Dy blloqe brenda LDK-së, përçarje e re apo ballafaqim politik i pashmangshëm?
Analistët kanë komentuar Kuvendin e LDK-së, Dobësia buron nga humbja zgjedhore, jo nga procesi i brendshëm.
Analisti politik Ylli Hoxha ka deklaruar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është më e dobët jo për shkak të Kuvendit partiak, por si pasojë e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Sipas tij, problemi kryesor i LDK-së lidhet me humbjen në zgjedhje dhe jo me mënyrën e organizimit të Kuvendit.
Hoxha ka vlerësuar se rizgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së nuk ka ardhur sepse ai ka qenë domosdoshmërisht opsioni më i mirë, por për shkak të mungesës së alternativave të tjera brenda partisë.
“LDK-ja është më e dobët jo për shkak të Kuvendit, por për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se Kuvendi mbetet një nga pikat më të forta të kësaj partie.
Sipas tij, LDK-ja është i vetmi subjekt politik në Kosovë që ka arritur disa herë t’i përballojë sfidat e lidershipit përmes votës, pa përçarje dhe pa përplasje të brendshme.
“Aty është çalimi dhe Kuvendi është pjesë e fortë e LDK-së, sepse megjithatë është i vetmi subjekt që ka arritur disa herë të ketë sfida të tilla të lidershipit dhe ta adresojë këtë çështje me votë”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka shtuar se Kuvendin e LDK-së nuk e sheh si dobësi, por si një mundësi për fillim të ri, rifillim apo vazhdim të punës.
Në të njëjtën linjë, analisti Kastriot Jahaj ka deklaruar se Kuvendi i LDK-së është thirrur për përgjegjësi dhe se votëbesimi për Lumir Abdixhikun është realizuar në një formë demokratike, përmes votimit të fshehtë, që u ka dhënë delegatëve liri të plotë për të vendosur.
Ai ka theksuar se çështjet lidhur me organizimin e Kuvendit janë adresuar nga vetë zyrtarët e LDK-së, ndërsa më shumë i ka bërë përshtypje reagimi, apo mungesa e reagimit, e disa figurave të larta të partisë, në veçanti e Avdullah Hotit, i cili kishte shpallur kandidaturën për kryetar.
Ndryshe nga Hoxha dhe Jahaj, analisti Sadri Ramabaja ka vlerësuar se Kuvendi përfaqëson më shumë një lloj ngushëllimi për LDK-në, ndërsa humbja e 28 dhjetorit ka qenë një tronditje e thellë për këtë parti.
“28 dhjetori është tronditja e thellë që ka prodhuar pastaj të gjitha këto të tjerat”, ka deklaruar Ramabaja.
Sipas tij, Kuvendi ka dëshmuar se LDK-ja ndodhet në një krizë të thellë, e cila nuk është më vetëm identitare, por ka marrë edhe karakter strukturor dhe organizativ. Ai ka shtuar se brenda LDK-së janë kristalizuar dy blloqe të fuqishme politike: blloku i “të vjetërve”, që sipas tij ka pasur prirje për bashkëpunim me PDK-në, dhe blloku i “të rinjve”, të cilët angazhohen për një pozicion politik më të qartë “as–as”./Telegrafi/
- YouTube youtu.be
