Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Kosova në Bordin e Paqes, Osmani: Besoj në udhëheqjen e presidentit Trump për të sjellë paqe

23 January 2026 at 20:01


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova e mbështet fuqishëm nismën e Bordit të Paqes, duke theksuar se përvoja e vendit në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes mund të shërbejë si shembull për botën.

Deklarata e Osmanit u bë para mediave ndërkombëtare pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe bashkëthemeluesve të tjerë të kësaj nisme.

Osmani theksoi se Kosova vjen nga një përvojë e dhimbshme lufte dhe se paqja që sot gëzon vendi është rezultat i mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së.

“Duke ardhur nga Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta, dhe që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë krah Presidentit Trump në këtë nismë të re,” tha Osmani.

Ajo potencoi se beson fuqishëm në udhëheqjen amerikane dhe në qëllimin e Bordit të Paqes për të arritur rezultate konkrete. “Besoj fuqishëm në lidershipin e presidentit Trump dhe ekipit të tij. Kjo është për të shpëtuar jetë”, tha Osmani, duke shtuar se gjenerata e saj është rritur si “fëmijë lufte”.

Presidentja e Kosovës deklaroi se Kosova ka mbi 20 vjet përvojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe në proceset e ndërtimit të shtetit.

“Kosova është një nga ato shembujt ndriçues që mund të ofrojë praktikat më të mira për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes,” tha ajo.

Duke folur për rolin e organizatave ndërkombëtare, Osmani theksoi se procedurat komplekse të vendimmarrjes në Kombet e Bashkuara e kanë bërë të vështirë arritjen e paqes, ndërsa Bordi i Paqes synon një qasje më të drejtpërdrejtë.

“Me këtë organizatë të re, jam e bindur se paqja mund të çojë përpara përmes një procesi vendimmarrjeje më pak kompleks,” tha Osmani. Ajo sqaroi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë OKB-në, por të punojë së bashku me të.

“Në rajonin tonë, OKB-ja ka pasur rol kryesisht në ruajtjen e paqes, ndërsa kur ishte fjala për arritjen e paqes, udhëheqja erdhi nga Shtetet e Bashkuara,” deklaroi presidentja.

Vjosa Osmani potencoi se Kosova sot është një vend i sigurt dhe se përvoja e saj mund të kontribuojë në përpjekjet globale për paqe. “Sipas organizatave ndërkombëtare, Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë,” tha ajo, duke shtuar se “jeta e njerëzve është në qendër të kësaj nisme”.


Vendosja e flamurit shqiptar në Komunën e Preshevës, Rexhepi përndiqet penalisht nga Serbia

23 January 2026 at 19:42


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, njoftoi se ka marrë sot një ftesë nga gjykata lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionin zyrtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Rexhepi theksoi se kjo është një dëshmi e presionit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë.

“Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, shkruan ai.

Rexhepi riafirmoi vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e komunitetit shqiptar në rajon, pavarësisht sfidave institucionale.


Armë “made in Albania” brenda vitit 2026

23 January 2026 at 19:28


Brenda vitit 2026, Shqipëria do të nisë prodhimin e armëve “Made in Albania”.

Qeveria shqiptare ka nisur prezantimin e projektligjit në komisionet parlamentare, ku ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri njoftimin zyrtar.

Aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë. Këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile.

Ministri i Mbrojtjes bëri me dije gjithashtu se negociatat për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit janë në fazën përfundimtare dhe po zhvillohen në bashkëpunim me gjigantin italian “Fincantieri”.

Sipas qeverisë, synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate./Tv Klan

Specialja deklarohet sërish: Ligjëratat janë informative, nuk përfshijnë përmbajtje politike apo ideologjike

23 January 2026 at 19:04


Në një deklaratë publike, Gjykata Speciale ka dhënë një sqarim për ligjëratën e bujshme në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë të enjten. Një ditë më parë në këtë shkollë të kryeqytetit, Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), mbajti një aktivitet që sipas organizatës kishte qëllim informimin e qytetarëve për Gjykatën Speciale.

Ngjarja nxiti reagime. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare e cilësoi si “përpjekje për të kontrolluar dëmin ndaj imazhit të rënduar” të Dhomave të Specializuara. Sipas OVL UÇK-së, aktiviteti ishte i ngjashëm me pushtetin e ish-Jugosllavisë që pas protestave mbante mbledhje për t’i përgatitur qytetarët psikologjikisht që t’i pranojnë dënimet.

“Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”, është thënë nga OVL-UÇK-ja. Edhe Komuna e Prishtinës reagoi duke paralajmëruar masa. Ajo vlerësoi se ligjërata është mbajtur pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit. Nga shkolla kanë thënë se asnjë zyrtar i gjykatës nuk ka mbajtur ligjëratë, por se ishte e YIHR-së. Edhe kjo organizatë ka thënë se aktiviteti ishte për prezantim të informatave bazike dhe publike mbi Dhomat e Specializuara.

Ngjashëm ka reaguar edhe Gjykata Speciale të premten pasdite. Ajo ka thënë se që prej vitit 2018 organizohen aktivitete të tilla komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në Kosovë.

“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë. Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas njoftimit, informacionet që jepen në këto aktivitete janë të njëjta me ato që gjenden online. Aty thuhet po ashtu se prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet në aktivitete.

“DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim”, thuhet në njoftim.

OEGJK propozon agjendë strategjike për zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitin 2026

23 January 2026 at 18:39


Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK / KDWV) ka riafirmuar përkushtimin e saj për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, duke prezantuar një paketë rekomandimesh strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë vitit 2026.

OEGJK bën të ditur se, përmes rrjetit të saj prej mbi 200 kompanish anëtare, këshillon, mbështet dhe përfaqëson interesat e kompanive gjermane që operojnë ose synojnë të operojnë në Kosovë, si dhe kompanive kosovare që bashkëpunojnë me tregun gjerman, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe duke promovuar investime të reja.

Sipas Odës, prioritet kryesor mbetet rritja ekonomike, integrimi evropian dhe përmirësimi i klimës së biznesit në Kosovë. Në këtë kuadër, OEGJK ka identifikuar disa shtylla kryesore strategjike për vitin 2026, të bazuara në kërkesat e anëtarëve, bashkëbisedimet me investitorë gjermanë dhe përvojën praktike në ekonominë kosovare.

Në fushën e promovimit të tregtisë, investimeve dhe diplomacisë ekonomike, OEGJK rekomandon krijimin e mekanizmave të dedikuar investivë, përfshirë fonde të specializuara dhe instrumente financiare të garantuara nga shteti, si dhe themelimin e një “One-Stop Shop” për investitorët strategjikë. Fokus i veçantë kërkohet në sektorë si ICT, BPO, energjia e ripërtëritshme dhe industria kreative.

Në aspektin e diplomacisë ekonomike, Oda thekson rëndësinë e forcimit të rolit ekonomik të ambasadave të Kosovës, emërimit të atasheve ekonomikë dhe përfshirjes aktive të diasporës, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian, për rritjen e eksporteve dhe investimeve.

Sa i përket klimës së biznesit dhe digjitalizimit, OEGJK vlerëson si jetike integrimin e Kosovës në marrëveshjet ndërkombëtare të transportit, lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare dhe avancimin e sovranitetit digjital përmes sigurimit të domenit të nivelit të lartë (TLD) për Kosovën.

Në kuadër të reformave administrative dhe infrastrukturës ekonomike, Oda propozon uljen e barrës administrative për bizneset, digjitalizimin e procedurave doganore, përmirësimin e logjistikës dhe rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-Social, si parakusht për dialog social funksional dhe integrim evropian.

Në fushën e arsimit dhe tregut të punës, OEGJK thekson nevojën urgjente për zhvillimin e arsimit profesional dhe zgjerimin e sistemit dual, duke u bazuar në përvojën gjermane, për të përgatitur fuqi punëtore të kualifikuar dhe për të reduktuar migrimin e të rinjve.

Në fund, Oda nënvizon rëndësinë e dialogut publiko-privat, duke kërkuar përfshirje më të hershme dhe të strukturuar të sektorit privat në hartimin e legjislacionit ekonomik, si mënyrë për rritjen e cilësisë së politikave publike dhe besimit të investitorëve.

OEGJK vlerëson se zbatimi i këtyre rekomandimeve do të kontribuonte drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës dhe në forcimin e partneritetit strategjik Kosovë–Gjermani./Telegrafi/

Dhunuan policen brenda komisariatit, arrestohen dy vajza në Tiranë

23 January 2026 at 17:54


Një efektive policie ka rënë pre e dhunës brenda ambienteve të komisariatit nga dy vajza. Sipas njoftimit të Policisë, 38-vjeçarja M. A. dhe 29-vjeçarja R. A. janë arrestuar pasi kanë dhunuar oficeren e Policisë brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Sipas Policisë, efektivja është dhunuar për shkak të detyrës, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e ngjarjes.

Njoftimi i Policisë

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetaset M. A., 38 vjeçe, dhe R. A., 29 vjeçe, pasi dyshohet se në hyrje të ambienteve të komisariatit kanë goditur një oficere policie për shkak të detyrës së saj”, njofton policia.

Ibrahimi: Operacioni në Prizren, më i madhi që ka realizuar Policia e Kosovës ndonjëherë

23 January 2026 at 17:51


Zëvendësdrejtori i Drejtorisë të Krimeve Ekonomike, Luan Ibrahimi tha se ky operacion ka qenë prej më të mëdhatë që ka realizuar Policia e Kosovës.

“Jemi angazhuar në të marrë informacionet për keqpërdorime, gjithashtu edhe me tu pajisur me autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, edhe përkundër vështirësive që kemi pasur për shkak se ky ka qenë një prej operacioneve ndoshta më të mëdha që ka realizuar Policia e Kosovës".

"Ne jemi përgatitur, jemi mobilizuar në koordinim me Prokurorinë edhe drejtorinë rajonale dhe siç shihet ja kemi arritur qëllimit që të parandalojmë edhe t’i arrestojmë personat të cilët kanë keqpërdorur me vota, të cilët kanë ndikuar, kanë kërcënuar ose kanë dhënë ryshfet dhe kanë dhënë ryshfet lidhur me votimin e fundit që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ai.

Lidhur më atë se a janë intervistuar ndonjë kandidatë për deputetë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se deri tani janë intervistuar kryesisht komisionerët dhe ata që kanë keqpërdorur me votat drejtpërdrejt, por shtoi se edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen.

Policia e Prokuroria me detaje për aksionin në Prizren, u angazhuan 200 zyrtarë policorë

23 January 2026 at 17:22


Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, pas informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Policisë dhe Prokurorinë Themelore, për dyshime për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me cenimin e të drejtave të votimit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit të personave të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, “Kanosja” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, janë ndaluar për 48 orë gjithsej 109 persona.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Në këtë aksion janë angazhuar katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth 200 zyrtarë policorë.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./Telegrafi/


Elezi: Do të vlejë rezultati i rinumërimit dhe jo i Qendrave Komunale të Numërimit

23 January 2026 at 16:40


Pas vendimeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve ku më 28 dhjetor u zhvillua votimi i rregullt në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dilemat se cili rezultat do të konsiderohet përfundimtar: ai i dalë nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit apo nga procesi aktual i rinumërimit?

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se është nën kompetencë të këtij institucioni të vendosë për rinumërimin e vendvotimeve apo qendër numërimi dhe për rrjedhojë, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare zgjedhore do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit.

Për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, KQZ vendosi pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komuna të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep të drejtë KQZ-së për të vendosur rinumërimin e votave në cilindo vendvotim apo qendër të numërimit. Në këtë drejtim, KQZ ka zbatuar ligjin, andaj se cili rezultat do të vlejë pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, është e qartë: në rezultate përfundimtare do të përfshihen të dhënat apo rezultatet që dalin nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi që është zhvilluar në Qendra Komunale të Numërimit”, tha Elezi.

Ndërkohë, edhe të premten, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërim i vendvotimeve.

“Nga 13 janari, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfshin rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh. Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, janë rinumëruar më shumë se 50% e vendvotimeve, në të cilat më 28 dhjetor është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor”, tha Elezi.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi./KosovaPress

Osmani nga Davosi: Liberalizimi i vizave me Singaporin, hapi i radhës

23 January 2026 at 16:28


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Davos me Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, duke vazhduar dialogun e nisur në takimin e tyre të parë në Singapor.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani bëri të ditur se u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Singaporit, si dhe mundësitë konkrete për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.

Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, Presidentja Osmani propozoi që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm që do të forconte bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe do t’i afronte më shumë popujt e tyre.

"Pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, Presidentja Osmani propozoi që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës", ka shkruar tutje Osmani.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe organizimi i një forumi të përbashkët ekonomik, si dhe hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë./Telegrafi/


Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, ShKShMK apelon për kujdes maksimal

22 January 2026 at 23:49


Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar për rrezik të shtuar nga ortekët në zonën e Brezovicës, pas raportimit të një aksidenti orteku të ndodhur sot në një zonë jashtë shtegut të rregulluar.

Sipas njoftimit, orteku është iniciuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime trupore.

ShKShMK bën të ditur se më 18 janar 2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, teknikët e kërkim-shpëtimit kanë identifikuar dy shtresa problematike të borës.

Shtresa më shqetësuese, sipas tyre, është ajo bazë mbi vegjetacion, e njohur si “Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar”.

Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, të cilat kanë rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta ekzistuese. Bazuar në vlerësimin aktual, ky kombinim faktorësh ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.

Qytetarëve u rekomandohet që të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, të përdorin pajisje adekuate të sigurisë dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme./Telegrafi/


Pas lirimit nga burgu serb, Haziri apelon: Mos kaloni përmes Serbisë

22 January 2026 at 23:33


77-vjeçari Hazir Haziri nga Podujeva është liruar mbrëmë nga burgu në Serbi, ku ishte mbajtur për rreth katër muaj, ndonëse ndaj tij nuk ishte vërtetuar asnjë vepër penale. Ai ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet serbe pa arsyetim të qartë dhe, sipas familjarëve, ishte mbajtur padrejtësisht në paraburgim.

Haziri ishte dërguar në një nga burgjet qendrore në Serbi, ku, siç rrëfen vetë ai, ishte përballur me kushte të rënda dhe provokime nga të burgosur të tjerë. Ai ka treguar se për shkak të këtyre rrethanave, për një periudhë të gjatë kishte shmangur daljen nga qelia.

Pas lirimit, Haziri sot ka rrëfyer përjetimet e tij në prani të familjarëve dhe miqve, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë të vështirë. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe përkrahur gjatë kësaj kohe, përfshirë Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd.

Sipas tij, përvoja e gjeneratës së tij, e cila gjatë viteve ’60 e deri në vitin 2000 ka vuajtur dënime të gjata në burgjet serbe në kushte të rënda, i ka dhënë forcë për ta përballuar paraburgimin.

Haziri ka treguar se, edhe në ditët e fundit të qëndrimit në burg, ishte informuar se do të vazhdonte të mbahej për shkak të pretendimeve lidhur me një telefon dhe një ekspertizë, por se mbrëmë është njoftuar papritur për lirimin e tij, gjë që fillimisht nuk e kishte besuar.

Pas lirimit, Hazir Haziri ka apeluar tek qytetarët shqiptarë që të shmangin kalimin tranzit përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimeve dhe arrestimeve pa bazë./RTK

Yesterday — 22 January 2026Main stream

Hatërmbetja me Rugovën, Berisha: S’isha dakord me rrugën paqësore, duheshin demonstrata

22 January 2026 at 22:22


Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka folur për raportet që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.

Sali Berishës iu shtrua pyetja se pse udhëheqësit e Shqipërisë kanë pasur gjithnjë prirjen për t’i treguar Kosovës si duhet të veprojë.

Analisti Albatros Rexhaj tha se Berisha dhe Rugova kanë qenë gjithnjë idhujt e tij në politikë, por i shprehu liderit të PD se presidenti i Kosovës kishte hatërmbetje me të.

Berisha nuk e fshehu dhe e konfirmoi se ftohja mes tyre, përtej vlerësimit për të ishte rruga paqësore që zgjodhi Rugova, kur sipas tij duheshin demonstrata për zgjedhjet e Jugosllavisë.

Albatros Rexhaj: Unë e mbaj mend presidentin që ka pasur një hatërmbetje jo të vogël me ju për atë këshillë që ne të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhjet e Jugosllavisë në ’96.

Sali Berisha: A kishte një ftohje në ’96? Absolutisht po! Ke të drejtë, nuk e mohoj. Pse ishte ftohja? Unë nuk isha dakord për statusquo-në. Pse nuk isha dakord? Imagjino, ne mbetëm jashtë Dayton-it. Dayton u bë, ne nuk u përfshimë. Për fat të keq, Milosheviçi doli më i fuqishmi që bëri marrëveshjen. Unë kam shprehur vlerësimet për Ibrahim Rugovën, e kam thënë dhe e them, ishte gjeni në politikën shqiptare, por rruga paqësore qëllimet nuk mund t’i realizonte. Unë kam qenë për demonstrata, në mënyrë absolute, asnjëherë për zgjedhje.

Osmani tregon pse e përfaqësoi ajo Kosovën në "Bordin të Paqes" e jo Kurti

22 January 2026 at 22:10


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të ‘Bordit të Paqes’ në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën.

Në një lidhe direkte për Top Channel, nga Davosi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndau detajet nga ceremonia e Bordit të Paqes si dhe foli për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump.

E pyetur se çfarë u tha në bisedën që ajo pati me presidentin amerikan Donald Trump, Osmani tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë i përcolli një mesazh për Kosovën dhe shtoi se ishte një bisedë shumë pozitive që nisi në samitin e OKB në shtator.

Sakaq Osmani sqaroi se pse e përfaqësoi ajo Kosovën dhe jo kryeministri, Albin Kurti duke shprehur se kushtetuta e Kosovës parasheh që politikën e jashtme e udhëheq presidenti, megjithatë ajo theksoi se aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes ishte fitore edhe për të edhe për kryeministrin.

Patët një bisedë me presidentin Trump gjatë ceremonisë, çfarë u tha në atë bisedë?

Ishte një bisedë shumë pozitive për Kosovën dhe për qytetarët e saj, ka qenë një bisedë që ka filluar në samitin e OKB-në Nju Jork më 28 shtator.

Pse e përfaqësuat ju Kosovën dhe jo kryeministri Albin Kurti?

Sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, sepse tek ne presidentja e udhëheq politikën e jashtme, edhe kryeministri është këtu në Davos, por ne i kemi detyrat e ndara. Megjithatë, sukseset i kemi të përbashkëta.

Ishit e ulur pranë presidentit, si u përcaktua kjo dhe pse zgjodhët ngjyrën e kuqe në veshje?

Ishin rregulla të përcaktuara nga SHBA edhe e uljes dhe e nënshkrimit, çdo rregull protokolli është caktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket ngjyrës së kuqe në veshje, është ngjyra ime e preferuar, një ngjyrë që e dua shumë.

Komandanti i KFOR-it diskuton me kryetarin e Mitrovicës për situatën e sigurisë

22 January 2026 at 21:53


Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, në ambientet e komunës.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë, si dhe për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e komunave.

Gjeneralmajor Ulutaş ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar se KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Telegrafi/



Bonus 260 euro/muaj për mjekët specialistë që transferohen në spitalet rajonale të Shqipërisë

22 January 2026 at 20:42


Në shërbimin spitalor në Shqipëri ka 12 300 punonjës shëndetësie, por sërish ka mungesë të mjekëve specialistë në spitalet rajonale.

Për këtë arsye është caktuar që mjekët specialistë, të cilët do të transferohen në spitalet rajonale, do të përfitojnë edhe një bonus prej 250 000 lekësh (rreth 260 euro).

Po ashtu është caktuar që, në mungesë të mjekëve të urgjencës, do të transferohen mjekë të QSH-së të sistemit parësor, raporton Tv Klan.

Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, ku është përcaktuar se mjekët specialistë, përveç pagës, do të trajtohen edhe financiarisht me një bonus mujor.

Ndërsa për spitalet rajonale dhe bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjekësor të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të urdhërojë kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

Prej vitesh mjeku i urgjencës po refuzohet nga të rinjtë, duke sjellë edhe mungesa të shumta në këtë shërbim jetik për pacientin.

Çdo vit janë afro 1 000 vende vakante për punonjës shëndetësie në vend, kryesisht në zonat e thella malore.

Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për të bërë rikonceptimin e plotë të të gjithë spitaleve rajonale në vend, për largësinë e tyre nga qendrat e banuara, shfrytëzimin e shtretërve dhe riorganizimin e shërbimeve që kryhen në këto spitale.

Kjo reformë, që do të prekë spitalet rajonale, do të bëjë të mundur riorganizimin e tyre sipas nevojave që ka popullata dhe profilizimin e institucioneve shëndetësore në shërbime të caktuara.

Studimi, në 7 vite Shqipëria humbi 28% të lumenjve

22 January 2026 at 20:07


“Zemra blu” e Europës po tkurret shpejt.

Shqipëria ka humbur 1,144 kilometra lumenj natyrorë nga 2018 deri më 2025-ën.

Këto janë gjetjet e studimit të kryer nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur.

Sipas ekspertes së mjedisit dhe drejtores së qendrës “Lumi”, Besjana Guri, kjo gjë vjen për shkak të ndërhyrjeve të pakontrolluara në lumenjtë e vendit.

“E gjithë kjo rrjedhje lumore, pra 28% më pak është futur nëpër tuba, është devijuar, është shfrytëzuar. Lumenjtë të cilët janë prekur nga ky zhvillim janë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Rastet ndoshta më shqetësuese ku dhe impakti mjedisor është më i madh dhe më i dukshëm, janë ato të Fanit dhe të Devollit”, u shpreh Besjana Guri, eksperte mjedisi.

Një shqetësim që ngrenë ekspertët është se dëmtimi i rrjedhës së lumenjve do të shtojë edhe fenomenet ekstreme, siç janë përmbytjet.

“Devijimi i lumenjve përveçse rrit thatësirën, ndryshon klimën, ndryshon biodiversitetin, pra kemi humbje të biodiversitetit”, tha ekspertja e mjedisit.

Studimi nënvizon si sukses shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars të vitit 2023, duke parandaluar rreth 40 hidrocentrale të planifikuara, por sërish ngre si shqetësim ndotjen në Vjosë.

“Vërtet kemi një park të mbrojtur ligjerisht. Ka disa hapa që janë ndërmarrë, siç janë krijimi i një administrate, por jemi larg një menaxhimi konkret në terren sepse vërtet kemi problematika që qëndrojnë aty siç është mbetja nga plastika, nga mos trajtimi i mbetjeve, ujërave të patrajtuara nga mbetjet e naftës… Këto janë gjëra që vërtetë nuk kanë gjetur zgjidhje dhe duhet të jenë prioritare për një park kombëtar, aq më tepër të një madhësie të tillë siç është Vjosa”, sqaroi ekspertja.

Sipas studimit, gjatësia e lumenjve në vendin tonë u tkurr nga 3,812 km linearë që ishin në vitin 2018, në 2,668 km linearë në vitin 2025./Klan News

Bislimi: Është arritur pajtim me Serbinë për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 19:50


(E plotësuar) - Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Besnik Bislimi në fund të takimit.

Marrëveshja u arrit pasi Peter Sørensen zhvilloi takime të ndara dhe të gjata me të dy kryenegociatorët.

Mbahet takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

Takimi trepalësh zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes.Mbahet takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

Ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialog.

Këtij i paraprinë takimet e gjata dhe të ndara që Sorensen i zhvilloi me Besnik Bislimin dhe më pas me Petar Petkoviqin, raporton RTK.

Tema e raundit të sotëm është jetësimi i komisionit për të pagjeturit.

Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur gjatë vitit 2024 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy here ndërsa takimet nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Sipas burimeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të diskutojnë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, të cilën e kanë miratuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023.

Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

22 January 2026 at 19:10


Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fadil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit./Telegrafi/

Nënshkrimi në Davos, Fetoshi i Octopus: Kosova pozicionohet në anën e historisë

22 January 2026 at 18:36


Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se nënshkrimi i Presidentes Vjosa Osmani në kuadër të Forumit të Davosit për nismën e “Bordit të Paqes” përbën një moment të rëndësishëm politik dhe strategjik për Republikën e Kosovës.

Sipas Fetoshit, në një sistem ndërkombëtar të paralizuar nga apetitet hegjemoniste të Rusisë dhe Kinës, iniciativa e presidentit amerikan Donald Trump paraqet një alternativë të domosdoshme për adresimin e konflikteve aktuale globale. Ai thekson se Kosova, si “viktima e parë” e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka legjitimitet moral dhe politik për të mbështetur këtë model të ri të përkushtimit ndaj paqes.

Fetoshi rikujton se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, kishte kapërcyer veton ruso-kineze, duke përfaqësuar një “shkelje” të legalitetit në funksion të legjitimitetit dhe mbrojtjes së vlerave universale.

Duke bërë analogji me rolin historik të Shteteve të Bashkuara si lidere e paqes dhe demokracisë, Fetoshi vlerëson se përpjekjet aktuale të presidentit Trump synojnë neutralizimin e kërcënimeve të reja gjeopolitike që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Sipas tij, pavarësisht konfigurimit final të Bordit të Paqes – qoftë si plotësim apo si sfidë ndaj Këshillit të Sigurimit – për Kosovën kjo nënkupton avancim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, rikonfirmim të subjektivitetit të barabartë ndërkombëtar dhe njohje të rolit të saj si faktor paqeje në Ballkan.

Fetoshi thekson se kjo nismë përbën edhe një goditje të rëndësishme ndaj narrativës së Serbisë, e cila vazhdon të përpiqet ta paraqesë Kosovën si burim destabiliteti në rajon.

Në fund, ai vlerëson se hezitimi i disa fuqive evropiane për t’iu bashkuar kësaj nisme reflekton frikë dhe dilema lidhur me institucionet ekzistuese ndërkombëtare, por nuk e zbeh rëndësinë e Bordit të Paqes, i cili, sipas tij, nxjerr në pah krizën e thellë të sistemit aktual ndërkombëtar dhe mungesën e vullnetit kolektiv për garantimin e paqes.

“Në këtë kontekst, Kosova edhe sot foli me gjuhën e aleatit të saj strategjik: stabilitet, partneritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare,” përfundon Fetoshi./Telegrafi/


❌
❌