Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off", bastisje në Prishtinë dhe Dragash

28 January 2026 at 16:01


Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar më 22 janar një operacion policor në kuadër të hetimeve të koordinuara ndërkombëtarisht, përmes EUROPOL-it dhe Prokurorisë Distriktuale të Republikës së Katanias. Operacioni, i njohur si “Switch Off”, që synon goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

Gjatë aksionit në Kosovë, janë bastisur dy lokacione – një në Prishtinë dhe një në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit – nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione, ku është sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të implikuar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B.

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, duke çrrënjosur një infrastrukturë informatike që shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, përmes një sistemi sofistikuar IPTV.

Në hetim kanë bashkëpunuar gjithashtu Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.

“Operacioni tregon përkushtimin tonë të palëkundur në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.

Sekuestrimi i paisjeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave ka ndërprerë aktivitetet e paligjshme të këtij grupi në Kosovë dhe në disa shtete të tjera, duke dërguar një mesazh të qartë për goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Aksioni në "Eko Regjioni", dy persona arrestohen për keqpërdorim në prokurorim publik

26 January 2026 at 10:02


Një aksion është zhvilluar të hënën nga ana e Prokurorisë Speciale në ndërmarrjen publike “Eko Regjioni” në Prizren.

Aksioni i cili tashmë ka përfunduar ka rezultuar me arrestimin e dy personave për keqpërdorim të pozitës dhe mashtrim në prokurim publik.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se të arrestuarit janë A.G dhe R.Z.

Sipas Prokurorisë Speciale, A.G. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z. dyshohet për “Keqpërdorim dhe Mashtrim në prokurimin publik”.

Gjatë hetimeve, hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” dhe të një subjekti privat.

Bastisjet u realizuan në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi një aktivitet të dyshuar tenderimi.

Nga kontrolli janë sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme, si prova materiale që lidhen me hetimet.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve në prokurime publike, duke bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë. /Telegrafi/

Aksion i Prokurorisë Speciale në ndërmarrjen publike “Eko Regjioni” në Prizren

26 January 2026 at 09:52


Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Njësitin për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, po zhvillon një aksion në ndërmarrjen publike regjionale të pastrimit “Eko Regjioni” në Prizren.

Aksioni po zhvillohet nën dyshimet për dy vepra penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim me prokurim publik”, raporton Telegrafi.

Aksionin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnorë Luta, duke theksuar se aksioni është në zhvillim e sipër.

Hetimet dhe veprimet policore vazhdojnë, ndërsa Prokuroria Speciale do të japë më shumë detaje për rezultatet e aksionit pas përfundimit të tij. /Telegrafi/

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para gjyqit nën akuzën për mosraportim të pasurisë

21 January 2026 at 10:11


Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Prishtinë, ka dalë sot më 21.01.2026 para Gjykatës në seancën e shqyrtimit fillestar për t`u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë lidhur me mosraportim të pasurisë.

Sipas aktakuzës i pandehuri Shpend Ahmeti nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54,400.00 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dren Paca, i akuzuari Shpend Ahmeti u deklarua rreth fajësisë.

Ahmeti tha se nuk ndihet fajtor për veprën e cila i vihet në barrë.

Tutje, pas deklarimit të tij, gjyqtari Leon Përlaska njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtjen e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunes së Prishtines edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.

“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtëpërdrejt ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale pranë Bankës Ekonomike dhe Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.

Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021.

"Tortura në mënyrë çnjerëzore me shkop gome, shqelma dhe grushte", ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj ish-gardianes së burgut të Lipjanit

16 January 2026 at 15:56


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

"Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor", thuhet në njoftim.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Pas arrestimit, i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it ndalohet për 48 orë

14 January 2026 at 12:09


Pas arrestimit në Zveçan, i dyshuari me inicialet S.R. është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Ndaj S.R. rëndojnë dyshime për disa vepra penale, përfshirë bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Gjatë veprimeve hetimore, në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar edhe urdhër kontrolli, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale që do të shfrytëzohen në procedurën penale.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj S.R. në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hetuesit policorë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, po vazhdojnë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi/



Krim i organizuar dhe trafikim narkotikësh - kërkohet paraburgim për të dënuarin para ekstradimit në Shqipëri

13 January 2026 at 14:47


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.Th., para pranimit të kërkesës për ekstradim, në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit, kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbi dyshimin e bazuar se E.Th. është i dënuar nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë për disa vepra të rënda penale.

Prokuroria Speciale bën të ditur se E.Th. është dënuar për veprat penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përfshirë: Trafikimin e narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Sipas Prokurorisë, masa e paraburgimit është kërkuar me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit deri në përfundimin e procedurave për ekstradim drejt Republikës së Shqipërisë. /Telegrafi/

Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit në rastin e Ibër-Lepencit

7 January 2026 at 15:29


Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu në rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Vargë të Zubin Potokut.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: J.V., D.V., dhe I.D., për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”., njofton zyra për informim e kësaj prokurorie.

Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Dosja e Prokurorisë: Si Ministria e Arsimit pagoi 220 euro për një shportë bërlloku, ndërsa çmimi real ishte 12 euro

1 January 2026 at 19:32


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronarë e përfaqësues të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit, me ç’rast pretendohet se janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” zyrtarë të MASHTI-i kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuar janë: Ardian Berisha, pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj drejtor në kompaninë Fabrika e mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala, pronar i biznesit “A&F Projekti” SH.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj-Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demir – i punësuar në MASHTI. ndër ta të akuzuar janë tre persona juridik. “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Prokuroria me prokurorin special, Dren Paca, i ka akuzuar të lartcekurit se përmes procedurave të prokurimit u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në prill të vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, Arberita Mehmetaj si zyrtare përgjegjëse për prokurim dhe Naim Demiri udhëheqës i njësisë kërkuese dhe menaxher i kontratës në Ministri të Arsimit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim shpërblimin me kontratë për bizneset “A&F Projekt” Sh.P.K, “Fabrika e Mobilieve Standard”, N.N.P. “Standard Plus” dhe “Shkëmbi Gllarevë”.

Produktet në tenderin “Blerje të pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” sipas Prokurorisë janë kontraktuar me çmim deri në 1557% më të larta se çmimi i tregut, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 1.5 milion euro.

Këtë, sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë bërë duke mos përgatitur specifika teknike të qarta për artikujt e përfshirë në paramasë dhe parallogari.

Tutje, sipas aktakuzës së PSRK, janë vendosur kritere selektive dhe të panevojshme për dëshminë e angazhimit të ekspertëve, inxhinierëve dhe autorëve duke ndërtuar kritere përzgjedhëse që të favorizojnë bizneset fituese duke i përjashtuar padrejtësisht bizneset e tjera.

Shkelja tjetër sipas PSRK nga të akuzuarit është bërë duke mos e siguruar çmimin më të ulët të tregut, duke lejuar blerje të produkteve me çmime artificialisht të fryra.

Tutje në aktakuzë thuhet se përmes këtyre kontraktimeve është shkaktuar një dëm shtesë prej 137 mijë euro duke lejuar që të tejkalohet sasia e kontraktuar për tri produkte më të shtrenjta mbi 30% e sasisë për një produkt tjetër më të lirë.

Tutje akti akuzues thot se kontraktimi për këto produkte ishte paraparë që të kenë origjinë nga Bashkimi Europian, por që ishin lejuar që produktet të vinin nga Kina dhe Turqia.

Pra vlera e përgjithshme e dëmit që është shkaktuar nga këto veprime, sipas Prokurorisë, vlerësohet të jetë mbi 1.8 milion euro.

Për këtë të pandehurit ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dy të aktakuzës renditen si të akuzuar: Agim Berdyna – zyrtar kryesor administrativ, Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, dhe Murtez Zekolli – zyrtar kryesor financiar dhe Naim Demiri – udhëheqës i njësive kërkuese dhe menaxher i kontratës dhe Arberita Mehmetaj – zyrtare e prokurimit tutje kanë aktivizuar aktivitete të prokurimit me titullin “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” pa pasur nevojë për një aktivitet të tillë. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim që t’i shpërblejnë me kontratë për përfitim pasuror bizneset “A&F Projekt”, “Fabrika e mobileve Standard” dhe “Standard Plus”.

Dy projekte të ndara, sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kishin bashkuar në një të vetëm, njëri ndër ta sipas PSRK-së ishte “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, i cili ishte në fazë të zbatimit. Këtë projekt sipas Prokurorisë e kishin aprovuar duke i vënë në barrë shtetit për pagesë mbi 2.8 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, shkeljet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi gjatë përpilimit të dosjes së tenderit nuk i kanë përgatitur qartë specifikat që duhet të kryhen për artikujt e kontraktuar me ç’rast janë kontraktuar produkte me çmim më të lartë se i tregut për 1900%.

Tutje PSRK pretendon se të akuzuarit i kanë ndryshuar kriteret e projekteve vetëm dy ditë para hapjes së ofertave dhe nuk janë siguruar që ta kontraktojnë çmimin më të ulët se ai i tregut dhe kanë shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave.

Me këtë të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme të të akuzuarve.

Në pikën tre të aktakuzës, të pandehur janë: Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, Fadile Dyla – zyrtare kryesore administrative, Naim Demiri – menaxher i kontratës, Fehmi Zylfiu – zyrtar kryesor i financave. Ata nga 12 shkurti 2024 e deri më 29 mars 2024 pasi kishte përfunduar zbatimi i kontratës kornizë nga projekti “Blerja e Pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore – Pakot e pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë vepruar me dashje e në kundërshtim me ligjin me qëllim që t’u mundësojnë përfitim pasuror bizneseve “A&F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” Sh.P.K dhe N.N.P. “Standard Plus”, duke i kompensuar këto biznese për inflacionin e kontratës mbi 445 mijë euro.

Pika katër e aktakuzës thot se Agron Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj dhe Ardian Berisha si pronarë të bizneseve “A&F Projekt”, N.N.O “Standard Plus”, Fabrika e Mobileve “Standard” dhe “Shkëmbi Gllarevë” në lidhje me tenderin e MASHTI-t “Blerja e Pakove të pajisjeve të Nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë bërë mashtrim të autoritetit kontraktues, në këtë rast MASHTI-t.

Mashtrimi sipas PSRK është bërë duke prezantuar kontrata të punëtorëve gjoja se janë duke punuar në këto firma me qëllim që të plotësojnë kriteret për ta fituar projektin. Tutje mashtrimi sipas PSRK është bërë duke mos dorëzuar vërtetimet tatimore të rreme.

Në pikën pesë të aktakuzës, Dashmir Limaj si pronar i biznesit “Standard Plus” edhe pse ka qenë në dijeni se inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të biznesit të tij kanë mundësuar përdorimin e dokumenteve të rreme me qëllim që të plotësojnë njërin nga kriteret për t’u shpallur kompani fituese.

Me këtë akuzohen për vepër penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në këtë aktakuzë, e cila është ngritur nga prokurori Dren Paca, janë të akuzuar 15 persona, 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë: “A&F Projekti” Sh.P.K, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Kurse persona fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI./Kallxo.com

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 12 personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik

31 December 2025 at 14:34


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit fizikë N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B. dhe I.E., si dhe personat juridikë “A&F P.” Sh.p.k, “S.” Sh.p.k dhe “Sh.G” Sh.p.k, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë manipuluar procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit A.M. dhe N.D., në periudhën nga 2 prilli 2019 deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit për blerjen e pakove të pajisjeve për fusha lëndore dhe mirëmbajtje, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë favorizuar operatorin fitues dhe kanë përjashtuar padrejtësisht operatorë të tjerë ekonomikë. Si pasojë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 1,824,970 euro.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., në periudhën nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, duke vepruar si persona zyrtarë pranë MASHTI-t, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1,900 për qind më të larta se çmimet e tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 2,148,282.35 euro.

Në aktakuzë theksohet gjithashtu se, në kundërshtim me kushtet kontraktuale, janë lejuar dorëzime të produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte paraparë në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar edhe për 3,626,243.80 euro të tjera.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të vazhdojë ndjekjen penale të këtij rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/


Aktakuzë për krime lufte ndaj B.T, si gardianë i burgut kishte rrahur të burgosurit shqiptarë dhe i kishte lënë pa ushqim me ditë të tëra

31 December 2025 at 11:36


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T. për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998-1999, duke vepruar me dashje, ka shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur përkatësisht, kohës së luftës në Kosovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në mënyrë sistematike, ata i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme. Këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës, Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Aktakuzë për krime lufte ndaj S.A, dyshohet për vrasjen e 13 civilëve në komunën e Gjilanit

30 December 2025 at 12:14


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.A. për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

I pandehuri S.A., akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatin Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër personave të tjerë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Aktakuzë ndaj nëntë personave për mashtrim financiar ndaj shtetasve të huaj

29 December 2025 at 15:57


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi”, përmes së cilës dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm miliona euro duke mashtruar shtetas të huaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuar janë: N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q. dhe V.M. Përveç veprës së mashtrimit, i pandehuri N.S. akuzohet edhe për “posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, në bashkëveprim dhe në një periudhë të papërcaktuar kohore deri në shkurt të vitit 2024, kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar mjete financiare në vlerë prej 2,067,271 euro.

Sipas hetimeve, të pandehurit janë paraqitur në mënyrë të rreme si kompani investimesh dhe kanë kontaktuar viktimat, duke i bindur të investojnë në platformat “Option888” dhe “Krack”. Pas sigurimit të qasjes në aplikacionet e viktimave, ata dyshohet se kanë manipuluar të dhënat financiare, duke paraqitur rritje fiktive të investimeve.

Hetimet e Prokurorisë kanë konstatuar se mjetet financiare të përfituara nga viktimat, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë shpërndarë ndërmjet të gjithë të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe në mbrojtjen e rendit juridik dhe ligjshmërisë në vend. /Telegrafi/


Nën hetim për pasurinë/ Prokuroria Speciale e Kosovës i ngre aktakuzë Shpend Ahmetit, ish-kryekomunarit të Prishtinës

By: M C
23 December 2025 at 18:17

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim and apo raportim të rreme të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti – i cili shërbeu si kryetar i Prishtinës për dy mandatë, nga viti 2013 deri më 2021 – kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi thuhet se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshmë nga 2018 deri në vitin 2022.

“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, që bëri të ditur se rasti tashmë është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ahmetin me disa pyetje për këtë aktakuzë, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor./REL

The post Nën hetim për pasurinë/ Prokuroria Speciale e Kosovës i ngre aktakuzë Shpend Ahmetit, ish-kryekomunarit të Prishtinës appeared first on Albeu.com.

Përfundon operacioni policor në Pejë, arrestohet një i dyshuar për krim të organizuar dhe rrëmbim

22 December 2025 at 14:46


Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit R.H., në bazë të urdhrit për kontroll dhe nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas autoriteteve, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, janë sekuestruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H. /Telegrafi/


Shënjestrohet rasti “Qielli i thyer”, arrin në 80 milionë euro vlera e pasurisë së sekuestruar

22 December 2025 at 14:37


Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, ku është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer”.

Sipas njoftimit thuhet se 33 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa janë ndaluar me urdhër pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë rreth 60 milionë euro.

“Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer” për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal lidhur me veprat: blerja, posedmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkoktivë, subsantace psikotrope dhe analoge; Shpëlarja e parave; Falsifikim i parasë; Falsifikim i dokumenteve; Mbajtja në pronësi ose posedim të pauatoizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë rreth 1.5 milionë euro dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe, duke bërë që vlera totale e pasurisë së sekuestruar deri më tani të arrijë rreth 80 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar dhe, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, janë caktuar dy prokurorë për trajtimin e tij.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar që të trajtoj këtë rast me prioritet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/



Miliona euro dëm shtetit përmes tokave të shpronësuara, Prokuroria shpjegon rolin e ish-ministrit Fadil Ismajli si ndërmjetësues

20 December 2025 at 15:25


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.

Sipas Prokurorisë, avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim-ankesa për ish-pronarët e pronave të shpronësuara, edhe pasi afatet ligjore kishin kaluar dhe kompensimi ishte dhënë më parë.

Gjithashtu, Bllata-Dibrani ka marrë paratë e ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka transferuar tek të dyshuarit e tjerë sipas përqindjeve të dakorduara në rrjetin e përfitimeve të paligjshme.

Gjyqtari Jovica Mitroviq dhe përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore, përfshirë Naim Krasniqin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, nuk kanë kundërshtuar këto ankesa dhe kanë lejuar përfundimin e propozim-ankesave me Ujdi Gjyqësore, duke legalizuar pagesat përfituesve në mënyrë të parregullt. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësinë që ish-pronarët e kompensuar më parë të përfitojnë sërish, duke përfshirë edhe përfitime për vetë të dyshuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të nënshkruar nga prokurori special, Dren Paca, thuhet se i dyshuari Fadil Ismajli ka marrë shumicën e parave nga ekzekutimi i pagesës (rreth 210,000 euro) dhe i ka dorëzuar ato tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka shpërndarë mes të dyshuarve të tjerë: 4,000 euro për Jovica Mitrović, 5,900 euro për Shaban Tërbunja, 9,500 euro për Goran Llazic, 9,000 euro për Naim Krasniqi dhe 7,000 euro për Ridvan Krasniqi.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Fadil Ismajli funksiononte si ndërmjetës kyç, duke koordinuar transferimin e parave dhe siguruar respektimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e fitimeve të paligjshme.

Prokuroria pretendon se Goran Llazic dhe Bedri Dibrani janë kapur në flagrancë duke numëruar dhe ndarë paratë, ndërsa dokumentet dhe blloqet e shënimeve të gjetura tek Llazic tregojnë planin e shpërndarjes dhe përfituesit e dyfishtë, duke përfshirë përqindjet që i përkasin secilit të dyshuar në rrjet.

Për Shaban Tërbunja, Prokuroria thotë se ka marrë pjesë në shpërndarjen e përfitimeve duke ndihmuar në transferimin dhe dorëzimin e shumave sipas marrëveshjeve paraprake, ndërsa Naim Krasniqi dhe Ridvan Krasniqi kanë përfituar nga shpërndarja e parave.

Prokuroria ka mbledhur prova materiale përmes monitorimit të fshehtë të bisedave, kontrollit të vendbanimeve, sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe intervistimit të dëshmitarëve dhe të dyshuarve.

Pretendimet e Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, duke krijuar një mekanizëm të strukturuar për të përfituar padrejtësisht, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar dhe institucional ndaj shtetit të Kosovës dhe duke rrezikuar përsëritjen e veprave të njëjta.

Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku i arratisjes për të dyshuarit me lidhje dhe pronë jashtë vendit, si dhe rreziku që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë rrjedhën normale të procedurës gjyqësore. Pretendimet e Prokurorisë theksojnë se paraburgimi është i vetmi mjet adekuat për të parandaluar asgjësimin e provave dhe për të siguruar një proces të drejtë gjyqësor.

Sipas dosjes së Prokurorisë, veprimet e secilit të dyshuar, duke përfshirë parashtrimin e propozim-ankesave të parregullta nga Bllata-Dibrani, miratimin e tyre nga Mitrović dhe përfaqësuesit e Avokaturës, shpërndarjen e parave nga Fadil Ismajli dhe Bedri Dibrani, dhe pjesëmarrjen e tjerëve në mekanizmin e rrjetit, tregojnë pjesëmarrje aktive në një rrjet korrupsioni të orkestruar, duke shkelur ligjet dhe duke minuar besimin publik në institucionet shtetërore.

Të enjten, më 18 dhjetor, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme se është finalizuar një operacion kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku janë arrestuar disa zyrtar ëlidhur me procesin e shpronësimit të pronave. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar ndaj gjyqtarit i përfshirë në këtë rast do të merren masa. /BetimipërDrejtësi/

Fillon seanca dëgjimore për shtatë të arrestuarit nga aksioni i Prokurorisë Speciale, AKI-së dhe Policisë

20 December 2025 at 12:49


Një ish-ministër, një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë dhe pesë persona të tjerë, janë sjell so në sallën e gjykimit për seancën dëgjimore.

KALLXO.com merr vesh se disa prej të arrestuarve janë sjell në objektin e Gjykatës së Prishtinës dhe disa prej avokatëve kanë hyrë brenda objektit te gjykatës.

Të pranishëm para hyrjes së gjykatës janë edhe një numër i i familjarëve të të arrestuarve

Burime të KALLXO.com kanë treguar se të arrestuarit janë Jovica Mitroviq, Fadil Ismajli, Shaban Terbunja, Goran Llaziq, Bedri Dibrani dhe Naim Krasniqi.

Shtatë persona janë arrestuar gjatë aksionit policor të zhvilluar në rajonin e Prishtinës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe deklarim i rrejshëm.

Në operacionin i cili u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale, tre persona u kapën në flagrancë duke shkëmbyer para në vlerë të 9 mijë e 900 euro si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit.

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka kryer kontrolle në pesë lokacione duke sekuestruar para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një laptop si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion.

Kontrabandim me migrantë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Siria, aktakuzë ndaj katër personave

19 December 2025 at 11:57


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër katër personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

Të pandehurit A.K., F.L., V.P., B.C, në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, akuzohen se nga muaji janar i vitit 2023 deri në shtator të po atij viti kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, duke kontrabanduar shtetas të huaj në territorin e Republikën së Kosovës.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë pjesë aktive në veprimtarit të kundërligjshme të kontrabandimit të migrantëve, të cilët vinin përmes Shqipërisë nga shtetet të ndryshme si Bangladeshi, Pakistani, Siria dhe vende të tjera, me destinacion shtetet e tjera të Evropës”, thuhet në njoftim.

Këto veprime, katër të pandehurit i kanë kryer në këmbim të shumave monetare prej 100 deri në 300 euro për person.

Rasti i kaluar për trajtim Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

“Të dyshuarit janë kapur në flagrancë”, gjithçka nga aksioni i Prokurorisë Speciale bashkë me AKI-në e Policinë

19 December 2025 at 07:59


Një operacion masiv i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është zhvilluar pasditen e së enjtes në rajonin e Prishtinës, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aksioni ndërlidhet me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit, mashtrimin si dhe armëmbajtjen pa leje.

E Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni janë arrestuar shtatë persona me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe të gjatë monitorimi dhe hetimi, ku janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore.

"Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave", ka njoftuar Prokuroria.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, të shtatë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë bastisjeve dhe kontrolleve policore janë sekuestruar rreth mijëra euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme si dhe pajisje elektronike.

Lidhur me aksionin e madh në rajonin e Prishtinës ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar për intervistim disa persona pas një aksioni policor të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, të publikuar të enjten në mbrëmje, operacioni është realizuar në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Speciale, duke përfshirë disa lokacione të ndryshme në vend.

Rasti është duke u trajtuar nga Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se informacione shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve policore.

Ndërkaq, ndryshe nga njoftimi i Policisë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Sveçla ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar bazuar në të dhënat e siguruara nga AKI dhe pas hetimeve disamujore të kryera nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.

Sipas deklaratës së Sveçlës, të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ai ka shtuar se grupi dyshohet se ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të kryera gjatë viteve 2011–2015.

“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar ka përfunduar”, ka shkruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /Telegrafi/

❌
❌