Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 30 January 2026Main stream

Zjarret në pyjet e Argjentinës, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Patagoni

30 January 2026 at 22:17

Qeveria argjentinase ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve që po shpërthejnë në katër provinca të Patagonisë, pasi frontet e zjarrit kanë djegur qindra mijëra hektarë në vend që nga fillimi i verës në hemisferën jugore në dhjetor.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili mbulon provincat e Chubut, Rio Negro, Neuquén dhe La Pampa, synon të lehtësojë punën e përbashkët të agjencive provinciale dhe kombëtare në përpjekjet për të luftuar zjarret.

Që nga dhjetori, rreth 450,000 hektarë pyll janë djegur në provincën e Chubut. Fronti më i madh është në Parkun Kombëtar Los Alerces (2,600,000 hektarë), 1,800 kilometra në jug të Buenos Aires, ku janë djegur 200,000 hektarë bimësi, kryesisht pyll.

Qindra zjarrfikës po punojnë për të parandaluar që flakët të arrijnë në zonat e banuara. Disa reshje shiu janë regjistruar ditët e fundit, të cilat i kanë ndihmuar zjarrfikësit, por vatra aktive mbeten.

Rreth 450 zjarrfikës po punojnë në zonë, të mbështetur nga 19 mjete ajrore. U kryen djegie të kontrolluara për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe drejtimin e tyre drejt vendeve si Cholilla (pothuajse 3,000 banorë) dhe Esquel (37,000 banorë).

Një zjarr tjetër, në departamentin e Epouzin, ka shndërruar 220,000 hektarë në hi, por është vënë nën kontroll 85%, sipas shërbimit krahinor të zjarrfikësve.

Disa zjarre kanë qenë aktive që nga fillimi i dhjetorit, siç është zjarri në Los Alerces, i cili iu atribua rrufeve , dhe po shtohen herë pas here, varësisht nga kushtet e motit, temperaturat dhe erërat.

Zjarret sezonale kanë prekur edhe provinca të tjera në shkallë të ndryshme.

Deri më tani, nuk janë regjistruar vdekje në Patagoni të Argjentinës nga zjarret e verës në hemisferën jugore. Megjithatë, Kili fqinj mbajti zi për rreth 20 persona që vdiqën në zjarret e janarit.

Qeveria argjentinase njoftoi shpërndarjen emergjente të një shume ekuivalente prej 86 milionë dollarësh amerikanë për organizata të ndryshme vullnetare zjarrfikëse.  / abcnews.al /

Franca shpëtoi mbi 6 mijë emigrantë drejt Britanisë në vitin 2025

30 January 2026 at 21:44

Autoritetet franceze kanë shpëtuar më shumë se 6 mijë emigrantë që tentonin të mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla gjatë vitit 2025, ndërsa 25 persona humbën jetën dhe dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas raportit vjetor të publikuar të premten nga prefektura detare franceze.

Franca ka qenë prej vitesh një pikënisje kryesore për emigrantët që synojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit për të nisur një jetë më të mirë në Britani, ku qeveria laburiste e qendrës së majtë po përballet me presion të fortë nga e djathta ekstreme anti-emigracion për të frenuar mbërritjet.

Pavarësisht rreziqeve të mëdha, përpjekjet për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm me mjete të pasigurta “nuk janë ngadalësuar”, thuhet në raportin e prefekturës detare për Kanalin dhe Detin e Veriut (PREMAR).

Sipas të dhënave, rreth 50 mijë persona në 795 varka kanë tentuar të kalojnë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2025. Autoritetet franceze kanë shpëtuar 6 mijë e 177 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë humbur jetën. Një përllogaritje e AFP-së, bazuar në burime zyrtare franceze dhe britanike, e çon numrin total të viktimave në të paktën 29.

Në raport paralajmërohet se trafikantët e qenieve njerëzore po i ekspozojnë emigrantët ndaj rreziqeve gjithnjë e më të mëdha. Numri i personave për çdo varkë ka vijuar të rritet, nga një mesatare prej 26 personash në vitin 2021 në 63 persona në vitin 2025, ndërsa dhjetë varka gjatë këtij viti kanë transportuar mbi 100 persona secila.

Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të të ashtuquajturave “varka-taksi”, të cilat nisen fshehurazi nga bregu pothuajse bosh dhe më pas marrin dhjetëra emigrantë që futen në ujëra të cekëta për t’u ngjitur në bord.

Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë regjistruar 41 mijë e 472 mbërritje me varka të vogla gjatë vitit 2025, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë pas rekordit prej 45 mijë e 774 mbërritjesh në vitin 2022.

Trump: Irani kërkon marrëveshje për të shmangur veprimet ushtarake amerikane

30 January 2026 at 21:13

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Irani do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje përmes bisedimeve, në mënyrë që të mos përballet me veprime ushtarake amerikane.

“Mund të them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

I pyetur nëse i kishte vendosur Iranit afat për të hyrë në bisedime mbi programet e tij bërthamore dhe raketore, Trump tha “po, e kam bërë”, por nuk deshi të tregonte se çfarë afati.

“Kemi një armatë të madhe, flotë quajeni si të doni, që po shkon drejt Iranit pikërisht tani”, tha Trump, duke iu referuar një grupi aeroplanmbajtësish amerikanë në ujërat pranë Iranit.

“Shpresojmë të arrijmë marrëveshje. Është mirë nëse e arrijmë marrëveshjen. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

Trump përmendi atë që ai e quajti vendim të Iranit për t’i ndaluar ekzekutimet e protestuesve, pas një shtypje të ashpër në të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se u vranë më shumë se 6 mijë njerëz, si provë se Teherani është i gatshëm për bisedime.

Ndërkohë, diplomati më i lartë i Iranit tha të premten se sistemet raketore dhe mbrojtëse të vendit të tij “kurrë” nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve.

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se Teherani është “i gatshëm t’i fillojë bisedimet, nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta, të bazuara në interesa të ndërsjella dhe respekt të ndërsjellë”.

Araghchi i bëri këto komente gjatë një vizite në Turqi, e cila po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Por, ai theksoi: “Dua të deklaroj qartë se sistemet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt negociatash”, duke shtuar se nuk kishte plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për rifillimin e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se rifillimi i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit është “jetik për uljen e tensioneve rajonale”.

Aktorë të tjerë rajonalë u janë bashkuar thirrjeve për diplomaci, përfshirë shtetet e Gjirit, disa prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane.  / abcnews.al /

Në “lupë” turizmi dhe tregtia online / Lahi: Tregtia online vijon të ketë rritje. Problem kryesor, informaliteti

30 January 2026 at 20:33

Analisti Rezart Lahi deklaroi se pagesa cash është një transaksion financiar dhe nuk nënkupton automatikisht informalitet. Sipas tij, masat e fundit nuk janë ndëshkim apo rritje kostoje, por heqje e një avantazhi për subjektet që operojnë në mënyrë informale, veçanërisht në tregtinë online.

Lahi theksoi se blerjet online po rriten ndjeshëm dhe se informaliteti mbetet problemi kryesor i këtij sektori, duke shtuar se është momenti që tatimet të veprojnë për të garantuar barazi fiskale.

“Pagesa cash është transaksion financiar dhe nuk ka rëndësi mënyra; nëse e merr cash, nuk do të thotë që je informal dhe nuk është se e thjeshton një proces. Nuk është një rritje e kostos apo një ndëshkim për ata që nuk kanë pasur një NIPT; dikush operon nga rrjetet dhe e reklamon, por është heqja e një avantazhi. Ato detyrime i kanë, por nuk i zbatojnë.

Disa biznese të vogla, nga pamundësia, nuk mund të bashkohen; kjo sjell edhe elementë të rinj. Mund të shkosh ti si punonjës në një kompani online dhe të paguhesh shumë më tepër. Problemi është te taksat, të cilat janë të drejta kur janë të barabarta për të gjithë.

Tendenca e blerjeve online vijon shumë e lartë; janari ka pasur një rritje marramendëse. Tregtia online ka si problem kryesor informalitetin; është momenti që tatimet të veprojnë. Nëse formalizohen, çdokush mund të investonte.”  / abcnews.al /

Gjermania drejt heqjes së ditës tetë orëshe të punës për të forcuar turizmin

30 January 2026 at 19:35

Ministria Gjermane e Ekonomisë po promovon heqjen e ditës së punës tetë-orëshe, duke bërë thirrje për zbatimin e shpejtë të reformës së planifikuar në lidhje me orarin e punës.

Qëllimi përfundimtar është forcimi i sektorit gjerman të turizmit, i cili në praktikë zbaton orë pune më fleksibile. “Futja e një kohe maksimale javore pune në vend të një maksimumi ditor duhet të vendoset brenda vitit 2026”, theksoi koordinatori për Industrinë Detare dhe Turizmin, Christoph Ploss, gjatë prezantimit të strategjisë për zhvillimin e turizmit para kabinetit, dje në Berlin.

Sipas legjislacionit aktual, orët ditore të punës për punonjësit janë të kufizuara në tetë. Përjashtimisht, është e mundur një zgjatje deri në dhjetë orë, me punonjësin që kompensohet ose financiarisht, ose me kohë të lirë. Në marrëveshjen e tyre të koalicionit pas zgjedhjeve të vitit 2025, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU/CSU) dhe Socialdemokratët (SPD) ranë dakord të zëvendësojnë kohën ditore tetë-orëshe me një maksimum javor. Siç shpjegon Ministria e Ekonomisë, marrëveshja e re do të jetë gjithashtu “në interes të një ekuilibri më të mirë midis punës dhe jetës personale”.

Orë javore në vend të tetë orëve ditore

Në përgjigje të planeve të qeverisë, sindikatat gjermane kanë njoftuar tashmë protesta. Kreu i sindikatës Ver.di, Frank Wernecke, i përshkroi planet e Berlinit si një “dritë jeshile” për punëdhënësit që të “shtrydhin çdo pikë të fundit të punëtorëve, pa marrë parasysh shëndetin e tyre”.

Duke folur për gazetën Bild, Wernecke theksoi se sindikata është e gatshme të luftojë si në biznese ashtu edhe në rrugë për të mbajtur të paprekur ligjin që garanton ditën tetë-orëshe të punës.

“Relaksimi” i ditës tetë-orëshe të punës, siç parashikohet në marrëveshjen qeveritare të partive bashkëqeverisëse, tashmë është përfshirë në “Strategjinë Kombëtare për Turizmin”, e cila u miratua të mërkurën nga kabineti. Për vite me radhë, shoqatat e turizmit kanë bërë thirrje për lehtësimin e rregulloreve ligjore në fuqi. Ora e re maksimale javore e punës do të zbatohet gradualisht në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ministria kompetente e Punës planifikon të paraqesë një projektligj përkatës deri në verë.

Dosja Epstein/ Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikon 3 milionë faqe dokumentesh, 2 mijë video dhe 180 mijë foto

30 January 2026 at 19:27

Departamenti i Drejtësisë ka përfunduar shqyrtimin e dosjeve që lidhen me çështjen Epstein dhe po publikon dokumentet.

“Sot, po publikojmë më shumë se 3 milionë faqe, duke përfshirë më shumë se 2,000 video dhe 180,000 foto në total, që do të thotë se departamenti ka publikuar afërsisht tre milionë e gjysmë faqe në përputhje me ligjin”, tha Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanch në një konferencë për shtyp.

Qindra mijëra dokumente që lidhen me Epstein ishin bërë publike deri në fund të vitit 2025, të cilat përfshinin foto të Epstein me ish-presidentin Bill Clinton dhe Donald Trump.

Reshjet rekord të dëborës shkaktojnë kaos në disa pjesë të Japonisë

30 January 2026 at 18:48

Agjencia meteorologjike e Japonisë ka lëshuar paralajmërime për reshje të dendura dëbore përgjatë bregdetit të Detit të Japonisë, nga rajonet perëndimore deri në ato veriore të vendit, me kushtet që pritet të vazhdojnë deri të premten.

Moti i keq që ka goditur Japoninë ka shkaktuar tashmë probleme serioze në trafik, pasi reshjet e vazhdueshme të dëborës kanë krijuar kushte të rrezikshme në rrjetin rrugor, duke e bërë të vështirë udhëtimin.

Në prefekturën Niigata, qyteti Tsunan regjistroi 21 centimetra borë në gjashtë orë, ndërsa distrikti Tadami në Fukushima regjistroi 16 centimetra në të njëjtën periudhë. Trashësia totale e borës tani ka arritur në 264 centimetra në disa pjesë të Niigatës dhe 150 centimetra në qytetin Aomori.

Sipas parashikimeve, masat më të ftohta të ajrit pritet të intensifikojnë më tej fenomenin në Tohoku, si dhe në Japoninë perëndimore dhe lindore. Në disa zona, autoritetet vlerësojnë se deri në 70 centimetra borë e re mund të bjerë brenda 24 orëve.

Shërbimet kompetente paralajmërojnë për probleme me udhëtimin, një rrezik në rritje të orteqeve dhe ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë.

Spiropali me Ambasadorin e Italisë: Tirana mirëpret në 18 shkurt Forumin e Korridorit VIII, arteries strategjike të sigurisë europiane

30 January 2026 at 18:26

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti ditën e sotme në një takim, Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, me fokus koordinimin e përgatitjeve për mbajtjen në Tiranë të Forumit të Korridorit VIII.

Spiropali e cilëson këtë projekt “një arterie strategjike që sjell me vete potencial ndërlidhjeje infrastrukturore me rëndësi politike, ekonomike, të sigurisë rajonale e europiane.”

Ministrja njoftoi se kjo platformë e nivelit të lartë do të mbahet në 18 shkurt në Tiranë me prezencën e Ministrave të Jashtëm të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Mbajtja e këtij forumi në Tiranë, konfirmon sipas Ministres së Jashtme, vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe operacional përgjatë Korridorit VIII, nga Adriatiku në Detin e Zi.

Postimi i Spiropalit:

Me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, koordinojmë përgatitjet për mbajtjen në Tiranë të Forumit të Korridorit VIII, arteries strategjike që sjell me vete një potencial ndërlidhjeje infrastrukturore me rëndësi politike, ekonomike, të sigurisë rajonale e europiane.

Kjo platformë e nivelit të lartë që do të mbahet në 18 shkurt në Tiranë me prezencën e Ministrave të Jashtëm të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, konfirmon vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe operacional përgjatë Korridorit VIII, nga Adriatiku në Detin e Zi.  / abcnews.al /

Spanja legalizon qëndrimin e emigrantëve, dekreti i qeverisë Sanchez

30 January 2026 at 17:55

Qeveria spanjolle ka hedhur një hap të rrallë me nisjen e një procedurë të jashtëzakonshme që u mundëson shumë emigrantëve, të cilët deri tani kanë jetuar ilegalisht në vend, të fitojnë status legjitim qëndrimi.

Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Migracionit, Elma Saiz, pas miratimit nga kabineti qeveritar. Saiz sqaroi se nisma synon forcimin e një modeli emigracioni të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, duke u ofruar emigrantëve siguri ligjore, mundësi integrimi dhe të drejta të barabarta, ndërsa theksoi gjithashtu ndikimin pozitiv që migrimi ka në shoqëri dhe ekonomi. Kryeministri socialist Pedro Sánchez nga ana e tij, e justifikoi këtë politikë pro-emigrimit me mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë, faktorë që rrezikojnë funksionimin e shtetit social dhe sistemin e pensioneve në Spanjë.

Nga kjo procedurë përfitojnë të gjithë emigrantët që kanë hyrë në Spanjë para 31 dhjetorit 2025, me kusht që të mos kenë precedentë penalë dhe të kenë qëndruar në vend të paktën pesë muaj. Prania e tyre mund të vërtetohet përmes dokumenteve si certifikata mjekësore, kontrata qiraje, transferta bankare apo edhe bileta udhëtimi.

Aplikimet për legalizim do të pranohen deri më 30 qershor dhe masa do të zbatohet përmes një dekreti mbretëror, pa pasur nevojë për miratim parlamentar, pasi koalicioni qeverisës nuk ka shumicën në Kuvend. Ndryshe nga disa vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku politikat ndaj emigrantëve janë ashpërsuar, Spanja duket ka zgjedhur një qasje më përfshirëse.

Ekspertet konsiderojnë se në kohën kur edhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë zgjedhur shtrëngimin e rregullave të migrimit, Madridi po pozicionohet si kundërmodel. Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Spanja është një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve në Europë.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INE, në vitin 2025 në Spanjë jetonin rreth 9.8 milionë persona të lindur jashtë vendit, gati 20 për qind e popullsisë totale.

Serbi, rekord droge/ Kapen 5 ton kanabis në një magazinë private, dy të arrestuar

30 January 2026 at 17:40

Pesë tonë drogë, e llojit marijuanë është sekuestruar nga Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar.

Operacioni u zhvillua në fshatin Konjuh, afër Krushevcit në Serbinë qendrore.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ky është sekuestrimi më i madh i drogës në Serbi deri më tani. Vlera e drogës së kapur vlerësohet të jetë nga 7 deri në 10 milionë euro.

Ministria e brendshme deklaron se gjatë aksionit janë arrestuar 2 persona, ndërsa vazhdojnë kërkimet për një të tretë me dyshimin se kanë kryer vepra penale për prodhimin dhe posedimin e paautorizuar të narkotikëve dhe për posedim dhe tregtim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve plasëse.

Përveç drogës, janë gjetur edhe armë zjarri: katër pushkë automatike dhe një raketë që hidhet nga krahu, si dhe para në vlerë prej rreth 12.700 eurosh.

Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi njoftoi se të arrestuarit dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal.

Në njoftimin e prokurorisë serbe u tha po ashtu se ky grup i organizuar kriminal e kishte magazinuar marihuanën në hapësirat e një kompanie private, nga ku ajo do të shpërndahej në Beograd, për shitje.

Pas ndalimit, dy të dyshuarit u dëgruan në prokurori për tu marrë ën pyetje lidhur me aktivitetin kriminal.  / abcnews.al/

Kosova pa drita/ Qeveria Kurti ngrin katër herë çmimin e energjisë

30 January 2026 at 17:28

Kosova vijon të mos furnizohet 24 orë me energji elektrike, e megjithatë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit janë bërë katër kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) rritje të çmimit deri në mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, kërkesë kjo e arsyetuar me rritjen e kostove operative dhe nevojën për blerje të energjisë.

Tani pritet që Zyra per Rregullatorin e Energjisë të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të marrë vendim nëse do ta pranojë apo jo.

Në maj të vitit 2025 , ZRRE-ja miratoj një rritje të tarifave me 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024.

Në vitin 2023, po kjo zyrë aporovoj rritjen e çmimit të energjisë me 15 për qind.

Tani, tarifa e ditës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kËh është 9.05 centë/kËh, ndërsa tarifa e natës është 3.88 centë/kËh.

Ndërsa, për konsumatorët që kalojnë pragun e 800 kËh, çmimi është 7.28 centë për tarifën e natës, kurse 15.43 centë për tarifën e ditës.

Qyetetarët ankohen për fatura të fryra, ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti bënë thirrje që konsumtaorët të mos e mbingarkojnë rrjetin.

Opozita ka reaguar duke deklaruar se mbushja e xhepave të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve të vendit.

Mollët europiane të kontaminuara me pesticide

30 January 2026 at 16:52

Një studim i ri kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të Bashkimit Europian për pesticidet, duke argumentuar se ato analizohen në mënyrë të izoluar dhe jo duke u fokusuar te ndikimi i efektit “koktej”, pra kombinimi i disa mbetjeve pesticidesh të pranishme në fruta dhe perime.

Trembëdhjetë vende europiane po shesin mollë në tregje dhe supermarkete me një përqendrim shqetësues mbetjesh pesticidesh, të njohura zakonisht si “kokteje pesticidesh”, sipas një raporti të një OJQ-je që i bën thirrje Bashkimit Europian të rregullojë ekspozimin ndaj këtyre kimikateve.

Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Spanja dhe Zvicra kanë raportuar ndotje të mollëve, sipas raportit më të fundit të Pesticide Action Network (PAN) Europe, i cili kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të BE-së për faktin se i trajton pesticidet në mënyrë të ndarë dhe shpërfill efektin “koktej”.

“Një nga rezultatet më tronditëse është se 85% e mollëve të testuara përmbanin disa mbetje pesticidesh,” tha Gergely Simon, aktivist në PAN Europe. “Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) u ngarkua 20 vjet më parë të zhvillonte një metodologji për të rregulluar efektet koktej të pesticideve, por ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor.”

Raporti thekson se, nëse këto mollë do të shiteshin si ushqim i përpunuar për foshnje, 93% e tyre do të tejkalonin kufirin ligjor të BE-së për nivelet e pesticideve për fëmijët nën 3 vjeç.

“Prindërit e rinj nuk janë të vetëdijshëm se ushqyerja e fëmijëve me fruta ose perime të freskëta konvencionale e rrit ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj pesticideve, ndonjëherë deri në 600 herë, tha Simon. Autoritetet publike duhet t’i informojnë ata dhe të promovojnë me prioritet ushqimin organik.”

Raporti kritik vjen në një kohë kur rregullat e BE-së për trajtimin e “koktejeve të pesticideve” mbeten pezull, me shumë grupe aktiviste që i bëjnë thirrje Komisionit Europian dhe EFSA-s të përshpejtojnë vlerësimin e rrezikut kumulativ të pesticideve.

Ndërsa çështja e vlerësimit të efekteve të kombinuara të disa pesticideve u pranua për herë të parë në vitin 2005, vetëm në vitin 2020 EFSA kreu një vlerësim pilot të efekteve të kombinuara mbi tiroiden dhe sistemin nervor.

Që nga viti 2021, Komisioni dhe EFSA kanë punuar për të zgjeruar vlerësimet kumulative të rrezikut për më shumë grupe pesticidësh, me synimin që t’i integrojnë plotësisht në legjislacion deri në vitin 2030. Një zëdhënës i EFSA-s tha se puna për të vlerësuar problemin e “koktejve të pesticideve” është “komplekse”, pasi përfshin grupe të mëdha të dhënash, mjete të reja softuerike dhe bashkëpunim të gjerë me partnerë europianë dhe ndërkombëtarë.

Pesticidet dhe “kimikatet e përjetshme”

Studimi shkencor i PAN Europe u zhvillua nga 1 deri më 20 shtator 2025, gjatë të cilit studiuesit përzgjodhën nga tre deri në pesë mostra të mollëve konvencionale të prodhuara lokalisht, nga supermarkete ose tregje, për një total prej 59 mostrash mollësh të prodhuara në nivel kombëtar, sipas raportit.

Gjetjet zbulojnë se 71% e mostrave të mollëve përmbanin të paktën një mbetje të kategorisë së pesticideve më toksike sipas BE-së, 64% përmbanin të paktën një mbetje të pesticideve PFAS, të njohura edhe si “kimikate të përjetshme”, dhe 36% përmbanin një pesticid neurotoksik.

Fludioxonil, një pesticid PFAS, u gjet në pothuajse 40% të mostrave, sipas raportit, i cili vëren se ky kimikat i rrezikshëm u klasifikua si çrregullues endokrin në BE në vitin 2024.

Propozimi do t’u lejonte gjithashtu vendeve të BE-së të shpërfillnin gjetjet më të fundit shkencore kur vlerësojnë rreziqet e pesticideve./Monitor

Before yesterdayMain stream

Aksidenti në Rumani, 7 tifozë viktima/ Dëshmitari: Furgoni bëri manovra të rrezikshme

29 January 2026 at 13:32

Hetimet për aksidentin tragjik ku humbën jetën shtatë tifozë të PAOK-ut, kanë marrë një drejtim të ri pasi autoritetet zbuluan substanca narkotike në furgonin e aksidentuar.

Sipas mediave rumune, shoferi 29-vjeçar rezultoi pozitiv për drogë pas analizave toksikologjike.

Burime hetimore që citohen nga mediat rumune thonë se në automjet u gjetën edhe alkool, pije energjike dhe drogë, ndërsa një pasagjer ka deklaruar se shoferi kishte konsumuar kanabis pak para përplasjes me kamionin që vinte në kahun e kundërt.

Një dëshmitar okular i aksidentit tragjik rrugor në Rumani , me vdekjen e shtatë tifozëve të PAOK-ut , përshkroi për një media rumune momentin tragjik të përplasjes midis furgonit dhe kamionit.

Sipas dëshmitarit dhe drejtuesit të mjetit, të cilët arritën të shmangnin përplasjen, sjellja e drejtuesit të furgonit fatal ishte vendimtare për aksidentin.

Siç thekson dëshmitari okular, “shoferi i furgonit bëri manovra të rrezikshme para aksidentit”, ndërsa përpiqej të parakalonte një varg automjetesh.

/ abcnews.al /

“PS vijon punën, PD bllokimin”/ Bojkotimi i komisioneve, Meçe: Berisha kërkon konflikt. Këtë metodë do përdor për Reformën Zgjedhore

29 January 2026 at 13:27

Socialistët iu përmbajtën paralajmërimeve të tyre për ndryshmin e formatit të Komisionit për Reformën Administartivo Territoriale. Ata kanë propozuara të marrin shumicën e anëtarëve, nga 8 deputetë aktualisht, e cojnë në 9, çka prish barazinë mazhorancë-opozitë.

Me ndryshimet e reja, numri i socialistëve shkon në 9, duke formuar shumicën aty. Në dokument ka dhe një propozim të dytë. Luciano Boci nuk do të jetë bashkëkryetar, pra nuk ka të drejtë vetoje. Këto dy ndryshime bëjnë të mundur që puna në Komision të mos pengohet, për shkak të mosprezencës së deputetëve demokratë. Ata edhe aktualisht i kanë bojkotuar dy komisionet e posacme, sipas porosisë së kryetarit Berisha.

Analisti Arben Meçe tha për News Line se ky nuk është një lajm i mirë dhe se PD nuk ka për qëllim të jetë bashkëpunuese dhe të drejtën e vetos e përdor për të bllokuar proceset. Më tej, Meçe shton se Berisha vijon me të njëjtin format, që konsiston në konflikt dhe agravim të situatës. Meçe thekson se Berisha bllokoi procesin, ndërsa PS vijon punën.

“Nuk është një lajm i mirë. Shqipëria duhet të vijë në normalitet dhe prishja e kompromisit është lajm negativ. Kushtet në të cilat bëhet një akt i tillë lidhen edhe me funksionalitetin e demokracisë. Prej kohësh kam thënë që PD nuk ka pasur asnjëherë mision që të jetë bashkëudhëtare në proceset e demokracisë dhe, përmes kompromisit në bashkëqeverisje, ka tentuar të marrë hapësira që kanë të bëjnë me të drejtën e vetos, të cilën e përdor për të bllokuar procese. Këtë metodikë do ta përdorë edhe për reformën zgjedhore.

Deklarimi i qartë i Berishës që nuk do të bëhej asnjë veprim me PS-në, ky propozim është zhbllokim i prishjes. Nuk u prish marrëveshja, u bllokua në mënyrë të njëanshme nga PD, e cila deklaroi se do të bënte reformën territoriale.

Tentativa dhe formati që Berisha kërkon është konflikti dhe agravimi i situatës. Është një konflikt që nuk ka sens. Berisha do ta mbajë Kuvendin, qeverinë dhe sheshet në gjendje destabilizimi, dhe kjo është strategjia e tij.

Në Shqipëri partitë janë parti kryetarësh. PD do ta kuptojë më vonë domosdoshmërinë për të qenë pjesë në komisione, duke parë që edhe PS është e vendosur të vijojë punën e saj.”

/ abcnews.al /

Britania i “shtrin dorën” Kinës/ Starmer takon XI: Bisedime produktive për partneritet afatgjatë

29 January 2026 at 12:54

Britania e Madhe po i drejton sytë nga Kina, në një kohë kur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, aleatin historik të vendit, nuk janë në momentin e vetë më të mirë.

Kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi një vizitë në Kinë, ku u taklua me presidentin Xi Jinping. Starmer I cilësoi bisedimet shumë produktive dhe njoftoi se Pekini ka hequr vizat per qytetaret britanike, ndersa diskutime pati edhe ne liidhje me tarifat për uiskin dhe shkëmbimin e informacionit mbi emigracionin e parregullt.

Starmer, një laburist, ishte kryeministri I parë britanik që viziton Kinën në tetë vjet.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tensionuar për shkak të akuzave për spiunazh kinez në Britaninë e Madhe, mbështetjes së Kinës për Rusinë në luftën e Ukrainës dhe shtypjes së lirive në Hong Kong, ish-kolonia britanike që iu kthye Kinës në vitin 1997.

Udhëheqësi i Mbretërisë së Bashkuar tha se do të mbrojë sigurinë kombëtare duke vazhduar dialogun diplomatik dhe bashkëpunimin ekonomik me Kinën.

Starmer njohu faktin se Kina është një lojtare e rëndësishme në skenën globale dhe është jetike ndërtimi I një marrëdhënieje më të sofistikuar ku mund të identifikohen mundësitë për të bashkëpunuar.

Lideri labursit theksoi se Kina, është e gatshme të zhvillojë një partneritet afatgjatë dhe shtoi se mund të arrihet një rezultat që mund t’i rezistojë provës së historisë.

Starmer është udhëheqësi i fundit perëndimor që ndërmerr angazhime të rëndësishme diplomatike me Kinën, ndërsa tarifat e presidentit amerikan Donald Trump kanë kërcënuar rendin global ekonomik.

Vizita e Starmer vjen menjëherë pas asaj të kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili nënshkroi një marrëveshje ekonomike me Pekinin për të shembur barrierat tregtare, duke shkaktuar zemërimin e Trump, I cili kërcënoi me tarifa 100% për Otavën.  / abcnews.al /

Përfundon seanca, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes/ Naim Murseli: As unë, as fëmijët nuk ishim në makinë atë natë!

29 January 2026 at 12:42

Ka përfunduar seanca ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.

Klan Kosova raporton se ekipet mbrojtëse kishin paraqitur disa kërkesa të veçanta.

“Kërkesa e mbrojtjes së Naim Murselit ishte rikonstruimi i vendit të ngjarjes, ndërsa mbrojtja e Kushtrim Kokallës kërkoi të dëgjohej një dëshmitar shtesë, Tafil Kokalla. Ndërkohë, mbrojtja e Granit Plavës kërkoi një ekzaminim shtesë ndaj tij. Të gjitha këto kërkesa u refuzuan nga trupi gjykues,” tha Latifi.

Latifi raportoi gjithashtu se Naim Murseli para trupit gjykues u betua në fëmijët e tij, duke pohuar se në natën e vrasjes së Liridona Ademajt nuk ishte prezent në veturë.

Ai deklaroi po ashtu se kishte pasur një martesë të lumtur me të ndjerën dhe se nuk kishte ushtruar kurrë dhunë ndaj saj.  / abcnews.al /

Njëri publikonte fotot e të miturve, tjetri llogari të ish të dashurës/ Lezhë, Krimi Kibernetik shpall në kërkim dy të rinj

29 January 2026 at 11:28

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy shtetas pas hetimeve të krimit kibernetik. Sipas policisë, një 36 vjeçar banues në Tiranë është shpallur në kërkim pasi dyshohet se në një llogari në rrjet social, ka postuar pa autorizim, fotografi të fëmijëve të mitur të një shtetaseje.

Ndërsa një 29 vjeçar dyshohet se ka aktivizuar një llogari false në rrjet social, me kredencialet e ish të dashurës së tij.

” Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike shpallën në kërkim shtetasit:

-E. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në një llogari në rrjet social, ka postuar pa autorizim, fotografi të fëmijëve të mitur të një shtetaseje;

-V. N., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka aktivizuar një llogari false në rrjet social, me kredencialet e ish të dashurës së tij.

Punohet për kapjen e të dy shtetasve.”  / abcnews.al /

Reperja Nicki Minaj shpreh mbështetje publike për Trump gjatë një eventi në Washington

29 January 2026 at 11:08

Reperja e njohur amerikane Nicki Minaj, e cilësuar shpesh si “Mbretëresha e repit”, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Deklarata u bë gjatë një eventi të mbajtur në Washington, i organizuar në kuadër të një nisme për fëmijët amerikanë. Gjatë fjalës së saj, Minaj vlerësoi angazhimin e presidentit për këtë kauzë dhe u zotua se do të kontribuojë edhe privatisht për realizimin e projektit.

Mbështetja e hapur e artistes për Trump ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke qenë se figurat e njohura të industrisë muzikore rrallë shprehin publikisht pozicione politike të tilla.

Ngjarja vjen në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të forcojë nismat sociale të fokusuara tek fëmijët dhe familjet në nevojë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

❌
❌