Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Zbulohen 1 milion dokumente të reja të lidhura me çështjen e Jeffrey Epstein

By: e xh
25 December 2025 at 11:32

Më shumë se 1 milion dokumente të reja, të cilat konsiderohen “potencialisht të lidhura” me çështjen e Jeffrey Epstein, janë zbuluar nga administrata e Donald Trump dhe mund të duhen javë të tëra për t’u publikuar, për shkak të volumit të madh dhe nevojës për redaktime ligjore. Lajmi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ), i cili deklaroi se një ekip juristësh po punon pa ndërprerje për të mbrojtur viktimat dhe për të respektuar ligjin.

Zbulohen 1 milion dokumente të reja të lidhura me çështjen

Publikimi i dokumenteve ka nisur që javën e kaluar, por procesi është shoqëruar me kritika të forta politike. Chuck Schumer, lideri i demokratëve në Senat, akuzoi Shtëpinë e Bardhë për shkelje të afatit ligjor të 19 dhjetorit, duke e cilësuar mënyrën e publikimit si të politizuar dhe të manipuluar. Ai pretendon se administrata po i “nxjerr me pikatore” dokumentet për interesa politike.

Zbulohen 1 milion dokumente të reja të lidhura me çështjen

Ndërkohë, dosjet e publikuara deri tani kanë ngritur pikëpyetje të reja edhe për vetë presidentin Trump, veçanërisht lidhur me udhëtimet e tij në avionin privat të Epstein, i njohur si “Lolita Express”. Disa dokumente pretendojnë se Trump ka udhëtuar disa herë mes viteve 1993–1996, gjë që ai e ka mohuar më parë. Megjithatë, në dokumentet e publikuara deri tani nuk ka prova që ta lidhin Trump me abuzime seksuale ndaj të miturve apo me rrjetin e trafikimit të Epstein.

Zbulohen 1 milion dokumente të reja të lidhura me çështjen

Dosjet tregojnë gjithashtu se hetuesit federalë kishin tentuar të kontaktonin deri në 10 persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të mundshëm të Epstein, mes tyre emra të njohur si Ghislaine Maxwell dhe miliarderi Leslie Wexner. Shtatë emra të tjerë mbeten ende të redaktuar.

Sipas mediave amerikane, rreth 750 mijë dokumente janë publikuar deri tani, ndërsa rreth 700 mijë të tjera pritet të bëhen publike së shpejti. Çështja Epstein vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe polemizuese në politikën amerikane, duke ushqyer debate mbi transparencën, drejtësinë dhe përgjegjësinë publike.

Meloni fjalim për Krishtlindje: Ishte një vit i vështirë, viti tjetër do jetë më keq

By: e xh
25 December 2025 at 10:32

Kryeministrja Giorgia Meloni i tha stafit të Zyrës së Kryeministrit të pushojnë mirë gjatë Krishtlindjeve, sepse do t’u duhet, duke pasur parasysh një vit të vështirë pune që i pret.

“Ju dua. Ne jemi një familje, luftojmë gjatë gjithë vitit”, tha Meloni gjatë një takimi me stafin e saj në oborrin e Zyrës së Kryeministrit.

“Viti i kaluar ishte i vështirë për të gjithë ne, por mos u shqetësoni, sepse viti tjetër do të jetë edhe më keq”, bëri shaka ajo dhe shtoi: “Kështu që ju këshilloj të pushoni mirë këto festa, sepse duhet të vazhdojmë t’i japim përgjigje këtij vendi të jashtëzakonshëm”.

 

Italy’s PM Giorgia Meloni:

2025 has been tough for all of us, but don’t worry—next year will be much worse. pic.twitter.com/Ny02xku6Kt

— Clash Report (@clashreport) December 23, 2025

Aksioni i policisë së Shkodrës, arrestohet 25-vjeçari, shpallet në kërkim një tjetër

By: e xh
25 December 2025 at 10:29

Finalizohet operacioni i koduar “Livadhet”, për kapjen e shtetasve në kërkim, vihet në pranga një 25-vjeçar, si dhe shpallet në kërkim një 39-vjeçar.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet”. Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

– S. C., 25 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi B. B., 39 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtyre dy shtetasve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Zelensky në fjalimin e Krishtlindjes: Të gjithë kemi një ëndërr, që Putini të vdesë

By: e xh
25 December 2025 at 10:14

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në fjalimin e tij të Krishtlindjeve, tha se vendi i tij ka nevojë për paqe ndërsa lufta me Rusinë po vazhdon. Ai nënvizoi se e gjithë bota uron vdekjen e Putinit dhe akuzoi Rusinë për nisjen e sulmeve masive.

“Ne festojmë Krishtlindjet në një kohë të vështirë. Mjerisht, jo të gjithë jemi në shtëpi, jo të gjithë kemi ende një shtëpi dhe, për fat të keq, jo të gjithë janë me ne sot. Megjithatë, pavarësisht të gjitha vështirësive të sjella nga Rusia, ajo është e paaftë të pushtojë ose bombardojë atë që ka më shumë rëndësi. Kjo është zemra jonë ukrainase, besimi ynë tek njëri-tjetri dhe uniteti ynë. Jemi të lumtur kur dëgjojmë muzikën e Krishtlindjeve, por edhe më të lumtur kur nuk dëgjojmë muzikën e së keqes, kur nuk dëgjojmë dronë dhe raketa që fluturojnë sipër kokës.

Në prag të Krishtlindjeve, rusët treguan edhe një herë se kush janë në të vërtetë. Bombardime masive, qindra dronë Shahed, raketa balistike, raketa Kinzhal, gjithçka u përdor. Kështu sulmojnë njerëzit e pafe. Kështu bëjnë ata që nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët me Krishterimin apo me asgjë njerëzore. Sot të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe bëjmë një dëshirë së bashku: ‘U shoftë Vladimir Putini’, secili prej nesh mund të mendojë privatisht, por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, kërkojmë më shumë. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën . Ne luftojmë për të. Dhe lutemi për të.”

Krishtlindjet/Urimet dhe kritikat e Trump: E majta radikale do të shkatërrojë vendin

By: e xh
25 December 2025 at 09:38

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë një mesazh urimi për Krishtlindje. Megjithatë Trump edhe në këtë sezon festash, në mesazhin e tij ka shprehur kritika të ashpra për kundërshtarët e tij politikë.

Trump i uroi ‘Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve’, duke thënë se këtu përfshij edhe “fundërrinat e së majtës radikale”.

Me këtë mesazh tha ai i referohet demokratëve, të cilët ai i akuzon rregullisht për problemet e vendit.

“Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë fundërrinat e së majtës radikale që po bëjnë gjithçka që munden për të shkatërruar vendin tonë, por po dështojnë keqas”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.

Në deklaratat e tij të përsëritura, Trump fajëson Demokratët për një sërë çështjesh, duke përfshirë gjendjen e ekonomisë, tensionet sociale dhe konfliktet ndërkombëtare.

Shënjestër e kritikave të tij mbetet edhe ish-presidenti Joe Biden, të cilin Trump e konsideron përgjegjës për vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballen Shtetet e Bashkuara dhe bota.

Begaj dhe Rama urojnë besimtarët për Krishtlindjen

By: e xh
25 December 2025 at 09:35

Krerët e shtetit dhe politika uruan besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes. Presidenti i Republikës Bajram Begaj përcolli urimet e tij nëpërmjet një postimi në rrjetin social X.

Kreu i shtetit shkruan; “Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë! Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”.

Ndërkohë edhe Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë besimtarët e krishterë në një postim në “Facebook” me një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”. Krahas foto, kreu i qeverisë shkruan; “Gëzuar Krishtlindjen”.

Nga rajoni në Finlandë, ku do të arratisen shqiptarët këtë fundvit?

By: e xh
25 December 2025 at 08:29

Jemi në atë stinë të udhëtimeve të fundvitit kur agjencitë turistike nxjerrin ofertat e fundit dhe aeroportet mbushen me valixhe të menduara jo vetëm për dhurata, por për një ndërrim vitesh që kërkon largim nga rutina.

Për shqiptarët, modelet e zgjedhjes këtë vit tregojnë një kombinim të qartë midis relaksit të shpejtë, vizita në kryeqytete evropiane dhe një lëvizjeje të qëllimshme drejt destinacioneve më të largëta dhe luksoze, nga Dubai e deri te Kroacia dhe Mali i Zi, ku oferta e paketave bëhet aleati kryesor i familjeve dhe grupeve që duan një paketë “të mbyllur” pa surpriza logjistike.

Shifra të publikuara në faqet e agjencive që punojnë me tregun shqiptar tregojnë se kërkesa për Viti të Ri dhe Krishtlindje mbetet e lidhur ngushtë me paketat e organizuara: udhëtime 3-4 ditore drejt kryeqyteteve të Evropës lindore dhe Perëndimore, që vijnë me çmime nga rreth 345 euro deri në 550 euro për personi dhe oferta më luksoze drejt Lindjes së Mesme që kapin 900 euro për person kur përfshihet edhe fluturimi dhe akomodimi në hotele 4-5 yje. Kjo panoramë e paketave, nga Vjena dhe Barcelona te Parisi dhe Dubai, është e dukshme në katalogët e agjencive shqiptare për fundvitin.

Nga ana e destinacioneve, trendi nuk është një rikthim i vetëm në vendet tradicionale. Ndërsa Vjena, Parisi dhe qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore mbeten të preferuara për ato që kërkojnë tregje të ndriçuara me tregje të Krishtlindjeve dhe festa publike të organizuara, një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve shqiptarë po zgjedhin qytete më të afërta por të ndryshme në atmosferë: Stambolli mbetet një destinacion “i dyfishtë” i aksesueshëm për nga koha e fluturimit dhe i pasur në ofertë kulturore, ndërsa destinacionet bregdetare të Ballkanit si Budva, Kotor apo Dubrovnik po pozicionohen si alternativa të arsyeshme për ata që duan një fundvit me më pak udhëtime ajrore dhe më shumë natyrë, darka tradicionale dhe evente lokale, sipas komunikimeve me agjencitë në vend.

Tendenca këtë vit

Tendenca e fundit tregon se shqiptarët po kalojnë nga udhëtime relativisht standarde festive drejt përvojave unike dimërore, me një pjesë në rritje që synon jo vetëm shëtitjet në qytete të bukura, por edhe vendet ku ndjenja e festës duket të jetë pjesë e natyrës së saj më autentike, një trend që pritet të forcohet edhe për sezonet e ardhshme të festave. Çmimet për paketat drejt Lapland në periudhën e festave janë dukshëm më të larta sesa një udhëtim tradicional në Evropë.

Paketat që përfshijnë fluturimet, akomodimin për disa netë, eksplorimi i zonës dhe darka festive zakonisht fillojnë nga rreth 1,000 euro për person e lart, dhe për paketat më luksoze apo ato me më shumë aktivitete tematike mund të kapin edhe 2,000 euro për person nëse përfshihen edhe netë shtesë, transferta dhe guidë për shikimin e dritave veriore që njihen si Aurora borealis.

Këto shifra i afrohen kostove tipike të paketave të plota në destinacione luksoze si Dubai apo Oman, Singapor, Maldive, por për shumë udhëtarë shqiptarë justifikohen nga përvoja “magjike” e dimrit arktik që nuk e gjen në vendet tradicionale të qytetit apo plazhit.

Një tjetër tendencë e këtij viti ishte Kajro, sidomos pas reklamimit masiv për hapjen e Muzeut në këtë qytet, i cili konsiderohet muzeu më i madh në botë për një qytetërim të vetëm. Paketat për Egjipt  nisin nga 650 euro personi për akomodime 4 net.

Kosto

Kostoja mesatare e paketave jep edhe një tregues të sjelljes së konsumatorit: për një city break 3-4 netësh në një qytet evropian me fluturim dhe hotel 3-4 yje, çmimet vijojnë të luhaten rreth 350–550 euro për person, ndërsa paketa të shkurtuara jashtë Evropës apo me akomodim më të mirë (4-5 yje dhe evente speciale për ndërrim vitesh) mund të kapin 800–900 euro për person.

Shërbimet “all inclusive” apo paketat drejt destinacioneve si Dubai, që kërkojnë edhe fluturim më të gjatë dhe shërbime ekskluzive për ndërrim vitesh, shpjegojnë pjesën më të lartë të gamës së çmimeve.

Në anën tjetër, oferta më ekonomike për udhëtime rajonale, për shembull paketa 2-3 ditore në bregdetin e Malit të Zi ose një itinerar Dubrovnik–Budva me autobus dhe hotel me çmime prej rreth 100–200 euro, vijnë si alternativa për familjet me buxhete më të kufizuara. Këto nivele çmimesh reflektojnë jo vetëm koston e fluturimeve dhe akomodimit, por edhe presionin ndaj shërbimeve gjatë periudhave të pikut të sezonit.

Një ndryshim i ndjeshëm krahasuar me vitet e para të paspandemisë shfaqet në modalitetin e prenotimit: konsumatorët shqiptarë po kërkojnë më shumë paketë “të mbyllur” me asistencë lokale, guida në shqip dhe transferime të sigurta, ndërsa një pjesë e udhëtimeve të fundit bëhen me fluturime low-cost të kombinuara me akomodim të rezervuar vetë dhe guidë me ndihmë nga Chatgpt-ja.

Oferta të vazhdueshme promocionale nga linjat low-cost dhe shitjet sezonale si Black Friday   kanë ulur koston e fluturimeve për periudha të caktuara, por për periudhën pikë (rreth 24 dhjetorit deri në 2 janar) disponueshmëria e ulët dhe shtesat për bagazhe/transferime shpesh shndërrojnë një biletë të lirë në një shpenzim më të lartë në total.

Efekti është i dyfishtë: disa udhëtarë që duan të kursejnë priren të rezervojnë distanca më të afërta dhe paketa me autobus, ndërsa ata që kërkojnë përvojë “festive” me aktivitete të organizuara zgjedhin paketat më të shtrenjta që përfshijnë darkë gala dhe aktivitete speciale.

Luks në rritje

Si pasojë e kombinimit të këtyre faktorëve, agjencitë në kryeqytet tregojnë se pritet që edhe për festa të rritet peshorja e udhëtimeve rajonale dhe e arratisjeve të organizuara për datat 25-26-27-28, pasi raportohet që dita e premte është marrë si leje masivisht, për të përfituar një pushim prej 4 ditësh.

Agjencitë turistike shqiptare po përshkruajnë një sezon ku diversiteti i kërkesës (nga familjarët që duan paketa të sigurta te çiftet që kërkojnë arratisje romantike) do të përcaktojë ofertën: më shumë paketa me guida në shqip, oferta për grupe dhe paketim eventesh të tjera (koncerte, darka speciale).

Lidhur me impaktin ekonomik, rritja e kërkesës sidomos për paketat që përfshijnë fluturim dhe akomodim do të sjellë fluks parash drejt operatorëve turistikë lokalë dhe shërbimeve të lidhura, por do të rrisë edhe presionin mbi disponueshmërinë dhe çmimet gjatë periudhave të pikut.

Për natën e ndërrimit të viteve operatorët raportojnë që shumica e kërkesave janë brenda vendit, ndërsa arratisjet preferohen nga data 1 e në vijim, ku sipas tyre diversiteti i kërkesave nis nga ski në rajon për 250 euro personi, deri në plazh në Maldive apo Dubai për paketa mbi 1300 euro personi/ Monitor

Besimtarët kremtojnë Krishtlindjen, mesazhe për paqe dhe dashuri

By: e xh
25 December 2025 at 08:19

Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjes, një prej më të rëndësishmeve të besimit të tyre. Qindra besimtarë katolikë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë për meshën tradicionale të Krishtlindjes, ndërsa për besimtarët ortodoksë, ajo zhvillohet mëngjesin e 25 dhjetorit në Katedralen Ringjallja e Krishtit.

Krishtlindja është një nga festat më të rëndësishme të krishterimit dhe festohet çdo vit më 25 dhjetor nga shumica e të krishterëve në mbarë botën. Kjo festë përkujton lindjen e Jezu Krishtit në Betlehem, një ngjarje themelore në doktrinën e krishterë, e cila shënon ardhjen e Birit të Perëndisë në botë për shpëtimin e njerëzimit.

Sipas Ungjijve, Jezusi lindi nga Virgjëresha Mari, në kushte të thjeshta, në një stallë, dhe u vizitua nga barinjtë dhe më pas nga dijetarët e Lindjes. Kjo lindje simbolizon përulësinë, paqen dhe dashurinë hyjnore, duke treguar se Perëndia iu afrua njerëzve jo me pushtet dhe madhështi, por me thjeshtësi dhe mëshirë.

Krishtlindja ka një rëndësi thelbësore sepse lidhet drejtpërdrejt me misterin e Mishërimit, pra me besimin se Perëndia u bë njeri në personin e Jezu Krishtit. Ky akt përbën bazën e besimit të krishterë, pasi pa Mishërimin nuk do të kishte shpëtim, kryqëzim dhe ringjallje. Krishtlindja shënon fillimin e misionit tokësor të Krishtit dhe përforcon idenë e shpresës dhe rilindjes shpirtërore.

Simbolet e Krishtlindjes janë të shumta dhe të njohura: pema e Krishtlindjes, dritat, ylli, grazhdi, si dhe figurat e Marisë, Jozefit dhe foshnjës Jezus. Ato përfaqësojnë dritën që mposht errësirën, jetën, shpresën dhe bashkimin familjar. Për shumë besimtarë, kjo festë është gjithashtu një kohë reflektimi, lutjeje dhe solidariteti me të varfrit dhe ata në nevojë.

Krishtlindja ka edhe një rëndësi shoqërore dhe kulturore, pasi nxit vlera universale si dashuria, paqja, falja dhe humanizmi. Ajo mbetet një festë që bashkon njerëzit, pavarësisht dallimeve, rreth mesazhit të mirësisë dhe shpresës.

Parashikimi i motit, 25 dhjetor 2025

By: e xh
25 December 2025 at 08:17

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e enjte vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Reshjet e herëpashershme të shiut parashikohen të jenë të pranishme me intensitet të ulët përgjatë relieveve malore në verilindje e juglindje e pjesërisht në zonën perëndimore kryesisht në pjesën e parë të ditës.

Gjatë orëve të pasdites reshje shiu me intensitet të ulët kryesisht të karakterit lokal në jug, ndërsa në verilindje në lartësitë mbi 800-1000metër reshje bore me intensitet të ulët në juglindje në relievet malorë reshje të borës me intensitet kryesisht të ulët.

Era me drejtim kryesor verilindje me shpejtësi 8m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet e kryesisht atë fiton shpejtësi deri 12m/s, me valëzimin në det të forcës 2-3 ballë.

Horoskopi për ditën e sotme, 25 dhjetor 2025

By: e xh
25 December 2025 at 08:14

Dashi
Do të bëni hapa të mëdhenj në çdo gjë që ndërmerrni sot. Kjo është një kohë fantastike për ju që të krijoni rrjete me njerëz të tjerë dhe të krijoni lidhje të rëndësishme. Mos kini frikë të shtyni projekte të caktuara për të komunikuar me të tjerët.
Demi
Pavendosmëria është armiku juaj më i madh sot. Tendenca është që të zhyteni aq shumë në ide sa të harroni mjetin tuaj më të vlefshëm – intuitën tuaj. Ndalo ritmin sapo të ndjeni se po rrotullohet jashtë kontrollit.
Binjakët
Komunikimi është një katalizator kyç për progresin sot. Mos e fut veten në një flluskë dhe mos mendo se mund të bësh gjithçka pa ndihmën e të tjerëve. Pranoje se nuk di gjithçka dhe kërko ndihmë kur të kesh nevojë. Do të jesh i lumtur që e di.
Gaforrja
Ritmi po rritet sot, prandaj merrni hapat dhe filloni punën. Të tjerët mund t’ju shohin si dembel ose të ngadaltë nëse nuk po tregoni një përpjekje të përbashkët. Nëse nuk keni burimet që ju nevojiten për të ecur përpara më shpejt në një projekt aktual, flisni hapur.
Luani
Sot ndodheni në një pozicion shumë strategjik, ku keni një ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet përreth jush. Njerëzit do të vijnë tek ju për përgjigje dhe ju do t’i merrni ato. Nuk është ide e keqe të kërkoni rritje page ose ngritje në detyrë. Do ta merrni.
Virgjëresha
Përdor mendjen sot. Tendenca do të jetë që të bëhesh jashtëzakonisht emocional për shkak të punës që po bën. Mos lejo që ndjenjat e tua të të mposhtin ose të të marrin përsipër plotësisht. Kthehu drejt të menduarit racional dhe ideve të shëndosha logjike për përgjigjet e tua.
Peshorja
Vazhdo me diçka që e vure në lëvizje disa ditë më parë. Mos e humb kontaktin me atë ide të shkëlqyer që të erdhi ndërmend. Bëj pyetje, bëj kërkime dhe ndiq rrugën. Ka të ngjarë të të sjellë shumë më tepër sukses sesa mund të imagjinohet.
Akrepi
Kjo është një nga ato ditë në të cilat njerëzit mund të flasin shumë, por në fund nuk thonë asgjë. Ka shumë biseda, por jo shumë përmbajtje. Bëni çmos të filtroni gjërat pa kuptim në mënyrë që të nxirrni të paktën një ide të dobishme nga biseda.
Shigjetari
Kushtojini vëmendje email-eve që shfaqen në kutinë tuaj postare sot. Bëni një përpjekje shtesë për t’u përgjigjur mesazheve telefonike dhe pyetjeve me shkrim. Një informacion i rëndësishëm do t’ju vijë nëpërmjet një prej këtyre mjeteve. Nuk duhet ta humbisni atë.
Bricjapi
Ka të ngjarë të frustroheni nga njerëz që nuk duket se po e japin maksimumin sot. Të tjerët nuk po tregojnë përkushtimin dhe pasionin në punën e tyre që ju shpesh shfaqni në tuajën. Jini të duruar me ta në vend që t’i gjykoni.
Ujori
Do të arrini një pikë zhgënjimi sot, pasi do t’ju vijnë gjithnjë e më shumë ide. Problemi është se ka të ngjarë të mbingarkoheni shumë shpejt. Bëni një hap prapa nga puna juaj dhe fitoni perspektivë, në vend që të zhyteni në konfuzion.
Peshqit
Mos kini frikë të merreni me më shumë se një projekt njëkohësisht. Aftësia juaj për të kryer shumë detyra njëkohësisht do të jetë mjaft e fortë. Do të përballeni me shumë detyra të ndryshme, por kjo është në rregull. Mos u frikësoni. Qëndroni të qetë dhe të përqendruar dhe do të jeni jashtëzakonisht produktiv.

OBSH: Një e treta e vdekjeve në Europë lidhen me alkoolin

By: e xh
24 December 2025 at 22:21

Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Kosto sociale dhe ekonomike

Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Pse shumë udhëheqës po paralajmërojnë luftë me Rusinë?

By: e xh
24 December 2025 at 21:09

Duartrokitjet u ndalën dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, i radhiti me kujdes letrat e tij në podium. Atij iu deshën 62 sekonda për të arritur te thelbi.

“Forcat e errëta shtypëse po marshojnë sërish”, tha ai. “Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”.

Fjalimi i Ruttes në Berlin më 11 dhjetor ishte i fundit në një seri paralajmërimesh të paprecedentë për një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë që u bënë më 2025 nga zyrtarë të lartë evropianë dhe agjenci të inteligjencës.

Në shkurt, inteligjenca daneze tha se “Rusia e sheh veten në konflikt me Perëndimin dhe po përgatitet për një luftë kundër NATO-s”. Në qershor, gjenerali kryesor i Gjermanisë tha se një sulm mund të ndodhë brenda katër vjetësh, e në nëntor, fjalëve të tij u bëri jehonë homologu polak – dy ditë pasi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se “disa historinë ushtarakë madje besojmë se ne jemi në verën e fundit të paqes”.

Këto nuk janë paralajmërimet e vetme. Por, Rutte ka bërë më së shpeshti paralajmërime të tilla.

Në janar, ai i bëri thirrje shteteve të NATO-s që të rrisin shpenzimet ose të ndjekin kurse të gjuhës ruse, ndërkaq në qershor tha se një sulm mund të koordinohet me një sulm të Kinës ndaj Tajvanit.

Fjalimi i tij i 11 dhjetorit ishte kambana më e fortë e alarmit deri më tani. Ai foli për “përmasat e luftës që kanë përjetuar gjyshërit apo stërgjyshërit tanë” me “një mobilizim masiv dhe miliona njerëz të zhvendosur”.

Çfarë qëndron pas këtyre paralajmërimeve?

Këto deklarime të shpeshta janë bërë kryetituj në mediat kryesore dhe kanë ngritur pikëpyetje, sidomos në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po tregojnë rënie të interesit për të ruajtur nivelin e mbështetjes së sigurisë që u kanë dhënë Evropës në të kaluarën.

“Kjo është diçka që e kam menduar veçmas duke parë se nuk ka asnjë dëshmi që Rusia mund ose dëshiron ta sulmojë NATO-n”, tha për Radion Evropa e Lirë, John Foreman, ish-atasheu ushtarak i Britanisë në Moskë dhe Kiev.

“Mendoj se një numër politikanësh dhe figura ushtarake po përdorin kërcënimin rus për arsye më prozaike: Rutte po inkurajon vendet e NATO-s që të përmbushin zotimet e tyre për shpenzime. Polakët për të sjellë më shumë prani të NATO-s në territorin e tyre”, shtoi ai.

Skeptikët e tjerë vënë thonë se gati pas katër vjetësh luftë, Rusia nuk ka qenë në gjendje ta nënshtrojë Ukrainën, edhe pse këtë vit ka bërë përparime me kosto të jashtëzakonshme në humbje njerëzore dhe në pajisje.

Teemu Tammikko, nga Instituti finlandez për Çështje Ndërkombëtare, tha po ashtu se Rusia nuk duket e “gatshme dhe e aftë që ta sulmojë NATO-n, për momentin”.

Por, ai i tha Shërbimit rus të REL-it se mbajtja e pushtetit nga presidenti rus, Vladimir Putin, “varet nga një kërcënim i jashtëm”, që do të thotë “në terma afatgjatë, është i mundshëm ndonjë provokim i drejtpërdrejt ushtarak, sidomos nëse lufta në Ukrainë bllokohet”.

Disa argumentojnë se kjo veçse po ndodh, sikurse me dronët rusë dhe inkursionet në hapësirën ajrore të NATO-s. Por, paralajmërimet e bëra këtë vit sugjerojnë skenarë edhe më të errët.

Sulmi ndaj Estonisë

Një raport i publikuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR) më 18 dhjetor përqendrohet te frika e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Estonisë, për të testuar gatishmërinë e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për të luftuar.

“Në Evropë, ky ankth ndodhet mbi një frikë më të thellë: se Qeveria amerikane, e shpërqendruar nga politika e brendshme dhe e tunduar nga shkurtimi, mund të reduktojë së shpejti praninë e saj ose t’i vendosë kushte rolit të saj në mbrojtjen e Evropës”, thuhet aty.

Duke e përshkruar Estoninë si “të vogël, tokë të sheshtë dhe të ekspozuar”, raporti thotë se një stërvitje ushtarake e vitit 2016 parashikoi se forcat ruse mund ta pushtonin kryeqytetin brenda 60 orësh gjatë një pushtimi.

Por, raporti gjithashtu thekson se Rusia do të ketë nevojë për 5-10 vjet pas përfundimit të luftës në Ukrainë “për t’u riorganizuar dhe riarmatosur për një sulm të tillë”, që është një periudhë shumë më e gjatë se ajo e parashikuar nga Rutte, Pistorius dhe të tjerët.

Vlen të përmendet se zyrtarët amerikanë nuk kanë përsëritur këto paralajmërime evropiane.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, që është publikuar së voni, argumenton se “aleatët evropianë gëzojnë një avantazh të konsiderueshëm të pushtetit të fortë mbi Rusinë sipas pothuajse çdo kriteri, përveç armëve bërthamore”.

Por, ajo gjithashtu pranon nevojën për angazhim diplomatik amerikan “për të zvogëluar rrezikun e një konflikti midis Rusisë dhe shteteve evropiane”.

“Luftënxitësit”

Zyrtarët e Kremlinit i kanë cilësuar udhëheqësit evropianë si “luftënxitës” dhe kanë mohuar se kanë dëshirë të kryejnë ndonjë sulm. Ata kishin bërë deklarime të ngjashme për Ukrainën në prag të pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, edhe pse kjo nuk do të thotë automatikisht se ekzistojnë plane për agresion të mëtejmë.

“Rusia nuk po ndjek qëllimet ushtarake që i atribuohen vendit tonë”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, më 22 dhjetor. “Siç ka thënë tashmë presidenti i Rusisë, ne madje jemi të gatshëm që të garantojmë këtë ligjërisht si pjesë e një zgjidhjeje të luftës në Ukrainë”, shtoi ai.

Por, çdo angazhim i tillë ka pak të ngjarë të merret seriozisht nga shumë në Perëndim. Rusia po ashtu ka nënshkruar dhe më pas nuk kanë mbajtur premtimet për të respektuar kufijtë e Ukrainës në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994.

Në fund, gjithçka varet nga një njeri i vetëm.

“Siç e dimë, Rusia nuk është demokraci. Një vendim i tillë, në esencë, është rezultat i vendimit të Vladimir Putinit nëse ai dëshiron të sulmojë një vend evropian që është anëtar i NATO-s, ose një vend tjetër evropian, kështu që nuk kemi se si ta dimë”, tha për Shërbimin rus të REL-it, Elizabeth Braw nga instituti për mbrojtje dhe siguri, RUSI.

“Për këtë arsye po shihni udhëheqës ushtarakë në të gjithë Evropën që thonë se duhet të jemi të përgatitur për diçka që do të ndodhë nesër. Mund të ndodhë pas pesë vjetësh, dhjetë vjetësh ose kurrë, por nuk mund të mbështetesh mbi këtë”./ REL

Mbytet anija me emigrantë në Mesdhe, Sea Watch: 116 të vdekur, vetëm një i mbijetuar

By: e xh
24 December 2025 at 20:09

Një tjetër tragjedi e rëndë ka ndodhur në Mesdhe. Të paktën 116 emigrantë kanë humbur jetën pas mbytjes së një mjetit të tyre  lundrues përgjatë itinerarit të Mesdheut qendror. Lajmi është bërë i ditur nga organizata humanitare Sea Watch.

Sipas të dhënave, nga ngjarja ka vetëm një të mbijetuar, i cili është shpëtuar nga një anije peshkimi tuniziane. Mjeti lundrues ishte nisur të enjten nga brigjet e Libisë, por pak kohë pas nisjes ishte lëshuar një sinjal SOS.

Avioni Seabird, i angazhuar në monitorimin e zonës ku kalojnë zakonisht emigrantët, nuk arriti ta lokalizonte anijen, duke ngritur që në fillim dyshimet se kishte ndodhur një mbytje.

Organizata Alarm Phone ka rindërtuar ngjarjen duke bërë të ditur se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Në orën 14:00, Alarm Phone u njoftua për një anije të nisur nga qyteti libian Zuwara me 117 persona në bord. Edhe pse nuk kishte një pozicion GPS, organizata njoftoi rojen bregdetare dhe organizatat joqeveritare përkatëse, ndërsa gjatë gjithë ditës u tentua kontaktimi i anijes përmes telefonit satelitor, pa sukses.

Dy ditë më vonë, mbrëmjen e 21 dhjetorit, Alarm Phone mori informacion se disa peshkatarë tunizianë kishin gjetur një të mbijetuar të vetëm në një varkë druri. Burri kishte deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ishte i vetmi që kishte mbijetuar.

Sipas dëshmisë së tij, vetëm pak orë pas nisjes kushtet e motit u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën deri në 40 km/orë. Alarm Phone bën me dije se po përpiqet të verifikojë plotësisht këtë informacion, por deri më tani nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të plotë.

Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

By: e xh
24 December 2025 at 19:30

Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.

Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.

Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.

Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.

Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez.

“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.

Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.

Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.

Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës./ REL

Papa Leoni kërkon 24 orë paqe në Ukrainë për Krishtlindje

By: e xh
24 December 2025 at 18:40

Papa Leoni XIV u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të paktën në ditën e Krishtlindjes, të respektohet një ditë paqeje në botë. Apeli u bë të martën, më 23 dhjetor, nga Castel Gandolfo, përpara festës së Krishtlindjes.

Ai u shpreh se një nga gjërat që e shqetësojnë më shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje.

“I bëj edhe një herë thirrje të gjithë njerëzve me vullnet të mirë: të respektohet, të paktën në ditën e lindjes së Shpëtimtarit, një ditë paqeje. Le të ketë një ditë paqeje në mbarë botën”, tha Papa.

Siç është bërë zakon, Papa ndaloi për të folur me një grup gazetarësh nga media të ndryshme dhe u përgjigj pyetjeve të tyre.

Mes çështjeve të trajtuara ishin Lindja e Mesme dhe Ukraina. Duke folur për Ukrainën, ku sulmet e shumta ruse kanë goditur disa rajone në orët e fundit, Papa Leoni tha: “Ndër gjërat që më trishtojnë shumë këto ditë është fakti se Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për një armëpushim për Krishtlindje”.

Ai e ripërsëriti thirrjen e tij për një pushim të luftës gjatë Krishtlindjes.

“Ndoshta do të na dëgjojnë, dhe të kemi 24 orë – një ditë të plotë paqeje në mbarë botën”, tha ai.

Ai më pas ftoi të gjithë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të Krishtlindjes, të reflektojnë mbi natyrën e jetës njerëzore dhe mbi vlerën e jetës së njeriut.

“Zoti u bë njeri si ne për të na treguar se çfarë do të thotë të jetosh vërtet jetën njerëzore”, tha ai.

 

Macron dënon kufizimet e vizave të SHBA: Janë akte frikësimi dhe shtrëngimi

By: e xh
24 December 2025 at 17:41

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar masat e kufizimit të vizave të vendosura nga SHBA-ja ndaj ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane, duke i quajtur ato akte “frikësimi dhe shtrëngimi”.

“Franca dënon masat e kufizimit të vizave nga SHBA-ja kundër Thierry Breton dhe katër figurave të tjera evropiane. Këto masa përbëjnë frikësim dhe shtrëngim që synojnë minimin e sovranitetit digjital evropian,” tha Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Macron theksoi se rregullat digjitale të BE-së u miratuan përmes një “procesi demokratik dhe sovran” nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe ato zbatohen brenda Evropës për të siguruar konkurrencë të drejtë midis platformave digjitale.

Ai tha se rregulloret nuk shënjestrojnë asnjë vend të tretë dhe janë hartuar për të garantuar që ajo që është e paligjshme jashtë internetit është e paligjshme edhe në internet.

“Rregullat që qeverisin hapësirën digjitale të BE-së nuk kanë për qëllim të përcaktohen jashtë Evropës”, tha Macron.

Presidenti francez tha se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë për të mbrojtur sovranitetin digjital dhe autonominë rregullatore të bllokut.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja vendosi kufizime vizash për pesë individë të akuzuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizuara për të detyruar platformat të censurojnë “pikëpamjet amerikane”.

PD kërkon mbledhje urgjente për Ballukun, i drejtohet Kryetarit të Kuvendit

By: e xh
24 December 2025 at 16:29

Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve Gamzent Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi i janë drejtuar me shkresë kryetarit të Kvuendit Niko Peleshi ku kërkojnë mbledhjen ditën e nesërme të Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e krëkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kjo është kërkesa e dytë që i drejtohet kryetarit të Kuvendit nga deputetët e PD-së ku referuar të drejtës ligjore, Këshilli mblidhet me kërkesën e 1/2 të anëtarëve. Në kërkesë thuhet se 1 javë është periudhë kohore e mjaftueshme për të gjithë anëtarët për tu njohur me provat e vëna në dispozicio nga SPAK, ku flasim për një dosje me 10 mijë faqe.

Të martën 5 deputetët demokratë shkruan në Mbledhje referuar kërkesës së parë të depozituar ku kishin kërkuar që të vijonin me shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Prokuroria e Posaçme kërkon t’i hapet rruga për marrjen e veprimeve të tjera ligjore për Ballukun, e cila është marrë e pandehur e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama bëri të qartë disa ditë më parë se Këshilli nuk do të mblidhet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht më datë 22 janar për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.

Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u përqëndruan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Kryepeshkop Joani uron besimtarët: Krishtlindja, rreze shprese

By: e xh
24 December 2025 at 16:15

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes.

Kryepeshkopi thotë se festa e Krishtlindjes nuk ka të bëjë vetëm me “lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”, por vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje për këdo.

“Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë.”

Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje. Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e  shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.

Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (2 Petr. 1:4), për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë.

Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve, për ta lavdëruar edhe ne bashkë me ta: Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje (Llk. 2:14). Por, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë: te barinjtë e përulur erdhi një engjëll, sepse zemra e tyre ishte e përulur dhe e hapur. Dijetarëve të Lindjes, që kishin etje për kërkim, iu dha një yll dhe përsëri një engjëll për t’i udhëhequr. Kurse sundimtarëve krenarë dhe dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën të vrasin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por jep fryt vetëm tek  ata që kanë dëshirë, përulësi dhe qëllim të mirë. Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan; por të gjithëve atyre që e pranuan… u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë – shkruan Shën Joani (Jn. 1:11-12).

Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje. Në një predikim të tij, Shën Joan Gojarti thotë: Atëherë, çfarë mund të jetë e barabartë me këto lajme të mira? Zoti në tokë, njeriu në Qiell; dhe të gjithë u bashkuan… dhe u bë pajtim midis Zotit dhe natyrës sonë… vdekja u shkatërrua, parajsa u hap, mallkimi u fshi, mëkati u hoq nga rruga, gabimi u dëbua, e vërteta u kthye, fjala e perëndishmërisë u mboll kudo dhe lulëzoi në rritjen e saj, shoqëria e Qiellit u transferua në tokë, ose më saktë, gjërat në tokë u lidhën me ato në Qiell (Predikim për Krishtlindjen).

Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë – thotë Solomoni i ditur (Fj. Urt. 16:6). Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Zoti e identifikon Veten e Tij me njerëzit në nevojë, duke na thënë: Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë…. Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mt. 25:35-40). Vetëm duke bërë këto, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish.

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit

dhe i Gjithë Shqipërisë

Festat e fundvitit, radhë kilometrike në Kakavijë

By: e xh
24 December 2025 at 15:44

Radhë deri në 7 kilometra janë krijuar në PKK Kakavijë nga emigrantët që po kthehen në atdhe për festat e fundvitit.

Shkak për situatën e krijuar është fluksi i lartë i udhëtarëve, ndërsa pala greke po operon vetëm me dy sportele si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke ngadalësuar ndjeshëm përpunimin.

Sipas të dhënave zyrtare, më datë 23.12.2025, shërbimet e SPK Kakavijë kanë përpunuar gjithsej 9.362 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 6.608 në hyrje dhe 2.754 në dalje.

Me pushime në Malin e Zi/ Futbollisti gjerman rrëzohet nga teleferiku, humbet jetën

By: e xh
24 December 2025 at 15:40

Futbollisti gjerman Sebastian Hertner ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare pasi ka rënë nga një teleferik në Malin e Zi, ngjarje e cila ndodhi më 21 dhjetor. Qendërmbrojtësi i ETSV Hamburg, nga divizioni i pestë gjerman, po bënte ski në Savin Kuk në veri të Malit të Zi kur ra nga një lartësi prej rreth 70 metrash dhe vdiq.

Sipas ‘Bild’, një nga karriget e teleferikut u shkëput nga korniza në krahun ku ishte ulur Hertner, i cili ka qenë pjesë edhe e U-19 të Gjermanisë vite më parë. Gruaja e tij u plagos rëndë, ajo u bllokua nga karrigia dhe theu këmbën.

“Me hidhërim të madh duhet të njoftojmë se kapiteni ynë Sebastian Hertner pësoi një aksident fatal gjatë pushimeve. Jemi të tronditur dhe pafundësisht të trishtuar. Ngushëllimet tona familjes dhe të dashurve të tij. Pusho në paqe Sebastian”, njoftoi klubi i tij, ETSV Hamburg.

Në këtë ngjarje tragjike u përfshinë edhe tre turistë të tjerë që pësuan dëmtime. Tanimë stacioni i teleferikut është mbyllur përkohësisht dhe hetuesit po vijojnë me punën e tyre për të zbardhur ngjarjen.

❌
❌