Rritet bilanci i viktimave, 34 të vdekur nga stuhia vdekjeprurëse “Fern” në SHBA
Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë së fuqishme dimërore “Fern” në Shtetet e Bashkuara është rritur në 34, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet tepër e rrezikshme për shkak të temperaturave ekstreme që pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
Stuhia ka përfshirë një territor të gjerë të vendit, nga Teksasi deri në Massachusetts, duke sjellë reshje të dendura bore, erëra të forta dhe të ftohtë ekstrem. Viktima janë raportuar në disa shtete, ndërsa shkaqet e vdekjeve lidhen kryesisht me hipoterminë, aksidentet rrugore, rrëzimin e pemëve, përdorimin e pasigurt të gjeneratorëve dhe incidente ajrore.
Një nga rastet më tronditëse është shënuar në New Jersey, ku një burrë 67-vjeçar u gjet i pajetë jashtë shtëpisë së tij, me lopatën e borës në dorë. Autoritetet dyshojnë se ai ka ndërruar jetë gjatë pastrimit të borës, si pasojë e kushteve ekstreme të motit.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat e ndjera për shkak të erërave të ftohta kanë zbritur deri në -50 gradë Fahrenheit, duke e bërë qëndrimin jashtë jashtëzakonisht të rrezikshëm edhe për disa minuta. Paralajmërimet për ngrirje dhe hipotermi janë në fuqi për miliona qytetarë.
Situata është përkeqësuar edhe nga ndërprerjet masive të energjisë elektrike. Mbi 525 mijë familje kanë mbetur pa drita, kryesisht në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana. Në disa zona është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa transporti ajror është paralizuar me mijëra fluturime të anuluara ose të vonuara.
Meteorologët paralajmërojnë se një tjetër stuhi dimërore pritet të godasë bregun lindor gjatë fundjavës, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.
The post Rritet bilanci i viktimave, 34 të vdekur nga stuhia vdekjeprurëse “Fern” në SHBA appeared first on Albeu.com.