerë dhe thonë se këto bllokada do të përsëriteshin. Por unë jam optimiste…”

– Prisni zgjidhje të shpejtë?

“Pres që brenda 2 deri në 4 muaj problemi të tejkalohet, ndërsa javën e ardhshme do të shohim nëse do të na jepet ndonjë instrument që gjatë periudhës kalimtare të mos kemi probleme.”

Si zgjidhje të përkohshme, Muratovska propozon që shoferëve të mos u numërohen vulat në pasaportë. Sipas saj, Komisioni Evropian mund ta bëjë këtë shpejt, me një vendim duke u thirrur në strategjinë e re të vizave, me të cilën kamionistët për herë të parë njihen si profesionistë. Zgjidhja më e mirë afatgjatë, sipas saj, është që kamionistët të trajtohen si pilotët dhe makinistët e trenave, të cilët janë të përjashtuar nga sistemi i ri elektronik për hyrje dhe dalje.

Lloga: Mbajtja e provimeve edhe në gjuhën shqipe është në përputhje me ligjet e shtetit

7 February 2026 at 19:29


Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka deklaruar se zhvillimi i provimeve edhe në gjuhën shqipe është në përputhje të plotë me rendin kushtetues dhe ligjor të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se procedurat përkatëse kanë kaluar të gjitha filtrat institucionalë të nevojshëm.

Sipas Llogës, aktet përkatëse kanë marrë pëlqimet e kërkuara në procedurë të rregullt qeveritare, përfshirë edhe miratimin e Sekretariatit për Legjislacion, të cilin ai e cilëson si organin më të lartë përgjegjës për kontrollin e akteve para dorëzimit në Kuvend, por edhe për verifikimin e akteve nënligjore para publikimit në “Gazetën Zyrtare”.

Në këtë kuadër, më 24 janar 2024 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë dorëzuar tre nisma ligjore: Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Notariat dhe Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Përmbarimin. Këto iniciativa janë shoqëruar edhe me formimin e komisioneve të reja për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe, si parakusht për zbatimin praktik të ndryshimeve ligjore”, thotë Lloga.

Duke komentuar qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, Lloga vlerëson se përgjigjja refuzuese nuk mbështetet në argumente juridike, por është e natyrës politike dhe ideologjike.

Ai shpreh keqardhje që, sipas tij, institucioni i Ministrisë po keqpërdoret për të shprehur mosdurim ndaj gjuhës shqipe dhe për të reflektuar qëndrime subjektive të drejtuesve aktualë.

“Non-Paper” i paralajmëruar nga Kos, Ruzhin: Është një hap i vogël, duhet pozicion i BE-së

7 February 2026 at 18:46


Non pejpëri i paralajmëruar nga eurokomesarja Marta Kos për t’u shpalosur në muajin shkurt, do të jetë një përkujtim, por, nuk e ka peshën e një dokumenti të fuqishëm për ta zhbllokuar procesin eurointegrues, vlerëson për TVM2, ish ambasadori, Nano Ruzhin.

Realisht, sipas tij, Bashkimi Evropian si subjekt ende po heshtë dhe nuk është përfshirë, apo nuk ka pozicion zgjidhës mes problemit, Shkup- Sofje. Pa ndonjë diplomaci më të fuqishme të Unionit, çdo notë tjetër është me më pak relevancë, thotë Ruzhin.
“Non pejpëri zakonisht është anonim, para së gjithash është dokument joformal dhe për këtë arsye ka rëndësi, po jo sa kanë dokumentet dhe instrumentet e caktuara diplomatike. Në rastin tonë, mendoj se bëhet fjalë për iniciativë të caktuar, që nuk e dimë çka përmban, siç tha edhe Mickoski, përmban disa kontura me të cilin e ka njoftuar përfaqësuesi i BE-së në Shkup. Ne vetëm mund të konstatojmë se është një iniciativë, megjithatë një iniciativë shumë larg nga zgjidhja e problemit mes dy shteteve”, deklaroi ish ambasadori Nano Ruzhin.

Njohësi i këtyre çështjeve rikujton se problemi që ka bllokuar integrimin nuk është me fqiun lindor por lidhet me kushtet që rrjedhin nga vendimet e organeve të larta të Bashkmit Evropian.

“Ne nuk kemi kontest të drejtpërdrejt diplomatik me Bullgarinë, por kemi obligim që e interpretoni si “kontest”, mes RMV-së dhe BE-së. Për këtë arsye do të jetë nëj epizodë e vogël në rrugën drejt zgjidhjes së problemit, që duhet të zgjidhet me guxim, transparencë dhe të rifillojë rruga e shtetit drejt BE-së”, theksoi Ruzhin.

Edhe autoritetet e vendit presin që të japin mendim pasi që non pejpëri të publikohet dhe t’i kalojë procedurat e nevojshme brenda BE-së. Kreu i qeverisë Mickoski, ditë më parë tha se duhet të jemi të kujdeshëm për çdo deklaratë, ngaqë sipas tij, më së paku varet prej nesh lehtësimi evropian, sepse gjërat ndodhen në duart e vendeve anëtare të BE-së, konstaton Mickoski.

LSM të martën do ta bllokojë Kuvendin, kërkohet rritja e pagës minimale në 600 euro

7 February 2026 at 18:00


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të martën do ta bllokojë Kuvendin, pasi sipas tyre deputetët gjatë gjithë vitit kanë heshtur për propozimin e LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera.

LSM kërkon që paga minimale menjëherë të rritet në 600 euro, ndërsa pagat e tjera të rriten së paku për 6.000 denarë.


“Deputetët janë të shurdhër ndaj kërkesave të punëtorëve për rritje pagash, ndërsa nga punëtorët kanë marrë mandat të shijojnë luksin me paga të rritura për 79%, të cilat do të rriten edhe për 21,8%. Të paktën 250 euro për deputetët, ndërsa as 25 euro për punëtorët – është e turpshme. Deputetët të parët do të përballen me zemërimin e punëtorëve, ndërsa përmes BLLLOKADËS do t’u pamundësojmë atë ditë të arkëtojnë shpenzime udhëtimi që kalojnë edhe 100 euro në ditë; le të vijnë në këmbë ose me transport publik, ashtu siç shkojnë në punë punëtorët”, thonë nga LSM.

LSM ka apeluar deri tek deputetët që urgjentisht të votojnë për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera, dhe uljen e pagave të funksionarëve.

21 makina janë konfiskuar në pesë ditët e para të hyrjes në fuqi të sistemit Safe City

7 February 2026 at 17:21


Vetëm në 5 ditët e para të hyrjes në funksion të sistemit Safe City dhe ligjeve që pësuan ndryshime, policia ka konfiskuar 21 makina, në territorin e të gjithë shtetit. Nga policia sqarojnë se konfiskimi i makinave bëhet me urdhër të prokurorit publik, ndërsa për konfiskimin vendos gjykata.

“Shërbimet policore e konfiskojnë makinën me udhëzim të prokurorit publik, ndërsa procedura e mëtejshme është në kompetenca të prokurorisë dhe Gjyqit. Makinat konfiskohen në pajtueshmëri me nenet 297, 297-a dhe 300-b nga Kodi Penal. Ju njoftojmë se në periudhën prej 1 shkurtit deri më 5 shkurt, në territorin e të gjithë shtetit, sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë konfiskuar 21 makina”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Konfiskimi i automjetit është parashikuar si pjesë e masave të reja për shkelje serioze në trafik. Konfiskimi bëhet në kombinim me dispozitat e Kodit Penal dhe sanksionet për shkeljet e rënda siç janë drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, nën ndikim të drogës, pa patentë apo për tejkalim ekstrem të shpejtësisë.

Neni 300 b i Kodit Penal“(1) Nën kushtet e përcaktuara me nenin 100-a të këtij ligji, nga kryesi i veprës do të konfiskohet mjeti me të cilin është kryer vepra nga neni 297 paragrafi (1), neni 297-a paragrafët (1) dhe (2) ose nga neni 300, i cili është në pronësi të kryesit, nëse ai në momentin e kryerjes së veprës nuk ka pasur të drejtë të drejtojë mjet motorik”.

Nëse automjeti është në pronësi të një personi të tretë, ai do të konfiskohet, vetëm nëse ai person e ka ditur ose ka qenë i detyruar ta dijë se kryerësi nuk ka pasur të drejtë të drejtojë mjet motorik. Në nenin e njëjtë të kodit penal, sqarohet edhe tejkalimi i shpejtësisë në dhe jashtë vendbanimeve që çojnë në konfiskimin e automjetit.

Neni 300 b i Kodit Penal“Nëse ka drejtuar me shpejtësi që e tejkalon shpejtësinë e lejuar për së paku 70 km/h në vendbanim ose për së paku 90 km/h jashtë vendbanimit, mjeti është në pronësi të kryesit, dhe nëse më parë ka qenë i dënuar për vepër penale kundër sigurisë së komunikacionit publik, të kryer me tejkalim të shpejtësisë së lejuar”.

Në procedurën penale, konfiskimi nuk është dënim automatik, por masë të cilën Gjykata e vendos në mënyrë të veçantë, mbi baza të rrethanave konkrete. Pra, rolin kyç e luan gjykata dhe jo prokuroria dhe policia. /Alsat.mk

BDI: Vazhdon anashkalimi i gjuhës shqipe në autostradën Shkup–Tetovë-Gostivar

7 February 2026 at 16:43


Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur sërish shqetësimin e tij për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi, partitë shqiptare janë indinjuar pasi në tabelën e autostradës Shkup–Tetovë–Gostivar gjuha shqipe është anashkaluar.

BDI ka publikuar edhe foton e tabelës, duke theksuar se kjo tregon mosrespektim të të drejtave gjuhësore nga Qeveria aktuale.

“Vazhdon anashkalimi i gjuhës shqipe në autostradën Shkup–Tetovë–Gostivar. Kësaj Qeverie i pengon shqipja kudo, aq sa nuk respekton as Kushtetutën, as ligjin”, shkruan BDI, duke i bërë thirrje institucioneve të sigurojnë zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Kujtojmë se shenjat paralajmëruese për "Safe City" vetëm në gjuhën maqedonase u vendosën edhe në qytetin e Tetovës, pas reagimit nga qytetarët, të njejtat u vendosën edhe në gjuhën shqipe.

MPB: Janë sekuestruar mbi 40 tonë marihuanë, aksioni vazhdon ende

7 February 2026 at 15:57


Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se është duke u zhvilluar një aksion i gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marijuane.

Në një subjekt juridik në Shkup janë gjetur dhe sekuestruar rreth 9 tonë marijuanë, si dhe mbi 1.300 shishe vaj të prodhuar nga kanabisi (gjysmëprodukt). Ndërkohë, nga disa subjekte juridike në rajonin lindor të vendit, janë sekuestruar mbi 31 tonë marijuanë dhe biomasë.

Në koordinim me Drejtori­në e Doganave dhe Komisionin kompetent për kontroll të kësaj veprimtarie pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer kontrolle në disa subjekte juridike, aktiviteti kryesor i të cilave është kultivimi i bimëve aromatike, mjekësore dhe atyre për përdorim farmaceutik. Paralelisht, në bashkëpunim me një prokuror publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, po ndërmerren masa për të konstatuar nëse marijuana e sekuestruar së fundmi në Republikën e Serbisë ka origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Duke qenë se një nga personat e dyshuar dhe të arrestuar në Serbi është pjesë e strukturës pronësore të subjektit juridik në Shkup, janë kryer kontrolle të detajuara mbi sasinë e gjetur në këtë subjekt, si dhe mbi të gjithë dokumentacionin e sekuestruar në ambientet e tij. Në bazë të dokumentacionit të gjetur, Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë ka përpiluar një procesverbal, ku janë konstatuar një sërë parregullsish dhe mospërputhje të mëdha lidhur me sasinë e kanabisit që subjekti posedon, prodhon, blen dhe shpërndan.

Për shkak të parregullsive të konstatuara dhe pas njoftimit nga prokurori publik kompetent, nga ambientet e këtij subjekti juridik është sekuestruar e gjithë sasia e marijuanës së gjetur. Gjithashtu, janë kryer kontrolle edhe në disa subjekte juridike në rajonin lindor, ku janë evidentuar parregullsi dhe mospërputhje të ngjashme, pas çka është sekuestruar sasia e gjetur.

Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ku është formuar një ekip i posaçëm për këtë dhe raste të ngjashme, do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim me ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.

MPB njofton se pas përfundimit të aksionit dhe pas sqarimit të plotë të rasteve, publiku do të informohet në mënyrë të detajuar.

Privohen nga liria tre persona në Shkup, dyshohen për armë dhe veprimtari radikale fetare

7 February 2026 at 15:30


Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar mbi bazën e një kallëzimi penal të dorëzuar nga Sektori për Luftë kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, ka urdhëruar zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tre personave nga Shkupi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), të gjithë nga Shkupi.

Prokuroria njofton se ekziston dyshim i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “bashkim kriminal” dhe “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose mjete shpërthyese”.

Në kuadër të procedurës paraprake hetimore është konstatuar dyshimi se personat në fjalë janë organizuar me qëllim hakmarrjeje ndaj vëllezërve të tyre, të cilët gjatë vitit të kaluar janë akuzuar dhe dënuar për veprën penale “organizatë terroriste”.

Sipas provave të deritanishme, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si grup me orientim të përbashkët ideologjik, të bazuar në narrativa radikale fetare.

Ekzistojnë dyshime se janë ndërmarrë aktivitete për mbledhje fondesh nga brenda dhe jashtë vendit, të cilat janë përdorur për propagandë dhe veprimtari të lidhura me Shtetin Islamik, si dhe për blerje armësh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe nën udhëheqjen e prokurorit publik kompetent, dje janë kryer kontrolle në shtëpi dhe objekte të tjera në disa lokacione në Shkup.

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar:

një pushkë automatike me dy karikatorë dhe 44 fishekë,
dy pistoleta me tre karikatorë dhe 14 fishekë,
një pushkë gjuetie,
një pushkë ajrore,
një bombë dore tymuese,
municion i llojeve dhe kalibrave të ndryshëm,
si dhe materiale të tjera provuese.

Me propozim të prokurorit publik, gjykatësi i procedurës paraprake u ka caktuar të dyshuarve masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave ligjore të parashikuara në Ligjin për Procedurë Penale.

ASH-Taravari: Përkrahim studentët për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

7 February 2026 at 14:40


Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për të refuzuar kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.

Sipas Aleancës, arsyetimi i Ministrisë se provimi nuk mund të zhvillohet në shqip pasi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është “banal dhe juridikisht i paqëndrueshëm”, duke rënë ndesh me parimet kushtetuese dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Aleanca për Shqiptarët shpreh mbështetje të plotë për iniciativën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili përmes mesazhit “FOLI SHQIP o taj!” artikuloi, sipas tyre, një të drejtë themelore që po mohohet padrejtësisht.

Po ashtu, përkrahet iniciativa e Avokatit të Popullit, i cili ka hapur procedurë për shqyrtimin e rastit dhe ka paralajmëruar analizë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe veprimeve konkrete të Ministrisë së Drejtësisë.

Në reagim kritikohet edhe Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, për përpjekjen e tij për të relativizuar refuzimin duke e quajtur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës “me defekte”. Aleanca thekson se koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë për të zgjidhur probleme dhe jo për t’u ankuar për ligje që i zbaton prej vitesh.

Aleanca shtron edhe pyetje për rolin e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke kërkuar sqarim pse peticioni i studentëve shqiptarë u delegua te Ministria e Drejtësisë dhe nuk u trajtua në Kuvend.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, Ministri i Drejtësisë me këtë vendim vendos veten mbi Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e shtetit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe barazinë e qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët thekson se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të studentëve shqiptarë dhe përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe, si e drejtë kushtetuese dhe jo si privilegj që varet nga vullneti politik.

Privohen nga liria tre persona nga Gostivari, policia u gjeti marihuanë

7 February 2026 at 14:05


Sektori për Punë të Brendshme - Gostivar ka privuar nga liria tre persona apsi gjatë kontrollit, në automjetin e tyre u gjet marihuanë.

Përveç kësaj, siç njofon policia edhe automjeti me të cilin po udhëtonte ishte i paregjistruar ndërsa shoferi 24-vjeçar që e drejtonte makinën ishte pa patentë shoferi.

“Më 06.02.2026 rreth orës 22:00 në Gostivar, zyrtarë policorë nga SPB Gostivar i privuan nga liria H.L. (23), B.Z. (27) dhe A.Z. (24), të gjithë nga Gostivari. Gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Gostivarit, te H.L. u gjet një kuti me marihuanë. Gjithashtu, u konstatua se shoferi A.Z. e drejtonte automjetin pa leje drejtimi, ndërsa automjeti kishte regjistrim të skaduar. Automjeti është konfiskuar, ndërsa personat janë mbajtur në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të përgatiten parashtresa përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Privohet nga liria 35 vjeçari nga Shkupi, përvetësoi rreth tre milionë denarë nga kompania ku punonte si menaxher

7 February 2026 at 13:20


Një 35-vjeçar nga Shkupi është privuar nga liria pasi dyshohet se, në periudhën dhjetor 2025 – shkurt 2026, ka përvetësuar në mënyrë të paautorizuar 2.783.867 denarë nga arka e një pike shitjeje në Bit Pazar, ku ishte i punësuar si menaxher.

Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihen kallëzime penale për përvetësim dhe vjedhje.

“Më 06.02.2026, rreth orës 17:20 në Shkup, zyrtarë policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria A.V. (35) nga Shkupi, duke vepruar sipas një kallëzimi të mëparshëm të datës 04.02.2026, se në periudhën nga 18.12.2025 deri më 04.02.2026, në një pikë shitjeje në zonën e Bit Pazarit, ku ishte i punësuar si menaxher, në disa raste ka përvetësuar në mënyrë të paautorizuar para nga arka, me ç’rast i ka shkaktuar subjektit juridik dëm në vlerë prej 2.783.867 denarësh. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojnë kallëzime përkatëse sipas nenit 239 “Përvetësim” dhe nenit 235 “Vjedhje” nga Kodi Penal”, thuhet në njoftim.

Ulet numri i personave të prekur nga gripi në Maqedoninë e Veriut

7 February 2026 at 12:42


Edhe pse të dhënat epidemiologjike tregojnë për një rënie të numrit të rasteve të reja, gripi sezonal vazhdon të ketë pasoja serioze për kategoritë më të prekshme. Instituti i Shëndetit Publik raporton se është regjistruar një tjetër viktimë, duke e çuar numrin e vdekjeve që nga fillimi i sezonit në katër.

Vdekja e fundit është një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i cili ishte shtruar në Departamentin e Sëmundjeve Infektive të Spitalit Klinik në qytet për shkak të një pasqyre të rëndë klinike.

Laboratori i pacientit konfirmoi Influencën A, dhe gjendja e tij u përkeqësua më tej për shkak të sëmundjeve kronike ekzistuese. Sipas mjekëve, pacienti nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal, gjë që paraqiste një rrezik shtesë.

Instituti i Shëndetit Publik deklaron se, pavarësisht vdekjeve, shifrat e fundit tregojnë një trend inkurajues.

Në javën e fundit të janarit u regjistruan 1,498 raste, që është një rënie prej 12.3 përqind krahasuar me javën e kaluar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i rasteve tejkaloi 3,000, vala e këtij viti ka një intensitet dukshëm më të ulët.

Numri më i lartë i rasteve u regjistrua përsëri në Shkup - 473. Një numër i lartë rastesh u regjistrua gjithashtu në Prilep me 146 raste dhe në Strumicë me 139. Në të kundërt, nuk u regjistruan raste të gripit në Berovë, Delçevë dhe Kriva Pallankë.

Sipas strukturës së moshës, shumica e të infektuarve janë persona të moshës 15 deri në 64 vjeç, por incidenca më e lartë u vu re tek fëmijët deri në 4 vjeç. Ekspertët theksojnë se kjo është e pritshme për këtë periudhë të vitit, kur viruset përhapen lehtësisht në grupe të tilla si kopshtet.

OBRM-PDUKM: "Safe City" garanton rend në komunikacion, ata që nuk e votuan po bëjnë pazare me sigurinë e qytetarëve

7 February 2026 at 12:00


LSDM dhe Venko Filipce po përdorin standarde të dyfishta, asgjë nuk ndryshon, gjithçka mbetet e njëjtë, reagon OBRM-PDUKM.

"Kjo është konfirmuar këtë herë me projektin 'Qyteti i Sigurt'. Së pari, në Kuvend votojnë kundër ligjeve që mundësojnë zbatimin e tij dhe me të cilin projekt mundësojnë dhe garantojnë sigurinë në trafik, dhe nga ana tjetër thonë se ata që ngasin pa patentë shoferi duhet të ndëshkohen. Në periudhën e kaluar, publiku dëshmoi se si aktivistët e LSDM-së që punonin për Oliver Spasovskin, u tërbuan në qytete për të vazhduar të ngasin pa patentë shoferi, dhe kërcënuan publikisht se do të rrahin dhe vrasin oficerë policie.
Kjo mënyrë e dhunshme proteste nuk është një akt demokratik i shprehjes së pakënaqësisë dhe për ne, si OBRM-PDUKM, është e papranueshme dhe e dënojmë fuqimisht. Nga ana tjetër, LSDM dhe Venko Filipce votuan kundër këtij projekti në Parlament, i cili garanton sigurinë e përdoruesve të rrugës, zbulon shkelësit e ligjeve dhe rregulloreve, dhe zbulon të gjithë ata që ngasin pa patentë shoferi dhe me automjete të paregjistruara", thonë nga OBRM-PDUKM.

"Njeriu që kundërshtoi më me zë të lartë "Qytetin e Sigurt" është koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, i cili, ndërsa ishte Ministër i Brendshëm, nuk bëri asgjë për të rritur sigurinë e qytetarëve në trafik. Prandaj, tani, kur sistemi që sjell rend dhe siguri në trafik dhe barazi para ligjit më në fund po futet, LSDM dhe Filipce votojnë kundër tij, ndërsa nga ana tjetër pretendojnë hipokrizisht se janë kundër drejtimit të automjeteve të paregjistruara dhe pa patentë shoferi. Këtu shohim kontradiktën, hipokrizinë dhe standardet e dyfishta të LSDM-së dhe Filipces", deklaruan nga OBRM-PDUKM.

Sipas partisë në pushtet, kushdo që dëshiron që rendi, siguria dhe ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, e mbështet pa rezerva këtë projekt, gjithçka tjetër është një llogaritje politike në kurriz të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

DPHM: Më ftohtë në Kodrën e Diellit, më shumë shi në Krushevë

7 February 2026 at 11:11


Këtë mëngjes, temperatura më e ftohtë u regjistrua në Kodrën e Diellit, ku u regjistruan zero gradë Celsius, ndërsa reshjet më të larta të shiut në 24 orët e fundit u regjistruan në Krushevë — 27 litra për metër katror.

Sipas Administratës Hidrometeorologjike, reshje të konsiderueshme u regjistruan edhe në Kodrën e Diellit me 24 litra për metër katror, si dhe në Ohër dhe Llazaropole me nga 23 litra secila.

Në Tetovë dhe Mavrovë u regjistruan 22 litra, në Pozharane 18, në Topolçani 14, në Prilep 13, dhe në Manastir dhe Pretor nga 12 litra për metër katror secila.

Në Shkup-Zajçev Rid u matën 10 litra reshje, në Kriva Pallankë 8, në Shkup-Petrovec dhe Vinicë nga 6, në Kumanovë dhe Gjurishtë nga 4, në Veles dhe Kavadar nga 3, dhe në Shtip, Strumicë, Gjevgjeli dhe Berovë nga 2 litra për metër katror.

Më pak reshje u regjistruan në Demir Kapi dhe Pozhar-Radovish — 1 litër për njësi sipërfaqeje.

Mbulesa e borës në Kodrën e Diellit është 55 centimetra.

LSDM: Askush nga OBRM-PDUKM ose ZNAM-i nuk jeton me pagën e tij, por me tenderë në kurriz të qytetarëve

7 February 2026 at 10:30


"Anti-logjikë - ZNAM sulmon LSDM-në sepse Maksim Dimitrievski pranoi se nuk jeton me pagën e tij. Epo, LSDM sapo shpalli të vërtetën, nuk mund t'i fajësojmë për pranimin e Maksimit.Askush në koalicionin e tenderëve OBRM-ZNAM nuk jeton me pagën e tij, por në kurriz të qytetarëve.Të gjithë e dinë tashmë këtë", thonë nga LSDM.

Sipas partisë opozitare, me këtë politikë, siç thonë ata, për ta bërë gjithçka një biznes privat të koalicionit të tenderëve, mungojnë dy miliardë euro.

"Lidhur me kohën e krizës së Covid-it, shteti hyri në borxhe për të ndihmuar qytetarët, sepse LSDM, si atëherë ashtu edhe tani, kujdeset për qytetarët. Ndryshe nga koalicioni i tenderëve OBRM-PDUKM-ZNAM, të cilët po luksojnë në shpinën e popullit dhe po kthejnë tenderët. I tillë është shembulli i tenderit prej 1.2 milion eurosh për Postën, për një kompani të afërt me ZNAM-in. Ndërsa punonjësve të Postës u janë vonuar pagat me muaj të tërë. Punëtorët janë të uritur, ndërsa jetojnë në luks. Kështu është hartuar buxheti, vetëm për nevojat e tyre", thonë nga LSDM.

Mjegull në disa akse rrugore, LAMM apelon shoferët për kujdes

7 February 2026 at 09:50


Trafiku në rrugët shtetërore në të gjithë vendin po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë me lagështi.

Dukshmëria është e zvogëluar për shkak të mjegullës deri në 60 metra në pikën kufitare Gjevgjeli - Bogorodicë, deri në 100 metra në pikën kufitare Strazha dhe deri në 100 metra pranë Mavrovës.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është i moderuar, dhe nuk ka vonesa më të gjata në pikat kufitare në anën maqedonase për hyrje dhe dalje nga vendi.

Që nga 15 nëntori 2025, është në fuqi detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Detyrimi do të zgjasë deri më 15 mars 2026.

LAMM u bën apel shoferëve të rregullojnë shpejtësinë e tyre, të respektojnë sinjalet e vendosura të trafikut dhe të ngasin me kujdes, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Apeli vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Delçevë.

Për shkak të kushteve sezonale të trafikut, rruga Ohër - Resnjë që kalon nëpër Parkun Kombëtar Galiçicë mbetet e mbyllur për trafik për të gjitha llojet e automjeteve në periudhën nga 21 nëntori 2025 deri më 31 mars 2026.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

7 February 2026 at 09:10


Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe relativisht i ngrohtë. Në mëngjes do të ketë shi të lehtë lokal, dhe mjegull do të shfaqet në disa lugina.

Pritet shi në pjesët perëndimore drejt fundit të ditës dhe gjatë natës, ndërsa në malet më të larta në pjesët veriperëndimore reshjet do të jenë borë.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga perëndimi, e cila herë pas here do të forcohet në pjesët perëndimore.

Temperatura minimale do të lëvizë nga 2 deri në 5 gradë, dhe temperatura maksimale ditore do të arrijë nga 11 deri në 18 gradë.

Në Shkup do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell, dhe në mëngjes do të ketë mjegull në pjesë të luginës. Do të fryjë erë e lehtë e ndryshueshme. Temperatura minimale do të bjerë në 3 gradë, dhe maksimale do të arrijë 15 gradë.

Një periudhë moti e ndryshueshme do të pasojë në ditët në vijim.

Të dielën në mëngjes do të ketë shi lokal, dhe në malet në pjesët veriperëndimore borë. Të hënën priten reshje shiu, më intensive në pjesët juglindore, ndërsa borë do të bjerë në male. Për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë, reshjet e shiut në vendet më të larta do të shndërrohen në borë.

Pas kësaj do të vijnë dy ditë me mot kryesisht të qëndrueshëm, dhe nga e enjtja priten përsëri reshje të reja.

Before yesterdayMain stream

Qeveria teknike, s’ka koordinim mes grupeve parlamentare për ndryshimet ligjore

6 February 2026 at 20:47


Grupet parlamentare akoma nuk kanë një koordinim rreth draft ligjit për ndryshimin e ligjit për qeveri me të cilin rregullohet funksionimi i qeverisë teknike në zgjedhjet e ardhshme, pas riorganizimit të disa ministrive.

Sipas partisë në pushtet, për shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme nevojitet marrëveshje më e gjerë.

“Nuk kemi më Ministri për Punë dhe Politikë Sociale që të mund të zgjidhet ministër për Punë dhe Politikë Sociale. Nuk kemi më ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, këto dyja janë ndarë kështu që nuk mund të zgjidhet ministër. Këto ndryshimet janë të patjetërsueshme për të pasur qeveri teknike në zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi ynë të cilin duam ta harmonizojmë me të gjitha partitë politike është që pas zgjedhjeve të ardhshme, ta shfuqizojmë qeverinë teknike sepse e ka tejkalu edhe afatin edhe mandatin e ekzistencës”, deklaroi Brane Petrushevski, OBRM-PDUKM.

LSDM-ja mbetet kategorikisht kundër kurse VLEN-i është në të njëjtin qëndrim me partnerin e koalicionit, OBRM-PDUKM.

Për Frontin Evropian, disa nga ndryshimet e propozuara, posaçërisht neni që ka të bëjë me afatin e zbatimit të ndryshimeve, janë të paqarta. Megjithatë, ata thonë se shfuqizimi nuk mund të bëhet pa ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Në qoftë se Marrëveshja e Përzhinës është arritur që të finalizohet dhe të nënshkruhet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë, e njëjta duhet edhe të shfuqizohet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë. Në qoftë se do të jetë kështu siç qeveria aktuale e kërkon shfuqizimin e qeverisë teknike, ato e bëjmë me të vetmin qëllim që ta keqpërdorin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose cilatdo qofshin ato, ta keqpërdorin pushtetin dhe pozitën e tyre”, tha Rina Ajdari, Koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Evropian.

Draft ndryshimet parashikojnë që ligji të hyjë në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në Gazetën Zyrtare kurse dispozitat e tij do të zbatohen deri në ditën e publikimit të rezultateve përfundimtare dhe ndarjes së mandateve sipas njësive zgjedhore nga ana e KSHZ-së, për zgjedhjet e para me radhë për deputetë të mbajtura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. /Alsat.mk

DPHM: Dhjetori i vitit 2025, ishte i ngrohtë mbi mesataren dhe me reshje shiu nën mesataren

6 February 2026 at 20:26


Dhjetori i vitit të kaluar ka qenë mbi mesataren i ngrohtë dhe nën mesataren me shi, sipas matjeve dhe vëzhgimeve të temperaturave mesatare ditore dhe reshjeve në stacionet meteorologjike në Maqedoni.

Krahasuar me temperaturat mesatare mujore të dhjetorit për periudhën tridhjetëvjeçare 1991 – 2020, në vitin 2025 temperatura e dhjetorit ka qenë 1,3 gradë më e lartë se mesatarja në nivel shtetëror, ndërsa sasia mujore e reshjeve ishte 50 për qind e mesatares krahasuar me vlerën mesatare të dhjetorit në periudhën 1991 – 2020, e cila ka qenë 65 mm.

“Dhjetori karakterizohet si një muaj normal i ngrohtë (me përjashtim të Mavrovës ku është shumë ngrohtë për këtë pjesë të vitit) dhe një muaj mesatarisht me shira në juglindje, i thatë në pjesën perëndimore dhe qendrore dhe shumë i thatë në Kriva Pallankë dhe Ohër, krahasuar me mesataren e vitit 1991/20. Temperatura mesatare mujore varionte nga 1.8°C në Mavrovë deri në 6.9°C në Gjevgjeli. Temperatura maksimale më e lartë u mat më 11 dhjetor në Gjevgjeli dhe ishte 16,7 gradë. Temperatura minimale më e ulët gjatë muajit u mat në Mavrovë, më 31 dhe ishte -11.,5 gradë. Në dhjetor 2025, sasia mujore e reshjeve në vend varionte nga 10 mm në Ohër deri në 101 mm në Gjevgjeli. Reshjet ishin nga shiu dhe bora. Sasia maksimale ditore e reshjeve prej 36 mm u mat në Gjevgjeli më 25 të muajit. Reshjet maksimale ditore të borës prej 16 cm u mat më datën 8 në Mavrovë”, informoi DPHM.

❌
❌