Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë - si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë

26 December 2025 at 15:28


Nga: Joseph de Weck / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë verë, u përballa me trafik në rrugët përvëluese të Marsejës. Në një kryqëzim, mikesha ime në ulësen e pasagjerit më tha të kthehesha djathtas drejt një vendi të njohur për supën e peshkut. Por, aplikacioni i navigimit Waze na udhëzonte të vazhdonim drejt. I lodhur, dhe me Renault-n që ndihej si një saunë me rrota, ndoqa këshillën e Waze-it. Pak çaste më vonë, mbetëm të bllokuar në një kantier ndërtimi.

Një moment i parëndësishëm, mbase. Por, një i tillë që përmbledh ndoshta pyetjen përcaktuese të epokës sonë, ku teknologjia prek thuajse çdo aspekt të jetës: kujt i besojmë më shumë - njerëzve të tjerë dhe instinkteve tona, apo makinerisë?

Filozofi gjerman Immanuel Kant, e përkufizoi epokën e Iluminizmit si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar”. Papjekuria, shkroi ai, është “paaftësia për të përdorur arsyen pa udhëheqjen e dikujt tjetër”. Për shekuj me radhë, ky “tjetri” që drejtonte mendimin dhe jetën e njeriut ishte shpesh prifti, monarku apo feudali - ata që pretendonin se vepronin si zëri i Zotit në Tokë. Në përpjekjet për të kuptuar fenomenet natyrore - pse shpërthejnë vullkanet, pse ndryshojnë stinët - njerëzit i drejtoheshin Zotit për përgjigje. Në formësimin e botës shoqërore, nga ekonomia te dashuria, feja na shërbente si udhërrëfyes.

Sipas Kantit, njerëzit gjithmonë kishin aftësinë për të arsyetuar. Thjesht, nuk e kishin gjithmonë guximin për ta përdorur atë. Por, me Revolucionin Amerikan dhe më vonë atë Francez, një epokë e re po agonte: arsyeja do të zëvendësonte besimin dhe mendja njerëzore, e çliruar nga autoriteti, do të bëhej motori i përparimit dhe një bote më morale. “Sapere aude” ose “Guxo të përdorësh mendjen tënde” - i nxiste Kanti bashkëkohësit e tij.

Dy shekuj e gjysmë më vonë, mund të pyesim nëse po rrëshqasim sërish në papjekuri. Një aplikacion që na thotë se cilën rrugë do të marrim është një gjë. Por, inteligjenca artificiale [IA] rrezikon të bëhet “tjetri” ynë i ri - një autoritet i heshtur që udhëheq mendimet dhe veprimet tona. Rrezikojmë të heqim dorë nga guximi i fituar me mund për të menduar - dhe këtë herë jo ndaj perëndive apo mbretërve, por ndaj kodit.

ChatGPT u lansua vetëm tre vjet më parë dhe, megjithatë, një sondazh global i publikuar në prill zbuloi se 82 përqind e të anketuarve e kishin përdorur IA-në gjatë gjashtë muajve të fundit. Qoftë kur vendosnin të përfundonin një marrëdhënie apo për kë të votonin, njerëzit u drejtoheshin makinerive për këshilla. Sipas OpenAI-së, 73 përqind e kërkesave të përdoruesve lidhen me tema që nuk kanë të bëjnë me punën. Edhe më intriguese, sesa varësia jonë nga gjykimi i IA-së në jetën e përditshme, është ajo që ndodh kur e lejojmë atë të flasë në emrin tonë. Tani, shkrimi është ndër përdorimet më të zakonshme të ChatGPT-së, menjëherë pas kërkesave praktike si “bëje vet” apo këshillat për kuzhinë. Autorja amerikane Joan Didion ka thënë njëherë: “Shkruaj vetëm për të zbuluar se çfarë mendoj”. Por, kur ndalojmë së shkruari? A ndalojmë së zbuluari?

Ajo që shqetëson është se disa prova sugjerojnë se përgjigjja mund të jetë një po. Një studim i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit [MIT] përdori elektroencefalografi (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit të eseistëve që kishin qasje në IA, në motorë kërkimi si Google, ose nuk kishin fare ndihmë. Ata që mund të mbështeteshin tek IA-ja shfaqën aktivitetin më të ulët kognitiv dhe kishin vështirësi në citimin e saktë të punës së tyre. Më shqetësuese ishte se, pas disa muajsh, pjesëmarrësit që përdorën IA-në u bënë gjithnjë e më dembelë, duke kopjuar blloqe të tëra teksti në esetë e tyre.

Studimi është i vogël dhe jo i përsosur, por Kanti do ta kishte njohur këtë model. “Dembelia dhe frika”, shkroi ai, “janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve ... mbeten në papjekuri gjatë gjithë jetës, dhe pse është kaq e lehtë që të tjerët të vendosen si kujdestarë të tyre. Është kaq e lehtë të jesh i papjekur”.

Sigurisht, interesantja e IA-së qëndron te rehatia që ofron. Kursen kohë, shmang përpjekjen dhe - ç’është më e rëndësishmja - ofron një mënyrë të re për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Në librin e tij të vitit 1941, Arratisje nga liria, psikanalisti gjerman Erich Fromm argumentoi se ngritja e fashizmit mund të shpjegohej pjesërisht nga dëshira e njerëzve për të dorëzuar lirinë e tyre në këmbim të sigurisë së nënshtrimit. IA-ja ofron një mënyrë të re për të dorëzuar atë barrë të mendimit dhe vendimmarrjen personale.

Tërheqja më e madhe e IA-së është se mund të bëjë gjëra që mendja jonë nuk mundet - të përpunojë oqeane me të dhëna dhe ta bëjë këtë me shpejtësi të paprecedentë. Ulur në makinë në Marsejë, kjo ishte, në fund të fundit, arsyeja pse zgjodha t’i besoja makinerisë dhe jo shoqes time (një vendim të cilin ajo e mori si fyerje). Me gjithë qasjen e saj në të dhëna, mendova unë, sigurisht që aplikacioni duhet ta dijë më mirë.

Problemi është se IA-ja është një kuti e zezë. Ajo prodhon dije, por pa e thelluar domosdo kuptimin njerëzor. Ne nuk e dimë realisht si arrin në përfundimet e veta - edhe vetë programuesit e pranojnë këtë. Dhe, as nuk mund ta verifikojmë arsyetimin e saj sipas kritereve të qarta e objektive. Kështu që kur ndjekim këshillat e IA-së, nuk udhëhiqemi nga arsyeja. Po rikthehemi në mbretërinë e besimit. In dubio pro machina - kur dyshon, beso makinën - mund të bëhet parimi ynë udhëheqës në të ardhmen.

IA-ja mund të jetë aleate e fuqishme e njerëzve në kërkimin racional. Mund të na ndihmojë të shpikim ilaçe, të na çlirojë nga “punët e kota” ose nga detyrat e taksave - gjëra që kërkojnë pak mendim dhe ofrojnë edhe më pak kënaqësi. Aq më mirë. Por, Kanti dhe bashkëkohësit e tij nuk e mbështetën arsyen mbi besimin vetëm që njerëzit të mund të sistemonin më mirë ose të kishin më shumë kohë të lirë. Mendimi kritik nuk kishte të bënte vetëm me efikasitetin - ishte praktikë e lirisë dhe emancipimit njerëzor.

Mendimi njerëzor është i çrregullt dhe plot gabime, por na detyron të debatojmë, të dyshojmë, të testojmë ide kundrejt njëra-tjetrës - dhe të njohim kufijtë e të njohjes tonë. Ndërton vetëbesimin, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Për Kantin, ushtrimi i arsyes nuk ishte kurrë vetëm për dije; ishte për t’ua mundësuar njerëzit të bëheshin veprues të jetës së tyre dhe të rezistojnë ndaj dominimit. Ishte për të ndërtuar një bashkësie morale të mbështetur në parimin e përbashkët të arsyes dhe debatit dhe jo në besimin e verbër.

Me gjithë përfitimet që sjell IA-ja, sfida është kjo: si mund të shfrytëzojmë premtimin e saj për inteligjencë mbinjerëzore, pa cenuar arsyen njerëzore - gurin themeltar të Iluminizmit dhe të vetë demokracisë liberale? Kjo mund të jetë një nga pyetjet më përcaktuese të shekullit XXI. Dhe, është një pyetje që nuk duhet t’ia delegojmë makinës. /Telegrafi/

DJALË NË MUZG

26 December 2025 at 11:56


Nga: Yu Hua
Përktheu nga anglishtja: Kadia Dedja

Ishte mesi i një dite vjeshte. Sun Fu u ul ndanë një tezge frutash, me sytë e picërruar në diellin vezullues. Ai u përkul përpara, me duart në gjunjë, dhe flokët e tij të përhimë dukeshin gri nën rrezet e diellit, gri si rruga që ndehej përpara tij, një rrugë e gjerë që shtrihej nga një distancë e largët dhe pastaj zgjatej në kahun tjetër. Ai e kishte zënë këtë vend prej tre vjetësh tashmë, duke shitur fruta afër vendit ku ndalonin autobusët e udhëtimeve të gjata. Kur një makinë kaloi pranë, e mbuloi me pluhurin e trazuar nga kalimi i saj, duke e kredhur në errësirë, dhe ishte një çast përpara se ai dhe frutat e tij të rishfaqeshin, sikur të ishin zbuluar nga një ag i ri.

Pasi reja e pluhurit kishte kaluar, ai pa një kaçul me rroba të pista përballë tezgës, që po e shihte me sy të zinj e përshkënditës. Teksa e kundroi edhe ai, djali vuri njërën dorë mbi fruta, një dorë me thonj të gjatë të zinj. Kur pa thonjtë të ceknin mollën e kuqe të ndritshme, Sun Fu ngriti dorën që t’i bënte shenjë të largohej, sikur do të trembte një mizë. “Hiqmu”, - tha.

Djali tërhoqi dorën e tij të pistë dhe u lëkund pak teksa çapitej, me krahët që i vareshin plogështas anash. Në një trup kaq të dobët koka e tij dukej më e madhe.

Njerëz të tjerë tashmë po i afroheshin tryezës dhe Sun Fu u kthye të shihte. Ata ndaluan në anën tjetër të tezgës dhe i hodhën atij një shikim. “Sa kushtojnë mollët?” - pyetën. - “Po një kilogram banane?”

Sun Fu u ngrit, peshoi mollët dhe bananet në kandarin e tij dhe mori paratë. Pastaj u ul dhe vuri duart në gjunjë. Djali ishte kthyer. Këtë herë nuk po qëndronte bash përballë, por në njërën anë, me sytë përshkënditës të ngulitur te mollët dhe bananet, ndërsa Sun Fu e shihte me të njëjtën vëmendje. Pasi kundroi frutat për pak, djali ngriti sytë nga Sun Fu. “Kam uri”, - tha.

Sun Fu heshti. “Kam uri”, - përsëdyti djali, me një notë nguti që zvarritej në zërin e tij.

Sun Fu u hakërrye. “Hiqmu”.

Trupi i djalit u duk se u rrëqeth. “Hiqmu”, - tha Sun Fu përsëri, me zë më të lartë.

Djali shtangu. Trupi i tij u lëkund ndërdyshas përpara se këmbët e tij të fillonin të lëviznin. Sun Fu hoqi sytë nga djali dhe e zhvendosi vëmendjen në autostradë. Një autobus i udhëtimeve të largëta kishte ndaluar në anën tjetër të rrugës dhe njerëzit brenda u ngritën në këmbë. Përmes dritareve të autobusit, ai mund të shihte një varg shpatullash që grumbulloheshin drejt dyerve; një çast më vonë, pasagjerët vërshuan nga të dyja skajet e autobusit. Pastaj, me bisht të syrit, Sun Fu pa djalin tek ia mbathte aq shpejt sa i hanin këmbët. Ai pyeti veten pse, dhe më pas pa dorën e djaloshit tek frushkullonte: po shtrëngonte diçka, diçka të rrumbullakët. Tashmë e kuptoi se çfarë ishte. Ai brofi në këmbë dhe u vu ta ndiqte. “Ndalojeni hajdutin”, - bërtiti. - “Ndalojeni atë hajdut atje…”.

Ishte pasdite tashmë. Teksa djali arratisej përgjatë autostradës, ngrihej pluhur. Ai dëgjoi britma prapa tij dhe shikoi përreth për të parë Sun Fu-në që e ndiqte këmba-këmbës. Ai shllapuritej dëshpërimisht, duke gulçuar, dhe kur këmbët filluan t’i këputeshin, e kuptoi se e kishin lënë energjitë. Tek shihte prapa për herë të dytë, ai pa Sun Fu-në që ende i qepej pas, duke klithur e duke tundur krahët furishëm. Krejtësisht i pashpresë, djali ndaloi dhe u kthye, duke dihatur rëndshëm. Ai shikoi derisa Sun Fu ishte ngjitur me të dhe pastaj çoi mollën te goja e i dha një kafshatë të madhe.

Sun Fu shkundi krahun dhe e qëlloi djalin, duke ia rrëzuar mollën nga dora dhe duke goditur aq fort mjekrën e tij sa ai u shemb përtokë. Ai e mbronte kokën me duar, duke u përtypur fort gjatë gjithë kohës. Sun Fu, i xhindosur, e mbërtheu djalin për jake dhe e ngriti në këmbë. Fyti i djalit ishte aq i shtrënguar nga jaka e tendosur sa e kishte të pamundur të përtypej; sytë filluan t’i zgurdullohen dhe faqet t’i fryhen, pak mollë ende në gojë. Tek i kapte jakën me njërën dorë, Sun Fu shtrëngoi qafën e djalit me dorën tjetër. “Pështyje! Pështyje!” - klithi.

Po mblidhej një turmë njerëzish. “Ai ende po përpiqet ta hajë atë!” - u tha Sun Fu atyre. - “Më vodhi mollën dhe e kafshoi, dhe tani po përpiqet ta gëlltisë!”

Sun Fu e goditi fort me shuplakë në fytyrë. “Jepi, pështyje!”

Por djali thjesht e shtrëngoi gojën edhe më fort. Sun Fu ia vendosi njërën dorë në fyt dhe filloi ta këndirrte edhe një herë. “Pështyje!” - thirri.

Teksa goja e djalit u hap, Sun Fu mund të shihte copa të përtypura molle brenda. Ai e forcoi shtangimin si morsë në fytin e djalit, derisa sytë e tij filluan të mbufaten. “Sun Fu, - tha dikush, - shiko, gati po i dalin kokërdhokët vendit. Do ta mbysësh”.

“Mirë t’i bëhet”, - tha Sun Fu. - “Mirë t’i bëhet nëse mbytet”.

Më në fund, e lëshoi. “Nëse ka një gjë që e urrej, - tha ai, duke treguar qiellin, - është një hajdut. Pështyje!”

Djali filloi të pështyjë mollën pjesë-pjesë. Mënyra se si ai i pështyu copat në pjesën e përparme të këmishës, ishte pak a shumë si të shtrydhte pastë dhëmbësh nga një tubet. Pasi e mbylli gojën, ia hapi sërish me forcë dhe u përkul për të parë brenda. “Nuk e ke pështyrë të gjithën”, - tha. - “Ka mbetur edhe ca”.

Djali pështyu sërish - pothuajse e gjitha pështymë këtë herë, por me disa grimca molle aty-këtu. Djali pështyu e pështyu, derisa më në fund mbeti vetëm një zhurmë e thatë, nuk kishte më pështymë. “Mjafton”, - tha Sun Fu.

Ai pa shumë fytyra të njohura mes njerëzve që ishin mbledhur për të parë. “Dikur ne kurrë nuk i mbyllnim dyert, apo jo?” - tha ai. - “Nuk kishte një familje në të gjithë qytetin që mbyllte dyert, apo jo?”

Ai pa njerëzit duke tundur kokën. “Tani, pasi ta keni mbyllur derën një herë, duhet të përdorni edhe një shul të dytë”, - vazhdoi ai. - “Pse? Për shkak të hajdutëve të tillë. Nëse ka një gjë që e urrej, është një hajdut”.

Sun Fu e pa djalin fytyrënxirë, i cili e shikoi i magjepsur, si i mahnitur nga ajo që po thoshte. Pamja e djalit zgjoi një padurim tek ai. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - tha ai, - duhet t’ia thyejmë njërën nga duart, t’i thyejmë dorën që vodhi…”

Sun Fu uli sytë te djali. “Cila dorë ishte?” - bërtiti.

Djali u rrëqeth dhe e kaloi nxitimthi dorën e djathtë pas shpine. Sun Fu ia kapi dorën dhe ua tregoi të gjithëve. “Ishte kjo dorë. Përndryshe, pse do të përpiqej ta fshihte kaq shpejt?”

“Nuk ishte ajo dorë!” - briti djali.

“Atëherë ishte kjo dorë”. Sun Fu kapi dorën e majtë të djalit.

“Jo, nuk ishte”.

Teksa tha këtë, djali u përpoq ta tërhiqte dorën. Sun Fu i dha një shuplakë në fytyrë që e bëri t’i merren këmbët. Pas një shuplake të dytë, djali qëndroi në vend. Sun Fu e kapi për flokësh, duke ia ngritur kokën lart. “Cila dorë ishte?” - klithi ai, duke ia ngulur sytë në fytyrë.

Sytë e djalit u gapërruan teksa shikoi Sun Fu-në, dhe një çast më vonë ai shtriu dorën e djathtë. Sun Fu e mbërtheu për kyçi dhe me dorën tjetër kapi gishtin e mesit të dorës së djalit. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - u tha soditësve, - duhet t’ia thyejmë këtë dorë. Nuk mund ta bëjmë më këtë. Tashmë ne i mëshojmë edukimit. Si të edukojmë?”

Sun Fu shikoi djalin. “Kështu edukojmë ne”.

Ai mëshoi fort me të dyja duart. U ndie një kërcitje e papritur teksa ai theu gishtin e mesit të djalit. Djali klithi me një piskamë të mprehtë si thikë. Tek uli sytë, pa gishtin e thyer tek lëvarej në pjesën e pasme të dorës dhe u shemb përtokë i tronditur.

“Kështu duhet vepruar me hajdutët”, - tha Sun Fu. - “Nëse nuk u thyeni njërin nga krahët, të paktën duhet t’u thyeni një gisht”.

Duke thënë këtë, Sun Fu u përkul dhe e ngriti djalin në këmbë. Ai vuri re se sytë e tij ishin mbyllur fort nga dhembja. “Hapi sytë!” - klithi. - “Jepi, hapi!”

Djali hapi sytë, por ishte ende në agoni dhe goja e tij ishte shtrembëruar në një formë të çuditshme.

Sun Fu e goditi me shkelm në këmbë. “Lëviz!”

Sun Fu e kapi për jake dhe e shtyu përpara tryezës së frutave. Ai rrëmoi përreth në një karton për një litar dhe e lidhi tek tezga. “Bërtit”, - i tha djalit kur pa njerëzit që shikonin. - “Bërtit: ‘Unë jam një hajdut’!”

Djali shikoi Sun Fu-në. Kur ai nuk iu bind, Sun Fu mbërtheu dorën e tij të majtë dhe e shtrëngoi gishtin e mesëm të majtë. “Unë jam një hajdut!” - briti djali.

“Nuk dëgjohet mjaftueshëm”, - tha Sun Fu. - “Ngrije zërin!”

Djali shikoi Sun Fu-në, pastaj shtyu kokën përpara dhe klithi me gjithë fuqitë: “Unë jam një hajdut!”

Sun Fu pa se si dolën enët e gjakut në qafën e djalit. Ai pohoi me kokë. “Shkëlqyeshëm”, - tha. - “Kështu duhet të bërtasësh”.

Gjithë pasditen dielli i vjeshtës e lau djalin në dritë. Dy duart e tij ishin lidhur pas shpine dhe litari ishte mbledhur rreth qafës së tij, kështu që e kishte të pamundur të ulte kokën. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qëndronte aty si i ngrirë, me sytë nga autostrada. Pranë tij qëndronte fruta që ai kishte lakmuar, por me qafën e ngulët në vend as nuk mund t’i hidhte një shikim. Sa herë që dikush kalonte pranë - ndonjë kalimtar me gjasë - me këmbënguljen e Sun Fu-së ai do të bërtiste: “Unë jam një hajdut!”

Sun Fu u ul pas tavolinës së frutave në stolin e tij, duke e parë me kënaqësi djalin. Ai nuk ishte më aq i indinjuar për humbjen e një molle dhe kishte filluar të ndihej i kënaqur me një punë të bërë mirë, sepse e kishte kapur dhe ndëshkuar hajdutin e mollës dhe ndëshkimi ende nuk kishte përfunduar. Ai u sigurua që djali të klithte me sa zë kishte sa herë që dikush kalonte pranë. E kishte vënë re që britmat e djalit tërhiqnin një rrëke të vazhdueshme njerëzish në tavolinën e tij të frutave.

Shumë njerëz e shihnin me kureshtje djalin që klithte. Atyre u dukej e çuditshme që një rob i lidhur të thërriste aq fort: “Unë jam një hajdut.” Sun Fu ua sqaronte të gjithë historinë, duke shpjeguar pa u lodhur se si djali kishte vjedhur një mollë, se si ishte kapur dhe se si ishte ndëshkuar. “Është për të mirën e tij”, - do të shtonte Sun Fu.

Dhe do ta bënte të qartë çfarë nënkuptonte me këtë. “Dua që ai të kuptojë se nuk duhet të vjedhë më kurrë”.

Pastaj Sun Fu do t’i drejtohej djalit. “A do të vjedhësh më?” - ia priste ai.

Djali tundte kokën me vrull. Për shkak se qafa e tij ishte shtrënguar aq fort, ai e tundte vetëm pak kokën, por shumë shpejt.

“A e patë atë?” - thoshte Sun Fu triumfalisht.

Gjatë gjithë pasdites, djali bërtiti dhe klithi. Buzët e tij u thanë e u plasaritën në diell dhe zëri iu ngjir. Në buzëmbrëmje, djali nuk ishte në gjendje të nxirrte një britmë të plotë dhe mundi të bënte vetëm një zhurmë gërvishtëse, por prapëseprapë vazhdoi të briste: “Unë jam një hajdut.”

Pasagjerët nuk mund ta kuptonin më se për çfarë po bërtiste. “Ai po bërtet: ‘Unë jam një hajdut.’”, - tha Sun Fu.

Pas kësaj, Sun Fu e zgjidhi litarin. Tashmë ishte pothuajse errësirë. Sun Fu i kaloi frutat në karrocën e tij të sheshtë dhe kur gjithçka ishte në rregull, e zgjidhi robin e tij. Pikërisht kur Sun Fu po vendoste litarin e mbështjellë mbi karrocë, dëgjoi një zhurmë të mbytur prapa tij, dhe shikoi përreth për të parë që djali ishte shembur përtokë. “Pas kësaj, - tha ai, - vë bast që nuk do të guxosh të vjedhësh më”.

Teksa fliste, Sun Fu hipi në biçikletë në pjesën e përparme të karrocës dhe u nis tatëpjetë autostradës së gjerë, duke e lënë djalin të shtrirë përtokë sa gjerë gjatë. I ligështuar nga uria dhe etja, ai ishte shembur sapo u zgjidh. Ai tashmë thjesht vazhdonte i shtrirë atje, me sytë paksa të hapur, sikur të shihte rrugën ose sikur të mos shihte asgjë. Ai qëndroi pa lëvizur për disa minuta dhe pastaj u ngrit ngadalë këmbadoras dhe u mbështet pas një peme. Më në fund, filloi të zvarritej rrugës tatëpjetë, në drejtim të perëndimit.

Djali u drejtua nga perëndimi, me trupin e tij imcak që lëkundej lehtë në muzg teksa dilte nga qyteti me gjysmë hapi. Disa e shihnin tek largohej dhe e dinin që ai ishte hajduti që Sun Fu kishte kapur atë pasdite, por ata nuk e dinin emrin e tij ose nga kishte ardhur, dhe sigurisht as që ia kishin idenë se ku po shkonte. Ata panë se si gishti i tij i mesit varej në pjesën e pasme të dorës së djathtë dhe shikuan se si çapitej në muzgun e largët dhe u tret.

Atë mbrëmje, si zakonisht, Sun Fu shkoi në dyqanin e vogël ngjitur për të blerë gjysmë litri me verë orizi, më pas përgatiti disa ushqime të thjeshta dhe u ul në tryezën katrore të ngrënies. Në këtë orë të ditës, dielli në perëndim shndriti nga dritarja dhe u duk sikur e ngrohu dhomën. Sun Fu u ul atje në muzg, duke hurbur verën e tij.

Shumë vite më parë, ai e kishte ndarë dhomën me një grua të bukur dhe një djalë pesëvjeçar. Në ato ditë dhoma gumëzhinte vazhdimisht nga zhurma dhe gjallëria, dhe nuk kishin të mbaruar gjërat për të cilat ata bisedonin. Ndonjëherë ai thjesht do të ulej brenda dhe shikonte se si gruaja e tij ndizte një zjarr jashtë në sobën me qymyr. Djali i tyre do t’i ngjitej asaj nga pas si mastikë, duke ia tërhequr xhaketën dhe duke e pyetur a duke i thënë diçka me zërin e tij të paktë të ngjirur.

Më vonë, një drekëherë vere, disa djem hynë me vrap brenda, duke thirrur emrin e Sun Fu-së. Ata thanë që djali i tij kishte rënë në një pellg jo shumë larg që aty. Ai vrapoi si një njeri i xhindosur, me gruan që e ndiqte pas me klithma therëse. Nuk kaloi shumë kur u bë më se e qartë se kishin humbur djalin e tyre përgjithmonë. Atë natë ata u ulën së bashku duke dënesur e duke ofsharë në errësirë dhe në zabullimë.

Më vonë akoma, ata filluan të rifitojnë qetësinë, duke e vazhduar jetën si më parë, dhe kështu kaluan me shpejtësi disa vite. Pastaj, një dimër, një berber shëtitës ndaloi jashtë shtëpisë së tyre. Gruaja e Sun Fu-së doli përjashta, u ul në karrigen që i dha berberi, mbylli sytë në rrezet e shndritshme të diellit dhe e la berberin t’ia lante e t’ia priste flokët, t’ia pastronte veshët e t’ia masazhonte krahët dhe shpatullat. Asnjëherë në jetën e saj nuk ishte ndier kaq e relaksuar sa atë ditë: dukej sikur po i shkrihej i gjithë trupi. Më pas i futi rrobat e saj në një çantë dhe priti derisa të errësohej qielli, pastaj u nis përgjatë rrugës që kishte marrë berberi.

Sun Fu ishte vetëm tashmë, e shkuara e tij ngjishej në një foto të zbardhulët bardhë e zi që varej në mur. Ishte një portret familjar: ai, gruaja e tij dhe djali i tyre. Djali ishte në mes, me një kapelë pambuku disa masa më të madhe. Në të majtë, me gërsheta, gruaja e tij buzëqeshte gëzimplotë. Sun Fu ishte në të djathtë, me fytyrën e tij rinore citazi me jetë. /Gazeta “ExLibris”/

Çfarë realisht arriti Trumpi këtë vit?

26 December 2025 at 10:33


Nga: Matt Robison / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Për rivalët, tallja e presidentit Donald Trump është bërë thuajse refleks automatik, aq bajat saqë mezi shkakton interesim edhe kur është plotësisht e merituar. Por, ajo që po bëhet interesante në fund të vitit është se sa shumë po përhapet ky sentiment: duket se shumë prej mbështetësve të Trumpit po e kuptojnë se gjithçka që kanë marrë gjatë vitit 2025 ka qenë vetëm zhurmë.

Viti i Trumpit, me fjalët e Makbethit, “nuk është veç se prrallë, prej budallaj, plot buj’ e plot tërbim” [sipas përkthimit të Nolit - shën. i Telegrafit]. Në një çështje pas asaj tjetrës kryesore nga fushata e vitit 2024, presidenti ka ofruar shumë gjeste teatrale me zë të lartë. Por, bilanci i tij real për ato që premtoi shkon nga zeroja absolute deri te dështimi befasues.

Keni dyshime? Le ta shqyrtojmë, sepse është një gjë që është e lehtë, meqë prioritetet e Trumpit nuk ishin ndonjë mister (programi i Partisë Republikane për vitin 2024 thoshte me germa të mëdha, si i dehuri i fundit në fund të natës: “NDALO INFLACIONIN DHE BËJE AMERIKËN SËRISH TË PËRBALLUESHME ... OPERACIONI MË I MADH I DEPORTIMIT NË HISTORINË AMERIKANE ... NDALO ARMATIMIN E QEVERISË”)

Sa i përket ekonomisë, pavarësisht fjalimit të zjarrtë të Trumpit në orar kryesor televiziv javën e kaluar - përmbledhja e të cilit dukej të ishte “Do të vazhdoj t’ju bërtas derisa të përmirësohet morali” - Amerika po e përmbyll vitin 2025 me papunësinë më të lartë në katër vjetët e fundit dhe me çmime rreth tre përqind më të larta. Shumica e kësaj rritjeje vjen për shkak të politikave të Trumpit. Trumpi mendon se përballimi i jetës është mashtrim. Votuesit nuk mendojnë kështu: për ta është gjëja më e rëndësishme dhe ata fajësojnë në masë të madhe presidentin për problemet e tyre ekonomike.

Sa për synimin e tij për të “ndalur zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit dhe për ta kthyer ShBA-në në superfuqi prodhimi” (le ta kursejmë veten nga germat e mëdha) - që thuhej se ishte arsyeja për bombardimin e ekonomisë me tarifa - vendet e punës në prodhim kanë rënë, zhvendosja jashtë vendit është rritur dhe deficiti ynë tregtar është 112 miliardë dollarë më i lartë.

Po programi i deportimeve i Trumpit? Me siguri të gjitha ato operacione të ICE-së [Shërbimi i Doganave dhe Emigracionit - shën. i Telegrafit] të projektuara posaçërisht për rrjete sociale, ato zbarkime të Gardës Kombëtare në pika të nxehta dhe shfaqja për kamerat e sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, në një burg famëkeq në Salvador, janë shenja se gjërat po funksionojnë?

Pritni pak, sepse Trumpi është në rrugën për të realizuar më pak deportime në vitin 2025 sesa bëri Joe Biden më 2024 - dhe shumë më pak se Barack Obama në kulmin e tij. Mendoni për këtë ... sepse zyrtarët e Trumpit padyshim që po mendojnë: ata vazhdojnë të pushojnë zyrtarë të lartë dhe të mbledhin "seanca vetëkritike" ku këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Stephen Miller, bërtet në panik. Fakti që kryeredaktorja e CBS-it, Bari Weiss, u përpoq të mbulonte programin 60 Minutes për deportimet në gulagët e huaj, tregon se sa e frikësuar është bërë Shtëpia e Bardhë teksa votuesit po lodhen nga spektakli mizor i imigracionit.

Paqja dhe siguria? Pretendimet e Trumpit për përfundimin e shtatë luftërave janë fantazi (CBS News i hodhi poshtë këto budallallëqe që në shtator, por mos i tregoni Bari Weissit). Të jemi të drejtë, edhe pse ende vazhdon lufta në Ukrainë - të cilën Trumpi premtoi ta përfundonte për 24 orë - ai duhet të marrë merita për armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Por, duke qenë të drejtë, le të fokusohemi edhe në vlerësimin e besueshëm se shkatërrimi i USAID-it, nga ana e tij, do të shkaktojë vdekjen e 330 mijë njerëzve këtë vit - 230 mijë prej tyre fëmijë. Është e sëmurë ideja e tij se do të marrë Çmimin Nobel për Paqen pasi ka shkaktuar kaq shumë dhimbje për më të mjerët e botës dhe për ata që festojnë lindjen e Jezusit dhe po reflektojnë mbi Mateun 25:40 [Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua - shën. i Telegrafit] fati i më të vegjëlve prej vëllezërve e motrave tona duhet të jetë burim i thellë hidhërimi.

Përfundimi i “armatimit të qeverisë”? Reuters dokumentoi të paktën 470 persona, organizata dhe institucione të cilat Trumpi i ka në cak për hakmarrje. Lufta kundër “kontrollit qeveritar” [deep state - shën. i Telegrafit] dhe “tharjes së kënetës”? Trumpi pushoi shumë njerëz, por kryesisht ata që ishin të aftë, dhe Departamenti i Drejtësisë nuk uli aspak shpenzimet. Lufta kundër zgjimit [woke - shën. i Telegrafit] në shkolla? Harvardi e riemëroi qendrën e tij për DEI [Diversitet, Barazi dhe Përfshirje - shën. i Telegrafit] dhe bashkoi disa faqe që merreshin me racën dhe gjininë. E merituat, liberalë.

Për krimin, të paktën mund të thuhet që Trumpi nuk i ka prishur trendët kombëtarë të rënies së shpejtë të niveleve të krimit që nisën nën Bidenin - dhe, në disa raste madje janë përshpejtuar këtë vit. Nga ana tjetër, faljet e Trumpit dhe ndjekjet penale me motive hakmarrëse kanë krijuar një sistem drejtësie me dy nivele: një për Trumpin dhe miqtë e tij, dhe një tjetër për të gjithë të tjerët. Vështirë të besohet se kjo ishte në listën e dëshirave të votuesve të MAGA-s [Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore - shën. i Telegrafit].

Trumpi duket se jeton sipas tekstit të këngës Razzle Dazzle nga mjuzikli Çikago që këshillon mashtruesit t’ia japin turmës “hokus-pokusin” dhe “kur të jesh në telashe, vallëzo”. Por, ajo gjithashtu pyet në aspektin retorik: “Po nëse të gjitha shpresat të janë ndryshkur ... po nëse, në fakt, je thjesht i neveritshëm”?

Po, vërtet? Këtë vit, “mashtrimi” i Trumpit u konsumua, sepse nuk kishte asgjë poshtë sipërfaqes. Ka një arsye pse 14 përqind e votuesve të Trumpit tashmë pendohen për votën e tyre. Me republikanët në Kongres që po rrëzohen në kaos përsëri dhe me presidentin pa asnjë plan për të bashkëpunuar për ndonjë gjë konstruktive në vitin 2026, pyetja e vetme tani është: sa do të zgjasë derisa edhe të tjerët t’i hapin sytë? /Telegrafi/

URTËSI

26 December 2025 at 09:32


Poezi nga: Ada Negri
Përktheu: Anton Papleka

Kur ti nuk do të bësh dallimin më të vogël
Midis armikut tënd dhe mikut tënd, kur këngët
Dhe të qarat do të kenë për ty një zë të përbashkët,
Kur asgjë në botë nuk mund të të plagosë më,
Ty që t’u desh të bëje një luftë të ashpër
Dhe që u lëndove aq shumë; kur të japësh dashuri
Në këmbim të urrejtjes dhe kur, për të mirën që bëre,
Mund të buzëqeshësh duke marrë mosmirënjohje, harresë;
Kur ti nuk do të kesh asgjë tjetër përveç Zotit
Në zemrën tënde dhe brenda teje, pa dyshin atëherë
Ti do të kesh sosur te jeta e vërtetë ose te vdekja.

Yesterday — 25 December 2025Main stream

A ekziston Babadimri?

25 December 2025 at 11:25


Sqarimi i mistereve tuaja “të pashpjegueshme” ...

Nga: Sarah Knapton dhe Joe Pinkstone / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndërsa hetonin gjithçka, nga rastësitë e çuditshme deri te takimet e habitshme, Sarah Knapton, redaktore shkencore, dhe Joe Pinkstone, korrespondent shkencor i gazetës sonë [The Telegraph], kanë zbuluar se përvojat në dukje të mbinatyrshme priren të kenë shpjegime krejtësisht racionale.

Tani ata duan t’ju ndihmojnë edhe juve.

Në këtë seri ata zbërthejnë historitë tuaja më të çuditshme personale, duke përdorur shkencën, psikologjinë dhe paksa mendjen e shëndoshë për të gjetur logjikën prapa çmendurisë - megjithëse ndonjëherë në fund mbetet edhe një grimcë misteri.

Sot, për një botim të veçantë të Krishtlindjes, dyshja jonë peshojnë një pyetje të vjetër sa vetë koha: A ekziston Babadimri? [Is Santa Claus real?]

Të dashur Sarah dhe Joe,

“Nëse Babadimri është i vërtetë, si ia del ai të shpërndajë të gjitha dhuratat për fëmijët e botës për një natë të vetme? Mua nuk më duket e mundur, dhe asnjëherë nuk e kam parë, ndaj mendoj se është i trilluar”.

Isobel, shtatë vjeçe.

Sarah dhe Joe përgjigjen:

Sigurisht që Babadimri është i vërtetë, Isobel, por po, aventurat e tij në mbrëmjen e Krishtlindjes priren të sfidojnë fizikën, kështu që e kuptojmë pse mund të vësh në dyshim ekzistencën e tij.

Në fakt, deri vonë askush nuk e dinte se si ia dilte mbanë Babadimri të vizitonte të gjithë fëmijët e botës - derisa shkencëtarët nuk e kombinuan Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe mekanikën kuantike në atë që tani njihet si Teoria e Madhe e Bashkuar e Babadimrit [Grand Unified Theory of Santa] - ose shkurt, GUTS.

Në vitin 2016, Dr. Katy Sheen, fizikane në Universitetin e Ekseterit, zbuloi se Babadimri dhe drerët e tij udhëtojnë nëpër botë me një shpejtësi aq të lartë saqë ata tkurren, duke mundësuar që Babadimri dhe thesi i tij i madh i dhuratave të futen edhe në oxhaqet më të ngushta.

Dr. Sheen zbuloi gjithashtu një shpjegim shkencor përse Babadimri rrallëherë shihet nga fëmijët - edhe pse miliona prej tyre përpiqen të qëndrojnë zgjuar, në Natën e Krishtlindjes, për të kapur një pamje të kostumit të tij të kuq.

Është aq i shpejtë saqë bëhet i padukshëm

Fizikania përllogariti se Babdimri do të duhej të udhëtonte me rreth 10 milionë kilometra në orë, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë që pritet të festojë Krishtlindjet brenda 31 orëve - duke marrë parasysh zonat kohore në botë.

Një shpejtësi e tillë do ta bënte atë të ndryshonte nga ngjyra e kuqe në të gjelbër dhe, me rritjen e shpejtësisë, përfundimisht do të zhdukej plotësisht. Në këtë rast, është efekti i Doplerit ai që e bën Babadimri të ndryshojë ngjyrën, sepse valët e dritës që reflektohen mbi të shtrydhen në një shpejtësi kaq të madhe.

Efekti i Doplerit gjithashtu shpjegon se pse fëmijët nuk e dëgjojnë Babadimri kur ai mbërrin.

Teksa Babadimri dhe saja e tij afrohen, tingulli i zileve dhe “ho, ho, ho”-ja e thellë do të ngrihen gjithnjë e më lartë në tonalitet derisa bëhen të padëgjueshme, sepse zëri i tij lëviz përtej diapazonit të dëgjimit njerëzor.

Dhe, nëse fëmijët dëgjojnë një zhurmë të fortë Natën e Krishtlindjes, mund të jetë ndonjë dre i Babadimrit që ka thyer murin e zërit, duke krijuar një bum sonik.

Dr. Sheen ka thënë: “Ndodhin disa gjëra të çuditshme, pasi fillon të udhëtosh kaq shpejt. Së pari, koha ngadalësohet. Së dyti, Babadimri ngjeshët, që do të thotë se ai mund të futet më lehtë në një oxhak”.

Ekspertët gjithashtu besojnë se Babadimri ndonjëherë përdor ndërlidhjen kuantike për të qenë i sigurt se të gjithë fëmijët do ta marrin dhuratën në kohë.

Mekanika kuantike merret me sjelljen e grimcave shumë të vogla, dhe ato mund të ekzistojnë në një gjendje të ndërlidhur - që do të thotë se mund të jenë të lidhura, pavarësisht se sa larg ndodhen në botë.

Shkencëtarët mendojnë se Babadimri ndonjëherë i vendos dhuratat në një gjendje të veçantë “të ndërlidhur”, që do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, të gjithë fëmijët marrin dhuratën e tyre në të njëjtën kohë.

Për shkak se ndërlidhja është e brishtë, Babadimri shqetësohet nëse ajo mund të prishet, që do të thotë se do të humbasë lidhja speciale që garanton shpërndarjen e dhuratave. Kjo është arsyeja se pse fëmijët duhet të jenë në shtrat dhe në gjumë - herët në Natën e Krishtlindjes.

Pamja e konfirmuar

Ekzistenca e Babadimri u konfirmua në vitin 2023, kur një video rrodhi nga një bisedë mes zonjës Angela McClean, këshilltare kryesore shkencore e Qeverisë, dhe Michelle Donelanit që ishte ministre e Shkencës në atë kohë.

- YouTube Sekreti i fuqisë magjike të Babadimrit zbulohet nga këshilltarja kryesore shkencore e Qeverisë ...

Zonja Angela, duke menduar se kamerat ishin fikur, u xhirua duke thënë se ishte thelbësore që fëmijët të binin herët në gjumë në Natën e Krishtlindjes, për të mos e prishur metodën shkencore të Babadimrit.

E pyetur nëse ajo e dinte se si ia del mbanë Babadimri të futet në të gjithë oxhaqet e botës, ajo tha: “Është e qartë që ai nuk mund të shkelë ligjet e fizikës, por ka disa gjëra që mendojmë se ai mund të jetë duke i përdorur për ta ndihmuar në atë punë të rëndësishme, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë në gjithë botën. Pra, ajo që mendojmë se ai bën është se ai merr lodrat që ka prodhuar në Polin e Veriut dhe i vendos ato në një gjendje të veçantë - që quhet gjendje e ndërlidhur - dhe kjo do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, kjo siguron që çdo fëmijë në botë do të marrë një dhuratë. Kjo ndodh sepse ai përdor këtë lidhje shumë të veçantë midis gjërave, gjë që dimë se mund të ndodhë sipas fizikës kuantike dhe që quhet ndërlidhje”.

Shkenca funksionon vetëm nëse fëmijët janë në kohën e duhur në gjumë

E pyetur nëse kjo metodë shkencore funksionon vetëm nëse fëmijët flenë me kohë, zonja Angela shtoi: “Oh, absolutisht po, nëse dikush do ta shihte Babadimrin, kjo do të prishte gjendjen e ndërlidhur. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të këmbëngulim që fëmijët të jenë me kohë në shtrat në Natën e Krishtlindjes”.

Në atë kohë, Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) tha se ishte “i zhgënjyer” që pamjet e një bisede private ishin bërë publike dhe fajësoi elfët e Babadimrit të cilët nuk komentuan për akuzën kur u kontaktuan nga ditorja The Telegraph.

Në vitin 2017, Universiteti i Uorikut sugjeroi gjithashtu se Babadimri mund të përdorë "tunelin kuantik" për të hyrë dhe për të dalë nga shtëpitë.

Dr. George Knee, fizikan teorik, argumentoi se duke ngrënë shumë ëmbëlsira me fruta, Babadimri është shëndoshur shumë për të hyrë nëpër oxhaqe, ndaj ka nevojë të përdorë mekanikën kuantike.

“Sipas fizikës kuantike, atomet në trupin e Babadimrit kanë një pozicion të pasigurt - një lloj mjegulle që mund të lëvizë si lëng”, tha ai. “Megjithëse tingëllon absurde, është plotësisht e mundur që pasiguria e trupit të Babadimrit të rrëshqasë përmes hapësirave të cilat përndryshe janë të pamundura. Kjo do të thotë që, në teori, Babadimri kuantik mund të shfaqet drejtpërdrejt në oxhak. Kjo teori shpjegon gjithashtu se si arrin Babadimri te njerëzit që nuk kanë oxhak. Ai thjesht përdor tunelin kuantik për të rrëshqitur poshtë derës ose përmes deriçkës së maceve”.

Përfundimi: Gjithçka e shpjegueshme!

/Telegrafi/

Në Berlin shkova në një kurs mbrëmjeje mbi fashizmin - dhe mësova si ta ndaloj AfD-në

25 December 2025 at 10:18


Nga: Tania Roettger / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1932, shkrimtarja e lindur në Berlin, Gabriele Tergit, nisi të përjetësonte gjënë të cilën ajo e shihte si një botë që po zhdukej: jeta dhe fatet e hebrenjve të qytetit. Deri në vitin 1945, pasi kishte ikur nga nazistët - fillimisht në Çekosllovaki, pastaj në Palestinë dhe më pas në Britani - Tergit e kishte përfunduar romanin e saj, por iu desh të priste deri në vitin 1951 që Efingerët [The Effingerët] të botohej. Edhe atëherë, vetëm pak librarë gjermanë pranuan ta vendosnin në raftet e veta. Ishte një vepër tepër e çuditshme për publikun gjerman që kishte parë, në mos kishte marrë pjesë, në Holokaust.

Lexo po ashtu:
- Si e ka infektuar Adolf Hitleri mënyrën tonë të të menduarit
- Një roman i panjohur i shkrimtarit që dokumentoi ngritjen e Hitlerit
- Mendja naziste
- Nëse do ta njihnim më mirë historinë, do ta lexonim më mirë të tashmen

Megjithëse u anashkalua në atë kohë, është rizbuluar si një klasik në Gjermani dhe tani është botuar për herë të parë në anglisht. Është kronikë e tri familjeve të pasura hebraike në Berlin, midis viteve 1878 dhe 1942, me një epilog të vendosur në vitin 1948 - i bazuar në rikthimin e Tergitit në qytetin e saj të shkatërruar. Tergit e kuptonte sa të rrezikshëm ishin nazistët. Ajo ishte reportere gjyqësore dhe kishte ndjekur gjyqet kundër Adolf Hitlerit dhe Joseph Goebbels në vitet ‘20 të shekullit XX - kjo e bëri gjithashtu cak, dhe ajo iku nga Berlini pasi mezi shpëtoi nga një bastisje e SA-së (“këmishëkafenjtë”) në mars të vitit 1933.

Është e frikshme, duke lexuar Efingerët në vitin 2025, që ngjitja e nazistëve në pushtet ndodh kryesisht në periferi të jetës së protagonistëve. Ekziston ndjesia se, ndonëse i shihnin si akterë të këqij, ata megjithatë ndiheshin të mbrojtur nga nazistët në vilat e tyre ekstravagante në Tirgarten, me rrobat e shtrenjta dhe lidhjet e tyre shoqërore.

Një atmosferë e ngjashme rreziku politik rri pezull edhe në filmin Kabare [Cabaret] të vitit 1972 - bazuar në romanet berlineze të Christopher Isherwoodit. Republika e Vajmarit paraqitet si një kohë hedoniste, dhe nazistët dalin ngadalë në skenë nga prapaskena. Një personazh madje thotë: “Nazistët janë thjesht një bandë huliganësh budallenj - por, ata i shërbejnë një qëllimi: le t’i heqin qafe komunistët dhe pastaj do t’i kontrollojmë ne”. Ndjesia e një rreziku të afërt, por të nënvlerësuar, më dukej tepër e njohur.

Momentalisht, diskutimi mbi fashizmin është i kudondodhur. Këtu, në Gjermani, debatohet në artikuj, libra, ekspozita dhe seri leksionesh publike. Ka diskutime për faktin nëse politikat e Alternativës për Gjermaninë (AfD) mund të quhen fashiste, apo nëse ky autoritarizëm i djathtë i shekullit XXI është më ndryshe në aspektin cilësor.

Në përpjekje për të kuptuar më mirë këta precedentë historikë dhe kohën tonë, u regjistrova në një seminar mbrëmjeje për fashizmin të quajtur “Përbindëshat” e Fashizmit - dje, sot dhe nesër, në Berlin, në Forumin Letrar “Berthold Brecht” me prirje të majtë. Ideja kryesore ishte, siç e shpjegoi ligjëruesi, të dish të përkufizosh fashizmin - ky është hapi i parë për të rritur qëndrueshmërinë tonë ndaj tij. Pavarësisht disa vështirësive në përcaktimin e përkufizimit, arritëm te disa tregues të përbashkët: një përpjekje për të krijuar një komb etnikisht “të pastër”, angazhimi i një force paramilitare dhe përdorimi i tepërt dhunës, ndjenja anti-liberale dhe anti-demokratike, si dhe përfshirja e mbështetësve të pasur nga elita ekonomike.

Kur diskutimi kaloi te AfD-ja dhe se ku do të mund t’i vendosnim ata në këtë spektër, një atmosferë dëshpëruese mbizotëroi në sallë. Po kalonim nga bota teorike në realitetin politik të Gjermanisë së vitit 2025 dhe, ndonëse AfD-ja nuk ka forcë të vet paramilitare apo përdor dhunë të tepruar, ekzistojnë disa shqetësime të arsyeshme për kriteret e tjera. Kjo është një parti për të cilën më shumë se 30 përqind e punëtorëve të krahut dhe gjermanëve të papunë votuan në zgjedhjet federale të shkurtit. AfD-ja doli e dyta në nivel kombëtar, duke fituar 20.8 përqind të votave, ndërsa CDU-ja mori 28.5 përqind. Sipas sondazheve të fundit, AfD-ja është në krye me 26 përqind kundrejt 24 përqindëshit të CDU-së. AfD-ja është parti që është shpallur “ekstremiste e djathtë” nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Një iluzion historik të cilin elitat gjermane rrezikojnë ta përsërisin është ideja se elitat e vjetra mund të ruajnë kontrollin mbi fuqitë e reja që shfaqen në të djathtën ekstreme. Disa javë para zgjedhjeve të 2025-ës, kancelari kristiandemokrat (CDU), Friedrich Merz, theu të ashtuquajturin “mur mbrojtës” - marrëveshjen midis të gjitha partive demokratike për të mos bashkëpunuar me AfD-në në votimet parlamentare. Merz kaloi një propozim në Parlament për të goditur migrimin e paligjshëm, me mbështetjen e AfD-së. Që atëherë, disa anëtarë të CDU-së kanë kërkuar që Merz ta heqë përfundimisht “murin mbrojtës”.

Kur, muajin e kaluar, Gjermania përkujtoi viktimat e pogromeve naziste të nëntorit 1938, Frank-Walter Steinmeier, kreu simbolik i shtetit tonë, mbajti një fjalim ku paralajmëroi për AfD-në - pa e përmendur me emër. Ai i kërkoi qeverisë së Merzit të ruajë “murin mbrojtës”, dhe madje bëri thirrje që të merren në konsideratë edhe mundësitë ligjore për ndalimin e partive politike anti-demokratike. Mundësia për ta ndaluar AfD-në është diskutuar gjerësisht, por duket e pamundur të ndodhë; gjithashtu, shmang trajtimin e rrënjëve të mbështetjes së saj.

Për ata që duan të rezistojnë ndaj ekstremizmit të djathtë, një nga prioritetet e para është të tregojnë solidaritet me ata që janë nën kërcënim. Në Gjermaninë e vitit 2025, kjo nënkupton kryesisht azilkërkuesit, veçanërisht sirianë, afganë dhe ukrainas, por përgjithësisht burra të rinj me histori migrimi. Dhe, ka pasur disa shfaqje publike të këtij solidariteti.

Në janar 2024, miliona njerëz dolën në rrugët e akullta në mbarë Gjermaninë për të protestuar kundër konferencës së fshehtë famëkeqe për “rimigrimin” në Potsdam, ku morën pjesë neonazistët dhe anëtarët e AfD-së, gjë që u zbulua nga platforma hetimore Correctiv. Por, as ky frustrim dhe as shqetësimet për dobësimin e “murit mbrojtës” parlamentar, nuk duket se kanë pasur ndonjë ndikim të qëndrueshëm te qeveria e Merzit.

Mësimi i hidhur moral i romanit të Tergitit vjen në letrën e fundit, shkruar nga Efingeri i moshuar gjatë rrugës për në kampin e përqendrimit: “Besova në të mirën e njerëzve - ky ishte gabimi më i rëndë i jetës sime të çorientuar”. Nuk duhet të ndalojmë së besuari në të mirën e njerëzve, por duhet gjithashtu të dëgjojmë paralajmërimet e historisë. Ajo që na mëson libri Efingerët është të mos e nënvlerësojmë rrezikun e kërcënimit fashist, dhe të luftojmë në të gjitha frontet kundër tij - përpara se të jetë shumë vonë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

I kërkova ChatGPT-së të zgjidhte një mister 800-vjeçar italian dhe ajo që ndodhi më befasoi

24 December 2025 at 13:41


Nga: Elon Danziger, historian i pavarur arti / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Përballë Katedrales së Firences në Itali, qëndron një kishë shumë më e vjetër, Pagëzorja e Shën Gjonit. Ajo është një qendër e dashur e jetës fetare, ku shumë fiorentinë pagëzohen edhe sot e kësaj dite. Kolonat të thjeshta dhe harqet e zbukuruara përqafojnë tetë anët e saj, gjysmë të kamufluara në modele mermeri të gjelbër dhe të bardhë. Pa imitim të arkitekturës së Romës së lashtë, nga ana e pagëzores, është e vështirë të imagjinosh Firencen duke lindur Renesancën arkitekturore që ndryshoi fytyrën e Evropës. Megjithatë, për shekuj me radhë, nuk ka pasur një zgjidhje bindëse për pyetjet se kush e ndërtoi, kur dhe për çfarë arsye. Dekada më parë, unë organizoja vizita në pagëzore dhe e adhuroja atë, ndërsa në fillim të viteve 2020 nisa të thellohesha në origjinën e saj.

Pas vitesh të tëra duke shqyrtuar dokumentet historike dhe duke lexuar me zell, bëra një zbulim të rëndësishëm që u botua vitin e kaluar: pagëzorja nuk u ndërtua nga fiorentinët, por për fiorentinët - në mënyrë të veçantë, si pjesë e një përpjekjeje bashkëpunuese të udhëhequr nga Papa Gregori VII, pas zgjedhjes së tij në vitin 1073. Ky zbulim ndodhi menjëherë para shpërthimit të inteligjencës artificiale [IA] në ndërgjegjen publike, dhe kohët e fundit fillova të pyesja veten: A do të mund ta zgjidhte një model i madh gjuhësor, si ChatGPT, këtë mister më shpejt se unë?

Kështu që, si pjesë e një eksperimenti personal, provova t’i kaloj tre çetbotët e inteligjencës artificiale - ChatGPT, Claude dhe Gemini - përmes aspekteve të ndryshme të hetimit tim. Doja të shihja nëse ata do të mund të dallonin të njëjtat gjurmë që kisha gjetur unë, të vlerësonin rëndësinë e tyre dhe të arrinin në të njëjtat përfundime që arrita unë - më në fund. Por, çetbotët dështuan. Edhe pse ishin të aftë të përpunonin tekste të dendura për informacion të rëndësishëm, për origjinën e pagëzores, në fund nuk ishin në gjendje të ndërtonin një ide krejtësisht të re. Atyre u mungonin cilësitë thelbësore për të bërë zbulime.

Ka disa arsye për këtë. Modelet e mëdha gjuhësore kanë lexuar më shumë tekst sesa mund të shpresojë ndonjëherë një njeri. Por, kur IA-ja lexon tekst, ajo thjesht zgjedh modelet. Mund të humbasin detajet e veçanta, të dhënat e jashtëzakonshme dhe perspektivat e pazakonta që mund të ndikojnë në mënyrën e të menduarit. Për shembull, në librin e tij të vitit 2006, Toscana Romanica, Guido Tigler - profesor në Universitetin e Firences - argumentoi se pagëzorja u ndërtua më vonë nga sa besohej përgjithësisht. Është ide që nuk pranohet gjerësisht, dhe unë besoj se kjo është arsyeja pse çetbotët nuk ma prezantuan kurrë kur i pyeta se çfarë do të lexonin për të zgjidhur enigmën e pagëzores. Edhe pse në fund gjeta arsye për të refuzuar atë datim të mëvonshëm, idetë joortodokse të z. Tigler më mësuan ta marr më seriozisht mundësinë që studimet e mëparshme mund të gabonin në lidhje me kronologjinë e pagëzores.

Për shekuj me radhë, shumë njerëz besuan se Papa Nikolla II e shuguroi pagëzoren në vitin 1059. Në fakt, nuk ekziston asnjë dëshmi e njohur për një ngjarje të tillë; ekzistenca e saj bazohet në një supozim të nxjerrë nga disa dokumente që tregojnë përfshirjen e tij, në atë vit, në kisha të tjera fiorentine. Kur i shtyva çetbotët të zbulonin vetë këtë mospërputhje, ChatGPT dhe Claude e gjetën, por nuk arritën të vërenin se ishte e dyshimtë, ndërsa Gemini krijoi prova të rreme që do të eliminonin këtë mospërputhje. Për të kontribuar në një fushë të njohurive, duhet të shqyrtosh me saktësi terrenin, të nuhasësh çfarë është e dyshimtë dhe të tregosh pse është e gabuar. Modelet e mëdha gjuhësore kanë vështirësi në të tri këto aspekte.

Dhe, ja problemi më i thellë: ndonjëherë njohja e modeleve - si nga njerëzit ashtu edhe nga makinat - është e gabuar. Edhe pse nuk kishte prova konfirmuese, shumica e studiuesve thjesht kishin supozuar se financuesit e pagëzores ishin fiorentinë. Në fund të fundit, pjesa dërrmuese e ndërtimit të kishave në Mesjetë drejtohej prej njerëzve vendas: peshkopë, abatë, familje të pasura. Por, nga leximet e mia fillova të pajtohesha gjithnjë e më shumë me një pikëpamje margjinale se banorët e Firences së shekullit XI, ishin ende shumë të varfër dhe provincialë për të prodhuar një ndërtim kaq të arrirë.

Çelësi për të identifikuar se kush e ndërtoi pagëzoren, kishte të bënte me atë se sa shumë ishte frymëzuar arkitektura e saj nga Panteoni i lashtë në Romë. Deri në shekullin XI, Panteoni ishte kthyer në kishë dhe i përkiste vetëm papës. Pasi e heq Papa Nikollën nga ekuacioni dhe përqendrohesh te papët e fiksuar pas Romës së lashtë, vetëm një emër të vjen ndër mend për patronin misterioz: Gregori VII.

Disa vite para zgjedhjes së Gregorit në vitin 1073, fiorentinët kishin ndaluar pagëzimin e fëmijëve në Firence, nga frika se një peshkop i korruptuar nuk do të mund të mbronte shpirtin e foshnjave të tyre. Pas një ngjarjeje që dëshmoi padenjësinë e peshkopit dhe e dëboi atë, sunduesit e fuqishëm të Firences (dhe gjithë Toskanës), Beatriçja e Barit dhe vajza e saj Matilda, duket se përmirësuan qytetin duke punuar me Gregorin për t’ia dhënë një pagëzore madhështore. Shkëlqimi i pasur i arkitekturës romake në zemër të Firences, është pikërisht lloji i kishës të cilën Gregori do ta kishte përkrahur.

Të sintetizosh kaq shumë pjesë të historisë mesjetare në një interpretim të ri, kërkonte të tërhiqeshe prapa dhe të rishikoje rëndësinë e tyre dhe mënyrën se si lidheshin me njëra-tjetrën. IA-ja mund të jetë në gjendje të përputh procesin e mbledhjes së atyre pjesëve, por zbulimi do të thotë të krijosh lidhje të reja - diçka që është përtej kapaciteteve aktuale të inteligjencës artificiale, siç konfirmuan testet që bëra.

Zbulimi mbetet përpjekje njerëzore dhe nxitet nga ajo cilësi thellësisht njerëzore - për të parë gjërat e pazakonshme që nuk përshtaten me modelet dhe për t’i hetuar më thellë. /Telegrafi/

Evropa duhet të mbrojë Evropën

24 December 2025 at 13:18


Nga: Jason D. Greenblatt / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Zyrtarët evropianë të sigurisë tani po përcjellin një mesazh që do të kishte qenë i paimagjinueshëm vetëm një dekadë më parë: bëhuni gati për luftë. Siç raportoi së fundmi The Wall Street Journal, qeveritë në mbarë Evropën po i paralajmërojnë qytetarët të përgatiten për mundësinë e një konflikti me Rusinë. Ky moment është tronditës, por i vonuar prej kohësh. Ai nxjerr në pah një të vërtetë të vështirë të cilën Evropa e ka shmangur për vite me radhë: dobësia e kontinentit nuk është thjesht rezultat i luftës në Ukrainë. Ajo është pasojë e vetëkënaqësisë strategjike, shpërndarjes së gabuar fiskale dhe supozimit të pamatur se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë gjithmonë faturën.

Siguria e Evropës, para së gjithash, duhet të jetë përgjegjësi e vetë Evropës.

presidenti Donald Trump e nxori në pah këtë realitet. Ai ka ushtruar presion ndaj aleatëve të NATO-s që të respektojnë angazhimet e bëra prej kohësh, në teori, por të shpërfillura në praktikë - shpenzime serioze për mbrojtjen. Nën presion të vazhdueshëm, anëtarët e NATO-s më në fund filluan të lëvizin drejt rritjes së shpenzimeve përtej pragut prej dy për qind të PBB-së, që prej kohësh ishte neglizhuar. Këmbëngulja e drejtpërdrejtë e Trumpit e detyroi Evropën të përballej me kuptimin e vërtetë të ndarjes së barrës. Siç raportoi The Washington Post, zyrtarë të lartë të Pentagonit po përgatisin një plan për të ulur nivelin e disa prej selive kryesore të ushtrisë amerikane, përfshirë Komandën Evropiane të ShBA-së. Ky veprim përputhet me strategjinë e sigurisë kombëtare të presidentit Trump, që deklaroi se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin gjithë rendin botëror, si Atlasi, kanë mbaruar”.

Udhëheqësit evropianë duhej ta kishin nxjerrë këtë mësim që në mandatin e parë të Trumpit. Në vend të kësaj, shumë prej tyre e lexuan gabimisht vendosmërinë e tij dhe supozuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të garantojnë sigurinë evropiane, pavarësisht zgjedhjeve të Evropës. Ky gabim doli të jetë i kushtueshëm.

Disa argumentojnë se Evropa e ka “fituar” mbrojtjen e vazhdueshme amerikane duke dislokuar trupa në Afganistan, pas 11 shtatorit, dhe duke ndihmuar misionet amerikane jashtë vendit. Këto përpjekje ishin të rëndësishme, por kurrë nuk kishin për qëllim të zëvendësonin investimin në mbrojtjen territoriale të Evropës. Solidariteti jashtë vendit nuk e justifikon neglizhencën në shtëpi.

Qasja e Trumpit ndaj NATO-s dhe Ukrainës është e qëndrueshme: Shtetet e Bashkuara do të mbështesin aleatët që marrin përgjegjësi për veten. Amerika nuk mund të shërbejë si portofoli i përhershëm apo garantuesi i sigurisë së Evropës, teksa Evropa shmang zgjedhjet e vështira. Udhëheqësit evropianë që duan ndikim mbi të ardhmen e Ukrainës, duhet të tregojnë seriozitet përmes gatishmërisë ushtarake, jo përmes komunikatave diplomatike.

Ky riorientim duhej të kishte ndodhur prej kohësh.

Për dekada, qeveritë evropiane e trajtuan mbrojtjen amerikane si një të drejtë, jo si partneritet. Ndërsa taksapaguesit amerikanë financonin parandalimin, shumë kryeqytete evropiane i dhanë përparësi programeve të gjera sociale, pensionimeve të parakohshme dhe politikave të lejueshme të emigracionit - në vend të shpenzimeve për mbrojtjen. Rehatia politike u zgjodh mbi përgjegjësinë strategjike, me supozimin se Amerika gjithmonë do ta mbulonte diferencën.

Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, shpesh përmendet për të pretenduar se Shtetet e Bashkuara tani ia “kanë borxh” mbrojtjen Ukrainës, sepse Kievi hoqi dorë nga armët bërthamore sovjetike. Por, memorandumi nuk ishte një garanci detyruese mbrojtjeje. Dështimi i tij nënvizon një mësim thelbësor: parandalimi varet nga aftësia e besueshme, jo nga dokumentet e dëshirueshme.

Mosmarrëveshjet e fundit mbi asetet e ngrira ruse dhe financimi i Ukrainës e bëjnë edhe më të qartë dilemën e Evropës. Udhëheqësit evropianë ranë dakord t’i sigurojnë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh - të mbështetur nga buxheti i Bashkimit Evropian (BE) - për vitet 2026 dhe 2027. Ata e arritën këtë pasi dështuan të pajtoheshin për planin e tyre të preferuar për përdorimin e rreth 210 miliardë eurove të asete shtetërore ruse, të ngrira si kolateral. Ky propozim u rrëzua sepse qeveritë - të udhëhequra nga Belgjika, ku ndodhen shumica e aseteve - kishin frikë nga një hakmarrje ligjore dhe përgjegjësi nëse Moska do të padiste. Hezitimi, përçarjet dhe mbështetja në huamarrjen e garantuar nga buxheti, tregojnë se sa e vështirë është vendimmarrja evropiane - edhe në një moment ekzistencial në vetë kontinentin e Evropës.

Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të qëndrojnë përkrah Evropës, kur Evropa ngrihet për veten e saj. Por, fuqia amerikane duhet të plotësojë mbrojtjen evropiane që është mirë e financuar - jo t’i zëvendësojë ato. Neni 5 i NATO-s është angazhim i ndërsjellë për mbrojtje, jo një subvencion i përhershëm për qeveritë të cilat nuk janë të gatshme të investojnë në forcën ushtarake që e bën të besueshëm Nenin 5 të NATO-s.

Ky nuk është izolacionizëm. Është llogaridhënie.

Shtetet e Bashkuara përballen me nevoja urgjente në vend, përfshirë infrastrukturën e vjetruar, rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor dhe presionet kufitare. T’u kërkosh familjeve amerikane të mbajnë barrën e mbrojtjes së Evropës, kur Evropa zotëron pasurinë, popullsinë dhe bazën industriale për t’u mbrojtur vetë, nuk është as e drejtë dhe as e qëndrueshme.

Dhe, Evropa është e aftë. Me një nga ekonomitë më të mëdha në botë, Evropa ka burimet për t’u mbrojtur - nëse zgjedh ta bëjë këtë. Ajo që ka munguar nuk është kapaciteti, por vullneti.

Në vend që të ndërtonin rezerva municionesh, mbrojtje ajrore, qëndrueshmëri kibernetike dhe forca të reagimit të shpejtë, shumë qeveri ofruan përfitime dhe garanci, duke vepruar thuajse historia ka përfunduar dhe mbrojtja amerikane është e përjetshme. Ky supozim është shembur.

Nëse Evropa beson se Rusia është një kërcënim real, Evropa duhet të veprojë në përputhje me këtë besim. Shpenzimet për mbrojtjen dhe parandalimi i besueshëm nuk mund të varen nga Uashingtoni. Dhe, këto përpjekje duhet të financohen nga Evropa - jo nga taksapaguesit amerikanë. Shtëpia e Bardhë dhe përfaqësuesit e saj po kryejnë pjesën e vet, duke balancuar mbështetjen për Ukrainën me realitetet e fuqisë ruse. Por, ky është para së gjithash problemi i Evropës, jo i Uashingtonit për ta zgjidhur.

Shtetet e Bashkuara mund të shërbejnë si mbështetje e fundit. Evropa duhet të jetë vija e parë.

Evropa duhet më në fund të marrë pronësinë e sigurisë dhe të së ardhmes së kontinentit. Aleatët e vërtetë ndajnë barrën. Ata nuk ua kërkojnë të tjerëve të bëjnë punën e tyre.

Evropa gëzoi dividendin e paqes, për dekada të tëra. Tani duhet të paguajë primin e sigurisë. /Telegrafi/

Lëngata e shqipes, nga vetë ne shqipot

24 December 2025 at 12:46


Nga: Ndue Dedaj

Kur ndërrojnë motet, mbase i pari “bilanc” që duhet bërë është ai i gjuhës sonë, sa dhe si i kemi shërbyer asaj, duke i përmbushur detyrimet që kemi, në emër të së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Por, ç’të thuash! Mësuesja i ul një notë fëmijës së klasë së parë, që sapo ka kryer abetaren, ngaqë ai ka harruar t’i vërë dy pikat ‘ë’-së, duke mos ia falur një gabim kaq të vockël drejtshkrimor, vetëm për ta edukuar që sot me shenjtërinë e gjuhës. Ndërkohë në titrat, në ekranin e një televizioni, të gjitha ‘ë’-të janë shkruar me ‘e’, edhe pse emisioni i kushtohej “Mesharit” të Buzukut dhe profesori i Universitetit të Shkodrës, Vinçens Marku, përmes një qasjeje të re, sillte të dhëna të panjohura dhe argumente shkencore rreth botimit të kësaj vepre, lexueshmërinë e saj, pasi ka të bëjë me rrënjët e shqipes së shkruar etj..

Shqipja lëngon nga vetë ne përdoruesit e saj, jo aq të përgjegjshëm për fatet e saj. Po të ngrihej një i huaj e të na rrëmbente një fjalë të vetme, ne do të ngriheshim i madh dhe i vogël për ta mbrojtur, me flamurin tonë kombëtar në duar! Si të ishin vetë rilindësit e mëdhenj. Ndërkohë që pa na e sulmuar askush gjuhën, jemi ne që e vrasim çdo ditë, ashtu si pa dashje ... nga “dashuria” për të. E vrasim të mëdhenjtë e shtetit, kur bëjnë afera, ata që kanë dhe barrën e kujdesit institucional ndaj gjuhës. I keni parë në gazeta bisedat telefonike që bëjnë për tenderat e rrugëve, tuneleve, janë copë-copë edhe nga ana gjuhësore, por askush nuk “dënohet” për këtë gjë. Të ishin vetëm zyrtarët e qeverisë që e shpërdorojnë gjuhën! Jo, jemi të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë.

Në tabelat e rrugëve nuk shkruhet më ‘ë’–ja, ndaj një turist i ardhur nga larg nuk di si ta lexojë fjalën ‘Lure’ etj.

Gjithandej ka rënë ‘ç’-ja duke u lexuar e shqiptuar ‘c’ (shkruhet certifikatë, ndërkohë që thuhet çertifikim) dhe diku tjetër ‘c’-ja bëhet padrejtësisht ‘ç’, si në rastin e mbiemrit Tuci, që shkruhet Tuçi (!?), kur ka tjetër tingëllim fonetik njëri e tjetër, tjetri. Por, ndodh dhe e kundërta, mbiemri Doçi në jo pak raste shkruhet Doci! A ka kuptim?

Nëse dikush do t’i vëzhgonte gjuhësisht emërtesat e ndryshme të lokaleve tregtare dhe jo vetëm, do të shihte se pjesa më e madhe e tyre janë në gjuhët të huaja, anglisht, italisht etj. Kështu për dyqan mishi, hasim ndokund dhe trajtën shqipe mishtore - krijuar sipas të ngjashmeve: barnatore, tregore etj., edhe atë turke hallall etj.

Dëgjojmë të thuhet rëndom në komentet sportive: e mposhti skuadrën iks, pse jo e mundi? Se me këtë “trend” edhe sportin e mundjes një ditë mund ta quajmë mposhtje?!

Një operator turistik po shpjegonte se cilët turistë targeton Shqipëria, në kuptimin: cili target turistësh viziton vendin tonë. Vetë fjala target është një fjalë e huaj e futur vonë në shqipe dhe nuk mund të prodhojë dhe një tjetër si veten, kur kemi gjegjësen shqipe: kategori.

Fëmijët zhvillojnë dhjetë ftohje në vit, thoshte në ekran një mjek, ndërkohë që saktë gjuhësisht do të ishte: prekën, kalojnë.

‘A e keni agjenduar për në ditët që vijnë?’, përdorim i gabuar për: a e keni vënë në rendin e ditës, a e keni planifikuar?

Shekullofsh! Është bërë kryeurimi i ditës, edhe pse më shumë se një urim i gjetur të ngjan me një sajesë rrjetesh sociale, kinse për të thënë diçka interesante. Ne nuk e kemi foljen me shekullue, ndërkohë që kemi foljen me shkullueenën.

Lexojmë diku “Flamuri flamuron” (për valëvitet), është si të thuash folja foljeron.

Një dikush duke shkruar në gegnisht, shkruan zemën për zemër!?

Përdorën përherë e më shumë fjalët: i mllefosur, i panikosur.

Në fjalor kemi fjalën furrë, kurse në rrjete hasim dhe furri ... i bukës?

Në lajmet e kronikës së zezë hasim: “Para se të niste karrierën kriminale”?! Karriera është diçka tjetër nga krimi. A nuk bëjmë karrierë në profesion? A nuk bëjmë këshillim karriere me nxënësit? Paçka se ka mbetur edhe vepër letrare, edhe vepër kriminale?!

Shkrimtari Agron Tufa tërhiqte vëmendjen në përdorimin pa vend të fjalës shqipfolës, që nënkupton të huajt që kanë mësuar të flasin shqip dhe jo assesi shqiptarët, pavarësisht se ku rrojnë.

Ka filluar të përdoret gabimisht fjala kulturolog për secilin person që ka qenë i punësuar në sektorët e kulturës, ndërkohë që kulturologët janë Ramadan Sokoli, Moikom Zeqo etj., dmth studiuesit e thelluar të kulturës, pra dikush që merret në nivel akademik me kulturën dhe jo përgjegjësit e vatrave të kulturës etj..

Filologu i njohur, shkrimtari Mehmet Elezi vazhdimisht këshillon se si të shkruajmë shqip pastër dhe saktë, në një rubrikë të tijën në rrjetet sociale, në media të ndryshme, apo librin e tij “Gjuha e medias dhe ’lemëza’”, ku ndër të tjera ironizon përdorimin e gabuar të foljes dekoroj: “Nisur nga fjalorët normativë të gjuhës shqipe, del se dekorimet, për të cilat flet media, nuk janë të njëmendta. Zbukurimi i qyteteve, i mjediseve e i bredhave për disa portale, gazeta e ekrane nuk qenka zbukurim, por qenka dekorim. Dritat zbukurese qenkan drita ‘dekoruese’, punëtorët nuk i zbukurojnë rrugët, por i dekorojnë”.

Ka vetëm reagim gjuhëtarësh, por jo dhe debat për kulturën e gjuhës, pjesëmarrjen e njeriut në gjuhën e tij, dhënien dhe marrjen përmes saj, ndryshon puna po u cek Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, i cili shihet si një tabu, që nuk mund t’i hiqet asnjë “cifël”, le pastaj po ra fjala për origjinën dhe lashtësinë e shqipes, ku ngrihen të gjithë në këmbë, ditur e pa ditur, a thua se flitet për pallatet parafabrikate të viteve ’70, kur kjo është një çështje rreptësisht shkencore, që iu përket vetëm specialistëve të zotë të shprehen, pavarësisht këndvështrimeve të tyre.

In Memoriam: Chris Rea (1951-2025) - i lodhur nga jeta, por gjithmonë optimist

23 December 2025 at 12:33


Çdo muzikant do të ndihej krenar po të kishte shkruar këngë gjysmë të bukura dhe prekëse si të tijat.

Nga: Neil McCormick, kritik i muzikës / The Telegraph (titulli: Chris Rea winced when I mentioned his hits. He shouldn’t have)
Përkthimi: Telegrafi.com

Chris Rea ishte me të vërtetë këngëtar, tekstshkrues dhe kitarist i madh britanik dhe, për më tepër, një njeri vërtet i mrekullueshëm. Nëse jeni rrugës për në shtëpi për Krishtlindje, ose i ngujuar në trafik duke shkuar për të vizituar familjen, ka shumë gjasa të pëshpëritni një këngë të Chris Reas. Por, kishte diçka më shumë te Rea - i cili ka vdekur në moshën 74-vjeçare - sesa hitet e tij. Një herë kalova një pasdite me të në studiot “Abbey Road”, në vitin 2016, duke xhiruar një emision televiziv, dhe u mahnita nga mirësjellja e tij, përulësia, humori, filozofia e tij e lodhur nga jeta, por prapë optimiste, dhe pasioni i tij i dukshëm për art dhe muzikë.

Ai ishte në siklet kur përmenda hitin e tij të parë të madh, këngën e lehtë disko-romantike, Fool (If You Think It’s Over), por çfarë kishte për t’u ndier në siklet? Është një këngë e mrekullueshme, një klasik absolut, me një melodi të lehtë dhe vargje prekëse për të cilën cilido do të ndihej krenar po ta kishte shkruar. Rea gjithmonë e kishte ndier atë si një mallkim, sepse bëri të kategorizohej gabimisht si baladist sentimental, mesatar, një lloj miksi i lirë verior mes Barry Manilowit dhe Barry Whiteit. Kënga doli në vitin 1978, kur supozohej se panku kishte ndryshuar peizazhin muzikor britanik.

Chris Rea(Foto: Samir Hussein/Redferns)

“Ende njoh gazetarë të cilët nuk më vlerësojnë për shkak të asaj kënge”, tha ai. Epo, ata gazetarë e kanë gabim. Rea ishte talent i jashtëzakonshëm, që shkroi muzikë me përmasë të gjerë, me inteligjencë dhe imagjinatë, duke u ngritur për t’u bërë një superyll stadiumesh në moshën e tij të mesme. “Në ëndrrën time më të bukur, do të isha një muzikant filmi dhe kompozitor klasik”, më tha ai. “Kjo ishte ajo që doja, por ky zë më doli përpara”.

Ah, zëri. Rea kishte zë të ulët, të rëndë, me tone melankolike dhe të mbushur me ndjesinë e një mençurie të fituar me mund, dhe kur vërtet u bazua te zëri, ai gjeti stilin e vet. Por, kur ishte i ri në Midëlsbrou, duke punuar në biznesin familjar të akulloreve dhe duke ëndërruar arratisjen, ndjeu se zëri ishte pengesë për t’u bërë këngëtar. “Nuk kam zërin që do të doja të kisha”, më tha ai. “Është i thellë, i vështirë, e mbush miksin, pengon që daullet të dalin në pak, gjëra të tilla”.

Kur ishte 21 vjeç, dëgjoi në radio një këngë të vjetër bluz të Charlie Pattonit dhe ajo e mahniti. “Tingëllonte sikur të ishte xhaxhai im”, mendoi ai. Gjëja tjetër që i tërhoqi vëmendjen qe kitara vajtuese. “Ishte tingulli i mjegullt ai që më dridhi”. Një mik muzikant i shpjegoi se ishte kitara bottleneck [interpretim me slide/slajd - shufër çeliku]. “Dy ditë më vonë isha pronar krenar i një kitare Hofner. Nuk kishte bottleneck në dyqanet muzikore të Midëlsbrou, ndaj përdora një nga shishet e llakut të thonjve të motrës së madhe. Ishte rozë metalike dhe u bë slajdi im për dy vjet”.

Rea ishte fillestar i vonshëm, por mësonte i shpejtë. Formoi një grup të quajtur Beautiful Losers - emër i marrë nga një roman i Leonard Cohenit, që ishte “aty ku unë isha mendërisht”. Heronjtë e tij muzikorë përfshinin artistët origjinalë të bluzit, si Blind Willie Johnson dhe Sister Rosetta Tharp, dhe kitaristët Ry Cooder, Joe Walsh dhe Eric Clapton.

Por, Fool (If You Think It’s Over) e futi atë në një rrugë të çuditshme, si një djalosh i pashëm me një zë tërheqës, dhe me një aftësi për të shkruar melodi të rrjedhshme dhe tekste që kanë mendim. “Drejtuesit e kompanisë diskografike donin vetëm zërin. Nuk mund të shkoja përtej kësaj”, më tha ai. Kishte një opinion edhe më të keq për drejtuesit e industrisë muzikore sesa për gazetarët. “Janë tmerrësisht të neveritshëm”, më tha me një buzëqeshje. “Nuk ka fjalë tjetër për ta, sepse kam kaluar një çerek shekulli me njerëz që më gënjejnë”.

Chris Rea(Foto: George Wilkes Archive/Hulton Archive)

Rea për shumë vite pati një karrierë mesatare, i tallur nga kritikët muzikorë dhe i nxitur nga drejtuesit e kompanive diskografike për të krijuar vazhdimësi të hitit të tij të vetëm ndërkombëtar. Megjithatë, në fund të të tridhjetave e gjeti disi ritmin e vet - me një stil më bluz, më të rëndë dhe më të pasur që nxori në pah mendimin dhe mjeshtërinë e tij. The Road to Hell ishte albumi që e shndërroi në superyll - kënga kryesore ishte një këngë ogurzezë dhe e zymtë për ngecjen në trafik. Ai e dinte saktësisht ku i erdhi ideja për këngën: “Në [rrugën] M4 kthehesh për të shkuar në M25, duke dalë nga Londra. Duhet të vendosin një pllakë të kaltër aty”.

I ngecur në trafik për katër orë e gjysmë, këngën e kompozoi në kokë duke përmbledhur gjendjen e çdo udhëtari të bllokuar, por duke i shtuar një frymë gospeli, thuajse kërkonte shpëtim nga ky ferr automobilistik. Kompania e tij diskografike fillimisht e refuzoi (“Kam një faks nga një prej ‘djemve të mëdhenj’ që thotë se Road to Hell do të dalë veç mbi trupin tim të vdekur”), por Rea nguli këmbë. Ajo ia dha atij hitin e parë numër një, në vitin 1989, kur ishte 38 vjeç.

Chris Rea bëri 25 albume në karrierën e tij, dhe pati shumë hite në stile të ndryshme, përfshirë I Can Hear Your Heartbeat, Stainsby Girls, Josephine, On the Beach, Let’s Dance dhe Julia. Pati një hit të madh - tashmë të përhershëm sezonal - në vitin 1988 me Driving Home For Christmas (një nga këngët e preferuara të Krishtlindjes për Cliff Richardin, siç më tha vetë Cliffi një herë).

Është ndoshta ironike që dy nga këngët më të mëdha të Reas ishin për udhëtime të gjata dhe të ngadalta me makinë, sepse ai ishte adhurues dhe koleksionues i makinave të shpejta. Shkroi dhe kompozoi muzikën për La Passione, në vitin 1996 - një film autobiografik për obsesionin e një djali me garat me makina. Ishte gjithashtu një piktor i talentuar në teknikën vaj në pëlhurë, dhe makinat ishin shpesh subjekt i pikturave të tij. Ai më tha se “kreativiteti nuk është talent, është gjendje”. Duhej të mbante veten të angazhuar, gjatë gjithë kohës. “Pikturoj, shkruaj, nuk ka asnjë moment, as edhe gjatë pushimeve familjare, që të mos jem duke bërë diçka”.

Nëse është kështu, gjendja e Reas ishte diçka që adhuruesit e tij e vlerësuan. Por, gjatë jetës vuajti shumë nga shëndeti, me episode të përsëritura të kancerit të pankreasit, ulcera stomaku dhe diabet. Një goditje në tru në vitin 2016 ishte pengesë e përkohshme, por u kthye shpejt në studio dhe në skenë. Pasioni i tij për muzikën dukej se rrezatonte nga ai.

Gjatë pasdites që kaluam së bashku, bëmë një shëtitje nëpër “Abbey Road”, ndërsa ai fliste me entuziazëm për muzikantët e mëdhenj të xhazit dhe bluzit, për stile të ndryshme të interpretimit në kitarë, dhe ndaluam shkurtimisht për të testuar jehonën në një dhomë të vogël ku Beatles (dhe siç theksoi Chris, edhe Cliff Richard) kishin incizuar vokalet. Isha me fat të dëgjoja atë zë të thellë, të rëndë, por ende të pasur, që më kthehej nga muret. Si shumë njerëz, do ta dëgjoj atë zë sërish gjatë Krishtlindjes - dhe për një kohë edhe më të gjatë.

***

Pesë këngët esenciale të Chris Reas

Nga: Ed Power
Përkthimi: Telegrafi.com

1. I Can Hear Your Heartbeat (1983)

I Can Hear Your Heartbeat (1983)

Një nga këngët më të bukura të incizuara ndonjëherë, balada e ndjeshme e Reas fuqizohet nga vokalet që shkaktojnë dhembje përmes butësisë. Edhe pse Rea ishte më krenar për interpretimin e tij në kitarë dhe i shpërfillte hitet e tij pop, I Can Hear Your Heartbeat vërtetoi se kur ai hapte shpirtin, pak kompozitorë mund të shkaktonin emocione kaq të forta.

2. Fool (If You Think It’s Over) (1978)

Fool (If You Think It’s Over) (1978)

Një nga hitet e para të Reas, kjo këngë e ndarjes, thellësisht e çiltër, ishte prezantim i përkryer për një zë njëkohësisht të ashpër dhe ekspresiv, stoik dhe të ndjeshëm. Frymëzuar nga ndarja e motrës së tij, ishte sukses i ngadaltë i cili me kalimin e kohës e hodhi Rean në një nivel yllësie të cilin ai kurrë nuk e kishte kërkuar. U rrit duke ëndërruar të bëhej muzikant bluzi - dhe e kishte shkruar këngën duke e pasur në mendje këngëtarin e gospelit, Al Green. “Është e vetmja këngë ku nuk kam luajtur në kitarë, gjë që tregon diçka për shpirtin e saj. Për më tepër, ishte një hit i madh”, ka thënë ai. “Kështu që nuk kisha çfarë të bëja. Ishte sikur: ‘Ky nuk jam unë’”!

3. On the Beach (1986)

On the Beach (1986)

Kjo elegji medituese u keqkuptua gjerësisht kur u publikua, si një këngë e lehtë për dëgjim - muzikë ashensorësh e zbukuruar me interpretimin mjeshtëror të Reas në kitarë. Në të vërtetë, ishte një letër shpirtërore dashurie për bukurinë e natyrës, frymëzuar nga ishulli i Formenterës dhe kohët e lumtura që kaloi atje me bashkëshorten e tij, Joan. E rrjedhshme si një koktej i shijuar mbi shezlong dhe e ngrohtë si dielli i mbrëmjes, dhimbja e ëmbël e saj i dha cilësinë e një peizazhi të pikturuar me muzikë.

4. The Road to Hell (1989)

The Road to Hell (1989)

Rea nuk e kishte shijuar shumë jetën si yll popi - nuk e pëlqente idenë se ishte aty për të argëtuar publikun, në vend që të komunikonte me ta në një nivel muzikor. Ai i derdhi ato zhgënjime në albumin The Road to Hell - i konsideruar nga shumica si kryevepra e tij - dhe, në veçanti, në këngën me të njëjtin titull që shërben si një paralajmërim kundër paqëndrueshmërisë sociale dhe politikës përçarëse që Rea parashikonte se po vinte.

5. Driving Home for Christmas (1986)

Driving Home for Christmas (1986)

Rea u frymëzua për të shkruar këtë klasik festiv me tinguj bluzi, kur ai dhe bashkëshortja e tij mbetën të bllokuar në dëborë jashtë Notingemit, në dhjetor të vitit 1978. “Na ndodhte shpesh të ngecnim në trafik”, ka thënë ai. “Shikoja shoferët e tjerë, që dukeshin të gjithë po aq të dëshpëruar. Për shaka nisa të këndoj: We’re driving home for Christmas ... Pastaj, sa herë që dritat e rrugës ndriçonin brendësinë e makinës, fillova të shkruaja tekstin”. Në atë kohë, Rea po përpiqej të afirmohej si një muzikant serioz dhe kishte frikë se një këngë për Krishtlindje do ta kategorizonte si artist zbavitës. Vite më vonë, pasi kishte pushtuar industrinë muzikore, i riktheu ato vargje të shkruara dhe krijoi një këngë të zjarrtë dhe plot ndjenja që mbërthen ndjesinë thuajse universale të rikthimit në shtëpi te njerëzit e dashur. Shumica e këngëve moderne të Krishtlindjes shoqërohen me një dozë “boze” - por, këtë herë ishte një reflektim i thellë mbi kënaqësinë e ribashkimit me familjen.

/Telegrafi/

Veprimet e BE-së, po aq sa fjalët e Putinit, mundësojnë vazhdimin e luftës në Ukrainë

23 December 2025 at 10:43


Nga: Rajan Menon / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Konferenca maratonë për shtyp e Vladimir Putinit më 19 dhjetor, një ngjarje e përvjetshme në fund të vitit, nuk ofroi asnjë dëshmi se Rusia mund të braktisë qëllimet të cilat presidenti i vendosi për “operacionin e posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022: pushtimin e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit. Si gjithmonë, Putini nuk u duk i shqetësuar nga fakti se, pothuajse katër vjet pas nisjes së luftës, ushtria e tij kishte arritur të pushtonte plotësisht vetëm Luhanskun - ndonëse kishte marrë nën kontroll më shumë se një të tretën e atij rajoni, si dhe Donjeckun, që në vitin 2015.

Qëndrimi i palëkundur i Putinit nuk duhet të jetë befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma e Shtetit të Rusisë miratoi legjislacionin për përfshirjen e këtyre katër rajoneve ukrainase në përbërje të Rusisë - dhe, këtë muaj, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohuan pretendimet territoriale të Putinit.

Paaftësia e Rusisë për të lëvizur nga pozicioni i saj bie në kundërshtim me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trumpit për të arritur një zgjidhje politike deri në Krishtlindje. Për të përmbushur këtë afat të përcaktuar, Trumpi madje përpiqet ta detyrojë Volodymyr Zelenskyyn të dorëzojë pjesët e Donjeckut të cilat Ukraina ende i mban. Edhe pse Zelenskyy refuzoi, ai u tregua i gatshëm të braktiste përpjekjen disavjeçare të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe të pranonte neutralitetin - në këmbim të garancive të fuqishme të sigurisë nga Perëndimi.

Ky ndryshim nga ana e Zelenskyyt nuk do ta zbus Putinin. Shqetësimi i kahershëm - dhe i kuptueshëm - i Rusisë për zgjerimin e NATO-s i paraprin kësaj. Por, lufta e Putinit në vitin 2022 buron nga diçka më e thellë, pasi nuk ka prova që Ukraina ishte më pranë anëtarësimit zyrtar në aleancë në prag të pushtimit të Rusisë - sesa ishte në vitin 2008, kur NATO, në samitin e saj në Bukuresht, deklaroi se Ukraina do të bëhej anëtare në një të ardhme të pacaktuar.

Ashtu si në vitin 2008, vendet e NATO-s mbeten të ndara për kandidaturën e Ukrainës - madje edhe më shumë. Kjo ka rëndësi: neni 10 i traktatit themelues të NATO-s të vitit 1949, kërkon unanimitet për pranimin e anëtarëve të rinj. Kur NATO vërtet dëshiron të rrisë anëtarësinë, ajo vepron me shpejtësi: vëreni pranimin e shpejtë të Finlandës (prill 2023) dhe Suedisë (mars 2024), të cilat aplikuan për anëtarësim në maj 2022. Për të shpjeguar motivimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën, duhet të marrim parasysh ankesat e rrënjosura në histori.

Ai ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur dhe të zgjatur, se ukrainasit dhe rusët kanë qenë një popull për shekuj të tërë; se ndarja e tyre në dy shtete, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte një tragjedi; se Jugu dhe Lindja e Ukrainës, të banuara nga një numër i madh rusësh etnikë apo ukrainasish me gjuhë amtare ruse, i përkasin me të drejtë Rusisë. Me pak fjalë, Putini beson se Rusia është plaçkitur.

Megjithatë, në konferencën për shtyp, Putini përgëzoi Trumpin për “sinqeritetin absolut” në nisjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Rusia mbetet e angazhuar ndaj tyre dhe do ta ndalojë ofensivën ushtarake për sa kohë që interesat e saj merren seriozisht.

Lëvdatat e Putinit kanë një qëllim - dhe një objektiv të ndjeshëm. Trumpi ka lavdëruar “gjenialitetin” e Putinit. Ai, si Putini, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës. Ai kërkon një afrim me Rusinë që përfshin investime të përbashkëta multi-miliardë dollarëshe. Ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelenskyy të mbajë zgjedhje, pavarësisht luftës, për të demonstruar legjitimitetin e tij demokratik. Ai, si Putini, përçmon Evropën dhe do të preferonte një marrëveshje që i lë evropianët (dhe ukrainasit) të anashkaluar. Të gjitha këto janë arsye se përse Putini përpiqet ta josh Trumpin dhe të thellojë përçarjen mes ShBA-së dhe Evropës.

Përkundër qëndrimeve të përbashkëta dhe simpatinë e Trumpit për Rusinë, ai ende nuk ka bërë një marrëveshje që i përshtatet Putinit. Nëse nuk e bën, gjakderdhja do të vazhdojë. Ukraina ka paguar tashmë një çmim të tmerrshëm - dhe kjo nuk është për t’u habitur: ajo është pala shumë më e dobët. E habitshme është humbja masive e ushtrisë ruse - në njerëz dhe pajisje. Ekonomia e Rusisë gjithashtu është nën stres të vazhdueshëm dhe mezi po rritet, megjithëse nuk është në rrezik kolapsi. Por, vuajtjet e rusëve, për të mos përmendur ato të ukrainasve, nuk do të kenë rëndësi për sa kohë që Putini beson se objektivat e tij janë ende të arritshëm - në tryezën e bisedimeve, duke bindur Trumpin të vazhdojë presionin ndaj Zelenskyyt, apo në fushëbetejë.

Ndërkohë, BE-ja ka ndërmarrë një hap të madh që do të ulë gjasat që Rusia të fitojë shpejt në cilindo drejtim, duke siguruar që arkat e Kievit të mos mbeten bosh. Krerët e bllokut kishin shpresuar të përdornin interesin e fituar nga 210 miliardë euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Megjithëse ky plan dështoi për shkak të kundërshtimit të hapur të disa shteteve anëtare të BE-së dhe hezitimeve të të tjerëve, BE-ja arriti të gjente një zgjidhje tjetër. Ajo do të marrë hua 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vjet - dhe, pa detyrim kthimi përveçse nëse Rusia paguan dëmshpërblime, diçka që askush nuk e pret.

Media u fokusua te mosmarrëveshjet brenda BE-së për asetet e ngrira ruse, por ajo që ka rëndësi vërtet është se një bllok prej 27 shtetesh sovrane, shpesh të vështira për t’u menaxhuar, arriti të sigurojë fondet për të shmangur kolapsin e Ukrainës. Ashtu siç fjalët e Putinit sigurojnë vazhdimin e luftës, edhe veprimet e BE-së bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon gatishmërinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur lidhur me luftën, edhe nëse kjo nënkupton largimin nga ShBA-ja.

Në gusht, Trumpi deklaroi se amerikanët nuk kanë ndonjë interes në luftën e Ukrainës, pasi ndodhen larg saj, “përtej një oqeani të madh dhe të bukur”. Evropa nuk e gëzon këtë luks gjeografik. Kjo, së bashku me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila e përshkruan kontinentin si një vend të zhytur në probleme dhe për rrjedhojë me rëndësi në venitje për ShBA-në, mund t’i ketë bindur udhëheqësit evropianë të veprojnë më të pavarur.

Duke qenë se Trumpi pezulloi gjithë ndihmën e drejtpërdrejt ushtarake për Kievin, në mars, ndihma vetëm nga Evropa mund të mos mjaftojë për të qenë të sigurt që ukrainasit të arrijnë një paqe të cilën ata e konsiderojnë të drejtë. Por, kjo ka qenë një luftë e mbushur me befasi, dhe më e madhja prej tyre është që ushtria e Ukrainës ende nuk është mposhtur.

Evropa ia ka hedhur Ukrainës një jelek shpëtimi, por nuk duhet të kemi iluzione. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë për muri kundër një armiku që ka më shumë në secilin burim të rëndësishëm për luftën - dhe lideri i të cilit e barazon “kompromisin” me kapitullimin e kundërshtarit. Në mungesë të një ndryshimi të papritur të pozicionit të Rusisë mbi çështjen territoriale, Trumpit do t’i mohohet dhurata e Krishtlindjes të cilën aq shumë e dëshiron. Ndonëse secili në mënyrën e vet, konferenca për shtyp e Putinit dhe paketa e huas së BE-së për Ukrainën, sigurojnë që lufta do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. /Telegrafi/

IA-ja është një flluskë që pritet të shpërthejë, por prapëseprapë do ta ndryshojë botën

22 December 2025 at 14:51


Nga: Sean Thomas / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Të gjithë mund të shohim se çfarë është duke ndodhur. Mania e investimeve është e çmendur. Kapitali po derdhet në startape me një ritëm marramendës, ndërsa spekulatorët e bindin veten se kjo teknologji marramendëse do ta riformësojë tregtinë, komunikimin dhe industrinë.

Kompanitë e reja shpallen çdo javë, edhe pse vlerësimet në treg po shkëputen nga realiteti ekonomik. Ndërkohë, lufta për talente është e ashpër: inxhinierët me përvojë marrin paga jashtëzakonisht të larta dhe të rinjtë në të njëzetat joshen nga manjatët dhe ministrat.

Ashiqare po flas - si të gjithë të tjerët - për bumin e inteligjencës artificiale [IA]. Apo jo? Gabim. Ajo që po përshkruaj është ajo që ndodhi në fillim të epokës së hekurudhave në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ’40 të shekullit XIX.

Në fillim, njëjtë si me IA-në, paratë rridhnin dhe investimet ngriheshin në qiell. Mania e hekurudhave në vitet ‘40 të shekullit XIX çoi në kalimin e rreth 270 ligjeve për hekurudhat - vetëm në vitin 1846, duke autorizuar rreth 9 500 milje të linjave të reja [afro 15 500 kilometra]. Por, nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XIX, flluska plasi në mënyrë spektakolare. Hekurudha direkte Londër-Portsmuth u shemb pa shtruar asnjë milje të vetme me shina.

Hekurudha e Londrës dhe Jorkut, përkundër planeve madhështore, u shkri përpara se të përfundonte itinerarin e saj. Ndërmarrje të panumërta më të vogla u zhdukën në mjegullën e zezë viktoriane, duke lënë aksionarët pa asgjë.

E, megjithatë, nga kjo rrëmujë dolën kompanitë që do të përcaktonin epokën: Hekurudha e Madhe Perëndimore [Great Western Railway] e ndërtuar nga Bruneli, mbijetoi dhe lulëzoi. Hekurudha e Londrës dhe Veriperëndimit [London and North Western Railway] u rrit në kompaninë më të madhe aksionare në botë. Dhe, pastaj hekurudhat u përhapën në gjithë globin, duke lidhur brigjet e ShBA-së dhe Kanadasë, duke bashkuar Indinë, duke e bërë të mundur të udhëtohej nga Vladivostoku në Vjenë për disa ditë, jo muaj. Dhe, njerëzimi ndryshoi.

Analogjia nuk është çudi. Pse? Sepse kështu ndodh pothuajse me çdo përparim të madh teknologjik në historinë e njerëzimit. Në fakt, kjo sekuencë - investime të mëdha të ndjekura nga një paqëndrueshmëri ekstreme dhe më pas një kolaps i tmerrshëm (për disa) - është aq e parashikueshme saqë pothuajse është tregues se diçka vërtet transformuese po ndodh.

Dëshiron më shumë fakte bindëse? Ja një përshkrim i përafërt i asaj që ndodhi kur elektriciteti erdhi në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit XIX. Fillimisht, investitorët e etur nxituan për të financuar kompani të ndriçimit elektrik. Vetëm në Amerikë, mbi gjashtë mijë kompani të vogla elektrike u krijuan brenda pak vitesh. Aksionet e sipërmarrjeve elektrike u bënë yje të Uoll-Stritit [Wall Street].

Dhe, pastaj flluska pëlciti dhe tronditja ishte e pamëshirshme. “Lufta e rrymave” mes DC-së së [Thomas] Edisonit dhe AC-së së [George] Westinghouseit bëri që dhjetëra kompani më të vogla të shkatërroheshin nga gjigandët. Në prag të shekullit të ri, vetëm pak mbijetues - General Electric, Westinghouse, Siemens - dominonin skenën. Kufomat e dështimeve mbulonin fushëbetejën ekonomike.

Të gjitha këto, pa dyshim, ishin të dhimbshme. Por, elektriciteti? Ai transformoi qytetet, shtëpitë, transportin, industrinë - dhe na çoi te frigoriferi, radioja, televizori, kompjuteri dhe interneti. Sa i përket flluskave, pëlcitjeve ose pasojave, ato ishin mjaft të mira për njerëzimin.

Mund të vazhdoj fare lehtë, sepse e njëjta gjë ndodhi me ardhjen e internetit (e mban mend krizën dot.com?), me ardhjen e motorit me djegie të brendshme dhe, ndoshta, me shpikjen e shtypshkronjës. Në fakt, ndonjëherë pyes veten nëse njerëzit kanë qenë gjithmonë kështu me teknologjitë e reja të çmendura që nga fillimi i kohërave. Për shembull, më pëlqen të imagjinoj se si ka qenë atmosfera kur zjarri erdhi. A ka pasur “skeptikë të zjarrit” në “Gazetën Neolitike” që kritikonin këtë modë të re pa shije?

Mund të imagjinoj si mund të kenë qenë artikujt e tyre. “Entuziazmi fillestar është ftohur pasi Korporata Fërkimi i Shkopinjve [Rubbing Sticks Together Inc] dha një vlerësim prej dyzet çatallesh mamuthi”. “Analistët ankohen se modeli i biznesit mbështetet së tepërmi në shkëndija dhe ndjesi”. “‘Po, është i ngrohtë’, pranon një kritik, ‘por, vetëm në aspektin lokal dhe vetëm nëse ulesh shumë pranë tij’”.

Përfundimi? Është me rëndësi të bëhet dallimi midis ngjarjes së përkohshme - flluskës - dhe ndryshimit epokal: teknologjisë. Shumë komentues i ngatërrojnë këto dy dhe për këtë arsye mendojnë se gjithë IA-ja është marrëzi e mbivlerësuar. Para disa ditësh pashë një gazetar që pohonte për IA-në se teknologjia që na ishte premtuar se do të bënte gjithçka, “në fakt nuk di të bëjë asgjë”.

Vërtet? “Nuk di të bëjë asgjë”? Provoje t’ua thuash këtë përkthyesve: IA-ja ka përpirë industrinë e tyre, sepse ka zotëruar të gjitha gjuhët. Dhe, IA-ja do të zgjerohet vetëm më tej - edhe pse ne njerëzit do të vazhdojmë, përgjithmonë, të fryjmë flluskat. /Telegrafi/

Skënderbeu “grek” ose si të bëhesh grek pa e ditur

22 December 2025 at 13:33


Nga: Rafael Floqi

Ka një lloj shkrimi që nuk lind nga kurioziteti shkencor, por nga ankthi identitar. Artikulli i gazetës greke Protothema, me titullin hipokrit Sa ‘shqiptar’ ishte Gjergj Kastrioti?, i përket pikërisht këtij zhanri: jo histori, por industria e mohimit. Ai nuk kërkon të kuptojë Skënderbeun, kërkon ta zhbëjë. Dhe, për ta bërë këtë, përdor një arsenal të vjetër ballkanik: fenë si etni, gjeografinë si komb, dhe anakronizmin si argument.

Që në rreshtat e parë, artikulli bën atë që çdo tekst ideologjik bën kur nuk ka guxim të mohojë drejtpërdrejt: shtiret se pyet. Pyetja “Sa shqiptar ishte Skënderbeu?” nuk është pyetje, por një akuzë e kamufluar. Ajo sugjeron se shqiptaria e tij është e pjesshme, e dyshimtë, e negociueshme. Dhe, kjo nuk është rastësi. Skënderbeu është problem për nacionalizmin grek sepse ai e shkatërron një dogmë qendrore: se ortodoksia është pronë etnike greke dhe se Ballkani i krishterë lind vetëm nga Athina.

Le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë që bëhet kjo përpjekje. Është vazhdimësi. Që nga shekulli XIX, historiografia nacionaliste greke ka ndërtuar një model të qëndrueshëm përvetësimi: çdo figurë ballkanike që është e krishterë, ortodokse, e famshme dhe evropiane, duhet të kalojë patjetër nga filtri “grek”. Nëse nuk flet greqisht, do të ketë folur. Nëse nuk ishte grek, do të ketë qenë epirot. Nëse nuk ishte epirot, do të ketë qenë bizantin. Dhe, nëse nuk ishte asgjë nga këto, do të shpallet “i paqartë”.

Një nga shtrembërimet më të rënda të Protothema-s është barazimi i Epirit me Greqinë. Ky është një mashtrim terminologjik i qëllimshëm. Epiri në Mesjetë nuk ishte shtet grek, as komb grek, as projekt grek. Ishte një hapësirë gjeografike e përzier, pa identitet kombëtar modern, ku shqiptarët ishin faktor politik dhe ushtarak dominues.[1] Ta quash Epirin “grek” dhe të nxjerrësh nga kjo përfundimin se Skënderbeu ishte grek, është si të quash Perandorinë Romake “italiane” dhe Cezarin “italian”.

Ironia është se vetë burimet që citojnë autorët grekë i rrëzojnë. Marin Barleti, burimi themelor për Skënderbeun, e quan atë Princeps Epirotarum, por po ai, në çdo faqe, flet për shqiptarët si subjekt historik më vete.[2] Ky dyzim nuk është kontradiktë, është dallim midis gjeografisë dhe etnisë. Vetëm propaganda i ngatërron qëllimisht.

Por, Protothema nuk ndalet këtu. Ajo ringjall një tezë që do të duhej të ishte varrosur bashkë me nacionalizmat e shekullit XIX: “Skënderbeu ishte grek sepse ishte ortodoks”. Kjo tezë nuk është thjesht e gabuar, është ideologjikisht agresive. Ajo mohon ekzistencën historike të shqiptarëve ortodoksë, bullgarëve ortodoksë, rumunëve ortodoksë, vllahëve ortodoksë. Me një fjali, ajo i shpall të gjithë këta “grekë të pavetëdijshëm”.

Por, historia nuk funksionon si katekizëm kombëtar. Ortodoksia është fe, jo komb. Në Mesjetë, identiteti fetar ishte shpesh më i rëndësishëm se ai etnik, por kurrë nuk ishte i barabartë me të.[3] Të pretendosh sot se çdo ortodoks mesjetar ishte grek, është njësoj si të pretendosh se çdo katolik ishte italian.

Edhe gjuha përdoret si armë manipulimi. Greqishtja, thonë autorët, ishte gjuha e Skënderbeut. Sigurisht që ishte një nga gjuhët e kulturës dhe liturgjisë. Po ashtu si latinishtja për mbretërit francezë. A i bën kjo francezët romakë? Apo anglezët latinë? Vetëm një mendësi kolonizuese mund ta përdorë gjuhën e kishës si provë etnie.

Kur kalojnë te familja Kastrioti, autorët grekë e shndërrojnë konfuzionin në strategji. Herë janë “maqedonas”, herë “serbë”, herë “bizantinë”. Kjo lëvizje e vazhdueshme nuk është pasuri interpretimi, është mungesë prove. Në të kundërtën, dokumentet janë kokëforta: Gjon Kastrioti sundonte Krujën; aleancat e tij ishin shqiptare; territori i tij ishte shqiptar. Edhe Papa Piu II, i cituar shpesh jashtë kontekstit, e quan Skënderbeun “princ i Shqipërisë”.[4]

Pastaj vjen Mali Athos - karta e fundit e mistifikimit. Po, Reposhi u bë murg. Po, Gjon Kastrioti bleu një kullë. Dhe, po, ajo quhej “Kulla e Shqiptarit”. Ky është fakt. Ajo që nuk është fakt është përfundimi se kjo e bën Skënderbeun grek. Mali Athos ishte qendër pan-ortodokse, ku kishin prona serbë, bullgarë, rumunë dhe shqiptarë.[5] Nëse Athosi prodhon grekë, atëherë Hilandari qenka grek dhe Stefan Nemanja helen. Një absurditet që flet vetiu .

Edhe kultura popullore shtrembërohet. Pretendohet se nuk ka këngë shqipe për Skënderbeun. Ky pohim është thjesht i pavërtetë. Tradita arbëreshe është një arkiv i gjallë i kujtesës shqiptare dhe i kultit të Skënderbeut.[6] Që këto këngë u ruajtën jashtë Shqipërisë osmane nuk është provë mungese, por provë represioni.

Kur përmenden suljotët, himarjotët, arvanitasit, bëhet i njëjti mashtrim: identiteti i shekullit XIX projektohet mbi shekullin XV. Këta ishin komunitete shqipfolëse ortodokse që u helenizuan më vonë. Historia nuk lejohet të shkruhet me prapaveprim.

Ironikisht, dokumenti më shkatërrues për tezën greke citohet nga vetë Protothema. Në letrën drejtuar Mehmetit II më 1461, Skënderbeu firmos si “sundimtar i Epirit dhe i Shqiptarëve”. Kjo fjali e vetme e rrëzon gjithë ndërtimin ideologjik. Shqiptarët janë subjekt më vete. Epiri është hapësirë. Pikë.[7]

Feja e Skënderbeut përdoret si karikaturë logjike. Artikulli pranon se ai lindi ortodoks, u rrit mysliman dhe vdiq katolik. Ky fakt i vetëm duhet të mjaftonte për të mbyllur debatin. Por, Protothema nuk e mbyll, sepse nuk kërkon logjikë. Nëse feja përcakton kombësinë, Skënderbeu ishte njëherësh grek, turk dhe italian. Historia serioze nuk e duron këtë grotesk.

Pse atëherë ky shkrim? Sepse Skënderbeu është i papërshtatshëm. Ai është ortodoks që nuk u bë grek. Shqiptar që u bë simbol evropian. Hero që nuk i bindet mitologjisë helenocentrike. Dhe, për këtë arsye, duhet relativizuar, zbehur, copëtuar.

Por, historia nuk ka nevojë për leje. Gjergj Kastrioti ishte shqiptar në origjinë, ebropian në vizion dhe universal në simbolikë. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë nuk është debat, por frikë e grekëve nga e nga e vërteta e historisë së tyre.

______________________


[1] Noel Malcolm, Kosovo: A Short History, London, 1998.

[2] Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi, Roma, 1508.

[3] Paschalis Kitromilides, Enlightenment and Revolution, Harvard University Press, 2013.

[4] Pius II, Commentarii, shek. XV.

[5] Paschalis Androudis, Historical and Archaeological Evidence for the ‘Albanian Tower’ on Mount Athos, Byzantium, 2002.

[6] Giuseppe Schirò, Canti popolari albanesi d’Italia, Palermo, 1923.

[7] Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, Boston, 1947.

Përsëritja

22 December 2025 at 12:11


Nga: David Lodge
Përktheu: Meliza Krasniqi

Në vjeshtë ende luftohej, por ne më nuk shkuam. Në Milano vjeshta ishte e ftohtë dhe errej shumë herët. Pastaj ndizeshin dritat elektrike dhe ishte e këndshme të ecje përgjatë rrugëve që shihnin dritaret. Jashtë dyqa­neve varej gjahu ku bora pudroste gëzofin e dhelprave dhe era ua frynte bishtin. Dreri i shtangur varej rëndshëm dhe bosh, zogjtë e vegjël fluturonin nga era dhe era ua rrotullonte pendët. Ishte vjeshtë e ftohtë dhe era zbriste nga malet.

Çdo pasdite të gjithë shkonim në spital dhe ekzistonin disa mënyra të ecjes nëpër qytet përmes muzgut për në spital. Dy nga rrugët shtriheshin buzë kanaleve, por ishin më të gjata. Megjithatë, gjithmonë kalonit urën nëpër kanal për të hyrë në spital. Ishin tri ura. Në njërën prej tyre një grua shiste gështenja të pjekura. Ngro­heshe nëse qëndroje përballë zjarrit me qymyr dhe pastaj gështenjat t’i ngrohnin xhepat. Spitali qe shumë i vjetër, por shumë i bukur dhe ju hynit nga porta dhe ecnit nëpër oborr dhe dilnit përmes portës në anën tjetër. Zakonisht fune­ralet fillonin në oborr. Përtej spi­talit të vjetër shiheshin pavi­jonet e reja me tulla dhe aty takoheshim çdo pasdite, të gjithë ishim shumë njerë­zorë dhe të interesuar për çështjen që disku­tohej dhe uleshim në makinat që do të bënin kaq shumë ndry­shime / ERNEST HEMINGWAY, Në një vend tjetër (1927)

NËSE KENI kohë dhe durim, merrni ca lapsa me ngjyra dhe rrethoni fjalët që shfaqen më shumë se një herë në paragrafin e parë të storjes së Hemingwayit, një ngjyrë për secilën fjalë dhe pastaj bashkojini. Do të zbuloni një model kompleks zinxhi­rësh verbalë që lidhin dy lloje të fjalëve: ato me kuptim refe­rencial, vjeshtë, ftohtë, errët, era, fryn, që mund t’i quajmë fjalë leksikore, ndërsa nyjat, parafjalë dhe lidhëza si, të, i/e, në, dhe, mund t’i quajmë fjalë gramatikore.

Është thuajse e pamundur që gjuhën angleze ta shkru­ajmë pa përsëritjen e fjalëve gramatikore, ndaj norma­lisht nuk e vëmë re, por nuk mund të mos e vërejmë numrin e jashtëzakonshëm të “dhe”-ve në këtë paragraf të shkurtër. Kjo është simptomë e sintaksës përsëritëse, që lidh fjalitë dëftore pa nënrenditje. Përsëritja e fjalëve leksikore shpërndahet në mënyrë të paba­rabartë, duke i grumbulluar fjalët në fillim dhe në fund të paragrafit.

Përsëritja leksikore dhe gramatikore në këtë shkallë mbase, me të drejtë, do të notohej dobët në një “har­tim” shkollor. Modeli tradicional i prozës së mirë let­rare kërkon “variacion elegant”: nëse diçkaje i refero­hemi më shumë se një herë, duhet të përpiqemi të gjejmë mënyra alternative ta përshkruajmë atë; edhe sintaksa duhet të jetë e shumëllojshme. (Fragmenti i Henry Jamesi i shqyrtuar në Kapitullin 6 është mjaft i pasur me shembuj të këtyre dy llojeve të variacioneve.)

Megjithatë, Hemingwayi refuzoi retorikën tradicio­nale për arsye pjesërisht letrare dhe pjesërisht filozo­fike. Ai mendonte se “shkrimi fin” falsifikon për­vojën dhe u përpoq të “shkruajë çfarë vërtet ndodh në veprim dhe çfarë ishin gjërat reale që pro­dhonin emocionin e përjetuar” duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, dëno­tative, të zhveshur nga dekorimi stilistik.

Kjo duket e lehtë, por sigurisht nuk është. Fjalët janë të thjeshta, por renditja e tyre nuk është. Ekzistojnë mënyra të ndryshme, të mundshme, të renditen fjalët e fjalisë së parë, por fjalia e zgjedhur nga Hemingwayi e ndan frazën “shkoj në luftë” në dysh, që nënkupton një tension ende të pashpjeguar në perso­nalitetin e narra­torit, një përzierje lehtësimi dhe ironie. Siç mësojmë shpejt, ai dhe shokët e tij janë ushtarë të plagosur gjatë luftës në anën e italianëve, në Luftën e Parë Botërore, dhe tani duke u rikuperuar ata janë të vetëdijshëm se lufta, që për pak nuk i mbyti, ua ka bërë jetën të pajetu­eshme. Kjo është storje mbi traumën dhe se si burrat e përballojnë ose nuk arrijnë ta përballojnë atë. Fjala e pashprehur që është çelës për të gjitha fjalët e përsë­ritura në tekst është “vdekja”.

Fjala amerikane për vjeshtën, fall (përkthim i fjalë­përfjalshëm – rënie), mbart në vetvete kuptimin e vdek­jes së bimësisë dhe i bën jehonë frazës konvencionale për ata që vdesin në betejë, “të rënët”. Pranëvënia e saj me fjalën ftohtë dhe errësirë në fjalinë e dytë veçse i forcon këto asocime. Dyqanet e ndritshme ofrojnë një lloj shpërqendrimi (efekti shtohet nga fakti se nuk ka për­sëritje leksikore në këtë fjali), por vëmendja e narra­torit shpejt përqendrohet te gjahu i varur jashtë dyqa­neve, emblema të mëtejshme të vdekjes. Për­shkrimi i borës që pudros gëzofin e tyre dhe i erës që shpupurit pendët e zogjve, është literal dhe i saktë, por forcon asocimin e rënies (vjeshtës), të ftohtit, errësirës, erës, frymës, me vdekjen. Tri fjalët e përsëritura bashkohen për të parën herë në fjalinë e fundit që bartin një efekt poetik për­mbyllës: “Ishte vjeshtë (rënie) e ftohtë dhe era zbri­ste nga malet”. Malet janë atje ku po zhvillohej lufta. Era, që zakonisht simbolizon jetën dhe shpirtin në shkrimet fetare dhe romantike, këtu asocon pajetësinë. Në këto tregimet e hershme të Hemin­gwayit Zoti është i vdekur. Nga trauma e luftës, heroi ka mësuar të mos i zë besë metafizikës as retorikës. Ai u beson vetëm ndjesive dhe përvojën e kupton në terma polarizues: ftohtë/ngrohtë, dritë/errësirë, jetë/vdekje.

Ritmet inkantative dhe përsëritjet vazhdojnë edhe në para­grafin e dytë. Do të qe e lehtë të gjendej një alter­nativë elegante për fjalën “spital” ose thjesht të përdorej përemri “ai” herë pas here, por spitali është qendra e jetës së ushtarëve, vendi i tyre i përditshëm i pelegri­nazhit, magazina e shpresave dhe e frikës së tyre, prandaj përsëritja e fjalës është ekspresive. Ekziston mundësia të ndryshohet rruga për në spital, por fundi është gjithmonë i njëjtë. Edhe zgjedhja për kalimin e urave është e mundur, por gjithmonë duhet të kalohet kanali (mbase, një sugjestion i largët i lumit Styx të botës nëntokësore). Narratori e preferon urën ku mund të blejë gështenja të pjekura që ngrohin xhepin si shpresë për jetë, veçse Hemingwayi nuk e përdor këtë kraha­sim, ai thjesht e lë të nënkuptohet, ashtu si në paragrafin e parë, ai arrin ta përshkruajë stinën po aq fuqishëm emocio­nalisht sa çdo shembull i mashtrimit patetik (shih kapitullin e mëhershëm) pa përdorur metafora. Linja midis thjeshtësisë së ngarkuar dhe monotonisë së shti­rur është e imtë dhe Hemingwayi jo gjithmonë qëndron në anën e duhur, por në veprat e tij të hershme ai krijoi një stil krejtësisht origjinal për kohën.

Është e panevojshme të thuhet se përsëritja nuk lidhet domos­doshmërisht me paraqitjet e mjera pozitiviste, antimetafizike të jetës, siç i gjejmë te Hemingwayi. Ajo gjithashtu është tipar karakteristik i shkrimit fetar e mistik dhe përdoret nga roman­cierët, vepra e të cilëve i takon atij drejtimi – për shembull vepra e D. H. Lawrenceit. Gjuha e kapitullit hyrës në veprën Ylberi që evokon mënyrën e humbur të jetës agrare, i bën jehonë për­sëritjes verbale dhe paralelizmit sintaksor të Dhiatës së Vjetër:

Misri i ri, i butë, tundej dhe shkëlqimi i tij rrëshqiste në gjymtyrët e burrave që e shih­nin. Ata kapën sisët e lopëve, lopët jepnin qumësht dhe pulsonin në duart e burrave, pulsi i gjakut të gjinjve të lopëve rrihte në pulsin e duarve të burrave.

Përsëritja është, gjithashtu, mjet i pëlqyer i oratorëve dhe pre­dikuesve, role që Charles Dickensi shpesh i përfshinte në per­sonazhet autoriale. Për shembull, ky është fundi i kapitullit që përshkruan vdekjen e Josë, pastruesit të varfër të rrugëve te Shtëpia e zymtë:

Të vdekur, Madhëria juaj. Të vdekur, zotë­rinj dhe xhentëlmenë. Të vdekur, klerikë të drejtë dhe klerikë të padrejtë të çdo urdhri. Të vdekur, burra dhe gra, të lindur me dhembshuri hyjnore në zemrat tuaja. Dhe duke vdekur kështu rreth nesh për çdo ditë.

Dhe sigurisht përsëritja mund të jetë edhe qesharake, si në këtë fragment nga Paratë e Martin Amisit:

Është mjaft intriguese, mënyra e vetme që faktikisht e bën Selinën të dëshirojë të shkojë në shtrat me mua duke mos dashur që unë të shkoj në shtrat me të. Kjo kurrë nuk dështon. Në të vërtetë kjo e disponon. Prob­lemi është se kur unë nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të (dhe kjo ndodh), unë thjesht nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të. E kur ndodh kjo? Kur nuk dëshiroj të shkoj në shtrat me të? Kur ajo dëshiron të shkojë në shtrat me mua. Më pëlqen të shkoj në shtrat me të kur shkuarja në shtrat me mua është gjëja e fundit që ajo dëshiron. Ajo pothuajse gjithmonë shkon në shtrat me mua nëse unë i bërtas ose e kërcënoj ose i jap para mjaftue­shëm.

Nuk ka nevojë të theksohet se frustrimet dhe kon­tradiktat e marrëdhënies seksuale të narratorit me Selinën bëhen edhe më komike dhe ironike me për­sëritjen e frazës “shkoj në shtrat” për të cilën ka një mori alternativash. (Nëse dyshoni, provoni ta rishkru­ani këtë fragment duke përdorur variacione më ele­gante.) Fjalia e fundit ilustron gjithashtu një lloj tjetër të rëndë­sishëm të përsëritjes: përsëritjen e fjalës kyçe tematike të të gjithë romanit – në këtë rast fjala, “paratë”. “Paratë” dhe jo të “shkuarit në shtrat” zë hapësirën thelbësore të fjalës së fundit në para­grafin që e citova. Kështu, një lloj i përsëritjes që i përket nivelit makro të tekstit, funksionon si variacion në nivelin mikro. /Revista “Akademia”/

  • ✇
  • KOHA  

Kështu Trumpi po ushtron kontroll në Amerikën Latine

22 December 2025 at 10:41


Nga: Jordana Timerman / The Guardian (titulli: Reward countries that toe the line, punish those that don’t: that’s how Trump is exerting control in Latin America)
Përkthimi: Telegrafi.com

Për një brez të tërë, Amerika Latine ka qenë vend me stabilitet të paqëndrueshëm. E karakterizuar në aspektin sipërfaqësore prej protestave, lëkundjeve politike dhe skandaleve spektakolare, pjesa më e madhe e rajonit, që prej demokratizimit në vitet 1980-‘90, ka mbetur kryesisht demokratike dhe pa luftëra mes shtetesh. Edhe pse e plagosur nga dhuna e grupeve të armatosura dhe organizatave kriminale gjithnjë e më të fuqishme, ajo, në përgjithësi, e ka justifikuar nofkën që ia ka vënë vetes si “zonë paqeje”.

Kjo është arsyeja pse ky vit është ndier aq tronditës. Gjatë gjithë vitit 2025, vitit të parë të mandatit të dytë të Donald Trumpit, analistët kanë analizuar në mënyrë obsesive mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake amerikane në një hemisferë që dikur përkufizohej nga mbrojtja e bashkuar e sovranitetit kombëtar. Por, fiksimi për të kuptuar nëse presioni në rritje i Uashingtonit ndaj Nicolás Maduros paralajmëron një pushtim fizik të Venezuelës, ka larguar vëmendjen nga historia e vërtetë: ndryshimi më i madh drejt ndërhyrjes së drejtpërdrejtë tashmë ka ndodhur - dhe është përballur me shumë pak rezistencë. Më shumë se 100 persona janë vrarë në sulmet detare amerikane të cilat ekspertët i përshkruajnë si ekzekutime jashtëgjyqësore, dhe kundërshtimet më të forta nuk kanë ardhur nga presidentët e Amerikës Latine apo nga organizatat rajonale, por nga Kongresi amerikan.

Uashingtonit nuk i nevojitet pushtimi për të përmbysur rendin e hemisferës; Trumpi tashmë është bërë qendra e re e gravitetit. Ai e ka riformësuar fuqinë amerikane me një rikthim perandorak që nuk shqetësohet më për narrativën e “së mirës më të madhe” të cilën Uashingtoni dikur e përdorte për të justifikuar veprimet e veta. E ashtuquajtura doktrinë Donroe vepron haptazi si një regjim disiplinor - transaksional, ndëshkues, i thjeshtë - që është në përputhje të përkryer me lëvizjet politike të hemisferës.

Ndikimi i Trumpit tani është aq dominues, saqë vetë zgjedhjet fitohen ose humbasin prej tij - apo më saktë, nga kandidatët që ai zgjedh. Në garën presidenciale të Hondurasit, mbështetja e tij për Nasry Asfuran dhe kërcënimet për të ndërprerë ndihmën nëse votuesit zgjedhin ndryshe, u bënë qendrore për fushatën, duke i bërë jehonë ndërhyrjes së tij në zgjedhjet parlamentare të Argjentinës në tetor. Veprimet të cilat dikur do të kishin shkaktuar zhurmë, tani kalojnë si gjëra të zakonshme - përveç te një rreth i ngushtë ekspertësh të indinjuar.

Ky peizazh mbahet bashkë nga një metodë qeverisjeje që ndërthur paqëndrueshmërinë, përjashtimin dhe shpërblimin. Qasja e Trumpit është më fleksibile dhe më e llogaritur sesa sugjeron retorika e tij. Njëzetë e tetë sulmet vdekjeprurëse detare bashkëjetojnë me lëshime të papritura, si heqja e tarifave ndaj Brazilit pasi ai dështoi të ndikonte te gjykatat që trajtonin çështjet e Jair Bolsonaros. Mospërputhja është strategjia: ajo çan koordinimin, krijon varësi dhe i detyron qeveritë drejt vendimmarrjeve reaktive.

Një nga mjetet më të fuqishme të administratës ka qenë zgjerimi i përjashtimeve - zonave ku rregullat e zakonshme nuk vlejnë më. Migrantët ishin kategoria e parë, të zhveshur nga mbrojtjet ligjore. Pastaj erdhën të deportuarit të dërguar në vende të treta përmes marrëveshjeve të improvizuara; të dyshuarit për trafik droge të vrarë në operacione jashtë kufijve; dhe, tani Venezuela, ku sulmet e paligjshme detare kanë për shënjestër një regjim të izoluar në aspektin ndërkombëtar. Me shumë pak të gatshëm për të mbrojtur Maduron, reagimi i zbehtë ndaj dhjetëra vdekjeve ka ripërcaktuar në heshtje kufijtë e normave të cilat Uashingtoni mund t’i shkelë pa pasoja. Çdo përjashtim gdhend një normalitet të ri.

Nën Trumpin, rajoni është ndarë në mënyrë të theksuar: aleatë të bindur dhe armiq ideologjikë. Liderët si Nayib Bukele i El Salvadorit, Javier Milei i Argjentinës dhe Daniel Noboa i Ekuadorit janë rreshtuar ngushtësisht me Uashingtonin dhe janë shpërblyer me financime, bashkëpunim në siguri dhe favor diplomatik. Paraguai dhe Bolivia po përpiqen t’i ndjekin me shpejtësi. Vendet e Karaibeve dhe Amerikës Qendrore kanë lejuar zbatimin e kontrolleve të migracionit, vendosjen e bazave ushtarake apo koncesione në siguri, vetëm për të qëndruar në favorin e Uashingtonit.

Në këtë kontekst, rezistenca më efektive ndaj politikave të Trumpit ka qenë kombëtare dhe diplomatike, jo rajonale. Në fakt, të vetmet vende që kanë arritur një kundërshtim pjesërisht të suksesshëm janë Brazili dhe Meksika. Udhëheqësit e tyre, Luiz Inácio Lula da Silva dhe Claudia Sheinbaum - kundërshtarë ideologjikë të Trumpit - praktikojnë një formë të rezistencës pragmatike: pa përplasje të hapura, por as rreshtim.

Pas muajve të tërë me përpjekje të dështuara për të ndikuar në sistemin gjyqësor të Brazilit për të liruar Bolsonaron, Trumpi u detyrua të ulej në negociata me Lulan dhe hoqi dorë nga tarifat dhe sanksionet ndaj një gjykatësi të Gjykatës Supreme. Sheinbaumi ka kultivuar rolin e “pëshpëritëses së Trumpit”: ajo kombinon bashkëpunimin në çështjet e migracionit dhe tregtisë, me gjeste simbolike për politikat ndaj drogës dhe një refuzim të fortë diskursiv ndaj çdo ndërhyrjeje në sovranitetin meksikan - të gjitha këto duke shmangur sulmet personale që do të mbyllnin kanalet diplomatike. Këto strategji funksionale janë në kontrast të thellë me ballafaqimin steril të ndjekur nga Gustavo Petro i Kolumbisë.

Petro ilustron dinamikën e kundërt. Duke u përballur drejtpërdrejt me Trumpin, ai e ekspozoi qeverinë e tij ndaj masave ndëshkuese, pa ndryshuar sjelljen e Uashingtonit - një bast i rrezikshëm për të forcuar mbështetjen e brendshme, por që nxjerr në pah një aksiomë të re rajonale: rezistenca e zhurmshme pa mbështetje kolektive, tani është një strategji e humbur. Trumpi madje e ka veçuar Kolumbinë si një front të mundshëm të ri në luftën e tij kundër “narkoterrorizmit” - një etiketë e lakueshme dhe disiplinuese që mund të përdoret për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në territore të tjera të rajonit.

Ndërkohë, janë dobësuar institucionet që dikur mbështesnin diplomacinë rajonale. Janë shembur vazhdimisht përpjekjet për të negociuar një tranzicion në Venezuelë - së fundmi pas zgjedhjeve të vitit 2024, megjithëse Sheinbaumi dhe Lula së fundmi janë ofruar të ndërmjetësojnë. Samiti i Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) me BE-në, në nëntor, shmangu të dënonte sulmet amerikane. Samiti i Amerikave, i planifikuar për këtë muaj, u anulua krejtësisht. Thirrja e javës së kaluar e Sheinbaumit për veprim nga OKB-ja, dukej si një formalitet - gjëja e duhur për t’u thënë në një moment tensioni, por me pak gjasa për ndikim praktik. Nëse ka ndonjë gjë, kjo theksoi se sa të dobëta janë bërë organet shumëpalëshe në klimën e tanishme diplomatike.

E majta, dikur një kundërpeshë morale ndaj fuqisë amerikane në hemisferë, ka humbur busullën. Vala rozë dikur ofronte një gjuhë të përbashkët që bashkonte nacionalizmin, përfshirjen sociale dhe anti-imperializmin në një projekt koherent politik. Sot ai fjalor është i copëtuar; energjia politike që e mbante atë gjallë është shuar si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal. Politika e jashtme trumpiste ka të njëjtin ton me mesazhin fitues të së djathtës ekstreme në politikën kombëtare të rajonit. Ajo ushqehet nga zhgënjimi me korrupsionin, pasigurinë dhe ngërçin institucional, duke ofruar një repertor - rend, autoritet, veprim - që për shumë shtresa të shoqërisë tingëllon më i besueshëm se thirrjet për përfshirje apo solidaritet.

Kontrasti me 20 vjet më parë është i madh. Në vitin 2005, qeveritë e valës rozë, të forta në aspektin elektoral dhe ideologjikisht të sigurta, u mblodhën në Mar del Plata të Argjentinës për të rrëzuar Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Amerikave të George W. Bushit. Anti-imperializmi dikur përbënte gramatikën e përbashkët politike të së majtës latino-amerikane. Ai konsensus është zhdukur. Në një sondazh të fundit nga Bloomberg/Atlas, 53 përqind e të anketuarve në Amerikën Latine thanë se do të mbështesnin ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së për të rrëzuar Maduron. Është vetëm një pikë e vetme e të dhënave, por mbërthen një transformim më të gjerë: rajoni nuk beson më në narrativën kolektive që dikur frenonte Uashingtonin.

Qëndrimi i ripërtërirë perandorak i Trumpit po rezulton i suksesshëm jo vetëm për shkak të forcës imponuese të ShBA-së, por sepse e majta e Amerikës Latine nuk të bind më. Ndikimi i tij buron po aq nga rraskapitja ideologjike e së majtës sa edhe nga fuqia e Uashingtonit. Politikat e rajonit janë zhvendosur në mënyrat që shkojnë përkrah avancimit të Trumpit dhe që ia hapin rrugën atij - dhe ai është treguar i shpejtë për ta konsoliduar atë terren të ri. /Telegrafi/

Gratë në politikë dhe rinia: Për një përfaqësim gjithëpërshirës

19 December 2025 at 18:05


Marigona Shabiu, drejtore ekzekutive në YIHR

Në Kosovë, pjesëmarrja e grave në politikë shpesh paraqitet si një histori suksesi. Kuota gjinore prej 30 përqind, rritja e numrit të grave në Kuvend dhe prania e tyre në asamble komunale përmenden rregullisht si dëshmi e përparimit demokratik. Në legjislaturën e kaluar, gratë përbënin mbi një të tretën e deputetëve në Kuvend, një shifër që në letër e pozicionon Kosovën më mirë se shumë vende të rajonit. Megjithatë, përtej statistikave dhe deklaratave zyrtare, realiteti politik mbetet shumë më kompleks, sidomos kur kjo pjesëmarrje shihet nga perspektiva e rinisë dhe e grupeve të tjera të margjinalizuara.

Nga përvoja jonë shumëvjeçare në Youth Initiative for Human Rights - Kosovë (YIHR KS), është e qartë se përfaqësimi politik i grave nuk përkthehet automatikisht në një politikë që flet për të rinjtë dhe me të rinjtë. Të rejat dhe të rinjtë në Kosovë vazhdojnë ta perceptojnë politikën si një hapësirë të mbyllur, hierarkike dhe shpesh armiqësore ndaj mendimit kritik. Kjo ndjenjë distance është veçanërisht e theksuar te të rinjtë nga komunitetet joshumicë, te të rinjtë LGBTIQ+, te personat me aftësi të kufizuara dhe tek ata që jetojnë në varfëri apo zona të margjinalizuara. Për shumë të rinj, përfaqësimi i grave në institucione nuk shihet domosdoshmërisht si përfaqësim i interesave të tyre, veçanërisht kur politikat vazhdojnë të prodhohen pa një qasje gjithëpërfshirëse.

Në diskutimet që zhvillojmë me të rinj në qytete dhe zona rurale, shpesh lind një pyetje e heshtur: a janë gratë në politikë vërtet aleate të rinisë, apo thjesht pjesë e të njëjtit sistem që e riprodhon përjashtimin? Kjo dilemë nuk është akuzë, por reflektim kritik mbi mënyrën se si funksionon kultura jonë politike dhe mbi kufijtë e një përfaqësimi që mbetet kryesisht formal.

Asambleistet e reja, veçanërisht ato që vijnë nga grupe të margjinalizuara, përballen me sfida të shumëfishta. Gratë e reja në politikë hyjnë në institucione që historikisht janë ndërtuar mbi norma patriarkale, ku autoriteti lidhet me moshën, gjininë, përkatësinë partiake dhe me përkatësinë etnike. Për gratë LBTIQ+, gratë me aftësi të kufizuara apo gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, këto barriera shumëfishohen. Ato përballen jo vetëm me seksizëm, por edhe me homofobi dhe diskriminim institucional.

Në të njëjtën kohë, mbi këto gra vendoset një barrë e padrejtë përfaqësimi: pritshmëria që të flasin për “të gjitha gratë”, për rininë dhe për komunitetet e tyre, pa pasur realisht fuqinë vendimmarrëse apo mbështetjen e nevojshme politike. Kjo situatë krijon një paradoks të rrezikshëm: gratë në politikë përdoren si simbol progresi, ndërsa hapësira e tyre reale për veprim mbetet e kufizuar. Si pasojë, rinia shpesh nuk e përjeton këtë përfaqësim si burim shprese, por si pjesë të një sistemi që vazhdon të mos jetë gjithëpërfshirës.

Një tjetër problematikë e theksuar është përfshirja e ulët e grave, sidomos grave nga grupet e margjinalizuara, në hartimin dhe zbatimin e politikave që synojnë drejtpërdrejt rininë. Politikat rinore vazhdojnë të trajtohen si çështje dytësore, të ndara nga debatet mbi barazinë gjinore, drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut. Kjo ndarje e rreme mes “politikave të grave”, “politikave rinore” dhe “politikave për komunitetet” e dobëson secilën prej tyre dhe humb mundësinë për ndërtimin e aleancave të qëndrueshme.

Pikërisht këtu bëhet e domosdoshme qasja ndërthurëse. Pa një analizë që merr parasysh mënyrën se si diskriminimet ndërthuren - gjinia me moshën, orientimin seksual, aftësinë e kufizuar, përkatësinë etnike apo statusin socio-ekonomik - politikat rrezikojnë të adresojnë vetëm një pjesë të realitetit. Një politikë që fuqizon vetëm disa gra, por lë pas gratë e reja, gratë LBTIQ+, gratë me aftësi të kufizuara apo gratë nga komunitetet joshumicë, nuk është politikë gjithëpërfshirëse.

Nga këndvështrimi i YIHR KS, fuqizimi i grave në politikë nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë i shkëputur nga fuqizimi i rinisë dhe i grupeve të tjera të margjinalizuara. Një demokraci funksionale kërkon pjesëmarrje reale, jo vetëm përfaqësim numerik. Kjo nënkupton krijimin e mekanizmave ku të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha komunitetet janë bashkëkrijues të politikave dhe ku gratë në politikë veprojnë si partnere të këtij procesi transformues.

Gratë në politikë kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar ura mes institucioneve dhe rinisë, për të sjellë në qendër çështje si arsimi cilësor, punësimi i denjë, shëndeti mendor, drejtësia sociale dhe barazia. Por, ky potencial realizohet vetëm nëse ekziston vullneti për të sfiduar status quo-në dhe për të ndërtuar një kulturë politike të bazuar në solidaritet ndërbrezor dhe ndërkomunitar.

Nëse duam një Kosovë ku rinia nuk largohet nga politika, por e transformon atë, duhet të shkojmë përtej kuotave dhe narrativave sipërfaqësore. Fuqizimi i grave është thelbësor për këtë transformim, por vetëm nëse shoqërohet me një angazhim të sinqertë për drejtësi sociale dhe përfshirje reale të të gjithë atyre që tradicionalisht janë lënë në margjina.

Një politikë që nuk u flet të rinjve dhe që nuk i përfshin të gjithë të rinjtë është një politikë pa të ardhme. Sfida jonë e përbashkët është ta shndërrojmë përfaqësimin formal në një aleancë të vërtetë, për një kulturë politike më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më demokratike për të gjithë.

(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)

Tërheqja e Nicholas Lyndhurstit nga jeta publike

19 December 2025 at 12:54


Dyshja më e famshme në Britani: Nicholas Lyndhurst dhe David Jason

Nga: George Chesterton / The Telegraph (titulli: Why Nicholas Lyndhurst is missing from the Only Fools reunion)
Përkthimi: Telegrafi.com

David Jason pëlqen të tregojë anekdotën kur ai dhe Nicholas Lyndhurst sajuan një zënkë në xhirimet e seriailit “Only Fools and Horses”. Në vitin 1991, në kulmin e popullaritetit të serialit, Del Boi dhe Rodni, të cilët ishin të mërzitur, vendosën se ishte koha për të sjellë pak gjallëri.

David Jason, Nicholas Lyndhurst dhe Buster Merryfield në episodin special të Krishtlindjeve të vitit 1987 të Only Fools and Horses

“Unë dhe Nicku ishim në karavan”, ka thënë Jasoni, 85 vjeç. “Po rrinim kot dhe i thashë: ‘E di çfarë? Pse të mos shtiremi sikur kemi një zënkë? Ti mund të dalësh me vrull dhe të thuash që po largohesh, e unë mund të bërtas: ‘Mos u kthe më kurrë. S’dua të punoj kurrë më me ty’. Kështu që dera u hap me vrull dhe Nicku doli duke shfryrë dhe unë hodha diçka pas tij. Por, pastaj menduam se ndoshta e tepruam, kështu që u thamë të gjithëve: ‘Ishte vetëm një shaka’”.

Thashethemet për një marrëdhënie të tensionuar apo problematike mes dy yjeve më të mëdhenj të serialit vazhdojnë edhe sot - pavarësisht çdo dëshmie që tregon të kundërtën - dhe ka të ngjarë që anekdota e “zënkës për shaka” të jetë mënyra e tyre për të përballuar këto spekulime. Ajo që është e vërtetë është se Jasoni dhe Lyndhursti ishin aktorë shumë të ndryshëm, nga breza të ndryshëm, me qëndrime të ndryshme ndaj famës. Dinamika e partneritetit të tyre në ekran varej po aq nga këto dallime sa edhe nga talenti i tyre i përbashkët që i bëri të jenë, në shumë mënyra, dyshja më e dashur në televizion.

“Kur lexuam skenarin për herë të parë, ndodhi ajo kimi”: Nicholas Lyndhurst si Rodni dhe David Jason si Del Boi në sezonin e parë të serialit(BBC)

Lajmi se do të realizohet një dokumentar i ri për Only Fools and Horses në vitin 2026, pa përfshirjen e Lyndhurstin, tani 64 vjeç, ngjalli pyetje të reja rreth marrëdhënies së tij me trashëgiminë e serialit. Por, këto dyshime marrin më shumë kuptim në kontekstin e shmangies së tij të përhershme ndaj publicitetit - e lëre më tragjedinë personale që e ka shtyrë të mbrojë privatësinë edhe më rreptë. Në vitin 2020, djali i tij i vetëm, Archie, aktor, vdiq nga leucemia limfoblastike akute në moshën 19-vjeçare.

“Mungesa e Lyndhurstit në dokumentarin e ri nuk ka të bëjë me ndonjë problem personal apo ndonjë përplasje me pjesën tjetër të kastit”, thotë Graham McCann, autor i librit Only Fools and Horses: The Story of Britain’s Favourite Comedy. “Privatisht, mendoj se ai është në marrëdhënie të mira me ta. Ai është dikush që sheh një ndarje të qartë mes vetes dhe personazheve që luan, dhe dëshiron të përqendrohet në të tashmen. Kur e mbaron një punë, e mbaron. Nuk është rehat të dalë në pah për të shënuar një personazh që ka luajtur në të kaluarën. Preferon të qëndrojë i tërhequr. Nuk njoh ndonjë aktor që është kaq ekstrem në këtë drejtim. Kështu ndihet ai se duhet të jetë, për të funksionuar si aktor”.

Lyndhurst dhe djali i tij Archie, në vitin 2015Foto: David M. Benett/Dave Benett/WireImage

Only Fools and Horses u transmetua në shtatë sezone me 19 episode speciale nga 1981 deri më 2003. Për të shënuar 45-vjetorin e serialit, dokumentari Only Fools and Horses: The Lost Archive, nga U&Gold, do të sjellë pamje arkivore, të patransmetuara, të familjes Troter - dhe u mirëprit me entuziazëm nga adhuruesit e një prej komedive më të dashura në historinë britanike (episodi Time On Our Hands, në vitin 1996 u pa nga më shumë se 24 milionë njerëz).

Jasoni dhe Lyndhursti erdhën në serial nga rrugë shumë të ndryshme. “Jasoni ishte shkollë më e vjetër, sepse kishte bërë gjithçka në teatrot e repertorëve, që kërkonin përshtatshmëri dhe pranim të roleve që s’të pëlqenin”, thotë McCann. “Ndonjëherë dukej sikur nuk do të bëhej kurrë yll, dhe duhej të punonte shumë e të ishte i durueshëm. Ndërkaq, Lyndhursti bëri një lëvizje logjike drejt një roli të madh që në moshë të re”.

- YouTube

Jasoni ishte aktor i njohur televiziv para vitit 1981, por ende jo një emër i njohur në çdo shtëpi. Lidhej më së shumti me Ronnie Barkerin, duke u paraqitur në tri episode të sitkomit Porridge dhe si ndihmësi i tij, Granvilli, në serialin Open All Hours. Lyndhursti, nga ana tjetër, kishte ndjekur Shkollën e Aktrimit “Korona” [Corona Theatre School] në Londrën Perëndimore dhe kishte luajtur në drama dhe emisione për fëmijë - më së shumti i njohur si një nga djemtë e Wendy Craigut në serialin Butterflies, në vitin 1978, kur ishte 17 vjeç.

“Kur Davidi dhe Nicholasi u bashkuan për herë të parë, ishin aktorë të shkëlqyer, por ata morën një skenar brilant të shkruar posaçërisht për ta”, thotë Tony Dow, regjisor i serialit në vitet 1988-2003, përfshirë disa episode për Krishtlindje. Dow ishte mik i ngushtë me krijuesin e serialit, John Sullivan, i cili vdiq në 2011. “Nuk zgjati shumë që ata të njihnin talentin e njëri-tjetrit dhe të mbështeteshin tek ai”.

Lyndhursti dhe Jasoni në Çmimet Kombëtare të Filmit [National Film Awards] në Londër më 2017(Foto: Eamonn M. McCormack/Getty Images)

“Marrëdhënia me Davidin ishte e menjëhershme”, ka thënë Lyndhurst. “Kur unë, Davidi dhe Lennard Pearce [gjyshi] lexuam skenarin për herë të parë, ndodhi ajo kimi. Unë dhe Davidi u bëmë të njohur për të qeshurat [gjatë xhirimeve]. Kishte dashuri në qendër të marrëdhënies së personazheve, dhe këtë gjithmonë e kishim parasysh - si gjënë më të rëndësishme për t’u portretizuar. Nuk ishte e vështirë të aktronim ‘afeksionin’, sepse vërtet e ndjenim për njëri-tjetrin.”

Spekulimet se dy aktorët kryesorë nuk shkonin mirë vijnë nga kureshtja e natyrshme e adhuruesve për marrëdhënien e dyshes që ishte kaq e dashur në ekran, saqë njerëzit nisën të pyesnin se si është ajo jashtë ekranit.

“Shumë njerëz paramendojnë tension të vërtetë, siç ndodhi mes Rodney Bewesin dhe James Bolamin në The Likely Lads, apo mes disa aktorëve të Dad’s Army”, thotë McCann. “Adhuruesit e flaktë i shohin si prindërit që nuk shkojnë mirë mes vete”.

Lyndhursti pati sukses edhe me seriale të tjera, si “Goodnight Sweetheart”(Foto: PA/Alamy)

“Mund t’ju them, kategorikisht, se kurrë nuk ka pasur ndonjë sherr mes tyre”, thotë Dow. “Nuk kishte konflikt, sepse të gjithë e dinim që ishim me fat të ishim pjesë e këtij seriali të jashtëzakonshëm - edhe pse Nicku vështirë e përjetonte famën në atë kohë. Ai ecte rrugëve me një kapele të madhe mbi kokë dhe një pallto, sepse nuk e përballonte dot reagimin e njerëzve. Lyndhursti ishte më pak i përshtatshëm për jetën publike dhe e bezdiste më shumë gjithë vëmendja”, thotë McCann.

Shtrirja e ndikimit të serialit ishte aq e madhe, saqë edhe vetë Jasoni - i cili ka qenë më i përfshirë se Lyndhursti në universin Only Fools që nga përfundimi i xhirimeve - ka shprehur keqardhje që puna tjetër e tij (Porterhouse Blue, A Touch of Frost, The Darling Buds of May) shpesh është mbuluar nga fiksimi i publikut me Del Boin.

Lyndhursti pati sukses në teatër dhe seriale të tjera si Goodnight Sweetheart dhe The Two of Us, dhe së fundmi mori lëvdata për rolin e një profesori anglez në rikthimin e serialit Frasier në vitin 2023. Por, nëse dikur ishte i rezervuar për daljet publike, vdekja tragjike e djalit të tij mund ta ketë bindur ta mbrojë privatësinë edhe më fort pas vitit 2020.

Lyndhurst në një skenë në serialin “Frasier” më 2023

“Kam qenë aty për të dhe bashkëshorten e tij, por më thanë ... se po kalonin një kohë shumë të vështirë dhe se shumë njerëz po kërkonin intervista dhe deklarata”, tha Jason më 2022. “Ai më tha: ‘Mos u mërzit nëse nuk të kontaktojmë. Thjesht duam të vazhdojmë jetën dhe ta bëjmë zinë në qetësi’. Ai është shumë më i mbyllur tani sesa më parë. Dhe, për fat të keq, nuk takohemi aq shpesh sa do të doja. Por, ndonjëherë, kështu shkojnë gjërat”.

Kështu, dokumentari me dy pjesë, Only Fools and Horses: The Lost Archive, do të përfshijë intervista të reja me pjesëtarët e mbijetuar të kastit dhe ekipit, si dhe materiale arkivore nga episodet klasike. Të gjithë do t’i bëjnë homazh John Sullivanit, i cili ndërroi jetë në 2011 - një njeri të cilin, si Jasoni ashtu ashtu edhe Lyndhursti, e quanin “gjeni”. Por, Lyndhursti, i cili jeton me gruan e tij në Uest-Uitering afër Çiçesterit në Suseksin Perëndimor, nuk do të jetë me ta.

“Kur unë dhe Davidi takohemi, themi: ‘Nicku është mirë dhe është aty, por kjo pjesë e jetës së tij ka mbaruar për të’”, shpjegon Dow. “Edhe nëse nuk do të kishte kaluar në tragjedi personale, gjithsesi do ta urrente gjithë këtë”. /Telegrafi/

Kur “Portokallia” shkrihet me Festivalin e Këngës

19 December 2025 at 11:30


Nga: Leonard Veizi

Të them të drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek RTSh për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSh-së së bëjnë edhe të pamundurën për të të çuditur.

-Vezë doni?

- Meqë është gjella më operative dhe me kalori ...

Fillimisht mendova se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja “Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi, gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive, kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.

- Ç’ne “Portokallia në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme. Është - pak a shumë - si të hysh në një godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e traktoristëve.

- Rrusht Mezini…

- Këtu ... Unë jam Rrusht Mezini.

- Jeni lodhur shoku Jorgo.

- Epo nuk i thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi ...

Këto janë batuta filmash. Por, në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më forma, por identiteti.

- Mirë, atëherë, konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, - sugjeronte Andi këngëtari Sotirin, që ishte drejtori i Pallatit të Kulturës.

- Agimi ... ai karagjozi? - u pataks Sotiri.

- Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.

Batutat janë shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, Edhe ashtu, edhe kështu, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.

Sepse, Festivali i Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv, një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.

Dhe, kjo zhvendosje nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve, mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me “shoun”, trashëgiminë me audiencën, identitetin me klikimin.

Dhe, kështu vazhdon të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSh-ja do të ofertojë edhe Ledionin.

- Ec e na jep një dorë në malore.

Jo sepse ata nuk janë profesionistë, por sepse TVSh-ja sillet si një institucion që ka hequr dorë nga vetja.

- Përpara ca kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati.

Ca e çuditshme kjo, apo jo? - shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, pikërisht te filmi Shkëlqim i përkohshëm i regjisorit Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.

- S’ka asgjë për t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon - u justifikua Leloja, që ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin “Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës infermiere.

TVSh, si një institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.

Si konkluzion, më rezulton se TVSh-ja është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme, gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht, duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.

Spektakli më i madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë institucionit, në edicionin e 64-të të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i “Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë. Sepse, pyetja nuk është: pse Salsano? Por, pse gjithmonë dikush nga jashtë.

Ky huazim i përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik nuk investon më në njerëzit e vet, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.

Ndërkohë, TVSh-ja vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh një herë në tri ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të jetflejë në bobinat e viteve ‘70, të padigjitalizuara, të padukshme për brezat e rinj, sikur këto regjistrime të ishin një relike muzeale dhe jo një detyrim publik.

TVSh-ja nuk është më në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSh-ja është në një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan “normalitet”.

Kjo është TVSh-ja sot. Dhe, me sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe jo thjesht emrat në ekran, kjo do të mbetet TVSh-ja edhe nesër: një organizëm i madh, i lodhur, që mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si të notojë vetë.

Punë të paqena, roje robotike dhe intervistues të IA-së: Epoka e zymtë e kërkimit të punës

18 December 2025 at 13:19


Nga: Eleanor Margolis / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa aplikoj për një tjetër punë, shoh faqen e internetit të kompanisë për përmbajtje. Katër ose pesë herë e lexova seksionin e tyre “çfarë bëjmë”, dhe kam një problem - nuk arrij të kuptoj çfarë bëjnë. Këtu janë dy mundësi. E para: vetë ata nuk e dinë çfarë bëjnë. E dyta: ajo që bëjnë është aq e pavlerë dhe për turp saqë nuk guxojnë ta thonë qartë në gjuhë të zakonshme. “Ndërtojmë sisteme të avancuara marketingu të hapësirës së mirëqenies në internet” mund të përkthehet si: “Përdorim ChatGPT-në për të shitur suplemente të dyshimta”.

Por, është problem më i vogël të dish se çfarë bëjnë në të vërtetë shumë biznese. Aktualisht, jam mes pesë përqind të britanikëve që janë të papunë. Pas gjashtë muajsh kërkimesh për punë, mungesa totale e suksesit më ka bërë të vë në dyshim ekzistencën time. Kur aplikon vazhdimisht për punë në të njëjtën fushë, njëjtë si në rastet kur përsërit një fjalë pa pushim derisa të humbasë kuptimin, semantika e gjithë situatës fillon të shpërbëhet si një facoletë e lagtë. Rreth një në pesë aplikime që bëj sjell një postë elektronike refuzimi, zakonisht me ankesën për “numrin e madh të aplikantëve cilësorë” për pozicion. Por, në shumicën e rasteve - asgjë. Është thuajse puna të mos ketë ekzistuar kurrë, dhe ka gjasa që vërtet të mos ketë ekzistuar.

Në vitin 2024, 40 përqind e kompanive postuan njoftime për “punë fantazmë”, pozicione që nuk ekzistojnë, të shpallura për të krijuar iluzionin se kompania po ecën aq mirë - aq mirë saqë ka nevojë për punëtorë të tjerë. Dhe, kjo duket si një mënyrë shumë e lehtë për të gënjyer për suksesin tënd. Rregullimi i reklamave për punë është kryesisht në kompetencë të Autoritetit për Standardet e Reklamimit, i cili - me gjithë fuqinë e vet - mund të bëjë vetëm ... heqjen e një reklame të gabuar. Pra, duke mos pasur ndonjë pasojë të rëndë për punëdhënësit, pse të mos bëjnë një fushatë të rreme punësimi? Etika në tregun e punës duket se ka dalë jashtë dritares, dhe ideja për të humbur kohën e mijëra kërkuesve të pafajshëm të punës nuk ka më rëndësi.

Edhe nëse puna për të cilën po aplikon ekziston, pengesa e radhës është boti i burimeve njerëzore [HR] me inteligjencë artificiale [IA]. Edhe pse është e vështirë të gjesh të dhëna të sakta për numrin e punëdhënësve që përdorin IA-në për të filtruar aplikimet (nganjëherë duke favorizuar burrat ndaj grave, nëse marrim për shembull një algoritëm të përdorur dikur nga Amazon-i që tashmë është hequr), gjithandej ka artikuj dhe tema në Reddit se si të manipulosh botat dhe të futësh “fjalët kyçe”. Sipas një artikulli të revistës The Atlantic, më herët këtë vit: “Të rinjtë po e përdorin ChatGPT-në për të shkruar aplikimet; HR-ja po përdor IA-në për t’i lexuar; askush nuk po punësohet”. Dhe, le të themi se CV-ja dhe letra e motivimit ia dalin të kalojnë robotët rojtarë, ka gjasa që edhe intervista të zhvillohet me një bot tjetër. Edhe pse nuk kam pasur “kënaqësinë” të kem asnjë intervistë, qoftë nga IA-ja apo diçka tjetër - qëkur nisa këtë kërkim e fundit për punë - mundësia për të mos pasur kontakt me asnjë njeri gjatë gjithë procesit, për t’u bërë menaxher i marketingut i rrjeteve sociale për suplemente të dyshimta, më duket e madhe dhe e tmerrshme.

Edhe pse kjo tollovi për punë zakonisht paraqitet si problem për të porsadiplomuarit, mund të konfirmoj - si dikush që u diplomua para 15 vjetësh, drejt e në recesion - jo vetëm që ky është tregu më i keq i punës që kam parë ndonjëherë, por po ndikon edhe te njerëzit si unë me shumë vite përvojë. Gjatë periudhës sime të fundit të kërkimit të punës, rreth tre vjet më parë, të paktën shkoja në intervista. Dhe, për më tepër, me njerëz të vërtetë. Duke parë gjithë ata profesionistë që njoh dhe që nuk po arrijnë të sigurojnë intervista as për pozicione fillestare, jam e sigurt që nuk paraqes ndonjë përjashtim. Jam gjithashtu e bindur se po përballemi me një krizë në të cilën punët për shtresën e mesme janë degjeneruar në bisha të rralla dhe shqetësuese.

Kur - sipas një shpalljeje për punë - një kompani e pavarur për ushqim për kafshë shtëpiake, me një emër si Flopsies, kërkon një “yll roku” dhe një “njëbrirësh” për të revolucionarizuar praninë në rrjete sociale, e kupton që tregu i punës është dehur me pordhat e veta. Frankenpunët e paqarta, që kërkojnë gjithçka, nga SEO [Search Engine Optimization] e deri te aftësitë për montazh videosh (për një pagë prej 27 mijë paundësh dhe me çokolata falas me proteinë që kanë shijen e kashtës), kërkojnë përkushtim sektar. Së pari, duhet të bindësh njerëzit e mirë të Flopsies-it se ka qenë ëndrra jote, që nga lindja, të shesësh ushqim për kafshë. Do t’i prisje duart e tua për këtë privilegj dhe do të mësoje të shkruash për ta duke përplasur fytyrën mbi tastierë. Këtë do ta shprehësh në një letër motivimi prej 400 fjalësh, të shkruar me gjakun tënd. Dhe, kjo letër do të ridrejtohet në hiç nga një filtër i IA-së, sepse nuk e ke përdorur në të frazën “optimizimi i rëndësisë algoritmike”. Nuk do të dëgjosh më kurrë asgjë nga Flopsies-i. Do ta nisësh këtë proces nga e para dhe do ta përsërisësh derisa të konsiderohesh i/e denjë për një intervistë në të cilën ke disa minuta për ta bindur një bot se je i/e aftë për punë dhe si qenie njerëzore.

Procesi i rekrutimit është bërë kaq i mekanizuar, si në kuptimin figurativ ashtu edhe në atë fjalëpërfjalshëm, saqë është e vështirë të besohet se njerëzit që përzgjidhen për punë nuk janë thjesht ata që janë më të zotët për të manipuluar sistemin. Dhe, sinqerisht, të kenë gjithë fatin e botës! S’është ndonjë humbje për mua nëse punët me suplemente të dyshimta apo ushqim për kafshë i fiton dikush që është mjeshtër në krijimin e iluzionit se jeton dhe merr frymë vetëm për to. Por, në këtë proces të rrjedhave, çfarë ndodh me ata prej nesh që nuk dinë apo nuk duan ta luajnë këtë lojë? Nga të gjitha aplikimet që kam dërguar së fundmi, pyes veten sa prej tyre janë parë nga sytë e njerëzve. Ka një kufi sa mund të bërtasësh në boshllëk për aftësitë e tua me një CMS [Content Management System], përpara se të fillosh të kërkosh në Google për frazat si: “A mund ta shes një veshkë në Vinted [ueb-faqe për shitje]”? /Telegrafi/

❌
❌