Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 February 2026Main stream

I dehur në makinë, arrestohet kryeinspektori i shërbimit zjarrfikës në Elbasan

By: e xh
7 February 2026 at 21:54

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi, Kyreinspektor A. B., me detyrë pranë MZSH-së Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 15:47, gjatë drejtimit të mjetit të tij (jashtë shërbimit), është konstatuar nga shërbimet e qarkullimit rrugor të DVP Elbasan në aksin Cërrik – Elbasan, ku pas verifikimit me testin matës të alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 0.87 mg/l.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan.

Berisha: Portet tona janë lënë nga kjo qeveri, porte të lira droge

By: e xh
7 February 2026 at 20:34

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në Kamëz, deklaroi se “një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin” e shqiptarëve.

“Po marrim vetëm zgjedhjet e fundit. Në Shqipëri, njëlloj si në Tunizi, Edi Rama arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në proces penal atë të tretën. Në vitin elektoral shkelmoi çdo nen të kodit zgjedhor, por dhe çdo parim ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta. Në vitin elektoral shndërroi shërbëtorët e qytetarëve që duhet të jenë punonjës të administratës, në armiq të egër të votës së tyre, në polici politike sekrete. Cilitdo i kujtohen grupet e patronazhistëve. Për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë, ato kishin një bashkëpunëtor sigurimi, kishin disa veteranë, pensionistë nga fronti demokratik dhe si hije të zeza kalonin apartament pas apartament dhe gjenin të dyshuarin dhe dilnin, i bënin gjyq në oborr të pallatit se ky nuk do na votojë. Ky votën e ka për armikun. Por sot, sot një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin tuaj. Në kundërshtim me çdo parim, u dhanë 100 euro për pensionistët në kulmin e fushatës elektorale. Në kundërshtim me çdo parim, me paratë tuaja u organizuan 4530 aktivitete në fushatë elektorale para saj. Vetëm, vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve. Në kundërshtim me çdo parim, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u falën 2 miliardë euro gjoba dhe kamata. Në kundërshtim me çdo parim, dy javë para zgjedhjeve u dekretuan 28,000, 29,000 hektarë kanabis nga 200 që parashikonte ligji. Pse u ndala në këtë? U ndala në këtë se jeni njerëz politikë. Vetëm për të vërtetuar faktin se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Me Edi Ramën ka farsë”,-tha Berisha.

“Por, dhe e vërteta është se ai zhvilloi farsë në 23-shin. E vërteta është se ai zhvilloi farsë në 2021-shin. E vërteta është se zhvilloi farsë në 2017-ën, 2019-ën. Ky është armik i votës. Ky s’pajtohet kurrë me vullnetin tuaj dhe votën tuaj. Sot ne kemi përballë një regjim qeverisës me klanet më të fuqishme të drogës në Europë dhe ndër më të fuqishmet e botës. Klane që lëvizin miliarda, miliarda. Franc Çopja, 6 miliardë. A mund t’i imagjinoni ju? Një njeri që ja mësuam emrin para pesë muajsh, ai kishte 6 miliardë euro nga kanabis. I lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Karteli tjetër kontrollon plazhet e, më falni, portin e Durrësit. Ai tjetri që, ai xhongleri që del, Luca, i ndjekur në katër anët, ai administronte portin dhe mori në koncesion portin e peshkatarëve. I ndjekur gjatë periudhës sonë në të 4-anët nga italianët dhe të gjithë për trafik droge. Këtu erdhi në Vlorë, këtu erdhi në Shëngjin. Portet tona, porte të lira droge. Jeni në dijeni të aferave të tmerrshme korruptive”, shtoi Berisha.

 

Ndalimi i rrjeteve sociale, Macron: Truri i fëmijëve nuk është në shitje

By: e xh
7 February 2026 at 18:16

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ngritur alarmin për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët, duke e cilësuar përdorimin e tyre para moshës 15 vjeç si një rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë e të miturve. Në një deklaratë në rrjetet sociale dhe në një video të publikuar nga BFM-TV, Macron paralajmëroi se Franca po shkon drejt ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën këtë moshë.

Sipas Macron, koha mesatare që një adoleshent kalon para ekranit arrin në 4 orë e 20 minuta në ditë, një shifër që ai e cilësoi si “të çmendur”, duke theksuar se në shumicën e rasteve përmbajtja nuk mbikëqyret nga prindërit. Ai paralajmëroi se, në momentin që fëmijëve u lejohet përdorimi i rrjeteve sociale, nuk ka asnjë garanci që ata nuk do të ekspozohen ndaj skenave jashtëzakonisht të dhunshme ose përmbajtjes së dëmshme.

“Ne nuk mund t’ua delegojmë vetëm prindërve këtë përgjegjësi- dhe shpesh edhe presionin për të vendosur nëse në moshën 12-vjeçare, është ide e mirë apo e keqe t’ia dorëzosh praktikisht trurin platformave,” deklaroi Macron.

Presidenti francez e cilësoi kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç si një masë thelbësore për mbrojtjen e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për edukim, por për shëndetin mendor dhe emocional të brezave të rinj.

Në këtë kuadër, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë së tij të përdorë një procedurë të përshpejtuar legjislative, me synimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai.

Nisma e Macron vjen në një kohë kur edhe vende të tjera po shtrëngojnë masat për mbrojtjen e të miturve në internet. Vetëm disa ditë më parë, qeveria britanike njoftoi se po shqyrton kufizime të ngjashme, në kuadër të rregullave më të rrepta për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme online dhe nga koha e tepërt para ekranit.

Në fund të janarit deputetët e Asamblesë Kombëtare të Francës miratuan një projektligj që do të ndalonte fëmijët nën 15 vjeç të përdornin rrjetet sociale. Për ndalimin votuan 116 deputetë dhe 23 votuan kundër. Projektligji propozon që fëmijëve nën 15 vjeç tu ndalohet qasja në mediat sociale dhe në “karakteristikat e mediave sociale” të integruara në platforma më të gjera. Megjithatë, ai përjashton enciklopeditë online dhe platformat arsimore. Platformat e prekura do të duhet të zbatojnë mekanizma efektivë të verifikimit të moshës për të bllokuar aksesin për adoleshentët.

Autoritetet duan që masat të hyjnë në fuqi në fillim të vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja. Franca do të ishte vendi i dytë që do të vendoste një ndalim të tillë, pasi Australia kohët e fundit ndaloi mediat sociale për ata nën 16 vjeç.

Dosja “Epstein” dalin emrat e disa prej personazheve më të famshëm të Hollywood

By: e xh
7 February 2026 at 16:28

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar miliona faqe të reja lidhur me dosjen ‘Epstein’, ku së fundmi ka rezultuar se të përfshirë kanë qenë edhe personazhe të njohur të Hollywood.

Ata shfaqen në fotografi ose në email-e të shkëmbyera me Jeffrey Epstein. Ndër personazhet e përmendur është edhe producenti i njohur Jay Z.

Ai përmendet në dëshminë e një viktime anonime, e cila tha se, pasi ishte droguar dhe më pas abuzuar seksualisht, kur rifitoi vetëdijen, kishte parë Jay Z dhe producentin e filmave Harvey Weinstein në dhomë me të. Ky zbulim ka goditur imazhin publik të çiftit Jay Z – Beyonce, të cilët nuk u shfaqën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, vetëm pak orë pasi dosjet e Epstein u bënë publike. Ndjekësit e tyre në rrjetet sociale u ulën me miliona brenda 24 orëve.

Leonardo DiCaprio përmendet të paktën tre herë në email-et e publikuara të Epstein. Në qershor 2009, Epstein i shkroi politikanit britanik Lord Peter Mandelson për të kërkuar mbështetje nga DiCaprio për projektet e tij.

Informacionet nga rrethi i ngushtë i aktorit tregojnë se DiCaprio nuk e kishte takuar Epsteinin dhe nuk kishte dijeni për krimet e tij.

Në dosjet e Epsteinit përmendet edhe George Clooney. Në janar 2010, ndërsa Epstein dyshohet të ishte në Kopenhagen, ai shkruante: “Tani e di që Kopenhageni ka vajza interesante…” dhe Mandelson i përgjigjej: “A mund të kem një muzë njësoj si George Clooney?”

Mick Jagger është një tjetër personazh i përfshirë, i cili shihet në një foto midis Epsteinit dhe ish-presidentit Bill Clinton.

Edhe për Michael Jackson, ka prova dhe foto që e përfshijnë me Epstein. Kevin Spacey, i akuzuar në 2017 për ngacmim seksual dhe i cili humbi karrierën për shkak të këtyre rasteve.

Irani paralajmëron SHBA: Nëse sulmohemi, do të godasim bazat amerikane në rajon

By: e xh
7 February 2026 at 16:25

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Irani do të përgjigjet ushtarakisht nëse Shtetet e Bashkuara e sulmojnë, duke theksuar se objektivat do të jenë vetëm bazat amerikane në rajon dhe jo vendet pritëse.

Në një intervistë për Al Jazeera Arabic, Araghchi bëri të ditur se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për një raund të dytë bisedimesh, i cili pritet të zhvillohet së shpejti, edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar.

Ai pranoi se rreziku i një konflikti ushtarak ekziston, por nënvizoi se Irani është i përgatitur si për një zgjidhje paqësore, ashtu edhe për luftë. Sipas tij, Teherani ka garantuar vendet e rajonit se nuk do t’i sulmojë ato, por vetëm praninë ushtarake amerikane në territorin e tyre, në rast përshkallëzimi.

Sa i përket diplomacisë, Araghchi theksoi se Irani është i gatshëm të diskutojë vetëm çështjen bërthamore dhe refuzon zgjerimin e dialogut me SHBA-në në tema të tjera, duke kërkuar ndaljen e kërcënimeve dhe presionit.

Obama si majmun, Trump nuk kërkon falje: Nuk e pashë videon deri në fund

By: e xh
7 February 2026 at 16:22

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagon pas kritikave të forta për një video që u publikua në rrjetet sociale nga llogaria e tij të enjten në mbrëmje.

Pjesa e parë e videos përmbante pretendime për mashtrim me makineritë e votimit, ndërsa në fund shfaqej një paraqitje raciste e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-zonjës së parë Michelle Obama, të montuar mbi trupat e majmunëve.

Duke folur me gazetarët, Trump tha se nuk e kishte parë pjesën përfundimtare të videos dhe se kishte parë vetëm fillimin e saj.

“Nuk kam bërë një gabim”, theksoi ai. Shtëpia e Bardhë deklaroi se videoja ishte publikuar gabimisht nga një anëtar i stafit dhe qëndroi online për rreth 12 orë para se të hiqej. Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra dhe dënime si nga demokratët, ashtu edhe nga shumë republikanë.

Tentoi të grabiste postën nën kërcënimin e thikës, pranga 24-vjeçarit në Shkodër

By: e xh
7 February 2026 at 09:35

Tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar, Policia identifikon brenda pak orësh dhe vë në pranga autorin e dyshuar.

Sekuestrohen 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:
M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.

Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.

Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

SHBA: Trump preferon diplomacinë me Iranin, por nuk përjashton opsionet ushtarake

By: e xh
7 February 2026 at 09:12

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar të enjten se diplomacia është zgjedhja e parë e presidentit amerikan Donald Trump për përballjen me Iranin. Megjithatë, Trumpi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë edhe opsionin ushtarak, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bisedimet pritet të zhvillohen pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me agjendën, gjë që ka rritur dyshimet për arritjen e një marrëveshjeje. Trump ka kërcënuar më herët se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan që bisedimet të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit dhe çështje të tjera, ndërsa Teherani këmbëngul që fokusi të jetë vetëm te programi bërthamor. Ende nuk është e qartë nëse kjo mosmarrëveshje është zgjidhur.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i presidentit, qoftë ndaj aleatëve apo kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur për negociatat e ardhshme.

Ajo përsëriti qëndrimin e Trumpit se “zero kapacitete bërthamore” për Iranin është një kërkesë e panegociueshme.

“Presidenti dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, tha Leavitt. “Por ndërkohë, i kujtojmë regjimit iranian se presidenti ka edhe shumë opsione të tjera, përveç diplomacisë, si komandant i forcës ushtarake më të fuqishme në historinë e botës”.

Parashikimi i motit, 7 shkurt 2026

By: e xh
7 February 2026 at 09:08

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura,  kryesisht në pjesën e parë të ditës, ndërsa nuk do të mungojnë intervale me kthjellime.

Reshjet parashikohen të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash afatshkurtra në pjesën më të madhe të vendit nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit.

Gjatë ditës reshjet e shiut pritet të vijojnë me intensitet të ulët, të herëpashershme në të gjithë vendit por me ndërprerje.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje- juglindje të vendit reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim  me shpejtësi mesatare 4m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: e xh
7 February 2026 at 09:07

Dashi

Në dashuri do të keni mundësi që të zgjidhni problemet në çift, në sajë të kalimit tranzit të Venusit. Në punë do të keni dëshirë për ndryshim. Këshillohet që të mos krijoni polemika të kota.

Demi

Do të nisë gradualisht një fazë rikuperimi. Në dashuri gjërat ecin mirë, por sërish ju do të jeni nervoz. Në punë dhe me çështjet financiare, do të keni shumë gjëra për të menduar dhe sistemuar. Kjo për shkak se fitimet nuk janë ashtu siç i kishit menduar.

Binjakët

Dashuria do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë momente krize me njeriun e zemrës, të cilat duhen kaluar. Është momenti për të menduar për të ardhmen si dhe për të vlerësuar ofertat e punës.

Gaforrja

Ky është një moment rikuperimi sa i takon punës, ku gjërat do të nisin që të ecin më mirë. Dashuria do të jetë e mbushur me pasiguri, pasi mund të keni pengje nga e kaluara.

Luani

Duhet të mundoheni që të shmangni problemet dhe debatet, ndonëse do e keni mjaft të vështirë. Në dashuri, takimet janë mjaft të favorizuara. Në punë, duhet të rrini të përqendruar dhe të vëmendshëm.

Virgjëresha

Mundohuni që të jeni sa më pozitiv, pasi nervozizmi dhe stresi do të jenë në nivele shumë të larta. Në dashuri nëse ka pasur probleme, është momenti për ti zgjidhur. Hëna në shenjën tuaj, do ju ndihmojë që të bëni projekte me rëndësi.

Peshorja

Dita do të jetë mjaft pozitive për të lindurit e kësaj shenje. Në dashuri problemet mund të zgjidhen, madje janë mjaft të favorizuara ndryshimet pozitive. Në punë, do të keni mundësi që të merrni një rol të rëndësishëm.

Akrepi

Duhet të përqendroheni dhe të shmangni debatet. Në dashuri shqetësimet kryesore do të vijnë nga situata ekonomike që po jetoni, shkruan noa.al. Puna do të përmirësohet gradualisht, por momentalisht bëni durim.

Shigjetari

E shtuna do të jetë nën ritmin e duhur, pasi Hëna dhe Venusi do të kenë ndikim të kundërt. Në dashuri, mund të ketë probleme, debate, por edhe dyshime. Në punë, gjërat nuk do të ecin siç dëshironi.

Bricjapi

Ky është momenti për të zgjidhur disa probleme dhe për të jetuar më mirë dashurinë. Mund të lindë një histori dashurie me dikë që nuk e prisni. Po ashtu mund të ndjeni bezdi nga njerëzit që iu rrethojnë.

Ujori

Duhet të mundoheni që të relaksoheni. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe nëse keni përjetuar një ndarje, kjo periudhë premton takime interesante. Gjithashtu mund të përballeni me probleme në punë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kujdes duhet treguar me paratë.

Peshqit

Ju pret një ditë e mbushur me tension, ndaj bëni mirë që të mos krijoni polemika të kota. Në dashuri, situata do të jetë e komplikuar. Historitë e lindura prej pak kohësh, mund të mos rezultojnë të frytshme. Në punë, duhet të tregoni kujdes maksimal.

“Kushtetuesja” nuk mori dot vendim për Ballukun, ja si votuan 8 gjyqtarët

By: e xh
6 February 2026 at 23:18

Pas një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.

Votat janë ndarë katër pro dhe katër kundër, duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi 5 me 3, dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Kundër ankimimit të Ramës votuan:

Asim Vokshi

Marsida Xhaferllari

Ilir Toska

Sander Beci

Ndërsa pro ankimimit të Ramës votuan:

Fjona Papajorgji

Marjana Semini

Gent Ibrahimi

Sonila Bejtja

Vendimi/ Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

By: e xh
6 February 2026 at 23:12

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Njoftim i Gjykatës Kushtetuese

NJOFTIM VENDIMMARRIEJE/ Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegji personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojtë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushteti ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetëve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imunitetëve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyq edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetave, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Before yesterdayMain stream

Gjykata Kushtetuese nuk vendos për rastin “Balluku”, rrëzohet ankimimi i Ramës

By: e xh
6 February 2026 at 21:49

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Çështja “Balluku” në “Kushtetuese”, Berisha: Vendimi do të jetë me 5 vota pro

By: e xh
6 February 2026 at 20:06

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot nga Foltorja me demokratët e degëve 8 dhe 10, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun po diktohet politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Rama ka urdhëruar që vendimi sonte të merret me 5 vota pro, me qëllim mbrojtjen e Ballukut dhe, sipas Berishës, mbrojtjen e “karriges së pushtetit” të vetë kryeministrit.

BerishaNë një kohë, në të cilën sot, në këtë moment që jemi të mbledhur, organizata kriminale e Edi Ramës ka urdhëruar gjykatësit të votojnë në mbrojtje të Lubi Ballukut.

Sot, në momentin që mblidhemi këtu, organizata kriminale voton kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar.
Voton që një grup hajdutësh, të cilin nuk e ka pasur kurrë në histori Shqipëria, i cili ka vjedhur miliarda e miliarda, të vazhdojë të vjedhë miliarda të tjerë.

Voton, të dashur miq, në një moment kur realisht ky vendim mund të këpusë çdo urë lidhje. Mund të bëjë zero të gjithë përpjekjet tona 35-vjeçare për t’u integruar në BE. Votojnë për të kuptuar shkallën e tyre.

Votojnë pasi kanë marrë mesazhin se kjo çështje është një çështje themelore për ne, për ata, për Brukselin dhe kjo mund të na detyrojë të zhbëjmë nga e para procesin e integrimit të Shqipërisë.

Një paralajmërim që nuk është dëgjuar kurrë më parë. Asnjëherë nuk kisha dëgjuar, as ata që e komentojnë këtë paralajmërim.

Me gjithë këtë, ne që jemi këtu, dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, Edi Rama për të mbrojtur krimet e tij urdhëron, dhe me pesë vota vendos që të mbrojë me çdo kusht karrigen e tij, të mbrojë veten nga vjedhjet sepse Lubia është vetëm emri fiktiv, aferat janë të Ramës mbi të gjitha dhe të asaj pastaj.

Messi rikthehet në Barcelonë për të ardhmen e klubit

By: e xh
6 February 2026 at 20:01

Barcelona do të hyjë në fushatën zgjedhore brenda pak ditësh, përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 15 mars.  Joan Laporta do të japë dorëheqjen javën tjetër për të kandiduar për rizgjedhje, në të cilat ai është padyshim favoriti.

Leo Messi mund të ketë një ndikim të madh në të gjithë këtë process, shkruan Marca. Deri më tani, janë tre kandidatë paraprak që kanë shprehur qëllimin e tyre për të kandiduar, Victor Font (rivali kryesor i Laportës, i cili përfundoi i dyti në zgjedhjet e mëparshme), Xavi Vilajoana dhe Marc Ciria.

Disa ditë më parë, ish-lojtari i Barcelonës bëri një paraqitje të papritur në Spotify Camp Nou për të parë rimodelimin e stadiumit. Fotot që ai vetë postoi në rrjetet sociale patën një ndikim të madh dhe ngritën debatin rreth rolit që do të luajë argjentinasi në këto zgjedhje.

Messi synon të kthehet në klub në të ardhmen , siç e ka thënë në disa intervista. Ky është plani i tij i ardhshëm, megjithëse për momentin nuk është shumë e qartë se në çfarë cilësie do të kthehet. Ai është plotësisht i përkushtuar për t’u rikthyer, por kjo nuk do të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenlandë

By: e xh
6 February 2026 at 19:52

Franca ka hapur një konsullatë në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, duke forcuar praninë e saj diplomatike në Arktik dhe duke mbajtur premtimin e bërë nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në ishull qershorin e kaluar.

Duke vepruar kështu, Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë, përpara partnerëve të saj në bllokun me 27 anëtarë.

Megjithatë, Brukseli është tashmë i përfaqësuar në ishull, pas hapjes së një zyre të Komisionit Evropian në vitin 2024.

Jean-Noël Poirier, ish-ambasadori francez në Vietnam, e mori detyrën me mbërritjen në Nuuk, ku do të përfaqësojë Francën në këtë territor gjysmë-autonom danez me rreth 56,000 banorë.

Deri më tani, shtetasit francezë që jetonin në Grenlandë mbështeteshin në një marrëveshje të kufizuar konsullore.

Një konsulle nderi, Kristine Winberg, merrej me procedurat themelore administrative dhe asistencën konsullore në emër të ambasadës franceze në Danimarkë.

Roli i saj përfshinte lëshimin e dokumenteve të identitetit, ofrimin e mbështetjes në rastet e çështjeve ligjore ose vdekjeve, dhe veprimin si një lidhje me komunitetin e vogël francez, sipas transmetuesit francez BFM TV.

Një burim diplomatik tha se vetëm “tetë qytetarë francezë janë të regjistruar në Nuuk, por ndoshta rreth 30 jetojnë në Grenlandë”.

Megjithatë, pavarësisht madhësisë së vogël të popullsisë franceze në ishull, konsullata e re do të ketë përgjegjësi të zgjeruara.

Përveç ofrimit të mbështetjes administrative për shtetasit francezë, do të punohet “për të thelluar projektet ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar njëkohësisht lidhjet politike me autoritetet lokale”, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e jashtme.

Parisi thotë se qëllimi është të forcohen lidhjet midis Grenlandës, Francës dhe BE-së në një rajon që është bërë burim mosmarrëveshjesh të konsiderueshme midis Evropës dhe SHBA-së, mes kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e territorit që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Norvegjia do të hetojë zbulimet e dosjes Epstein

By: e xh
6 February 2026 at 19:49

Norvegjia duket se do të nisë një hetim ndaj ministrisë së saj të jashtme për lidhjet me ish-sulmuesin seksual amerikan Jeffrey Epstein, një nga disa vendet evropiane që ndjeu presionin nga një skandal që ende nuk ka shkaktuar pasoja të mëdha politike në SHBA.

Publikimi i një sasie të madhe dosjesh të reja javën e kaluar ka zbuluar një mori lidhjesh të reja të Epstein me politikanë, anëtarë të familjes mbretërore dhe ultra të pasur.

E ardhmja e kryeministrit britanik Keir Starmer po duket gjithnjë e më e pasigurt për shkak të vendimit të tij të vitit të kaluar për të emëruar Peter Mandelson, i cili kishte një miqësi të ngushtë me Epstein, si ambasador në Uashington.

Vëllai i mbretit, Andreë Mountbatten-Ëindsor, ishte detyruar të hiqte dorë nga titulli i tij mbretëror dhe rezidenca luksoze, dhe tani po rritet presioni mbi të për të dëshmuar në SHBA.

Në Sllovaki, këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit Robert Fico ka dhënë dorëheqjen pasi u zbuluan email-e në të cilat ai diskutonte për gra të reja me Epstein. Dhe ish-ministri francez i kulturës, Jack Lang, po i kërkohet të japë dorëheqjen si president i Institutit të Botës Arabe.

Figura publike, përfshirë Princeshën e Kurorës Mette-Marit dhe ish-kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Thorbjoern Jagland, janë të gjitha nën shqyrtim të ri. Kështu janë edhe ish-ministri i Jashtëm Boerge Brende tani udhëheqës i Forumit Ekonomik Botëror Mona Juul, ambasadore në Jordani dhe Irak; dhe bashkëshorti i saj Terje Roed-Larsen.

Të premten, Mette-Marit kërkoi përsëri falje në një deklaratë të lëshuar nga pallati, veçanërisht drejtuar mbretit dhe mbretëreshës, për lidhjet e saj me Epstein. Dosjet e fundit amerikane treguan korrespondencë të gjerë me email me të edhe pasi ai u shpall fajtor për krime seksuale me fëmijë në vitin 2008.

Jagland është gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit. Juul dhe Roed-Larsen ndihmuan në krijimin e kanalit sekret për kontaktet midis Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe qeverisë izraelite që çoi në Marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995.

Të gjithë dihej se kishin lidhje me Epsteinin, por dosjet e reja kanë ofruar shumë më tepër detaje. Mediat norvegjeze raportuan se shumica e partive në parlamentin e Norvegjisë duket se janë të gatshme të mbështesin një hetim të pavarur për Ministrinë e Jashtme. Megjithatë, e përditshmja VG tha se Kryeministri Jonas Gahr Stoere do të preferonte që parlamenti të kryente hetimin.

Njësia e policisë së krimit ekonomik të Norvegjisë tha të enjten se po hetonte Jaglandin nën dyshimin për korrupsion të rënduar. Avokati i Jaglandit tha se klienti i tij ishte i bindur se do të demonstronte pafajësinë e tij dhe do të bashkëpunonte.

Ministria e jashtme tha se do të kërkojë të heqë imunitetin diplomatik që gëzon Jagland, si kreu i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019, për t’i lejuar policisë të hetojë.

Këshilli i Evropës tha se kishte kryer një hetim të brendshëm në dhjetor dhe janar, i nxitur nga dosjet e Epstein të publikuara në nëntor, dhe se “veprimet e mëtejshme do të vendosen sipas nevojës”.

Juul nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment të dërguara ministrisë, e cila e ka pezulluar atë ndërsa ajo po merret me një hetim të brendshëm.

Avokati i Roed-Larsen tha se klienti i tij nuk dyshohej për ndonjë vepër penale dhe ishte i gatshëm të bashkëpunonte plotësisht me autoritetet. Ai tha se Roed-Larsen, 78 vjeç, ishte në rehabilitim pas një goditjeje në tru dhe kishte vështirësi në të folur dhe shkruar.

Brende ka thënë se nuk ishte në dijeni të së kaluarës dhe aktiviteteve kriminale të Epsteinit përpara se ta takonte për herë të parë në vitin 2018 dhe se i vjen keq që nuk e ka hetuar më me hollësi.

Mette-Marit, 52 vjeç, vuan nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe pallati tha se ajo aktualisht nuk ishte në gjendje të shprehej aq gjatë sa do të dëshironte.

Familja mbretërore e Norvegjisë po përballet tashmë me disa sfida. Marius, djali i Mette-Marit nga një marrëdhënie para martesës së saj me Princin e Kurorës Haakon, është aktualisht në gjyq për përdhunim dhe dhunë në familje./Reuters

Sula kryeinspektor, Noka: Nga “o gjel deti pusho”, në “o gjel deti këndo”

By: e xh
6 February 2026 at 19:22

Pas emërimit të Dashnor Sulës si kryeinspektor i Përgjithshëm, vjen reagimi i parë nga PD.

Përmes një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka e ka sulmuar Sulën duke thënë se është shpërblyer nga Edi Rama pasi ka bërë opozitën e opozitës.

“Nga “o gjel deti pusho” në “o gjel deti këndo”. Shembulli sesi Edi Rama i shpërblen ata që i bëjnë opozitë-opozitës”, shkruan Noka krahas një video të marrë nga një seancë kuvendi kur Sula ishte deputet, teksa Edi Rama i drejtohet duke i thënë “pusho o gjel deti”.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Qeveria propozon ish-ministrin

By: e xh
6 February 2026 at 18:04

Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit dy anëtarët për këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Dy emrat janë ish-ministri i financave Ervin Mete dhe Jonida Prifti.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në njoftimin zyrtar.

3 ditë në kërkim të bariut, dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit Vjosë

By: e xh
6 February 2026 at 17:42

Që prej datës 3 shkurt , fati i bariut Ylli Dine, 65 vjeç, mbetet i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.

Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, të cilët prej ditësh jetojnë mes ankthit dhe shpresës. Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

Në operacion janë angazhuar palombarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.

Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji.

❌
❌