Bota e sportit elitar është mësuar me sakrifica ekstreme, sidomos kur bëhet fjalë për medalje olimpike. Por një akuzë e fundit ka kaluar çdo kufi të imagjinatës. Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) ka nisur hetimet për një praktikë të pazakontë, sipas së cilës disa sportistë të ski-jumping dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital për të fituar avantazh aerodinamik.
Skandali u raportua fillimisht nga gazeta gjermane Bild dhe ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv ndërkombëtar.
Acidi hialuronik përdoret zakonisht në mjekësinë estetike si filler për rritjen e vëllimit të indeve, përfshirë edhe procedurat për zmadhimin e perimetrit të penisit. Sipas ekspertëve të urologjisë, injektimi i tij do ta bënte organin më të madh në perimetër, por efekti është i përkohshëm dhe kërkon përsëritje çdo 6 deri në 12 muaj.
Ç’lidhje ka kjo me ski-jumping? Para fillimit të sezonit, sportistët maten me skaner 3D për të përcaktuar përmasat e kostumit të tyre, i cili është rreptësisht i rregulluar nga Federata Ndërkombëtare. Çdo centimetër shtesë në trupin e matur mund të përkthehet në një kostum pak më të madh, me sipërfaqe më të gjerë, që krijon më shumë ngritje në ajër dhe mund të sjellë disa metra shtesë në fluturim. Sipas specialistëve të biomekanikës sportive, edhe një rritje e vogël e sipërfaqes së kostumit mund të ndikojë ndjeshëm në performancë.
Megjithatë, rreziqet shëndetësore janë serioze. Mjekët paralajmërojnë se injektimi i acidit hialuronik në penis mund të shkaktojë dhimbje, deformime, infeksione, probleme dhe mosfunksionim seksual. Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet dhe të çojë në nekrozë të indeve, madje edhe në humbjen e organit./kb
Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, deklaroi se procesi i ri i reformës do të udhëhiqet nga të njëjtat parime themelore që orientuan edhe reformën e vitit 2015, por të përshtatura me realitetet e reja demografike, ekonomike dhe sociale të vendit.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Kuko theksoi se reforma synon të rikalibrojë jetën në territor dhe mënyrën se si ofrohen shërbimet për qytetarët.
“Parimet që do udhëheqin deputetët e Kuvendit për të bërë reformën do jenë parimet që kanë udhëhequr dhe reformën e parë. Reforma që rikalibron jetën në territor.
Kur flasim për ribërjen e bashkive, riorganizimin e jetës në terrirtor, duhet të marrim parasysh demografinë. Ne kemi pasur ndryshime shumë të mëdha demografike brenda këtij 10-vjeccari nga reforma e kaluar në këtë të tanishme”, u shpreh ajo.
Sipas Kukos, qëllimi i reformës nuk është krijimi i pabarazive mes territoreve, por garantimi i një standardi të njëjtë shërbimi për të gjithë qytetarët.
“Realitetin ekonomik të disa bashkive, disa bashki kanë marrë një profil më të veçantë kur vjen puna te turizmi apo si gjeneron të ardhura, dhe të kohezionit. Ne nuk duam të kemi një Shqipëri me 2 shpejtësi, por një Shqipëri ku qytetari merr shërbimin njësoj në secilën bashki”, tha deputetja.
Duke iu referuar reformës territoriale të vitit 2015, Kuko sqaroi se ajo nuk ka dështuar, por ishte e menduar që në fillim si një reformë që do të rishikohej pas një periudhe 10-vjeçare.
“Nuk ka diçka që nuk ka shkuar në vetvete. Reforma e kaluar ishte një përgjigje ndaj një territori të super fragmentarizuar. Ishte e vendosur që kur u bë reforma e kaluar, që do të rishikohej pas një 10-vjecari.
Reforma e kaluar solli 370 e kusur njësi administrative në 61. U bë një ribashkim i territorit.
Kritika mund të jetë që është shtuar numri i bashkive dhe është e kotë argumenti se burimet njerëzore janë shtuar a pakësuar. Shumë funksione që i kanë takuar qeverisjes qendrore, kaluan në qeverisjen vendore duke pasur funksione të deleguara, gjendja civile, arsimi parashkollor, etj,. Ishte një reformë e domosdoshme për kohën e cila funksionoi deri diku mirë sepse e shikojmë tani që bashkitë u bënë realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, theksoi Kuko.
Sipas saj, kritikat që lidhen me rritjen e numrit të punonjësve në bashki nuk qëndrojnë, pasi shumë funksione të qeverisjes qendrore iu deleguan pushtetit vendor.
“Gjendja civile, arsimi parashkollor dhe funksione të tjera kaluan te qeverisja vendore. Bashkitë u kthyen në realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, u shpreh Kuko.
Megjithatë, ajo pranoi se kishte hapësira për përmirësim, veçanërisht në menaxhimin e financave vendore, mbledhjen e taksave dhe organizimin e disa bashkive të vogla.
Deputetja e PS theksoi se lëvizjet demografike dhe sezonaliteti, sidomos në zonat turistike, e bëjnë të domosdoshëm riorganizimin territorial.
“Sot jemi në një fazë tjetër, jemi në një fazë ku lëvizjet demografike sjellin nevojën për riorganizimin e territorit.Bashki të vogla, si Himara me dhjetëra mijë banorë gjatë vitit, në sezonin turistik bëhet bashki kolosale. A s’duhet të planifikojmë të mos kemi këto planifikimet sezonale? Kjo reformë është e domosdoshme për kohën.
Nuk po themi që kemi dështuar me reformën e kaluar, mund të ishin bërë disa gjëra shumë më mirë, si kur vjen puna me financat vendore, për mbledhjen e taksave vendore, apo për mënyrën si u orhganizuan disa bashki të vogla, por tashmë jemi në një moment tjetër ku bashkitë s’do duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike por dhënëse shërbimi për qytetarët”, tha ajo.
Sa i përket projektit fillestar të reformës, Kuko bëri të ditur se ende nuk ka një draft konkret, pasi procesi do të bazohet në konsultime të gjera.
“Projektin fillestar nuk mund ta them. Për fat të mirë ne do kemi dhe kolegët e opozitës në tavolinë, është mirë kur kemi rrahje mendimesh. Shoqata që ka mbuluar bashkitë e djathta ka pasur një oponencës të shëndetshme kur vjen puna për pjesën e reformës, por kjo do kërkojë një konsultim.
S’mund të dalim me planin fillestar pa analizuar realitetin apo ta bëjmë në mënyrë statike mbi letër. Kjo është arsyeja pse do kemi takime në territor, do shohim si jepen shërbimet, do takohemi me aktorë e faktorë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se do të ketë takime në terren, konsultime me pushtetin vendor, aktorët lokalë dhe qytetarët, për të vlerësuar realisht cilësinë e shërbimeve.
“Në këtë fazë, bashkitë nuk duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike, por dhënës realë shërbimi për qytetarët”, shtoi Kuko, duke kujtuar se reforma e kaluar solli edhe konceptin e “one stop shop”, ku shërbimet merren në një sportel të vetëm.
Duke shpjeguar konkretisht efektet e reformës, Kuko u shpreh se ajo do të sjellë një rikalibrim të shërbimeve publike, në funksion të nevojave reale të qytetarëve.
Sipas saj, reforma do të shoqërohet edhe me një rikonceptim të këshillave të qarqeve, duke iu afruar modelit të rajoneve funksionale.
“Nëse një shërbim i caktuar është i vendosur në një pjesë të territorit që nuk i përgjigjet më realitetit demografik apo ekonomik, do të rishikohet mënyra se si ai shkon te qytetari. Do të kemi një rikonceptim të këshillave të qarqeve dhe do t’i afrohemi konceptit të rajoneve, ku zhvillimi i territorit bëhet në mënyrë më të përgjithshme dhe të koordinuar”, u shpreh Kuko./kb
Presidentja e Komisionit Evropian nuk ka marrë ende një vendim mbi zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur.
Ursula von der Leyen është në parim pro, por është ende duke vlerësuar rreziqet e kësaj vendimi. Tema duhej të diskutohej dje në Paris me Emmanuel Macron, si dhe në samitin informal të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.
Von der Leyen dëshiron të dijë cilët liderë e konsiderojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes Mercosur si një çështje ekzistenciale në planin e politikës së brendshme. Do të konsultohen liderët e Francës, Polonisë, Irlandës dhe Austrisë.
Në llogaritjen e rrezikut, von der Leyen duhet të marrë parasysh edhe Parlamentin Evropian, i cili, nëse do të rrëzonte ratifikimin, do ta dështonte përfundimisht marrëveshjen me Mercosur.
Megjithë presionet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për zbatimin e përkohshëm, von der Leyen ka ende pak kohë për të përfunduar vlerësimet e saj.
Kërkohet një ratifikim nga një prej katër vendeve të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji). Paraguaji pritet të jetë i pari pas disa muajsh./kb
Autoritetet në Norvegji po hetojnë ish-kryeministrin Thorbjorn Jagland nën dyshimet për korrupsion pas zbulimeve të lidhjeve të tij me abuzuesin e ndjerë seksual Jeffrey Epstein.
Hetimi vjen pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar zbuluan vite komunikimesh midis Jagland dhe Epstein, duke përfshirë email-e që sugjeronin se ai qëndronte në shtëpinë e abuzuesit.
Okokrim, njësia policore e Norvegjisë e dedikuar për luftimin e krimit të jakave të bardha, tha të enjten se kishte përcaktuar se kishte “baza të arsyeshme” për të hetuar Jaglandin për korrupsion madhor.
Agjencia tha se i kishte kërkuar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme të revokonte imunitetin e dhënë Jaglandit, i cili shërbeu gjithashtu si kreu i Komitetit të Nobelit dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, si ish-kreu i një organizate ndërkombëtare.
Hetimet do të fokusohen në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime falas, apo favore të tjera nga Epstein.
Kujtojmë që një email të Jagland më 25 maj të 2012-ës, ai i drejtohet Epsteinit me fjalët: “Kam qenë në Tiranë. Vajza të jashtëzakonshme”./kb
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm. Vendimi për emërimin e tij u mor sot gjatë mbledhjes së qeverisë.
Sula ka një karrierë të gjatë politike dhe përfaqësuese në Kuvend. Emërimi i tij vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturat e qeverisë./kb
Gjatë qëndrimit të saj në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ftua si folëse kryesore në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins, ku bashkë me ekspertin e njohur Edward Joseph, profesorë, studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, analizuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Spiropali u ndal te shndërrimi i Shqipërisë nga vendi më i izoluar i Europës, në vendin kandidat që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian përmes rezultateve, implementimit të një sërë reformash strukturore.
“Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave. Ky është rezultati i reformave të vështira dhe fokusit të qëndrueshëm politik. Por tani fillon puna më e vështirë. Po punojmë intensivisht dhe përmes një agjende objektivash për të mbyllur grupkapitujt deri në vitin 2027 dhe për të siguruar anëtarësimin deri në vitin 2030. Pra bëhet fjalë për progres të vërtetë në disa fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimi i institucioneve demokratike, etj. Këtu është gjithashtu vendi ku mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike gjatë viteve: në forcimin e reformës sonë në drejtësi dhe transparencës. Reforma në drejtësi, në veçanti, është reforma më e thellë dhe më transformuese në Shqipërinë moderne”, tha Spiropali.
Ankorimi i Shqipërisë drejt vlerave perëndimore, sipas Ministres së Jashtme, nuk është për një zgjedhje rastësore dhe as e përkohshme, por strategjike.
“Është e rrënjosur në identitet dhe në realitetet e forta të sigurisë. Administratat ndryshojnë, politikat evoluojnë, por busulla strategjike e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të largohet nga bashkësia euroatlantike”, tha Spiropali.
Spiropali iu bashkua gjithashtu Samitit “Western Balkans Forward”, organizuar nga Këshilli i Atlantikut. Aty Spiropali foli për “Imperativin gjeopolitik të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor”.
Ministrja theksoi se “procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që BE-ja duhet ta përdorë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si proces që garanton në thelb sigurinë europiane”.
“Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë pas-konflikti, por një vijë e parë e sigurisë dhe e konkurrencës evropiane. Paqëndrueshmëria rajonale, ndikimi rus dhe presionet hibride e bëjnë zgjerimin më urgjent. Kjo e bën zgjerimin jo vetëm një proces transformues për vendet tona, por edhe një instrument për një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë në procesin e zgjerimit, sepse një rajon i integruar në BE është padyshim më i sigurt, me më shumë bashkëpunim rajonal dhe më i begatë në fund. Zgjerimi duhet të trajtohet absolutisht si instrument sigurie dhe jo si mekanizëm burokratik shpërblimi“, tha Spiropali.
Ministrja nënvijëzoi se përveçse një proces i bazuar në meritë, zgjerimi është një proces i lidhur me kohën dhe se çdo zvarritje, përbën rrezik sigurie. Edhe për Shtetet e Bashkuara, sipas saj, zgjerimi është një interes strategjik.
“Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë. Pra po, një proces i bazuar në meritë, dhe ne besojmë plotësisht në këtë, sepse duhet të jetë një proces i besueshëm, por edhe transformues për vendet tona, për shtetin tonë dhe shoqëritë tona i bazuar në meritë, por edhe i lidhur me kohën. Çdo zvarritje, sipas nesh, përbën rrezik sigurie. Gjithmonë ka qenë kështu, por veçanërisht tani është bërë edhe më e dukshme. Vonesa krijon vakuum strategjik. E kemi diskutuar më herët këtë dhe nuk dua të përsëris, por vakuumi tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe, dhe kjo duhet shmangur me çdo kusht. Pyetja nuk është më nëse zgjerimi duhet të ecë me kujdes, por nëse vonesat janë shndërruar tashmë në rrezik sigurie”, tha Spiropali./kb
Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën, në Top News se i vjen keq që Partia e Lirisë po shkon drejt shuarjes, duke theksuar se kjo situatë është pasojë e një procesi të qëllimshëm kriminalizimi të forcës politike që ajo ka ndërtuar prej vitesh.
“Më vjen keq që Partia e Lirisë është drejt shuarjes. Kam investuar gjithçka në këtë parti, i gjithë rrethi im, nëna ime, bashkëshorti im janë sot në duart e gjykatës, sepse duan të kriminalizojnë një parti politike që ishte risi në politikën shqiptare, një parti që kërkonte aleanca”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, problemet që po përjeton sot politika shqiptare nuk ekzistonin më parë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim.
“Sot kemi 80% të të burgosurve në paraburgim. Sot jemi Republika e SPAK-ut”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse opozita mund të kthehet në një alternativë qeverisëse, Kryemadhi tha se problemi kryesor qëndron te metodologjia dhe mungesa e konsistencës.
Kryemadhi hodhi akuza të forta edhe për arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si rezultat të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha.
“Burgosja e Metës është marrëveshje e dy partive të mëdha për të vazhduar aferat”, deklaroi ajo.
Ajo pranoi se si ajo ashtu edhe Ilir Meta kanë bërë gabime, por theksoi se këto gabime lidhen me tejkalimin e kufijve në ndihmë të njerëzve.
“Meta dhe unë kemi gabimet tona. Kemi bërë më shumë sesa duhet për njerëzit. Nëse merr një doktor urgjence dhe i thua ‘kam filanin’, sot SPAK ta quan shpërdorim detyre. Ky ka qenë gabimi ynë”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi kritikoi ashpër mediat dhe politikën për heshtjen ndaj mënyrës së burgosjes së Ilir Metës, duke theksuar se për tetë muaj ai është lënë në harresë.
“Asnjë emision, asnjë gazetar, asnjë deputet i PL-së nuk foli për shkeljet e rregullave të burgosjes së Metës. U harrua në burg për tetë muaj, nuk shkoi askush ta takonte”, tha ajo./kb
Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët mëngjesin e kësaj të premteje se gjatë ditës së sotme mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.
“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.
Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Durrësit, e cila gjithashtu bën me dije se ndodhet në gatishmëri të plotë.
Strukturat e ndërmarrjeve, emergjencave dhe policisë bashkiake thuhet se janë në terren dhe të angazhuara maksimalisht për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të tyre në çdo situatë problematike të mundshme./kb
Me afrimin e 14 shkurtit, ditën e Shën Valentinit, autoritetet në Kenya kanë nxitur një paralajmërim të fortë ndaj trendit të ri të dhurimit — buqetat e luleve të bëra me para të gatshme (cash bouquets). Banka Qendrore e Kenias (Central Bank of Kenya – CBK) tha se kjo praktikë është e paligjshme, sepse dëmton monedhën dhe shkel ligjin penal të vendit.
💸 Çfarë është “buqeta me para”?
Trend i përhapur kryesisht në rrjetet sociale ku llogaritet se njerëzit palosin, ngjisin ose kapin me këpucë banknota për t’i dhënë si dhuratë, zakonisht për Shën Valentinin, ditëlindje ose evente të tjera festive. Këto buqeta janë bërë shumë të kërkuara vitet e fundit dhe shpesh shoqërohen me lule të vërteta ose dekorime të tjera.
👮♂️
Përse paralajmëron CBK?
Banka Qendrore shpjegon se:
Palosja, ngjitja, kapja apo shpuarja e banknoteve dëmton integritetin e monedhës.
Këto veprime i bëjnë banknotat të paafta për tu përdorur në ATM-a, makinat e numërimit të parasë dhe pajisje të tjera bankare.
Kushton miliona shilinka zëvendësimi i parave që dëmtohen para kohe.
📜
Ligji penal dhe sanksionet
Sipas Kodi Penal të Kenias (neni që ndalon dëmtimin e monedhës), këto praktika konsiderohen shkelje penale. Ata që do të kapen duke bërë apo promovuar këto buqeta mund të përballen me **gjoba të rënda dhe deri në 7 vjet burg në rast të dënimit nga gjykatat.
🌺 Reagimet e publikut dhe bizneset
Vendimi i CBK ka shkaktuar reagime të ndryshme:
Disa qytetarë dhe të dashuruar e kanë pritur me lehtësim si një justifikim për të krijuar dhurata më të thjeshta dhe më të sigurta.
Të tjerë janë zhgënjyer, sepse buqetat me para janë bërë mjaft popullore dhe simbolikisht të rëndësishme në mjedisin lokal.
💡 Zgjidhje dhe alternativa
Floristët dhe shitësit e dhuratave tashmë po kërkojnë mënyra të reja dhe ligjore për të dhuruar para pa prekur banknotat:
Paratë vendosen në qese transparente ose letër dekorative pa u dëmtuar.
Dhurata me kartë bankare, ku shuma e parave tregohet në kartë, por monedha mbetet e paprekur.
Transfertë digjitale (p.sh. M-Pesa) dhe dhurata të tjera romantike si lule të vërteta, çokollata apo bizhuteri. /kb
Plani i administratës Trump për të shpërndarë një valë reaktorësh të vegjël bërthamorë futuristikë për të furnizuar epokën e inteligjencës artificiale po kthehet te një strategji e lashtë për të hequr qafe mbeturinat shumë toksike: varrosja në fund të një grope shumë të thellë.
Por ka një problem. Nuk ka asnjë gropë shumë të thellë, dhe stoku prej rreth 100 mijë ton mbeturinash radioaktive që ruhen përkohësisht në termocentrale dhe vende të tjera në Shtetet e Bashkuara po rritet gjithnjë e më shumë.
Për të zgjidhur këtë problem, Reuters shkruan se administrata amerikane tani po ofron një “karotë radioaktive”.
Shtetet po kërkohen të vullnetarizohen për të pritur një depo gjeologjike të përhershme për karburantin e përdorur, si pjesë e një kampusi objektesh që përfshijnë reaktorë të rinj bërthamorë, përpunimin e mbeturinave, pasurimin e uraniumit dhe qendrat e të dhënave, sipas një propozimi të publikuar nga Departamenti i Energjisë (DOE) javën e kaluar.
Kërkesa e tij për informacion (RFI) shënon një ndryshim të madh në politikë. Plani për të zgjeruar energjinë bërthamore tani kombinohet me një kërkesë për të gjetur një vend të përhershëm për mbeturinat dhe vendos vendimet në duart e komuniteteve lokale, vendime që vlejnë dhjetëra miliarda dollarë investime dhe mijëra vende pune, sipas një zëdhënësi të Zyrës së Energjisë Bërthamore të DOE.
“Duke i kombinuar të gjitha në një paketë, është çështje e vendosjes së karotave të mëdha pranë një objekti mbetjesh që është më pak i dëshirueshëm,” tha Lake Barrett, ish-zyrtar në Komisionin Rregullator Bërthamor të SHBA (NRC) dhe DOE. Ai shtoi se shtete si Utah dhe Tennessee tashmë kanë shprehur interes për investime në energjinë bërthamore.
Zyra bërthamore tha se kërkesa kishte nxitur interes, por nuk komentoi mbi shtete individuale, të cilat kanë 60 ditë kohë për të përgjigjur.
Presidenti Donald Trump dëshiron të katërfishojë kapacitetin e energjisë bërthamore të SHBA-ve, duke e çuar atë në 400 gigavat deri në vitin 2050, ndërsa kërkesa për energji elektrike rritet për herë të parë në dekada falë bumit të qendrave të të dhënave që nxisin inteligjencën artificiale dhe elektrifikimin e transportit.
Në vitin 2025, DOE zgjodhi 11 dizajne të reaktorëve të avancuar bërthamorë për licencim të shpejtë dhe synon të ndërtojë tre pilotë deri më 4 korrik të këtij viti.
Megjithatë, pranimi publik i energjisë bërthamore varet pjesërisht nga premtimi për të varrosur mbeturinat bërthamore thellë nën tokë, sipas studimeve të qeverive të SHBA-ve dhe Britanisë, si dhe Komisionit Evropian.
“Një strategji e plotë bërthamore duhet të përfshijë rrugë të sigurta dhe të qëndrueshme për disponim të fundit, dhe kjo mbetet një element i kërkuar i RFI-së,” tha zëdhënësi i Zyrës së Energjisë Bërthamore.
Përpjekjet e mëparshme për të gjetur një zgjidhje kanë hasur në kundërshtim të fortë lokal./kb
Qeveria shqiptare ka për qëllim që të rrisë pagat për ushtarakët në mesataren e NATO-s deri në vitin 2029. Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes në këtë mënyrë: 60-70% për nivelet bazë dhe 30-40% për nivelet e larta të komandimit. “Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk vjen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që reflektojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën”, shkruan Vengu./kb
Nisin sot në mbrëmje Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.
Nga ana sportive, Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga 4 skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë është pretendente për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të siguruar një medalje për Shqipërinë.
Për çeljen e siparit të Lojërave Olimpike, do të organizohen tri ceremoni, një në San Siro Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar, dhe një e tretë në Borno./kb
Kanadaja do të hapë konsullatën e saj të parë diplomatike në Groenlandë, në një hap të rëndësishëm politik dhe diplomatik që vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit.
Një delegacion i nivelit të lartë kanadez, i kryesuar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe ministrja e Jashtme Anita Anand, mbërrin të premten në Nuuk për inaugurimin zyrtar të konsullatës. Delegacioni shoqërohet edhe nga një anije e Rojës Bregdetare Kanadeze.
Në një fjalim përpara vizitës, Mary Simon deklaroi se Kanadaja “qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit të Groenlandës, i cili do të vendosë vetë për të ardhmen e tij”.
Hapja e konsullatës kanadeze përkon me një vizitë të ngjashme të zyrtarëve francezë, të cilët po ashtu do të inaugurojnë konsullatën e tyre në Groenlandë po të njëjtën ditë. Deri më tani, vetëm Islanda dhe Shtetet e Bashkuara kishin përfaqësi konsullore zyrtare në Nuuk.
Ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes së aleatëve të NATO-s ndaj Groenlandës, pas deklaratave të përsëritura të Trump se SHBA-ja duhet ta “zotërojë” territorin për arsye të sigurisë kombëtare. Presidenti amerikan më pas i zbuti këto deklarata, duke thënë se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Konsullata ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2024, gjatë rishikimit të politikës së jashtme arktike të Kanadasë. Fillimisht e planifikuar për fundin e vitit 2025, hapja u shty për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Sipas profesorit Michael Myers nga Universiteti i British Columbia, konsullata ka një rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve të ngushta mes Groenlandës dhe Kanadasë arktike. Ai thekson se kryeqyteti i territorit kanadez Nunavut, Iqaluit, ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Nuuk.
Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, me prejardhje inuit, është guvernatorja e parë kanadeze që viziton Groenlandën që nga viti 1982. Vizita e saj konsiderohet si një konfirmim simbolik i lidhjeve kulturore dhe etnike mes komuniteteve inuit të Kanadasë dhe Grenlandës.
Nga ana e tij, Natan Obed, president i organizatës Inuit Tapiriit Kanatami, tha se hapja e konsullatës është rezultat i viteve të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit mes komuniteteve inuit. Rreth 50 inuitë nga Kanadaja pritet të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Nuuk.
Arktiku është cilësuar prej vitesh si një zonë strategjike dhe e ndjeshme për sigurinë e Kanadasë. Qeveria e kryeministrit Mark Carney ka premtuar një prani të përhershme ushtarake në rajon dhe investime mbi 1 miliard dollarë kanadezë në infrastrukturën veriore.
Ministrja e Jashtme Anita Anand e ka cilësuar mbrojtjen e Arktikut si një prioritet kyç të sigurisë kombëtare të Kanadasë.
Përveç inaugurimit të konsullatës, Mary Simon do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ndërsa Anita Anand do të takohet me homologen e saj, Vivian Motzfeldt./kb
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona në lidhje me humbjen e jetës së të miturit Brian Spahiu, 3 vjeç, pas një ndërhyrjeje dentare të kryer në një klinikë private në kryeqytet.
Në kuadër të procedimit penal nr. 6477 të vitit 2023, Prokuroria ka ngritur akuza ndaj:
Ronald Xhaxho dhe Marta Gina, për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim;
Ina Xhaxho, për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”;
E.S. dhe E.A., për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
D.A. dhe V.H., për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh. dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes, fëmija është kthyer në banesë, por brenda pak orësh është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore, në gjendje kome dhe me insuficiencë respiratore akute, në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. I mituri ka ndërruar jetë më 1 tetor 2023.
Sipas aktit të riekspertimit dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku kryesor i vdekjes ka qenë shoku septik i rëndë, i cili ka sjellë insuficiencë progresive shumëorganore. Ekspertët kanë konstatuar se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë janë kryer shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare, të cilat kanë pasur lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e të miturit.
Sipas Prokurorisë, shkeljet përfshijnë mungesën e vlerësimit të plotë klinik para ndërhyrjes, moskryerjen e analizave të detyrueshme, mosformulimin e një diagnoze të saktë, kryerjen e një ndërhyrjeje më të gjerë se sa lejohet për moshën e fëmijës, përdorimin e anestezisë së përgjithshme për rreth 5 orë, si dhe largimin e papërshtatshëm të fëmijës nga klinika pas ndërhyrjes.
Hetimi ka provuar gjithashtu se stomatologët I.Xh. dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit, duke marrë pagesë për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 dhëmbë nuk ishin mbushur, por vetëm ishin hapur. Për këtë fakt është ngritur akuza për mashtrim. Po ashtu, rezultoi se stomatologia I.Xh. ka vijuar ushtrimin e aktivitetit pa rinovuar licencën përkatëse.
Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje edhe nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe nga mjekët e pediatrisë që kanë trajtuar fëmijën pas paraqitjes në spital. Sipas aktit të riekspertimit, megjithëse janë evidentuar mangësi në trajtimin mjekësor, vdekja e të miturit nuk erdhi si pasojë e veprimeve të tyre, por nga veprimet dhe mosveprimet e mjekëve që kryen ndërhyrjen dentare dhe anestezinë./kb
Greqia është tronditur nga një rast i rëndë spiunazhi, ku një oficer i lartë i Forcave të Armatosura dyshohet se u ka shitur Kinës informacion të klasifikuar ushtarak, përfshirë të dhëna që lidhen me NATO-n. Zyrtarët grekë njoftuan se oficeri u arrestua brenda kampit ku shërbente, pasi ishte nën vëzhgimin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (EYP).
Sipas autoriteteve, oficeri kishte akses në informacion të ndjeshëm mbi sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara të ushtrisë. Ai dyshohet se kishte dërguar elektronikisht këto të dhëna në Kinë. Ai ishte komandant i një njësie të Forcave Ajrore në Kavouri dhe kohët e fundit dyshohet se tentonte të rekrutonte edhe të tjerë për këtë veprim.
Informacione nga ERT raportuan dje se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme që tregojnë se oficeri është takuar edhe me persona nga vendi në fjalë, të cilëve u është dorëzuar informacioni që largohej nga duart e tij. Nuk është sqaruar ende nëse ai u ka dhënë dokumente apo vetëm informacion me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Autoritetet ushtarake njoftuan se çështja kalon tani në hetim të thelluar dhe oficeri do të dalë përpara drejtësisë ushtarake për shpërndarje të informacioneve sekrete që mund të dëmtojnë interesat kombëtare.
Mediat greke shkruajnë se një pjesë e informacionit lidhet me plane të NATO-s, gjë që rrit ndjeshëm rëndësinë e çështjes dhe ka tërhequr interes edhe nga aleatët, përfshirë SHBA-të. Autoritetet greke po kryejnë kontroll edhe në mjediset e punës së oficerit, për të sqaruar nëse ai ka ndërtuar një rrjet informacioni për të furnizuar palët e treta.
Deklarata e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura njofton se arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shtetërore dhe me praninë e prokurorit kompetent, pas indikacioneve të qarta për veprime penale sipas Kodit Penal Ushtarak, për përhapje të informacionit sekret ushtarak me rrezik për interesat kombëtare./kb
Në sondazhin e fundit të ARD-Deutschlandtrend, SPD ka fituar çuditërisht simpati, ndërsa CDU dhe CSU kanë humbur disi mbështetjen e qytetarëve.
Humbje të lehta për konservatorët e kancelarit Friedrich Merz, rritje e lehtë simpatie për partinë bashkëqeverisëse, social-demokratët. Këto janë gjetjet kryesore të sondazhit të emisionit ARD-Deutschlandtrend të kryer nga instituti infratest-dimap. Nga tjetër një numër gjithnjë e në rritje njerëzish në Gjermani besojnë se në vend ka padrejtësi kryesisht sepse hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet.
Konservatorët po humbasin, edhe AfD-ja, ndërsa SPD po fiton terren
Edhe këtë herë pyetja e sondazhit të ARD-Deutschlandtrend ishte se për cilën parti do të votonin njerëzit nëse të dielën e ardhshme do të zhvilloheshin zgjedhjet për parlamentin. E ashtuquajtura “pyetje e së dielës” ofron një tregues të mirë se sa simpati gëzojnë partitë aktualisht. Në fillim të shkurtit, dy partitë konservatore, CDU dhe CSU, morën 26 përqind të votave, duke pësuar humbje të lehta krahasuar me fillimin e vitit. Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila konsiderohet pjesërisht ekstremiste e djathtë, humbi pak mbështetje gjithashtu, por mbeti partia e dytë më e fortë me 24 përqind. Socialdemokratët, partneri i vogël i koalicionit në qeverinë federale, fitoi çuditërisht dy përqind. Dy partitë opozitare, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë, mbetën në nivelet e tyre të janarit.
Lars Klingbeil fitues i sondazhit për shkak të kritikave ndaj Trumpit?
Vlen të përmendet se kënaqësia e përgjithshme kundrejt qeverisë është rritur pak, megjithëse në një nivel i ulët. Kurse social-demokratët po përfitojnë, kryesisht sepse kreu i partisë së tyre, Ministri i Financave Lars Klingbeil, ka një rritje të ndjeshme popullariteti në publik. Politikani më i vlerësuar në Gjermani mbetet prej shumë muajsh Ministri i Mbrojtjes Boris Pistoriusi SPD-së, që vazhdon të jetë qartësisht në krye. Ai pasohet nga Ministri i Jashtëm Johann Wadephul (CDU), pastaj Klingbeil, i cili ka fituar pesë përqind. Friedrich Merz është në 25 përqind. Klingbeil kohët e fundit përdori një ton më të ashpër se Kancelari në lidhje me politikat shpesh të paparashikueshme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Shqetësimet për gjendjen në Gjermani po rriten
Në favor të social-demokratëve shkon edhe shqetësimi në rritje i popullsisë për gjendjen në Gjermani. Në shkurt, 62 përqind e të anketuarve mendonin se në Gjermani po rritet padrejtësia. Të pyetur për arsyet për këtë, shumica e njerëzve në këtë grup theksuan se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet. 13 përqind më shumë se në sondazhin e mëparshëm besojnë se barra e taksave dhe e kontributevenuk shpërndahet në mënyrë të drejtë. Por vetëm 9 përqind, më pak se në sondazhin e mëparshëm, besojnë se të huajve dhe azilkërkuesve u jepet trajtim preferencial krahasuar me gjermanët. Njëzet e katër përqind e të anketuarve u besojnë më shumë social-demokratëve që mund të sigurojnë drejtësi më të madhe sociale. Kjo është shifra më e lartë nga të gjitha partitë.
Merz polarizon me kritikat ndaj punës me kohë të pjesshme
Në fillim të vitit një komision ekspertësh i paraqiti qeverisë gjermane një katalog gjithëpërfshirës propozimesh se si shteti social mund të modernizohet në mënyrë kuptimplote. Këto kërkesa dominuan titujt kryesorë të gazetave për ditë të tëra.
Nevoja për të ristrukturuar sistemin social gëzon mbështetje të gjerë: 71 përqind e të anketuarve thanë se do të ishte e dobishme nëse kërkesa për ndihma dhe përfitime sociale mund të bëhet në mënyrë digjitale. Megjithatë pati kritika të konsiderueshme për deklaratën e Kancelarit Friedrich Merz se shumë njerëz në Gjermani punojnë me kohë të pjesshme. Kërkesat nga radhët e CDU-së që njerëzit duhet të paguajnë vetë për vizitat e tyre dentare gjithashtu shkaktuan kritika të mëdha. Kjo mund të shpjegojë gjithashtu rënien e përqindjes së simpative për konservatorët.
Për anketën ARD-Deutschland Trend, infratest-Dimap intervistoi afërsisht 1,300 qytetarë në periudhën 2 dhe 4 shkurt./ DW/kb
Tragjedia e familjes shqiptare që u shua dy ditë më parë në Porcari të Italisë, ka tronditur thellë komunitetin lokal. Një raportim i fundit i “La Repubblica” sugjeron se 4 anëtarët e familjes Kola edhe mund të kishin shpëtuar, nëse ambulanca nuk do të ishte vonuar për shkak të një gabimi.
Alarmit të parë iu përgjigj shërbimi i urgjencës rreth orës 20:00 të së mërkurës, kur 22-vjeçari Hajdar Kola telefonoi duke thënë se motra e tij 15-vjeçare, Xhesika, ishte pa ndjenja. Në shtëpi ndodheshin edhe prindërit, Arti dhe Jonida.
Gjatë telefonatës, operatorja dëgjoi se edhe dy prindërit humbën ndjenjat, ndërsa pak çaste më pas ra pa ndjenja edhe vetë Hajdari. Para se të binte, ai dha një adresë të gabuar: numrin 168 në vend të 186. Ky gabim, ndoshta për shkak të helmimit, bëri që ambulanca të humbiste kohë të çmuar duke kërkuar shtëpinë e gabuar, rreth 300 metra larg.
Vetëm rreth orës 21:45, pas ndërhyrjes së karabinierëve dhe familjarëve, u arrit të hynin në apartament. Brenda u gjetën trupat e pajetë, ndërsa edhe disa nga anëtarët e ekipit të shpëtimit u ndjenë keq për shkak të gazit.
Prokuroria ka sekuestruar banesën dhe kaldajën, e cila dyshohet se ka shkaktuar rrjedhjen fatale të gazit. Hetimet do të sqarojnë nëse bëhet fjalë për një problem instalimi apo mirëmbajtjeje./kb
Vetëm një ditë pas vizitës së tij në Vatikan ku u takua me Papa Leonin XIV, kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të premteje disa momente nga ky takim.
“Mirëmëngjes dhe me disa çaste të bukura nga takimi me Papa Leonin XIV, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri krahas videos në Facebook, ku shihet i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i vogël Zaho.
Takimi mes Ramës dhe Papa Leonit XIV u zhvillua në ditën e dytë të vizitës së kryeministrit shqiptar në Vatikan, në Pallatin Apostolik./kb
Tensionet mes vendeve, në prag të takimit të pritur mes presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis midis këtyre vendeve partnere në NATO.
Me sa duket Greqia dhe Turqia duan të bisedojnë përsëri – në nivelin më të lartë. Duke filluar nga e hëna (09.02.26) në Ankara do të mblidhet “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi-Turqi”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit në tryezë do të jenë të pranishëm edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ekziston edhe mundësia e një takimi posaçëm midis dy udhëheqësve në një ditë tjetër.
Pas një periudhe të vështirë dhe plot konflikte në Mesdheun Lindor, në vitin 2010 u krijua Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit. Ndonjë sukses të madh ai ende nuk ka arritur. Megjithatë Këshilli përpiqet të promovojë një agjendë pozitive mes dy partnerëve të NATO-s, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe të turizmit. Por ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, takimi i fundit u bë në Athinë në dhjetor 2023.
“Turqia bën kërkesa dhe pretendime territoriale të njëanshme, që nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mund të jenë temë serioze debati”, shpjegonte në atë kohë Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Athinës në intervistë me DW. “Greqia pret që Turqia të përmbushë gjithmonë kërkesat e saj dhe të bëjë lëshime”, kundërshtonte Fuat Aksu, shkencëtar politik në Universitetin Teknik Yildiz në Stamboll.
Navtex, një pikë e re debati
Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë në Detin Egje. Tensioneve u shtohet një pikë tjetër debati: Të enjten e kaluar Turqia përdori sistemin navigacionit detar “Navtex” për të paralajmëruar për rreziqet e sigurisë dhe aktivitetet ushtarake greke. Paralajmërime të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.
Në fund të fundit bëhet fjalë për autoritet në Egje: Kush ka të drejtë të deklarohet përgjegjës për çështjet e sigurisë? Athina flet për një përpjekje të paligjshme të fqinjit të saj për të zgjeruar ujërat e tij territoriale. Një “provokim të ri turk” e konsideron këtë gazeta e njohur javore greke “To Vima”.
Nga këndvështrimi turk kjo është thjesht një çështje rutine, që përputhet me legjislacionin aktual. Por mund të jetë më shumë se kaq: sipas gazetës proqeveritare Türkiye: “Navtex ka shkaktuar panik në Greqi dhe ka ndryshuar status quonë në Egje”.
Për kryeministrin grek Mitsotakis mosmarrëveshja për Navtex do të thotë edhe më shumë presion nga e djathta. “Turqia po rrëmben gjysmën e Egjeut, por qeveria jonë nuk sheh asnjë arsye për shqetësim”, ankohet Kyriakos Velopoulos, kryetar i partisë së djathtë populiste “Zgjidhja Greke” (EL), e cila sipas sondazheve ka arritur vendin e tretë, përsa i përket mbështetjes së votuesve.
Grindje pa fund megjithë konvetën e OKB-së për Ligjin e Detit
Prej dekadash Greqia dhe Turqia grinden për shelfin kontinental para bregdetit turk, shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në Egje. Në kuadër të doktrinës së saj ushtarake aktuale “Atdheu Blu” Turqia pretendon edhe territore detare prej më shumë se 450.000 kilometra katrorë para bregdetit të saj.
Si busull ligjore në raste të tilla shërben Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 mbi të Drejtën e Detit, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar atë. Por ajo mund të zbatohej: sipas mendimit mbizotërues të juristëve ky traktat pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore ekzistuese – dhe për këtë arsye është i detyrueshëm edhe për ata, që nuk e kanë nënshkruar.
Asnjë marrëveshje në horizont
Sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit çdo shtet mund të përcaktojë në parim ujërat territoriale, që shtrihen deri në 12 milje detare. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: Në rastet e kufijve të paqartë ose mbivendosjeve, palët e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Por marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë është ende në pritje.
Që në vitin 1995 parlamenti turk e pati shpallur zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje “shkak për luftë”. Sepse në një rast të tillë Egjeu do të bëhej një lloj deti i brendshëm grek.
Në vitin 2021 qeveria e Athinës i zgjeroi ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Detin Jon drejt Italisë. Sot Greqia rezervon në mënyrë të qartë të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale edhe në Detin Egje, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias për stacionin televiziv të Athinës “Open”.
Si instancë e fundit në të gjitha çështjet e së drejtës ndërkombëtare konsiderohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë. Por ky organ i Kombeve të Bashkuara nuk vepron me iniciativën e vet. Si Greqia ashtu edhe Turqia do të duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët, për të autorizuar gjykatën që të ndërmjetësojë. Për këtë debatohet që nga viti 1976. Deri tani pa sukses./ DW/kb