Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 January 2026Main stream

Kultura e mungesës së përgjegjësisë, si po rrezikon ta “shkatërrojë” vendin

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:12

Ky degradim i qeverisjes, i ekspozuar prej vitesh dhe që sa vjen e thellohet, reflektohet në të gjithë piramidën administrative, duke zbehur ndjesinë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies deri në nivelet më të ulëta. Në një klimë të tillë, pritshmëria që institucionet të parandalojnë rreziqe apo të menaxhojnë kriza në mënyrë efektive bëhet gjithnjë e më e dobët

 

EDITORIAL / Thuhet se përgjegjësia është një virtyt i mërzitshëm: askush nuk e shet dot si slogan, nuk fiton zgjedhje dhe rrallëherë sjell duartrokitje.

Në botën moderne, ajo zakonisht shfaqet vetëm pas katastrofave, në konferenca shtypi, e shoqëruar me fraza si “do të hetohet”, “do të nxirren mësime” dhe “ju garantojmë do të merren masa”, të cilat, siç dihet, kanë jetëgjatësi afërsisht sa ajo e lajmit të fundit në rrjetet sociale.

Më pas, kur situata qetësohet, përgjegjësia largohet sërish, duke ia lënë vendin harresës, rutinës dhe “pritjes” së fatkeqësisë së radhës.

Globalisht, pasojat e mungesës së përgjegjësisë janë tashmë të dokumentuara mirë: përmbytje që përsëriten në të njëjtat zona, ndërtesa që shemben aty ku “gjithçka ishte sipas standardeve”, zjarre që shuhen vetëm kur mbaron çfarë të digjet.

Ndryshimet klimatike e kanë bërë natyrën më të ashpër dhe më të paparashikueshme, por ajo që mbetet çuditërisht konstante është mënyra se si shoqëritë dhe qeveritë reagojnë: gjithmonë të habitura, gjithmonë të papërgatitura dhe gjithmonë të bindura se herën tjetër do të jetë ndryshe.

Në Shqipëri, të paktën gjatë 30 viteve të fundit, mungesa e përgjegjësisë është shfaqur si një konstante e qeverisjes, veçanërisht sa herë që vendi është përballur me fatkeqësi natyrore: përmbytje, tërmete, zjarre apo rrëshqitje dheu.

Çdo ngjarje shoqërohet fillimisht me deklarata reflektimi dhe zotime për “nxjerrje mësimesh”. Por historia tregon se reflektimi është zakonisht afatshkurtër dhe harresa strukturore. Askush sot nuk mund të thotë me siguri se, nëse Shqipëria do të përballej sërish me një tërmet si ai i 26 nëntorit 2019, emergjencat civile do të ishin realisht të përgatitura për të reaguar shpejt dhe në mënyrë të koordinuar.

Po aq e paqartë mbetet nëse ndërtesat e reja po ndërtohen duke respektuar në praktikë standardet e eurokodeve, apo nëse rindërtimi është kryer sipas standardeve reale dhe jo vetëm atyre të shkruara në dokumente.

Në këtë kontekst, problemi duket se shkon përtej neglizhencës apo mungesës së zakonshme të përgjegjësisë. Informacionet që dalin herë pas here nga hetimet e prokurorisë dhe raportimet mediatike kanë krijuar një tablo shqetësuese për funksionimin e administratës shtetërore, si në nivel qendror ashtu edhe lokal.

Në disa raste, bëhet e vështirë të flitet thjesht për dështim institucional, kur imazhi i krijuar është ai i strukturave që kanë humbur sensin e shërbimit publik.

Ky degradim i qeverisjes, i ekspozuar prej vitesh dhe që sa vjen e thellohet, reflektohet në të gjithë piramidën administrative, duke zbehur ndjesinë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies deri në nivelet më të ulëta.

Në një klimë të tillë, pritshmëria që institucionet të parandalojnë rreziqe apo të menaxhojnë kriza në mënyrë efektive bëhet gjithnjë e më e dobët.

Por kultura e mungesës së përgjegjësisë nuk është vetëm problem i qeverive. Ajo është bërë pjesë edhe e sjelljes shoqërore, ku në pjesën më të madhe jetojmë sot për nesër e nuk mendojmë për pasojat afatgjata. Ndërtimet vijojnë e bëhen pa respektuar standardet mjedisore, apo mbi kanale.

Plehrat vijojnë e hidhen në dete e lumenj. Shqipëria vuan dhe nga mungesa pothuajse totale e kulturës së sigurimeve.

Të ardhurat nga primet e sigurimeve janë më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në rajon dhe shumë larg mesatares europiane, ku ky tregues kalon 5% të PBB-së.

Të ardhurat për frymë në tregun e sigurimeve ishin 105 euro në vitin 2024, më të ulëtat në Europë së bashku me Kosovën, sa gjysma e rajonit dhe shumë më pak se mesatarja europiane prej 2400-2500 euro/frymë.

Kjo mungesë përgjegjësie individuale dhe kolektive e zhvendos barrën te taksapaguesit. Pas çdo fatkeqësie, qeveria detyrohet të premtojë kompensime, duke përdorur fonde buxhetore që, në kushte normale, do të duhej të orientoheshin drejt investimeve më produktive dhe parandaluese.

Në vend që rreziku të ndahet përmes tregut të sigurimeve, ai socializohet përmes buxhetit, duke u kthyer në një kosto të përbashkët për të gjithë taksapaguesit, të cilët paguajnë për papërgjegjshmërinë e qeverisë, që ajo e shpërndan si favor personal.

Mosmarrja përsipër e përgjegjësisë ka pasoja të rënda. Kur nuk pranon realisht atë që ndodh, nuk merr masa për ta parandaluar herën tjetër. Kjo rrit në mënyrë eksponenciale kostot e fatkeqësive natyrore, si në dëme materiale, ashtu edhe në kosto humane. Tragjeditë nuk kërkojnë justifikime, por veprim. Dhe veprimi fillon vetëm aty ku përgjegjësia pranohet.

Ndërsa presim që kjo kulturë të ndryshojë, ndoshta duhet të fillojmë nga gjërat e vogla.

Edhe ne, si “Monitor”, po mendojmë seriozisht të hartojmë një plan masash për t’u mbrojtur nga çdo e papritur nga sigurimi i arkivit kundër përmbytjeve, te funksionimi redaksional edhe pa energji elektrike apo internet. Jo sepse besojmë se kjo do të na mbrojë nga çdo skenar, por sepse, në këtë vend, përgjegjësia individuale ka rezultuar më e besueshme se ajo institucionale.

Deri sa kjo e fundit të vendosë të shfaqet, masat paraprake mbeten forma më realiste e sigurimit.

 

 

The post Kultura e mungesës së përgjegjësisë, si po rrezikon ta “shkatërrojë” vendin appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria nën ujë; Alarm për zgjimin e institucioneve

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:10

Përmbytjet me të cilat nisi viti 2026 rikthyen një fatkeqësi të paralajmëruar, duke nxjerrë në pah dobësi strukturore në menaxhimin e ujërave dhe të riskut klimatik të vendit. Reagimi institucional vijoi sipas një modeli formal emergjencash që përsëritet herë pas here, ndërsa pasojat reale u përqendruan te familjet dhe ekonomitë e drobitura bujqësore. Sipas ekspertëve, problemi nuk lidhet vetëm me intensitetin e reshjeve, por me mungesën e parandalimit, planifikimit dhe koordinimit institucional. Sipas tyre, prioritet mbetet forcimi i institucioneve teknike, rritja e kapaciteteve profesionale dhe ndërtimi i një sistemi funksional monitorimi që sot është i copëzuar. Vetëm masat afatgjata, të bazuara në të dhëna të sakta dhe përgjegjshmëri, mund ta nxjerrin vendin nga cikli i përsëritur i emergjencave edhe pas një “vese” shiu.

 

Nertila Maho

Viti 2026 nisi me ujë mbi prag për një pjesë të Shqipërisë. Vetëm pak ditë pas ndërrimit të viteve, mijëra familje në zona si Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra u përballën me një skenar tashmë të njohur: përmbytje masive të banesave, tokave bujqësore dhe infrastrukturës rrugore e hidroteknike. Një krizë që nuk erdhi pa paralajmërim.

Alarmet për reshje intensive u dhanë me ditë përpara. Njoftimet për “kujdes të shtuar” u përsëritën, ndërsa më pas u vu në lëvizje shfaqja klasike e emergjencave: mbledhje të Shtabit të Emergjencave Civile, ministra dhe deputetë në terren, deklarata periodike dhe raportime për situatën.

Një ritual që përsëritet pothuajse identik sa herë natyra na vë në provë.

Pastaj vjen faza tjetër, ajo më e heshtura: një ngjarje e re e zëvendëson të vjetrën në ciklin e lajmeve, ndërsa në terren mbeten kronikat e paralajmëruara të përmbytjeve dhe familjet e prekura që detyrohen të rindërtojnë jetën, edhe një herë nga e para.

Përmbytjet e janarit ishin atipike, si për zonat që u prekën, ashtu edhe për shkallën e dëmeve. Çdo rast mbart specifikat e veta: herë kemi të bëjmë me “zemërimin” e natyrës, herë me neglizhencën njerëzore dhe institucionale, e shpesh me një kombinim të rrezikshëm të të dyjave.

Në një bilanc si ky, disa pyetje bëhen të pashmangshme: A janë respektuar kërkesat ligjore për zbrazjen e digave bujqësore, të cilat duhej të ishin realizuar që në muajin tetor?

A janë lartësuar dhe mirëmbajtur argjinaturat në përputhje me shpeshtimin e fenomeneve ekstreme vit pas viti?

Sa funksionalë janë kanalet parësorë dhe sekondarë të kullimit, deri edhe ata më periferikë?  Dhe, mbi të gjitha, çfarë roli ka luajtur papërgjegjshmëria jonë si shoqëri, me ndërtime pa leje dhe sa herë kjo ka qenë “e leverdishme”?

Këtë herë, në qendër të debatit u rikthyen edhe digat e energjisë. KESH njoftoi për shkarkime të kontrolluara në kaskadën e Drinit, ndërsa Statkraft për shkarkime në digën e Banjës.

Por pyetja kyçe mbetet: sa ndikim real patën këto shkarkime në bilancin total të përmbytjeve?

Në një vend ku përmbytjet po shndërrohen nga “emergjencë” në normalitet, debati nuk mund të ndalet më vetëm te reshjet “apokaliptike”. Ai duhet të zhvendoset te përgjegjshmëria, planifikimi, parandalimi dhe kostoja ekonomike e mosveprimit.

 

Eksperti, digat e energjisë kanë frenuar ndikimin real që do të kishte prurja natyrale

Arjan Jovani, President i ICOLD European Club (EURCOLD), si ish Kryetar i Komitetit Kombëtar të Digave të Medha ne vend, me profesion inxhinier hidroteknik shprehet se roli që kanë digat në pasojat e përmbytjeve duhet të shikohet pozitiv.

Sipas tij, të paktën digat e energjisë nuk duhet të shihen si “armiqtë” por si partnerët që zbusin në shumë raste efektin real të zemërimit të natyrës.

Ai sjell si shembull Vjosën që ka një rrjedhje natyrore dhe ndikimin e saj e jep menjëherë, ndërkohë që në Kaskadën e Drint, pavarësisht se prurjet natyrale ishin 3800 m3 sekondë shkarkimet ishin vetëm 1200 m3 ujë në sekondë.

“Përgjigjja ime është JO. Në situatën e ditëve të fundit nuk kanë qenë shkarkimet nga digat e hidroenergjetikes arsyeja e këtyre përmbytjeve.

Bazuar në të dhënat e regjistruara, rezulton se prurjet e ujit në kaskadën e lumit Drin arritën 3800 m³/sek, në një kohë që sasia e shkarkuar nga HEC i Vaut të Dejës nuk ishte më e madhe se 1200 m³/sek.

Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, problemi kryesor për rezervuarin e Fierzës ishin prurjet e ujit që erdhën nga Drini i Bardhë, i cili është një lumë i parregulluar dhe mbi të cilin nuk është ndërtuar asnjë digë.

Nga Drini i Bardhë, që vjen nga Kosova, nuk ka diga dhe reshjet e mëdha që bien në atë zonë krijojnë prurje të mëdha që shkarkohen direkt, brenda 24 orëve, në rezervuarin e HEC Fierzë”,  nënvizon z. Jovani.

Sipas tij, menaxhimi i koordinuar i prurjeve në Fierzë dhe Komani minimizoi ndjeshëm përmbytjet në pjesën e poshtme të lumit Drin në zonën e Nënshkodrës.

Lidhur me kaskadën e Drinit, ai nënvizon se ndoshta ka ardhur koha që rregullorja bazë e vitit 1988, mbi të cilën funksionon ajo, të rishikohet pasi kanë ndryshuar kushtet.

Së pari, sipas tij, ka ndryshuar saktësia e të dhënave pasi tani merren në kohë reale dhe të sakta falë teknologjisë dhe matjeve; së dyti kemi një vlerësim real të baseneve, të cilët me matjen e hartave të vjetra rezultonin më të mëdhenj, por tashmë nga sedimentet dhe matjet e sakta me harta të reja kanë vëllime të rifreskuara.

 

 

Pse janë problem digat bujqësore dhe projekti me BB

Teksa digat e energjisë monitorohen në mënyrë sistematike, kanë mirëmbajtje të vazhdueshme dhe të dhëna të sakta, ato që mbeten rrezik real në vend janë digat bujqësore.

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha pak kohë më parë zhvilloi një studim ku rezultoi se 50 diga në vend kanë rrezik të lartë dhe 100 të tjera të moderuar

Në total, për 150 diga ka risk për njerëzit që ndodhen në zonat urbane poshtë këtyre digave. Në këto diga dhe zonat urbane poshtë tyre është e domosdoshme instalimi i sistemeve të alarmit për të pasur njoftim në kohë reale për rritjen e nivelit të ujit mbi nivelin e lejuar dhe deri te njoftimi për rastin e dëmtimit apo prishjes së mundshme të digës.

Në këtë drejtim, theksojmë se problemi i mungesës së këtyre sistemeve ekziston te digat e ujitjes dhe digat furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa digat që përdoren për prodhim hidroenergjetik janë relativisht të monitoruara.

Digat e ujitjes që shfrytëzohen dhe janë nën administrimin e pushtetit vendor kanë më shumë probleme në drejtim të mirëmbajtjes dhe monitorimit të tyre, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike, njerëzore dhe financiare”, thotë z. Jovani.

Aktualisht Shqipëria po mbështetet nga Banka Botërore me një fond 1.6 milionë dollarë sa i takon optimizimit të sigurisë së digave dhe sisteme ujore në kuadër të ndryshimeve klimatike.

Në shpjegimin e projektit më herët vlerësohej se qëllimi është zbulimi dhe adresimi i rrezikut klimatik për menaxhimin e ujit dhe bujqësinë dhe infrastrukturën e rrënuar të ujit me fokus në rritjen e kapacitetit të ruajtjes së ujit të rezervuarëve për përshtatjen ndaj një klime në ndryshim.

Konkretisht, projekti synon të përgatisë bazat drejt rritjes së sigurisë dhe disponueshmërisë së ujit të digave për të ujitur një sipërfaqe prej 180 mijë hektarësh tokë bujqësore e vendosur, kryesisht në pjesën perëndimore-bregdetare të Shqipërisë nga Shkodra në Vlorë, duke bërë të mundur rritjen e rendimentit dhe të ardhurave për 200 mijë ferma.

Rehabilitimi, modernizimi i digave dhe përmirësimi i sigurisë së tyre do të duhet të përfshijë masat strukturore dhe jostrukturore, vlerësimin hidrologjik, forcimin strukturor të digave dhe përmirësimin e ruajtjes së ujit në rezervuarë, menaxhimi i sedimenteve, modernizimi i kontrollit dhe monitorimit, si dhe masa të tjera që do të përmirësonin sigurinë dhe funksionimin e digave.

 

Nga Kadastra e Ujit, tek arkitektura institucionale, masat që duhet të merren

Shqipëria përjetoi përmbytjen më shkatërruese të saj në vitet 1962-1963 kur zona të tëra mes disa lumenjve u mbuluan nga uji.

Pavarësisht shirave dhe intensitetit ndër vite, me një situatë si ajo Shqipëria nuk është përballur më sërish deri më tani.

Por për ekspertët ishte ai moment që ndryshoi tërësisht qasjen e shtetit dhe masave që duhet të merreshin. Së pari u ngritën institucionet teknike projektuese përkatëse.

Filloi krijimi dhe ngritja e Institutit të Projektimit për veprat e hidroenergjetikes dhe Institutit të Projektimit për veprat kulluese dhe bonifikuese.

“Këto u mbështetën nga institutet e Gjeologjisë, Gjeodezisë, Sizmikës, Hidrometeorologjisë dhe Laboratori i Kërkimeve Hidraulike.

Kjo punë e specializuar dhe në ekipe të organizuara sipas eksperiencave më të mira të kohës çoi në sistemimin e zonave problematike për përmbytjet, si zona e kënetës së Durrësit dhe Karavastasë, zona e Nënshkodrës, si dhe shumë zonave të tjera kënetore”, shprehet z. Jovani.

Sipas tij, bazuar në këtë përvojë, por edhe në atë të vendeve europiane, një ndër masat kryesore afatgjatë që duhet të merren janë forcimi i institucioneve teknike dhe një riorganizim i tyre, duke rregulluar dhe përcaktuar qartë detyrat e secilit, si dhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

“Minimizimi i pasojave që shohim sot mund të arrihet vetëm duke pasur një organizim institucional të koordinuar dhe me detyra të qarta.

Ministritë mund të bëjnë politikat, ndërsa zinxhiri i institucioneve teknike duhet të kryejë studime, të hartojë programe afatgjata dhe projekte konkrete në këtë fushë” vlerëson ai.

Një tjetër element është rritja e kapaciteteve njerëzore të kualifikuara e cila duhet të nxitet si në universitete edhe përmes trajnimeve.

“Një problem tjetër që akoma nuk ka gjetur zgjidhje është mungesa e Kadastrës së Ujit. Plotësimi i kësaj kadastre me bazën e të dhënave për sipërfaqet ujore dhe volumin e ujit në 650 rezervuarëve është një urgjencë që duhet të fillojë sa më shpejt.

Plotësimi i kësaj kadastre ujore është mjaft i rëndësishëm për menaxhimin real të këtyre rezervave ujore të krijuara, si dhe për zbatimin e planeve të menaxhimit të burimeve ujore, mjaft të rëndësishme në sektorin e bujqësisë, energjisë, urbanizimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Investimi në këtë sektor, mendoj se duhet të fillojë te “truri”, pra tek ekspertiza, evidentimi profesional i problematikave dhe gjendjes aktuale përmes një monitorimi bashkëkohor, dhe më pas tek investimet fizike.

Prioriteti është riorganizimi i institucioneve ekzistuese që lidhen me këtë fushë. Më pas, në bazë të studimeve dhe konsulencave të duhura, duhet të planifikohen investimet.

Informacioni i saktë është baza për investime të drejta dhe efikase” – shprehet z. Jovani.

 

Lexoni edhe:

Arjan Jovani: Digat e energjisë nuk janë shkaku i përmbytjeve, ndikojnë pozitivisht

The post Shqipëria nën ujë; Alarm për zgjimin e institucioneve appeared first on Revista Monitor.

“Digat e energjisë nuk janë shkaku i përmbytjeve, ndikojnë pozitivisht”

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:08

Intervistë / Arjan Jovani, President i Eurcold

 

Sa herë ka përmbytje, sidomos në zonën e Nënshkodrës, por së fundmi edhe në Myzeqe, një nga faktorët që përmendet në mënyrë të përsëritur janë shkarkimet nga digat e energjisë. Arjan Jovani President i ICOLD European Club (EURCOLD), si ish -Kryetar i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha në vend, me profesion inxhinier hidroteknik shprehet se shkaku i përmbytjeve është shumë më kompleks. Sipas tij, digat e energjisë në shumë raste shërbejnë si “mburojë” për prurje të jashtëzakonshme që në një rrjedhje natyrale do të shkaktonin dëme të mëdha. Ai sjell si shembull dy lumenj, Vjosën dhe Osumin, që kanë rrjedhje të lirë dhe që pak mund të bëhet në rastet e prurjeve të mëdha, ndërkohë që në rastin e Kaskadës së Drinit apo Devollit, shkarkimet e kontrolluara e bëjnë situatën më të menaxhueshme. Ai gjykon se problemi real i përmbytjeve që shkaktohen sot lidhet me bazën që është funksionimi i institucioneve, ku secili duhet të kryejë detyrat e tij, hartimi i studimeve dhe konsulencave konkrete për masat që duhen marrë dhe më pas kryerja e investimeve konkrete aty ku është urgjente dhe dëmi është më i madh. Në kontekstin e integrimit në Bashkimin Europian, z.Jovani shprehet se duhet të shkojmë drejt standardeve që këto vende aplikojnë dhe funksionimi i institucioneve me kapacitetet e duhura është një prej tyre.

 

Përmbytjet e fundit kthyen edhe një herë në vëmendje digat, kanalizimet, investimet. Cili është roli që kanë digat në vend dhe ndikimet e tyre sipas llojit?

Pjesa më e madhe e digave të mëdha në vendin tonë janë diga për ujitje. Ekziston një rregull i përcaktuar si nga legjislacioni, ashtu edhe nga kërkesat e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha (KKDM), sipas të cilit të gjitha digat e ujitjes duhet të zbrazen në muajin tetor, kur përfundon sezoni i ujitjes.

Ato duhet të qëndrojnë të zbrazura deri në prill. Gjatë kësaj periudhe të kryhen mirëmbajtja dhe riparimet e nevojshme të elementeve kryesore të tyre si shkarkuesit, vepra e marrjes, etj.

Duhet theksuar se digat e ujitjes në vendin tonë nuk janë ndërtuar për të zvogëluar efektin e përmbytjeve apo për kullimin e ujërave të tepërta. Për vetë madhësinë e rezervuarëve të krijuar prej tyre, ato mund të ndihmojnë shumë pak për zvogëlimin e efekteve të përmbytjeve. Për këtë arsye, KKDM ka miratuar rregullore që parashikojnë zbrazjen e ujit nga rezervuarët deri në nivelin minimal të lejuar nga projekti.

Ndryshe nga digat e ujitjes, digat që shërbejnë për prodhim hidroenergjetik apo digat për furnizimin me ujë funksionojnë sipas rregulloreve specifike të cilat janë hartuar, me synimin kryesor në drejtim të sigurisë së digave dhe minimizimin e efekteve negative që shkaktohen gjatë dimrit nga prurjet e mëdha që vijnë në basenin e tyre ujor.

Edhe pse këto diga përbëjnë vetëm rreth 7% të totalit të digave të mëdha në Shqipëri, ato janë digat më të mëdha që kanë krijuar rezervuarët më të mëdhenj dhe me ndikimin më të madh hidrologjik.

Për shembull, për digat e kaskadës së lumit Drin funksionon Rregullorja e shkarkimit të plotave e vitit 1988, e cila përcakton në detaje veprimet që duhet të kryhen në periudhën Tetor – Mars, Prill – Maj dhe Qershor – Shtator.

Kjo rregullore është detyrim ligjor për KESH-in, ndërkohë që investitorët privatë kanë rregulloret e tyre të shfrytëzimit të miratuara nga KKDM si organ i Këshillit të Ministrave në sektorin e digave.

Për shembull, Kompania Devolli HP ka hartuar rregullore të veçantë për shfrytëzimin e digave në kaskadën e Devollit, si dhe Planin e gatishmërisë në rastet e emergjencave civile. Duhet theksuar se të gjitha rregulloret e shfrytëzimit të digave dhe rezervuarëve nga shfrytëzuesit e digave për prodhim hidroenergjetik janë të miratuara nga KKDM.

Pra, shfrytëzuesit e digave operojnë në mënyrë të kontrolluar dhe brenda kuadrit ligjor dhe kërkesave teknike për sigurinë e digave. Theksojmë se prurjet që shkarkohen nga sistemet e shkarkimit të digave gjatë periudhave të plotave nuk janë asnjëherë më të larta se prurjet natyrore që mund të sjell lumi.

Me fjalë të tjera, shkarkimet nga diga ndihmojnë në menaxhimin e prurjeve maksimale dhe në zvogëlimin e efektit të përmbytjeve që mund të shkaktohen prej tyre.

Për këtë arsye, digat duhet të shihen si partnerë ndihmës në menaxhimin e përmbytjeve. Mjafton të shohim rastet e lumit të Vjosës apo të Osumit që janë lumenj pa diga, të cilët shkaktojnë përmbytje sa herë ka reshje të mëdha dhe mundësitë e menaxhimit të prurjeve të këtyre lumenjve janë minimale.

Në këta lumenj deri më sot, masat merren vetëm pas ndodhjes së dëmit, jo për parandalim. Duhet theksuar se në këta lumenj është shumë e rëndësishme instalimi i stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike, si dhe përpunimi i të dhënave të këtyre stacioneve në kohë reale nga ekspertët e shërbimit hidrometeorologjik dhe Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile.

Menaxhimi i digave është mjaft kompleks ku ndërthuren shumë faktorë që janë të lidhur me fenomenet natyrore, por edhe me faktorin njeri. Ky kompleksitet është i vështirë të jetë i përsosur.

Kundër natyrës nuk mund të fitosh, por përmes një menaxhimi dinamik të përgjegjshëm dhe profesional mund të ulësh pasojat e shkaktuara nga prurjet e mëdha hap pas hapi. Në këtë kontekst, digat duhen trajtuar si partnerë mbështetës, që jo vetëm se nuk kanë faj gjatë përmbytjeve, por na kanë ndihmuar në procesin e menaxhimit të përmbytjeve.

 

A janë në fakt shkarkimet arsyeja e përmbytjeve?

Përgjigjja ime është JO. Në situatën e ditëve të fundit nuk kanë qenë shkarkimet nga digat e hidroenergjetikës arsyeja e këtyre përmbytjeve. Bazuar në të dhënat e regjistruara, rezulton se prurjet e ujit në kaskadën e lumit Drin arritën 3800 m³/sek, në një kohë që sasia e shkarkuar nga HEC i Vaut të Dejës nuk ishte më e madhe se 1200 m³/sek.

Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe problemi kryesor për rezervuarin e Fierzës ishin prurjet e ujit që erdhën nga Drini i Bardhë, i cili është një lumë i parregulluar dhe mbi të cilin nuk është ndërtuar asnjë digë.

Nga Drini i Bardhë, që vjen nga Kosova nuk ka diga dhe reshjet e mëdha që bien në atë zonë krijojnë prurje të mëdha që shkarkohen direkt, brenda 24 orëve, në rezervuarin e HEC-it të Fierzës.

Në këtë pellg shkarkohen përrenjtë e maleve nga zona e Pejës, që janë pjesë e Alpeve, deri në Prizren ku vijnë prurjet nga Malësia e Sharrit, dhe të gjitha këto derdhen në Drinin e Bardhë dhe përcillen menjëherë drejt rezervuarit të HEC Fierze.

Drini i Zi, që buron nga liqeni i Ohrit dhe gjatë kalimit në pjesën maqedonase menaxhohet përmes dy digave të mëdha në Spillje dhe Globocicë, kishte prurje të kontrolluara që nuk e kaluan sasinë prej 160 m³/sek.

Nga ana tjetër, HEC Koman, i cili ka një rezervuar me volum prej afro 5 herë më të vogël se HEC Fierzë, por përpunon prurje të mëdha të ujit që vijnë nga mbi 13 lumenj dhe përrenj, përfshirë zonat me reshjet më intensive të Alpeve tona siç janë Thethi, Valbona dhe Malësia e Pukës.

Në këtë rast, menaxhimi i koordinuar i prurjeve në Fierzë dhe Koman minimizoi ndjeshëm përmbytjet në pjesën e poshtme të lumit Drin në zonën e Nënshkodrës.

 

 

Kaskada e Drinit funksionon në bazë të rregullores së vitit 1988. A mendoni se ka nevojë për ndërhyrje për t’iu përshtatur kushteve të reja?

Në mendimin tim, pas afro 35 vitesh dhe ndryshimeve që kanë ndodhur si në drejtim të kushteve klimatike dhe menaxhimit të kaskadës, ka ardhur koha të përditësohen kërkesat e kësaj rregulloreje, duke pasur si fokus kryesor sigurinë e digave në këtë kaskadë.

Kushtet klimatike kanë ndryshuar ndjeshëm në zonë, duke na përballur me prurje të mëdha për një kohë të shkurtër dhe me frekuenca më të shpeshta të tyre. Nga ana tjetër, sot disponohet një informacion shumë më i plotë, i saktë për të gjithë basenin ujëmbledhës dhe në kohë reale.

Rregullorja e vitit 1988 është hartuar në një kohë kur mungonin instrumentet e monitorimit hidrometeorologjik dhe matjet kryheshin manualisht dhe parashikimet jepeshin në mënyrë të përafërt, prandaj ajo parashikonte masa shumë konservative për të zvogëluar problematikën e pasigurisë së informacionit në kohë reale.

Sot, KESH ka instaluar më së 25 stacione monitorimi hidrometeorologjikë në të gjithë basenin ujëmbledhës të lumit Drin, të cilat transmetojnë të dhëna në kohë reale online.

Duke i shtuar këtij sistemi edhe stacionet në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, është e mundur të përpunohen të dhënat e prurjeve maksimale në kohë reale dhe me parashikim 3–5 ditë përpara, si dhe me një orientim javor dhe mujor për tendencat e përgjithshme të ardhjes së këtyre prurjeve në rezervuarët e kaskadës së lumit Drin.

Theksojmë se rregulloret e shfrytëzimit të digave dhe rezervuarëve janë të domosdoshme. Ato duhet të bëhen nga ekspertë të fushës dhe projektuesit e këtyre veprave dhe duhet të përditësohen nga shfrytëzuesit e tyre pas analizave të hollësishme të rezultateve të matjeve të kryera në vijueshmëri dhe në përputhje me standardet teknike.

Rregulloret shërbejnë jo vetëm për të vendosur kufij sigurie për këto objekte të veçanta strategjike, por edhe për të pasur një orientim të qartë në menaxhimin e situatave që krijohen gjatë ardhjes së prurjeve maksimale të ujit.

Një tjetër faktor që sjell nevojën e përditësimit të rregullores janë volumet aktuale të tre rezervuarëve të kaskadës së lumit Drin. Rezervuari i HEC Fierza, për shembull, është projektuar 2.7 miliardë metra kub, por sot volumi aktual real në këtë rezervuar është 2.3 miliardë m³ ujë.

Kjo vjen nga një sërë faktorësh, duke nisur nga ardhjet e sedimenteve gjatë 45 viteve të shfrytëzimit të saj, si dhe niveli i matjeve të kryera gjatë fazës së projektimit apo përdorimi i metodave dhe hartave të vjetra me shkallë gabimi relativisht të lartë.

Të njëjtën situatë në drejtim të volumeve të ujit e kanë edhe rezervuarët e HEC Komani dhe HEC Vau i Dejës. Ndryshimet e volumeve të ujit, të konstatuara gjatë matjeve të volumeve aktuale prej afro 15–16%, kërkojnë reflektimet dhe përditësimet përkatëse në rregulloren e shkarkimit të plotave, si dhe në mënyrën e menaxhimit të këtyre prurjeve dhe shkarkimeve që duhet të kryhen.

Theksoj se rregullorja duhet të ndryshohet në funksion të rritjes së sigurisë së digës dhe jo në funksion të rritjes së prodhimit të energjisë.

Kjo do të thotë që edhe menaxhimi i shkarkimeve duhet të rishikohet, duke marrë në konsideratë faktorët e përmendur më sipër, zhvillimet e teknologjisë së informacionit, ndryshimet klimatike, si dhe monitorimin në kohë reale online të prurjeve dhe reshjeve në të gjithë zonën e basenit ujëmbledhës të lumit Drin.

 

A janë tejkaluar ndonjëherë prurjet maksimale nga ajo që parashikon rregullorja për kaskadën e Drinit?

Deri më sot, jo. Në rastin e kaskadës së Drinit, rregullorja parashikon edhe skenarin ekstrem për prurje që mund të vijë një herë në 10 mijë vjet, e cila ka qenë e llogaritur në një vlerë prej 9 600 m³/sekondë.

Madje, eksperti hidrolog, që ka marrë pjesë në hartimin e saj, ka shënuar se duke marrë parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të digës së HEC Fierzë, pasojat katastrofike që mund të vijnë nga prishja e saj, si dhe faktin që të dhënat hidrologjike për përcaktimin e prurjeve maksimale në Fierzë janë më pak të sigurta, plotat kontrolluese me përsëritje 1 herë në 10 000 vjet për periudhën Tetor – Prill janë rritur me 25% kundrejt asaj të llogaritur.

Dëshiroj të theksoj se gjatë menaxhimit të prurjeve maksimale në të gjithë kaskadën e Drinit problemi më i madh nuk janë prurjet maksimale që vijnë në rezervuarin e HEC Fierza, por prurjet maksimale që vijnë në rezervuarin e HEC Koman, sepse ka një rezervuar rreth pesë herë më të vogël se Fierza, ndërkohë që prurjet maksimale mund të jenë të afërta me ato që vijnë në rezervuarin e HEC Fierzë.

Në rastin e prurjeve që erdhën gjatë këtij muaji, në HEC Fierzë ishin afro 2400 m³/s, ndërsa në HEC Koman ishin më se 1200 m³/sek. Duhet pasur parasysh se në rezervuarin e HEC Koman shkarkojnë ujërat rreth 13 lumenj dhe përrenj të cilët kalojnë në një zonë malore, që është mjaft problematike për sa u përket sasive dhe intensitetit të reshjeve. Në këtë zonë është edhe Thethi, e ashtuquajtura “njollë e zezë” e reshjeve, ku ka pasur raste që kanë shkuar deri në 300 mm shi në ditë.

Siç e thashë më lart, në rezervuarin e HEC Koman u shkarkuan rreth 1 200 metra kub, pra dy herë më pak se në Fierzë, por duke qenë se volumi i këtij rezervuari është 5 herë më i vogël, ishte normale që nga HEC Komani duhet të hapeshin portat e shkarkimit dhe të kryhej shkarkimi i kontrolluar i prurjeve të mëdha.

Edhe vetë mënyra si u menaxhua situata bëri të mundur minimizimin e përmbytjeve në zonën e poshtme të lumit Drin, pasi portat e shkarkimit dhe turbinat në HEC Fierzë qëndruan për rreth një javë të mbyllura dhe shkarkimet u kontrolluan nga HEC Komani.

Nëse nuk do të ishin digat e ndërtuara në kaskadën e lumit Drin, prurjet prej afro 3 800 metra kub do të vinin në Shkodër në gjendje të lirë dhe pasojat do të ishin shumë më të mëdha dhe të ngjashme me përmbytjet e mëdha që kanë ndodhur në vite 1962–1963, kur nuk ishin ndërtuar këto vepra të rëndësishme.

 

Cilat janë masat që duhet të merren për të ulur ndikimin e përmbytjeve në vend?

Përpara se të flasim për këtë, doja që fillimisht të ndalemi tek ajo që na tregon e shkuara, pasi flitet për ndikimet e digave apo ndryshimeve klimatike.

Dua të sjell në vëmendje përmbytjet e viteve 1962–1963, që ishin përmbytjet më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë në 100 vitet e fundit dhe me reshjet më të mëdha të regjistruara. Në atë kohë nuk ishin ndërtuar digat e kaskadës së lumit Drin apo digat e lumit Devoll.

Vërtet sot flasim për ndryshimet klimatike, por ende nuk kemi arritur në vlerat e reshjeve dhe prurjeve të viteve ’62–’63.

Në ato vite thuhet se u përmbytën më se 70 mijë hektarë tokë dhe përmbytja ishte aq e madhe sa thuhet që u bashkua Semani me Vjosën, Mati me Drinin, pra e gjithë zona ndërmjet këtyre lumenjve ishte e gjitha e përmbytur. Në atë kohë nuk kishte as diga, as sisteme kulluese dhe as sisteme menaxhimi modern dhe në kohë reale.

Pikërisht kjo situatë detyroi qeverinë e asaj kohe që të diskutonte me specialistët dhe inxhinierët e kohës për të gjetur zgjidhjet e duhura. Së pari u ngritën institucionet teknike projektuese përkatëse.

Në atë kohë filloi krijimi dhe ngritja e Institutit të Projektimit për veprat e hidroenergjetikës dhe Institutit të Projektimit për veprat kulluese dhe bonifikuese.

Këto u mbështetën nga Institutet e Gjeologjisë, Gjeodezisë, Sizmikës, Hidrometeorologjisë dhe Laboratori i Kërkimeve Hidraulike (sot Teatri Turbina), që punuan me ekipe për hartimin e projekteve dhe ndërtimin e veprave kryesore hidroenergjetike, si dhe sistemit kombëtar të kullimit dhe ujitjes.

Kjo punë e specializuar dhe në ekipe të organizuara, sipas eksperiencave më të mira të kohës, çoi në sistemimin e zonave problematike për përmbytjet, si zona e kënetës së Durrësit dhe Karavastasë, zona e Nënshkodrës, si dhe shumë zona të tjera kënetore. Pas asaj situate përmbytjesh të viteve 1962–1963 ka pasur edhe vite të tjera me prurje dhe reshje të mëdha, por masat që u morën e ulën ndjeshëm ndikimin.

Duhet theksuar se vetëm në vitet ’60–’90 janë ndërtuar rreth 95 për qind e digave, duke përfshirë këtu edhe sistemet e kullimit, ujitjes dhe kanalet bujqësore. Është një kompleks i tërë që duhet mirëmbajtur dhe monitoruar me kujdes.

Bazuar në këtë përvojë, por edhe në eksperiencat e vendeve europiane, një ndër masat kryesore afatgjatë që duhet të merren janë forcimi i institucioneve teknike dhe një riorganizim i tyre, duke rregulluar dhe përcaktuar qartë detyrat e secilit, si dhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Minimizimi i pasojave që shohim sot mund të arrihet vetëm duke pasur një organizim institucional të koordinuar dhe me detyra të qarta. Ministritë mund të bëjnë politikat, ndërsa zinxhiri i institucioneve teknike duhet të kryejë studime, të hartojë programe afatgjata dhe projekte konkrete në këtë fushë.

 

Si e kanë të rregulluar vendet e tjera aspektin e rritjes së sigurisë së digave dhe për të minimizuar pasojat që mund të vijë nga prurjet e mëdha?

Europa, ku ne synojmë të shkojmë, ka autoritete dhe agjenci të dedikuara për sigurinë e digave, me ekspertë me kohë të plotë. Italia, për shembull, me 600 diga të mëdha, ka një Autoritet pranë Ministrisë së Infrastrukturës me afro 120 specialistë që ushtrojnë kontrollin e shtetit në digat ekzistuese dhe miratojnë projektet e reja në këtë fushë, pavarësisht pronësisë private që kanë këto diga.

Në Zvicër, me afro 220 diga të mëdha, ka një autoritet të sigurisë së digave me afro 20 ekspertë të fushës që kryejnë të njëjtën funksion si në Itali apo Francë. I njëjti organizim është edhe në afro 15 shtete europiane që kanë diga të mëdha. Në Shqipëri, me 350 diga të mëdha, mungon një institucion i tillë ekzekutues.

 

Si është e copëzuar përgjegjësia sot sa u takon institucioneve kontrolluese dhe monitoruese?

Sot në Shqipëri, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të funksionojë Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM), i cili është një organ shtetëror i Këshillit të Ministrave që ushtron kontrollin për sigurinë e digave në vendin tonë.

Ky Komitet funksionon në formën e një bordi teknik me kohë të pjesshme dhe me anëtarë përfaqësues të disa ministrive kryesore. Funksionimi i KKDM mbështetet në një ligj të fortë që përcakton shumë detyra për këtë institucion, pa marrë parasysh mënyrën e funksionimit të tij.

Ndër këto detyra përfshihen edhe kontrolli vjetor, 5-vjeçar dhe 10-vjeçar i 350 digave të mëdha, edhe miratimi i projekteve për digat e reja dhe për rehabilitimin e digave ekzistuese, edhe komunikimi i vazhdueshëm me 65 shfrytëzuesit e digave, edhe raportimet për Këshillin e Ministrave, si dhe përfaqësimi i Shqipërisë në ICOLD dhe në institucionet ndërkombëtare në sektorin e digave.

Duhet thënë se, me gjithë këto detyra të shumta të rëndësishme në sektorin e digave, aktualisht KKDM nuk po funksionon prej më se 5 muajsh për shkak të mosemërimit të Kryetarit dhe nënkryetarit të këtij Komiteti, si dhe të anëtarëve të Këshillit teknik pranë KKDM.

Sipas ligjit në fuqi, KKDM duhet të mbështetet nga një Inspektorat teknik nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por që aktualisht ky Inspektorat përbëhet vetëm nga një person, në një kohë që grupi i inspektimit në terren duhet të jetë të paktën 3 persona.

Sipas eksperiencave të vendeve europiane të përmendura më sipër, mendoj se është e nevojshme krijimi i një Autoriteti apo agjencie ekzekutive për kontrollin shtetëror të digave, dambave dhe argjinaturave.

Kjo agjenci duhet të ketë në përbërje të saj një ekip prej jo më pak se 20 inxhinierësh hidroteknikë, ndërtimi, gjeodet, gjeologë dhe gjeoteknikë.

Ky Autoritet duhet të ushtrojë kontroll të vazhdueshëm të gjendjes dhe monitorimit të digave ekzistuese, të kontrollojë dhe miratojë projektet për digat e reja dhe projektet për rehabilitimin e digave ekzistuese, si dhe të gjitha kërkesat e përcaktuara në ligjin për sigurinë e digave.

Ky autoritet mund të jetë nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ose nën varësinë e një agjencie të Këshillit të Ministrave, por duhet të ketë kompetenca të qarta kontrolli dhe detyra konkrete, si dhe të mbështetet me masat përkatëse ndëshkuese për subjektet që nuk zbatojnë kërkesat e ligjit.

Duhet theksuar se monitorimi i digave nga pushtetet lokale është shumë i mangët dhe me mungesa të theksuara të kapaciteteve teknike, njerëzore dhe të sistemeve të monitorimit.

 

Cilët janë kriteret kur vlerësojmë riskun e një dige të ujitjes?

Vlerësimi i digave, përfshirë edhe digat e ujitjes, bazohet në katër kritere kryesore të riskut: lartësia e digës, volumi i ujit e rezervuarin e krijuar nga diga, numri i njerëzve të rrezikuar për humbje jete në zonën poshtë digës, vlera e dëmeve që mund të shkaktohen nga shkatërrimi i digës.

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha ka realizuar një studim vitin e kaluar, sipas të cilit 50 diga rezultojnë me risk të lartë dhe 100 me risk të moderuar.

Në total, për 150 diga ka risk për njerëzit që ndodhen në zonat urbane poshtë këtyre digave.

Në këto diga dhe zonat urbane poshtë tyre është e domosdoshme instalimi i sistemeve të alarmit për të pasur njoftim në kohë reale për rritjen e nivelit të ujit mbi nivelin e lejuar dhe deri te njoftimi për rastin e dëmtimit apo prishjes së mundshme të digës.

Në këtë drejtim, theksojmë se problemi i mungesës së këtyre sistemeve ekziston te digat e ujitjes dhe digat furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa digat që përdoren për prodhim hidroenergjetik janë relativisht të monitoruara.

Digat e ujitjes që shfrytëzohen dhe janë nën administrimin e pushtetit vendor kanë më shumë probleme në drejtim të mirëmbajtjes dhe monitorimit të tyre për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike, njerëzore dhe financiare.

Të njëjtat probleme janë edhe në 7 digat e mëdha dhe rezervuarë që shfrytëzohen nga 4 bordet e ujitjes dhe kullimit nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, të cilat nuk monitorohen dhe nuk kanë sisteme alarmi.

 

 

Si mund të nxiten kapacitetet njerëzore, pasi shumë sektorë po hasin probleme sa u takon profesionistëve?

Është e vërtetë që kapacitetet njerëzore për kontrollin dhe monitorimin e digave dhe të rezervuarëve të ujitjes në përgjithësi mungojnë.

Që nga viti 2015, kur u bë kalimi i shfrytëzimit dhe administrimit të digave të ujitjes te pushteti lokal, nuk është organizuar asnjë trajnim i specialistëve dhe punonjësve që monitorojnë digat në lidhje me kërkesat ligjore për sigurinë e digave, monitorimin e sigurisë së tyre përmes instrumenteve, zbatimin e planeve të gatishmërisë në rastet e emergjencave civile, etj.

Rritja e këtyre kapaciteteve, mendoj se duhet adresuar në dy drejtime. Së pari, duhet të nxitet formimi i inxhinierëve hidroteknikë në universitete. Së dyti, është e domosdoshme të kryhen trajnime për specialistët e monitorimit të digave.

Duke pasur parasysh se rreth 95% e digave janë në varësi të pushtetit vendor, të cilët nuk kanë specialistë apo inxhinierë të kësaj fushe dhe nuk kanë kryer trajnime për monitorimin e digave, mendoj se është e domosdoshme të ketë inxhinierë të trajnuar për digat në çdo bashki që ka nën administrim diga.

Këto trajnime mund të realizohen me periudha të shkurtra nga ekspertë të fushës, nga Ministria e Bujqësisë ose universitetet.

 

Çfarë mund të bëhet në lidhje me aspektet institucionale, strategjitë dhe investimet për të minimizuar dëmet?

Ne kemi shumë institucione dhe dokumentacion shkresor, por ato nuk përbëjnë një sistem të plotë të integruar dhe funksional. Dokumente shkresore, udhëzime, vendime apo plane afatgjata për shfrytëzimin dhe kontrollin e digave janë hartuar me shumicë, por problemi kryesor mbetet zbatimi në terren i këtyre udhëzimeve dhe vendimeve.

Si shembull mund të përmenden planet e gatishmërisë në rastet e emergjencave civile apo planet e menaxhimit të baseneve ujore të lumenjve kryesorë të vendit tonë, të cilat janë mjaft të rëndësishme dhe të domosdoshme, por për vetë kompleksitetin e zbatimit të tyre dhe kushtet aktuale kanë hasur në shumë probleme të zbatimit të tyre.

Siç u përmend më sipër, një çështje mjaft e rëndësishme që duhet të marrë vëmendjen e duhur është kryerja e një reforme të plotë institucionale, organizative dhe ligjore në sektorin e sigurisë dhe monitorimit të digave sipas eksperiencave të vendeve europiane.

Përpara se të shkohet drejt investimeve apo strategjive përkatëse në sektor, duhet të bëhet një evidentim i situatës dhe problematikave të sektorit. Sipas një studimi të mbështetur nga KKDM rezulton se afro 10% e digave të mëdha janë jashtë funksionit për arsye të ndryshme.

Ka më se 4 vjet që është kërkuar të bëhet një evidentim i plotë i problematikave dhe masave që duhet të merren për sigurinë e 400 digave të ujitjes, por ende nuk ka filluar ky proces.

Një problem tjetër që ende nuk ka gjetur zgjidhje është mungesa e Kadastrës së Ujit. Plotësimi i kësaj kadastre me bazën e të dhënave për sipërfaqet ujore dhe volumin e ujit në 650 rezervuarë është një urgjencë që duhet të fillojë sa më shpejt.

Akoma edhe sot, nuk janë regjistruar dhe matur sipërfaqet ujore të rezervuarëve të krijuar nga digat e ujitjes.

Kjo detyrë duhet të realizohet nga pushteti lokal që i ka në shfrytëzim dhe administrim këto diga. Në bashkëpunim me pushtetet lokale, Agjencia e Menaxhimit të Ujërave duhet të fillojë plotësimin e Kadastrës së Ujit për rezervuarët artificialë në bazë të programit dhe projektit të nisur që prej më se 5 vitesh.

Plotësimi i kësaj kadastre ujore është mjaft i rëndësishëm për menaxhimin real të këtyre rezervave ujore të krijuara, si dhe për zbatimin e planeve të menaxhimit të burimeve ujore, mjaft të rëndësishme në sektorin e bujqësisë, energjisë, urbanizimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Investimi në këtë sektor, mendoj se duhet të fillojë tek “truri”, pra tek ekspertiza, evidentimi profesional i problematikave dhe gjendjes aktuale përmes një monitorimi bashkëkohor, dhe më pas tek investimet fizike.

Në vendin tonë, një ndër problemet është neglizhenca e institucioneve ndaj monitorimit të duhur në sektorin e digave dhe mungesa e zbatimit të programeve dhe planeve të përgatitura nga specialistët.

Prioritet është riorganizimi i institucioneve ekzistuese që lidhen me këtë fushë. Më pas, në bazë të studimeve dhe konsulencave të duhura, duhet të planifikohen investimet. Informacioni i saktë është baza për investime të drejta dhe efikase.

 

Lexoni edhe:

Shqipëria nën ujë; Alarm për zgjimin e institucioneve

The post “Digat e energjisë nuk janë shkaku i përmbytjeve, ndikojnë pozitivisht” appeared first on Revista Monitor.

AMF: Sigurimi i detyrueshëm ka konkurrencë, por vlerësimi final i takon autoritetit përkatës

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:06

Prononcim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për “Monitor”

 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) vlerëson se tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik shfaqin një nivel të pranueshëm të funksionimit të konkurrencës.

Në një prononcim për “Monitor”, AMF-ja vlerëson se funksioni i konkurrencës për produktet TPL duhet kuptuar edhe në kontekstin e karakteristikave strukturore të këtyre produkteve të rregulluara.

Sipas AMF-së, nga perspektiva mbikëqyrëse, pavarësisht standardizimit të produktit dhe natyrës së detyrueshme të sigurimit motorik, presioni konkurrues midis shoqërive ekziston dhe manifestohet.

Megjithatë, AMF-ja thekson se vlerësimi përfundimtar mbi ekzistencën ose jo të problematikave të konkurrencës dhe mbi sjelljet potencialisht antikonkurruese mbetet në kompetencën ekskluzive të Autoritetit të Konkurrencës, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.

Gjatë vitit 2025, Komisioni i Kuvendit për Financat, Punësimin dhe Ekonominë shprehu në projektrezolutën për aktivitetin e AMF-së shqetësime serioze për funksionimin e konkurrencës në tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Megjithatë, projektrezoluta nuk u votua në seancë plenare dhe deputetë të Komisionit kanë aluduar se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të lobimit nga kompanitë e sigurimit.

 

Si e vlerësoni ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2025?

Viti 2025 për tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit ka pasur zhvillime dhe progres të vazhdueshëm në drejtim të forcimit të stabilitetit financiar, përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator me legjislacionin e BE-së, përmirësimit të transparencës, dhe zhvillimit të mëtejshëm të tyre.

Këto tregje kanë ndjekur një tendencë rritjeje të qëndrueshme. Në 30.09.2025, volumi i aktiveve të fondeve të investimit përbëjnë 47% të totalit, ndërsa volumi i aktiveve të tregut të sigurimeve dhe pensioneve përbëjnë përkatësisht 43% dhe 14%.

Në tërësi, tregu i sigurimeve u paraqit i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar, me tregues të mirë likuiditeti, të aftësisë paguese, si dhe të mbulimit me provigjone teknike.

Edhe gjatë vitit 2025, janë përdorur testet e paralajmërimit të hershëm (Early Warning Test), për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, si pjesë e mbikëqyrjes me bazë rreziku.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2025 arritën në vlerën 20,188 milionë lekë, ose 10.4% më shumë se në janar-shtator 2024. Gjatë kësaj periudhe, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,249,988, me një rritje prej 6.16%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, ku primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 67% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-shtator 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, janë të përafërta me ato të periudhës janar-shtator 2024, duke arritur në rreth 6,181 milionë lekë.

Autoriteti, monitoron me frekuencë periodike edhe mjaftueshmërinë e provigjoneve teknike, të cilat për 9-mujorin 2025 shënuan  rritje me rreth 1.42 miliardë lekë, ose 5.1%, krahasuar me fundvitin 2024.

Në tregun e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, për 9-mujorin e vitit 2025 kanë kryer aktivitet 13 fonde investimi me ofertë publike nga të cilët një është fond furnizues.

Në 30.06.2025, në tregun e SIK është miratuar nga Autoriteti edhe një fond investimi me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike, i cili ka filluar aktivitetin në 16 Tetor 2025. Rritja e numrit të fondeve jep mundësi të shtuara investimi për qytetarët shqiptarë.

Për 9-mujorin e vitit 2025, totali i aktiveve neto të fondeve të investimit me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike është në vlerën rreth 61.99 miliardë lekë, me një rritje me 6.62 miliardë lekë ose 11.96%, krahasuar me fundvitin 2024. Numri i investitorëve në tregun e SIK me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike është rritur, duke arritur në 41,679 anëtarë.

Treguesit për tregun e pensioneve private ndër vite kanë pasur një rritje të vazhdueshme, si për aktivet neto, kontributet, investimet, kthyeshmërinë nga investimi me bazë vjetore, si dhe të numrit të anëtarëve.

Edhe gjatë vitit 2025, këta tregues kanë pasur rritje të qëndrueshme, si në numrin e anëtarëve ashtu edhe në vlerën e aktiveve nën administrim. Gjatë vitit 2025 ka filluar aktivitetin në këtë treg një fond i ri i pensionit privat, duke arritur në shtatë numri i fondeve që kryejnë aktivitet në këtë treg.

Totali i aktiveve neto të tregut të fondeve të pensionit privat në 30.09.2025 arriti në 9.27 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 14.35% krahasuar me fundvitin 2024. Për këtë periudhë, tregu i fondeve të pensionit privat numëron 48,193 anëtarë.

Tregu i kapitaleve, edhe gjatë vitit 2025, vlerësohet të jetë në një fazë zhvillimi gradual, konkret dhe pozitiv, që tregojnë rritje të përdorimit të instrumenteve të tregut të kapitaleve dhe krijimin e themeleve të qëndrueshme për zhvillim afatmesëm.

Një nga zhvillimet më të dukshme lidhet me tregun e titujve të borxhit korporativ, ku aktiviteti, veçanërisht përmes ofertave private, ka shënuar rritje të vazhdueshme. Stoku i obligacioneve të emetuara me ofertë private, deri më 30.09.2025, ka arritur në rreth 34.6 miliardë lekë, duke reflektuar një rritje prej rreth 22% krahasuar me fundin e vitit 2024.

Kjo prirje pasqyron interesin në rritje të emetuesve, kryesisht bankave, për përdorimin e tregut të kapitaleve, si burim alternativ financimi, në përputhje me kërkesat rregullatore.

Autoriteti ka qenë i fokusuar në mbrojtjen e investitorëve dhe përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Europian, përfshirë finalizimin e projektligjeve për shoqëritë e listuara dhe emetuesit me ofertë publike, duke pasur mbështetjen edhe nga partnerë ndërkombëtarë.

 

Si funksionoi aplikimi i primeve të diferencuar për sigurimin e detyrueshëm TPL të automjeteve gjatë këtij viti dhe si e ndikoi tregun e produktit?

Më 1 janar 2025, hyri në fuqi rregullorja nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Kjo rregullore ka në fokus profilizimin e TPL-së së brendshme për kategorinë e autoveturave dhe synon krijimin e një sistemi tarifimi bazuar në profilin e riskut që mbart çdo i siguruar.

Në zbatim të rregullores, primet e aplikuara gjatë 2025, kanë qenë të diferencuara, duke reflektuar karakteristikat individuale të secilit të siguruar, ku të siguruarit me risk më të ulët përfituan prime më të ulëta, ndërsa ata me risk më të lartë paguan prime më të larta, në përputhje me ekspozimin e tyre ndaj riskut.

Në funksion të rritjes së transparencës, mbrojtjes së konsumatorit dhe përmbushjes së kërkesave rregullatore, të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë zhvilluar dhe publikuar në faqet zyrtare online mjete (Tool-s) për përllogaritjen e primit të sigurimit.

Nëpërmjet këtyre mjeteve, konsumatorët mund të informohen duke përllogaritur në mënyrë të pavarur primin e sigurimit që i korrespondon profilit të tyre të riskut.

 

Për vitin 2026, në llogaritjen e primeve të sigurimit TPL do të përfshihet edhe faktori i dëmeve (Bonus-Malus). A janë gati të gjitha palët e përfshira për zbatimin e këtij faktori dhe çfarë efektesh prisni nga aplikimi i tij?

Përfshirja e faktorëve të riskut në llogaritjen e primeve të sigurimit TPL është një zhvillim i rëndësishëm për tregun e sigurimeve në vend.

Rregullorja e miratuar nga Autoriteti synon nxitje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, duke minimizuar rrezikun e aksidenteve, si dhe inkurajim për përdorimin e mjeteve më të reja, më të vogla e të përshtatshme për kushtet rrugore në Shqipëri, duke kontribuar kështu edhe në mbrojtjen e ambientit.

Duke filluar nga 1 janari 2026, ka nisur të zbatohet dhe të japë efektet në tarifimin e TPL-së së brendshme edhe faktori i riskut i lidhur me historikun e dëmeve. Zbatimi i këtij faktori pritet të ketë efekt pozitiv për pjesën më të madhe të të siguruarve, të cilët nuk kanë shkaktuar dëme gjatë vitit 2025.

Në vitin 2025 janë zhvilluar takime teknike në lidhje me aplikimin e mundshëm të të gjithë faktorëve të riskut të përcaktuar në rregullore. Autoriteti si dhe shoqëritë e sigurimit kanë përshtatur sistemet e informacionit për të bërë të mundur zbatimin e plotë të rregullores.

 

Tregjet e produkteve dhe shërbimeve financiare po bëhen gjithnjë e më të digjitalizuara. Si e vlerësoni shkallën e digjitalizimit në tregjet e mbikëqyrura prej AMF-së dhe çfarë risish prisni në këtë drejtim gjatë vitit 2026?

Transformimi digjital është një tjetër prioritet i Autoritetit i lidhur ngushtë me zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare grumbullon dhe administron të dhëna për të gjitha tregjet nën mbikëqyrje, nëpërmjet sistemeve të dedikuara të raportimit financiar.

Kjo ka rritur ndjeshëm kapacitetet analitike të Autoritetit, duke mundësuar një vlerësim më të saktë të riskut, si dhe një mbikëqyrje më proaktive dhe të vazhdueshme të subjekteve të licencuara.

Në tregun e sigurimeve, ka nisur ofrimi i disa produkteve përmes kanaleve online. Ky ndryshim po rrit aksesin, veçanërisht për përdoruesit më të rinj dhe ata me njohuri teknologjike. Aktualisht, një nga bankat tregtare ofron një platformë digjitale që integron sigurimet motorike, të pronës, të udhëtimit dhe shëndetësore direkt brenda aplikacionit të saj mobile.

Gjithashtu, në kuadrin e nismave në këtë fushë vlen të përmendim lançimin në vitin 2025 të një platforme ndërmjetësimi sigurimesh plotësisht digjitale nga një kompani Fintech, bazuar në modelin modern të shpërndarjes “Affinity Solution”.

Nga eksperienca e vendeve me tregje të zhvilluara, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për analizat e të dhënave nga këto platforma mundëson ofrimin e çmimeve dhe mbulime të personalizuara, duke e bërë sigurimin më të përballueshëm.

Qëllimi ynë është të mbështesim ekosistemin digjital të sigurimeve, ku konsumatorët mund të kenë akses të lehtë në informacion, të krahasojnë produktet, tërësisht online.

Në tregun e kapitaleve, një pjesë e subjekteve që ofrojnë shërbime investimi në tituj kanë zhvilluar aplikacione, përmes të cilave investitorët individualë mund të blejnë tituj, kryesisht tituj qeveritarë.

Ky zhvillim kontribuon në uljen e barrierave të aksesit dhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së investitorëve, duke e afruar tregun e kapitaleve më pranë publikut të gjerë.

Gjithashtu, Autoriteti ka Qendrën e Informacionit, e cila menaxhon Regjistrin Elektronik Online të Shitjeve dhe Regjistrin Elektronik të Dëmeve.

Regjistri Elektronik Online i Shitjeve ka standardizuar dhe digjitalizuar plotësisht procesin e raportimit në kohë reale të policave të sigurimit të detyrueshëm, për të forcuar mbrojtjen ndaj konsumatorit.

Regjistri Elektronik i Dëmeve furnizohet nga shoqëritë e sigurimit me të gjitha të dhënat për dëmet që rrjedhin nga sigurimi i përgjegjësisë së pronarit ose përdoruesit të mjetit motorik, për dëme shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.

Në këtë regjistër është digjitalizuar cikli i plotë i trajtimit të dëmit, nga momenti i hapjes së dosjes deri në përfundim të trajtimit të pagesës, duke mundësuar edhe gjurmimin në kohë reale nga konsumatori përmes një kodi unik, ndjekjen e afateve ligjore dhe ndërtimin e historikut të dëmeve si bazë për analizën e riskut.

Këto dy sisteme kanë kontribuar ndjeshëm në eliminimin e informalitetit, rritjen e transparencës dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorit.

Gjithashtu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përmes portalit qeveritar e-Albania, ofron shërbimet online për verifikimin e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik dhe historikun e mbulimit në sigurim.

Në planin e përafrimit me acquis të BE-së, lidhur me Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, ku AMF është institucion lider i negociatave, gjatë vitit 2026 pritet të hyjnë në fuqi dy akte shumë të rëndësishme në funksion të financave digjitale: Projektrregullorja “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale në subjektet e licencuara nga AMF” dhe projektligji “Për tregjet e kripto-aseteve” (i publikuar për konsultim publik më 27 nëntor 2025).

Projektligji “Për tregjet e kripto-aseteve” synon të rregullojë subjektet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, si dhe aktivitetet ndërmjetësuese.

Kërkesat për këto subjekte përfshijnë kërkesa për kapital, rregulla të qeverisjes korporative, menaxhim të konfliktit të interesit, politika dhe procedura për sigurinë kibernetike dhe operacionale, masa për mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e abuzimit me tregun, si dhe zbatim të politikave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Kripto-asetet, si produkte të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, mbartin potencial për përfitime të prekshme duke lehtësuar proceset e grumbullimit të kapitalit dhe duke mundësuar akses më gjithëpërfshirës në financim për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si dhe ofron mundësi për pagesa ndërkufitare më të lira e më të shpejta, falë reduktimit të ndërmjetësve.

Paketa legjislative dhe rregulluese, e cila pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2026, e çon digjitalizimin e tregjeve të mbikëqyra nga AMF në një fazë më të pjekur, ku produktet dhe shërbimet inovative ecin paralel me standarde të larta sigurie dhe transparence, duke i bërë tregjet financiare  më moderne, më konkurruese dhe më të besueshme  për investitorët dhe konsumatorët.

 

Komisioni i Kuvendit për Financat, Punësimin dhe Ekonominë ka shprehur në projektrezolutën për aktivitetin e AMF-së shqetësime serioze për funksionimin e konkurrencës në tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Në këndvështrimin tuaj, a ekzistojnë problematika të konkurrencës në këto tregje dhe nëse po, si mund të adresohen ato?

Bazuar në analizat e vazhdueshme të tregut dhe praktikën mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, konstatohet se tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik, në vlerësim të përgjithshëm, paraqiten në një nivel të pranueshëm funksionimi të konkurrencës, brenda karakteristikave strukturore të këtyre produkteve të rregulluara.

Nga perspektiva mbikëqyrëse, ky zhvillim sugjeron se, pavarësisht standardizimit të produktit dhe natyrës së detyrueshme të sigurimit motorik, presioni konkurrues midis shoqërive ekziston dhe manifestohet.

Njëkohësisht, duhet theksuar se vlerësimi përfundimtar mbi ekzistencën ose jo të problematikave të konkurrencës dhe mbi sjelljet potencialisht antikonkurruese mbetet në kompetencën ekskluzive të Autoritetit të Konkurrencës, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.

 

Gjatë vitit 2026, pritet një rishikim i sistemit të pensioneve. Mendoni se kjo reformë duhet të përfshijë ngritjen e një kolone të dytë të pensioneve ose të nxisë më tej zhvillimin e kolonës së tretë të tyre?

Skema e pensioneve përbën një nga shtyllat themelore të qëndrueshmërisë sociale të vendit dhe, si e tillë, kërkon një qasje të integruar dhe afatgjatë. Në praktikën ndërkombëtare, sistemi i pensioneve strukturohet mbi tre kolona, të cilat plotësojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën.

  • Kolona e parë, publike dhe e detyrueshme, siguron një nivel bazë mbrojtjeje sociale.
  • Kolona e dytë, me karakter profesional dhe të detyrueshëm plotësues, shërben për të përforcuar përfitimet e kolonës së parë dhe administrohet nga shteti ose nga shoqëri administruese të licencuara.
  • Kolona e tretë, skema e fondeve të pensioneve private e rregulluar me Ligjin nr. 76/2023 “Për fondet e pensionit privat”, është një skemë private, që mundëson rritjen e të ardhurave në moshën e pensionit përmes kursimeve individuale afatgjata.

Kjo strukturë kontribuon në mirëqenien sociale të shoqërisë duke kombinuar sektorin publik,  privat, punëdhënësit dhe individët, si dhe në uljen e presionit mbi financat publike në afatgjatë. Autoriteti mbështet çdo nismë ligjore dhe institucionale që i shërben zhvillimit të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë të skemës së pensioneve, duke garantuar mbrojtjen e interesave të kontribuuesve dhe përfituesve, si dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Zhvillimi i mëtejshëm i kolonës së tretë mbetet objektiv strategjik i Autoritetit, me qëllim nxitjen e incentivave të ndryshme për rritjen e numrit të anëtarëve në fondet e pensioneve private.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së gjatë vitit 2026 dhe cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore për këto tregje?

Për vitin 2026, pritshmëria është që tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të ruajnë tendencën pozitive të rritjes, mbështetur nga tregues të qëndrueshëm të shëndetit financiar dhe forcimi i infrastrukturës rregullatore dhe mbikëqyrëse.

Qëllimi përfundimtar mbetet krijimi i tregjeve financiare më të forta, më transparente dhe më të integruara me standardet europiane, në funksion të zhvillimit afatgjatë të ekonomisë së vendit.

Një tjetër pritshmëri e rëndësishme për vitin 2026 është zhvillimi i mëtejshëm i tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së, përfshirë tregun e kapitaleve, sigurimeve, fondet e pensioneve dhe fondet e investimit.

Për sa i përket tregut të sigurimeve, vijimi i përgatitjeve për zbatimin e Solvency II, do të thotë kalim nga një mbikëqyrje formale, e bazuar kryesisht në rregulla fikse, në një mbikëqyrje të bazuar në rrezik, që vlerëson realisht aftësinë financiare, qeverisjen dhe menaxhimin e rreziqeve të shoqërive të sigurimit.

Nën këtë regjim, përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar dhe diversifikimi gradual i produkteve të sigurimit pritet të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë së tregut.

Vijimi i zbatimit të planeve të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve lidhet drejtpërdrejt me arritjen e objektivave për rritjen graduale të aktivitetit, zgjerimin e pjesëmarrjes, forcimin e rolit të investitorëve institucionalë dhe krijimin e një tregu më funksional dhe më të besueshëm.

Në këtë proces, forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve publike, aktorëve të tregut dhe pjesëmarrësve të tregut mbetet thelbësor.

Në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe të fondeve të pensionit privat pritet të vijojë tendenca pozitive e zhvillimit, si në terma të rritjes së vlerës neto të aseteve, ashtu edhe të numrit të anëtarëve në këto skema, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tregut financiar dhe të ekonomisë në tërësi.

Mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi financiar do të mbeten pritshmëri thelbësore për vitin 2026. Forcimi i mekanizmave të trajtimit të ankesave, rritja e transparencës së produkteve financiare dhe avancimi i nismave për edukimin financiar pritet të përmirësojnë ndërveprimin e qytetarëve me tregjet financiare.

Sfida kryesore për vitin 2026 lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian, ku Autoriteti ka një rol të rëndësishëm, veçanërisht si kryesues i Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, por edhe përmes kontributeve në kapituj të tjerë që prekin funksionimin e tregjeve financiare.

ritshmëria është avancimi i ndjeshëm në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me acquis të Bashkimit Europian. Megjithatë, sfida më e madhe nuk qëndron vetëm në miratimin formal të legjislacionit, por në përshtatjen e tij me kushtet konkrete, madhësinë dhe nivelin e zhvillimit të tregut vendas, si dhe në zbatimin efektiv në praktikë, një proces që kërkon kohë, kapacitete dhe angazhim të qëndrueshëm.

Në këtë kuadër, digjitalizimi dhe mbështetja e zgjidhjeve fintech në shërbimet financiare përbëjnë prioritete strategjike që njëkohësisht përkthehen në pritshmëri dhe sfida.

Digjitalizimi i proceseve mbikëqyrëse, rritja e transparencës dhe përdorimi i teknologjisë për përmirësimin e raportimit dhe analizës së riskut pritet të rrisin eficiencën e mbikëqyrjes dhe aksesin në financim, ndërkohë që kërkojnë një qasje të balancuar rregullatore për menaxhimin e risqeve teknologjike dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Një tjetër drejtim me rëndësi është krijimi i infrastrukturës që mbështet financimin e gjelbër, përfshirë zhvillimin e tregut të obligacioneve të gjelbra.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi ndërinstitucional për hartimin dhe zbatimin e taksonomisë, si një sistem klasifikimi për investime të qëndrueshme në përputhje me standardet europiane, është një element kyç për orientimin e kapitalit drejt projekteve me ndikim pozitiv mjedisor dhe klimatik.

Bashkëpunimi rajonal përbën një katalizator të rëndësishëm për zhvillimin e tregjeve financiare si alternativë financimi për ekonominë, veçanërisht në vende me tregje ende në fazë zhvillimi.

Përfshirja e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në nisma rajonale bashkëpunimi është veçanërisht e dobishme në këtë fazë të harmonizimit të kuadrit ligjor dhe rregullator me acquis të Bashkimit Europian.

Gjithashtu, thellimi i bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë dhe autoritete homologe, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, përbën një shtyllë të rëndësishme për implementimin e duhur të standardeve europiane.

Ky bashkëpunim kontribuon drejtpërdrejt në modernizimin e metodologjive mbikëqyrëse, forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe rritjen e gatishmërisë institucionale për të përballuar në mënyrë efektive sfidat e tregjeve të zhvilluara financiare.

Në tërësi, pritshmëria për vitin 2026 është një ecuri e qëndrueshme dhe progresive e tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF, ndërsa sfidat kryesore lidhen me balancimin midis reformave strukturore, kapaciteteve të tregut dhe kërkesave të integrimit europian.

Këto pritshmëri dhe sfida burojnë drejtpërdrejt nga strategjia e AMF-së, rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe objektivat e përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Intervistoi: Ersuin Shehu

 

The post AMF: Sigurimi i detyrueshëm ka konkurrencë, por vlerësimi final i takon autoritetit përkatës appeared first on Revista Monitor.

Transporti urban dhe ndërqytetës, mes sfidës së kostove dhe numrit të pasagjerëve

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:04

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, parashikon se sektori i transportit publik në vitin 2026 do të përballet me rritje të numrit të pasagjerëve, kryesisht për shkak të fluksit të turistëve.

“Për vitin 2026, sektori i transportit publik pritet të regjistrojë rritje të numrit të pasagjerëve, kryesisht për shkak të fluksit të turistëve.

Ndikimi pritet të jetë më i madh te transporti urban, ku gjatë verës së kaluar përdorimi ishte më i lartë se zakonisht midis qershorit dhe shtatorit, për shkak të pushimeve të shkollave dhe mbylljes së disa sektorëve të punës. Fluksi i turistëve bëri që operatorët të mos ulnin numrin e mjeteve në qarkullim”.

Ndërkohë, transporti ndërqytetas pritet të ketë ndikim të kufizuar, përjashtuar disa linja bregdetare me fluks turistësh. Ai vlerëson se numri i përdoruesve do të jetë më i lartë se në vitin 2025.

Z. Memaj thekson gjithashtu se çmimet e karburantit dhe energjisë mbeten faktor kryesor i kostove operuese.

Shtimi i pagave dhe indeksimi i shpenzimeve personale pritet të rrisë presionin mbi rritjen e pagave të shoferëve, mekanikëve dhe stafit për 2026 dhe koston për kompanitë e transportit të pasagjerëve.

“Çmimet e karburantit dhe kostoja e energjisë mbeten faktorë kryesorë të kostove operuese për autobusët. Megjithëse çmimet ndryshojnë, paqëndrueshmëria energjetike dhe luhatjet globale rrisin mundësinë e rritjes së kostove.

Shtimi i pagave dhe indeksimi i shpenzimeve personale, siç parashikohet në projektbuxhet dhe njoftimet shtetërore për vitin 2026, rrit presionin mbi pagat e shoferëve, mekanikëve dhe stafit.

Rritjet e pagave në sektorin publik ndikojnë shpesh edhe te pagat private në fusha si transporti, siç ka ndodhur më parë në sektorin e ndërtimit, ku tatimet publikuan listat e pagave sipas profesioneve”.

Në muajin nëntor 2025, Bashkia e Kamzës miratoi rritjen e çmimit të biletave për dy linja urbane, nga 40 në 50 lekë, si dhe rritjen e abonimeve të linjës.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, thotë se ky vendim erdhi pas mungesës së subvencioneve që operatorët kanë kërkuar vazhdimisht.

Ndryshe nga Kamza, Bashkia e Tiranës subvencionon transportin urban prej më shumë se dy vitesh, ndërsa Kamza nuk ka dhënë sinjale mbështetjeje.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës thekson se rritja e çmimit dhe e abonimeve nuk është e drejtë, pasi preken vetëm dy linja, ndërsa të tjerat mbeten pa mbështetje.

Ai thotë se operatorët kombëtarë nuk kanë bërë kërkesa të unifikuara për rritjen e çmimeve për vitin 2026.

“Nëse subvencionet për linjat urbane vazhdojnë, nuk do të ketë kërkesa për rritje. Ndërsa për linjat ndërqytetase, kërkesa për mbështetje ose indeksim të çmimit të biletës mund të bëhet vetëm në rast të rritjes së ndjeshme të kostove”.

Nga shtatori 2026, shoqëria “MobAI”, me kapital 100% shtetëror, do të kujdeset për organizimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për funksionimin e transportit publik rrugor, përfshirë parkun e autobusëve, pikat e karikimit të mjeteve elektrike, sistemin e biletave elektronike.

Me një vendim të miratuar në vitin 2025 nga Këshilli i Ministrave, është themeluar shoqëria aksionere me kapital 100% shtetëror “MobAl”, sh.a., me qëllim organizimin dhe operimin e shërbimit të transportit publik rrugor në Shqipëri.

Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksioner i vetëm.

Por sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, roli dhe funksionimi i saj ende nuk janë të qarta, pasi asnjë nga grupet e interesit nuk ka qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk është dhënë ndonjë opinion mbi mënyrën e funksionimit.

“Aktualisht, për linjat ndërqytetase funksionon platforma ‘e-Transport’ nga e-Albania, ku bëhet aplikimi për certifikim dhe licencim. Nuk dihet pse është menduar krijimi i një shoqërie shtetërore që të menaxhojë këtë pjesë të transportit”, thotë ai.

 

The post Transporti urban dhe ndërqytetës, mes sfidës së kostove dhe numrit të pasagjerëve appeared first on Revista Monitor.

Forcimi i mbrojtjes

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:02

Europa po hyn në një valë të madhe shpenzimesh ushtarake. Por me Amerikën tashmë një aleate të pasigurt, a do të jetë e mjaftueshme për të përballuar Rusinë?

 

Qeveritë europiane po përballen me një krizë të mbrojtjes, të kapura mes agresionit rus dhe pasigurisë amerikane. Por ato kanë filluar ta marrin seriozisht kërcënimin, shkruan The Economist.

Në maj, Komisioni Europian nisi SAFE (Security Action for Europe), një fond prej 150 miliardë eurosh që u jep vendeve anëtare të BE-së hua me interesa të ulëta për investime në mbrojtje.

Ai siguron fonde për të adresuar boshllëqet më të dukshme të kapaciteteve të Europës dhe për të rritur kapacitetin industrial përmes prokurimeve të përbashkëta.

Skeptikët dyshonin se do të kishte shumë të interesuar. Por kur afati kaloi më 30 nëntor, 19 vende kishin aplikuar dhe fondi ishte plotësisht i alokuar. Vetëm Polonia kërkon 43.7 miliardë euro.

SAFE është një nga dy shtyllat e planit të BE-së për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, tashmë i njohur si “Readiness 2030”.

Shtylla tjetër është “National Escape Clause” (NEC), e cila u lejon vendeve të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 1.5% të PBB-së gjatë katër viteve të ardhshme, pa u penalizuar nga rregullat e deficitit të BE-së.

Deri tani, 16 vende janë bashkuar. NEC mund të çlirojë edhe 650 miliardë euro të tjera.

Në një samit të NATO-s në qershor, anëtarët europianë të aleancës u zotuan ta rrisin shpenzimin deri në vitin 2035 nga 2% e PBB-së në 3.5% për buxhetet “bazë” ushtarake, plus edhe 1.5% të tjera për infrastrukturë të lidhur.

Që atëherë, ndjesia e urgjencës është rritur, bashkë me frikën për angazhimin amerikan ndaj Europës.

Rishikimi i shumë vonuar i Pentagonit për Pozicionimin Global pritet të kërkojë tërheqje trupash dhe shpërngulje kapacitetesh drejt rajonit Azi-Paqësor.

Amerika tani kërkon që Europa të paguajë për armët që dërgon në Ukrainë. Negociatat e fundit të paqes kanë bërë të qartë se gatishmëria e Donald Trump për ta mbyllur luftën mund ta vërë në rrezik sigurinë e Europës.

 

 

Ndërkohë, Rusia ka rritur fuqinë e saj ekonomike të luftës (shih grafikun). Instituti britanik Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) vlerëson se ajo mund të paraqesë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Europën që në vitin 2027.

Bastian Giegerich, kreu i IISS, paralajmëron se edhe pse ekonomia e Rusisë është rreth një e dhjeta e madhësisë së Europës, sipas standardeve të fuqisë blerëse, ajo do të shpenzojë këtë vit po aq sa gjithë vendet europiane të NATO-s së bashku.

“Rezistenca e Ukrainës, – thotë ai, – i ka dhënë Europës një dritare për t’u rikuperuar.” Nëse lufta përfundon, ajo dritare do të mbyllet.

Kapacitetet për të cilat Europa është mbështetur tek Amerika, dhe që duhet t’i zëvendësojë, janë të jashtëzakonshme.

Ato përfshijnë inteligjencën ajrore dhe hapësinore, survejimin dhe zbulimin; transportin ajror strategjik; goditjen tokësore precize me rreze të gjatë; dhe kapacitetin kompjuterik cloud në shkallë shumë të lartë.

IISS vlerëson se kostoja e zëvendësimit të kapaciteteve jobërthamore të Amerikës të vëna në dispozicion për NATO-n arrin rreth 1 trilion dollarë.

Këto nuk janë të vetmet gjëra në listën e detyrave. Camille Grand, ish-ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s që drejton European Aerospace, Security and Defence Association, një organizatë industriale, thotë se përparësia e parë është rritja e mbështetjes për Ukrainën, veçanërisht me sisteme raketore me rreze të gjatë dhe pajisje të mbrojtjes ajrore.

E dyta është rikthimi i formacioneve të luftimit të Europës. NATO ka nevojë për një sistem europian të integruar të mbrojtjes ajrore që mund të përballojë gjithçka, nga raketat hipersonike deri te dronët sulmues.

Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, bën thirrje për një rritje 400% të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.

 

 

E treta në listën e Grand është zëvendësimi i kapaciteteve për të cilat Europa ende varet nga Amerika. Ai beson se e gjithë kjo është e realizueshme brenda dhjetë viteve.

Shpenzimet europiane për mbrojtjen janë tashmë 50% më të larta, në terma nominalë, se në vitin 2022.

Grand pret që ato të rriten gjatë pesë viteve të ardhshme në 500–700 miliardë euro në vit, rreth 30% e të cilave për prokurime. Kjo duhet të mjaftojë.

 

Sfidat

Megjithatë, shumë varet nga shpejtësia e rritjes së shpenzimeve. Spanja dhe Italia, më pak të shqetësuara për Rusinë, ka gjasa të mbeten pas. Britania dhe Franca, të kufizuara nga ana fiskale, do ta kenë të vështirë të arrijnë 3% brenda pesë viteve.

Por Polonia do të shpenzojë 4.8% vitin e ardhshëm, dhe vendet e pasura nordike po ecin shpejt drejt 3.5%.

Gjermania synon 3.5% deri në vitin 2029, rreth 195 miliardë dollarë (edhe pse mund të mbetet pak poshtë). Kancelari Friedrich Merz premton se Bundeswehr do të bëhet “ushtria konvencionale më e fortë në Europë”.

Një pyetje tjetër është nëse sistemet e ngurta të prokurimit në Europë mund të ecin më shpejt dhe nëse baza industriale mund të përmbushë kërkesën. Grand thotë se industria po përgjigjet me investime të paprecedenta.

Që nga viti 2022, rreth 53% e kontratave të mbrojtjes në kontinent, sipas vlerës, u kanë shkuar firmave europiane; 36% është shpenzuar për pajisje amerikane, kryesisht avionë luftarakë F-35. Në raport thuhet se kjo marrëdhënie duhet të ndryshojë ndjeshëm.

Edhe nëse porositen sot, sistemet e armëve mund të duan dy deri në tre vjet për t’u dorëzuar.

Programet e përbashkëta si ELSA (European Long-Range Strike Approach), një projekt i shtatë vendeve për zhvillimin e një rakete tokësore, janë të nevojshme për shkallëzim dhe unifikim.

Por ato janë të ngadalta. Gati 18 muaj që kur ELSA u formua, ende nuk ka marrëveshje se çfarë duhet të prodhojë MBDA, kampioni shumëkombësh i raketave në Europë.

Çdo ministri e mbrojtjes po flet tani për thjeshtimin e procedurave të prokurimit dhe favorizimin e “zhvillimit spiral”, ku sistemet e mjaftueshme evoluojnë vazhdimisht, në vend të “kapaciteteve të shkëlqyera” e tepër të sofistikuara.

Qëllimi është porosi të shpejta dhe kontrata afatgjata. Por heqja e rregullave të panevojshme është punë e ngadaltë. Gjermania kërkon që kontratat me vlerë mbi 25 milionë euro të miratohen nga komiteti i buxhetit i Bundestagut. Holanda dhe Italia kanë kufizime të ngjashme.

Nico Lange, ish-shef kabineti në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, thotë se lufta në Ukrainë tregon se fitorja i takon atij që mund t’i furnizojë më shpejt forcat e vijës së parë me teknologji “në sasi të rëndësishme”.

Kompanitë europiane me qasje më të avancuar si Rheinmetall kanë bashkëpunuar me ato ukrainase, dhe huatë SAFE mund të shpenzohen në Ukrainë.

Ministritë e Mbrojtjes e kuptojnë se teknologjitë e reja të zhvilluara nga kompani të reja dhe të financuara nga kapitali sipërmarrës kërkojnë një qasje tjetër.

Lange mendon se Gjermania duhet të shpenzojë 10% të buxhetit të saj të prokurimeve për “projekte të ndërprerjes”, duke u rritur në 30% deri në vitin 2030. Ministria britanike e Mbrojtjes ka rezervuar 400 milionë paund për një njësi inovacioni me ritëm të shpejtë.

Sir Lawrence Freedman, strateg britanik, thotë se po shfaqet një ekosistem i ri në të cilin “shpejtësia e inovacionit është e lartë”. Procese të tilla të reja prokurimi, thotë ai, duhet të funksionojnë paralelisht me ato të sistemeve tradicionale.

Sfida e Europës është e qartë. Asaj i duhet të përmbushë angazhimet e shpenzimeve të bëra në qershor; të reformojë prokurimin e mbrojtjes; të ulë varësinë nga Amerika; dhe të rrisë bashkëpunimin për të marrë më shumë vlerë për çdo euro.

Por pak qeveri po u shpjegojnë zgjedhësve pse mbrojtja duhet të ketë përparësi ndaj shpenzimeve sociale.

Ndërkohë, partitë e djathta ekstreme simpatizante të Rusisë paraqesin një kërcënim të madh. Europa i ka “muskujt” financiarë, teknologjikë dhe industrialë për të bërë atë që duhet. Pyetja është nëse ka vullnetin politik.

 

The post Forcimi i mbrojtjes appeared first on Revista Monitor.

Nacionalizmi europian ka vdekur; Rroftë gastronacionalizmi europian

By: Mira Leka
23 January 2026 at 22:00

Një kontinent i bashkuar nga traktatet mbetet i përçarë nga recetat, shkruan The Economist

 

E sulmuar nga Rusia, e përmbytur ekonomikisht nga Kina dhe e braktisur nga Amerika, Europa prapëseprapë mund të besohet se do të përqendrohet te gjërat që kanë vërtet rëndësi.

Si, për shembull, mënyra e saktë për të gatuar spageti karbonara. Kur muajin e kaluar u zbulua se një dyqan brenda Parlamentit Europian në Bruksel po shiste kavanoza me salcë karbonara të gatshme që, sipas raportimeve, përdorte përbërës të gabuar, Francesco Lollobrigida, ministri italian i Bujqësisë, reagoi me seriozitet solemn, si për çështje lufte e paqeje.

Si mund të quhej karbonara një salcë që përmbante pana – crema! Madonna mia! – dhe një prerje të pasaktë mishi derri?

Çfarë do të vinte më pas, ananas mbi pica? Kjo ishte qartësisht e papranueshme, u zemërua ministri populist, i cili rastësisht është edhe kunati i Giorgia Melonit, kryeministres së Italisë. U kërkua me ngulm një hetim. Përballë kërcënimeve ekzistenciale, kontinenti tregoi edhe një herë talentin e tij për t’u dhënë përparësi gjërave të panegociueshme.

Zemërimi vezuvian i zotit Lollobrigida ishte simptomatik: ushqimi mund të ngjallë emocione më të forta në Europë se pothuajse çdo temë tjetër. Zakonet kulinare vazhdojnë t’i ndajnë vendet e saj, edhe pse ato janë afruar në shumë drejtime të tjera. Për dekada, Bashkimi Europian ka zbutur me durim nacionalizmin e tepruar.

Përmes samiteve të njëpasnjëshme, 27 sisteme ligjore kombëtare janë harmonizuar, kontrollet kufitare janë zhdukur, monedhat janë shkrirë në një. Por një kontinent i qepur bashkë nga traktatet mbetet i grisur nga recetat.

Nga Dublini në Lublin dhe nga Malmö në Palermo, shijet europiane kanë mbetur të palëkundura ndaj 70 viteve të integrimit europian. Amerikanët hanë pothuajse të njëjtin ushqim kudo që të jenë. Por shërbejini djathë holandez një greku, ose gjellë irlandeze një spanjolli, dhe më e mira që mund të shpresosh është heshtje.

Sot konsiderohet e pahijshme që një europian të përçmojë një fqinj, me gjasë aleat në ndonjë negociatë jetike të BE-së. Por goditjet ndaj kuzhinës së tyre mbeten shenjë e virilitetit patriotik. Nacionalizmi europian ka vdekur. Rroftë gastronacionalizmi europian.

Veçoritë dietike janë përdorur prej kohësh për të tallur ata matanë kufirit. Gjermanët njihen pa shumë dashuri si Krauts, francezët si Frogs, britanikët si rosbifs, në aludim për mënyrat e tyre të papërpunuara të gatimit të viçit, e kështu me radhë. Politikanët në mbarë Europën e dinë se nënvlerësimi i aftësive kulinare të fqinjëve përqafohet në shtëpi.

Presidenti francez Jacques Chirac dikur shpalli se kontributi i vetëm i Britanisë në bujqësinë europiane ishte sëmundja e lopës së çmendur dhe se “nuk mund t’u besosh njerëzve që gatuajnë kaq keq”, gjë që, nga këndvështrimi i BE-së, doli e vërtetë. I ndjeri Silvio Berlusconi e përshkroi ushqimin finlandez si të përbërë kryesisht nga drerë të marinuar.

Hakmarrja e një pronari restoranti finlandez, një Pizza Berlusconi me mish dreri të tymosur, arriti të mposhtte dhjetëra konkurrentë italianë në një festival pice në Nju Jork.

 

Ushqimi dhe globalizimi

Në çështjet e kuzhinës, ashtu si në ekonomi dhe klimë, një vijë horizontale e ndan kontinentin. Ata mbi të, veriorët e pasur e të lagur nga shiu, gatuajnë kryesisht me gjalpë dhe janë të afërmit e varfër gastronomikë të kontinentit.

“Kuzhina” e tyre, pretendojnë fqinjët jugorë, është një mënyrë efikase për të shpërndarë kalori, e përshtatshme për mungesën e tyre të lindur të humorit; kush ka kërkuar ndonjëherë me dëshirë një restorant gjerman, holandez apo polak?

Jugorët, në të kundërt, janë të vajit të ullirit. Italianët, grekët dhe francezët (të cilët me zgjuarsi qëndrojnë mbi vijën vaj-gjalpë) e shohin vaktin si një rast të shenjtë, që ushqen shpirtin po aq sa trupin.

Veriorët pro-tregtisë së lirë, me ushqimin e tyre të vakët, kanë përfituar shumë nga globalizimi: mjafton të shohësh sa shpejt britanikët hoqën dorë nga rosbif-i në favor të chicken tikka masala, dhe si gjermanët u dyndën drejt döner kebab-it. Jugorët e pëlqejnë atë që kanë dhe duan ta mbrojnë. Pjesërisht, ata zemërohen nga imitimet e dobëta të recetave të nonnave të tyre.

Skandinavët i shërbejnë pa problem makaronat me ketchup, ndërsa polakët servirin makarona me luleshtrydhe (më mirë të mos e dijë zoti Lollobrigida). Jugorët janë kundërpërgjigjur me zell kundër këtij përvetësimi kulinar.

Që prej vitit 1992, BE-ja zbaton rregulla që përcaktojnë se disa ushqime mund të vijnë vetëm nga zona të caktuara, duke siguruar, për shembull, që vetëm grekët të prodhojnë feta dhe që Parmixhano të vijë nga veriu i Italisë.

Nga mbi 1,500 ushqime tashmë të mbrojtura, më shumë se 70% vijnë nga pesë vende jugore. Më 10 dhjetor, UNESCO e zgjeroi listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit për të përfshirë kuzhinën italiane, duke e bërë Italinë vendin e parë që merr një vlerësim të tillë. Nuk ka, me sa duket, plane për të njohur kuzhinën holandeze.

Zënkat gastronacionaliste të Europës janë të shijshme sepse shpesh janë komikisht të vogla. Është narcizmi i dallimeve të vogla. Belgët zemërohen që “patatet franceze” mbajnë emrin e fqinjëve të tyre, duke pasur parasysh epërsinë e dukshme belge në përgatitjen e tyre.

Grekët pretendojnë pronësinë e “kafesë turke”. Të gjitha vendet e Europës Jugore distilojnë fruta në ndonjë pije të fortë, më së miri e shijuar në diell; kush mund ta dallojë vërtet mes uzo-s greke, mastikës bullgare dhe rakisë ballkanike?

E megjithatë, secili vend e trajton përzierjen e vet si nektar perëndish, ndërsa e përçmon pijen e fqinjit. Ukraina dhe Rusia janë grindur prej kohësh për origjinën e supës borscht, secila duke përdorur pretendimin e tjetrës si provë të kokëfortësisë.

 

Ushqim për mendjen

Në një epokë të globalizuar, ku ushqimi “fusion” i denjë për Instagram kalon mbi traditat lokale, a nuk është i arsyeshëm pak shovinizëm kulinar? Vetëm deri në një pikë.

Sepse të përshkruash një mënyrë “korrekte” për të përgatitur një pjatë, ose ta lidhësh atë ngushtë me një vend të vetëm, do të thotë të humbasësh nga sytë mënyrën se si evoluon kuzhina.

Kuzhinierët huazojnë, përshtatin dhe përmirësojnë atë që gjejnë. Shumë tradita ushqimore janë, në fund të fundit, të sajuara.

Karbonara që italianët e mbrojnë kaq me zjarr nuk është një pjatë stërgjyshore: receta e parë e njohur u botua në vitin 1952, në Çikago. Vetëm në vitet 1990 u konsolidua versioni aktual “kanonik”, një e vërtetë që sfidon mitin e traditës.

The post Nacionalizmi europian ka vdekur; Rroftë gastronacionalizmi europian appeared first on Revista Monitor.

“e-Albania”, si në “gjendje lufte”, sistemi i self-care nuk punon prej tre ditësh

By: Mira Leka
23 January 2026 at 12:24

Prej tre ditësh aktiviteti i bizneseve është i bllokuar, pasi sistemi self-care, që menaxhohet nga e-Albania nuk funksionon.

“Nuk mund të hysh fare në platformën e faturave”, thotë një ekonomiste. “Bizneset e vogla, të cilët janë të vetëpunësuar të vetëm, përdorin platformën qendrore të faturave për të lëshuar faturë tatimore shitje për shërbimet e tyre dhe prej tre ditësh nuk mund të lëshojnë fatura sepse platforma nuk punon”.

Problemet me sistemet kanë qenë të vazhdueshme që nga fundi i vitit të kaluar, por kjo është dita e tretë rresht, që bizneset nuk mund të aksesojnë sistemin.

Bizneset e vogla, me të vetëpunësuar të vetëm, nuk arrijnë të bëjnë dot bilancet sepse nuk nxjerrin dot faturat e blerjes dhe të shitjes dhe tabelën përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve totale të vitit në bazë të së cilit bëhet bilanci. Shumë prej tyre përdorin këtë platformë që është falas.

Përmes këtij sistemi bëhet dhe ngarkimi i certifikatave të fiskalizimit. Nëse një subjekti i mbaron afati 1-vjetor i certifikatës këto ditë, biznesi mund të mbeten pa punë, pasi nuk e rinovon dot.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon sistemin e e-Albania nuk ka pranuar zyrtarisht që sistemi nuk funksion, por burime të “Monitor” thanë se ata janë në dijeni të problemit dhe po punojnë për ta zgjidhur.

“U bënë si në kohë të luftës këto sistemet tona”, thotë me ironi një ekonomist.

Investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro. po në dekadën e fundit, administrata është shtuar me 20 mijë persona, për të arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre!

 

Lexoni edhe:

500 mln euro për e-qeverisjen në 4 vjet, rekord punonjësish në administratë, por sistemi nuk punon!

The post “e-Albania”, si në “gjendje lufte”, sistemi i self-care nuk punon prej tre ditësh appeared first on Revista Monitor.

Before yesterdayMain stream

Manuali për ndërtimin: Pastrim parash, shitje të apartamenteve nën çmimet e deklaruara

By: Mira Leka
21 January 2026 at 13:38

Pas një fushate informuese që nisi në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, përmes njoftimeve drejtuar kompanive të ndërtimit nëpërmjet sistemit e-Filing, dhe që zgjati 30 ditë, administrata tatimore ka nisur tashmë kontrollet në terren, duke filluar nga 16 janari 2026.

Deri tani nga kontrollet e kryera (dje u ushtruan kontrolle në 9 agjenci imobiliare, ndër më të mëdhatë në vend), rezultoi shkelje si evazion me çmimet e shitjes së apartamenteve, nëndeklarim të pagave për punonjësit etj. Gjatë kontrolleve të ushtruara tatimet sekuestruan edhe kompjutera si bazë të provave materiale për dokumentim të shkeljeve dhe referim të tyre në prokurori.

Por në sektorin e ndërtimit sipas administratës tatimore rezulton se janë evidentuar një sërë problematikash. Problematikat kryesore të identifikuara nga Drejtoria e Manaxhimit të Riskut pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u bënë publike te dokumenti i “Plani i menaxhimit të riskut për sektorin e ndërtimit (informaliteti dhe pagat referencë)”.

Sipas dokumentit sektori i ndërtimit rezulton me risk për pastrim parash për shkak të përdorimit të lartë të parasë cash-it dhe fryrjes artificiale të kostove, lëshimit të  faturave fiktive për furnitorët, deklarim shitjes të apartamenteve me çmime nën nivelin e çmimeve të deklaruara në treg dhe nën çmimet e referencës, shitje të apartamenteve në fazat e para të ndërtimit (gropë apo karabina) pa faturë, nëndeklarim pagash për punonjësit etj.

Problematikat kryesore të konstatuara në sektorin e ndërtimit

Drejtoria e Menaxhimit të Riskut identifikon disa grup-risqe kryesore për sektorin:

-Mosdeklarimi i plotë i xhiros dhe i sipërfaqeve

Deklarim i çmimeve të shitjes nën çmimet e tregut dhe poshtë çmimeve të referencës; Shitje “cash” pa lëshim fature/fiskalizim, sidomos në fazat e para të projektit (kapar, parapagime informale).

-Nëndeklarimi i kostove të punës dhe punësimi informal

Numër i ulët i punonjësve të deklaruar në raport me vëllimin e punimeve; Paga të deklaruara shumë më të ulëta se niveli mesatar i tregut për profesionet e ndërtimit; Përdorimi i punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar për fazat intensive të punimeve.

-Furnitorë fiktivë dhe fatura të rreme

Përdorimi i subjekteve me risk (pa staf, pa aktivitet real, me histori mospagesash) për të rritur artificialisht kostot dhe për të ulur fitimin e tatueshëm dhe TVSH-në e pagueshme.

Mospërputhje midis lejeve të ndërtimit dhe deklarimeve tatimore

Sipërfaqe të deklaruara për qëllime tatimore më të vogla se sipërfaqet e miratuara në lejet e ndërtimit ose të regjistruara në hipoteka/kadastra;

Projekte të përfunduara fizikisht, por me deklarime të vonuara ose të pjesshme të të ardhurave.

Rrezik për pastrim parash

Duke qenë sektor me volum të madh transaksionesh cash dhe me vështirësi në përcaktimin e kostos reale, ndërtimi shfaqet shpesh në raportet për pastrimin e produkteve të veprës penale si sektor i favorizuar për fshehje dhe riciklim kapitali.

Deklarimin dhe vlerësimin e te ardhurave nga arkëtimet sipas kontratave dhe marrëveshjeve mes palëve të realizuara para shitjes përfundimtare të ndërtesës; Moslëshimi i faturës tatimore për çdo shitje apartamenti, ndërtese, pasurie të paluajtshme, të kryer, pavarësisht nëse është e përjashtuar ose jo nga tvsh-ja; Moslëshimi i faturës tatimore për të gjitha arkëtimet paradhënie për porosi apo shitje apartamentesh.

Fokusi i aksionit të tatimorëve

“Plani i menaxhimit të riskut për sektorin e ndërtimit (informaliteti dhe pagat referencë)” përcakton se aksioni i tatimeve në sektorin e ndërtimit do të fokusohet tek kontrolli i tatimit të mbajtur në burim për pagesat ndaj jorezidentëve, qiratë dhe shërbimet profesionale, për të siguruar që tatimi mbahet sipas ligjit dhe nuk ka shkelje.

Gjithashtu, do të verifikohen tatimet mbi fitimin e kompanive të ndërtimit për të identifikuar manipulime të fitimit të tatueshëm, fryrje të kostove, shpenzime të pa lidhura me aktivitetin dhe mos-përputhje midis ciklit të projektit dhe deklarimeve.

Aksioni do të përfshijë edhe rishikimin e situacioneve mujore dhe faturimit, krahasimin e TVSH-së së zbritur me vëllimin e punimeve dhe sipërfaqet e lejuara në lejet e ndërtimit, si dhe verifikimin e furnitorëve me rrezik të lartë ose të rremë.

Administrata tatimore do të krahasojë marzhin e fitimit të kompanive me mesataret e sektorit dhe çmimet referencë, si dhe do të kontrollojë pasuritë e deklaruara dhe rezervat e fshehura për të evidentuar kompanitë me rrezik të lartë për shmangie tatimore. Përveç kësaj, kontrolli do të përqendrohet tek raportimet e pagave dhe të punësuarve, tek pagesat për shërbime profesionale të kontraktuara jashtë vendit, dhe tek çdo aktivitet që mund të mosraportohet saktë, me qëllim rritjen e transparencës dhe respektimin e ligjit nga subjektet e ndërtimit.

 

Lexoni edhe:

Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve

Tatimet nisin kontrollin për ndërtimin, kompanitë njoftohen për deklarimin e pagave dhe shitjeve

Tatimet publikojnë pagat referencë për sektorin e ndërtimit, jo më pak se…

 

 

 

The post Manuali për ndërtimin: Pastrim parash, shitje të apartamenteve nën çmimet e deklaruara appeared first on Revista Monitor.

Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve

By: Mira Leka
20 January 2026 at 17:01

Në zbatim të Planit Operacional në sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren njoftoi se ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

Kontrollet u fokusuan në verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre në organin tatimor, realizimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit.

Kontrollet evidentuan shkelje të rënda: Punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.

Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin në organet përkatëse të drejtësisë.

Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve.

Administrata Tatimore bën me dije se aksioni i sapo nisur nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.

Tatimet ftojnë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave.

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar ka nisur kontrollet në terren.

Kontrollet e nisura do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e  përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

 

Lexoni edhe:

Plani sektorial i ndërtimit: Nga 15 janari, kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave

 

 

 

The post Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve appeared first on Revista Monitor.

Statistika / Të rinjtë, tendencat

By: Mira Leka
19 January 2026 at 12:54

Popullsia në grup-moshën 15-29 vjeç ka rënë me mbi 40% ndërmjet 2019 dhe 2025, po ndërkohë të rinjtë e regjistruar si të papunë në të njëjtën periudhe kanë ardhur në rritje sipas krahasimit te të dhënave zyrtare nga INSTAT. Numri i të rinjve të regjistruar si të papunë arriti në 15,717 persona në tremujorin e tretë të vitit 2025, nga 15,021 në të njëjtin tremujor të vitit 2019, ose 4,6% më shumë. ...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Statistika / Të rinjtë, tendencat appeared first on Revista Monitor.

Nacionalizmi europian ka vdekur

By: Mira Leka
19 January 2026 at 12:49

Rroftë gastronacionalizmi europian. Një kontinent i bashkuar nga traktatet mbetet i përçarë nga recetat, shkruan The Economist   E sulmuar nga Rusia, e përmbytur ekonomikisht nga Kina dhe e braktisur nga Amerika, Europa prapëseprapë mund të besohet se do të përqendrohet te gjërat që kanë vërtet rëndësi. Si, për shembull, mënyra e saktë për të gatuar spageti karbonara. Kur muajin e kaluar u zbulua...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Nacionalizmi europian ka vdekur appeared first on Revista Monitor.

Në shtëpi dhe në shkollë, Inteligjenca Artificiale po shndërron fëmijërinë

By: Mira Leka
19 January 2026 at 12:39

Gjenerata IA. Ajo sjell shumë përfitime, por edhe rreziqe të fshehura, shkruan The Economist   Mësuesit mbetën të habitur. Disa nga nxënësit që përdornin Khan Academy, një platformë online të të mësuarit, dukeshin sikur po kopjonin në detyrat e matematikës me ndihmën e një bashkëpunëtori të panjohur. Një hetim arriti më në fund të zbulonte fajtorin: Pitagorën, një matematikan i lashtë grek me dobë...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Në shtëpi dhe në shkollë, Inteligjenca Artificiale po shndërron fëmijërinë appeared first on Revista Monitor.

Kuptimi i suficitit tregtar rekord të Kinës

By: Mira Leka
19 January 2026 at 12:23

Jo aq i vetëmbështetur. Vendi po e nënvlerëson varësinë nga eksportet, shkruan The Economist   Kur njerëzit në Kinë flasin për “dy mbledhjet”, ata nënkuptojnë takimet vjetore të legjislativit të vendit dhe të organit këshillimor, që mbahen në mars. Por një tjetër çift mbledhjesh dhjetorin e kaluar mund të rezultojë më e rëndësishme për ekonominë kineze. Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike (CEWC...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Kuptimi i suficitit tregtar rekord të Kinës appeared first on Revista Monitor.

Si po e trazon Inteligjenca Artificiale blerjen

By: Mira Leka
19 January 2026 at 11:58

Kur robotët shesin   Në fund të çdo viti njerëzit kalojnë orë të tëra nëpër dyqane dhe në faqet e tregtisë elektronike për të gjetur dhurata të përshtatshme për njerëzit e tyre të dashur. Disa e shijojnë shfletimin. Por shumë të tjerë, jo. Një numër gjithnjë e më i madh do të jenë të lumtur t’ia delegojnë një pjesë të mirë të këtij procesi Inteligjencës Artificiale (IA).  

  Chatbo...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Si po e trazon Inteligjenca Artificiale blerjen appeared first on Revista Monitor.

Serbi, Siguria energjetike varet nga marrëveshja për NIS

By: Mira Leka
19 January 2026 at 11:46

Siguria energjetike e Serbisë në vitin 2026 do të varet mbi të gjitha nga rifillimi i plotë i operacioneve në kompaninë shtetërore të naftës, NIS, tha ministrja e Energjisë, Dubravka Djedovic Handanovic, duke theksuar se vazhdimi i funksionimit të rafinerisë së Pançevës do të jetë një kusht i detyrueshëm në bisedimet me të gjithë blerësit potencialë të pjesës ruse në kompani. Duke folur për negoci...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Serbi, Siguria energjetike varet nga marrëveshja për NIS appeared first on Revista Monitor.

Bullgari, Vizë për nomadë dixhitalë për punë në distancë

By: Mira Leka
19 January 2026 at 11:42

Bullgaria ka prezantuar vizën e saj të parë për nomadë dixhitalë, duke krijuar një rrugë formale për profesionistët që punojnë në distancë për të jetuar dhe për të punuar në vend. Vendi ballkanik nisi zyrtarisht pranimin e aplikimeve më 30 dhjetor 2025. Leja e re është e hapur për shtetas të huaj jashtë Bashkimit Europian (BE), Zonës Ekonomike Europiane (ZEE) dhe Zvicrës, të cilët punojnë në dista...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Bullgari, Vizë për nomadë dixhitalë për punë në distancë appeared first on Revista Monitor.

Kroaci, Kostot e tokës dhe të punës do të nxisin rritje të mëtejshme të çmimit të pronave

By: Mira Leka
19 January 2026 at 11:39

Tregu i pronave në Kroaci vijoi trendin e tij rritës edhe në vitin 2025, kryesisht për shkak të një çekuilibri të vazhdueshëm mes ofertës dhe kërkesës. Pavarësisht aktivitetit të qëndrueshëm të ndërtimit, numri i banesave të reja të ndërtuara mbetet shumë më poshtë nevojave reale të tregut, duke i mbajtur çmimet nën presion të vazhdueshëm rritës. Në vitin 2024, në të gjithë vendin u ndërtuan rreth...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Kroaci, Kostot e tokës dhe të punës do të nxisin rritje të mëtejshme të çmimit të pronave appeared first on Revista Monitor.

Nga optimizmi te shqetësimi: bullgarët vlerësojnë koston teksa Euro zëvendësoi Levën

By: Mira Leka
19 January 2026 at 11:33

Shqetësimet për rritjen e çmimeve dhe humbjen e një simboli kombëtar, levës, janë përhapur në mbarë Bullgarinë pas hyrjes së vendit në Eurozonë. Më 1 janar, Bullgaria u bë vendi i 21-të i Bashkimit Europian që adoptoi monedhën e përbashkët. Qeveria në largim e këtij vendi ballkanik me 6.4 milionë banorë e paraqet këtë hap si një moment historik, që pritet të forcojë ekonominë dhe të ndihmojë në fr...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Nga optimizmi te shqetësimi: bullgarët vlerësojnë koston teksa Euro zëvendësoi Levën appeared first on Revista Monitor.

Ikja pa kthim

By: Mira Leka
19 January 2026 at 10:58

Intervistë / Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Kosovë   Në Kosovë vazhdon largimi i qytetarëve, ndërsa punëtorët e sektorit privat përballen me paga të ulëta, mungesë sigurie dhe perspektivë të pasigurt. Rritja e pagës minimale pritet të nisë nga viti 2026, por sindikata kërkon barazi me sektorin publik dhe zbatim të menjëhershëm të saj. Kriza e fu...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Ikja pa kthim appeared first on Revista Monitor.

❌
❌