BDI: Spërkatja e veturave nga kleri fetar është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reguar lidhur me spërkatjen e veturave të policisë nga një klerik ortodoks
Nga atje thonë se kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular.
"Riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit, brenda një institucioni të sigurisë publike. Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm në një shtet që me Kushtetutë është sekular dhe me realitet multietnik e multikonfesional.
Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve njësoj, pa dallim etnie dhe besimi. Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin se ekziston fe dominante apo “fe zyrtare” brenda institucioneve të shtetit.
Kur hapësirat dhe mjetet shtetërore përdoren për rituale të vetëm një konfesioni, mesazhi për të tjerët është përjashtues dhe i rrezikshëm: se institucionet publike identifikohen me një religjion, duke nënvlerësuar dhe përjashtuar të tjerët. Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës.
Është veçanërisht ofenduese që këto automjete janë blerë me paratë e të gjithë taksapaguesve dhe do të përdoren nga pjesëtarë të policisë të besimeve të ndryshme. Askush nuk ka të drejtë t’i “shënojë” institucionet publike me simbolikë të një besimi të vetëm", thuhet në reagimin e BDI-së./Telegrafi/
