Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Main stream

“Thaçi maskoi realitetin”, Rama sulmon prokurorin: Idiot ndërkombëtar

By: e xh
10 February 2026 at 15:36

“Idiot ndërkombëtar” e ka cilësuar Edi Rama prokurorin e Hagës, i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë.

Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar një Facebook një pjesë nga deklarata e tij në Hagë, ku shprehet ndër të tjera:

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley K. Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan që nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet, dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë. Nuk u përballen me atë që po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë vendimet përkatëse”, tha Prokurori.

Përfaqësuesi i akuzës vijoi duke thënë se “Vendimet e tyre në fakt nuk ishin as me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv. Kryekomandanti i identifikuar i UÇK, mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandën sikurse ushtritë e SHBA dhe NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë, flet për shumëllojshërinë e hierarkive, të cilat janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës kombëtare humanitare”.

Kujtojmë se për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria e Hagës ka kërkuar ditën e djeshme për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga 45 vjet burgim për secilin.

Berisha: Skenari i protestës, është skenar i një kryengritje të fuqishme paqësore

By: e xh
10 February 2026 at 14:30

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për shtyp para protestës së sotme, zbuloi skenarin e saj.

“Skenari i protestës është skenar i një kryengritje të fuqishme paqësore që do të përcjellë, sot më shumë se kurrë, në vatrat e të gjithë shqiptarëve, por edhe në Bruksel, Uashington, Berlin dhe qendra të tjera kryesore, se ne nuk mposhtemi kurrë nga një narkokraturë. Dhe jemi të vendosur që të mbrojmë me çdo çmim, vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe botë. Skenari sot zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe inicimit menjëherë të fazës tjetër të grushtit të shtetit, nga Edi Rama. Por zhvillohet edhe pas kartonit të zi që i nxorrën mbrëmë dhe sot në Bruksel njeriut që për vjedhjet e tij, është i gatshëm t’i vërë flakën një procesi aq jetik, integrimit Europian të Shqipërisë, ëndërrës më fisnike të shumë e shumë gjeneratave, ëndërrës së Shqipërisë, zonjë në Europë”, tha Berisha.

“Në këtë kuadër dua të theksoj këtu, thirrjen time për shqiptarët kudo që janë. Është jetike, vendimtare kontributi i tyre.
Shumë e shumë prej tyre, fluturojnë nga vendet ku janë dhe vijnë në Shqipëri, por ftoj ata, të organizohen për protestët më të fuqishme që janë zhvilluar ndonjëherë, para përfaqësive të narkoshtetit në vendet ku jetojnë. Këto protesta të cilat PD do japë kontributin e saj me anëtarët dhe mbështetësit, janë sot të domosdoshme dhe jetike, në këto çaste, në këto momente kur Edi Rama ka tejkaluar çdo lloj ligji, standardi, norme morale në qëndrimet e tij, si kryeministër ndaj shqiptarëve. Pra, kjo protestë shënon, hap dhe siparin e fillimit të protestave pranë përfaqësive të narkoshtetit, për të ju thënë popujve të atyre vendeve se, kjo përfaqësi përfaqëson narkoshtetin, kurse ne në rrugë përfaqësojmë kombin shqiptar”, shtoi Berisha.

Dëshmia e Henrik Hoxhës: Dumani kërkoi të vrasim biznesmenin për të gjetur të birin

By: e xh
10 February 2026 at 12:41

Në seancën e së martës, Henrik Hoxha, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë” rrëfeu atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Lulëzim Masha.

Sipas të pandehurit, që gjatë hetimit ju hoq nga SPAK statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, tregoi se shënjestra e vërtetë kishte qenë djali i Mashës. Por, sipas tij, meqë nuk e gjenin dot, vendosën t’i vrasin të atin, që ai të shfaqej në ceremoninë mortore e më pas ta ekzekutonin.

Dëshmia e Henrik Hoxhës

Henrik Hoxha: Lulzim Masha bë dijeninë time ka një shkollë private në Tiranë. E ka shtëpinë tek blloku.

Unë kisha porosi nga Nuredin Dumani për djalin e Mashës, jo per Lulzimin.

Nuk e mbaj mend emrin e djalit, por Nuredini më tregoi një foto, më tregoi shtëpinë, shkollën.

Djalin nuk po e gjenim dot.

Njëri nga vëllezërit Dizdari ka qenë i fejuar me vajzën e Mashës. Dhëndri ka hedhur disa prona në emër të vjehrrit e kunatit. Dhëndri u nda nga vajza dhe këta nuk i kanë kthyer ato lekë a prona pas.

Ne nuk po e gjenim dot djalin e Mashës, se rrinte në Maqedoni.

Në fillim diskutuam për 150 mijë euro. Pastaj për Lulzim Mashën për 100 mijë euro.

Mbikëqyrja e Lulzimit zgjati gati 1 vit, se e lamë cikë pas dore ne. Djalin nuk e gjenim dot. Prandaj u angazhua Sakati, që do na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri.

Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni.

Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa, që të vrisnim të atin, që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim.

Bashkë me Skerdin e kemi ndjekur Mashan disa herë me motor. E kemi ndjekur në rrugën që bënte.

Për ngjarjen përdorëm një “Golf 4” të lodhur. Nuredini na e gjeti. Kjo sepse me motor mund të binim në sy.

Për ngjarjen unë përdora një menaxher që kisha tek lokali në Tiranë. I thashë do më lajmërosh kur të shohësh këtë person, sepse më ka lekq borxh.

Na njoftoi. Unë shkova atje bashkë me Skerdi Tasin. E lashë Skerdin dhe vetë u vendosa diku ku nuk kishte kamera. Pastaj lëviza. Goditjen nuk e dëgjova, se arma qe me silenciator.

Kisha radio policie, e dëgjoja komplet çfarë kishte ndodhur.

Pastaj me Skerdin u takuam tek 21-shi.

Skërdi më tha, i qëllova dy herë, por më ngeci arma.

Unë një ditë më parë shkreva 1 karrikator me atë armën, por atë ditë ngeci.

Unë i dëgjoja në radio komunikimet e policisë, kur thonin “një person kështu ashtu, me karakteristikat e Skerdit”.

Djalin nuk e gjetëm dot. Rrija përditë aty, se i kishim shtëpitë ngjitur, por asnjëherë nuk e kam parë djalin.

Vendimin, që meqë nuk gjenim dot djalin, do vrisnim të atin e mori Nuredini.

Macron: BE-ja duhet të vendosë nëse do të bëhet një fuqi, apo do të shkatërrohet

By: e xh
10 February 2026 at 12:26

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Bashkimi Evropian ndodhet përballë një zgjedhjeje vendimtare, të shndërrohet në një fuqi globale ose rrezikon të mbetet i pambrojtur dhe të “eliminohet” nga konkurrenca ndërkombëtare.

Në një intervistë për shtatë gazeta evropiane, Macron theksoi se që nga publikimi i raporteve të hartuara nga Mario Draghi dhe Enrico Letta, Kina ka përshpejtuar ndjeshëm rritjen ekonomike, duke arritur një suficit tregtar me pjesën tjetër të botës prej rreth 1.000 miliardë eurosh.

“Nëse Europa mbetet thjesht një treg i hapur në të katër anët, do të shkatërrohet. Europa duhet të vendosë nëse është e aftë të bëhet një fuqi ekonomike, financiare, ushtarake dhe demokratike”, u shpreh Macron.

Sipas tij, aktualisht Europa po shërben si faktor rregullues për pjesën tjetër të botës, pa pasur mjetet e nevojshme për të mbrojtur interesat e veta strategjike, teksa paraqiti katër objektiva kryesore për ringritjen e Bashkimit Evropian.

Së pari, thjeshtimi dhe përfundimi i tregut të përbashkët, për të rritur konkurrueshmërinë dhe efikasitetin ekonomik.

Së dyti diversifikimi tregtar dhe reduktimi i varësive strategjike të krijuara ndër vite, përmes rikthimit të kapaciteteve prodhuese evropiane. Në këtë kuadër, Macron përmendi nevojën për forcimin e rolit ndërkombëtar të euros, përfshirë futjen e euros digjitale dhe zhvillimin e stablecoin-eve në euro.

Së treti promovimi i “preferencës evropiane”, duke vendosur klauzola mbrojtëse në sektorë kyç si industria e çelikut, automobilave, kimisë dhe mbrojtjes, me synimin që prodhimi evropian të ketë përparësi në tregun evropian.

Dhe së fundi investimi në inovacion, të cilin Macron e cilësoi si thelbësor për të ardhmen e kontinentit.

“Shpesh përqendrohemi vetëm te thjeshtimi dhe diversifikimi, duke harruar preferencën evropiane dhe domosdoshmërinë e investimeve të përbashkëta evropiane”, përfundoi presidenti francez.

Bashkëpunëtore e Epstein, Maxwell refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në Kongres

By: e xh
10 February 2026 at 12:06

Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e Jeffrey Epstein, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së të hënën. Maxwell u paraqit virtualisht për një dëshmi me dyer të mbyllura nga burgu i Teksasit ku po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim seksual.

Kryetari i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, tha se “siç pritej”, Maxwell kërkoi Amendamentin e Pestë, që i jep të drejtën për të heshtur.

“Kjo është padyshim shumë zhgënjyese,” tha ai. “Kishim shumë pyetje për të bërë në lidhje me krimet që ajo dhe Epstein kryen, si dhe pyetje në lidhje me bashkëpunëtorët e mundshëm.” “Ne sinqerisht duam të arrijmë në të vërtetën për popullin amerikan dhe drejtësi për të mbijetuarit, kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë në këtë hetim,” shtoi Comer.

Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA-së u jep amerikanëve të drejtën të shmangin vetë-inkriminimin duke refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve ndërsa janë nën betim.

Në një postim më parë në rrjetet sociale, avokati i Maxwellit, David Oscar Markus, tha se Maxwell ishte “e përgatitur të fliste plotësisht dhe sinqerisht nëse Presidenti Trump do t’i jepte mëshirë”.

“Vetëm ajo mund të japë rrëfimin e plotë. Disave mund të mos u pëlqejë ato që dëgjojnë, por e vërteta ka rëndësi”, shkroi ai.

Në një letër të dërguar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve para paraqitjes së Maxwellit, një grup të mbijetuarish të Epsteinit i bënë thirrje të ishin skeptikë ndaj çdo informacioni të dhënë nga Maxwell. Ata e kritikuan atë për refuzimin e identifikimit të “shumë burrave të fuqishëm” të përfshirë në operacionin e trafikimit të Epsteinit dhe refuzimet e saj për të “bashkëpunuar plotësisht” me zbatimin e ligjit, duke thënë se çdo “trajtim i veçantë” ose “besueshmëri e dhënë dëshmisë së saj”, do të ishte katastrofike për të mbijetuarit.

Maxwell u dënua në vitin 2021 për rolin e saj në joshjen e vajzave të mitura që Epstein, ish-të dashuri i saj, t’i shfrytëzonte. Epstein vdiq në burg në vitin 2019. Ajo po kërkon falje nga Trump dhe është akuzuar se ka gënjyer zyrtarët federalë.

Zelensky: Ukraina do të hapë 10 qendra eksporti armësh në Evropë

By: e xh
10 February 2026 at 12:02

Ukraina do të hapë 10 qendra eksporti armësh në Evropë në një ndryshim të madh politik në kohë lufte, njoftoi të hënën presidenti Volodymyr Zelensky.

Zelensky tha se qendrat do të operojnë në disa vende evropiane, me Gjermaninë që do të jetë ndër të parat, pasi prodhimi i dronëve ukrainas është planifikuar të fillojë atje brenda pak ditëve të ardhshme, shkruan Euronews.

“Në mesin e shkurtit, do të shohim prodhimin e dronëve tanë në Gjermani. Do të marr dronin e parë. Kjo është një linjë prodhimi plotësisht funksionale”, deklaroi Zelensky.

Ai shtoi gjithashtu se “linja të ngjashme prodhimi” tashmë janë në funksion në Mbretërinë e Bashkuar. “Këto janë të gjitha teknologji ukrainase”, theksoi ai.

Zelensky bëri të ditur se aktualisht ka 450 prodhues dronësh në Ukrainë.

Nga “40-50 janë të nivelit të lartë”, sipas presidentit ukrainas.

“Të gjithë duan të investojnë. Ky vit, 2026, do të jetë një vit investimi në teknologjitë tona”, tha ai. “Para së gjithash, dronët. Kjo është një industri e madhe, një industri e re. Sipas financave që hynë në Ukrainë gjatë luftës, është industria më e madhe në Ukrainë”.

Në shtator 2025, Zelenskyy njoftoi se Ukraina do të fillonte të eksportonte armë të prodhuara në vend, duke hequr një kufizim të futur kur Kievi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Eksportet e armëve të brendshme të Ukrainës ishin kufizuar shumë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, me gjithçka që dilte nga linja e prodhimit të devijuar në përpjekjet e luftës.

Kujtojmë se industria e mbrojtjes e Ukrainës dhe sektori i saj i dronëve në veçanti kanë shpërthyer që nga fillimi i luftës së përgjithshme të Rusisë.

Afërsisht 800 prodhues armësh operojnë aktualisht në Ukrainë, dhe shumë prej tyre e rritën prodhimin e tyre në një tepricë të konsiderueshme.

Sipas raporteve më të fundit, Ukraina tani po prodhon mbi 4 milionë dronë në vit dhe mund ta dyfishojë këtë numër me fonde të mjaftueshme.

Prodhuesit e armëve i kishin kërkuar Zelenskyy-t për muaj të tërë që të hiqte kufizimet në shitjen e pajisjeve të tyre të prodhimit vendas të nivelit ushtarak, veçanërisht dronëve, për të gjeneruar më shumë të ardhura.

Sipas sistemit të propozuar, Ukraina do të eksportojë pajisje ushtarake të tepërta dhe do të përdorë të ardhurat për të financuar armët e nevojshme urgjentisht.

Projekti që lidh bregdetin e Durrësit me qytetin, banorët protestojnë: Duam strehim

By: e xh
10 February 2026 at 12:00

Banorë që preken nga projekti i rrugës që lidh bregdetin, në zonën e Currilave, me rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës kanë protestuar ditën e sotme para bashkisë së Durrësit.

Ata shprehen se kanë mësuar në rrugë jozyrtare se banesat e tyre do të prishen në kuadër të investimit që sjell zgjerimin e rrugës.

Të shqetësuar nga ky investim dhe mungesa e transparencës nga ana e bashkisë, banorët thonë se vlera e shpronësimit për këtë investim publik është larg vlerës së tregut të pasurive të paluajtshme në Durrës.

Të cenuar në të drejtën e pronës, banorët kërkojnë strehim dhe jo shpronësim, nëse investimi për zgjerimin e rrugës do të kryhet pavarësisht rezistencës së tyre.

Veliaj 1 vit në burg, studiot ligjore: Persekutim politik, i është mohuar procesi…

By: e xh
10 February 2026 at 11:31

Një vit nga arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, kanë reaguar dy studiot ligjore Kasowitz Benson Torres në Nju Jork dhe Mishcon de Reya në Londër, me të cilat Veliaj ka kontrata për ta ndihmuar në procesin juridik. Në deklaratë thuhet se Veliaj po përballet me mohimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe me një persekutim të qartë politik.

Deklarata e plotë

Sot shënohet 1-vjetori nga paraburgimi i padrejtë dhe i paligjshëm i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri. Gjatë 365 ditëve të fundit, çështja e Kryebashkiakut Veliaj është bërë shembulli kryesor i përdorimit të tepruar dhe abuzimit me masën e paraburgimit në Shqipëri. Veliaj është mbajtur i ndaluar pavarësisht se nuk ka prova të qarta se ai përbën rrezik arratisjeje, se mund të pengojë drejtësinë, apo se do të mund të kryente sërish krimet e pretenduara për të cilat është akuzuar.

Gjatë vitit të kaluar, çështja e Kryebashkiakut Veliaj është shfaqur si shembull flagrant se si demokraci të brishta, si ajo e Shqipërisë, mund të shkelin të drejtat bazë të procesit të rregullt ligjor të një individi përmes një persekutimi politik të mangët.

Nga shkurti deri në korrik të vitit të kaluar, Kryebashkiaku Veliaj u mbajt i ndaluar pa u akuzuar as për krimet për të cilat mbahej në paraburgim.

Në shtator, ndalimi i tij u përdor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës si bazë mbi të cilën u kërkua të shkarkohej nga posti i Kryetarit të Bashkisë – një manovër që duket se synonte t’u hiqte të drejtën e përfaqësimit votuesve të Tiranës, të cilët e kishin zgjedhur atë për tre mandate.

Vetëm muajin e kaluar, Kryebashkiakut Veliaj – i cili ka zgjedhur të mbrohet vetë ndaj akuzave të SPAK – iu mohua plotësisht qasja në mbi 60,000 faqe prova, mbi bazën e të cilave ai mund të përgatisë dhe të ngrejë mbrojtjen e tij në gjyq.

Së fundmi, prokurorët e SPAK kanë argumentuar se mbajtja e vazhdueshme në burg e Kryebashkiakut Veliaj justifikohet sepse ai kërkoi këshillim ligjor në SHBA për t’u mbrojtur, pasi u bë e qartë se nuk mund ta bënte realisht këtë vetë. Ky nuk është proces i rregullt ligjor; është ndëshkim pse kërkon mbrojtje dhe një shkelje e hapur e së drejtës së tij për t’u mbrojtur.

“Që nga dita e parë, kjo çështje ka qenë një persekutim politik i shoqëruar me abuzime skandaloze të procesit të rregullt ligjor. Sot shënohet një vit i plotë i kësaj padrejtësie të vazhdueshme,” tha Daniel J. Fetterman, partner në firmën ligjore Kasoëitz dhe një nga këshilltarët ndërkombëtarë të Kryebashkiakut Veliaj. “Çështja e Kryebashkiakut Veliaj i ka të gjitha shenjat dalluese të një gjyqi-spektakël politik dhe trajtimi i tij bie shumë poshtë çdo standardi të pranueshëm amerikan dhe europian të drejtësisë, procesi të rregullt ligjor dhe drejtësisë.”

Megjithatë, ka shenja se trajtimi i Kryebashkiakut Veliaj nuk po kalon pa u vënë re. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë përpjekjen e Këshillit Bashkiak për ta larguar Kryebashkiakun Veliaj nga detyra, duke konfirmuar mandatin e tij dhe duke siguruar që ai të mbetet Kryetar Bashkie deri në vitin 2027. Mediat shqiptare kanë identifikuar natyrën ndëshkuese të qasjes së SPAK ndaj Kryebashkiakut Veliaj, duke e quajtur atë një “mentalitet represiv”, të ngjashëm me një “revolucion të ri kinez” që mbështetet te propaganda e sponsorizuar për të justifikuar shkeljet e të drejtave civile. Media të huaja, si EU Reporter, kanë përsëritur ndjesi të ngjashme, duke vërejtur “shthurjen e ngadaltë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri” në një çështje që “tregon shenja të qarta motivimi politik” dhe që mbetet “shumë larg standardeve europiane.” Dhe në dhjetor, Avokati i Popullit i Shqipërisë publikoi një raport ku konstatoi se masat e sigurisë që rregullojnë trajtimin mjekësor të Kryebashkiakut Veliaj në paraburgim ishin të paarsyeshme dhe shkelën privatësinë e tij.

Në mënyrë domethënëse, komuniteti ndërkombëtar ka njohur publikisht të metat me paraburgimin e vazhdueshëm të Kryebashkiakut Veliaj. 76 kryetarë bashkish dhe përfaqësues të “Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40” – që vijnë nga parti dhe prejardhje politike të të gjithë spektrit ideologjik – lëshuan një letër të përbashkët që denoncon paraburgimin e Kryebashkiakut Veliaj. Ata adoptuan një konstatim në Raportin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës për vitin 2025 se “përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve të bashkive në detyrë përbën një rrezik serioz për qeverisjen demokratike”, sepse “i privon qytetarët nga e drejta për përfaqësim, duke hequr mënjanë, pa një proces të rregullt ligjor, përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre”.

Paraburgimi i Kryebashkiakut Veliaj duhet të përfundojë. Vazhdimi i mbajtjes së Kryebashkiakut Veliaj në paraburgim dhe mohimi i të drejtave themelore të procesit të rregullt ligjor – si mundësia për të shqyrtuar provat kundër tij – tradhton premtimin demokratik të Shqipërisë, hedh dyshime serioze mbi përparimin e reformave të saj dhe mund të vërë në rrezik synimet e saj për anëtarësim në BE.

Udhëheqësit globalë, organizatat demokratike dhe mediat duhet të vazhdojnë ta mbajnë në qendër të vëmendjes këtë padrejtësi dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt nga paraburgimi.

Protesta e PD/ Policia në gatishmëri maksimale, RENEA dhe 1400 efektivë në terren

By: e xh
10 February 2026 at 11:27

Protesta e thirrur sot në orën 17:00 nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm, duke vendosur efektivë jo vetëm te kryeministria, por edhe te parlamenti dhe institucione të tjera. Mësohet se nga policia se do të ketë masa shtesë me më shumë efektivë, ku rreth 1400 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe strukturave të tjera do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe autobotë me ujë  që do të qëndrojnë pas kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh, por edhe te parlamenti.

Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Gjithashtu rrugët rreth kryeministrisë do të bllokohen që prej orës 15:00 deri në përfundim të protestës.

Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Në mbledhje janë dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu u është kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara me protestuesit.

Protesta e PD/Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve të saj: Qëndroni larg grumbullimeve

By: e xh
10 February 2026 at 10:24

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e planifikuar nga Partia Demokratike, sot në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Ambasada këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin zonën e protestës, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada nënvizoi se edhe pse protestat fillojnë shpesh në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt, ndaj prioriteti kryesor mbetet siguria personale.

Në njoftimin e saj për qytetarët amerikanë, Ambasada u sugjeron atyre të shmangin pjesëmarrjen në ngjarje dhe protesta, të jenë të vetëdijshëm për rrethinën dhe ambientin, të kufizojnë shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar dhe të kenë një plan emergjence ose rrugë daljeje.

Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane:

Mesazh për Qytetarët Amerikanë

Subjekti: Alarm për Demonstratë

Vendndodhja: Në të gjithë Tiranën; Bulevardi Deshmoret e Kombit midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza

Data/Ora: E martë, 10 shkurt 2026, në orën 17:00

Ngjarja: Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen në ndërtesën e Kryeministrit, e vendosur në Bulevardin Deshmoret e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personelit të Ambasadës Amerikane i është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestës. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

Qytetarëve të SHBA-së u këshillohet të shmangin këtë ngjarje

Jini të vetëdijshëm për mjedisin përreth

Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik

Monitoroni median lokale

Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje

Mbani një profil të ulët

Dosjet Epstein, Mbreti Charles gati të bashkëpunojë me policinë për Andrew

By: e xh
10 February 2026 at 09:52

Mbreti Charles III është gati të ofrojë mbështetje për policinë britanike ndërsa shqyrton akuzat kundër vëllait të tij Andrew Mountbatten-Windsor.

Policia po vlerëson rëndësinë e mundshme kriminale të informacionit konfidencial që ish-Princi Andrew dyshohet se ka ndarë me Jeffrey Epstein në disa misione të kryera gjatë viteve të tij si i dërguar dhe zëdhënës tregtar në emër të qeverive të ndryshme britanike në Azi.

Pallati i Buckinghamit njoftoi lajmin në një deklaratë të pashembullt, duke kujtuar se si Charles tashmë ka shfaqur shqetësimin e tij të thellë, përmes veprimeve të pashembullta, për përfshirjen e vëllait të tij në skandalin që përfshinte lidhje me financierin e ndjerë amerikan të pedofilisë.

“Mbreti e ka bërë të qartë, me fjalë dhe përmes veprimeve të pashembullta, shqetësimin e tij të thellë për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë në lidhje me sjelljen e zotit Mountbatten-Windsor. Ndërsa pretendimet specifike në fjalë duhet t’i adresojë z. Mountbatten-Windsor, nëse na kontakton Policia e Luginës së Thames, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata siç do të prisnit”, tha një zëdhënës i Pallatit.

Deklarata e Pallatit të Buckinghamit thotë se “mendimet e Mbretit dhe Mbretëreshës kanë qenë dhe mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi”.

Emailet nga grupi i dosjeve të Epstein të publikuara së fundmi duket se tregojnë ish-princin duke përcjellë raporte për vizitat në Singapor, Hong Kong dhe Vietnam dhe detaje konfidenciale të mundësive të investimit.

Pas udhëtimeve, më 30 nëntor 2010, ai duket se i ka dërguar Epsteinit raportet zyrtare të atyre vizitave të dërguara nga këshilltari i tij i atëhershëm special, Amit Patel, pesë minuta pasi i kishte marrë ato.

Kishte gjithashtu detaje mbi mundësitë e investimit në Afganistan, të përshkruara si “konfidenciale”, të cilat duket se i janë kaluar Epsteinit më 24 dhjetor 2010.

Sipas udhëzimeve zyrtare, të dërguarit tregtarë kanë detyrimin e konfidencialitetit mbi informacionin e ndjeshëm, tregtar ose politik në lidhje me vizitat e tyre zyrtare.

Ghislaine Maxwell, e thirrur për të dëshmuar para Dhomës së Komunave për rastin Epstein, qëndroi e heshtur në një lidhje video me dyer të mbyllura nga burgu. Ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja e financierit që kreu vetëvrasje në burg ushtroi të drejtën e saj për të heshtur, duke u thirrur në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën për të heshtur për të shmangur vetë-inkriminimin.

Avokatët e ish-zonjës së shquar britanike, e dënuar me 20 vjet burg për ndihmën ndaj Epstein në abuzimin seksual me vajza të mitura, kanë njoftuar se ajo do të flasë vetëm nëse merr një falje presidenciale.

Rama nga Brukseli: Antonio Costa, miku im i çmuar

By: e xh
10 February 2026 at 08:34

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale nga Brukseli, ku ndodhet për angazhime zyrtare.

“Në këto momente përpara darkës së mbrëmshme të punës në Bruksel, me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun tim të çmuar, António Costa, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, duke publikuar edhe pamje nga takimi.

Takimi me Presidentin e Këshillit Europian u zhvillua në kuadër të diskutimeve mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si dhe çështje të rëndësishme të axhendës rajonale dhe europiane.

Parashikimi i motit, 10 shkurt 2026

By: e xh
10 February 2026 at 08:32

Për ditën e Martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore.

Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Përgjatë orëve të pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në formën e shtrëngatave.

 Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi
deri 10 m/sek.

Deti – Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forces 1-3 ballë.

Parashikimi i yjeve, 10 shkurt 2026

By: e xh
10 February 2026 at 08:29

Dashi

Kjo e martë do të nisë më së miri, ku do të keni dëshirë që të bëni mirë dhe të dilni në pah. Kjo gjë do të vlejë si për sferën profesionale edhe për atë sentimentale.

Demi

Kjo ditë do ju shohë si protagonist absolut dhe është në dorën tuaj që ta shfrytëzoni këtë mundësi. Yjet janë në anën tuaj.

Binjakët

Hëna do të ketë ndikim pozitiv tek të lindurit e kësaj shenje dhe kjo gjë do ju ndihmojë që të rikuperoni energjinë dhe humorin e mirë. Megjithatë do të hasni me situata, të cilat nuk do të jenë aspak të lehta për tu menaxhuar.

Gaforrja

Kjo ditë do të jetë mjaft e lodhshme, por në fund do arrini që të siguroni një bilanc pozitiv. Po ashtu ju pret një listë e gjatë angazhimesh, të cilat do arrini që ti çoni deri në fund.

Luani

Hapet për ju një fazë e rëndësishme, veçanërisht në sferën profesionale. Prej jush kërkohet një angazhim i madh, por ashtu si zakonisht do të nxirrni në pah disa cilësi të tjera tuajat.

Virgjëresha

Mes lajmeve të mira të kësaj jave, është ndikimi pozitiv i Mërkurit. Do të arrini që të merrni kënaqësi të mëdha, pasi keni punuar shumë dhe ky është momenti për të korrur frytet.

Peshorja

Ditët në vijim do të jenë mjaft pozitive për tu qartësuar me jetën tuaj. Do të keni mundësi që të largoni gjithë ata persona që ju komplikojnë jetën.

Akrepi

Dita do të nisë me dyshime në sferën ekonomike. Bëni kujdes, veçanërisht nëse po planifikoni ndonjë projekt, pasi duhet vëmendje maksimale, shkruan noa.al.

Shigjetari

Kjo nuk është një periudhë negative, ndaj mund të guxoni. Do keni mundësi që të ecni përpara në sferën profesionale. Ndërsa sa i takon ndjenjave mund të mundoheni paksa, por do të merrni rezultatin e dëshiruar.

Bricjapi

Gjatë kësaj fillimjave do të jeni të përhumbur në mendime. Keni shumë ide që ju vijnë në kokë dhe doni që t’iu jepni formë, por ky nuk është momenti i duhur.

Ujori

Kjo ditë e re do të sjellë me vete shumë lodhje. Në këtë periudhë jeni ndjerë nën presion dhe kjo ndjesi stresi do vijojë që t’iu shoqërojë edhe në ditët në vijim.

Peshqit

Në këtë moment keni nevojë për një shtysë më shumë. Këshillohet që të flisni dhe të hapeni me ata që ju duna vërtetë. Në këtë mënyrë do të keni mundësi që të sheshoni të gjitha dyshimet.

Kushtetuesja riktheu pezullimin e Ballukut, Klosi: Rama mbron çdo vendim të SPAK

By: e xh
9 February 2026 at 23:26

Gjykata Kushtetuese mori vendimin, më 6 shkurt, për të rrëzuar padinë e kryeministrit ndaj GJKKO-së, në lidhje me masën e pezullimit, të vendosur nga kjo e fundit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Lidhur me këtë çështje pyetja që shtrohet në “tryezën e diskutimit” në emisionin Opinion në Tv Klan, është se çfarë do të bëjë Rama. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, trego tre veprimet kryesore që do të bëjë Rama në postim e Kryeministrit, të kreut të PS dhe si përfaqësues i të zgjedhurve shqiptarë.

Blendi Klosi: Jam shumë dakord që në parim një titullar i një institucioni i kujt niveli, nëse rast se kapet në gabim, në shkelje, në flagrancë mund të gjykohet direkt.

Fationa Mejdini: E ka kapur pra.

Blendi Klosi: Të kërkohet arrestimi, por jo ta pezullosh ti dhe institucioni që drejton X apo Y të ngelet pa funksion.

Blendi Fevziu: Pse po ta arrestojë a nuk shkon njësoj?

Blendi Klosi: Pyetja atje është çfarë do bëjë Rama? Çfarë i kërkohet Ramës që të bëjë?!

Blendi Fevziu: Çfarë do bëjë Rama, meqë e hapë këtë?

Blendi Klosi: E para si kryetar i Partisë Socialiste, po bën atë që ka bërë që kur mori pushtetin në vitin 2013 ka thënë që ne do ngremë një drejtësi të re mbi të cilën ne nuk do bëjmë asnjë gjykim, asnjë pengesë për atë se çfarë do të gjykohet. Dhe sot edhe në mbledhje të Grupit Parlamentar, por edhe publikisht mbron çdo vendim të SPAK dhe të drejtësisë së re, sa u takon vendimeve të çështjes.

Artan Hoxha: Përgjigju pyetjes!

Blendi Fevziu: Pse nuk e ngritën këtë çështje kur pezulloi SPAK-u Sali Berishën si deputet?

Blendi Klosi: Nuk e pezulloi, e izoloi. Çfarë duhet të bëjë Edi Rama si kryeministër?! Patjetër që duhet të garantojë atë detyrë që e ka marrë si funksionale, funksionimin e shtetit. Si kryetari i PS do të vazhdojë mbështetjen për SPAK, si kryeministri i vendit do të vazhdojë që shteti të funksionojë dhe si përfaqësues i të zgjedhurve shqiptarë është që të mbrojë këtë mënyrë të funksionimit te shtetit me të mirat dhe me të këqijat e saj.

Yesterday — 9 February 2026Main stream

Kush e drejton Ministrinë e Infrastrukturës pas pezullimit të Ballukut?

By: e xh
9 February 2026 at 22:52

“Kushtetuesja pezullon Ballukun, çfarë do të bëjë Rama” është tema që po diskutohet këtë të hënë në emisionin “Opinion”, pas mosvendimin të Gjykatës Kushtetuese, trupa gjykuese e të cilës të premten u nda 4 me 4 lidhur me ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lënë si rrjedhojë në fuqi atë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur avokati Ili Gërdupi. Një nga pyetjet që iu drejtua avokatit Gërdupi ishte nëse ky mosveprim e kthen në normë çështjen e pezullimit të ministrave nga ana e GJKKO-së. Por ai theksoi se ky vendim i Kushtetueses vetëm lë në fuqi pezullimin e ministres, por s’mund të kthehet në normë për shkarkimin e ministrave. Madje sipas tij, ky është i vetmi rast kur kryeministri apo një institucion tjeteër mund të rikërkojë një vendim.

Askush nuk mund ta bëjë përveç ministrit. Do jemi pa ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë.”, tha Gërgupi.

Ai shtoi se “Janë disa çështje për të cilat mund të delegohet e drejta, por janë disa funksione që janë ngushtësisht të lidhura me ministrin. Udhëzimet, urdhrat, janë gjëra që mund t’i lëshojë vetëm ministri. Propozimin e VKM-ve mund ta propozojë vetëm ministri. Bëhet një delegim me afat të caktuar, nuk besoj se do e zgjidhë problemin.Ky vendim nuk e normon çështjen në mënyrë përfundimtare, nuk ka një arsyetim i cili është arsyetim maxhorance dhe detyrues. Vendimet e GJK-së kanë detyrime edhe për arsyetimet, për shkak se nuk janë arritur 5 vota, ne do të konsiderojmë se asnjë nga arsyetimet nuk është detyrues dhe rrjedhimisht kjo çështje mbetet akoma për diskutim, për sa kohë nuk kemi një pezullim të radhës, sepse është i vetmi rast ku mund të kërkohet përsëri nga kryeministri ose një tjetër institucion që pretendon se po i cënohet e drejta nga ky vendim në Kushtetuese dhe të kërkojë një interpretim shterues.”, tha Gërdupi.

Avokati shtoi se gjyqtarët e Kushtetueses kanë 30 ditë afat nga data e shpalljes, që në këtë rast është data 6 shkurt, për ta zbardhur vendimin dhe më pas për ta publikuar në fletoren zyrtare. Që do të thotë se Balluku mbetet në detyrë zyrtarisht të paktën deri më 7 Mars.

Kërkesa për burg ndaj ish-krerëve të UÇK, Fevziu: Nuk vranë ata 20 mijë shqiptarë

By: e xh
9 February 2026 at 22:38

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këtë kërkesë të “Speciales” Fevziu e cilësoi si të padrejtë dhe absurde, duke theksuar se të akuzuarit nuk janë përgjegjës për krimet e rënda të kryera gjatë luftës së Kosovës dhe se dënime të tilla nuk janë dhënë as për autorët realë të krimeve në ish-Jugosllavi.

“Krime lufte, krime kundër njerëzimit. Katër drejtues të një strukture ushtarako-politike, e cila kurrë nuk u largua nga territori i Kosovës. Kurrë nuk tentoi që të sulmonte një strukturë tjetër. Qëndroi dhe luftoni gjatë luftës së Kosovës, sidomos në vitet ’97-’99. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorët e vrasjes së 1432 fëmijëve, që humbën jetën rrugëve të qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës. As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të vrasjes së mbi 20 mijë shqiptarëve, rreth 7-8 mijë të të cilëve nuk u gjenden ende eshtrat, të marrë peng dhe të masakruar gjatë luftës së Kosovës.

As Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Rexhep Selimi, as Jakup Krasniqi nuk janë autorë të masakrave me fëmijë, gra, të cilëve u janë prerë kokat dhe janë hedhur në kanale siç ka ndodhur në Rajçak dhe në shumë vende të tjera. Asnjë prej këtyre të katërve nuk ka qenë protagonist politik, apo ushtarak. U bënë protagonist për të mbrojtur familjet e tyre, fisin e tyre dhe tokën e tyre dhe në një moment të caktuar kur Kosova kishte nevojë, ata rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur të ardhmen e prindërve, të fëmijëve të tyre dhe të atyre vetë. Asnjë prej shkaktarëve realë të krimeve në Ish-Jugosllavi, në Bosnje, në Kroaci, Kosovë, Slloveni nuk ka marrë dënime të këtyre përmasave nga Gjykata e Hagës. Ndërkohë që një Gjykatë e Posaçme e Kosovës ka dhënë një dënim i barabartë me dënimin me burgim të përjetshëm”, tha Fevziu.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi bazën ligjore të vendimeve të Gjykatës Speciale, mungesën e së drejtës së faljes dhe pamundësinë e dëmshpërblimit, duke e cilësuar këtë çështje si “një rast turpi për Kosovën”.

“Ndërkohë ajo që është absurde, është që kjo gjykatë ka marrë vendime, në bazë të ligjit me të cilën është krijuar, duhet të vepronte me ligjet e Jugosllavisë të vitit 1998, që i ka anashkaluar. Dënimi më i lartë i Jugosllavisë duhet të shkonte 15 vjet. Deri tani nuk ka një gjykatë eprore që mund të kthente vendimet e saj. Nuk lejohet falja nga asnjë autoritet i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe vetë presidenten në rast dënimi, e drejta e faljes ekziston në çdo vend të botës. Dhe e katërta, asnjë prek katër të pandehurve edhe nëse do të shpallen të pafajshëm nuk mund të dëmshpërblehet për vitet që ka lënë në burg. Është një ligj që unë nuk e di se në cilin vend të globit ekziston, edhe pse për fatin e keq është votuar nga katër personat që sot po dënohen nga kjo gjykatë dhe nga Parlamenti i Kosovës. Nëse ka një rast turpi për Kosovës, rasti i turpit është ekzaktësisht ky”, përfundoi Fevziu.

U dënua me burg, vetëdorëzohet në polici kryebashkiaku i Rrogozhinës

By: e xh
9 February 2026 at 22:25

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, pas vendimit të Apelit të GJKKO, është vetëdorëzuar pasditen kësaj të hëne në Policinë e Rrogozhinës.

Memolla është vetëdorëzuar në zbatim të vendimit të Apelit që la në fuqi dënimin e shkallës së parë, 1 vit burg dhe 5 vite heqje të së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike.

Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë u shpall fajtor për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.

“Specialja” në Hagë kërkoi burg për Thaçin e 3 ish-krerëte UÇK, reagon Albin Kurti

By: e xh
9 February 2026 at 22:21

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me 180 vite burg në total të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Kurti shkruan se “Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste” dhe se “institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”.

Reagimi i plotë i Albin Kurtit:

Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe

By: e xh
9 February 2026 at 20:59

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

Përfytyro një mëngjes të zakonshëm, ku mëndja është hapa përpara trupit, duke projektuar ditën ndërsa duart kryejnë mekanikisht veprimet. Je duke u bërë gati të dalësh nga shtëpia dhe, me nxitimin e dikujt që kërkon të fitojë çdo sekondë, kap çantën, fik dritat dhe mbyll derën pas me një lëvizje të prerë e të sigurt.

Por, pikërisht në atë fragment sekonde, kur dora jote ende prek dorezën e ftohtë, një imazh i qartë dhe i pamëshirshëm të shfaqet në mëndje, ku çelësat e shtëpisë, të harruar mbi komodinë, saktësisht dy metra larg teje, por tashmë të paarritshme. Trupi yt ngrin në një pozicion absurd, ndërsa gishti tregues ende qëndron mbi dorezen e kyçit që sapo e vulose vetë.

Ndjen një lloj plogështie që të zbret nga koka deri te këmbët, një përzierje e mosbesimit me një irritim të thellë ndaj vetes. Sheh dorezën e palëvizshme dhe për një moment, instinkti yt të shtyn ta provosh, sikur me një mrekulli dera mund të hapet, por e di që është e kotë. Ky është momenti i përulësisë totale i një gabimi banal që të kujton se, pavarësisht planeve të mëdha, jemi gjithmonë vetëm një harresë larg kaosit. Brenda 50 deri në 100 milisekonda, shumë kohë përpara se mendja juaj koshiente të mund të procesojë ndjenjën “oh-jo-gabim”, “sistemi i alarmit” të trurit tuaj tashmë është aktivizuar.

Kjo njihet si Negativiteti i Lidhur me Gabimin. Kërkimet në Frontiers in Human Neuroscience (2025) konfirmojnë se ky sinjal e ka origjinën në Korteksin Cingular Anterior, i cili vepron si një detektor automatik i konflikteve. Korteksin Cingular Anterior në thelb njofton pjesën tjetër të trurit, duke bërtitur se realiteti i situatës nuk përputhet më me “parashikimin” e brendshëm të suksesit. Ndërsa ora shënon 200 deri në 500 milisekonda pas dështimit, ju kaloni në fazën e Pozitivitetit të Gabimit. Ky është momenti “Aha!” i njohjes së gabimit.

Sipas studimeve të fundit (Smith et al., 2025), fuqia e këtij sinjali është përcaktuese (“bëje ose dështo”). Nëse besoni se mund të përmirësoheni, truri juaj tregon një reagim shumë më të fort. Truri në ato milisekonda nuk vëren thjesht gabimin por analizon edhe burime metabolike për të analizuar pse ndodhi ai. Në këtë udhëkryq, Korteksi Paraballor Ventromedial dhe Amigdala përfshihen në një “stërvitje force”. Amigdala mund ta regjistrojë dështimin si një kërcënim social, duke nxitur një reagim stresi “lufta ose ikja”. Megjithatë, nëse korteksi paraballor arrin ta rregullojë me sukses këtë emocion, truri hyn në një gjëndje të rireshtimit neural.

Gjetjet e fundit të viteve 2024-2025 në neuroshkencë sugjerojnë se truri i përdor këto “të dhëna dështimi” për të përditësuar modelet e tij të sjelljes (behavior) parashikues. Në vend që të përsërisë të njëjtin cikël, truri rilidh shtigjet e tij qelizore duke bërë në thelb një “arnim” të lidhjeve të qelizave për të siguruar që parashikimi i radhës të jetë më i saktë. Nëse dështimi shkaktohet nga lodhja, reagimi i trurit është edhe më dramatik. Sipas kërkimeve të fundit, truri mund të bëj një shpërthim të shpejtë të lëngut cerebrospinal kur përjeton “dështim apo frikë”. Kjo është një “urgjence” fiziologjike, zakonisht e rezervuar për gjumin e thellë, duke treguar se truri e sheh dështimin e përsëritur si një sinjal se është tepër i “ngarkuar”. Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në New York.

#fatjonalubonja

❌
❌