Tirana fitoi 1-0 në transfertë ndaj Egnatias, në ndeshjen e javës së 22-të të Kategorisë Superiore.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Redon Xhixha në minutën e 40-të. Kryeqytetasit menaxhuan avantazhin në pjesën e dytë, duke përballuar presionin e vendasve.
Egnatia pati disa pretendime për penallti, por asnjëra nuk u konfirmua nga gjyqtari dhe VAR-i. Portieri Tafas ishte vendimtar për Tiranën me disa pritje në pjesën e dytë.
Me këtë sukses, Tirana largohet nga vendi i fundit dhe ngjitet në vendin e nëntë me 20 pikë. Egnatia mbetet në vendin e tretë me 39 pikë. Fitorja i jep Tiranës pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë./mxh
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur bllokimin e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas për shtatë orë, ku qindra qytetarë mbetën të bllokuar në trafik.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Boçi shprehet se bllokimi i aksit dhe rrëshqitja e masivit të dherave në Dragostunjë, nuk ndodhi për shkak të motit por për erdhi nga papërgjegjshmëria e qeverisë. Kjo sipas tij është një arsye më shumë për të protestuar më 10 shkurt.
Reagimi i plotë:
Bllokimi i aksit Librazhd-Qafë Thanë në Dragostunjë, nuk është rastësi, as çështje moti.
Është papërgjegjshmëri totale seriale e shtetit-parti, që as monitoron, as kontrollon, por vetëm korrupton.
Mijëra qytetarë vuajnë sot, duke qëndruar me orë të tëra në të ftohtë, mënyrën dhe skemën arrogante dhe korruptive të tenderimeve të parave të shqiptarëve.
Kush nuk ka arsye (të gjithë kanë) të gjejë këtu një arsye për të protestuar në 10 Shkurt!/mxh
Muaji i dashurisë ka nisur me ribashkime, të paktën kështu ka ndodhur për Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, të cilët janë filmuar të kapur për dore nga fotografët.
Në Instagram, nga The Hollywood Fix, është publikuar një video e dyshes ndërkohë që shkonin së bashku në emisionin “Jimmy Kimmel Live”.
Gjatë viteve, çifti ka përjetuar një sërë ndarjesh dhe ribashkimesh. Më e fundit ndodhi në janar të vitit të shkuar, kur ata i dhanë fund martesës së tyre.
Si kujtesë, Jennifer paraqiti kërkesën për divorc më 20 gusht të vitit 2024, pikërisht në dyvjetorin e dasmës së tyre në Georgia. Ajo deklaroi se data e ndarjes ishte 26 prilli, duke cituar “diferencat e papajtueshme” si arsyet e ndarjes, një shprehje tashmë klasike e yjeve të Hollywood-it.
Ndarja mes tyre nuk u shoqërua nga shumë drama dhe për këtë mjafton të kujtojmë një deklaratë të Ben Affleck, ku gjatë një interviste për GQ ai foli për herë të parë publikisht mbi divorcin, pas të cilit sipas tij nuk fshihej asnjë dramë.
“E vërteta është se, kur dikush të pyet: ‘Çfarë ndodhi?’, nuk ka një përgjigje të tipit ‘Ja çfarë ndodhi’,” u shpreh Affleck.
“Është thjesht historia e dy njerëzve që përpiqen të kuptojnë jetën dhe marrëdhëniet e tyre, ashtu siç bëjmë të gjithë zakonisht.”
Megjithatë, dyshimet filluan sërish për marrëdhënien mes tyre kur të dy ata u shfaqën gjatë premierës së filmit “Kiss of the Spider Woman” në New York. Dyshja pozuan së bashku dhe nuk i kursyen fjalët e mira ndaj njëri-tjetrit. Aktori vlerësoi talentin e saj ndërsa Jennifer Lopez e falenderoi për mbështetjen.
Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u lidhën në fillim të viteve 2000. Ata u fejuan, por nuk u martuan kurrë, duke përmendur si shkak “vëmendjen e tepërt të medias” në një deklaratë që njoftonte se dasma do të shtyhej. Përfundimisht, u ndanë në janar 2004./mxh
Një shkëmbim zjarri ndodhi në Milano mes policisë dhe një grabitësi, duke lënë këtë të fundit në gjendje kritike.
Sipas raportimeve, grabitësi, me origjinë të mundshme aziatike, sulmoi një roje sigurie italian 50-vjeçar që po shkonte në punë, duke e goditur me shkop dhe duke i rrëmbyer armën. Më pas, ai u përpoq të largohej dhe u ndoq nga patrullat e policisë, shkruan Corriere.
Rreth orës 15:17, njësia e specializuar UOPI e ndaloi grabitësin në Via Cassinis, përpara restorantit All America Diner. Ai hapi zjarr drejt makinës së patrullës, duke qëlluar të paktën tre herë. Oficerët iu kundërpërgjigjën zjarrit dhe e goditën burrin të paktën dy herë – një plumb në shpatull dhe një në kokë.
Atij iu dha trajtim i menjëhershëm nga mjekët dhe u transportua në Spitalin Niguarda në gjendje kritike, aktualisht në koma. Asnjë oficer nuk u plagos. Zona rreth ngjarjes u rrethua nga dhjetëra policë dhe hetimet mjeko-ligjore vazhdojnë.
Shkollat dhe bizneset në afërsi u evakuan përkohësisht, por askush nuk u lëndua. Grabitësi është nën mbikëqyrje të policisë dhe ngjarja po trajtohet si një incident i rëndë kriminal./mxh
Publikimi i dokumenteve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në faqen e tij zyrtare, ka nxjerrë në pah edhe komunikime ku përmenden emra të lidhur me Kosovën.
Në një prej email-eve të publikuara, të datës 19 shtator 2012, figuron të jetë përmendur emri i ish-presidentit dhe ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Email-i, i dërguar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?” dhe i drejtohet Jeffrey Epstein. Në përmbajtje, dërguesi, i identifikuar si “Daniel”, shkruan se “princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, duke bashkëngjitur një link nga YouTube, i cili aktualisht nuk është më funksional.
Në të njëjtin komunikim, përmendet edhe emri i konsulles së atëhershme të Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila thuhet se ka kërkuar që materiali t’i përcillet Epstein-it.
E njëjta konsulle përmendet edhe në një email tjetër të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York. Në atë email përmendet se “princesha nga Tajlanda do të jetë në Kombet e Bashkuara me presidenten e Kosovës”, duke i shprehur dëshirën për një takim gjatë asaj jave. Edhe pse presidentja nuk përmendet me emër, në vitin 2012 presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.
Mom Luang Rajadasari Jayankura ka folur më herët publikisht për rolin e saj në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe shtete të tjera. Në një tekst autorial, ajo përshkruan bashkëpunimin me Behgjet Pacollin, duke theksuar se ishte njohur me të në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se kishte vendosur të angazhohej për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo shkruan se kishte investuar përpjekjet e saj për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të shtetit të Kosovës për të ekzistuar si entitet sovran në sistemin ndërkombëtar politik, social dhe ekonomik.
Publikimi i këtyre email-eve nuk përmban akuza penale ndaj personave të përmendur, por dëshmon për komunikime dhe kontakte që janë bërë publike në kuadër të dokumenteve zyrtare të dosjes Epstein./mxh
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra punëtorë nga Bangladeshi, të punësuar në një fabrikë gomash në verilindje të Serbisë, që është në pronësi kineze, janë përballur me abuzime në punë që mund të përbëjnë trafikim të qenieve njerëzore, duke rikthyer vëmendjen tek investimi kyç kinez që për vite me radhë është përballur me polemika lidhur me trajtimin e punëtorëve të huaj.
Prokurorët serbë konfirmuan më 28 janar se kanë marrë një raport që pretendon se ka ndodhur trafikim i njerëzve dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve lidhur me punëtorët nga Bangladeshi në fabrikën e gomave Linglong që gjendet afër qytetit të Zrenjaninit. Autoritetet thanë se çështja po shqyrtohet, por nuk kanë njoftuar për ndonjë aktakuzë.
“Një numër punëtorësh, me asistencë ligjore, arritën të marrin pagat e papaguara, dhe të gjithë punëtorëve iu kthyen pasaportat”, tha për Radion Evropa e Lirë Marija Andellkoviç, drejtoreshë e Astra-s, një OJQ serbe që mbështet viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo shtoi se disa punëtorë u transferuan në Qendrën shtetërore të Serbisë për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Sipas Astra-s dhe grupeve të tjera që luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan, të cilat bënë publike këto akuza gjatë një konference për media, më shumë se 40 punëtorë nga Bangladeshi shkuan në Serbi në qershor të vitit 2025 pasi u rekrutuan nga agjenci punësimi në Bangladesh.
Shumë prej tyre u futën në borxhe deri në 10.000 dollarë për të siguruar një vend pune, një praktikë që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, i bëri ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit edhe para se të arrinin në Serbi. Shumë punëtorëve po ashtu iu konfiskuan pasaportat sapo arritën në Serbi për të punuar në fabrikë.
Këto akuza janë pjesë e fundit e një serie pretendimesh për punë me detyrim të lidhura me fabrikën Linglong, që paraqet një gur themel të partneritetit ekonomik të Serbisë me Kinën. Akuza të ngjashme më parë përfshinin punëtorë vietnamezë dhe indianë, gjë që nxiti paralajmërime nga institucione ndërkombëtare, përfshirë Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Punëtorët nga Bangladeshi refuzuan të flasin për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se kanë frikë për sigurinë e tyre. Kompania Linglong nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment.
Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së vitin e kaluar ndaloi importet e gomave të Linglong-ut, të prodhuara në Serbi, duke u thirrur në dëshmi për punë me detyrim.
Kompania Linglong hapi zyrtarisht fabrikën e saj në Serbi në shtator të vitit 2024, pas pesë vjetësh ndërtim. Me vlerë rreth 950 milionë dollarësh, projekti u cilësua nga Qeveria serbe si një investim me rëndësi kombëtare dhe konsiderohet një shtyllë e forcimit të lidhjeve ekonomike dhe politike të Beogradit me Pekinin.
Rekrutimi, borxhet dhe pasaportat e konfiskuara
Që kur shkuan në Serbi, punëtorët u punësuan në objektet për prodhim të Linglong-ut, megjithëse kompania nuk figuron si punëdhënësi i tyre në kontratat që janë analizuar nga OJQ-të.
Në vend të kësaj, dokumentet përmendin një kompani ndërmjetëse serbe, Mega Green Plus, me seli në fshatin Basaid, rreth 30 kilometra larg nga Zrenjanini.
Kompania Mega Green Plus, e themeluar në fund të vitit 2024 dhe në pronësi të një shtetasi kinez, nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë. Sipas të dhënave publike, kompania raportoi një humbje të vogël financiare më 2024 dhe nuk ofron asnjë informacion tjetër për stafin ose licencat për rekrutim të punëtorëve të huaj.
Punëtorët u thanë grupeve për të drejtat e njeriut se paguheshin më pak se paga minimale në Serbi, që është rreth 660 dollarë në muaj, dhe nuk kompensoheshin për orët shtesë, gjë që është e paligjshme sipas ligjeve serbe. OJQ-të e përfshira në këtë çështje thanë po ashtu se pasaportat e punëtorëve u mbajtën nga punëdhënësi për muaj të tërë.
“Kur disa punëtorë kërkonin rrogat e papaguara ose kthimin e dokumenteve të tyre, ata u përballën me frikësim dhe kërcënime”, tha për Radion Evropa e Lirë Tara Rukeci Millivojeviç nga Zrenjanin Social Forum, një OJQ në Serbi që dokumenton për vite të tëra abuzimet me punëtorët në këtë fabrikë.
Fotografitë e ndara me Radion Evropa e Lirë nga OJQ-të tregojnë kontejnerë të ngushtë pranë fabrikës, me shumë shtretër të vendosur në një dhomë të vetme. Aktivistët thanë se shpesh gjashtë deri në shtatë punëtorë ndanin një dhomë, duke fjetur në shtretër pa dyshek dhe duke përdorur ngrohës elektrikë gjatë dimrit, të vendosur afër shtretërve.
“Ata flenë, gatuajnë dhe lajnë rrobat në të njëjtën hapësirë”, tha Rukeci Millivojeviç, duke shtuar se punëtorët ishin ankuar për ushqim me cilësi të dobët, tualete të papastra dhe tuba që rridhnin.
Prokuroria e Lartë Publike në Zrenjanin njoftoi se policia, inspektorët e punës dhe qendra kundër trafikimit janë të përfshirë në shqyrtimin e rastit, por nuk ofroi një afat kohor se kur mund të dalë me gjetje. Institucione të tjera shtetërore nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Grupet për të drejtat e njeriut kritikuan atë që e përshkruan si një model hetimesh të vonuara ose të paplota në raste të mëparshme që lidhen me Linglong-un.
“Fakti që disa punëtorë morën pagesa të pjesshme nuk do të thotë se rasti është zgjidhur”, tha Rukeci Milivojeviç. “Ka ende tregues seriozë se mund të jenë kryer vepra penale”.
Për shkak të çështjeve të diskutueshme në të kaluarën, Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit i SHBA-së lëshoi në dhjetor të vitit 2025 një urdhër ndalimi për importet e gomave të makinave të prodhuara nga Linglong-u në Serbi, duke u thirrur në pretendime se ato ishin prodhuar përmes punës me detyrim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i hodhi poshtë këto pretendime pas ndalesës së vendosur nga SHBA-ja. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se akuzat e reja që përfshijnë punëtorë nga Bangladeshi sugjerojnë se praktikat abuzive të punës në fabrikën e Linglong-ut nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur.
“Kushtet çnjerëzore vazhdojnë të përsëriten”, tha Andellkoviç. “Dhe, reagimi i shtetit mbetet i pamjaftueshëm”./mxh
Pas rreth shtatë orësh pune intensive, është hapur për qarkullim segmenti i bllokuar i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u mbyll përkohësisht pasi trasesë iu derdhën qindra metra kub gurë dhe dhe, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbor nga shpati i kodrës.
Shpati ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të trasesë së re rrugore, në kuadër të projektit të njohur si Koridori VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” sh.p.k.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit të automjeteve në të dy drejtimet.
Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe paralajmërimet, veçanërisht në segmentet ku vijojnë punimet.
Hapja e rrugës erdhi pas një ndërhyrjeje emergjente që synoi garantimin e sigurisë së udhëtarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal në këtë aks të rëndësishëm lidhës mes Librazhdit dhe Prrenjasit./mxh
Situata është e vështirë në zonat malore të Korçës, pas reshjeve të borës.
Në majë të Mashkullores, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, trashësia e saj ka arritur deri në 1 metër.
Situata paraqitet e vështirë në zonat malore, ndërsa era e forte ka ndikuar në grumbullimin e dëborës ne segmenta te caktura.
Aksi rrugor Shtyllë–Panarit është aktualisht i kalueshëm vetëm për automjete tip fuoristradë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes./mxh
Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë, gazetarja e njohur Rezarta Reçi.
Reçi ishte autore dhe moderatore e emisioneve të shumta, ndër të cilat spikati “Arratia e Peshkut të Kuq” në News24, ku intervistoi qindra personalitete dhe solli për publikun histori me thellësi sociale dhe njerëzore.
Përveç punës si gazetare, ajo ishte edhe autore e disa librave, përfshirë vepra me intervista dhe rrëfime personale që reflektonin eksperiencat e saj jetësore dhe profesionale.
Reçi njihej gjithashtu për qëndresën dhe kurajon me të cilat përballoi sëmundjen e rëndë, duke qenë një shembull i fortë i përkushtimit ndaj jetës dhe profesionit deri në ditët e fundit./mxh
Gjatë vizitës së tij në Jerusalem javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për The Jerusalem Post, ku ka folur për antisemitizmin, marrëdhëniet me Izraelin, historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe luftën në Lindjen e Mesme.
Rama mori pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit “Generation Truth”, të organizuar nga Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në fjalën e tij në skenë në Jerusalem, ai citoi Talmudin: “Talmudi na mëson se kush shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën.”
Në intervistën për The Jerusalem Post, Rama shpjegoi se mesazhi i tij ishte universal: “Ka të bëjë me njerëzimin. Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit.”
Duke folur për lidhjen e tij personale me Jerusalemin, Rama tregoi se u rrit në Shqipërinë komuniste, të izoluar nga bota, ku Izraeli paraqitej si armik: “Që fëmijë isha i fiksuar pas Jerusalemit. Jetonim në një vend totalisht të izoluar dhe na mësonin se duhej të përgatiteshim për ‘betejën e madhe’, sepse ‘ata’ do të vinin për ne. ‘Ata’ ishin imperialistët amerikanë, social-imperialistët sovjetikë dhe sionistët izraelitë.
Një kanal ishte versioni zyrtar, gazetat e Partisë Komuniste, që flisnin për ushtrinë sioniste që vret dhe dëbon palestinezë. Kanali tjetër ishte Bibla e gjyshes sime, një katolike shumë besimtare. Bibla ishte e ndaluar, por ajo e kishte.”
Pas rënies së komunizmit, Rama u shpreh se filloi të mësonte më shumë për historinë e Izraelit dhe Jerusalemit: “Pas rënies së komunizmit nuk mund të shkoja në Izrael sepse nuk kishte lidhje ajrore apo detare. Por fillova të mësoj më shumë dhe kur erdha për herë të parë, dashuria vetëm u rrit.”
Gjatë intervistës, Kryeministri rikujtoi edhe historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe kodin e nderit “Besa”, duke theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u rrit gjatë luftës.”
Ai shtoi se Shqipëria ka dorëzuar mbi 3.700 emra hebrenjsh të shpëtuar pranë Yad Vashem. Rama përshkroi edhe kërkesat e nazistëve gjatë luftës: “Nazistët erdhën me dy kërkesa: listat e hebrenjve dhe listat e arit. Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe përfundimtare: ‘Ari mund ta merrni, hebrenjtë janë tanët për t’i mbrojtur’. Kjo nuk është legjendë, është fakt.”
Duke folur për situatën aktuale globale, Rama paralajmëroi për rikthimin e hapur të antisemitizmit: “Antisemitizmi po rikthehet hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor apo, edhe më keq, si superioritet moral. Urrejtja nuk fillon me dhunë. Fillon me gjuhën. Fillon me indiferencën. Fillon me justifikimet.”
Në lidhje me sulmin e 7 tetorit dhe luftën që pasoi, Kryeministri Rama ishte i drejtpërdrejtë: “Terrorizmi nuk është këndvështrim. Është krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte vrasje masive. Vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe vërtet zemërthyese.
Është çmenduri të mjegullosh vijat morale apo të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit. Paqja nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit.”
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend mik për hebrenjtë dhe Izraelin: “Nuk ka pasur asnjë shenjë antisemitizmi ndaj turistëve hebrenj në Shqipëri. Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është nder të konsiderohesh një mik i afërt i Izraelit.”/mxh
Ushtria gjermane(Bundeswehr) ka në dispozicion më shumë se 108 miliardë euro sivjet – një shumë e madhe dhe e paprecedentë. Ushtria financohet nga buxheti aktual federal dhe nga fondet speciale për të cilat shteti merr hua.
Me këto para Bundeswehri, tek i cili është kursyer për dekada, duhet të bëhet përsëri i aftë për luftë. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi qeveria federale druhet se Rusia mund të jetë e aftë të nisë ndonjë sulm në territorin anëtar të NATO-s që në vitin 2029.
Çfarë blen Bundeswehr me miliardat? Dhe si funksionon armatimi i shpejtë?
Drone luftarake për herë të parë për Bundeswehrin
Për një kohë të gjatë, nuk kishte shumicë politike për blerjen e dronëve luftarakë. Por lufta në Ukrainë, në të cilën dronët janë një faktor vendimtar, ka çuar në një ndryshim të të menduarit në Gjermani. Për herë të parë në historinë e saj, ushtria gjermane do të porositë disa mijëra dronë luftarakë këtë vit.
Porosia iu është dhënë me përparësi kompanive të reja të teknologjisë: startup-et Stark Defence nga Berlini dhe Helsing nga Mynihu do të marrin secila një porosi me vlerë deri në 300 milionë euro. Prototipet e konkurrentit Rheinmetall nuk i kanë bindur autoritetet e Bundeswehrit.
Do të blihen dronët kamikaze, të njohur në zhargonin teknik si “municione që ecin kot”. Dronëte pajisur me një kokë rakete përplasen në objektivin e tyre dhe vetëshkatërrohen gjatë këtij procesi. Ndër të tjera, me këto drona do të pajiset një brigadë e Bundeswehrit në Lituani, e cila po krijohet për të mbrojtur më mirë krahun lindor të NATO-s.
Mbrojtja kundër dronëve dhe armët lazer
Bundeswehri gjithashtu ka mangësi në mbrojtjen e tij kundër dronëve. Kjo duhet të zgjidhet duke kombinuar mbrojtje të ndryshme. Spektri varion nga pajisjet elektronike të bllokimit deri te automjeti i blinduar anti-ajror Skyranger 30, i cili gjithashtu mund të neutralizojë tufa dronësh.
Skyranger, i prodhuar nga koncerni Rheinmetall, është veçanërisht i rëndësishëm sepse ka gjithnjë e më shumë fluturime të dyshimta me dronë mbi Gjermani, përfshirë edhe mbi objektet e Bundeswehrit. Por ai mund të jetë i gatshëm për përdorim vetëm në vitin 2028. Skyranger do të bëhet sistemi kryesor i armëve të njësisë së sapoformuar kundërajrore të Bundeswehrit. Kjo njësi u shpërbë në vitin 2012 sepse u konsiderua se nuk ishte më e nevojshme.
Një armë e re lazer është planifikuar për mbrojtje kundër dronëve, kryesisht e rëndësishme për Marinën. Konkretisht, anijet kanë kapacitet të kufizuar për të ruajtur municione, dhe armët lazer kanë nevojë vetëm për energji elektrike. Një armë e tillë lazer për mbrojtje kundër dronëve, e zhvilluar nga kompanitë Rheinmetall dhe MBDA, tashmë ka kaluar fazën e testimit në Marinë. Tani është gjithashtu në listën e prokurimit të Bundeswehr.
Porosi edhe tek prodhuesit amerikanë
Edhe pse Bundeswehri blen kryesisht pajisjet e saj të reja nga prodhuesit gjermanë dhe evropianë të armëve, disa kontrata të mëdha janë lidhur edhe me koncernet amerikane. Për shembull, ajo për aeroplanin luftarak F-35A, i cili konsiderohet avioni luftarak më modern në botë. Qeveria gjermane porositi 35 copë nga gjigandi amerikan i mbrojtjes Lockheed Martin. Kostoja e të gjithë paketës, duke përfshirë armët dhe pjesët rezervë: gati dhjetë miliardë euro.
Një nga arsyet e zgjedhjes: F-35 mund të armatoset me bomba bërthamore amerikane në rast emergjence. Ky rol më parë luhej nga avionët Tornado të Bundeswehrit, të cilët së shpejti do të tërhiqen nga shërbimi për shkak të vjetërsisë së tyre. Flota gjermane F-35 bëhet kështu pjesë e ombrellës bërthamore të NATO-s mbi Evropën.
Përveç kësaj, Bundeswehri po blen edhe 60 helikopterë të rëndë transporti CH-47 Chinook nga koncerni amerikan Boeing. Në Evropë, thonë ekspertët, nuk ka produkt konkurrues me aftësi të tilla. Çmimi: 7.3 miliardë euro.
Nga Boeing vjen avioni i zbulimit detar P-8A Poseidon, i cili falë teknologjisë më moderne të sensorëve mund të monitorojë zona të mëdha detare dhe të zbulojë nëndetëse. Kopja e parë iu dorëzua Marinës Gjermane në vjeshtë. Sipas Ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD), ky avion mund të jetë kontributi i Gjermanisë për mbikëqyrje më të mirë të ujërave përreth Groenlandës, si pjesë e misionit të NATO-s.
Lajm për Bundeswehrin: projekti Uranos KI
Sistemet moderne të armëve nuk mund të imagjinohen më pa inteligjencën artificiale (IA). Se sa shumë po rritet rëndësia e saj, tregohet nga projekti Uranos KI, i cili do të pajisë brigadën Bundeswehr në Lituani.
Në krahun lindor të NATO-s, zona të mëdha duhet të monitorohen me saktësi ku futet në përdorim sistemi UI. Ai duhet të ndihmojë në analizimin e sasive të mëdha të të dhënave të mbledhura nga sensorë të ndryshëm. Kjo, për shembull, mund të lehtësojë zbulimin e dronëve armik. Detajet e projektit mbahen sekret nga Ministria e Mbrojtjes për arsye të mira.
Fregata F126: probleme me një projekt prestigjioz
Rasti i fregatës F126 tregon se jo të gjitha projektet e mëdha të kushtueshme ecin gjithmonë mirë. Pasi projektimi i anijes më të madhe luftarake të Marinës u prit me entuziazëm, zhgënjimi u shfaq shpejt gjatë ndërtimit. Kontraktori kryesor, kantieri holandez i anijeve Damen Naval, dështoi të zbatonte planet. Sipas raporteve të medias, rreth 1.8 miliardë euro janë investuar tashmë në F126. Projekti mund të kthehet në “gropë të miliardave”, kanë frikë politikanët e opozitës.
Tani kompania gjermane Naval Vessels Lürssen (NVL) duhet të marrë përsipër projektin dhe të shpëtojë atë që është ende e mundur. Por, meqenëse marina ka nevojë urgjente për fregata të reja për shkak të angazhimeve të NATO-s, po planifikohet një zgjidhje kalimtare.
Bundeswehri dëshiron të blejë fregata shtesë të tipit MEKO A-200 nga TKMS, prodhuesi më i madh i anijeve luftarake në Gjermani. Meqenëse ky model është ndërtuar tashmë për eksport, planet janë të plota. Por edhe kjo “zgjidhje kalimtare” sigurisht kushton shtesë, Bundestagu tashmë miratoi 7.8 miliardë euro shtesë për të vitin e kaluar.
Uniforma të reja për ushtarët e ardhshëm
Edhe për uniformat e reja dhe pajisjet personale, Bundestagu miratoi një shumë të madhe në fund të vitit të kaluar – për një total prej 460.000 ushtarësh. Kritikët kanë pyetur nëse kjo është e tepërt, pasi Bundeswehri aktualisht ka vetëm rreth 184.000 anëtarë. Por numri i ushtarëve duhet të rritet ndjeshëm, përfshirë rezervat, në 460.000 burra dhe gra. Kjo mund të zgjasë me vite, por uniformat do të jenë të disponueshme në numër të mjaftueshëm gjithsesi. Kur ushtarë të rinj bashkohen me shërbimin, “nuk mund t’i veshim me pantallona sportive”, shpjegoi Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius./mxh
Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm me dron rus pranë një autobusi të një kompanie në Ukrainën lindore. Sipas raportimeve paraprake shtatë të tjerë u plagosën nga sulmi në rrethin Pavlohrad.
Kështu ka njoftuar në Telegram shefi i administratës ushtarake rajonale Oleksandr Ganzha, i cili bëri me dije se kanë nisur hetimet për sulmin.
“Po hetojmë detajet. Një alarm ajror është duke u zhvilluar në rajon”, u shpreh Ganzha.
Kompania e energjisë DTEK tha se automjeti po transportonte punëtorët e saj nga një minierë në rajon, pasi kishin përfunduar turnin e tyre.
Kjo ngjarje vjen pasi të paktën nëntë persona u plagosën në sulme herët të dielën, sipas zyrtarëve lokalë. Gjashtë persona u plagosën në një sulm me dron në një maternitet në Zaporizhzhia, përfshirë dy gra që po i nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore kur u godit objekti./mxh
Manchester United ka siguruar një fitore drithëruese 3-2 ndaj Fulham në kuadër të javës së 24-t të Premier League.
Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick krijoi një avantazh prej dy golash falë Casemiros (19’) dhe Cunhas (56’), duke kontrolluar lojën deri në minutat e fundit.
Megjithatë, Fulham shkaktoi panik te vendasit duke barazuar rezultatin në harkun e gjashtë minutave me golat e Jimenez (85’) dhe Kevin (91’).
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, sulmuesi Benjamin Sesko shënoi golin e fitores në minutën e 94-t, duke u dhënë “Djajve të Kuq” tri pikë jetike. Me këtë sukses, United ngjitet në vendin e katërt me 41 pikë.
Ndërkohë, dita prodhoi surpriza të tjera, ku Aston Villa u mposht në shtëpi nga Brentford 0-1, ndonëse këta të fundit luajtën me dhjetë lojtarë, ndërsa Nottingham dhe Crystal Palace u ndanë në barazim 1-1./mxh
Anëtari i PD-së dhe mjeku, Ilir Alimehmeti ka folur ditën e sotme lidhur me rritjen e çmimit të barnave. Në një lidhje me Syri Tv, Alimehmeti tha se rritja është e paarsyetueshme dhe se nga kjo përfiton vetëm qeveria.
Ai tha më tej se ndërkohë që kemi rritje të çmimeve, qytetarët ende nuk kanë siguri për cilësinë e këtyre ilaçeve.
“Janë barna të shumë llojeve të ndryshme. Këto çmime të rritura kaq shpejt do të thotë se ka një interes brenda qeverisë për të pasur disa përfitime, ndërmjet disa aktorëve. Në këtë aspektet tentohet të mbulohet një boshllëk financiar, duke shtuar fiktivisht çmimet e disa ilaçeve të cilat në fakt nuk kanë asnjë arsyetim për të pasur këtë rritje. Nga njëri krah kemi rritje çmimesh, nga ana tjetër nuk kemi siguri për cilësinë e tyre. Kemi një ligj që nuk garanton dot nëse kemi barna të certifikuara ose jo në sistemin shëndetësor. Në këtë aspekt nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Kanë pritur fundjavën për ta shpallur rritjen. E theksoj këtu nuk ka asnjë argumentim tjetër, përveç se përfitimit të fondit nga njëri krah, dhe mbushjes së disa xhepave nga krahu tjetër. Çmimi i barnave në tregun shqiptar, qofshin të rimbursuara ose jo rregullohen nga Ministria e Shëndetësisë. Dhe përmes skemës së rimbursimit apo nga xhepi çmimin e paguan qytetari. Nuk ka asnjëlloj argumentimi që çmimi i ilaçeve të rritet, sepse nuk janë ilaçe të reja janë të njëjtat”, tha Alimehmeti./mxh
Një stuhi e fuqishme dimri ka goditur juglindjen e Shteteve të Bashkuara, duke sjellë reshje të mëdha bore në Karolinat e Veriut dhe Jugut, si dhe në shtetin fqinj, Xhorxhia, të shtunën (31 janar).
Sipas raporteve lokale, të gjitha zonat e Karolinës së Veriut dhe Karolinës së Jugut, si dhe disa pjesë të Xhorxhias, Tenesit lindor, Kentakit dhe Virgjinisë jugore, kanë qenë nën paralajmërim për stuhi dimri.
Megjithatë, banorët thanë se ishin të përgatitur për këto kushte dimri, sidomos në rajone që zakonisht nuk janë të njohura për mot kaq të ashpër.
“Siguruam shumë ushqim dhe gjëra të tjera për t’u përgatitur, për rastin që mund të mbetemi të bllokuar për disa ditë,” tha Michael Cummings, banor i qytetit Charlotte në Karolinën e Veriut, i cili e ndjeu se shteti ishte mirë i përgatitur dhe do të bënte “një punë të mirë” për të përballuar stuhinë.
Autoritetet e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Karolinën e Jugut gjithashtu ishin të përgatitura për stuhinë dimri. Kreu i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Couchton, Richmond Lamb, tha se Divizioni i Menaxhimit të Emergjencave të shtetit kishte bërë përgatitje gjatë javës së kaluar për kushte të tilla ekstreme të motit./mxh
Në shtëpinë e Big Brother VIP, raporti mes Mirit dhe Selinës ka hyrë në një fazë të re. Pasi kanë ndërtuar lojën bashkë që nga fillimi, një deklaratë e Selinës ka bërë që Miri të rishikojë pozicionin e tij në këtë aleancë.
Selina ka shprehur hapur se mund të shkëputet nga loja me Mirin, duke lënë të kuptohet se është gati ta vazhdojë rrugëtimin e saj e vetme. Kjo deklaratë nuk ka kaluar pa reagim nga ana e Mirit, i cili duket se po përpiqet të jetë një hap përpara dhe të mos mbetet i ekspozuar në lojë.
Gjatë një bisede me Stelinën dhe Krusitën, Miri foli për raportin e tyre dhe theksoi se, për shkak të situatës personale dhe statusit të tij familjar, ai kishte më shumë për të humbur nga një keqinterpretim i kësaj marrëdhënieje. Ai nënvizoi se kishte vendosur kufij të qartë dhe se nuk kishte lejuar që loja të prekte familjen e tij.
Sipas Mirit, afrimiteti mes tij dhe Selinës kishte ndryshuar me kalimin e kohës, ndërsa ardhja e Gimbos ka ndikuar ndjeshëm në këtë raport, duke e lënë atë jashtë dinamikës që kishin ndërtuar më parë. Ai shtoi se nuk ka ndërmend ta ndjekë Selinën apo të jetë pjesë e strategjisë së saj, duke bërë të qartë se secili duhet të luajë lojën e vet.
Në fund, Miri u shpreh se loja e përbashkët kishte funksionuar deri në një pikë, por momenti i deklaratës së Selinës për t’u shkëputur nga ai e ka bërë të kuptojë se rrugëtimi i tyre në lojë mund të vazhdojë ndaras./mxh
Justin Timberlake është shfaqur sërish në skenë për herë të parë pasi bëri publike diagnozën e tij me sëmundjen Lyme.
Artisti i njohur për hitin “SexyBack” performoi të enjten në mbrëmje në një event special nderimi për Pharrell Williams, në kuadër të Recording Academy Honors, organizuar nga Black Music Collective.
Gjatë performancës, Timberlake (45 vjeç) ndau me publikun disa fjalë prekëse për Williams, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm që ai ka pasur në jetën dhe karrierën e tij.
“Çdokush që ka qenë në të njëjtën energji me Pharrell Williams është transformuar përgjithmonë,” u shpreh ai, sipas The Hollywood Reporter.
“Ai hyri në jetën time në një moment kur po kërkoja veten dhe, në mënyrë të çuditshme, më bëri të ndihesha sikur i përkisja diku. Kreativiteti yt është i jashtëzakonshëm, energjia jote është ngjitëse… Ti ma ndryshove jetën dhe do të jem gjithmonë mirënjohës.”
Pharrell Williams u nderua gjatë këtij eventi me Çmimin Dr. Dre Global Impact.
Timberlake kishte qëndruar larg performancave live pas përfundimit të turneut Forget Tomorrow në korrik të vitit të kaluar. Më pas, ai zbuloi se ishte diagnostikuar me sëmundjen Lyme.
“Nuk e ndaj këtë për të ngjallur keqardhje, por për të hedhur dritë mbi atë që kam kaluar pas skenave,” shkroi ai në një postim në Instagram. Këngëtari shpjegoi se diagnoza i dha përgjigje dhimbjeve nervore, lodhjes ekstreme dhe ndjesive të vazhdueshme sëmundjeje që përjetonte gjatë performancave.
Përballë kësaj sfide, Timberlake u detyrua të merrte një vendim të vështirë: të ndalonte turnetë apo të vazhdonte përpara. Në fund, ai zgjodhi të mos heqë dorë, duke theksuar se dashuria për muzikën dhe energjia që merr nga publiku e tejkalojnë çdo vështirësi fizike të përkohshme./mxh
Dalja e papritur e Limit nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova 4 ka shkaktuar reagime dhe shumë pikëpyetje tek publiku. Vetëm pak pas largimit, ish-banori ka reaguar publikisht për herë të parë, duke sqaruar arsyet që çuan në përfundimin e rrugëtimit të tij në këtë format.
Sipas Limit, vendimi për t’u larguar nuk ishte i papritur apo impulsiv, por pjesë e një marrëveshjeje të përcaktuar që në fillim me produksionin. Ai bëri të ditur se largimi u aktivizua pas marrjes së një telefonate të caktuar, e lidhur me një çështje tepër personale.
Limi shpjegoi se që përpara hyrjes në shtëpi kishte vendosur një kusht të vetëm: në rast se do të merrte një telefonatë të tillë, ai duhej të largohej menjëherë nga loja. Ky kusht, sipas tij, u respektua nga produksioni sapo situata u paraqit.
“Duhet ta pranoj ashtu siç vjen,” u shpreh ai, duke theksuar se, ndonëse nuk është njeri që heq dorë lehtë, rrethanat personale nuk i lanë tjetër zgjedhje. Ai shtoi se, pavarësisht dëshirës për të vazhduar garën, rrugëtimi i tij në shtëpi duhej të ndalej në atë moment.
Në fund të deklaratës, Limi la të kuptohet se arsyeja kryesore e largimit lidhet me jetën jashtë shtëpisë, duke e mbyllur me fjalët: “Por çka të bëjmë, kjo është jeta”./mxh
Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar të dielën 34 prej 43 të intervistuarve, të cilët dyshohen për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.
Atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur të dielën se ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që të intervistojë kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta. Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim. Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen. Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë përmes një postimi në Facebook se KQZ-ja ka kryer shkelje, fillimisht duke shpallur rezultate pa u konsumuar afati ligjor për ankesa, dhe më pas duke shpallur rezultate “të pjesshme”.
“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por, duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”, ka thënë Cakolli.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.
Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave./mxh
Banorët e kryeqytetit ukrainas, Kyiv, thanë të dielën (1 shkurt) se po hasin vështirësi me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe ngrohjes, pavarësisht ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Një pjesë e qytetarëve ecën me kujdes nëpër rrugët e mbuluara me akull, ndërkohë që tingulli i gjeneratorëve të energjisë elektrike ishte i pranishëm kudo.
Dy ditë më parë, Kremlini njoftoi se kishte rënë dakord për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri të dielën, pas kërkesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe autoritetet ukrainase thanë se do të përgjigjeshin me të njëjtin veprim.
Kyiv tha se ky ndalim i sulmeve do të vazhdonte deri të premten e ardhshme.
Yurii Fomin, një veteran lufte 50-vjeçar, u shpreh se nuk kishte parë përmirësim dhe vazhdonte të përballej me probleme të vazhdueshme në furnizimin me energji dhe ngrohje, megjithatë shtoi se ishte mësuar të përballonte këto kushte.
Në kryeqytetin Kyiv, Kryetari i Bashkisë, Vitali Klitschko, njoftoi se 1,000 ndërtesa shumëkatëshe ishin ende pa ngrohje të dielën, ndërkohë që një valë e re të ftohti e ashpër kishte përfshirë shumicën e vendit. Temperatura në qytet ishte rreth -15 gradë Celsius (5 Fahrenheit), ndërsa punonjësit po punonin me shpejtësi për të rikthyer ngrohjen në qindra prej rreth 3,500 ndërtesave të larta që u preken nga një defekt i gjerë në rrjetin e energjisë të shtunën.
Përfaqësuesit e qeverisë ukrainase nuk e lidhën drejtpërdrejt këtë defekt me dëmet nga lufta, por ndërprerjet e energjisë që preken edhe shtetin fqinj Moldavi nënvizonin dobësinë e sistemit energjetik të Ukrainës pas muajsh sulmesh nga Rusia./mxh