Ahmeti: Mirë që shkova në takim tek Mickoski, sepse Evropa formohet mbi parimin e dialogut dhe kompromisit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sonte në emisionin Click Plus në TV21 foli për takimin e liderëve të mbajtur një javë më parë, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Ahmeti tha se kanë bë mirë që kanë shkuar në takim te Mickoski sepse siç thotë ai, Europa formohet me disa parime siç janë dialogu dhe kompromisi.
“Është mirë sepse Europa formohet në disa parime. Parim i Europës dialogu, kompromisi, sepse pa dialog dhe kompromis nuk gjen dot zgjidhje mbi problemet. Nuk është zëvendësuar kjo filozofi me një filozofi të re, por janë parime që duhet të respektohen. Pjesëmarrja e BDI në takimin e liderëve ka qenë shumë e domosdoshme për të biseduar për të gjitha temat, edhe pse të gjitha temat që ne menduam dhe vlerësuam nuk u biseduan në takim me liderët mbeti që tema të caktuara të bisedohen si dy parti politike më të mëdha te komunitetet më të mëdha në vend”, deklaroi Ahmeti.
Ndër të tjera ai tha se që 22 vite po përfaqëson shqiptarët në politikë, ndaj edhe thuhet se ka përcjellë 8 ose 9 kryeministra.
“Unë nuk kam hyrë në këtë fushë veprimtarie për të përcjell kryeministra, por më ka rastisur që, shqiptarët në Maqedoni e kanë votuar BDI-në deh si forcë legjitime sigurisht se kemi qenë përfaqësues legjitim dhe kemi përfaqësuar shqiptarët për këto 22 vite dhe sigurisht të tjerët nuk kanë fituar zgjedhje dhe ato i kemi përcjell si kryeministra, 8 apo 9 nuk e di”, tha Ahmeti. /tv21
