Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Main stream

1 vit nga rikthimi i Trump, ambasada e SHBA: Aleatët na respektojnë, kundërshtarët na frikësohen

By: A R
21 January 2026 at 12:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përkujtuar të mërkurën, më 21 janar, njëvjetorin e marrjes së Presidencës së SHBA-ve nga Donald Trump.

Në një reagim në faqen zyrtare, ambasada citon Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke përgëzuar punën e presidentit dhe duke theksuar realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës:

“Në vetëm një vit, Presidenti Trump ka rikthyer sovranitetin amerikan duke ndjekur me guxim paqen përmes forcës. Falë udhëheqjes së tij vendimtare, aleatët tanë na respektojnë, kundërshtarët tanë na frikësohen, dhe populli amerikan vihet në radhë të parë. Premtime të bëra, premtime të mbajtura”, citon ambasada amerikane reagimin e sekretarit Rubio.

Reagimi i ambasadës nënvizon fokusin e administratës Trump mbi sigurinë kombëtare, përforcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe pozicionin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

Pas thashethemeve për ndarje, JD Vance dhe bashkëshortja e tij ndajnë lajmin: Presim fëmijën tonë të katërt!

By: A R
21 January 2026 at 11:52

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka ndarë një lajm të gëzueshëm me publikun. Bashkëshortja e tij, Usha, është shtatzënë me fëmijën e tyre të katërt.

“Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Usha është shtatzënë. Ajo dhe i vogli janë mirë, dhe mezi presim ta takojmë në korrik.”, shkruan Vance në rrjetet sociale, duke falënderuar mjekët ushtarakë dhe stafin që kujdesen për familjen e tyre.

“Gjatë kësaj periudhe emocionuese dhe të ngarkuar, jemi veçanërisht mirënjohës ndaj mjekëve ushtarakë që kujdesen në mënyrë të shkëlqyer për familjen tonë dhe ndaj stafit që angazhohet kaq shumë për të siguruar që ne të mund t’i shërbejmë vendit duke shijuar një jetë të mrekullueshme me fëmijët tanë.”, vazhdon më tej mesazhi i zëvendëspresidentit amerikan.

Çifti ka tashmë tre fëmijë: Ewan (2017), Vivek (2020) dhe Mirabel (2022). Usha Vance, e cila mbushi 39 vjeç më 6 janar, është “second lady” (Zonja e dytë) më e re në historinë amerikane. Ajo është rritur në San Diego, me origjinë nga Andhra Pradesh (Indi), dhe u martua me Vance në vitin 2014 pas njohjes në Universitetin e Yale.

Ky njoftim vjen pas thashethemeve për një krizë bashkëshortore, të cilat nisën vjeshtën e kaluar kur Usha u pa pa unazë martese në disa dalje publike. Madje u përfol edhe për një lidhje të supozuar mes zv.presidentit dhe Erika Kirk, e veja e aktivistit Charlie Kirk.

Në një intervistë për USA Today, Usha i ka mohuar këto zëra, duke sqaruar se unazën thjesht nuk e mban gjithmonë: “Ndonjëherë sapo kam bërë dush ose kam qenë në palestër. Më argëton fakti që njerëzit flasin, por unë preferoj ta jetoj martesën time në botën reale.”

“I paguajmë më shumë se Presidenti”, Rama për 21 Janarin: SPAK duhet t’i kishte kërkuar GJKKO-së drejtësi!

By: A R
21 January 2026 at 11:00

15 vite pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe. Kështu u shpreh kryeministri Rama në takimin me familjarët e viktimave të 21 janarit, ku shprehu kritika edhe për drejtësinë e re, për të cilën tha se SPAK duhej t’i kishte kërkuar GJKKO drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit.

“Zoti e di me çfarë guri në zemër unë vi për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që me tregon përmes një sëkëlldie, se sa më i madh bëhet çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë, hidhërimi juaj, pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre ndër ju që ishin gjyshër u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër, atyre që ishin fëmijë u ka ardhur koha për tu bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj që u janë tretur trupat në dhe nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë, nuk kanë mjaftuar gjer më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 janarin.

S’ka mjaftuar as vendimi i Strasburgut më shumë se sa dy vite më parë që prokurorët e SPAK t’ia kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit, ndërkohë që në emër të drejtësisë, drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vitesh në u bëmë atyre veç duvara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin në durim dhe në heshtje nga na jonë të gabimeve të tyre tejet shqetësuese të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës. Drejtësia për 21 janarin të vihet në vend”, tha Rama.

Trump fton Osmanin në Bordin e Paqes, Rama: Forcon më tej marrëdhënien e Amerikës me popullin shqiptar

By: A R
21 January 2026 at 10:52

Kryeministri Edi Rama uroi Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga Donald Trump, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, tha Rama në një mesazh në X, përcjell A2.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”.

“Para 21 Janarit, çështjet e tjera si kafet e Nexhmies”, Rama sulmon Berishën e Bashën: S’kishte rrezik për VIP-in e ngujuar dhe karafilin ambulant

By: A R
21 January 2026 at 10:38

Kryeministri Edi Rama tha se protestuesit e 21 janarit 2011 nuk paraqisnin asnjë rrezik për Kryeministrin e kohës, Sali Berisha dhe nuk kishin si qëllim të merrnin godinën.

“Gjithçka u zhvillua jashtë rrezes së çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë dhe lëre pastaj për VIP-in e vetëngujuar brenda saj me hordhinë e vet dhe me gjithë karafilin e tij ambulant lart në tarracë”, tha Rama në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore për 15-vjetorin e ngjarjes.

Ai i bëri thirrje SPAK-ut të përfundojë hetimet për këtë çështje, të cilën e quajti të pakrahasueshme me çdo çështje tjetër.

“Nëse drejtësia e re nuk bën drejtësi për këtë çështje, do të mbetet e vjetër”, tha Rama, duke kujtuar sërish se prokurorët dhe gjykatësit specialë paguhen më shumë se ai dhe se Presidenti Begaj.

“Gjurmët mund të kenë humbur, por ujku është aty”, tha Rama. “Në krahasim me 21 Janarin, çështjet e tjera janë si kafet e Nexhmies”.

Padia e Lapajt, dënohet me 3 milionë lekë gjobë Agron Shehaj

By: A R
21 January 2026 at 10:33

Gjykata e Posaçme ka dënuar me gjobë në vlerën 3 milionë lekë deputetin dhe kreun e partisë “Mundësia” Agron Shehaj.

Ky i fundit u dënua për veprën penale të fyerjes ndaj kreut të “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj.

Sakaq Shehaj është shpallur i pafajshëm për veprën penale të “shpifjes”, të pretenduar nga Lapaj.

Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.

Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

FOTOLAJM / Dhëndri i Donald Trump mbërrin në Vlorë, takim me një studio arkitekturore për Sazanin

By: A R
21 January 2026 at 10:31

Dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Jared Kushner, ka mbërritur sot në qytetin e Vlorës.

Vizita e tij është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga një delegacion, ndërsa lëvizjet e tij janë monitoruar nga automjete policie.

Kushner është parë duke lëvizur në zonën e Ujit të Ftohtë, ku pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm për të diskutuar mbi mundësinë e një investimi në ishullin strategjik të Sazanit.

Pamjet e mbërritjes së tij janë siguruar nga RTSH, ku Kushner shfaqet i shoqëruar nga disa automjete policie.

Gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, raporton se takimi i Kushner nuk do zhvillojë takim me përfaqësues të pushtetit vendor apo qendror, por me një studio arkitekturore.

Sipas saj, diskutimet do të fokusohen në mënyrën e realizimit të projektit dhe detajet e investimit të mundshëm në ishullin strategjik të Sazanit.

Takimi po zhvillohet në zonën e Molit të Naftës, në Ujë të Ftohtë, ku delegacioni i Kushner po shqyrton mundësitë konkrete të projektit, nvestimit në ishullin e Sazanit.

Rama: Ndjehem i dobët në pozitë kur shoh që kaloi edhe një vit që mban peng 21 Janarin

By: A R
21 January 2026 at 10:23

Në ceremoninë përkujtimore në 15 vjetorin e 21 Janarit, kryeministri Edi Rama u shpreh se ndjehet i dobët në pozitën e tij kur sheh sesi kaloi edhe një vit pa drejtësi për 21 Janarin.

“Nuk i kuptoj ata që ngrenë gishtin ndaj meje për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 janarin. Po ju them që ndjehem i dobët në pozitë kur shoh që si kaloi edhe një vit dhe 21 janari erdhi sërish”, tha Rama.

Më tej, ai theksoi se shumë të paraburgosur dhunohen nga drejtësia, ndërsa 21 janari është drejtësi e vonuar.

“Sot burgjet mbajnë më shumë të paraburgosur, njerëz të plasur nëpër qeli pa gjyq sesa njerëz të dënuar me formë të prerë dhe një pjesë e madhe e tyre janë viktima nga prokurorë. Një panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar. 21 janari është ana tjetër e drejtësisë së vonuar”, tha Rama.

15 vite nga 21 Janari, Rama sulmon Berishën: Deshi t’u tregonte shqiptarëve se të vret me të vërtetë

By: A R
21 January 2026 at 10:15

Kryeministri Edi Rama kujtoi në një ceremoni të posaçme 21 janarin e vitit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në Bulevard gjatë një proteste para Kryeministrisë.

“Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture te një derë që u hap nga brenda, si një ftesë në një kurth , askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe për t’u futur në godinë. Askush nuk provoi praninë e asnjë arme të vetme te protestuesit. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, tha Rama, përcjell A2.

“Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. 15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së Strasburgut, që prokurorët specialë të kësaj republike t’ia kishin kërkuar Gjykatës Speciale përgjegjësit për 21 Janarin. Ndërkohë që ne prej plot 6 vitesh u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe Presidentit të Republikës, pa llogaritur heshtjen për gabimet e tyre ndonjëherë shqetësuese”.

Homazhet për 21 Janarin, Rama: As drejtësia e re nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë

By: A R
21 January 2026 at 10:07

Këtë të mërkurë, në Kryeministri po zhvillohen homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes së rëndë të 21 Janarit 2011, ku në protestën e thirrur nga Partia Socialiste humbën jetën katër persona.

Kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se reagimi i protestuesve 15 vjet më parë erdhi pas përpjekjes së policisë për ta shpërndarë tubimin ende pa u mbledhur. Më tej ai shtoi se në përfundim të protestës armët u ulën në drejtim të qytetarëve duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur disa protestues të tjerë.

“Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin pa u treguar kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve se të vriste me të vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndjen një gur në zemër sa herë që vjen 21 janari dhe nuk ka drejtësi për familjarët e katër viktimave.

“Vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sekëlldie të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të katër dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj, për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin, janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dhe poshtërim. Atyre që ndër ju ishin gjyshër, u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër. Atyre që ishit fëmijë u ka ardhur koha për t’u bërë prindër. Ndërsa atyre katër copave të shpirtit tuaj nuk u ka ardhur koha ende të prehen qetë, sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 janarin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dy vite më parë, prokurorët e posaçme duhet ta kishin kërkuar deri tani drejtësinë.

“Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”tha Rama.

106 vjet nga Kongresi i Lushnjës, Begaj: Dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë

By: A R
21 January 2026 at 10:00

Në 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar këtë ngjarje duke e konsideruar si një moment vendimtar për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit shqiptar.

Begaj thotë se Kongresi i Lushnjës dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për të kapërcyer ndasitë dhe përçarjet, për të marrë në dorë fatet e vendit.

“106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.

Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.”, shkruan presidenti Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Më tej, presidenti shpreh nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, që morën pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe “që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar!

Netanyahu pranon ftesën e Trump-it për t’u bashkuar në Bordin e Paqes

By: A R
21 January 2026 at 08:57

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u bashkuar në nismën e quajtur si “Bordi i Paqes”.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi të mërkurën në rrjetet sociale se Netanyahu do të jetë pjesë e kësaj strukture, pavarësisht se ajo u prezantua si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, e cila synon përfundimin e luftës shkatërruese në Gaza.

Sipas vizionit të Trump, në këtë organizëm janë ftuar shumë liderë botërorë dhe ai pritet të mbikëqyrë “ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimet në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit” në Rripin e Gazës.

Megjithatë, pjesëmarrja e Netanyahu-t ka shtuar shqetësimet për paanshmërinë e këtij bordi, i cili do të drejtohet nga vetë Trump dhe ku përbërja e tij do të jetë nën kontrollin e presidentit amerikan.

Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve

By: A R
21 January 2026 at 08:49

Në zbatim të Planit Operacional në sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren njoftoi se ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

Kontrollet u fokusuan në verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre në organin tatimor, realizimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit.

Kontrollet evidentuan shkelje të rënda: Punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.

Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin në organet përkatëse të drejtësisë.

Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve.

Administrata Tatimore bën me dije se aksioni i sapo nisur nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.

Tatimet ftojnë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave.

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar ka nisur kontrollet në terren.

Kontrollet e nisura do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e  përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore./monitor.al

Milo për “Bordin e Paqes”: Përpjekje e SHBA për të spostuar OKB-në dhe forcuar udhëheqjen e vetme

By: A R
21 January 2026 at 08:41

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka bërë një analizë të thelluar të zhvillimeve më të fundit gjeopolitike, duke u fokusuar te projekt-statuti i shumëdiskutuar për “Bordin e Paqes”. I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Milo hodhi dritë mbi prapaskenat e kësaj nisme, duke e cilësuar atë si një lëvizje strategjike të Shteteve të Bashkuara për të rikonfirmuar hegjemoninë e tyre në një rend botëror që po ndryshon me shpejtësi.

Mungesa e Gazës dhe “mini-karta” e re

Sipas Milos, i cili konfirmoi se e ka parë projekt-statutin që qarkullon, bie në sy një detaj: mungesa e përmendjes së Gazës, e cila është edhe shkaku kryesor i nismës.

“Sebepi është Gaza. Janë gati 13 nene të projekt-statutit dhe nuk përmendet Gaza me emër, por ka fjalë të përgjithshme,” u shpreh ai.

Diplomati e krahasoi dokumentin me një “mini kartë të OKB-së”, duke theksuar se megjithëse aty shkruhet se nuk do të ketë mbivendosje me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, realiteti tregon të kundërtën.

“Duket se tentohet që të spostohet OKB-ja. Të mos harrojmë se SHBA u largua nga 31 organizata të OKB-së,” shtoi Milo.

Rendi i ri dhe beteja për unipolaritet

Për ish-ministrin, kjo lëvizje duhet lexuar në kontekstin e një përplasjeje të madhe mes fuqive globale. Ai argumenton se Uashingtoni po përpiqet të forcojë unipolaritetin dhe udhëheqjen e vetme, në një kohë kur po konturohet një rend i ri ndërkombëtar me disa pole: SHBA, Rusia, Kina dhe potencialisht Bashkimi Evropian.

“Askush nuk ka për të fituar, sepse askush nuk do të pranojë të fitojë njëra palë në kurriz të tjetrës. Që tani kanë filluar përplasjet për këtë Bord Paqeje,” nënvizoi ai, duke parashikuar një konkurrencë të ashpër platformash dhe konceptesh.

Dobësia e Evropës

Një pjesë e analizës iu kushtua edhe pozicionit të brishtë të Evropës në këtë “shah” gjeopolitik. Duke iu referuar studimeve ndërkombëtare, Milo evidentoi tri mangësi kryesore të kontinentit të vjetër: përçarja e brendshme, mungesa e një lidershipi politik solid dhe një ndarje strategjike në rritje me SHBA-në.

“Evropa nuk është fuqi e madhe ushtarake, por mbetet fuqi e madhe ekonomike,” tha ai.

Bashkëjetesë e detyruar, jo dakordësi

Në mbyllje, Milo vuri në dukje agresivitetin e shtuar të politikës së jashtme amerikane për të ruajtur superioritetin përballë ambicieve globale të Pekinit dhe platformave të Moskës. Sipas tij, bota nuk po shkon drejt një rendi të ri me sens normativ dhe rregulla të pranuara nga të gjithë, por drejt një situate ku fuqitë do të detyrohen të gjejnë forma bashkëjetese mes përplasjeve.

Vangjeli: Pas takimit në Davos, po punohet intensivisht për një vizitë të Ramës në Uashington

By: A R
21 January 2026 at 08:33

Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se pas takimit të kryeministrit Edi Rama në Davos, po punohet intensivisht për një vizitë të tij në Uashington, e cila nuk përjashtohet të ndodhë së shpejti.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, Vangjeli tha se pritej një zhvillim nga SHBA që në Tiranë do të interpretohej si mbështetje për qeverinë.

Unë kam paralajmëruar që pritet diçka nga SHBA që në Tiranë do të lexohet si mbështetje për qeverinë dhe takimi në Davos nuk e përjashton një vizitë të radhës së Ramës në Uashington, jo domosdoshmërish për të takuar Trump. Ftesa e Shqipërisë në Bordin e Paqes ngjan se është një dhuratë. Kjo duhet parë në dy këndvështrime. Pjesëmarrja e Shqipërisë në një institucion të tillë të krijuar, për shkak të rrethanave konkrete, peshës modeste që ka Shqipëria nuk është më shumë sesa një numër më shumë në rreshtin e shumë vendeve. Nëse në këtë segment kjo nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme, në Shqipëri kjo bëhet e tillë për të deklasifikuar narrativën e opozitës që po flet për një dimër në marrëdhëniet e kryeministrit me administratën e Trump”, u shpreh Vangjeli.

Duke iu referuar reagimeve të opozitës, Vangjeli tha se çdo zhvillim ndërkombëtar, sado pozitiv qoftë, në Tiranë shpesh shndërrohet në produkt absurd.

Në Tiranë, në mënyrën më absurde të mundshme ka shpërthyer gara mes opozitës e drejtuar nga dikush që është zyrtarisht non grata nga SHBA dhe shefit të qeverisë të cilit i konsiderohet mëkat që mund të ketë ftohje të marrëdhënieve të tij personale me administratën e Trump. Ka një magji të frikshme, sa herë që ne marrim diçka qoftë dhe të shenjtë këtu brenda, e trazojmë me mjetet dhe mekanizmat tona dhe e shndërrojmë në produkt absurd”, theksoi ai.

Trump ashpërson qëndrimin për Groenlandën para Davosit: Nuk ka më kthim mbrapa

By: A R
21 January 2026 at 08:26

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Groenlandës, vetëm pak ditë para pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar në rrjetet sociale se “nuk ka më kthim mbrapa” dhe se “Groenlanda është imperative”.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet se deri ku ishte i gatshëm të shkonte për ta marrë nën kontroll Groenlandën. Përgjigjja e tij ishte e prerë: Do ta merrni vesh.

Ndërkohë, në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për një “zhvendosje drejt një bote pa rregulla”, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney tha se “rendi i vjetër nuk po kthehet më”.

Trump-i kishte planifikuar të mbërrinte në Davos të mërkurën, por një problem i vogël elektrik në avionin Air Force One e detyroi atë të kthehej pas. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti do të udhëtojë drejt Davosit me një avion tjetër, ndërsa mbetet e paqartë nëse vonesa do të ndikojë në axhendën e tij.

Presidenti amerikan tha se ka “shumë takime të planifikuara për Groenlandën” dhe shtoi se “gjërat do të shkojnë mjaft mirë” për këtë territor.

I pyetur nga BBC nëse një përçarje e mundshme e NATO-s do të ishte një çmim që ai do ta pranonte për Groenlandën, Trump u shpreh se “askush nuk ka bërë më shumë për NATO-n se unë” dhe se “NATO do të jetë e lumtur dhe ne do të jemi të lumtur”, duke theksuar se aleanca është e nevojshme për sigurinë globale. Megjithatë, ai vuri në dyshim nëse NATO do t’i vinte në ndihmë SHBA-ve në rast nevoje.

NATO ka aktualisht 32 vende anëtare dhe bazohet në parimin e mbrojtjes kolektive të përcaktuar në Nenin 5, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Groenlandën. I pyetur nga NBC News nëse do ta përdorte forcën, ai u përgjigj shkurt: Pa koment.

Ministrja e Industrisë dhe Burimeve Natyrore e Groenlandës, Naaja Nathanielsen, tha për BBC Newsnight se groenlandezët janë “të hutuar” nga kërkesat e presidentit amerikan.

“Ne nuk duam të jemi amerikanë dhe këtë e kemi bërë shumë të qartë”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Çfarë vlere i jepni kulturës sonë dhe të drejtës sonë për të vendosur për të ardhmen”?

Para Davosit, Trump publikoi pamje ekrani që, sipas tij, tregonin mesazhe nga Macron dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Në to, Rutte shprehej i gatshëm të gjente një zgjidhje për Groenlandën, ndërsa Macron thoshte se “nuk e kupton se çfarë po bën”, por ofronte organizimin e një takimi me liderë të tjerë në Paris.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në fjalimin e saj në Davos se Europa është “plotësisht e përkushtuar” ndaj sigurisë së Arktikut, por theksoi se kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit. Ajo i quajti gjithashtu “gabim” tarifat shtesë të propozuara nga Trump.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 10% për të gjitha mallrat e importuara nga tetë vende europiane, duke nisur nga 1 shkurti, nëse ato kundërshtojnë marrjen e Groenlandës. Von der Leyen theksoi se BE-ja qëndron në “solidaritet të plotë” me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës, duke shtuar se sovraniteti i tyre është “i panegociueshëm”.

Qëndrimi u mbështet edhe nga kryeministri kanadez Mark Carney, i cili tha se angazhimi i Kanadasë ndaj Nenit 5 të NATO-s është “i palëkundur” dhe se vendi i tij mbështet plotësisht të drejtën e Groenlandës për të vendosur vetë për të ardhmen e saj.

Në deklaratat e tij, Macron tha se preferon “respektin ndaj bullizmit” dhe “shtetin e së drejtës ndaj brutalitetit”.

Më herët, Trump-i kërcënoi me një tarifë 200% ndaj verës dhe shampanjës franceze, pasi Macron-i thuhet se refuzoi një ftesë për t’iu bashkuar një iniciative të quajtur “Bordi i Paqes” për Gazën. Presidenti francez e dënoi “grumbullimin e pafund të tarifave të reja”, duke e quajtur të papranueshme përdorimin e tyre si mjet presioni mbi sovranitetin territorial.

Macron-i është ndër zërat që kërkon nga BE-ja të shqyrtojë masa hakmarrëse ndaj tarifave amerikane, përfshirë instrumentin kundër shtrëngimit ekonomik, të njohur si “bazuka tregtare”.

Burime pranë komisionit të tregtisë ndërkombëtare kanë bërë të ditur se Parlamenti Europian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare SHBA-BE të arritur në korrik, një hap që do të shënonte një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Uashingtonit dhe Europës.

Dita e sotme me shi dhe shtrëngata, temperaturat nuk ndryshojnë

By: A R
21 January 2026 at 08:18

Për ditën e sotme (21 janar) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Sipas SHMU-së, do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët që në orët e para të 24-orëshit. Lokalisht në jug të vendit në intervale të shkurtra kohore reshjet e shiut do të jenë në formën e shtrëngatave.

Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herpasherëshme me intensitet kryesisht të ulët, lokalisht në qendër dhe jug të vendit hera-herës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e Alpeve, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 300-400 metër si dhe në juglindje-jug në lartësitë mbi 600-700 metër reshje dëbore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– lindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.  Deti do të jetë me valëzim të forcës 3-4 ballë.

21 Janari, Rama: Drejtësia i ngjan një breshke, por sado të vonojë nuk do të harrojë

By: A R
21 January 2026 at 08:11

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 21 janarin përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai shprehet se 15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt dhe “katër të vrarë ende nuk prehen në paqe”.

Ai thekson se “drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”, por shpreh bindjen se drejtësia nuk do të harrojë.

“Mirëmëngjes dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka vendosur më 12 mars 2024që dosja e 21 janarit të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave. Për këtë arsye, SPAK ka marrë në pyetje familjarë të viktimave, drejtues të gardës si dhe organizatorë të protestës.

“21 Janari”/ Sot 15 vite nga vrasja e 4 protestuesve në bulevard, krimi shtetëror që ende kërkon drejtësi

By: A R
21 January 2026 at 08:03

Sot shënohen 15 vite nga tragjedia e 21 Janarit, ku katër protestues, konkretisht Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u qëlluan për vdekje. Ngjarja ndodhi më 21 janar të 2011-ës,  ku qindra qytetarë ishin ngritur në protestën e socialistëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Tensionet mes protestuesve dhe gardistëve u agravuan deri në tentativat e qytetarëve për t’u futur në oborrin e kryeministrisë, çka pasoi të shtënat brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur katër protestuesit e sipërpërmendur.

Në vitin 2021, 10 vite pas ngjarjes së rëndë, kryeministri Edi Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit e vrarë.

Në vitin 2023, ish-kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut.

Vendimi i Strasburgut dhe nisja e hetimeve nga SPAK

Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut në mars të 2024-ës që e cilësoi 21 Janarin si krim shtetëror dhe që të hetohej si e tillë nga drejtësia shqiptare, duke i hapur kështu rrugë hetimeve nga ana e SPAK e cila ngriti 3 vepra penale: “shpërdorim i detyrës”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.

Një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë marrë në pyetje nga SPAK për të zbardhur rolin e tyre gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, sikurse ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ish-ministri Saimir Tahiri, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, ish-deputeti socialist Arben Çuko, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi, presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, etj,.

Nisja e hetimeve paraprake

Kujtojmë se fillimisht drejtësia shqiptare vendosi 4 vite burg për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012.

Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm.

Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”.

Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.

Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve.

Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg.

Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.

Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, Kolegji Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.

Familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.

Qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave.

Nga ana tjetër, familja Nika kishin vijuar procesin ligjorë duke kërkuar hetim të veçuar për vrasjen e Aleks Nikës.

Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.

Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.

Yesterday — 20 January 2026Main stream

Lavrov mohon çdo lidhje me Groenlandën: Rusia nuk ka të bëjë fare, nuk ka prova për pushtim

By: A R
20 January 2026 at 14:52

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka tërhequr vëmendjen nga Forumi Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi çështjen e Groenlandës.

Lavrov u shpreh se nuk ka “asnjë dyshim” që Uashingtoni e di se Rusia “nuk ka asnjë lidhje” me Groenlandën. Ai shtoi se nuk ekziston “asnjë provë” që Moska të ketë synuar ndonjëherë pushtimin e këtij territori. “Rusia do të monitorojë situatën serioze gjeopolitike,” tha ai, duke nënvizuar se vendi i tij po ndjek me kujdes zhvillimet në rajon.

Ministri rus shtoi gjithashtu se Groenlanda nuk është “një pjesë natyrore” e Danimarkës dhe se problemi i territoreve ish-koloniale po bëhet gjithnjë e më i mprehtë në arenën ndërkombëtare.

Deklaratat e Lavrov vijnë pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur dëshirën për një kontroll të plotë amerikan mbi Groenlandën për arsye sigurie kombëtare. Trump ka shpallur gjithashtu tarifa mbi importet nga disa aleatë evropianë që kundërshtojnë një marrje të mundshme të territorit nga SHBA-të.

❌
❌