Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Zjarri përfshin një shtëpi në Gracë të Vushtrrisë, vdes një e moshuar

16 January 2026 at 00:07


Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Sipas tij, rreth orës 22:20 Policia ka pranuar njoftimin se një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri, ndërsa njësitet policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes,” ka deklaruar Zahiti.

Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./Telegrafi/

Haliti: Presidenti i ri duhet me qenë nga PDK-ja

15 January 2026 at 23:52


Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka folur edhe për postin e presidentit.

Sipas tij, PDK-ja duhet të marrë pjesë në tryezë dhe duhet ta mbështesë idenë e presidentit të opozitës.

“Dhe duhet ta mbështesë idenë që presidenti duhet me qenë nga PDK-ja, tani e bëjnë se bëjnë varet nga vendimet e partisë”, tha ai në RTV21.

Haliti u pyet edhe për themeluesin e PDK-së, i cili gjendet aktualisht në Hagë, Hashim Thaçi.

Ai nuk dha një prognozë se a do ta rikthente Thaçi PDK-në aty ku ishte.

“Varet prej tij, varet prej angazhimit, prej shumë faktorëve”, tha ai, duke shtuar se në PDK e ka aureolën e liderit të madh në parti.

Ai tha se PDK është partia e vetme që mund ta sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.

“Tani për tani kush do me sfidu, LDK-ja?… Unë mendoj në qoftë se duam mundemi me bo shumë, shiko janë disa pengesa që unë nuk mundem me i zbërthy, por janë disa pengesa që na kanë detyru ndoshta nganjëherë edhe të heshtim dhe besoj që të bëhet më mirë”, shtoi deputeti PDK-së.

“Me pas armë, s’i kishe rrëzu gjithë këta burra”, çka iu tha forcave serbe nëna e të mbijetuarit të masakrës së Reçakut

15 January 2026 at 23:35


Rrëfimet e dëshmitarëve të Masakrës së Reçakut vazhdojnë të mbeten dëshmi të gjalla të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Një prej tyre është edhe Ramë Shabani, i cili ka ndarë një përjetim tronditës nga momentet kur forcat serbe hynë në fshatin Reçak.

Duke përshkruar skenat e dhunës, Shabani rrëfen momentin kur forcat serbe i kishin mbledhur dhjetëra burra në oborrin e një shtëpie.

“Qikës ia dhanë një flakaresh, e nënës i than gjej armët, nënës tem. Nana i tha me pas pas armë, ti sun i kishe rrëzu gjithë këta burra këtu. Nuk kanë pas armë e tash lyp prej meje armë. E unë armë me të dhënë nuk kam i tha”, ka thënë Shabani në Debat Plus.

- YouTube youtu.be

Lutfi Haziri për Lumir Abdixhikun: Ai ka marrë përgjegjësi dhe ka vepruar sipas statutit të LDK-së

15 January 2026 at 23:10


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i partisë ka vepruar në pajtim të plotë me statutin e partisë.

“Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje më 28 dhjetor. Statuti i LDK-së e njeh aktin e dorëheqjes si akt personal dhe Lumi në këtë rast e din çka ka bo. Ka dal e ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar në frymën e statutit të LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri në RTV Dukagjini.

Dorëheqjen e deputetes Hykmete Bajrami nga pozita e nënkryetares, Haziri e ka cilësuar si qëndrim personal të saj. Haziri ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.


“Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe kam qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut. Rrjedhimisht unë s’kam votuar për Lumir Abdixhikun në atë Kuvend. Dallimi me vota s’ka qenë i madh, por ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk i kemi shfaqur dallimet”, ka thënë Haziri ndër të tjera.


- YouTube youtu.be

Ekspertja sqaron cilat viza preken nga pezullimi i DASH-it për shqiptarët dhe cilat jo

15 January 2026 at 23:04


Një nga temat e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është vendimi më i fundit i Departamentit të Shtetit, sipas të cilit duke filluar nga 21 janari, do të pezullohet lëshimi i të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në një lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, foli për këtë çështje, duke sqaruar se për çfarë lloj vizash bën fjalë ky bllokim. Avokatja sqaroi se vendimi për pezullim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA dhe jo ato për qëndrim të përkohshëm, siç janë vizat turistike.

Pjesë nga biseda në studio:

Blendi Fevziu: Ky vendim nuk prek asnjë nga vizat e vizitorëve apo jo?

Olsa Alikaj Cano: Keni shumë të drejtë. Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bën fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat jo-emigrante, nuk janë vetëm ato të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve, është një listë e madhe, janë shumë viza jo-emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë.

Blendi Fevziu: Më fal, përfshirë edhe vizat e studentëve?

Olsa Alikaj Cano: Vizat e studentëve janë viza jo-emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme, vetëm për të ardhur, të mbarosh punë dhe të kthehesh. Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh.

Blendi Fevziu: Cilat aplikime pezullohen?

Olsa Alikaj Cano: Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin.

Blendi Fevziu: Dihet se sa do zgjasë pezullimi?

Olsa Alikaj Cano: Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë pezullim. Kjo qeveri është shumë eficente, besoj se do i marrin vendimet shpejt dhe do i verifikojnë të dhënat shpejt.

Blendi Fevziu: A ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë? Pra cili ka qenë kriteri që është përdorur për të përfshirë këto 75 vende në listë?

Olsa Alikaj Cano: Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është.

Blendi Fevziu: Ka shumë shqiptarë që vijnë me viza të zakonshme dhe kërkojnë më pas të marrin Green Card përmes procedurave ligjore.

Olsa Alikaj Cano: Plot, madje sot kisha një kliente që ishte shumë e interesuar për familjen. Kemi shumë viza që po presin të bëhet intervista. Të gjithë janë të alarmuar. Shqiptarët këtu vijnë me vizë shumica, ndaj më habiti lista e presidentit tonë. Nuk e di ku e kanë marrë këtë listën, sepse nuk është e verifikuar lista e personave që marrin ndihmë sociale.

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Zgjedhja e presidentit, Haziri: Këtë herë vota e LDK-së do të vlerësohet ndryshe

15 January 2026 at 22:52


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke theksuar se qëndrimi aktual i LDK-së është që posti i presidentit të mbulohet nga një emër i pranueshëm për të gjitha partitë politike.

Haziri theksoi se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore historike në zgjedhje dhe ka siguruar shumicën për formimin e institucioneve të reja, çështja e presidentit mbetet ende e hapur dhe kërkon konsensus politik.

Ai rikujtoi se herën e kaluar deputetët e LDK-së e kishin votuar për presidente, Vjosa Osmanin për hir të stabilitetit politik. Sipas tij, këtë herë situata është ndryshe dhe vendimi nuk do të merret në të njëjtën mënyrë.

“Për momentin qëndrimi i jonë është se duhet një emër i pranueshëm për të gjithë. Që ushtron detyrën e presidentit/tes. Ky është qëndrimi zyrtar që e kemi… realisht deputetët e LDK-në herën e kaluarën e kanë dhënë votën për stabilitet politik dhe pa inati. Dhimbja ka qenë e madhe por e kanë dhënë. Kësaj herë do ta vlerësojnë krejt ndryshe votën për president”, ka thënë Haziri.

Situatë “win-win” për Kurtin, Sopjani paralajmëron LDK-në dhe PDK-në për zgjedhjen e presidentit

15 January 2026 at 22:21


Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj me 51 për qind të votave.

Zgjedhjet i dhanë LVV-së shumicën për formimin e Qeverisë, ndërsa presidenti mbetet ende një pikëpyetje.

Në këtë kontekst, avokati Shkëlzen Sopjani komentoi në FIVE të TV Dukagjinit mbi rëndësinë e veprimeve të partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas Sopjanit, LDK-ja mund të fitojë kohë dhe të rifitojë ndikim vetëm përmes bashkëpunimit me Kurtin, i cili ka “dy karta shumë të forta” në zgjedhjen e presidentit.

Ai theksoi se, nëse Kurti mbështet Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, kjo mund ta vendosë LDK-në në një pozicion delikat, ndërsa PDK-në nëse mbështetet një kandidat tjetër.“Shpëtimi i LDK-së është një proces më i ngadaltë, më i mirë menduar. Prej bazës e lart. Në këtë proces LDK-në i vyen me ble kohë. Mundësia e vetme e LDK-së me fitu atë kohë, është të bashkëpunojnë me Kurtin. Sepse të zgjedhja e presidentit Albin Kurtit i ka dy karta shumë të forta".

"Nëse shkon me Vjosa Osmanin, që së paku ende nuk ka indicie të qarta që do të shkoj me Osmanin si kandidate për presidente… përkundra janë disa lëvizje që lënë të kuptohet që mund të jetë dikush tjetër. Nëse shkon me një kandidat tjetër mund ta vendos në pozitë të jashtëzakonisht të keqe PDK-në dhe ta dëmtoj PDK-në. Nëse PDK-ja nuk e voton kandidatin në fjalë. Apo nëse shkon me Vjosa Osmanin prapë e vendos në pozitë shumë të keqe LDK-në. Pra Kurti e ka ‘win win’. Duhet të jenë shumë të kujdesshme se si do t’i qasen zgjedhjes së presidentit. Sepse me një kandidat apo tjetër i vendos në pozitë të pa lakmueshme qoftë PDK-së, qoftë LDK-në dhe ajo u kushton me elektorat”, ka thënë Sopjani.

Haziri: Përvoja nga e kaluara me LVV-në dhe PDK-në nuk na lejoi një bashkëpunim të ri

15 January 2026 at 21:59


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur në Debat Plus për sfidat e bashkëpunimit politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat nuk sollën krijimin e një qeverie të re dhe çuan vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme më 28 dhjetor.

Zgjedhjet dhjetorit rezultuan me një fitore historike për LVV-në e Albin Kurtit, ndërsa LDK-ja doli e treta me rreth 13 për qind të votave.

Sipas analistëve, qasja e LDK-së “as mish, as peshk” gjatë 2025-tës çoi në këtë rënie të LDK-së.

Por, Haziri ka theksuar se mungesa e bashkëpunimit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ishte e kaluara jo aq e lavdishme e LDK-së me Vetëvendosjen dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“LDK e ka pas definimin e politikës së vet karshi kësaj situate. Me këtë përshkrim. Ne kemi pas bashkëpunim me VV-në edhe si opozitë edhe si tendencë për të ndërtuar qeveri bashkë, dhe kemi ndërtuar qeveri bashkë dhe s’kemi mund me funksionu. Përvoja jonë e bashkëpunimit me LDK-në ka qenë evidente, ka përfunduar me mocion mosbesimi. Përvoja me VV-në ka përfunduar me shkarkimin të njëanshëm të kryeministrit në atë kohë. Këto përvoja nuk të japin të drejtë me u sjell para qytetarëve me situatë tjetër. Se ajo që thuhet nëse një herë të mashtron nuk e ki ti fajin, i ka ai, por herën kërkosh s’të ka faj”, ka thënë Haziri.

- YouTube youtu.be

Vizita e Sorensenit, a do të ketë progres në dialog gjatë vitit 2026?

15 January 2026 at 21:40


Një ditë pas vizitës së emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në Kosovë, njohës të këtij procesi shprehin këndvështrime të ndryshme për progresin në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë vitit 2026.

Qëndrimi i Sorensenit të mërkurën në Kosovë, sipas politologut Artan Muhaxhiri, është i rëndësishëm sepse e tregon vazhdimësinë e kujdesit dhe të interesimit evropian për Kosovën. Sipas tij, dialogu është obligim madhor për Kosovën, pasi vetëm përmes progresit në këtë proces Kosova avancon në perspektivën e saj euro-integruese.

Mirëpo ndryshe mendon analisti politik Dorajet Imeri, i cili është pesimist se do të ketë hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi gjatë këtij viti, meqë sipas tij, posa të formohen institucionet në Kosovë, do të ketë zgjedhje të reja në Serbi.

Sorensen më 14 janar qëndroi në Kosovë, ku pas vizitave me krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e partive opozitare, tha se janë fokusuar në sigurimin e rezultateve konkrete në dialog gjatë vitit 2026.

Ai të sot do të qëndrojë edhe në Serbi, ku do të zhvillojë takime me krerët shtetërorë atje.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress, se vizita e Sorensenit është sinjal për nevojën e progresit në dialog. Sipas tij, Kosova pa dialog do të mbetej e izoluar, e vetmuar dhe pa asnjë hap përpara në rrugën evropiane.

“Vizita e Sorensenit është e rëndësishme sepse e tregon vazhdimësinë e kujdesit dhe të interesimit evropian për Kosovën. Është e qartë që pa dialog Kosova do të mbetet e izoluar, e vetmuar dhe nuk do të ketë asnjë hap përpara në rrugën evropiane, nuk do të mund të bëhet asgjë e rëndësishme në agjendën evropiane, do të ketë vetëm stagnim edhe mbrapakthim. Prandaj, kushdo që zgjidhet kryeministër dhe president, dialogu është obligim madhor sepse vetëm nëpërmjet dialogut do të mund të avancohet agjenda evropiane e Kosovës dhe do të mund të krijohet një dritë në fund të tunelit për perspektivën evropiane të Kosovës. Çdogjë tjetër është popullizëm dhe mashtrim politik, demagogji që i shkon në dëm të madh shtetit të Kosovës dhe shoqërisë në përgjithësi”, thekson ai.

Të kundërtën e mendon analisti tjetër Dorajet Imeri, i cili thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti është vështirë i arritshëm.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo e njëjta nuk ka gjetur ende zbatim.

Imeri deklaron se Serbia nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq ka bërë edhe akte terroriste ndaj Kosovës.

Ai thotë se pas sulmit terrorist serb në Banjskë në vitin 2023, besimi ndërmjet palëve është i lëkundur.

“Është vështirë e arritshme dhe e pritshme diçka e tillë. Unë supozoj se do të ketë zgjedhje të tjera në Serbi, menjëherë pas përfundimit të krijimit të institucioneve të Kosovës. Nuk shoh mundësi reale për vijimin e dialogut Kosovë–Serbi. Rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar ekstremisht saqë nuk kemi asnjë indikacion për çfarë edhe të negociohet. Ka mbetur të diskutohet se si të implementohet e njëjta, Serbia nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për ta bërë të njëjtën, ndërkohë ka bërë akte terroriste ndaj Kosovës dhe me synime të qarta aneksimin e veriut të vendit dhe ka një kërkesë legjitime nga Qeveria e Kosovës që kërkon prej Serbisë ekstradimin e personave të lidhur me këtë rast. Besimi mes palëve është kaq i lëkundur, i largët, nuk ka asnjë mundësi të vijë dialogu për aq kohë sa njëra nga palët ka plan konkret për aneksimin e veriut”, deklaron ai.

Pas takimit me Sorensenin, nga qeveria në detyrë dhe presidenca kanë theksuar nevojën që palët të trajtohen barabartë në dialog, ndërkaq është potencuar edhe parakushti për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq para drejtësisë në Kosovë.

Kurti, sipas njoftimit nga ekzekutivi, i ka thënë Sorensenit se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nga i cili partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, mori 51.11% të votave, garanton stabilitet institucional.

Kosova dhe Serbia kanë rritur dakordimin për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.

Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova dhe Serbia zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve, si dhe në atë të kryenegociatorëve, mirëpo palët nuk u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë ndonjë hap për zbatimin e tij. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që drafti i BE-së të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, Qeveria ka thënë se ai draft është një dokument “non-paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.

Kosova ekstradon nga Anglia një të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

15 January 2026 at 21:38


Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të ngushtë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Anglia për në Kosovë.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet angleze, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ekstradimi është bërë i mundur falë bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informatave dhe bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të veprimtarive kriminale, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit./Telegrafi/

Aksident me fatalitet në rrugën Komoran–Carralevë, një person humb jetën

15 January 2026 at 21:24


Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Komoran–Carralevë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rreth orës 19:30 Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me pasoja fatale, ku ishin të përfshira dy automjete.

Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej të cilëve nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e viktimës, mashkull, është konstatuar nga ekipi mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran.

Të lënduarit e tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit janë në vazhdim./Telegrafi/

Arrestohen dy persona të dyshuar për vjedhje në institucione arsimore në Viti

15 January 2026 at 20:43


Me datën 15.01.2026, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Viti si rezultat i zhvillimit të veprimeve intensive hetimore ka arritur që të identifikoj dhe arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovar M.J. (viti i lindjes 2002) dhe B.K. (viti i lindjes 2006) me dyshimin për përfshirje të tyre në disa raste të vjedhjes së rëndë të ndodhura në tri institucione arsimore në komunën e Vitisë.

Të dyshuarit, dyshohet se në bashkëveprim në tri lokacione të institucioneve arsimore kanë vjedhur një sasi e konsiderueshme e pajisjeve dhe mjeteve, përfshirë laptop, iPad, projektorë dhe pajisje të tjera të teknologjisë e mjete të ndryshme pune.

Në kuadër të procedurave ligjore me urdhër të gjykatës kompetente, janë realizuar kontrolle në dy lokacione, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi materiale relevante përkatësisht sende të dyshuara të vjedhura, të cilat pas verifikimeve janë ndërlidhur me rastet në fjalë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Merrte pagë pa shkuar në punë për mbi dy vjet, arrestohet bibliotekisti dhe një zyrtar tjetër në Gjilan

15 January 2026 at 20:21


Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, në koordinim me prokurorinë kompetente.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2023 deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 19,067.69 euro, duke përfituar pagesa pa kryer obligimet e punës.

I dyshuari i dytë, po ashtu mashkull kosovar dhe në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të parit pranë autoriteteve përkatëse, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore dhe, sipas policisë, ka konsumuar të njëjtën vepër penale.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Standardi i dorëheqjes pas humbjes së thellë është i qartë

15 January 2026 at 20:06


Hoti paralajmëron dorëheqjen nga organet e partisë nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësi.

Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Në një shkrim në Facebook, Hoti theksoi se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi thirret për t’u njoftuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.

Hoti theksoi se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar.

"Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse", ka shkruar Hoti.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë e duhur, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë qëndrim një akt politik parimor dhe jo emocional.

Sipas Hotit, LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, dhe ky potencial duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Ai bëri thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe drejtimin e duhur të partisë./Telegrafi/


Tragjedi në Slloveni: 28-vjeçari nga Kosova humb jetën pas aksidentit me autocisternë

15 January 2026 at 19:33


Një 28-vjeçar nga Kosova, Leun Kastrati nga fshati Turjakë i Malishevës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Slloveni.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja e fshatit Turjakë, e cila shprehu ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimës dhe njoftoi se do të informojë për kohën e varrimit.

Aksidenti ndodhi në autostradën A1, mes Lubjanës dhe Mariborit, pranë Slovenska Bistricës, kur një autocisternë me karburant u përmbys dhe përfshi nga flakët.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë raportuar edhe mediat në Slloveni.

Përveç viktimës, dy persona të tjerë u lënduan.

Sipas raportimeve të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Shoferi i autocisternës, duke udhëtuar drejt Mariborit, humbi kontrollin mbi mjetin, u përplas me barrierën ndarëse dhe më pas u përmbys në kahun e kundërt të autostradës, ku u përplas edhe një furgon.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/

Komandanti i FSK-së viziton bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës në SHBA

15 January 2026 at 19:21


Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, e cila konsiderohet një nga njësitë kyçe të kësaj garde.

Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me aftësitë dhe kapacitetet operacionale të bazës, përfshirë helikopterët e modelit Black Hawk që janë në dispozicion të Gardës Kombëtare të Ajovës. Stafi i njësisë prezantoi procedurat e trajnimit të personelit të aviacionit, proceset e mirëmbajtjes së helikopterëve, infrastrukturën mbështetëse si dhe inspektimet e nevojshme për funksionimin e sigurt të tyre.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Gardës Kombëtare të Ajovës, me ç’rast Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Osborn u pajtuan për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese, të cilat do të fokusohen në planifikimin e ngritjes së kapaciteteve të aviacionit në kuadër të FSK-së. Ky bashkëpunim do të përfshijë trajnimin, operimin, mirëmbajtjen si dhe ndërtimin e infrastrukturës adekuate.

Në përfundim të vizitës, GLT Jashari vlerësoi lart profesionalizmin dhe përvojën e kësaj njësie, duke falënderuar stafin e bazës së aviacionit për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së. Ai theksoi se helikopterët Black Hawk përfaqësojnë një kapacitet shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në të ardhmen./Telegrafi/

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë

15 January 2026 at 19:16


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S.R., për shkak të dyshimit për përfshirje në veprat penale: Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulmi ndaj personit zyrtar, dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi. Masa e paraburgimit është caktuar për 1 muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se paraburgimi është masa më adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që ai të arratiset duke pasur nënshtetësi serbe, të ndikojë tek dëshmitarët ose bashkëkryesit e tjerë, apo të asgjësojë prova.

S.R. dyshohet se më 29 maj 2023, së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në dhunë ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në perimetrin e komunës së Zveçanit, duke tentuar pengimin e vendosjes së rendit kushtetues. Si rezultat i sulmeve, u lënduan të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, nga të cilët 3 nga predhat e armëve të zjarrit, dhe u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme, përfshirë djegien e disa automjeteve.

Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/


Osmani takon Piripatin, diskutuan për zgjedhjet dhe bashkëpunimin  Kosovë-SHBA

15 January 2026 at 19:04


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

Gjatë takimit u diskutua mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe rëndësinë e përmbushjes së standardëve më të larta demokratike, të cilat u vlerësuan lart nga të dyja palët. U theksua nevoja për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke respektuar plotësisht kushtetutën e vendit.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në bashkëpunimin bilateral, ku Presidentja Osmani ripërsëriti përkushtimin e Kosovës për të ecur krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkëpunimit strategjik.

Në fund të takimit, Prattipati përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vit të Ri nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump./Telegrafi/


Prej tre muajsh e zhdukur, gjendet e pajetë 35-vjeçarja shqiptare në Itali

15 January 2026 at 18:40


Floresha Prengu, 35 vjeç, banore e Trentos në Itali dhe nënë e dy vajzave, u gjet e vdekur 40 kilometra larg shtëpisë së saj, përgjatë lumit Adige.

Trupi i saj u identifikua këtë të enjte nga familja e saj, e cila kishte shpresuar deri në fund për një rezultat tjetër.

Floresha, me origjinë shqiptare, u pa për herë të fundit në qendër të qytetit më 22 tetor. Pas zhdukjes së saj, familja menjëherë kontaktuar policinë dhe publikun, duke kërkuar ndihmën e tyre për të gjetur një të afërm. Kërkimi për Floreshën u bë në shkallë të gjerë, duke përdorur patrulla të lumit, zjarrfikës vullnetarë përgjatë lumit Adige, si dhe helikopterë për kontrolle ajrore, por nuk dha rezultate konkrete, shkruan Corriere.

Për më shumë se dy muaj, kërkimet u shpërndanë përtej kufijve të Trentinos dhe të gjitha prefekturat italiane u informuan për zhdukjen e saj.

Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte.

BE konfirmon se po punohet për heqjen e plotë të masave brenda disa javësh

15 January 2026 at 18:19


Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në strukturat e Brukselit.

Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, së bashku me pjesën e masave që tashmë janë hequr, për Kosovën do të lirohen mbi 400 milionë euro.

Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.

“Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është pak a shumë ajo që ka thënë Presidentja jonë dhe ajo që po planifikojmë të bëjmë tani, si dhe ajo që ne në të vërtetë po bëjmë në praktikë”, tha Jan Koopman.

Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim ka folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Situata e Kosovës në kontekstin e Planit të Rritjes, sipas tij, është relativisht e thjeshtë. Mjetet financiare do të lirohen sapo marrëveshjet përkatëse të ratifikohen – një proces që deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

“Tani kjo është diçka që shpresojmë se do të përfundojë së shpejti. Pas zgjedhjeve në dhjetor, presim formimin e shpejtë të qeverisë. Më pas, autoritetet mund ta finalizojnë këtë dokumentacion, i cili është thelbësor për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave të taksapaguesve evropianë. Pas kësaj, do të jemi në gjendje të ecim shpejt, me shpresë për të kapur ritmin”, shtoi Koopman.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se autoritetet kosovare kanë punuar intensivisht në këto reforma; shumë prej tyre janë përgatitur dhe mund të zbatohen shpejt. Për rrjedhojë, sipas tij, kapja e ritmit me vendet e tjera të rajonit është e mundur, por vetëm pas ratifikimit të nevojshëm në Kuvend./RTK

❌
❌