Lindja e Largët Ruse është goditur nga reshjet më të dendura të dëborës në 60 vjet, ndërsa një valë e përhapur e të ftohtit nga Arktiku përfshiu pjesën më të madhe të Azisë.
Fenomeni ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të transportit, me autostrada të mbyllura në Kinë, pasagjerë të bllokuar në aeroporte në Japoni dhe rajone në Lindjen e Largët Ruse të paralizuara. Shkencëtarët thonë se kushtet ekstreme lidhen me depërtimin e njëkohshëm të masave të ftohta ajrore nga Arktiku, duke prekur Rusinë lindore dhe Azinë, si dhe Evropën Lindore. Klimatologu Theodore Kipping shpjegoi se valëzimi i rrymave të ajrit, për shkak të një vorbulle polare arktike më të dobët, lejon që valët e ftohta të zbresin në gjerësi gjeografike më jugore.
Në Gadishullin Kamçatka, stuhitë e borës varrosën makina dhe bllokuan hyrjet e ndërtesave, me më shumë se 2 metra dëborë të regjistruara në gjysmën e parë të janarit, pas 3.7 metrave në dhjetor. Në qytetin Petropavlovsk-Kamçatsky, rreth 6,800 kilometra në lindje të Moskës, banorët ecën përmes grumbullimeve të dëborës deri në semaforët.
Në Japoni, erërat e forta dhe reshjet e dendura të dëborës shkaktuan dhjetëra anulime fluturimesh dhe ndërprerje të udhëtimit në bregdetin veriperëndimor. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të dendura dëbore midis 21 dhe 25 janarit, duke këshilluar që të mos kryhen udhëtime jo të domosdoshme. ANA Holdings anuloi 56 fluturime, duke prekur 3,900 pasagjerë, ndërsa Japan Airlines anuloi 37 fluturime, duke prekur 2,213 udhëtarë, kryesisht në Aeroportin e Ri Chitose në Hokkaido./mxh
Redia Hoxha, motra më e vogël e Lori dhe Sara Hoxhës dhe një prej trashëgimtarëve e familjes që drejton Top Channel, ka sjell në jetë me fëmijën e saj të parë.
Sipas Ilirianews.al, partneri dhe babai i fëmijës është Kein Dabulla, nipi i ish-ministres Arta Dade dhe djali i Alban Dabullës, botuesi i gazetës “Dita” dhe pronar i “Telebingon Shqiptare” dhe nipi i ish-ministres Arta Dade. Familja Dabulla është e njohur për aktivitetet e saj në media, biznes dhe sektorin e ndërtimit në kryeqytet.
Tre vajzat e familjes Hoxha kanë edhe një vëlla më të vogël, Itan, të cilin e ruajnë larg vëmendjes së publikut dhe rrjeteve sociale./mxh
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua këtë të martë me drejtuesin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho.
Siç bëhet me dije përmes një njoftimi, ambasadori Tarran e përgëzoi Brahon për zgjedhjen në detyrë dhe i uroi suksese në marrjen e këtij roli të rëndësishëm dhe sfidues, teksa ripohoi mbështetjen e fortë të Prezencës së OSBE-së për SPAK-un dhe rolin e tij kyç në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të publikut tek institucionet demokratike të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Tarran dhe Braho diskutuan bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen përmes veprimtarive të rritjes së kapaciteteve, këshillimit për politika dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Tarran ritheksoi angazhimin e vijueshëm të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mirëpriti pikëpamjet e Brahos mbi mënyrat se si bashkëpunimi mund të forcohet më tej për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar./mxh
David Beckham ka thyer heshtjen pas postimeve të bujshme të djalit të tij, Brooklyn Beckham, në Instagram, ku ky i fundit akuzoi prindërit për ndërhyrje dhe sabotim të martesës së tij me Nicola Peltz Beckham.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin financiar Squawk Box të CNBC, të martën më 20 janar, Beckham foli për ndikimin e rrjeteve sociale dhe shëndetin mendor, duke theksuar se fëmijët e tij “kanë bërë gabime”, por se kjo është pjesë e procesit të të mësuarit.
“Kam folur gjithmonë për fuqinë e rrjeteve sociale, si për të mirën ashtu edhe për të keqen,” tha Beckham. “Mund të jenë të rrezikshme për fëmijët, por nëse përdoren për arsyet e duhura, mund të bëjnë shumë mirë.” Ai shtoi se është përpjekur t’i edukojë fëmijët e tij Brooklyn (26), Romeo (23), Cruz (20) dhe Harper (14) që t’i përdorin platformat në mënyrë pozitive. “Ata bëjnë gabime, por fëmijët kanë të drejtë të gabojnë. Kështu mësojnë.”
Deklaratat e David Beckham vijnë një ditë pasi Brooklyn publikoi një seri postimesh emocionale në Instagram Stories, ku akuzoi prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, se kishin tentuar “pa pushim” të shkatërronin marrëdhënien e tij me bashkëshorten Nicola dhe se kishin përhapur “gënjeshtra të panumërta”. Ai pretendoi gjithashtu se prindërit kishin vlerësuar “publicitetin dhe kontratat mbi gjithçka tjetër”, madje duke përmendur akuza për ndërhyrje në dasmën e tij në prill 2022.
“Kam heshtur për vite dhe jam përpjekur t’i mbaj këto çështje private,” shkroi Brooklyn. “Nuk dua të pajtohem me familjen time. Po qëndroj për veten time për herë të parë në jetën time.”
Ndërkohë, David Beckham shmangu komentet për marrëdhënien me të birin edhe gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.
Burime pranë familjes i thanë PEOPLE se marrëdhënia “nuk është drejt riparimit” dhe se David dhe Victoria kanë kërkuar vazhdimisht të takohen me Brooklyn dhe Nicolën për të sqaruar situatën. “David i do fëmijët e tij. Ata janë gjithçka për të,” tha një burim.
Përfaqësuesit e David dhe Victoria Beckham nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar mbi akuzat./mxh
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha të martën se përdorimi i forcës ushtarake ndaj territorit arktik është i mundur, por i paarsyeshëm, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së dialogut në kanalet e duhura dhe të përgatitjes për çdo skenar.
Gjatë një konference për media, Nielsen foli për ndikimin e deklaratave dhe spekulimeve në rrjetet sociale, të cilat sipas tij nuk janë të respektueshme, dhe shtoi se nga ana e Groenlandës është krijuar një grup pune për të menaxhuar çështjet përmes kanaleve institucionale.
“Ne kemi një pasqyrë dhe kemi parë çfarë thonë të tjerët në rrjetet sociale. Nuk është respektueshme, por ne po përpiqemi të ruajmë dialogun në kanalet e duhura dhe për këtë arsye është krijuar ky grup pune.”
Nielsen gjithashtu njoftoi për synimin e Groenlandës për të forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Europian, pa kërkuar anëtarësim të plotë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në lidhjet diplomatike dhe ekonomike.
“Po punojmë për të pasur bashkëpunim të shtuar me BE-në. Nuk po themi se duam të bëhemi pjesë e BE-së, por dëshirojmë të kemi bashkëpunim me të.”
Deklaratat e Nielsen vijnë pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më 20 janar tha se nuk ka kthim pas për synimin e tij për të kontrolluar Groenlandën, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës. Ambicia e Trump për të marrë sovranitetin mbi ishullin Arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe anëtare e NATO-s, ka rrezikuar unitetin e aleancës që ka siguruar sigurinë perëndimore për dekada.
Kryeministri Nielsen theksoi se, pavarësisht probabilitetit të ulët të një konflikti ushtarak, është e nevojshme që Groenlanda të jetë e përgatitur dhe të vazhdojë dialogun me partnerët ndërkombëtarë./mxh
Një stuhi e fuqishme ka goditur Katanian në Siçili, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe mbylljen e shkollave.
Autoritetet kanë ngritur alarmin për të gjithë Italinë jugore.
Mbrojtja Civile e Italisë shpalli alarm të kuq për disa pjesë të Siçilisë, duke paralajmëruar për shira të rrëmbyeshëm, erëra me forcë uragani dhe stuhi të rrezikshme. Në Catania , deti i rrëmbyeshëm përmbyti portin, duke dëmtuar anijet e ankoruara.
Zyrtarët rajonalë thanë se shkollat u mbyllën në rreth 150 komuna.
Shërbimet e emergjencës mbetën në gatishmëri të lartë duke i nxitur banorët të shmangin udhëtimet e panevojshme, sidomos në zonat bregdetare./mxh
Bota e modës është sërish në zi për t’i thënë lamtumirë perandorit të fundit të modës: Valentino Garavani ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Ai ndërroi jetë në vilën e tij të famshme në Romë, i rrethuar nga të dashurit e tij, sipas një deklarate të lëshuar nga fondacioni i tij, Fondacioni Valentino Garavani, dhe Giancarlo Giammetti, njeriu që gjithmonë jetoi pranë dhe në hijen e tij .
Stilisti, i njohur për të kuqen e tij karakteristike, ruajti një marrëdhënie të fortë dhe diskrete për dekada me Giancarlo Giammetti-n , partnerin e tij romantik për pak më shumë se një dekadë dhe partnerin e jetës për 60 të tjera . Ai ishte gjithashtu partneri i tij profesional. Edhe pse Giammetti shpesh quhet “burri” i tij, lidhja e tyre ka tejkaluar vërtet sferën e romancës dhe etiketave formale.
Ata u takuan në vitin 1960 në Romë , kur Valentino ishte një stilist i ri me ambicie të mëdha dhe Giammetti studionte arkitekturë. Siç thonë ata, ishte dashuri me shikim të parë, kur u takuan për herë të parë në Café de Paris . Që nga fillimi, marrëdhënia e tyre bazohej në mbështetje emocionale dhe krijuese. Giammetti shpejt u bë shtylla strategjike e shtëpisë së modës Valentino , duke lënë mënjanë studimet e tij universitare për të marrë përsipër menaxhimin e biznesit dhe duke i lejuar stilistit të përqendrohej plotësisht në anën e tij artistike .
« Ne ishim bashkë. Ishim forca e njëri-tjetrit. Ky ishte kapitali ynë i vërtetë »- Giammetti
Gjatë romancës së tyre, ata dinin si ta mbronin privatësinë e tyre dhe ta mbanin jetën e tyre personale larg vëmendjes së medias . Ky diskrecion nuk ishte sinonim i sekretit, por më tepër një zgjedhje e vetëdijshme për të ruajtur diçka që e konsideronin thellësisht personale.
Lidhja e tyre romantike zgjati vetëm 12 vjet .
“Unë dhe Giancarlo e kuptojmë njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer, por karakteri i tij është krejtësisht i kundërt me timin. Jam gjithmonë i zhytur në studio”, tha vetë Valentino për arsyen e ndarjes.
« Mezi isha 30 vjeç kur pjesa fizike e marrëdhënies sonë mbaroi dhe në fillim ishte e vështirë », tha biznesmeni kur botoi një libër për jetën e tij, kur u zbuluan pak më shumë rreth burrit që gjithmonë jetonte nën hijen e Valentinos. « Por pjekuria dhe koha i zgjidhin të gjitha problemet vetë . Ne gjithmonë kemi dashur më të mirën për njëri-tjetrin (…) edhe pse nuk kemi jetuar kurrë bashkë».
Giammetti-t nuk i pëlqeu kurrë të ishte ‘ njeriu pas kësaj ‘, veçanërisht pasi doli dokumentari për stilistin dhe e vuri atë në qendër të vëmendjes. “Giancarlo është truri, Valentino është talenti.” Në atë kohë, kur të dy kishin folur hapur për seksualitetin dhe marrëdhënien e tyre romantike, ata nuk hezituan të rrëfenin dashurinë që ende ndiejnë për njëri-tjetrin, një dashuri që i mban bashkë, në një mënyrë ose në një tjetër, deri atë ditë.
« E jona është një dashuri vëllazërore, një marrëdhënie që nuk ka asgjë seksuale. E megjithatë, një dashuri e madhe, e lashtë dhe e bazuar në mbijetesë mbetet », tha Giammetti në prezantimin e librit të tij në Londër.
Tërheqja e Valentinos nga pasarela në vitin 2008 shënoi një kapitull të ri në marrëdhënien e tyre, me të dy që dhanë dorëheqjen nga rolet e tyre brenda shtëpisë italiane të modës. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi ata të punonin së bashku. Giammetti qëndroi në krah të Valentinos për pjesën tjetër të jetës së tij profesionale, e cila nuk mbaroi atë vit. Në vitin 2017, ai ishte ende duke prodhuar ‘La Traviata’ dhe duke dizenjuar kostumet për ‘Violetta’. Gjatë gjithë kësaj kohe, arkitekti ishte në krah të tij.
Përtej dashurisë, Valentino dhe Giammetti ndajnë një angazhim të fortë kulturor dhe filantropik. Së bashku, në vitin 2016, ata krijuan Fondacionin Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti , i dedikuar promovimit të artit, modës dhe kulturës italiane. Ky projekt pasqyron se si marrëdhënia e tyre është transformuar në diçka që tejkalon ndjenjën e thjeshtë, duke lënë një trashëgimi të përbashkët.
Qershorin e kaluar, Fondacioni hapi një hapësirë të re në Romë, PM 23 , kushtuar artit, modës dhe kulturës – tre shtyllat themelore të Fondacionit. Ndodhet në numrin 23 të Piazza Mignanelli, i njëjti vend ku Valentino hapi atelienë e tij dekada më parë, në vitin 1959, me ndihmën e babait të tij . Ky ishte, siç e shpjegoi vetë Giammetti në një intervistë me revistën AD, një projekt për të ardhmen, kur humbja e Valentinos nuk ishte një mundësi./mxh
Duket se drama në familjen Beckham nuk ka mbaruar, por djali i madh sapo i hodhi më shumë benzinë zjarrit me deklaratat e tij të fundit në Instagram, me akuza serioze manipulimi dhe poshtërimi të cilat sipas tij kanë ardhur nga prindërit. Brooklyn Beckham ka bërë publike për herë të parë përplasjen e tij të gjatë me prindërit, David dhe Victoria Beckham, përmes një deklarate të gjatë në Instagram.
26-vjeçari i akuzoi prindërit për manipulim, presion dhe përpjekje të vazhdueshme për të dëmtuar martesën e tij me bashkëshorten Nicola Peltz Beckham.
Brooklyn tha se për vite me radhë ka heshtur për të mbajtur çështjet familjare private, por sipas tij, prindërit dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të përhapin versione të pavërteta në media, duke e detyruar të flasë publikisht. Ai theksoi se për herë të parë në jetën e tij po i del zot vetes dhe nuk po kontrollohet më.
Sipas tij, problemet nisën që para dasmës së tij në vitin 2022. Brooklyn pretendon se Victoria Beckham anuloi në momentet e fundit realizimin e fustanit të nusërisë për Nicolën, ndërsa prindërit ushtruan presion që ai të nënshkruante marrëveshje ligjore për të drejtat e emrit të tij, gjë që do të ndikonte edhe te familja e tij e ardhshme. Ai pohon se refuzimi për të firmosur ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhënien me ta.
Në deklaratën e tij, Brooklyn akuzon gjithashtu nënën se “rrëmbeu” kërcimin e parë të çiftit në dasmë, duke e lënë atë të ndihej i turpëruar dhe i poshtëruar përpara të ftuarve. Ai shton se Nicola është trajtuar me mungesë respekti nga familja e tij dhe se nuk ishte e ftuar në festën e 50-vjetorit të lindjes së David Beckham.
Brooklyn shprehet se familja e tij vendos gjithmonë përparësi imazhin publik dhe “Brand Beckham” mbi marrëdhëniet reale familjare, duke shtuar se dashuria, sipas tyre, matet me postime në rrjete sociale dhe paraqitje publike. Ai mohon pretendimet se bashkëshortja e tij e kontrollon, duke thënë se për pjesën më të madhe të jetës ka qenë i kontrolluar nga prindërit.
Sipas Brooklyn, që nga distancimi nga familja, ai ka gjetur paqe dhe i është zhdukur ankthi i fortë që e ka shoqëruar prej vitesh. Ai thekson se ai dhe Nicola dëshirojnë një jetë larg manipulimit, presionit mediatik dhe imazhit artificial, duke synuar vetëm qetësi, privatësi dhe lumturi për familjen e tyre të ardhshme./mxh
Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve me tarifa nga presidenti amerikan Donald Trump, të lidhura me Groenlandën. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se Europa nuk do të tërhiqet dhe se presioni ekonomik nuk do ta detyrojë Danimarkën të heqë dorë nga territori i saj.
Duke folur në Parlamentin Europian, Kallas tha se kërcënimet me tarifa nuk sjellin zgjidhje, por rrezikojnë të dëmtojnë mirëqenien e përbashkët të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kërcënimet me tarifa nuk do ta detyrojnë Danimarkën t’ia dorëzojë Groenlandën askujt. Ato vetëm rrezikojnë ta bëjnë Europën dhe SHBA-në më të varfra. Ne nuk duam përplasje, por do të mbrojmë interesat tona.”
Kallas theksoi se Bashkimi Europian ka në dispozicion instrumente të ndryshme për të mbrojtur interesat e veta dhe se do t’i përdorë ato nëse është e nevojshme.
Ajo u ndal edhe te siguria e Groenlandës, duke theksuar se NATO është struktura e duhur për t’u marrë me çdo shqetësim në këtë drejtim. Sipas saj, gjatë javës së fundit disa vende europiane kanë dërguar personel ushtarak në Groenlandë për një mision vlerësimi të situatës.
“Kjo prani synon ta mbajë rajonin të sigurt, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Nuk përbën kërcënim për askënd.”
Në deklaratën e saj më të fortë, Kallas nënvizoi se parimi i sovranitetit territorial është i panegociueshëm dhe duhet të respektohet kudo në botë.
“Asnjë vend nuk ka të drejtë të marrë territorin e një vendi tjetër, as në Ukrainë, as në Groenlandë, as kudo tjetër në botë.”
Reagimi i Bashkimit Europian vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave të reja ndaj disa vendeve europiane, përfshirë Francën, nga 1 shkurti, nëse SHBA nuk lejohet të marrë kontrollin e Groenlandës, një qëndrim që vendet kryesore të BE-së e kanë cilësuar si shantazh./mxh
Mbrëmjen e sotme një pjesë e lagjeve të Tiranës kanë pasur shkëputje të energjisë elektrike.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, OSHEE njofton se ka ndodhur një avari në linjën e transmetimit 110kV.
OSHEE bën me dije se në institucionet e rëndësisë së veçantë është rikthyer energjia.
Më tej në njoftim thuhet se grupet e OSSH po manovrojnë përmes skemave unazë në linjat e dyta.
Gjithashtu bëhet me doije se në disa zona është kthyer energjia pas vetëm 30 minutash.
Njoftimi i OSHEE
Avari në linjën e Transmetimit 110kV, rikthehet energjia në institucionet e rëndësisë së veçantë
OSSH po punon për furnizimin me linja të dyta
Rreth orës 20:30 është staktuar linja e transmetimit 110kV Tirana 220 kV – Traktora, ku për disa minuta la pa energji elektrike disa zona të Tiranës.
Aktualisht, grupet e OSSH po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë.
Institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash.
Aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj./mxh
Xabi Alonso pritet të bëjë një periudhë pushimi nga futbolli pas largimit nga Real Madridi. Trajneri spanjoll u shkarkua pas humbjes në Superkupë ndaj Barcelonës, që i dha fund projektit të tij te “Los Blancos”.
Përveç rezultateve, në Spanjë raportohet edhe për vështirësi në marrëdhëniet me dhomën e zhveshjes. Megjithatë, emri i Alonsos mbetet shumë i kërkuar në tregun e trajnerëve.
Premier League shihet si destinacioni më i mundshëm për të ardhmen e tij. Sipas “The Times”, Alonso synon të pushojë për disa muaj përpara se të rikthehet në fund të sezonit.
Manchester United, Tottenham dhe Liverpool janë klubet më të përfolura. Edhe Manchester City e ndjek situatën, në varësi të së ardhmes së Pep Guardiolës./mxh
Si shumë persona nga showbiz-i shqiptar, edhe Einxhel Shkira iu bashkua trendit të kthimit pas në kujtimet e vitit 2016, një vit që interneti në mbarë botën po e kujton me shumë nostalgji, duke e konsideruar shpesh si “i fundit vit shumë i bukur” që kemi dëshmuar kolektivisht.
Einxhel postoi disa foto të saj nga arkiva e 2016-s, me mbishkrimin “mund t’i fshi më vonë”:
Në foton e dytë, ajo thotë se “ka diçka bombastike në atë postim” dhe në sy bie direkt emri i DJ Dagz në listën e njerëzve që kanë pëlqyer postimin:
Pra, na doli që Einxhel ka qenë në radarin e Dagz-it shumë më përpara “Big Brother VIP Albania 1”! Për këtë, edhe Einxhel tha me humor:
“Ja pra vajza, dashuria e jetës tuaj mund të jetë diku aty dhe po të ishit pak më të vëmendshëm, ose ai të kishte guxuar pak më shumë… mund të kishit 4 fëmijë tani. Nejse, kot s’thonë që çfarë është kësmeti yt, s’ta merr njeri.”
Kështu që, ndjekëse të dashura, kijeni pak më shumë mendjen se kush po jua pëlqen fotot që postoni, ose jo…çfarë është e shkruar për ty, do të të gjejë, dhe Einxhel na doli prova e gjallë e kësaj shprehjeje!/mxh
Në Zvicër do të mbahet Forumi Ekonomik i Davos. I pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent u shpreh se Trump do të jetë prezent në takim dhe se do të përcjellë edhe mesazhet e tij të rëndësishme.
“Ka qenë një vit i ngjeshur dhe presidenti do të jetë këtu të mërkurën dhe të enjten, për të folur për qëndrimet e tij për të ardhmen”, tha ai.
Bessent hodhi poshtë sugjerimet se shtytja e Trump për Grenlandën është e motivuar nga përpjekja e tij publike për një Çmimin Nobel për Paqen, duke e quajtur atë një “mashtrim të plotë”.
Ai nënvizoi se presidenti e sheh Grenlandën si një “aset strategjik” për Amerikën dhe nuk do t’ia “delegojë sigurinë e hemisferës askujt tjetër”.
Në një letër të raportuar të hënën, Trump i tha kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store se nuk ndihet më i detyruar të përqendrohet ekskluzivisht te paqja pasi “vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen” dhe përsëriti kërkesat për kontroll të SHBA-së mbi Groenlandën. Lidhur me tarifat amerikane, sekretari i Thesarit nënvizoi liderët europianë duhet të dëgjojnë fjalën e presidentit amerikan.
Në Davos do mbahet takimin vjetor i WEF, një takim global ku liderët politikë, drejtuesit e kompanive globale, akademikët dhe figurat publike diskutojnë çështje ekonomike, gjeopolitike dhe sociale./mxh
Banda të armatosura kanë rrëmbyer dhjetëra njerëz që ndiqnin dy kisha në shtetin Kaduna të Nigerisë, sipas policisë lokale. Një udhëheqës i lartë i kishës tha se më shumë se 160 besimtarë u rrëmbyen nga persona të armatosur gjatë shërbesës së të dielës.
Ky është rrëmbimi masiv i fundit në Nigeri, ku janë shënjestruar si të krishterë ashtu edhe myslimanë. Bandat, të njohura në vend si “banditë”, kryejnë shpesh sulme të tilla në pjesët veriore dhe qendrore të vendit për të marrë pagesa shpërblimi. Duke përshkruar sulmin e së dielës, policia lokale tha se persona të armatosur me “armë të sofistikuara” hynë me forcë në dy kishat në Kurmin Wali, një komunitet pyjor në lagjen Afogo, rreth orës 11:25 me kohën lokale.
“Sulmuesit erdhën në numër të madh, bllokuan hyrjen e kishave dhe i detyruan besimtarët të dilnin në shkurre”, tha të hënën për agjencinë e lajmeve AFP, Reverend Joseph Hayab, kreu i Shoqatës së Krishterë të Nigerisë për veriun e vendit.
Duke folur për Reuters, Hayab shtoi: “Më erdhi informacion nga pleqtë e kishave se 172 besimtarë u rrëmbyen, ndërsa nëntë të tjerë ikën”.
Në nëntor, më shumë se 300 nxënës dhe mësues u rrëmbyen nga një shkollë katolike. Ata u liruan më vonë në dy grupe të njëpasnjëshme. Kjo ishte ndër një sërë rrëmbimesh që bënë bujë në mediat ndërkombëtare. Nigeria po përballet me sfida të shumta sigurie, duke përfshirë rrëmbime për shpërblim nga bandat kriminale, një kryengritje islamiste në verilindje, dhunë separatiste në juglindje dhe një betejë midis barinjve dhe fermerëve në qendër për aksesin në tokë dhe ujë.
Ekspertët thonë se korrupsioni, ndarja e dobët e informacionit të inteligjencës dhe policia lokale e financuar dobët kanë penguar përpjekjet për të trajtuar krizat e ndryshme. Ministri i Mbrojtjes i Nigerisë dha dorëheqjen muajin e kaluar në kulmin e krizës së rrëmbimeve, zyrtarisht për arsye shëndetësore, sipas zyrës së presidentit.
SHBA-të janë përfshirë kohët e fundit ushtarakisht në Nigeri, duke nisur sulme ajrore ditën e Krishtlindjeve në dy kampe të drejtuara nga një grup militant islamik në Nigerinë veriperëndimore.
Më herët këtë muaj, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi për sulme të tjera nëse të krishterët vazhdojnë të vriten në kombin e Afrikës Perëndimore.
Në Nigeri ka më shumë se 250 grupe etnike, e cila është e ndarë përafërsisht në një veri kryesisht mysliman, një jug kryesisht të krishterë, me grupe të përziera në mes dhe qeveria thotë se njerëz të të gjitha besimeve kanë qenë viktima të sulmeve./mxh
“NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën për çështjet e sigurisë në rajonin e Arktikut”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Mark Rutte.
Rutte është takuar me Ministrin danez të Mbrojtjes Threls Lund Poulsen dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Groenlandës Vivian Motzfeld, për të cilën tha se diskutuan për Groenlandën dhe sigurinë.
“Diskutuam se sa i rëndësishëm është Arktiku, përfshirë Groenlandën, për sigurinë tonë kolektive dhe se si Danimarka po rrit investimet në kapacitetet kyçe. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku si aleatë për këto çështje të rëndësishme”, shkroi Rute në Platformën X.
Sipas mediave daneze, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk iu drejtua gazetarëve pas takimit, por nga ana e tij ministri danez theksoi se takimi ishte “produktiv, pavarësisht situatës së tensionuar”./mxh
nstituti i Gjeoshkencave ka ndarë sot një parashikim për kushtet e motit, që pritet të ndryshojnë nga e marta e në vijim.
Sipas të dhënave, të martën në mbrëmje priten reshje shiu në disa zona të vendit.
Po ashtu, sipas IGJEUM, temperaturat në vend do të vijojnë të ulen me disa gradë nën atë minimale.
Reshjet:
Sot, e hënë, datë 19, nuk priten reshje ndërsa nesër (e martë, datë 20) priten reshje të dobëta në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Temperatura:
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 4 / 12 °C
në vendet e ulëta: 0 / 12 °C
në vendet malore: -5 / 5 °C
Era:
Sot dhe nesër, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare./mxh
Dy persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, raportohet se janë në gjendje kritike për jetën pas sulmeve të ndara nga peshkaqenët në Sidnei, Australi, incidenti i tretë brenda dy ditësh.
Djali ishte duke notuar me miqtë vonë të dielën pasdite, pranë plazhit Shark në Vaucluse, kur u kafshua.
Policia tha se ai u nxor nga uji nga miqtë dhe shërbimet e urgjencës me lëndime të rënda në të dyja këmbët.
“Ai është në betejë me jetën tani”, tha policia e vendit.
Dy incidente të tjera u raportuan gjithashtu në Sidnei. Australia sheh rreth 20 sulme peshkaqenësh në vit, me pak më pak se tre prej tyre që janë fatale, sipas të dhënave nga grupet e ruajtjes së natyrës – numra që janë shumë më të vogël nga mbytjet dhe aksidentet e tjera në plazhet e vendit./mxh
Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, mbrëmjen e së dielës. Zyrtarët lokalë e përshkruajnë ngjarjen si aksidentin më të rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45, një orë pasi një nga trenat u nis nga Málaga drejt Madridit. Sipas operatorit të linjës, Adif, treni doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madrid drejt Huelvës. Ministri i Transportit, Óscar Puente, tha se përplasja detyroi trenin e dytë të dilte në një argjinaturë pranë shinave. Shumica e viktimave dhe të plagosurve ishin në vagonët e parë të trenit që shkonte drejt Huelvës.
Arsyeja e daljes nga shinat mbetet e paqartë. Hetimet fillestare tregojnë se një nyje e dëmtuar në hekurat e shtratit të hekurudhave mund të ketë shkaktuar përplasjen. Trenat e përfshirë ishin: Iryo, që po udhëtonte nga Malaga në Madrid me 110 km/orë, dhe një tren tjetër me destinacion Huelva, me shpejtësi 200 km/orë.
Pasagjerët që udhëtonin drejt Madridit përshkruan momente tmerri gjatë përplasjes. Një nga pasagjerët tha se treni “u përplas si tërmet”, xhamat u thyen, bagazhet u përplasën dhe njerëzit u hodhën në dysheme. Një tjetër pasagjer, Lucas Meriako, i ndodhur në vagonin e pestë, tha se ndjeu “goditje të forta dhe dridhje të trenit”, duke shtuar se kishte ndier sikur treni do të shpërbëhej.
Një dëshmitare, Ana, tha për Reuters se treni “u rrokullis në një anë, gjithçka u errësua dhe dëgjova vetëm ulërima.” Ajo dhe motra e saj u shpëtuan nga pasagjerë dhe zjarrfikësit.
Álvaro Fernández Heredia, presidenti i operatorit shtetëror Renfe, theksoi se përjashtohet mundësia që aksidenti të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë ose gabimit njerëzor. Ai shtoi se treni ishte i pajisur me sisteme që do të korrigjonin gabime të mundshme, dhe se të dy trenat po lëviznin nën kufirin e lejuar të shpejtësisë. Heredia sugjeroi se një problem mekanik ose infrastrukture mund të ketë qenë shkaku kryesor.
Të dy trenat transportonin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit. Nuk dihet ende nëse ka njerëz të bllokuar brenda vagonëve, pasi metali i deformuar ka penguar shpëtimin. Shefi i zjarrfikësve në Cordoba, Francisco Carmona, tha se shpesh nxirrnin viktima për të arritur tek pasagjerë të gjallë, duke e bërë operacionin të ndërlikuar dhe delikat.
Numri i të vdekurve, 39 persona, nuk është identifikuar ende dhe mund të ndryshojë pasi hetimet janë në fillim. Shërbimet lokale raportuan se 112 persona kishin marrë ndihmë mjekësore, 43 prej tyre mbetën në spital, katër të mitur dhe njëri në kujdes intensiv, ndërsa dymbëdhjetë të rritur ndodhen gjithashtu në kujdes intensiv./mxh
Duket sikur të gjithë flasin për “targetin” e proteinës. Dhe ka arsye: proteina është thelbësore sepse ndihmon në ndërtimin dhe riparimin e muskujve, lëkurës, flokëve dhe thonjve, si edhe në funksione jetike të metabolizmit, si prodhimi i hormoneve dhe mbështetja e sistemit imunitar.
“Proteina duhet të jetë protagonistja e çdo diete,” thotë mjekja María José Crispín. “Por nuk duhet të mbështetesh te një burim i vetëm, si p.sh. pulë ose vezë çdo ditë. Synimi është shumëllojshmëria.” Ajo përmend si opsione peshkun nga burime të qëndrueshme, vezët dhe produktet organike të qumështit, si edhe burime bimore si arrat, quinoa dhe thjerrëzat.
Dhe ka edhe një paralajmërim: po, mund të hash edhe më shumë proteina seç të duhen. Sidomos tani që “proteina” po i shtohet edhe karameleve, kafesë, kokoshkave e të tjera, bëhet edhe më e rëndësishme të dish çfarë sasie të shkon.
Sa proteina të duhen?
Nuk ka një përgjigje fikse për të gjithë. Si rregull i përgjithshëm për një person aktiv, shpesh përmendet rreth 2 gramë për kilogram peshë trupore, por kjo ndryshon nëse je shtatzënë, nëse synon të shtosh masë muskulore, ose nëse je shumë aktive. Nëse s’të pëlqejnë llogaritjet, një kalkulator mund të të japë një vlerësim më të saktë.
Dietologia e regjistruar Lisa McDowell jep një rregull praktik: “Proteina në pjatë të jetë të paktën sa madhësia e pëllëmbës tënde.” Rreth 30 gramë, afërsisht.
Si ta kuptosh që të duhet më shumë proteinë
Katër shenja tipike kur proteina mungon janë: lodhje, humbje e masës muskulore, rënie e fortë e flokëve dhe ndjesia që je gjithmonë e uritur edhe pasi ke ngrënë. Vaktet e balancuara, përfshirë proteinën, janë të rëndësishme për imunitetin dhe rregullimin e hormoneve.
Si ta kuptosh që po e tepron me proteinën
Çfarë ndodh kur e shton pa kriter? Sipas Brittany Towers Lewis, e njohur si “The Black Food Scientist”, Shoqata Ndërkombëtare e Ushqyerjes Sportive ka studiuar se, mesatarisht, trupi përdor rreth 20–30 gramë proteina pas një vakti. Kjo shifër mund të rritet nëse ushtron shpesh dhe ke nevojë për më shumë riparim muskulor. Por nëse rri ulur gjithë ditën, trupi nuk ka të njëjtën kërkesë, dhe një pjesë e proteinës nuk përdoret “me vlerë”.
Përveç faktit që mund të “shpërdorosh” lëndë ushqyese, ka edhe shqetësime të tjera fizike: teprica mund të rrisë rrezikun për gurë në veshka. Dietat shumë të larta në proteina shtazore dhe të ulëta në karbohidrate mund të rrisin aciditetin në veshka. Nëse ke probleme ekzistuese me veshkat, situata mund të përkeqësohet.
Lewis shton se produktet “me proteina të shtuara” si karamele, kokoshka apo kafe, për shumicën e njerëzve nuk janë të nevojshme dhe shpesh hyjnë te kategoria e teprimit. “Mesatarisht, njeriu nuk ka pse t’i konsumojë çdo ditë. Më e rëndësishme është cilësia e proteinës.”
Në fund, ideja s’është “sa më shumë, aq më mirë”, por “sa duhet dhe nga burime të mira”./mxh
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në Foltoren e mbajtur para Kryeministrisë, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen duke u shpreh se kjo protestës dëshmon qëndresën për t’u përballur me narkoqeverinë.
Një organizatë kriminale e cilësuar Berisha dhe një armike e betuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Ky regjim po shpërfytyron Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo protestë ka një rëndësi sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë. Po vijmë nga parlamenti, ishte provokimi më i ulët që u bëhej shqiptarëve, karshi tyre qëndronte lubi Balluku, hajdutja më e madhe që kanë patur shqiptarëve ndonjëehrë, e dërguar për të provokuar shqiptarët dhe për t’u thënë se ne u kemi vjedhur dhe do u vjedhim”, tha ai./mxh