Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Rusia: Përparim i ngadaltë, por i qëndrueshëm në bisedimet për paqe në Ukrainë

By: Re Nato
25 December 2025 at 17:43

Rusia sheh përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën.

Kështu tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Në procesin e negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, dua të them në procesin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, ka përparim të ngadaltë por të qëndrueshëm”, deklaroi ajo.

Zakharova shtoi se fuqitë e Evropës Perëndimore po përpiqeshin ta pengonin progresin dhe sugjeroi që Shtetet e Bashkuara t’i kundërviheshin lëvizjeve të tilla.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./abcnews.al

Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës

By: Re Nato
25 December 2025 at 17:31

Një mori dronësh rusë e kanë goditur qytetin port rus Temrijuk në rajonin Krasnodar në mesnatë duke ua vënë flakën rezervuarve të mëdhenj të naftës dhe duke dëmtuar objekte industriale, sipas autoriteteve rajonale dhe raportimeve të mediave ruse më 25 dhjetor.

Sulmet kanë ndodhur teksa forcat ruse kanë nisur një valë masive të sulmeve me dronë nëpër Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe zonat e banimit në disa rajone, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sipas selisë për operacione rajonale të Krasnodarit, dy rezervuarë të naftës kanë marrë flakë pas sulmit në qytetin port në Detin Azov në jug të Rusisë.

Flakët janë përhapur në rreth 2.000 metra katrorë, ndërsa në raportimet preliminare nuk janë përmendur viktima. Në pamjet e publikuara nga disa media janë parë flakë duke dalë prej një rafinerie nafte në afërsi.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ia ka atribuuar zjarrin një sulmi ukrainas me dronë, ndonëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Raketat Javelin/ Eksperti Shala: Një nga armët më të suksesshme. Shqipëria, kopje të sistemit deri në 2030

By: Re Nato
25 December 2025 at 17:21

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se raketat Javelin janë ndër armët më të suksesshme në kohët moderne.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Shala u shpreh se deri në 2023, Shqipëria do të prodhojë armët e saj anti-tank.

“Planifikohet që deri në 2030, Shqipëria të prodhojë armët e saj anti-tank. Kjo tregon për një vizion. Padyshim, deri më tani, nuk është lejuar të jetë pjesë e mekanizmave. Ushtria shqiptare është në kuadër të misionit të KFOR. Si mesazh, vizita e shtafit të shtabit, kishte atë politik dhe atë ushtarak. Rrugëtimi i Kosovës, pas vitit 2028 do jetë në bashkërendim me Shqipërinë. Mesazhi ushtarak është tepër i rëndësishëm”, theksoi ai.

Lidhur me zgjedhjet në Kosovë, Shala deklaroi: “Çështjet e përcaktimit të fatit të Kosovës do vendoset në 28 dhjetor. Mund të themi që sipas të gjitha gjasave, do të kemi sërish zgjedhje të jashtëzakonshme në muajin prill. Mund të kemi cikël të ri zgjedhor sa i takon mandatimit të presidentit”./abcnews.al

Rrëzohet helikopteri në majën më të lartë të Afrikës, humbin jetën 5 persona

By: Re Nato
25 December 2025 at 16:36

Pesë persona kanë humbur jetën pasi një helikopter u rrëzua në malin Kilimanxharo, maja më e lartë e Afrikës, në Tanzaninë veriore.

Aksidenti ndodhi përgjatë një prej rrugëve më të njohura të ngjitjes në mal, gjatë asaj që policia tha se ishte një mision evakuimi mjekësor për të marrë pacientët.

Midis të vdekurve ishin dy shtetas të huaj, ,si dhe një mjek vendas, një guidë turistike dhe piloti.

Helikopteri u rrëzua midis Kampit Barafu dhe Summit Kibo në një lartësi prej më shumë se 4,000 metrash.

Komandanti i policisë rajonale të Kilimanxharos, Simon Maigwa, tha se aeroplani operohej nga Kilimanjaro Aviation, një kompani që ofron evakuim mjekësor dhe shërbime të tjera të aviacionit.

Kompania ende nuk ka komentuar për incidentin.

Meloni paralajmëron: Viti 2026 do të jetë shumë më i keq se 2025

By: Re Nato
25 December 2025 at 16:25

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke parashikuar se viti 2026 “do të jetë shumë më i keq” se viti 2025.

48-vjeçarja bëri parashikimin jo aq festiv gjatë shkëmbimit tradicional të përshëndetjeve të Krishtlindjeve me stafin e Presidencës së Këshillit të Ministrave.

“Fundi i vitit 2025 ka qenë i vështirë për të gjithë ne. Mos u shqetësoni, sepse viti i ardhshëm do të jetë shumë më keq”, tha Meloni.

“Pra, pushoni siç duhet gjatë këtyre festave, sepse ne duhet të vazhdojmë t’i japim përgjigje këtij kombi të jashtëzakonshëm”, vazhdoi ajo.

Duke folur nga Pallati Qeveritar në Romë, Meloni e përshkroi vitin 2025 si një vit të përcaktuar nga luftëra të vazhdueshme — duke e paraqitur administratën e saj si një “familje” që kishte luftuar në fronte të shumta.

Fjalimi është pjesë e një tradite vjetore në të cilën udhëheqësja e Italisë zakonisht i jep kombit një mesazh shprese.

 

Mesha e Krishtlindjes/ Besimtarët katolikë kremtojnë ngjalljen e Krishtit në katedralen e Shën Palit

By: Re Nato
24 December 2025 at 23:49

Besimtarët e krishterë po kremtojnë festën më të rëndësishme të besimit të tyre, lindjen e Jezu Krishtit.

Në katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, u zhvillua mesha e shenjtë e Krishtlindjeve.

Në këtë vigjilie Krishtlindjesh, besimtarët kryejnë të gjitha ritet, ndërsa nuk mungon lutja në kishë./abcnews.al

SHBA thellon luftën me BE, ish-eurokomisionerit i mohohet viza

By: Re Nato
24 December 2025 at 23:45

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do t’u mohojnë vizat pesë personave, mes tyre edhe një ish-komisioner i Bashkimit Evropian, me arsyetimin se kanë tentuar të “detyrojnë” platformat amerikane të rrjeteve sociale të shtypin pikëpamje që nuk i mbështesin.

Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se masat prekin individë që, sipas Uashingtonit, kanë avancuar politika censurimi përmes shteteve të huaja dhe organizatave joqeveritare, duke synuar folës dhe kompani amerikane. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bëhet fjalë për “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara” që kanë promovuar goditje ndaj lirisë së shprehjes.

Në mesin e personave të përfshirë është Thierry Breton, ish-komisioneri evropian për tregun e brendshëm dhe rregullator i lartë i teknologjisë në Komisionin Evropian. Departamenti i Shtetit e përshkroi Breton si “arkitektin” e Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së, i cili vendos detyrime të forta për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale.

Breton reagoi duke e quajtur vendimin një “gjueti shtrigash”, ndërsa në një postim në platformën X shkroi: “Për miqtë tanë amerikanë: Censura nuk është aty ku mendoni se është”.

Akti për Shërbimet Digjitale ka ngjallur kritika të forta nga konservatorë amerikanë, të cilët pretendojnë se ai synon të censurojë opinionet e djathta. Brukseli i ka mohuar këto akuza. Breton ka pasur përplasje të drejtpërdrejta edhe me Elon Musk, pronarin e platformës X, lidhur me zbatimin e rregullave evropiane.

Së fundmi, Komisioni Evropian e gjobiti platformën X me 120 milionë euro, gjoba e parë e vendosur sipas DSA-së, duke argumentuar se sistemi i verifikimit me shenjën blu ishte “mashtrues” pasi nuk verifikonte realisht përdoruesit. Si kundërpërgjigje, X bllokoi Komisionin Evropian nga reklamimi në platformë.

“Protestat e Berishës nuk mbështeten nga qytetarët”/ Kthupi: Përjashton nga partia ata që nuk i binden

By: Re Nato
24 December 2025 at 23:33

Avokati Rezart Kthupi thotë se protestat e thirrura nga kreu i PD, Sali Berisha nuk mbështeten nga qytetarët.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kthupi u shpreh se Berisha përjashton nga partia ata që nuk i binden.

“Mendoj që ajo që kërkon Berisha është të rivitalizojë simpatizantët, por jo qytetarët. Protestat nuk mund të jenë politike. Duhet të sillet dhe të mbahet në këmbë nga qytetarët. Qytetarët nuk kanë marrë pjesë në këto protesta. Analiza është proces ndryshe nga botimi i librit. Ai libër ishte i vlefshëm për raportin e misionit të OSBE ODIHR. Sa i përket analizës, PD ka alergji. Lidershipi i partisë nuk ka marrë kurrë përgjegjësi. Statuti u shkel që kur zoti Salianji u ftua si anëtar i Kryesisë. Pas daljes nga burgu, Berisha vendosi ta shpërblente Salianji. Nuk ka asgjë për t’u habitur. Ajo parti ka funksionuar gjithmonë në atë formë. Përjashtohesh nëse je kundra Sali Berishës. Tani që nuk i shërben Berishës, është tradhtar i radhës”, theksoi ai./abcnews.al

Vigjilja e Krishtlindjes/ Besimtarët kremtojnë meshën e mesnatës në kishën “Shën Pali” në Tiranë

By: Re Nato
24 December 2025 at 23:03

Besimtarët katolikë presin vigjiljen e Krishtlindjes. Mesha e mesnatës do të mbahet në kryeqytet në kishën “Shën Pali me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë.

Mesha solemne e mesnatës shënon Lindjen e Jezus Krishtit.

Pas ceremonisë në kishë, besimtaret përcjellin urimet tek njëri tjetri dhe më pas kremtojnë në familje./abcnews.al

Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë/ Gazetari italian: Shqiptarët e njohin Italinë më mirë se italianët Shqipërinë

By: Re Nato
24 December 2025 at 22:43

Emisioni “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” u transferua këtë herë në Durrës, aty ku shumë italianë po punojnë dhe jetojnë.

Gazetari italian, Giuseppe Mazzei jeton prej dy vitesh në vendin tonë dhe tha për gazetarin Artur Nura se shqiptarët e njohin Italinë më mirë se italianët Shqipërinë.

Si president i ë Shoqatës së Familjes Italba, Mazzei deklaroi se ka si qëllim që të afrojë të dyja komunitet.

Intervistuesi: Pra, ju jeni?

GM: Giuseppe Mazzei, unë jam një gazetar italian që jetoj në Shqipëri prej dy vitesh. Kam punuar në RAI për 25 vjet si zëvendësdrejtor i Tg1 dhe Tg2 dhe si korrespondent i Presidentit të Republikës Scalfaro. Më pas kam punuar në marrëdhëniet institucionale në RAI. Pasi u largova nga RAI u bëra drejtor i marrëdhënieve institucionale në Allian. Kam shkruar disa libra gazetarie mbi marrëdhëniet institucionale dhe kam dhënë mësim si profesor me kontratë në universitete të ndryshme italiane. Jam në pension dhe kam vendosur, siç thonë, të shijoj pensionin tim ndërsa vazhdoj të zhvilloj aktivitete edhe këtu në Shqipëri.

Intervistuesi: Gazetarët nuk dalin kurrë në pension – formalisht po, por në kuptimin praktik të jetës me siguri që jo, deri në frymën e tyre të fundit.Por çfarë ju shtyu të transferoheni në Shqipëri?

GM: Epo para së gjithash, një kuriozitet i madh për këtë vend të cilin italianët nuk e kuptuan plotësisht për kaq shumë vite. Është një vend që ishte një zbulim për mua dhe kurioziteti im u shua plotësisht. Isha kurioz të shihja se si ky vend po ecte përpara duke kaluar nga vitet jashtëzakonisht të vështira të diktaturës, pasiguritë e viteve 1990 në një ngritje të vrullshme drejt zhvillimit. Dhe doja të kuptoja pse ky vend, kaq afër Italisë – jo vetëm gjeografikisht por edhe historikisht dhe kulturor – ishte kaq i lënë pas dore nga ne.Kështu që thashë: “Epo, le të shkojmë atje, të hedhim rrënjë dhe të përpiqemi ta kuptojmë më mirë”.

Intervistuesi: A pendoheni apo jo?

GM: Absolutisht jo, nuk pendohem. Në fakt jam i emocionuar që jam këtu, dhe po i bind miqtë dhe kolegët e tjerë gazetarë të bëjnë të njëjtën gjë, sepse ka kaq shumë për t’u thënë italianëve për Shqipërinë, por më pak për t’u thënë shqiptarëve për Italinë. Shqiptarët e njohin Italinë më mirë sesa italianët Shqipërinë.

Intervistuesi: Por ndërkohë ju ftova si President të Shoqatës së Familjes Italba. Si lindi kjo ide?

GM: Është pikërisht në përputhje me projektin tim, i cili është të vij në Shqipëri, të përpiqem ta kuptoj më mirë këtë vend dhe mbi të gjitha t’i afroj dy komunitetet: komunitetin italian dhe atë shqiptar. Natyrisht, kjo në qytetin ku jetoj, në Durrës, por edhe në Tiranë, ku sigurisht do të zhvillojmë aktivitete. Shoqata është një organizatë jofitimprurëse dhe synon të zhvillojë aktivitete kulturore dhe sociale për të edukuar më mirë shqiptarët rreth Italisë dhe anasjelltas.

Intervistuesi: Ju jeni gazetar. A do të ishit dakord me titullin tim për këtë program, “Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë”?

GM: Pikërisht, është një titull i bukur që përshkruan një situatë unike që shumë njerëzve u mungon. Në realitet pas eksodit, një fluksi të justifikuar të shqiptarëve që kërkonin një tokë të re ku mund të shprehen pas viteve të shtypjes, tani po ndodh procesi i kundërt. Italianët vijnë në Shqipëri sepse Shqipëria është një vend dinamik që ofron shumë mundësi, dhe jo vetëm avantazhet e famshme tatimore për të cilat dëgjojmë, por edhe sepse në Shqipëri ekziston ajo që mund të përshkruhet si një ndjenjë që ndoshta është në rënie në Itali: një ndjenjë zhvillimi, një dëshirë për të bërë gjëra të reja, dhe për tu marrë me dicka. Ka një entuziazëm që mund të ndihet edhe kur shikon arkitekturën, veçanërisht në Tiranë, por edhe në Durrës apo qytete të tjera. Të gjitha gjërat e reja po bëhen me një dëshirë të madhe për t’i bërë mirë dhe për t’i bërë të bukura.

Intervistuesi: Çfarë ka në programin e shoqatës?

GM: Programi i shoqatës përfshin një sërë iniciativash kulturore që lidhen me këtë temë. Për shembull, kemi mbajtur një ekspozitë fotografike, do të ketë një debat mbi historinë e marrëdhënieve të Italisë me Shqipërinë dhe do të kemi një sërë aktivitetesh institucionale me rajonet italiane, të cilat do të vijnë këtu për të prezantuar produktet dhe kulturën e tyre. Shqiptarët janë të pranishëm në çdo rajon italian jo vetëm komunitetet e vjetra arbëreshe, por edhe shqiptarët e gjeneratës së dytë dhe të tretë.

Intervistuesi: Pyetja e fundit, dikush thotë se ështe rajoni i 21-të i Italisë. A do të ishit dakord me këtë si gazetar?

GM: Jo, është një shprehje që mund të jetë efektive, por mua më duket ofenduese sepse Shqipëria është një vend që ka qenë gjithmonë pjesë e Evropës dhe është një partner. Mund të them se shprehja që do të zgjidhja unë do të ishte: partneri i privilegjuar i Italisë në Ballkanin Perëndimor. Ai është një partner i barabartë sepse nuk kemi cfare t’i mësojmë askujt asgjë, por duhet të zhvillojmë një sërë iniciativash së bashku me popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare. Gjithashtu besoj se ky partneritet Itali-Shqipëri do t’i japë Italisë pak më shumë energji duke pasur parasysh se vendi ynë ka humbur disi shkëlqimin e tij vitet e fundit.Ndoshta me Shqipërinë do ta rigjejë.

Intervistuesi: Një shprehje tjetër që dëgjoj herë pas here: A ndiheni si në shtëpi në Shqipëri?

GM: Po, ndihem në shtëpi dhe jetoj mirë këtu. Dua të qëndroj edhe për vitet e ardhshme sepse nuk kam vështirësi gjuhësore.Ne fakt po studioj shqipen sepse është një gjuhë e bukur por paksa sfiduese. Por për pjesën tjetër, ushqimi, njerëzit – ne italianëve na duan shumë, ndoshta edhe më shumë sesa e meritojmë.

Intervistuesi: Faleminderit shumë./abcnews.al

Italia në Shqipëri/ Anna La Rosa: Jam kalabreze, po përpiqem të studioj historinë

By: Re Nato
24 December 2025 at 22:30

Emisioni “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” u transferua këtë herë në Durrës, aty ku shumë italianë po punojnë dhe jetojnë.

Anna La Rosa, gazetare italiane e politikës, tha për gazetarin Artur Nura se është me origjinë nga Kalabria dhe se është pjesë e shoqatës Famiglia Italba.

La Rosa shtoi se është e lumtur në Durrës dhe po përpiqet të studiojë historinë.

Intervistuesi: Pra, kush jeni ju?

Anna La Rosa (ALR): Anna La Rosa.

Intervistuesi: Anna La Rosa. Çfarë përfaqëson Anna La Rosa për dëgjuesit tanë që nuk janë italianë?

ALR: Për ata që nuk janë italianë, unë jam një gazetare italiane, kryesisht një gazetare politike, dhe në vitin 1993 në Itali krijova emisionin e parë politik që tregonte dhe prezantonte politikanët nga afër.

Intervistuesi: Komplimenta per zgjedhjen.

ALR: Më pas isha edhe drejtoreshë e Rai Parlamento.Për ata që nuk janë italianë, kur u bëra drejtoreshë e Rai Parlamento në vitin 2001, gazetarët e televizionit publik italian Rai, shkonin e vinin nga Brukseli në Strasburg për të punuar si korrespondentë. Pra, gjatë asaj periudhe, pata fatin të krijoja zyra të përhershme redaksionale, sepse gjithmonë mendoja – kishim folur për Europën që kur isha e vogël – dhe nuk kishte kuptim të tregoja për politikën e Parlamentit Italian pa filluar me atë të Parlamentit Europian. Dhe sot, sidomos negativisht, po shohim se sa shumë vendime merren në Bruksel ose Strasburg dhe jo në vende të veçanta evropiane.

Intervistuesi: Por ne nuk jemi në Bruksel, ne jemi në Tiranë. Jemi pikërisht në shtëpinë e gjuhës italiane, në Institutin Italian të Kulturës. Pse jeni në Tiranë sot?

ALR: Unë jam në Tiranë sepse jam kalabreze, nga një qytet i bukur aty pranë në Detin Jon, ku mbërritën bronzet e Riace-s, nga Gerace, ku që kur isha i vogël, kishte një kishë të vogël ku priftërinjtë nga bregdeti i provincës së Kozencës, Kalabri, vinin gjithmonë për të festuar ritin në shqip.

Intervistuesi: Pakica historike shqiptare?

ALR: Po pakica historike shqiptare, e cila është shumë e rrënjosur thellë dhe vazhdon të ruajë gjuhën dhe traditat e saj. Dhe kështu, disi si fëmijë, midis kalabrezëve dhe shqiptarëve, nuk e dinim se kush ishte shqiptar ose kalabrez. Pra unë këto rrënjë i kam patur gjithmonë. Dhe tani jam shumë kurioze sepse Shqipëria është një gabim historie, kjo plagë, kjo ndarje, kjo çarje.

Intervistuesi: Mund t’u themi atyre që po dëgjojnë se kombi shqiptar tani është ndarë në pesë shtete të ndryshme. Ne e paguajmë këtë çmim, apo jo?

ALR: Sigurisht, sigurisht që e paguajmë. Unë erdha këtu, si shumë njerëz që keni intervistuar. Duhet ardhur në Shqipëri.

Intervistuesi: A jeni pjesë e shoqatës Famiglia Italba? Emri më thotë shumë, Famiglia Italba.

ALR: Jam pjesë e shoqatës por kur erdha për herë të parë në Shqipëri nuk e imagjinoja se do të gjeja këtë ngrohtësi, këtë bukuri, këtë diell. Këtu të gjithë buzëqeshin kanë kaq shumë dashuri për ne italianët. Pra, për të parafrazuar programin tonë, a do të ketë tani një eksod të kundërt që ka filluar tashmë?

Intervistuesi: Tashmë po.

ALR: E dua shumë Durrësin, duhet ta them. Tirana është një qytet i bukur.

Intervistuesi: Sipas mendimit tim, është kryeqyteti i italianëve në Shqipëri.

ALR: Durrësi është i bukur dhe unë po përpiqem të studioj historinë. Jam këtu për të mësuar, dhe shoqata është një mjet i jashtëzakonshëm për të rilidhur fijet e këputura, për të rikuperuar kujtimet që përndryshe do të rrezikonin të humbisnin. Ka shumë për të treguar; në fakt, urime për këto programe sepse rrëfimi i historive është thelbësor.

Intervistuesi: Ju jeni gazetare. Gazetarët nuk dalin kurrë në pension, sipas mendimit tim. Ata gjithmonë do të përpiqen të zbulojnë diçka deri në frymën e fundit. A keni një plan specifik për të zbuluar diçka rreth Shqipërisë? Sepse në përvojën time të gjatë profesionale dhe gjithashtu njerëzore, nuk është se flitet shumë për Shqipërinë në Itali.

ALR: Njerëzit flasin keq për Shqipërinë; ata flasin për të kur ndodh diçka që ka të bëjë me ngjarjet aktuale. Kam punuar me të vetmen ministre të imigracionit që qeveria Craxi e kishte dëshiruar me largpamësi, Margherita Boniver, kur mbërriti anija e famshme, por pastaj historia mbaron aty. Tani njerëzit flasin për Shqipërinë për shkak të qendrës së imigracionit dhe kjo është gjithmonë tema e bisedës. Si gazetare, dua të përfshihem falë edhe Giuseppe Mazzei, i cili është një mik dhe koleg. Na lidh jo vetëm puna jonë por edhe një miqësi e madhe. Pra, nëpërmjet shoqatës, nëpërmjet gazetës online – tani gazeta online ka mbizotëruar – edhe nëpërmjet njerëzve që dinë më shumë se ne dhe që kanë bërë kaq shumë gjatë viteve, nëpërmjet institutit kulturor, shpresoj edhe nëpërmjet institucioneve italiane, ambasadës italiane dhe gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kemi vërtet shumë për të thënë. Unë ndërkohë do të doja t’ju prezantoja me një arkiv të jashtëzakonshëm që mbulon Shqipërinë nga viti 1916 deri në vitin 1943. Shumë gjëra nuk janë shkruar; i gjeta vetëm në arkivat e Ushtrisë Italiane.

Intervistuesi: Në karrierën time profesionale, kur intervistoj italianë, ata gjithmonë më tregojnë histori të ngjashme, dhe ka shumë italianë që erdhën këtu sepse gjyshërit e tyre u treguan për Shqipërinë. Nuk ishte Rai apo Mediaset, por gjyshërit e tyre që në shtëpi u treguan për Shqipërinë. Ata kishin familje të përziera, dhe tani janë këtu, dhe kjo histori u ka shpëtuar gazetarëve, kolegëve tanë italianë.

ALR: Në fakt u shpëton dhe dua t’ju tregoj më vonë kur të fiket kamera që gjeta një ditar, i cili është të paktën me14 vëllime, pjesërisht i shkruar me makinë shkrimi, pjesërisht me stilolaps.Një gjeneral i ri në vitin 1916, kundër vullnetit të tij, u dërgua këtu.Kjo histori që nipi i tij e zbuloi në moshën 60 vjecare fillon kështu:

“Ishte gusht 1916, ishte ora 4 e mëngjesit.Në plazhin e Durrësit kishte vetëm disa peshkatarë dhe çuditërisht edhe dy fëmijë që, nuk e di pse ishin zgjuar dhe po luanin në plazh në agim. Ata na panë duke menduar se ishim hijet e anijeve të peshkimit, por jo, burrat e mi zbritën nga anijet me pushkët e tyre të mbajtura lart, në mënyrë që të mos i lagnin armët, me ujin që u arrinte mbi gjunjë dhe u detyruan të qëllonin.” Dhe nga aty, ka një histori që duhet të tregohet, duhet të kemi guximin ta tregojmë…

Intervistuesi: Do t’i jap një dorë kujtdo që dëshiron ta tregojë këtë histori.Histori të ngjashme ka kaq shumë që ekrani i vogël italian për fat të keq nuk është i përshtatshëm. Mund t’u japim atyre hapësirën për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin. Unë publikisht e konsideroj Italinë si një vëlla i madh, dhe kur vëllai i madh nuk është mirë, mendo motra e vogël Shqipëri.

ALR: Kjo është e saktë, dhe shoqata jonë e themeluar nga Giuseppe Mazzei, anëtare e së cilës jam e nderuar të jem, do të bëj gjithçka që është e mundur, dhe kështu do të jemi, do të bashkohemi. Do të jetë një det i vetëm sepse në fakt është një det i vetëm.Sipas mendimit tim, deti nuk na ndan, na bashkon.

Intervistuesi: Ju falënderoj për këtë intervistë dhe nuk do të jetë e fundit, do të jetë thjesht e para.

ALR: Faleminderit, faleminderit edhe atyre që na dëgjuan.

Intervistuesi: Faleminderit./abcnews.al

La Italinë për Durrësin/ Liora Sinigaglia: Ndihem si në shtëpi, nuk mendoj të kthehem

By: Re Nato
24 December 2025 at 22:10

Emisioni “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” u transferua këtë herë në Durrës, aty ku shumë italianë po punojnë dhe jetojnë.

Një prej tyre, Liora Sinigaglia tha për gazetarin Artur Nura se është transferuar në Durrës prej 4 muajsh dhe se ndihet si në shtëpi.

Sinigaglia tha se Durrësi i kujton Venecian, teksa shtoi se krijon dhe organizon evente kulturore.

Intervistuesi: Mirëmëngjes, Liora Sinigaglia.

Liora Sinigaglia: Mirëmëngjes.

Intervistuesi: Pse zgjodhët Durrësin?

Liora Sinigaglia: Durrësi më kujton shumë qytetin tim, Venecian. Kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë në Venecia dhe, në një farë mënyre, Durrësi më ngjan shumë me të: deti, drita, kultura veneciane që është e pranishme këtu, së bashku me kulturën italiane. Ishte qyteti i parë që pashë kur erdha në Shqipëri dhe menjëherë u ndjeva si në shtëpi.

Intervistuesi: Jeni transferuar në Shqipëri për të jetuar apo për të punuar?

Liora Sinigaglia: Për të dyja. Jetoj dhe punoj këtu. Nuk mendoj se do të kthehem të jetoj në Itali: këtu ndihem mirë, ndihem si në shtëpi, ec shumë në qytet dhe përdor pak makinën.

Intervistuesi: Me çfarë merreni?

Liora Sinigaglia: Krijoj dhe organizoj evente kulturore, diçka që e kam bërë gjithmonë edhe në Itali.

Intervistuesi: Mund t’ju quajmë kuratore kulturore?

Liora Sinigaglia: Po, më shumë a më pak. Organizoj evente që përfshijnë muzikë, art dhe prezantime librash.

Intervistuesi: Sa kohë ka që jetoni në Durrës?

Liora Sinigaglia: Jetoj në Durrës prej rreth katër muajsh, por kam ardhur shpesh këtu që prej një viti e gjysmë.

Intervistuesi: Pra, nuk jeni e re në qytet. A keni miq këtu?

Liora Sinigaglia: Po, kam miq në Shqipëri. Kam vizituar qytete të ndryshme si Tirana, Saranda, Gjirokastra, por Durrësi gjithmonë më ka bërë të ndihem si në shtëpi.

Intervistuesi: Gjatë këtyre katër muajve, a keni realizuar ndonjë event në Durrës?

Liora Sinigaglia: Po, në shtator organizova një ekspozitë të një fotografi italian shumë të vlerësuar, në hamamin turk. Ishte një ekspozitë me 17 fotografi, të shtypura në mënyrë të veçantë, mbi panele në sublimim, që trajtonin abstraksionin. Ato përshtateshin shumë mirë me bardhësinë e ambientit.

Intervistuesi: A pati sukses?

Liora Sinigaglia: Po, pati shumë sukses: rreth një mijë vizitorë fizikisht dhe mbi 10.000 online. Gjëja më e bukur ishte reagimi i nxënësve të shkollave, të cilët kërkuan që artisti t’i shoqëronte nëpër qytet për të fotografuar Durrësin.

Intervistuesi: Pra, do të ketë edhe një projekt të ri?

Liora Sinigaglia: Pikërisht. Një nga eventet e ardhshme do të jetë t’i çojmë fëmijët të fotografojnë qytetin e tyre.

Intervistuesi: A keni organizuar edhe evente të tjera?

Liora Sinigaglia: Po, kam kuruar prezantimin e librit Asia nga Massimo Sarretta. Ky libër është hyrja e një ekspozite që do të mbahet nga 30 janari deri më 28 shkurt në Galerinë Nicoletta Vasili në Durrës. Qyteti u zgjodh sepse është porti më i madh tregtar dhe përfaqëson një udhëtim simbolik nga Perëndimi drejt Lindjes.

Intervistuesi: E keni prezantuar librin edhe në Tiranë, apo jo?

Liora Sinigaglia: Po, prezantimi u bë edhe në Tiranë dhe po organizojmë edhe evente të tjera.

Intervistuesi: Mund të na tregoni diçka më shumë?

Liora Sinigaglia: Po punojmë për një ekspozitë të artistit Astrit Shoti, një artist shqiptar që jeton në Itali. Ekspozita është planifikuar për vitin 2026, edhe pse ende nuk kemi një datë të saktë. Gjithashtu do të sjellim një ekspozitë tjetër të fotografit Fabrizio Loiacono, me titull Equilibrio Armonico, që flet për marrëdhënien mes njeriut dhe Nënës Tokë.

Intervistuesi: Kohët e fundit keni mbyllur një ekspozitë me një event të veçantë, apo jo?

Liora Sinigaglia: Po, ekspozitën e shtatorit e mbyllëm me një mbrëmje në amfiteatër. Në atë rast, Olen Cesari, një mik i imi, u kthye të luante në qytetin e tij pas shumë vitesh. Ai interpretoi dy pjesë dhe në korrik do të rikthehet për një koncert në Durrës.

Intervistuesi: Punoni kryesisht me artistë italo-shqiptarë?

Liora Sinigaglia: Po, punoj shumë në fushën italo-shqiptare, por jam gjithmonë e hapur edhe ndaj skenës ndërkombëtare për të sjellë projekte kulturore në Shqipëri.

Intervistuesi: Në Itali, a merreshit me të njëjtën fushë?

Liora Sinigaglia: Jo, në Itali kam punuar për shumë vite si përgjegjëse e eventeve të Polo Museale Sapienza. Kishim një kontratë trevjeçare dhe merreshim me evente dhe restaurime. Kam organizuar edhe ekspozita të tjera dhe kam rikthyer në Itali artistë si Jimmy Owens pas dhjetë vitesh mungesë.

Intervistuesi: Urime vërtet.

Liora Sinigaglia: Faleminderit./abcnews.al

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Belgjika bashkohet me Afrikën e Jugut në rastin e gjenocidit kundër Izraelit në GJND

By: Re Nato
24 December 2025 at 21:31

Belgjika ka depozituar zyrtarisht një deklaratë ndërhyrjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në rastin që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit për shkelje të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Gaza.

Gjykata konfirmoi të martën se Belgjika ka dorëzuar deklaratën më 23 dhjetor, duke u mbështetur në Nenin 63 të Statutit të ICJ-së. Para Belgjikës, në këtë rast janë bashkuar tashmë vende të tjera si Brazili, Kolumbia, Irlanda, Meksika, Spanja dhe Turqia. Neni 63 garanton të drejtën e shteteve anëtare të një konvente për të ndërhyrë në çështje që lidhen me interpretimin e saj.

Belgjika theksoi se ndërhyrja e saj fokusohet tek Nenet I deri VI të Konventës së Gjenocidit, me vëmendje të veçantë tek Neni II, i cili lidhet me interpretimin e “qëllimit të veçantë” të kërkuar për qëllimin gjenocidal.

Gjykata ka ftuar Afrikën e Jugut dhe Izraelin që të dorëzojnë shqyrtime të shkruara mbi ndërhyrjen e Belgjikës, në përputhje me Nenin 83 të Rregullave të Gjykatës.

Afrika e Jugut ngriti çështjen kundër Izraelit më 29 dhjetor 2023, duke e akuzuar për shkelje të detyrimeve sipas Konventës së Gjenocidit në veprimet e tij ndaj palestinezëve në Gaza. Që nga ajo kohë, gjykata ka dhënë një sërë masash të përkohshme që urdhërojnë Izraelin të marrë hapa për të parandaluar aktet e gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, është organi kryesor gjyqësor i OKB-së dhe gjykon mosmarrëveshjet ligjore midis shteteve.

OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin

By: Re Nato
24 December 2025 at 20:57

Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Kosto sociale dhe ekonomike

Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

Vuçiç: Kam pritur më shumë nga Trump

By: Re Nato
24 December 2025 at 20:37

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se Beogradi kishte pritur hapa të mëdhenj përpara nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por se deri një ndikim i tillë nuk është ndier.

“Kur flasim edhe për tarifat, kur flasim për sanksionet ndaj NIS-it, asgjë nga këto nuk ka qenë në dobi të interesave të Serbisë. Njëkohësisht, kur u përballëm me çaste të vështira, nuk e morëm atë mbështetje as nga fuqitë e tjera të mëdha, as nga Lindja, as nga BE-ja”, tha Vuçiç në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në tetor ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompanisë kryesore të naftës dhe gazit në Serbi, për shkak të pronësisë ruse.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka treguar gatishmëri për t’i shitur aksionet e saj shumicë në NIS, në mënyrë që ta bëjë të mundur heqjen e sanksioneve dhe ta ndihmojë Serbinë ta shmangë një krizë gazi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Moska “ka ide” se si NIS-i mund të dalë nga kriza, por nuk dha hollësi.

Sa i përket tarifave amerikane mbi produktet e huaja, të cilat Trumpi i vendosi në prill të vitit 2025, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më e goditura është Serbia.

Tarifat doganore të SHBA-së për Serbinë që nga ajo kohë janë 37 për qind, ose dy për qind më të larta se tarifat e reja doganore të vendosura për produktet nga Bosnja.

Merz: Gjermania e angazhuar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë

By: Re Nato
24 December 2025 at 19:49

Kancelari gjerman Friedrich Merz nënvizoi angazhimin e qeverisë së tij për të siguruar që paqja dhe siguria të mbizotërojnë në Evropë, në mesazhin e tij video të Krishtlindjeve.

“Në këto muaj dhe vite, bëhet fjalë për paqen, për sigurinë dhe për prosperitetin e të gjithë kontinentit tonë”, tha Merz, i cili është shfaqur si një mbështetës i flaktë i Ukrainës.

“Në këtë frymë, ne ndihemi të përkushtuar ndaj Gjermanisë dhe Evropës. Varet nga ne”, shtoi ai.

Qeveria do të bëjë detyrën e saj dhe do të punojë me durim dhe këmbëngulje për të çuar përpara interesat e Gjermanisë, tha ai.

Në fjalimin e tij që zgjati pak më shumë se dy minuta, Merz u kthye pas në një vit plot ngjarje që e pa të merrte drejtimin e ekonomisë më të madhe të Evropës pas zgjedhjeve të shkurtit.

Kancelari, i cili udhëheq një qeveri koalicioni të përbërë nga blloku i tij konservator dhe Social Demokratët, pranoi se arritja e kompromisit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.

“Pati diskutime dhe jo gjithçka shkoi plotësisht mirë”, theksoi ai.

Shumë vendime sapo kanë filluar të zbatohen ose do të hyjnë në fuqi në planin afatgjatë, tha ai.

“Na duhet durim dhe këmbëngulje, po aq sa edhe shtysa për të vazhduar të vendosim më të mirën për vendin tonë çdo ditë”, tha Merz.

Arrestohet ambasadori i Polonisë në Francë

By: Re Nato
24 December 2025 at 19:35

Ambasadori i Polonisë në Francë është shkarkuar nga posti i tij, në pritje të rezultateve të një hetimi ndaj tij për “ndikim të pahijshëm” që përfshin një institucion që jepte diploma të falsifikuara.

Jan Emerick Rosyszewski, ambasador në Paris që nga viti 2022, u arrestua të martën me të mbërritur në Aeroportin Frederic Chopin të Varshavës dhe dha një deklaratë para hetuesve nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA), sipas gazetës online Goniec.pl.

“Ministri (i Jashtëm) Radoslaw Sikorski ka vendosur ta shkarkojë atë nga detyrat e tij derisa të sqarohen dyshimet” rreth përfshirjes së tij në këtë rast, tha një zëdhënës i ministrisë për agjencinë e lajmeve PAP. Ndërkohë, zëvendësi i Rociszewski-t, Wieslaw Tarka, po merr detyrën e kreut të misionit diplomatik të Polonisë në Paris.

Përveç diplomatit, çështja përfshin zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ish-deputetë nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Të dyshuarit besohet se kanë marrë pjesë ose kanë përfituar nga dhënia e diplomave MBA (Master në Administrim Biznesi) nga një universitet privat i themeluar nga njëri prej tyre. Qëllimi ishte t’u mundësohej mbajtësve të këtyre diplomave të emëroheshin në pozicione kyçe në shërbimin publik.

Ambasadori mohon çdo përfshirje në mashtrim.

Sipas CV-së së tij zyrtare, ai studioi në Varshavë, Lublin, Poloni, dhe në Institutin e Studimeve Politike të Parisit, dhe zotëron një “MBA Ekzekutive”. Në të kaluarën, ai ka mbajtur pozicione të larta në shumë banka, kompani sigurimesh dhe shërbime financiare, duke përfshirë AXA dhe BNP Paribas. Ai ishte gjithashtu nënkryetar dhe më pas kryetar i bordit të drejtorëve të bankës polake PKO Bank Polski.

❌
❌