Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Armët bërthamore/ “Traktati SHBA-Rusi skadoi që në 2023”, Mema: Duhet të përfshihen vende të tjera, Kina po rrit…

4 February 2026 at 21:22

Në një situatë të re gjeopolitike globale, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema deklaroi se traktati për armët bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë ka skaduar që në vitin 2023. Sipas tij, traktati nuk mund të rinovohej, por kërkonte një marrëveshje të re. Mema theksoi se, për shkak të rritjes së armatimeve bërthamore nga Kina dhe luftës Rusi–Ukrainë, çdo traktat i ardhshëm duhet të përfshijë edhe vende të tjera.

 “Nuk ka qenë Rusia pengesë për rinovimin e kontratës. Traktati nuk mund të rinovohej, por duhej një traktat i ri. Ai ka pushuar së vepruari në vitin 2023 dhe që atëherë ka qenë jashtë loje. Rusia nuk ka qenë pengesë, sepse edhe në vitin 2009 ishin SHBA-të që nuk donin një traktat të ri; pritej ardhja e Obamës, i cili e hapi një diskutim të tillë.

Është një traktat i fuqishëm dhe, kur bëhet fjalë për armatime bërthamore, duhet më shumë kohë për të rënë dakord. Traktati kishte skaduar që në vitin 2023 dhe kërkonte një fillim të ri diskutimi, si dhe përfshirjen e çështjes së Kinës, e cila po rrit armatimet bërthamore.

SHBA-të kanë konsideruar se traktatet nuk mund të jenë vetëm mes dy vendeve, por duhet të përfshijnë edhe Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe vende të tjera. Jemi në një situatë të re gjeostrategjike dhe është shumë herët për vendime, duke marrë parasysh se jemi në mes të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.”

‘Gjyqi’ për pagat/ Ballanca: Reforma nuk do sjelli një drejtësi më të mirë! Ja sa janë pagat e gjyqtarëve

4 February 2026 at 20:55

Avokatja Erinda Ballanca tha për Real Story se ka qenë skeptike ndër vite mbi reformën në drejtësi dhe benefitet prej saj. Teksa komentoi kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, Ballanca tha se rroga më e vogël e një gjyqtari në shkallën e parë është 213 mijë lekë, ndërsa më e larta me shtesa arrin 280 mijë lekë. Ajo theksoi se GJKKO ka paga më të larta për shkak të vështirësive dhe përgjegjësive më të mëdha, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar.

 “Kam 8 vite që them se kjo reformë nuk do na sjellë një drejtësi më të mirë. Mbas 15 viteve do ta kuptojmë nëse kemi bërë vërtet mirë. Gjyqtarët janë duke punuar mirë, janë të mbingarkuar në kushte të papërshtatshme, me një numër shumë të madh dosjesh.

Gjyqtarët marrin më pak lekë se administrata jonë, më pak se punonjësit e administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Rroga më e vogël e një gjyqtari në gjykatën e shkallës së parë është 213 mijë lekë. Rroga më e lartë e një gjyqtari në shkallën e parë është 216 mijë lekë; me shtesën nga padia shkon 280 mijë lekë, me shtesën tjetër 70 mijë lekë. Paga më e lartë është e kryetarit të GJKKO. GJKKO ka rroga më të larta sepse kanë vështirësi më të mëdha, pasi merren me krimin e organizuar.”

/ abcnews.al /

Gjyqi për pagat, “Kërkesa e padrejtë!”/ Avokati: Mjekët me përgjegjësi të shumta paguhen më pak

4 February 2026 at 20:40

Kërkesa e gjyqtarëve për rritje pagash është pasuar nga një valë kundërshtimesh nga kryeministri Rama. Sipas avokatit Arbër Hoxha, mjekët me më shumë vite studimi dhe përgjegjësi më të madhe ligjore paguhen më pak.

Avokati shtoi se kërkesa është e padrejtë, e pamoralshme pasi drejtësia po sjell padrejtësi te qytetarët dhe se u parashtrua në kohën e gabuar.

“Kërkesa është e padrejtë. Nëse do të krahasojmë pagat e magjistratëve me pagat e sektorit bazë, për të cilin mjekët specialist kanë kryer 10 vite, duhet të theksojmë se një magjistrat ka bërë vetëm 7 vite. 10 vitet e përfunduara nga një mjek specialist paguhen mbi 90 mijë lekë. Mjekët rrezikojnë disa përgjegjësi penale nga mjekimi i pakujdesshëm, ndërkohë që magjistratët nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Së treti, në raport me atë që bëjnë mjekët, si dhe profesione të tjera si zjarfikësit që rrezikojnë jetën, është e paligjshme që këta gjyqtarë, që përballen me ligje antikushtetuese, kjo është e pamoralshme.

E treta është se kjo u kërkua në një kohë shumë të keqe, sepse u shpërfaq në Gjykatën Kushtetuese duke zgjedhur një oportunizëm që i jep qeverise dhe Këshillin e Ministrave, te perdorin një retorikë që mund të jetë e padrejtë. Kjo drejtësi i jep qytetarëve padrejtësi, duke bërë që çështjet të qëndrojnë 10-15 vite. Ky është faj i gjyqtarëve, sepse unë njoh gjyqtarë që shkojnë tre ditë në punë. Gjykatat e apelit punojnë vetëm 2 ose 3 ditë në javë. Po këta gjyqtarë që japin padrejtësi kërkojnë rritje page.”

Lufta për pagat, kush ka të drejtë?/ Ballanca: Ka patur gjithmonë ‘një luftë’ mes gjyqtarëve dhe ekzekutivit për pagat

4 February 2026 at 20:30

Avokatja Erinda Ballanca tha për Real Story se paga e magjistratëve në Shqipëri nuk u rrit, edhe pse punonjësit e administratës dhe ekzekutivi morën shtesa, për shkak se u ndryshuan referencat që përllogarisin pagën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas Ballancës, kjo bëri që elementi i pagës së Presidentit të aplikohej në nivel 0.36, shumë më poshtë se pjesa tjetër e funksionarëve. Ajo theksoi se ndryshimi i ligjisë referuese ka penguar rritjen e pagave që ishte parashikuar fillimisht në ligjin e vitit 2017.

“Paga e magjistratëve u vendos me një formulë që kishte element fiks dhe variabël, ku përfshihen vjetërsia, edukimi dhe pozicioni se në cilën gjykatë ndodhen. Më e rëndësishmja ishte paga bazë. 

Pati një debat shumë të madh që rritja e pagave të shtyhej në kohë. U tha se pagat do të rriteshin në vitin 2019. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese dhe u vendos që rritja e pagave të aplikohej në vitin 2019.

Duke qenë se qeveria u bind se po jepte shumë para, ndryshoi VKM-në dhe në vitin 2019 paga e referencës nuk ishte më në të njëjtën vlerë: nga 153 mijë lekë u ul në 112 mijë. Pra, u bënë ndryshime në legjislacionin referues. Vendimi kushtetues u mor pikërisht për këtë arsye. Ata thanë se, meqë bëhej referimi me klasën 1, kur ndodhi ky interpretim, Kuvendi e ndryshoi ligjin për të dhënë më pak lekë.

Në shumë vende thuhet se ekzekutivi dhe legjislativi janë një dhe në këtë moment doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese. GJK tha se duhet të jeni të kujdesshëm dhe se nuk mund të ulni referencën, me përjashtim të rasteve kur cënohet buxheti i shtetit, si në rastin e fatkeqësive.

U bë një rritje e madhe e pagave për të gjithë ekzekutivin, por edhe në institucione të tjera. U rrit paga e çdo punonjësi të administratës, si në vlerë numerike, ashtu edhe në përqindje, në krahasim me pagën e Presidentit, me përjashtim të sistemit gjyqësor. Gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk iu rritën pagat, sepse u ndryshuan referencat dhe u vendos një element i pagës së Presidentit në masën 0.36, që fatkeqësisht është shumë më poshtë se paga e pjesës më të madhe të funksionarëve të këtij shteti.”

/ abcnews.al /

Pagat e gjyqtarëve/ Kthupi: Shoqata e Gjyqtarëve në Shqipëri, e papranueshme! Mbrohen me ligj të posaçëm

4 February 2026 at 20:25

Kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave ka sjellë së fundmi një përplasje mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Juristi Rezart Kthupi e cilësoi të papranueshme ekzistencën e shoqatave të gjyqtarëve në Shqipëri, duke theksuar se ata mbrohen tashmë me ligj të posaçëm, njësoj si prokurorët.

Më tej, Kthupi tha se kryeministri si drejtues i procesit ligjvënës mund të rregullojë vakumet ligjore përmes Parlamentit.

 “Ajo që është e papranueshme, në Shqipëri, është të ketë shoqata gjyqtarësh kur ata mbrohen me ligj të posaçëm; për mua nuk ka asnjë logjikë. Kjo vlen edhe për gjyqtarët, edhe për prokurorët. Kryeministri është drejtues i procesit ligjvënës dhe, nëse konstaton një vakum ligjor që duhet interpretuar, mund ta kalojë në Parlament. Mund të korrigjojë vakumin ligjor.

Për mua, për aq kohë sa ka një vendim paraprak të Gjykatës Kushtetuese është në rishqyrtim për një detaj teknik, çështja duhet të ishte rigjykuar që atëherë. Kjo është një tentativë për të marrë një të drejtë që duhet të ishte arritur që atëherë.”  / abcnews.al /

Shkurtime masive të vendeve të punës në “Washington Post”

4 February 2026 at 19:40

“Washington Post”, një nga gazetat më të famshme dhe historike në botë, e njohur për hetimet e saj të thella dhe zbulimin e skandalit Watergate që tronditi Shtetet e Bashkuara, po përballet me një krizë të thellë financiare që po transformon rrënjësisht strukturën e saj.

Sot, drejtuesit e gazetës njoftuan një valë të gjerë shkurtimesh që do të prekë jo vetëm departamentet e sportit dhe lajmeve lokale, por edhe shumicën e korrespondentëve të huaj, duke përfshirë ata që mbulojnë rajone strategjike si Lindja e Mesme. Sipas raportimeve nga brenda gazetës, ky është një nga ndryshimet më të mëdha të stafit në historinë e saj moderne, dhe shumë gazetarë me përvojë ndërkombëtare do të humbasin vendet e punës pas dekadash angazhimi në terren.

Drejtori ekzekutiv Matt Murray e përshkroi këtë proces si një ristrukturim strategjik të domosdoshëm për të përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të gazetës, ndërsa pronari Jeff Bezos, i cili ka investuar vazhdimisht në modernizimin e medias, ka emëruar botuesin e ri Will Lewis për të gjetur mënyra inovative që gazeta të mbetet fitimprurëse në epokën digjitale.

Një pjesë e strategjisë së re përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale për përmirësimin e përmbajtjes editoriale, podkasteve dhe grumbullimit të lajmeve, por këto ndryshime, megjithëse të domosdoshme për mbijetesën e kompanisë, po sjellin një kosto të lartë për stafin.

Punonjësit që janë prekur nga këto shkurtime kanë shprehur shqetësime për pasojat e menjëhershme dhe afatgjata, duke përfshirë humbjen e ekspertizës dhe rrjetit të korrespondentëve ndërkombëtarë, të cilët për dekada kanë sjellë lajme të rëndësishme nga vendet më me probleme në  botë. Kjo krizë ilustron sfidën e vazhdueshme të gazetarisë tradicionale në një botë ku teknologjia dhe platformat digjitale po ndryshojnë mënyrën sesi njerëzit konsumojnë informacionin, duke e bërë të vështirë ruajtjen e standardeve të larta gazetareske.

“Washington Post”, një institucion i respektuar dhe një simbol i gazetarisë investigative tani ndodhet në një pikë kyçe të historisë së saj moderne, ku mbijetesa dhe adaptimi ndaj kohës së re digjitale duhet të balancohen me ruajtjen e integritetit editorial dhe trashëgimisë së saj të pasur.  / abcnews.al /

Elon Musk kritikon ashpër kryeministrin spanjoll pas planeve për kufizimin e mediave sociale

4 February 2026 at 19:15

Miliarderi i teknologjisë dhe pronari i X, Elon Musk, kritikoi ashpër kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, duke e quajtur atë një “tiran dhe tradhtar të popullit të Spanjës” në përgjigje të planeve të Madridit për të zbatuar masa të reja që synojnë ndalimin e platformave dixhitale dhe mbrojtjen e të miturve.

Musk reagoi ndaj një videoje në të cilën Sanchez njoftoi një paketë të re legjislative që do të përfshijë ligjin që synojnë mbajtjen përgjegjës të drejtuesve të mediave sociale për dështimin e kontrollit të duhur të platformave të tyre.

Ligji i ri pritet gjithashtu të ndalojnë aksesin e personave nën 16-vjeç në mediat sociale, pasi Madridi shprehu shqetësimin e tij për rritjen e platformave dixhitale që pllakosin fjalime urrejtëse dhe nxitëse.

Musk shprehu mosmiratimin e tij për masat e reja, duke e quajtur udhëheqësin spanjoll “Dirty Sanchez” dhe duke shtuar një emoji me jashtëqitje.

Masat e shpallura nga ekzekutivi spanjoll synojnë të luftojnë atë që e konsideron një “shtet të dështuar” të rrjeteve sociale, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen.

Një nga propozimet më të diskutueshme është që drejtuesit dhe pronarët e platformave të mediave sociale të jenë përgjegjës në gjykatë nëse nuk arrijnë të heqin përmbajtjen e urrejtjes ose atë të paligjshme, një veprim që do të ndikonte drejtpërdrejt në njerëz si Musk.

Përplasja vjen mes rritjes së kontrollit rregullator të gjigantëve të teknologjisë në Evropë.

Të martën, autoritetet franceze kryen një kontroll në zyrat e X në Paris, si pjesë e një hetimi mbi manipulimin e algoritmeve dhe ndërhyrjen e mundshme të huaj, në të cilën Musk është thirrur për të dëshmuar.

X iu përgjigj bastisjes franceze duke deklaruar se ishte “i zhgënjyer nga ky zhvillim, por jo i befasuar”.

Rama: Vizita në Vatikan nisi nga ‘Zoja e Shqipërisë’, asnjë kryetar shteti shqiptar nuk e ka vizituar që prej 1467

4 February 2026 at 18:38

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se vizita në Vatikan për takimin me Atin e Shenjtë ka nisur sot nga Genazzano, në bazilikën e famshme ku ndodhet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë muri të shkëputur nga Kisha e Shkodrës në vitin 1467.

Në një postim në Facebook, Rama thekson se që nga ajo kohë, asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte vizituar këtë bazilikë, ku pranë Zojës së Shqipërisë qëndron gjithmonë edhe flamuri kombëtar shqiptar dhe ku kanë kryer vizita e rite pothuajse të gjithë Papët e Romës.

Sipas Ramës, edhe Papa Leoni XIV, sapo u zgjodh, veprimin e tij të parë e pati lutjen në Genazzano, pranë Zojës së Shqipërisë, e njohur gjithashtu si Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë.

I vodhi shtëpinë para dy vitesh/ Detaje, i mituri në Korçë hakmerret ndaj 34 vjeçarit, e plagos me thikë

4 February 2026 at 18:32

Një konflikt i ndodhur në një lokal në qytetin e Korçës ka degraduar në përdorimin e thikës, duke lënë të plagosur një person. Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është një 17-vjeçar, ndërsa i plagosur ka mbetur një 34-vjeçar.

Burime zyrtare bëjnë me dije se 34-vjeçari ka pësuar dëmtime në dorë nga mjeti prerës dhe ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak ditë më parë, pasi jetonte prej vitesh në Greqi.

Mësohet se 17-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas plagosjes, ndërsa ka qenë policia ajo që e ka kapur vetëm disa minuta më vonë.
Nga hetimet dyshohet qe shkaku i përplasjes ka lidhje me vjedhjen baneses se 17 vjecarit nga i plagosuri Bernard Qelemeni, dy vite me parë.

17-vjeçari e ka parë në lokal 34-vjeçarin dhe mes tyre, ka nisur konflikti. Gjatë përplasjes fizike, dyshohet se i plagosuri e ka goditur të miturin dhe ky i fundit e ka plagosur me thikë në krah. Qelemeni është emër i njohur për policinë lokale për shkak të precedentëve në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Amnistia liron 380 vetë/ Zerohen dënimet deri 4 vjet. Të lirë burrat mbi 60 dhe gratë mbi 50 vjeç

4 February 2026 at 17:59

Amnistia penale, pritet që të lirojë menjëherë nga qelia, 380 të burgosur, ndërsa do përfitojnë ulje të dënimit 980 të tjerë. Në draftin e Amnistisë Penale të siguruar nga ABC News, theksohet se kategoria për sa i përket burrave të dënuar që do të lirohen, janë ata që kanë dënim deri në 3 vite, apo që u ka mbetur më pak se 3 vite dënim për të vuajtur.

Një katëgori tjetër që do të përfitojnë janë burrat që janë 60-vjeç ose më shumë. Ndërkohë për sa u përket grave, do të lirohen nga qelia, ata që janë të dënuara me 4 vite , osë që u ka mbetur edhe 4 vite për të vuajtur, si dhe ata që janë 50-vjeç ose më shumë. Amnistia përfshin, edhe të gjithë ata që kanë qënë 18-vjeç kur kryen krimin. Amnisitia ka efekt, përr ata që kanë marrë dënim të formës së prerë brenda datës 31 Janar 2025. Për sa I përket përfitimit nga ulja e dënimit, në draftin e

Ministrisë së Drejtëisë, parashikohet  ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.

Ajo që vihet re,  është zgjerimi i kategorive përfituese në Amnisti Penale. Për veprat penale që parashikohet dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të veprave që kanë kriteret ndaluese, parashikohet përjashtimin nga ndjekja penale si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe. Nga kjo do të përfitojnë rreth 7 mijë, persona, përfshirë, veprat penale të vjedhjes dhe drejtimit të parregullt të automjetit.

Sipas draftit, asnjë prej të gjykuarve në Gjykatën e Posacme, nuk do të mund të përfitojë nga kjo amnisti. Po ashtu parashikohen edhe të paktën 19 kategori të veprave penale të rënda që do të mbeten jashtë amnistisë, krimet kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime seksuale, vepra kundër fëmijëve, veprat penale që prekin zgjedhjet e lira, bandat e armatosura dhe organizata kriminale, si dhe veprat e korrupsionit,si dhe Krime me qëllime terroriste. Drafti I Amnistisë Penale, është dërguar në Kuvend për tu miratuar.  / abcnews.al/

Mijëra njerëz pa energji elektrike në Ukrainë/ I ftohti detyron njerëzit të kalojnë natën nëpër stacione metroje

4 February 2026 at 17:46

Ukraina ka mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ruse, të cilat synojnë sektorin e energjisë së vendit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se më shumë se 200 ekipe riparimi po punojnë për të rikthyer energjinë elektrike në Kiev, pas sulmeve të gjera ruse që kanë shënjestruar sektorin energjetik të vendit.

Më shumë se 1,100 pallate banimi në kryeqytet vazhdojnë të jenë pa energji elektrike, tha Zelensky, duke shtuar se ka folur me zyrtarët për mbështetjen e komuniteteve në pjesë të tjera të vendit që janë prekur nga sulmet.

Rusia së fundmi ka rifilluar sulmet, pas një pauze njëjavore që presidenti amerikan Donald Trump i kishte kërkuar Vladimir Putinit ta respektonte, ndërsa Ukraina po përballej me një valë të ftohti.

Ndërkohë, zyrtarë nga SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia po takohen sërish në Abu Dhabi për të diskutuar detajet e një plani paqeje.

“Deri më sot, situata më e vështirë është në Kiev dhe rrethinat e tij, në Kharkiv dhe rajonin përreth, në rajonin e Sumyt dhe të Poltavës,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale të mërkurën.

Ai shtoi se do të angazhohen edhe më shumë ekipe riparimi për të ndihmuar në rikthimin e energjisë elektrike.

Banorët janë detyruar të kalojnë natën duke u strehuar në stacionet e metrosë së Kievit, ku disa kanë ngritur edhe tenda në platforma për t’u mbrojtur nga i ftohti i acartë.

Autoritetet kanë ngritur qendra nëpër qytet ku qytetarët mund të ngrohen. Po ashtu, po importohen më shumë gjeneratorë për të përballuar periudhat më të gjata të ndërprerjeve të energjisë, ndërsa inxhinierët përpiqen të riparojnë dëmet.

 

Manipulimi i votave në Kosovë/ Begu: Deputetët e zgjedhur nuk kanë legjitimitet të plotë

4 February 2026 at 17:25

Gazetari Behxhet Begu tha se procesi zgjedhor në Kosovë është dëmtuar rëndë, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve dhe të deputetëve të zgjedhur.

Begu theksoi se çdo ndryshim i sistemit zgjedhor kërkon një debat të gjerë dhe konsensus politik e shoqëror, i cili nuk mund të arrihet në këtë fazë.

“Procesi ka dëmtuar rëndë zgjedhjet në Kosovë, duke e bërë procesin të pabesueshëm. Deri tani nuk ka pasur gatishmëri nga partitë për zgjedhje të tjera. Ekziston një zotim për t’i dhënë një epilog ligjor manipulimit të votave.

Diskutimi dhe debati se çfarë do të ndodhë me sistemin zgjedhor në Kosovë është një çështje e vjetër. Ai duhet t’i nënshtrohet një debati afatgjatë, i cili duhet të çojë në konsensus mes partive politike për sistemin zgjedhor, qoftë sipas modelit të Shqipërisë apo me lista të mbyllura.

Ky është një debat i gjerë dhe nuk mund të zhvillohet tani për tani, pasi kërkon konsensus politik dhe shoqëror. Ka shumë zëra që thonë se këto zgjedhje dhe deputetët e zgjedhur nuk kanë legjitimitet të plotë. Ndryshimi i votave është bërë vetëm në formularin përfundimtar.”  / abcnews.al /

“Pa drejtësi, nuk ka rritje pagash”/ Milatoviç kundër kërkesës së gjyqtarëve të Malit të Zi

4 February 2026 at 17:20

“Pa rezultate në drejtësi, nuk ka rritje pagash”.

Ky ishte qëndirmi i presidentit malazez Jakov Milatoviç për kërkesën e rritjes me 30% të pagave të sistemit gjyqësor.

Milatoviç argumentoi se qytetarët e Malit të Zi nuk po shohin rezultate nga prokuroria dhe gjykatat, ndaj rritja është e pajustifikueshme.

“Gjyqësori dhe prokuroria nuk po ofrojnë drejtësi, nuk është e drejtë të rritet paga e të gjithëve. Individët përgjegjës për probleme në dhënien e drejtësisë nuk mund të shpërblehen.”

Kreu i shtetit i Malit të Zi tha se rritja e pagave duhet të ketë si kriter performancën, llogaridhënien dhe rezultatet. Pra rritja e pagave, duhet të vij pas dhënies së drejtësisë

Sistemi i drejtësisë është një kusht kyç për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian. Vendi ka mbyllur deri tani 13 kapituj nga 33 në total, ndërsa Milatoviç ka kthyer për rishqyrtim 25 ligje të miratuara në parlament.

Ky hap mund të ngadalësojë mbylljen e disa negociatave të parashikuara në mars-prill.

Masakër në një fshat në Nigeri, të paktën 162 të vrarë

4 February 2026 at 17:00

Persona të armatosur kanë vrarë të paktën 162 persona në një fshat në shtetin Kwara në Nigerinë perëndimore,ka deklaruar një zyrtar i Kryqit të Kuq, duke e bërë këtë një nga sulmet më vdekjeprurëse të muajve të fundit në vendin e përfshirë nga dhuna.

Bandat e armatosura, të njohura lokalisht si “banditë”, që plaçkisin fshatra dhe rrëmbejnë njerëz për shpërblim, veprojnë në zona të gjera të vendit, ndërsa grupe xhihadiste janë aktive në veri-lindje dhe veri-perëndim. Dhuna ndërkomunale është gjithashtu e përhapur në shtetet qendrore.

“Raportet thonë se numri i viktimave tani qëndron në 162, ndërsa kërkimi për trupa të tjerë vazhdon”, tha Babaomo Ayodeji, sekretari i Kryqit të Kuq në shtetin Kwara, duke përditësuar bilancin e mëparshëm prej 67 viktimash.

Më herët, një ligjvënës lokal në rajonin Kaiama, Sa’idu Baba Ahmed, tha se “35 deri në 40 trupa të pajetë u numëruan” pas masakrës të së martës mbrëma në fshatin Woro. Sulmi u konfirmua nga policia, e cila nuk dha shifra të viktimave, dhe nga qeveria e shtetit, e cila e fajësoi atë mbi “celula terroriste”.

“Shumë të tjerë u larguan në pyll me plagë nga armët”, tha Ahmed, duke shtuar se mund të gjenden edhe trupa të tjerë. Të armatosurit pushtuan Woron rreth orës 18:00, me orën lokale, të së martës dhe dogjën “dyqanet dhe pallatin e mbretit”, tha Ahmed. Ai shtoi se vendndodhja e mbretit tradicional mbetet e panjohur.

Guvernatori i shtetit Kwara, AbdulRahman AbdulRazaq, e dënoi sulmin si “një shprehje frikacake e frustrimit nga celulat terroriste pas fushatave kundër-terrorizmit që po zhvillohen në pjesë të shtetit”.

Ushtria nigeriane ka intensifikuar operacionet kundër xhihadistëve dhe banditëve të armatosur dhe shpesh pretendon se ka vrarë numra të mëdhenj luftëtarësh.

Muajin e kaluar, ushtria tha se kishte nisur “operacione të koordinuara të qëndrueshme kundër elementëve terroristë” në shtetin Kwara dhe kishte arritur suksese të dukshme. Mediat lokale raportuan se ushtria kishte “neutralizuar” 150 banditë, një term që përdoret për të nënkuptuar të vrarë. “Ata i neutralizuan me sukses… terroristët, ndërsa të tjerë arritën të shpëtonin në pyll”, tha ushtria në një deklaratë më 30 janar, duke shtuar se kishte pastruar strehimet e tyre.

“Trupat gjithashtu sulmuan kampet e largëta, deri më tani të paarritshme për forcat e sigurisë, ku disa kampe të braktisura dhe logjistika u shkatërruan, duke degraduar ndjeshëm aftësinë e terroristëve për t’u furnizuar”, thuhej në deklaratë.

Si përgjigje ndaj problemeve të shumta të sigurisë, autoritetet në shtetin Kwara kishin vendosur shtetrrethime në disa zona dhe kishin mbyllur shkollat për disa javë, përpara se të urdhëronin rihapjen e tyre të hënën.

Vendi më i populluar i Afrikës ka qenë nën vëzhgim intensiv muajt e fundit pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pretendoi për një “gjenocid” të të krishterëve në Nigeri.

Ky pretendim është hedhur poshtë nga qeveria nigeriane dhe shumë ekspertë të pavarur, të cilët thonë se krizat e sigurisë në vend marrin jetë si të të krishterëve, ashtu edhe të myslimanëve, shpesh pa dallim.  / abcnews.al /

Botërori 2026, FIFA shet edhe vendet e parkimit/ 300 dollarë për një makinë në një ndeshje

4 February 2026 at 16:38

Organizimi i Kupës së Botës 2026 po shoqërohet gjithnjë e më shumë me polemika, teksa FIFA po përballet me pakënaqësi në rritje nga tifozët që synojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e turneut.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me çmimet e larta të biletave, ndërsa FIFA ka pranuar se nuk ka mundësi të ndalojë rishitjen e tyre, pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo praktikë është e ligjshme.

Së fundmi, ka dalë në pah edhe një tjetër problem, këtë herë i lidhur me infrastrukturën dhe aksesin në stadiume. Ndryshe nga Evropa, transporti publik në SHBA nuk është gjithmonë i zhvilluar në mënyrë që të lehtësojë lëvizjen e tifozëve, duke i detyruar shumë prej tyre të përdorin automjetet personale për të shkuar në impiantet sportive.

Sipas gazetarit Henry Bushnell të ‘The Athletic’, FIFA ka vendosur të shesë edhe vendet e parkimit pranë stadiumeve. Për shembull, një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles po ofrohet me çmim që varion nga 250 deri në 300 dollarë amerikanë për ndeshje.

Përveç kostos së lartë, tifozët janë ankuar edhe për distancën që duhet të përshkojnë nga parkingjet deri në stadium, e cila në disa raste arrin deri në rreth 1.500 metra.

Një tjetër vendim që rrezikon të rëndojë më tej marrëdhënien mes FIFA-s dhe tifozëve, vetëm pak muaj para fillimit të Botërorit më të madh në histori.  / abcnews.al /

Agjentët e ‘ICE’ fillojnë tërhiqen/ Administrata e Trump largon 700 oficerë nga Minnesota

4 February 2026 at 16:11

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS) do të reduktojë menjëherë praninë e tij në Minneapolis me 700 agjentë federalë, në përpjekje për të ulur tensionet pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga agjentë federalë, njoftoi Tom Homan, i emëruari i presidentit Donald Trump për çështjet e kufirit.

Homan, i dërguar nga Trump në Minneapolis si pjesë e një përpjekjeje për de-përshkallëzim, theksoi se autoritetet federale po kalojnë drejt një qasjeje më të synuar të zbatimit të ligjit, pas një rritjeje të madhe të agjentëve të emigracionit që shkaktoi protesta të gjera në qytet.

Sipas Homan, bashkëpunimi me autoritetet lokale për ndalimin e emigrantëve me precedentë penalë është përmirësuar ndjeshëm. Pas tërheqjes, rreth 2,000 agjentë federalë të emigracionit do të mbeten në Minesota — një numër më i ulët krahasuar me kulmin e fundit, por ende shumë më i lartë se rreth 150 oficerët që zakonisht janë të caktuar në këtë shtet.

Vendimi vjen pas javësh reagimesh të forta publike ndaj taktikave të përdorura nga autoritetet federale në Minesota, pasi agjentë të Patrullës Kufitare dhe të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje dy qytetarë amerikanë gjatë operacioneve të ndara.

Alex Pretti, infermier i kujdesit intensiv, u vra gjatë një operacioni të Patrullës Kufitare në janar, vetëm disa javë pasi një agjent i ICE qëlloi për vdekje Renee Good, nënë e tre fëmijëve, gjatë një përballjeje tjetër.

“Berisha nuk prodhon më politikë”, Mahmutaj: Idetë i ka pasur të kopjuara përherë

3 February 2026 at 23:36

Gazetari Fatos Mahmutaj tha se balancat e një qeverisjeje i bën opozita, ndërsa Berisha, sipas tij, po prodhon vetëm kaos për të qëndruar në qendër të vëmendjes.

Mahmutaj tha se Berisha nuk prodhon më politikë dhe se sulmet e tij të vazhdueshme janë forma të vjetra manipulimi pa përmbajtje reale.

Sipas gazetarit, pas dy mandateve qeverisëse dhe 30 vitesh në politikë, Berisha ka humbur mbështetje nga një palë zgjedhje në tjetrën, duke dëshmuar dështimin e opozitës për të kryer siç duhet rolin e saj.

” Balancat e një qeverisjeje i bën opozita. Berisha krijon kaos për t’u mbushur mendjen mbështetësve se “ne jemi në qendër të vëmendjes”. Ai nuk po prodhon më politikë. Berisha manipulon dhe sulmon në forma shumë të trasha; mjafton që të flasë e të sulmojë dhe është në rregull.

Një njeri që sulmon kot dhe u mbush mendjen ndjekësve se “ne jemi akoma në biznesin politik”, sepse arrijmë të prodhojmë rrëmujë, sepse kaq e ka kapacitetin e tij. Në 30 vjet ka bërë rrëmujë, sulme të pabaza, sulme për të qenë në qendër të vëmendjes.

Berisha ka pasur rastin të qeverisë dy herë nga dy mandate, dy momente ku të afirmohej si politikan dhe ideolog politik, drejtues i së djathtës. Ai thjesht ka humbur pikë. Nga një palë zgjedhje në tjetrën ka pasur firo; opozita nuk e bën si duhet detyrën e vet.” / abcnews.al /

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Protestat e fuqishme në Iran/ Më shumë se 50,000 njerëz të arrestuar nga autoritetet

3 February 2026 at 21:18

Më shumë se 50,000 persona janë arrestuar në Iran nga autoritetet, tha sot një organizatë joqeveritare, duke thënë se shtypja vazhdon në vend.

Republika Islamike shtypi me gjak një lëvizje të madhe proteste që shpërtheu në fund të dhjetorit dhe arriti kulmin më 8 dhe 9 janar në fillim të janarit.

Autoritetet iraniane pranojnë se mijëra njerëz kanë vdekur, por thonë se shumica dërrmuese ishin anëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “terroristët” që vepronin në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), e cila më parë kishte raportuar më shumë se 42,000 arrestime, e rishikoi shifrën e saj lart sot, duke regjistruar tani të paktën 50,235 arrestime në lidhje me protestat.

Këto arrestime kishin në shënjestër “një gamë të gjerë qytetarësh, kryesisht studentë, shkrimtarë dhe mësues”, sipas organizatës me seli në SHBA, e cila shton se në disa raste, arrestimet u shoqëruan me “kontrolle shtëpish dhe sekuestrim të sendeve personale”. HRANA gjithashtu raporton më shumë se 300 “rrëfime të detyruara” të transmetuara në televizion.

Javën e kaluar, Amnesty International shprehu gjithashtu shqetësim për arrestimin e mijëra njerëzve, përfshirë fëmijë.

Këta njerëz, sipas OJQ-së, janë “në rrezik të madh zhdukjeje me forcë, torturës dhe keqtrajtimeve të tjera, vdekjes në paraburgim dhe ekzekutimeve arbitrare pas gjyqeve që janë qartësisht të padrejta”.

Kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Mohseni-Etzei , paralajmëroi të dielën se nuk do të kishte “asnjë butësi” për ata të përfshirë në protesta. Dhe prokuroria tha se disa mund të përballen me dënime deri në dënim me vdekje.

Regjisori iranian Mehdi Mahmoudian, bashkëshkrimtar i filmit fitues të Palmës së Artë në Kanë në vitin 2025, “Një Aksident i Thjeshtë”, u arrestua të dielën me dyshimin se kishte ndihmuar në shkrimin e një deklarate kritike ndaj qeverisë.

Ai u arrestua së bashku me udhëheqësin studentor Abdullah Momeni dhe gazetarin dhe aktivistin e të drejtave të grave Vida Rabbani, sipas agjencisë së lajmeve Fars të Iranit.

Teksti, i nënshkruar nga më shumë se një duzinë disidentësh të tjerë, e krahason shtypjen me një “krim shtetëror kundër njerëzimit”, shpjegon fondacioni i laureatit të Çmimit Nobel për Paqen Nargis Mohammadi., e cila ka qenë në burg që nga dhjetori. Ajo u arrestua gjatë një demonstrate që u zhvillua përpara valës së fundit të protestave.  / abcnews.al /

‘Epstein’/ Mbretëri e Bashkuar, Policia nis hetim penal ndaj Mandelson

3 February 2026 at 20:54

Policia Metropolitan ka nisur një hetim penal ndaj Lord Mandelson, ish ambasadorit britanik në SHBA pas pretendimeve se ai ka ka informacione të ndjeshëm për cështjen Epstein.

Dokumentet nga dosjet e Epstein të publikuara kohët e fundit duket se tregojnë se Mandelson, atëherë sekretar biznesi, ka dërguar informacione konfidenciale mbi diskutimet e brendshme të qeverisë te Epstein pas krizës financiare. Këto zbulime shkaktuan një reagim të ashpër politik, përfshirë Gordon Brown, ndërsa deputetët e raportuan Mandelson te Scotland Yard për shkelje të detyrës publike.

Hetuesit pritet të intervistojnë Mandelson, të kërkojnë qasje në pajisjet e tij dhe të marrin deklarata nga figura të larta të Partisë Laburiste, përfshirë Brown, si dhe nga zyrtarë të lartë civilë që ishin aktivë në kohën kur u dërguan email-et.

Të dielën, Mandelson tha se ndjente keqardhjen për “njohjen e tij me Epstein” dhe për vazhdimin e lidhjes me të pas dënimit të Epstein.

❌
❌