Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 5 February 2026Main stream

Omer Nishani patrioti me vlera perëndimore

5 February 2026 at 15:36

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Më 5 shkurt të vitit 1887 lindi në Gjirokastër, Omer Nishani.

Muzeu Historik Kombëtar e kujton Omeri Nishanin si një patriot që, me edukimin e tij evropian dhe vlerat perëndimore, forcoi besueshmërinë dhe autoritetin e lëvizjes antifashiste.

Veprimtarinë politike e nisi si kundërshtar idealist i regjimit të Zogut, por më pas u bë një nga drejtuesit e shtetit komunist, duke u përpjekur të ruante integritetin e tij moral të moderuar përballë një sistemi që ashpërsohej vazhdimisht.

Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet në Turqi. Pas diplomimit, u rikthye në Shqipëri, ku deri në vitin 1923 ushtroi profesionin e mjekut në Gjirokastër, Berat dhe Tiranë. Në vitin 1924 u rreshtua në krah të lëvizjes demokratike, duke mbështetur Fan Nolin dhe qeverinë e tij. Pas rrëzimit të kësaj lëvizjeje, në fund të vitit u detyrua të largohej në emigracion, ku qëndroi për 15 vite.

Gjatë kësaj periudhe kontribuoi në publicistikën shqiptare me gazetën “Liria Kombëtare” (1925–1935) dhe në strukturat e KONARE-së (Komiteti Nacional Revolucionar), një organizatë politike e krijuar nga emigracioni shqiptar në Vjenë.

Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1939, veprimtaria e tij u orientua drejt Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Momenti kulmor i karrierës së tij ishte zgjedhja si kryetar i Këshillit Antifashist në Kongresin e Përmetit. Pas vitit 1944, Nishani u përqendrua në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe për shtatë vite, nga 1946 deri më 1953, shërbeu si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Figura e Omer Nishanit vlerësohet për rolin e tij në ndërtimin e institucioneve të para shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore dhe për trashëgiminë dokumentare të lënë nëpërmjet shtypit të kohës.

U nda nga jeta më 27 maj 1954, në rrethana që nuk janë sqaruar plotësisht.

/r.e/a.f/

The post Omer Nishani patrioti me vlera perëndimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Dosja e “Motit të Madh”, ëndërr e arbëreshëve dhe detyrimi ynë si shtet

5 February 2026 at 13:27

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjendet në Vatikan, ku është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit arbëresh si dhe u bë pjesëmarrës së bashku me Ettore Bonanno, në podcast-in “Pop Arbëresh”.

Gjatë bisedës së zhvilluar me gazetarin arbëresh, ministri Gonxhja preku tema të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare siç është dosja e “Motit të Madh” në UNESCO, Muzeu Arbëresh etj.

Ministri Gonxhja përmendi gjatë bisedës projekte që ruajnë kujtesën, identitetin dhe historinë e arbëreshëve. Konferenca e mbajtur në mjediset e Vatikanit shoqërohej nga një miniekspozitë për kulinarinë shqiptare si dhe veshjet arbëreshe dhe të tjera elemente tradicionale.

“Aplikimi me dosjen e “Motit të Madh” është një ëndërr e rëndësishme e komunitetit arbëresh, por edhe detyrim i yni si shtet. Po punojmë shumë edhe për ‘Culturalb’, një fondacion shtetëror që kemi ngritur, për të pasur një tjetër energji në diasporat tona, ato të reja por edhe ato të lashta si arbëreshët, në mënyrë që të kemi një prani kulturore, sociale të qendrave tona në këto vende. Në Itali do kemi një shtëpi shqiptare, një qendër kulturore shqiptare”, u shpreh ministri i MTKS.

Ministri përmendi Muzeun Arbëresh i cili pritet të ngrihet në Vuno, në brigjet prej nga ku nisi eksodi. “Ky do të jetë një muze i vogël, por shumë i dashur dhe shumë i rëndësishëm për historinë dhe dedikuar krejtësisht tregimit mbi arbëreshët”, tha Gonxhja.

Ministri tha se të rinjtë, fëmijët tanë duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për krenarinë e cila nuk lidhet vetëm me Shqipërinë dhe gjuhën por lidhet me një rrënjë e cila sot na bën të ndihemi shumë evropianë, sepse Evropa ka filluar në Mesdhe, atje ku ne kemi qenë zot të vendit, të dokeve e traditave.

/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Dosja e “Motit të Madh”, ëndërr e arbëreshëve dhe detyrimi ynë si shtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa kërkon ndryshime ligjore: Shteti të jetë garant i trashëgimisë kulturore, jo privati

5 February 2026 at 11:40

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Deputetja Ina Zhupa prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nismën e saj për një ndryshim në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Zhupa shpjegoi se ndryshimi ka të bëjë me faktin se gjatë kohës së shqyrtimit kushtetues të marrëveshjes për Butrintin, Ligji 2018 kishte kaluar kohën 2-vjeçare për të cilën mund të kundërshtohej për antikushtetutshmëri në lidhje me atë që paraqiste në kundërshtim me Konventën e Parisit.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja ishte në përputhje me ligjin, por ligji vetë ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Zhupa, sipas së cilës, kjo është arsyeja pse ajo propozon një ndryshim në ligj, në mënyrë që shteti shqiptar të mos ketë një ligj antikushtetues që nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Deputetja e opozitës u shpreh se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 5 të saj, shpreh detyrimin që çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik e zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Ndryshimet synojnë çuarjen e këtij ligji konformon Konventës së Parisit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar”, tha Zhupa.

Nenet që Zhupa propozon të ndryshohen, tentojnë të krijojnë garancinë që kërkon Konventa e Parisit, që shtetet të jenë përgjegjës për trashëgiminë e tyre kulturore.

“Trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për ta interpretuar historinë e vendit tënd, për të interpretuar gjetjet arkeologjike dhe për të përfituar nga fonde publike që gjenerohen nga kjo trashëgimi”, u shpreh deputetja.

Zhupa theksoi se nuk është qëllimi për të hequr AADF nga Butrinti, por të mos lejohet që ky shembull të bëhet një precedent i rrezikshëm për çdo pasuri kulturore të shtetit shqiptar.

Komisioni i Ligjeve - Foto nga Florian Abazaj
1 nga 5
Deputetja e PD, Ina Zhupa në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, Foto: Florian Abazaj

/a.f/r.e/

The post Zhupa kërkon ndryshime ligjore: Shteti të jetë garant i trashëgimisë kulturore, jo privati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ferdinand Deda, kompozitori dhe dirigjenti që i kushtoi jetën pentagramit

5 February 2026 at 08:00

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Kompozitori dhe dirigjenti i shquar Ferdinand Deda lindi më 5 shkurt të vitit 1941.

Rrugëtimi i tij jetësor 62-vjeçar do t’i dedikohej posaçërisht pentagramit. Me të mbaruar Liceun Artistik të Tiranës në vitin 1960, iu drejtua Konservatorit të Muzikës në Pragë, ku ndoqi studimet në disiplinën e dirigjimit.

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Ferdinand Deda, sikurse studente të tjerë jashtë vendit, u shtrëngua të braktiste studimet për t’i rimarrë ato në konservatorin e Tiranës. Prej auditorit, do t’i besohej të udhëhiqte orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Prej vitit 1964, Ferdinand Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore: 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në vitin 1997 Deda u shpall fitues i “Diskut të artë”, si edhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta më 24 gusht 2003.

/r.e/a.f/

The post Ferdinand Deda, kompozitori dhe dirigjenti që i kushtoi jetën pentagramit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mihal Grameno, figurë e shquar e atdhetarizmit

5 February 2026 at 07:40

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Më 5 shkurt 1931 ndërroi jetë Mihal Grameno.

Ishte një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.

Mihal Grameno lindi më 13 janar 1871, në Korçë. Pasi u shkollua në vendlindje, në 1885 mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh sekretar i Shoqatës “Drita”.

Në viti 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe mori pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit, për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, i vrarë nga grekët në Selanik.

Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 themeloi në Korçë Lidhjen Ortodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Mihal Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Mihal Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.

Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen “Koha” të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919.

U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës “Albania” që botonte A. G. Naçe në New York.

Pas një viti u kthye në Shqipëri. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt 1931.

Për meritat të posaçme në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.

/r.e/

The post Mihal Grameno, figurë e shquar e atdhetarizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Tano Banushi, emblema e humorit shqiptar

4 February 2026 at 12:40

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Më 4 shkurt te vitit 1927, lindi aktori i njohur i estradës shkodrane, Athanas Banushi, i njohur nga publiku si Tano Banushi.

I përkundur në djepin e kulturës, në Shkodër, Tano, nisi rrugëtim artistik në Teatrin “Migjeni”. Në një kohë fare të shkurtër, u shndërrua në një prej aktorëve më të parapëlqyer jo vetëm në vendlindje, por në mbarë vendin.

Aktori Tano Banushi numëron mbi 1000 role përgjatë një karriere rreth 45-vjeçare. Në morinë e interpretimeve spikati në mishërimin e shefave, brigadierëve dhe drejtorëve, pavarësisht kuadrit ideologjik të diktaturës komuniste, duke sprovuar shpeshherë kufijtë e disidencës.

Kapteri te “Prefekti” i Besim Lëvonjes, Llomoviti te “Fejesa” e Çehovit, marinari te “Tragjedia optimiste” e Vishnjevskit, si edhe Leo te komedia “Këshilli i ndrikullave” të Sheri Mitës, ishin disa prej roleve të tij më të suksesshme. Për merita të veçanta në mjeshtrinë e aktrimit, është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Artist i Popullit”.

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. E vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota. Ndërroi jetë më 7 gusht 1993.

The post Tano Banushi, emblema e humorit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

82-vjetori i masakrës së 4 Shkurtit

4 February 2026 at 12:06

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ 82 vjet më parë, në qytetin e Tiranës ndodhi një nga masakrat më të rënda në historinë e vendit.

Më 4 shkurt 1944, e konsideruar si një nga netët më të errëta për Tiranën, u shkaktuan 84 viktima dhe qindra të arrestuar, si pasojë e raprezaljes dhe bastisjes së befasishme nëpër shtëpitë e kryeqytetit, nga pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sipas të dhënave të cituara në raportin e Xhandarmërisë, dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve.

Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte regjimi gjerman i pushtimit. Organizatorë dhe drejtues të kësaj masakre ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit gjerman Xhaferr Deva, ministër i brendshëm dhe Xhelal Staravecka, komandant i Xhandarmërisë së Tiranës. Gjithsesi masakra nuk arriti ta ndalte luftën dhe qëndresën antifashiste të kryeqytetasve.

Pas masakrës së Borovës, 4 shkurti i 1944-ës është masakra më e madhe që popullsia shqiptare përjetoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

/r.e/a.f/

The post 82-vjetori i masakrës së 4 Shkurtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, libri i Sami Frashërit që shërbeu si gramatika e parë e shqipes

3 February 2026 at 10:32

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Përmes ciklit “Relike që rrëfejnë”, Muzeu Historik Kombëtar prezanton artefakte nga fondi i tij, për të rrëfyer historinë.

Një prej tyre është libri “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, të cilin Sami Frashëri e publikoi në vitin 1886 në Bukuresht. Vepra ishte botim i shoqërisë patriotike “Dëshira” dhe që shërbeu si gramatika e parë sistematike e gjuhës shqipe.

Ky vëllim prej 128 faqesh, me përmasa 173×117 mm, synonte sistemimin e rregullave të shkrimit dhe të folurit në një periudhë kur gjuha shqipe ende nuk kishte një normë të unifikuar arsimore.

Libri ka qenë pjesë e fondit të ekspozuar në Pavijonin e Rilindjes Kombëtare në Muzeun Historik Kombëtar, ku shërbente si dëshmi materiale dhe dokumentonte momentin historik kur shqipja nisi të shkruhej me rregulla të njëjta për të gjithë.

Libri nis me alfabetin, ku Sami Frashëri shpjegon sistemin grafik të Stambollit dhe shqiptimin e saktë të tingujve. Pjesa qendrore e veprës merret me morfologjinë, duke klasifikuar pjesët e ligjëratës si emrin, mbiemrin, përemrin dhe, në mënyrë më të detajuar, zgjedhimin e foljeve. Ai përcakton rregulla mbi lakimin e emrave dhe mënyrën se si formohen kohët e foljeve, duke u përpjekur të gjejë një mesatare mes dialekteve të shqipes.

Në fund, Sami Frashëri trajton elemente të sintaksës, duke shpjeguar ndërtimin e fjalisë dhe lidhjen logjike mes fjalëve. Përmbajtja përfshin edhe shpjegime mbi shenjat e pikësimit dhe rregullat e drejtshkrimit, të cilat ishin të domosdoshme për shkollat shqipe që po hapeshin në atë periudhë.

/a.f/r.e/

The post “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, libri i Sami Frashërit që shërbeu si gramatika e parë e shqipes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së

2 February 2026 at 16:14

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Kryeqytetit i shtohet një vendtakimi i të apasionuarëve pas kinematografisë, të cilët mund të ndjekin shfaqjet e kinemasë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Shfaqjet do të mund të shihen sipas një sistemi të ri tarifash, i cili do të vendoset për herë të parë për vizitorët dhe publikun.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i AQSHF-së, Eljan Tanini.

“Në kuadër të politikave nxitëse të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për turizmin kulturor, AQSHF po konsolidohet si një pol i vizitueshëm për studiues, dashamirës të kinemasë, profesionistë të fushës dhe turistë vendas e të huaj”, tha Tanini.

Përmes kinema “Drita”, vizitave të shpjeguara dhe programeve të posaçme, publiku do të ketë mundësinë të zbulojë nga afër trashëgiminë e filmit shqiptar dhe historinë e saj unike. Tarifat e reja dhe oraret e vizitave synojnë ta bëjnë këtë pasuri kulturore më të aksesueshme, duke e kthyer AQSHF-në në një hapësirë aktive dialogu mes arkivit, qytetit dhe publikut.

AQSHF thotë se çmimi i biletave për fëmijë deri në 18 vjeç do të jetë 100 lekë, ndërsa për publikun e rritur 200 lekë. /j.p/

The post Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platformë të re online për revistat shkencore

2 February 2026 at 14:27

TIRANË, 2 shkurt/ATSh/ Revistat shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh) tani gjenden në një platformë të re online.

AShSh njoftoi hapjen e faqes së re online të revistave shkencore, ku revistat janë të aksesueshme në një platformë të unifikuar dhe moderne. Faqja e re synon të rrisë aksesueshmërinë, transparencën dhe ndërkombëtarizimin e botimeve shkencore të akademisë, duke ofruar informacion të plotë mbi revistat, numrat e publikuar dhe thirrjet për artikuj.

AShSh e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të komunikimit shkencor dhe promovimit të kërkimit akademik shqiptar.

Faqja e re online është e ndërtuar në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Përmes linqeve ajo ofron akses në revistat: “Iliria”, “Albanian Journal of Natural and Technical Sciences”, “Studia Albanica”, “Antropologji”, “Studime Historike”, “Studime Filologjike”, “Candavia”, “Albanian Studies” dhe “Studime për Artin”.

https://journals-akad.gov.al/

/r.e/a.f/

The post Platformë të re online për revistat shkencore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Ligatinave

2 February 2026 at 12:15

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Ligatinave.

Ligatinat janë ekosisteme, në të cilat uji është faktori kryesor që kontrollon mjedisin dhe jetën bimore dhe shtazore që lidhet me të. Sipas OKB-së, një përkufizim i gjerë i ligatinave përfshin ekosistemet e ujërave të ëmbla dhe detare dhe bregdetare, siç janë të gjitha liqenet dhe lumenjtë, akuiferët nëntokësorë, kënetat, kullotat e lagështa, tokat me torfe, oazet, grykëderdhjet, deltat dhe fushat e baticës, mangrovët dhe zonat e tjera bregdetare, shkëmbinjtë koralorë dhe të gjitha vendet e krijuara nga njeriu siç janë pellgjet me peshq, fushat e orizit, rezervuarët dhe kriporet.

Këto toka janë kritike për njerëzit dhe natyrën, duke pasur parasysh vlerën e brendshme të këtyre ekosistemeve.

Edhe pse mbulojnë vetëm rreth 6% të sipërfaqes tokësore të Tokës, 40% e të gjitha specieve bimore dhe shtazore jetojnë ose shumohen në ligatina. Biodiversiteti i ligatinave ka rëndësi për shëndetin, furnizimin me ushqim, për turizmin dhe për vendet e punës.

Ligatinat janë jetësore për njerëzit, për ekosistemet e tjera dhe për klimën, duke ofruar shërbime thelbësore të ekosistemit, të tilla si rregullimi i ujit, duke përfshirë kontrollin e përmbytjeve dhe pastrimin e ujit.

Më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën varen nga ligatinat për jetesën e tyre, pak a shumë një në tetë njerëz në planet.

/a.f/r.e/

The post Dita Botërore e Ligatinave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore

2 February 2026 at 10:05

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Marigo Pozio është figura historike që përveç Ismail Qemalit, lidhet më së shumti me ditën e pavarësisë, duke u kujtuar si zonja që qëndisi flamurin kombëtar. Por Pozio ishte gjithashtu një intelektuale dhe patriote.

Marigo Pozio lindi më 2 shkurt 1878 në Hoçisht të Korçës. U arsimua në Mësonjëtoren e Parë dhe te shkolla e motrave Qiriazi. Njëkohësisht u bë mjeshtre e qëndisjes së simboleve kombëtare dhe në shpërndarjen e abetareve dhe librave të parë shqip te vajzat e tjera të Korçës dhe rrethinave.

Gjatë këtyre viteve u martua me tregtarin Jovan Pozio. Për arsye tregtie, familjarisht u vendos në Vlorë në vitin 1904. Këtu filloi veprimtarinë e saj patriotike, duke u angazhuar për përhapjen e arsimit shqip dhe forcimin e vetëdijes kombëtare. Në vitin 1908 u themelua klubi “Labëria”.

Pozio u bë anëtare aktive e tij. Ky klub ishte një shoqatë kulturore dhe një qendër politike dhe intelektuale, që luajti rol vendimtar në përgatitjen e terrenit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Marigo Pozio u shqua gjithashtu si nismëtare e lëvizjes për emancipimin e gruas. Në vitin 1914, themeloi shoqërinë e parë të grave në Vlorë dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare”. Përmes kësaj gazete, ajo pasqyronte aktivitetet e shoqërisë, botonte artikuj edukativë dhe bënte thirrje për angazhimin e grave në jetën publike, duke mbrojtur të drejtat e tyre.

Gjatë viteve të vështira të luftës, Marigo Pozio udhëhoqi misione humanitare në ndihmë të luftëtarëve dhe refugjatëve, duke u bërë shembull i patriotizmit dhe humanizmit shqiptar.

U nda nga jeta në Tiranë, më 23 shkurt 1932.

/a.f/r.e/

The post Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulejman Pitarka, mjeshtri i skenës dhe ekranit shqiptar

2 February 2026 at 10:01

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Më 2 shkurt 1924 lindi në Dibër aktori i mirënjohur i skenës dhe i ekranit, Sulejman Pitarka.

Përvojat e para skenike të Pitarkës ishin sporadike. Gjatë shërbimit ushtarak në vitet 1945-1947, u përfshi në lëvizjen amatore të Durrësit, qytet ku familja e tij ishte shpërngulur qëkurse Sulejmani ishte në moshën 3-vjeçare. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Bëhet pjesë e Teatrit Popullor në vitin 1951 dhe spikat menjëherë me rolin e tij në komedinë “Prefekti” dhe dramën “Halili dhe Hajrija”.

Ai ka luajtur me sukses 70 role në teatër dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”.

Midis viteve ’50-’60, interpretoi në tri vepra të Shekspirit: “Otello”, “Gratë gazmore të Uindsorit” dhe “Hamleti”. Pitarka pati sukses dhe në rolet në veprat e dramaturgjisë shqiptare si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Karavidhet”, “Zonja nga qyteti” etj. Roli i tij i fundit në teatër ishte në dramën “Pjata e drunjtë”, në vitin 2005, një shfaqje mjaft e njohur dhe e dashur për publikun.

Sulejman Pitarka mbahet mend në petkun e Zheleznovit në filmin “Ballë për ballë” (1979), të Xha Avdiut te “Gjeneral gramafoni” (1978), të Xha Lipes te “Pas gjurmëve” (1978) dhe të gjeneralit te “Gunat përmbi tela” (1977), ku u vlerësua nga kritika për portretizimin origjinal të personazheve.

Për meritat e tij artistike, Pitarkës i janë akorduar titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta më 24 mars 2007.

/a.f/r.e/

The post Sulejman Pitarka, mjeshtri i skenës dhe ekranit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimet e Kongresit të Lushnjës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë

31 January 2026 at 08:05

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kongresi i Lushnjës, një nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar, i mbylli punimet më 31 janar të vitit 1920.

Qëllimi i mbajtjes së këtij kongresi ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike: ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

/j.p/r.e/

The post Vendimet e Kongresit të Lushnjës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave është miratuar fjalësi përfundimtar i projektit “Enciklopedia shqiptare”.

Me këtë miratim u përmbyll procesi i hartimit të fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, për të kaluar në fazën e përcaktimit të madhësisë së artikujve e të autoreve deri në fund të marsit e pas kësaj fillon shkrimi i artikujve. Gjatë kësaj kohe, do të evidentohen dublimet në fjalës dhe do të sistemohet alfabetikisht e tërë lënda.

Miratimi u bë në mbledhjen e përbashkët, në Tiranë, mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, falënderuan redaktoret e redaksive Tiranë-Prishtinë për bashkëpunimin, përgatitjen e takimit, dhe përgatitjen e materialeve përcjellëse.

Në takim ishin të pranishëm akad. Shaban Sinani, akad. Marenglen Verli, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Sabri Hamiti, akad. Fejzulla Krasniqi, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Ajula Jubani, prof. dr. Valbona Toska, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, Andreas Dushi dhe koordinatoret Drisela Diamanti e Enkelejda Misha.

Akad. Skënder Gjinushi u shpreh se materiali ishte përgatitur në zbatim të detyrave e rekomandimeve të përcaktuara nga redaksia qendrore në dy mbledhjet e mëparshme për paraqitjen dhe shqyrtimi e fjalësve përfundimtarë.

The post Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist

30 January 2026 at 11:47

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi (1891-30 janar 1961).

Tasi lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të SHBA, ku bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet edhe me gazetën “Dielli”.

Akile Tasi u kthye në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizoi bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe e drejtoi këtë institucion deri në vitin 1941.

U zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe u caktua drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.

Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 u arrestua nga partizanët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.

Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërroi jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës. /j.p/

The post Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”

30 January 2026 at 10:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.

“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.

Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.

Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.

“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare

30 January 2026 at 10:12

 

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi në 100-vjetorin e lindjes kompozitorin Tish Daija duke e cilësuar si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.

“Tish Daija ishte kompozitor, akademik, pedagog dhe krijues vizionar, që vendosi gurë themeli në artin skenik e simfonik kombëtar”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Me një krijimtari të jashtëzakonshme, nga baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, te operat, operetat, veprat simfonike, muzika e filmit dhe muzika e lehtë, Tish Daija ndërtoi ura mes folklorit burimor dhe shprehjes bashkëkohore, duke i dhënë muzikës sonë identitet, dinjitet dhe një përmasë ndërkombëtare.

Tish Daija ka qenë edhe drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe pedagog formues i brezave të tërë artistësh, duke mbetur pishtar i trashëgimisë dhe i shijes artistike shqiptare.

“Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me mirënjohje përpara veprës së tij madhore, që vijon të frymëzojë, të edukoje dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në skenat e botës”, u shpreh kreu i MTKS-së. /j.p/

The post Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare

30 January 2026 at 08:19

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Më 30 janar të vititi 1926 lindi Tish Daija (1926-2003), kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tish Daija lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Fillimet kompozicionale i pati me disa këngë me stil popullor (“Çike, o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të cilat ndikoheshin nga muzika qytetare shkodrane. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar.

Tish Daija kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, madje edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën me këngët “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.

Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

/j.p/r.e/

The post Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

29 January 2026 at 15:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

“Projekte interesante u paraqitën edhe për muzeun e ri të qytetit, një hapësirë që do të kontribuojë në rritjen e turizmit dhe do të sjellë më shumë vizitorë vit pas viti”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ky takim vjen pas vendimit se MTKS do të investojë rreth 1.4 milion euro për rijetësimin e kinemave në vend, gjatë vitit 2026.

Synimi është të rikthehet magjia e filmit tek publiku anekënd vendit. Pritet që, 7 salla kinemaje të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.

/j.p/

The post Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌