Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Main stream

“Kushtetuesja” nuk mori dot vendim për Ballukun, ja si votuan 8 gjyqtarët

By: e xh
6 February 2026 at 23:18

Pas një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.

Votat janë ndarë katër pro dhe katër kundër, duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi 5 me 3, dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Kundër ankimimit të Ramës votuan:

Asim Vokshi

Marsida Xhaferllari

Ilir Toska

Sander Beci

Ndërsa pro ankimimit të Ramës votuan:

Fjona Papajorgji

Marjana Semini

Gent Ibrahimi

Sonila Bejtja

Vendimi/ Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

By: e xh
6 February 2026 at 23:12

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Njoftim i Gjykatës Kushtetuese

NJOFTIM VENDIMMARRIEJE/ Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegji personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojtë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushteti ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetëve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imunitetëve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyq edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetave, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Yesterday — 6 February 2026Main stream

Gjykata Kushtetuese nuk vendos për rastin “Balluku”, rrëzohet ankimimi i Ramës

By: e xh
6 February 2026 at 21:49

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Gjykata Kushtetuese nuk mundi të plotësonte numrin e votave të nevojshme për të vendosur mbi ankimin e kryeministrit. Kësisoj, ndarja e votave 4 me 4 do të thotë rrëzim i ankimit për shkak se nuk arrihet shumica vendimmarrese dhe Belinda Balluku pezullohet nga detyra.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku, por Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

Çështja “Balluku” në “Kushtetuese”, Berisha: Vendimi do të jetë me 5 vota pro

By: e xh
6 February 2026 at 20:06

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot nga Foltorja me demokratët e degëve 8 dhe 10, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun po diktohet politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Rama ka urdhëruar që vendimi sonte të merret me 5 vota pro, me qëllim mbrojtjen e Ballukut dhe, sipas Berishës, mbrojtjen e “karriges së pushtetit” të vetë kryeministrit.

BerishaNë një kohë, në të cilën sot, në këtë moment që jemi të mbledhur, organizata kriminale e Edi Ramës ka urdhëruar gjykatësit të votojnë në mbrojtje të Lubi Ballukut.

Sot, në momentin që mblidhemi këtu, organizata kriminale voton kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar.
Voton që një grup hajdutësh, të cilin nuk e ka pasur kurrë në histori Shqipëria, i cili ka vjedhur miliarda e miliarda, të vazhdojë të vjedhë miliarda të tjerë.

Voton, të dashur miq, në një moment kur realisht ky vendim mund të këpusë çdo urë lidhje. Mund të bëjë zero të gjithë përpjekjet tona 35-vjeçare për t’u integruar në BE. Votojnë për të kuptuar shkallën e tyre.

Votojnë pasi kanë marrë mesazhin se kjo çështje është një çështje themelore për ne, për ata, për Brukselin dhe kjo mund të na detyrojë të zhbëjmë nga e para procesin e integrimit të Shqipërisë.

Një paralajmërim që nuk është dëgjuar kurrë më parë. Asnjëherë nuk kisha dëgjuar, as ata që e komentojnë këtë paralajmërim.

Me gjithë këtë, ne që jemi këtu, dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, Edi Rama për të mbrojtur krimet e tij urdhëron, dhe me pesë vota vendos që të mbrojë me çdo kusht karrigen e tij, të mbrojë veten nga vjedhjet sepse Lubia është vetëm emri fiktiv, aferat janë të Ramës mbi të gjitha dhe të asaj pastaj.

Messi rikthehet në Barcelonë për të ardhmen e klubit

By: e xh
6 February 2026 at 20:01

Barcelona do të hyjë në fushatën zgjedhore brenda pak ditësh, përpara zgjedhjeve që do të mbahen më 15 mars.  Joan Laporta do të japë dorëheqjen javën tjetër për të kandiduar për rizgjedhje, në të cilat ai është padyshim favoriti.

Leo Messi mund të ketë një ndikim të madh në të gjithë këtë process, shkruan Marca. Deri më tani, janë tre kandidatë paraprak që kanë shprehur qëllimin e tyre për të kandiduar, Victor Font (rivali kryesor i Laportës, i cili përfundoi i dyti në zgjedhjet e mëparshme), Xavi Vilajoana dhe Marc Ciria.

Disa ditë më parë, ish-lojtari i Barcelonës bëri një paraqitje të papritur në Spotify Camp Nou për të parë rimodelimin e stadiumit. Fotot që ai vetë postoi në rrjetet sociale patën një ndikim të madh dhe ngritën debatin rreth rolit që do të luajë argjentinasi në këto zgjedhje.

Messi synon të kthehet në klub në të ardhmen , siç e ka thënë në disa intervista. Ky është plani i tij i ardhshëm, megjithëse për momentin nuk është shumë e qartë se në çfarë cilësie do të kthehet. Ai është plotësisht i përkushtuar për t’u rikthyer, por kjo nuk do të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenlandë

By: e xh
6 February 2026 at 19:52

Franca ka hapur një konsullatë në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, duke forcuar praninë e saj diplomatike në Arktik dhe duke mbajtur premtimin e bërë nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në ishull qershorin e kaluar.

Duke vepruar kështu, Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë, përpara partnerëve të saj në bllokun me 27 anëtarë.

Megjithatë, Brukseli është tashmë i përfaqësuar në ishull, pas hapjes së një zyre të Komisionit Evropian në vitin 2024.

Jean-Noël Poirier, ish-ambasadori francez në Vietnam, e mori detyrën me mbërritjen në Nuuk, ku do të përfaqësojë Francën në këtë territor gjysmë-autonom danez me rreth 56,000 banorë.

Deri më tani, shtetasit francezë që jetonin në Grenlandë mbështeteshin në një marrëveshje të kufizuar konsullore.

Një konsulle nderi, Kristine Winberg, merrej me procedurat themelore administrative dhe asistencën konsullore në emër të ambasadës franceze në Danimarkë.

Roli i saj përfshinte lëshimin e dokumenteve të identitetit, ofrimin e mbështetjes në rastet e çështjeve ligjore ose vdekjeve, dhe veprimin si një lidhje me komunitetin e vogël francez, sipas transmetuesit francez BFM TV.

Një burim diplomatik tha se vetëm “tetë qytetarë francezë janë të regjistruar në Nuuk, por ndoshta rreth 30 jetojnë në Grenlandë”.

Megjithatë, pavarësisht madhësisë së vogël të popullsisë franceze në ishull, konsullata e re do të ketë përgjegjësi të zgjeruara.

Përveç ofrimit të mbështetjes administrative për shtetasit francezë, do të punohet “për të thelluar projektet ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar njëkohësisht lidhjet politike me autoritetet lokale”, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e jashtme.

Parisi thotë se qëllimi është të forcohen lidhjet midis Grenlandës, Francës dhe BE-së në një rajon që është bërë burim mosmarrëveshjesh të konsiderueshme midis Evropës dhe SHBA-së, mes kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e territorit që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Norvegjia do të hetojë zbulimet e dosjes Epstein

By: e xh
6 February 2026 at 19:49

Norvegjia duket se do të nisë një hetim ndaj ministrisë së saj të jashtme për lidhjet me ish-sulmuesin seksual amerikan Jeffrey Epstein, një nga disa vendet evropiane që ndjeu presionin nga një skandal që ende nuk ka shkaktuar pasoja të mëdha politike në SHBA.

Publikimi i një sasie të madhe dosjesh të reja javën e kaluar ka zbuluar një mori lidhjesh të reja të Epstein me politikanë, anëtarë të familjes mbretërore dhe ultra të pasur.

E ardhmja e kryeministrit britanik Keir Starmer po duket gjithnjë e më e pasigurt për shkak të vendimit të tij të vitit të kaluar për të emëruar Peter Mandelson, i cili kishte një miqësi të ngushtë me Epstein, si ambasador në Uashington.

Vëllai i mbretit, Andreë Mountbatten-Ëindsor, ishte detyruar të hiqte dorë nga titulli i tij mbretëror dhe rezidenca luksoze, dhe tani po rritet presioni mbi të për të dëshmuar në SHBA.

Në Sllovaki, këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit Robert Fico ka dhënë dorëheqjen pasi u zbuluan email-e në të cilat ai diskutonte për gra të reja me Epstein. Dhe ish-ministri francez i kulturës, Jack Lang, po i kërkohet të japë dorëheqjen si president i Institutit të Botës Arabe.

Figura publike, përfshirë Princeshën e Kurorës Mette-Marit dhe ish-kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Thorbjoern Jagland, janë të gjitha nën shqyrtim të ri. Kështu janë edhe ish-ministri i Jashtëm Boerge Brende tani udhëheqës i Forumit Ekonomik Botëror Mona Juul, ambasadore në Jordani dhe Irak; dhe bashkëshorti i saj Terje Roed-Larsen.

Të premten, Mette-Marit kërkoi përsëri falje në një deklaratë të lëshuar nga pallati, veçanërisht drejtuar mbretit dhe mbretëreshës, për lidhjet e saj me Epstein. Dosjet e fundit amerikane treguan korrespondencë të gjerë me email me të edhe pasi ai u shpall fajtor për krime seksuale me fëmijë në vitin 2008.

Jagland është gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit. Juul dhe Roed-Larsen ndihmuan në krijimin e kanalit sekret për kontaktet midis Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe qeverisë izraelite që çoi në Marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995.

Të gjithë dihej se kishin lidhje me Epsteinin, por dosjet e reja kanë ofruar shumë më tepër detaje. Mediat norvegjeze raportuan se shumica e partive në parlamentin e Norvegjisë duket se janë të gatshme të mbështesin një hetim të pavarur për Ministrinë e Jashtme. Megjithatë, e përditshmja VG tha se Kryeministri Jonas Gahr Stoere do të preferonte që parlamenti të kryente hetimin.

Njësia e policisë së krimit ekonomik të Norvegjisë tha të enjten se po hetonte Jaglandin nën dyshimin për korrupsion të rënduar. Avokati i Jaglandit tha se klienti i tij ishte i bindur se do të demonstronte pafajësinë e tij dhe do të bashkëpunonte.

Ministria e jashtme tha se do të kërkojë të heqë imunitetin diplomatik që gëzon Jagland, si kreu i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019, për t’i lejuar policisë të hetojë.

Këshilli i Evropës tha se kishte kryer një hetim të brendshëm në dhjetor dhe janar, i nxitur nga dosjet e Epstein të publikuara në nëntor, dhe se “veprimet e mëtejshme do të vendosen sipas nevojës”.

Juul nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment të dërguara ministrisë, e cila e ka pezulluar atë ndërsa ajo po merret me një hetim të brendshëm.

Avokati i Roed-Larsen tha se klienti i tij nuk dyshohej për ndonjë vepër penale dhe ishte i gatshëm të bashkëpunonte plotësisht me autoritetet. Ai tha se Roed-Larsen, 78 vjeç, ishte në rehabilitim pas një goditjeje në tru dhe kishte vështirësi në të folur dhe shkruar.

Brende ka thënë se nuk ishte në dijeni të së kaluarës dhe aktiviteteve kriminale të Epsteinit përpara se ta takonte për herë të parë në vitin 2018 dhe se i vjen keq që nuk e ka hetuar më me hollësi.

Mette-Marit, 52 vjeç, vuan nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe pallati tha se ajo aktualisht nuk ishte në gjendje të shprehej aq gjatë sa do të dëshironte.

Familja mbretërore e Norvegjisë po përballet tashmë me disa sfida. Marius, djali i Mette-Marit nga një marrëdhënie para martesës së saj me Princin e Kurorës Haakon, është aktualisht në gjyq për përdhunim dhe dhunë në familje./Reuters

Sula kryeinspektor, Noka: Nga “o gjel deti pusho”, në “o gjel deti këndo”

By: e xh
6 February 2026 at 19:22

Pas emërimit të Dashnor Sulës si kryeinspektor i Përgjithshëm, vjen reagimi i parë nga PD.

Përmes një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka e ka sulmuar Sulën duke thënë se është shpërblyer nga Edi Rama pasi ka bërë opozitën e opozitës.

“Nga “o gjel deti pusho” në “o gjel deti këndo”. Shembulli sesi Edi Rama i shpërblen ata që i bëjnë opozitë-opozitës”, shkruan Noka krahas një video të marrë nga një seancë kuvendi kur Sula ishte deputet, teksa Edi Rama i drejtohet duke i thënë “pusho o gjel deti”.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Qeveria propozon ish-ministrin

By: e xh
6 February 2026 at 18:04

Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit dy anëtarët për këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Dy emrat janë ish-ministri i financave Ervin Mete dhe Jonida Prifti.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në njoftimin zyrtar.

3 ditë në kërkim të bariut, dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit Vjosë

By: e xh
6 February 2026 at 17:42

Që prej datës 3 shkurt , fati i bariut Ylli Dine, 65 vjeç, mbetet i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.

Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, të cilët prej ditësh jetojnë mes ankthit dhe shpresës. Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

Në operacion janë angazhuar palombarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.

Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji.

Kërkoi përjashtimin e gjyqtares paraprake Etleva Deda, rrëzohet kërkesa e Veliajt

By: e xh
6 February 2026 at 17:40

Rrëzohet kërkesa e Erion Veliaj për përjashtimin e gjyqtares paraprake Etleva Deda.

Seanca e fundit paraprake për kryebashkiakun Veliaj u shoqërua me debate të forta, teksa ky i fundit u largua në mënyrë demonstrative nga seanca, pasi pretendoi se gjykata nuk po e dëgjonte.

Për këtë arsye, Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, pasi sipas tij ajo i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht.

Qeveria rrit pagat e administratës, kategoritë që përfitojnë

By: e xh
6 February 2026 at 17:06

Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave të administratës me 2.5%. Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Nga vendimi për indeksimin e pagave përfitojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët.

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS  SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.
  2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
  3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të                 nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
  2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
  3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

SHBA akuzon Kinën: Zhvilloi fshehurazi një test bërthamor, duhet traktat i ri

By: e xh
6 February 2026 at 16:30

Shtetet e Bashkuara akuzuan Pekinin të premten se ka kryer fshehurazi një test bërthamor në vitin 2020, ndërsa bënë thirrje për një traktat të ri dhe më të gjerë për kontrollin e armëve, i cili do të përfshinte Kinën si dhe Rusinë.

Akuzat, të bëra gjatë një konference globale për çarmatimin, nxorën në pah tensione serioze mes Uashingtonit dhe Pekinit në një moment kyç për kontrollin e armëve bërthamore, vetëm një ditë pasi skadoi traktati që kufizonte numrin e raketave dhe kokave-bërthamore amerikane dhe ruse.

“Mund të zbuloj se qeveria e SHBA-së është në dijeni që Kina ka kryer teste bërthamore shpërthyese, përfshirë përgatitje për teste me fuqi të përcaktuara në qindra tonë,” tha zv.sekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas Di Nanno, në Konferencën për Çarmatimin në Gjenevë.

Ai tha se ushtria kineze “është përpjekur t’i fshehë testet pasi e di se ato shkelin angazhimet për ndalimin e testeve.”

Sipas tij, Kina ka përdorur metodën e quajtur “decoupling”, një teknikë për të ulur efektivitetin e monitorimit sizmik, me qëllim fshehjen e aktiviteteve nga komuniteti ndërkombëtar.

Përplasje Greqi-Turqi, rriten tensionet në prag të takimit Mitsotakis–Erdogan

By: e xh
6 February 2026 at 15:24

Në pragun e një takimit të rëndësishëm mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, tensionet mes Greqisë dhe Turqisë janë rritur sërish.

Dy vendet, aleate në NATO, pritet të përballen në Ankara në kuadër të mbledhjes së “Këshillit Suprem të Bashkëpunimit Greqi-Turqi”, i cili nis punimet të hënën. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Erdogan dhe Mitsotakis do të jenë të pranishëm në takim, me mundësinë edhe të një takimi dypalësh të veçantë.

Ky mekanizëm bashkëpunimi u krijua në vitin 2010, pas një periudhe tensionesh në Mesdheun Lindor, me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe turizmit. Megjithatë, rezultatet konkrete kanë qenë të kufizuara dhe këshilli është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, hera e fundit në dhjetor 2023 në Athinë.

Sakaq, mosmarrëveshjet në Detin Egje kanë nxjerrë krye sërish. Një pikë e re debati është përdorimi nga Turqia i sistemit të navigimit detar Navtex, për të lëshuar paralajmërime lidhur me aktivitetet ushtarake greke. Athina e sheh këtë si një përpjekje të paligjshme për të zgjeruar ndikimin turk në Egje, ndërsa media greke e ka cilësuar si “provokim të ri”. Nga ana tjetër, Ankaraja e konsideron një veprim rutinë dhe në përputhje me ligjin.

Këto zhvillime duket se po shtojnë presionin politik mbi qeverinë greke, veçanërisht nga forcat nacionaliste të djathta, të cilat akuzojnë Turqinë për shkelje të hapura të sovranitetit grek në Detin Egje.

Prej dekadash, dy vendet janë në konflikt për çështje si shelfi kontinental, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe zgjerimi i ujërave territoriale.

Trump publikon videon, Barack Obama dhe Michelle Obama si majmunë

By: e xh
6 February 2026 at 15:08

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkaktuar reagime të forta pasi publikoi në platformën e tij Truth Social një video ku ish-presidenti Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama shfaqen si majmunë.

Videoja, e shpërndarë fillimisht nga një llogari pro-Trump në X, lidhet me akuzat e Trump për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020..

Në pamjet e krijuara me inteligjencë artificiale, fytyrat e Obamës dhe bashkëshotes së tij janë montuar mbi trupat e majmunëve, të shoqëruara nga kënga “The Lion Sleeps Tonight”. Postimi ka shkaktuar reagime të shumta, me akuza për racizëm dhe gjuhë fyese.

Zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi ashpër duke e quajtur veprimin “sjellje të neveritshme nga Presidenti” dhe duke kërkuar që çdo republikan ta dënojë publikisht këtë akt.

Lavrov akuzon Zelenskyn për atentatin ndaj gjeneralit:Përpjekje për të penguar paqen

By: e xh
6 February 2026 at 14:04

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se qëndron prapa atentatit ndaj gjeneralit të lartë rus, Vladimir Alekseyev.

Duke folur në një takim me ministrin e jashtëm të Zvicrës, Lavrov kjo është një përpjekje e qëllimshme nga Ukraina për të penguar bisedimet e paqes.

“Ky sulm terrorist konfirmoi edhe një herë vendosmërinë e regjimit të Zelenskyt për të provokuar vazhdimisht me qëllim prishjen e procesit të negociatave, dhe regjimi është i gatshëm të bëjë gjithçka për të bindur sponsorët e tij perëndimorë që të mos i lëshojnë pe Shteteve të Bashkuara, në përpjekjen e Kievit për t’i penguar ata të arrijnë një zgjidhje të drejtë.”, deklaroi kryediplomati rus.

Berisha: Kërkonin faturat e makinës që kishte blerë Noka, doli firma e Lul Bashës

By: e xh
6 February 2026 at 13:37

Në një konferencë për mediat, lideri i Partisë Demokratike u shpreh se Edi Rama ka krijuar një grup mercenarësh për të goditur opozitën.

Ai u shpreh se ata kontrolluan një kompani për të marrë faturat e makinës që kishte blerë Flamur Noka dhe në fund doli që firma e vendosur ishte ajo e Lulzim Bashës.

“Kurse Edi Rama për të ndërsyer një grup mercenarësh kundër opozitës, u vuri atyre rrogat më të larta në Europë, rroga që nuk ekzistojnë, në vendin me rrogat më të ulëta të tjera, në Europë.

I bëri ata mercenarë të superpaguar për të gjuajtur opozitën.

Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani është kontrolluar para pak ditësh dy herë.

Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj.

Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke.

As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën.

Por kjo është ngjarje reale, taze. Ja tha ku e ke firmën, e ka blerë Lul Basha këtë veturë, merre dosjen. Jo i tha, nuk më duhet për Lulin”, tha Berisha.

Qeveria miraton Amnistinë Penale, 447 persona lirohen menjëherë nga burgu

By: e xh
6 February 2026 at 13:28

Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë thotë më tej në deklaratën e tij se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi.  Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

Reshje shiu edhe në Durrës, përmbyten disa rrugë të qytetit

By: e xh
6 February 2026 at 13:24

Një rrebesh shiu dhe reshje me intensitet të ulët e mesatar gjatë ditës së premte kanë mjaftuar për të përmbytur disa nga rrugët e Durrësit.

Ndërkaq shkarja e sasive të konsiderueshme të dherave nga kodra në zonën e Currilave kanë shkaktuar bllokim të njërit aks të lëvizjes.

Reshjet e dendura të shiut kanë prekur dhe qytete të tjera në vend.

Shpërthim në një xhami në Pakistan, 31 të vdekur dhe 169 të plagosur

By: e xh
6 February 2026 at 13:23

31 vetë janë vrarë në një shpërthim në një xhami shiite gjatë lutjeve të së premtes në kryeqytetin pakistanez, Islamabad.

Shpërthimi në xhaminë në zonën Tarlai të qytetit ka shkaktuar shpalljen e gjendjes së emergjencës në tre spitale, ndërsa një zyrtar i qeverisë tha se mbi 169 njerëz janë plagosur. Pritet që shifrat të rriten.

Ekipet e shpëtimit dhe të plagosurit përshkruan një skenë tronditëse, me trupa të pajetë dhe të lënduar të shtrirë mbi dyshemenë e shtruar me qilima të xhamisë.

Dyshohet se shpërthimi mund të jetë kryer nga një terrorist. Dyshimet ka gjasa të bien mbi militantë si talebanët pakistanezë ose grupi i Shtetit Islamik, i cili është fajësuar për sulme të mëparshme ndaj besimtarëve shiitë. Militantët shpesh synojnë forcat e sigurisë dhe qytetarët në të gjithë Pakistanin.

Ngjarja është dënuar me forcë nga Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari. Ai tha se “të sulmosh qytetarë të pafajshëm është një krim kundër njerëzimit”. Presidenti shtoi se e gjithë kombi qëndron krah familjeve të prekura.

Edhe pse sulmet nuk janë shumë të shpeshta në Islamabad, Pakistani ka përjetuar një rritje të dhunës militante muajt e fundit, kryesisht të atribuuara ndaj grupit aleat të talibanëve të Afganistanit, Tehrik-e-Taliban Pakistan. Një degë rajonale e grupit të Shtetit Islamik ka qenë gjithashtu aktive në vend.

Sulmi i së premtes ndodhi ndërsa Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare dyditore, po merrte pjesë në një aktivitet së bashku. Eventi po mbahej vetëm pak kilometra larg xhamisë.

Sulmi i fundit më vdekjeprurës në Islamabad ndodhi në vitin 2008 ku u vranë 63 njerëz dhe u  plagosën mbi 250 të tjerë. Në nëntor, një terrorist vrau 12 njerëz.

❌
❌