Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

22:59 Skiatori në Brezovicë plagoset nga orteku i dëborës

By: Monika
1 February 2026 at 22:59

Një skiator është plagosur ditën e sotme në Brezovicë nga një ortek dëbore. Bëhet me dije se gjendja shëndetësore e skiatorit është e mirë dhe se ka pësuar vetëm lëndime të lehta.

Sipas faqes “Brezovica Info” në Kosovë, tre skiatorë kishin hyrë për të skijuar jashtë pistave zyrtare, çfarë dyshohet se ka shkaktuar ortekun e dëborës.

Ndërkohë iu është bërë thirrje të gjithë skiatorëve që të përdorin vetëm pistat zyrtare dhe të shënuara, për arsye sigurie./mxh

22:48 Vuçiç: Shteti nuk është i përfshirë në posedimin e pesë tonëve marihuanë

By: Monika
1 February 2026 at 22:48

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë më 1 shkurt se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën që bërë e ditur pas kapjes së pesë tonëve të marihuanës në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe që kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht” dhe pretendojnë se shteti është mbrapa aferës.

“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, ka thënë Vuçiç për Televizionin Pink.
Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.

Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviç, Nebojsha Spasojeviç, Rade Spasojeviç, Ivan Dragniç and Urosh Mlladenovski.

Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviçin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.

Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.

Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiç, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.

Aleksiç ka thënë se personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç. Ministri Gashiç nuk ka bërë ndonjë koment pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.

Përmes një deklarimi të publikuar në gazeta serbe, ai i ka përgëzuar autoritetet policore dhe të sigurisë për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”./mxh

22:36 Përforcim në sulm, Flamurtari prezanton lojtarin nga rivalët e Superiores

By: Monika
1 February 2026 at 22:36

Klubi i Flamurtarit ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit Archange Bintsouka për pjesën e mbetur të sezonit.

Futbollisti kongolez largohet nga Partizani pas një periudhe ku hapësirat e tij në formacion u reduktuan pas ndryshimeve në stafin teknik të të kuqve.

Gjatë verës, Bintsouka ishte në qendër të diskutimeve për rinovimin e kontratës, proces që u mbyll me vonesë dhe ndikoi në fazën e tij përgatitore.

Përforcim në sulm, Flamurtari prezanton lojtarin nga rivalët e

Drejtuesit e Partizanit dhe lojtari ranë dakord që huazimi te vlonjatët do të shërbente si zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Flamurtari e prezantoi sulmuesin si një përforcim që shton fizikun dhe alternativat në repartin e avancuar.

Bintsouka pritet të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit për të nisur stërvitjen me grupin e ri./mxh

22:28 “Epstein vepër e rusëve”/ Tabloidi i “The Daily Mail”: Gjithçka e organizuar nga ish-shërbimi sekret

By: Monika
1 February 2026 at 22:28

Sipas The Daily Mail të Londrës, që i referohet ekspertëve të shërbimeve sekrete, Jeffrey Epstein, financier pedofil amerikan i gjetur i vdekur në një qeli të një burgu në Nju Jork në 2019, drejtonte operacionin më të madh seksual për të vënë në kurth njerëz të fuqishëm të botës, në emër të ish-KGB-së ruse, në kohën kur u ofronte gra për shërbime seksuale.

Publikimi i 3 milionë dosjeve bën më të besueshme pretendimet e zyrtarëve të lartë të sigurisë se Epstein punonte për Moskën, e ndoshta edhe për Izraelin, kur lehtësonte kontakte të dyshimta me gra dhe vajza për disa nga njerëzit më të fuqishëm të botës.

Në fashikujt e nxjerra përfshihen, sipas tabloidit britanik, 1.056 dokumenta ku përmendej presidenti rus Putin dhe në 9.629 i referoheshin Moskës. Epstein duket se ka siguruar edhe audiencë me Putin pas shpalljes së tij fajtor për krime dhe pedofili në vitin 2008.

Burimet që i referohet The Daily Mail thonë se kjo shpjegon edhe pse ish-financieri amerikan bënte një jetë mjaft ekstravagante dhe të pasur, edhe pse nuk ka evidenca dokumentare që e lidhin Putin dhe spiunazhin e tij drejtpërdrejtë me aktivitetet e paligjshme të Epstein.

Por burimet që i referohet tabloidi britanik pretendojnë se ndërkohë që shërbimet sekrete amerikane “monitoronin” lidhjet ruse të Epstein për vite me radhë, ekuivalentët e tyre britanik ishin hezitues për shkak të lidhjeve të ish-financierit amerikan me ish-princin Andrew, djalin e Mbretëreshës.

Sipas ekspertëve të inteligjencës amerikane, ata besojnë se Epstein ishte përfshirë në botën e spiunazhit përmes lidhjeve të biznesit me Robert Maxwell, ish-manjatin e mediave, që në fakt kishte lidhje intime me vajzën e tij, Ghislaine Maxwell, e cila është duke vuajtur 20 vjet burg për trafikim seksual të fëmijëve dhe vepra të tjera penale të lidhura me ish-të dashurin e saj, financierin amerikan Epstein.

Maxwell ndërroi jetë njësoj si Epstein, në rrethana misterioze, ku trupi i ish-manjatit të mediave u gjet në ujërat e Oqeanit Atlantik në vitin 1991, pasi dukej sikur kishte rënë nga jahti në ujërat e oqeanit. Burimet e sigurisë, sipas The Daily Mail, besojnë se ish-manjati i medias Maxwell ishte rekrutuar nga rusët në vitet 1970, kur punonte për ekstradimin e hebrenjve rusë në Izrael me përfshirjen e shërbimit sekret izraelit, Mossad-it.

Ndërkohë, një dokument tjetër zbulon se FBI-ja kishte paralajmëruar se Epstein besohej të ishte edhe spiun i Mossad-it izraelit, pasi ishte i afërt me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe ishte trajnuar si spiun i izraelitëve në kohën kur Barak ishte kryeministër i Izraelit.

The Daily Mail shkruan edhe për lidhjet e Epstein me njerëz të afërt të Presidentit Trump dhe kontaktet e tij me politikanë të tjerë evropianë, si ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, norvegjezin Jagland, duke i sugjeruar t’i kalonte një mesazh Putinit për atë se si të trajtonte Presidentin amerikan Trump, shkruan tabloid britanik Daily Mail këtë të diel./mxh

22:17 Shkatërrimet pas stuhisë “Christine”/ Qeveria e Portugalisë njofton paketën e ndihmës prej 2.5 miliardë eurosh

By: Monika
1 February 2026 at 22:17

Qeveria portugeze ka njoftuar një paketë rindërtimi dhe ndihme prej 2.5 miliardë eurosh, pas stuhisë shkatërruese Christine që përfshiu vendin javën e kaluar dhe la pesë të vdekur.

Kryeministri portugez Luis Montenegro njoftoi gjithashtu se gjendja e gatishmërisë, e cila është vendosur në shumë pjesë të vendit, do të zgjatet deri më 8 shkurt, pasi priten më shumë shira në ditët në vijim.

Kjo masë, e vendosur fillimisht të enjten, u lejon autoriteteve të zbatojnë masa sigurie dhe të koordinojnë përpjekjet për reagim ndaj emergjencave.

“Disa zona do të përballen me situata më serioze që madje mund të kërkojnë evakuim”, paralajmëroi kryeministri i vendit në një konferencë për shtyp pas një takimi urgjent të qeverisë.
Agjencia meteorologjike portugeze IPMA ka vënë të gjithë territorin e Portugalisë në gatishmëri për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shoqëruara me erëra deri në 100 km/orë.

Sipas parashikimeve aktuale të motit, dëmet mund të jenë të konsiderueshme, paralajmëroi kreu i Mbrojtjes Civile, Mario Silvestro.

Mbrojtja Civile dërgoi mesazhe në telefonat celularë në pjesën më të madhe të vendit për të paralajmëruar për rrezikun e përmbytjeve./mxh

22:08 U tërhoq nga një emigrant në shinat e metrosë, 18-vjeçarja përplaset për v*ekje nga treni

By: Monika
1 February 2026 at 22:08

Një vajzë 18-vjeçare humbi jetën pasi u shty në shina nga një emigrant sudanez në një sulm të rastësishëm në stacionin e metrosë Wandsbek Markt në Hamburg, Gjermani.

Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 22:00. Viktima, Fatemeh D., u tërhoq dhe u shty nga Ariop A., 25 vjeç, i cili gjithashtu humbi jetën pas përplasjes me trenin. Autoritetet konfirmuan se nuk kishte asnjë lidhje të mëparshme mes tyre.

Lajmi ka tronditur komunitetin dhe familjarët e vajzës kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale. Në Instagram, nëna e saj postoi një foto të Fatemeh duke mbajtur lule, duke shkruar: “Bija ime është një engjëll.” Në një tjetër postim emocional shtoi: “O vajza e bukur.” Një tjetër homazh përfshinte një përmbledhje videosh me mbishkrimin: “Natën e kaluar desha të të përqafoja.”

Mediat gjermane raportojnë se sulmuesi kishte një histori të dhunshme dhe ishte në radar të autoriteteve. Ai ishte arrestuar disa ditë më parë për sulm ndaj oficerëve të policisë, por më pas u lirua.

Autoritetet thonë se ai kishte hyrë në Gjermani në mes të vitit 2024 përmes një programi humanitar dhe jetonte në një akomodim tip kontainer në Hamburg.

Dëshmitarët thanë se autori po tregonte sjellje të çrregullta pak minuta para sulmit tragjik, ndërsa i bërtiste viktimës: “Do të të marr me vete”./mxh

21:55 Nga 0-2 në 2-2, Manchester City ndalet nga Tottenham

By: Monika
1 February 2026 at 21:55

Manchester City ka hedhur një hap fals në garën për titull, pasi nuk ka shkuar më shumë se barazimi 2-2 në transfertën ndaj Tottenham.

Skuadra e Pep Guardiolës e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke dominuar pjesën e parë dhe duke shënuar dy herë me anë të Cherki (11’) dhe Semenyo (44’).

Megjithatë, “Spurs” treguan karakter në pjesën e dytë, duke përmbysur dominimin e miqve falë një dopiete të sulmuesit Dominic Solanke, i cili realizoi në minutat 53 dhe 70.

Ky barazim është një lajm i shkëlqyer për Arsenalin kryesues, i cili tashmë e sheh veten 6 pikë para City-t të vendit të dytë.

Nga ana tjetër, Tottenham ngjitet në kuotën e 29 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 14-të të renditjes./mxh

21:40 “Dukeshin si çifti perfekt”/ Krim makabër në Spanjë, 55-vjeçarja vret partnerin dhe i pret…organin gjenital

By: Monika
1 February 2026 at 21:40

Një krim pasioni duket se ka qenë ai i ndodhur në Bilbao të Spanjës.

Një 55-vjeçare është arrestuar për vrasjen e partnerit të saj 67-vjeccar. Kur forcat policore hynë në banesën që ishte dhe vendngjarja e krimit, kanë zbuluar trupin e viktimës, me plagë të shumta të bëra me thikë si dhe me organin gjenital të prerë.

Raportohet se krimi është personi që edhe ka denoncuar rastin tek autoritetet, pasi nëna i është rrëfyer se ka kryer krimin.

Fqinjët kanë deklaruar se kishin dëgjuar zëra që vinin nga apartamenti i çiftit para incidentit. Edhe pse motivi nuk dihet, sulmi mund të ketë qenë i motivuar nga xhelozia, sipas mediave lokale.

Lagjja ku jetonin 55-vjeçari dhe 67-vjeçari, të cilët kishin qenë në një lidhje prej 5 vitesh, është në shok, pasi të gjithë i përshkruajnë si një çift normal dhe aspak toksik.

“Ata dukeshin si çifti perfekt”, tha një nga fqinjët./mxh

21:35 Edhe kryeministri i Indisë shfaqet në dosjet e reja të Epsteinit, vjen kundërshtimi i fortë nga New Delhi

By: Monika
1 February 2026 at 21:35

Dokumentet e publikuara së fundmi të lidhura me autorin e dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, kanë tërhequr vëmendjen pasi një email që i referohej kryeministrit indian Narendra Modi u shfaq në serinë e fundit të dosjeve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, duke shkaktuar një kundërshtim të fortë nga New Delhi.

Sipas Jerusalem Post të shtunën, një email i atribuohet komenteve të Epstein mbi vizitën shtetërore të Modit në Izrael në vitin 2017, e para nga një kryeministër indian në vend.

Emaili e formulon atë si: “Kryeministri Indian Modi mori këshillën e tij (Epstein) dhe kërceu e këndoi në Izrael për të mirën e presidentit amerikan. Ata ishin takuar disa javë më parë. Funksionoi”.

Por autoritetet indiane kanë hedhur poshtë kategorikisht çdo aludim që rrjedh nga emaili, shkruan TrtWorld, përcjell Telegrafi.

Ministria e Punëve të Jashtme (MEA) e New Delhit theksoi se i vetmi element faktik i referuar është vizita zyrtarisht e dokumentuar e Modit në Izrael dhe e hodhi poshtë pjesën tjetër të mesazhit si të pabazë.

Ndërsa zëdhënësi i MEA-s, Randhir Jaiswal, e përshkroi komentin si “thekse të kota nga një kriminel i dënuar” që meritojnë “përbuzjen më të madhe”, duke shtuar se nuk ka prova për ndonjë ndërveprim substancial ose marrëdhënie këshillimore midis Modit dhe Epsteinit.

Megjithatë, partitë opozitare e kanë shfrytëzuar këtë referencë për të kërkuar sqarime.

Sipas mediumit në fjalë, dokumentet gjithashtu tregojnë Epsteinin dhe individë në rrjetin e tij duke diskutuar për Somalilandin, entitetin e vetëshpallur që ka funksionuar si një entitet de facto autonom që nga viti 1991.

Statusi i Somaliland ka fituar vëmendje të re pasi Izraeli njoftoi në fund të vitit 2025 se e njihte zyrtarisht territorin, një veprim që tërhoqi kritika nga rajoni dhe ndërkombëtarisht.

Epstein vrau veten në një qeli burgu në Nju Jork në gusht 2019, një muaj pasi u padit për akuza federale për trafikim seksual.

Në vitet 2008 dhe 2009, Epstein vuajti dënimin me burg në Florida pasi u deklarua fajtor për nxitje të prostitucionit nga dikush nën moshën 18 vjeç.

Në atë kohë, hetuesit kishin mbledhur prova se Epstein kishte abuzuar seksualisht me vajza të mitura në shtëpinë e tij në Palm Beach, por zyra e prokurorit të SHBA-së pranoi të mos e ndiqte penalisht në këmbim të pranimit të fajësisë për akuza më të lehta shtetërore./mxh

21:28 Mund të ishte arsyeja e nisjes së një sulmi amerikan në Iran, protestuesi Erfan Soltani lirohet nga burgu, pasi pagoi rreth 13 mijë dollarë

By: Monika
1 February 2026 at 21:28

Protestuesi iranian Erfan Soltani u bë i famshëm në të gjithë botën, pasi ekzekutimi i tij mund të sillte një ndërhyrje ushtarake nga ana e SHBA-së në Iran.

Avokati i Soltan ka bërë me dije se i riu është liruar me kusht

“26-vjeçari u lirua të shtunën dhe mori të gjitha sendet e tij personale, përfshirë edhe celularin”, tha avokati Amir Mousakhani, duke shtuar se për lirimin e tij u pagua një garanci prej “dy miliardë tomanësh” (rreth 12,600 dollarësh).

Soltani u arrestua më 10 janar gjatë protestave të fundit mbarëkombëtare në Iran.

Ai u mbajt në një qendër paraburgimi në Karaj jashtë Teheranit, me akuzat për propagandë kundër sistemit islamik të Iranit dhe veprim kundër sigurisë kombëtare, tha gjyqësori në janar.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte thënë në llogarinë e tij X në gjuhën perse se ai ishte dënuar me vdekje.

Gjyqësori iranian më vonë e mohoi këtë, duke thënë se çështja e tij ishte ende nën hetim dhe se akuzat kundër tij nuk mbartin dënimin me vdekje.

Zyrtarët iranianë thanë se protestat kishin filluar më 28 dhjetor si demonstrata paqësore përpara se të shndërroheshin në “trazira” që përfshinin vrasje dhe vandalizëm.

Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për trazirat, duke i akuzuar të dy vendet për nxitjen e asaj që e përshkroi si një “operacion terrorist”, veçanërisht kur demonstratat arritën kulmin më 8 dhe 9 janar.

Teherani ka pranuar më shumë se 3,000 vdekje gjatë protestave, por këmbëngul se shumica ishin anëtarë të forcave të sigurisë dhe kalimtarë të pafajshëm, duke ia atribuar dhunën “akteve terroriste”.

Megjithatë, Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA tha se ka konfirmuar 6,713 vdekje, kryesisht protestues./mxh

20:57 Tirana largohet nga vendi i fundit, goli i Xhixhës kalon krizën tek Egnatia

By: Monika
1 February 2026 at 20:57

Tirana fitoi 1-0 në transfertë ndaj Egnatias, në ndeshjen e javës së 22-të të Kategorisë Superiore.

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Redon Xhixha në minutën e 40-të. Kryeqytetasit menaxhuan avantazhin në pjesën e dytë, duke përballuar presionin e vendasve.

Egnatia pati disa pretendime për penallti, por asnjëra nuk u konfirmua nga gjyqtari dhe VAR-i. Portieri Tafas ishte vendimtar për Tiranën me disa pritje në pjesën e dytë.

Me këtë sukses, Tirana largohet nga vendi i fundit dhe ngjitet në vendin e nëntë me 20 pikë. Egnatia mbetet në vendin e tretë me 39 pikë. Fitorja i jep Tiranës pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë./mxh

20:45 Aksi Librazhd-Prrenjas u bllokua për 7 orë/ Boçi: Papërgjegjshmëri totale e shtetit

By: Monika
1 February 2026 at 20:45

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur bllokimin e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas për shtatë orë, ku qindra qytetarë mbetën të bllokuar në trafik.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Boçi shprehet se bllokimi i aksit dhe rrëshqitja e masivit të dherave në Dragostunjë, nuk ndodhi për shkak të motit por për erdhi nga papërgjegjshmëria e qeverisë. Kjo sipas tij është një arsye më shumë për të protestuar më 10 shkurt.

Reagimi i plotë:

Bllokimi i aksit Librazhd-Qafë Thanë në Dragostunjë, nuk është rastësi, as çështje moti.
Është papërgjegjshmëri totale seriale e shtetit-parti, që as monitoron, as kontrollon, por vetëm korrupton.
Mijëra qytetarë vuajnë sot, duke qëndruar me orë të tëra në të ftohtë, mënyrën dhe skemën arrogante dhe korruptive të tenderimeve të parave të shqiptarëve.
Kush nuk ka arsye (të gjithë kanë) të gjejë këtu një arsye për të protestuar në 10 Shkurt!/mxh

20:37 Sërish bashkë?! Veprimi i fundit i Jennifer Lopez dhe Ben Affleck thotë gjithçka

By: Monika
1 February 2026 at 20:37

Muaji i dashurisë ka nisur me ribashkime, të paktën kështu ka ndodhur për Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, të cilët janë filmuar të kapur për dore nga fotografët.

Në Instagram, nga The Hollywood Fix, është publikuar një video e dyshes ndërkohë që shkonin së bashku në emisionin “Jimmy Kimmel Live”.
Gjatë viteve, çifti ka përjetuar një sërë ndarjesh dhe ribashkimesh. Më e fundit ndodhi në janar të vitit të shkuar, kur ata i dhanë fund martesës së tyre.

Si kujtesë, Jennifer paraqiti kërkesën për divorc më 20 gusht të vitit 2024, pikërisht në dyvjetorin e dasmës së tyre në Georgia. Ajo deklaroi se data e ndarjes ishte 26 prilli, duke cituar “diferencat e papajtueshme” si arsyet e ndarjes, një shprehje tashmë klasike e yjeve të Hollywood-it.

Ndarja mes tyre nuk u shoqërua nga shumë drama dhe për këtë mjafton të kujtojmë një deklaratë të Ben Affleck, ku gjatë një interviste për GQ ai foli për herë të parë publikisht mbi divorcin, pas të cilit sipas tij nuk fshihej asnjë dramë.
“E vërteta është se, kur dikush të pyet: ‘Çfarë ndodhi?’, nuk ka një përgjigje të tipit ‘Ja çfarë ndodhi’,” u shpreh Affleck.

“Është thjesht historia e dy njerëzve që përpiqen të kuptojnë jetën dhe marrëdhëniet e tyre, ashtu siç bëjmë të gjithë zakonisht.”

Megjithatë, dyshimet filluan sërish për marrëdhënien mes tyre kur të dy ata u shfaqën gjatë premierës së filmit “Kiss of the Spider Woman” në New York. Dyshja pozuan së bashku dhe nuk i kursyen fjalët e mira ndaj njëri-tjetrit. Aktori vlerësoi talentin e saj ndërsa Jennifer Lopez e falenderoi për mbështetjen.

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u lidhën në fillim të viteve 2000. Ata u fejuan, por nuk u martuan kurrë, duke përmendur si shkak “vëmendjen e tepërt të medias” në një deklaratë që njoftonte se dasma do të shtyhej. Përfundimisht, u ndanë në janar 2004./mxh

20:26 Shkëmbim zjarri në Milano, grabitësi qëllohet me plumb në kokë nga policia

By: Monika
1 February 2026 at 20:26

Një shkëmbim zjarri ndodhi në Milano mes policisë dhe një grabitësi, duke lënë këtë të fundit në gjendje kritike.

Sipas raportimeve, grabitësi, me origjinë të mundshme aziatike, sulmoi një roje sigurie italian 50-vjeçar që po shkonte në punë, duke e goditur me shkop dhe duke i rrëmbyer armën. Më pas, ai u përpoq të largohej dhe u ndoq nga patrullat e policisë, shkruan Corriere.

Rreth orës 15:17, njësia e specializuar UOPI e ndaloi grabitësin në Via Cassinis, përpara restorantit All America Diner. Ai hapi zjarr drejt makinës së patrullës, duke qëlluar të paktën tre herë. Oficerët iu kundërpërgjigjën zjarrit dhe e goditën burrin të paktën dy herë – një plumb në shpatull dhe një në kokë.

Atij iu dha trajtim i menjëhershëm nga mjekët dhe u transportua në Spitalin Niguarda në gjendje kritike, aktualisht në koma. Asnjë oficer nuk u plagos. Zona rreth ngjarjes u rrethua nga dhjetëra policë dhe hetimet mjeko-ligjore vazhdojnë.

Shkollat dhe bizneset në afërsi u evakuan përkohësisht, por askush nuk u lëndua. Grabitësi është nën mbikëqyrje të policisë dhe ngjarja po trajtohet si një incident i rëndë kriminal./mxh

20:18 Dosja Epstein përmend emra politikanësh nga Kosova, shfaqet edhe Behgjet Pacolli në email-in e vitit 2012

By: Monika
1 February 2026 at 20:18

Publikimi i dokumenteve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në faqen e tij zyrtare, ka nxjerrë në pah edhe komunikime ku përmenden emra të lidhur me Kosovën.

Në një prej email-eve të publikuara, të datës 19 shtator 2012, figuron të jetë përmendur emri i ish-presidentit dhe ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Email-i, i dërguar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?” dhe i drejtohet Jeffrey Epstein. Në përmbajtje, dërguesi, i identifikuar si “Daniel”, shkruan se “princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, duke bashkëngjitur një link nga YouTube, i cili aktualisht nuk është më funksional.

Në të njëjtin komunikim, përmendet edhe emri i konsulles së atëhershme të Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila thuhet se ka kërkuar që materiali t’i përcillet Epstein-it.

E njëjta konsulle përmendet edhe në një email tjetër të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York. Në atë email përmendet se “princesha nga Tajlanda do të jetë në Kombet e Bashkuara me presidenten e Kosovës”, duke i shprehur dëshirën për një takim gjatë asaj jave. Edhe pse presidentja nuk përmendet me emër, në vitin 2012 presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.

Mom Luang Rajadasari Jayankura ka folur më herët publikisht për rolin e saj në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe shtete të tjera. Në një tekst autorial, ajo përshkruan bashkëpunimin me Behgjet Pacollin, duke theksuar se ishte njohur me të në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se kishte vendosur të angazhohej për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ajo shkruan se kishte investuar përpjekjet e saj për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të shtetit të Kosovës për të ekzistuar si entitet sovran në sistemin ndërkombëtar politik, social dhe ekonomik.

Publikimi i këtyre email-eve nuk përmban akuza penale ndaj personave të përmendur, por dëshmon për komunikime dhe kontakte që janë bërë publike në kuadër të dokumenteve zyrtare të dosjes Epstein./mxh

20:09 Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve në fabrikën kineze në Serbi

By: Monika
1 February 2026 at 20:09

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra punëtorë nga Bangladeshi, të punësuar në një fabrikë gomash në verilindje të Serbisë, që është në pronësi kineze, janë përballur me abuzime në punë që mund të përbëjnë trafikim të qenieve njerëzore, duke rikthyer vëmendjen tek investimi kyç kinez që për vite me radhë është përballur me polemika lidhur me trajtimin e punëtorëve të huaj.

Prokurorët serbë konfirmuan më 28 janar se kanë marrë një raport që pretendon se ka ndodhur trafikim i njerëzve dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve lidhur me punëtorët nga Bangladeshi në fabrikën e gomave Linglong që gjendet afër qytetit të Zrenjaninit. Autoritetet thanë se çështja po shqyrtohet, por nuk kanë njoftuar për ndonjë aktakuzë.

“Një numër punëtorësh, me asistencë ligjore, arritën të marrin pagat e papaguara, dhe të gjithë punëtorëve iu kthyen pasaportat”, tha për Radion Evropa e Lirë Marija Andellkoviç, drejtoreshë e Astra-s, një OJQ serbe që mbështet viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo shtoi se disa punëtorë u transferuan në Qendrën shtetërore të Serbisë për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Sipas Astra-s dhe grupeve të tjera që luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan, të cilat bënë publike këto akuza gjatë një konference për media, më shumë se 40 punëtorë nga Bangladeshi shkuan në Serbi në qershor të vitit 2025 pasi u rekrutuan nga agjenci punësimi në Bangladesh.

Shumë prej tyre u futën në borxhe deri në 10.000 dollarë për të siguruar një vend pune, një praktikë që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, i bëri ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit edhe para se të arrinin në Serbi. Shumë punëtorëve po ashtu iu konfiskuan pasaportat sapo arritën në Serbi për të punuar në fabrikë.

Këto akuza janë pjesë e fundit e një serie pretendimesh për punë me detyrim të lidhura me fabrikën Linglong, që paraqet një gur themel të partneritetit ekonomik të Serbisë me Kinën. Akuza të ngjashme më parë përfshinin punëtorë vietnamezë dhe indianë, gjë që nxiti paralajmërime nga institucione ndërkombëtare, përfshirë Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Punëtorët nga Bangladeshi refuzuan të flasin për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se kanë frikë për sigurinë e tyre. Kompania Linglong nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment.

Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së vitin e kaluar ndaloi importet e gomave të Linglong-ut, të prodhuara në Serbi, duke u thirrur në dëshmi për punë me detyrim.

Kompania Linglong hapi zyrtarisht fabrikën e saj në Serbi në shtator të vitit 2024, pas pesë vjetësh ndërtim. Me vlerë rreth 950 milionë dollarësh, projekti u cilësua nga Qeveria serbe si një investim me rëndësi kombëtare dhe konsiderohet një shtyllë e forcimit të lidhjeve ekonomike dhe politike të Beogradit me Pekinin.

Rekrutimi, borxhet dhe pasaportat e konfiskuara

Që kur shkuan në Serbi, punëtorët u punësuan në objektet për prodhim të Linglong-ut, megjithëse kompania nuk figuron si punëdhënësi i tyre në kontratat që janë analizuar nga OJQ-të.

Në vend të kësaj, dokumentet përmendin një kompani ndërmjetëse serbe, Mega Green Plus, me seli në fshatin Basaid, rreth 30 kilometra larg nga Zrenjanini.

Kompania Mega Green Plus, e themeluar në fund të vitit 2024 dhe në pronësi të një shtetasi kinez, nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë. Sipas të dhënave publike, kompania raportoi një humbje të vogël financiare më 2024 dhe nuk ofron asnjë informacion tjetër për stafin ose licencat për rekrutim të punëtorëve të huaj.

Punëtorët u thanë grupeve për të drejtat e njeriut se paguheshin më pak se paga minimale në Serbi, që është rreth 660 dollarë në muaj, dhe nuk kompensoheshin për orët shtesë, gjë që është e paligjshme sipas ligjeve serbe. OJQ-të e përfshira në këtë çështje thanë po ashtu se pasaportat e punëtorëve u mbajtën nga punëdhënësi për muaj të tërë.

“Kur disa punëtorë kërkonin rrogat e papaguara ose kthimin e dokumenteve të tyre, ata u përballën me frikësim dhe kërcënime”, tha për Radion Evropa e Lirë Tara Rukeci Millivojeviç nga Zrenjanin Social Forum, një OJQ në Serbi që dokumenton për vite të tëra abuzimet me punëtorët në këtë fabrikë.
Fotografitë e ndara me Radion Evropa e Lirë nga OJQ-të tregojnë kontejnerë të ngushtë pranë fabrikës, me shumë shtretër të vendosur në një dhomë të vetme. Aktivistët thanë se shpesh gjashtë deri në shtatë punëtorë ndanin një dhomë, duke fjetur në shtretër pa dyshek dhe duke përdorur ngrohës elektrikë gjatë dimrit, të vendosur afër shtretërve.

“Ata flenë, gatuajnë dhe lajnë rrobat në të njëjtën hapësirë”, tha Rukeci Millivojeviç, duke shtuar se punëtorët ishin ankuar për ushqim me cilësi të dobët, tualete të papastra dhe tuba që rridhnin.
Prokuroria e Lartë Publike në Zrenjanin njoftoi se policia, inspektorët e punës dhe qendra kundër trafikimit janë të përfshirë në shqyrtimin e rastit, por nuk ofroi një afat kohor se kur mund të dalë me gjetje. Institucione të tjera shtetërore nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Grupet për të drejtat e njeriut kritikuan atë që e përshkruan si një model hetimesh të vonuara ose të paplota në raste të mëparshme që lidhen me Linglong-un.

“Fakti që disa punëtorë morën pagesa të pjesshme nuk do të thotë se rasti është zgjidhur”, tha Rukeci Milivojeviç. “Ka ende tregues seriozë se mund të jenë kryer vepra penale”.
Për shkak të çështjeve të diskutueshme në të kaluarën, Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit i SHBA-së lëshoi në dhjetor të vitit 2025 një urdhër ndalimi për importet e gomave të makinave të prodhuara nga Linglong-u në Serbi, duke u thirrur në pretendime se ato ishin prodhuar përmes punës me detyrim.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i hodhi poshtë këto pretendime pas ndalesës së vendosur nga SHBA-ja. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se akuzat e reja që përfshijnë punëtorë nga Bangladeshi sugjerojnë se praktikat abuzive të punës në fabrikën e Linglong-ut nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur.

“Kushtet çnjerëzore vazhdojnë të përsëriten”, tha Andellkoviç. “Dhe, reagimi i shtetit mbetet i pamjaftueshëm”./mxh

19:58 Hapet rruga Librazhd–Prrenjas, pas 7 orësh bllokimi nga rrëshqitja e masivit shkëmbor

By: Monika
1 February 2026 at 19:58

Pas rreth shtatë orësh pune intensive, është hapur për qarkullim segmenti i bllokuar i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u mbyll përkohësisht pasi trasesë iu derdhën qindra metra kub gurë dhe dhe, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbor nga shpati i kodrës.

Shpati ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të trasesë së re rrugore, në kuadër të projektit të njohur si Koridori VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” sh.p.k.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit të automjeteve në të dy drejtimet.

Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe paralajmërimet, veçanërisht në segmentet ku vijojnë punimet.

Hapja e rrugës erdhi pas një ndërhyrjeje emergjente që synoi garantimin e sigurisë së udhëtarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal në këtë aks të rëndësishëm lidhës mes Librazhdit dhe Prrenjasit./mxh

19:47 Dëbora arrin deri në 1 metër, situatë e vështirë në zonat malore të Korçës

By: Monika
1 February 2026 at 19:47

Situata është e vështirë në zonat malore të Korçës, pas reshjeve të borës.

Në majë të Mashkullores, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, trashësia e saj ka arritur deri në 1 metër.

Situata paraqitet e vështirë në zonat malore, ndërsa era e forte ka ndikuar në grumbullimin e dëborës ne segmenta te caktura.

Aksi rrugor Shtyllë–Panarit është aktualisht i kalueshëm vetëm për automjete tip fuoristradë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes./mxh

19:37 Vuante nga sëmundja e rëndë, ndërron jetë gazetarja Rezarta Reçi

By: Monika
1 February 2026 at 19:37

Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë, gazetarja e njohur Rezarta Reçi.

Reçi ishte autore dhe moderatore e emisioneve të shumta, ndër të cilat spikati “Arratia e Peshkut të Kuq” në News24, ku intervistoi qindra personalitete dhe solli për publikun histori me thellësi sociale dhe njerëzore.

Përveç punës si gazetare, ajo ishte edhe autore e disa librave, përfshirë vepra me intervista dhe rrëfime personale që reflektonin eksperiencat e saj jetësore dhe profesionale.

Reçi njihej gjithashtu për qëndresën dhe kurajon me të cilat përballoi sëmundjen e rëndë, duke qenë një shembull i fortë i përkushtimit ndaj jetës dhe profesionit deri në ditët e fundit./mxh

19:23 “Që fëmijë isha i fiksuar pas Jerusalemit”, Rama flet për median izraelite

By: Monika
1 February 2026 at 19:23

Last Updated on 01/02/2026 by Monika

Gjatë vizitës së tij në Jerusalem javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për The Jerusalem Post, ku ka folur për antisemitizmin, marrëdhëniet me Izraelin, historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe luftën në Lindjen e Mesme.

Rama mori pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit “Generation Truth”, të organizuar nga Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Në fjalën e tij në skenë në Jerusalem, ai citoi Talmudin: “Talmudi na mëson se kush shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën.”

Në intervistën për The Jerusalem Post, Rama shpjegoi se mesazhi i tij ishte universal: “Ka të bëjë me njerëzimin. Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit.”

Duke folur për lidhjen e tij personale me Jerusalemin, Rama tregoi se u rrit në Shqipërinë komuniste, të izoluar nga bota, ku Izraeli paraqitej si armik: “Që fëmijë isha i fiksuar pas Jerusalemit. Jetonim në një vend totalisht të izoluar dhe na mësonin se duhej të përgatiteshim për ‘betejën e madhe’, sepse ‘ata’ do të vinin për ne. ‘Ata’ ishin imperialistët amerikanë, social-imperialistët sovjetikë dhe sionistët izraelitë.

Një kanal ishte versioni zyrtar, gazetat e Partisë Komuniste, që flisnin për ushtrinë sioniste që vret dhe dëbon palestinezë. Kanali tjetër ishte Bibla e gjyshes sime, një katolike shumë besimtare. Bibla ishte e ndaluar, por ajo e kishte.”

Pas rënies së komunizmit, Rama u shpreh se filloi të mësonte më shumë për historinë e Izraelit dhe Jerusalemit: “Pas rënies së komunizmit nuk mund të shkoja në Izrael sepse nuk kishte lidhje ajrore apo detare. Por fillova të mësoj më shumë dhe kur erdha për herë të parë, dashuria vetëm u rrit.”

Gjatë intervistës, Kryeministri rikujtoi edhe historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe kodin e nderit “Besa”, duke theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u rrit gjatë luftës.”

Ai shtoi se Shqipëria ka dorëzuar mbi 3.700 emra hebrenjsh të shpëtuar pranë Yad Vashem. Rama përshkroi edhe kërkesat e nazistëve gjatë luftës: “Nazistët erdhën me dy kërkesa: listat e hebrenjve dhe listat e arit. Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe përfundimtare: ‘Ari mund ta merrni, hebrenjtë janë tanët për t’i mbrojtur’. Kjo nuk është legjendë, është fakt.”

Duke folur për situatën aktuale globale, Rama paralajmëroi për rikthimin e hapur të antisemitizmit: “Antisemitizmi po rikthehet hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor apo, edhe më keq, si superioritet moral. Urrejtja nuk fillon me dhunë. Fillon me gjuhën. Fillon me indiferencën. Fillon me justifikimet.”

Në lidhje me sulmin e 7 tetorit dhe luftën që pasoi, Kryeministri Rama ishte i drejtpërdrejtë: “Terrorizmi nuk është këndvështrim. Është krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte vrasje masive. Vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe vërtet zemërthyese.

Është çmenduri të mjegullosh vijat morale apo të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit. Paqja nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit.”

Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend mik për hebrenjtë dhe Izraelin: “Nuk ka pasur asnjë shenjë antisemitizmi ndaj turistëve hebrenj në Shqipëri. Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është nder të konsiderohesh një mik i afërt i Izraelit.”/mxh

❌
❌