Në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore, është ndaluar një automjet për kontroll të detajuar, ku është zbuluar mall i padeklaruar.
Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar katalizatorë të bluar me peshë totale prej 102.10 kg, me vlerë të përafërt rreth 8,000 euro.
Rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e masave të kontrollit, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës ka ndaluar 102 kilogramë katalizatorë të bluar të padeklaruar në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore.
Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është ndaluar për kontroll të detajuar, ku është zbuluar mall i padeklaruar.
“Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar katalizatorë të bluar me peshë totale prej 102.10 kilogramësh, me vlerë të përafërt rreth 8 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Autoritetet bëjnë të ditur se rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e masave të kontrollit, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare”, theksohet më tej në njoftim.
Dogana ka ritheksuar angazhimin e saj për forcimin e kontrolleve dhe mbrojtjen e tregut nga mallrat e padeklaruara. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion kontrolli ndaj një automjeti në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Republikës së Shqipërisë.
Dogana njofton se gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar prania e një arme zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit.
“Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar municion i kalibrave të ndryshëm rreth 120 copë, si dhe një shumë parash në valutën euro. Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar për vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë masa të shtuara kontrolli dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare. /Telegrafi/
Sot, më 29 janar 2026, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve për të cilat ekzistonin dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Në kuadër të këtij aksioni janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë evidentuar parregullsi në posedimin e medikamenteve, konkretisht mungesë e dokumentacionit përkatës dhe e banderolave fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, vlera e përafërt e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe përbën një tjetër angazhim konkret në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Institucioni ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm./Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Atasheu i Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një nga atashetë doganorë më të dalluar të OBD-së.
Sipas një njoftimi thuhet se ceremonia solemne e ndarjes së këtij çmimi u mbajt në Bruksel, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OBD-së, z. Ian Saunders, dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.
"Gjatë ceremonisë u theksua se Mehmetaj mishëron profesionalizëm të lartë, qasje proaktive dhe përkushtim të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke u vlerësuar si një model frymëzues për komunitetin doganor global. Bekim Mehmetaj ka mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin institucional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në struktura dhe forume të rëndësishme doganore", thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e ekselencës profesionale dhe përfaqësimin e vendit me standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e WCO-së që nga viti 2017, organizatë e cila përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98% të tregtisë globale. /Telegrafi/
Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro, kështu bën të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për emisionin ekskluzivisht ekonomik “Shtylla” në KosovaPress, Llugaliu tha se kjo është hera e parë që importi i Kosovës tejkalon pragun prej 7 miliardë eurosh, duke shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiliet, si dhe produktet minerale, xehet në përgjithësi”, potencon ai.
Kësisoj, sipas drejtorit të i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, u arrit edhe rekordi i importit prej 7.11 miliardë euro, krahas eksportit që ka kapur vlerën prej vetëm 943 milionë euro.
“Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”.
Por, çka ndikoi në këtë rritje të importit?
Pas fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me BE-në, me Turqinë e së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ndikim dukshëm të rritshëm në taksat që lirohen, që në fakt kanë efekt negativ sa i përket shumës që mbledhim ne, në shumën prej 48 milionë më shumë sesa viti paraprak, duke arritur në rreth 425 milionë për vitin 2024.
Llugaliu, u shpreh optimist edhe për vitin që nisi javë më parë. Kjo, derisa qartëson formën se si po mblidhen të hyrat.
“Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.
Llugaliu nuk e sheh keq as nivelin e eksportit, ani se është larg nga ai i importit.
“Gjatë vitit 2025 kemi pasur eksport prej rreth 943 milionë euro, ndërsa sa i përket importit, importi ka qenë në shumën prej 7.11 miliardë euro… Po, në vitin paraprak ka qenë diku 6.35 miliardë euro. Pra është një dinamikë e rritjes pothuajse normale vit për vit që është pak a shumë krahas edhe rritjes ekonomike që bën vendi… Në fakt janë rritur të dyjat( sasia dhe vlera), për shkak se edhe tek pjesa e produkteve që në treguesin tonë është pesha si masë matëse, kemi edhe aty një rritje të theksuar”, thotë Llugaliu.
Por, e pranon se ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të rritet eksporti në vend.
“Është vetë fakti i gjendjes së industrisë sonë në përgjithësi. Ne vërejmë që ka një rritje të theksuar nëse e krahasojmë me 5-6 vite më herët, kemi dyfishim të eksportit. Tani i jemi ofruar 1 miliard euro në vitin që lamë pas. Kemi politika që janë jashtëzakonisht përkrahëse për biznesin, mirëpo nuk është që industria mundet me e zënë hapin brenda natës. Kështu që janë disa faktorë historikë duke filluar që prej kohës së ish-Jugosllavisë, mandej edhe procesi i privatizimit te ne besoj që nuk e ka arritur efektet e dëshirueshme për me mundësu që me pas një tranzicion prej ekonomisë shoqërore në ekonomi të hapur të tregut, në mënyrë që kapacitetet prodhuese që kanë qenë në atë kohë të jenë mirëfilli të përdorura.
Ka pasur edhe vonesa edhe në aspektin e politikave përkrahëse, sidomos për prodhuesit. Shtoja kësaj edhe pasigurinë që kemi pasur në statusin juridik si shtet deri në vitin 2008, që ka qenë pasiguri e madhe dhe për investitorët e huaj me ardhë dhe me investu në Kosovë. Janë disa, besoj, aspekte që kanë ndikuar në përgjithësi në trendin e eksportit që ne kemi aktualisht”, thotë ai.
Gjatë intervistës, Llugaliu foli edhe për procedurat doganore.
“Ne në vitin 2024, në maj, e kemi në fuqi kodin e ri doganor, i cili është plotësisht në harmoni me kodin doganor të Bashkimit Evropian dhe ofron lehtësirat e fundit që zbatohen në vendet e BE-së. Po përtej kësaj, Kosova që nga viti 2017 është edhe vend anëtar i Organizatës Botërore të Doganave dhe ne jemi bërë edhe pjesë e disa konventave, përfshirë Konventën e Kyotos, që na mundëson që të kemi sistemin më të avancuar sa i përket lehtësirave tregtare. Një matës që është shumë objektiv dhe i besueshëm është koha e zhdoganimit që e bën sekretariati i CEFTA-s në Bruksel, i cili në kohë reale mat muaj për muaj sa është koha e zhdoganimit në vendet anëtare të CEFTA-s. Kosova e zë vendin e parë tani e disa vite me radhë. Domethënë, e kemi kohën më të mirë sa i përket procesit të zhdoganimit. Besoj që ky është mjeti më adekuat i matjes së performancës sonë”, thotë ai.
Ai tutje tha se deri më 2025, Dogana pati staf sa në vitin 2008.
“Ne kemi normalisht kapacitete të konsoliduara në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar, krahas reformave të tjera, kemi bërë edhe rekrutimin e 107 zyrtarëve të rinj. Megjithatë është e nevojshme që të kemi numër më të madh për shkak të gjitha kërkesave që kanë lindur gjatë viteve, qoftë me hapjen e zyrave të reja, qoftë me rritjen e ekonomisë. Nëse e krahasojmë me vitin 2008, ne kemi pasur dyfish më shumë dërgesa në eksport dhe në import, ndërsa që staf që nga viti 2008 deri në vitin e kaluar ne nuk kemi rekrutuar.
Kështu që është normalisht e domosdoshme dhe ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Financave për me e rrit numrin e lejuar të stafit që rekrutojmë. Tani është me rëndësi që kemi një sistem të ndërtuar për pjesën e rekrutimit bazuar në meritë edhe me përkrahjen që kemi pas nga zyra e BE-së, me një ekspert që ka punuar për rreth 9 muaj me ekspertët tanë, me kriju një bazë të mirëfilltë që mundëson rekrutim bazuar në meritë”, deklaron Llugaliu.
Sa i përket luftës kundër kontrabandës, drejtori i Doganës bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë zbuluar mallra në vlerë miliona eurove, ani se mohon të jetë rritur kjo veprimtari ilegale.
“Për faktin që kemi pasur rritje të theksuar të hyrave në njërën anë, dhe në anën tjetër rritje të theksuar të zbulimeve, besoj që kemi pasur efikasitet të konsiderueshëm sa i përket luftimit të kontrabandës dhe informalitetit në përgjithësi. Gjatë vitit që kemi lënë pas, kemi pasur diku 18.4 milionë euro mallra të zbuluara, qoftë kontrabandë...Nuk besoj që ka shtim. Unë besoj që ka pasur efikasitet në zbulim, për shkak se dinamika e kontrabandës nuk është që ka pas ndonjë faktor të ri që kish me ndiku në këtë dinamikë.
Mirëpo, vetë aspekti i rritjes së efikasitetit që e përmenda edhe me risitë që i kemi bërë në legjislacion, me reformën në legjislacion, edhe me reformën me gradimet, promovimet që i kemi bërë brenda për brenda organizatës, edhe numri prej 107 zyrtarëve të rinj, ne veç kemi fillu me i pa menjëherë frytet e para të efikasitetit”, thotë ai.
Edhe në këtë fushë, Llugaliu thotë se Dogana e Kosovës të jetë lartë e ranguar.
“Qëndrojmë mjaft mirë, përjashto pjesën e Serbisë që është impakti më shumë politik. Në pjesën tjetër kemi bashkëpunim efikas me të gjitha vendet. Në Shqipëri siç e dini që nga viti 2022 jemi edhe me zhdoganim në Portin e Durrësit, që ka ndihmuar që të krijojmë vlera edhe për tregun tonë, po edhe për pjesën e Shqipërisë me rritje mbi 25% vit për vit në dërgesat që shkojnë në Portin e Durrësit, ndërsa portet e tjera kanë shënuar një rënie të lehtë. Po ashtu jemi përherë të angazhuar me operacionet e përbashkëta që iniciohen, mirëmbahen nga Organizata Botërore e Doganave në fusha të ndryshme, duke filluar nga kontrabanda e barnave të falsifikuara, mashtrimet e ndryshme, armë, shkatërrimit në masë. Janë disa fusha që ne vit për vit jemi pjesë e operacioneve dhe madje në shumë raste edhe kemi treguar rezultate duke u renditur, për nga numri i zbulimeve, në top dhjetëshin e mbi 150 vendeve që marrin pjesë si rëndom”, shprehet Llugaliu. /KP/
Dogana e Kosovës, përmes Zyrës Doganore në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit doganor dhe menaxhimit të riskut, ka realizuar një kontroll të detajuar doganor ndaj një dërgese të ardhur nga Turqia.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se gjatë këtij kontrolli, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 237,000 copë/pako për ambalazhim të 20 cigareve, të cilat mbanin mbishkrimin “DRINA”.
"Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast efekti në parandalim nga humbjet potenciale fiskale është rreth 340,000 euro", thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtës dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e tregut dhe shëndetit publik, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin. /Telegrafi/
Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.
“Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme. Vlera totale e mallrave arrin rreth 49,000 euro”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale. /Telegrafi/
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se viti 2025 ka siguruar vijimësinë e rezultateve rekord për këtë institucion, duke e cilësuar atë si një vit të performancës së lartë fiskale, operacionale dhe institucionale.
Në një postim të publikuar në rrjetin social LinkedIn, Llugaliu thekson se të hyrat e Doganës kanë arritur në 1.965 miliard euro, me një rritje prej 132 milionë euro krahasuar me vitin 2024 dhe mbi 3.5 për qind më shumë se projeksioni qeveritar. Sipas tij, këto rezultate janë dëshmi e menaxhimit efikas edhe në kushte të politikave lehtësuese për bizneset.
Llugaliu sqaron se vetëm gjatë vitit 2025, lirimet nga taksat për prodhuesit dhe nga marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë arritur vlerën prej 67 milionë euro, duke e çuar totalin e taksave të liruara në këto kategori në 407 milionë euro.
Drejtori i Doganës vë në pah edhe intensifikimin e luftës kundër ekonomisë joformale, e cila ka ndikuar në rritjen e qëndrueshme të të hyrave, pothuajse dy herë më shpejt se rritja ekonomike. Ndërkohë, sekuestrimet dhe konfiskimet kanë tejkaluar ndjeshëm nivelin e vitit 2024 dhe janë mbi katër herë më të larta krahasuar me vitin 2019.
Sipas Llugaliut, mbrojtja e shoqërisë është forcuar përmes goditjeve të drejtpërdrejta ndaj narkotikëve, armëve, eksplozivit dhe mallrave të rrezikshme, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë së vendit.
Ai nënvizon se, sipas të dhënave të CEFTA-s, Kosova prin në rajon për kohën më të shpejtë të zhdoganimit, duke e pozicionuar Doganën e Kosovës si një nga administratat më efikase doganore në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të zhvillimit institucional, Llugaliu përmend reformat e vazhdueshme, dixhitalizimin dhe inovacionin, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut dhe sistemet Track & Trace, që po e bëjnë Doganën më moderne dhe më funksionale.
Po ashtu, ai thekson rëndësinë e rekrutimit të gjeneratës së re prej 107 zyrtarësh doganorë, si investim strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për të ardhmen.
“Në thelb, këto rezultate përkthehen në një Doganë më të fortë, për një ekonomi më të drejtë dhe një shoqëri më të sigurt”, përfundon Llugaliu në mesazhin e tij.
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17 min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar i Doganës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës.
“I njëjti, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit ‘Mercedes Sprinter’, të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët”, thuhet në njoftim.
I njëjti dyshohet se pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro.
Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 €.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, po ashtu përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro, tha drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu.
Llugaliu në një konferencë për media tha se kjo shumë është 135 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024 dhe 75 milionë euro më shumë sesa në projeksionin e bërë në fillim të vitit 2025.
“Deri në ditën e fundit të këtij viti ne do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përmban 135 milionë euro më shumë sesa viti paraprak dhe tejkalon projeksionin prej 75 milionë eurosh. Ne vlerësojmë se janë disa faktorë kryesorë që kanë ndikuar në suksesin në të hyra, duke përfshirë rritjen ekonomike të gjithëmbarshme, mirëpo edhe gatishmërinë e bizneseve që të jenë të gatshme që t’iu përmbahen ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është edhe më e theksuar kur kemi parasysh faktin se afër 98 për qind të hyrave deklarohen përmes deklarimit vullnetar”, tha ai, raporton kp.
Llugaliu tregoi edhe bilancet tregtare gjatë vitit 2025, ku Kosova gjatë këtij viti ka eksportuar mallra në vlerë 929 milionë euro.
Kosova ka eksportuar më së shumti në Shqipëri me 157 milionë euro, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 136 milionë euro.
Ndërkaq, Kosova ka importuar më së shumti nga Gjermania në vitin 2025, plot 965 milionë euro.
“Eksporti deri më 21 dhjetor është 929 milionë euro, krahas 942 sa ka qenë tërë viti i kaluar. Eksportet kryesore që kemi pasur janë Shqipëria me 157 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 136 milionë, Gjermania 106 milionë, Zvicra 100 milionë, Serbia 60 milionë. Ndërkaq, sa i përket importeve e kemi Gjermaninë me 965 milionë, Turqinë me 903 milionë, Kinën 892 milionë, Italinë 359 milionë, ndërkaq Maqedonia e Veriut 344 milionë euro”, tha ai.
Ai shtoi se Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka pasur përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale.
“Dogana ka pasur një përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale, duke qenë se kemi 18.6 milionë euro vlerë të mallrave që kanë qenë subjekt i zbulimit, ndalimit, sekuestrimit apo konfiskimit. Po ashtu, edhe me veprimet administrative kemi pasur një rritje të theksuar te impakti i drejtpërdrejtë i luftimit të ekonomisë joformale. Këtë vit arritëm në vlerën 42 milionë, krahas 32 sa ka qenë në vitin paraprak. Padyshim pjesa e veriut ka qenë problem i pazgjidhur një kohë të gjatë dhe është përdorur si strehë jo vetëm nga pjesa e kontrabandës, por edhe e formave të tjera të krimit. Ne kemi pasur rastin e hetimit për kontrabandë dhe kemi gjetur se ajo pjesë është përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore”, shtoi ai.
Pjesë e konferencës ishte edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili përgëzoi Doganën e Kosovës për performancë pozitive, derisa tha se vendi po i afrohet shifrës rreth 1 miliard euro eksporte.
“Në pesë vitet e fundit, kishte vazhdimisht tejkalim të projeksioneve, në raport me atë se çka ishte projektuar në fillim të vitit sa i përket të hyrave të mbledhura deri në fund të vitit. Kjo tregon për një sukses të vazhdueshëm në rritje dhe kjo i bie se edhe ne projeksionet tona duhet të fillojmë t’i përshtatim me tempin e ri të doganës. U pa suksesi edhe sa i përket rritjes së eksporteve. Paraqitet një trend i theksuar këto pesë vitet e fundit në raport me pesë vitet paraprake, ku tashmë jemi afruar shifrës prej 1 miliard euro”, theksoi ai.
Produktet që më së shumti po eksporton Kosova janë mobiliet, produktet e ndryshme të plastikës, mineralet, xehet, pijet dhe ushqimet e ndryshme. /
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me policinë, kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete. Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro.
"Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe interesave financiare të shtetit. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të rregullta në Zyrën e Brendshme Doganore Dheu i Bardhë, është paraqitur një ngarkesë mallrash, ku gjatë ekzaminimit zyrtarët doganorë kanë hasur në mallra të padeklaruara.
Më njoftim bëhet e ditur se malli i konstatuar përfshin pjesë të përdorura për automjete, të futura pa u deklaruar sipas procedurave ligjore doganore.
“Pas verifikimit të mallit, vlera e tij arrin shumën rreth 4,000 euro. Mallrat janë ndaluar, ndërsa ndaj palës përgjegjëse është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Në pikën kufitare Han i Elezit, gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se pas verifikimit të bagazhit të tij, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në sasi prej rreth 4.500 copë, të cilat mbajnë shenja dalluese të markave të njohura tregtare, nën dyshimin se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.
“Etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi ato mund të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur ato në treg si mallra të markave të njohura. Ky veprim dëmton drejtpërdrejt të drejtat e mbajtësve të markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Edhe në rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet, ato konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe në parandalimin e importit dhe qarkullimit të mallrave të paligjshme. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten në Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Sektori i Hetimeve të Policisë Kufitare në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme - ka kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbër në Prishtinë.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë është konfiskuar duhan i grirë, mjaltë e filtera cigaresh.
“Gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar si më poshtë: duhan i grirë (refuz) - 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola; mjaltë - 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa asnjë mbishkrim; filtera cigaresh - 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë”, thuhet në njoftim.
Malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë. /Telegrafi/
Zyrtarët doganorë kanë ndaluar sot një shumë të madhe parash gjatë kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit.
Një automjet është dërguar në vijë të dytë për kontroll të detajuar, pasi drejtuesi kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Gjatë kontrollit, doganierët kanë zbuluar dhe sekuestruar 295,270 euro, të fshehura brenda veturës dhe të padeklaruara sipas rregullave kufitare.
Sipas Doganës së Kosovës, shuma është konfiskuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa rasti është dërguar për hetime të mëtejshme për të zbardhur origjinën dhe qëllimin e parave.
Institucioni theksoi se mbetet i përkushtuar në fuqizimin e kontrolleve kufitare dhe në parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme, me synim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e interesave të vendit./Telegrafi/
Gjatë kontrollit rutinë të udhëtarëve në arritje, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, zyrtarët doganorë kanë identifikuar mallra të padeklaruara me vlerë të lartë.
Në njoftimin e Doganës së Kosovës bëhet e ditur se gjatë skanimit të bagazheve, në njërën nga valixhet e një udhëtari janë gjetur dy orë të reja luksoze, për të cilat personi nuk ka paraqitur faturë apo dokumentacion përcjellës, siç kërkohet sipas procedurave doganore.
“Mallrat në fjalë janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe udhëtarët për detyrimin e deklarimit të mallrave me vlerë të lartë, duke theksuar se çdo mosdeklarim paraqet shkelje ligjore dhe mund të rezultojë në masa ndëshkuese. /Telegrafi/
Njësitë Atikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kryer një kontroll operacional në një barnatore në qytetin e Ferizajt.
Sipas një njoftimit nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se gjatë kontrollit, doganierët kanë konstatuar një sasi të konsiderueshme barnash pa banderola, të cilat nuk janë futur përmes rrugëve zyrtare dhe procedurave të rregullta doganore.
“Në total janë konfiskuar 153 copë artikuj medicionalë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë preparate që qarkullojnë vetëm me recetë, produkte terapeutike për sëmundje kronike, medikamente dermatologjike, antiepileptikë, antihipertensivë dhe produkte të tjera farmaceutike të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se i gjithë malli është konfiskuar sipas procedurave ligjore dhe është dërguar në depot doganore për trajtim të mëtejshëm, ndërsa rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit në tregun farmaceutik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e qarkullimit të barnave të pasigurta. /Telegrafi/
Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar sot një sasi të konsiderueshme barnash të huaja në një barnatore në Prishtinë, të cilat dyshohet se janë futur në vend në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, produktet mbanin banderola të shteteve të huaja dhe nuk figuronin të ishin importuar përmes zinxhirit ligjor të furnizimit.
Doganat e Kosovës theksojnë se barnat nuk kanë kaluar përmes procedurave të rregullta doganore dhe as nuk janë regjistruar si të importuara në mënyrë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Autoritetet paralajmërojnë se një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, pasi origjina, cilësia dhe kushtet e ruajtjes së këtyre produkteve nuk janë të garantuara dhe mund të jenë jashtë standardeve të kërkuara për konsum.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar, ndërkohë që institucionet përgjegjëse pritet të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.
Gjatë kontrollit rutinë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një automjet për kontroll të detajuar në vijë të dytë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në bagazh janë zbuluar mallra të padeklaruara të llojit tekstil, për të cilat dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
“Pas konfirmimit, mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse ligjore, ndërsa ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës vazhdon angazhimin e saj për të parandaluar hyrjen e produkteve që cenojnë pronësinë intelektuale, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe tregut të ligjshëm”, thuhet në postim. /Telegrafi/