Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 January 2026Main stream

Hatërmbetja me Rugovën, Berisha: S’isha dakord me rrugën paqësore, duheshin demonstrata

22 January 2026 at 22:22


Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka folur për raportet që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.

Sali Berishës iu shtrua pyetja se pse udhëheqësit e Shqipërisë kanë pasur gjithnjë prirjen për t’i treguar Kosovës si duhet të veprojë.

Analisti Albatros Rexhaj tha se Berisha dhe Rugova kanë qenë gjithnjë idhujt e tij në politikë, por i shprehu liderit të PD se presidenti i Kosovës kishte hatërmbetje me të.

Berisha nuk e fshehu dhe e konfirmoi se ftohja mes tyre, përtej vlerësimit për të ishte rruga paqësore që zgjodhi Rugova, kur sipas tij duheshin demonstrata për zgjedhjet e Jugosllavisë.

Albatros Rexhaj: Unë e mbaj mend presidentin që ka pasur një hatërmbetje jo të vogël me ju për atë këshillë që ne të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhjet e Jugosllavisë në ’96.

Sali Berisha: A kishte një ftohje në ’96? Absolutisht po! Ke të drejtë, nuk e mohoj. Pse ishte ftohja? Unë nuk isha dakord për statusquo-në. Pse nuk isha dakord? Imagjino, ne mbetëm jashtë Dayton-it. Dayton u bë, ne nuk u përfshimë. Për fat të keq, Milosheviçi doli më i fuqishmi që bëri marrëveshjen. Unë kam shprehur vlerësimet për Ibrahim Rugovën, e kam thënë dhe e them, ishte gjeni në politikën shqiptare, por rruga paqësore qëllimet nuk mund t’i realizonte. Unë kam qenë për demonstrata, në mënyrë absolute, asnjëherë për zgjedhje.

Osmani tregon pse e përfaqësoi ajo Kosovën në "Bordin të Paqes" e jo Kurti

22 January 2026 at 22:10


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të ‘Bordit të Paqes’ në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën.

Në një lidhe direkte për Top Channel, nga Davosi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndau detajet nga ceremonia e Bordit të Paqes si dhe foli për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump.

E pyetur se çfarë u tha në bisedën që ajo pati me presidentin amerikan Donald Trump, Osmani tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë i përcolli një mesazh për Kosovën dhe shtoi se ishte një bisedë shumë pozitive që nisi në samitin e OKB në shtator.

Sakaq Osmani sqaroi se pse e përfaqësoi ajo Kosovën dhe jo kryeministri, Albin Kurti duke shprehur se kushtetuta e Kosovës parasheh që politikën e jashtme e udhëheq presidenti, megjithatë ajo theksoi se aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes ishte fitore edhe për të edhe për kryeministrin.

Patët një bisedë me presidentin Trump gjatë ceremonisë, çfarë u tha në atë bisedë?

Ishte një bisedë shumë pozitive për Kosovën dhe për qytetarët e saj, ka qenë një bisedë që ka filluar në samitin e OKB-në Nju Jork më 28 shtator.

Pse e përfaqësuat ju Kosovën dhe jo kryeministri Albin Kurti?

Sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, sepse tek ne presidentja e udhëheq politikën e jashtme, edhe kryeministri është këtu në Davos, por ne i kemi detyrat e ndara. Megjithatë, sukseset i kemi të përbashkëta.

Ishit e ulur pranë presidentit, si u përcaktua kjo dhe pse zgjodhët ngjyrën e kuqe në veshje?

Ishin rregulla të përcaktuara nga SHBA edhe e uljes dhe e nënshkrimit, çdo rregull protokolli është caktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket ngjyrës së kuqe në veshje, është ngjyra ime e preferuar, një ngjyrë që e dua shumë.

Komandanti i KFOR-it diskuton me kryetarin e Mitrovicës për situatën e sigurisë

22 January 2026 at 21:53


Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, në ambientet e komunës.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë, si dhe për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e komunave.

Gjeneralmajor Ulutaş ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar se KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Telegrafi/



Bonus 260 euro/muaj për mjekët specialistë që transferohen në spitalet rajonale të Shqipërisë

22 January 2026 at 20:42


Në shërbimin spitalor në Shqipëri ka 12 300 punonjës shëndetësie, por sërish ka mungesë të mjekëve specialistë në spitalet rajonale.

Për këtë arsye është caktuar që mjekët specialistë, të cilët do të transferohen në spitalet rajonale, do të përfitojnë edhe një bonus prej 250 000 lekësh (rreth 260 euro).

Po ashtu është caktuar që, në mungesë të mjekëve të urgjencës, do të transferohen mjekë të QSH-së të sistemit parësor, raporton Tv Klan.

Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, ku është përcaktuar se mjekët specialistë, përveç pagës, do të trajtohen edhe financiarisht me një bonus mujor.

Ndërsa për spitalet rajonale dhe bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjekësor të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të urdhërojë kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

Prej vitesh mjeku i urgjencës po refuzohet nga të rinjtë, duke sjellë edhe mungesa të shumta në këtë shërbim jetik për pacientin.

Çdo vit janë afro 1 000 vende vakante për punonjës shëndetësie në vend, kryesisht në zonat e thella malore.

Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për të bërë rikonceptimin e plotë të të gjithë spitaleve rajonale në vend, për largësinë e tyre nga qendrat e banuara, shfrytëzimin e shtretërve dhe riorganizimin e shërbimeve që kryhen në këto spitale.

Kjo reformë, që do të prekë spitalet rajonale, do të bëjë të mundur riorganizimin e tyre sipas nevojave që ka popullata dhe profilizimin e institucioneve shëndetësore në shërbime të caktuara.

Studimi, në 7 vite Shqipëria humbi 28% të lumenjve

22 January 2026 at 20:07


“Zemra blu” e Europës po tkurret shpejt.

Shqipëria ka humbur 1,144 kilometra lumenj natyrorë nga 2018 deri më 2025-ën.

Këto janë gjetjet e studimit të kryer nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur.

Sipas ekspertes së mjedisit dhe drejtores së qendrës “Lumi”, Besjana Guri, kjo gjë vjen për shkak të ndërhyrjeve të pakontrolluara në lumenjtë e vendit.

“E gjithë kjo rrjedhje lumore, pra 28% më pak është futur nëpër tuba, është devijuar, është shfrytëzuar. Lumenjtë të cilët janë prekur nga ky zhvillim janë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Rastet ndoshta më shqetësuese ku dhe impakti mjedisor është më i madh dhe më i dukshëm, janë ato të Fanit dhe të Devollit”, u shpreh Besjana Guri, eksperte mjedisi.

Një shqetësim që ngrenë ekspertët është se dëmtimi i rrjedhës së lumenjve do të shtojë edhe fenomenet ekstreme, siç janë përmbytjet.

“Devijimi i lumenjve përveçse rrit thatësirën, ndryshon klimën, ndryshon biodiversitetin, pra kemi humbje të biodiversitetit”, tha ekspertja e mjedisit.

Studimi nënvizon si sukses shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars të vitit 2023, duke parandaluar rreth 40 hidrocentrale të planifikuara, por sërish ngre si shqetësim ndotjen në Vjosë.

“Vërtet kemi një park të mbrojtur ligjerisht. Ka disa hapa që janë ndërmarrë, siç janë krijimi i një administrate, por jemi larg një menaxhimi konkret në terren sepse vërtet kemi problematika që qëndrojnë aty siç është mbetja nga plastika, nga mos trajtimi i mbetjeve, ujërave të patrajtuara nga mbetjet e naftës… Këto janë gjëra që vërtetë nuk kanë gjetur zgjidhje dhe duhet të jenë prioritare për një park kombëtar, aq më tepër të një madhësie të tillë siç është Vjosa”, sqaroi ekspertja.

Sipas studimit, gjatësia e lumenjve në vendin tonë u tkurr nga 3,812 km linearë që ishin në vitin 2018, në 2,668 km linearë në vitin 2025./Klan News

Bislimi: Është arritur pajtim me Serbinë për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 19:50


(E plotësuar) - Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Besnik Bislimi në fund të takimit.

Marrëveshja u arrit pasi Peter Sørensen zhvilloi takime të ndara dhe të gjata me të dy kryenegociatorët.

Mbahet takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

Takimi trepalësh zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes.Mbahet takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

Ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialog.

Këtij i paraprinë takimet e gjata dhe të ndara që Sorensen i zhvilloi me Besnik Bislimin dhe më pas me Petar Petkoviqin, raporton RTK.

Tema e raundit të sotëm është jetësimi i komisionit për të pagjeturit.

Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur gjatë vitit 2024 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy here ndërsa takimet nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Sipas burimeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të diskutojnë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, të cilën e kanë miratuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023.

Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

22 January 2026 at 19:10


Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fadil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit./Telegrafi/

Nënshkrimi në Davos, Fetoshi i Octopus: Kosova pozicionohet në anën e historisë

22 January 2026 at 18:36


Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se nënshkrimi i Presidentes Vjosa Osmani në kuadër të Forumit të Davosit për nismën e “Bordit të Paqes” përbën një moment të rëndësishëm politik dhe strategjik për Republikën e Kosovës.

Sipas Fetoshit, në një sistem ndërkombëtar të paralizuar nga apetitet hegjemoniste të Rusisë dhe Kinës, iniciativa e presidentit amerikan Donald Trump paraqet një alternativë të domosdoshme për adresimin e konflikteve aktuale globale. Ai thekson se Kosova, si “viktima e parë” e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka legjitimitet moral dhe politik për të mbështetur këtë model të ri të përkushtimit ndaj paqes.

Fetoshi rikujton se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, kishte kapërcyer veton ruso-kineze, duke përfaqësuar një “shkelje” të legalitetit në funksion të legjitimitetit dhe mbrojtjes së vlerave universale.

Duke bërë analogji me rolin historik të Shteteve të Bashkuara si lidere e paqes dhe demokracisë, Fetoshi vlerëson se përpjekjet aktuale të presidentit Trump synojnë neutralizimin e kërcënimeve të reja gjeopolitike që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Sipas tij, pavarësisht konfigurimit final të Bordit të Paqes – qoftë si plotësim apo si sfidë ndaj Këshillit të Sigurimit – për Kosovën kjo nënkupton avancim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, rikonfirmim të subjektivitetit të barabartë ndërkombëtar dhe njohje të rolit të saj si faktor paqeje në Ballkan.

Fetoshi thekson se kjo nismë përbën edhe një goditje të rëndësishme ndaj narrativës së Serbisë, e cila vazhdon të përpiqet ta paraqesë Kosovën si burim destabiliteti në rajon.

Në fund, ai vlerëson se hezitimi i disa fuqive evropiane për t’iu bashkuar kësaj nisme reflekton frikë dhe dilema lidhur me institucionet ekzistuese ndërkombëtare, por nuk e zbeh rëndësinë e Bordit të Paqes, i cili, sipas tij, nxjerr në pah krizën e thellë të sistemit aktual ndërkombëtar dhe mungesën e vullnetit kolektiv për garantimin e paqes.

“Në këtë kontekst, Kosova edhe sot foli me gjuhën e aleatit të saj strategjik: stabilitet, partneritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare,” përfundon Fetoshi./Telegrafi/


Drejtoria e Arsimit në Prishtinë distancohet nga ligjërata për Gjykatën Speciale në një shkollë

22 January 2026 at 18:15


Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka reaguar publikisht pas mbajtjes së një ligjërate mbi Gjykatën Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda”, duke sqaruar se Drejtoria e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrje për organizimin e këtij aktiviteti.

Sipas Shahinit, bazuar në informatat zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa pëlqimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin e tij personal, si dhe pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet.

“Shpreh indinjatën time për mënyrën se si është vepruar dhe njoftoj se do të merren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi,” ka deklaruar Shahini.

Ai ka bërë të ditur se do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka mbajtur ligjëratën, lidhur me mënyrën se si është trajtuar kjo temë me nxënësit e shkollës së mesme.

Në fund, Shahini ka theksuar se transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe ambientet shkollore./Telegrafi/


Epokë e re për sportin në Kosovë: Decathlon zyrtarizon ardhjen në vend

22 January 2026 at 18:02


Decathlon, lider global në artikuj sportivë dhe rekreacion, ka zyrtarizuar sot ardhjen e tij për herë të parë në Kosovë, përmes një konference për media të mbajtur në Prishtinë. Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për sportin, komunitetin dhe sektorin e retail-it në vend, duke sjellë një standard të ri të përvojës së konsumatorit dhe një qasje moderne ndaj aktivitetit fizik.

Me prezencë në mbi 80 vende të botës dhe me miliona klientë në nivel global, Decathlon konsiderohet një nga markat më me ndikim në industrinë sportive ndërkombëtare. Hyrja e tij në Kosovë e vendos vendin tonë në hartën globale të këtij brendi prestigjioz dhe përfaqëson një tregues të qartë të besimit ndërkombëtar në potencialin ekonomik dhe zhvillimor të Kosovës.

Dyqani i parë Decathlon në Kosovë pritet të hapet në pranverën e vitit 2026, në ambientet e Prishtina Mall, duke sjellë konceptin më të ri global të brendit. Hapësira e re do të reflektojë të njëjtën cilësi, inovacion dhe standarde që karakterizojnë operimin e Decathlon në tregjet më të zhvilluara të Evropës dhe botës.

Dyqani do të ofrojë një gamë shumë të gjerë pajisjesh dhe artikujsh sportive që mbulojnë mbi 70 disiplina sportive, produkte me çmime të përballueshme dhe cilësi të garantuar, si dhe nivele të larta të inovacionit dhe teknologjisë. Përvoja e klientit do të plotësohet edhe me zgjidhje digjitale dhe platformë të avancuar online, duke e bërë blerjen më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të qasshme.

Në thelb të filozofisë së Decathlon qëndron përkushtimi për ta bërë sportin të qasshëm për të gjithë, duke promovuar një kulturë gjithëpërfshirëse të aktivitetit fizik – pavarësisht moshës, nivelit apo buxhetit. Me ardhjen e këtij brendi në Kosovë, sporti bëhet më i afërt me familjet, të rinjtë dhe komunitetet në mbarë vendin, duke nxitur një stil jetese më aktiv dhe më të shëndetshëm.

Përtej ofertës së gjerë të produkteve, prania e Decathlon do të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në ekonominë lokale, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, zhvillimit profesional dhe organizimit të aktiviteteve që promovojnë kulturën sportive dhe angazhimin komunitar. Decathlon njihet në çdo treg për bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin, shkollat, klubet dhe organizatat sportive.

Hapja e Decathlon në Kosovë realizohet në partneritet me Aztech Group, i cili do të jetë përgjegjës për zhvillimin dhe operimin e brendit në vend.

Me këtë hap, Kosova i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të një prej markave më të besuara në botë, duke hapur një kapitull të ri për sportin, komunitetin dhe tregtinë moderne në vend.

IKSHPK: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm, rreziku real vjen nga mosvaksinimi

22 January 2026 at 17:53


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar ndaj përhapjes së informatave të pasakta mbi vaksinimin, duke theksuar se vaksina MMR (Fruth–Parotit–Rubellë) nuk shkakton autizëm dhe se kjo është e vërtetuar shkencërisht.

Sipas IKSHPK-së, vaksinimi ka qenë për dekada një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik në Kosovë. Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, sot fëmijët nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të shpeshta dhe shpesh fatale. Poliomieliti është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, ndërsa rubella e lindur – që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda – është parandaluar me sukses.

Instituti thekson se edhe fruthi, i cili dikur ishte shkaktar i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve te fëmijët, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR. Megjithatë, viteve të fundit janë përhapur pretendime të pabazuara se kjo vaksinë lidhet me autizmin, pretendime që, sipas IKSHPK-së, nuk qëndrojnë.

“Kjo është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe nga studime të shumta ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë,” thuhet në njoftim.

IKSHPK paralajmëron se rreziku më i madh për shëndetin e fëmijëve vjen nga mosvaksinimi, pasi fruthi nuk është sëmundje e lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

Në fund, Instituti u bën thirrje prindërve që të informohen nga profesionistët shëndetësorë, duke i konsideruar ata burimin kryesor dhe më të besueshëm të informatave për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve./Telegrafi/


Përmbyllet rinumërimi i votave për kandidatë në 11 komuna

22 January 2026 at 17:30


Në njëmbëdhjetë komuna të Kosovës është përmbyllur në tërësi procesi i rinumërimit të votave të kandidatëve, pas vendimit të KQZ-së që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri sot në ora 16:00 janë rinumëruar rreth 45 për qind e vendvotimeve, apo 1142 nga 2557 sa janë në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 22 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 45% apo 1,142 nga 2,557 vendvotime”, ka thënë ai.

Komunat në të cilat është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave për kandidatë janë Dragashi, Kaçaniku, Leposaviqi, Prizreni, Skenderaj, Shtimja, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Zveçani e Juniku.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që deri në fund të këtij muaji të përmbyllë në tërësi procesin e rinumërimit të votave për kandidatë, e më pas në fillim të shkurtit kanë thënë se planifikojnë të shpallin rezultatet përfundimtare.

Vendimi KQZ-së që të shkohet në rinumërim fillimisht në 10 komuna në total e në 28 të tjera vetëm 10 për qind, e më pas vendimi i dytë që të shkohej në rinumërim total erdhi pas evidentimit të manipulimeve dhe mos përputhjeve të mëdha me vota të kandidatëve brenda partive politike, për çka është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit të cilët po mbledhin informata dhe prova të nevojshme për të vërtetuar nëse është kryer ndonjë vepër penale lidhur me procesin zgjedhor.

Tasholli reagon ndaj ligjëratave të Gjykatës Speciale nëpër shkolla: Kosova po sulmohet nën brez

22 January 2026 at 16:22


Në reagim ndaj ligjëratave që kanë nisur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) në shkollat e mesme në Kosovë, Ismail Tasholli, themelues i platformës Liria ka Emër, ka ngritur shqetësime të forta duke i cilësuar këto veprime si përpjekje për deformim të historisë dhe instrumentalizim politik të drejtësisë.

Në një postim publik, Ismail Tasholli shkruan:

“Gjykata Speciale po e sulmon Kosovën nën brez. A guxoni k’shtu në vendet e ju’ja prej kah vini????”

Ai ironizon më tej pasojat e një qasjeje të tillë, duke paralajmëruar për rrezikun e normalizimit të narrativave që, sipas tij, e përmbysin të vërtetën historike:

“Tash ka mbetë veç edhe ni hap ‘logjik’, të vendoset fotografia e Millosheviçit nëpër shkolla ‘për edukim historik’ dhe të organizohet ni ekskursion për nxënës nëpër Serbi, ku ligjëratën për luftën ua mban Shesheli.”

Sipas Tashollit, problemi thelbësor qëndron te mënyra se si po prezantohet drejtësia dhe historia:

“Kur narrativat shtramohen deri n’këtë nivel, kufini i absurditetit zhduket.”
“Kështu doket ‘drejtësia’ kur shndërrohet në projekt politik. Kur historia rishkruhet ‘me ftesa zyrtare’ dhe PowerPoint.”

Në fund, ai thekson se përgjigjja nuk do të mungojë dhe se do të vijë nga vetë qytetarët:

“Kismet ni përgjigje ua jep qytetaria me 17 Shkurt.”

Platforma Liria ka Emër ka për mision mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke kundërshtuar çdo përpjekje që, sipas saj, e shndërron drejtësinë në projekt politik dhe e rishkruan historinë e Kosovës.


Shqipëria në Bordin e Paqes me ftesë të Donald Trump, Kuvendi ratifikon marrëveshjen me 110 vota pro

22 January 2026 at 16:12


Shqipëria do të marrë pjesë në Bordin e Paqes me ftesë nga Presidenti Donald Trump.

Me 110 vota pro, o abstenim dhe 0 kundër, Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen.

Ndërkohë, amendamentet e ngritura nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që kishte në thelb ndryshimin e emrit të kryeministrit me atë të presidentit në marrëveshje, u rrëzuan në votim./Top Channel

Before yesterdayMain stream

"Bordi i Paqes", pse Trump zgjodhi Shqipërinë? Hoxha ‘skanon’ planin

19 January 2026 at 23:22


Bordi i Paqes i Trump, ku Shqipëria ka marrë ftesën si vend anëtar, është kthyer në një nga temat ‘e nxehta’ në politikën ndërkombëtare që përpiqet të zbërthejë lëvizjen e presidentit.

Nën lupën e analistit Artan Hoxha, është një lëvizje për efikasitet dhe jo globalitet.

Sipas analizës së tij në Tv Klan, qëllimi i Trump është një organizatë që vepron shpejt, pa procedura të zgjatura.

Artan Hoxha: Nga të dhënat e këtyre tri ditëve, unë konkludoj në këtë gjë që qëllimi i presidentit Trump është efikasiteti, jo globaliteti i organizatës.

Blendi Fevziu: Ç’do të thotë efikasiteti?

Artan Hoxha: Ai do të ndërtojë një organizatë që merr vendime shpejt dhe i zbaton ato me efektivitet. Ky është qëllimi i tij parësor.

Përzgjedhja e shteteve është një tjetër nga pikat që ka tërhequr vëmendje. Në rastin e Shqipërisë, Hoxha rendit disa faktorë që e favorizojnë në marrjen e kësaj ftese. Nga ana tjetër, Trump ka luajtur disa karta për numrin e vendeve që i duhen në këtë bord dhe afatin e 22 janarit për të kthyer përgjigje.

Artan Hoxha: Nuk ka ftuar gjithë shtetet e botës, ka bërë një shortlist. 60, 70, 50 nuk janë gjithë anëtarët e OKB-së, është një pjesë, gjysma e tyre. Janë hequr një mori shtetesh anëtare të OKB-së që s’do t’i bënin kujt punë në çështjen e konfliktit të Gazës. E dyta, vendet që kanë marrë ftesën ka pasur një mendim, një arsye pse e kanë marrë. Ne mund të analizojmë Shqipërinë, pse e ka marrë Shqipëria ftesën mes 60-70 vendeve?

Blendi Fevziu: Pse, sipas teje?

Artan Hoxha: Vend multifetar, me shumicë myslimane, me harmoni, që shkojmë shumë mirë me Palestinën, që shkojmë shumë mirë me Izraelin, që kemi një histori të mbështetjes së çifutëve, përveç atyre që jemi në NATO etj. Ka shumë vende në NATO, por kaq multifetarë e me harmoni fetare si Shqipëria. Jo vetëm që nuk janë gjithë shtetet e botës, por statuti thotë kjo organizatë mund të formohet edhe me tre shtete anëtare. Pra u ka thënë të gjithëve atyre që u ka çuar letrën, hajdeni, erdhët, s’erdhët mua tre më duhen për ta formuar. Ky është faktor nxitës që të vijnë më tepër se tre. E treta, afati. Ai thotë nuk do ju pres ju për një organizatë efektive, të shpejtë, të zhdërvjellët që të nderni lëveret dhe të miratoni në procedura të stërzgjatura dhe ta çoni pas një viti firmosjen. Kush e ndan mendjen shpejt e shpejt, vjen më datë 22 në Davos dhe firmos.

Një tjetër nga lëvizjet e Trump është ruajtja e ekuilibrit me disa shtete, duke e dërguar ftesën pa qëllimin e drejtpërdrejtë për të marrë mbrapsht një “po”, thotë Hoxha.

Artan Hoxha: Disa shtete në listën e atyre që kanë marrë ftesën janë edhe për kortezi duke e paragjykuar që s’ka për të thënë po. Ka thënë unë ftesën ta çova, mundësinë ta dhashë, ti nuk erdhe, unë eci përpara.


Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

19 January 2026 at 22:43


Valdete Valdete Daka, ish-kryetare e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur të ketë dallim prej 6 mijë votash për një kandidat.

Ajo ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur rinumërime të votave.

“Po, ka pasur rinumërime shumë shpesh, thuajse në çdo palë zgjedhje ka pasur rinumërime. Ka pasur edhe rivotime, edhe në qytete edhe në qendra të votimit, shumë shpesh. Domethënë, s’ka pasur zgjedhje kur nuk ka pasur rinumërim, por nuk ka pasur dallime kaq të mëdha sikur këtë herë; nuk ka pasur dallime 5 mijë, 6 mijë, 2 mijë, sikur sot që u përmendën”, ka thënë Daka në Tv Dukagjini.

Ajo tutje ka shtuar se arsyet pse ka ndodhur ky fenomen tani duhet të elaborohen më tej, në mënyrë që të gjenden shkaqet.
“Shqyrtim më i thellë, sidomos i ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në vitin 2023, me sa më kujtohet. Duhet me u marrë drejtësia me këtë çështje, sikur që është marrë në vitin 2010”, ka deklaruar Daka.

Sipas saj, në vitin 2010, pas asaj që ajo e cilëson si “vjedhje industriale”, përveç rivotimeve në disa qytete, KQZ-ja kishte dërguar rreth 2 mijë kallëzime penale.

- YouTube youtu.be

KOMF: Vetëm qasjet shkencore dhe të bazuara në evidencë mund të mbrojnë fëmijët me autizëm

19 January 2026 at 22:22


Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj raportimeve në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

KOMF ka bërë thirrje të menjëhershme tek organet e rendit dhe drejtësisë për të ndërmarrë veprimet dhe masat e nevojshme, sipas ligjit, për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla që janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe të paligjshme.

Koalicioni ka theksuar se përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është jo vetëm mashtruese, por edhe e rrezikshme, pasi devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, të cilat përfshijnë mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.

“Krijimi i pritshmërive joreale, shtimi i stigmatizimit dhe presionit mbi familjet e fëmijëve, si dhe keqkuptimi i nevojave të tyre, janë pasoja të drejtpërdrejta të promovimit të premtimeve mashtruese,” ka nënvizuar KOMF.

Koalicioni ka theksuar gjithashtu se vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm, duke bërë thirrje për informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në shërbime dhe kapacitete mbështetëse.

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë,” përfundon reagimi i KOMF./Telegrafi/

Begaj kërkon nga Moldavia të rishqyrtojë njohjen e Kosovës

19 January 2026 at 22:01


Presidenti shqiptar, Bajram Begaj i ka kërkuar homologes së saj në Moldavi, Maia Sandu, që shteti që ajo drejton ta rishqyrtojë njohjen e shtetit të Kosovës.

Këtë kërkesë Begaj ia bëri asaj gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në këtë shtet.

“Së bashku, si partnerë dhe si miq, punojmë për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt, si dhe inkurajojmë rishqyrtimin e njohjes së Kosovës”, ka shkruar Begaj pas takimit që pati me homologen e tij në Moldavi.

Kreu i shtetit shqiptar tha se pati bisedime frytdhënëse me presidenten e Moldavisë dhe se besimi i ndërsjellë, dialogu i qëndrueshëm politik dhe bashkëpunimi konstruktiv, në shërbim të interesit të përbashkët dhe të qytetarëve, janë në themel të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në mjedisin sfidues të sigurisë së sotme, zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet faktor kyç për stabilitetin dhe paqen. Ne mbështesim plotësisht rrugën evropiane të Moldavisë”, ka shkruar Begaj./Telegrafi/


Kosova ekstradon për në Maqedoninë e Veriut një të kërkuar me urdhër ndërkombëtar

19 January 2026 at 21:50


Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet dhe institucionet relevante, ka realizuar ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut drejt vendit të tij.

Personi i ekstraduar ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari ishte i arratisur nga burgu, ku po vuante dënimin për veprën penale “Grabitje”.

Procesi i ekstradimit është kryer në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar./Telegrafi/


Kosova dhe Kanadaja forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe industrial

19 January 2026 at 21:33


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në Shtëpinë e Kosovës në Davos ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu.

Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, shkëmbimin tregtar dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kanadasë. U veçua rëndësia e bashkëpunimit në industrinë minerare, ku Kosova ka marrë pjesë vitin e kaluar në Konferencën Botërore për Hulumtim dhe Shfrytëzim të Mineraleve, PDAC 2025, në Toronto, njofton zyra për komunikim e Kryeministrit.

Përveç sektorit minerar, u diskutua edhe potenciali për fuqizim të bashkëpunimit në infrastrukturë, teknologjinë e informacionit dhe fushën e mbrojtjes.

Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe ministrit Sidhu. Kryeministri shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj Kanadasë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, për angazhimin kanadez në kontigjentin e KFOR-it dhe për përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.


❌
❌