Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Vangjeli: 21 Janari përcaktoi 15 vitet e fundit politike, drejtësia duhet të vulosë autorin që tha; Qëlloni!

By: A R
22 January 2026 at 08:55

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se ngjarja tragjike e 21 Janarit përcaktoi 15 vitet e fundit politike.

Sipas Vangjelit, 21 Janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri duke kushtëzuar edhe rrjedhën e ngjarjeve politike, veçanërisht ato të 15 viteve të fundit.

21 janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri. Është një nga ato ngjarje që ka kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve shoqërore dhe politike kryesisht të 15 viteve. Pa 21 janarin, Shqipëria e sotme nuk do të ishte kështu siç është, mund të ishte më e mirë apo mund të ishte më e keqe. Kjo është tjetër histori. Shqipëria siç e njohim tani nuk do të ishte njësoj”, tha Vangjeli.

Vangjeli tha më tej se ne ende sot nuk kemi një motiv pse u bënë ato vrasje, si dhe nuk ka ende një “vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?!”

Ne ende nuk kemi një motiv se pse u bënë ato vrasje, hamendësimet mund të jenë të pafundme. Por ne na duhet një vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?! Kjo është dilema!

Duke parë se çfarë ka ndodhur në 15 vjet, pjesa tjetër e medaljes është ajo që 21 Janari është si një ditë zahmeti; Zahmet për pushtetin e djeshëm dhe opozitën e sotme, e cila është në bankën e të akuzuarve dhe e numëron këtë ngjarje si një nga arsyet pse iku nga pushteti më 2013-n.

Zahmet edhe për këtë qeverisje e cila e pret 21 janarin me të njëjtin motiv, me të njëjtat fjalë duke pritur drejtësi, por duke qenë edhe e pafuqishme të ndikojë në dhënien e vullnetit të plotë politik për hetimin e saj. Duket sikur të gjitha palët mezi ç’presin ta kapërcejnë nga data 21 në datën 22 janar”, u shpreh më tej Vangjeli.

Të parat goditen gjigandët e teknologjisë, “arma” e fshehtë e BE kundër tarifave të Trump

By: A R
22 January 2026 at 08:47

Kur vendet e Bashkimit Evropian të takohen të enjten e 22 janarit për të diskutuar se si t’i përgjigjen kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për tarifa më të larta mbi Groenlandën, një mjet në dispozicion të tyre është edhe “Instrumenti Kundër Detyrimit” ose Shntërrngimit, një proces i patestuar deri më tani.

Trump u zotua të shtunën e 17 janarit të zbatojë një valë tarifash në rritje mbi importet nga aleatët evropianë derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Groenlandën, duke intensifikuar një mosmarrëveshje mbi të ardhmen e ishullit të madh Arktik të Danimarkës.

Instrum shihet nga shumë si një “opsion bërthamor” që idealisht mendohet si një pengesë.

Analisti i shkencave politike, Juraj Majcin tha se mjeti i lejoi bllokut t’u përgjigjej kufizimeve tregtare të vendosura nga jashtë me tarifa, kufizime mbi investimet ose të parandalonte bizneset me seli në vendin që po synonte të operonin në BE.

Majcin tha se nëse masa do të zbatohej kundër SHBA-së, gjigantët amerikanë të teknologjisë mund të ishin midis atyre që do të shënjestroheshin për shkak të ndikimit financiar dhe afërsisë së disa drejtuesve të teknologjisë me administratën Trump.

Ai tha se BE-ja deri më tani i kishte rezistuar përdorimit të masave më të forta për t’u hakmarrë ndaj tarifave të SHBA-së për shkak të frikës nga inflacioni më i lartë dhe dobësimit të rritjes së saj ekonomike.

Por, meqenëse situata ndikon drejtpërdrejt në sovranitetin e anëtares së BE-së, Danimarkës, nga e cila Groenlanda është një territor autonom, ajo “kërkon gjithashtu masa më serioze”, tha Majcin.

Ligji evropian i jep Komisionit Evropian deri në katër muaj për të shqyrtuar rastet e mundshme të detyrimit. Nëse konstaton se masat e një vendi të huaj përbëjnë detyrim, ia kalon këtë anëtarëve të BE-së, të cilët kanë tetë deri në dhjetë javë të tjera për të konfirmuar gjetjen.

Konfirmimi kërkon një shumicë të kualifikuar të anëtarëve të BE-së – një pengesë më e lartë për t’u kapërcyer sesa ajo për zbatimin e tarifave hakmarrëse.

Komisioni normalisht do të negociojë me vendin e huaj në një përpjekje për të ndaluar detyrimin. Nëse kjo dështon, ai mund të zbatojë masat ACI, përsëri në varësi të një votimi nga anëtarët e BE-së. Këto duhet të hyjnë në fuqi brenda tre muajsh.

I gjithë procesi mund të zgjasë nga disa muaj deri në një vit për t’u përfunduar.

Çështja “Balluku”, Gjykata Kushtetuese shqyrton sot ankimimin e Ramës

By: A R
22 January 2026 at 08:39

Ditën e sotme do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuse seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres Belinda Balluku si anëtare e Këshillit të Ministrave.

“Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal””, thuhet në objektin që ka për shqyrtim gjykata.

Gjatë seancës së sotme janë të ftuara si subjekte të interesuara edhe institucioni i presidencës, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.

Kujtojmë se zv/kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë. Më 20 Nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv/kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.

Por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer automatikisht në detyrë.

Pas kësaj, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Aderimi në Bordin e Paqes, sot mblidhet Kuvendi për të vendosur

By: A R
22 January 2026 at 08:31

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare. Në rendin e ditës është parashikuar që të kalojë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk kanë marrë njoftim për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave dhe se është thyer rregullorja.

Megjithatë pavarësisht kësaj, ata deklaruan se do të marrin pjesë pasi mbështesin presidentin Donald Trump.

“Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale”, thuhej në një lajmërim të PD-së.

Sjellim ndërmend se presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.

Kryeministri Edi Rama pas marrjes së ftesës nga Trump, të cilën e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje.

Ai tha se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.

Ndërkohë dy ditë më parë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se ftesa është një vlerësim i lartë që i është bërë Shqipërisë nga presidenti amerikan. Ajo kritikoi dhe reagimet e shumta që kanë qarkulluar në media dhe nga opozita duke hedhur poshtë deklaratat se anëtarësimi në bord është me pagesë.

Për këtë pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama i cili është shprehur se është gënjeshtër që për t’u anëtarësuar në Bordin e Paqes duhen 1 miliard dollarë, se do të sillen palestinezë në Shqipëri apo se aty marrin pjesë të gjitha vendet e OKB-së.

21 Janari, Zogaj: SPAK ka humbur kohë, urdhrat e ndalimit penguan zbardhjen e krimit

By: A R
22 January 2026 at 08:23

Analisti Preç Zogaj komentoi në studion e emisionit “Trialog” në RTSH1, të moderuar nga Alba Alishani, për hetimin e SPAK dhe veprimet e prokurorisë lidhur me urdhrat e ndalimit.

Zogaj tha se SPAK ka kaluar shumë kohë, por ende nuk ka dalë në një përfundim dhe se disa pengesa ligjore kanë dhënë mundësi personave të përfshirë në krim të prishin skemën e tyre.

SPAK ka harxhuar kohë nuk është se e ka marrë dje por akoma nuk ka dal në një përfundim. E tha dhe Sulo ky është një hetim jo i kollajt në disa aspekte dhe në disa aspekte është i kollajt. Mua më duket e kollajt ajo që të zbardhet dhe sqarohet ligjërisht me emër dhe mbiemër pse u pengua prokuroria për të bërë ndalimin e personave që kishin ndal urdhrin e Prokurores së përgjithshme, urdhrat e ndalimit dhe anulimi i këtyre urdhrave dha kohë personave aty që të prishin skemën e krimit”, u shpreh Zogaj.

Ai shtoi se ka ndjekur edhe narrativa të tjera politike, ku sipas tij, kryeministri dhe figura të tjera kanë prezantuar informacion që më pas ka rezultuar i pasaktë.

Unë e kam zbardhur sepse në atë kohë kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera  ku kryeministri është angazhuar 5-6 ditë në narrativa që kanë rezultuar të gjitha gënjeshtra. Sali Berisha, i kemi me radhë, takim me gardën, takim me forcat ushtarake, është ngritur një grup hetimor i PD  ka dhënë një dëshmi që ka thënë kaq armë ishin këtu, kaq armë ishin aty. Për disa ditë me radhë janë linçuar disa narrativa që nuk ka asnjë provë që ka rezultuar e vërtetë. Unë nuk jam prokuror që të hyjë në punën që nuk e njoh por e kam përjetuar”, tha ai.

“Ziver Veizi vidhte unaza grash”, çudit avokati i Metës: Në 21 Janar nuk vrau Garda!

By: A R
22 January 2026 at 08:15

Avokati i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka bërë deklarata të forta dhe polemika lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, duke sulmuar drejtpërdrejt liderin e asaj kohe të opozitës Edi Rama si dhe njërin prej viktimave të asaj proteste.

I ftuar në emisionin Off The Record me Andrea Dangllin, Cakrani deklaroi se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira.

Sipas tij, Veizi kishte vite që nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare.

Cakrani pretendoi se ai ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.

“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një 97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerëse i vidhte grave unazat. Pyseni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën.

Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Cakrani, duke shtuar se sipas tij bëhej fjalë për “krim shtetëror”, pasi opozita e asaj kohe ishte pjesë e pushtetit.

Avokati hodhi gjithashtu dyshime mbi autorësinë e vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u vranë nga Garda e Republikës apo nga ajo që ai e quajti “partia që donte heronj.

“PS është parti që do heronj, i nxori në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani duke bërë thirrje që për këtë çështje të bëhet drejtësi.

Cakrani bëri të ditur gjithashtu se Ilir Meta ka dëshmuar për rreth një orë në SPAK, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit.

“Ilir Meta ka dhënë dëshminë më të saktë për 21 Janarin, sepse ajo ngjarje u bë për të. Ai ka qenë në heshtje gjithë këto kohë. Ai është pyetur në SPAK para 1 muaji dhe ka dhënë versionin e tij. Shërbimet kanë qenë të gjitha për kryengritje dhe që do kishte viktima. Shërbimet amerikane e kanë njoftuar Ilir Metën. Ai ka bërë një letër të detajuar para ngjarjes se çfarë pritej të ndodhte”, tha Cakrani në “Off The Record”  ku e cilësoi si të montuar edhe videon e famshme të publikuar nga Dritan Prifti, duke deklaruar se ajo ishte pjesë e një skenari politik që sipas tij çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.

“Gjithçka nisi nga ajo video e montuar prej të ndjerit Dritan Prifti që të gjithë ju e dini”, tha ai ndër të tjera.

Dita e sotme me vranësira të dendura, zonat ku do ketë reshje shiu dhe dëbore

By: A R
22 January 2026 at 08:08

Për ditën e sotme (22 janar) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sipas SHMU-së, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).

Përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare pritet të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët. Këto reshje në periudha tepër afatshkurtra do të jenë në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë do të jetë prezente në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Në zonën e Alpeve do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Shtohet toka djerrë, Shqipëria blen më shumë drithë nga jashtë. Kryeson Serbia

By: A R
21 January 2026 at 20:00

Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona… gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 374 mijë ton drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2025-ës u zgjerua me gati 40 mijë tonë në raport me 2024-n.

Zef Gjeta, pedagog për bujqësinë, u shpreh për A2CNN: “Rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë”.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët. Ndonëse u importuan gati 40 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ishte gati e njëjtë me 2024-n, vit në të cilin u shpenzuan rreth 10 miliardë lekë.

Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie bloje, thotë: “Tani, drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 248 tonë drithë me vlerë 28 milionë lekë. Në raport me 2024-n, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i dobët, eksportet gati u dyfishuan.

“Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin, tha Haxhiymeri.

Zef Gjeta tha: “Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Por, nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa po zgjerohet hapësira e tokave të djerra.

Shpërthen tubi kryesor i ujësjellësit në Vlorë, ‘përmbytet’ bulevardi “Ismail Qemali”

By: A R
21 January 2026 at 19:53

Një incident ka ndodhur në rrjetin e ujësjellësit të Vlorës sot në 21 janar, duke shkaktuar përmbytje të bulevardit kryesor të qytetit. Gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, një avari në sistemin e shpërndarjes së ujit ka çuar në shpërthimin e një tubi me diametër 500 cm, duke derdhur të gjithë ujin nga depozita e qytetit në Bulevardin “Ismail Qemali”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, pikërisht në kohën kur depozitat e ujit hapen për furnizimin e qytetit.

Si pasojë e presionit të lartë dhe sasive të mëdha të ujit, rruga kryesore e Vlorës është mbushur me ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ujë të rrëmbyeshëm që ka ‘pushtuar’ trotuaret dhe karrexhatat, duke krijuar një situatë aspak normale për banorët.

Sipas njoftimit zyrtar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës, çarja e tubit ka ndodhur si pasojë e punimeve që po kryen një firmë private për ndërtimin e një objekti publik pranë zonës. Autoritetet e ujësjellësit kanë bërë të ditur se po ndërhyjnë menjëherë për të vendosur tubin dhe se qyteti nuk do të ketë probleme serioze me furnizimin me ujë, raporton për Klan News, gazetarja Greta Haskaj.

Ngjarja e sotme është vetëm një nga seritë e problemeve të herëpashershme të rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Vlorës, duke nxjerrë në pah nevojën për investime dhe mirëmbajtje më të mirë të infrastrukturës kritike.

Harta e re e investimeve strategjike, nga majat e Korabit te Kurveleshi, qeveria shpall zonat prioritare

By: A R
21 January 2026 at 19:49

Qeveria ka miratuar hartën e re të zonave që do të gëzojnë statusin e veçantë për zhvillimin e ekonomisë malore. Përmes tre vendimeve të firmosura nga Kryeministri Edi Rama, janë përcaktuar me koordinata të sakta territoret në Dibër, Tepelenë dhe Memaliaj, ku shteti kërkon të orientojë investimet strategjike.

Sipas vendimeve, në këto zona do të lejohen tri kategori kryesore aktivitetesh: zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik.

Dibra, 16 zona zhvillimore

Pjesa më e madhe e hartës së re përqendrohet në veri të vendit. Në Bashkinë e Dibrës janë shpallur plot 16 zona zhvillimore, të cilat përfshijnë disa nga perlat natyrore të rajonit, por edhe zona me potencial bujqësor. Ndër to spikasin bjeshkët e Korabit (mbi 1100 ha), Bjeshkët e Gramës, Hinoskës dhe Zimurit; zona e Lurës dhe Lugina e Lumit Drin (rreth 970 ha); përfshirja e fshatrave karakteristikë si Rabdishti (mbi 1400 ha), i njohur për arkitekturën e gurit, si dhe zona në Selishtë e Luzni.

Fokusi te Kurveleshi dhe Memaliaj

Në jug të vendit, harta e zhvillimit përfshin sipërfaqe masive tokësore. Në Tepelenë, vëmendja kryesore është te zona e Kurveleshit (rreth 9600 ha) dhe zona e Qendër-Tepelenë, e cila kap një sipërfaqe prej mbi 19 mijë hektarësh. Këto zona pritet të shfrytëzohen kryesisht për agroturizëm dhe blegtori intensive.

Në Memaliaj, zonat prioritare përfshijnë Njësinë Administrative Buz (gati 6000 ha) dhe fshatrat e thellë si Arrëz e Madhe apo Rabie, të cilat prej vitesh vuajnë nga shpopullimi dhe mungesa e investimeve.

Çfarë do të thotë ky status?

Shpallja “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” u hap rrugë zbatimit të lehtësirave që parashikon “Paketa e Maleve”. Kjo do të thotë se bizneset që do të ndërtojnë hotele, fabrika përpunimi apo njësi agroturistike në këto koordinata specifike, pritet të përfitojnë nga skema mbështetëse, reduktim taksash ose grante, me qëllim gjallërimin e jetës ekonomike në këto territore të vështira.

Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tyre do të monitorohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me kadastrën.

Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve të vetëdeklarojnë të dhënat

By: A R
21 January 2026 at 18:58

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka ndërmarrë një nismë informuese për të rikujtuar bizneset, por jo vetë ata, edhe qytetarët që kanë pronë e cila përdoret për qëllim tregtar, mbi rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave, si një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026.

Në kuadër të kësaj nisme, formulari i vetëdeklarimit u është dërguar tashmë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin e-Albania, te rubrika “Dokumentat e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore.

Procesi i plotësimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes disa hapave: hyrja në portalin e-Albania me kredencialet përkatëse si qytetar ose biznes, aksesimi i rubrikës “Dokumentat e mia”, plotësimi i formularit dhe dorëzimi i tij.

Formulari i plotësuar mund të dorëzohet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, me anë të shërbimit postar, ose online në adresën zyrtare të e-mail: taksat@tirana.al.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, thekson se vetëdeklarimi i saktë, para fillimit të procesit të përllogaritjes, garanton një vlerësim korrekt të detyrimeve vendore dhe rrit transparencën në marrëdhënien me taksapaguesit.

Në rastet kur formulari nuk shfaqet në profilin e taksapaguesit në portalin e-Albania, qytetarët dhe bizneset ftohen të përditësojnë të dhënat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore.

VIDEOLAJM / Eskorta e Ramës mbërrin në Vlorë, Kryeministri takon Ivanka Trump dhe Jared Kushner

By: A R
21 January 2026 at 18:48

Kryeministri Edi Rama do të takojë në Vlorë vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë mbërritur këtë të mërkurë në qytetin bregdetar mes masash të larta sigurie.

Më poshtë, mund të shihni eskortën e kreut të qeverisë:

Mësohet se vizita e çiftit Trump-Kushner lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Ata do të zhvillojnë një takim me studio arkitekturore për të diskutuar rreth mënyrës së realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Për këto projekte janë ftuar të marrin pjesë mbi 60 studio arkitekturore, vendase dhe ndërkombëtare, të cilat do të prezantojnë ide dhe koncepte zhvillimi me standarde të larta, duke e kthyer jugun e Shqipërisë në një destinacion të turizmit luksoz.

Dhëndri i Presidentit amerikan ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake.

Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.

PAMJET/ Ndodh në Fier, 55-vjeçari mbetet i varur jashtë apartamentit. Panik te banorët!

By: A R
21 January 2026 at 18:45

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit, ku një burrë rreth 55 vjeç, me profesion mësues i gjuhës angleze, ka rrezikuar jetën në banesën e tij.

Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ndodhej në apartamentin e tij së bashku me bashkëshorten, kur për rrethana ende të paqarta ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit, duke mbetur i varur në pjesën e jashtme të ndërtesës. Situata ka qenë tejet e rrezikshme dhe ka zgjatur disa minuta, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur ndërhyrjen dhe shpëtimin e tij. Po ashtu, janë grumbulluar forca të shumta të policisë, të cilat kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndjekur procedurat përkatëse.

I lënduari është transportuar me urgjencë nga autoambulanca e urgjencës 127 drejt Urgjencës Kirurgjikale të Spitalit të Përgjithshëm të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme.

Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa forcat e policisë janë paraqitur edhe në ambientet e spitalit për të vijuar veprimet hetimore.

55-vjeçari është baba i dy djemve që jetojnë në Tiranë, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim nga autoritetet.

I arrestuar për inceneratorin dhe ‘5D’, Gjykata liron ish-zyrtarin e Bashkisë Tiranë

By: A R
21 January 2026 at 18:35

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurimit për Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Me vendimin e saj, Apeli i Posaçëm ka pranuar kërkesën për zbutjen e masës, duke e liruar Tushen nga qelia dhe duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë pas shqyrtimit të rrethanave të çështjes dhe është përcjellë për ekzekutim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, ku Tushe ndodhej i paraburgosur. Autoritetet pritet të zbatojnë menjëherë masën e re të sigurimit, duke e transferuar atë nga ambientet e paraburgimit në arrest shtëpie.

Taulant Tushe është një nga emrat e përfshirë në dosjen e bujshme të inceneratorit të Tiranës, një çështje që ka ngritur akuza të rënda për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorëve. Hetimet për këtë dosje janë zhvilluar nga SPAK dhe kanë çuar në arrestime dhe masa sigurimi për disa ish-zyrtarë dhe persona të lidhur me kontratat koncesionare.

Përveç kësaj dosjeje, Tushe rezulton i akuzuar edhe në çështjen e njohur si “5D”, e cila lidhet me dyshime për afera korruptive dhe shkelje të ligjit në tendera dhe projekte publike të zhvilluara nga institucione vendore. Edhe kjo çështje është në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe vijon të jetë në fazë hetimi.

Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Jemi në krah të SHBA-ve në luftën globale kundër fentanilit

By: A R
21 January 2026 at 18:20

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin për “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.

Deputetja e Partisë Socialiste, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se përparësia e këtij projektligji është krijimi i një mekanizmi më të fortë dhe të efektshëm ligjor për të kontrolluar lëndët narkotike dhe psikotrope, në përputhje me standardet ndërkombëtare e në funksion të rritjes së sigurisë publike.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, në fjalën e saj, duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”,  tha se ky përmirësim, vjen si nevojë për përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e mekanizmave të parandalimit e të kontrollit, në kuadër të luftës kundër trafikut të paligjshëm të drogës.

Objektivi specifik, që synohet të arrihet me këtë projektligj, është përditësimi i listës së lëndëve që përdoren në mënyrë të paligjshme për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.

Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.

“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”

Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të presidentit Trump ndaj kësaj çështjeje.

Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global Kundër Drogave Sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra-mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.

Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.

“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.

Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.

“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.

Në fund të punimeve, komsioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në votim./Marrë nga ATSH

Erlind Sulo emërohet zv.ministër i Infrastrukturës, lirohen nga detyra prefektët

By: A R
21 January 2026 at 18:13

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë emërimesh dhe lirimesh nga detyra në institucionet shtetërore, gjatë mbledhjes së sotme, të datës 21 janar 2026. Vendimet u bënë publike nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila njoftoi se njëherësh u miratuan edhe emërime dhe lirime nga detyra të disa funksionarëve në institucione shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke iu bashkuar ekipit drejtues të këtij dikasteri.

Ndërkohë, qeveria ka vendosur edhe lirimin nga detyra të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Sipas vendimit, Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet apo pasardhësin e tij. Ndryshime janë miratuar edhe në nivel prefekturash. Këshilli i Ministrave ka vendosur që Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, të lirohet nga kjo detyrë, ndërsa në vend të tij Adrian Gurra u emërua prefekt i Qarkut të Durrësit.

Po ashtu, janë bërë ndryshime edhe në Qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të qeverisë, Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, është liruar nga kjo detyrë, ndërkohë që Florinda Zegullaj u emërua prefekte e Qarkut të Korçës. Në listën e lirimeve nga detyra përfshihet edhe Inspektorati i Përgjithshëm. Qeveria ka vendosur që Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, të lirohet nga detyra.

Përveç ndryshimeve në poste drejtuese, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe një sërë vendimesh të rëndësishme me ndikim në politikat publike për vitin 2026. Një nga vendimet kryesore lidhet me shëndetësinë, ku sipas njoftimit zyrtar, qeveria vendosi miratimin e financimit të shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.

Në fushën e sportit, qeveria ka miratuar përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit për një sërë institucionesh dhe organizatash sportive. Sipas njoftimit, përfitues do të jenë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive, si dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me administratën publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar planin vjetor të pranimit në institucionet e Administratës Shtetërore për vitin 2026. Sipas qeverisë, numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2026 është gjithsej 1067, të ndara sipas niveleve drejtuese dhe kategorisë ekzekutive. Në kuadër të zhvillimit ekonomik, qeveria ka vendosur shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë, duke synuar nxitjen e zhvillimit lokal dhe mbështetjen e ekonomive rurale.

Vendime janë marrë edhe në sektorin energjetik. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali eolik në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, si dhe ndërtimin e një centrali fotovoltaik në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Sipas njoftimit, këto investime nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse.

Vendimet e marra në mbledhjen e 21 janarit 2026 reflektojnë një kombinim të ndryshimeve në drejtimin e institucioneve shtetërore dhe miratimit të politikave zhvillimore për vitin e ardhshëm, me fokus në shëndetësi, sport, administratë, ekonomi dhe energji.

“Albcontrol” jo më aksioner i “Air Albania”, kuotat e kapitalit i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit

By: A R
21 January 2026 at 17:57

“Albcontrol” nuk do të jetë më aksioner në kompaninë e fluturimeve “Air Albania”. Sipas një njoftimi në fletoren zyrtare, Këshilli i Ministrave ka vendosur që kuotat e kapitalit, në masën 10% (dhjetë për qind), që zotërohen nga shoqëria “Albcontrol”, sh.a., në shoqërinë “Air Albania” sh.p.k., transferohen tek Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, me transferimin e kuotave, vendimi, ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga cilësia e ortakut në shoqërinë “Air Albania” sh.p.k.

Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Turkish Airlines ndërkohë njoftoi në janar se do të nisë fluturimet direkte nga Tirana, duke spostuar përfundimisht Air Albania.

BE i kundërpërgjigjet Trumpit, “ngrin” marrëveshja tregtare me SHBA-të

By: A R
21 January 2026 at 17:49

Ligjvënësit europianë ranë dakord sot, 21 janar, për të “ngrirë” marrëveshjen tregtare BE-SHBA, të arritur verën e kaluar, raporton Euronews. Vendimi rrit presionin mbi marrëdhëniet transatlantike, pasi Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja ndaj disa vendeve europiane që refuzojnë kërkesën e tij që SHBA-të të marrin kontrollin e Groenlandës.

Marrëveshja ishte arritur vitin e kaluar pas javësh tensionesh tregtare, të shkaktuara nga politika agresive e tarifave që Trump riktheu pas ardhjes së tij në pushtet. Edhe pse ekzistonte një marrëveshje politike, ajo ende duhej të zbatohej zyrtarisht nga Parlamenti Europian.

Eurodeputetët vendosën të pezullojnë procesin, duke shtyrë zyrtarisht votimin që ishte planifikuar për javën e ardhshme në Komisionin për Tregtinë Ndërkombëtare të Parlamentit Europian.

Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi Trump deklaroi në rrjetet sociale se do të vendosë një tarifë 10% nga shkurti për Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Francën, Gjermaninë, Holandën, Finlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, derisa, sipas tij, të arrihet “marrëveshja për blerjen e plotë të Groenlandës”. Tarifa do të rritet në 25% deri në qershor, nëse nuk ka marrëveshje.

Eurodeputetët i shohin këto kërcënime si shkelje të marrëveshjes BE-SHBA, e cila parashikon tarifa amerikane 15% mbi mallrat europiane, ndërsa BE angazhohet të ulë tarifat për importet industriale nga SHBA në zero.

Ligjvënësit po përgatisnin amendamente për marrëveshjen, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë atë të pabalancuar në favor të SHBA-ve.

Bernd Lange, eurodeputeti gjerman që drejton Komisionin e Tregtisë në Parlamentin Europian, kërkoi më herët pezullimin e punës për marrëveshjen. Ky qëndrim u mbështet po atë ditë edhe nga grupet kryesore politike në Parlament: PPE, S&D dhe Renew.

Liderët e BE-së do të mblidhen nesër në mbrëmje, 22 janar, për të përcaktuar përgjigjen e bllokut ndaj kërcënimeve të Trump, të cilat shumë i konsiderojnë si formë shantazhi politik.

1 vit nga rikthimi i Trump, ambasada e SHBA: Aleatët na respektojnë, kundërshtarët na frikësohen

By: A R
21 January 2026 at 12:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përkujtuar të mërkurën, më 21 janar, njëvjetorin e marrjes së Presidencës së SHBA-ve nga Donald Trump.

Në një reagim në faqen zyrtare, ambasada citon Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke përgëzuar punën e presidentit dhe duke theksuar realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës:

“Në vetëm një vit, Presidenti Trump ka rikthyer sovranitetin amerikan duke ndjekur me guxim paqen përmes forcës. Falë udhëheqjes së tij vendimtare, aleatët tanë na respektojnë, kundërshtarët tanë na frikësohen, dhe populli amerikan vihet në radhë të parë. Premtime të bëra, premtime të mbajtura”, citon ambasada amerikane reagimin e sekretarit Rubio.

Reagimi i ambasadës nënvizon fokusin e administratës Trump mbi sigurinë kombëtare, përforcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe pozicionin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

Pas thashethemeve për ndarje, JD Vance dhe bashkëshortja e tij ndajnë lajmin: Presim fëmijën tonë të katërt!

By: A R
21 January 2026 at 11:52

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka ndarë një lajm të gëzueshëm me publikun. Bashkëshortja e tij, Usha, është shtatzënë me fëmijën e tyre të katërt.

“Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Usha është shtatzënë. Ajo dhe i vogli janë mirë, dhe mezi presim ta takojmë në korrik.”, shkruan Vance në rrjetet sociale, duke falënderuar mjekët ushtarakë dhe stafin që kujdesen për familjen e tyre.

“Gjatë kësaj periudhe emocionuese dhe të ngarkuar, jemi veçanërisht mirënjohës ndaj mjekëve ushtarakë që kujdesen në mënyrë të shkëlqyer për familjen tonë dhe ndaj stafit që angazhohet kaq shumë për të siguruar që ne të mund t’i shërbejmë vendit duke shijuar një jetë të mrekullueshme me fëmijët tanë.”, vazhdon më tej mesazhi i zëvendëspresidentit amerikan.

Çifti ka tashmë tre fëmijë: Ewan (2017), Vivek (2020) dhe Mirabel (2022). Usha Vance, e cila mbushi 39 vjeç më 6 janar, është “second lady” (Zonja e dytë) më e re në historinë amerikane. Ajo është rritur në San Diego, me origjinë nga Andhra Pradesh (Indi), dhe u martua me Vance në vitin 2014 pas njohjes në Universitetin e Yale.

Ky njoftim vjen pas thashethemeve për një krizë bashkëshortore, të cilat nisën vjeshtën e kaluar kur Usha u pa pa unazë martese në disa dalje publike. Madje u përfol edhe për një lidhje të supozuar mes zv.presidentit dhe Erika Kirk, e veja e aktivistit Charlie Kirk.

Në një intervistë për USA Today, Usha i ka mohuar këto zëra, duke sqaruar se unazën thjesht nuk e mban gjithmonë: “Ndonjëherë sapo kam bërë dush ose kam qenë në palestër. Më argëton fakti që njerëzit flasin, por unë preferoj ta jetoj martesën time në botën reale.”

❌
❌