Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Main stream

Tre të arrestuar në Gjirokastër, pajisën 16 kamionë me certifikata të falsifikuara

By: A R
6 February 2026 at 13:57

Një hetim disamujor i Policisë së Gjirokastrës ka çuar në finalizimin e operacionit të koduar “Autenticiteti”, duke goditur tre raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Si rezultat, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Altin Goxho, Viktor Vedra dhe Edison Piro.

Sipas hetimeve, Goxho, administrator i një subjekti për transport ndërkombëtar mallrash, kishte pajisur 16 kamionë me certifikata të falsifikuara, për të kryer aktivitetin tregtar jashtë vendit. Gjatë kontrollit në subjekt u sekuestruan 16 dokumente të dyshuara false.

Ndërkohë, në banesat e dy shtetasve të tjerë u gjetën dhe u sekuestruan 4 dokumente shkollore të falsifikuara, konkretisht diploma dhe lista notash.

Në total, u sekuestruan 20 dokumente, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore.

A do ndërhyjë PD në ligjet e drejtësisë? Flet Sali Berisha

By: A R
6 February 2026 at 13:47

Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se PD nuk do të bëhet pjesë e asnjë ndërhyrje në ligjet e drejtësisë.

Kreu i PD u shpreh edhe njëherë sot në mbështetje të kërkesës së magjistratëve për rritje rrogash.

Partia Demokratike nuk bëhet pjesë në mënyrë absolute e asnjë ndërhyrje. Edhe radhën e kaluar dhe theksova, dhe tani. Gjykatësit dhe prokurorët e vendit kanë të drejtë 100% të pretendojnë një piramidë rrogash në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve. Kanë të drejtë të refuzojnë një piramidë rrogash e cila është ndërtuar totalisht mbi baza, qëllimesh të zeza politike. Gjykatësit dhe prokurorët me gjithë plus-minuset që kanë, siç kanë të gjithë grupet e tjera, nuk kanë patur as vërejtjen më vogël, edhe në atë kohë kur, rrogat e tyre, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, po marr atë, nuk shkonin më shumë se 1400-1600 euro, sepse piramida e rrogave ishte ajo që duhej të ishte sipas frymës së Kushtetutës. Kurse Edi Rama për të ndërsyer një grup mercenarësh kundër opozitës, u vuri atyre rrogat më të larta në Europë, rroga që nuk ekzistojnë, në vendin me rrogat më të ulëta të tjera, në Europë”, tha Berisha.

Berisha akuza Ramës: Po kërcënon integrimin, në BE po shqyrtohet zhbërja e procesit për Shqipërinë

By: A R
6 February 2026 at 13:32

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat, ku po ngre akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po rrezikon të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian.

“Sot jam këtu për të denoncuar kërcënimin madhor që Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveria, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE.

Lajmet që vijnë nga kancelaritë europiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.”, tha Berisha.

Kryedemokrati shtoi se nëpër kancelaritë e vendeve të Europës po diskutohet kjo gjë dhe se nuk përjashtohet opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.

Berisha e lidhi këtë me qëndrimet e kreut të qeverisë mbi çështjen e hetimeve ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe mbetjes pezull të votimit për imunitetin e saj në Kuvend. Po ashtu edhe për shkak të çështjes së hetimeve ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.

“Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë europiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.

Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Lubi Balluku, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë. Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t. Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë.”, shtoi ai.

Berisha: AKSHI, dosja që ka lënë pa mend kancelaritë europiane

Më tej Berisha foli edhe për çështjen e hetimeve për tenderat e AKSHI-t, duke e konsideruar këtë si dosjen që i ka lënë pa mend kancelaritë e Europës.

“AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha. Është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate. Për të mos folur pastaj për qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur.

Edi Rama po loz me fatet e vendit. Me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij. Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar.”, tha Berisha, duke akuzuar më tej kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, që në faqen e Parlamentit censuroi mesazhin që kishte marrë në takimin që kishte në Departamentin e Shtetit Amerikan, mbi luftën kundër organizatave kriminale transnacionale.

“Dhe ai e censuron, duhet të lexojmë njoftimin e departamentit për të marrë vesh të vërtetën e njoftimeve të SHBA. Këta janë bashkëpunëtorë në krim. Niko Peleshi që bën këtë censurë është bashkëpunëtor në krimet e Edi Ramës.”, shtoi.

Mes të tjerash, në komunikimin e tij me gazetarët, kreu i opozitës tha se kishte një mesazh për familjet që përmbyten. Duke iu referuar parashikimeve të metereologëve për një mot të keq në vazhdim, Berisha paralajmëroi qytetarët që të marrin masa vetë, pasi nga ana e qeverisë nuk është bërë asnjë përgatitje.

447 persona lirohen menjëherë nga burgu, miratohet amnistia penale

By: A R
6 February 2026 at 13:23

Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë thotë më tej në deklaratën e tij se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi.  Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Nga kjo amnisti nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

Fundjava me mot të paqëndrueshëm, sinoptikanët: Reshjet e shiut në formën e rrebesheve

By: A R
6 February 2026 at 13:15

Reshjet e shiut mbeten prezente në vendin tonë. Madje, sipas sinoptikanëve, herë pas here do të jenë në formën e rrebesheve afatshkurtra.

“Reshjet në veri më shumë, në jug dhe zonat qendrore më pak. Reshjet e shiut në formën e rrebesheve”, tha Hakil Osmani nga Meteoalb.

Por, pavarësisht se do të ketë lagështi në ajër, temperaturat do të vijojnë të jenë 2–3 gradë më të larta se sa vlerat tipike të muajit.

“Vlerat maksimale do të arrijnë 16–17 gradë të shtunën, ndërsa vlerat minimale në veri 4–5 gradë. Dita e dielë do sjellë ulje të vlerave”.

Sipas meteorologëve, në orët në vijim era do të vijojë të jetë problematike, sidomos në zonat bregdetare.

Era më e fortë këtë të premte, më pas dobësim të saj, do të jetë erë mesatare”.

Pavarësisht se dita e diel në mesditë do të sjellë ndërprerje të reshjeve, sërish java e ardhshme, sipas meteorologëve, do t’i ketë prezente reshjet.

Breshëria e armëve në berberhanen e Lezhës, lihet në burg efektivi që iu kundërpërgjigj autorëve

By: A R
6 February 2026 at 13:04

Gjykata e Lezhës ka caktuar këtë të premte, masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin e policisë që u përfshi në përplasjen me armë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.

Gazetari i Klan News Martin Marku, duke iu referuar burimeve nga seanca e zhvilluar sot me dyer të mbyllura, raporton se efektivi u ka qëndruar deklarimeve të mëparshme, duke thënë se ka qëlluar me qëllim për të neutralizuar situatën. Kjo duke qenë se kishte parë personat e armatosur duke qëlluar drejt tyre.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sjellim ndërmend se ngjarja ka ndodhur brenda një berberhaneje të dielën e datës 1 shkurt, ku tre persona qëlluan me breshëri armësh duke lënë të plagosur pronarin e subjektit, me profesion berber. Brenda berberhanes ndodheshin disa persona, mes të cilëve edhe shënjestra e atentatit.

Shkëmbimi i zjarrit ka prekur edhe bizneset përballë lokalit, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Pas ngjarjes, një efektiv policie u pezullua nga detyra dhe më pas u ndalua me urdhër të Prokurorisë, pasi akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa gjatë incidentit ai ka qëlluar me armë, për të neutralizuar autorët. Efektivi me inicialet B.K. ishte pjesë e Patrullës së Përgjithshme Lezhë-Mirditë.

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 7 Shkurt 2026

By: A R
6 February 2026 at 12:55

Dashi

Në dashuri do të keni mundësi që të zgjidhni problemet në çift, në sajë të kalimit tranzit të Venusit. Në punë do të keni dëshirë për ndryshim. Këshillohet që të mos krijoni polemika të kota.

Demi

Do të nisë gradualisht një fazë rikuperimi. Në dashuri gjërat ecin mirë, por sërish ju do të jeni nervoz. Në punë dhe me çështjet financiare, do të keni shumë gjëra për të menduar dhe sistemuar. Kjo për shkak se fitimet nuk janë ashtu siç i kishit menduar.

Binjakët

Dashuria do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë momente krize me njeriun e zemrës, të cilat duhen kaluar. Është momenti për të menduar për të ardhmen si dhe për të vlerësuar ofertat e punës.

Gaforrja

Ky është një moment rikuperimi sa i takon punës, ku gjërat do të nisin që të ecin më mirë. Dashuria do të jetë e mbushur me pasiguri, pasi mund të keni pengje nga e kaluara.

Luani

Duhet të mundoheni që të shmangni problemet dhe debatet, ndonëse do e keni mjaft të vështirë. Në dashuri, takimet janë mjaft të favorizuara. Në punë, duhet të rrini të përqendruar dhe të vëmendshëm.

Virgjëresha

Mundohuni që të jeni sa më pozitiv, pasi nervozizmi dhe stresi do të jenë në nivele shumë të larta. Në dashuri nëse ka pasur probleme, është momenti për ti zgjidhur. Hëna në shenjën tuaj, do ju ndihmojë që të bëni projekte me rëndësi.

Peshorja

Dita do të jetë mjaft pozitive për të lindurit e kësaj shenje. Në dashuri problemet mund të zgjidhen, madje janë mjaft të favorizuara ndryshimet pozitive. Në punë, do të keni mundësi që të merrni një rol të rëndësishëm.

Akrepi

Duhet të përqendroheni dhe të shmangni debatet. Në dashuri shqetësimet kryesore do të vijnë nga situata ekonomike që po jetoni, shkruan noa.al. Puna do të përmirësohet gradualisht, por momentalisht bëni durim.

Shigjetari

E shtuna do të jetë nën ritmin e duhur, pasi Hëna dhe Venusi do të kenë ndikim të kundërt. Në dashuri, mund të ketë probleme, debate, por edhe dyshime. Në punë, gjërat nuk do të ecin siç dëshironi.

Bricjapi

Ky është momenti për të zgjidhur disa probleme dhe për të jetuar më mirë dashurinë. Mund të lindë një histori dashurie me dikë që nuk e prisni. Po ashtu mund të ndjeni bezdi nga njerëzit që iu rrethojnë.

Ujori

Duhet të mundoheni që të relaksoheni. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe nëse keni përjetuar një ndarje, kjo periudhë premton takime interesante. Gjithashtu mund të përballeni me probleme në punë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kujdes duhet treguar me paratë.

Peshqit

Ju pret një ditë e mbushur me tension, ndaj bëni mirë që të mos krijoni polemika të kota. Në dashuri, situata do të jetë e komplikuar. Historitë e lindura prej pak kohësh, mund të mos rezultojnë të frytshme. Në punë, duhet të tregoni kujdes maksimal.

Manja paralajmëron drejtësinë: Vërini gishtin kokës! Do ndërhyjmë në sistem!

By: A R
6 February 2026 at 12:47

Ulsi Manja ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet rishikuar.

Në një intervistë me Grida Dumën, ai nisi të fliste për pagat e gjyqtarëve.

“Çfarë do të bëhet me dosjet e prapambetura? Ka ardhur momenti të hapet ky diskutim. Po shfaqen simptomat e një apatie në sistemin e drejtësisë; në KLGJ dhe KLP ka mungesë transparence në vendimmarrje dhe ata e konsiderojnë këtë si diçka që ndodh brenda shtëpisë së tyre,” tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit “ka ardhur koha për diskutimin e temës: a e kanë shqiptarët këtë drejtësi cilësore që iu premtua në 2016? U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova,” tha ai, duke i paralajmëruar magjistratër prerë nga studio e TCH:

“Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem.”

Mesazhi i SPAK-ut në rrjetet sociale: Veprojmë të pavarur dhe hetojmë vetëm mbi bazën e provave

By: A R
6 February 2026 at 12:41

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpërndarë një mesazh për publikun në rrjetet sociale, ku thekson se vepron në mënyrë të pavarur dhe bazohet në prova dhe ligj në hetimet që kryen. Sipas komunikimit të bërë publike nga struktura, SPAK kujton se funksionet e saj zbatohen pa ndikime politike apo të tjera, dhe se çështjet penale trajtohen vetëm kur ekzistojnë prova dhe elemente të mjaftueshme që mbështetin akuzat në mënyrë ligjore.

Kjo qasje, sipas strukturave të drejtësisë së posaçme, është pjesë e misionit të institucionit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele të ndryshme të shoqërisë.

A do të zbatohet përkohësisht marrëveshja për Mercosur? Von der Leyen po llogarit rreziqet

By: A R
6 February 2026 at 12:22

Presidentja e Komisionit Evropian nuk ka marrë ende një vendim mbi zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur.

Ursula von der Leyen është në parim pro, por është ende duke vlerësuar rreziqet e kësaj vendimi. Tema duhej të diskutohej dje në Paris me Emmanuel Macron, si dhe në samitin informal të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.

Von der Leyen dëshiron të dijë cilët liderë e konsiderojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes Mercosur si një çështje ekzistenciale në planin e politikës së brendshme. Do të konsultohen liderët e Francës, Polonisë, Irlandës dhe Austrisë.

Në llogaritjen e rrezikut, von der Leyen duhet të marrë parasysh edhe Parlamentin Evropian, i cili, nëse do të rrëzonte ratifikimin, do ta dështonte përfundimisht marrëveshjen me Mercosur.

Megjithë presionet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për zbatimin e përkohshëm, von der Leyen ka ende pak kohë për të përfunduar vlerësimet e saj.

Kërkohet një ratifikim nga një prej katër vendeve të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji). Paraguaji pritet të jetë i pari pas disa muajsh.

Kryemadhi, akuza të forta Berishës: Meta është në burg prej marrëveshjes PD-PS!

By: A R
6 February 2026 at 11:58

Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën, në Top News se i vjen keq që Partia e Lirisë po shkon drejt shuarjes, duke theksuar se kjo situatë është pasojë e një procesi të qëllimshëm kriminalizimi të forcës politike që ajo ka ndërtuar prej vitesh.

“Më vjen keq që Partia e Lirisë është drejt shuarjes. Kam investuar gjithçka në këtë parti, i gjithë rrethi im, nëna ime, bashkëshorti im janë sot në duart e gjykatës, sepse duan të kriminalizojnë një parti politike që ishte risi në politikën shqiptare, një parti që kërkonte aleanca”, u shpreh Kryemadhi.

Sipas saj, problemet që po përjeton sot politika shqiptare nuk ekzistonin më parë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim.

“Sot kemi 80% të të burgosurve në paraburgim. Sot jemi Republika e SPAK-ut”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse opozita mund të kthehet në një alternativë qeverisëse, Kryemadhi tha se problemi kryesor qëndron te metodologjia dhe mungesa e konsistencës.

Kryemadhi hodhi akuza të forta edhe për arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si rezultat të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha.

“Burgosja e Metës është marrëveshje e dy partive të mëdha për të vazhduar aferat”, deklaroi ajo.

Ajo pranoi se si ajo ashtu edhe Ilir Meta kanë bërë gabime, por theksoi se këto gabime lidhen me tejkalimin e kufijve në ndihmë të njerëzve.

“Meta dhe unë kemi gabimet tona. Kemi bërë më shumë sesa duhet për njerëzit. Nëse merr një doktor urgjence dhe i thua ‘kam filanin’, sot SPAK ta quan shpërdorim detyre. Ky ka qenë gabimi ynë”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi kritikoi ashpër mediat dhe politikën për heshtjen ndaj mënyrës së burgosjes së Ilir Metës, duke theksuar se për tetë muaj ai është lënë në harresë.

“Asnjë emision, asnjë gazetar, asnjë deputet i PL-së nuk foli për shkeljet e rregullave të burgosjes së Metës. U harrua në burg për tetë muaj, nuk shkoi askush ta takonte”, tha ajo.

Spiropali: Integrimi Europian i Shqipërisë është interes strategjik i SHBA

By: A R
6 February 2026 at 11:50

Gjatë qëndrimit të saj në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ftua si folëse kryesore në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins, ku bashkë me ekspertin e njohur Edward Joseph, profesorë, studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, analizuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Spiropali u ndal te shndërrimi i Shqipërisë nga vendi më i izoluar i Europës, në vendin kandidat që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian përmes rezultateve, implementimit të një sërë reformash strukturore.

“Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave. Ky është rezultati i reformave të vështira dhe fokusit të qëndrueshëm politik. Por tani fillon puna më e vështirë. Po punojmë intensivisht dhe përmes një agjende objektivash për të mbyllur grupkapitujt deri në vitin 2027 dhe për të siguruar anëtarësimin deri në vitin 2030. Pra bëhet fjalë për progres të vërtetë në disa fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimi i institucioneve demokratike, etj. Këtu është gjithashtu vendi ku mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike gjatë viteve: në forcimin e reformës sonë në drejtësi dhe transparencës. Reforma në drejtësi, në veçanti, është reforma më e thellë dhe më transformuese në Shqipërinë moderne”, tha Spiropali.

Ankorimi i Shqipërisë drejt vlerave perëndimore, sipas Ministres së Jashtme, nuk është për një zgjedhje rastësore dhe as e përkohshme, por strategjike.

“Është e rrënjosur në identitet dhe në realitetet e forta të sigurisë. Administratat ndryshojnë, politikat evoluojnë, por busulla strategjike e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të largohet nga bashkësia euroatlantike”, tha Spiropali.

Spiropali iu bashkua gjithashtu Samitit “Western Balkans Forward”, organizuar nga Këshilli i Atlantikut. Aty Spiropali foli për “Imperativin gjeopolitik të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor”.

Ministrja theksoi se “procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që BE-ja duhet ta përdorë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si proces që garanton në thelb sigurinë europiane”.

“Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë pas-konflikti, por një vijë e parë e sigurisë dhe e konkurrencës evropiane. Paqëndrueshmëria rajonale, ndikimi rus dhe presionet hibride e bëjnë zgjerimin më urgjent. Kjo e bën zgjerimin jo vetëm një proces transformues për vendet tona, por edhe një instrument për një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë në procesin e zgjerimit, sepse një rajon i integruar në BE është padyshim më i sigurt, me më shumë bashkëpunim rajonal dhe më i begatë në fund. Zgjerimi duhet të trajtohet absolutisht si instrument sigurie dhe jo si mekanizëm burokratik shpërblimi“, tha Spiropali.

Ministrja nënvijëzoi se përveçse një proces i bazuar në meritë, zgjerimi është një proces i lidhur me kohën dhe se çdo zvarritje, përbën rrezik sigurie. Edhe për Shtetet e Bashkuara, sipas saj, zgjerimi është një interes strategjik.

“Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë. Pra po, një proces i bazuar në meritë, dhe ne besojmë plotësisht në këtë, sepse duhet të jetë një proces i besueshëm, por edhe transformues për vendet tona, për shtetin tonë dhe shoqëritë tona  i bazuar në meritë, por edhe i lidhur me kohën. Çdo zvarritje, sipas nesh, përbën rrezik sigurie. Gjithmonë ka qenë kështu, por veçanërisht tani është bërë edhe më e dukshme. Vonesa krijon vakuum strategjik. E kemi diskutuar më herët këtë dhe nuk dua të përsëris, por vakuumi tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe, dhe kjo duhet shmangur me çdo kusht. Pyetja nuk është më nëse zgjerimi duhet të ecë me kujdes, por nëse vonesat janë shndërruar tashmë në rrezik sigurie”, tha Spiropali.

3-vjeçari humbi jetën pas një ndërhyrje dentare, prokuroria çon në gjyq 7 persona: 3 prej tyre për vrasje nga pakujdesia

By: A R
6 February 2026 at 11:40

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, tre prej të cilëve me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. I mituri humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë në kryeqytet. Mjeku R. Xh., vajza e tij, I. Xh. dhe një dentist tjetër me iniciale M.G janë ata që akuzohen për vrasje nga pakujdesia edhe për mashtrim.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Sipas prokurorisë, mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

“Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G”, njoftoi prokuroria.

Nën akuzë kanë përfunduar edhe dy ekspertë të ekspertizës mjekoligjore, E.S. dhe E.A. që sipas prokurorisë kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore në kryerjen e autopsisë.

Kujtojmë se i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare më 28 shtator 2023 në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent” të drejtuar nga R. e I. Xh. Pas ndërhyrjes, i mituri u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Disa ditë më vonë ai ndërroi jetë aty.

Për të dalë në këto përfundime prokurorisë u desh riekspertim mjekoligjor dhe ekspertim mjekoligjor shtesë nga ekspertë të huaj italianë. Ata zbuluan se shkaku kryesor i vdekjes së pacientit ishte shoku septik i rëndë. Sipas tyre, anestezisti dhe stomatologët që trajtuan të miturin kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

“Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij”, njoftoi prokuroria.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Por ajo që rezultoi po ashtu e provuar nga hetimet është se stomatologët I. Xh. dhe M.G kanë mashtruar prindërit e 3-vjeçarit. Ata i kanë marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve ndërkohë që nga autopsia rezulton se gjashtë prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Po ashtu, Xhaxho vazhdonte aktivitetin në mënyrë të paligjshme pas ngjarjes.

“Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut”, njoftoi prokuroria.

Shkëlqim Hajdari emërohet Prefekt i Tiranës, Sula merr drejtimin e Inspektoriatit të Përgjitshëm

By: A R
6 February 2026 at 11:30

Shkëlqim Hajdari është emëruar ditën e sotme në postin e prefektit të Tiranës.

Hajdari dha dorëheqjen nga posti i Kryeinspektorit të Përgjithshëm disa kohë më parë, ndërsa sot u zbulua se ai do të pasohet në detyrë nga ish-deputeti Dashnor Sula.

Ai ka një përvojë prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë, pasi disa vite më parë ka ushtruar detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Shkodrës.

Ndërkohë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm. Vendimi për emërimin e tij u mor sot gjatë mbledhjes së qeverisë.

Sula ka një karrierë të gjatë politike dhe përfaqësuese në Kuvend. Emërimi i tij vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturat e qeverisë.

“Partizani”, Malltezi: Gjetëm mbi 35 falsifikime, prokurorët dhe Irena Gjoka kishin komunikime

By: A R
6 February 2026 at 11:26

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka dalë në një komunikatë për mediat këtë të premte, ku po flet lidhur me çështjen e dosjes “Partizani” kundër tij dhe për gjyqtaren Irena Gjoka.

“Ne sot do ju paraqesim vetëm pesë shkelje që tregojnë falsifikime nga ana e prokurorisë dhe e gjykatëses Irena Gjoka dhe me radhë, për t’ju treguar pse prokurorët kanë frikë që kjo çështje të ketë kamera në sallë.

Gjithashtu këtu ne do të tregojmë vetëm pesë, por ka mbi 30-35 falsifikime nga ana e prokurorëve politikë.”, tha Malltëzi.

Gjatë konferencës për mediat, Malltezi lexoi disa mesazhe që sipas tij vërtetonin se kishte patur një komunikim mes prokurorëve dhe gjyqtares Irena Gjoka, para marrjes së vendimeve.

“Dy komunikime me prokuroreve dhe gjyqtaarëve, e para për urdhrin e prokurorit Arben Kraja për Policinë.

Keni të nënvizuar këtu, në datën 20.10.2023 Arben Kraja dhe Mehmet Rrumbullaku kanë komunikuar, të nesërmen Irena Gjoka do nxirrte vendimin siç ia kishte kërkuar prokuroria.”, deklaroi Malltezi.

Ai shtoi se për tri ditë, gjyqtarja Irena Gjoka, ka nxjerrë vendimin sic e kishte kërkuar prokuroria.

Reforma territoriale/ Kuko: Duhet rikalibrim i jetës në territor, të reflektohen ndryshimet demografike dhe ekonomike

By: A R
6 February 2026 at 11:18

Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, deklaroi se procesi i ri i reformës do të udhëhiqet nga të njëjtat parime themelore që orientuan edhe reformën e vitit 2015, por të përshtatura me realitetet e reja demografike, ekonomike dhe sociale të vendit.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Kuko theksoi se reforma synon të rikalibrojë jetën në territor dhe mënyrën se si ofrohen shërbimet për qytetarët.

“Parimet që do udhëheqin deputetët e Kuvendit për të bërë reformën do jenë parimet që kanë udhëhequr dhe reformën e parë. Reforma që rikalibron jetën në territor.

Kur flasim për ribërjen e bashkive, riorganizimin e jetës në terrirtor, duhet të marrim parasysh demografinë. Ne kemi pasur ndryshime shumë të mëdha demografike brenda këtij 10-vjeccari nga reforma e kaluar në këtë të tanishme”, u shpreh ajo.

Sipas Kukos, qëllimi i reformës nuk është krijimi i pabarazive mes territoreve, por garantimi i një standardi të njëjtë shërbimi për të gjithë qytetarët.

Realitetin ekonomik të disa bashkive, disa bashki kanë marrë një profil më të veçantë kur vjen puna te turizmi apo si gjeneron të ardhura, dhe të kohezionit. Ne nuk duam të kemi një Shqipëri me 2 shpejtësi, por një Shqipëri ku qytetari merr shërbimin njësoj në secilën bashki”, tha deputetja.

Duke iu referuar reformës territoriale të vitit 2015, Kuko sqaroi se ajo nuk ka dështuar, por ishte e menduar që në fillim si një reformë që do të rishikohej pas një periudhe 10-vjeçare.

“Nuk ka diçka që nuk ka shkuar në vetvete. Reforma e kaluar ishte një përgjigje ndaj një territori të super fragmentarizuar. Ishte e vendosur që kur u bë reforma e kaluar, që do të rishikohej pas një 10-vjecari.

Reforma e kaluar solli 370 e kusur njësi administrative në 61. U bë një ribashkim i territorit.

Kritika mund të jetë që është shtuar numri i bashkive dhe është e kotë argumenti se burimet njerëzore janë shtuar a pakësuar. Shumë funksione që i kanë takuar qeverisjes qendrore, kaluan në qeverisjen vendore duke pasur funksione të deleguara, gjendja civile, arsimi parashkollor, etj,. Ishte një reformë e domosdoshme për kohën e cila funksionoi deri diku mirë sepse e shikojmë tani që bashkitë u bënë realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, theksoi Kuko.

Sipas saj, kritikat që lidhen me rritjen e numrit të punonjësve në bashki nuk qëndrojnë, pasi shumë funksione të qeverisjes qendrore iu deleguan pushtetit vendor.

“Gjendja civile, arsimi parashkollor dhe funksione të tjera kaluan te qeverisja vendore. Bashkitë u kthyen në realitete ekonomike dhe shërbimi ndaj qytetarëve u përmirësua”, u shpreh Kuko.

Megjithatë, ajo pranoi se kishte hapësira për përmirësim, veçanërisht në menaxhimin e financave vendore, mbledhjen e taksave dhe organizimin e disa bashkive të vogla.

Deputetja e PS theksoi se lëvizjet demografike dhe sezonaliteti, sidomos në zonat turistike, e bëjnë të domosdoshëm riorganizimin territorial.

“Sot jemi në një fazë tjetër, jemi në një fazë ku lëvizjet demografike sjellin nevojën për riorganizimin e territorit. Bashki të vogla, si Himara me dhjetëra mijë banorë gjatë vitit, në sezonin turistik bëhet bashki kolosale. A s’duhet të planifikojmë të mos kemi këto planifikimet sezonale? Kjo reformë është e domosdoshme për kohën.

Nuk po themi që kemi dështuar me reformën e kaluar, mund të ishin bërë disa gjëra shumë më mirë, si kur vjen puna me financat vendore, për mbledhjen e taksave vendore, apo për mënyrën si u orhganizuan disa bashki të vogla, por tashmë jemi në një moment tjetër ku bashkitë s’do duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike por dhënëse shërbimi për qytetarët”, tha ajo.

Sa i përket projektit fillestar të reformës, Kuko bëri të ditur se ende nuk ka një draft konkret, pasi procesi do të bazohet në konsultime të gjera.

“Projektin fillestar nuk mund ta them. Për fat të mirë ne do kemi dhe kolegët e opozitës në tavolinë, është mirë kur kemi rrahje mendimesh. Shoqata që ka mbuluar bashkitë e djathta ka pasur një oponencës të shëndetshme kur vjen puna për pjesën e reformës, por kjo do kërkojë një konsultim.

S’mund të dalim me planin fillestar pa analizuar realitetin apo ta bëjmë në mënyrë statike mbi letër. Kjo është arsyeja pse do kemi takime në territor, do shohim si jepen shërbimet, do takohemi me aktorë e faktorë”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se do të ketë takime në terren, konsultime me pushtetin vendor, aktorët lokalë dhe qytetarët, për të vlerësuar realisht cilësinë e shërbimeve.

Në këtë fazë, bashkitë nuk duhet të jenë thjesht entitete administrative burokratike, por dhënës realë shërbimi për qytetarët”, shtoi Kuko, duke kujtuar se reforma e kaluar solli edhe konceptin e “one stop shop”, ku shërbimet merren në një sportel të vetëm.

Duke shpjeguar konkretisht efektet e reformës, Kuko u shpreh se ajo do të sjellë një rikalibrim të shërbimeve publike, në funksion të nevojave reale të qytetarëve.

Sipas saj, reforma do të shoqërohet edhe me një rikonceptim të këshillave të qarqeve, duke iu afruar modelit të rajoneve funksionale.

Nëse një shërbim i caktuar është i vendosur në një pjesë të territorit që nuk i përgjigjet më realitetit demografik apo ekonomik, do të rishikohet mënyra se si ai shkon te qytetari. Do të kemi një rikonceptim të këshillave të qarqeve dhe do t’i afrohemi konceptit të rajoneve, ku zhvillimi i territorit bëhet në mënyrë më të përgjithshme dhe të koordinuar”, u shpreh Kuko.

I vendosën eksploziv në makinë, shoferi në Konispol e pikas në kohë dhe ndalon

By: A R
6 February 2026 at 11:05

Një atentat me eksploziv është parandaluar mbrëmjen e së enjtes në Konispol. Mësohet se një automjeti i ishte vendosur një sasi lënde eksplozive në fshatin Vrinë, por për fat të mirë drejtuesi e ka pikasur në kohë.

57-vjeçari me inicialet M.GJ ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjetin që po drejtonte ndërsa ishte në lëvizje, në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës” në aksin Shëndëlli-Vrinë.

Ai ka ndaluar dhe ka kontrolluar duke gjetur sasinë e lëndës eksplozive në sediljen e pasmdhe menjëherë ka njoftuar policinë.

Satelitët ruse kanë përgjuar komunikime sekrete evropiane prej vitesh

By: A R
6 February 2026 at 10:55

Dy mjete hapësinore ruse, të njohura si Luch-1 dhe Luch-2, dyshohet se kanë përgjuar komunikime nga të paktën dymbëdhjetë satelitë kritikë evropianë, sipas zyrtarëve evropianë të sigurisë dhe inteligjencës që kanë folur për Financial Times.

Aktivitetet e dyshuara ngjallin shqetësime serioze jo vetëm për rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme, por edhe për mundësinë që Rusia të manipulojë lëvizjet e satelitëve, apo madje të shkaktojë defekte teknike si dhe përplasje në orbitë.

Autoritetet ushtarake dhe civile hapësinore perëndimore, sipas Financial Times, i kanë monitoruar këto aktivitete për disa vite, megjithëse ato nuk janë bërë publike më parë.

Intensifikimi i aktivitetit rus lidhet me përshkallëzimin e tensioneve mes Moskës dhe Perëndimit pas pushtimit të Ukrainës. Gjatë tre viteve të fundit, satelitët rusë kanë ndjekur nga afër satelitët evropianë në orbitën gjeostacionare, rreth 35 mijë kilometra mbi Tokë, të cilët ofrojnë shërbime në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Manovra pranë satelitëve evropianë

Sipas raportimeve, Luch-1 dhe Luch-2 kanë kryer manovra të përsëritura pranë satelitëve evropianë, duke qëndruar afër tyre për javë ose muaj të tërë.

Luch-1

Që nga lëshimi i tyre në vitin 2023, vetëm Luch-2 ka afruar të paktën 17 satelitë evropianë.

Manovrat dyshuese të Luch-2

Zyrtarët perëndimorë besojnë se qëllimi kryesor i këtyre lëvizjeve është mbledhja e informacionit të sinjaleve (SIGINT).

Michael Traut, kreu i komandës ushtarake hapësinore të Gjermanisë, deklaroi për Financial Times se satelitët rusë dyshohet se lëvizin brenda rrezeve të ngushta të transmetimit të të dhënave midis stacioneve tokësore dhe satelitëve. Një zyrtar i lartë evropian i inteligjencës tha se kjo mund t’i lejojë Rusisë të përgjojë komunikime, përfshirë të dhëna të kontrollit satelitor.

Dobësitë e satelitëve të vjetër

Shumë satelitë evropianë konsiderohen të cenueshëm pasi janë lëshuar vite më parë pa teknologji moderne të enkriptimit apo sisteme të avancuara kompjuterike.

Si pasojë, lidhjet e komandimit, të përdorura për të rregulluar orbitën dhe pozicionimin, mund të transmetohen pa enkriptim. Nëse këto të dhëna kapen, ato mund të përdoren më vonë për të ndërhyrë në operacionet satelitore ose për t’i shkatërruar ato.

Ekspertët e sigurisë e lidhin këtë aktivitet me një model më të gjerë të ashtuquajtur “luftë hibride” ruse në Evropë, e cila përfshin edhe sabotime të kabllove nënujore të internetit dhe energjisë elektrike. Zyrtarët e inteligjencës shprehin shqetësim se taktika të tilla mund të zgjerohet edhe në hapësirë.

Rreziku i manipulimit të satelitëve

Analistët paralajmërojnë se me mjaftueshëm të dhëna mbi komandat e kontrollit, Rusia mund të imitojë operatorët legjitimë tokësorë dhe të dërgojë komanda të rreme. Një skenar i tillë mund të devijojë satelitët nga trajektorja, t’i çaktivizojë ose t’i detyrojë të rikthehen në atmosferën e Tokës.

Satelitët që dyshohet se janë vënë në shënjestër janë kryesisht civilë, si ata që përdoren për televizion satelitor, por shumë prej tyre transportojnë edhe komunikime qeveritare dhe ushtarake të kufizuara.

Edhe pa deshifruar mesazhet, Rusia mund të analizojë mënyrën e përdorimit të satelitëve, të identifikojë operatorët dhe të lokalizojë terminalet tokësore, duke krijuar baza për ndërhyrje apo sulme kibernetike të synuara.

Aktivitet i shtuar rus në hapësirë

Sipas kompanive të monitorimit, Luch-2 aktualisht operon pranë satelitit Intelsat 39, një satelit kyç që shërben për Evropën dhe Afrikën.

Ndërkohë, Rusia duket se po zgjeron aftësitë e saj të zbulimit hapësinor me satelitë më të rinj, përfshirë Cosmos 2589 dhe Cosmos 2590, të cilët shfaqin manovrueshmëri të ngjashme.

Nga ana tjetër, ekzistojnë dyshime se Luch-1 mund të jetë jashtë funksionit pas një defekti të mundshëm në sistemin e shtytjes dhe fragmentimit të pjesshëm të vërejtur në janar.

Zyrtarët evropianë e konsiderojnë aktivitetin rus një kërcënim serioz dhe në rritje, duke theksuar varësinë e madhe të shoqërive moderne nga infrastruktura satelitore, e cila mbetet veçanërisht e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve.

“Vajza të jashtëzakonshme në Tiranë”, Norvegjia nis hetimet ndaj ish-kryeministrit për lidhjet e tij me Epstein

By: A R
6 February 2026 at 10:47

Autoritetet në Norvegji po hetojnë ish-kryeministrin Thorbjorn Jagland nën dyshimet për korrupsion pas zbulimeve të lidhjeve të tij me abuzuesin e ndjerë seksual Jeffrey Epstein.

Hetimi vjen pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar zbuluan vite komunikimesh midis Jagland dhe Epstein, duke përfshirë email-e që sugjeronin se ai qëndronte në shtëpinë e abuzuesit.

Okokrim, njësia policore e Norvegjisë e dedikuar për luftimin e krimit të jakave të bardha, tha të enjten se kishte përcaktuar se kishte “baza të arsyeshme” për të hetuar Jaglandin për korrupsion madhor.

Agjencia tha se i kishte kërkuar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme të revokonte imunitetin e dhënë Jaglandit, i cili shërbeu gjithashtu si kreu i Komitetit të Nobelit dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, si ish-kreu i një organizate ndërkombëtare.

Hetimet do të fokusohen në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime falas, apo favore të tjera nga Epstein.

Kujtojmë që një email të Jagland më 25 maj të 2012-ës, ai i drejtohet Epsteinit me fjalët: “Kam qenë në Tiranë. Vajza të jashtëzakonshme”.

Zv.sekretari amerikan pas takimit me Peleshin: Rrisim bashkëpunimin për sigurinë dhe biznesin

By: A R
6 February 2026 at 10:42

Kryeparlamentari Niko Peleshi gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në një takim nga Zëvendëssekretari i Shtetit Michael J. Rigas në Departamentin e Shtetit.

Në fokus të bisedës mes Peshelit dhe Rigas ka qenë ndërtimi i një të ardhmeje më të fortë dhe më të begatë për të dyja vendet.

Me një postim në rrjetin social X, zv.sekretari amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-të do të vijojnë bashkëpunimin dhe punën me Shqipërinë në kuadër të stabilitetit rajonal dhe global, forcimin e NATO-s, çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe rritjen e mundësive të biznesit.

Bisedë e frytshme me @nikopeleshi në ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe më të begatë për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë punën tonë me Shqipërinë për stabilitetin rajonal dhe global, forcimin e NATO-s, çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe rritjen e mundësive të biznesit në SHBA”, shkruan Rigas.

❌
❌