Hatërmbetja me Rugovën, Berisha: S’isha dakord me rrugën paqësore, duheshin demonstrata
Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka folur për raportet që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Sali Berishës iu shtrua pyetja se pse udhëheqësit e Shqipërisë kanë pasur gjithnjë prirjen për t’i treguar Kosovës si duhet të veprojë.
Analisti Albatros Rexhaj tha se Berisha dhe Rugova kanë qenë gjithnjë idhujt e tij në politikë, por i shprehu liderit të PD se presidenti i Kosovës kishte hatërmbetje me të.
Berisha nuk e fshehu dhe e konfirmoi se ftohja mes tyre, përtej vlerësimit për të ishte rruga paqësore që zgjodhi Rugova, kur sipas tij duheshin demonstrata për zgjedhjet e Jugosllavisë.
Albatros Rexhaj: Unë e mbaj mend presidentin që ka pasur një hatërmbetje jo të vogël me ju për atë këshillë që ne të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhjet e Jugosllavisë në ’96.
Sali Berisha: A kishte një ftohje në ’96? Absolutisht po! Ke të drejtë, nuk e mohoj. Pse ishte ftohja? Unë nuk isha dakord për statusquo-në. Pse nuk isha dakord? Imagjino, ne mbetëm jashtë Dayton-it. Dayton u bë, ne nuk u përfshimë. Për fat të keq, Milosheviçi doli më i fuqishmi që bëri marrëveshjen. Unë kam shprehur vlerësimet për Ibrahim Rugovën, e kam thënë dhe e them, ishte gjeni në politikën shqiptare, por rruga paqësore qëllimet nuk mund t’i realizonte. Unë kam qenë për demonstrata, në mënyrë absolute, asnjëherë për zgjedhje.
