“Një ngatërresë” e ka quajtur Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiç, deklaratën në një media lokale kur ka thënë se Albin Kurti vendosi t’ia jap Manastirit të Deçanit 24 hektarë për hatër të tij.
Ai thotë se është bërë konfuz pasi ka ngatërruar këtë rast me atë të pranimit të kërkesës për vizitën e patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.
“E vërteta është që, me keqardhje po them, i kam ngatërruar këto dy ngjarje të cilat kanë qenë afër njëra-tjetrës dhe kanë kaluar tri vjet apo më shumë. Gabimisht kam thënë që lidhet me kthimin e tokës së Deçanit. Gabimisht kam bërë një permutacion duke përdorë fjalët e kryeministrit për vizitën e patriarkut në Kosovë”- tha Rashiç, duke shtuar se i vie keq nëse kjo deklaratë ka krijuar zhurmë publike, por nuk e ka bërë qëllimisht.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, në një intervistë për Radio Gorazhdecin të publikuar një ditë më parë, ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe vendimet e Qeverisë që prekin komunitetin serb.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit, në rastin e të cilit, siç ka deklaruar Rashiç, KURTI I KISHTE THËNË SE “PO E BËJ KËTË AKT PËR HATRIN TËND”.
Për tokën ka një vendim të gjykatës kushtetuese që ja jep atë Manastrit.
Vendimi ishte marrë nga Qeveria e Kosovës më 13 mars të vitit 2024, ndërsa Agjencia Kadastrale e Kosovës e regjistroi këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit disa ditë më vonë.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje ka zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit./mxh
Policia e Nju Jorkut po heton një sulm gjatë një proteste pranë rezidencës së kryebashkiakut të qytetit, si një akt të dyshuar terrorizmi të frymëzuar nga ISIS.
Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, deklaroi në një konferencë për shtyp se dy persona dyshohet se hodhën pajisje shpërthyese artizanale në turmën e protestuesve gjatë demonstratës së zhvilluar të shtunën pranë rezidencës së kryebashkiakut, Gracie Mansion.
Sipas saj, testet paraprake treguan se pajisjet nuk ishin mjete mashtruese apo bomba tymuese, por pajisje të vërteta shpërthyese që mund të kishin shkaktuar plagosje të rënda apo edhe viktima.
Tisch bëri të ditur se një nga pajisjet përmbante TATP, një lëndë shpërthyese shumë të paqëndrueshme të prodhuar në mënyrë artizanale, e cila është përdorur edhe në sulme të tjera terroriste në botë.
Policia gjithashtu gjeti një automjet të lidhur me të dyshuarit, brenda të cilit u zbuluan një tjetër pajisje e mundshme shpërthyese dhe materiale për prodhimin e bombave.
Autoritetet amerikane pritet të ngrenë akuza federale ndaj dy të dyshuarve gjatë ditës së sotme në Manhattan.
Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili tha se autoritetet do të vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit./mxh
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin iranian si një “regjim terrorist” që paraqet kërcënim për rajonin dhe për botën.
Në një deklaratë për mediat, Rubio tha se qëllimi i operacionit është shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit për të kryer sulme me raketa dhe dronë.
Sipas tij, objektivi i forcave amerikane është të asgjësojnë raketat dhe lëshuesit e tyre, fabrikat ku prodhohen këto armë si edhe kapacitetet detare të Iranit.
Rubio akuzoi Teheranin se po përpiqet të mbajë botën peng përmes sulmeve ndaj vendeve fqinje, infrastrukturës energjetike dhe popullsisë civile.
Ai shtoi se regjimi iranian po përdor mjete shtetërore për të kryer akte terrorizmi, përfshirë raketa dhe dronë sulmues, duke e cilësuar këtë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.
Sekretari amerikan theksoi se operacioni ushtarak i SHBA po avancon drejt arritjes së objektivave, duke përdorur atë që ai e quajti “forcë dhe saktësi dërrmuese”.
Deklaratat e Rubios vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se një ushtarak i shtatë amerikan ka ndërruar jetë nga plagët e marra gjatë kundërsulmit fillestar të Iranit, një javë më parë./mxh
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Irani përbën “qendrën e terrorizmit ndërkombëtar”, duke theksuar se regjimi iranian duhet të ndalë menjëherë armiqësitë për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për mediat këtë të hënë, Merz tha se përfundimi i luftës varet nga veprimet e udhëheqjes iraniane dhe nga ndalimi i aktivitetit të Gardës Revolucionare.
“Sa më shpejt që regjimi i mullahëve të ndalojë, aq më shpejt do të përfundojë edhe kjo luftë. Gjithçka varet nga ky regjim dhe nga e ashtuquajtura Gardë Revolucionare për të ndalur armiqësitë”, u shpreh kancelari gjerman.
Ai shtoi se për sa kohë që kjo nuk ndodh, është e pritshme që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të vazhdojnë veprimet e tyre mbrojtëse kundër Iranit.
Sipas Merz, kërcënimi që paraqet regjimi iranian shkon përtej kufijve të vendit dhe rajonit, duke përbërë një rrezik më të gjerë për sigurinë ndërkombëtare.
Ndërkohë, kancelari gjerman shprehu shqetësim edhe për rritjen e çmimeve të energjisë si pasojë e tensioneve në rajon, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja për ekonominë gjermane.
Ai theksoi se qeveria në Berlin po punon për të rritur pavarësinë energjetike të vendit, në mënyrë që të zbusë ndikimin e krizave ndërkombëtare në tregjet e energjisë./mxh
Franca ka nisur dislokimin e rreth një duzine anijesh luftarake në Mesdhe, Detin e Kuq dhe potencialisht në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të mbështetjes mbrojtëse për aleatët e saj të kërcënuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë një vizite në Qipro, presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi praninë e shtuar ushtarake, ndërsa pritet të vizitojë edhe aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, e cila mbërriti këtë fundjavë në Mesdheun lindor.
Në një deklaratë për mediat në Pafos, pas takimit me presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, Macron theksoi se çdo sulm ndaj Qipros duhet të konsiderohet si sulm ndaj gjithë Evropës.
“Kur Qipro sulmohet, atëherë sulmohet edhe Evropa”, u shpreh Macron, duke iu referuar incidentit të javës së kaluar kur dronë u interceptuan teksa po drejtoheshin drejt ishullit.
Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, i cili ka përfshirë edhe vende të Gjirit Persik dhe Libanin, pas sulmeve të grupit militant Hezbollah ndaj Izraelit.
Megjithatë, shtetet evropiane deri tani kanë pasur një rol të kufizuar në menaxhimin e krizës, ndërsa përplasjet kanë filluar të ndikojnë edhe në rrugët detare të transportit dhe në tregjet globale të energjisë, me çmimin e naftës që ka kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Presidenti francez tha se qëllimi i pranisë ushtarake është garantimi i lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare, veçanërisht në Mesdheun lindor dhe në Detin e Kuq, nga Kanali i Suezit deri në ngushticën Bab el-Mandeb.
Aktiviteti kryesor detar i Bashkimit Evropian në rajon është misioni “Aspides”, i nisur në fillim të vitit 2024 për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet e militantëve Houthi, të mbështetur nga Irani, të cilët kanë ndërmarrë sulme në mbështetje të Hamasit në luftën me Izraelin.
Macron bëri të ditur se Franca, e cila aktualisht ka një anije luftarake në këtë mision, do ta rrisë praninë në dy të tilla. Në total, Parisi planifikon të dislokojë tetë anije luftarake, një grup aeroplanmbajtëse dhe dy anije helikoptermbajtëse në rajon.
Sipas tij, forcat franceze mund të shtrijnë operacionet edhe në Ngushticën e Hormuzit, për të mbështetur dhe mbrojtur anijet tregtare që kalojnë në këtë korridor të rëndësishëm energjetik./mxh
Belgjika përballet me një kërcënim serioz nga krimi ndërkombëtar i drogës dhe rrezikon të shndërrohet në një “narko-shtet”, paralajmërojnë zyrtarë të lartë të drejtësisë.
Në një intervistë për The Guardian, drejtues të sistemit gjyqësor në qytetin e Antwerp-it thonë se fuqia financiare e karteleve të drogës po krijon presion të madh mbi institucionet shtetërore dhe shoqërinë.
Bart Willocx, president i Gjykatës së Apelit në Antwerp, deklaroi se Belgjika është veçanërisht e cenueshme për shkak të portit të madh të qytetit, i cili konsiderohet një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë.
“Shumat e parave që përfshihen për të ndikuar njerëzit, për t’i korruptuar apo për t’i blerë janë aq të mëdha saqë përbëjnë realisht një rrezik për stabilitetin e shoqërisë sonë”, tha ai për The Guardian.
Paralajmërime për një “forcë paralele” të mafies
Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Antwerp-it publikoi një letër të hapur nga një gjyqtar anonim, i cili paralajmëroi se Belgjika po evoluonte drejt një “narko-shteti”. Sipas tij, struktura të gjera mafioze kanë zënë rrënjë dhe po shndërrohen në “një forcë paralele që sfidon jo vetëm policinë, por edhe sistemin gjyqësor”.
Willocx pranoi se vendi po përpiqet të shmangë këtë skenar, por shtoi se presioni nga krimi i organizuar është në rritje.
“Është një evolucion dhe një kërcënim real”, tha ai.
Edhe prokurori i përgjithshëm për rajonet Antwerp dhe Limburg, Guido Vermeiren, u shpreh në të njëjtën linjë.
“Po bëhemi një shtet me shumë korrupsion dhe shumë kërcënime”, deklaroi ai.
Portet kryesore të kokainës në Evropë
Sipas Europol, më shumë se 70% e kokainës që hyn në Evropë kaloi në vitin 2024 përmes porteve të Antwerp-it dhe Roterdamit. Megjithatë, agjencia evropiane ka paralajmëruar se rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë edhe porte më të vogla për të shmangur kontrollet.
Problemi i Belgjikës lidhet me rritjen e ndjeshme të sasisë së kokainës që vjen nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Kolumbia.
Në vitin 2023 u sekuestruan 121 ton kokainë, një rekord sipas agjencisë evropiane të drogës. Në vitin 2024 kjo shifër ra në 44 ton, çka sipas ekspertëve mund të lidhet me metoda më të sofistikuara të fshehjes së drogës ose zhvendosjen e aktivitetit drejt porteve më të vogla.
Krimi i organizuar i lidhur me trafikun e drogës është shoqëruar edhe me dhunë.
Autoritetet besojnë se banda të drogës qëndronin pas një komploti për rrëmbimin e një ministri të brendshëm belg në vitin 2022, si dhe pas disa të shtënave me armë në Bruksel në vitin 2025.
Rekrutimi i të rinjve
Zyrtarët e drejtësisë përshkruajnë një rrjet kriminal të përhapur që përfshin korrupsion, rrëmbime, tortura, pastrim parash dhe sulme të dhunshme.
Në një rast, kriminelët paguan mbi 250 mijë euro një punonjësi të portit për të lëvizur një kontejner të vetëm. Punonjësit që refuzojnë të bashkëpunojnë përballen me kërcënime serioze.
“Kanë marrë letra me fotografi të fëmijëve të tyre. Ka pasur sulme në shtëpitë e tyre me eksplozivë artizanalë”, tha prokurori Vermeiren.
Bandat rekrutojnë edhe të mitur. Sipas prokurorisë, fëmijë deri në 13 vjeç paguhen për të hyrë në port dhe për të vjedhur kokainë nga kontejnerët. Në raste të tjera, të rinjtë ndihmohen fillimisht të gjejnë punë në port dhe më pas detyrohen të bashkëpunojnë me rrjetet kriminale.
Në mars 2024 policia parandaloi një tentativë të katër personave të armatosur me armë automatike për të vjedhur më shumë se 1.500 ton kokainë të konfiskuar nga një magazinë doganore.
Presion mbi gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë
Krimi i organizuar ka filluar të ndikojë edhe në sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Willocx, punonjës të policisë dhe spitaleve janë korruptuar ose kërcënuar për të dhënë informacione konfidenciale, si adresat e shtëpive të gjyqtarëve.
Për këtë arsye disa gjyqtarë janë detyruar të jetojnë në shtëpi të sigurta nën mbrojtje policore. Gjyqtari anonim që shkroi letrën paralajmëruese kaloi katër muaj në një vend të fshehtë.
“Brenda një dite duhet të largohesh nga shtëpia dhe familja dhe të jetosh në një vend ku askush nuk e di se ku ndodhesh”, tha Willocx.
Sipas gjyqtarëve, sistemi gjyqësor belg është në prag të kolapsit pas dekadash nën-financimi. Edhe pse ministria e drejtësisë premtoi në vitin 2024 një shtesë prej 1 miliard eurosh deri në vitin 2029, dyshimet për burimet e mjaftueshme mbeten.
Paralajmërimet u bënë pjesë e fushatës “Five to Twelve”, një iniciativë e gjykatave dhe prokurorëve të Antwerp-it për të paralajmëruar opinionin publik për krizën në sistemin e drejtësisë dhe rrezikun që ajo paraqet për sundimin e ligjit.
Rrjeti i madh kriminal i zbuluar nga Sky ECC
Shkalla e trafikut të organizuar të drogës u bë e qartë pas zbërthimit të rrjetit të koduar të komunikimit Sky ECC, i përdorur nga qindra kriminelë për të koordinuar kontrabandën e narkotikëve, transferimin e parave dhe urdhërimin e vrasjeve.
Pesë vjet pas arrestimeve të para më 9 mars 2021, autoritetet belge njoftuan se deri tani janë dënuar 1.206 persona për krime që lidhen me drogën, dhunën, korrupsionin dhe armëmbajtjen pa leje. Rreth 5 mijë të dyshuar të tjerë janë identifikuar.
Hetimet zbuluan një rrjet kriminal që shtrihej nga Dubai deri në Amerikën e Jugut.
“Ishte edhe më keq nga sa mendonim”, tha prokurori Vermeiren për The Guardian./mxh
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar përmes një video-mesazhi se lufta kundër Iranit do të vazhdojë e pandërprerë dhe pa kompromis.
Netanyahu u shpreh se Izraeli ka “një plan të organizuar me shumë surpriza” për fazën tjetër të luftës me Iranin, me qëllim destabilizimin e regjimit dhe mundësinë e një ndryshimi. Kryeministri izraelit kishte një thirrje edhe për anëtarët e Gardës Revolucionare.
“Ju jeni gjithashtu në shënjestër. Kushdo që lëshon armën nuk do të pësojë asgjë. Kushdo që nuk e lëshon, gjaku i tij do të jetë mbi kokën e tij”, tha ai.
Duke i drejtuar një mesazh edhe popullit iranian, ai deklaroi se momenti i së vërtetës po afron. Ndër të tjera, Netanyahu tha se Izraeli nuk po përpiqet ta ndajë Iranin, por po përpiqet ta çlirojë.
Më tej kryeministri izraelit ndau detaje nga një bisedë që kishte pasur me presidentin e SHBA-së Donald Trump, gjatë takimit të tyre në dhjetor.
“Bibi, ne duhet ta ndalojmë Iranin me çdo kusht nga pajisja me një armë bërthamore”, ka thënë Trump sipas Netanyahut.
Në të njëjtën kohë, ai falënderoi Trumpin për “udhëheqjen historike” të tij në paktin SHBA-Izrael që sipas tij është më i fortë se kurrë. Kryeministri izraelit deklaron gjithashtu se Izraeli qëndron në krah të vendeve të tjera që janë sulmuar nga Irani dhe pretendoi se shumë shtete po i drejtohen Izraelit duke kërkuar bashkëpunim.
Më pas ai sulmoi OKB-në për heshtjen e saj ndërsa iranianët masakroheshin, dhe gjithashtu sulmoi udhëheqësit perëndimorë për dobësinë dhe shkujdesjen e tyre, duke i akuzuar ata se po braktisin popullin iranian.
“Kur Khamenei masakronte iranianët, ku ishte OKB-ja? Ku ishin shumë shtete perëndimore?” Shumë vende tani po shohin saktësisht se te kush mund të mbështeten”, tha Netanyahu./mxh
Në politikën e Shqipërisë vërtet ka lëvizje, por asgjë nuk ecën përpara.
Moskuptimi i ideve në politikë është ose shprehje e injorancës, ose shprehje e frikës.
Dhe kjo po ndodh sot në Shqipëri, sepse në politikën aktuale në Tiranë opozita nuk ka ide.
Politika pa ide në fakt është njëlloj si një roman që nuk ka një personazh kryesor, dhe prandaj i mungon forca e ideve
Kurse mungesa e ideve në politikë është një staniacion në zhvillim – domethënë një mbetje në vend.
Dhe kjo gjendje opozitare sigurisht që, kudo në një demokraci, është në favorin absolut të kryeministrit aktual.
Kjo është gjendja e sotme politike në Shqipëri, sepse opozita nuk ka ide.
Por ka vetëm sharje ndaj kundërshtarit, çka tregon se opozita e sotme nuk e di fare se ku është dhe çfarë po ndodh në Shqipëri. Kjo tregon se me fjalë fyese ajo don të shfryjë dufin e saj të humbjes dhe të mungesës së forcës.
Dhe kjo sigurisht që do të regjistrohet si ngjarje historike, sepse Partia Demokratike e ka kryetarin e saj një person të padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.
Dhe ky është Sali Berisha.
Por, Sali Berisha është edhe i akuzuar për korrupsion në një proces penal nga SPAK.
Atëherë?
Sigurisht që kjo gjendje tregon saktë vetëm një gjë thelbësore.
Që?
Që në politikën e sotme në Shqipëri kryeministri socialist Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë kundërshtar me vota në Shqipëri.
Dhe këtu mbyllet çdo diskutim.
Po politika e Partisë Socialiste ku e gjen gjithë këtë forcë dhe siguri?
Partia Socialiste do të jetë në shkëlqim politik në Shqipëri, për aq kohë sa Partia Demokratike të ketë një kryetar i cili nuk pranohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.
Tre persona në Michigan kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur nga tornadoja e fuqishme që goditi vendin. Sipas autoriteteve vendase këtë fundjavë priten ndërprerje të energjisë elektrike dhe mbyllje rrugësh, si pasojë e tornados.
Rreth 80 km larg në Qarkun Cass të Michigan-it, autoritetet raportuan gjithashtu një të vdekur dhe disa të plagosur.
Qindra njerëz u raportuan të kenë mbetur pa energji elektrike, ndërsa shumë ndërtesa u dëmtuan rëndë në Three Rivers në Michigan.
Guvernatorja e Michigan-it, Gretchen Ëhitmer, aktivizoi gjendjen e emergjencës shtetërore për qarqet Branch, Cass dhe St Joseph.
“Ne po punojmë me ekipet e emergjencës për të monitoruar situatën dhe për të koordinuar burimet për ata që janë prekur. Zemra ime është me familjet që humbën të dashurit e tyre dhe me banorët e Miçiganit që u plagosën dje”, tha ajo.
Edhe Oklahoma u godit nga një tornado ku si pasojë humbën jetën dy persona. Guvernatori i Oklahomës, Kevin Stitt, tha se shpalli gjendje të jashtëzakonshme për qarqet Alfalfa, Creek, Grant, Major, Okmulgee, Rogers, Tulsa dhe Wagoner për të siguruar që banorët të kenë mbështetjen dhe burimet që u nevojiten pas stuhive./mxh
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka reaguar pas deklaratave të presidentit amerikana Donald Trump, i cili u shpreh ditën e sotme se vendi do të goditet shumë rëndë. Araghchi u shpreh se nëse presidenti amerikan kërkon përshkallëzim, kjo është pikërisht ajo që do të marrë.
“Kjo është pikërisht ajo për të cilën forcat tona të armatosura të fuqishme janë përgatitur prej kohësh dhe ajo që ai do të marrë”, tha ministri iranian.
Ai pretendoi se fushata ushtarake e SHBA-së, së cilës i referohet si “aventura e keqe njëjavore”, e Trump i ka kushtuar tashmë ushtrisë amerikane 100 miliardë dollarë.
“Populli amerikan votoi për t’i dhënë fund përfshirjes në moçalet e kushtueshme në Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, ata kanë përfunduar me një administratë që Netanyahu, pas dekadash përpjekjesh të dështuara, më në fund arriti ta mashtrojë që të luftojë në luftërat e Izraelit”, tha ai./mxh
Mojtaba Khamenei, djali i Liderit Suprem të vrarë të Iranit, Ajatollah Khamenei, dyshohet se ka mbetur i plagosur nga një sulm izraelit. Kështu kanë raportuar mediat izraelite, që shkruajnë se zyrtarët e sigurisë izraelite besojnë i mbijetoi një atentati të dyshuar, por mbeti i plagosur.
Mojtaba është kandidati kryesor për të pasuar të atin si kreu i ardhshëm i Republikës Islamike. Më herët u raportua se Asambleja e Ekspertëve të Iranit pritet të mblidhet brenda 24 orëve për të zgjedhur Liderin e ri Suprem pas vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit.
Ajatollah Ahmad Mozafari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, tha se përfaqësuesit po prisnin diskutimet për të zgjedhur një pasardhës të Khameneit.
Asambleja është përgjegjëse sipas Kushtetutës së Iranit për emërimin e Udhëheqësit Suprem të vendit kur pozicioni mbetet vakant. Udhëheqësi mban autoritetin përfundimtar mbi shtetin, duke përfshirë komandën e forcave të armatosura dhe fjalën e fundit mbi politikën e jashtme dhe të brendshme./mxh
Atalanta arriti të shmangë humbjen në shtëpi ndaj Udinese duke barazuar 2–2.
Skuadra mike kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë me golin e Thomas Kristensen pas një goditjeje nga këndi.
Në fillimin e pjesës së dytë, Udinese dyfishoi rezultatin me realizimin e Keinan Davis.
Atalanta reagoi në minutat e fundit të ndeshjes dhe arriti të rikthehej në lojë. Gianluca Scamacca shënoi fillimisht me kokë pas një krosimi nga Nicola Zaleëski. Sulmuesi italian realizoi edhe golin e dytë personal për të barazuar rezultatin.
Me këtë pikë, Atalanta shmangu humbjen e dytë radhazi në kampionat. Ndërkohë, Udinese u largua me një barazim pas një ndeshjeje ku kishte krijuar avantazh prej dy golash./mxh
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike më presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
Telefonata e dy liderëve vjen pasi mbrojtja ajrore e NATO-s shkatërroi një raketë balistike iraniane që ishte drejtuar në hapësirën ajrore të Turqisë në fillim të kësaj jave.
Sipas zëdhënësit të kryeministrit britanik, Starmer ka dënuar incidentin ndërsa udhëheqësit ranë dakord se ishte jetike që Irani të ndërpriste agresionin e tij.
“Kryeministri informoi mbi kapacitetin e shtuar të Mbretërisë së Bashkuar që ishte vendosur për të forcuar më tej mbrojtjen dhe stabilizimin rajonal. Udhëheqësit diskutuan gjithashtu thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë në dritën e rritjes së paqëndrueshmërisë rajonale. Të dy ranë dakord që ekipet e tyre duhet të vazhdojnë punën drejt një marrëveshjeje të re dypalëshe për mbrojtjen dhe sigurinë përpara samitit të NATO-s në Turqi në korrik”, u shpreh zëdhënësi./mxh
Odise Roshi po përjeton një rini të dytë në Turqi, tek Ankara Keciorengucu.
“Raketa” shqiptare ka veshur petkun e heroit në transfertën delikate ndaj Sivasspor, duke shënuar golin që vulosi fitoren minimale 0-1.
34-vjeçari shfaqi nuhatje sulmuesi, duke lëvizur bukur në zonë dhe duke mposhtur portierin kundërshtar me një goditje të fuqishme me të djathtën.
Kjo sfidë kishte edhe një “shije” kuqezi, pasi përballë ishte Rey Manaj. Megjithatë, ndryshe nga javët e fundit ku ka qenë protagonist absolut, Manaj këtë herë nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke mbetur në hijen e veteranit Roshi.
Për fierakun, ky ishte goli i dytë radhazi në kampionat dhe i gjashti në total për këtë sezon, shifra që po mbajnë gjallë ëndrrën e Keciorengucu për një vend në zonën “Play-Off” që dërgon në elitën e futbollit turk./mxh
Ka përfunduar numërimi i votave në degën e Partisë Demokratike në Durrës.
Adrian Gashi është shpallur kryetari i ri i degës me shumicë votash të anëtarësisë. Ai siguroi 586 vota, ndërsa kandidati tjetër Erion Luka mori 268 vota. Raportohet se 19 vota janë shpallur të pavlefshme.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe përfundoi në orën 18:00./mxh
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbrojtur sjelljen e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në Uashington këtë javë, pas akuzave për “respekt të tepruar” ndaj liderit amerikan.
“Kur kamerat të jenë në lëvizje, nuk do të filloj të debatoj me presidentin e SHBA-së”, tha Merz në një tubim fushate në qytetin Stockach gjatë një eventi fushate përpara zgjedhjeve shtetërore të së dielës në Baden-Württemberg.
Merz shpjegoi se ai vazhdoi të përqendrohej në vlerat e përbashkëta në marrëdhëniet e tij me SHBA-në, duke pasur parasysh faktin se “Evropa mbetet e varur nga amerikanët për momentin kur bëhet fjalë për mbrojtjen”.
Bisedat e Merz me Trump në Shtëpinë e Bardhë u përqendruan në luftën në Iran dhe çështjet tregtare në mes të politikës së paparashikueshme tarifore të presidentit amerikan./mxh
Të vendosur të qëndrojnë jashtë luftës në Iran, por të frikësuar nga rreziku se mund të tërhiqen kundër vullnetit të tyre dhe me kujtimet e tradhtive të së kaluarës… kështu po e përjetojnë kurdët irakianë krizën e radhës që godet rajonin e tyre.
“Lërini rehat kurdët! Ne nuk jemi pushkë të marra me qira”, deklaroi Shanaz Ibrahim Ahmed, bashkëshortja e presidentit të Irakut Latif Rashid, të dy me origjinë kurde.
“Shumë herë në histori, edhe së fundmi si në Siri, jemi përdorur nga amerikanët dhe aleatët e tyre për të arritur objektiva që nuk ishin të tanët, për t’u harruar më pas dhe për të mbetur vetëm për të paguar pasojat”, thonë burime të larta në qeverinë rajonale në Erbil.
Këto burime sipas Corriere della Sera komentojnë lajmet e përhapura ditët e fundit sipas të cilave SHBA-të do të dëshironin të mobilizonin si grupet e opozitës së kurdëve iranianë, ashtu edhe një pjesë të “vëllezërve” në Irak, për të nxitur një luftë civile në Iran dhe për të ndihmuar në goditjen kundër regjimit të ajatollahëve.
Realiteti në terren
Në fakt, kurdët irakianë nuk lëvizin dhe shpresojnë me ngulm që edhe ata iranianë të qëndrojnë të qetë. Erbili është një qytet në pritje. Rrugët janë me pak trafik, aeroporti i mbyllur, postblloqet më të rrepta se zakonisht, tensioni në kulm dhe milicitë shiite irakiane të vendosura në rrugën drejt Mosulit. Ndërkohë, vazhdojnë kronikat e sulmeve me dronë dhe raketa që synojnë bazat amerikane dhe ato të kurdëve iranianë.
“Edhe sot iranianët na goditën me dy raketa dhe tre dronë. Jemi në alarm, mund të kthehen në çdo moment”, thotë Aman Zibai, i zhvendosur 25 vite më parë nga qyteti iranian Mahabad, i cili tani jeton në kampin e refugjatëve në Koia, rreth 40 km nga Erbili. Ai shton se lidhjet telefonike me familjen janë bllokuar që nga fillimi i sulmeve izraelito-amerikane më 28 shkurt.
Burime diplomatike perëndimore theksojnë se brenda një jave luftë, provinca kurde është goditur të paktën 140 herë, jo vetëm nga iranianët, por edhe nga milicitë shiite irakiane të PMF-së (Forcat Popullore të Mobilizimit), aleate të Teheranit. Mbrëmë, në Erbil u godit edhe një hotel./mxh
Ndërtesat përreth Marinës së Dubait janë evakuuar pasi mbeturinat nga përgjimet e predhave shkaktuan shpërthim pasi përplasjes me fasadën e një ndërtese të lartë në qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në një deklaratë në mediat sociale, Zyra e Medias e Dubait tha se asnjë person nuk ka mbetur i lënduar nga incidenti.
“Autoritetet konfirmojnë se mbeturinat që rezultuan nga një përgjim i suksesshëm shkaktuan një incident të vogël në fasadën e një kulle në Dubai Marina. Situata është nën kontroll. Nuk u raportuan të lënduar”, thuhej në deklaratë.
Marina është afër shumë atraksioneve turistike dhe institucioneve të qytetit, duke përfshirë Universitetin Amerikan të Dubait dhe Qendrën Tregtare Dubai Marina.
Ndërsa zhurma e përgjimeve të raketave jehonte në të gjithë qytetin dhe filluan evakuimet, banorët e Dubait dhe Abu Dhabit morën paralajmërime në telefonat e tyre celularë për raketa që po vinin.
Sulmet erdhën menjëherë pasi presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, bëri reagimin e parë dhe të rrallë publik duke e përshkruar Iranin si “armik”.
“Emiratet e Bashkuara Arabe janë të bukura, Emiratet e Bashkuara Arabe janë një model që duhet ndjekur, por unë ju them, mos u mashtroni nga kjo. Dora e Emirateve të Bashkuara Arabe mund të arrijë dhe është e fortë, mishi i saj është i hidhur dhe ne nuk jemi pre e lehtë”, paralajmëroi ai Teheranin ndërsa vizitoi një spital, i cili po trajton civilët e plagosur në sulme./mxh
Ministria e Shëndetësisë në Liban ka deklaruar ditën e sotme se numri i personave të vrarë që nga fillimi i operacioneve të fundit ushtarake të Izraelit është rritur.
Sipas deklaratës, deri tani kanë humbur jetën 294 persona dhe kanë mbetur të plagosur 1,023 të tjerë. Përveç kësaj, aktualisht në strehimore ndodhen 112,525 persona të zhvendosur.
Izraeli dërgoi trupa tokësore në Liban dhe nisi shumë sulme ajrore në vend këtë javë pasi Hezbollahu iu bashkua aleatit të saj Iranit në shënjestrimin e Izraelit me raketa në hakmarrje për sulmet amerikane dhe izraelite ndaj republikës islamike./mxh
Situata e trajnerit Igor Tudor te Tottenham është bërë e pasigurt pas rezultateve të fundit të skuadrës. Ekipi ka pësuar tre humbje radhazi, në ndeshjet kundër Arsenal, Fulham dhe Crystal Palace.
Këto rezultate kanë bërë që Tottenham të jetë vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Edhe pse nuk pritet një shkarkim i menjëhershëm, në Angli kanë nisur të qarkullojnë emrat e trajnerëve të mundshëm që mund ta zëvendësojnë.
Mes tyre përmendet edhe Thiago Motta, i cili aktualisht është ende nën kontratë me Juventus. Megjithatë, drejtuesit e Tottenham po shqyrtojnë edhe trajnerë që kanë më shumë eksperiencë në Premier League.
Një kalim i mundshëm i Motta në Londër do të kishte ndikim edhe te Juventus në aspektin financiar, pasi tekniku italian është ende nën kontratë me “Zonjën e Vjetër”.
Emra të tjerë që përmenden janë Sean Dyche, Ryan Mason, Robbie Keane dhe Roberto De Zerbi./mxh