Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Protestat e dhunshme, vritet zyrtari i lartë iranian nga demonstruesit në Mashhad

By: e xh
11 January 2026 at 21:26

Televizioni shtetëror iranian raportoi se një zyrtar i lartë i forcave të sigurisë u vra mbrëmjen e sotme në qytetin lindor të Mashhadit.

Gjenerali i brigadës Javad Keshavarz, përgjegjës për forcën kundër narkotikëve, humbi jetën në një sulm nga protestues të armatosur rreth orës 21:30 sipas orës lokale, sipas raportimeve.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë përleshje midis protestuesve dhe forcave të sigurisë gjatë natës.

Ngjarja ndodh ndërsa valët e protestave antiqeveritare në Iran vazhdojnë të përhapen në vend.

Venezuela nuk ka vetëm naftë, por edhe minerale strategjike që i duhen SHBA-së

By: e xh
11 January 2026 at 20:29

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kompanitë amerikane do të kenë akses në rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës, por vëmendja e administratës së tij është përqendruar edhe te pasuritë e tjera natyrore të vendit.

Sipas ekspertëve, Venezuela zotëron sasi të pakonfirmuara mineralesh, metalesh dhe elementësh të rrallë, të domosdoshëm për industri strategjike si mbrojtja dhe teknologjia. Këto burime konsiderohen thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shfrytëzimi i këtyre burimeve është i vështirë, shkruan CNN. Sasia reale dhe leverdia ekonomike e mineraleve mbeten të paqarta, ndërsa kompanitë përballen me rreziqe të mëdha sigurie, pasi shumë zona minerare kontrollohen nga grupe të armatosura dhe miniera ilegale.

Një tjetër pengesë është përpunimi i mineraleve të rralla, i cili dominohet nga Kina. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Kina përbën mbi 90% të përpunimit global të elementëve të rrallë, duke e bërë të vështirë shkëputjen e SHBA-së nga varësia ndaj Pekinit.

Venezuela nuk figuron në listën e Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së si vend me rezerva të konfirmuara të elementëve të rrallë. Megjithatë, besohet se vendi ka depozita të koltanit dhe boksitit, minerale që përmbajnë elementë kritikë si tantal, niob, alumin dhe galium.

Ekspertët theksojnë se pas dekadash qeverisjeje nga Hugo Chávez dhe Nicolás Maduro, mungojnë të dhëna të besueshme gjeologjike, ndërsa investimet janë minimale. Sipas analizave, pavarësisht potencialit, Venezuela nuk pritet të ketë rol të rëndësishëm në tregun global të mineraleve kritike të paktën për dekadën e ardhshme.

Studimi/ 1 në 5 persona në Gjermani mendon të largohet nga vendi

By: e xh
11 January 2026 at 18:37

Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në pesë persona në Gjermani po mendon të largohet nga vendi.

Studimi zbuloi se 21 për qind e popullsisë së Gjermanisë po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi, përfshirë 34 për qind e personave me prejardhje migrante dhe 37 për qind të fëmijëve të tyre.

Qendra Gjermane për Studime të Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) e kreu studimin midis viteve 2024 dhe 2025 me 2.933 pjesëmarrës.

Nga personat pa prejardhje migrante, 17 për qind po mendojnë të largohen nga Gjermania, ndërsa 31 për qind e atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe 28 për qind e atyre nga vendet e tjera të BE-së raportuan të njëjtën gjë.

Arsyeja më e shpeshtë e përmendur për emigrim në të gjitha grupet ishte dëshira për një “cilësi më të lartë jete”.

Për personat me prejardhje migrante, përvojat e diskriminimit gjithashtu luajtën rol.

U raportua se 25 për qind e pjesëmarrësve nga Turqia dhe nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përmendën përvojat e diskriminimit si arsye për të menduar largimin.

Fabio Best, studiues në DeZIM, theksoi se të dhënat tregojnë se dëshira për t’u larguar nga Gjermania mbetet e lartë.

“Sidomos te personat me prejardhje migrante dhe fëmijët e tyre, kërkimi për kushte më të mira jetese, së bashku me perceptimet për diskriminim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ai.

Trump paralajmëron Kubën: Duhet të bëjnë një marrëveshje me ne para se të jetë vonë

By: e xh
11 January 2026 at 17:35

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi sot Kubën se duhet të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, përndryshe vendi ishullor nuk do të marrë më naftë apo mbështetje financiare nga Venezuela.

“Nuk do të ketë më naftë apo para që shkojnë në Kubë, zero! e këshilloj fuqimisht që të bëjnë një marrëveshje, para se të jetë shumë vonë,” shkroi trump në platformën e tij të rrjeteve sociale, truth social.

Sipas presidentit amerikan, Kuba ka mbijetuar për disa vite falë sasive të mëdha të naftës dhe parave që vinin nga Venezuela. Ai theksoi se Venezuela është furnizuesi kryesor i naftës për Kubën, por pas arrestimit të Nicolás Maduro nga forcat amerikane, Trump ushtroi presion ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, që nafta venezuelane të dërgohej drejt Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, shërbimet amerikane të inteligjencës paraqesin një tablo të zymtë të situatës ekonomike dhe politike në Kubë. Megjithatë, sipas një raportimi të Reuters, vlerësimet e tyre nuk mbështesin plotësisht parashikimin e Trump se regjimi kuban është “gati të shembet”. Lajmi citoi tre burime të njohura me vlerësimet konfidenciale.

Sipas qëndrimit të CIA-s, sektorë kyç të ekonomisë kubane, si bujqësia dhe turizmi, ndodhen nën presion të madh për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, sanksioneve tregtare dhe problemeve të tjera strukturore.

Humbja e mundshme e importeve të naftës dhe mbështetjes së mëtejshme nga Venezuela, një aleat i ngushtë i Kubës prej dekadash, mund të përbëjë një goditje serioze për regjimin që drejton vendin që nga revolucioni i udhëhequr nga Fidel Castro në vitin 1959.

Për Kubën, ndërprerja e furnizimit me naftë venezuelane do të kishte pasoja të rënda. Nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Venezuela dërgonte mesatarisht rreth 27 mijë fuçi naftë në ditë në ishull, duke mbuluar afërsisht 50% të mungesës së naftës së Kubës, sipas të dhënave detare dhe dokumenteve të kompanisë shtetërore venezuelane të naftës, PDVSA.

Protestat në Iran, Berisha: Diktatura e Ajetollahëve, në grahmat e fundit

By: e xh
11 January 2026 at 16:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjete sociale në mbështetje të revolucionit demokratik të opozitës dhe popullit iranian.

Në mesazhin e tij, Berisha shprehet se revolucioni iranian po ecën drejt fitores vendimtare, ndërsa diktatura e Ajetullahëve obskurantistë ndodhet në grahmat e fundit.

Kryedemokrati dënon ashpër masakrat dhe barbaritë e regjimit ndaj kryengritësve paqësorë dhe thekson se vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 2 mijë martirë të rënë nga breshëritë e falangave të zeza të pushtetit të krimit.

Revolucioni iranian drejt fitores vendimtare.

Diktatura e Ajetullahëve obskurantistë në grahmat e fundit!

Miq, revolucioni demokratik i opozitës iraniane në pragun e triumfit, fitores përfundimtare.

Masakra dhe barbaritë e papara të regjimit ndaj kryengritësve paqësorë të pamposhtur.

Në 24 orët e fundit, revolucioni për Iranin e lirë dhe demokratik numëron mbi 2 mijë martirë të rënë nga breshëritë e falangave të zeza të pushtetit të krimit.

Duke mbështetur plotësisht revolucionin e opozitës dhe popullit iranian, dënoj me forcën më të madhe barbaritë e regjimit ndaj qytetarëve trima që luftojnë të pamposhtur për lirinë dhe dinjitetin e vendit dhe kombit të tyre!

Rroftë Irani i lirë dhe demokrat!

Vdekje Ajetullahëve!”, shprehet Berisha.

I morën 40 000 euro një personi duke e mashtruar, identifikohen autorët, 3 në pranga

By: e xh
11 January 2026 at 15:30

I morën një shtetasi, te rrethrrotullimi i Rinasit, 40 000 euro, duke e mashtruar nëpërmjet komunikimeve në një aplikacion se ishin të njohur të tij, identifikohen 5 shtetas, vihen në pranga 3 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5” me të cilin 5 shtetasit janë larguar pasi morën shumën e eurove.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.

Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari.

Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Rreth 116 të vrarë nga protestat në Iran, Trump: Gati të ndërhyjmë

By: e xh
11 January 2026 at 15:14

Natën e së shtunës, parullat kundër qeverisë mbushën rrugët e kryeqytetit iranian, Teheran, ndërsa protestuesit bënin thirrje për lëvizjen më të madhe kundër republikës islamike të tre viteve të fundit, pavarësisht një represioni të fortë të ushtruar nga autoritetet të cilat kanë bllokuar edhe internetin prej rreth 3 ditësh.

Numri i personave të vrarë gjatë protestave në Iran është pothuajse dyfishuar brenda pak orësh, duke shkuar në të paktën 116, sipas përditësimit të fundit të organizatës amerikane Human Rights Activists Neës Agency (HRANA) e cila shton se shtatë nga viktimat janë të mitur.

Sipas organizatës, shumica e personave janë vrarë nga municione të vërteta ose nga armë zjarri me plumba gome, kryesisht nga distancë e afërt. Sipas të njëjtit burim, 37 nga viktimat dyshohet se janë anëtarë të forcave të armatosura ose të sigurisë, ndërsa njëri prej tyre është prokuror. HRANA ka njoftuar gjithashtu se 2.638 persona janë arrestuar.

Sardar Radan, komandanti i përgjithshëm i policisë kombëtare iraniane, deklaroi mëngjesin e kësaj të diele se “niveli i përplasjes me rebelët është rritur” dhe përshëndeti ato që i quajti “arrestime të rëndësishme”, duke theksuar se “elementët kryesorë të trazirave të mbrëmshme janë arrestuar”.

Grupet për të drejtat e njeriut kishin raportuar tashmë dhjetëra të vdekur dhe, të shtunën, shprehën shqetësim për intensifikimin e represionit nga autoritetet, me nurmin e të vrarëve që ka shkuar në 550 në total.

Irani ua ka atribuar Shteteve të Bashkuara përgjegjësinë për protestat që shpërthyen dy javë më parë në kryeqytet për shkak të vështirësive ekonomike dhe që më pas janë përhapur në të gjithë vendin me kërkesa për largimin e autoriteteve fetare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën pasdite se vendi i tij ishte “i gatshëm të ndihmonte” lëvizjen duke nënkuptuar ndoshta një përfshirje ushtarake.

Irani po sheh lirinë, ndoshta si asnjëherë më parë. SHBA janë gati të ndihmojnë”, shkroi Donald Trump.

Teherani paralajmëroi se “çdo sulm amerikan do ta çonte Teheranin të reagonte kundër Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane” në rajon. Këtë e deklaroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, duke iu drejtuar deputetëve.

Protesta në Iran nisën përpara ndërrimit të viteve. Ato nisën si pakënaqësi ndaj gjendjes ekonomike dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Reagimi kombëtar është regjistruar në 100 qytete e rajone në të gjithë vendin dhe po shihet si kundërshtimi më I madh në vite ndaj regjimit që udhëhiqet nga Ajatollah Ali Khamenei.

SHBA-të u bëjnë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Venezuela

By: e xh
11 January 2026 at 15:12

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Venezuelë që të largohen nga vendi “menjëherë”.

“Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme”, tha departamenti, një javë pas kapjes së udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro, shkruan ANSA.

“Tani që fluturimet ndërkombëtare kanë rifilluar, qytetarët amerikanë duhet të largohen menjëherë nga vendi”, thuhet në njoftim, duke paralajmëruar kundër milicive të armatosura të quajtura “colectivos” të cilat kontrollojnë makina për amerikanë ose prova mbështetjeje për SHBA-në.

Deklarata për drejtësinë, Berisha: Rama i quan injorantë prokurorët, të ngrihemi

By: e xh
11 January 2026 at 14:33

Kreu i PD ka reaguar pas deklaratës së Edi Ramës këtë të diel, kur tha ndër të tjera se në vendin tonë nuk ka as drejtësi të paanshme dhe as cilësore.

Për Sali Berishën, kjo është një deklaratë për të cilën populli duhet të ngrihet në protesta për ta rrëzuare nga qeveria.

“Ramaduro sot sulmoi drejtësinë dhe mbrojti menderen e tij!  Të dashur miq, në monologun e tij të neveritshëm, Ramaduro sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër kanë banesat të përmbytura. Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.

Por Ramaduro foli për menderen e tij. Ai, si peng i Lubisë, pasi ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve të tij të krimit heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, përsëri sulmoi sot drejtësinë e tij, e cila sipas tij “nuk është as e paanshme dhe as cilësore”.

Me këto akuza, Ramaduro dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë! Me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij dhe ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më parë!”, shkruan Berisha në Facebook.

Arrestohet 38-vjeçari i dënuar për trafik droge në Itali

By: e xh
11 January 2026 at 14:29

Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 77”, të finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional me autoritetet italiane, përmes Drejtorisë së Interpolit, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht shtetasi Alesjo Abdija, 38 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, Abdija është dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Perugias, në Itali, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat ligjore për finalizimin e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane.

SHBA kryejnë sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave të ISIS në Siri

By: e xh
11 January 2026 at 14:14

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer këtë mbrëmje sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave të ISIS-it në të gjithë Sirinë.

Sipas mediave të huaja, Komanda Qendrore e SHBA-së dhe forcat partnere kryen sulmet rreth orës 12:30 të pasdites sipas orës lindore të SHBA-së, si pjesë e Operacionit Hawkeye Strike, njoftoi forca në mediat sociale.

Operacioni u nis me urdhër të Presidentit Donald Trump në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj një sulmi “pritë” të ISIS-it, i cili u krye nga një terrorist ndaj forcave amerikane dhe siriane në Siri më 13 dhjetor 2025, ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi gjithashtu se operacioni ishte pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm të SHBA-së për të “çrrënjosur terrorizmin islamik kundër luftëtarëve tanë, për të parandaluar sulmet e ardhshme dhe për të mbrojtur forcat amerikane dhe partnere në rajon”.

Kujtojmë se gjatë kohëve të fundit, SHBA-të e kanë rritur angazhimin ushtarak në botë, ku pak ditë më pare kryen një operacion në Venezuelë, i cili përfundoi me kapjen e Presidentit në detyrë të vendit, Nicolas Maduro.

Izraeli planifikon një ofensivë të re në Gaza në muajin mars

By: e xh
11 January 2026 at 14:08

Ushtria izraelite ka hartuar plane për të nisur operacione të reja masive dhe intensive ushtarake në Gaza në muajin mars”, me një ofensivë të përqendruar në Qytetin e Gazës, që synon ta shtyjë vijën e verdhë të demarkacionit të armëpushimit drejt bregdetit të enklavës, duke zgjeruar më tej kontrollin mbi territorin.

Kështu shkruan Times of Israel, duke cituar një zyrtar izraelit dhe një diplomat arab. Sipas këtij të fundit, megjithatë, operacioni nuk mund të nisë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat ende po përpiqen ta çojnë armëpushimin e brishtë të arritur në tetor drejt një faze të dytë, që do të përfshinte çarmatimin e Hamasit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, shkruan gazeta, “ka pranuar” gjatë takimit të tij me Donald Trump muajin e kaluar të bashkëpunojë në përpjekjet për avancimin e armëpushimit, “por nuk beson se do të arrijnë ta çarmatosin Hamasin dhe për këtë arsye ka ngarkuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përgatisin një plan emergjence”.

Përgatitjet për një ofensivë të re konfirmohen edhe nga burime të tjera, këtë herë për Wall Street Journal, sipas të cilave “Izraeli dhe Hamasi po përgatiten për një rifillim të përplasjeve, pasi grupi militant palestinez refuzon të çarmatoset”.

Në Gaza, “Hamasi po përqendrohet në rindërtimin e kapaciteteve ushtarake, përfshirë pjesë të infrastrukturës së tij të tuneleve që janë dëmtuar”. Për më tepër, “ka marrë gjithashtu një fluks të ri fondesh që i ka mundësuar të paguajë rregullisht pagat e luftëtarëve të tij”.

Rreth 120 banesa të prekura nga përmbytjet në Ferras, fillon verfikimi i dëmeve

By: e xh
11 January 2026 at 14:04

Katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren paraditen e sotme në fshatin Ferras për të konstatuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Procesi i verifikimit po zhvillohet si brenda ashtu edhe jashtë argjinaturës, në kuadër të fazës së parë të evidentimit të prezencës së ujit dhe pasojave të tij në banesa.

Sipas të dhënave paraprake nga komisionet në terren, deri më tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura, ku dëmet nuk kufizohen vetëm brenda ambienteve të brendshme të shtëpive, por shtrihen edhe në oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse. Në shumë raste, uji ka depërtuar në banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Fillimisht, puna e komisioneve ka nisur në zonën brenda argjinaturës, ku situata paraqitet më problematike për shkak të qëndrimit të ujit për disa orë. Më pas, verifikimet do të vijojnë edhe në banesat e dëmtuara nga vërshimi i ujit mbi kanalin e Martines, ku prurjet e shtuara kanë dalë nga shtrati duke përmbytur zona të tëra banimi.

Komisionet po dokumentojnë çdo rast me procesverbale, fotografi dhe të dhëna të detajuara, të cilat do t’i shërbejnë institucioneve përkatëse për hartimin e raportit përfundimtar dhe vlerësimin e masave të nevojshme për ndihmë dhe dëmshpërblim.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se procesi i verifikimit do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të bashkëpunojnë me komisionet dhe të raportojnë çdo dëm të shkaktuar nga përmbytjet. Situata në zonë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërkohë që strukturat e emergjencave janë në gatishmëri.

Groenlanda/Media:Britania po negocion me aleatët e BE për të dërguar trupa evropiane

By: e xh
11 January 2026 at 14:02

Britania e Madhe është në bisedime me aleatët evropianë për vendosjen e një force ushtarake në Groenlandë, në një përpjekje për ta bindur Donald Trumpin të mos e ‘pushtojë’ ishullin e Arktikut.

Shefat ushtarakë po hartojnë plane për një mision të mundshëm të NATO-s që do të përfshinte trupa, anije luftarake dhe avionë që mbrojnë territorin strategjikisht të rëndësishëm nga agresioni rus dhe kinez.

Zyrtarët britanikë kanë zhvilluar diskutime me homologët e tyre në Gjermani dhe Francë ditët e fundit, ndërsa përgatitjet për operacionin fillojnë të marrin formë, raportoi The Telegraph.

Planet, të cilat mbeten në një fazë të hershme, synojnë të bindin zotin Trump që të heqë dorë nga planet e tij kontraverse për të aneksuar Groenlandën , një ishull i vetëqeverisur që është pjesë e Danimarkës.

Kombet evropiane besojnë se rritja e ndjeshme e pranisë së tyre ushtarake në Arktik do t’i lejonte presidentit amerikan të shpallte fitoren duke argumentuar se aleatët e Amerikës po mbanin mbi supe një pjesë më të madhe të barrës financiare.

Trump ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës, duke përmendur shqetësimet se Rusia ose Kina mund të ndërhyjnë të parat.

Ai ka këmbëngulur: “Nuk do ta kemi Rusinë apo Kinën si fqinjë.”

Ishulli është gjithashtu i pasur me burime natyrore të vlefshme, duke përfshirë bakrin, nikelin dhe mineralet e rralla të tokës që janë thelbësore për teknologjinë moderne. Burime qeveritare thanë se Sir Keir Starmer e mori kërcënimin nga Rusia dhe Kina në rajon “jashtëzakonisht seriozisht” dhe ra dakord se nevojiteshin veprime.

“Ne ndajmë të njëjtin mendim me Presidentin Trump – agresioni në rritje i Rusisë në Veriun e Epërm duhet të pengohet dhe siguria euroatlantike duhet të forcohet”, i tha një person për median britanike.

“Diskutimet e NATO-s mbi forcimin e sigurisë në rajon vazhdojnë dhe ne kurrë nuk do t’i tejkalonim ato, por Mbretëria e Bashkuar po punon me aleatët e NATO-s për të nxitur përpjekjet për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen në Arktik.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me aleatët – siç kemi bërë gjithmonë – në operacione në interesin tonë kombëtar, duke mbrojtur njerëzit në shtëpi.”

Trump më parë ka sugjeruar t’i ofrohet secilit prej 30,000 banorëve të Groenlandës deri në 100,000 dollarë për të ndërruar besnikërinë e tyre ndaj Amerikës.

Kur u pyet për përdorimin e forcës, ai tha: “Ne do të bëjmë diçka në Groenlandë, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo.”

Ndjekja e tij e territorit ka shkaktuar trazira brenda NATO-s dhe ka ngritur frikën se aleanca 75-vjeçare mund të shpërbëhet. Vendet evropiane tani shpresojnë të shmangin një krizë duke ofruar të stacionojnë forca në ishull.

Propozimi u diskutua në një takim të aleatëve të NATO-s në Bruksel të enjten, ku anëtarët udhëzuan Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë që të shqyrtonte mundësitë për sigurimin e Arktikut.

Burimet thanë se operacioni i mundshëm mund të variojë nga një vendosje e plotë ushtarake deri në një kombinim ushtrimesh, shkëmbimi të inteligjencës dhe ridrejtimi i shpenzimeve të mbrojtjes.

Çdo mision ka të ngjarë të veprojë nën ombrellën e NATO-s dhe të jetë i ndarë nga operacionet ekzistuese në Baltik dhe Poloni. Zyrtarët britanikë konfirmuan se Forcat e Armatosura po përgatiteshin tashmë për një rol të zgjeruar në sigurinë e Arktikut.

Përgatitjet përfshijnë komando dhe anije të Marinës Mbretërore që marrin pjesë në Stërvitjen e Përbashkët Viking, një stërvitje e NATO-s në kushtet e ftohta të Norvegjisë.

Këtë vit, 1,500 Marinë Mbretërore do të vendosen në Norvegji, Finlandë dhe Suedi për stërvitjen “Reagimi ndaj të Ftohtit”, e cila përqendrohet në mbrojtjen e terrenit të ngrirë. Bashkimi Evropian thuhet gjithashtu se po përgatit sanksione ndaj kompanive amerikane nëse Trump refuzon ofertën e NATO-s për vendosjen e trupave.

Një opsion më drastik që po merret në konsideratë do të përfshinte dëbimin e forcave ushtarake amerikane nga bazat e tyre evropiane, duke i mohuar Amerikës pikat kryesore të nisjes për operacionet në Lindjen e Mesme. Sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të takohet me homologun e tij danez javën e ardhshme, me zyrtarët evropianë që shpresojnë se ai mund ta moderojë qëndrimin e Trump.

Moti i keq, situatë problematike në 7 qarqe

By: e xh
11 January 2026 at 13:59

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të orëve të fundit të situatës së motit dhe përmbytjeve. Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.

Në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e Emergjencave Vivile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

“Mos ndërhyni ose do godasim”, Irani paralajmëron SHBA dhe Izraelin

By: e xh
11 January 2026 at 11:08

Irani ka paralajmëruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se çdo sulm i Washingtonit do të bënte që Teherani të kundërpërgjigjej ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake rajonale të SHBA-së si “objektiva legjitime”.

Kështu ka deklaruar Kryetari i Parlamentit Iranian, Mohammad Qalibaf para ligjvënësve Iranian. Protestat, të cilat filluan më 28 dhjetor si demonstrata në pazaret e Teheranit kundër inflacionit të shfrenuar, atëherë janë përhapur në më shumë se 100 qytete, duke paraqitur sfidën më të madhe për regjimin iranian në vite.

Protestuesit thonë për mediat ndërkombëtare se numri i njerëzve në rrugë është i pakrahasueshëm me çdo gjë që kishin përjetuar më parë, duke i përshkruar skenat si “jashtëzakonisht të bukura dhe shpresëdhënëse”.

Përmbytjet/ Rama: Do marrim masa për ndotjen e lumenjve

By: e xh
11 January 2026 at 10:59

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të merren masa ligjor ndaj personave që hedhin plehrat jo në zonat e caktuara. Rama përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, bëri me faj dhe qytetarët, të cilët si pasojë e hedhjes së mbeturinave nëpër kanalet kulluese, kanë një peshë të mirë të përgjegjësisë për përmbytjet.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

Përmbytjet në Shkodër, rreth 525 ha toka bujqësore nën ujë

By: e xh
11 January 2026 at 09:26

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 525 ha, e shpërndarë sipas njësive administrative si më poshtë: Nj.A. Dajç rreth 110 ha, Nj.A. Velipojë rreth 265 ha dhe Nj.A. Ana e Malit rreth 150 ha. Prania e ujit është e kufizuar në sipërfaqe të hapura bujqësore. Në Obot, uji është prezent vetëm në afërsi të oborreve, pa depërtim në banesa; qarkullimi është i garantuar dhe realizohet me mjete të Ushtrisë.

Situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.58 m. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit është 8.50 m, rreth 1.00 m nën kuotën kritike (9.50 m). Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin paraqitet në kuotën 8.20 m, rreth 1.80 m nën kuotën kritike (10.00 m).

Hidrovoret po punojnë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta. Furnizimi me energji elektrike është normal. Argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesat e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje.

Lumi Seman del nga shtrati, Vengu: Evakuimi i banorëve ka vijuar gjatë gjithë natës

By: e xh
11 January 2026 at 09:08

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut vazhduan gjatë natës operacionet e tyre në të dy anët e lumit Seman. “Është një tjetër natë sprove dhe sakrifice për djemtë tanë në terren,” tha ai.

Evakuimi i banorëve nga fshatrat pranë lumit, në bashkitë Kuçovë dhe Dimal, ka vijuar gjatë gjithë natës si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e tyre.

Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren, duke punuar krah për krah me strukturat vendore, për menaxhimin e situatës dhe për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Trump pezullon ndihmat për Minnesota-n: 129 milionë dollarë të bllokuara

By: e xh
11 January 2026 at 09:03

Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur të pezullojë 129 milionë dollarë fonde federale për Minnesota-n, duke pretenduar se në shtet ka ndodhur një skandal mashtrimi i gjerë.

Vendimi u bë publik nga sekretarja e Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), Brooke Rollins, e cila shpërndau një letër drejtuar guvernatorit Tim Walz dhe kryebashkiakut të Minneapolis, Jacob Frey.

Rollins akuzoi autoritetet lokale se nuk kanë marrë masa për të ndalur mashtrimet e kryera nga organizata jo-fitimprurëse dhe biznese, duke paralajmëruar se çdo pagesë e ardhshme federale për shtetin do të kërkojë justifikim të plotë.

Administrata Trump refuzon të lejojë që ky mashtrim të vazhdojë,” shkroi ajo, citon Th Guradian.

Reagimet në Minnesota kanë qenë të ashpra. Zëdhënësi i qytetit të Minneapolis, Brian Feintech, tha se ndërprerja e fondeve dëmton banorët më të varfër dhe e cilësoi vendimin si një sulm politik ndaj qytetit.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Keith Ellison, reagoi publikisht duke paralajmëruar se do ta çojë çështjen në gjykatë: “Nuk do të lejoj që t’u hiqni ndihmën banorëve të Minnesota-s në nevojë.”

Vendimi i USDA-së vjen paralelisht me një gjykim federal që ndalon administratën Trump të bllokojë fondet për subvencionet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe programe të tjera sociale në pesë shtete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Minnesota-n.

Administrata Trump ka shënjestruar Minnesota-n gjatë vitit të fundit, duke e lidhur me mashtrime të supozuara që përfshijnë komunitetin somalez. Prokurorët federalë vlerësojnë se deri në 9 miliardë dollarë janë vjedhur përmes skemave të lidhura me këtë komunitet. Në nëntor të vitit 2025, Trump hoqi mbrojtjet ligjore për emigrantët somalezë, duke deklaruar se “bandat somaleze po terrorizojnë popullin e atij shteti dhe miliarda dollarë mungojnë.”

 

❌
❌