Pak muaj më parë bëri bujë lajmi se moderatorja Neda Balluku i ka dhënë fund martesës dhjetëvjeçare me Ogren Ballukun, vëllain e zv.kryeministres Belinda Balluku. Por duket se ndarja e çiftit nuk ka ardhur në rrugë paqësore.
Burime për ilirianews.al bëjnë me dije se, pas divorcit, Neda ka kërkuar urdhër mbrojtjeje nga Ogreni. Dyshja u njohën në vitin 2010, gjatë edicionit të katërt të spektaklit “Big Brother Albania”, ku të dy ishin konkurrentë. Lidhja e tyre u kthye shpejt në një nga historitë më të përfolura të kohës dhe u kurorëzua me martesë në vitin 2015. Nga kjo martesë kanë ardhur në jetë dy djemtë, Serzh dhe Zai.
Në daljen e saj të parë publike pas ndarjes, Neda pranoi se marrëdhënia e çiftit prej vitesh ka kaluar kriza të vazhdueshme, duke theksuar se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në vitin 2020. “Lajmet janë të vërteta. Nuk është hera e parë që jam në këtë situatë; diçka e tillë ka ndodhur edhe në 2020 dhe atëherë ia dolëm ta kapërcenim. Dëshira ka qenë për ta mbajtur familjen, por nëse do të ktheja kohën pas do të bëja të njëjtën gjë,” u shpreh ajo.
E pyetur nëse vendimi për divorc ishte marrë duke menduar për veten apo për fëmijët, moderatorja u shpreh prerë se interesin e tyre e vendos gjithmonë të parin. “Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient të shëndetshëm, me marrëdhënie të shëndetshme mes prindërve, që të jetë i qetë dhe i lumtur. Para fëmijëve, mendoj se asnjë nënë nuk vendos veten,” tha Neda./mxh
Hyrja e Inës në shtëpinë e “Big Brother Vip” trazoi ujërat dhe shkaktoi debate të forta mes banorëve. Edhe mëngjesin e sotëm, Brikena dhe Ina janë përfshirë në debat të fortë me njëra-tjetrën, me akuza të ndërsjellta. Gjithçka nisi pas debateve për punët e shtëpisë, sepse Brikena është liderë e kësaj jave. Ina madje e akuzoi banoren se është e papastërt, teksa Brikena tha se Ina e ka gojën të “fëlliqur”.
Pjesë nga debati:
Ina: Më tregon zhulin ti mua. Ti dukesh… Dallohemi që nga ngjyra e lëkurës kush është zhulse mes nesh.
Brikena: Çfarë do të thuash?
Ina: Ti lahesh njëherë në tre ditë. Harron të heqësh bronzerin që lyen këmbët…
Brikena: Çfarë tregon ngjyra e lëkurës time?
Ina: Sapo ta shpjegova, nuk e di çfarë kuptoni ju këtu.
Brikena: Gojën e ke të fëlliqur….
Ina: E ke parë ndonjëherë gojën tënde? Të paktën dhëmbët unë i kam të mijat, si flokët dhe të gjitha. O miss “filleri” e ke gojën të fëlliqur. Ndihesh inferiore prandaj nxjerr vetëm vrer nga goja./mxh
Pagesa e taksës së mjeteve tashmë është 100% digjitale në e-Albania dhe kryhet me çdo kartë dhe nga çdo vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën më dije se përmes kësaj mënyre online nuk ka asnjë kufizim bankar, mjafton të zgjidhet kartën që përdoret çdo ditë dhe pagesa kryhet në pak sekonda, direkt nga telefoni apo kompjuteri.
Me këtë shërbim të ri, përfitojnë lehtësira të prekshme rreth 770,000 zotërues mjetesh./mxh
Një shpërthim i shoqëruar me zjarr ndodhi pasditen e sotme në Utrecht të Holandës.
Siç raportojnë mediat lokale, bashkia dhe rajoni i sigurisë i Utrechtit raportuan se një zjarr shumë i madh shpërtheu në një shtëpi pasi njerëzit dëgjuan një zhurmë të fortë.
Të paktën katër persona u plagosën në incident. Kryetarja e bashkisë, Sharon Dijksma, theksoi se gjithçka tani është përqendruar në verifikimin nëse ka njerëz nën rrënoja.
Zjarrfikësit po punojnë ende për të shuar zjarrin. Të paktën 10 ambulanca janë në vendngjarje. Disa rrugë përreth ndërtesës janë të mbyllura. Qendra Mjekësore Universitare në Utrecht po hap një departament të posaçëm në spital pas shpërthimit dhe zjarrit.
Agjencia holandeze e lajmeve ANP konfirmoi se ndërtesa pranë asaj ku po shpërthen zjarri është shembur pjesërisht./mxh
Merkatoja dimërore e futbollistëve ka hapur rrugën për një kapitull të ri në karrierën e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rei Manaj. 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij futbollistike në Lindjen e Largët, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin kinez Zhejiang Professional FC.
Sipas marrëveshjes, Manaj do të përfitojë një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, duke u kthyer në një nga futbollistët më të paguar shqiptarë. Ky transferim vjen pas eksperiencës së tij te Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku sulmuesi kuqezi u dallua për formën e mirë dhe golat vendimtarë.
Zhejiang Professional FC synon të forcojë repartin ofensiv me përvojën ndërkombëtare të Manajt, ndërsa pritet që prezenca e tij të rrisë ndjeshëm konkurrencën dhe ambiciet e klubit në kampionatin kinez./mxh
Një postim i ndarë së fundmi në rrjett sociale nga Aulona Musta, ku ajo tregonte rutinën e përditshme të së bijës, nxiti diskutime të shumta. Agjenda e detajuar e pasdites dhe mbrëmjes së vajzës u komentua jo pak nga ndjekësit e saj.
Pas reagimeve të shumta, Aulona zgjodhi të sqarojë qëndrimin e saj, duke theksuar se rutina nuk është presion dhe as “humbje e fëmijërisë”, por një formë orientimi dhe disipline. Fëmijët kanë nevojë për strukturë, siguri, kufij të butë dhe drejtim, thotë ajo, elementë që i ndihmojnë të ndihen të qetë.
Në reagimin e saj, Aulona e bën të qartë se koha e lirë është pjesë e pandarë e agjendës, por jo e barasvlershme me mungesën e strukturës.
Ajo shton se e shqetëson më shumë një fëmijë pa orientim, pa orare gjumi, që kalon kohën duke përdor telefonin/tabletin dhe pa hapësirë për të zbuluar e zhvilluar talentet që ka, sesa një fëmijë me rutinë.
“Unë nuk po rris një fëmijë perfekt,” shkruan ajo, “por një fëmijë që di kur është koha për detyra, për lojë dhe për pushim.”/mxh
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, paralajmëroi se përdorimi i forcës nga qeveria siriane mund të jetë një mundësi nëse problemet me luftëtarët kurdë nuk zgjidhen përmes dialogut.
Fidan foli gjatë një konference për shtyp në Stamboll, duke kujtuar se konflikti i fundit në qytetin verior të Alepos, ku u përfshinë forcat kurde të SDF, shkaktoi të paktën 23 viktima dhe mbi 150,000 të zhvendosur nga dy zonat e kontrolluara nga kurdët.
Ai shtoi se Turqia shpreson që procesi i paqes me PKK-në të vazhdojë dhe theksoi se konfliktet nuk duhet të zgjidhen me dhunë, por nëse dialogu dështon, qeveria siriane mund të përdorë forcën.
Ministri turk komentoi gjithashtu mbi një seri çështjesh ndërkombëtare, përfshirë situatën në Emiratet e Bashkuara, ku trupat e tyre janë tërhequr nga Jemeni, si dhe marrëdhëniet e Turqisë me Kinën, Venezuelën dhe debatin mbi stabilitetin në Greenland.
Fidan u shpreh se Turqia synon të avancojë bashkëpunimin me të gjitha këto vende dhe të ruajë stabilitetin rajonal nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjeve diplomatike./mxh
Rusia ka paralajmëruar ashpër Perëndimin se çdo dislokim i trupave të huaja në Ukrainë, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, do të konsiderohet nga Moska si objektiv legjitim ushtarak.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se plani i ashtuquajtur i “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i diskutuar në Paris më 6 janar, synon vendosjen e forcave shumëkombëshe në Ukrainë, të cilat ajo i cilësoi si “trupa pushtuese perëndimore”.
Sipas Zakharovës, deklarata e nënshkruar nga kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez dhe drejtuesit e Kievit, paraqitet si garanci për një marrëveshje të ardhshme paqeje, por në realitet synon, sipas saj, të minojë procesin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe të zgjasë luftimet “deri te ukrainasi i fundit”.
Ajo theksoi se Londra është plotësisht e vetëdijshme për papranueshmërinë e këtij skenari për Rusinë, por po e përdor atë si një mjet politik kundër Moskës.
Në një paralajmërim të drejtpërdrejtë, Zakharova deklaroi se çdo përpjekje për të zbatuar këtë plan do ta bënte Britaninë përgjegjëse për jetët e shtetasve të saj, duke shtuar se çdo kontingjent i huaj në Ukrainë do të konsiderohet objektiv legjitim për forcat e armatosura ruse, pa përjashtime.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta diplomatike, ndërsa diskutohet e ardhmja e sigurisë në Ukrainë dhe roli i mundshëm i forcave perëndimore pas një armëpushimi të mundshëm./mxh
Thekat kanë përfshirë historinë e modës, duke përfaqësuar një larmi stilesh, funksionesh dhe simbolesh. Ndërsa rrënjët e tyre datojnë mijëra vjet më parë, në qytetërimin mesopotamian (3000 p.e.s.), ku shiritat e gjatë dekorativë ishin tashmë pjesë e disa fustaneve, fundeve dhe shalleve. Në versionet e tyre më fluide, të lehta dhe të shkëlqyera, ato përcaktuan stilin e flapper-ave të viteve 1920, duke i dhënë lëvizje dhe liri veshjeve të një brezi që ndiqte modernitetin dhe më në fund duke u çliruar nga kufizimet e rripave dhe korseve, duke simbolizuar një gëzim të ri për jetën.
Në vitet 1960 dhe 1970, thekët u rikthyen për të dekoruar veshjet hippie: të prera në xhaketa kamoshi dhe të aplikuara në funde të gjata, ato përzienin stilet perëndimore dhe boheme, duke kapur në mënyrë të përsosur shpirtin rebel dhe çlirues të asaj epoke revolucionare.
Fundi me thekë, fytyrat e ndryshme të një trendi të gjithanshëm të dashur nga stili i rrugës
Elegante, e gjithanshme dhe çuditërisht e lehtë për t’u përshtatur me stile të ndryshme, fundi me thekë është pjesa unike që ka fituar tashmë vajzat “cool” të stilit ndërkombëtar të rrugës. Në versionin e saj minimalist, me një fund asimetrik dhe teksturë të bardhë, shpreh në mënyrë të papritur ‘luksin e qetë’, ndërsa në fustanin e thurur prej leshi, shpreh një elegancë të relaksuar./mxh
Toptani Podcast, nën drejtimin e gazetares dhe autores Ilda Lumani, vijon të sjellë rrëfime të ndjera dhe histori që zbulojnë anën njerëzore përtej figurës publike. Episodi i radhës ka sjellë një nga intervistat më të komentuara, ku Enxhi Nasufi ka folur hapur për largimin e bujshëm nga emisioni “Wake Up”.
Në një bisedë të sinqertë, Enxhi theksoi se largimet janë pjesë e natyrshme e jetës dhe e cikleve profesionale. Sipas saj, çdo eksperiencë ka një fillim dhe një fund, nga ku duhet marrë më e mira dhe mësimet e nevojshme për t’u rritur.
“Unë mendoj që largimet janë pjesë e jetës, ka cikle, nis diçka ti do duhet ti marrësh më të mirën, të bësh më të mirën, të mësosh, të rritesh dhe ka një cikël që mbyllet. Ndoshta ishte një cikël që duhej mbyllur.” u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo pranoi se ajo që e ka mërzitur më shumë nuk ka qenë vetë largimi, por mënyra se si u trajtua situata dhe zhurma e madhe mediatike që pasoi.
“Nuk më pëlqeu mënyra se si u bë. Nuk jam njeri që më pëlqejnë zhurmat, sidomos zhurmat e atilla. Do doja që zhurmë të bënte puna dhe suksesi, jo shpikjet, gënjeshtrat dhe titujt për klikime,” tha Enxhi.
E pyetur nga autorja Ilda Lumani nëse ndonjë gazetar e kishte kontaktuar për të verifikuar informacionet e publikuara për “sherrin” e përfolur, Enxhi u shpreh se askush nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
“Askush. Në asnjë nga këto media online nuk mori dikush në telefon të thotë: “Shiko unë do e shkruaj diçka, po si ka ndodhur? Cila është e vërteta?” Nuk është se i interesoi dikujt. Në situata të tilla delikate, ti kupton njerëzit që ke rrotull.” theksoi ajo.
Në këtë periudhë delikate, Enxhi tregoi se ka kuptuar shumë edhe për njerëzit që kishte rreth vetes, duke evidentuar më shumë persona që, sipas saj, u fshehën pas cinizmit dhe mungesës së guximit për të folur hapur.
“Evidentova më shumë njerëz që më vjen keq ta them kështu, por kështu është që fshihen pas gishtit. Njerëzit cinik nuk më pëlqejnë fare. Në këtë rast kuptova që njerëzit duke sikur e kanë guximin për të ta thenë diçka përballë, por në fakt nuk e kanë.” përfundoi ajo./mxh
Ish-banori i Big Brother VIP Kosova, Edi Kuçi është eliminuar para ca ditësh. Në këtë edicion, lidhja e tij me Dolçen mori shumë vëmendje dhe ishte një romancë, në të cilën Edi u shfaq më shumë i përfshirë.
Me hyrjen e Limit në ‘BBVK’, gjërat kanë ndryshuar shumë. Përveç debateve të shkaktuara mes Albës dhe Bias, si xhelozi ndaj njëra-tjetrës për marrëdhënien e tyre me Limin, banori mori një drejtim tjetër. Ndryshe nga çfarë kishin parashikuar, Limi po shijon një romancë me Dolcen.
Së fundmi, Edi ka bërë një paralajmërim për të gjithë ndjekësit e tij në rrjete sociale se do të sqarojë të vërtetën mes tij dhe Dolces. Gjithashtu një plan i tij është që të rifutet në shtëpi. Edi u ka kërkuar ndjekësve të tij në rrjete sociale që të komentojnë kudo rikthimin e tij që produksioni ta marrë parasysh si kërkesë dhe dëshirë e madhe e publikut./mxh
Reshjet e dendura të dëborës kanë paralizuar trafikun në Holandë këtë të hënë, më 5 janar, duke shkaktuar vonesa të shumta dhe aksidente në rrugë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi sa herë që është e mundur, pasi situata ka prekur rëndë transportin ajror dhe hekurudhor. Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa qarkullimi i trenave në zonën e Amsterdamit është ndalur pothuajse plotësisht.
Aeroporti i Amsterdam Schiphol, një nga nyjet më të mëdha ajrore në Europë, anuloi rreth 500 fluturime gjatë orëve të para të mëngjesit dhe u mbyll për fluturimet hyrëse deri në orën 12:00 GMT, sipas agjencisë së lajmeve ANP.
Kompania hekurudhore holandeze NS njoftoi se asnjë tren nuk po operonte në rajonin përreth Amsterdamit, ndërsa transporti publik është rëndë i prekur edhe në pjesë të tjera të vendit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës në Holandë, duke mbajtur të larta shqetësimet për qarkullimin dhe sigurinë publike./mxh
Franca ka nisur vendosjen e trupave ushtarake në Groenlandë, në një zhvillim që rrit tensionet gjeopolitike në Arktik. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten, më 15 janar, se një ekip i parë ushtarësh francezë ndodhet tashmë në territor, ndërsa përforcime të tjera do të dërgohen në ditët në vijim nga toka, ajri dhe deti.
Deklarata u bë gjatë fjalimit të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura franceze, ku Macron theksoi se Franca dhe Evropa duhet të jenë të përgatitura për sfidat e reja të sigurisë.
Më herët gjatë ditës, presidenti francez thirri në Paris një mbledhje emergjente të kabinetit të mbrojtjes, ku u diskutua qëllimi i shpallur i presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën, si dhe situata e tensionuar në Iran pas shtypjes së protestave mbarëkombëtare.
Në shenjë mbështetjeje për Danimarkën dhe autoritetet e Groenlandës, edhe vende të tjera aleate si Gjermania, Norvegjia dhe Suedia kanë nisur dislokimin e trupave ushtarake në ishull.
Vendosja e forcave vjen pas një takimi të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë, danezë dhe groenlandezë, i cili tregoi se mbeten dallime thelbësore, madje të pakapërcyeshme, mbi të ardhmen e Groenlandës dhe rolin e saj strategjik.
Në fjalën e tij, Macron nënvizoi angazhimin e Francës për forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe evropiane, duke paralajmëruar se, sipas tij, “historia nuk fal as mungesën e përgatitjes dhe as dobësinë”./mxh
Mbretëria e Bashkuar po tërheq personelin ushtarak nga një bazë amerikane në Katar, sipas Sky News.
Kjo vjen pasi Donald Trump u tha protestuesve në Iran se “ndihma është duke ardhur” dhe premtoi “veprime shumë të forta” nëse qeveria në Teheran vazhdon me ekzekutimet e planifikuara.
Irani ka thënë vazhdimisht se do të hakmerret kundër vendeve ushtarake amerikane në rajon nëse Amerika sulmon – shih postimin tonë në orën 8.44.
SHBA-të kanë filluar gjithashtu tërheqjen e një pjese të stafit nga Baza Ajrore Al Udeid e drejtuar nga SHBA-të në Katar, baza më e madhe amerikane në rajon.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Ne nuk komentojmë mbi detajet e vendosjes së bazave dhe vendosjeve për shkak të sigurisë operacionale.”
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë vendos masa paraprake për të siguruar sigurinë dhe mbrojtjen e personelit tonë, duke përfshirë, kur është e nevojshme, tërheqjen e personelit.”
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse i gjithë personeli britanik po tërhiqej nga baza në Katar./mxh
A po përpiqeni të ulni stresin duke blerë në Amazon dhe duke kërkuar për oferta të lira?
Mund të jeni duke zgjedhur rrugën e gabuar, thotë një studim i ri.
Blerjet online janë më të lidhura me stresin sesa leximi i lajmeve, kontrollimi i kutisë postare ose shikimi i pornografisë, raportuan studiuesit më 9 janar në Journal of Medical Internet Research.
“Rezultatet tona tregojnë se një rritje në përdorimin e mediave sociale ose blerjeve online është e lidhur me një rritje të stresit të vetë-raportuar në grupe të shumta përdoruesish dhe në të gjitha pajisjet”, tha në një njoftim për shtyp studiuesi kryesor Mohammad Belal, një student doktorature në Universitetin Aalto në Finlandë.
Për studimin e ri, studiuesit ndoqën zakonet e përdorimit të internetit të gati 1,500 gjermanëve gjatë shtatë muajve, duke përdorur një program ndjekjeje që tregonte se ku ata navigonin në internet dhe për sa kohë.
Në total, ekipi krahasoi të dhënat nga gati 47 milionë vizita në internet dhe 14 milionë përdorime të aplikacioneve, me stresin e vetë-raportuar nga pjesëmarrësit.
Rezultatet treguan se koha e kaluar duke përdorur internetin për blerje shoqërohej me rritje të stresit, pavarësisht nëse njerëzit kërkonin oferta të mira në pajisje mobile apo në kompjuterë desktop.
Ndërkohë, studiuesit zbuluan se njerëzit që lexonin email-e ose lajme raportuan nivele më të ulëta stresi.
E njëjta gjë vlente edhe për pornografinë në internet.
“Disi çuditërisht, njerëzit që kaluan shumë kohë në faqet e lajmeve raportuan më pak stres se të tjerët”, tha Belal. “Nga ana tjetër, ata që tashmë kishin përjetuar shumë stres nuk kaluan shumë kohë në faqet e lajmeve – dhe kjo është në përputhje me hulumtimet e mëparshme që tregojnë se stresi mund të zvogëlojë konsumin e lajmeve.”
Në përgjithësi, studiuesit gjetën një lidhje të fortë midis përdorimit të internetit në përgjithësi dhe stresit më të lartë, veçanërisht tek njerëzit që tashmë përjetojnë shumë stres në jetën e tyre të përditshme.
Megjithatë, është e vështirë të thuhet se në ç’mënyrë shkon kjo marrëdhënie, thanë studiuesit – a shkojnë njerëzit në internet ose në dyqanet online për të lehtësuar stresin, apo shfletimi i faqeve ose blerjet shkaktojnë më shumë stres?
“A janë njerëzit më të stresuar sepse kalojnë më shumë kohë duke bërë blerje online ose në mediat sociale, apo faqet e tilla u ofrojnë atyre një mbështetje të rëndësishme në kohë të vështira? Është me të vërtetë e rëndësishme që t’i studiojmë më tej këto çështje në mënyrë që të zgjidhim problemin e pulës dhe vezës”, tha në një njoftim për shtyp studiuesi i lartë Juhi Kulshrestha, një profesor asistent i shkencave kompjuterike në Universitetin Aalto.
“Vendosja e një ndalimi të përgjithshëm ose kufizimeve të sipërme për lloje të caktuara të përdorimit të internetit mund të mos i zgjidhë problemet dhe madje mund t’u heqë një mbështetje jetësore njerëzve që po përballen me vështirësi”, .
Studiuesit planifikojnë të thellohen më shumë në këtë çështje, për shembull duke parë nëse lloje të ndryshme lajmesh lidhen me stresin dhe mirëqenien.
“Ndërsa fitojmë informacion gjithnjë e më të saktë rreth përdorimit të internetit nga njerëzit, do të jetë e mundur të hartojmë lloje të reja mjetesh që njerëzit mund t’i përdorin për të rregulluar shfletimin e tyre dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, tha Kulshrestha./mxh
Diplomatët i kanë kërkuar Hezbollahut të japë garanci se nuk do të ndërmarrë veprime nëse Irani sulmohet nga SHBA-të ose Izraeli, sipas Reuters.
Mediat e huaja raportojnë se grupi paramilitar libanez, i cili është aleat me Iranin, nuk ofroi garanci të qarta, por nuk planifikon të ndërmarrë veprime nëse sulmi ndaj Iranit nuk është “ekzistencial”.
Raporti erdhi pasi Donald Trump u premtoi protestuesve iranianë se “ndihma është duke ardhur” dhe premtoi “veprime shumë të forta” nëse qeveria vazhdon me ekzekutimet.
Hezbollahu ka qenë prej kohësh një forcë e madhe në rajon, por u dobësua nga një fushatë ushtarake izraelite.
Kujtojmë se Irani prej disa ditësh është përfshirë nga protesta masive, pasi qytetarët bëjnë përgjegjës regjimin e Ajatollahut për krizën në të cilën ndodhet vendi./mxh
Gjendet kufoma e një burri me identitet të panjohur në një nga plazhet e Qipros. Sipas raportit, trupi mund të lidhet me zhdukjen misterioze të biznesmenit 56-vjeçar rus, Vladislav Baumgartner , i cili rezulton i zhdukur që nga 7 janari.
Anëtarët e Bazave Britanike menjëherë shkuan në vendngjarje, ndërsa Shefi i Policisë së Limasolit dhe oficeri i TAE-së së Limasolit nxituan në vendngjarje, me qëllim që të izolonin vendin e ngjarjes dhe të vazhdonin me ekzaminimet në vend dhe një autopsi.
Siç thuhet në raport, trupi është në një fazë të avancuar dekompozimi, gjë që aktualisht e bën të pamundur identifikimin e tij të menjëhershëm.
Informacione të reja tregojnë se trupi pritet të transferohet në morgun e Bazave Britanike, në mënyrë që nesër, të enjten, të kryhet autopsia nga një patolog mjeko-ligjor i Bazave Britanike dhe të merren mostra të ADN-së për të identifikuar burrin e panjohur.
Për momentin, Policia nuk ka konfirmuar nëse trupi i përket biznesmenit 56-vjeçar rus Vladislav Baumgartner, gjurmët e të cilit u humbën më 7 janar në Limasol. Kujtohet se hetimet u përqendruan në zonën më të gjerë të Pissourit dhe në veçanti në Kavo Aspro, ku telefoni celular i burrit të zhdukur transmetoi një sinjal për herë të fundit.
Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Limasolit, deri më tani nuk është përjashtuar asnjë mundësi në lidhje me shkakun e vdekjes së burrit të panjohur.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Qipros, 56-vjeçari mungon nga vendbanimi i tij në Limasol që nga 7 janari. Ai përshkruhet si afërsisht 1.90 m i gjatë, me trup të hollë, me flokë gri, ndërsa në kohën e largimit të tij kishte veshur pantallona të shkurtra të zeza dhe një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra. Policia u bëri thirrje kujtdo që ka informacion të kontaktojë Departamentin e Hetimit të Krimit në Limasol.
Në të njëjtën kohë, mediat ruse dhe të huaja, të cilat po ndjekin nga afër rastin, raportojnë se zhdukja u deklarua pas shqetësimit në rrethin e tij profesional, kur dyshohet se ai ndaloi së iu përgjigjur thirrjeve, ndërsa operacioni i kërkimit u organizua me pjesëmarrjen e forcave të policisë, Mbrojtjes Civile, vullnetarëve dhe personelit të Bazave Britanike, me përdorimin e një helikopteri dhe dronëve. Kërkimet u ndërprenë në momente të ndryshme kohore për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe motit të keq./mxh
Franca ka ndaluar hyrjen dhe qëndrimin për 10 shtetas britanikë, pjesëtarë të grupit “Raise the Colours”, pasi akuzohen se janè angazhuar në veprime për të penguar migrantët që të kalonin Kanalin Anglez me anije të vogla, njoftoi Ministria e Brendshme franceze.
Aktivistët u kapën duke kërkuar dhe shkatërruar anije të vogla përgjatë bregdetit verior të Francës dhe duke kryer “aktivitet propagandistik” për të mobilizuar publikun britanik.
Ministria tha se veprimet e grupit, të zbuluara në dhjetor 2025, mund të shkaktonin “çrregullime serioze të rendit publik” dhe se ndalimi u vendos për individët, jo për organizatën në tërësi. Grupi “Raise the Colours” deklaroi se aktivitetet e tij janë gjithmonë paqësore dhe brenda ligjit dhe se nuk mbështet as dhunën, as veprime të paligjshme.
Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, u shpreh në X se “shteti ligjor nuk është i negociueshëm, veprimet me natyrë të dhunshme ose që nxisin urrejtje nuk kanë vend në territorin tonë”.
Sipas të dhënave të Home Office, 41,472 migrantë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2025, një rritje prej 13% krahasuar me 2024, ndërsa mes 1 dhe 5 janarit 2026, 32 persona kaluan me anije të vogla.
Qeveria britanike ka shtyrë Francën të ndërmarrë masa për të ndaluar kalimet e paligjshme, dhe në nëntor u ra dakord që autoritetet franceze të fillojnë të ndërhynin në këto kalime me anije të vogla./mxh
Parlamenti Evropian ka shprehur zyrtarisht mbështetjen e tij të palëkundur për Groenlandën dhe Danimarkën përballë kërcënimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta marrë ishullin, në një mënyrë ose në një tjetër.
Një deklaratë e miratuar të mërkurën nga Konferenca e Presidentëve, e cila përfshin udhëheqësit e grupeve politike, tha se Parlamenti dënon në mënyrë të prerë deklaratat e bëra nga administrata Trump në lidhje me Groenlandën, të cilat përbëjnë një sfidë të hapur ndaj së drejtës ndërkombëtare, parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të një aleati të NATO-s.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në marrëdhëniet midis partnerëve demokratikë”, thuhet në të, duke hedhur poshtë “përpjekjet e jashtme për të ndryshuar status quo-në e Groenlandës” dhe duke i bërë thirrje Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së “të përcaktojnë mbështetje konkrete dhe të prekshme për Groenlandën dhe Danimarkën”.
Ky qëndrim i fortë vjen në një kohë kur SHBA-të po ushtrojnë vazhdimisht më shumë presion mbi të ardhmen e Groenlandës, me Trump që këmbëngul që pronësia e Groenlandës duhet t’i transferohet vendit të tij.
“NATO duhet të na udhëheqë në rrugën e duhur për ta arritur këtë. Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjnë Rusia ose Kina, dhe kjo nuk do të ndodhë”, shkroi ai në rrjetin e tij social, Truth Social.
Ndërkohë, Danimarka po vendos forca ushtarake për të forcuar praninë e saj në territorin e saj ishullor, ndërsa Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetjen e saj për Groenlandën, duke thënë se ajo “i përket popullit të saj”.
Miratimi i deklaratës nga Konferenca e Presidentëve do të thotë se shumica e Parlamentit e mbështet këtë qëndrim, edhe nëse jo të gjitha grupet e tij politike e mbështesin këtë qëndrim.
Sipas burimeve parlamentare, deklarata u propozua nga një “shumicë e qendrës”, duke përfshirë Partinë Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët dhe Renew Europe.
Udhëheqësit që dolën nga salla e mbledhjeve nuk zbuluan se cilat grupe politike e kanë mbështetur atë, por burimet thonë se nuk u shfaq ndonjë kundërshtim i qartë.
Parlamenti Europian do të zhvillojë një debat mbi këtë temë gjatë seancës plenare të javës së ardhshme./mxh
Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij, duke thënë se ky është “hapi më moral që një kryetar mund ta marrë”. Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”, raporton KosovaPress.
Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.
Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.
“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.
Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”./mxh