Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Flet eksperti

By: e xh
12 January 2026 at 22:52

Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.

Biseda në studio:

Blendi FevziuPati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.

Arduen KaragjoziSepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.

Blendi FevziuËshtë punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…

Arduen KaragjoziKlodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.

Blendi FevziuPor kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…

Arduen KaragjoziPo, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.

Blendi FevziuKrijon dëmtim?

Arduen KaragjoziNuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.

Pse përmbytemi?! Eksperti mjedisor zbërthen shifrat alarmante për pyjet që…

By: e xh
12 January 2026 at 22:51

U deshën vetëm disa ditë me mot të keq që i gjithë vendi ynë, të kalonte në një situatë alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Sasitë e lartë të reshjeve, bënë që lumenjtë të “tërboheshin” dhe të vërshonin drejt zonave të banuara, duke përmbytur qindra banesa, mijëra hektarë tokë bujqësore dhe duke lënë me sytë nga qielli mijëra shqiptarë, të cilëve nuk u ngeli gjë tjetër vetëm se të luteshin që reshjet të pushonin.

Disa qarqe ishin më problematike për shkak të prurjeve të lumenjve, si Vjosa, Semani, Shkumbini etj…, kurse në disa qarqe të tjera më problematikë ishte rrëshqitja e dherave siç ndodhi jo pak herë në aksin Qukës-Qafë Plloçë, Mirditë, Gjirokastër, Tuneli i Murrizit, Velipojë, Shëngjin, etj.

Duke diskutuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan lidhur me këtë situatë të vështirë që kaloi Shqipëria dhe duke renditur faktorët kryesorë që përshkallëzuan situatën e përmbytjeve, eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo tha se një ndër arsyet madhore është shpyllëzimi.

“Rrëshqitjet ndodhin edhe për një arsye tjetër madhore, siç është dëmtimi i jashtëzakonshëm që u kemi bërë pyjeve dhe shkurreve”, tha ai.

Nëpërmjet shifrave ai tregoi abuzimin kolosal që kemi bërë më shfrytëzimin e pyjeve. Eksperti tha se vendi ynë është i veshur me 40% pyje, nga të cilat ne shfrytëzojmë 30%, gati më shumë se treçerekun e të gjithës.

“Sistemi rrënjor i një peme mban tokën aty pranë dhe shërben sasia e ujit që bie të mbahet dhe të kalojë më ngadalë në mënyrë që të mos krijojë rrëshqitjet masive. Po të ndalemi te rrugët ku ka pasur rrëshqitje dherash do të shikojmë që në të gjithë pjesët e tyre lart janë zona të zhveshura.  30% e shpërfaqjes pyjore të vendit tonë është dëmtuar në këto kohë. Shqipëria është veshur me 40% pyje, nga të cilat 30% ne i kemi shfrytëzuar.

Ne çdo vit konsumojmë dyfishin e sasisë që pyllin rigjeneron dhe presim që pylli të na japë të mirën që të mbajë shiun nesër. Një nga arsyet kryesor është që ne kemi zhveshur skarpatet, kemi zhveshur të gjitha këto zona, pastaj pasoja është e tillë. Mbjellja e pemëve do të ndikonte për të stabilizuar terrenin. Nëse ne duhet të bëjmë një infrastrukturë të tillë masa të tjera duhen marrë në mënyrë që të shmangen rrëshqitjet”, shtoi eksperti.

SHBA-Iran 70 vite armiqësi, pse nuk u arrit kurrë paqja?

By: e xh
12 January 2026 at 22:36

Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është një nga historitë më të gjata, më të ndërlikuara dhe më shpërthyese të politikës ndërkombëtare moderne. Ajo nuk ka qenë kurrë lineare, as e qetë, por e ndërtuar mbi trauma historike, mosbesim të thellë dhe përplasje interesash që, dekadë pas dekade, e kanë afruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt konfliktit të hapur. Për ta kuptuar përse sot SHBA dhe Irani flasin gjuhën e kërcënimeve, duhet të kthehemi më shumë se shtatë dekada pas, në një moment që për iranianët mbetet fillimi i gjithçkaje.

Në vitin 1953, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me shërbimet britanike, ndihmoi në rrëzimin e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mossadegh. Faji i tij ishte nacionalizimi i industrisë së naftës, një hap që prekte drejtpërdrejt interesat perëndimore. Grushti i shtetit riktheu në pushtet Shahun Mohammad Reza Pahlavi dhe mbolli një mosbesim të thellë ndaj Amerikës, i cili për shumë iranianë mbetet i gjallë edhe sot. Për Uashingtonin, Irani u shndërrua në një aleat strategjik në Lindjen e Mesme; për iranianët, Amerika u pa si fuqia që rrëzoi vullnetin e tyre politik.

Për dekada, Shahu sundoi me mbështetjen e SHBA-së, duke ndërtuar një regjim autoritar, të modernizuar nga jashtë, por gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti i brendshëm i vendit. Irani u pajis me armë amerikane, me teknologji ushtarake dhe madje me kapacitete bërthamore civile. Në vitet ’60, SHBA i dha Iranit një reaktor bërthamor dhe uranium të pasuruar, në një kohë kur askush nuk e imagjinonte se pikërisht bërthamori do të kthehej në thelbin e konfliktit. Por ndërkohë, pakënaqësia brenda vendit po rritej, dhe në fund të viteve ’70 ajo shpërtheu.

Protestat masive kundër Shahut, përplasjet e dhunshme në rrugë dhe represioni shtetëror e bënë të pashmangshëm rrëzimin e regjimit. Në janar 1979, Shahu u largua nga Irani nën masa të rrepta sigurie. Vetëm pak javë më vonë, Ajatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe u prit nga turma gjigante, duke marrë drejtimin e Revolucionit Islamik. Me përmbysjen e Shahut, u rrëzua edhe rendi pro-amerikan në Teheran. Irani u shpall Republikë Islamike dhe Amerika u identifikua si armiku kryesor, simbol i ndërhyrjes, padrejtësisë dhe dominimit perëndimor.

Armiqësia u bë e pakthyeshme në nëntor të vitit 1979, kur studentë iranianë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng dhjetëra diplomatë. Pesëdhjetë e dy prej tyre u mbajtën për 444 ditë, një krizë që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe i dha fund çdo iluzioni për një marrëdhënie normale. Presidenti amerikan Jimmy Carter e përshkroi pengmarrjen si një moment që bashkoi popullin amerikan kundër Iranit. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike, ngriu asetet iraniane dhe vendosi sanksione që do të shënonin fillimin e një epoke të re përplasjesh.

“Asnjë veprim nuk e ka bashkuar kaq fuqishëm publikun amerikan drejt unitetit në dekadën e fundit sa mbajtja peng e njerëzve tanë në Teheran. Sot qëndrojmë si një popull i vetëm”, thoshte Jimmy Carter
President i SHBA.

Vitet që pasuan ishin të mbushura me tensione, luftëra të tërthorta dhe ngjarje që thelluan hendekun. Në vitin 1988, një anije luftarake amerikane rrëzoi gabimisht një avion pasagjerësh iranian mbi Gjirin Persik, duke vrarë të 290 personat në bord. Për Iranin, kjo ishte provë se jeta e civilëve të tij kishte pak vlerë për Uashingtonin. Për SHBA-në, incidenti u shpall një tragjedi e paqëllimshme. Por plagët politike dhe emocionale mbetën të hapura.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Irani u rikthye fuqishëm në fokusin e politikës amerikane. Në vitin 2002, presidenti George W. Bush e përfshiu Iranin në atë që ai e quajti “Boshti i së Keqes”, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe për përpjekje për të siguruar armë të shkatërrimit në masë. Pikërisht në këtë periudhë, programi bërthamor iranian u shndërrua në çështjen qendrore të përplasjes. Zbulimi i objekteve në Natanz, Isfahan dhe më pas Fordow ngriti alarmin në Perëndim dhe çoi në një regjim të ashpër sanksionesh që goditi rëndë ekonominë iraniane

“Shtetet si këto dhe aleatët e tyre terroristë përbëjnë një bosht të së keqes, duke u armatosur për të kërcënuar paqen e botës duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë. Këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe në rritje. Ata mund t’i ofrojnë këto armë terroristëve, duke u dhënë atyre mjetet për të përballuar urrejtjen e tyre. Ata mund të sulmojnë aleatët tanë ose të përpiqen të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara.”, shprehej George W Bush.

Pas vitesh izolimi dhe presioni, në vitin 2015 u arrit ajo që u konsiderua një fitore e diplomacisë: marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Teherani pranoi të kufizonte programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Federicha Mogherini: Sot është një ditë historike. Është një nder i madh për ne të njoftojmë se kemi arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane. Me guxim, vullnet politik, respekt të ndërsjellë dhe udhëheqje, ne realizuam atë që bota po shpresonte. Një angazhim të përbashkët për paqen dhe për të bashkuar duart në mënyrë që ta bëjmë botën tonë më të sigurt.

U duk për një moment se një kapitull i ri po hapej. Por shpresa zgjati pak. Në vitin 2018, presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë të dështuar dhe duke rikthyer sanksione shkatërruese për Iranin. Tensionet u përshkallëzuan më tej në vitin 2020, kur SHBA vrau gjeneralin Qassem Soleimani, figurën më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe arkitektin e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme. Teherani u zotua për hakmarrje, ndërsa rajoni u gjend në prag të luftës së drejtpërdrejtë. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, politika e “presionit maksimal” ndaj Iranit u rivendos, me një mesazh të qartë: Irani nuk mund dhe nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Donald Trump: “Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Me mua është shumë e thjeshtë; Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Ne nuk duam të jemi të ashpër me Iranin. Ne nuk duam të jemi të ashpër me askënd, por ata thjesht nuk mund të kenë një armë bërthamore.”

Në vitin 2025, pas muajsh negociatash të pasuksesshme dhe paralajmërimesh gjithnjë e më të ashpra, kriza arriti kulmin. Izraeli goditi objektiva iraniane, ndërsa SHBA u përfshi drejtpërdrejt në konflikt. Më 21 qershor, forcat amerikane bombarduan tre objekte bërthamore iraniane, përfshirë Fordow-in, që Uashingtoni e quajti zemra e programit bërthamor të Iranit. Presidenti Trump e shpalli operacionin një sukses historik dhe i bëri thirrje Iranit t’i jepte fund konfliktit. Sot, në fillim të vitit 2026, marrëdhënia SHBA–Iran mbetet e ngrirë mes kërcënimit dhe diplomacisë. Uashingtoni paralajmëron për përgjigje të forta ndaj çdo destabilizimi, ndërsa Teherani këmbëngul se nuk do të dorëzohet ndaj presionit dhe se pasurimi i uraniumit është e drejtë sovrane. Pas më shumë se shtatë dekadash përplasje, një gjë mbetet e qartë: kjo nuk është thjesht një krizë politike, por një konflikt i thellë historik, ku çdo kapitull i ri mbart peshën e të shkuarës dhe rrezikun e së ardhmes.

Yesterday — 12 January 2026Main stream

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë: Mund të kryej sulme ajrore në Iran

By: e xh
12 January 2026 at 21:41

Karoline Leavitt, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ka konfirmuar se Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e përdorimit të sulmeve ajrore për të adresuar situatën e tensionuar në Iran.

Një gjë që Presidenti Trump është shumë i mirë është që gjithmonë i mban të gjitha opsionet e tij në tryezë. Dhe sulmet ajrore janë një nga opsionet shumë, shumë të mundshme që janë në tryezë”, tha ajo.

Ajo theksoi se diplomacia mbetet opsioni i parë për administratën e Trump, por gjithashtu shtoi se Presidenti “nuk ka frikë të përdorë forcën dhe fuqinë vdekjeprurëse të ushtrisë amerikane, nëse dhe kur e sheh të nevojshme.”

Leavitt gjithashtu theksoi se “askush nuk e di këtë më mirë se Irani,” duke iu referuar sulmeve të verës së kaluar ndaj disa instalacioneve bërthamore iraniane, të cilat, sipas Trump, shkaktuan “dëme monumentale.”

Pas një mesazhi fitoreje të lëshuar nga Udhëheqësi Suprem i Iranit më herët gjatë ditës, Leavitt u shpreh se “ajo që po dëgjoni publikisht nga regjimi iranian është mjaft e ndryshme nga mesazhet që administrata po merr privatisht.”

Ajo shtoi se një zyrtar iranian kishte kontaktuar të dërguarin Steve Witkoff, duke theksuar se ky kontakt shprehte “një ton shumë të ndryshëm nga ai që po shihni publikisht.”

Gjermani/Stuhia e akullit mbyll shkollat, anulon fluturimet dhe paralizon hekurudhat

By: e xh
12 January 2026 at 21:21

Shiu i ngrirë ka krijuar kushte të rrezikshme akulli sot në të gjithë Gjermaninë perëndimore, duke detyruar anulimin e mbi 100 fluturimeve në aeroportin e Frankfurtit dhe mbylljen e shkollave në disa shtete, ndërsa autoritetet paralajmëruan për kushte udhëtimi kërcënuese për jetën.

Shërbimi Meteorologjik Gjerman lëshoi ​​nivelin e dytë më të lartë të paralajmërimit për pjesë të mëdha të vendit ndërsa stuhia “Gunda” solli shi që ngriu në kontakt me sipërfaqet e ftohta të tokës, duke krijuar atë që meteorologët e përshkruan si emergjencë të përhapur akulli.

Shërbimi Meteorologjik rekomandoi që shoferët të shmangin udhëtimin nëse është e mundur, por nëse është e nevojshme, të furnizohen plotësisht me karburant dhe të mbajnë batanije dhe pije të ngrohta në rast emergjence.

Shkollat ​​mbetën të mbyllura sot në North Rhine-Westphalia, Saksonia e Poshtme dhe Bremen. Nxënësit kaluan në mësim në distancë në vend që të merrnin një ditë pushim.

“Kjo nuk është festë shkollore”, tha ministrja e Arsimit e North Rhine-Westphalia, Dorothee Feller, për transmetuesin publik WDR. Ajo shpjegoi se klasat thjesht kanë kaluar në mësim në distancë në mënyrë që askush të mos lëndohet në atë që mund të ishte një rrugë e rrezikshme për në shkollë.

Disa autostrada në North Rhine-Westphalia, Rhineland-Palatinate dhe Hessen përjetuan ngadalësime të mëdha sot në mëngjes ndërsa udhëtarët hasën në rrugë të akullta. Aksidente të shumta u raportuan në rajonin Sauerland.

Shërbimet hekurudhore u përballën me ndërprerje të mëdha në të gjithë vendin.

Operatori kombëtar hekurudhor i Gjermanisë, Deutsche Bahn uli shpejtësinë në disa rrugë, përfshirë lidhjet midis Hannoverit dhe Frankfurtit, Wolfsburgut dhe Berlinit si dhe Këlnit dhe Frankfurtit.

Aeroporti i Frankfurtit, një nga qendrat më të ngarkuara të Evropës, anuloi 102 nga 1.052 fluturime të planifikuara për sot. Një zëdhënës i Fraport-it sugjeroi se numri i anulimeve mund të rritet ndërsa kushtet e motit kanë vazhduar të përkeqësohen gjatë gjithë ditës.

Pasagjerëve u është kërkuar të verifikojnë statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport dhe të lejojnë kohë shtesë udhëtimi për shkak të kushteve të motit. Aeroporti rekomandoi mbërritjen të paktën tre orë para nisjeve të planifikuara.

Zbardhet vendimi i “Kushtetueses” për rikthimin në detyrë të Veliajt

By: e xh
12 January 2026 at 20:41

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.

Së pari, Gjykata thekson se është ajo që ka kompetencën për të kontrolluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm prej saj, si autoriteti i cili thotë fjalën e fundit.

Për rrjedhojë, parashikimet e bëra në Ligjin për Qeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen dhe të zbatohen si mekanizma që lejojnë shmangien ose rrudhjen e mbrojtjes kushtetuese të organit të qeverisjes vendore, pasi ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës.

Kjo do të thotë se nuk mund të ekzistojnë dy lloje të shkarkimit të organit të zgjedhur vendor, ai “ligjor” dhe “kushtetues”. Rrjedhimisht, kompetenca e Gjykatës për të shqyrtuar ankimin ndaj shkarkimit nga detyra të kryetarit të bashkisë ushtrohet në çdo rast, pavarësisht shkakut që është referuar në vendimin e shkarkimit.

Në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Si subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.

24-vjeçari humb kontrollin e makinës dhe përplaset me 4 automjete të tjera

By: e xh
12 January 2026 at 20:21

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës.

Rreth orës 19:30, në rrugën “Josif Budo”, shtetasi F. K., 24 vjeç, banues në Kavajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që po drejtonte dhe për pasojë ka goditur 4 automjete të parkuara anës rrugës.

Si pasojë e përplasjes, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime të lehta dhe është transportuar në spital për kontroll mjekësor, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

OKB: Më shumë se 2,500 civilë të vrarë në Ukrainë në vitin 2025 nga sulmet ruse

By: e xh
12 January 2026 at 20:10

Viti i kaluar ka qenë më i përgjakshmi për civilët në Ukrainë që nga viti 2022, i shënuar nga sulme të intensifikuara përgjatë vijës së frontit dhe përdorim të gjerë të armëve me rreze të gjatë veprimi.

Në vitin 2025, rreth 2,514 civilë u vranë dhe 12,142 u plagosën, një rritje prej 31% e viktimave krahasuar me vitin 2024, tha misioni Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë.

Përpjekjet e shtuara nga forcat e armatosura ruse për të pushtuar territorin në vitin 2025 rezultuan në vdekje dhe lëndime civile, shkatërrimin e infrastrukturës jetësore, ndërprerjen e shërbimeve bazë dhe valë të reja zhvendosjeje në zonat e vijës së frontit.

Ndërsa qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët besohet se janë vrarë ose plagosur në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Rama vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Mikpritje vëllazërore…

By: e xh
12 January 2026 at 19:54

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe pamje nga takimi.

Rama ka treguar se ka shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Teksa shprehet është është mikpritur vëllazërisht në Abu Dhabi, Rama shton se ka shkuar atje për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka shkruar Rama në postimin e tij.

Shefi i NATO: Aleatët po bisedojnë hapat për të mbajtur Arktikun të sigurt

By: e xh
12 January 2026 at 18:38

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se vendet aleate po diskutojnë “hapat e ardhshëm” për të siguruar sigurinë në Arktik, duke përmendur rrezikun që Rusia dhe Kina të jenë “më aktive” në rajonin strategjikisht të rëndësishëm.

“Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë dhe sigurinë e Arktikut, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare, ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të jenë më aktivë. Dhe siç e dini, ka tetë vende arktike”, u tha Rutte gazetarëve në Zagreb gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Ai tha se shtatë nga tetë vendet arktike janë anëtare të NATO-s: SHBA-ja, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia ndërsa Rusia mbetet i vetmi vend arktik jashtë aleancës. Kina shtoi ai, është bërë një lojtare gjithnjë e më aktive në rajon pavarësisht mungesës së pranisë gjeografike.

“Deri tani, Kina është bërë pothuajse një lloj vendi arktik dhe jo gjeografikisht, por të paktën për shkak të sasisë së madhe të aktiviteteve dhe interesit të saj në rajon”, tha Rutte.

Ai vuri në dukje se NATO përfundoi diskutimet e brendshme vitin e kaluar mbi mënyrën e forcimit të bashkëpunimit midis anëtarëve të saj në Arktik dhe tani po punon për masa “praktike pasuese”.

“Aktualisht, po diskutojmë hapin tjetër drejt kësaj, si të sigurohemi që të japim ndjekje praktike të këtyre diskutimeve për t’u siguruar që si aleancë të bëjmë gjithçka, kolektivisht dhe përmes aleatëve tanë individualë, për t’u siguruar që Arktiku të mbetet i sigurt, pasi të gjithë pajtohemi se kjo duhet të jetë një përparësi”, tha ai.

Rutte tha se NATO është angazhuar më shumë në sigurinë e Arktikut që nga viti 2025 me kërkesë të shtatë aleatëve të saj të Veriut të Lartë, duke e quajtur rajonin “një pjesë jetësore të territorit të NATO-s”.

Komentet e tij erdhën mes raporteve se një grup vendesh evropiane, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, po planifikojnë të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Groenlandë.

“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët”, tha Rutte. “Sot po punojmë tani së bashku për të parë se si mundemi në thelb së bashku si aleancë të ndërtojmë atë hap tjetër”, tha ai.

“Trumpi po bën gjënë e duhur për NATO-n”

Lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, Rutte hodhi poshtë shqetësimet për një krizë të brendshme brenda NATO-s, duke lavdëruar shtytjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për shpenzime më të larta për mbrojtjen midis aleatëve.

“Unë besoj se Donald Trump po bën gjërat e duhura për NATO-n duke na inkurajuar të gjithëve të shpenzojmë më shumë për të barazuar atë që po shpenzon SHBA-ja”, tha ai. “Kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, shtoi ai.

Kryeministri kroat Plenkoviç tha se dialogu mbetet çelësi për zgjidhjen e tensioneve rreth statusit të Groenlandës.

“Jam i bindur se me diskutim, mund të gjejmë zgjidhje që do të ofrojë sigurinë për SHBA-në dhe do të sigurojë që Groenlanda të jetë pjesë e Danimarkës. Kjo është arsyeja pse dialogu me cilësi të lartë është i nevojshëm dhe padyshim që mund ta zgjidhë situatën në dobi të sigurisë globale”, tha Plenkoviç.

 

Irani thërret ambasadorët europianë për të parë filmimet “e dhunshme”

By: e xh
12 January 2026 at 17:35

Ambasadorët britanikë, gjermanë, italianë dhe francezë u thirrën sot në Ministrinë e Jashtme të Iranit për të parë filmimet e atyre që autoritetet iraniane i përshkruan si “dhunë nga protestuesit”, shkruan BBC.

Vendet e përfshira janë ndër ato që kanë shprehur haptazi mbështetjen për demonstratat në Iran. Sipas televizionit shtetëror të Iranit, Ministria e Jashtme paraqiti imazhe nga protestat në rrugë dhe tha se kishte tejkaluar protestën paqësore.

Zyrtarët iranianë akuzuan SHBA-të dhe Izraelin për nxitje të destabilitetit në vend dhe i quajtën protestuesit “vandal.”

Televizioni shtetëror thotë se Ministria u tha ambasadorëve që çfarëdo mbështetjeje politike ose mediatike për protestuesit është e papranueshme dhe përfshihet në ndërhyrjen e punëve të brendshme të Iranit.

Më herët, Irani kishte thirrur ambasadorin e Britanisë për “komentet ndërhyrëse” nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për një incident ku një protestues hoqi nga ambasada flamurin iranian nga një godinë në Londër dhe e zëvendësoi me një flamur para vitit 1979 që përdorej para Revolucionit Islamik.

Suedia investon 440 milionë dollarë në sisteme ushtarake pa pilot

By: e xh
12 January 2026 at 16:35

Në dy vitet e ardhshme, Suedia do të ndajë rreth katër miliardë korona (rreth 440 milionë dollarë) për prokurimin e sistemeve ushtarake pa pilot, tha sot Ministri suedez i Mbrojtjes Pal Jonsson, ndërsa qeveria suedeze planifikon të marrë hua rreth 28 miliardë euro në periudhën e ardhshme për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake, duke përfshirë nëndetëse dhe anije.

Siç deklaroi ai, anëtari i NATO-s planifikon të blejë sisteme të ndryshme pa pilot, duke përfshirë dronë për sulme me rreze të gjatë veprimi, sisteme lufte elektronike, dronë zbulues, si dhe mjete pa pilot për mbikëqyrje dhe çminim në det.

“Askush nuk e di se si do të duket lufta e ardhshme, por një gjë është e qartë, fusha e betejës e së ardhmes do të shënohet nga sisteme pa pilot dhe aftësi me rreze të gjatë veprimi”, tha Jonsson në konferencën vjetore të mbrojtjes në Salen, në veri të Suedisë.

Projekti Durana, Berisha: Është përvetësuar nga mafia

By: e xh
12 January 2026 at 15:56

Projekti Durana në Xhafzotaj të Durrësit, është përvetësuar nga mafia. Akuza është e Sali Berishës, i cili bëri përgjegjës Edi Ramën për dështimin e projektit që parashikontenjë zonë të lirë ekonomike dhe një park teknologjik.

“Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike. E vërteta është se kjo iu premtua, se Ramaduro filloi të flasë për Silicon Valley në Durrës. Por menjëherë kthetrat e egra të mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte në këtë vend”, tha Berisha.

Sipas liderit demokrat, territori ku duhej të ngrihej zona e lirë ekonomike e pagëzuar si Durana, zotërohet nga familja e Troplinëve, ndaj ai e mbiquajti disa herë si Tropalana. Berisha tha se kompanitë e regjistruara në Durana nuk paguajnë taksa, por sipas tij detyrohen që të paguajnë tarifa te kryeministri Edi Rama dhe i shpalluri në kërkim Ergys Agasi.

“Ka qëndruar në krye të një skeme të quajtur park teknologjik ku ka prej vitesh vetëm livadhe, kurse vidhen qindra milionë euro taksa të qytetarëve shqiptarë. Ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama. Dëshmon se krimet ekonomike të rënda, vjedhjet e tij janë të pakufishme”, shtoi Berisha.

Lideri i opozitës përballë gazetarëve u bëri sërish thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e 24 Janarit për largimin e Edi Ramës. “Opozita është e sigurt që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, ka besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë”.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve në betejën e saj, por shtoi se do jenë qytetarët ata që do të rrëzojnë Ramën nga pushteti.

Protestat, Trump: Do flas me Musk për rivendosjen e shërbimit të internetit në Iran

By: e xh
12 January 2026 at 15:34

Presidenti, Donald Trump tha se planifikon të flasë me Elon Musk për rivendosjen e internetit në Iran, ku autoritetet kanë ndërprerë shërbimet për katër ditë.

Kompania SpaceX e Muskut ofron një shërbim interneti satelitor të quajtur Starlink që është përdorur në Iran.

“Mund ta vëmë internetin në punë nëse kjo është e mundur. Mund të flasim me Elonin”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One.

“Ai është shumë i mirë në këto lloj gjërash, ka një kompani shumë të mirë. Kështu që mund të flasim me Elon Musk. Në fakt, do ta telefonoj sapo të mbaroj me ty.”

Musk dhe SpaceX nuk komentuan menjëherë mbi komentet e Trump, të cilat erdhën përpara se ministri i jashtëm i Iranit të pretendonte se qasja në internet do të rikthehej në vend “në koordinim me autoritetet e sigurisë”.

Sherr në Lezhë/Vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS bëjnë për spital dy kushërinjtë

By: e xh
12 January 2026 at 14:34

Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Nikolin dhe Gergj Marku, 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit Gëzim Ndoka, rreth 53 vjeç dhe Kevin Ndoka, rreth 20 vjeç (babë e bir).

Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Nikolin dhe Gergj Marku, të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se babë e bir kanë qenë të armatosur.

Autorët u kanë kërkuar të ulin zërin se po flisnin me zë të lartë, e këtu ka nisur debati që ka degraduar në dhunë fizike.

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e babë e bit, vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS Arben Ndoka, si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Punime në mbikalim, ARRSH njofton bllokimin e rrugës Tiranë-Rinas

By: e xh
12 January 2026 at 14:19

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se, për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e mbikalimit të ri në Qafë Kashar, do të ketë bllokim të rrugës në drejtimin Tiranë-Rinas, në datat 13-14 janar në intervialin kohor 20:00-06:00.

Sipas ARRSH, qarkullimi i mjeteve drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative:  Vorë–Fushë Krujë (kthesa e Rinasit), rruga dytësore Tiranë- Kamëz-Valias-Rinas, rruga Kashar–Thumanë.

“Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët duhet të ndjekin sinjalistikën provizore dhe të planifikojnë lëvizjen në kohë”, thotë ARRSH.

Moti i keq shkakton dëme në rrjetin elektrik në qarkun e Elbasanit

By: e xh
12 January 2026 at 14:15

Moti i keq i ditëve të fundit ka shkaktuar probleme serioze në rrjetin elektrik në qarkun e Elbasanit.

Si pasojë e erërave të forta dhe ngricave, janë këputur linja elektrike, janë rrëzuar shtylla të tensionit të mesëm dhe janë dëmtuar pajisje elektrike.

Aktualisht, disa fshatra vijojnë të jenë pa energji elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji sa më shpejt të jetë e mundur.

Protestat në Iran, Berisha: 2026 viti i përmbysjes së diktaturave

By: e xh
12 January 2026 at 13:58

Kryetari I Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilëson 2026 si vitin e përmbysjes së diktaturave.

Në një deklaratë për mediat, ai komentoi protestat në Iran, ku tha se regjimi atje po përjeton orët e fundit.

2026-a, viti i përmbysjes së diktaturave. Viti i zi për diktatorët. Viti i lirisë për kombet. Pas vendosjes para gjykatës të Maduros apo Ramaduros së Venezuelës, radhën duket se e kanë Ajetollahët e Iranit. Kombi pers është i tëri në këmbë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kundër regjimit më obskurantist që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre të gjatë, regjimit të Ajetollahëve. Ky regjim në grahmat e fundit po përdor të gjitha armët dhe mjetet dhe ditët e fundit ka me qindra në mos mijëra martirë të lirisë”, deklaroi Berisha.

Ai konfirmoi mbështetjen për opozitën e Iranit, teksa I bëri thirrje SHBA-ve të ndihmojnë popullin atje kundër regjimit të Ajatollahëve.

Marshi i revolucionit iranian drejt fitores nuk ndalet me asgjë. Regjimi i Iranit i ka ditët e numëruara. Liria e iranianëve ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë, vajzat e këtij kombi janë të gatshëm ta paguajnë atë. PD mbështet me forcën më të madhe opozitën iraniane në betejën e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur. PD i bën thirrje qeverive të vendeve të lira, SHBA në radhë të parë, të ndihmojnë me të gjitha mundësitë popullin vigan iranian të çlirohet nga ky regjim obskurantist”.

Irani: Të gatshëm për negociata të drejta dhe dinjitoze me SHBA-në

By: e xh
12 January 2026 at 13:17

“Irani është gati të negociojë me SHBA-në bazuar në respekt dhe interesa të ndërsjella”.

Kështu u shpreh të hënën Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.

“Siç e kam thënë vazhdimisht, ne jemi gjithashtu të gatshëm për negociata, por negociata të drejta dhe dinjitoze, nga një pozicion i barabartë, me respekt të ndërsjellë dhe bazuar në interesa të ndërsjella”, i tha Araghchi një grupi diplomatësh të huaj në një takim të transmetuar televiziv në Teheran, ndërsa vendi hyri në javën e tretë të protestave të dhunshme.

Deklaratat e ministrit të jashtëm erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Irani kishte bërë thirrje për negociata, ndërsa administrata e tij po sheh opsionet e mundshme ushtarake për ndërhyrje kundër Teheranit pas demonstratave.

Qeveria iraniane ka deklaruar disa herë gatishmërinë e saj për të negociuar gjatë muajve të kaluar.

“Partizani”/Mbrojtja e Berishës:SPAK në tejkalim kompetencash dhe nën ndikim politik

By: e xh
12 January 2026 at 12:45

Avokatët e kreut të PD-së kanë dhënë argumentet e tyre kundër pretendimeve të prokurorisë. Mbrojta e Berishës u bazua në 3 shtylla.

Së pari, mbrojtja thotë se SPAK është në tejkalim kompetencash, SPAK nuk mund te vlerësojë bazën ligjore, VKM apo politikat qe ndjek një qeveri. Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.

Së dyti, ka mungesë të faktit penal. SPAK nuk ka arritur të identifikojë në kërkesën për gjykim veprimet konkrete te Berishës përmes të cilave ka shkelur ligjin. Sot SPAK e akuzon Berishën për një veprimtari të tërë administrative, kur do të duhet të ndante veprime konkrete. Të tregonte para gjykatës pasojën që kanë sjellë këto veprime. Aktet që përmend Prokuroria nuk kanë karakter individual, por të përgjithshëm. Në kërkesën e vetë, SPAK ka gjetur fajtorin dhe më pas fajin që është kryer. SPAK nuk ka sjellë asnjë provë që Berisha ka rënë më një marrëveshje paraprake për privatizimin dhe më pas e ka kryer përmes akteve ligjore dhe nënligjore që në përfundim të merrte ryshfetin përmes dhëndrit të tij. Asnjë dëshmitarë nuk e thotë këtë dhe asnjë provë tjetër. SPAK e provon këtë marrëveshje me deduksion.

Së treti, ndjekja penale ka qenë e ndikuar politikisht. Këto pretendime mbështeten në deklarata të kryera nga kryeministri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kimi dhe ish-zyrtari amerikan Eskobar.

Rama i ka bërë thirrje SPAK të hetonte çështjen dhe në deklarata publike i ka mësuar edhe si duhet ta bënte këtë hetim. Shumica parlamentare ka bërë një kallëzim, vlerësimi i të cilit ka kaluar afatet dhe tregon veprimtarinë e SPAK nën ndikimin politikë. Ai kallëzim po ashtu mbante rrethana të rreme dhe SPAK nuk e ka hetuar këtë fakt.

❌
❌