Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Në kërkim 24-vjeçari, i moshuari përfundon te Trauma pasi u godit me grusht

By: A R
26 December 2025 at 09:53

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim një shtetas 24-vjeçar, i dyshuar për një rast dhune fizike të ndodhur në qytetin e Vlorës.

Sipas njoftimit zyrtar, në kërkim është shpallur shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Himarë, i cili më datë 24.12.2025, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, dyshohet se ka dhunuar fizikisht me grushte shtetasin A. B., 62 vjeç, banues në Vlorë.

Si pasojë e dhunës, 62-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Japonia miraton buxhet rekord për mbrojtjen, Kina akuzon Tokion për nxitje të garës së armëve

By: A R
26 December 2025 at 09:48

Japonia ka miratuar një buxhet rekord për mbrojtjen, duke rritur shpenzimet ushtarake në më shumë se 9 trilionë jenë (rreth 58 miliardë dollarë), në një kohë kur tensionet me Kinën po përshkallëzohen ndjeshëm.

Projektbuxheti për vitin fiskal të ardhshëm, i miratuar nga kabineti japonez, është 9.4% më i lartë se ai aktual dhe është pjesë e strategjisë pesëvjeçare të Tokios për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes deri në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Fokusi i buxhetit të ri është forcimi i kapaciteteve kundërsulmuese dhe mbrojtja e vijës bregdetare përmes raketave tokë–det dhe sistemeve të paekuipazhuara. Autoritetet japoneze parashikojnë të investojnë rreth 100 miliardë jenë në vendosjen e dronëve ajrorë, detarë dhe nëndetarë për mbikëqyrje dhe mbrojtje, në kuadër të sistemit “Shield”, i cili pritet të jetë funksional në vitin 2028.

Vendimi i Tokios ka ngjallur reagime të forta nga Kina. Ministria kineze e Mbrojtjes deklaroi se zhvillimet e fundit të Japonisë në teknologjinë hapësinore, disa prej tyre në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, po përshpejtojnë militarizimin e hapësirës dhe po nxisin një garë të re armësh.

Sipas mediave japoneze, Japonia ka lëshuar disa raketa që nga viti 2023 për qëllime navigimi dhe mbledhjeje informacioni. Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, paralajmëroi se politikat aktuale të Tokios po rrisin rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan më tej muajin e kaluar, kur kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se Japonia mund të përfshihet ushtarakisht në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit. Pekini reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë qëndrim si provokues.

Ndërkohë, Kina ka kritikuar edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen ndaj Tajvanit, pas miratimit të një shitjeje armësh me vlerë mbi 10 miliardë dollarë për Taipein. Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij, ndërsa shumica e popullsisë së ishullit kundërshton aneksimin.

Tensionet në Azi-Paqësor vijojnë të rriten, ndërsa Kina dhe Japonia akuzojnë njëra-tjetrën për veprime që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

“Protestat e PD janë si funeral”, Spahiu: S’kanë rrëzuar dot kurrë një qeveri! Partitë e vogla kanë…

By: A R
26 December 2025 at 09:39

Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar protestat e PD. Në një lidhje skype për emisionin “Frontline” në Report Tv, ai ka deklaruar se Partia Demokratike nuk ka arritur asnjëherë, në 35 vite, të rrëzojë një qeveri përmes protestave.

Spahiu u shpreh se protestat e zhvilluara gjatë vitit 2025 kanë qenë ndër më të voglat që ka organizuar PD-ja ndër vite.

Spahiu kritikoi mungesën e entuziazmit në protestat e PD-së, duke i krahasuar ato me një funeral, ndërsa vlerësoi protestat e organizuara nga partitë e vogla.

‘Po të bëjmë një tablo protestat e 2025 kanë qenë protesta me të vogla të PD. Nuk ka ndodhur që një qeveri të rrëzohet nga protestat e PD. Çdo qeveri që do të kishte këtë bilanc negativ në 2025 ajo duhet që të rrëzohet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Po sikur Rama të japë dorëheqjen që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme që PD të fitojë zgjedhjet, apo mund të fitoi Rama më thellë.

Unë shoh tek një protestë entuziazmin, të shohësh protestat e Lapajt, Shehajt dhe Qorit kanë më shumë entuziazëm, protestat e PD janë si funeral dhe s’ka entuziazëm dhe shpresë. Shkohet pa program dhe pa platformë. Më të qarta janë partitë e vogla, kurse tek PD bëhet e njëjta gjë del Berisha flet. Njerëzit lodhen dhe s’kanë më entuziazëm, ata mund të jenë besnik po është besnikëri nga halli. Duhet rotacion politik në Shqipëri’, tha ai.

Spahiu e ka cilësuar vitin 2025 si vitin e kombëtares kuqezi, duke theksuar se futbolli ishte i vetmi element që i solli gëzim shqiptarëve.

‘Ka vlerësim objektiv dhe subjektive. Objektivisht do thonim që Shqipëria është shumë dinamike dhe brenda një viti ata që fitojnë mund të jenë edhe humbës. Unë do të thoja se në gjysmën e parë të vitit 2025 ka dy fitues të mëdhenj. Fitorja e Kombëtares është një arritje historike në Shqipëri që përfaqësues të Shqiëprisë dhe Kosovës të pretendojnë pjesëmarrjen në një kompeticion botëror, ku miliarda shikues do të kenë mundësi t’i ndjekin. Nëse realizohet, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme’, tha ai.

Bllokohet sërish aksi Kakavijë-Janinë nga protestat, policia shqiptare: Lejohen të qarkullojnë vetëm…

By: A R
26 December 2025 at 09:30

Prej katër javësh në Greqi zhvillohen protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat në dhënien e subvencioneve të Bashkimit Europian pas një skandali korrupsionit.

Një nga akset që preket është edhe ajo Kakavijë-Janinë. Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar sot se prej orës 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke) rruga do të jetë e bllokuar. Mjetet e vetme që do të kalojnë do të jenë ato për emergjenca shëndetësore.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Mot i tërbuar në Kaliforni: Stuhitë dhe përmbytjet shkaktojnë tre viktima

By: A R
26 December 2025 at 09:22

Pjesa më e madhe e Kalifornisë është përfshirë nga stuhitë e fuqishme të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje masive dhe rrëshqitje dheu. Deri mbrëmjen e Krishtlindjes, zyrtarët lokalë konfirmuan se tre persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq.

Stuhitë, të cilat pritet të vijojnë deri të premten, kanë sjellë rreth 27 centimetra shi në disa zona të konteut të Los Angeles-it. Kjo situatë ka detyruar autoritetet të mbyllin rrugët kryesore dhe të nisin evakuimet e banorëve. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom-i, shpalli gjendjen e emergjencës të mërkurën për disa zona jugore të shtetit.

Ngjarjet tragjike u shënuan në zona të ndryshme. Në San Diego, një 64-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrezuar.

Në Redding, një 74-vjeçar vdiq brenda mjetit të tij që u përmbyt nga uji, pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta shpëtuar.

Në kontenë Mendocino, një grua rreth të 70-ave u mor nga një valë e fuqishme teksa ndodhej në bregdet dhe humbi jetën në oqean.

Rreth 100 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike deri mbrëmjen e së enjtes. Shpejtësia e erës në disa zona i kaloi 160 km/h, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Kryebashkiakja e Los Angeles-it, Karen Bass-i, u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes maksimal.

“Ju lutem, mos e merrni lehtë këtë stuhi. Nëse duhet të udhëtoni patjetër, tregoni kujdes ekstrem në rrugë“, tha ajo.

Sipas raportimeve të CBS News-it, ky mot ekstrem u shkaktua nga disa “lumenj atmosferikë” (masa të mëdha lagështie që vijnë nga tropiku).

Situata u rëndua edhe më shumë në zonat që ishin djegur nga zjarret e janarit, pasi toka pa bimësi nuk arriti ta thithte ujin, duke shkaktuar rrëshqitje dheu.

Trafiku në ditët e fundvitit – Shtohet fluksi i mjeteve, Policia Rrugore njofton masat

By: A R
26 December 2025 at 09:12

Rritja e fluksit të emigrantëve gjatë kësaj periudhe ka sjellë edhe një shtim të ndjeshëm të trafikut në rrugët e qytetit, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në oraret e pikut.

Shef i Sektorit të Policisë Rrugore në Kukës ka bërë të ditur se, për të përballuar situatën, janë shtuar forcat e policisë në të gjitha kryqëzimet problematike të qytetit, me qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve.

“Është hartuar një plan masash ku janëe shtuar forcat e policisë në të gjitha kryqëzimet për rregullimin e trafikut”, tha Dritan Karaj, Shef i Sektorit të Policisë Rrugore, Kukës.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar se problematika kryesore që vazhdon të ndikojë negativisht në qarkullimin rrugor mbeten parkimet e gabuara.

Është organizuar puna duke bashkëpunuar edhe me bashkinë edhe me Policinë e Rendit. Janë marrë të gjitha masat , rrugët janë të lira“, tha Karaj.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin parkimet e gabuara, për të kontribuar në lehtësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore gjatë kësaj periudhe me fluks të shtuar lëvizjesh.

SHBA-të i refuzojnë vizën, një prej europianëve të ndaluar dërgon administratën e Trump në gjyq

By: A R
26 December 2025 at 09:04

Imran Ahmed, një shtetas britanik dhe drejtor i Qendrës për Kundërshtimin e Urrejtjes Digjitale (CCDH), ka paditur administratën e presidentit Donald Trump.

Ai e cilëson vendimin për t’i refuzuar hyrjen apo qëndrimin në SHBA si një masë “antikushtetuese”.

Padia është dorëzuar në gjykatën e Nju Jorkut dhe shënjestron zyrtarët e lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi.

Akuzat për censurë dhe rreziku i dëbimit

Sekretari Rubio ka ndërmarrë këtë masë ndaj pesë shtetasve europianë, mes të cilëve edhe ish-komisioneri i BE-së, Thierry Breton.

Ata akuzohen se kanë tentuar të detyrojnë platformat sociale amerikane të censurojnë mendimet që nuk u pëlqejnë.

Imran Ahmed, i cili njihet si një kritik i ashpër i Elon Musk, zotëron një “Green Card” (leje qëndrimi të përhershme) dhe e konsideron SHBA-të si shtëpinë e tij, ku jeton me bashkëshorten dhe vajzën amerikane.

Vendimi i përkohshëm i gjykatës

Edhe pse Ahmed rrezikon teknikisht arrestimin dhe dëbimin, një gjykatës distrikti ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje të përkohshëm.

Ky urdhër bllokon çdo veprim kundër tij deri në seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet të hënën.

“Në vend që t’i kaloja Krishtlindjet me familjen, po luftoj për të parandaluar dëbimin tim të paligjshëm“, u shpreh ai në deklaratën e tij.

Studimi, hyrja e Shqipërisë në SEPA kursen 71 milionë euro në vit

By: A R
26 December 2025 at 08:56

Anëtarësimi në SEPA pritet të kursejë më shumë se 71 milionë euro në vit në transfertat ndërkombëtare të kryera nga Shqipëria dhe drejt Shqipërisë.

Sipas një studimi nga ekspertë të German Economic Team, GET (ent konsulence i financuar nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë), reduktimi i kostove të transfertave ndërkombëtare do të arrijë në 62 milionë euro për pagesat e lidhura me tregtinë e jashtme dhe më shumë se 9 milionë euro për remitancat.

Studimi i ekspertëve të GET llogarit kursimin në kostot dypalëshe të transfertave, pra, jo vetëm ato të dërguesve ose marrësve në Shqipëri, por edhe të palës tjetër, jashtë Shqipërisë.

Studimi ka treguar se për vitin 2024 volumi i të gjitha transaksioneve të tregtisë së jashtme të Shqipërisë me vendet e zonës SEPA (duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që priten të anëtarësohen së bashku me Shqipërinë), arritën në 15.2 miliardë euro. Kosto e vlerësuar e komisioneve të transfertave ishte sa 0.44% e totalit të tyre, ose 67.1 milionë euro.

Me hyrjen në zonën SEPA, kjo kosto pritet të ulet në 0.03% e volumit të transaksioneve ose rreth 5 milionë euro.

Sipas vlerësimit të GET, nga diferenca potenciale prej 62.1 milionë eurosh, kursimi i palës shqiptare në transaksion është 29.2 milionë euro, ndërsa kursimi i palës jashtë Shqipërisë vlerësohet në 32.9 milionë euro.

Në segmentin e remitancave, studimi vlerëson se volumi i dërgesave nga vendet e zonës SEPA në vitin 2024 ishte 574.4 milionë euro. Kosto e vlerësuar e transaksionit ishte rreth 2.27% e volumit të tyre ose 13 milionë euro. Në skenarin e hyrjes në SEPA, pritet që kostoja e remitancave të ulet në 3.8 milionë euro. Kursimi i pritshëm i vlerësuar nga studimi është rreth 9.2 milionë euro.

Studimi është i mbështetur në vlerësimin e shifrave të vitit 2024, pa marrë parasysh rritjen e pritshme në volumet e tregtisë së jashtme apo të remitancave, që i bën kursimet potenciale nga SEPA edhe më të mëdha.

Përveç efektit direkt, studimi vë në dukje se implikimet e plota ekonomike afatgjata të përfshirjes së SEPA-s ka të ngjarë të shkojnë përtej një uljeje të kostove të pagesave ndërkufitare.

Bashkimi me SEPA-n do të ndikojë pozitivisht në marrjen e fondeve nga Plani i ri i Rritjes së BE-së në afat të mesëm, si edhe do të ndikojë pozitivisht në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE në afat të gjatë.

Bashkimi me SEPA-n mund të çojë në rritjen e konkurrencës në tregun vendas të pagesave, duke ulur edhe kostot e transfertave bankare vendase. Një ulje e kostove të transfertave bankare vendase mund të çojë në rritjen e pranimit të metodave të pagesave jo-cash, të cilat nga ana tjetër do të ulnin ndjeshëm kostot për pagesat me vlerë të vogël.

Një rritje e përdorimit ta pagesave në kanalet bankare, sidomos ato dixhitale, do të çonte në më shumë transparencë dhe një ulje të ekonomisë informale.

Gjithashtu, ulja e kostove të dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare do të çonte në një rritje të përdorimit të kanaleve formale./monitor.al

Analizë | Amerika, “luftë të ftohtë” ndaj Europës për teknologjinë

By: A R
26 December 2025 at 08:48

Nga përplasja e BE-së në epokën e komisionerit Mario Monti kundër Microsoft-it, i akuzuar për abuzim me pozicionin dominues, një debat që nisi në vitin 1998 dhe përfundoi me gjobën e parë të madhe transatlantike në 2004-ën, kemi kaluar në një “luftë të ftohtë” të mirëfilltë për teknologjinë e lartë, të nisur nga SHBA-të kundër Brukselit.

Kjo është një ofensivë e përbërë nga tarifa ndëshkuese dhe tani edhe nga ndalimi i personazheve, mbi të gjithë ish-komisioneri Thierry Breton. Ata akuzohen se janë mbrojtës të rregullave për mbrojtjen e përdoruesve digjitalë. Bëhet fjalë për ligjet – Digital Markets Act dhe Digital Service Act – të votuara vitin e kaluar me shumicë të madhe dhe të mbështetura nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Në epokën e Donald Trump-it dhe gjigantëve teknologjikë që e mbështesin atë, kemi kaluar papritur nga konfliktet mes Komisionit të BE-së dhe kompanive të Silicon Valley-t, te një sfidë e hapur nga qeveria amerikane. Kjo sfidë ka të bëjë me natyrën dhe kufijtë e lirisë së fjalës dhe sovranitetit digjital.

Europa, pasi hoqi dorë në korrik nga vendosja e një takse digjitale që nuk pëlqehej nga amerikanët për të shmangur tarifat e Trump-it, sot gjendet në një situatë të vështirë. Qeveria e SHBA-ve po i trajton zyrtarët dhe politikanët europianë si të ishin oligarkë rusë nën sanksione. Kjo e ka detyruar BE-në të deklarojë përmes një zëdhënësi se “sovraniteti rregullator i BE-së nuk është i negociueshëm”.

A dëshiron vërtet Uashingtoni, pasi ka akuzuar demokracitë europiane se janë joliberale, të detyrojë Europën të tërheqë ligjet e saj? Dhe si u arrit deri këtu?

Nga përplasja Monti-Microsoft te ligjet e kundërshtuara nga Trump-i

Për më shumë se një çerek shekulli, tensionet mes Brukselit dhe gjigantëve të Big Tech-ut kanë qenë një dukuri e zakonshme, ku qeveria amerikane nuk ndërhynte shumë. Kjo ndodhte edhe sepse që në fillim, në vitin 1998, hetimi i BE-së ndoqi një padi të ngjashme kundër Microsoft-it nga vetë Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve.

Pas Microsoft-it, në dekadën e dytë të shekullit XXI, radha i erdhi gjigantit të ri të internetit, Google-it. Ai u dënua tri herë me gjoba miliarda dollarësh për sjellje kundër konkurrencës: sepse detyroi kompanitë telefonike të instalonin sistemin Android në telefonat e tyre; sepse favorizoi platformat e veta në shërbimet e blerjeve dhe sepse bllokoi reklamat e konkurrentëve për të favorizuar rrjetin e tij, AdSense.

Me rregulloren GDPR për mbrojtjen e të dhënave, të votuar në 2016, Europa bëri një hap cilësor. Jo më vetëm treg dhe konkurrencë, por edhe privatësi dhe mbrojtje e të dhënave të qytetarëve. Ky sistem i ri i detyroi firmat e mëdha, pothuajse të gjitha amerikane, të rimendonin mënyrën se si mbledhin të dhënat e përdoruesve.

Me dy ligjet e reja të vitit 2024 (DMA dhe DSA) dhe gjobat e para për Apple-in (1.8 miliardë euro), Meta-n (797 milionë) dhe X-in (120 milionë), tensionet u kthyen papritur në një “zjarr” të madh.

Filozofi të ndryshme, tarifa dhe sulm ndaj sovranitetit të Europës

Reagimi shumë i ashpër amerikan mund të interpretohet në tri mënyra:

1.Shpërthimi i tensioneve që lidhen me ndryshimet mes SHBA-ve dhe Europës për mbrojtjen e qytetarëve dhe lirinë e bizneseve. Europa vendos në plan të parë liritë civile dhe mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa SHBA-të synojnë dinamizmin e biznesit dhe sigurinë kombëtare. Administrata Trump-it i sheh rregullat europiane si barriera që godasin kompanitë amerikane.

2.Trump-i po përdor rregullat digjitale për të luajtur lojën e tij të preferuar, atë të tarifave doganore. Në korrik, Brukseli u tërhoq nga taksa digjitale për të ulur tarifat e larta që Trump-i donte të vendoste ndaj BE-së. Por Ministri i Tregtisë, Howard Lutnick-u, i ka kërkuar BE-së të rishikojë rregullat digjitale në favor të kompanive amerikane, duke premtuar në këmbim një qëndrim më të butë të Uashingtonit për tarifat.

3.Presidenca Trump-it, në mandatin e dytë, po bëhet autoritare brenda vendit dhe imperiale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai po ushtron presion të vazhdueshëm mbi partnerët, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj Britanisë së Madhe dhe Koresë së Jugut. Uashingtoni duket se preferon aleatë që i binden si “feudalë”.

Fjalët e ashpra të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili dikur shihej si fytyra e moderuar e lëvizjes së Trump-it, përforcojnë këtë dyshim. Rubio-ja i quan ligjet europiane si “ndërhyrje të tepërta nga censurues të huaj”. Për të, kontrolli i përmbajtjeve në rrjet për të bllokuar shpifjet dhe urrejtjen është thjesht censurë.

Por në Amerikën e Trump-it, Vance-it dhe Elon Musk-ut, vlen vetëm linja radikale: “absolutizmi i lirisë së fjalës”. Nuk është rastësi që ky shpërthim i takon periudhës pas gjobës që BE-ja i vuri rrjetit X të Musk-ut. Musk-u, njeriu që vlen 750 miliardë dollarë, u mjaftua me një kërkesë të shkurtër: Shpërbërjen e Bashkimit Europian.

Shkrim nga Corriere della Sera

‘Gërdeci’, prova e SPAK për Shkëlzen Berishën/ Juristja: Të gjitha tentakulat të çojnë te familja Berisha

By: A R
26 December 2025 at 08:40

Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, deklaroi se SPAK po rivlerëson të gjitha provat e mëparshme lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.

Sipas saj, hetimet e reja synojnë të zbardhin përgjegjësitë reale të ngjarjes, pavarësisht zhdukjes së një pjese të provave, dhe të vendosin lidhjen shkak-pasojë mes aktorëve të përfshirë.

Gjikondi theksoi se, sipas bindjes së saj, fijet e çështjes çojnë te familja Berisha dhe se rastet “Gërdeci” dhe “Partizani” përfaqësojnë shembuj të ndikimit direkt ose indirekt të ish-kryeministrit Sali Berisha në pasurimin e familjarëve, duke i bërë thirrje SPAK-ut të tregojë kurajo dhe të identifikojë publikisht përgjegjësit.

“SPAK po rivlerëson të gjitha provat e mëparshme. Të mos harrojmë që kanë vdekur 26 persona të pafajshëm. Të gjitha tentakulat të çojnë te familja Berisha, të gjitha strukturat kanë qenë në funksion të Shkëlzen Berishës. Më në fund po merret guximi për t’i dhënë emër dhe mbiemër asaj tragjedie. Ne e dimë që shumë prova janë zhdukur, kamerat dhe sistemi i monitorimit. Prokuroi mendoj që do jetë i aftë të bëjë lidhjen shkak-pasojë.

Nuk ka qenë aksidentale vdekja e zotit Trebicka që ka qenë dëshmitar për “Gërdecin”. Berisha ka lidhje indirekte dhe ka dijeni me atë që ka ndodhur me fëmijët e tij. “Partizani” dhe “Gërdeci” janë dy raste flagrante që Berisha direkt apo indirekt ka ndikuar në pasurimin e familjarëve të tij, duke vënë në dispozicion shtetin për përfitime personale. SPAK duhet të ketë kurajon dhe t’u vërë emrin personazheve përgjegjës për këtë ngjarje”, tha Gjikondi.

SHBA sanksionon 5 evropianë kritikë të Big Tech, kreu i CCDH padit administratën Trump

By: A R
25 December 2025 at 23:02

Tensionet mbi rregullimin e platformave sociale kanë eskaluar në një përplasje të paprecedentë ligjore dhe diplomatice mes Shteteve të Bashkuara dhe zërave kritikë evropianë.

Imran Ahmed, shtetasi britanik dhe kreu i organizatës së njohur “Qendra për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale” (CCDH), ka dorëzuar një padi urgjente kundër administratës Trump në një gjykatë të Nju Jorkut. Veprimi vjen pasi Uashingtoni vendosi sanksione dhe ndaloi hyrjen në SHBA për të dhe katër figura të tjera të njohura evropiane.

Frika nga deportimi dhe akuzat për hakmarrje

Në padinë e dorëzuar, Ahmed pretendon se ai tani përballet me rrezikun e “arrestimit jokushtetues, paraburgimit ndëshkues dhe deportimit të menjëhershëm”. Dokumenti ligjor thekson se: “Qeveria federale e ka bërë të qartë se Ahmedi është subjekt i sanksioneve për shkak të punës së OJQ-së që ai themeloi”. Organizata e tij, CCDH, ka qenë një nga kritiket më të forta të politikave të moderimit të përmbajtjes në platformën X (ish-Twitter), që pas blerjes nga Elon Musk, duke denoncuar rritjen e gjuhës së urrejtjes.

Lista e zezë, nga OJQ-të te Thierry Breton

Lëvizja e administratës amerikane nuk është kufizuar vetëm tek Ahmed. Të martën, Departamenti i Shtetit sanksionoi edhe katër figura të tjera kyçe që luftojnë dezinformimin në Evropë:

Thierry Breton: Ish-Komisioneri Evropian për Çështjet Digjitale, arkitekti i ligjeve të ashpra të BE-së për rregullimin e internetit.

Clare Melford: Drejtuese e “Indeksit Global të Dezinformimit” (Britani).

Anna-Lena von Hodenberg & Josephine Ballon: Drejtuese të organizatës gjermane “HateAid”.

Ky veprim shihet si një sinjal i qartë i administratës së re amerikane kundër çdo përpjekjeje ndërkombëtare për të rregulluar apo censuruar platformat e mëdha teknologjike amerikane, nën argumentin e mbrojtjes së lirisë së fjalës.

“Trump firmosi ligjin si themel të politikës së jashtme të SHBA”, Alimehmeti: Preket edhe Shqipëria

By: A R
25 December 2025 at 22:52

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti ka deklaruar se Shqipëria preket drejtpërdrejt nga ligj i nënshkruar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili, sipas tij, përbën jo vetëm buxhetin e ushtrisë amerikane, por themelin e politikës së jashtme të SHBA-së, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Off the Record ai tha se ky dokument i vendos në një emërues të përbashkët çështje kyçe si korrupsioni, demokracia, media, krimi kibernetik dhe siguria, duke i konsideruar faktorë vendimtarë për stabilitetin rajonal.

“Një javë më parë zoti Trump ka nënshkruar një dokument, një ligj i cili është jo vetëm buxhet për ushtrinë amerikane, por në fakt është themeli i politikës së jashtme amerikane dhe për zonën tonë, për Ballkanin Perëndimor. Ai fut në një emërues të përbashkët këto. Fut korrupsionin, fut demokracinë, fut median, fut krimin kibernetik, i fut të gjitha një emërues të përbashkët që janë kyç për stabilitet në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Alimehmeti.

Alimehmeti ngriti disa pikëpyetje mbi rolin e Shqipërisë brenda NATO-s, nëse vendi është një hallkë e fortë apo e brishtë e aleancës. Sipas tij, infiltrimi i kriminalitetit në institucione dhe projekte strategjike përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe për marrëdhëniet me aleatët.

“Jemi në shkallë shumë më të rëndësishme dhe pyetja kyçe këtu mbetet. Duke parë të gjitha këto, është Shqipëria vendi i NATO-s me të vërtetë apo jo? Është Shqipëria hallkë mjaftueshëm e fortë në këtë zinxhirin e NATOS apo jo? Është e mundshme të infiltrohet Shqipëria nga nivele të ndryshme? Unë s’jam person që merret me sigurinë. Po kjo pyetje lind natyrshëm”, tha ai.

Ai paralajmëroi se kostoja për vendin do të jetë e lartë nëse problemet nuk adresohen, duke e krahasuar situatën me një sëmundje që kërkon ndërhyrje urgjente. Sipas tij, proceset politike dhe hetimet do të mbyllen, por ndërkohë Shqipëria do të paguajë çmimin e vonesave.

“Pra këtu paska njerëz që kanë certifikata sigurie të nivelit të lartë, se të merresh me tenderat e AKSHI-t do të thotë të kesh certifikata sigurie të nivelit të lartë, pikërisht që të tregosh që nuk je i kapur nga agjentë të huaj apo nga kriminaliteti. E nga krahu tjetër, shohim që është pikërisht kriminaliteti që i ka kapur. Pra këtu nuk ke më asnjë funksionim dhe do ribëhet nga fillimi. Sepse për karshi asaj aleance të nderuar ke detyrime dhe janë detyrime të rëndësishme, sepse gjithë këto gjëra, neve këtyre librave ja kemi lexuar faqen e parë dhe faqen e fundit. Ne e dimë si do shkojë kjo punë. E dimë si do shkojë çështja Balluku. E dimë si do shkojë çështja, i dimë të gjitha. Ndërkohë po shohim zhvillimin, po shohim shkrimin e kapitujve dhe po merremi me gjërat e parëndësishme. Janë të përfunduara të gjitha. Vite më parë ju kam thënë këtë çështja Veliaj është e mbyllur dhe u mbyll. Do mbyllet dhe çështja Balluku, njëjtë do mbyllet dhe çështja Rama. Të jeni të bindur. Thjesht ndërkohë neve do na shkaktojnë kosto. Pra është një sëmundje që kur ti pret shumë kohë për ta operuar, ajo të shkakton kosto në trup, por që duhet operuar, duhet operuar”, u shpreh Alimehmeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas Alimehmetit, Shqipëria nuk perceptohet më si një vend i sigurt dhe se krimi, përfshirë krimin politik dhe korrupsionin në nivele të larta, janë arsyet kryesore pse qytetarët largohen dhe pse shpresa bie.

“Nuk është as shtet i sigurt dhe këto janë arsyet kyçe pse njerëzit na ikin, pse shpresa bie tek ne. Këto janë arsyet kyçe. Nuk bie njeri se është klima, kush e di se çfarë ose kemi ndonjë luftë neve. Këto janë arsyet pse njerëzit ikën. Dhe ky vit ka qenë emblematik në këtë drejtim. Pra, shumë qartë u pa niveli i krimit, shumë qartë u pa niveli i krimit politik, pra i krimit me kollare. Mund ta quajmë dhe shumë qartë u pa niveli demokratik”, theksoi ai.

Moska ofertë surprizë për NATO-n: Gati për pakt mossulmimi

By: A R
25 December 2025 at 22:45

Dita e Krishtlindjeve ka sjellë zhvillime intensive në frontin diplomatik të luftës në Lindje. Ndërsa Moska ka hedhur në tryezë një ofertë të papritur për Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), tensionet verbale mes Kremlinit dhe Kievit kanë arritur kulmin personal.

Oferta ruse: Pakt ligjor mossulmimi

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, njoftoi se Rusia është e gatshme të nënshkruajë një “pakt të ndërsjellë mossulmimi” me vendet e NATO-s.

“Rusia është e gatshme t’i formalizojë këto angazhime në formën e një dokumenti të shkruar, ligjërisht të detyrueshëm,” theksoi Zakharova, duke shtuar se forma specifike mund të negociohet, por duhet të jetë një akt i plotë i së drejtës ndërkombëtare.

Bisedimet me të dërguarit amerikanë

Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar kontakte të nivelit të lartë me përfaqësuesit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump).

“Kemi diskutuar disa detaje të rëndësishme rreth punës në vazhdim. Ka disa ide të mira që mund të kontribuojnë në arritjen e një paqeje të qëndrueshme,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se planet e reja të paqes po marrin formë.

Përplasja e ashpër

Shpresat për negociata janë zbehur nga retorika e ashpër personale. Shkak u bë fjalimi i Krishtlindjeve i Zelenskyt, ku ai u shpreh se “të gjithë kanë një ëndërr, që të vdesi”, duke iu referuar hapur Vladimir Putinit.

Reagimi i Moskës ishte i menjëhershëm. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi këtë deklaratë si “vrazhdësi katastrofike”. “Zelensky duket të jetë gjithçka tjetër përveçse një person i përshtatshëm për paqe. Njeriu pyet veten nëse ai është i aftë të marrë vendime adekuate për një zgjidhje përmes mjeteve politike,” tha Peskov, duke sinjalizuar se Moska mund të refuzojë Zelenskyn si interlokutor në bisedimet e ardhshme.

Në këtë klimë të nderë, Vladimir Putin nuk ka harruar të dërgojë urimet e tij personale për Donald Trump, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë që Moska i jep marrëdhënies direkte me Uashingtonin.

“Turqia i fali një avion Edi Ramës”- Dash Shehi: Kjo nuk e zgjidh hallin e Shqipërisë

By: A R
25 December 2025 at 22:38

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, i ftuar në studion e “Off the Record” deklaroi se avioni që i fali Shqipërisë shteti turk “nuk i zgjidh hallet” e vendit.

“Sa herë këtu ambasadorët bëjnë një letër në favor të qeverisë, e bëjnë me dy qëllime. Shpeshherë që vendi të mos afektohet si me thënë nga e keqja, të ketë shpresë, të ketë besim për të ardhmen; shpeshherë sepse dhe ato vetë janë të përzier në raportet me qeverinë. Është një histori që ndodh me vendet e vogla. Rezultantja është që ne duhet të jemi në një linjë me to. Ndryshe, kemi shumë më pak hapësira. Pastaj, a do na mbështesin të huajt për këtë punë? Sidomos amerikanët. Varet dhe me raportin që është Amerika me Europën sot. Varet edhe me rolin që do të luajë Shqipëria në Ballkan, sepse këtu dhe në Ballkan operojnë edhe linja të tjera. Turqia, që siç e patë na fali një avion sot. Po pse, keq me fal avionin Edi Ramës jemi ne për Turqinë? Pse? Ç’është kjo? Kujt po i bëjmë peshqesh? Se mund të jetë ankuar ky, më shajnë thotë ato se harxhoj lekët. E gjitha kjo është që “tani s’keni ç’thoni se ky është avioni i shtetit”. Domethënë, shteti jonë u bë edhe me avion. Edi Rama ka për të hipur në avion. Kjo është e gjithë historia”, tha Shehi.

“Shiko ku kanë arritur raportet ndërkombëtare, interesat personale. Se edhe ai atje ka 20 vjet, por gjithsesi atë e ka zgjedhur populli i vet. Edhe ky këtu ka 12 vjet. Bëhesh mik, bëhesh edhe krushk. Por, kjo nuk e zgjidh hallin e Shqipërisë. Mirëpo, ato që i shohin këto lloj raportesh, të jeni të sigurt që nuk i shohin me kaq dashuri, se mund të na e kishin falur gjermanët ne avionin ose hollandezët… Të gjitha këto janë faktorë ndërkombëtarë. Ishalla kemi fuqi, ngrihemi këtë vit kundër një regjimi që i ka mbushur ditët dhe ishalla i kemi dhe ato në krah. Uroj në një farë mënyre që dhe këto zotëritë e SPAK-ut të bëjnë detyrën e vetme, nuk është nevoja të bëjnë heroin. I kanë ato letra atje, t’i kopsisin siç duhet për ta mbyllur”, shtoi Shehi.

Si të shpërbleu Trump?! Flet Bleona Qereti: Politikanët shqiptarë tremben, s’më telefonojnë

By: A R
25 December 2025 at 22:30

Bleona Qereti ka treguar disa detaje në “Top Story”, nga jeta e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka zbuluar se si bëri fushatën e saj në zgjedhjet presidenciale në SHBA, me shqiptarët që jetojnë atje.

Bleona Qereti ka rrëfyer ndër të tjera edhe marrëdhënien që ka sot me politikanët shqiptarë, por jo vetëm.

“Unë nuk mund të jem më krenare për këtë moment. Jemi një vend kaq i vogël, por që në momentin që nuk ke një forcë që të të ndihmojë, nuk ka kohë të të shohë njeri. Doja ta fusja Shqipërinë në administratën amerikane.
Shqipëria dhe shqiptarët duhet të besojnë tek Amerika si shtet, si koncept.

Shumë njerëz nuk më marrin në telefon sepse unë e kam vënë kufirin me kohë. Mua nuk më bie telefoni nga politikanë, nga meshkuj, nuk më bie telefoni. Kam dashur të jem e lirë, por kam kaluar nga ana tjetër. Duhet të të bie telefoni ndonjëherë”, tha Qereti.

Ekspertja gjermane për Ballkanin: Nuk mund të përjashtohet një bllokim i ri institucional në Kosovë

By: A R
25 December 2025 at 22:23

Kosova i drejtohet kutive të votimit për herë të dytë brenda këtij viti. Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass, bën thirrje për dialog mes partive politike dhe vë në dukje se Kosova ka pësuar dëme të konsiderueshme në reputacionin e saj ndërkombëtar gjatë këtij viti.

DW: Për herë të dytë brenda një viti, Kosova shkon në zgjedhje të reja. A mendoni se këto votime do të sjellin zhbllokimin e situatës në vend? Gjatë fushatës, partitë e tjera kanë ritheksuar se nuk do të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit…

Frauke Seebass: Gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Vetëvendosje shpreson për një shumicë aq të madhe sa të mund të qeverisë e vetme, ose “vetëm” me mbështetjen e pakicave, të cilave Kushtetuta u garanton një numër të caktuar vendesh. Kjo taktikë dështoi pas zgjedhjeve të shkurtit.

Në rast të një rezultati të ngushtë, VV mund të përpiqet të bindë deputetë individualë nga partitë e tjera për të mbështetur koalicionin. Aleanca parazgjedhore me partinë e vogël PSHDK (përveç listës Guxo dhe Alternativës) – partnerë tradicionalë të LDK-së – është tregues i kësaj qasjeje. Gjithashtu, ekziston mundësia që partitë opozitare të mobilizojnë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri pa VV-në, ndonëse gjasat për këtë janë të pakta. Nëse kemi një rezultat të ngjashëm me atë të shkurtit, një bllokim i ri nuk është i pamundur.

DW: Përse ky qëndrim kaq refuzues ndaj Albin Kurtit?

Frauke Seebass: Para së gjithash, kjo lidhet kryesisht me qëndrimin e tij të pakompromis, përmes të cilit ai u shpalli luftë “elitave të korruptuara” dhe, praktikisht, të gjitha partive të tjera. Para zgjedhjeve të shkurtit, VV synonte të rifitonte shumicën kushtetuese, ndërsa partitë e tjera të mëdha e pozicionuan veten fillimisht në opozitë me Albin Kurtin; kjo çoi në një atmosferë të helmuar mes tyre. Pas farsës që shoqëroi zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit – të cilën Kurti e interpretoi si pengesë të qëllimshme – nuk mbeti më hapësirë ​​për kompromis. Nëse Kurti nuk arrin të angazhohet në dialog me partitë e tjera, pritet një bllokim i mëtejshëm.

DW: Mungesa e vullnetit politik të partive në Kosovë solli këtë situatë zgjedhjesh të jashtëzakonshme, por Kosova nuk e ka pasur traditë një mungesë kaq të theksuar kompromisi. Si e shpjegoni këtë polarizim politik të përmasave të tilla?

Frauke Seebass: Vota për Vetëvendosjen në vitin 2021 ishte një votë proteste, pas rënies së koalicionit me LDK-në me ndihmën e SHBA-së. Ndërsa në atë koalicion VV ishte detyruar të bënte kompromis, më pas ajo u gjend në pozita për të qeverisur praktikisht e pakontestueshme për katër vjet. Fushata që çoi në zgjedhjet e shkurtit dhe muajt e bllokimit e helmuan atmosferën në parlament dhe në të gjithë vendin. Mbetet të shpresojmë që partitë të reflektojnë dhe t’i rikthehen përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

DW: Albin Kurti është përballur me mjaft kritika edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Nën një qeverisje të mundshme të Kurtit, si mund të sigurohet progres në dialogun me Serbinë, si kusht për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në BE?

Frauke Seebass: Për BE-në, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 mbetet thelbësor dhe Kosova duhet të tregojë përparim në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo është thelbësisht e lidhur me të gjithë ecurinë e Kosovës në integrimin euro-atlantik, që nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës e deri tek shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim në BE. Për shkak të situatës politike në Serbi, afrimi me BE-në aktualisht është shumë i vështirë, veçanërisht nën drejtimin e Kurtit, por me zbatimin e Asociacionit Kosova mund të bëjë përparim të konsiderueshëm, si në nivel të brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme.

DW: Deri më tani, Asociacioni duket i largët. A mund të konsiderohet ai arsyeja kryesore pse Kosova ka ngecur në integrimin drejt BE-së? Deri tani BE kishte sanksione në fuqi, ndërsa SHBA pezulloi dialogun strategjik.

Frauke Seebass: Masat dhe bllokadat drejtohen kundër Kurtit dhe politikave të tij të njëanshme, veçanërisht mungesës së konsultimeve dhe përshkallëzimit të situatës në komunat veriore. Në vend që të denoncojë trajtimin e pabarabartë krahasuar me Serbinë, qeveria duhet të kuptojë se ndodhet në pozicion defensiv dhe se nuk ka konsensus brenda BE-së. Masat janë ligjërisht në një zonë gri dhe kërkohet unanimitet për shfuqizimin e tyre, por shumë vende duan të shohin që Kosova të bëjë lëshime e para. Mund të hamendësohet se partnerët ndërkombëtarë do të ishin më të hapur ndaj një qeverie të drejtuar nga dikush tjetër përveç Kurtit.

DW: Por Kosova druhet se Asociacioni do të rrezikojë funksionalitetin e shtetit më të ri të Evropës. Sa real është ky rrezik, duke pasur parasysh se komunat serbe kërkojnë një lloj vetëqeverisjeje brenda Kosovës përmes këtij mekanizmi?

Frauke Seebass: Nuk e shoh më këtë rrezik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe propozimeve aktuale sipas Marrëveshjes së Ohrit. Përkundrazi, besoj se Asociacioni i Komunave është parakusht për integrimin e serbëve të Kosovës dhe demokratizimin e mëtejshëm, veçanërisht nëse pjesë e tij bëhen edhe komunat jugore. Ky integrim më i thellë mund të parandalojë gjithashtu propozime të reja për ndryshime territoriale (shkëmbim territoresh). Asociacioni i Komunave – i mbrojtur nga kushtetuta dhe me të drejtën e vetëmenaxhimit të sanksionuar në të – do të administronte vetë fusha të tilla si arsimi dhe planifikimi urban, por nuk do të mund të bllokonte vendimet kombëtare, siç ndodh, për shembull, në Republikën Srpska. Nga ana tjetër, ideja e Vetëvendosjes për të detyruar integrimin përmes reciprocitetit ka dështuar.

DW: Ndërkohë, Serbia dhe Kosova akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë mund të bëjë BE-ja për të siguruar që një marrëveshje, pasi të nënshkruhet, të zbatohet vërtet?

Frauke Seebass: BE-ja, në fakt, zotëron shumë leva për të nxitur progresin në zbatimin e marrëveshjeve, por mungon vullneti politik dhe, mbi të gjitha, uniteti. Prandaj, shoh më shumë potencial veprimi në një koalicion shtetesh që të marrin drejtimin dhe të ofrojnë stimuj – pozitivë dhe negativë. Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale në Serbi, kjo strategji do të ishte e vonuar me vite; nuk shoh gjasa që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet në vitet e ardhshme.

DW: Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë dhe i vetmi shtet ballkanik pa statusin kandidat për anëtarësim në BE. A ka qenë BE-ja shumë e ashpër me Kosovën, apo arsyet duhen kërkuar brenda politikave të qeverisë aktuale?

Frauke Seebass: Është një çështje komplekse, por, përmbledhtazi, ka të vërteta në të dyja anët. Për mua, pika e kthesës ishte viti 2018, kur shtetet anëtare të BE-së refuzuan liberalizimin e vizave për arsye të politikave të brendshme. Perceptimi në Kosovë ishte se ishin bërë shumë kompromise pa rezultate konkrete, dhe VV e shfrytëzoi këtë atmosferë. Nga ana tjetër, veprimet e njëanshme të Kurtit dhe bllokimi i muajve të fundit kanë luajtur një rol të madh në faktin që edhe partnerët tradicionalë të Kosovës janë ndjerë të cenuar; si pasojë, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar dëme të konsiderueshme.

Alimehmeti ‘ia bën të qartë’ kryetarit të tij: PD-së i duhet mbështetja e SHBA

By: A R
25 December 2025 at 22:10

Ilir Alimehmeti u shpreh të enjten në mbrëmje se demokracia lind nga zgjedhjet e ndershme, por sipas tij, në Shqipëri ky mekanizëm është i cenuar. Ai iu referua raporteve të OSBE/ODIHR, të cilat sipas tij dëshmojnë qartë se proceset zgjedhore nuk garantojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Kur një vend ndodhet mes autokracisë dhe diktaturës, vota nuk e rrëzon dot regjimin. Kjo s’ka ndodhur kurrë dot me votë të lirë, me votë, me votime. Sepse është shumë e qartë në sytë e të gjithëve që nëse ti je ndërmjet autokracisë dhe diktaturës, patjetër që largohet ai se e kupton këtu s’ka demokraci funksionale. Këtu vota nuk vlen për asnjë gjë se në fund fare ditës bën çfarë të dojë ky tjetri. Ky vend s’është demokraci. E në qoftë se nuk është demokraci, çfarë diskutojmë neve? Jo po e afrojmë votuesin, se afrojmë votuesin, po nuk është demokraci. Afroje votuesin sa të duash, por nuk e kapitalizon dot, nuk e mbron dot atë, sepse i kemi parë se çfarë ka ndodhur. Flasin raportet zyrtare për këtë. Nuk ka nevojë të themi ne më asgjë tjetër”, tha ai.

Duke përdorur analogjinë e një loje pa arbitër, ku fiton gjithmonë pala që shkel rregullat, Alimehmeti tha se, në mungesë të një arbitri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, demokracia mbetet formale. Për këtë arsye, ai theksoi domosdoshmërinë e mbështetjes perëndimore, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne po diskutojmë gjëra luksi, kur mungon baza, demokracia. Pa të, çdo debat tjetër është i kotë. Ndryshimi kërkon një aleancë të brendshme dhe të jashtme me një qëllim të përbashkët. Regjimi është i instaluar. Neve jemi shumë të qartë që ne flasim brenda këtij lloj regjimi dhe kjo kërkon absolutisht nevojën tonë, punën tonë. Ajo që u tregua dhe me datën 22 dhjetor. Pra që ka dëshirë që njerëzit e duan këtë lloj ndryshimi, por janë të pafuqishëm për ta bërë. Se përballë nuk ke një qeveri normale”, tha Alimehmeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për Bashkimin Europian, nuk mund të lejohet të mbetet një “hallkë e dobët” në zinxhirin e sigurisë perëndimore. Sipas tij, interesat gjeopolitike të Perëndimit janë që në Shqipëri të forcohet demokracia dhe shteti ligjor.

Sipas tij, opozita, me Partinë Demokratike si forca kryesore brenda vendit, duhet të shërbejë si lokomotivë e këtij ndryshimi, ndërsa partnerët ndërkombëtarë janë të qartë: SHBA dhe Bashkimi Europian.

“Shqiptarët janë ndër popujt më proamerikanë në Europë. Partnerët tanë nuk janë as Kina dhe as Rusia. Janë SHBA dhe BE,” theksoi ai.

Yesterday — 25 December 2025Main stream

Gjermania hartëzon vullkanët “e fjetur”, eksperimenti më i madh sizmologjik në vend

By: A R
25 December 2025 at 21:58

Një nga sistemet vullkanike më komplekse dhe më pak të njohura të Evropës është studiuar për herë të parë me detaje nën relievet e Eifelit, në Gjermaninë perëndimore. Zona përfshin qindra vullkane që sot duken të fjetur dhe i përkasin të ashtuquajturave “fusha vullkanike të shpërndara”, një formë vullkanizmi brenda pllakës tokësore, ende pak e studiuar por me rreziqe të mundshme.

Midis shtatorit 2022 dhe gushtit 2023, një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Qendra Helmholtz për Gjeoshkencat (GFZ) realizoi eksperimentin më të madh sizmologjik të zhvilluar ndonjëherë në Gjermani mbi vullkanet.

Studimi, i njohur si Eifel Large-N, përdori mbi 500 stacione sizmike të përkohshme dhe një teknologji inovative me fibër optike 64 kilometra, e cila lejon zbulimin e dridhjeve shumë të vogla nëntokësore.

Falë këtij rrjeti, shkencëtarët krijuan hartën më të detajuar deri më sot të sistemit magmatik që shkaktoi shpërthimin e madh të Liqenit Laach, rreth 13 mijë vjet më parë.

Kjo ngjarje shumë shpërthyese, që zgjati vetëm disa ditë, mbuloi zona të gjera të Evropës qendrore me hi dhe rrjedha piroklastike, duke lënë depozita qartë të dukshme pranë Mendig, në jug të liqenit.

Rezultatet tregojnë se rezervuari i magmës ndodhet deri në 10 kilometra thellësi, më poshtë dhe me orientim të pjerrët, ndryshe nga sa mendohej më parë.

Studimi zbuloi gjithashtu mbi 1 000 mikrotërmete në vetëm një vit, duke sugjeruar prani fluidesh të nxehta ose procese aktive në thellësi.

Rezultatet e eksperimentit Eifel Large-N janë botuar në revistat Seismica, Journal of Geophysical Research: Solid Earth dhe Geophysical Journal International dhe ndihmojnë në vlerësimin më të saktë të rrezikut vullkanik në të ardhmen.

“Jam kontaktuar nga 3 kombëtare europiane”/ Gianni de Biasi: Këshilla ime për Sylvinho për në “play off”

By: A R
25 December 2025 at 22:00

Ish trajneri i kombëtares, Gianni de Biasi thotë se është kontaktuar nga 3 kombëtare europiane.

Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, de Biasi u shpreh se do të ishte katastrofë nëse Italia nuk do ia dilte sërish të kualifikohej për në Botërorin 2026.

Ndër të tjera, de Biasi pati edhe një këshillë për trajnerin aktual të kuqezinjve, Sylvinho, lidhur me ndeshjet e play off.

Sokol Balla: Do ishit i hapur për një ofertë për të stërvitur një skuadër qoftë edhe klubesh apo një përfaqësuese?

Gianni de Biasi: Unë jam kontaktuar në mars për të marr një klub të madh në Serinë B në Itali, bëhej fjalë për Palermon, fituan dy ndeshjet e radhës dhe nuk më morën më. Më kërkuan të drejtoj Persepolis në Iran, por të shkosh në Iran është njëlloj si të rrezikosh kockat. Kam mundësinë për të bërë zgjedhje, nëse gjej opsionin që më pëlqen, që jam brenda me 100 % të projektit, por në aspektin fiktiv nuk është se jam i detyruar për të bërë një zgjedhje.

Sokol Balla: Je bërë pak tekanjoz..

Gianni de Biasi: Jo jo, nuk jam i vështirë, jam duke e thënë në një mënyrë pak alegorike, për të treguar si histori. Jam shumë më ndryshe, por në një moment të dytë, vjen dikush ma mbush mendjen me tregon dy tre gjëra, por nëse dicka ma mbush vërtetë zemrën unë shkoj. Ajo që më pëlqen është se kam një dëshirë të çmendur, një pasion të çmendur që të vijoj ta bëj.

Sokol Balla: Çfarë bën Giani De Biasi ndërsa pret telefonatën e artë për t’u rikthyer në futbollin aktiv?

Po kam marrë 3 telefonata në tre javë nga tre kombëtare. Shpresoj që me njërën prej tyre uroj shumë të arrij të konkretizoj diçka. Njëra është shumë e mirë, dy të tjerat janë realitete diskrete.

Europiane, apo ..?

Europiane.

Sokol Balla: Qenka interesante, edhe pse do doja që Italia të skualifikohej se besoj skuadrat ju marrin ju në telefon kur janë në momentin e tyre më të vështirë. Aty vjen De Biasi dhe i shpëton.

Gianni de Biasi: Unë uroj që Italia të shkojë në Botëror, jam italian, jam edhe shqiptar. Por besoj se Italia duhet ta meritojë, edhe nëse nuk shkon është gjithmonë faji jonë.

Sokol Balla: Tre herë rresht do të ishte ..

Gianni de Biasi: Do ishte katastrofë.

Sokol Balla: Me çfarë merreni në kohën tuaj, përvec faktit që duket se mbaheni në formë optimale fizike.

Gianni de Biasi: Në verë shkoj me biçikletë në shtëpinë time që kam në Siçili, kam bërë tre muaj pushime. Gjatë sezonit ndjek fubollin, dhe më pas i dedikohem më shumë dashurive të mia, familjes etj.

Sokol Balla: Ndërkohë vini shumë shpesh në Shqipëri.

Gianni de Biasi: Më ftojnë dhe unë vij. Kur janë evente të tilla si kjo e galasë së futbollit, është gjithmonë kënaqësi. Unë kam shumë miq në Shqipëri, keni një kuzhinë që më pëlqen shumë dhe ndihem mirë.

Sokol Balla: Ka ndonjë projekt në Shqipëri?

Gianni de Biasi: Jo, kam shumë investime imobliare nëpër Europë, ishte diçka interesante për të bërë diçka interesante vite më parë, kur isha këtu trajner por nuk rrezikova. Kam shumë opsione nëpër Europë.

Sokol Balla: Pas asaj që ndodhi në 2016, nisi si një dritare e atyre ditëve dhe përfundoi një libër, që unë e quajta loja që ndryshoi Shqipëri. Ke qenë në përurimin e atij libir. Është gjithmonë dilema, e ndryshoi futbolli Shqipërinë apo ndryshimi i Shqipërisë u shfaq edhe në futboll. Ju çfarë mendoni? Sa realisht e ndryshoi futbolli Shqipërinë?

Gianni de Biasi: Unë mendoj se futbolli i ka dhënë një dorë të madhe Shqipërisë. Në këto terma thelbësore, vetëm fakti për të parë një grup djemsh që nisën një rrugë të gjatë, me  dëshirën, angazhimin dhe impenjim, arritën një objektiv të pabesuar nga shumë njerëz. Por duke punuar shumë me anën  psikologjike, u bindëm dhe bindëm veten që mund t’ia dilnim dhe këtë e përcollëm te të gjithë shqiptarët. Dhe më pas gjëja që pash më pas, nuk është që ne e bëmë këtë më parë dhe ndodhën më pas zhvillimet në Shqipëri. Kur erdha në 2012, rrugët ishin problematike, ndërkaq vjen pas shumë vitesh në Shqipëri dhe sheh një ndryshim radikal, të rrugëve, infrastrukturës, të imazhit. Shqipëria ka bërë hapa gjigandësh, është një interlokutor shumë i rëndësishëm edhe në nivelin ndërkombëtar, për gjitha raportet me vende të ndryshme. Fillimisht me Italinë, por edhe me komunitetin europian.

Sokol Balla: Në fakt lojtarët që luajnë në Serie A, nuk quhen ekstrakomunitarë, pra lojtarët shqiptarë quhen lojtarë komunitarë dhe falë një pasaporte shqiptare, që mori Zhegrova ai sot luan te Juventus dhe kjo është shenjë e progresit. Ndjen dicka që ndoshta mund ta kishe bërë më mirë?

Gianni de Biasi: Unë mendoj që gjithmonë mund të bëhet më mirë, por në momente të vecanta duhet edhe të kënaqesh me atë që ke arritur në jetë. Sepse nëse përballesh me trishtimin nuk shkon mirë. Ajo që bëmë ne ishte dicka e jashtëzakonshme, por mund të bënim edhe dicka më shumë, por nuk duhet që të mos kënaqemi me këtë që kemi arritur.

Sokol Balla: Për ta mbyllur, një këshillë për Sylvinho për ato dy ndeshje të marsit

Gianni de Biasi: Luaj siç luajte me Serbinë dhe mos e vrit mendjen fare, luaj siç luajte me Serbinë!

Kremlini thyen heshtjen për studiuesin francez të burgosur: I kemi bërë ofertë Parisit, topi është në fushën e tyre

By: A R
25 December 2025 at 21:40

Rusia ka konfirmuar zyrtarisht se është në bisedime me autoritetet franceze për fatin e Laurent Vinatier, studiuesit francez që po vuan dënimin në një burg rus dhe që rrezikon akuza të reja të rënda.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të enjten se Moska i ka paraqitur një propozim palës franceze. “Ne u kemi bërë një ofertë francezëve. Topi tani është në fushën e Francës,” tha Peskov për gazetarët, duke refuzuar të japë detaje specifike mbi natyrën e ofertës, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme franceze nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë zhvillim të ri.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Presidenti Vladimir Putin u pyet drejtpërdrejt për rastin nga një gazetar francez gjatë konferencës vjetore për shtyp më 19 dhjetor. Edhe pse Putin deklaroi se nuk kishte dijeni për rastin, ai premtoi se do ta hetonte atë.

Laurent Vinatier, këshilltar i organizatës zvicerane “Qendra për Dialog Humanitar”, u arrestua në qershor 2024 në Moskë. Ai u dënua fillimisht me tre vjet burg në tetor 2024, nën akuzën se nuk ishte regjistruar si “agjent i huaj” ndërkohë që mblidhte informacione mbi aktivitetet ushtarake ruse.

Megjithatë, situata e tij ligjore është rënduar ndjeshëm. Në gusht 2025, agjencia shtetërore ruse TASS raportoi se ndaj tij janë ngritur edhe akuza për spiunazh, një vepër penale që në Rusi dënohet me 10 deri në 20 vjet burg.

Rasti i Vinatier po zhvillohet në një sfond të tensionuar të marrëdhënieve Moskë-Paris, veçanërisht pas deklaratave të Presidentit Macron mbi luftën në Ukrainë.

Ministria e Jashtme franceze e ka cilësuar dënimin e studiuesit si “jashtëzakonisht të rëndë” dhe ka kërkuar lirimin e tij, duke kritikuar ligjin rus për “agjentët e huaj” si një mjet për të shtypur liritë themelore.

Vitet e fundit, Moska ka përdorur shpesh arrestimet e shtetasve perëndimorë si “monedhë shkëmbimi” për të liruar agjentë apo të dënuar rusë në Perëndim, siç ishte rasti i shkëmbimit masiv të të burgosurve në gusht 2024.

❌
❌