Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

20:19 Rama kritikon ashpër RTSH-në: Duhet të reformohet ose të mbyllet përkohësisht

By: Monika
16 January 2026 at 20:19

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Radio Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), duke vënë në pikëpyetje funksionimin dhe cilësinë e shërbimit të tij.

Rama tha se personalisht nuk e ndjek televizionin publik që prej vitit 1990 dhe se nuk ka marrë ndonjë informacion të drejtpërdrejtë nga kanali.

Kryeministri u shpreh se ka kërkuar mbylljen përkohshme të RTSH-së, teksa theksoi se RTSH duhet të bëjë reformë para se të rikthehet në transmetim.

“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje.

Kemi një kanal atje. Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televizionin publik ishte para vitit 1990, para përmbysjes, kur thonin ishin ca protesta. Që atëherë, unë nuk i kam parë. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam parë.

Duhet ndarë mendja, drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazhi: ‘Shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama të gjithë i kam takuar pasi janë zgjedhur.

I kam thënë vetëm një gjë, mbylleni. Nxirrni në ekran: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar. I kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’. Të bëjnë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera, me më shumë pak buxhet marrin më shumë sukses. Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë çdo ditë.

E duan të drejtën e FSHF-së për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares sepse Kombëtarja duhet të transmetohet në televizionin publik, por lekët nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve.

Mendoj se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë”,-tha Rama./mxh

18:58 “Të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës”, Berisha: PD do të bëjë analizë për anëtarët dhe drejtuesit që nuk punuan gjatë fushatës

By: Monika
16 January 2026 at 18:58

Last Updated on 16/01/2026 by Monika

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, Partia Demokratike do të bëjë analizën e saj ku do të evidentohen dhe ata anëtarë apo drejtues që nuk kanë punuar gjatë fushatës, për qejfmbetje se nuk ishin në lista.

Berisha tha se kush ka bashkëpunuar me kundërshtarin le të shkojë tek partia e krimit.

“Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit.

Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë. Të tjerë, të tjerë, të cilët zemërimi, prish se jeni këtu. Zemërimi, nuk i lejoi të ngrihen mbi zemërimin e tyre dhe të gjejnë forca të angazhohen në betejën në fushatë elektorale’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Çështja e dytë, jashtëzakonisht e rëndësishme. Se ne nuk kemi më luksin. Nuk kemi më asnjë mundësi që të ndjekim një lloj axhende me çështje një nga një. Jo. Jemi në emergjencë. Jemi në emergjencë të vërtetë. Ndaj dhe ne duhet të, duhet të vendosim që të gjithë rrugëtimin tonë ta kemi shumë planshe.

Partia Demokratike është një parti e madhe. Me votimet e saj, me votimet e saj pra që kanë marrë pjesë në pesë vitet e fundit, në tërësi janë mbi 40.000 anëtarë dhe anëtare që kanë ardhur dhe kanë votuar. Ka patur normal, siç ka, siç është fluksi i popullsisë, i popullatës dhe fluksi i anëtarësisë tonë, kanë emigruar, janë larguar, por në tërësi, në tërësi votimet tregojnë pak a shumë këto shifra.

Ndërkohë, si në çdo parti tjetër ka një numër, një përqindje të caktuar anëtarësie që quhet anëtarësi e fjetur, e cila nuk ndjek, nuk ndjek me disiplinë procedurat në parti, votimet e të tjerë, por ajo ekziston. Tani, ne shkojmë drejt zgjedhjeve, se jemi, ne do bëjmë analizat. Në këto rrethana që jemi ne do bëjmë patjetër analizën.

Do bëjmë analizën sepse është e domosdoshme analiza për ne. Është e domosdoshme për të nxjerrë secili nga ne përgjegjësitë, mësimet, përmirësimet, kritikat, qëndrimet. Nuk jemi ne kurrë ata që i shmangemi të vërtetave dhe realitetit. Në asnjë rrethanë. Dhe në qoftë se kjo nuk u fillua për disa muaj, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj prapë para jush, kishte vetëm një shkak.

Betejën e egër që po zhvillohej midis nesh dhe qeverisë shqiptare që bënte çdo gjë për të mashtruar, deformuar, ndryshuar raportin ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit. Kurse ne luftonim në kushte shumë të pabarabarta, por vetëm me fakte dhe me të vërteta, në mënyrë që ai raport të mos ndryshojë dhe është në nderin e atij ekipi dhe të atij drejtuesi dhe atyre drejtuesve të, të delegacioneve parlamentare dhe jo parlamentare të institucioneve ndërkombëtare, që raportin jo që nuk e ndryshuan, por përkundrazi, e plotësuan me një seri, me një, me një shumësi dokumentesh që ne i furnizuam në mënyrë të vazhdueshme, dokumente të pakundërshtueshme.

Kështu që në fund, Edi Rama që priste me çdo kusht që ato, ato zgjedhje të quheshin më të mirat se më parë, apo të quheshin kështu apo ashtu, ngeli me duar bosh, u turpërua, siç është, se turp s’ka ai, një deklaratë e bërë, përgënjeshtruar brenda 24 orëve dy herë si e pavërtetë nga një lobist i tij. Ndaj dhe tani, kjo ka qenë shkaku.

Tani ne jemi parti e mendimit të lirë, parti e hapur, parti që bëjmë gjithçka për korrigjimet, për përmirësimin, për ripërtëritjen, për zgjerimin e radhëve. Natyrisht, në këtë analizë që do bëhet, individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike.

Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë. Të tjerë, të tjerë, të cilët zemërimi, prish se jeni këtu. Zemërimi, nuk i lejoi të ngrihen mbi zemërimin e tyre dhe të gjejnë forca të angazhohen në betejën në fushatë elektorale. A pati të tillë? Pati.

Nuk mund të themi që s’pati. I kemi të, janë të dokumentuar. Edhe këta të na falin, por të na falin, por në poste drejtuese nuk do mund të pretendojnë ata. Po ti je nënkryetar partie, ke qenë nënkryetar partie dhe tani më thua mua që thua që unë nuk punova në fushatë. Po si s’punove ti në fushatë? Apo pse s’e pate emrin tënd në listë, s’punove në fushatë ti?

Çfarë, ti nuk dole dot mbi zemërimin tënd, kupton apo jo? Prandaj të lutem, merr një pauzë, qetësohu, je, mbetesh ti, po mendo njëherë, se nuk të ka borxh partia ty, edhe gabim po të ketë bërë, se unë nuk them se ka patur një drejtësi maksimale në, në, në përcaktimin e listave e të tjerë e të tjerë.

Po dhe gabim, ti s’mund të reagojë kurrë me një indiferencë, sikur nuk po zhvillohet në një kohë kur ishte e gjithë, e gjithë anëtarësia jote në betejë. Edhe këta, aq sa janë, nuk janë shumë, u them që tani, jepni dorëheqje.

Në të mirën tuaj, nuk do zgjidhin në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen. Sepse nuk ju ka, nuk dolët dot mbi zemërimin ju. Ndaj dhe kjo, kjo analizë, pra bëhet me qëllimin më të mirë, për të ripërtërirë forcat, për të ripërtërirë drejtimet në Partinë Demokratike. Por kjo nuk mund të bëhet, nuk mund të marri kurrë, nuk mund të marri kurrë karakterin që duam, në qoftë se ne nuk verifikojmë, identifikojmë çdo anëtar dhe anëtare të kësaj partie. Konstatoj një tendencë jo të favorshme ndaj primareve./mxh

18:43 Mbahej i burgosur në Venezuelë, Ministria e Jashtme: Jozef Ndoci ndodhet i lirë dhe i sigurt

By: Monika
16 January 2026 at 18:43

Last Updated on 16/01/2026 by Monika

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton sot, me 16 janar, se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt.

Siç njofton Ministria e Jashtme, Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë.

Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Karakas.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e J.N dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas”, thuhet në njoftim për median./mxh

18:37 “Nuk u jap dot mend të tjerëve”/ Përmbytjet në Durrës, Sara Berisha: Nuk reagova, ç`më duhet mua!

By: Monika
16 January 2026 at 18:37

Last Updated on 16/01/2026 by Monika

Influencuesja Sara Berisha ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ku foli hapur për rolin e figurave publike në raport me ngjarjet sociale dhe kufijtë e reagimit publik.

Gjatë bisedës me Arbana Osmanin, diskutimi u ndal te përmbytjet e fundit në Durrës, një situatë që preku mijëra qytetarë dhe nxiti reagime të shumta në rrjete sociale. Sara u shpreh se, edhe pse emocionalisht e prekur nga ajo që ndodhi, zgjodhi të mos reagojë publikisht, duke theksuar se jo çdo figurë publike duhet të japë mendim për çdo çështje.

“Më duket e tepërt kur shumë persona japin mendime për gjëra që nuk u takojnë. Unë nuk mund të dal dhe t’u jap mend të tjerëve,” u shpreh ajo.

Sara shtoi se reagimi i saj ka qenë më shumë personal dhe privat, duke respektuar kufijtë e saj si individ dhe jo si figurë publike.

“Kur u përmbyt Durrësi, emocionalisht doja të flisja, por vendosa të mos e bëj. Populli bën vetë zgjedhjet e veta. Unë këto gjëra i përjetoj dhe i shpreh më privatisht,” përfundoi Sara./mxh

18:36 Rama “kunja” opozitës: Na rrinë gjithë kohës mbrapa e na pengon të shkojmë përpara

By: Monika
16 January 2026 at 18:36

Last Updated on 16/01/2026 by Monika

Kryeministri Edi Rama komentoi sot edhe situatën me opozitën në veprimtarinë parlamentare.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama nuk la rast pa ironizuar opozitarët, që sipas tij, nuk u qëndrojnë përballë, por janë gjatë të gjithë kohës pas tyre duke i penguar në vijimin përpara.

Sipas Ramës, opozita është e angazhuar me çdo mjet e mënyrë që të përcjellë jashtë kufijve një imazh tjetër të Shqipërisë.

“Ajo pjesë e politikës që ne nuk e kemi dot përballë, por gjithë kohës mbrapa duke na penguar që të shkojmë ne përpara. Duhet të ecim me vendosmëri sa më thellë në teknologji në punën e Kuvendit. Duhet të kemi një kanal parlamentar. Puna jonë nuk pret. Do të ishte qershi mbi tortë sikur të tjetët të bëjnë të njëjtën punë. Punën për vendin dhe anëtarësimin e vendit në BE. Përkundrazi janë të angazhuar që me çdo mjet e mënyrë që të përcjellin jashtë kufirit që ky vend është një narkoshtet. Këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë”,-u shpreh Rama./mxh

18:34 Kapje tjetër me Fevziun/ Rama: Hap penxheren e darkës dhe lëshohet mbi shikuesit për ministrat

By: Monika
16 January 2026 at 18:34

Last Updated on 16/01/2026 by Monika

Kryeministri Edi Rama duket se ka rinisur sot një tjerër debat me gazetarin dhe moderatorin Blendi Fevziu.

Rama e riakuzoi Fevziun se shpif haptazi lidhur me ministrat, që sipas tij, kanë qenë në terren në ditët e përmbytjeve.

“Të ndiejmë dhe të kuptojmë nevojën e madhe për informim të njerëzve. Nuk është e lehtë sepse mjedisi i informimit është i kontaminuar. Kur në ditët e përmbytjes, ditë dramatike, të gjithë ata që shikojnë prej shumë vite ëndrrën e rrëzimit tim dhe tonë, e shihnin shiun dhe borën si anëtaren e mirëseardhur të koaliciinit. Moderatori më i famshëm i Shqipërisë, që ka vizituar 148 vende të botës, e hap penxheren e tij të darkës dhe lëshohet mbi shikuesit e tij, a thuajse i kishin hyrë në shtëpi. Dhe shpif haptaz. Mendoj se ishte i acaruar nga fakti që ministrat përkatës ishin gjithandej në terren, ndërkohë që ai dhe ata që ftohen prej tij, i konsiderojnë ministrat vetëm kur bëjnë parakalimin te stacioni i Trenit”,-tha Rama./mxh

18:19 Zelenskiy: Ukraina e gatshme për garanci amerikane dhe paketën e rimëkëmbjes

By: Monika
16 January 2026 at 18:19

Një delegacion ukrainas është nisur për në Shtetet e Bashkuara për bisedime mbi garancitë e sigurisë dhe paketën e rimëkëmbjes pas luftës, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy të premten, duke shprehur shpresën se dokumentet mund të nënshkruhen në krah të Forumit Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.

“Nëse gjithçka finalizohet dhe ka pranimin e palës amerikane, nga ana jonë, në parim, besoj se kemi përfunduar. Atëherë do të jetë e mundur të nënshkruhet gjatë Davosit,” tha Zelenskiy.

Gjatë konferencës për shtyp në Kiev, Zelenskiy theksoi se SHBA-ja dëshiron të mbyllë luftën sa më shpejt, ndërsa Ukraina dëshiron ta bëjë këtë edhe më shpejt. “Ne të dy jemi të interesuar që të përfundojë sa më shpejt. Dhe e kuptojmë që vonesa në nënshkrim dhe përfundim të luftës është nga ana e Rusisë,” tha ai.

Ai gjithashtu foli për gjendjen e energjisë në vend: “Konsumimi ishte i lartë dje, rreth 18 gigavat. Por ne kishim kapacitetin rreth 11 gigavat. Kjo ishte situata dje, por diçka po rikuperohet çdo ditë.”

Duke folur për mbrojtjen, Zelenskiy shtoi: “Derisa sot mëngjes, disa sisteme mbrojtëse ishin pa raketa. Sot mund të flas hapur sepse tashmë i kemi këto raketa.”

Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, tha nga ana e tij: “Për këtë arsye Republika Çeke ka qenë proaktive në iniciativën e municionit, që furnizon mbi 50% të municionit me kalibër të madh për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Jam i lumtur që kjo iniciativë do të vazhdojë me qeverinë e re të Çekisë.”/MXH

18:10 Nga monarkistët te muxhahedinët, kush janë grupet opozitare që sfidojnë Ajatollahun në Iran?

By: Monika
16 January 2026 at 18:10

Regjimi i ajatollahëve në Iran po përballet me presion gjithnjë e më të madh nga vala e re e trazirave, e nxitur nga vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga inflacioni, i cili është rritur ndjeshëm që nga lufta e qershorit të kaluar, kur forcat izraelite dhe amerikane ndërmorën sulme ajrore, kryesisht ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Pavarësisht shpërthimeve të përsëritura të protestave mbarëkombëtare që shtrihen prej dekadash, opozita iraniane ka mbetur e fragmentuar mes grupeve rivale dhe fraksioneve ideologjike dhe duket se ka pak prani të organizuar brenda Republikës Islamike.

Monarkistët janë pjesë e grupimeve që përbëjnë opozitën iraniane. Shahu i fundit i Iranit, Mohammed Reza Pahlavi, u largua në vitin 1979, kur Revolucioni Islamik mori pushtetin. Ai vdiq në Egjipt në vitin 1980. Djali i tij, Reza Pahlavi, ishte trashëgimtari i Fronit të Palloit kur dinastia u rrëzua dhe, tashmë me bazë në SHBA, ka bërë thirrje për ndryshim regjimi përmes mosbindjes civile paqësore, vazhdimit të protestave dhe një referendumi për një qeveri të re.

Megjithatë, ndonëse Pahlavi ka shumë mbështetës në diasporën iraniane që favorizojnë rikthimin e monarkisë, mbetet e paqartë sa popullore do të ishte kjo ide brenda vendit. Shumica e iranianëve nuk janë mjaftueshëm të rritur për ta kujtuar jetën para revolucionit dhe vendi duket shumë ndryshe nga ai që i ati i Pahlavit la pas 47 vjet më parë. Ndërsa shumë iranianë e shohin me nostalgji atë periudhë para-revolucionare, të tjerë kujtojnë edhe pabarazitë dhe shtypjen e asaj kohe.

Ndërkohë, përçarje ka edhe brenda vetë grupeve pro-monarkiste.

“Nuk është se diaspora iraniane gjatë 50 viteve ka krijuar një lëvizje proteste të unifikuar dhe të integruar. Ajo është shumë e përçarë. Nuk është e bashkuar. Djali i ish-monarkut, Reza Pahlavi, është shndërruar, nëse mund të themi kështu, në një figurë përfaqësuese dhe ka tentuar të mobilizojë protestuesit dhe, në fakt, deri në një masë të caktuar, ai ka pasur ndikim në këto protesta që kemi parë. Por është shumë e vështirë të shihet se sa mbështetje ka ai ose sa mbështetje ka ndonjë figurë tjetër në Iran. Do të thosha se iranianët janë relativisht të bashkuar në kërkesën për rrëzimin e Republikës Islamike, por nuk është e qartë se çfarë vjen më pas apo kush vjen më pas. Ai përfaqëson nostalgjinë për të kaluarën. Ai është një alternativë ndaj asaj që kanë aktualisht, por mund të mos jetë zgjedhja numër një për njerëzit brenda Iranit”, tha Sanam Vakil.

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit është po ashtu pjesë e opozitës iraniane. Muxhahedinët ishin një grup i fuqishëm i majtë që organizoi fushata bombardimesh kundër qeverisë së Shahut dhe objektivave amerikane në vitet 1970, por më pas u përplasën me fraksionet e tjera. Grupi njihet shpesh me emrin e tij persian, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit (Mujahideen-e Khalq), ose me akronimet MEK apo MKO.

Shumë iranianë, përfshirë edhe armiq të betuar të Republikës Islamike, nuk ia falin kurrë faktin se u rreshtua në krah të Irakut kundër Iranit gjatë luftës së viteve 1980–1988. Grupi ishte i pari që zbuloi publikisht në vitin 2002 se Irani kishte një program sekret të pasurimit të uraniumit, por prej vitesh nuk ka treguar shenja të ndonjë pranie aktive brenda Iranit.

Në mërgim, udhëheqësi i tij, Massoud Rajavi, nuk është parë për më shumë se 20 vjet dhe drejtimin e ka marrë bashkëshortja e tij, Maryam Rajavi. Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar për atë që e quajnë sjellje sektare dhe abuzime ndaj ndjekësve të saj, akuza që grupi i mohon. Grupi është forca kryesore pas Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, të udhëhequr nga Maryam Rajavi, i cili ka prani aktive në shumë vende perëndimore.

“Mendoj se një ndërhyrje e SHBA-së, dhe kjo varet sigurisht nga shtrirja, përmasa, qëllimi dhe objektivat e Shteteve të Bashkuara, mund t’u japë njëfarë mbështetjeje protestuesve. Por ka disa elemente kyçe, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, që ende mungojnë që këto protesta të zhvillohen realisht në diçka revolucionare. Nevojitet rezistencë e qëndrueshme nga brenda vendit. Nevojitet kapacitet organizativ. Dhe Republika Islamike përpiqet vazhdimisht ta thyejë këtë. Nevojitet një plan veprimi. Duhet të dihet se çfarë vjen më pas. Dhe, në fund të fundit, nevojitet gjithashtu që elitat brenda sistemit politik iranian të shkëputen nga ai sistem. Dhe nuk kemi parë një fragmentim të elitave të zhvillohet gjatë këtyre protestave, apo në ndonjë protestë që nga viti 2009.”

Minoritetet kryesisht sunite të kurdëve dhe baluçëve në Iran kanë shprehur shpesh pakënaqësi ndaj sundimit të qeverisë shiite, persishtfolëse në Teheran. Disa grupe kurde kanë organizuar prej kohësh opozitë ndaj Republikës Islamike në pjesët perëndimore të vendit, ku përbëjnë shumicën, dhe ka pasur periudha kryengritjeje të armatosur kundër forcave qeveritare.

Në Baluçistan, përgjatë kufirit lindor të Iranit me Pakistanin, opozita ndaj Teheranit varion nga mbështetës të klerikëve sunitë që kërkojnë më shumë hapësirë për ndjekësit e tyre brenda Republikës Islamike, deri te xhihadistë të armatosur të lidhur me Al-Kaedën.

Kur protestat e mëdha janë përhapur në mbarë Iranin, ato shpesh kanë qenë më të ashpra në zonat kurde dhe të Baluçistanit, por në asnjërën prej këtyre rajoneve nuk ka një lëvizje të vetme, të unifikuar opozitare që të përbëjë kërcënim të qartë për sundimin e Teheranit.

Qindra mijëra iranianë kanë dalë në rrugë në protesta masive në periudha të ndryshme gjatë dekadave. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, demonstruesit mbushën Teheranin dhe qytete të tjera, duke akuzuar autoritetet për manipulim të votës në favor të presidentit në detyrë, Mahmoud Ahmadinejad, kundrejt rivalit Mir Hossein Mousavi. “Lëvizja e Gjelbër” e Mousavit u shtyp dhe ai u vendos në arrest shtëpie, së bashku me aleatin e tij politik dhe ish-kryetarin e parlamentit, Mehdi Karoubi.

Kjo lëvizje, që synonte reforma demokratike brenda sistemit ekzistues të Republikës Islamike, sot shihet gjerësisht si e shuar.

Në vitin 2022, protesta të mëdha përfshinë sërish Iranin, të përqendruara te të drejtat e grave. Demonstratat “Grua, Jetë, Liri” vazhduan për muaj të tërë, por pa krijuar një organizatë apo udhëheqje dhe shumë nga protestuesit u arrestuan dhe u burgosën.

“Mendoj se ata po përballen me një kërcënim të trefishtë, diçka me të cilën nuk janë përballur kurrë më parë. Kërcënimi i parë është padyshim presioni i jashtëzakonshëm ekonomik dhe nuk ka zgjidhje të menjëhershme apo të shpejta në këtë drejtim, për shkak të sanksioneve, por edhe për shkak të korrupsionit sistemik. Presioni i dytë, sigurisht, është kriza politike mes shtetit dhe shoqërisë. Irani ka përjetuar disa valë protestash gjatë dy dekadave të fundit. Këto protesta janë të ngjashme me protestat e viteve 2017 dhe 2019, të cilat kishin karakter ekonomik dhe u përhapën në qytete të vogla dhe fshatra, ku ishin shumë të dhunshme. Kriza e tretë — dhe ajo që e bën këtë moment edhe më shqetësues për establishmentin politik në Iran — është se ata po përgatiten për një tjetër raund përballjeje me Izraelin, nëse jo edhe me Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, ata po i llogarisin me kujdes veprimet e tyre dhe po përpiqen të mbajnë nën kontroll të gjitha frontet njëkohësisht. Presidenti i Iranit është përpjekur t’u afrohet protestuesve dhe t’u bëjë thirrje atyre, me shpresën për të ndërmjetësuar dhe për t’u takuar, gjë që është diçka e re. Por ka gjasa që në rrugët e Iranit të shihen edhe më tej shtypje dhe dhunë.”/MXH

16:55 Beniada Nishani tek Arbana: Dy fjalë për Ilda Lumanin!

By: Monika
16 January 2026 at 16:55

Të ftuar këtë të enjte në “Mirmbrëma Yje” të Arbana Osmanit ishin jo një, por 4 nga vajzat më të njohura të ekranit, blogeret të njohura dhe për pjesëmarrjen e tyre në Big Brother 1 dhe 2 Beniada Nishani, Jori Delli, Sarah Berisha dhe Dea Michel Hoxha.

Teksa biseda u ndal tek blogerja dhe modelja Beniada Nishani e cila foli hapur dhe për eksperiencën e saj televizive pranë Televizionit Publik Shqiptar si moderatore dhe kritikat që ka marrë si një person “jo adapt” për këtë vend pune duke qenë se nuk fliste një gjuhë shqipe të pastër.

Gjatë bisedës, Arbana Osmani theksoi se Beniada është zakonisht shumë e kujdesshme në mënyrën se si shprehet në intervista, por pas sulmeve të fundit ka zgjedhur të jetë edhe më korrekte dhe më e matur duke shtuar se ka pasur disa zëra kritikë që kanë vënë në dyshim praninë e saj në ekran për shkak të mënyrës së të folurit në shqip.

Dea Michele Hoxha doli në mbrojtje të Beniadës, duke theksuar se pikërisht ky stil i të folurit, i ndikuar nga jeta e saj në Itali, ishte arsyeja pse ajo fitoi dashurinë e publikut shqiptar. Sipas Deas, Beniada ishte pjesë e një formati argëtues dhe jo një emisioni politik apo informativ, ndaj autenticiteti i saj ishte një vlerë dhe jo një pengesë.

Arbana Osmani: Unë mendoj që Beniada përgjithësisht është e kujdesshme në intervista se si shprehet, por mesa vë re unë tani edhe nga fakti që është sulmuar së fundmi po përpiqet që të jetë akoma më korrekte.
Dea Michel: Beni është sulmuar, pse?
Arbana Osmani: Për ta sqaruar për Dean dhe ata që po na ndjekin që ndoshta nuk janë familjar me situatën. Beniada ka punuar në Televizionin Shqiptar, për sa kohë?
Beniada Nishani: E vërtetë, nga janari deri në korrik.
Arbana Osmani: Dhe ka pasur disa zëra, jo një por disa që kanë menduar që kjo nuk është një zgjedhje e duhur dhe ai nuk është një pozicion i merituar nga një vajzë e cila nuk flet mirë akoma gjuhën shqipe se di duhet punoj në një televizion.
Dea Michel: A mund të ngre një kundërargument për këtë se tani u kujtova dhe e kam parë. Beniada i fitoi zemrat e publikut shqiptar si një vajzë që kishte jetuar në Itali dhe pikërisht aty e kishte lezetin tek fakti që i miksonte ndonjëherë ca fjalë dhe njerëzit e adhuronin këtë gjë. Ndonjëherë njerëzit e adhuronin këtë gjë. Ndonjëherë njerëzit për atë gjënë që të duan më shumë më pas kthehen dhe të sulmojnë dhe është shumë e çuditshme. Në fund të ditës Beniada nuk është se bënte një emision për politikë dhe lajme të rënda. Ishte diçka entertaiment dhe me këtë njeriu duhet të argëtohet. Dhe Beniada është një njeri argëtues, prandaj dhe flasin për të.

Në fjalën e saj, Beniada Nishani falënderoi publikisht gazetaren dhe moderatoren Ilda Lumani, nën drejtimin e së cilës ka punuar në RTSH:

“Ka qenë një emision shumë i bukur nën drejtimin e Ilda Lumanit. Dua ta falënderoj publikisht sepse ajo ka besuar shumë tek figura ime. Falë Ildës kam bërë një rrugëtim të mrekullueshëm, jam rritur dhe jam pjekur. Nuk ka njerëz perfektë dhe ndoshta fakti që nuk e flas ende shqipen ashtu siç duhet ta flasë një moderator është ajo që më bën të veçantë.”/mxh

16:47 Ukraina nën acarin e dimrit: Fëmijët rrezikohen nga mungesa e ngrohjes

By: Monika
16 January 2026 at 16:47

Kronikë – TV Klan

Fëmijët në Ukrainë rrezikojnë hipotermi për shkak të temperaturave të acarta, ndërsa stoqet emergjente të gjeneratorëve elektrikë po shterojnë pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, njoftuan agjenci ndërkombëtare ndihme të premten, më 16 janar.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, tha se po përballet me një garë kundër kohës për të rivendosur shërbimet e ujit dhe ngrohjes, të cilat janë dëmtuar rëndë nga sulmet me raketa dhe dronë, teksa afrohet përvjetori i katërt i pushtimit rus të Ukrainës.

“Fëmijët dhe familjet janë në një gjendje të vazhdueshme mbijetese,” tha për gazetarët në Gjenevë Munir Mammadzade, përfaqësues i UNICEF për Ukrainën.

Ai theksoi se njerëzit po përpiqeshin të mbroheshin nga sulmet ndaj ndërtesave të larta, ndërsa temperaturat gjatë natës bien deri rreth minus 18 gradë Celsius.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy njoftoi të mërkurën, më 14 janar, se do të shpallë gjendje emergjente në sektorin e energjisë, ndërsa ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, tha të premten se Ukraina ka rezerva karburanti për më shumë se 20 ditë.

Kievi dhe rajonet pranë vijës së frontit po përballen me kushtet më të vështira, me mijëra shtëpi në kryeqytet, si dhe në Dnipropetrovsk, Kharkiv, Odesa dhe qytetet e frontit, të mbetura pa elektricitet ose ngrohje për ditë me radhë.

“Pa ngrohje, njerëzit janë në rrezik të lartë për hipotermi, ngrica dhe sëmundje të frymëmarrjes,” tha Jaime Wah, zëvendësdrejtor i Delegacionit në Kiev për Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke shtuar se ndërprerjet e paparashikueshme të energjisë po pengojnë furnizimin me ujë dhe shërbimet shëndetësore./mxh

16:35 Rusia: Italia, Franca dhe Gjermania të gatshme për bisedime

By: Monika
16 January 2026 at 16:35

Kremlini ka përshëndetur të premten sinjalet që, sipas tij, vijnë nga Italia, Franca dhe Gjermania për rifillimin e dialogut me Rusinë mbi luftën në Ukrainë, duke i cilësuar ato si një “ndryshim të rëndësishëm” që përputhet me qëndrimin e Moskës për mënyrën se si duhet të zhvillohet situata.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se disa vende evropiane po tregojnë gatishmëri për të rihapur kanalet e komunikimit me Rusinë, ndërsa theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet jashtë këtij qëndrimi.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka bërë të ditur se Londra nuk mendon se ka ardhur momenti për një riangazhim me Moskën. Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se nuk ka parë asnjë provë që Rusia synon paqe në Ukrainë.

“Sa i përket Britanisë, po, Britania vazhdon të mbajë një qëndrim radikal,” tha Peskov, duke komentuar dallimet mes qëndrimeve evropiane ndaj Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit bëri të ditur gjithashtu se Rusia ka një dialog të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, por se një dialog i tillë nuk ekziston aktualisht me qeveritë evropiane./mxh

16:27 PinkPantheress publikon videoklipin “Stateside” në bashkëpunim me Zara Larsson

By: Monika
16 January 2026 at 16:27

Këngëtarja dhe producentja britanike PinkPantheress ka publikuar të enjten, më 15 janar, videoklipin e këngës së saj “Stateside”, në bashkëpunim me këngëtaren suedeze Zara Larsson.

Videoklipi hapet me një kalimtar që zbulon një manekin të PinkPantheress në vitrinën e një dyqani të stiluar sipas estetikës së albumit “Fancy That”. Papritur, manekini merr jetë dhe shpërthen në performancë, përpara se të zbulohet se Zara Larsson është shkaktarja e gjithë kaosit. Videoklipi është realizuar nga regjisorja Charlotte Rutherford, e njohur për bashkëpunimet e saj me emra të mëdhenj të muzikës pop si Charli XCX, Katy Perry dhe Little Mix.

Kënga “Stateside” u publikua fillimisht në prill të vitit 2025, ndërsa versioni remix me Zara Larsson doli në tetor 2025 si pjesë e albumit “Fancy Some More?”, një projekt me remikse të albumit të saj “Fancy That”. Në këtë album marrin pjesë edhe artistë të njohur ndërkombëtarë si Anitta, Kylie Minogue dhe grupi koreano-jugor i K-pop-it, SEVENTEEN.

PinkPantheress, emri i vërtetë i së cilës është Victoria Walker, njihet për hitet e saj “Boy’s a Liar Pt. 2” në bashkëpunim me reperen Ice Spice, si edhe këngët “Illegal” dhe “Nice to Meet You” me Central Cee.

Artistja është nominuar në çmimet Grammy 2026 për Albumin më të Mirë Dance/Electronic me “Fancy That” dhe për Regjistrimin më të Mirë Dance Pop me këngën “Illegal”.

Edhe Zara Larsson është pjesë e nominimeve të Grammy 2026, e nominuar për Regjistrimin më të Mirë Dance Pop me këngën e saj “Midnight Sun”./mxh

Yesterday — 15 January 2026Main stream

22:59 Shtëpia e Bardhë: Trupat evropiane në Groenlandë nuk do të ndikojnë në planet e Trump për pushtimin e saj

By: Monika
15 January 2026 at 22:59

Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen, duke folur pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, tha se një marrje e Grenlandës nga SHBA-të nuk ishte absolutisht e nevojshme.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ka ndikim në planet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë kontrollin e ishullit Arktik nga Danimarka.

“Nuk mendoj se trupat në Evropë ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së presidentit, as nuk ndikojnë fare në qëllimin e tij për blerjen e Grenlandës”, tha Sekretarja e Shtypit Karoline Leavitt kur u pyet për vendosjen e tyre.

Komentet e saj vijnë në të njëjtën ditë që personeli ushtarak evropian filloi të mbërrinte në Grenlandë , disa orë pasi një takim midis zyrtarëve amerikanë, danezë dhe të Groenlandës në Uashington dështoi të zgjidhte atë që ministri i jashtëm danez e quajti “mosmarrëveshje themelore” mbi ishullin e pasur me minerale Arktik.

Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia njoftuan të mërkurën se do të vendosnin personel ushtarak si pjesë e një misioni zbulimi në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk./mxh

22:48 Trump kërcënon të përdorë ushtrinë për protestat kundër ICE në Minesota

By: Monika
15 January 2026 at 22:48

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të enjten se do të përdorë Aktin e Kryengritjes për të vendosur forca ushtarake në Minesota, pas ditësh protestash të zemëruara për shkak të rritjes së numrit të agjentëve të imigracionit në rrugët e Minneapolis.

Përballjet midis banorëve dhe oficerëve federalë janë bërë gjithnjë e më të tensionuara pasi një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat qëlloi për vdekje një shtetase amerikane, Renee Good, në një makinë tetë ditë më parë në Minneapolis, dhe protestat janë përhapur në qytete të tjera.

Kërcënimi i fundit i Trump erdhi disa orë pasi një oficer imigracioni qëlloi një burrë venezuelian, i cili sipas qeverisë po largohej pasi agjentët u përpoqën të ndalonin automjetin e tij në Minneapolis. Burri u plagos në këmbë./Mxh

22:37 Rama e sulmoi për komentin, Klodiana Lala: Është i dëshpëruar, e ftoj në debat për inceneratorin që nuk ekziston!

By: Monika
15 January 2026 at 22:37

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, i ka kthyer një përgjigje kryeministrit Rama, i cili e shënjestroi disa ditë më parë, për shkak të një statusi të saj në rrjetet sociale për përmbytjet, ku evidentonte faktin që inceneratori i Tiranës nuk ekziston.

Lala tha se kryeministri po përpiqet të tërheqë vëmendjen duke personalizuar debatin me fyerje, por shtoi se e fton atë në debat për inceneratorin.

“Në fakt, as e kisha idenë që kryeministri kishte reaguar për një status në rrjetim tim social në facebook, që është personal dhe ndaj mendimet e mia personale aty apo fotografi të familjes.

Megjithatë, përtej personales, unë i kam bërë një pyetje kryeministrit, a mundet zoti Rama të më dërgojë një foto të inceneratorit të Tiranës që funksionon? Ose ti provojë qytetarëve që inceneratori funksionon?

Inceneratori nuk ekziston fare, ndërkohë janë zhvatur miliona euro nga taksat. Nëse kryeministri do të provonte të kundërtën, do të kisha kurajon profesionale ti kërkoja falje.

Arsyen pse e bën nuk marr përsipër ta analizoj, por rruga e një kryeministri për t’u përballur me gazetarët dhe për të krijuar konflikte boshe, nuk e ndihmon të dalë nga situata problematike dhe e vështirë për qeverinë. Ka një zëvendës kryeministre për të cilën kërkohet arrestimi, ish zv kryeministër në arrati e me rradhë. Besoj se kjo retorikë me gazetarët, më ngjan se është një përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen. E ftoj në debat kryeministrin, ka apo jo incinerator. Kaq kam”, deklaroi Lala./mxh

22:35 Arratisja e Altin Ndocit/ Ish-prokurori Beçi: Nuk ishte ngjarje e rastësishme, moszbatim protokollesh

By: Monika
15 January 2026 at 22:35

Last Updated on 15/01/2026 by Monika

Ish-prokurori Eugen Beçi deklaroi sot se arratisja e Altin Ndocit nuk mund të konsiderohet si një ngjarje e rastësishme.

I ftuar në emisionin “Now”, Beçi u shpreh se fakti që kjo tentativë arratisjeje u realizua tregon qartë se ka problem me zbatimin e protokolleve dhe me organizimin brenda institucioneve.

“Fakti që nuk po e kapin dot, po e filloj nga kjo, nuk është një ngjarje e rastësishme. Nuk do të thotë që protokollet zbatohen gjithmonë, por fakti që ka tentativa që nuk realizohen, siç ka edhe tentativa që realizohen, si në rastin me sprintin e këtij personi, tregon shumë.
Përveç moszbatimit të protokolleve dhe organizimit brenda institucioneve, kam përshtypjen se ka lidhje edhe me organizimin e një arratisjeje të tillë. Do të thotë se kemi një dashje për kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin. Nëse do të ishte shumë e rastësishme, do të ishte kapur pas gjysmë ore.
Mund të kemi një bashkëpunim që shkon deri në bashkëpunim të një vepre penale të personave që kanë pasur për detyrë ta shoqërojnë me persona nga jashtë për të arritur procesin e arratisjes së këtij personi”,- tha Beçi./Mxh

22:33 Eksperti: Irani ka paralajëmruar Katarin dhe Arabinë Saudite se nëse sulmohen nga SHBA do të kundërpërgjigjen

By: Monika
15 January 2026 at 22:33

Last Updated on 15/01/2026 by Monika

Lëvizjet e personelit amerikan nga Baza Ajrore Al Udeid në Katar nënvizojnë frikën në rritje të një përballjeje të drejtpërdrejtë SHBA-Iran, sipas ekspertit të Lindjes së Mesme, Profesor Mehran Kamrava, i cili thotë se Teherani ka paralajmëruar në mënyrë të qartë Dohën dhe Riadin se do të hakmerret kundër objektivave amerikane.

Konfirmimi i Katarit se disa personel ushtarak amerikan janë zhvendosur nga Baza Ajrore Al Udeid si masë paraprake pasqyron shqetësimin në rritje në të gjithë Gjirin se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit mund të shndërrohen në konflikt të hapur, sipas një eksperti kryesor rajonal.

Profesor Mehran Kamrava i Universitetit Georgetoën në Katar tha se paralajmërimi i lëshuar këtë javë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, se përshkallëzimi do të ishte “katastrofik”, është një vlerësim i saktë i rreziqeve me të cilat përballet tani rajoni.

“Mendoj se ky është një vlerësim i saktë”, tha Kamrava. “Duke pasur parasysh natyrën në ndryshim të dinamikës gjeostrategjike në rajon, po shohim një sërë situatash shumë të vështira.”

Katari ka theksuar se lëvizjet në Al Udeid, baza ajrore më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, janë paraprake dhe nuk tregojnë një kërcënim të menjëhershëm. Por shkencëtari politik tha se roli qendror i bazës e bën Katarin veçanërisht të ekspozuar nëse kriza thellohet./mxh

22:31 Ekspertja jep sqarime: Ja cilat viza pezullohen nga SHBA

By: Monika
15 January 2026 at 22:31

Last Updated on 15/01/2026 by Monika

Avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, ka komentuar vendimin e SHBA për pezullimin e vizave për 75 vende përfshirë dhe Shqipërinë.

Ekspertja tha se vendimi prek vetëm, aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA.

“Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin”, tha ajo.
E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu a ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë ajo u përgjigj:

“Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është”./mxh

22:16 Nis heqja e masave nga Bashkimi Evropian, akordohen mbi 400 milionë euro mbështetje për Kosovën

By: Monika
15 January 2026 at 22:16

Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove në mbështetje financiare për vendin.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojmë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas ndryshimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Hipper tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne po heqim masat për Kosovën. Prandaj, kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro.

Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026).

Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së për KosovaPress.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin./mxh

22:09 Analisti: Zgjidhja në PD duhet të vijë nga të gjitha strukturat, problem me personalizimin e partisë

By: Monika
15 January 2026 at 22:09

Last Updated on 15/01/2026 by Monika

Analisti Fatos Lubonja ndau një këndvështrin sa i takon lidershipit të Partisë Demokratike në një kohë që synon të rrëzojë qeverinë socialiste.

Në një studio televizive, Lubonja u shpreh se zgjidhjet duhet të vijnë nga gjithë strukturat, teksa cilësoi si problem kryesor personalizimin e partisë.

Sipas analistit, sfidat e demokratëve nuk lidhen vetëm me situatën e brendshme të partisë, por edhe me paqartësinë ndaj qëndrimit të vet politik.

“Zgjidhja duhet të vijë nga të gjithë. Është formulimi i disa shqetësimeve. Mbi të gjitha, që është sa demokratike janë partitë. Sa marrin vendime mbi dialogun, sa vendos një figurë e vetme që e ka personalizuar partinë. Kemi parti të personalizuara. Ajo që ndjej unë është që Salianji ndoshta me një grup, ajo që kërkojnë është pak a shumë të çajnë një lloj grupimi i lidershipi i partisë për ta bërë partinë më të hapur për këta.
Si bëhet kjo? Dhe në funksion të çfarë strategjie bëhet kjo? Nëse është përmbysja e regjimit. E para është përgjegjësia e regjimit dhe sa është përgjegjësia e regjimit që nuk shkojnë njerëzit te opozita. Opozita e re Lapajn nuk shkon njeri. Sa ka regjim me kontrollet, paratë, oligarkët. Sa është ky problemi dhe sa është problemi opozita apo PD? PD është e paqartë. Edhe nuk shkohet në zgjedhje me Ramën, edhe shkohet.
Duhet zgjidhur me votim, demokraci të brendshme. Në këtë aspekt e shoh që nuk është situata e tillë që të ketë zgjidhje. Partia është e bllokuar. Po si zhbllokohet? Ndoshta mbi tema mbi qëndrime të ndryshme. Këta edhe Salianji kur u bënë me Amerikën kundër Berishës. Nuk bën demokraci. Doli Lul Basha vendos unë. E ndoqën disa nga këta. Kur ishte puna për ta hedhur në diskutim në parti, asnjë nuk e hodhi. Që aty duhet të ishin ndarë gjërat. Është zgjidhur në këtë formë. Duhet gjetur mënyra. Duhet rënia e regjimit. Nuk bëhet me Berishën, por nuk bëhet as pa Berishën. Është një forcë, por edhe ai nuk mjafton. Duhet edhe me Berishën edhe pa Berishën”,-u shpreh Lubonja./mxh

❌
❌