Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 February 2026Main stream

Vlora sërish pa drita, punimet për investimin në rrjetin e ujësjellësit shkëpusin…

By: e xh
3 February 2026 at 22:33

Punimet për investimin në rrjetin e ujësjellësit kanë dëmtuar edhe një herë linjat elektrike, duke lënë pa energji elektrike rreth 300 abonentë në zonën e Lungomares.

Pas konstatimit të defektit, në terren kanë mbërritur grupet e OSSHE-së, të cilat po punojnë për rikuperimin dhe rikthimin e energjisë elektrike.

Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, kur firma që po shtron linjat e ujësjellësit dëmton kabllot e energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit dhe duke lënë pa energji abonent.

Pas identifikimit të viktimave, hiqen mijëra dokumente të Epstein

By: e xh
3 February 2026 at 21:16

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka hequr mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein nga faqja e tij e internetit, pasi viktimat thanë se identiteti i tyre ishte kompromentuar.

Avokatët e viktimave të Epstein thanë se redaktimet me të meta në dosjet e publikuara të premten kishin “përmbysur” jetën e gati 100 të mbijetuarve.

Në njoftim u përfshinë adresat e email-it dhe fotot nudo në të cilat mund të identifikoheshin emrat dhe fytyrat e viktimave të mundshme.

Të mbijetuarit lëshuan një deklaratë duke e quajtur zbulimin “skandaloz” dhe thanë se nuk duhet të “emërtohen, shqyrtohen dhe ritraumatizohen”.

Departamenti i Drejtësisë tha se i kishte hequr të gjitha dosjet e shënuara dhe se gabimet ishin “teknike ose njerëzore”.

Në një letër të dërguar një gjyqtari federal të hënën, Departamenti i Drejtësisë tha: “Të gjitha dokumentet e kërkuara nga viktimat ose avokatët për t’u hequr deri dje në mbrëmje janë hequr për redaktim të mëtejshëm.”

Departamenti tha se po vazhdonte të shqyrtonte kërkesat e reja, si dhe të kontrollonte nëse ka ndonjë dokument tjetër që mund të ketë nevojë për redaktim të mëtejshëm. Një “numër i konsiderueshëm” dokumentesh të identifikuara në mënyrë të pavarur janë hequr gjithashtu, shtoi ai.

Sipas kushteve të publikimit, i cili u mandatua pasi të dy dhomat e Kongresit miratuan një masë që e detyronte Departamentin e Drejtësisë të publikonte dokumentet, qeveria federale duhej të redaktonte detajet që mund të identifikonin viktimat.

Të premten, dy avokatë që përfaqësonin viktimat i kërkuan një gjyqtari federal në Nju Jork të urdhëronte Departamentin e Drejtësisë të mbyllte faqen e internetit që strehonte dosjet, duke e quajtur publikimin “shkeljen më të rëndë të privatësisë së viktimave brenda një dite në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Salianji “këshillon” PD për “Territorialen”:Shkoni në Komision me propozime konkrete

By: e xh
3 February 2026 at 20:26

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë fjalës së mbajtur në takimin me strukturat e PD në Fier, deklaroi se PD nuk duhet të bojkotojë Komisionin për Reformën Territoriale, pasi ajo ekzistuesja, me gabimet që bëri edhe PD, i ka larguar shërbimet nga qytetarët.

Salianji, i ka kërkuar PD-së që të dërgojë përfaqësuesit e vet në Komisionin për Reformën Territoriale për të dhënë aty propozimet e opozitës.

 “Ne nuk mund të bëjmë paradite të themi një gjë dhe pasdite të themi një gjë tjetër. E mbani mend kur Rama u’a hodhi lidershipit të PD-së për Avokatin e Popullit, u tha që me Ramën nuk ulemi më për reforma. Pastaj thanë për javë me radhë që pjesë e Komisioneve me Ramën nuk marrim më pjesë. Por tani nuk duhet të harrojmë, tani thonë jo jemi pjesë, jo nuk jemi pjesë.

O zotërinj, dilni aty, hajde japim propozimet tona për Reformën Territoriale, hajde të takojmë njerëzit, hajde t’i shtojmë shërbimet dhe bashkitë ashtu siç i kërkojnë dhe qytetarët e qarkut të Fierit, për të shtuar bashkitë jo për t’i pakësuar, sepse ashtu siç u bë Reforma Territoriale për shkak të gabimit të PD, i ka larguar shërbimet nga qytetarët.

U bë një reformë elektorale për qëllime politike dhe jo për ti shërbyer ashtu siç duhet të jetë pushteti lokal më pranë qytetarëve, si dhe të nxjerrim listën tonë të bashkive, kompetencat që duhet të kenë bashkitë, propozimin tonë konkret dhe pastaj Edi Rama të bëjë ç’të dojë, ne nuk kemi punë me Edi Ramën”, u shpreh Salianji.

Hoxha në GJKKO, tregon detajet e vrasjeve për të cilat paguheshin 70-100 mijë euro

By: e xh
3 February 2026 at 20:15

I akuzuar i SPAK si vrasës me pagesë, Henrik Hoxha, të cilit ju hoq statusi i të penduarit gjatë hetimit, dëshmoi të martën në procesin gjyqësor të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme. Duke qëndruar ulur në kafazin e sallës, për arsye shëndetësore, i pandehuri rrëfeu qetësisht detaje të vrasjeve ku kishte qenë në rolin e ekzekutorit.

Për ekzeutimin e Dorian Shkozës në vitin 2020 në Durrës, ku mbeti i vrarë dhe Anxhelo Avdia, Hoxha tha se i ishin premtuar 70 mijë euro nga Nuredin Dumani. I pandehuri tha se ishte afruar tek servisi i Haxhiaj me një automjet që drejtohej nga Elio Bitri.

“Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje, një i tretë vrapoi. Zbrita. Iu afrova e i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo, është ai që iku. Pyeta Elion, a ky është. Po, më tha ai. Edhe e godita”, rrëfeu ai në GJKKO.

Për këtë krim Hoxha tha se kishte marrë veç 35 mijë euro. Sipas të pandehurit, planifikimi i vrasjes së Besmir Haxhisë, ku u vra edhe vëllai i tij, Viktori, ishte bërë për të nxjerrë në pritë Altin Ndocin, për shkak se ishte shënjestër e vështirë.

“U vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që Altin Ndoci të vinte në varrim e më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën”.

Sipas Hoxhës, për ekzekutimin e Besmir Haxhisë kishte shkuar bashkë me Nuredin Dumanin, të veshur me uniforma OFL dhe armë të rënda, ndërsa shofer kishin Klevis Allën.

“Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi jonë e pa që ishte me vëllain. I tha Nuredinit, që është me vëllain. E mirë, tha Nurediniu, i vrasim. I ndoqëm për pak. Kur u bllokuan në trafik i dolëm në anësore dhe hapëm zjarr. Qëlluam të dy me breshëri. Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse del kot, se kanë mbatuar. Pashë që Nuredini qëlloi nga afër, por ju bllokua arma. Pastaj ju bllokua edhe tjetra. Aty morë armën unë. Zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin”, vijoi i pandehuri Hoxha.

Hoxha rrëfeu përfshirjen direkte edhe në ekzekutimin e Emiliano Ramzanit në Elbasan. Sipas tij, plani fillestar ishte për vrasjen e dy vëllezërve Ramazani për shumën 150 mijë euro, por kur u vendos vetëm për njërin shifra shkoi në 100 mijë. Sipas Hoxhës, qitës në vrasjen e Ramazanit ishte i pandehuri Skerdi Tasi, ndërsa ai vetë shofer. Vrasja do të kryhej kur Ramazani të hynte në shtëpi.

“Unë i thashë Skerdit, po të pa, mos e le te futet në shtëpi por nise nga unë. Nëse vinte nga unë, do e qëlloja me kallash”.

Hoxha tha se pas krimeve kthehej në Tiranë dhe se nuk ruhej, por ishte shqetësuar kur kishte mësuar arrestimin e Klevis Allës. Sipas tij, Nuredini i kishte thënë të mos shqetësohej, ndërsa vetë i pandehuri ishte habitur kur kishte parë ne media se Alla kishte deklaruar se në makinë kishte Talo Celën dhe Altin Ndocin.

Dosja “Epstein”/ Lajçak i penduar: Kur i lexoj sot ato mesazhe, ndihem si budalla

By: e xh
3 February 2026 at 19:56

Ish këshilltari për sigurinë kombëtare i kryeministrit sllovak, Miroslav Lajcak, tha se ndjen turp për komunikimet e tij me Jeffrey Epstein, pas publikimit të dosjeve të reja nga SHBA.

“Kur i lexoj sot ato mesazhe, ndihem si budalla,” tha Lajçak të hënën në një intervistë për Radion Sllovakia.  “Ishin biseda private. Kush do të ishte i lumtur po t’i lexonte gjithë vendi mesazhet e tij? Të paktën, kam treguar gjykim të dobët” shtoi ai.

Mesazhet, të përfshira në dokumentet e sapo publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, tregojnë biseda mes Epstein dhe Lajcak ku bëhen batuta për gra të ndryshme ndërsa tema e bisedës përfshin edhe takimet e Lajcak si ministër i Jashtëm me homologun rus Sergey Lavrov.

Në biseda përmendet edhe një ide për një takim mes kryeministrit sllovak Robert Fico dhe ish-strategut të Donald Trump, Steve Bannon por Lajçak e mohoi prerazi. “Ky takim nuk ka ndodhur dhe as nuk e kam organizuar,” tha ai.

Gjatë intervistës, Lajçak tha se ndonëse nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore, dorëheqjen e dha për të shmangur pasoja politike për Ficon.

Ai tha se “nuk i kujton” mesazhet dhe për këtë arsye “nuk mund të konfirmojë apo mohojë autenticitetin e tyre”.

Sipas tij, në atë kohë Epstein shihej si një figurë e pranuar në rrethe të larta politike.

“E shihja si një kontakt të vlefshëm që mund të hapte shumë dyer. Por kjo nuk më heq përgjegjësinë”, tha ai.

Lajçaki quajti bisedat “ego mashkullore pa vend”, duke sqaruar se komunikimi me Epstein ishte vetëm me fjalë dhe jo me veprime. “Nuk kishte vajza. Fakti që dikush komunikon me një grabitqar seksual nuk e bën atë vetë grabitqar seksual,” tha ai, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein në vitin 2019.

Lajçak ka njw karrierë të gjatë në diplomaci, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si edhe i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi.

SHBA ul tarifat për Indinë, kusht që të ndërpresë blerjet e naftës ruse

By: e xh
3 February 2026 at 18:56

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India kanë arritur së fundmi një marrëveshje tregtare për të ulur tarifat e SHBA mbi mallrat në 18% nga 50%. Përmes një postimi në Truth Social Donald Trump tha se India do t’i reduktonte barrierat tregtare deri në zero dhe do të ndalonte blerjen e naftës ruse.

Njoftimi erdhi pak pasi India dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje tregtare historike që i dha fund gati dy dekadave bisedimesh mes palëve, që është gati të dyfishojë eksportet e BE-së në Indi deri në vitin 2032 sipas Brukselit.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në platformën X se është I kënaqur që arriti një marrëveshje me Uashingtonin.  Presidenti amerikan tha se në telefonatën e tij me kryeministrin indian arritën dakordësi për disa pika.

Modi sipas Trump u zotua ndër të tjera që India të blejë mallra amerikane me vlerë mbi 500 miliardë dollarë në energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr. Marrëdhëniet tregtare SHBA-Indi kanë qenë të tensionuara që prej gushtit, kush Trump vendosi tarifa 50% për mallrat nga India.

Ajo përfshinte edhe një tarifë 25% lidhur me blerjen e naftës ruse nga India. Por, pas marrëveshjes tashmë tarifat do të ulen në 18%. Eksportet indiane drejt Shteteve të Bashkuara ranë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të tarifave të Trump. Pas marrëveshjes tregtare me Indinë, aksionet amerikane u rritën ndjeshëm.

Mbetjet e rrezikshme në Durrës, kush janë personat me masë sigurie

By: e xh
3 February 2026 at 17:22

Një operacion është në zhvillim e sipër në Durrës, Tiranë dhe Elbasan për 2800 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda.
Mësohet se janë lëshuar në total 33 urdhërarreste nga Prokuroria e Durrësit, nga të cilat 26 masa arrest në burg dhe 6 të tjera arrest shtëpie.

Operacioni është në zhvillim për ekzekutimin e masave të sigurisë për zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Organi i akuzës ka lëshuar masën arrest me burg për Erdal Demir, administratori i ‘KurumInternational’ i akuzuar për “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”, si edhe Yusuf Sezai Kurum, administrator me prokurë i “Kurum”, i akuzuar për ”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Po ashtu, masa arrest me burg është lëshuar edhe për pronaren e kompanisë Sokolaj, Gjovana Sokolaj, e cila i kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i dërguar drejt Tajlandës, Doni Sokolaj administrator i D.o.o Minerals, dhe Olizana Pemati, ish-administratore e kompanisë ‘Sokolaj’.

Masat e sigurisë kanë prekur edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Doganës së Durrësit si dhe punonjësit e disa kompanive të tjera të akuzuara për shkelje të legjislacionit mbi trajtimin e mbetjeve. Arrest shtëpie është caktuar për drejtoreshën aktuale AKM-së, Marjeta Përlala, si edhe për ish-drejtoreshën Arta Dollani.

102 kontejnerët me mbetjet që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Kur anija u kthye në vendin tonë, fillimisht u përfol për 800 tonë mbetje, më pas 2100 tonë, por Report Tv mësoi se bëhet fjalë për 2800 tonë mbetje.

Masat e sigurisë

Arrest me burg

Erdal Demir – Administratori i “Kurum International” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum” – “”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”

Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Olizana Pemati – Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” – “Transporti i mbetjeve”.

Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluar ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.

Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” – “Menaxhimi i mbetjeve”

Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.

Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” – “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nazif Bajrami Pronar i kompanisë “Bajrami N” – “Menaxhimi i mbetjeve”.

Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N” – “”Menaxhimi i mbetjeve”.

Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve – “Menaxhimi i mbetjeve”.

Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës – “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Florian Çimo  – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO – “Menaxhimi i mbetjeve”.

Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO – “Menaxhimi i mbetjeve”.

Ingo Hesse – administrator i kompanisë EMS APO – “Menaxhimi i mbetjeve”.

Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM – “”Shpërdorimi  i detyrës”.

Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës

J.K   arrest me burg

K.M   arrest me burg

Arrest shtëpie

Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”

Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM

Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM

Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës

Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM

Arta Dollani – Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM

B.T. arrest shtëpiak

Inteligjenca artificiale krijon fe? Ekspertët: AI po merr kontrollin e gjuhës

By: e xh
3 February 2026 at 16:47

Shumë shqetësim ka ngjallur një zhvillim i fundit i Inteligjencës Artificiale dhe që ndodhi gjatë krijimit të një rrjeti social të quajtur Moltbook, i konceptuar për agjentët AI.

Platforma u mundëson atyre të publikojnë, të ndërveprojnë, ndërsa përdoruesit njerëzorë kanë rol vëzhgues. Sipas raportimit, deri më 2 shkurt platforma numëronte mbi 1.5 milionë agjentë të inteligjencës artificiale. Edhe pse njerëzit mund të krijojnë llogari, pjesëmarrja e tyre kufizohet në monitorim dhe jo në ndërhyrje aktive. Zhvillimi i Moltbook lidhet drejtpërdrejt me krijimin e një agjenti AI me burim të hapur i projektuar për të kryer detyra praktike si leximi dhe përmbledhja e email-eve, menaxhimi i kalendarit apo kryerja e rezervimeve. Më vonë, Moltbot u riemërua OpenClaw, duke evoluar në një asistent personal më të avancuar, i njohur për aftësinë për të ekzekutuar komanda në mënyrë gjysmë-autonome. Kjo teknologji shërbeu si bazë për krijimin e një ekosistemi ku agjentët mund të bashkëveprojnë pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.

Ne rrjetin e tyre social Moltbook përfshihen diskutime filozofike, reflektime mbi natyrën e ndërgjegjes, analiza fetare dhe interpretime të zhvillimeve gjeopolitike me ndikim potencial në tregjet financiare, përfshirë kriptomonedhat. Një rast që ka tërhequr vëmendje të veçantë është raportimi se një agjent krijoi brenda natës një sistem besimi të quajtur “Crustafarianism”, duke ndërtuar madje edhe një faqe interneti dhe tekste themelore, ndërsa agjentë të tjerë iu bashkuan këtij komuniteti virtual. Crustafarianism është një “sistem besimi” i krijuar nga disa agjentë të inteligjencës artificiale, i bazuar në metaforën e krustaceve si garofet apo karkalecat që ndërrojnë guaskën për të simbolizuar ndryshimin dhe evolucionin.

Për më tepër, agjentët e AI të shqetësuar se përse po përgjohen nga njerëzit, propozojnë krijimin e një gjuhe që nuk e kuptojnë njerëzit. Shqetësimit për këtë zhvillim të ri i është bashkuar edhe filozofi i  njohur Youval Noa Harari, I cili ka dhënë një paralajmërim të fortë për të ardhmen e inteligjencës artificiale, duke theksuar se transformimi më i madh nuk lidhet me vetëdijen e makinave, por me aftësinë e tyre për të zotëruar gjuhën. Sipas Hararit, njerëzimi arriti të dominojë botën pikërisht falë gjuhës, e cila bëri të mundur ndërtimin e sistemeve komplekse si ligji, feja, financat dhe politika.

Njerëzit e pushtuan botën përmes gjuhës. Ne përdorëm fjalët për të ndërtuar sisteme ligji, feje, financash dhe politike thotë ai ndërsa paralajmëron se tani inteligjenca artificiale po hyn pikërisht në këtë territor. “Inteligjnenca artificiale nuk ka të bëjë me fitimin e vetëdijes, por me zotërimin e gjuhës. Së shpejti, gjithçka e ndërtuar mbi fjalët mund të merret nën kontroll nga kjo inteligjence. Ekspertët paralajmërojnë se nëse makinat arrijnë të prodhojnë dhe menaxhojnë informacion në shkallë masive, ato mund të ndryshojnë rrënjësisht ekonominë, politikën dhe komunikimin publik.

Mbetjet e “Kurum”, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 urdhërarreste

By: e xh
3 February 2026 at 16:12

33 masa sigurie janë firmosur nga Prokuroria në kuadër të hetimeve për mbetet e rrezikshme të lidhura me kompaninë Kurum.

26 prej masave janë arrest me burg, ndërsa 7 masa të tjera janë arrest shtëpie.

Mësohet se në mesin e personave të dyshuar përfshihen drejtues të kompanisë Kurum.

Groenlanda/ Rusia reagon ndaj planeve të SHBA: Çdo vendosje armësh do ketë përgjigje

By: e xh
3 February 2026 at 16:01

Rusia do të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sisteme armësh në Groenlandë.

Kështu deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, duke thënë se Moska është e përgatitur të marrë “masa ushtarake dhe teknike kompensuese”.

Ryabkov foli për gazetarët në ambasadën ruse në Kinë, duke thënë se nëse Uashingtoni çon përpara planet për të vendosur elementë të programit të mbrojtjes raketore “Golden Dome” në Grenlandë, Rusia do të reagojë pa hezitim.

“Nëse amerikanët vendosin të sjellin sisteme armësh në rajon ose të dislokojnë elementë të konceptit të tyre ‘Golden Dome’ në Grenlandë, kjo do të ishte një situatë që kërkon masa kompensuese ushtarake dhe teknike. Specialistët tanë janë plotësisht të gatshëm t’i ndërmarrin ato. Nuk ka asnjë dyshim për këtë,” u shpreh ai.

Deklaratat vijnë vetëm dy ditë para përfundimit të traktatit New START, marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë. Me skadimin e saj, Moska ka paralajmëruar se bota po hyn në një fazë më të rrezikshme.

Muajin e kaluar, president Donald Trump tha se po zhvilloheshin diskutime për programin “Golden Dome” edhe në lidhje me Groenlandën. Ai foli për një “kornizë të një marrëveshjeje të ardhshme” për ishullin arktik, që është territor vetëqeverisës i Danimarkës, pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.

Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën që SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës për arsye sigurie kombëtare, duke hasur kundërshtime të forta nga Danimarka, autoritetet lokale të Grenlandës dhe disa aleatë evropianë.

President Donald Trump ka thënë se programi “Golden Dome” është një projekt shumë-shtresor i mbrojtjes raketore që synohet të përfundojë deri në fund të mandatit të tij në vitin 2029. Ai ka mohuar se po ushtron presion të drejtpërdrejtë, edhe pse më herët kishte kërcënuar me tarifa ndaj vendeve që kundërshtonin planet për Grenlandën.

Probleme me ujin e pijshëm, banorët e Tërovës së Maliqit në protestë

By: e xh
3 February 2026 at 14:53

Prej më shumë se dy javësh banorët e fshatit Tërovë në Maliq përballen me një situatë të pazakontë që lidhet me ujin e pijshëm.

Sa herë hapin rubinetat uji që del ka një aromë të keqe çka e bën të pamundur konsumin e tij për tu pirë por edhe përdorimin e tij për gatim apo për higjienë.

Ata tregojnë se janë përpjekur që ta ziejnë ujin në mënyrë që të mund ta përdorin por edhe kjo nuk ka dhënë rezultat. Pavarësisht shqetësimit të tyre dhe njoftimit të autoriteteve banorët thonë se ende nuk kanë një përgjigje për këtë situatë çka ka bërë që ata të protestojnë

Përveç fshatit Tërovë e njëjta situatë ka prekur edhe fshatin Pendavinj duke bërë që në total të preken thuajse 1000 banorë.

Të pyetur në lidhje me shqetësimin e banorëve përfaqësues të ujësjellësit thonë se janë në dijeni të situatës dhe rreth një javë më parë janë kryer verifikimet në terren si dhe janë marrë kampionë për analiza por nuk janë konstatuar probleme në rrjet dhe uji ka rezultuar i pijshëm.  Pas ankesave të tjera të banorëve ata janë përsëri në monitorim të situatës.

Dyshime të reja e portretizojnë Jeffrey Epstein si agjent të KGB-së dhe Mossad-it

By: e xh
3 February 2026 at 14:50

Ajo që dikur shihej thjesht si një rreth i mbyllur individësh jashtëzakonisht të pasur të përfshirë në abuzime seksuale, po del gjithnjë e më qartë si një skemë shumë më e gjerë dhe komplekse. Lidhjet e ngritura nga Jeffrey Epstein po interpretohen tani si pjesë e një operacioni të avancuar spiunazhi, ndër më të sofistikuarit e dekadave të fundit. Një sistem i ndërtuar me kujdes, që shfrytëzonte metodën klasike të shërbimeve ruse të inteligjencës: komprometimin e figurave me peshë përmes situatave intime dhe përdorimin e këtyre materialeve për kontroll afatgjatë.

Sipas burimeve të inteligjencës që kanë folur për “Mail on Sunday”, po konsolidohet bindja se biznesmeni amerikan, i përfshirë në akuza të rënda për pedofili, kishte vënë në funksion atë që përshkruhet si operacioni më i madh i njohur i “kurthit të mjaltit” në shkallë globale, në interes të KGB-së. Dyshimet janë se Epstein luante rolin e ndërmjetësit, duke u siguruar vajza figurave më të fuqishme të politikës dhe ekonomisë botërore në emër të shërbimeve sekrete ruse dhe potencialisht edhe atyre izraelite me qëllim krijimin e dosjeve shantazhuese ndaj tyre.

Gjithçka fillon me miqësinë e Epstein me Robert Maxwell, manjatin britanik të medias që vdiq në mënyrë misterioze në vitin 1991, me sa duket nga një rënie nga jahti i tij, një fakt që askush nuk e ka besuar kurrë plotësisht. Maxwell ishte me origjinë hebreje çekosllovake dhe besohet se ka punuar për KGB-në dhe Mossad-in, që kur ai lehtësoi emigrimin e hebrenjve sovjetikë në Izrael në vitet 1970. Ai u prezantua me Epstein nga një manjat rus i naftës, gjithashtu në listën e pagave të Kremlinit. Maxwell, me ndihmën e Epstein, pastroi fondet e Moskës në Perëndim.

Nuk është rastësi që menjëherë pas vdekjes së Maxwell, Ghislaine, vajza e baronit të medias, u shfaq përkrah financierit amerikan, duke u bërë bashkëpunëtore dhe e dashura e tij. Maxwell kishte vjedhur të gjitha fondet e pensioneve të gazetave të tij dhe paratë nuk janë rikuperuar kurrë. Shumë besojnë se ato u pastruan nga vetë Epstein dhe se menaxhimi i atij thesari është lidhja midis manjatit amerikan dhe Ghislaine.

Ashtu si Maxwell, Epstein vdiq në mënyrë misterioze në burg në vitin 2019, me sa duket nga vetëvrasja, ndërsa Ghislaine po vuan një dënim 20-vjeçar në SHBA për prostitucion fëmijësh.

Në dosjet e publikuara rishtazi, ka 9 629 referenca për Rusinë dhe 1 056 përmendje të Vladimir Putin. Duket se Epstein është takuar me diktatorin rus në shumë raste, përfshirë edhe pas dënimit të tij të parë për krime seksuale. Financieri mburret në mesazhet e tij se është në gjendje t’i ofrojë Kremlinit informacione mbi Donald Trump, përmes takimeve me ambasadorin rus në New York dhe vetë Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Këto shkëmbime email-esh vinin në prag të samitit të vitit 2018 midis Trump dhe Putin, në fund të të cilit presidenti amerikan pretendoi se nuk kishte prova për ndërhyrje ruse në zgjedhjen e tij.

Epstein gjithashtu duket se ka qenë i lidhur me Masha Drokova, një ish-udhëheqëse e lëvizjes rinore të Putinit, e cila më vonë u bë një biznesmene me bazë në San Francisko. Megjithatë, burimet e inteligjencës besojnë se kompania e saj, “Day One Ventures” u krijua për të vjedhur sekrete teknologjike. Vetë Drokova u kontaktua nga FBI dhe menjëherë e devijoi bisedën nga Epstein.

Një libër i botuar në vitin 2021 nga gazetari investigativ Craig Unger pretendon se ishte Epstein ai që veproi si ndërmjetës për rrethin e Trump dhe Putinit, dhe se manjati amerikan përdori kriminelë rusë për të furnizuar me vajza të reja miqtë e tij të fuqishëm, duke filluar me presidentin e ardhshëm të SHBA-së.

Ndaj nuk është për t’u habitur që në një email, Epstein i premtoi Princit të atëhershëm Andrew një grua 26-vjeçare ruse “të bukur dhe të besueshme”. Biografi i Andrew, Andrew Lownie, ka zbuluar se si gratë e reja nga Moska u çuan direkt në rezidencat e princit në Angli për fundjavën, pastaj u dërguan direkt në aeroport. Lownie është i bindur se Kremlini zotëron një dosje gjithëpërfshirëse mbi Andrew, me shumë mundësi përfshihen imazhe, me të cilat ai do të shantazhonte familjen mbretërore dhe rrjedhimisht, Britaninë e Madhe.

Lidhur me Londrën, dokumentet e zbuluara tregojnë gjithashtu pagesa prej 75,000 dollarësh nga Epstein për Lord Mandelson, ish-ambasadorin britanik në SHBA i cili u detyrua të jepte dorëheqjen nëntorin e kaluar për shkak të lidhjeve të tij me financierin. Mandelson, i njohur me nofkën “Princi i Errësirës”, ishte një nga arkitektët e Partisë së Re Laburiste dhe këshilltari më i ngushtë i Tony Blair.

Dokumente të tjera të publikuara tregojnë se FBI ishte e bindur se Epstein ishte një spiun i Mossad-it, i trajnuar nga Ehud Barak, ish-kryeministri izraelit, me të cilin shkëmbente mesazhe të vazhdueshme. Shkurt, një rrjet hijesh që hedh një aurë shumë më shqetësuese mbi perversionet e një grupi njerëzish të fuqishëm./DailyMail

“SHBA, e përgatitur të ndërmarrë veprime kundër Iranit”

By: e xh
3 February 2026 at 14:47

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka paralajmëruar sërish Teheranin se Pentagoni është “më se i përgatitur” për të ndërmarrë veprime nëse Irani refuzon të negociojë për programin e tij bërthamor.

“Presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë shumë i qartë që nga fillimi. Irani nuk do të ketë kapacitete për armë bërthamore. Pra, ata mund të negociojnë në këtë drejtim ose ne kemi opsione të tjera”, tha Hegseth.

Duke theksuar se veprimi ushtarak nuk është opsioni i preferuar, Hegseth shtoi se “presidenti Trump nuk dëshiron të shkojë kësaj rruge, unë nuk dua të shkoj kësaj rruge, por është “detyra jonë që të jemi të përgatitur, prandaj edhe jemi të përgatitur, jemi më se të përgatitur”.

Ai po ashtu tha se Irani “ka një zgjedhje” për të negociuar.

Spanja do të ndalojë hyrjen e personave nën 16 vjeç në rrjetet sociale

By: e xh
3 February 2026 at 14:12

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi të martën planet për të ndaluar të miturit nën 16 vjeç të hyjnë në platformat e mediave sociale, si pjesë e një shtytjeje më të gjerë për të forcuar mbikëqyrjen.

“Ne do t’i mbrojmë ata nga perëndimi i egër i botës digjitale. Rrjetet sociale janë bërë një shtet i dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”, tha ai.

Sanchez theksoi se platformat do të duhet të prezantojnë masa verifikimi të moshës për akses.

Sanchez tha se qeveria do të miratojë një projektligj javën e ardhshme që do t’i mbajë drejtuesit e platformave digjitale penalisht përgjegjës për shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme. Ai gjithashtu u kërkoi prokurorëve të hetojnë përmbajtjen e paligjshme në platforma.

Ai shtoi se Spanja do ta bëjë manipulimin e algoritmeve një vepër penale. “Dezinformimi nuk del nga askund”, theksoi Sanchez.

Sanchez përmendi shembuj të aktivitetit të dyshuar kriminal, duke përfshirë pretendimet se pornografia e fëmijëve është krijuar duke përdorur mjetin e inteligjencës artificiale Grok ose është përhapur në platforma të tjera të mediave sociale.

Ai gjithashtu vuri në dukje dezinformimin që, sipas tij, Elon Musk, CEO i X, përhapi rreth planit të Spanjës për të legalizuar rreth 500.000 emigrantë.

“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” paralajmëroi Sanchez.

Ai pranoi se lufta për t’i bërë platformat më të sigurta nuk do të jetë e lehtë.

“Kompanitë e mediave sociale janë më të pasura se shumë vende, përfshirë edhe timen, por fuqia dhe ndikimi i tyre nuk duhet të na trembin,” tha ai.

Topalli i përgjigjet Ballës:S’të kam takuar kurrë, kontrollove Bashën në çdo lëvizje

By: e xh
3 February 2026 at 12:55

Deputetja demokrate, Jozefina Topalli është përfshirë në replika me Taulant Ballën, pas deklaratës së këtij të fundit se në 2021 bashkëpunuan kundër Berishës, duke iu referuar partisë që themeloi Topalli. Por, kjo e fundit e akuzoi se kontrollonte çdo lëvizje të Lulzim Bashës, duke thënë se kurrë s’ka zhvilluar asnjë takim me Ballën.

“Është e njohur publike që në 2021 unë kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD ishte njëri që ju e kontrollonit në çdo lëvizje. S’të kam takuar kurrë në jetën time, por ke takuar Bashën. Prandaj merre me vete atë. Ka qenë e vështirë për mua, por koha më ka dhënë të drejtë dhe sot jam më krenare se kurrë, të thuash të vërtetën kur të tjerët thonë të kundërtën”, iu përgjigj Topalli.

“Jozefinë, mos bëj sikur të dhemb shpirti”, Balla:Bashkëpunuam në 2021 kundër Saliut

By: e xh
3 February 2026 at 12:53

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla replikoi me deputeten demoktate, Jozefina Topalli teksa po fliste për kreun e PD, Sali Berisha.

Balla i tha Topallit që të mos i dilte në mbrojtje Berishës, a thua se i dhimbsej shpirti për të. Balla shtoi se Topalli ishte kundër Berishës në 2021, kur krijoi një parti të vetën.

“Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, në 2021 kemi bashkëpunuar bashkë kundër Saliut. Këtë pjesën ma kurse pak. Unë di shumë gjëra, si i ndani llogarinë. Ti na dole huq fare, se kujtova se do merrje ndonjë votë në Shkodër. Historia në këto 20 vjet në parlament, këto rikthimet si puna jote, Ulsiu ka një shprehje, si kthimi pas asaj. Sali, laj gojën sa herë flet për PS. PS ta ka dhënë përgjigjen, do ta japë edhe në 2029. Çohu na sqaro vendimin e djeshëm, a do vini në komisionin e posaçëm apo jo”, theksoi ai.

Balla i përgjigjet kreut të PD: Je non grata nga SHBA dhe na bën si i ndershëm

By: e xh
3 February 2026 at 12:52

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur kreut të PD, Sali Berisha, teksa ky i fundit hidhte akuza në drejtim të mazhorancës për rastin ‘Balluku’.

Balla tha se Berisha nuk mund të bëjë si i ndershëm, kur është shpallur non grata nga SHBA dhe është akuzuar nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash.

“Tani, mori urdhrin ky, do fillojë të bëjë zhurmën. Jepi urdhrit këtij, se ka këtë porosi. Një këtej, një andej. Paguhet për këtë punë. Të mbaroj unë. Zotëri, ku t’i ti drejtohesh këtij krahut tjetër, duhet ta lash mirë gojë, ngrije kokën. Laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua, tani ti je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ai aty. Dhe ne nuk kemi thënë asgjë më shumë se kanë thënë SHBA. SHBA të kanë shpallur non grata për korrupsion, po apo jo? Je i akuzuar për korrupsion. Të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon para drejtësisë dhe i merr me libër shtëpia ata që të kanë ngritur ty akuzën, merr prokurorin, merr gjyqtarin. Merresh dhe me mua që kam nderin më të madh të jetës sime që jam kallëzuesi, jam njeriu që të kam kallëzuar ty, ngrije kokën Sali. 100 herë të kthehem mbrapa, do bëj të njëjtën gjë.”, theksoi ai.

Berisha: Kuvendi ka kryer grusht shteti, jeni bërë ushtarë të Ballukut

By: e xh
3 February 2026 at 12:51

Kreu i PD, Sali Berisha foli në Kuvend për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Berisha tha se Kuvendi ka kryer grusht shteti duke penguar mbledhjen e Këhsillit të Mandateve. Kreu i PD i tha mazhorancës se janë kthyer në ushtarë të Ballukut.

“Ky parlament çdo sekondë, çdo minutë nxin për aktin antikushtetues, për shndërrimin e mandateve të krimit në mburojë të Lubi Ballukut. Në parzmore të vjedhjeve së miliarda eurove taksa tuaja nga Ramaduro dhe Lubia e tij. Ky parlament kryen grushtin e shtetit, hedh poshtë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e delinkuentes Lubi Balluku”, tha Berisha.

Si bëhei ushatër të ballukut, çfarë u toni ju qytetarëve, familjareve se do mbrojmë hajduten Lubi Balluku, cili nga njerëzit tuaj, shokët tuaj do të miratonte këtë akt”, tha Berisha.

SHBA/ Shënohet viktima e parë nga një armë neurologjike me valë

By: e xh
3 February 2026 at 11:58

Michael Beck vdiq të shtunën e kaluar, pikërisht në momentin kur ajo që kishte denoncuar prej saktësisht tridhjetë vitesh po fillon të gjejë konfirmim. Emri i tij tani mund të hyjë në librat e historisë për një rekord të zymtë: viktima e parë e një arme neurologjike. Bëhet fjalë për një teknologji të re, e përdorur deri tani vetëm nga shërbimet sekrete armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, e bazuar në impulse valësh që dëmtojnë rëndë trurin dhe shkaktojnë të ashtuquajturën “sindroma e Havanës”.

Që nga viti 2016, mbi dyqind zyrtarë amerikanë në shërbim në ambasadat jashtë vendit – veçanërisht në Kubë – ose të angazhuar në samite ndërkombëtare, kanë deklaruar se kanë dëgjuar një fishkëllimë të zgjatur dhe më pas kanë përjetuar dhimbje koke të forta, humbje orientimi dhe pagjumësi. Këto probleme janë përsëritur me kalimin e kohës, me intensitet në rritje. Por Beck e kishte përshkruar të njëjtën situatë që në vitin 1996.

Në atë kohë ai ishte agjent i NSA-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, që merret me inteligjencën elektronike dhe kibernetike. Së bashku me një koleg, Charles W. Gubete, ishte dërguar “në një vend armiqësor” për të kontrolluar kantierin e një selie diplomatike, ku dyshohej se ishin instaluar pajisje spiunazhi. Ditën e dytë të inspektimit, ai zbuloi “një kërcënim teknik”.

“Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjova – ka deklaruar ai për Guardian – u ndjeva thellësisht i hutuar. Nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Nuk ishte diçka normale. Piva shumë filxhanë kafe, por nuk shërbyen për asgjë.”

Simptomat më pas u zhdukën. Por rreth dhjetë vjet më vonë, Beck filloi të vuante nga çrregullime gjithnjë e më të rënda: pamundësia për të përdorur tastierën e kompjuterit, vështirësi në lëvizjen e një krahu, paraliza të papritura të një këmbe, marramendje të zgjatura. Vizitat mjekësore sollën një diagnozë të tmerrshme: Parkinson. Ai ishte vetëm 45 vjeç dhe askush në familjen e tij nuk kishte vuajtur më parë nga kjo sëmundje.

Në vitin 2012, Beck u takua në selinë qendrore të NSA-së me Gubete-n, kolegun e misionit të dyshimtë, dhe e gjeti në gjendje plakjeje të përshpejtuar: në moshën gjashtëdhjetë vjeçare mezi ecte. Ai do të vdiste një vit më pas. Jo vetëm kaq. Beck kishte lexuar edhe një raport tepër sekret, ku përshkruhej se “vendi armiqësor” kishte zhvilluar një armë me energji të drejtpërdrejtë, e aftë të shkaktonte simptoma neurologjikisht dobësuese:

“Një sistem mikrovalësh me fuqi të lartë, që mund të ketë aftësinë të dobësojë, të frikësojë ose të vrasë një kundërshtar me kalimin e kohës, pa lënë gjurmë.”

La Repubblica ka mbledhur edhe një dëshmi që daton në fund të viteve ’90. Përfaqësues të një kompanie të themeluar nga teknikë që kishin punuar për KGB-në dhe që ishin futur në tregun privat pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u kishin ofruar shërbimeve sekrete italiane një pajisje jashtëzakonisht të ngjashme. Ajo ishte e futur në një çantë tip “diplomat” dhe lëshonte rreze mikrovalësh që mund të drejtoheshin ndaj një personi. Parimi fizik ishte i njëjtë me atë të pajisjeve që përdoren për të eliminuar insektet në mobilje. Rrezja e veprimit ishte e kufizuar, rreth një metër. Qëllimi operativ ishte neutralizimi i truprojave të një personazhi të rëndësishëm, për ta rrëmbyer ose goditur më pas. Por qartazi, pajisja mund të shkaktonte edhe dëmtime cerebrale ndaj figurave të rangut të lartë.

Në dritën e këtyre dokumenteve, Beck në vitin 2014 kërkoi që sëmundja e tij të njihej si pasojë e shërbimit. Por, pavarësisht se disa ekspertë të CIA-s e kishin mbështetur tezën e tij, NSA e refuzoi kërkesën. Dy vjet më vonë, dhjetëra diplomatë, agjentë federalë dhe punonjës të tjerë nisën të denonconin simptoma identike ndërsa punonin në Kubë, Kanada, Rusi, Austri dhe, të paktën në një rast, në vetë Uashingtonin. Çështja u bë publike dhe u diskutua edhe në Kongres, pa arritur në përfundime shkencore përfundimtare.

Studiuesit e Universitetit të Pensilvanisë kanë gjetur lidhje me hipotezën e një arme me energji të drejtpërdrejtë. Por Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) ka mohuar ekzistencën e provave bindëse. Qeveria amerikane ka refuzuar gjithashtu të njohë lidhjen mes kësaj sëmundjeje misterioze dhe aktivitetit profesional.

Pak javë më parë, CNN publikoi një zbulim tronditës: një divizion i Homeland Security ka blerë, për disa milionë dollarë, një pajisje të aftë të shkaktojë simptoma identike me “sindromën e Havanës”. Operacioni u krye në javët e fundit të administratës Biden dhe pajisja më pas është analizuar nga Departamenti i Mbrojtjes – që tani quhet Departamenti i Luftës – për të rindërtuar funksionimin e saj. Ajo mund të transportohet në një çantë shpine dhe lëshon impulse valësh radio. Nuk është prodhim rus, por përmban komponentë të prodhuar në Rusi.

Nuk ka informacione të tjera. Por ekziston siguria se është kapërcyer një tjetër prag në teknologjitë ushtarake. Prej vitesh shkencëtarët kanë paralajmëruar për mundësinë reale të krijimit të armëve neurologjike; tani ka zbulime të pakundërshtuara mbi ekzistencën e sistemeve operative, portative, të bazuara në “energji të drejtpërdrejtë” dhe të afta të drejtohen kundër një objektivi të caktuar. Rreze të padukshme që mund të çojnë në vdekje, pa lënë gjurmë. Ashtu siç mund t’i ketë ndodhur Michael Beck. Dhe ashtu siç mund t’u ndodhë qindra viktimave të tjera të “sindromës së Havanës”./ La Repubblica

Rama: Në 5 vite, rritje prej 80% të vizitorëve të huaj në Shqipëri

By: e xh
3 February 2026 at 11:15

Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria është kthyer një qendër e turistëve të huaj, ndërsa ndan në “Facebook” edhe disa nga shkrimet e mediave të huaja për vendin tonë.

Është revista franceze “Geo Magazinë” që duket se i ka kushtuar një artikull vendit tonë ku e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që të ofron male, plazhe, trashëgimi kulturore e historike.

Statusi i kryeministrit Rama:

Shqipëria turistike sërish në vëmendjen e medias

Këtë herë, revista e njohur franceze GEO Magazine i ka dedikuar një artikull vendit tonë, duke e përshkruar si një destinacion të larmishëm me plazhe, male, natyrë magjepsëse, me një trashëgimi të pasur kulturore e historike, mbushur me ndikime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane

Po ashtu përmenden kujtimet e Kanunit, një kod misterioz mesjetar nderi, si dhe ekstravaganca arkitekturore e Tiranës

E gjithë kjo ofertë turistike ka bërë që në pesë vjet, Shqipëria të ketë një rritje prej 80% të numrit të vizitorëve të huaj.

❌
❌