Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 January 2026Main stream

22:47 Donald Trump ul ndjeshëm tarifat për makaronat italiane

By: Monika
2 January 2026 at 22:47

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të ulë ndjeshëm tarifat e propozuara për importet e makaronave italiane, duke tërhequr një plan që rrezikonte të çonte në rritje të forta çmimesh për konsumatorët në SHBA.

Fillimisht, Departamenti Amerikan i Tregtisë kishte paralajmëruar tarifa deri në 91.74% për makaronat e prodhuara nga 13 kompani italiane, duke i akuzuar ato për shitje me çmime nën vlerën normale të tregut, praktikë e njohur si “dumping”. Duke qenë se mbi produktet nga Bashkimi Evropian tashmë aplikohet një tarifë bazë prej 15%, taksimi total do të kishte kaluar 100% të vlerës së produktit.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se SHBA ka rishikuar qëndrimin, duke e cilësuar këtë si një njohje të bashkëpunimit konstruktiv të kompanive italiane./mxh

22:35 Rreth 100 mijë pacientë në Emergjencë, Kosova rrezikon mungesë specialistësh

By: Monika
2 January 2026 at 22:35

Viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar për Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku janë trajtuar rreth 100 mijë pacientë, me një rritje të dukshme krahasuar me 2024.

Drejtori i kësaj Klinike, Naser Syla në një intervistë për KosovaPress thekson se ngarkesa e madhe vjen jo vetëm nga numri i lartë i pacientëve, por edhe nga natyra e ndryshme e sëmundjeve, duke përfshirë rastet e rënda emergjente.

Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i vogël i specialistëve të mjekësisë emergjente dhe interesimi i ulët i mjekëve për këtë specializim.

Syla nënvizon domosdoshmërinë e ndërtimit të një objekti të ri për Klinikën Emergjente, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve dhe ofrimin e trajtimit adekuat për pacientët emergjentë.

“Ky vit për Qendrën Emergjente ka qenë një vit si kur krejt të tjerët, domethënë i stërngarkuar për stafin që është aktualisht në Qendrën Emergjente, si ata të lartë, domethënë për specialistët e mjekësisë emergjente, për specializantët dhe stafin e mesëm dhe atë tjetrin shoqërues ndihmës. Domethënë ka qenë një vit tejet, tejet i ngarkuar me numër të madh të pacientëve. Është shumë interesant se qendra emergjente domethënë bën pjesë në atë, bën pjesë në grupin apo nivelin e trajtimit terciar në shëndetësinë e Kosovës. Dhe nëse, nëse bëhen krahasimet për shembull me qendra të tjera të Evropës, ku atje de-fakto vazhdimisht bie numri i pacientëve, te ne përkundrazi kemi ngritje të numrit të pacientëve”, thotë ai.

Nga janari deri në mesin e dhjetorit 2025, rreth 100 mijë pacientë kanë marrë trajtim në Klinikën Emergjente, duke shënuar një rritje të numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Deri në këtë moment janë 99 mijë e 17 pacientë. Domethënë është numër jashtëzakonisht i madh. Krahasim me vitin e kaluar ku kanë qenë 96 mijë e 294 pacientë. Domethënë 4 mijë pacientë më shumë. Domethënë një numër jashtëzakonisht i madh i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjente… Natyrat e sëmundjeve të pacientëve që kërkojnë trajtim, janë prej më të ndryshmeve, prej atyre më të rënda, deri te komunikacioni, lëndimet e ndryshme si suicidale, si me armë të ndryshme të zjarrit, me mjete të mprehta, sëmundjet internistike të llojeve të ndryshme, prej atyre kardiovaskulare, cerebrovaskulare, domethënë, të gjitha llojet e sëmundjeve të mundshme që ekzistojnë trajtohen në Qendrën Emergjente”, deklaron Syla.

Specialisti i mjekimit emergjent, Naser Syla në një intervistë për KosovaPress ngreh alarmin se në të ardhmen vendi të mbetet pa specialist të mjekimit emergjent.

Kjo njësi shëndetësore aktualisht ka 23 specialistë të mjekësisë familjare dhe 68 infermierë.

Syla thotë se një numër i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor mund të trajtohen në nivelet tjera shëndetësore qoftë sekondar apo primar, por që Emergjenca po vazhdon të jetë referencë nga spitalet regjionale dhe qendrat e mjekësisë familjare.

Ai potencon se nga 330 pacientë që kërkojnë trajtim brenda 24 orëve në këtë njësi, një e treta e tyre nuk janë për nivelin terciar.

“Një numër i madh i këtyre pacientëve vijnë pa pasur nevojë për trajtim në një qendër terciare. Është për t’u çuditur se numër shumë i madh i pacientëve vijnë edhe pa udhëzime nga mjekësia primare dhe ajo sekondare… Mund të them se një numër i madh prej numrit të përgjithshëm të këtyre pacientëve, nuk kanë nevojë të sillen ose të dërgohen për trajtim në Qendrën Emergjente dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Prej këtyre pacientëve, nëse e marrim një mesatare këtë vit, domethënë diku 330 pacientë brenda 24 orëve, lirisht mund të themi se një e treta e tyre nuk janë për Qendrën Emergjente dhe për nivelin terciar”, deklaron ai.

Nënvizon se ndërtimi i një objekti të ri për Klinikën Emergjente është domosdoshmëri dhe i nevojshëm për trajtimin e pacientëve emergjentë.

I pari i Klinikës Emergjente pranë QKUK-së, thotë se të gjitha barnat kruciale për mjekësinë emergjente janë në dispozicion, ndërsa problemet shfaqen vetëm në rastet kur pacientët qëndrojnë më gjatë se sa parashihet, për shkak të mungesës së shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv./mxh

22:27 Rusët me raketa balistike sulmojnë vendbanimet civile në Ukrainë

By: Monika
2 January 2026 at 22:27

Dy raketa ruse goditën qytetin Kharkiv, duke qëlluar një zonë të banuar dhe duke shkaktuar dëme të rënda materiale si dhe të plagosur në mesin e civilëve.

Sipas autoriteteve lokale, nga sulmi u plagosën 13 persona, mes tyre edhe një grua në gjendje kritike. Një ndërtesë banimi u shkatërrua plotësisht, ndërsa ndërtesat përreth pësuan dëmtime të mëdha – u thyen dritaret dhe u dëmtuan fasadat.

Autoritetet konfirmuan se në zonën e banuar ranë dy raketa balistike. Përveç ndërtesës së banimit, u shkatërrua edhe një qendër tregtare, ndërsa gjysma e një pallati tjetër u shemb. Dëme të konsiderueshme pësuan edhe ndërtesa të tjera përreth, si dhe një spital që ndodhej në afërsi të vendit të goditjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia vazhdon të vrasë civilë, pavarësisht çdo bisede për paqe apo përpjekjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

“Vetëm Rusia nuk dëshiron që kjo luftë të përfundojë dhe po bën gjithçka për ta vazhduar atë,” theksoi Zelensky.

Ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet./mxh

22:14 Tragjedia me 47 viktima në lokalin në Crans-Montana, BE: Ndihmë për Zvicrën nga 21 vende evropiane

By: Monika
2 January 2026 at 22:14

Në përgjigje të kërkesës së Zvicrës përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për Crans-Montana, deri tani 24 pacientë janë transportuar në spitale në Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Itali.

Këtë e njofton Komisioni Evropian. Franca, Italia, Luksemburgu, Rumania dhe Zvicra kanë garantuar logjistikën e transportit mjekësor. Ekipet për vlerësimin e djegieve nga Franca dhe Italia po mbështesin spitalet zvicerane në kantonin e Valais-it dhe në Lozanë, duke ofruar ekspertizë shumë të specializuar në trajtimin e djegieve.

Deri tani, 21 vende kanë ofruar ndihmë: 18 për trajtim, 9 për transport dhe 6 për ekspertë.

Shpërthimi që vrau dhjetëra njerëz dhe plagosi të paktën 100 të tjerë mund të jetë shkaktuar nga një fishekzjarre mbi një shishe shampanje.

Besohet se zjarri është ndezur nga një fishekazjarre ditëlindjeje e cilashkaktoi zjarrin ne materialin prej gome të tavanit, i cili shërbente për zvogëlimin e zhurmave akustike./mxh

22:05 “Konflikte dhe revolucione mjekësore”/ Parashikimet e Baba Vangës për vitin 2026

By: Monika
2 January 2026 at 22:05

Edhe për një vit tjetër, profecitë e Baba Vangës janë rikthyer në qendër të vëmendjes, duke provokuar debate dhe diskutime. Vangeliya Pandeva Surcheva, e njohur si Baba Vanga, lindi në vitin 1911 në Sofje të Bullgarisë dhe vdiq në 11 gusht 1996. Ajo shte një mistike, herbaliste dhe parashikuese që bëri parashikime të ndryshme për vitet që do të vinin.

Baba Vanga ka bërë një sërë parashikimesh edhe për vitin 2026, të cilat përfshijnë konflikte, trazira teknologjike dhe hapa kritikë shkencorë.

Edhe pse ekspertët theksojnë se parashikime të tilla duhen trajtuar me kujdes, ato vazhdojnë të ngjallin interes, veçanërisht kur lidhen me shqetësime bashkëkohore në nivel global.

Një vit tjetër tensionesh dhe konfliktesh

Sipas raporteve dhe interpretimeve të transmetuara nga Sky History, Baba Vanga thuhet se parashikoi se viti 2026 do të shënohej nga një përshkallëzim i përgjithshëm i konflikteve ndërkombëtare. Ndërsa “profecitë” e saj të mëparshme për vitin 2025 përqendroheshin kryesisht në një model Lindje-Perëndim, viti që sapo ka filluar është një vit me paqëndrueshmëri më të gjerë globale. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, kjo nuk shënon “fundin e botës”, i cili, sipas tyre, vendoset gjithmonë në vitin e largët 5079.

Pikë kthese për Inteligjencën Artificiale

Me interes të veçantë është parashikimi që lidhet me Inteligjencën Artificiale. Disa komentues argumentojnë se viti 2026 do të jetë një vit i rëndësishëm, në të cilin IA do të marrë një rol dominues në sektorë kritikë të ekonomisë dhe jetës së përditshme. Këto shqetësime përforcohen nga studimet e fundit nga kompanitë kryesore të teknologjisë, sipas të cilave dhjetëra profesione mund të preken ose të ndryshojnë rrënjësisht në vitet e ardhshme.

Hapa shkencorë

Një nga parashikimet më mbresëlënëse – dhe më kontraverse – ka të bëjë me nxjerrjen e energjisë nga Venusi (planeti i dytë nga Dielli në Sistemin Diellor). Edhe pse kjo thuhet se mund të ndodhë më afër vitit 2028, interpretimet përkatëse tregojnë se përgatitjet mund të fillojnë që në vitin 2026, për shkak të kompleksitetit teknologjik të projektit.

Revolucioni mjekësor

Në fushën e mjekësisë, thuhet se Baba Vanga foli për zhvillimin e organeve sintetike, të cilat nuk pritet të prodhohen para vitit 2046. Megjithatë, shkenca tashmë po ndërmerr hapa në këtë drejtim, me transplante eksperimentale të organeve të modifikuara gjenetikisht dhe teknika të reja për shfrytëzimin e qelizave staminale.

Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit filloi një program gjatë viteve 2024/2025, i cili ka parë ata të transferojnë me sukses organe të kafshëve të modifikuara gjenetikisht te njerëzit.

Për shembull, në shkurt të vitit 2025, spitali zbuloi se kishte kryer transplantin e dytë të një veshke derri të modifikuar gjenetikisht te një marrës i gjallë (ksenotransplant). Ndërkohë, në vitin 2024, studiuesit nga UC San Francisco dhe Cedars-Sinai zhvilluan një mënyrë të re për të nxitur qelizat staminale të formojnë organe specifike.

Ashtu si me profetë të tjerë historikë, si Nostradamusi, shumë nga parashikimet i atribuohen të kaluarës dhe interpretohen bazuar në ngjarjet e kohës. Megjithatë, raportet e Baba Vangës vazhdojnë të ngjallin kuriozitet, duke shërbyer më shumë si një arsye për diskutim rreth zhvillimeve botërore sesa si parashikime të caktuara të së ardhmes. Mbetet për t’u parë nëse viti 2026 do të konfirmojë qoftë edhe një pjesë të këtyre skenarëve./mxh

21:56 Zbardhet lista e 56 deputetëve të LVV-së pas numërimit të mbi 97% të votave

By: Monika
2 January 2026 at 21:56

Pesë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar mbi 97% të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa rreth 3% e votave nga vendvotimet dhe votat e diasporës ende pritet të ndikojnë në renditjen përfundimtare dhe numrin e mandateve.

Nga rezultatet aktuale, kandidatët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje që aktualisht sigurojnë mandat deputeti janë:

Albin Kurti – 342,174 vota
Glauk Konjufca – 264,801 vota
Albulena Haxhiu – 139,263 vota
Hekuran Murati – 139,239 vota
Donika Gërvalla-Schwarz – 124,010 vota
Xhelal Sveçla – 110,395 vota
Hajrulla Çeko – 99,587 vota
Avni Dehari – 91,338 vota
Mimoza Kusari Lila – 81,306 vota
Ejup Maqedonci – 77,820 vota
Shqipe Mehmeti Selimi – 64,269 vota
Andin Hoti – 55,411 vota
Arben Vitia – 52,815 vota
Saranda Bogujevci – 41,025 vota
Alban Bajrami – 38,688 vota
Edona Llalloshi – 33,971 vota
Rufki Suma – 33,673 vota
Mefail Bajqinovci – 32,892 vota
Jeta Statovci – 31,621 vota
Nezir Kraki – 31,247 vota
Adriana Matoshi – 30,112 vota
Ardian Gola – 30,062 vota
Armend Muja – 28,450 vota
Haxhi Avdyli – 27,806 vota
Adelina Grainca – 27,018 vota
Albena Reshitaj – 24,188 vota
Blerim Gashi – 23,674 vota
Taulant Kelmendi – 23,256 vota
Artane Rizvanolli Berisha – 22,798 vota
Arbër Rexhaj – 22,657 vota
Fitore Pacolli Dalipi – 22,639 vota
Agim Bahtiri – 22,626 vota
Hysen Durmishi – 22,524 vota
Labinotë Demi Murtezi – 22,493 vota
Dimal Basha – 22,459 vota
Arjeta Fejza – 22,200 vota
Arbëreshë Kryeziu Hyseni – 22,105 vota
Fatos Geci – 22,016 vota
Artan Abrashi – 21,951 vota
Arbërie Nagavci – 21,308 vota
Enver Haliti – 21,308 vota
Valon Ramadani – 20,460 vota
Liza Gashi – 19,688 vota
Adnan Rrustemi – 19,279 vota
Jeton Raka – 18,552 vota
Fatmire Kollçaku – 18,270 vota
Arsim Ademi – 18,203 vota
Drita Pajaziti – 18,071 vota
Fitim Haziri – 17,938 vota
Fjolla Ujkani – 17,442 vota
Sylejman Meholli – 17,180 vota
Rozeta Hajdari – 17,177 vota
Valon Hoti – 17,030 vota

Salih Zyba – 16,838 vota

Derisa kater kandidatet e mëposhtëm luftojnë për dy mandatet e fundit, respektivisht atë të 55 dhe 56.

Naim Bardiqi – 16,620 vota
Vigan Qorrolli – 16,542 vota
Ilir Kërçeli – 16,384 vota
Fahrush Rexhepi – 16,180 vota/mxh

21:45 Dron mbi rezidencën presidenciale të Putinit, Moska i dorëzon të dhënat e fluturimit SHBA-së

By: Monika
2 January 2026 at 21:45

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara të dhënat e navigimit nga një dron që, sipas Moskës, ishte drejtuar drejt rezidencës së Presidentit Vladimir Putin.

Igor Kostyukov, kreu i Drejtorisë së Shtabit të Përgjithshëm, u citua nga agjencia RIA Novosti duke thënë se “dekodimi i memories së kontrolluesve të navigimit të dronit, i kryer nga specialistë të shërbimeve speciale, konfirmon pa mëdyshje se objektivi i sulmit ishte kompleksi i rezidencës presidenciale”.

Ai shtoi se dorëzimi i këtyre të dhënave SHBA-së “sqaron të gjitha dyshimet dhe lehtëson përcaktimin e së vërtetës”. Ky njoftim vjen në një moment tensioni ndërkombëtar, ndërsa autoritetet ruse po analizojnë incidentin për të sqaruar plotësisht rrethanat e tij./mxh

21:39 Forcat e sigurisë në Iran hapin zjarr ndaj protestuesve, tensionet shpërthejnë në të gjithë vendin

By: Monika
2 January 2026 at 21:39

Forcat e sigurisë në Iran kanë nisur të qëllojnë me mitraloz ndaj protestuesve, ndërsa trazirat po përshkallëzohen në qytete të ndryshme. Në Marvdasht, raportohet se të shtënat po vinin nga çatitë e një shkolle dhe një banke, ndërsa mediat iraniane flasin për viktima.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku dëgjohen breshëri mitralozësh, ndërsa helikopterë patrullojnë mbi qytet dhe interneti është ndërprerë pjesërisht, duke vështirësuar komunikimin dhe raportimin e ngjarjeve.

Protestat në mbarë vendin po radikalizohen me shpejtësi. Deri më 3 janar, demonstratat dhe trazirat janë përhapur në të paktën 18 provinca, ndërsa përplasjet e armatosura raportohen gjithnjë e më shpesh në Fars, Lorestan, Chaharmahal dhe Bakhtiari.

Në qytetin Azna, protestuesit sulmuan një stacion policie, ku tre persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën. Aktualisht, qendrat e rezistencës ndodhen kryesisht në qytete më të vogla, por tensionet vazhdojnë të rriten.

Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran, pas rënies së rialit dhe rritjes së inflacionit në 52%, duke përkeqësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve. Sipas agjencisë Reuters, këto janë protestat më të mëdha në Iran në tre vitet e fundit, që nga demonstratat e vitit 2022, të shkaktuara nga vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini nga policia e moralit./mxh

21:28 Fenerbahçe ofron 25 milionë euro për Nkunku, Milani e refuzon, por oferta rritet

By: Monika
2 January 2026 at 21:28

E ardhmja e Christopher Nkunku vazhdon të jetë temë diskutimi në median italiane dhe atë turke. I ardhur te Milani vetëm në castet e fundit të merkatos, francezi e ka pasur të vështirë të imponohet duke e gjetur rrugën e rrjetës në kampionat vetëm përpara 5 ditësh përpara se të pësonte një tjetër dëmtim.

Por pavarësisht se Nkunku nuk i realizoi pritshmëritë, cilësitë e tij nuk janë harruar nga trajneri i Fenerbahçe, Domenico Tedesco i cili ka punuar me francezin kur ishin pjesë e Leipzigut. Ndërkaq nga Turqia dhe më konkretisht nga e përditshmja ‘Fanatik’ vjen oferta e Fenerbahçe për sulmuesin prej 25 milionë eurosh, një propozim që Milani e refuzoi me kuqezinjtë që kanë si objektiv të rikuperojnë të paktën 37 milionë eurot që u investuan në verë.

Por ky refuzim nuk i ka demoralizuar turqit që duket se janë gati të rrisin ofertën e tyre në 30 milionë euro vetëm të mbyllin këtë operacion. Por edhe kjo shifër nuk është e mjaftueshme për Milanin, një situatë që mund të ndruyshojë vetëm nëse vetë futbollisti do të kërkojë me ngulm largimin e tij. Në këtë moment, gjithçka të bën të mendosh se Nkunku dëshiron të qëndrojë në Milano. Francezi e ndjen se duhet të tregojë aftësitë e tij dhe dëshiron të luajë të gjitha kartat që ka në dispozicion për të justifikuar investimin e bërë nga Milani për të dhe për të ndjekur ëndrrën Botërori 2026 duke luajtur në një nga kampionatet më të rëndësishëm evropianë./mxh

21:17 U largua nga Tirana, futbollisti 27-vjeçar prezantohet te skuadra pretendente në Greqi!

By: Monika
2 January 2026 at 21:17

Lojtari Viktor Fernandez mbylli bashkëpunimin me Tiranën, teksa nuk ka humbur kohë, për të nisur një aventurë të re, duke u prezantuar te skuadra greke e Niki Volos.

Ky ekip militon në Super Ligën 2 dhe ka si objektiv ngjitjen në elitën e futbollit helen.

Në 15 ndeshje, skuadra e Niki Volos, ka siguruar 32 pikë, duke u renditur në vendin e tretë me diferencën 5 pikë nga kryesuesit e Iraklis 1908.

Me fanellën e Tiranës, anësori spanjoll regjistroi 15 paraqitje, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Ka qenë faqja zyrtare e klubit grek që ka prezantuar futbollistin 27-vjeçar./mxh

20:27 Reshje breshëri dhe dëbore në Shkodër/ Bllokohen disa familje në akse të ndryshme rrugore

By: Monika
2 January 2026 at 20:27

Moti i keq dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë vendin në ditën e sotme. Sipas prefektit të qarkut Shkodër disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.

Bëhet me dije se në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri dhe dëborr dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor. Sipas informacioneve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut.

Njoftimi i plotë:

Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.
Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave./mxh

20:18 Gjendja e rëndë shëndetësore e Parashqevi Simakut, flet e tronditur Merita Halili!

By: Monika
2 January 2026 at 20:18

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Merita Halili, ka bërë një rrëfim prekës gjatë një interviste, ku ka folur me shumë ndjenjë për gjendjen e rënduar shëndetësore të artistes Parashqevi Simaku.

Me zë të dridhur, Halili e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të dhimbshme, jo vetëm në aspektin njerëzor, por edhe në atë artistik. Ajo rrëfeu se lajmi për Simakun ka qenë një tronditje e madhe për të, duke e përshkruar si një “bombë” emocionale që e ka goditur papritur.

Sipas saj, lidhja mes tyre shkon përtej marrëdhënies së kolegeve, pasi i përkasin së njëjtës gjeneratë dhe kanë ecur paralelisht në rrugën e artit shqiptar. “Kemi qenë e njëjta moshë, e njëjta frymë, kemi ndarë të njëjtat ëndrra dhe të njëjtat sfida”, u shpreh Halili.

Ajo theksoi se e ka të vështirë të flasë më gjatë për këtë temë, pasi situata është trajtuar tashmë nga shumë njerëz, përfshirë edhe vetë Parashqevi Simakun. Megjithatë, dhimbja dhe keqardhja në fjalët e saj ishin të dukshme, duke reflektuar respektin dhe dashurinë e thellë për kolegen.

Rrëfimi i Meritës solli një moment reflektimi për publikun, duke kujtuar se pas figurave të njohura dhe suksesit artistik fshihen histori të forta njerëzore, sfida shëndetësore dhe beteja personale që shpesh mbeten larg syrit të publikut./mxh

20:10 Vesa Luma rrëfehet për mundësinë e një fëmije të dytë!

By: Monika
2 January 2026 at 20:10

Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka folur hapur dhe me shumë ndjeshmëri për një temë personale, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ajo dhe partneri i saj, Big Basta, po mendojnë për një fëmijë të dytë.

Gjatë një sesioni “Ask me a question” në Instagram, një ndjekës e pyeti drejtpërdrejt: “Së pari, gëzuar festat. Ke menduar për fëmijë të dytë?”. Vesa nuk hezitoi të përgjigjej me sinqeritet, duke zbuluar se kjo ide i ka shoqëruar prej shumë vitesh.

“Kemi 9 vite që e mendojmë dhe në fund na është mbushur mendja për një motër ose vëlla për Lianin”, shkroi ajo në postimin e saj.

Megjithatë, këngëtarja theksoi se jo gjithmonë gjithçka varet nga dëshira, duke shtuar se koha dhe rrethanat nuk janë gjithmonë në favor. Ajo u shpreh me optimizëm se shpreson që fati t’u buzëqeshë, pavarësisht moshës, e cila sipas saj “nuk është shumë në favor”.

Me humor dhe pozitivitet, Vesa iu drejtua edhe ndjekësve duke kërkuar sugjerime apo “receta” që mund ta ndihmojnë në këtë rrugëtim, ndërsa mesazhin e mbylli me urime festive: “Gëzuar dhe ty e familjes. Paç një vit të mbarë”, shkroi ajo në InstaStory./mxh

19:59 Qindra anulime dhe vonesa fluturimesh në aeroportin e Amsterdamit/ Shkak, moti i keq

By: Monika
2 January 2026 at 19:59

Aeroporti Ndërkombëtar Schiphol i Amsterdamit ka njoftuar se pritet që qindra fluturime të anulohen ose të vonohen ndjeshëm nesër për shkak të borës dhe akullit.

Bëhet me dije se Schiphol, një nga qendrat më të ngarkuara të Evropës, ka anuluar tashmë dhjetëra fluturime sot për të njëjtën arsye, motin e keq që ka përfshirë vendin.

Faqja zyrtare e aeroportit holandez thotë se vonesat do të jenë për shkak të procesit të heqjes së akullit nga trupi i avionit. Sipas raportimeve probleme të ngjashme po ndodhin edhe në aeroportin e Eindhovenit./mxh

19:48 Foto/ Sensuale dhe rrëzëllitëse, Oriola Marashi në natën e ndërrimit të viteve

By: Monika
2 January 2026 at 19:48

Modelja Oriola Marashi e ka pritur ndërrimin e viteve në Dubai dhe ka parë nga afër spektaklin e fishekzjarreve në një nga ndërtesat më të larta në botë.

Vetë modelja është shfaqur rrëzëllitëse dhe sensuale në të njëjtën kohë, me një fustan ngjyrë jeshil të ngjitur pas trupi. Në fotot e postuara nga Marashi në rrjetet e saj sociale, komentet dhe pëlqimet ashtu si gjithmonë janë të larta./mxh

19:39 Ishte planifikuar vrasja e 20 personave natën e Vitit të Ri/ FBI parandalon sulmin terrorist të frymëzuar nga ISIS

By: Monika
2 January 2026 at 19:39

Departamenti Amerikan ka ndaluar një 18-vjeçar të frymëzuar nga Shteti Islamik të kryente një sulm në Karolinën e Veriut me thika dhe çekiçë në natën e Vitit të Ri.

Kristan Sturdivant, 18 vjeç, nga Middle Hill, Karolina e Veriut, akuzohet për ofrimin e mbështetjes materiale për një organizatë terroriste të huaj, sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë.

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) që kontrolluan shtëpinë e 18-vjeçarit gjetën një shënim të shkruar me dorë të titulluar “Sulmi i Vitit të Ri 2026”, në të cilin ai dyshohet se diskutonte planet për të therur deri në 20 persona dhe për të sulmuar oficerët e policisë që nxituan në vendngjarje, sipas deklaratës së autoriteteve.

“FBI-ja dhe partnerët e saj penguan një tjetër sulm të mundshëm natën e Vitit të Ri nga një individ që dyshohet se është frymëzuar nga ISIS”, shkroi Kas Patel në platformën “X”./mxh

19:27 2025, viti më i ngrohtë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar

By: Monika
2 January 2026 at 19:27

Mbretëria e Bashkuar, e njohur për klimën e saj të mjegullt dhe të lagësht, përjetoi vitin e saj më të ngrohtë dhe me diell të regjistruar ndonjëherë në vitin 2025. Në deklaratën e saj Zyra Meteorologjike, e cilësoi këtë si një tregues të qartë të ndryshimeve klimatike.

Me një temperaturë mesatare prej 10.09 gradë Celsius, viti 2025 theu rekordin e mëparshëm prej 10.03 gradë Celsius të vendosur në vitin 2022. Dhjetë vitet më të ngrohta janë regjistruar të gjitha në dy dekadat e fundit.

Kjo tregon gjithnjë e më qartë ndikimin e ndryshimeve klimatike në temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Zyra Meteorologjike. Zyra Meteorologjike shtoi se viti 2025 ishte viti më me diell në vend që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1910.

Gati 1,648.5 orët me diell tejkaluan rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2003 me 61.4 orë. Ky vit shumë i ngrohtë është në përputhje me efektet e pritura të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, shpjegoi Mark McCarthy, ekspert i klimës në Zyrën Meteorologjike.

“Ndërsa kjo nuk do të thotë që çdo vit do të jetë më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë, vëzhgimet tona meteorologjike dhe modelet klimatike tregojnë qartë se ngrohja globale po ka ndikim në klimën e Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi ai.
Të dhënat pasuan njëra-tjetrën vitin e kaluar: pranvera dhe më pas vera ishin më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë. Dimri dhe vjeshta panë temperatura mbi mesataren. Vera e vitit 2025 pa katër valë të nxehti. Megjithatë, temperatura rekord prej 40.3 gradë Celsius, e regjistruar në korrik 2022, nuk u thye.

“Ndërsa shumë do ta kujtojnë pranverën dhe verën jashtëzakonisht të ngrohtë të vitit 2025, ajo që ishte e jashtëzakonshme këtë vit ishte nxehtësia e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me çdo muaj, përveç janarit dhe shtatorit, që ishte më i ngrohtë se mesatarja”, tha Emily Carlisle, një shkencëtare në Zyrën Meteorologjike.

Anglia gjithashtu përjetoi pranverën e saj më të thatë në më shumë se 100 vjet në vitin 2025. Në mesin e gushtit, Agjencia e Mjedisit deklaroi mungesën e ujit në Angli si “çështje me rëndësi kombëtare”. Yorkshire, në Anglinë veriore, ka ndaluar ujitjen e kopshteve./mxh

19:18 Partia Kristiansociale Gjermane kërkon kthimin e shumicës së refugjatëve sirianë

By: Monika
2 January 2026 at 19:18

Në një dokument të Unionit Kristiansocial Gjerman, CSU para një takimi të grupit të landit në Seeon, Bavarinë e Epërme në 6 janar flitet për një “ofensivë kthimi” që duhet të zhvillohet “sa më shpejt”.

Për shumicën e sirianëve me leje qëndrimi të përkohshme, argumenti i mbrojtjes nuk është më në fuqi pas përfundimit të luftës civile, thuhet në dokument.

“Për ata që nuk largohen vullnetarisht, dëbimet duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”. Mbi dokumentin e CSU ka raportuar gazeta gjermane “Münchner Merkur” dhe dpa.
2026 duhet të jetë vit i ofensivës së dëbimeve, “me fluturime të planifikuara dhe gjithashtu për në Siri dhe Afganistan”. Për këtë qëllim,duhet të krijohen në të gjithë Gjermaninë qendrat e kthimit, së bashku me një terminal të dedikuar dëbimi në Aeroportin e Mynihut.

CSU dëshiron të ndjekë një qëndrim më të ashpër edhe ndaj refugjatëve nga Ukraina. “Për më tepër, ne do të këmbëngulim që burrat ukrainas në moshë ushtarake, në veçanti, të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit të tyre”, thuhet në dokument, por nuk jepen detaje të mëtejshme.

Pengesa më të larta për integrimin në sistemet sociale

Pikë tjetër në dokumentin e CSU është vështirësimi i kritereve për të hyrë në sistemin social gjerman. “Aktualisht, qytetarëve të BE-së u garantohet liria e lëvizjes brenda Unionit me ligj, madje edhe me një kohë minimale pune javore prej 5.5 orësh. Ne duam të ngushtojmë përkufizimin e konceptit ‘punëtor’ siç përcaktohet në Direktivën e BE-së për Lirinë e Lëvizjes”, sqarohet në deklaratë. Kreu i grupit rajonal Alexander Hoffmann i tha “Merkur”, se “migrimi i fuqisë punëtore në Gjermani nuk duhet të jetë migrim varfërie”.

Dokumenti paraprak i publikuar në media përmban edhe pika të tjera si luftimin e armiqve të demokracisë. Aty kërkohet që thirrjet publike për ngritjen e një shteti islamist, Kalifat duhet të dënohen.

“Kërkesa për zhbërjen e rendit themelor demokratik liberal apo një krim antisemitist duhet të çojnë në dëbimin e detyrueshëm të personit në fjalë, mohimin e lejes së qëndrimit dhe, në rastin e shtetasve të dyfishtë, humbjen e shtetësisë gjermane”, thuhet në dokumentin e CSU./mxh

19:07 Dronë rusë shihen pranë kufirit me Ukrainën/ Alarmohet Rumania, ngre dy avionë luftarakë në ajër

By: Monika
2 January 2026 at 19:07

Forcat e Armatosura Rumune kanë ngritur në ajër dy avionë luftarakë F-16 pasi dronë rusë u panë duke u drejtuar drejt porteve ukrainase në lumin Danub, pranë kufirit rumun.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes në Rumani, sistemet e mbikëqyrjes zbuluan avionë pa pilot të nisur nga Rusia dhe duke lëvizur drejt porteve ukrainase në Danub, një distancë të shkurtër nga territori rumun.

“Rreth orës 11:50, dy avionë luftarakë F-16 nga Baza e 86-të Ajrore në Fete?ti u ngritën për të monitoruar zonën kufitare me Ukrainën në pjesën veriore të Qarkut Tulcea”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Disa minuta më vonë, në orën 12:00, autoritetet aktivizuan sistemin përkatës të paralajmërimit, duke informuar banorët në pjesën veriore të Tulceas për “mundësinë e rënies së objekteve nga ajri”.

Paralajmërimi u hoq 22 minuta më vonë, pasi u përcaktua se nuk kishte rrezik të menjëhershëm. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare sqaroi se gjatë misionit nuk u regjistruan shkelje të paautorizuara të hapësirës ajrore kombëtare. Avionët luftarakë përfunduan operacionin e mbikëqyrjes pa incidente të mëtejshme./mxh

Before yesterdayMain stream

22:59 Shqipëria dhe Maqedonia partnerët kryesorë: Ku dhe çka eksportoi Kosova më shumë gjatë vitit 2025

By: Monika
1 January 2026 at 22:59

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten dy partnerët më të rëndësishëm tregtarë për Kosovën, duke mbuluar pjesën më të madhe të eksporteve. Vlera e përgjithshme e eksporteve ka qenë mbi 110 milionë euro.

Kosova ka përmbyllur vitin 2025 me një performancë të qëndrueshme në fushën e eksporteve, duke dëshmuar se prodhuesit vendorë po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në tregjet rajonale dhe ato evropiane.

Sipas statistikave zyrtare të Doganës së Kosovës për periudhën janar–nëntor 2025, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerët kryesorë tregtarë të vendit, duke përthithur pothuajse gjysmën e eksporteve totale të Kosovës.

Rritja e shkëmbimeve me këto dy shtete, por edhe me Turqinë dhe disa vende të Bashkimit Evropian, tregon se ekonomia e Kosovës po hyn në një fazë më të konsoliduar të prodhimit dhe konkurrencës ndërkombëtare.

Sipas këtyre të dhënave gjatë periudhës janar–nëntor 2025, vlera e përgjithshme e eksporteve të Kosovës ka qenë mbi 110 milionë euro (pa përfshirë dhjetorin).

Vendet ku Kosova ka eksportuar më shumë

Shqipëri – 38,135,646

Maqedonia e Veriut – 29,299,750

Këto shifra tregojnë se tregjet e rajonit, në veçanti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përbëjnë bazën kryesore të eksporteve të Kosovës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme drejtohet edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe Turqinë.

Produktet më të eksportuara

Top 10 produktet më të eksportuara nga Kosova (sipas sasisë):

Pije freskuese (ujë me shtesa) – 59,454,548

Ujë mineral natyral, jo i karbonuar – 18,494,324

Birrë në shishe – 7,827,529

Produkte të tjera të pijeve – 6,845,923

Pëlhura tekstili (fibra sintetike) – 5,368,161

Produkte të tjera të pijeve (kategori tjetër) – 3,531,365

Pëlhura tekstili (variant tjetër) – 3,057,765

Tulla ndërtuese prej qeramike – 2,940,618

Shishe dhe ambalazh plastik – 2,187,818

Verë e kuqe – 1,233,547

Të dhënat konfirmojnë se pijet freskuese, uji mineral dhe birra janë shtylla kryesore e eksporteve kosovare, duke reflektuar zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë së pijeve në vend. Përveç kësaj, tekstili, ndërtimtaria dhe ambalazhi industrial mbeten sektorë plotësues të rëndësishëm në strukturën e përgjithshme të prodhimit dhe eksportit.

Në përgjithësi, eksportet e Kosovës gjatë vitit 2025 janë orientuar kryesisht drejt tregjeve rajonale, me prani gjithnjë e më të qëndrueshme edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Por, edhe importi i ka qenë mjaft i lartë në vitin që e lamë pas, madje deficiti tregtar i Kosovës ka arritur në 469,9 milionë euro gjatë muajit nëntor 2025, duke shënuar një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro.

Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%.

Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%).

Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%./Mxh

❌
❌