“Scan Intel” ka përpunuar me imtësi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) sa i përket mjeteteve të reja të regjistruara duke i dhënë përgjigje shumë pyetjeve, si psh: Cilat janë tendencat e fundit? Cila është marka e preferuar e shqiptarëve për autovetura? A parapëlqejë shqiptarët më shumë autovetura me kambio automatike apo manuale? Po ndër lëndët djegëse cilën duan? Kur është peridhudha e preferuar për të blerë një makinë? Le ti marrim me radhë.
Përgjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej rreth 98 mijë e 900 automjete, ku mbi 80 mijë prej tyre janë autovetura. Vlerësohen po ashtu rreth 33 lloje mjetesh dhe 721 marka të ndryshme të regjistruara në vitin 2025.
Ndërkohë, deri në fund të vitit që lamë pas në Shqipëri janë gjithsej rreth 1 milionë mjete dhe mbi 847 mijë autovetura. Kjo shifër e vendosur përballë numrit të familjeve nxjerr në pah një fakt domethënës, mesatarisht çdo familje shqiptare zotëron të paktën një makinë, me një raport prej 1.07 autovetura çdo për familje.

Korriku, muaji i preferuar për të blerë makinë
Muajt e verës duket se kanë shënuar edhe nivelin më të lartë të regjistrimeve, ku veçojmë Korrikun me 10 mijë mjete të regjistruara, pasuar nga Qershori me afërsisht 9,400.
Duket se Mercedes-i” nuk do të jetë për shumë gjatë më mbreti i rrugës.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Volkswagen ka patur numrin më të lartë të regjistrimeve me rreth 18,000 mjete. Mercedezi renditet i dyti pasuar nga Audi, Hyundai, Toyota dhe BYD.
Automat apo manual? Shqiptarët nuk kanë më dyshime
Ndërkohë që në total, autoveturat me kambio manuale janë më shumë se e ato me kambio automatike apo gjysëm automatike, gjatë viteve të fundit, tendenca ka ndryshuar. Të dhënat e 2025-ës, nga drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë sipas kambios është në favor të automjeteve me kambio automatike.
Raporti fiksohet në rreth 71%, ndërkohë pesha e mjeteve të regjistruara për herë të parë me kambio manual fiksohet në rreth 29%. Ky hendek duket se jo vetëm po ngushtohet, por do të kalojë në kah të kundërt, duke para ecurinë e viteve të fundit.

Naftë, benzinë, gaz apo elektrike?
Gjatë vitit të kaluar, pjesa dërrmuese e automjeteve të regjistruara, kishin motor me naftë, më saktësisht 60% e totalit. Makinat me benzinë ndërkohë zënë 25 % të totalit të automjeteve të regjistruara në të gjitha drejtoritë rajonale të transportit rrugor gjatë vitit 2025. Rreth 5% ndërkohë janë autoveturat të cilat përdorin kombinimin me gaz dhe benzin, ndërkohë që makinat elektrike zënë rreth 6% të totalit.
Referuar shifrave, rreth 6 mijë automjete elektrike janë regjistruar në vitin që lamë pas. Muaji Dhjetor ka patur volumin më të lartë me 875 regjistrime, pasuar nga Qershori me 658 mjete elektrike.

Çfarë vit prodhimi ishin autoveturat e regjistruara përgjatë vitit 2025?
Numrat thonë se rreth 55.2% e tyre janë prodhuar në 8-15 vitet e fundit, ndërkohë rreth 24.7% janë prodhuar para 15-të viteve. Ndërkohë, automjetet e regjistruara me vit prodhimi nga 0 deri në 4 vite kanë një peshë prej 14.9% ndaj totalit.

Origjina
Të dhënat për mjetet e regjistruara në vitin 2025 sipas shtetit të origjinës tregojnë një dominim të qartë të Koresë së Jugut, e cila zë pjesën më të madhe të totalit me 21.4%, duke u renditur si burimi kryesor i mjeteve. Pas saj vijnë Gjermania dhe Italia me përqindje pothuajse të barabarta, përkatësisht 15.7% dhe 15.2%, çka dëshmon për një prani të fortë të industrisë europiane të automjeteve. Kina përfaqëson 9.2% të regjistrimeve, duke reflektuar rritjen graduale të mjeteve me origjinë aziatike, ndërsa Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me rreth 8% secila. Kanadaja ka një peshë më të kufizuar me 4.4%.
