Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 January 2026Main stream

Kosovë/ Vjosa Osmani nën hetim për pasurinë, Presidenca: Mirëpresim çdo verifikim

By: e xh
6 January 2026 at 16:18

Agjencia Kundër Korrupsionit nisi verifikimin e pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka gjetur diferenca të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave CASH të deklaruara.

Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës, ndërsa rezulton me prona edhe në Australi.

Pas nisjes së hetimeve, në një reagim presidenca e Kosovës tha se Vjosa Osmani mbetet e hapur për çdo verifikim që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh.

Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pronave me 5%, ja kur hyn në fuqi

By: e xh
6 January 2026 at 15:37

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pronave. Pas dekretimit dhe botimit në fletore zyrtare ky ligj do të hyj në fuqi menjëherë duke i hapur kështu rrugë rivlerësimit të pasurive ta paluajtshme.

Nga janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.

Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Për herë të parë në rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do të njihet edhe amortizimi i pronave, pra vjetërsia e pronës, sa më e vjetër të jetë prona aq më pak do të paguhet tatim pas procesit të rivlerësimit.

Po ashtu këtë vit, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronës në të gjithë vendin do të rritet, pasi hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës, që janë konsultuar gjatë këtij vit

I fundit rivlerësim u bë në periudhën 2020-2022, që pati normë tatimore 3%, dhe në total u afruan me çmimet e tregut 94 mijë pasuri të paluajtshme, të qytetarëve shqiptar apo bizneseve.

Nga kjo fushatë e fundit buxheti i shtetit përfitoi 138.6 milionë euro, pasi edhe tatimi ishte më i lartë, por për shkak se edhe çmimet në treg ishin rritur ndjeshëm.

U përmbyt kati i parë, Lamallari në burgun e Durrësit: Situata nën kontroll

By: e xh
6 January 2026 at 15:23

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ishte sot në Durrës për të parë nga afër situatën e krijuar në IEVP-në e këtij qyteti pas vërshimit të ujit prej reshjeve intensive të orëve të fundit.

Ministri tha se ka qenë në monitorim të situatës prej orëve të para të të ditës së sotme dhe janë marrë masat e nevojshme për normalizimin e gjendjes,

“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme me stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin në katet më sipër. Në mbështetjen tonë kemi edhe pompat me kapacitet të lartë nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin”, tha ministri Lamallari duke shtuar se po funksionon ndërkohë edhe Komisioni i Emergjencave Civile në Durrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose tha se situata është nën kontroll si dhe po kryhen furnizimet e nevojshme me mjete logjistike.

Ndihmësi i Trump: Askush nuk do të luftonte me SHBA-në për Groenlandën

By: e xh
6 January 2026 at 15:18

Një nga ndihmësit më me ndikim të Donald Trump ka thënë se Groenlanda duhet të bëhet pjesë e SHBA-së për të mbrojtur NATO-n dhe Arktikun.

I pyetur në një intervistë me CNN për të konfirmuar nëse SHBA-të do të përjashtonin përdorimin e forcës për të aneksuar rajonin gjysmë-autonom të Danimarkës, anëtare e NATO-s, Stephen Miller tha, “askush nuk do të luftojë me SHBA-në për të ardhmen e Groenlandës”.

Të dielën, Trump përsëriti këmbënguljen e tij se SHBA-të “kanë nevojë” për Groenlandën – me habinë e kryeministres daneze Mette Frederiksen, e cila tha se një sulm nga SHBA-të do të shënonte fundin e NATO-s.

Gjashtë aleatë evropianë u mblodhën në mbështetje të Danimarkës me një deklaratë të përbashkët të martën. “Groenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.

Duke theksuar se ishin po aq të etur sa SHBA-të për sigurinë në Arktik, shtatë nënshkruesit thanë se kjo duhet të arrihet nga aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në “kolektivisht” – duke “mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”.

Në intervistën e tij me CNN, Miller tha se ishte “qëndrimi formal i qeverisë amerikane që Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së”.

Ai vazhdoi: “Me çfarë të drejte Danimarka pohon kontrollin mbi Groenlandën? Cila është baza e tyre për të pretenduar Groenlandën si koloni të Danimarkës?”

Ndihmësi kryesor i Trump tha gjithashtu se SHBA-të “janë fuqia e NATO-s. Që SHBA-të të sigurojnë rajonin e Arktikut, të mbrojnë NATO-n dhe interesat e NATO-s, padyshim që Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA-së”.

Çështja e së ardhmes së Groenlandës u rishfaq pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, gjatë së cilës trupat elitare hynë për të kapur Presidentin e vendit Nicolás Maduro dhe për ta çuar atë në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për drogë dhe armë. Pas bastisjes, Trump tha se SHBA-të do ta “drejtonin” Venezuelën për një periudhë të pacaktuar kohore.

Ai tha gjithashtu se SHBA-të po ktheheshin në një politikë të vitit 1823 të supremacisë amerikane në sferën e saj të ndikimit në hemisferën perëndimore – dhe paralajmëroi një numër vendesh se SHBA-të mund ta drejtonin vëmendjen e tyre ndaj tyre. Pas ndërhyrjes në Venezuelë, gruaja e Miller, Katie, postoi në mediat sociale një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, së bashku me fjalën “Së shpejti”.

Shtohet interesi për Asllanin, dy klube të tjera të Serie A kontaktojnë Interin

By: e xh
6 January 2026 at 15:14

Kristjan Asllani dhe Torino duken larg, me ekipin ‘Granata’ që nuk ka ndërmend të paguajë shumën e plotë të kartonit për mesfushorin shqiptar, marrë në huazim nga Interi verën e 2025.

Mesfushori i Kombëtares pritet të ndërpresë para kohe huazimin te Torino, pasi nuk ka bindur plotësisht trajnerin Baroni, duke hapur kështu rrugën për një largim të ri.

Asllani u transferua te Torino gjatë verës 2025 për 1.5 milion euro, me një opsion blerjeje prej 11.5 milionë eurosh, por pavarësisht minutazhit të konsiderueshëm, 15 ndeshje të luajtura, mbi 70% si titullar, nuk ka arritur të lërë gjurmë. Në këtë situatë, rikthimi i tij te Interi duket gjithnjë e më i mundshëm, edhe pse qëndrimi në Milano nuk shihet si zgjidhje afatgjatë.

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se Asllani mbetet një aset i vlefshëm për klubin, por ka theksuar se në rast rikthimi do të vlerësohej një destinacion i ri për mesfushorin shqiptar.

Sipas gazetarit Alfredo Pedulla, edhe Parma dhe Sassuolo po shohin mundësinë për të marrë shqiptarin në huazim, teksa më herët interes për të ka shfaqur edhe Fiorentina e cila është në ujëra të turbullta këtë sezon në Serie A.

“Si Parma ashtu edhe Sassuolo kanë treguar interes për Kristjan Asllanin, i cili do të largohet nga Torino këtë muaj”, bën me dije gazetari Alfredo Pedulla.

Presidenti i Kolumbisë: SHBA-të si nazistët, duan të kolonizojnë Amerikën Latine

By: e xh
6 January 2026 at 15:12

Presidenti kolumbian, Gustavo Petro akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ndjekin një politikë të jashtme që synon kolonizimin e vendeve të Amerikës Latine, duke e krahasuar ekspansionizmin e supozuar të Uashingtonit me atë të Gjermanisë naziste të Adolf Hitlerit.

Petro iu përgjigj në X një postimi nga kandidatja presidenciale kolumbiane, Paloma Valencia, e cila vlerësoi veprimin ushtarak amerikan, duke pretenduar se kishte hapur një mundësi për një Venezuelë të lirë, shkruan La Stampa.

“Nëse mendoni se një grua e pafajshme kolumbiane, venezuelianë të moshuar dhe ushtarë të rinj që bëjnë detyrën e tyre duhet të vdesin, atëherë do të mendoni të njëjtën gjë për popullin kolumbian nëse kërcënimi i Trump bëhet realitet. Kjo është thjesht tradhti”, shkroi kreu i shtetit të Kolumbisë.

Sipas Petros, Doktrina Monroe, një udhëzues historik i politikës së jashtme të SHBA-së, synon të transformojë republikat sovrane të Amerikës Latine në koloni”, duke shkelur të gjithë rendin e së drejtës ndërkombëtar”.

“Është e njëjta doktrinë Lebensraum e përdorur nga Hitleri dhe që shkaktoi dy luftërat botërore”, shtoi ai.

Debate në OKB, Guterres: SHBA nuk respektoi ligjin ndërkombëtar

By: e xh
6 January 2026 at 15:10

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i shqetësuar për përhapjen e destabilitetit në Venezuelë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit. Ai tha se operacioni amerikan nuk respektonte rregullat e ligjit ndërkombëtar, teksa citoi Kartën e OKB-së, sipas së cilës shtetet anëtare duhet të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të çdo shteti.

Deklarata e tij u lexua nga zëvendëssekretarja për çështje politike dhe të paqes, Rosemary DiCarlo. “Unë kam theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e respektimit të plotë nga të gjithë të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila siguron themelin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Mbetem thellësisht i shqetësuar që rregullat e së drejtës ndërkombëtare nuk janë respektuar në lidhje me veprimin ushtarak të 3 janarit. Karta ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”.

Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, i tha Këshillit të Sigurimit se SHBA kishte kryer një operacion kirurgjikal të zbatimit të ligjit kundër dy të akuzuarve në arrati të drejtësisë amerikane. Ai citoi fjalët e sekretarit të shtetit Maduro se nuk ka luftë kundër Venezuelës dhe se nuk po e pushtojnë vendin.

Ambasadori venezuelian në OKB, Samuel Moncada, e cilësoi operacionin për kapjen e Maduros si një sulm të armatosur të paligjshëm që nuk kishte asnjë justifikim ligjor. Rusia, Kina dhe Kolumbia e dënuan gjithashtu operacionin ushtarak si të paligjshëm, ndërsa pjesa tjetër e mbetur e anëtarëve të Këshillit nuk e kritikuan drejtpërdrejt SHBA-në, por e vunë theksin tek rëndësia e respektimit të ligjit ndërkombëtar.

Analistët thonë se Rusia vërtet ka humbur një aleat në Amerikën Latine, por ajo shpreson të përfitojë nga ajo që e quajnë realpolitika e “Wild West-it”. “Nëse ky është një shembull i doktrinës Monroe në aksion, atëherë edhe Rusia ka të drejtën të ketë sferën e vet të influencës”, ishte deklarata e një zyrtari rus, i cituar nga Reuters.

Rama në Paris: Takim me ministrin francez të Drejtësisë për Kodin e ri Penal

By: e xh
6 January 2026 at 14:43

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të martë në Paris, ku do të marrë pjesë në një takim të organizuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në mbështetje të Ukrainës.

“Përpara samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elysée, u takuam me ministrin e Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, për të folur lidhur me pjesëmarrjen e partnerëve francezë, në grupin e reflektimit mbi problematikat e politikës penale në Shqipëri dhe konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet e me praktikat më të mira europiane”, shkroi Rama në Facebook.

Në daljet e mëparshme publike, duke cituar raporte të Këshillit të Europës Rama ka kritikuar paraburgimet në Shqipëri, që sipas tij janë në shifra mbi normalen.

Ministri i Drejtësisë, me çizme në burgun e përmbytur të Durrësit

By: e xh
6 January 2026 at 13:36

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, është parë të martën të futet në burgun e Durrësit, i cili është përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut që goditën qytetin bregdetar.

Sipas informacioneve, i gjithë kati i parë i burgut të Durrësit është nën ujë dhe të paraburgosurit janë spostuar të gjithë në katet e sipërme. Në këtë burg ndodhen edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Durrësi është një nga qytetet më të prekur nga reshjet, pasi janë përmbytur rrugë të tëra, si dhe pika hyrëse në rrugën interurbane Tiranë-Durrës. Deri tani raportohet për disa familje të evakuuara në këtë qytet, ndërsa kalimi është devijuar nga rruga e Ndroqit dhe Elbasani.

Probleme janë shfaqur edhe në Shkodër Lezhë dhe Kukës, ndërsa si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Moti i keq, bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër

By: e xh
6 January 2026 at 12:44

Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quajtur Shkalla e Zezë.

Një masiv inertesh ka rënë në rrugë duke shkaktuar bllokimin e aksit në fjalë.

Kjo ka shkaktuar radhë të gjata pritjeje tek automjetet në të dy anët e rrugës.

Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore për të larguar baltën shtufore.

Përmbytet kati i parë i burgut të Durrësit, zhvendosen të paraburgosurit

By: e xh
6 January 2026 at 12:18

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut mëngjesin e kësaj të marte, raportohet se është përmbytur edhe burgu i Durrësit.

Mësohet se kati i parë i IEVP Durrës është totalisht nën ujë dhe të paraburgosurit janë zhvendosur në katet e sipërme.
Në këtë institucion, mes të dënuarve të tjerë, ndodhen edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Durrësi është një nga qytetet më të prekur nga reshjet, pasi janë përmbytur rrugë të tëra, si dhe pika hyrëse në rrugën interurbane Tiranë-Durrës. Deri tani raportohet për 10 familje të evakuuara në këtë qytet, ndërsa kalimi është devijuar nga rruga e Ndroqit dhe Elbasani.

Probleme janë shfaqur edhe në Shkodër Lezhë dhe Kukës, ndërsa si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Rriten prurjet, nisin shkarkimet në hidrocentrale

By: e xh
6 January 2026 at 11:41

Kryeministri Edi Rama njoftoi se në kaskadën e Drinit, si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Sipas Ramës, aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve.

“Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, shkroi kryeministri në Facebook.

I gjithë vendi është përfshirë të martën nga reshjet e dendura. Si pasojë janë raportuar përmbytje në Durrës e Lezhë, ndërsa në Qarkun Kukës ka pasur edhe rrëshqitje gurësh e inertesh në rrugë. Aksi Tiranë-Durrës është bllokuar nga uji dhe si pasojë kalimi është devijuar.

Policia thotë se për të shmangur trafikun dhe aksidentet, automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

SHBA, Kina, Rusia dhe BE, përse të gjithë duan Groenlandën?

By: e xh
6 January 2026 at 11:18

Deklaratat e fundit të presidentit Trumpit në lidhje me qëllimin e tij për të pasur Groenlandën “me çdo mjet” kanë provokuar një sërë reagimesh dhe indinjuarash nga shumë qeveri dhe vëzhgues ndërkombëtarë, shkruan ispionline.it.

Megjithatë, kjo deklaratë është pjesë e një trendi në rritje të interesit në rajonin e Arktikut, që përfshin jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe lojtarë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian, megjithëse me qëllime dhe qasje të ndryshme.

Arsyet për këtë interes qëndrojnë në kërkesën globale në rritje për minerale strategjike, metale të rralla dhe hidrokarbure, nga të cilat Groenlanda dhe në përgjithësi, Arktiku është e bollshme.

Në vitin 2023, Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Groenlandës (GEUS) identifikoi afërsisht 6 milionë ton grafit, 36 milionë ton metale të rralla, 235,000 ton litium, 75,000 ton bakër dhe metale të tjera kritike në nëntokën e Groenlandës.

Për më tepër, për shkak të shkrirjes së akullit dhe hapjes së rrugëve të reja detare, Arktiku po merr gjithashtu një rëndësi strategjike gjithnjë e më të rëndësishme, si nga një perspektivë tregtare ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo politiko-ushtarake.

Me fundin e të ashtuquajturit “eksceptualizëm Arktik” (tendenca e rajonit polar për të mbetur jashtë mosmarrëveshjeve ndërshtetërore) dhe efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, Groenlanda e gjen veten të zënë në një “garë Arktike” që shkon shumë përtej ambicieve ekspansioniste të Trump dhe përfshin, ndër të tjera, Kinën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Kina në Groenlandë: Midis burimeve minerale dhe përfshirjes politike

Një nga arsyet e cituara nga Trump për dëshirën e Uashingtonit për të fituar kontrollin e Groenlandës është prania gjithnjë e më masive e Kinës në Arktik, e cila përbën një kërcënim për sigurinë e SHBA-së.

Kjo reflektohet në qëllimin e deklaruar të qeverisë kineze për të rritur praninë e saj në Arktik përmes investimeve dhe përfshirjes politike.

Për vite me radhë, Kina e ka përcaktuar veten si një vend “pranë Arktikut”, dhe në vitin 2018, qeveria kineze publikoi një dokument strategjik të titulluar “Politika Arktike e Kinës”, i cili nxori në pah interesat e saj në fusha të ndjeshme si shfrytëzimi i burimeve natyrore, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe siguria në Arktik.

Së fundmi, Kina ka qenë anëtare vëzhguese e Këshillit Arktik që nga viti 2013. Mes interesit në rritje kinez për Arktikun, Groenlanda (Kina është partneri i saj kryesor tregtar), me vendndodhjen e saj strategjike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut dhe pasurinë e saj në minerale dhe metale të rralla, është shënjestruar nga investimet kineze për disa vite.

“Porta për në Arktik”: Rëndësia strategjike e Groenlandës për Rusinë

Përveç Kinës, Trump përmendi gjithashtu praninë ushtarake të Rusisë rreth Groenlandës si një arsye të mëtejshme për të siguruar kontrollin e SHBA-së mbi ishullin.

Ndërsa nga perspektiva e Kinës, Groenlanda përfaqëson një mundësi për të zgjeruar kontrollin e saj mbi prodhimin global të mineraleve dhe metaleve të rralla, për Rusinë, ajo ka një rëndësi shumë më strategjike në ruajtjen e sigurisë së saj në Arktik.

Strategjia e Brukselit: Siguria ekonomike, partneriteti dhe sfidat politike

Në të gjitha këto, është e rëndësishme të kujtojmë se Groenlanda është një pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës dhe, megjithëse nuk ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1985 ajo konsiderohet si një nga “territoret jashtë shtetit” të BE-së.

Kohët e fundit, interesi i Komisionit Evropian dhe i shteteve anëtare të BE-së në Groenlandë është rritur ndjeshëm, kryesisht për shkak të nevojës për të fituar qasje në mineralet dhe metalet e rralla të tokës thelbësore për të vazhduar tranzicionin energjetik të Evropës pa varësi nga aktorët e jashtëm si Kina ose Rusia.

Interesi i Bashkimit Evropian në Groenlandë bazohet kryesisht në çështjet e sigurisë ekonomike.

Siç specifikohet nga vetë Komisioni Evropian: “Njëzet e pesë nga tridhjetë e katër metalet e rralla të tokës të nevojshme për tranzicionin energjetik të ekonomisë evropiane janë të pranishme në nëntokën e Groenlandës.”

Prandaj, në nëntor 2023, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Komisionit dhe qeverisë së Groenlandës për një partneritet strategjik që synonte krijimin e një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për shfrytëzimin e metaleve të rralla në ishullin Arktik, duke e vendosur kështu vendin në konkurrencë gjeoekonomike me vetë Shtetet e Bashkuara.

Për më tepër, në mars të vitit të kaluar, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen udhëtoi për në Nuuk për të hapur një përfaqësi të re të BE-së në kryeqytetin e Groenlandës, duke demonstruar angazhimin në rritje të Bashkimit Evropian për çështjet që kanë të bëjnë me ishullin Arktik.

Nga Groenlanda te Kuba, cilat vende janë në shënjestër të Trump pas Venezuelës?

By: e xh
6 January 2026 at 10:22

Mandati i dytë i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po formësohet nga ambiciet e tij në politikën e jashtme. Ai i ka përmbushur kërcënimet kundër Venezuelës duke arrestuar presidentin e saj dhe gruan e tij nga kompleksi i tyre i fortifikuar në Karakas, në një bastisje dramatike gjatë natës.

Kur përshkroi operacionin, Trump hodhi poshtë Doktrinën Monroe të vitit 1823 dhe premtimin e saj për supremacinë e SHBA-së në hemisferën perëndimore, duke e riemëruar atë si “Doktrina Donroe”.

Ja disa nga paralajmërimet që ai ka bërë kundër kombeve të tjera në orbitën e Uashingtonit ditët e fundit.

Groenlandë

SHBA-të tashmë kanë një bazë ushtarake në Groenlandë – Bazën Hapësinore Pituffik – por Trump dëshiron të gjithë ishullin.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”, u tha ai gazetarëve, duke thënë se rajoni ishte “i mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo”.

Ishulli i gjerë Arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndodhet afërsisht 3,200 km në verilindje të SHBA-së.

Është i pasur me minerale të rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake. Aktualisht, prodhimi i Kinës i metaleve të rralla të tokës është shumë më i madh se ai i SHBA-së.

Groenlanda zë gjithashtu një vendndodhje strategjike kyçe në Atlantikun e Veriut, duke i dhënë akses në Rrethin Arktik gjithnjë e më të rëndësishëm. Ndërsa akujt polarë shkrihen në vitet e ardhshme, pritet të hapen rrugë të reja transporti detar.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, iu përgjigj Trumpit duke e përshkruar idenë e kontrollit të SHBA-së mbi ishullin si një ” fantazi “.

“Mjaft me presion. Mjaft me insinuata. Mjaft me fantazi aneksimi. Jemi të hapur për dialog. Jemi të hapur për diskutime. Por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Çdo përpjekje e SHBA-së për të pushtuar Groenlandën do ta sillte atë në konflikt me një anëtar tjetër të NATO-s, duke e vënë aleancën në rrezik.

Kolumbia

Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump e paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro të “kishte kujdes”.

Fqinji perëndimor i Venezuelës, Kolumbia, ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe është një prodhues i madh i arit, argjendit, smeraldeve, platinës dhe qymyrit. Është gjithashtu një qendër kyçe për tregtinë e drogës në rajon – sidomos të kokainës.

Që kur SHBA-të filluan të godisnin anijet në Karaibe dhe Paqësorin lindor në shtator – duke thënë, pa prova, se ato po transportonin drogë – Trump është përfshirë në një mosmarrëveshje në spirale me presidentin e krahut të majtë të vendit.

SHBA- të vendosën sanksione ndaj Petros në tetor, duke thënë se ai po lejonte kartelet të “lulëzonin”.

Duke folur në bordin e Air Force One të dielën, Trump tha se Kolumbia po “drejtohej nga një njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”.

“Ai nuk do ta bëjë këtë për shumë gjatë”, tha ai. I pyetur nëse SHBA-të do të kryenin një operacion që synonte Kolumbinë, Trump u përgjigj: “Më duket mirë”.

Historikisht, Kolumbia ka qenë një aleate e ngushtë në luftën e Uashingtonit kundër drogës, duke marrë qindra miliona dollarë çdo vit në ndihmë ushtarake për të luftuar kartelet.

Irani

Irani po përballet aktualisht me protesta masive antiqeveritare dhe Trump paralajmëroi gjatë natës se autoritetet atje do të “goditeshin shumë rëndë” nëse vdisnin më shumë protestues.

“Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga Shtetet e Bashkuara”, u tha ai gazetarëve në Air Force One.

Teorikisht, Irani bie jashtë fushëveprimit të përcaktuar në “Doktrinën Donroe”, por megjithatë Trump e ka kërcënuar më parë regjimin iranian me veprime të mëtejshme, pasi goditi objektet e tij bërthamore vitin e kaluar.

Këto sulme erdhën pasi Izraeli nisi një operacion në shkallë të gjerë që synonte shkatërrimin e aftësisë së Iranit për të zhvilluar një armë bërthamore, i cili kulmoi me konfliktin 12-ditor Izrael-Iran.

Në një takim në Mar-a-Lago midis Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu javën e kaluar, u tha se Irani ishte në krye të axhendës. Mediat amerikane raportuan se Netanyahu ngriti mundësinë e sulmeve të reja kundër Iranit në vitin 2026.

Meksikë

Ngritja e Trump në pushtet në vitin 2016 u përcaktua nga thirrjet e tij për të “Ndërtuar Murin” përgjatë kufirit jugor me Meksikën. Në ditën e tij të parë të rikthimit në detyrë në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të riemëruar Gjirin e Meksikës në ” Gjiri i Amerikës “.

Ai ka pretenduar shpesh se autoritetet meksikane nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar fluksin e drogës ose të emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Duke folur të dielën, ai tha se droga po “vjen me shpejtësi” nëpër Meksikë dhe “do të duhet të bëjmë diçka”, duke shtuar se kartelet atje ishin “shumë të forta”.

Trump tha se ka ofruar të dërgojë trupa amerikane në Meksikë për të luftuar kartelet, por presidentja Claudia Sheinbaum ka hedhur poshtë publikisht çdo veprim ushtarak amerikan në tokën meksikane.

Kuba

Kombi ishullor, vetëm 145 km në jug të Floridës, ka qenë nën sanksione të SHBA-së që nga fillimi i viteve 1960. Ajo mbante marrëdhënie të ngushta me Venezuelën e Nicolás Maduro-s, e cila thuhet se furnizonte afërsisht 30% të naftës së Kubës në këmbim të mjekëve dhe personelit mjekësor që udhëtonin në drejtimin e kundërt.

Me largimin e Maduros, Havana mund të ekspozohet nëse furnizimi me naftë bie. Trump sugjeroi të dielën se ndërhyrja ushtarake amerikane atje nuk ishte e nevojshme, sepse Kuba është “gati të bjerë”.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë veprim”, tha ai. “Duket sikur po përkeqësohet.”

“Nuk e di nëse do të rezistojnë, por Kuba tani nuk ka të ardhura”, shtoi ai. “Ata i kanë të gjitha të ardhurat nga Venezuela, nga nafta venezueliane.”

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio – i cili është bir i emigrantëve kubanë – ka bërë thirrje prej kohësh për ndryshim regjimi në Kubë, duke u thënë gazetarëve të shtunën: “Nëse do të jetoja në Havana dhe do të isha në qeveri, do të isha i shqetësuar – të paktën pak”.

“Kur flet presidenti, duhet ta merrni seriozisht,” tha ai./BBC

Kreu tre vjedhje me armë, policia shpall në kërkim 30-vjeçarin

By: e xh
6 January 2026 at 10:18

Policia e Krujës ka zhvilluar operacionin e koduar “Ends”, pas një serie vjedhjesh të ndodhura dje, duke identifikuar dhe shpallur në kërkim 30-vjeçarin E. N. (Ll.), banues në Mamurras, si autor të dyshuar të tre rasteve të vjedhjes me armë.

Sipas njoftimit zyrtar, 30-vjeçari ka precedentë të theksuar kriminalë në fusha të ndryshme. Në kuadër të veprimeve hetimore është sekuestruar edhe automjeti i vjedhur, një taksi, që do të shërbejë si provë materiale.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur i dyshuari dyshohet se ka vjedhur një taksi duke kanosur drejtuesin e saj me armë zjarri. Më pas, ai ka lëvizur drejt qytetit të Laçit, ku në dy karburante dyshohet se ka marrë paratë dhe sendet personale të punonjësve, gjithmonë nën kërcënimin e armës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë po punojnë intensivisht për kapjen e 30-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rasteve, si dhe të ndonjë vjedhjeje tjetër që mund të ketë kryer ai.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.

Reshjet e dendura të shiut bllokojnë qarkullimin në rrugën Tiranë–Durrës

By: e xh
6 January 2026 at 09:44

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, qarkullimi i mjeteve është vështirësuar në disa zona të vendit, duke përfshirë edhe rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin.

Në hyrje të Durrësit, pranë një karburanti, uji ka mbuluar të dyja anët e rrugës, duke e bërë të pamundur lëvizjen normale të automjeteve.

Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore ka njoftuar devijime të lëvizjes: automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës do të qarkullojnë përmes Rrugës së Plepave deri në Ndroq dhe më pas nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërkohë, për drejtimin Durrës, automjetet duhet të kalojnë nga rruga e universitetit drejt Spitallës dhe më pas në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

Policia apelon tek drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po marrin të gjitha masat për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe për të asistuar drejtuesit në nevojë.

Reshjet e shiut në Kukës/ Përmbyten rrugë dhe lagje në qytet, banorët të izoluar

By: e xh
6 January 2026 at 09:16

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në Qarkun e Kukësit. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Kukësit, ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore.

Fillimisht, problemet janë evidentuar në hyrje të qytetit, në rrugën e “Prizrenit”, ku mungesa e kanalizimeve ka sjellë grumbullimin e ujit dhe të materialeve inerte, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. E njëjta situatë paraqitet edhe në lagjen e re të qytetit të Kukësit, ku uji ka arritur deri pranë banesave dhe disa familje e kanë të pamundur lëvizjen normale, pasi niveli i ujit ka shkuar deri te portat e shtëpive.

Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona. Autoritetet lokale janë në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve.

Moti i keq në qarkun Lezhë/Rritet niveli i lumit Drin dhe Mat,përmbytje në disa zona

By: e xh
6 January 2026 at 09:15

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër.

Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

Në Bashkinë Kurbin reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë natës, me intensitet mesatar dhe herë-herë të lartë, të shoqëruara me vetëtima. Deri tani, është raportuar vetëm një rast i përmbytjes së një familjeje në Milot, ndërsa kanalet janë në kuota të larta dhe punonjësit e emergjencës po monitorojnë situatën. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vazhdon normalisht dhe procesi mësimor nuk është ndërprerë.

Në Bashkinë Lezhë, uji ka përmbytur oborret e shkollave “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”, duke penguar zhvillimin e mësimit. Lumi Drin është arritur në kuota kritike, me fillim të zonës së rrezikut të lartë, ndërsa shumë toka në zonën e Zadrimës, Gjadërit, Zojzit, Gramshit, Kodhelit, Brinishtit, Pirajt, Torovicës, Malecaj, Balldren, Rrabosht, Mërqi, Spitenit, Treshit dhe Barbullojës janë përmbytura. Një familje në Torovicë ka kërkuar ndihmë emergjente pasi uji ka arritur 50 cm brenda banesës. Kanalet kryesore janë në kuota maksimale dhe punonjësit po punojnë për largimin e ujit nga oborret e shkollave, ndërsa OSHEE raporton ndërprerje të furnizimit në fshatrat Shënkoll, Gajush dhe pjesërisht Tale.

Në Bashkinë Mirditë reshjet kanë qenë intensive, por deri tani nuk ka problematika serioze për banesat. Lumi Zalli Zmesë pranë qytetit është rritur, por nuk ka rrezik për përmbytje, ndërsa disa zona periferike të Rrëshenit po përballen me mungesë energjie.

Hidrovorët po punojnë me kapacitet maksimal për largimin e ujit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se lumenjtë Drin dhe Mat ndodhen në kuota tërreziku të lartë. Aktualisht nuk raportohen probleme të mëdha me akset rrugore. Strukturat e emergjencës dhe autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjeve dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Arrestimi i Maduros/ Autoritetet në Venezuelë nisin hetimet për bashkëpunëtorët

By: e xh
6 January 2026 at 09:01

Autoritetet venezueliane kanë nisur hetimet për të gjetur bashkëpunëtorët e dyshuar në operacionin amerikan që çoi në arrestimin e udhëheqësit Nicolas Maduro, në përputhje me një dekret që shpall gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Masa, e cila hyri në fuqi të shtunën, por u publikua e plotë vetëm ditën e hënë, urdhëron të gjitha forcat policore federale, shtetërore dhe komunale të identifikojnë individët që dyshohet se mbështetën veprimin e forcave speciale amerikane, shkruan La Stampa.

Sipas disa mediave amerikane, forcat amerikane kanë marrë mbështetje në terren, përfshirë nga rrethi i ngushtë i Maduros, me një burim që ofroi informacion mbi lëvizjet e presidentit.

Ndërkohë, Unioni Kombëtar i Punonjësve të Shtypit (SNTP) raportoi ndalimin e 14 gazetarëve në orët pas operacionit, duke specifikuar më vonë se të gjithë janë liruar.

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, u paraqit për herë të parë para Gjykatës Federale të Manhattanit të hënën, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat penale që rëndojnë ndaj tij, ndërsa jashtë gjykatës ishin mbledhur turma protestuesish me qëndrime të kundërta.

Seanca e radhës për Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores do të zhvillohet më 17 mars.

Ndërkaq, Delcy Rodriguez u betua si presidente e përkohshme e Venezuelës.

Moti i acartë “pushton” Francën

By: e xh
6 January 2026 at 08:53

Pas temperaturave të ulëta që kanë goditur Francën, kryeqyteti i saj Parisi, është zbardhur nga dëbora.

Vendet ikonë si Katedralja e Notre Dame dhe Kulla Eiffel u zbardhën krejtësisht, po ashtu si edhe kështjella e Disneyland.

Teksa vendasit dhe qindra turistë kanë shijuar peizazhin e mrekullueshëm, pasditen e djeshme reshjet e dendura të dëborës shkaktuan anulimin e një pjese të fluturimeve nga aeroportet Orly dhe Charles de Gaulle në Paris.

Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje gjithashtu drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim.

❌
❌