Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Silvinjo dhe zëvendëstrajnerët rinovojnë kontratat me FSHF

By: e xh
8 January 2026 at 14:40

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar.

Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.

Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.

Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët.

Dimri mbërthen Europën: Kaos në trafik nga dëbora dhe ngricat

By: e xh
8 January 2026 at 14:26

Dimri po mban në “kthetrat” e veta rajone të tëra në Europë. Në Holandë për të dytën ditë radhazi ka pasur anulime fluturimesh në aeroporte. Në Paris u ndërpre përkohësisht qarkullimi i autobusëve.

Reshje të dendura dëbore dhe temperaturat me ngrica po shkaktojnë probleme në mbarë Europën. Në Holandë në aeroportin e Amsterdamit Schiphol u anuluan mbi 700 fluturime gjatë dy ditëve të fundit. Mbi 1.000 pasagjerëve u është dashur të kalojnë natën në aeroport duke fjetur në dyshekë palosës, sikurse njofton aeroporti në faqen e vet të internetit. Autoritetet e aeroportit parashikojnë, që moti dimëror me erëra të forta do të vazhdojë. Edhe qarkullimi i trenave në Holandë ka pasur pengesa dhe anulime duke u paralizuar pjesërisht prej reshjeve të borës.

Dimri mbërthen Europën: Kaos në trafik nga bora dhe ngricat

Edhe në Francë moti ka shkaktuar probleme në qarkullim. Në Paris përkohësisht në të gjithë qytetin u ndërpre shërbimi urban i autobusëve. Edhe në qarkullimin e tramvajeve, metrosë dhe trenave rajonal ka pasur pezullime. Në aeroportet e Parisit u reduktuan fluturimet. Rrallëherë vitet e fundit shtresa e borës ka qendruar kaq gjatë në Paris. Edhe në veri të Francës si në Lille ka pasur vështirësi në qarkullim. Në mbarë vendin në autostrada ka pasur pengesa me rreth 1.650 kilometra gjithsej, sikurse shkruan gazeta Le Parisien. Si pasojë e aksidenteve rrugore në Francë kanë humbur jetën gjithsej pesë vetë.

Stuhia e presionit të ulët “Elli” sjell më shumë borë

Gjermania ditët e ardhshme gjithashtu pritet të ketë mot të trazuar: Pas reshjeve të ditëve të fundit pritet një valë më intensive bore deri të premten. Më pas vala e presionit të ulët do të lëvizë drejt Europës Qendrore duke sjellë borë dhe akull, njofton shërbimi sinoptik i Gjermanisë (DWD). Meteorologët parashikojnë për të premten (09.01.2026) në veri dhe në lindje një valë stuhie me drejtim lindjen. Kjo do të çojë në uljen e temperaturave shoqëruar edhe me reshje bore./DW/

PD kërkesë qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore, kompensoni banorët

By: e xh
8 January 2026 at 14:19

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.

Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Më poshtë letra e plotë të Kryetari të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.

Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.

Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.

Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:

  1. Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
  2. Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.
  3.  Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Përsa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.

Deklaratat e Trump, banorët në Groenlandë: Nuk jemi në shitje

By: e xh
8 January 2026 at 14:17

“Populli i Groenlandës nuk dëshiron të bëhet amerikan,” i thotë BBC-së Mia Chemnitz. “Ne nuk jemi në shitje.” Biznesmenia 32-vjeçare nga kryeqyteti Nuuk pasqyron ndjenjat e shumë banorwve nw Groenlandw që kanë folur për BBC-në lidhur me aspiratat e fundit të administratës Trump.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se po diskuton “aktivisht” një ofertë për blerjen e territorit, i cili prej shekujsh i përket Danimarkës. Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tij kanë lënë më herët të kuptohet se, nëse do të ishte e nevojshme, SHBA do të ishte e gatshme ta merrte Groenlandën edhe me forcë. Këto deklarata kanë shkaktuar ankth dhe zemërim te banorwt, si në ishullin më të madh në botë, ashtu edhe në diasporë.

Tensioni u rrit edhe më shumë pasi SHBA transferoi presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, nga rezidenca e tij në Karakas në Nju Jork, me akuza për trafik droge dhe narco-terrorizëm — një veprim ushtarak i paprecedentë. Menjëherë pas kësaj, bashkëshortja e një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se “radha” i takonte Groenlandës.

“Këtu ndaloi së qeni diçka abstrakte,” thotë Tupaarnaq Kopeck, 40 vjeçe, e cila është shpërngulur në Kanada — një tjetër vend që Trump ka kërcënuar ta aneksojë. “Për herë të parë, kontaktova motrën time në Groenlandë dhe i thashë se, nëse e paimagjinueshmja do të bëhej realitet, do të kishin një vend ku të strehoheshin tek ne.”

Aaja Chemnitz, një nga dy deputetet e Groenlandës në parlamentin danez, i quan komentet e administratës Trump “një kërcënim të qartë” dhe shprehet se është “e tmerruar”.
“Është krejtësisht mosrespektuese nga ana e SHBA-së të mos përjashtojë aneksimin e vendit tonë dhe të kërcënojë një tjetër aleat të NATO-s,” thotë ajo.

Groenlanda është territori më pak i populluar në botë. Me pjesën më të madhe të ishullit të mbuluar nga akulli, shumica e popullsisë jeton në Nuuk dhe përgjatë bregdetit jugperëndimor. Megjithatë, ajo ka rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në, çka shpjegon edhe praninë ushtarake amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pozicioni i Groenlandës midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë kyçe për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore. Së fundmi, është shtuar edhe interesi për burimet natyrore, përfshirë mineralet e rralla, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike.

“Nuk është e lehtë të jesh 56 mijë banorë dhe të përballesh me këto kërcënime — nëse mund t’i quajmë të tilla — nga një gjigant si SHBA,” thotë Masaana Egede, redaktor i gazetës groenlandeze Sermitsiaq. “Qytetarët janë të shqetësuar dhe nuk e marrin këtë çështje lehtë.”

Ekspertët përgjithësisht bien dakord se një ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të ishte e lehtë nga ana teknike, por pasojat gjeopolitike do të ishin shkatërruese, duke rrezikuar fundin e aleancës së NATO-s. Pas rihapjes së çështjes së Groenlandës nga Shtëpia e Bardhë, gjashtë aleatë europianë lëshuan një deklaratë ku theksuan se e ardhmja e territorit duhet të vendoset nga vetë populli i tij — diçka për të cilën Mia shprehet mirënjohëse. Megjithatë, ajo shqetësohet se kjo mund të ketë pak peshë nëse “nuk shoqërohet me pasoja dhe veprime konkrete”.

Dëbora bllokon rrugën Librazhd-Peshkopi, asnjë masë për pastrimin e rrugës

By: e xh
8 January 2026 at 13:46

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në shumë qarqe të vendit.

Në aksin rrugor Librazhd-Peshkopi, në vendin e quajtur kthesa e Lunikut janë bllokuar automjetet për shkak të dëborës. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.

Tashmë prej tre ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Në 48 orët e para reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në disa qytete, ndërsa gjatë natës kanë nisur reshjet e dëborës, kryesisht në veri dhe juglindje.

Përmbytjet/ Rama mbledh nesër Komitetin e Emergjencave, çfarë pritet të diskutohet

By: e xh
8 January 2026 at 13:43

Situata e krijuar nga reshjet e shiut do të jetë në fokus të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave.

Mësohet se ditën e nesërme në orën 8:30, kjo mbledhje do të drejtohet nga kreu i qeverisë Edi Rama në kryeministri.

Do të analizohet situata aktuale dhe çfarë ndërhyrjesh të tjera shtetërore do të duhet të ndërmerren.

Po ashtu, do të diskutohet edhe për dëmshpërblimet për të prekurit nga kjo situatë.

Berisha u bën thirrje banorëve në Novoselë: Evakuohuni sa më parë

By: e xh
8 January 2026 at 13:12

Edhe nga konferenca e kësaj të enjteje, kreu i PD Sali Berisha ka kërkuar nga qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pas përmbytjeve nga moti i keq në vend.

Berisha u bëri thirrje banorëve të Novoselës të evakuohen menjëherë për shkak të prurjeve të shumta në lumin Vjosa.

“Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.
U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij.

Lumenj të tjerë kanë dalë dhe përmbytur zona siç është lumi i Drojës, që në fakt është një përrua në realitet, por gjatë shtrëngatave të mëdha bëhet lumë i rrëmbyer dhe ka çarë argjinaturat dhe ka përmbytur zonat e tjera.
Në asnjë vend nuk gjenden qeveria dhe përfaqësuesit e narko-qeverisë, përveçse ministri i Drejtësisë që kishte shkuar në burg dhe kishte veshur kominoshet e burgut për të dëshmuar se qeveria e tij është një qeveri e mbytur komplet.

Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia. Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin“- u shpreh Berisha.

SHBA tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

By: e xh
8 January 2026 at 13:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”.

Ne mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Në Komisionin e Venecias – që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë – SHBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”. Po ashtu, SHBA-ja është tërhequr nga disa organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara përfshirë nga Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendra Botërore e Tregtisë, Komisioni i Ligjit Ndërkombëtar, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondi i OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh ndërkombëtare.

“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Trump se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.

SHBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare./rel

Çështja “Balluku”, Bardhi: Po përgatisim padinë në SPAK për Peleshin

By: e xh
8 January 2026 at 12:45

Anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve, kanë deklaruar se edhe sot nuk është zhvilluar mbledhja, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, çka i hap rrugë arrestimit të kësaj të fundit.

Sipas PD, Kuvendi me urdhër nga kryeministri po mban peng mbledhjen e Këshillit të Mandatve. Ata shprehen se kryeparlamentari Niko Peleshu po vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit.

“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku. Deputetët e PD e gjejnë derën e sallës së mbledhjes të mbyllur”, shprehen anëtarët e Partisë Demokratike.

Pyetur nëse do të bëjnë publike 16 mijë faqet me prova, Gazment Bardhi u shpreh se nxjerrja e sekretit hetimor, do ishte në interes të Belinda Ballukut duke u penguar drejtësia.

Gazment Bardhi: Së pari nuk e kam dëgjuar të plotë deklaratën e z.Shehaj, por nuk ka nevojë për prova të tjera shtesë për qeverisjen e korruptuar. Balluku për ato që është akuzuar ka mjaftueshëm të dhëna që ka kryer krim në mënyrë të përsëritur. Në gjykimin e 5 anëtarëve të opozitës, është vetëm respekti ndaj ligjin, ai që mbron interesin publik. Ligji ekziston për të mbrojtur interesin publik. Nuk mund të pretendosh që je me drejtësinë, kur e cenon drejtësinë. Do të duhet të ruhet sekreti hetimor që të mos cenohen hetimet. Prandaj çdo thirrje që bëhet për shkelje ligji, është në fakt një thirrje në interes të Belinda Ballukut dhe të Edi Ramës. As nuk kemi ndërmend ta bëjmë. Edi Rama i ka marrë provat. 

Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi paralajmëroi se grupi i PD do të paraqesë padi në SPAK për shpërdorim detyre ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Përmbytjet në Fier, jepet urdhër evakuimi dhe për banorët e fshatit Ferras

By: e xh
8 January 2026 at 12:42

Autoritetet civile në Fier kanë shpallur evakuim të menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Ferras, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet.

Evakuimi po organizohet nga Bashkia Fier, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat e emergjencave civile, duke u dhënë prioritet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara.

Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, dhe Forcat e Armatosura, ndërsa strehimi dhe asistenca do të menaxhohen nga strukturat lokale, përfshirë policinë dhe shërbimet shëndetësore.

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Njoftimi:

Në zbatim të:
* Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
* Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
* Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë FIER

Njësisë Administrative FERRAS

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
* Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
* Prefektin e Qarkut përkatës
* Strukturat e Emergjencave Civile në bashki

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
* Fëmijët
* Të moshuarit
* Personat me aftësi të kufizuara
* Familjet në zona të izoluara

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
* Mjetet e Bashkisë
* Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
* Forcat e Armatosura

MENAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUARVE
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
* Policinë e Shtetit
* Njësitë e kujdesit shëndetësor
* Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
* Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
* Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
* Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.

Për çdo situatë

Evakuim i menjëhershëm për banorët e Sukthit dhe Katundit të Ri në Durrës

By: e xh
8 January 2026 at 12:20

Autoritetet kanë shpallur evakuim të menjëhershëm për banorët e Bashkisë Durrës, konkretisht në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, ndërsa evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim dhe kërkesë për ndihmë t’u drejtohet strukturave publike në terren.

Në procesin e evakuimit, prioritet do të kenë:

fëmijët,
të moshuarit,
personat me aftësi të kufizuara,
familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.

Sa i përket strehimit të të evakuuarve, ai do të menaxhohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale. Do të kryhet regjistrimi i qytetarëve në momentin e mbërritjes, si dhe do të sigurohen ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, sipas nevojës.

Braho zhvillon mbledhjen e parë si drejtues i SPAK, zbulohet kërkesa për prokurorët

By: e xh
8 January 2026 at 12:17

Klodian Braho ka mbajtur sot mbledhjen e parë si drejtues i SPAK me gjithë trupën e prokurorëve.

Gjatë mbledhjes, e cila ka zgjatur gati një orë, Braho ka prezantuar drejtuesit e rinj të seksioneve: Vladimir Mara si drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Dorina Bejko si shefe e Seksionit kundër Korrupsionit dhe Altin Dumani si shef i marrëdhënieve me jashtë.

Braho ka kërkuar hetime efikase dhe vëmendje të shtuar ndaj çështjeve të vjetra që ndodhen në duart e prokurorëve.

Braho u zgjodh si drejtues i SPAK muajin e kaluar. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Braho mori 7 vota nga 11 anëtarët, kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori vetëm një votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Braho pason në detyrë Altin Dumanin dhe do të qëndrojë për tre vitet e ardhshme në krye të këtij institucioni.

Moti i keq, urdhërohet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Novoselës

By: e xh
8 January 2026 at 12:11

Banorët e Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë kanë marrë një urdhër të menjëhershëm evakuimi, për shkak të rrezikut të lartë të përmbytjeve nga lumi Vjosa.

Ministria e Mbrojtjes tha se si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve. Në këtë operacion do të përfshihet Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Prefektura e rrethit dhe Strukturat e Emergjencave Civile në bashkinë e Vlorës.

Sipas raportimeve, Vjosa ka kaluar nivelin e 9 metrave lartësi dhe ka shkaktuar probleme edhe në zona të tjera, si në Fier dhe Memaliaj.

Durrës, e merr rrjedha e ujit, 54-vjeçari gjendet i pajetë në një kanal kullues

By: e xh
8 January 2026 at 12:04

Një 54-vjeçar ka humbur jetën në Durrës, pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit.

Policia tha se kishte nisur kërkimet për personin, pasi ishte raportuar nga familjarët se ai ishte larguar nga banesa. Fatkeqësisht, palombarët e Reneas gjetën trupin e pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.

Çfarë planesh ushtarake ka Izraeli me Greqinë dhe Qipron?

By: e xh
8 January 2026 at 10:10

Qiproja, Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak. Megjithatë, Turqia është më e shqetësuar për blerjen gjithnjë e më të madhe të sistemeve të armëve të përparuara nga Izraeli.

Javën e kaluar, në Qipro u nënshkrua një plan bashkëpunimi ushtarak trepalësh midis Qipros, Greqisë dhe Izraelit, i ndjekur nga dy plane bashkëpunimi dypalësh – midis Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Forcave të Armatosura Greke, dhe midis IDF dhe Gardës Kombëtare të Qipros.

Marrëveshjet u nënshkruan në Nikozi gjatë takimit të përbashkët vjetor të shtabeve ushtarake të tre vendeve. Nënshkrimi i tyre u njoftua zyrtarisht nga ushtria izraelite. Lajmi u prit kryesisht pozitivisht në median dhe publikun qipriot.

Edhe pse detajet e marrëveshjeve nuk u bënë publike, DW ka mësuar se ato përfshijnë dispozita për ushtrime dhe trajnime të përbashkëta ushtarake, krijimin e grupeve të punës në fusha të specializuara dhe zhvillimin e një dialogu strategjik ushtarak.

Sipas të njëjtave burime, marrëveshjet parashikojnë gjithashtu shkëmbimin e ekspertizës mbi kërcënimet moderne të sigurisë, duke përfshirë sistemet pa pilot dhe luftën elektronike.

Bashkëpunimi tripalësh – një aleancë e re?

Njoftimi i bashkëpunimit ushtarak është zbatim praktik i vendimeve politike të marra nga udhëheqësit e tre vendeve – Benjamin Netanyahu, Kyriakos Mitsotakis dhe Nikos Christodoulides – gjatë samitit të 10-të tripalësh të Izraelit, Greqisë dhe Qipros, të mbajtur më 22 dhjetor.

Duke përmbledhur një deklaratë të përbashkët për shtyp të lëshuar pas takimit në Jeruzalem, Presidenti i Qipros Nikos Christodoulides tha se të tre vendet kishin vendosur të thellonin bashkëpunimin “me fokus në energji, mbrojtje dhe siguri”, duke bërë thirrje për “marrëveshje që do të kalojnë menjëherë në fazën e zbatimit”.

Duke folur për DW, Zenonas Tziarras, nga Departamenti i Studimeve Turke dhe të Lindjes së Mesme në Universitetin e Qipros, theksoi se bashkëpunimi trepalësh midis këtyre vendeve nuk është i ri dhe se samiti i parë i tillë u mbajt në vitin 2016.

Duke theksuar se Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë bashkëpunuar në këto fusha për vite me radhë, Tziarras paralajmëroi se, pavarësisht tendencës së udhëheqësve politikë për të ekzagjeruar rezultatet e këtyre takimeve, duhet të jetë e qartë se “bashkëpunimi ushtarak, i mbrojtjes dhe i sigurisë nuk përbën në vetvete një aleancë”.

“Një aleancë e vërtetë nënkupton një angazhim për mbrojtje kolektive, sipas të cilit një sulm ndaj një shteti konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Bashkëpunimi aktual trepalësh është pra një ‘aleancë’ vetëm në emër”, tha ai.

Shqetësimet e Turqisë në lidhje me blerjet e armëve izraelite

Mungesa e rezultateve konkrete, të cilat mund të ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë në Mesdheun Lindor, mund të shpjegojë edhe reagimin relativisht të përmbajtur të Turqisë pas njoftimit të marrëveshjes.

Presidenti turk Erdogan, ndryshe nga mediat turke pro-qeveritare që e përshkruan bashkëpunimin si një “bosht të së keqes anti-turke”, mori një ton dukshëm të moderuar, duke deklaruar se iniciativat e tre vendeve “nuk kanë peshë të vërtetë”, duke i krahasuar ato me “zhurmë boshe, si zhurma e një kanaçeje”.

Ajo që duket se e shqetëson Turqinë më shumë sesa vetë marrëveshjet trepalëshe është fakti se Greqia dhe Qiproja po i drejtohen gjithnjë e më shumë Izraelit për prokurimin e sistemeve moderne të armëve.

Në rastin e Qipros në veçanti, Ankaraja ka lëshuar paralajmërime të forta se blerja e armëve nga Izraeli mund të çojë në destabilizim në ishull.

Ishulli i Qipros është ndarë që nga viti 1974, pas një ndërhyrjeje ushtarake turke, në Republikën e Qipros të njohur ndërkombëtarisht dhe Republikën e vetëshpallur Turke të Qipros Veriore (TRNC). Pjesa veriore e ishullit është nën kontrollin ushtarak turk dhe administrohet nga institucionet e TRNC-së.

Kundërshtimi i Turqisë

Reagimi i Turqisë ishte veçanërisht i ashpër shtatorin e kaluar, kur sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore Barak MX u instalua dhe u vu në përdorim operacional në Republikën e Qipros.

Kapacitetet e sistemit janë të krahasueshme me sistemin izraelit të mbrojtjes nga raketat Iron Dome. Ndërsa blerja ishte pjesë e vendimit të qeverisë qipriote për të zëvendësuar gradualisht pajisjet ushtarake ruse, të cilat nuk mund të mirëmbahen më për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, tani ajo përshtatet edhe në “orientimin perëndimor” më të gjerë të vendit dhe qëllimin e saj të deklaruar për të ndjekur anëtarësimin në NATO.

Ministria e Jashtme turke e ka përshkruar vendosjen e sistemit si një kërcënim për stabilitetin rajonal, duke paralajmëruar se “politikat e palëve greke dhe qipriote minojnë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe rrezikojnë të provokojnë një garë armatimesh në ishull”.

Një reagim i ngjashëm pritet në lidhje me zbatimin e një marrëveshjeje të veçantë midis ministrive të mbrojtjes qipriote dhe izraelite për blerjen e një sistemi të integruar mbikëqyrjeje nga kompania izraelite Elbit, i destinuar për monitorimin e “Vijës së Gjelbër” – një zonë tampon e kontrolluar nga OKB-ja që e ka ndarë Qipron që nga viti 1974. Instalimi i sistemit mbrojtës është shtyrë aktualisht për shkak të luftës në Gaza, megjithëse oficerët qipriotë janë trajnuar tashmë në Izrael për ta përdorur atë./DW

Reshje dëbore në zonat malore të qarkut të Elbasanit

By: e xh
8 January 2026 at 09:35

Gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë në të gjitha zonat malore të qarkut Elbasan.

Pas ndërhyrjes, kalohet pa probleme aksi nacional Prrenjas-Qafë Thanë, ndërsa në aksion nacional Librazhd-Peshkopi dhe rrugët Elbasan-Gracen, Elbasan-Gjinar, Elbasan-Labinot Mal, Elbasan- Funare, kalohet vetëm me zinxhirë.

Në bashkinë e Librazhit, kalohen me zinxhirë rrugët Librazhd-Stebleve dhe Librazhd-Qarrishte.

Disa fshatra në Prrenjas dhe në Gramsh, gjithashtu kalohet vetëm me zinxhirë.

Si pasojë e motit të keq, ka mungesë të energjisë elektrike në disa zona.

Në orët në vijim moti pritet të përkeqësohet pasi parashikohen reshje intensive temperatura minus.

Vlorë, ndalohet lundrimi i anijeve të peshkimit deri më 12 janar

By: e xh
8 January 2026 at 09:15

Kapiteneria e Portit të Vlorës thotë se për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike, nga kjo e enjte deri më 12 janar 2026, do të ndalohet lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur.

Sipas parashikimeve, era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim me forcë deri 5-6 ballë (10-15 m/s), ndërsa lartësia e dallgëve pritet të arrijë 1.5–2 metra. Ndalimi do të zgjasë deri në ora 20:00 të 12 janarit.

Drejtuesve të mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit u bëhet thirrje të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre dhe të monitorojnë vazhdimisht situatën.

Për të parandaluar çdo incident, kërkohet bashkëpunimi i të gjitha subjekteve dhe institucioneve që veprojnë në fushën e detarisë për rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve dhe sigurimin e mjeteve në port.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre. Përmirësimi i situatës pritet më 12 janar, pas orës 20:00.

Reshje të dendura dëbore në Bulqizë, vështirësi në qarkullim

By: e xh
8 January 2026 at 09:10

Pas reshjeve të dendura të shiut, vendin ja kanë lënë reshjeve të dëborës të shoqëruar me temperatura deri më minus 5 gradë.

Reshjet kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, Bulqizë-Tiranë, Qafë e Buallit-Kraste,Ura e Çerenecit-Librazh.

Aktualisht trashësia e dëborës në në qytet vijon deri në 5 centimetra ndërsa në njësitë administrative Ostren,Trebisht,Zerqan, Fushë Bulqizë,Martanesh vijon nga 5 centimetra deri më 20 centimetra në zonat e thella.

Problem ngelet aksi rrugor Lagje e Re me Lagjen e Vjetër ku prej dy ditësh vijon të ngelet bllokuar nga prezenca e ujit si për mjetet ashtu edhe për kalimtarët.

Reshje shiu dhe dëbore në qarkun e Korçës

By: e xh
8 January 2026 at 09:03

Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, Qarku i Korçës është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore me intensitet të ndryshëm sipas zonave.

Bashkia Kolonjë

Në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë qarkullimi vijon normal, ndërsa në Gropat e Gëlqeres ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës. Borëpastrueset dhe shërbimet e policisë janë në terren, duke këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes.

Bashkia Maliq

Lumi Devoll ka dalë nga shtrati në Sheqeras, ndërsa në Dunavec situata mbetet nën kontroll. Rrugët Maliq–Lozhan dhe Mesmal përballen me bllokime për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve. Rezervuarët po monitorohen dhe është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot.

Bashkia Korçë dhe Devoll

Në Denas niveli i ujit ka rënë dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa në njësinë Proger situata është më e rënduar për shkak të rritjes së prurjeve.

Bashkia Pogradec

 Rruga për në Dardhas është e pakalueshme, me mungesë energjie elektrike në fshatra dhe rrëshqitje rrugësh në Grunjaz. Situata në Nj.A. Çërravë dhe aksin Qukës–Qafë Plloçë po monitorohet dhe po merren masa për pastrimin e rrugëve.

Akset rrugore

Në Korçë–Ersekë, Ersekë–Leskovik dhe Boboshticë–Dardhë po bien reshje bore dhe po punohet për pastrim dhe kriposje. Aksi Korçë–Voskopojë është pastruar dhe kriposur, me qarkullim normal. Reshje shiu me intensitet të ulët raportohen në Bilisht–Miras dhe Zemblak–Goricë pa probleme në qarkullim.

Autoritetet e rendit dhe shërbimet e emergjencave civile po mbajnë situatën nën monitorim të vazhdueshëm dhe këshillojnë drejtuesit e mjeteve për lëvizje të kujdesshme.

Vjosa në nivel kritik, përmbyten rreth 200 hektarë tokë bujqësore

By: e xh
8 January 2026 at 09:01

Në qarkun e Fierit situata paraqitet shqetësuese si pasojë e rritjes së vazhdueshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht lumit Vjosë, i cili ka arritur në pikën kritike.

Sipas informacionit zyrtar, akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje të plota.

Hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune për të përballuar situatën.

Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata më problematike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar mbi pikat e matjes, duke arritur nivelin kritik buzë më buzë përgjatë argjinaturës.

Si pasojë e prurjeve të larta, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Gjithashtu, raportohet për prezencë të lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda sistemit mbrojtës të argjinaturës.

Probleme janë konstatuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, prej nga realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, Ujësjellësi i Fierit ka stakuar disa nga pompat në puset pranë lumit Vjosë dhe po operon me kapacitet të reduktuar nga puse më të largëta, çka ka sjellë furnizim me ujë të kufizuar dhe me grafik për qytetin.

Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të situatës në orët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.

Situata po monitorohet në terren nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Bashkisë Fier, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të agravimit të mëtejshëm.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

❌
❌